Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 11 February 2026FaxWeb

Era e fortë përmbys kamionin, bllokohet për rreth një orë në aksi Korçë-Kapshticë

By: Fax Web
11 February 2026 at 20:42

Një aksident rrugor ka ndodhur pasditen e kësaj të mërkure në afërsi të kryqëzimit të Plasës, ku për shkak të erës së fortë një kamion është përmbysur në rrugë pasi ka përplasur një mjet tjetër që po lëvizte nga Kapshtica në drejtim të Korçës.

Sipas policisë, kamioni me tonazh të rëndë po udhëtonte nga Korça drejt Kapshticës, pak kilometra pas fshatit Belorta.

Për shkak të erës së fortë, kamioni është përmbysur, duke rrezikuar jetën e drejtuesit të mjetit të vogël që po lëvizte në drejtim të kundërt.

Megjithëse aksidenti ishte i frikshëm, të dy drejtuesit e mjeteve kanë shpëtuar pa lëndime serioze.

Përmbysja e kamionit bllokoi qarkullimin në të dyja anët e rrugës nacionale Korçë-Kapshticë për më shumë se 40 minuta. Aktualisht, lëvizja në këtë aks është rikthyer në normalitet.

Operacion policor në Elbasan, kapet grupi i struktururuar kriminal! Plagoset efektivi

By: Fax Web
11 February 2026 at 20:26

Një operacion i koordinuar mes strukturave të Policisë së Elbasanit dhe Shkodrës ka çuar në goditjen e një grupi të strukturuar kriminal të dyshuar për trafikim të lëndëve narkotike.

Aksioni u zhvillua në orët e vona të natës dhe u finalizua pak para mesnatës në qytetin e Elbasanit.

Sipas burimeve zyrtare, gjithçka nisi pas informacioneve operative për një automjet që po transportonte drogë. Mjeti është mbajtur nën vëzhgim dhe më pas është ndjekur nga forcat e rendit. Në hyrje të Elbasanit, drejtuesi i tij ka tentuar t’i shmanget policisë duke devijuar në një rrugë të pandriçuar në një zonë periferike, por është neutralizuar pas rrethimit të zonës.

Si rezultat i ndërhyrjes janë arrestuar në flagrancë tre persona.

Gjatë kontrollit të automjetit janë sekuestruar rreth 45 kilogramë kanabis sativa, një armë zjarri luftarake me municion, një shumë e konsiderueshme parash, si dhe disa telefona celularë me karta SIM shqiptare dhe të huaja.

Gjatë operacionit, një efektiv policie ka mbetur i plagosur lehtë, pasi është dëmtuar nga thyerja e një xhami, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë kriminale të grupit, i cili dyshohet se operonte prej kohësh në disa qarqe të vendit.

Strukturat hetimore po punojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet.

Operacioni konsiderohet një tjetër goditje ndaj krimit të organizuar dhe trafikimit të drogës në vend.

“Nëse jo tani, kur?”/ Çfarë biseduan në Ankara Erdogan dhe Mitsotakis

By: Fax Web
11 February 2026 at 20:15

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis u takuan sot në Ankara, në kuadër të Këshillit të 6-të Suprem të Bashkëpunimit, ku theksuan dialogun, stabilitetin dhe bashkëpunimin pragmatik si bazë për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Takimi mes dy udhëheqësve zgjati rreth një orë e gjysmë.

Kryeministri grek theksoi gjithashtu rëndësinë e investimeve turke në Greqi dhe atyre greke në Turqi, si pjesë e një modeli më të gjerë bashkëpunimi rajonal, duke nënvizuar se të dy vendet mund të kontribuojnë së bashku në stabilitetin e një rajoni të sfiduar nga kriza të shumta.

Mitsotakis ftoi presidentin Erdogan të vizitojë Athinën për mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Lartë të Bashkëpunimit dhe deklaroi se është “koha për të hequr çdo kërcënim nga marrëdhëniet tona”, duke shtuar: “Nëse jo tani, kur?”

Duke përsëritur qëndrimin e Athinës, Mitsotakis theksoi se e vetmja mosmarrëveshje mes dy vendeve lidhet me përcaktimin e kufijve detarë, çështje që, sipas tij, mund t’i referohet gjykimit ndërkombëtar mbi bazën e së Drejtës së Detit.

Nga ana e tij, presidenti Erdogan deklaroi se mosmarrëveshjet në Egje dhe në Mesdheun Lindor, “ndonëse komplekse, nuk janë të pazgjidhshme nëse ekziston vullneti për dialog”.

Ai theksoi planet për rritjen e bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik, si dhe pritshmëritë për bashkëpunim më të ngushtë në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.

Erdogan përmendi gjithashtu çështjet që lidhen me pakicën myslimane në Trakinë Perëndimore.

Presidenti turk shtoi se pjesëmarrja e Turqisë në nismat evropiane të mbrojtjes “i shërben interesave të përbashkëta” dhe theksoi se të dy vendet duhet të mbajnë të hapura kanalet e dialogut.

Takimi i mëparshëm zyrtar mes Mitsotakis dhe Erdogan ishte zhvilluar 17 muaj më parë.

Kryetarja e re e Kuvendit/ Begaj uron Haxhiun: Shqipëria do të vijojë të qëndrojë pranë Kosovës

By: Fax Web
11 February 2026 at 19:50

Presidenti Bajram Begaj ka uruar Albulena Haxhiun, e cila sot u zgjodh kryetare e Kuvendit të Kosovës në Legjislaturën e X.

“Urime, znj. Albulena Haxhiu, për zgjedhjen Kryetare e Kuvendit”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Më tej, Begaj bën me dije se Shqipëria do të vijojë të qëndrojë pranë Kosovës.

“Shqipëria do të vijojë të qëndrojë pranë Kosovës, në mbështetje të institucioneve demokratike të saj dhe rrugëtimit Euroatlantik”, shkroi Begaj.

Kuvendi i Kosovës mbajti këtë të mërkurë, 11 shkurt seancën konstituive, e cila shënon hapin e parë drejt formimit të institucioneve të reja. Me 66 vota pro, 44 kundër dhe 8 abstenim deputetët zgjodhën Albulena Haxhiun si kryetare të re të Kuvendit.

LEXO EDHEEMRAT/ Konstituohet Kuvendi i Kosovës! Pas kryetares, zgjidhen edhe 5 nënkryetarët

“Vajza të jashtëzakonshme në Tiranë”/ Këshilli i Evropës i heq imunitetin Thorbjorn Jagland-it

By: Fax Web
11 February 2026 at 19:03

Këshilli i Evropës ka vendosur t’i heqë imunitetin ish-Sekretarit të Përgjithshëm, Thorbjørn Jagland, pas një kërkese nga autoritetet norvegjeze, të cilat kanë nisur një hetim për dyshime korrupsioni në lidhje me marrëdhëniet e tij me financierin e ndjerë Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale.

