Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 28 January 2026FaxWeb

Me kokainë në lokal, gati për shitje! Arrestohet 41-vjeçari në Korçë

By: Fax Web
28 January 2026 at 09:47

Policia ushtroi kontroll në lokalin e 41-vjeçarit në fshatin Polenë, ku u gjet një sasi kokainë, e ndarë në doza gati për shitje. Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Një 41-vjeçar është arrestuar në Korçë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Polena”.

Policia ushtroi kontroll në lokalin e 41-vjeçarit në fshatin Polenë, ku u gjet një sasi kokainë, e ndarë në doza gati për shitje.

Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Njoftimi i policisë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Polena”.

Shiste lëndë narkotike, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 41-vjeçari.

Sekuestrohet lëndë e dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në doza gati për shitje, sasi e cila iu gjet 41-vjeçarit në lokalin që kishte në përdorim.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative, për një shtetas që shpërndante lëndë narkotike, finalizuan operacionin policor të koduar “Polena”.

Në kuadër të operacionit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit N. Dh., alias M. K., 41 vjeç, banues në fshatin Voskop, Korçë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin që ky shtetas kishte në përdorim, në fshatin  Polenë, Korçë, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi me lëndë narkotike të dyshuar kokainë, e ndarë në doza gati për shitje.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Dyshime për manipulim votash në Malishevë, Prokuroria e Gjakovës nis hetimet, merren në pyetje komisionerët

By: Fax Web
28 January 2026 at 09:43

Prokuroria Themelore e Gjakovës po zhvillon një aksion nën dyshimin për falsifikim të rezultatit zgjedhor në Malishevë.

Komisionerët janë duke u intervistuar në Gjakovë nga drejtoria rajonale e Policisë së Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Gjakovës.

Në komunën e Malishevës sipas të dhënave të KQZ-së në total janë manipuluar 5704 vota.

Sipas të dhënave të përditësuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, 3,273 vota iu shtuan kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës, ndonëse të njëjtët nuk i kishin marrë nga qytetarët.

Përfituesi më i madh i këtij manipulimi është Gamend Maliqaj, të cilit në numërimin në Qendrën Komunale të Numërimit i ishin shtuar 927 vota më shumë se sa kishte marrë realisht.

Përmes manipulimit, 728 vota i janë shtuar edhe në Malishevë, kandidatit të PDK-së, Fetah Paçarizit dhe 703 i janë shtuar edhe Adnan Thaçit.

Edhe brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës pati manipulim të votës së qytetarëve. Kandidatit Gëzim Hazrollit i janë shtuar 340 vota përmes manipulimit.

Pas rinumërimit, vjedhje e votës është evidentuar edhe në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, ku kandidatit Valon Hoti, gjatë numërimit në QKN i janë shtuar 312 vota më shumë e Gani Krasniqit i janë shtuar 271.

Manipulim u vërejt edhe te NISMA Socialdemokrate ku Vesel Krasniqit, përmes manipulimit iu shtuan 264 vota e Besjanë Mazrekut 145.

Shtyhet mbledhja e Këshillit të Mandateve

By: Fax Web
28 January 2026 at 09:41

Këshilli i Mandateve ishte parashikuar të mblidhej sot, më 28 janar, për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të ministres e njëherësh numrit dy të qeverisë, Belinda Balluku, në një moment kur Gjykata Kushtetuese ende nuk ka dalë me vendim për ankimin e kryeministrit Edi Rama sa i takon konfliktit të kompetencave me Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion (GJKKO).

Mirëpo, siç raportohet mbledhja është shtyrë sërish, pasi deputetët e Partisë Socialiste kanë kërkuar që të pritet fjala e Gjykatës Kushtetuese.

Shitja e duhanit për të miturit, PS abstenon me 82 vota amendamentin e Braçes, deputeti u ‘kthen’ reston

By: Fax Web
28 January 2026 at 09:31

Gjatë votimit në Kuvend për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, grupi parlamentar i Partisë Socialiste abstenoi për amendamentin e propozuar nga Erion Braçe.

Braçe kërkonte që pas nenit 44 të projektligjit, të shtohet neni 45. Amendamenti i Braçes ka për qëllim kategorizimin “vepër penale” të shitjes, ofrimit falas, shitjes me ofertë për të miturit nën moshën 18 vjeç duhanit dhe produktet e duhanit.

Siç ai shpjegoi, amendamenti e kërkon këtë kur më parë ndaj personit janë marrë masa administrative. Sipas propozimit, parashikohet gjobë nga 100000 lekë në 300000 lekë ose burgim deri në 6 muaj. Gjithashtu parashikohet 4-8 vjet burgim për dëmtim të rëndë të shëndetit të të miturit dhe 8-16 vjet burgim në rast se shkakton vdekjen e tij.

Fjalën e mori kreu i grupit parlamentar Taulant Balla, i cili kërkoi shtyrjen e votimit.

