Normal view

Ministria e Mbrojtjes – informim mbi situatën e zjarreve gjatë 24 orëve të fundit

By: A R
24 August 2026 at 11:49

Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë 24 orëve të fundit, në territorin e vendit janë raportuar 33 vatra zjarri, nga të cilat 6 vijojnë aktive dhe 10 mbahen nën mbikëqyrje.

Për menaxhimin e situatës janë angazhuar në total 214 forca operacionale dhe 30 automjete zjarrfikëse. Operacionet janë mbështetur nga Forcat e Armatosura me 60 efektivë, 3 automjete zjarrfikëse, 1 ekskavator të rëndë me zinxhir, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Angazhimi operacional vijon në disa qarqe, me fokus të veçantë në Tiranë, Dibër, Lezhë, Shkodër dhe Durrës.

Në Malin e Dajtit vijon ndërhyrja ndaj vatrave ende aktive, ndërsa nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në zonën Gojan–Gjegjan–Tërbun, Bashkia Pukë, ndërhyrja ka vijuar me forca vendore dhe të Forcave të Armatosura. Gjatë ditës së sotme janë dislokuar edhe 40 efektivë të FA-së dhe 1 helikopter për mbështetje nga ajri. Situata është vënë nën kontroll dhe nuk paraqitet rrezik për banesat, ndërsa vatra në Prozhëm vijon aktive dhe po punohet për izolimin e saj.

Në qarkun Dibër vijojnë aktive vatrat në Ballenjë dhe Qafë të Helmës, ndërsa vatra në Bërshi mbahet nën mbikëqyrje.

Në Mirditë, vatra në Shtuf vijon aktive, ndërsa vatrat në Lufaj dhe Tenë janë izoluar dhe mbahen nën monitorim.

Strukturat e sistemit të mbrojtjes civile në nivel qendror dhe vendor vijojnë monitorimin e situatës dhe angazhimin në terren, me prioritet izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave aktive, si dhe parandalimin e riaktivizimeve.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

Qëlloi me armë zjarri drejt një automjeti të parkuar, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar.

By: A R
24 August 2026 at 11:02

Kuçovë / Qëlloi me armë zjarri drejt një automjeti të parkuar, brenda pak orëve kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar.

Në pranga edhe një shtetas tjetër, i dyshuar për përkrahjen e autorit të krimit. Sekuestrohen arma e zjarrit dhe municion.

Në vijim të informacionit të dhënë më datë 23.08.2026, për ngjarjen e ndodhur në lagjen “1 Maji”, Kuçovë, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të një automjeti të parkuar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kuçovë, në bashkëpunim me Prokurorinë Berat dhe Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, vijuan veprimet intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe punës së koordinuar, në Tiranë, u bë e mundur lokalizimi dhe kapja e shtetasve A. Ç., alias A. Gj., 32 vjeç, dhe A. Xh., 49 vjeç, të dy banues në Kuçovë.

Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit A. Xh., në tarracë u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri dhe disa fishekë, të cilat dyshohet se lidhen me ngjarjen.

Në përfundim të veprimeve procedurale u bë arrestimi i shtetasve:

– A. Ç., për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”, “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”.
– A. Xh., për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Gjithashtu, u procedua në gjendje të lirë shtetasi S. Gj., 65 vjeç, banues në Kuçovë, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.

 

Deputeti i Fierit, Luan Baçi reagim për bashkimin e Divjakës me bashkinë e Lushnjes

By: A R
24 August 2026 at 10:53

Deputeti i PD-së, Luan Baçi, ka shprehur mbështetjen për qytetarët e Divjakës që po protestojnë kundër ndryshimeve të ndarjes administrative. Baçi kërkon që Divjaka të vijojë të jetë bashki dhe vlerëson angazhimin e ish-deputetes Ilda Dhori në mbështetje të qytetarëve.