Vendimi për heqjen e imunitetit u mor unanimisht nga Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës gjatë një mbledhjeje të të zhvilluar të mërkurën në mëngjes.

“Me kërkesë të autoriteteve norvegjeze, organi vendimmarrës statutor i Këshillit të Evropës vendosi të heqë imunitetin e Thorbjørn Jagland në cilësinë e tij si ish-Sekretar i Përgjithshëm”, thuhet në njoftimin zyrtar të institucionit.

Sipas Këshillit të Evropës, vendimi vjen pas zbulimeve mediatike të publikuara që nga nëntori 2025, të cilat raportuan për komunikime dhe kontakte mes Jagland dhe Epstein.

 

Hetimi pritet të përqendrohet në verifikimin e pretendimeve nëse Jagland ka përfituar dhurata, udhëtime të paguara apo favore të tjera nga Epstein.

 

Në media është publikuar gjithashtu një email i datës 25 maj 2012, në të cilin Jagland i shkruan Epstein-it: ‘Kam qenë në Tiranë. Vajza të jashtëzakonshme’.

Jeffrey Epstein, sipas prokurorëve amerikanë, kishte krijuar një rrjet të gjerë shfrytëzimi seksual të të miturve dhe kishte mbajtur kontakte me figura me ndikim në vende të ndryshme të botës, përfshirë Evropën.

EMRAT/ Konstituohet Kuvendi i Kosovës! Pas kryetares, zgjidhen edhe 5 nënkryetarët

By: Fax Web
11 February 2026 at 18:43

Albulena Haxhiu është zgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës me 66 vota pro, 44 kundër dhe 8 abstenim.

Gjatë fjalës së saj, Haxhiu premtoi se do u shërbejë me përkushtim qytetarëve të Kosovës.

Ajo tha gjithashtu se lufta e UÇK-së ishte një luftë e drejtë për liri e pavarësi. Haxhiu kërkoi që Haga të kthejë në shtëpitë e tyre ish-krerët e UÇK-së që po përballen sipas saj, me akuza të rreme.

Sipas Haxhiut, kriminelët e vërtetë të luftës ishin nga Serbia, por ajo shtoi se ata nuk morën kurrë dënimet përkatëse.

“Ju falënderoj për besimin e dhënë. Sot e marrë këtë detyrë me vetëdije të plotë për peshën kushtetuese që ajo mbart. Të qenit në krye të Kuvendit do të thotë t’i shërbesh republikës. Do të sigurohem që secili prej jush ta gjejë hapësirën e vet këtu. Sot në këtë sallë ne kemi një detyrë të përbashkët, që t’u shërbejmë qytetarëve me ndershmëri.

Lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë për çlirim. Dihet kush ka qenë agresori dhe kush ka kryer krime në vendin tonë. Ato krime janë kryer nga Serbia dhe kriminelët nuk kanë mbajtur kurrë përgjegjësi. Kriminelët e luftës u ricikluan në pushtet. Ne presim që ish-krerët e UÇK-së të kthehen sa më parë te familjet e tyre”, tha mes të tjerash Haxhiu.

Për nënkryetarët e Kuvendit 104 deputetë pro, 3 deputetë kundër dhe 6 deputetë kanë abstenuar.

Kështu Kuvendi zgjedh 5 nënkryetarët, që janë deputetët Ardjan Gola, Vlora Çitaku, Kujtim Shala, Sllav Kosimiç dhe Emilja Rexhapin.

Indeksimi i pagave me 2.5%, Këshilli i Ministrave vendos: Ja kush përfiton

By: Fax Web
11 February 2026 at 18:38

Këshilli i Ministrave ka marrë disa vendime në mbledhjen e mbajtur këtë të mërkurë.

Ndër vendimet, ishin edhe indeksimi i pagave me 2.5% për disa kategori në administratën publike.

Nga indeksimi do të përfitojnë punonjësit e shërbimit zjarrfikës.

Vendim për një ndryshim në vendimin nr.419, datë 26.6.2024, të këshillit të ministrave, “për miratimin e vlerave për secilin element përbërës të pagës bruto mujore të punonjësve të shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjave “a” dhe “b”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, të ndryshuar, dhe të pikave 1, shkronja “a”, e 2, të nenit 31, të ligjit nr.152/2015, “Për Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave

Vendosi:

  1. Lidhja nr.1, e vendimit nr.419, datë 26.6.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e vlerave për secilin element përbërës të pagës bruto mujore të punonjësve të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin”, zëvendësohet me lidhjen me të nëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
  2. Vlerat e elementit “paga për gradë” në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, janë rezultat i indeksimit në masën 2.5% dhe i politikës së rritjes së pagave për punonjësit me gradën “Asistent zjarrfikës”, “Zjarrfikës”, “Kryezjarrfikës”, “Nënkomisar zjarrfikës” dhe “Komisar zjarrfikës” si dhe rezultat i indeksimit në masën 2.5% për gradat e tjera.
  3. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi për vitin 2026, përballohen nga buxheti i institucioneve përkatëse, të miratuara në ligjin nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”. Për njësitë e vetëqeverisjes vendore përballohen nga transferta e miratuar në ligjin nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, si dhe nga të ardhurat e veta të njësive të vetëqeverisjes vendore.
  4. Ngarkohen institucionet, pjesë e fushës së veprimit të këtij vendimi, për zbatimin e tij.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2026.

Nga indeksimi, do të përfitojnë edhe punonjësit e pushtetit vendor. Përpara indeksimit, kufijtë e pagave bazë të punonjësve administrativë të njësive të vetëqeverisjes vendore varionin nga 50 000 – 57 000 lekë në muaj.

Disa ndryshime në vendimin nr.328, datë 31.5.2023, të këshillit të ministrave, “për klasifikimin e funksioneve, grupimin e njësive të vetëqeverisjes vendore, për efekt page, dhe caktimin e kufijve të pagave të funksionarëve të zgjedhur e të emëruar, të nëpunësve civilë e të punonjësve administrativë të njësive të vetëqeverisjes vendore”, të ndryshuar

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 8, pika 2, shkronjat “a”, “b” e “ç”, dhe 9, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, dhe të neneve 54 e 77, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave

Vendosi

  1. Në vendimin nr.328, datë 31.5.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për klasifikimin e funksioneve, grupimin e njësive të vetëqeverisjes vendore, për efekt page, dhe caktimin e kufijve të pagave të funksionarëve të zgjedhur e të emëruar, të nëpunësve civilë e të punonjësve administrativë të njësive të vetëqeverisjes vendore”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
  2. a) Pika 11 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“11. Kufijtë e pagave bazë të punonjësve administrativë të njësive të vetëqeverisjes vendore janë nga 50 000 – 57 000 lekë në muaj.”.