“Në emër të grupit parlamentar të PS dua të sqaroj se nuk ka asnjë dyshim që mbështesim çdo lloj nisme të kësaj natyre, por sikurse u tha përgjatë gjithë procesit të diskutimit jo vetëm të këtij projektligji, por të gjithë kësaj pakete kemi përpara një paketë që është negociuar gërmë për gërme me Komisionin Europian, pra gjithë ndryshimet e sotme në Kodin Penal në rastin në fjalë, është negociuar me ta. Nuk është serioze për ne që të kalonim sot për nesër këto ndryshime. Kemi pasur një përpjekje gjatë gjithë këtyre orëve me komisionin, ua kemi dërguar materialin, por nuk kemi marrë përgjigje. I kërkoj kolegut Erion Braçe shtyrjen”, tha Balla.

Amendamenti i Braçes u votua me 2 vota pro, 82 abstenim dhe 0 kundër. Braçe nuk votoi në dy projektligje:

-“Për lobimin në Republikën e Shqipërisë”, i cili mori 83 vota pro, 0 abstenim dhe 10 kundër.

-“Për importin, eksportin dhe transitin e armëve të zjarrit, të komponentëve të tyre kryesorë dhe të municioneve”, i cili mora 84 vota pro, 0 abstenim dhe 10 kundër.

Numri i të vdekurve nga moti i keq në SHBA shkon në 38, një valë e re të ftohti pritet këtë fundjavë

By: Fax Web
28 January 2026 at 09:28

Pjesa më e madhe e Shteteve të Bashkuara po përgatitet për një tjetër stuhi të ftohtë dimërore, që deri tani ka vrarë dhjetëra njerëz, la miliona amerikanë në errësirë ​​dhe ndërpreu udhëtimet ajrore.

Një valë e re të ftohti pritet të godasë vendin gjatë fundjavës, duke sjellë temperatura rekord dhe një tjetër stuhi të madhe, ndërsa amerikanët ende përpiqen të rikuperohen nga vala e parë.

Dhjetëra të vdekur

Të paktën 38 persona kanë vdekur për shkak të ngjarjeve ekstreme të motit, aksidenteve ose nga hipotermia, sipas një bilanci të përpiluar nga AFP bazuar në informacione nga mediat dhe autoritetet lokale. Tre fëmijë, të moshës gjashtë deri në nëntë vjeç, vdiqën të hënën pasi ranë në një liqen të ngrirë në Teksas.
Dje, të martën, kryebashkiaku i Nju Jorkut njoftoi se të paktën dhjetë persona u gjetën të vdekur jashtë dhe autoritetet po hetojnë shkaqet e vdekjes së tyre.

Në Maine, shtatë nga tetë personat në bordin e një aeroplani që u rrëzua gjatë ngritjes gjatë një stuhie dëbore u vranë.
Në jug të SHBA-së, ndërprerje të gjera të energjisë elektrike u regjistruan në shtetet e Tenesit, Teksasit, Misisipit dhe Luizianës. Mbrëmë, pothuajse gjysmë milioni familje dhe biznese në SHBA ishin ende pa energji elektrike, sipas faqes së internetit

Kushtetuesja ende pa vendim/ Mblidhet sot Këshilli i Mandateve për imunitetin e Ballukut

By: Fax Web
28 January 2026 at 09:20

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të mblidhet sot për të shqyrtuar çështjen e imunitetit të zv.kryeministres, Belinda Balluku.

Në orën 12 do të nisë mbledhja e Këshillit, ndërsa Gjykata Kushtetuese ende nuk ka dhënë një vendim për çështjen Balluku.

Mbledhja e fundit e Këshillit u mbajt më 19 dhjetor të vitit të kaluar. Mbledhja zgjati gati 5 orë dhe u zhvillua në praninë e kryeprokurorit të SPAK, Klodian Braho i cili sapo kishte marrë detyrën si dhe prokurorëve të çështjes.

Gjatë mbledhjes SPAK paraqiti një USB me 16 mijë faqe prova për të argumentuar arrestimin e zv.kryeministres Balluku. USB-ja iu dorëzua të gjithë anëtarëve të Këshillit të Mandateve.

Gjatë mbledhjes u mësua gjithashtu se avokatët e Ballukut kërkuan 2 javë kohë për të shqyrtuar materialin e USB-së ndërkohë Prokuroria e Posaçme tha se 3 ditë janë të mjaftueshme.

76 kryebashkiakët e Rrjetit të B40 letër në mbështetje të Imamoglu dhe Veliaj: Të shqetësuar për mbajtjen e tyre në paraburgim pa afat, cenim i demokracisë

By: Fax Web
28 January 2026 at 09:16

Kryetarët e bashkive anëtare të Rrjetit të Qyteteve të Ballkanit B40 shprehin shqetësimin e tyre të thellë për paraburgimin pa afat të Kryetarit të Bashkisë së Stambollit, Ekrem İmamoğlu dhe Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Kryetarët e bashkive anëtare të Rrjetit të Qyteteve të Ballkanit B40 shprehin shqetësimin e tyre të thellë për paraburgimin pa afat të Kryetarit të Bashkisë së Stambollit, Ekrem İmamoğlu dhe Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Në një letër të përbashkët, krerët e 76 bashkive e quajnë mbajtjen në paraburgim pa afat të Imamoglusë dhe Veliajt një “trend të rrezikshëm” që kërcënon demokracinë vendore në Ballkan dhe më gjerë.