Reagimi i plotë:

Divjaka duhet te qendroj Bashki!
Qytetaret e Divjakes çdo dite ne proteste.
Qendrese, perballje, asnje hap pas, nga ana e tyre!
Mbeshtetje per qytetaret kurajoz dhe guximtare te Divjakes!
Vleresim, mbeshtetje dhe respekt per kolegen e nderuar, mjeken dhe qytetaren model te Divjakes, ish deputeten Ilda Dhori, (qe ne fakt duhet te ishte, si perfaqesim dinjitoz ne parlament,) per angazhimin dhe kontributin e vyer, shume te rendesishem, qe po jep çdo dite per Divjaken dhe bashkeqytetaret e saj!

Shtatzëna u vra me armë në Malishevë, çifti u gjetën të plagosur në dhomën e gjumit

By: A R
24 August 2026 at 10:31

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e së dielës fshatin Kërvasari të Malishevës në Kosovë, ku një çift bashkëshortësh u gjet i plagosur me armë zjarri në banesën e tyre.

Policia e Kosovës është njoftuar rreth orës 23:20, ndërsa efektivët kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë gjetur burrin dhe gruan të plagosur në dhomën e gjumit. Të dy janë transportuar drejt QKUK-së për ndihmë të specializuar mjekësore.

Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, gruaja nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë rreth orës 01:10. Sipas të dhënave paraprake, ajo ishte shtatzënë në javën e 34-t.

Në vendngjarje, policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, e cila dyshohet se lidhet me ngjarjen.

Ndërkohë, bashkëshorti i viktimës vijon të marrë trajtim në QKUK dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

“Diella” e re shumë milionëshe! Berisha reagon për nismën e qeverisë: “Pasqyrë Albania”

By: A R
24 August 2026 at 09:48

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj nismës së qeverisë për krijimin e portalit të ri “Pasqyra Albania”, duke e cilësuar atë si një tjetër projekt abuziv dhe një mënyrë për të shpërdoruar miliona nga paratë publike.

Sipas kreut të PD-së, “Pasqyra Albania” paraqitet si një portal përmes të cilit qytetarët do të mund të ndjekin ankesat dhe kërkesat e tyre, por në të vërtetë, sipas tij, bëhet fjalë për një tjetër projekt që do të kushtojë miliona dollarë.

“Pasqyra është një mashtrim i ri, një mur i ri midis qytetarit dhe administratës”, shprehet Berisha, duke shtuar se platforma do t’u shërbejë qytetarëve “aq sa Diella luftës kundër vjedhjeve qeveritare”.

REAGIMI I PLOTË:

“Pasqyrë Albania”, Diella e re shumë milionëshe!

Në serialin e mashtrimeve të tij të kësaj vere, Edi Rama, i bronzuar por i tromaksur dhe i skaduar, pas dështimit me Besën dhe Besimin, njoftoi nga Pogradeci portalin e ri “Pasqyra Albania” si mjetin e komunikimit me qytetarët për hallet e tyre.

Në fakt, me këtë ai njoftoi vjedhjen e re të miliona dollarëve për “Pasqyra Albania”, në të cilën, sipas tij, qytetari do të mund të ndjekë ankesën apo kërkesën e tij.

Natyrisht, pasqyra është një mashtrim i ri, një mur i ri midis qytetarit dhe administratës, e cila do t’u shërbejë qytetarëve aq sa Diella luftës kundër vjedhjeve qeveritare.

Rama në Pogradec, sot takim me ministrat

By: A R
24 August 2026 at 09:45

Kryeministri Edi Rama do të mbledhë këtë të hënë ministrat në Pogradec, një ditë pasi zhvilloi një takim disa orësh me drejtuesit politikë të Partisë Socialiste në qarqe dhe drejtuesit e komisioneve parlamentare.

Takimi me ministrat zhvillohet në formatin e “retreat”-it qeveritar, një mbledhje joformale që Rama e ka kthyer në traditë në nisje të sezonit të ri politik pas pushimeve verore.

Në tryezë pritet të jetë bilanci i punës së ministrive deri tani. Mbledhja vjen menjëherë pas diskutimeve të së dielës me drejtuesit socialistë.

Në qendër të diskutimeve ishin dokumentet “Besa” dhe “Prania Besnike”, të prezantuara nga Rama në fund të korrikut, me synimin për të përcaktuar një qasje të re të PS-së gjatë mandatit të ri qeverisës.