  1. b) Lidhjet nr.1, nr.2, nr.3, nr.4, nr.5, nr.6, nr.7 dhe nr.8, bashkëlidhur vendimit, zëvendësohen me lidhjet me të njëjtët numra dhe tituj, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
  2. Vlerat e:
  3. a) kufijve maksimalë të elementit “Pagë për pozicion” për klasat III-1, III-2, III-3, IV-1, IV-2, IV-3 dhe IV-4, në lidhjet nr.2, nr.3, nr.4, nr.5, nr.6 dhe nr.7, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, dhe vlerat e pikës 11, të ndryshuar, janë rezultat i indeksimit në masën 2.5% dhe i politikës së rritjes së pagave;
  4. b) kufijve minimalë e maksimalë në lidhjet nr.1 dhe nr.2, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, janë rezultat i indeksimit në masën 2.5%;
  5. c) kufijve minimalë e maksimalë të elementit “Pagë për pozicion” për klasat I-2, I-3, I-4, I-5, II-1 dhe II-2, në lidhjet nr.2, nr.3, nr.4, nr.5, nr.6 dhe nr.7, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, janë rezultat i indeksimit në masën 2.5%.
  6. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi për vitin 2026, përballohen nga transferta e akorduar për njësitë e vetëqeverisjes vendore, miratuar në ligjin nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, si dhe nga të ardhurat e veta të njësive të vetëqeverisjes vendore.
  7. Ngarkohen njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2026.

Përfitues i indeksimit është edhe personali shqiptar i misioneve diplomatike të Shqipërisë në shtetet e huaja.

Disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr.324,    datë 31.5.2023, të këshillit të ministrave, “për përcaktimin e pagave të punonjësve të personelit shqiptar të misioneve diplomatike të republikës së shqipërisë në shtetet e huaja, në përfaqësitë ushtarake të republikës së shqipërisë pranë nato-s, në organizatat ndërkombëtare dhe në shtabet ushtarake ndërkombëtare, si dhe të punonjësve të tjerë shqiptarë për kohën që shërbejnë si nëpunës ndërlidhës, si oficerë kontakti, si përfaqësues të ministrisë përgjegjëse për bujqësinë dhe si prokuror ndërlidhës pranë eurojust në Hagë, Holandë”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjave “a” dhe “b”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, dhe të neneve 31, pika 2, e 53, pikat 1 e 3, të ligjit nr.23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave

Vendosi:

  1. Në vendimin nr.324, datë 31.5.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e pagave të punonjësve të personelit shqiptar të misioneve diplomatike të Republikës së Shqipërisë në shtetet e huaja, në përfaqësitë ushtarake të Republikës së Shqipërisë pranë NATO-s, në organizatat ndërkombëtare dhe në shtabet ushtarake ndërkombëtare, si dhe të punonjësve të tjerë shqiptarë për kohën që shërbejnë si nëpunës ndërlidhës, si oficerë kontakti, si përfaqësues të ministrisë përgjegjëse për bujqësinë dhe si prokuror ndërlidhës pranë EUROJUST në Hagë, Holandë”, bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:
  2. a) Titulli i vendimit ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Për përcaktimin e pagave të punonjësve të personelit shqiptar të misioneve diplomatike të Republikës së Shqipërisë në shtetet e huaja, në përfaqësitë ushtarake të Republikës së Shqipërisë pranë NATO-s, në organizatat ndërkombëtare dhe në shtabet ushtarake ndërkombëtare, si dhe të punonjësve të tjerë shqiptarë, përfaqësues të ministrive përgjegjëse për fusha të ndryshme, për kohën që shërbejnë si nëpunës ndërlidhës, si oficerë kontakti, si nëpunës të sekonduar, si prokuror ndërlidhës pranë EUROJUST-it në Hagë, Holandë, dhe si oficer ndërlidhës i Byrosë Kombëtare të Hetimit pranë EUROPOL-it apo SELEC-it.”.

  1. b) Në shkronjën “dh”, të pikës 1, pas fjalëve “… pranë qendrës SECI …” shtohen “… si dhe punonjësit e Agjencisë së Inteligjencës Financiare, për kohën që shërbejnë si “nëpunës të sekonduar”, në pozicionin “menaxher projekti”, në Divizionin e Moneyval-it dhe rikuperimin e aseteve kriminale, në sekretariatin e Komitetit Moneyval, në Strasburg …”;
  2. c) Pas shkronjës “e”, të pikës 1, shtohet shkronja “ë”, me këtë përmbajtje:

“ë) Hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit, që caktohet si oficer ndërlidhës pranë EUROPOL-it apo SELEC-it.”.

ç) Pika 5 shfuqizohet;

  1. d) Pas pikës 12 shtohet pika 12/1, me këtë përmbajtje:

“12/1. Paga bruto mujore e punonjësve, të përcaktuar në shkronjën “ë”, të pikës 1, të këtij vendimi, është e barabartë me pagën mujore bruto të pozicionit që hetuesi ka mbajtur në momentin e emërimit si “oficer ndërlidhës i Byrosë Kombëtare të Hetimit pranë EUROPOL-it apo SELEC-it.”.

  1. dh) Pas pikës 13 shtohet pika 13/1, me këtë përmbajtje:

“13/1. Përveç pagës bruto mujore, të përcaktuar në pikën 12/1, të këtij vendimi, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, që caktohen si oficer ndërlidhës pranë EUROPOL-it apo SELEC-it, përfitojnë edhe kompensimin për koston e jetesës, në masën:

  1. a) 280 (dyqind e tetëdhjetë) euro në muaj, kur është caktuar pranë EUROPOL-it;
  2. b) 180 (njëqind e tetëdhjetë) euro në muaj, kur është caktuar pranë SELEC-it.”.
  3. e) Pika 14 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“14. Trajtimi me pagë dhe kompensim për koston e jetesës, sipas këtij vendimi, për punonjësit e përcaktuar në shkronjat “e” dhe “ë”, të pikës 1, të këtij vendimi, fillon nga data e fillimit të detyrës, përkatësisht pranë EUROJUST-it, EUROPOL-it apo SELEC-it.”.