Ata kërkojnë t’i jepet fund masës së paraburgimit ndaj tyre: “Thirrja jonë e qartë është t’i jepet fund paraburgimit pa afat të Kryetarit Ekrem İmamoğlu dhe Kryetarit Erion Veliaj, dhe t’u lejohet të presin në liri procedurat ligjore, duke ushtruar njëkohësisht detyrat që u janë besuar nga qytetarët që përfaqësojnë”.

Sipas nënshkruesve të letrës, largimi nga detyra i zyrtarëve të zgjedhur pa një vendim përfundimtar “nuk është drejtësi” dhe minon vullnetin e votuesve. Ata i referohen edhe Raportit të tetorit 2025 të Komisionit të Venecias dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke theksuar se ndalimi duhet të jetë masë e fundit dhe jo mjet për pengimin e mandatit.

Më poshtë letra e plotë e Rrjetit të Qyteteve të Ballkanit B40:

Letër e përbashkët: Qëndrim solidarizues për Demokracitë Lokale dhe dhënien fund të masës së paraburgimit për Kryetarin e Bashkisë së Stambollit, Ekrem İmamoğlu dhe Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj

Ne, të nënshkruarit kryetarë të bashkive të Rrjetit të Qyteteve të Ballkanit B40, nisma më e rëndësishme e rajonit të Ballkanit, e themeluar nën udhëheqjen e z. Ekrem İmamoğlu, Kryetar i Bashkisë së Stambollit, shprehim shqetësimin tonë të thellë lidhur me shfaqjen e një trendi të rrezikshëm që kërcënon demokracinë vendore në Ballkan dhe në botë.

Pavarësisht përkatësive tona të ndryshme politike, ne jemi të bashkuar në ngritjen e alarmit për paraburgimin pa afat të Kryetarit të Bashkisë së Stambollit, Ekrem İmamoğlu, President themelues i Rrjetit B40, Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Presidenti i tretë i Rrjetit B40, si edhe të kryetarëve të tjerë. Largimi nga detyra i zyrtarëve të zgjedhur në mënyrë demokratike, pa një vendim përfundimtar, nuk është drejtësi. Ai minon vullnetin e votuesve dhe paraqet kërcënime të drejtpërdrejta për demokracitë vendore.

Raporti i tetorit 2025 i Komisionit të Venecias të Këshillit të Evropës paralajmëron shprehimisht se përdorimi i paraburgimit ndaj kryetarëve aktualë të bashkive përbën rrezik serioz për qeverisjen demokratike. Kur zbatohet pa afat, një paraburgim i tillë i privon në praktikë qytetarët nga përfaqësimi, duke i mënjanuar përfaqësuesit e zgjedhur prej tyre pa një procedurë të rregullt ligjore.

Sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ndalimi duhet të mbetet një masë e fundit, jo një mjet për ta penguar ushtrimin e mandatit për arsye politike. Kur një kryetar bashkie i zgjedhur mbahet i ndaluar pa kusht ose pa gjyq, qytetarët mbeten pa përfaqësim, çka gërryen besimin e publikut dhe legjitimitetin institucional.

Është e qartë se ndalimi dhe procedurat gjyqësore që lidhen me Kryetarin Ekrem İmamoğlu dhe Kryetarin Erion Veliaj nuk përputhen me parimet dhe standardet e sanksionuara në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të artikuluara në Raportin e tetorit 2025 të Komisionit të Venecias të Këshillit të Evropës.

Ne theksojmë çfarë nuk po kërkojmë. Ne nuk kërkojmë imunitet, as nuk komentojmë mbi thelbësinë e akuzave apo mbi fajësinë ose pafajësinë. Apeli ynë është i kufizuar, parimor dhe plotësisht në përputhje me standardet evropiane.

Thirrja jonë e qartë është t’i jepet fund paraburgimit pa afat të Kryetarit Ekrem İmamoğlu dhe Kryetarit Erion Veliaj, si edhe kryetarëve të tjerë të ndaluar, dhe t’u lejohet të presin në liri procedurat ligjore, duke ushtruar njëkohësisht detyrat që u janë besuar nga qytetarët që përfaqësojnë.

Drejtësia duhet të jetë transparente, proporcionale dhe respektuese ndaj zgjedhjes demokratike. Prandaj, u bëjmë thirrje të gjitha autoriteteve përkatëse t’i zbatojnë këto parime dhe të mbrojnë demokracinë vendore.

Ne, kryetarët e bashkive të nënshkruar më poshtë të Rrjetit të Qyteteve të Ballkanit B40, u bëjmë thirrje të gjitha autoriteteve përkatëse të sigurojnë rivendosjen e mandateve demokratike dhe zbatimin e qëndrueshëm të normave evropiane në të gjitha rastet që kanë të bëjnë me zyrtarë vendorë të zgjedhur.