Një tjetër çështje e diskutuar ishte “Pasqyrë Albania”, platforma e prezantuar nga socialistët për evidentimin dhe ndjekjen në kohë reale të problematikave të ngritura nga qytetarët.

Pas strukturave politike të partisë, tashmë radha u vjen ministrave për të raportuar mbi rezultatet dhe për të përcaktuar prioritetet e fazës së ardhshme të qeverisjes.

Zjarr pranë tunelit te Uji i Ftohtë në Vlorë, flakët përfshijnë pisha dhe bredha! Pranë ndodhen hotele e biznese

By: A R
23 August 2026 at 22:43

Një zjarr ka përfshirë pasditen e sotme zonën pranë tunelit në Ujin e Ftohtë në Vlorë.

Flakët kanë përfshirë pisha dhe bredha, ndërsa në afërsi ndodhen edhe disa hotele e biznese.

Forcat zjarrfikëse vijojnë ndërhyrjen për shuarjen e flakëve, ndërsa situata mbetet kritike për shkak të dendësisë së bimësisë dhe rrezikut të përhapjes së zjarrit.

“Divjaka e qytetarëve”, banorët kundër reformës territoriale të propozuar nga PS, protesta vijon prej 24 ditësh

By: A R
23 August 2026 at 22:34

Protesta e banorëve të Divjakës kundër reformës së propozuar administrative ka hyrë këtë mbrëmje në ditën e 24-t, ndërsa qytetarët vijojnë të kundërshtojnë përfshirjen e bashkisë së tyre në projektin e riorganizimit territorial të propozuar nga mazhoranca.

Edhe pse numri i protestuesve ishte më i ulët krahasuar me ditët e mëparshme, banorët që kanë vijuar qëndresën shprehen të vendosur për të mos lejuar shkrirjen e Bashkisë Divjakë dhe bashkimin e saj me Bashkinë Lushnjë.

Protestuesit kanë deklaruar se krahas presioneve verbale, sipas tyre, kanë nisur edhe gjobat ndaj bizneseve, të cilat ata i konsiderojnë si përpjekje për të dobësuar dhe shuar protestën. Megjithatë, banorët shprehen se nuk do të tërhiqen dhe do të vijojnë të protestojnë deri në momentin që kërkesat e tyre të dëgjohen.

Qëndrimi i tyre është i qartë: Divjaka duhet të vijojë të funksionojë si bashki më vete dhe të mos i bashkëngjitet Lushnjës. Banorët argumentojnë se vendimi për riorganizimin e njësive vendore duhet të marrë në konsideratë vullnetin dhe interesin e komunitetit.

Protesta është mbyllur me një marshim në rrugët e qytetit, ku qytetarët kanë përsëritur disa prej sloganeve kundër reformës, mes tyre: “Mazniku propozon, Divjaka kundërshton”, “Divjaka bashki”, “Divjaka e qytetarëve, jo e pushtetarëve”.

Në fund të marshimit, protestuesit përcollën edhe një tjetër mesazh për vijimin e qëndresës: “Nesër më shumë”, duke paralajmëruar se protesta do të vijojë edhe në ditët në vazhdim.

Vrasja e turistit/ Dëshmia e turkes që u kap për përkrahje të autorit: S’kisha dijeni që Sokrat Vata ishte në makinë

By: A R
23 August 2026 at 21:59

Katër ditë pas vrasjes me thikë të 21-vjeçarit portugez Luis Mendes, policia e Sarandës ka gjetur armën e krimit. Përveç gjurmimit nëpërmjet kamerave të sigurisë për të parë lëvizjet që ka bërë autori i dyshuar, S.V., hetuesit kanë marrë edhe deklarimet e A.Z. Ky i fundit rezulton të jetë personi që ka marrë në makinë S.V. për ta dërguar në spital, pasi e ka parë me rroba të përgjakura.

Thika me të cilën dyshohet se u qëllua 7 herë 21-vjeçari portugez u gjet në disa ferra, në një rrugë dytësore. Gjatë deklarimeve të tij para hetuesve, A.Z. ka shpjeguar të gjitha lëvizjet që kanë kryer dhe deri ku e ka shoqëruar autorin e dyshuar të ngjarjes.