ë) Pika 17 shfuqizohet;

  1. f) Lidhjet nr.1, nr.2, nr.3, nr.4, nr.5 dhe nr.7 zëvendësohen me lidhjet me të njëjtët numra dhe tituj, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
  2. Vlerat e elementeve të pagave, të përcaktuara në lidhjet nr.1, nr.2, nr.3, nr.4 dhe nr.5, të këtij vendimi, janë rezultat i indeksimit në masën 2.5%.
  3. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi:
  4. a) Për parashikimet në shkronjat “b”, “c”, “d”, “dh” dhe “e”, të këtij vendimi, fillojnë nga momenti i emërimit të punonjësve në detyrë dhe përballohen nga fondet e miratuara për Byronë Kombëtare të Hetimit, si dhe nga fondet e Agjencisë së Inteligjencës Financiare;
  5. b) Për parashikimin në shkronjat “ç” dhe “f”, të këtij vendimi, shtrihen nga data 1 janar 2026 dhe përballohen nga buxheti i institucioneve përkatëse, të miratuara në ligjin nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026.
  6. Ngarkohen institucionet, pjesë e fushës së veprimit të këtij vendimi, për zbatimin e tij.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Albulena Haxhiu, kryetare e re e Kuvendit të Kosovës

By: Fax Web
11 February 2026 at 18:21

Albulena Haxhiu është kryetarja e Kuvendit të Kosovës.

Haxhiu mori 66 vota të deputetëve nga LVV-ja dhe komunitetet jo serbe në seancën e sotme konstituive.

Kundër Haxhiut votuan deputetët e PDK-së, LDK-së, Listës Serbe, ndërkaq abstenuan deputetët e AAK-së.

Pas zgjedhjes së kryetares radha i vjen zgjedhjes së pesë nënkryetarëve të Kuvendit për t’u konsideruar i konsoliduar Kuvendi.

“Nuk jam tërhequr nga asnjë deklaratë”/ Kalaja vijon gjyqin me Veliajn: Kam vërtetuar para gjykatës me video dhe audio gjithçka kam shprehur

By: Fax Web
11 February 2026 at 18:18

Autori i “NgA Kalaja” në Fax News dhe aktivisti, Aulon Kalaja, vijon përballjet në gjykatë me kryebashkiakun e arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj, i cili e ka paditur për shpifje.

Në përfundim të seancës së radhës në Gjykatën e Tiranës (Dhoma Penale), Kalaja u shpreh se u shqyrtuan një pjesë e konsiderueshme e provave të paraqitura nga ana e tij dhe ekipi mbrojtës.

Sipas tij, përmes materialeve audio dhe video ka arritur të vërtetojë para trupës gjykuese të gjitha deklaratat e bëra më herët në media.

“Seanca ishte për shqyrtimin e provave për pretendimet e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, ndaj meje për shpifje. Deri tani janë zhvilluar 8 seanca. Me video dhe audio kam vërtetuar para gjykatës të gjitha çfarë kam shprehur në media dhe nuk jam tërhequr nga asnjë deklaratë,” deklaron Kalaja.

Ai bëri me dije se gjatë seancës u shqyrtua afro gjysma e provave dhe pas rreth dy orësh gjykata vendosi ndërprerjen e saj, duke caktuar datën 19 shkurt, ora 14:00, për vijimin e procesit, ku pritet të merren në shqyrtim provat e tjera.

Kalaja theksoi se padia e ngritur nga Veliaj është një padi strategjike. “Kjo është padi strategjike nga ana e zotit Veliaj, sepse hallin që ai ka nuk ia zgjidh dot,” u shpreh ai.

Procesi gjyqësor mes palëve pritet të vijojë në seancën e ardhshme, ndërsa mbetet për t’u parë vendimmarrja e gjykatës lidhur me pretendimet për shpifje.

Zyrtari i lartë amerikan vizitë në Tiranë: Takime në SPAK, GJKKO dhe me dy ministra

By: Fax Web
11 February 2026 at 18:10

Drejtori i Zyrës për Europën dhe Azinë në Byronë e Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit të Departamentit të Shtetit, Mark Teravakoski, është takuar me përfaqësues të zbatimit të ligjit, drejtësisë, shoqërisë civile dhe misioneve ndërkombëtare në Shqipëri.

Lajmin e jep vetë Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë e cila thotë se takimet e zyrtarit të lartë erdhën në kuadër të partneritetit në fushën e zbatimit të ligjit mes dy vendeve kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të narkotikëve, një nga prioritetet e administratës së presidentit Trump.

“Duke shfaqur forcën e partneritetit në fushën e zbatimit të ligjit mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe luftën e palodhur të Administratës Trump kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe trafikimit të narkotikëve, Drejtori i Zyrës për Europën dhe Azinë i Byrosë së Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit të Departamentit të Shtetit, Mark Tervakoski, u takua me përfaqësues të zbatimit të ligjit, drejtësisë, shoqërisë civile dhe misioneve ndërkombëtare në Shqipëri. Shtetet e Bashkuara janë të përqendruara në ofrimin e aftësive, mjeteve dhe bashkëpunimit në Shqipëri dhe në rang global për partnerët që ndajnë angazhimin tonë për të luftuar kriminelët që dëmtojnë qytetarët e vendeve tona, kërcënojnë kufijtë tanë dhe cenojnë sigurinë tonë kombëtare”, njoftoi ambasada.

Zyrtari i lartë amerikan është takuar edhe me kreun e Prokurorisë së Posaçme, Klodian Braho, atë të Gjykatës së Posaçme, Erjon Bani, ministren e Brendshme, Albana Koçiu, ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari si dhe kreun e BKH-së, Joni Keta.

Një takim e pati edhe me kreun e shtetit, Bajram Begaj.

Në të, ai shoqërohej nga e ngarkuara me punë e ambasadës amerikane në Tiranë, Nancy VanHorn.

“Gjakpirësi i Hemodializës”/ Allajbeu ka gllabëruar 25 miliardë lekë vetëm nga Shëndetësia

By: Fax Web
11 February 2026 at 17:56

Ndërkohë që sistemi shëndetësor shqiptar përballet me mungesa të vazhdueshme në ilaçe, infrastrukturë , pajisje mjekësore e shërbim, shifrat e fundit të tenderave nxjerrin në pah një realitet tjetër, përqendrimin e frikshëm të parave publike në duart e disa personave të vetëm.

Të dhënat e prokurimeve publike dëshmojnë se kompania EVITA SHPK, e lidhur me oligarkun e hemodializës Klodian Allajbeu, ka përfituar një vlerë totale prej mbi 25 miliardë lekësh pa TVSH nga kontratat në sektorin e shëndetësisë si operator i vetëm pa llogaritur kontraktat që ka përfituar në baahkëpunim me kompanitë e tjera në këtë sektor.

Sipas dokumenteve të siguruara, kompania në fjalë ka një dominim absolut në treg, me 173 tendera të fituar, me kontrata në shkelje që nisin nga Ministria e Shëndetësisë, QSUNT “Nënë Tereza”, e deri te drejtoritë spitalore rajonale si ajo e Kukësit.

Lista e objekteve të tenderit tregon se kjo kompani ka shtrirë “tentakulat” në çdo aspekt të furnizimeve mjekësore nga Suturat për Kardiokirurgjinë, tek Reagentët për matjen e ngarkesës virale (HIV) pranë ISHP e deri tek medikamentet bazë si Ibuprofeni, Omeprazoli, e deri te Tinzaparina dhe Glukoza.