Rubio kërcënon me operacion të ri ushtarak në Venezuelë

By: Fax Web
28 January 2026 at 09:08

Sekretari i Shtetit të Shteteve të Bashkuara, Marco Rubio, paralajmëroi të martën para Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë se administrata amerikane mund të konsiderojë një operacion të ri ushtarak ndaj Venezuelës nëse udhëheqja e përkohshme atje devijon nga objektivat e SHBA-s dhe nuk bashkëpunon siç kërkohet.

Rubio theksoi se Uashingtoni është “i përgatitur të përdorë forcën për të garantuar bashkëpunimin maksimal nëse metodat e tjera dështojnë”, duke ndjekur sulmin spektakolar që çoi në kapjen e ish-presidentit venezuelian, Nicolás Maduro në fillim të muajit.

Rubio tha para senatorëve se, edhe pse SHBA nuk është zyrtarisht “në luftë” me Venezuelën, administrata nuk përjashton përdorimin e forcës ushtarake si një mjet për të siguruar që udhëheqja e re të përputhet me kërkesat e Uashingtonit. Ai gjithashtu pritet të përmendë bashkëpunimin e deri më tani me udhëheqjen e përkohshme venezueliane dhe nevojën për qëndrueshmëri në përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar në tranzicionin politik.

Rubio theksoi gjithashtu se SHBA synon të përdorë të gjitha mjetet diplomatike, ekonomike dhe të sigurisë për të siguruar që udhëheqja e re në Venezuelë të zbatojë reforma të rëndësishme dhe të mbështesë interesat amerikane dhe të Venezuelës, duke shmangur një konflikt të drejtpërdrejtë ushtarak kurdo që të jetë e mundur.

UNICEF: Më shumë se 90 për qind e shkollave janë shkatërruar ose dëmtuar

By: Fax Web
28 January 2026 at 09:04

 Zëdhënësi i UNICEF-it, James Elder njoftoi se më shumë se 90 për qind e shkollave në Rripin e Gazës janë dëmtuar ose shkatërruar.

Elder i bëri këto komente gjatë një konference online për media të Zyrës së Kombeve të Bashkuara (OKB) në Gjenevë. Ai tha se gati dy vjet e gjysmë sulme ndaj shkollave në Gaza kanë vënë në rrezik një brez të tërë.

“Aktualisht 60 për qind e fëmijëve në moshë shkollore në Gaza nuk kanë qasje fizikisht në arsim. Më shumë se 90 për qind e shkollave janë dëmtuar ose shkatërruar. Mbi 335 mijë fëmijë nën moshën pesë vjeç përballen me rrezik serioz të vonesave në zhvillim për shkak të rënies së shërbimeve të fëmijërisë së hershme”, theksoi ai.

Elder vuri në dukje se palestinezët në Gaza kishin një nga nivelet më të larta të shkrim-leximit në botë para tetorit 2023 dhe se kjo trashëgimi tani ndodhet nën sulm.

– “Në Gaza është zhdukur progresi i arritur ndër vite”

“Shkollat, universitetet dhe bibliotekat janë shkatërruar, duke zhdukur vite të tëra progresi. Ky nuk është vetëm shkatërrim fizik, por një sulm ndaj vetë të ardhmes. Rindërtimi i shkollave, objekteve arsimore dhe universiteteve të Gazës pas kësaj lufte brutale duhet të jetë në krye të axhendës së rimëkëmbjes së Gazës”, deklaroi Elder.

Ai shtoi se ata po punojnë me Autoritetin Palestinez dhe partnerë të tjerë për të siguruar që të gjithë fëmijët në Gaza të kthehen në institucionet e tyre arsimore sa më shpejt të jetë e mundur, duke vënë në dukje se UNICEF-i aktualisht mbështet më shumë se 100 qendra mësimi në Gaza.

Sipas tij, fëmijët duhet të jenë në qendër të çdo plani në Gaza. “Pothuajse gjysma e popullsisë së Gazës është nën 18-vjeç. Kostoja vjetore e vendosjes së një fëmije në një Qendër Mësimi të UNICEF-it, përfshirë mbështetjen e shëndetit mendor, është afërsisht 280 dollarë. ​​UNICEF-it i duhen urgjentisht 86 milionë dollarë për të arritur 336 mijë fëmijë në moshë shkollore për pjesën e mbetur të këtij viti”, tha Elder.

Kuvendi miraton me 85 vota ndryshimet në Kodin Penal dhe ligjet e Reformës në Drejtësi

By: Fax Web
28 January 2026 at 09:03

Kuvendi ka miratuar në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, rreth orës 04:00, me 85 vota pro, projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin ‘Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë’”, i ndryshuar.

Në një seancë maratonë prej rreth 18 orë, Kuvendi shqyrtoi dhe miratoi 13 projektligje dhe Aktin Normativ “Për buxhetin e vitit 2025” i cili u miratua me 85 vota pro dhe 10 kundër.

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, për bashkëpunimin strategjik në kujdesin shëndetësor, energjinë, mjedisin, industrinë e sigurisë dhe mbrojtjes, menaxhimin e migracionit, arsimin, inovacionin, diasporën, transformimin ekonomik dhe rritjen inteligjente”, u miratua me 85 vota pro, asnjë kundër dhe abstenim.

Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Traktatin për Pronësinë Intelektuale, Burimet Gjenetike dhe Njohuritë Tradicionale të Lidhura me To, bërë në Gjenevë, më 24 maj 2024”, u miratua me 85 vota pro, asnjë kundër dhe 0 abstenim.

Projektligji “Për ratifikimin e vendimit nr. 5/2024 të Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore “Për aspektet tregtare të të drejtave të pronësisë intelektuale”, u miratua me 84 vota pro, 0 kundër, 0 abstenim.

Projektligji “Për ratifikimin e vendimit nr. 6/2024 të Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore “Për lehtësimin e tregtisë së shërbimeve të ofruara nga agjencitë e udhëtimit dhe operatorët turistikë””, u miratua me 85 vota pro, 0 kundër, 0 abstenim.

Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin për ndalimin e tregtisë së paligjshme në produktet e duhanit”, u miratua me 85 vota pro, 0 kundër, 0 abstenim.

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, (nismë e Këshillit të Ministrave), u miratua me 85 vota pro, 9 kundër, 0 abstenim.

Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, u miratua me 85 vota pro, 10 kundër, 0 abstenim.

Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, të ndryshuar, u miratua me 85 vota pro, 10 kundër, 0 abstenim.

Projektligji “Per parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna ne familje”, u miratua me 85 vota pro, 0 kundër, 0 abstenim.

Projektligji “Për lobimin në Republikën e Shqipërisë”, u miratua me 83 vota pro dhe 10 kundër, 0 abstenim.

Projektligji “Për importin, eksportin dhe transitin e armëve të zjarrit, të komponentëve të tyre kryesorë dhe të municioneve”, u miratua me 84 vota pro, 10 kundër..

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit”, u miratua me 83 vota pro, 10 kundër.

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 97/2013 “Për Mediat Audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, u miratua me 82 vota pro dhe 1 kundër, 0 Abstenim.

Yesterday — 27 January 2026FaxWeb

Raundi i fundit, skuadrat në “luftë” për kualifikimin në Champions League

By: Fax Web
27 January 2026 at 19:58

Të mërkurën, luhen ndeshjet e fundit, për raundin e tetë, në fazën e ligës në Champions League.

Padyshim vëmendja më e madhe do të jetë te dueli mes Interit dhe Borussia Dortmund, dy skuadra që ndodhen në mesin e tabelës dhe janë në garë për tu kualifikuar mes tetë më të mirave, të cilat kalojnë direkt më tej.

Italianët mbajnë vendin e 14-të me 12 pikë, ndërsa gjermanët renditen në vendin e 16-të me 11 pikë.

Duel tejet interesant është edhe ai mes Napolit dhe Chelsea në Itali. Skuadra angleze është në garë për tetëshen e parë, pasi renditet në vendin e tetë, ndërsa Napoli mban vendin e 25-të dhe rrezikon eliminimin. Italianët synojnë fitoren, për të siguruar fazën “play off”.

Spektakli është i garantuar në duelin mes kampionëve në fuqi të PSG-së dhe anglezëve të Neëcastle. Të dyja ekipet janë mes tetë më të mirave për momentin dhe synojnë të ruajnë vendin.

Ndeshjet:

Juventusi ka një transfertë delikate ndaj Monacos, ndërsa Bayern Munich i kualifikuar, luan për statistikë ndaj PSV në Holandë.

Manchester City pret në shtëpi Galatasarayn, me dy ekipet që ndodhen në pjesën e mesit në tabelë dhe kanë shanse për më tej.

Real Madrid luan në Portugali ndaj Benficas, në një sfidë ku barazimi do të mjaftonte për tu kualifikuar më tej.

Barcelona pret në shtëpi danezët e Copenhagen, ndërsa Arsenali i kualifikuar si vendi i parë, pret kazakët e Kairat Almaty.

Rënditja:

FOTO-EMRAT/ Kokaina iu vinte me avion nga Meksika, kapen “çunat e Kukësit” në Angli

By: Fax Web
27 January 2026 at 19:53

Një grup kriminal në Liverpool, përfshirë dy shqiptarë, janë dënuar për një plan të sofistikuar të trafikut të kokainës nga Amerika dhe Meksika, me destinacion aeroportin e Manchester-it në Mbretërinë e Bashkuar, pas një hetimi të gjerë të realizuar nga Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA).

Sipas NCA (National Crime Agency) dy shqiptarët nga Kukësi, Elton Hallaci (32 vjeç) dhe Artur Iseberi (27 vjeç), ishin pjesë e një grupi kriminal të organizuar, që morën pjesë në transferimin e kokainës nga kurierët amerikanë.

Ky grup, së bashku me disa të tjerë, kishte krijuar një rrjet ndërkombëtar për të kontrabanduar lëndën narkotike nëpërmjet fluturimeve nga Cancun në Meksikë në aeroportin e Manchester-it.

Në vitin 2024, korrierët amerikanë udhëtuan në Mançester pa bagazhe dhe pasuan udhëzimet që merrnin nga një organizator i quajtur “Nate” për të mbledhur valixhe që përmbanin qindra kilogramë kokainë.