“A.Z. ka marrë makinën dhe në pjesën e sipërme të lokalit ka dalë S.V., i cili kishte hipur në pjesën e pasme të makinës dhe është nisur menjëherë në drejtim të qendrës shëndetësore të Ksamilit. Gjatë rrugës, S.V. i tha: “Ik vetëm drejt” dhe pas dy-tre minutash, kur shkuan në një rrugë me kalldrëm, i ka thënë: “Ndalo këtu” dhe ka ikur zbathur. Disa metra, pak larg makinës, A.Z. kishte vënë re që S.V. hodhi diçka me forcë.”

S.V., në deklarimet e tij, ka theksuar se i ka kërkuar një shtetasi turk me emrin Mahmut, të cilin e kishte njohur në plazh, ta çonte në Tiranë sepse nuk e dinte se çfarë do të ndodhte më tej. Ai ishte futur në bagazhin e makinës, sipas tij, me argumentin se donte të flinte gjumë. S.V. ka mohuar të jetë ai personi që ka goditur me thikë 21-vjeçarin.

Ndërsa shtetasja turke, e cila u arrestua për përkrahje të autorit të krimit pasi u kap së bashku me N.M., duke sjellë në Tiranë autorin e dyshuar S.V., ka mohuar të ketë dijeni për ngjarjen.

“Jam njohur me shtetasin turk N.M., kur ka ardhur me pushime në Shqipëri, nëpërmjet adresës së Instagramit, pasi ky shtetas jep makina me qira. Unë nuk kisha dijeni që kishim S.V. në makinë. Rrugës, kur ishim duke shkuar për në Tiranë, dikush e ka telefonuar N.M., pak para se të shkonim te vendi ku na kapi policia, dhe i ka thënë që ‘shiko se ke polici përpara’. Aty N.M. më tregoi që në bagazh ndodhej S.V.”

Ndërkohë, policia është ende në kërkim të D.Gj., të cilin e akuzon për bashkëpunëtor në vrasje, sipas asaj që duket në pamjet e kamerave të sigurisë. Në kërkim është edhe pronari i lokalit, B.B. Më herët, gjykata caktoi arrest në burg për 6 persona dhe la të lirë 5 të tjerë.

Sezoni i ri politik dhe fokusi te “Besa”! Përfundon mbledhja e Ramës me drejtuesit politikë dhe kabinetin qeveritar në Pogradec

By: A R
23 August 2026 at 20:47

Ka përfunduar mbledhja e zgjeruar e kryeministrit Edi Rama me drejtuesit politikë dhe anëtarët e kabinetit qeveritar, e zhvilluar sot në Pogradec.

Takimi nisi rreth orës 11:30 dhe në fokus të diskutimeve të para ishte dokumenti strategjik “Besa”.

Të pranishmit kanë paraqitur sugjerimet e tyre konkrete lidhur me përmbajtjen e dokumentit dhe mënyrën e zbatimit të tij në terren.

Gjatë mbledhjes, kryeministri Rama është ndalur veçanërisht te roli dhe përgjegjësitë që duhet të ketë secili prej drejtuesve në nivel rajonal, duke përfshirë ministrat, drejtuesit politikë, deputetët dhe drejtuesit e institucioneve lokale.

Mbledhja u zhvillua në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri politik dhe organizimit të strukturave në terren.

 

 

Vrasja e dyfishtë në Dukagjin/ Hetuesit fokusohen te konfliktet e mëparshme dhe gjakmarrja, RENEA në kërkimi të autorëve

By: A R
23 August 2026 at 20:40

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në zonën e Dukagjinit në Shkodër, ku dy persona dyshohet se kanë humbur jetën dhe një tjetër është plagosur rëndë pas të shtënave me armë zjarri.

Viktimat janë identifikuar si Lek Gjoni dhe Prel Gjoni, ndërsa Lazër Bashi ka mbetur i plagosur rëndë.

Në zonën e ngjarjes janë nisur forca të shumta policie, ndërsa drejt Dukagjinit është nisur edhe RENEA. Terreni i thellë malor e vështirëson ndërhyrjen e autoriteteve, pasi zona ndodhet disa orë larg qytetit të Shkodrës. Po ashtu, mungesa e sinjalit telefonik në disa pjesë të zonës e bën të vështirë komunikimin dhe mbledhjen e informacionit të plotë.