Ajo që vihet re në listën e tenderave është se në shumë raste, vlera fituese është pothuajse identike me fondin limit, duke ngritur dyshime të forta për mungesë konkurrence dhe tendera të paracaktuar.

Përfituesi kryesor, Klodian Allajbeu, i njohur tashmë si “gjakpirësi” kryesor i koncesionit të hemodializës, duket se po kthehet në furnizuesin e vetëm të spitaleve shqiptare, duke gllabëruar miliarda lekë nga taksapaguesit.

Në fotot e siguara ekskluzivisht për JOQ, pas denoncimit të një tenderi galopant korruptiv nga redaksia jonë së bashku me oligarkun e koncesionit të laboratorëve Janis Karathanos, në zyrat e Allajbeut zbarkoi policia.

Oligarku është bërë objekt hetimi për SPAK në Shqipëri, por edhe në Kosovë është nën hetim për disa vepra penale.

Screenshot

FOTO/ A është kjo vila luksoze e Daniel Shimës së AKSHI-t?

By: Fax Web
11 February 2026 at 17:37

Një vilë luksoze në fshatin Picall të Tiranës dyshohet se është në pronësi dhe përdorim të Daniel Shimës, ish-Zv. drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Vox News ka siguruar vendndodhjen, fotot dhe dokumentet e kësaj vile, teksa rezulton se në atë godinë është bërë një investim tepër i madh. Godina e vjetër është restauruar, u bë një pishinë panoramike, ndërkohë që është bërë rrethimi i kodrës.

Duket se, pas kompanive të ndërtimit, lavazhit, firmave të IT-së, trojeve dhe restorantit në Farkë, ja ku zbulohet një tjetër pasuri, të cilën Shima ka tentuar që t’a fshehë, duke e regjistruar në emrin e bashkëpunëtorëve. Një tjetër skemë për të humbur gjurmët, ku 34-vjeçari duket se po sfidon institucionet ligjzbatuese, duke kanalizuar paratë e tenderave të AKSHI-t në pasuri personale, familjare apo edhe të shokëve.

 

Vila që shihni më sipër, në foto dhe video, është marrë nga aplikacionit “google maps”. Nga këto pamje duket se godina është 2 katëshe, me një oborr të organizuar. Godina duket e restauruar së fundmi, me stilin e banesave të vjetra në Itali.

Vox News shkruan se, ndërtesa është në majë të një kodre, afër së cilës ka edhe disa banesa të tjera. Ndërkohë që shtëpia ka edhe një oborr të stërmadh, madje edhe një pishinë panoramike. Kaq para’ të ketë kursyer Daniel Shima nga paga te AKSHI? Aq sa të blejë një shtëpi, ta restaurojë, të ndërtojë një super pishinë, të hap kompani apo të administrojë edhe një restorant?

Dyshimet janë të mëdha, teksa institucionet ligjzbatuese mund të zbardhin shumëçka, që nga personat që e kanë në administrim (Daniel Shima), personat që e blenë (Sokol Përllaku) apo edhe blerësit fiktivë (të njohur të Shimës).

A është kjo vila luksoze (në FOTO) e Daniel Shimës së

Faksimile: Kontrata e shitblerjes nga Sokol Përllaku te disa blerës fiktive, të njohur të Daniel Shimës me origjinë nga Pogradeci

 

Më sipër faktuam ekzistencën e një vile në fshatin Picall të Tiranës, pas informacioneve se në atë banesë jeton Daniel Shima, ish-nëndrejtori i AKSHI-t.

Sipas Vox News, pasuria është shitur në muajin korrik të vitit 2025, nga kompania e Sokol Përllakut te I.L. Kujtojmë se, Sokol Përllaku ka bashkëpunuar shumë ngushtë me nënën e Daniel Shimës, në blerjen dhe shitjen e një kompanie që xhiroi prona me vlerë miliona euro.

Ndërkohë, në datën 5 korrik tëvitit 2025, shoqëria Alu Glass, me pronar Sokol Përllakun e ka shitur me letra firmën te një blerës me iniciale I.L.

Në bazë të certifikatës për regjistrim të pronësisë, figuron e regjistruar në pronësi të palës shitëse pasuria truall + ndërtesë, me sipërfaqe 300 metër katrorë, sipërfaqe ndërtese 50 metër katror, e ndodhur në Picall”, thuhet në dokumente.

A është kjo vila luksoze (në FOTO) e Daniel Shimës së

Faksimile: Kontrata e shitblerjes nga Sokol Përllaku te disa blerës është bërë me kusht dhe është ende e bllokuar në emrin e Alu Glass

VoxNews ka mësuar se shitja dyshohet se është fiktive, pasi aktualisht prona është ende e bllokuar nga kompania Alu Glass. “Pala shitëse deklaron se sipas marrëveshjes verbale të bërë me palën blerëse, ka rënë dakord t’i shesë me kusht pronën e sipërcituar, duke e kaluar atë në emrin e palës blerëse menjëherë me nënshkrimin e kësaj kontrate, por e bllokuar për llogari të shitësit, duke u vendosur shënimi në seksionin e kufizimeve, deri në likuidimin e plotë të vlerës së pasurisë”, thuhet në kontratë.

Një klauzolë për të fshehur gjurmët fillestare të Sokol Përllakut, duke vendosur emrin e blerësit fiktiv, por e bllokuar. Një skemë gati – gati e përsosur e Daniel Shimës, por jo për redaksinë e Vox News, e më pas për institucionet ligjzbatuese. Provat janë evidente dhe mjafton që këto organe të dinë si t’i kërkojnë.

Në kontratë shkruhet se palët deklarojnë se çmimi total i shitjes së pasurisë të sipërcituar është 70 000 euro, vlerë e cila do të likujdohet me këste sipas marrëveshjes së palëve. 10 mijë euro është likuiduar, ndërkohë që shuma e mbetur prej 60 mijë eurosh do të likuidohet brenda dy viteve në llogarinë bankare të noteres.

A është kjo vila luksoze (në FOTO) e Daniel Shimës së

Faksimile: Kushti i kontratës është që, nëse blerësi nuk paguan shumën për 2 vite, pasuria i kthehet Alu Glass

 

Me nënshkrimin e kontratës do të bëhet regjistrimi i saj pranë ASHK dhe pasuria do të kalojë në emrin e blerësit I.L dhe do bllokohet në favor të palës shitëse për vlerën e mbetur pa likuiduar. Kushti i kontratës është likuidimi i vlerës së shitblerjes së pasurisë brenda dy viteve nga nënshkrimi i kësaj kontrate. Në rast se nuk plotësohet kushti, atëherë palët kthehen në gjendje të mëparshme, blerësit i kthehet vlera e paguar, ndërsa shitësit i kthehen pronat objekt i kësaj kontrate”, thuhet në kontratë.

