Lideri i opozitës Sali Berisha e quajti sot ‘vrasje pothuajse shtetërore’ vrasjen e turistit 20 vjeçar portugez në orët e para të 18 gushtit pas një debati në një lokal plazhi në Ksamil, në jug të Shqipërisë.
“Në Sarandë, shteti dhe krimi janë një”, tha Berisha sot në një konferencë për median.
Pjesë nga deklarata e Berishës
Vrasja e 20-vjeçarit portugez, turist në Ksamil, është një akt sipas të dhënave, pothuaj vrasje shtetërore.
E them këtë në kuptimin, jo se ai u ekzekutua nga njerëz me uniformë, por në kuptimin e vërtetë se industria turistike në Sarandë është në kthetrat e krimit.
Në Sarandë, shteti dhe krimi janë një.
Ligji nuk ekziston.
Në Sarandë, dhe jo vetëm, flitet gjerësisht për një ekonomi të bazuar në trafiqe droge, njerëzore etj, e cila gëlon nga darka në mëngjes në lokalet e natës, të cilat funksionojnë gjer në agim.
Në plazhet e pushtuara, ku nuk gjendet një metër plazh publik, por të gjitha të dominuara nga të fortit që shesin shezlonget qindra euro.
Por vrasja e turistit portugez ka edhe një karakter konkret shtetëror, sepse në këtë akt makabër, e quaj makabër, erdhi të bëjë pushimet tek ne ai, dhe tani ai përcillet në arkivol, në këtë akt makabër. Bashkëpunëtorë ishin të paktën 3 punonjës me uniformë.
Kjo dëshmon se cila është shkalla e lartë e inkriminimit të rojeve të sigurisë në këto lokale.
Ata në vend se të parandalonin krimin, e fshehën për orë të tëra krimin, në mos, hetimi do tregojë, ndoshta edhe morën pjesë në masakrimin e 20-vjeçarit portugez.
Një turist mund të humbasë jetën në një vend, mund të ndodhë dhe të marrë goditje fatale, por turistit portugez i ndodhën këto në një mjedis ku rojet e sigurisë ishin punonjës shtetërorë dhe kjo dëshmon se cila është shkalla e lartë e inkriminimit.
Dhe njëherë, ata punonjës kishin detyrë ta parandalonin, nuk mund të them se futën apo jo thika në trupin e turistit, por ata bënë një krim të shëmtuar sepse e fshehën krimin.
E fshehën krimin e shëmtuar!
Dhe shëmtia vazhdon më tej kur krerët e narkoshtetit rrahin gjoksin për sukses se u kap vrasësi pas shumë e shumë orësh në vend se duhet të skuqeshin me turp për aktin që ndodhi në duart e shtetit.
Portugezin, pra, e vrau mjedisi kriminal i krijuar nga narkoshteti në Sarandë, Ksamil dhe më gjerë.
E vrau mjedisi i dominuar nga të fortët e shtetit. Thika ishte vetëm mjeti, instrumenti i këtij mjedisi.
Sot, ambasada të vendeve partnere kryesorë njoftojnë qytetarët e tyre, apo u tregojnë listën e lokaleve në të cilat nuk duhet të shkojnë.
Që të gjitha këto kanë licenca.
Por ato vazhdojnë punën pa asnjë lloj shqetësimi sepse janë të miqve të qeverisë.
Saranda njohu dy ngjarje, kjo është më tragjikja, por më parë u shkelmua oficeri i policisë, dy javë më parë u vra tjetri në derë të shtëpisë aty, de facto rendi është në duart e krimit.
Dënoj me forcën më të madhe dhe njëherë shpreh ngushëllime familjes. Çdo shqiptar duhet t’i shprehë ngushëllime kësaj familje.
I biri i saj erdhi në Shqipëri për pushim, kthehet në arkivol nga banda shtetërore.
Marsi Korreshi, SYRI TV: Z. Berisha, kush duhet të mbajë përgjegjësi direkte për përgjakjen e sezonit turistik në vend dhe çfarë masash mendoni se duhen marrë për të parandaluar këtë situatë?
Sali Berisha: Pa diskutim që në plan të parë është drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe linja e tij.
Por të garantoj që, Saranda dhe i gjithë bregu, ka tentakulat e Edi Ramës dhe drejtuesve të tjerë të partisë së krimit në parlament, në qeveri dhe kudo.
Nuk ka diskutim që policia ka përgjegjësi absolute në këtë rast, por këta përgjegjësi nuk ndjejnë.
Aty, organet e sigurisë në këto lokale janë të përbërë nga rrogëtarë shteti që sillen si banditë që nuk pyesin për asgjë.
Turizmi, siç tregon ky rast dhe raste të tjera, është kryesisht në duart e krimit dhe antiligjit.
Marsi Korreshi: Çfarë pasojash mendon se sjellin pikërisht këto ngjarje që ju denoncuat, përgjakja e sezonit, tek turizmi drejtpërdrejt në Shqipëri?
Sali Berisha: Natyrisht, pasojat janë shumë negative. Pasojat janë një emër i keq për Shqipërinë si vendi ku vriten turistët. Nuk ka më keq se kaq.