Hetuesit po analizojnë vendin ku dyshohet se janë kryer të shtënat, ndërsa një prej pistave që po shqyrtohet lidhet me konflikte të mëparshme ose gjakmarrje. Megjithatë, kjo pistë mbetet ende e pakonfirmuar zyrtarisht.

Për shkak të terrenit malor dhe faktit se bëhet fjalë për një zonë me lëvizje të kufizuar të automjeteve, policia po kryen një këqyrje të detajuar të zonës për të identifikuar autorët dhe për të rindërtuar dinamikën e ngjarjes. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes së rëndë.

Nga vjedhja e automjetit me vlerë 200 mijë euro, te tritoli në garazh/ Kush është “Visi i garave”, 40-vjeçari u arrestua në Palasë nga RENEA

By: A R
23 August 2026 at 20:18

Elvis Kosova, i njohur edhe si “Visi i garave” është arrestuar sot në Palasë gjatë një operacioni nga FNSH dhe RENEA. Mësohet se atij i është gjetur një armë zjarri pa leje.

Por kush është Elvis Kosova i njohur edhe si “Visi i garave”?

Në korrik të vitit të kaluar Elvis Kosovës iu vendos tritol te një garazh në pronësi të tij te rruga “Peti”.

Lënda plasëse dyshohet se ishte vendosur në portën hyrëse të garazhit të 40-vjeçarit. Si pasojë e shpërthimit u shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale në disa automjete, të parkuara.

Një emër i njohur për policinë, Elvis Kosova ka precedent të mëparshëm penal. I njohur ndryshe si Visi i garave, apo Visi i makinave te shpejta, ai u arrestua në gusht të vitit 2024 për shkak se u akuzua për vjedhjen e nje audi R8 me vlerë 200 mijë euro.

Lidhur me këtë rast, bashkë me të u vu në pranga edhe një shtetas turk. Shtetasi turk kishte marrë me qira një automjet të markës ‘Audi’ R8 në Gjermani.

Pasi kishte hyrë në territorin shqiptar, automjeti iu dorëzua Elvis Kosovës, i cili dyshohet se ka manipuluar situatën për ta përvetësuar automjetin luksoz me vlerë 200 mijë euro për vete. Shtetasi turk më pas bëri një kallëzim pranë autoriteteve duke pretenduar se automjeti i ishte vjedhur pranë një hoteli afër stadiumit “Air Albania” në Tiranë.

Mbi një dekadë priti kthimin e tyre, 84-vjeçari nga Pogradeci ndërron jetë pa parë 5 nipërit e mbetur në Siri

By: A R
23 August 2026 at 11:54

Dylber Shuli, 84 vjeçari nga Zagorçani i Pogradecit, ka ndërruar jetë pa mundur të shohë 5 nipërit dhe mbesat e tij, të mbetur prej vitesh në kampet e Sirisë.

Për më shumë se një dekadë, Shuli kërkoi kthimin e tyre në Shqipëri dhe apeloi vazhdimisht në media për ndërhyrjen e shtetit.

Pavarësisht operacioneve të riatdhesimit të zhvilluara ndër vite, fëmijët e familjes Shuli nuk u kthyen. Sot 84-vjeçari është ndarë nga jeta, pa mundur të realizojë dëshirën për të përqafuar nipërit dhe mbesat e tij.

Tiranë – Zbardhen 6 vjedhje, arrestohen dy persona, njëri prej tyre theu arrestin e shtëpisë

By: A R
23 August 2026 at 11:51

Shërbimet e Komisariateve të Policisë Nr. 1 dhe Nr. 4 në kryeqytet kanë finalizuar brenda 24 orëve të fundit dy operacione të koduara “HIJA” dhe “REACTION”, duke vënë në pranga dy persona të dyshuar për 6 raste të vjedhjes së pronës.