A është kjo vila luksoze (në FOTO) e Daniel Shimës së

Faksimile: Kontrata e blerjes së kompanisë “Premium Glass” nga Merita Shima, nëna e Daniel Shimës

 

Vox News publikoi disa ditë më parë dhjetëra dokumente, ku rezulton se “viktima” Daniel Shima e ka “lyer gishtin” në shumë raste, madje duke bërë biznesmene edhe nënën e tij, me profesion rrobaqepëse. Ka dyshime se paratë e tenderave, apo haraçi që paguhej për të marrë një procedurë, “pastrohej” në një kompani, e hapur fillimisht nga shoku i tij, Sokol Përllaku.

Në një kohë shumë të shkurtër, kompania xhiroi qindra mijëra euro dhe më vonë bleu troje në Tiranë dhe në zonat bregdetare, sërish duke i regjistruar në emrin e kompanisë apo edhe të vetë familjarëve të Shimës. VoxNews ka hulumtuar dhjetëra dokumente, nga Qendra Kombëtare e Biznesit, dokumente noteriale apo hipotekore, ku duket qartë lidhja e ish-nëndrejtorit Daniel Shima me kompaninë “Premium Glass”, e themeluar në vitin 2021. Një vit më vonë, aksionere me 100 % të aksioneve bëhet Merita Shima, nëna rrobaqepëse e Daniel Shimës.

Më pas, e moshuara fillon transaksione për të blerë prona në Tiranë dhe në bregdet. Sipas burimeve nga Kadastra, Merita dhe kompania e saj ka bërë prona edhe në Kashar, duke marrë më pasleje ndërtimi për godinë 8 kate. Më pas rrobaqepësja “qep” të tjera prona, duke vlerë 9 apartamente e 14 poste parkimi, me vlerë rreth 900 mijë euro.

A është kjo vila luksoze (në FOTO) e Daniel Shimës së

Faksimile: Shitja e aksioneve të kompanisë “Premium Glass” nga Merita Shima në emrin e Sokol Përllakut

 

Daniel Shima ka pasur informacione se veprimtaria e tij dhe e nënës rrobaqepëse po hetohej. Në fund të vitit 2022, ai ka “urdhëruar” nënën e tij, Meritën, që t’ia kthejë aksionet Sokol Përllakut, të njëjtit person që ia bleu. Nëse çmimi i blerjes ishte 400 euro, çmimi i shitjes nga Merita te Sokoli shkoi në vetëm 1000 euro.

Duke qenë se, kompania kishte në pronësi pasuri me vlera miliona euro, apo kishte marrë leje ndërtimi, çmimi është bërë formal, për të fshehur shumëçka. Sipas dokumenteve që disponon Vox News rezulton se ky transaksion apo kalimi i aksioneve është bërë në të njëjtën kohë që Prokuroria e Posaçme kishte nisur një hetim. Por, edhe pas shitjes me letra të kësaj firme, sërish administrator vendoset një “njeri” i besuar i Daniel Shimës.

 

Thika e leva/ Përleshje e dhunshme mes shqiptarëve në Athinë, 3 të plagosur rëndë

By: Fax Web
11 February 2026 at 17:20

Dy grupe të rinjsh shqiptarë, rreth 26 persona u përleshën dy herë në qendër të Athinës. Tre prej tyre mbetën plagosur rëndë me thikë në pjesën e gjoksit.

Gjatë sherrit përveç thikave ata përdorën shkopinj e leva, shkruan Prothotema.gr.

Sipas mediave greke arsyeja e sherrit, sipas asaj që deklaruan të arrestuarit Policisë së Sigurisë së Athinës, ishte një vajzë. Megjithatë, ka indikacionese motivi i vërtetë pas dhunës ishte trafiku i drogës.

Në kontrollet e kryera në shtëpitë e të akuzuarve, u gjetën dhe u sekuestruan: 97 gramë kanabis i papërpunuar, 52 gramë kokainë, 51 gramë metamfetaminë dhe 6 thika.

“Reshje të shoqëruara me shtrëngata”/ Çfarë parashikohet për sot dhe nesër? Qarqet më të prekura

By: Fax Web
11 February 2026 at 16:50

Pasditen e sotme dhe ditën e nesërme priten reshje lokalisht intensive në disa qarqe.

Kështu raporton Instituti i Gjeoshkencave që shton se, në disa qarqe ato do të jenë të shoqëruara me shtrëngata.

RESHJET

Sot pasdite (e mërkurë, dt. 11) dhe nesër (e enjte, dt. 12) priten reshje mesatare deri lokalisht intensive në qarkun Vlorë, ndërsa në qarqet Shkodër, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë dhe Gjirokastër priten reshje mesatare, të shoqëruara me shtrëngata.

Në qarqet e tjerë priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare.

Në Veri dhe në Lindje të vendit, në lartësitë mbi 1100 m nga niveli i detit reshjet pritet të jenë në formë dëbore.

TEMPERATURA

Nesër (e enjte, dt. 12) temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:

në bregdet: 10 / 15 °C

në vendet e ulëta: 9 / 15 °C

në vendet malore: 3 / 11 °C

ERA

Sot pasdite (e mërkurë, dt. 11) dhe nesër (e enjte, dt. 12) era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare, për momente të shkurtra deri e fortë kryesisht në bregdet.

Dinamo me një këmbë në gjysmëfinale të Kupës, mposht lehtësisht Tiranën

By: Fax Web
11 February 2026 at 16:43

Dinamo i afrohet fazës gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Skuadra e Ilir Dajës arriti t’i imponohej Tiranës në ndeshjen derbi duke e mundur me rezultatin 2-0.

Ishte një sfidë që u zhvillua në ‘Selman Stërmasi’ me Dinamon që ishte si skuadër udhëtuese.

Pjesa e parë e kësaj sfide u mbyll me barazimin 0-0, ndërkohë që gjërat ndryshuan në pjesën e dytë. Në minutën e 75, Dinamo arriti të zhbllokojë rezultatin me Lorenco Vilën duke marrë kryesimin në 1-0.

Në minutat shtesë të ndeshjes, të besuarit e Ilir Dajës mbyllën përfundimisht të gjitha llogaritë e kësaj përballjeje duke shënuar edhe golin e dytë me Dejvi Bregun për të arkivuar fitoren 2-0 për Dinamon që sheh t’i shfaqet në horizont gjysmëfinalja e Kupës së Shqipërisë teksa është edhe ndeshja e kthimit për t’u zhvilluar.

Çmimi mesatar i banesave për m² në Europë, ku qëndron Tirana?