Pas mbërritjes në aeroport, ata transferuan kokainën te bashkëpunëtorët britanikë, përfshirë shqiptarët Hallaçi dhe Iseberi, që ishin të angazhuar në shpërndarjen e drogës brenda Britanisë së Madhe.

Më 11 maj 2024, tetë valixhe me kokainë mbërritën në Mançester nga Cancun dhe Barbados.

Pas mbledhjes së tyre, ato u shpërndanë përmes një sërë takimesh dhe transferimesh, ku Hallaçi dhe Iseberi morën pesë prej tyre, ndërsa Hosker dy të tjerë. Megjithatë, një nga korrierët la një valixhe pas, e cila më vonë u hap nga forcat kufitare, ku u gjetën 20 blloqe kokainë të paketuara me një kilogram secili.

Hetimi i NCA-së tregoi se në këtë ditë shqiptarët kishin mbledhur 100 kg kokainë.

Një muaj më vonë, më 31 maj, 300 kg kokainë me pastërti të lartë u futën në Manchester, të cilat u sekuestruan nga autoritetet.

Pjesëmarrësit shqiptarë, së bashku me bashkëpunëtorët e tjerë britanikë, ishin përgjegjës për shpërndarjen e lëndës narkotike nëpërmjet një rrjeti të gjerë në të gjithë vendin.

Në shtëpinë Hallaçit, hetuesit gjetën çelësa të një makinë Jaguar me një ndarje të fshehur për kontrabandën e drogës, si dhe një numër shënimesh që tregonin se si do të shpërndahej kokaina në qytete si Bradford, Londër dhe Birmingham.

Gjatë hetimeve, NCA sekuestroi gjithashtu dy makina Jaguar të tjera, të cilat ishin të pajisura me ndarje të fshehura për kontrabandën.

I gjithë operacioni i trafikut u mbikëqyr nga kamerat e sigurisë në aeroport dhe nga hetuesit, të cilët kishin vënë nën mbikëqyrje të dyshuarit.

Përfundimisht, Hallaçi, Iseberi dhe Hosker pranuan fajësinë për kontrabandë dhe mbajtjen e kokainës me qëllim shpërndarjen, ndërsa Creen, një tjetër i dyshuar i përfshirë, u dënua për mbajtjen e kokainës, por u shpall i pafajshëm për kontrabandën e saj.

Cat McHugh, komandante e NCA-së, tha:

Këta individë ishin pjesë e grupeve kriminale që lëviznin sasi të konsiderueshme kokainë nëpërmjet Britanisë, duke shkaktuar dëme të mëdha në shoqëri. Hetimi ynë ishte i gjatë dhe kërkoi shumë orë punë, por tani ata po paguajnë për krimet e tyre.”

Hetimet vazhdojnë për të zbuluar të tjera pjesëmarrës në këtë rrjet kriminal.

Dosja “AKSHI”/ Kush është anëtari i KPP, i dyshuar për lidhje me Ermal Beqirin?

By: Fax Web
27 January 2026 at 19:43

Dosja e SPAK për aferën e AKSHI-t ka zbuluar një hallkë kyçe të dyshuar brenda shtetit: bashkëpunimin e mundshëm të një funksionari të Komisionit të Prokurimeve Publike (KPP) me një grup personash nën hetim penal.

Sipas deklarimeve të biznesmenit Gerond Meçe, Prokuroria e Posaçme ka krijuar bindjen e arsyeshme se një person nga brenda KPP-së ka bashkëpunuar aktivisht për menaxhimin, tërheqjen dhe verifikimin në kohë reale të ankimimeve, duke e shndërruar një institucion të pavarur në instrument shërbimi për interesa private.

Në këtë kontekst del emri i Kreshnik Tërnovës, anëtar i KPP-së, për të cilin SPAK dyshon për lidhje të drejtpërdrejta me biznesmenin Ermal Beqiri.

Dyshimet nuk kanë mbetur vetëm në letër: banesa e Tërnovës është kontrolluar nga BKH, ndërsa atij i është sekuestruar telefoni celular, një veprim që tregon qartë se hetimi ndaj tij ka kaluar në një fazë konkrete dhe serioze.

Një anëtar i thjeshtë, një rol i fryrë

Kreshnik Tërnova është emëruar anëtar i Komisionit të Prokurimeve Publike në mesin e vitit 2023. Megjithatë, sipas burimeve të brendshme të institucionit, që nga fillimi ai ka pasur sjellje konfliktuale, përçarëse dhe problematike, duke u përplasur vazhdimisht me administratën dhe anëtarët e tjerë të komisionit.

Edhe pse ligjërisht mban statusin e një anëtari të thjeshtë, Tërnova ka tentuar sistematikisht të vetëshpallet si “nënkryetar” i KPP-së, duke u prezantuar si i tillë brenda dhe jashtë institucionit. Burime nga KPP deklarojnë se ai është mburrur hapur për lidhje direkte me Kryeministrin, duke pretenduar se gëzonte mbështetje politike dhe se emërimi i tij si kryetar i KPP-së ishte vetëm çështje kohe.