Në kuadër të operacionit “HIJA”, efektivët e Komisariatit Nr. 1 arrestuan 23-vjeçarin K. M., i cili dyshohet se nga data 14 deri më 22 gusht 2026 ka vjedhur para dhe produkte në 5 subjekte të ndryshme. Nga verifikimet doli se i riu ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi” për të njëjtën veprimtari kriminale. Gjatë kapjes së tij në sheshin “Skënderbej”, policia i gjeti dhe i sekuestroi gjithashtu një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa.

Ndërkohë, gjatë operacionit të koduar “REACTION”, shërbimet e Komisariatit Nr. 4 vunë në pranga shtetasin Sh. J., 31 vjeç. Ai akuzohet se i ka vjedhur me dhunë dy varëse një qytetareje në rrugën e “Saraçëve”. Policia sekuestroi dy varëset e vjedhura në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale për të dyja rastet u referuan në Prokurorinë e Tiranës për veprime të mëtejshme.

FOTO+EMRAT/ Vrau partneren dhe më pas veten, ky është autori shqiptar i krimit në Greqi! Identifikohet edhe 45-vjeçarja

By: A R
23 August 2026 at 11:44

Janë identifikuar viktimat e ngjarjes së rëndë të ndodhur në Nea Smyrni të Greqisë, ku një çift me origjinë shqiptare u gjet i pajetë.

Sipas të dhënave të bëra publike, autori i dyshuar i ngjarjes është Altin Allmuça, ndërsa viktima është identifikuar si Julieta Obzova, 45 vjeçe, të dy me origjine nga Shqipëria.

Ngjarja ndodhi mëngjesin e së dielës në hyrje të një pallati në Nea Smyrni, ku të dy u gjetën me plagë të shkaktuara nga armë zjarri.

Sipas versionit paraprak të autoriteteve greke, Allmuça dyshohet se ka qëlluar për vdekje 45-vjeçaren dhe më pas ka vrarë veten.

Policia vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, marrëdhënien mes dy personave dhe motivin që qëndron pas krimit.

Çifti ka pasur nje lidhje

Sipas hetimeve të autoriteteve greke, viktima dhe autori kishin një lidhje në të kaluarën, por nuk ishin te martuar. Në fakt, situata mes tyre thuhet se ishte e tensionuar, pasi në vitin 2024 gruaja kishte paraqitur një kallëzim kundër tij për përvetësim prone, duke pretenduar se ai i kishte marrë një motoçikletë. Megjithatë, nga kërkimet e deritanishme, nuk ka dalë në pah asnjë histori e regjistruar e dhunës në familje.

Deshmite

Dyshimet e bërë janë për një akt vrasje nga ana e burrit, i cili mendohet se ka pritur të dashurën 45-vjeçare që të dalë nga pallati dhe pas një debati, ai e ka qëlluar duke e lënë të vdekur. Më pas burri ka qëlluar me armë edhe veten në kokë.

Fqinjët kanë deklaruar se kanë dëgjuar 3 të shtëna me armë zjarri, me një diferencë disa sekonda nga njëra tjetra.

“Isha duke fjetur në shtëpi, por nuk isha në gjumë të thellë. Papritmas dëgjuam 3 zhurma shumë të forta, për të cilat nuk e dinim nëse ishin të shtëna me armë zjarri.

Ata nuk reagonin, pati një hendek prej disa sekondash. Pas pak u dëgjua sirena e makinës së patrullës. Nuk e kuptova çfarë ndodhi. Nuk më shkoi ndërmend se ishte një e shtënë me armë zjarri”, përshkruan ngjarjen një banor i pallatit.

Pushuesit nga Kosova zgjedhin bregdetin shqiptar, fluks i shtuar automjetesh përgjatë Rrugës së Kombit

By: A R
23 August 2026 at 11:40

Ditët e fundit të gushtit kanë sjellë një fluks të lartë automjetesh nga Kosova në drejtim të Shqipërisë, teksa qindra mjete udhëtojnë drejt bregdetit shqiptar për të shfrytëzuar ditët e fundit të sezonit veror.

Ngarkesa e automjeteve është e dukshme në pikën kufitare të Morinit, por edhe përgjatë Rrugës së Kombit, veçanërisht në segmentin nga Morini deri në Pikën e Pagesës, ku qarkullimi është shtuar ndjeshëm.