By: Fax Web
11 February 2026 at 16:34

Tregu i pasurive të paluajtshme në Tiranë vijon me një çmim mesatar prej rreth 1,500 euro për metër katror, ndërsa mesatarja e përgjithshme arrin në rreth 1,800 euro për metër katror.

Kjo diferencë reflekton ndikimin e pronave premium në zonat qendrore, ku kërkesa mbetet e lartë, veçanërisht në Bllok dhe pranë Liqenit Artificial.

Apartamentet e vogla në këto zona shiten më shtrenjtë për metër katror për shkak të ofertës së kufizuar dhe interesit të fortë, përfshirë edhe nga emigrantët.

Në krahun tjetër, apartamentet më të mëdha dhe më të vjetra në periferitë si Astiri apo Lapraka ofrohen me çmime më të ulëta për metër katror, për shkak të distancës nga qendra dhe standardeve më të vjetra të ndërtimit.

Kur krahasohet me kryeqytetet europiane, sipas të dhënave nga “Global Property Guide“, Tirana mbetet dukshëm më e përballueshme.

Në qytete si Berlini, Milano dhe Madridi, çmimet për metër katror variojnë nga 5,300 deri në 5,700 euro, ndërsa në qytete si Amsterdami dhe Oslo ato kalojnë 9,000 euro.

Parisi arrin 9,678 euro për metër katror, Londra 8,466 euro, ndërsa Zyrihu dhe Luksemburgu renditen ndër më të shtrenjtët me mbi 18,000 dhe 11,000 euro për metër katror.

Gjithashtu vlen të përmendet se në këto qytete dhe pagat dhe mirëqënia e qytetarëve mbetet e lartë.

LEXO EDHEQiratë në Shqipëri ndër më fitimprurëset në Europë/ Ja në cilat qytete investimi kthehet më shpejt

Komisioni i Reformës Territoriale, PD i kthehet bashkëpunimit me socialistët një ditë pas protestës

By: Fax Web
11 February 2026 at 16:23

Komisioni Parlamentar për Reformën Territoriale i është rikthyer sot normalitetit pas disa javësh bojkot nga opozita.

Një ditë më parë Luçiano Boçi dhe deputetët e tjerë të opozitës ishin në shesh në krah të protestuesve që gjuajtën me fishekzjarrë dhe molotov në drejtim të Kryeministrisë, Kuvendit dhe Policisë, ndërsa sot ndryshuan retorikë dhe u ulën në krah të socialistëve.

“Mos bëjmë rolin e atij që mbyll sytë dhe veshët. Marrëdhëniet në Kuvend mes opozitës dhe mazhorancës nuk janë në normalitet por janë të tensionuara për shkak të sjelljes së mazhorancës. Nëse nuk ka produkt konsensual, atëherë është mungesë e gatishmërisë për të pranuar variantet, kjo është kërkesa ime”, tha Boçi.

“Kemi një agjendë të ngjeshur pune, të ndërgjegjshëm për faktin që kjo reformë do ishte e mirë për vendin nëse ia dalim ta kalojmë bashkërisht. Mirëbesimi i dhënë nga mazhoranca nuk mund të jetë bllokim për punën. Kemi një dritare shumë specifike, që lidhet me integrimin e vendit në BE, na duhet që në këtë periudhë 2027-2029, të kemi bashki të afta për të funksionuar jo thjeshtë si struktura për shërbim për qytetaret e tyre, por të tërheqin financim dhe projekte nga BE për territorin e tyre”, tha Mazniku.

Ndërkohë mbledhja u shty dhe u la takimi i radhës ditën e hënë.

GJKKO dënon me 12 vite burg Astrit Avdylin, do të dërgohet në burg të sigurisë së lartë

By: Fax Web
11 February 2026 at 15:56

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë
Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Astrit
Balliu (alias Avdyli, alias Sulejmani)”.

Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të zakonshëm. Në përfundim të
gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me
trup gjykues të përbërë nga gjyqtaret Flojera Davidhi, Rudina Palloj dhe Elsa Ulliri, me vendimin
nr. 13, datë 11.02.2026 vendosi:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Astrit Balliu (alias Avdyli, alias Sulejmani), për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a, paragrafi parë, 28/4 dhe në lidhje me nenin 334, paragrafi parë të K.Penal dhe dënimin e tij me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.

2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Astrit Balliu (alias Avdyli, alias Sulejmani), për kryerjen e veprës penale “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi dytë, të K.Penal, dhe dënimin e tij me 3 (tre) vite burgim.

3. Deklarimin fajtor të të pandehurit Astrit Balliu (alias Avdyli, alias Sulejmani), për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278/1 të K.Penal dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.

4. Në bashkim të dënimeve, sipas nenit 55 të Kodit Penal, dënimin e të pandehurit Astrit Balliu (alias Avdyli alias Sulejmani), përfundimisht me 12 (dymbëdhjetë) vite burgim.

5. Vuajtja e dënimit për të pandehurin Astrit Balliu (alias Avdyli, alias Sulejmani), të fillojë nga dita e arrestimit të tij, dhe të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.

6. Bazuar në nenin 190, pika 1, shkronja “a” të K.Pr.Penale, në lidhje edhe me nenin 36, pika 1, shkronja “a” të K.Penal, prova materiale e sekuestruar, arma pistoletë, me mbishkrimin WALTER-P.P.Q-Made in Germany, me numër ****, të kalojë në favor të shtetit.

Kush është Astrit Avdylaj?

Astrit Avdylaj, kreu i bandës së Shijakut, i cili aktualisht ndodhet në burg në kuadër të operacionit Revanshi, u arrestua më 29 qershor 2024, me urdhër të SPAK, pas zbërthimit të komunikimeve në aplikacionin “Sky ECC”.

Avdylaj u arrestua 1 muaj pas operacionit Revanshi dhe u kap në vilën e tij në Shijak me pistoletën e mbushur. Ndaj tij rëndojnë 3  akuza për këtë çështje, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale per te kryer vrasje””, Grup i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar.”

Nga zbardhja e komunikimeve në aplikacionin SKY ECC, Avdyli bashkëpunonte dhe thurte plane me grupin e ish-deputetit socialist Arben Noka dhe grupin e Ervis Martinaj për të ekzekutuar Durim Bamin.

Arben Ndoka dyshonte se Durim Bami kishte marrë pjesë në vrasjen e vëllait të tij, Aleksandër Ndoka ndërsa Martinaj dyshonte se ai bashkëpunonte me kundërshtarët e tij, Indrit Dokle e Leonard Duka.

Për kokën e Durim Bamit në ndihmë të Ervis Martinaj e Arben Ndokës shkoi dhe Emiljano Shullazi  dhe Astrit Avdyli të cilët ndodheshin atëkohë në qeli.