“Takime” imagjinare dhe deklarime të pabazuara

Sipas dëshmive nga brenda institucionit, Tërnova u ka komunikuar punonjësve se po shkonte në takime me Kryeministrin, edhe në raste kur ky i fundit ndodhej jashtë vendit për angazhime zyrtare të dokumentuara publikisht. Më shqetësuese është se, sipas të njëjtave burime, ai kthehej nga këto takime të pretenduara duke rrëfyer se çfarë i “kishte thënë personalisht” Kryeministri dhe çfarë vendimesh do të merreshin në KPP.

Këto sjellje kanë ngritur dyshime serioze mbi kredibilitetin, integritetin dhe qëllimet reale të tij, duke e kthyer figurën e Tërnovës në objekt talljeje dhe mosbesimi jo vetëm brenda KPP-së, por edhe në rrethet institucionale dhe të biznesit që kanë pasur kontakte me të.

Në një moment kur SPAK po heton një nga skemat më të rënda të dyshuara të manipulimit të prokurimeve publike, pyetja që shtrohet nuk është më se kush është Kreshnik Tërnova, por si ka qenë e mundur që një figurë me këtë profil dhe këtë sjellje të ketë akses real në vendimmarrjen e një institucioni kyç të shtetit. /OraNews

Kush është Gregory Bovino, “fytyra” e goditjes ushtarake të Trump në Minneapolis?

By: Fax Web
27 January 2026 at 19:07

Gregory Bovino, komandanti i lartë i Patrullës Kufitare që ka udhëhequr përpjekjet federale për zbatimin e ligjit të emigracionit në Minneapolis, pritet të largohet nga qyteti, sipas raportimeve që citojnë burime anonime.

Largimi i tij i pritshëm vjen mes një vëzhgimi dhe kritike intensive ndaj goditjes federale, pas dy të shtënave vdekjeprurëse të fundit që përfshinë agjentë të emigracionit, të cilët qëlluan për vdekje protestuesen Renee Nicole Good dhe infermierin e njësisë së kujdesit intensiv (ICU), Alex Pretti, në qytet, më herët këtë muaj.

Kush është Gregory Bovino?

Për shtatë muaj, Bovino ka qenë një figurë kyçe në goditjen ndaj emigracionit nga qeveria e Shteteve të Bashkuara.

Ai tërhoqi vëmendje kombëtare verën e kaluar pasi ndihmoi në drejtimin e një operacioni të madh në Los Anxhelos, i cili çoi në më shumë se 5,000 arrestime. Që atëherë, ai ka mbikëqyrur operacione të ngjashme zbatimi të ligjit në disa qytete të drejtuara nga demokratët, përfshirë Çikagon, Charlotte, New Orleans dhe së fundmi Minneapolis.

Përveç punës në terren, Bovino ka ndërtuar një profil të fortë publik, duke shpërndarë shpesh video nga operacionet dhe duke përdorur rrjetet sociale për të promovuar agjentët e tij dhe për t’iu përgjigjur kritikëve një stil që e ka bërë atë shumë të dukshëm dhe të diskutueshëm.

Në Minneapolis, videot ku ai shihet duke ecur nëpër rrugë me një pallto të gjatë jeshile, në stil komandanti ushtarak, duke u bërtitur protestuesve që të largohen nga rruga, kanë nxitur krahasime me një estetikë “fashiste”, përfshirë edhe nga disa komentatorë gjermanë.

Në Minneapolis, Bovino u bë zyrtari federal më i dukshëm gjatë Operacionit Metro Surge, përpjekja e Shërbimit të Emigracionit dhe Doganave (ICE), e cila shkaktoi polemika të mëdha pas dy të shtënave vdekjeprurëse — fillimisht ndaj Good në fillim të janarit, dhe më pas ndaj Prettit, një infermier 37-vjeçar i kujdesit intensiv, i qëlluar nga agjentë të Patrullës Kufitare.

Pas vrasjes së Prettit, Bovino mbrojti veprimet e agjentëve, duke pretenduar se Pretti “donte të shkaktonte dëmin maksimal dhe të masakronte forcat e rendit”.

“Fakti që ata janë shumë të trajnuar parandaloi çdo të shtënë specifike ndaj forcave të rendit, ndaj punë e mirë për forcat tona të rendit që e neutralizuan përpara se të ishte në gjendje ta bënte këtë,” tha Bovino për CNN.

Dëshmitarë, zyrtarë lokalë dhe familja e Prettit e kanë kundërshtuar këtë version, duke thënë se ai po mbante një telefon, jo një armë, në momentin kur u qëllua.

Bovino ka lindur në Kaliforni në mars të vitit 1970 dhe është rritur në Karolinën e Veriut.

Interesi i tij për zbatimin e ligjit u formësua herët. Në një intervistë vitin e kaluar, motra e Bovinos, Natalie, kujtoi se sa fort kishte reaguar ai ndaj serialit televiziv The Border, i cili fokusohej te Patrulla Kufitare e SHBA-së.

“Greg ishte shumë i entuziazmuar sepse i pëlqente ashpërsia dhe vlerat e këtyre veteranëve,” tha ajo, sipas një raporti të gazetës britanike The Times of London.