Në pikën kufitare të Morinit, autoritetet po punojnë me të gjitha sportelet në dispozicion për të përballuar fluksin e lartë të udhëtarëve dhe automjeteve.

Masa të ngjashme janë marrë edhe në Pikën e Pagesës së Rrugës së Kombit, me qëllim shmangien e radhëve dhe lehtësimin e qarkullimit.

Fluksi pritet të vijojë edhe gjatë orëve në vazhdim, pasi shumë qytetarë nga Kosova kanë zgjedhur bregdetin shqiptar për pushimet e fundit të gushtit.

Shkon në katër numri i viktimave nga aksidenti tragjik në Manzë, ndërron jetë në spital edhe 16-vjeçari i plagosur

By: A R
23 August 2026 at 11:09

Ka shkuar në katër numri i viktimave nga aksidenti tragjik i ndodhur më 19 gusht në Manzë.

Mësohet se ka ndërruar jetë edhe 16-vjeçari Klevis Dervishi, i cili prej disa ditësh ndodhej i shtruar në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku po merrte trajtim mjekësor për plagët e marra nga aksidenti.

Përveç 16-vjeçarit, nga ky aksident tragjik humbën jetën edhe 25-vjeçari Kleo Vrioni, bashkëshortja e tij Sara Brugnatelli, si dhe 15-vjeçari Alvi Muhaxhiri. Autoritetet po vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.

21 vatra zjarri në 24 orë në Shqipëri, ja zonat ku flakët paraqesin rrezikun më të madh

By: A R
23 August 2026 at 11:06

Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit në vend janë raportuar 21 vatra zjarri. Gjashtë prej tyre vijojnë të jenë aktive, ndërsa shtatë të tjera janë nën mbikëqyrje.

Për menaxhimin e situatës janë angazhuar 354 forca operacionale dhe 24 automjete zjarrfikëse. Në operacione marrin pjesë gjithashtu 155 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 automjete zjarrfikëse, një ekskavator i rëndë, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.

* Mali i Dajtit – vijon operacioni me mbështetjen e 30 efektivëve të FA-së. Gjatë ditës së djeshme u angazhuan 25 efektivë MZSH, 5 ADZM, 30 FA, si dhe kapacitetet ajrore. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

* Qafë e Helmes, Bulqizë – sot është riaktivizuar zjarri në dy vatra në pyll me pisha të dendura. Në operacion janë angazhuar 11 efektivë MZSH për vendosjen e situatës nën kontroll.

* Shtuf, Mirditë – vatra mbetet aktive, por me intensitet të ulët dhe po monitorohet nga strukturat vendore.

* Shtanë–Tenë, Mirditë – situata paraqitet e stabilizuar. Sot vijon puna me 6 efektivë MZSH, 6 punonjës të shërbimit pyjor dhe 15 forca bashkiake. Nuk ka rrezik për banesat.

* Prozhem, Pukë – vatra vijon aktive në sipërfaqe pyjore. Operacioni vijon me strukturat vendore dhe 30 efektivë të FA-së. Aktualisht nuk ka rrezik për banesat. Ndërkohë, situata në Gjegjan, Gojan të Vogël dhe Gojan të Madh është izoluar ose shuar dhe po mbahet nën mbikëqyrje.

* Mali i Çikës, mbi Palasë – vatra vijon në terren të thepisur dhe të paaksesueshëm, ndërsa sot operacioni për fikjen përfundimtare mbështetet nga 2 avionë Air Tractor.
Pavarësisht terrenit të vështirë dhe ndikimit të erës në disa zona, situata në disa prej vatrave kryesore është përmirësuar, ndërsa operacionet vijojnë me fokus izolimin e vatrave aktive, parandalimin e riaktivizimeve dhe mbrojtjen e zonave të banuara.

“Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile. Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve”, thuhet ne njoftim.

Rama mbledh sot socialistët në Pogradec/ Nga dokumenti “Besa” te performanca e ministrave, çfarë do të diskutohet në vilën qeveritare

By: A R
23 August 2026 at 11:04

Në këtë fund gushti, Partia Socialiste po hyn në një fazë të re intensive politike, ndërsa qeveria përgatitet për nisjen e sesionit të ri. Kryeministri Edi Rama ka programuar një seri takimesh në Pogradec, ku pritet të diskutohen prioritetet e PS-së dhe performanca e qeverisë.