Avdylajt në Shijak u bënë me emër që në vitet 90′. Në 1996-ën është vrarë me armë zjarri Dritan Avdyli, kushëriri i parë i Astrit Avdylit. Ky i fundit, i dënuar më parë për prostitucion në Itali mori hak në 1997 duke vrarë në qendër të Shijakut personin që nxori në pritë Dritanin.

Ai i kishte vendosur një gjobë biznesmenit Tefik Hyka, pronari i fabrikës së tullave në Vlorë. Dritan Avdyli u telefonua nga një bashkëpunëtor shijakas i Tefik Hykës për të shkuar në zonën e “Katër Rrugëve të Shijakut” për të marrë gjobën që kishte vënë, por në momentin që bashkë me shokun arrin në lokal goditet me breshëri plumbash.  Hakmarrja nuk u ndal me kaq, pasi vëllai i Astritit, Shkëlqimi vrau në Tiranë, Durim Kusin, i njohur si vrasës me pagesë. Pas Astritit, në role të tjera, janë edhe familjarët Jasmin, Flamur , Altin.

Astrit Avdyli u lirua 3 vite para se të mbaronte dënimin pasi u ekzaminua me “depresion dhe tentativa vetëvrasëse”. I dënuar me 16 vjet burg për vrasje, Avdyli për 10 vjet rresht kërkoi lirim të parakohshëm nga burgu i Shënkollit-dhe në fund e fitoi, pasi siguroi më parë një raport mjekësor që e diagnostikonte atë me “depresion endogjen me tentativa vetëvrasëse”.

Ai doli nga burgu më 2 mars 2016. Gjykata e Lartë urdhëroi lirimin e tij me argumentin se “qëndrimi në burg i rrezikonte jetën”. Jo shumë më vonë, Avdyli do të hetohej për trafikun e drogërave të forta. Me origjinë çame, Astriti, në rrethin e zonës, njihet si I ‘Urti”, pasi punët I zgjidhte me bisedime.

Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri me qindra orë përgjime dhe ndërroi tre grupe prokurorësh, dhe në 2018 ngriti akuza për 44 persona të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, korrupsion, ushtrim ndikimi të paligjshëm apo falsifikime masive me pronat.

Astrit Avdylaj është liruar nga qelia e paraburgimit dy vite pas arrestimit të bujshëm, në korrik 2021 dhe përfundoi në ‘arrest në shtëpi’.

Media gjermane “Bild” publikoi biseda të tij dhe me ish-kreun e Bashkisë Durrës, Vangjush Dako ku flitej për sigurimin e votave në zgjedhjet e 2017. Por, ai ra sërish në pranga në 2024 për operacionin Revanshi.

Naim Murseli borxh 100 mijë euro Behgjet Pacollit/ Dëshmia në gjykatë: Ia kam shlyer në mënyra të tjera…

By: Fax Web
11 February 2026 at 15:29

Këtë të mërkurë, është mbajtur seanca gjyqësore ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt.

Në këtë seancë, është përmendur edhe emri i Behgjet Pacollit, për një kontratë borxhi mes Naim Murselit dhe tij.

Murseli tha se me Pacollin ka ekzistuar një parakontratë borxhi, e se ishte shlyer në mënyra tjera.

“Po, kjo është kontratë borxhi. E vërtetë në mes meje dhe zotit Pacolli. Shuma 100 mijë euro dhe thotë këtu ka normë interesi vjetor prej 0%, dhe nuk tregon kur ka qenë afati i shlyerjes së borxhit. Borxhi ka ekzistuar por është shlyer në mënyra tjera Nuk është dokument i noterizuar por është parakontratë”-, ka deklaruar Murseli.

Në Gjykatë është përmendur edhe borxhi që Naim Murseli ka në një nga bankat e Kosovës, në vlerë 219 mijë e 296 euro.

“Siç e kam përmendur herën e kaluar unë dhe bashkëshortja ime, Liridona, kemi blerë një shtëpi përmes kredisë. Do të thotë ajo shumë është kredia e shtëpisë. Ka dallim, pasi shtëpia është në hipotekë. Nuk e paguan ta merr shtëpinë”, tha Murseli, ndërsa shtoi se shtëpia ishte hipotekë, kur u pyet nëse këtë ai e konsideronte borxh.

Në anën tjetër, në lidhje me këto para, Pacolli ka deklaruar në një intervistë se e kishte ndihmuar gjithmonë Murselin dhe se nuk kishte kërkuar t’ia kthente borxhin.

“I kam ndihmuar gjithmonë atij. S’e kam kërkuar atë borxh mbrapa hiç. Po më duket ka mbet një borxh prej kur e ka ble një lokal përpara atje në Suedi. Sa unë e di komplet këto janë praktikisht gjëra që janë publike, të njohura”, u shpreh ai.

Humbën jetën tragjikisht në Itali, trupat e katër pjesëtarëve të familjes Kola nisen drejt Shqipërisë

By: Fax Web
11 February 2026 at 15:16

Katër pjesëtarët e familjes Kola, të cilët humbën tragjikisht jetën disa ditë më parë në Porcari, Itali, u nisën drejt Shqipërisë, ku do të prehen në fshatin e tyre, Gryksh i Madh, Peqin.

Kryefamiljari Arti Kola, bashkëshortja e tij Jonida Kola dhe dy fëmijët e tyre, Hajdar dhe Xhesika, 22 dhe 15 vjeç, ndërruan jetë më 4 shkurt në shtëpinë e tyre si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit, i shkaktuar nga një kaldajë gazi e instaluar së fundmi.

Trupat janë nënshtruar analizave toksikologjike në Itali, ndërsa tashmë është mundësuar kthimi i tyre në Shqipëri. Për transportin e trupave, vëllai i Artit, Durim Kola, hapi një fushatë GoFundMe, e cila brenda dy ditësh mblodhi mbi 75 mijë euro.

Banesa ishte pronë e Artit, blerë rreth tre vite më parë dhe restauruar pjesërisht nga vetë ai, i cili ishte piktor me profesion. Djali i vetëm, 22 vjeç, punonte si elektriçist.

Mësohet se ceremonia e varrimit do të mbahet nesër në orën 13:00, ndërsa trupat e tyre do të prehen në varrezat e fshatit.

LEXO EDHE“Na mungon që tani”/ Shokët e klasës i bëjnë homazhe Xhesikës, prokuroria urdhëron autopsinë e familjes shqiptare që u shua në Itali

Ngjarja tronditi jo vetëm komunitetin shqiptar në Itali, por edhe mbarë opinionin publik në Shqipëri.

Sipas autoriteteve italiane, dyshohet se shkaku i tragjedisë ishte rrjedhja e monoksidit të karbonit nga një kaldajë e re, e sapo instaluar nga pronari shqiptar i banesës.

Prokuroria e Luccas vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në humbjen e jetës së katër anëtarëve të së njëjtës familje.

❌
❌