Takimi i parë zhvillohet sot rreth orës 11:30 në vilën qeveritare të Pogradecit. Sipas burimeve nga Partia Socialiste, në mbledhje do të marrin pjesë 12 drejtuesit politikë të qarqeve, së bashku me kryetarët socialistë të komisioneve parlamentare.

Në qendër të diskutimeve pritet të jenë dy dokumente të dorëzuara në fund të korrikut pranë grupit parlamentar socialist, të njohura si “Besa” dhe “Prania e Besës”. Rama pritet të marrë prej drejtuesve reflektimet mbi përmbajtjen e tyre, me synimin për t’i pasuruar më tej dhe për të hartuar një dokument përfundimtar.

Në diskutime pritet të përfshihen edhe përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit 2027. Axhenda e kryeministrit do të vijojë edhe në mbrëmje, me një darkë ku do të jenë të pranishëm drejtuesit politikë, ministrat dhe kryetarët socialistë të komisioneve parlamentare. Takimi pritet të shërbejë edhe si një moment koordinimi përpara nisjes së një jave të rëndësishme për qeverinë.

Ndërkohë, të hënën në Pogradec do të zhvillohet mbledhja informale e qeverisë, e njohur si “retreat”. Ministrat do të paraqesin raportet mbi punën dhe rezultatet e dikastereve të tyre gjatë periudhës janar-gusht 2026. Këtë herë, ndryshe nga mbledhjet e mëparshme të këtij formati, në takim nuk pritet të jenë të pranishëm zëvendësministrat. Përveç ministrave, pjesë e diskutimeve do të jenë edhe drejtuesit e agjencive në varësi të tyre.

Raportimet nuk do të kufizohen vetëm te puna e institucioneve. Ministrat pritet të japin llogari edhe për komunikimin publik, përfshirjen në media dhe aktivitetin në rrjetet sociale. Por axhenda politike e socialistëve nuk përfundon me takimet e Pogradecit. Sipas burimeve brenda PS-së, në javën e parë të shtatorit pritet të mblidhet Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste.

Mbledhjet e mëparshme të kësaj strukture kanë shërbyer shpesh si momenti ku Rama ka paralajmëruar ose prezantuar ndryshime në përbërjen e kabinetit qeveritar. Për këtë arsye, edhe mbledhja e radhës pritet të jetë në vëmendje të opinionit publik.

23 ditë protestë në Divjakë/ Qytetarët kundërshtojnë projektin “Mazniku” për bashkimin me Lushnjen

By: A R
22 August 2026 at 23:47

Prej 23 ditësh, qytetarët e Divjakës vijojnë protestën kundër projektit të Partisë Socialiste për reformën administrative-territoriale, duke kundërshtuar përfshirjen e bashkisë së tyre në një njësi të përbashkët me Lushnjën.

Edhe pse numri i protestuesve është në rënie, përfaqësuesit e qëndresës pretendojnë se kjo lidhet me presionet ndaj qytetarëve dhe administratës nga pushteti qendror, përmes kontrolleve tatimore dhe formave të tjera të presionit.

Në shesh, folësit u kanë bërë thirrje autoriteteve qendrore që Divjaka të përjashtohet nga projekti i reformës administrative-territoriale, të cilin protestuesit e kanë cilësuar si projekti “Mazniku”.

Protestuesit kanë kërkuar gjithashtu që përfaqësuesit e administratës së Bashkisë Divjakë dhe deputetët që përfaqësojnë zonën të dalin në shesh dhe të dëgjojnë shqetësimet e qytetarëve.

Marshimi vijon çdo mbrëmje

Pas tubimit, qytetarët vijojnë marshimin në rrugët e qytetit, një ritual që përsëritet çdo natë prej 23 ditësh.

Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet e pandryshuar: Bashkia Divjakë të mos shkrihet me Lushnjën, por të ruajë statusin e saj si bashki më vete.

Qëndrestarët deklarojnë se do ta vijojnë protestën deri në marrjen e një përgjigjeje nga qeveria për të ardhmen administrative të Divjakës.

❌