“Pastaj e pa serialin dhe personazhi i Patrullës Kufitare ishte kriminel. Greg u kthye në shtëpi jashtëzakonisht i zemëruar. Që atëherë ai thoshte: ‘Shok, dua të bëhem pjesë e Patrullës Kufitare.’”

Sipas një raporti të Chicago Sun-Times, babai i Bovinos, Mike Bovino, u përfshi në një aksident fatal në vitin 1981, duke vrarë një grua të re pasi “u përplas në mënyrë ballore me kamionin e tij në gjendje të dehur”.

Dokumentet gjyqësore tregojnë se gjyqtari urdhëroi Mike Bovino të vuante dënim në burgun shtetëror “për trajtimin e alkoolizmit të tij”. Ai u burgos për katër muaj dhe, sipas raportit, padia ligjore detyroi shitjen e barit familjar dhe të pronës ku ai ndodhej. Më vonë, nëna e Gregut, Betty Bovino, kërkoi divorcin, duke fituar kujdestarinë e tre fëmijëve të çiftit si pjesë e marrëveshjes.

Bovino iu bashkua Patrullës Kufitare të SHBA-së në vitin 1996, duke nisur karrierën e tij në El Paso, Teksas, një qendër kyçe për zbatimin e ligjit kufitar.

Gjatë dekadës pasuese, ai kaloi në role drejtuese të larta në të gjithë jugperëndimin, përfshirë Arizonën dhe Kaliforninë, si edhe në New Orleans në juglindje.

Së fundmi, Bovino është bërë një nga fytyrat më të njohura të zbatimit të ligjit të emigracionit në SHBA, pas rikthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.

A u shkarkua Bovino?

Zëdhënësja e Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS), Tricia McLaughlin, i mohoi thashethemet se Bovino ishte shkarkuar, duke deklaruar në një postim në platformën X se: “Shefi Gregory Bovino NUK është liruar nga detyrat e tij.”

Kush është Tom Homan, “cari i kufirit” i Trumpit që po shkon në Minneapolis?

Megjithatë, Bovino tani nuk po udhëheq më aktivitetet e ICE në Minnessota.

Në vend të tij, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka caktuar Tom Homanin, të ashtuquajturin “car i kufirit”, për të marrë drejtimin e goditjes ndaj emigrantëve në këtë shtet të rajonit të Mesperëndimit.

Një zyrtar veteran i emigracionit amerikan me më shumë se katër dekada përvojë në zbatimin e ligjeve kufitare dhe të emigracionit, Homan, 64 vjeç, u bë figurë kyçe gjatë administratës së Barack Obamës, duke drejtuar njësinë e ICE-it për Operacionet e Zbatimit dhe Dëbimit. Kjo degë e ICE-it është përgjegjëse për gjetjen e personave me urdhra dëbimi dhe largimin e tyre nga vendi.

Në vitin 2015, gjatë presidencës së Obamës, Homan mori Çmimin e Rangut Presidencial, një nga nderimet më të larta për nëpunësit e lartë civilë.

Sipas raportimeve, në janar 2017, gjatë festës së daljes së tij në pension, zgjedhja e atëhershme e Trumpit për sekretar të Sigurisë Kombëtare, John Kelly, i kërkoi Homanit të qëndronte në ICE. Pas një fundjave reflektimi, Homan pranoi ofertën dhe u shndërrua në një figurë udhëheqëse të administratës së parë të Trumpit gjatë katër viteve të saj të trazuara.

Nën Obamën, SHBA-ja realizoi 432,000 dëbime në vitin 2013 shifra më e lartë vjetore që nga fillimi i regjistrimeve, deri në vitin 2025. Dëbimet gjatë administratës së parë të Trumpit nuk e kaluan kurrë shifrën 350,000. Por në dhjetor 2025, DHS njoftoi se administrata Trump kishte dëbuar mbi 600,000 persona në 11 muajt e parë pas rikthimit të tij në detyrë, ndërsa edhe 2.5 milionë persona të tjerë ishin “vetë-dëbuar” — kishin lënë vendin vullnetarisht. Si pasojë, për herë të parë pas dekadash, SHBA-ja pati emigracion neto negativ në vitin 2025.

Homan, të cilin Trump e punësoi për të mbikëqyrur sigurinë kufitare në mandatin e tij të dytë, ka qenë në qendër të goditjes së administratës ndaj emigrantëve. Tani, me emërimin në Minesota, fusha e veprimit të rolit të tij është zgjeruar duke përfshirë veprime kontroverse të ICE-it larg kufirit jugor.

“Po e dërgoj Tom Homanin sonte në Minesota,” shkroi Trump të hënën në Truth Social.
“Ai nuk ka qenë i përfshirë më parë në atë zonë, por njeh dhe i pëlqen shumë njerëz atje. Tom është i ashpër, por i drejtë, dhe do të raportojë drejtpërdrejt tek unë,” shtoi presidenti.

Cili është qëndrimi i Homanit ndaj emigracionit?

Kur u emërua “car i kufirit”, Homan u pa gjerësisht si një figurë që jo vetëm ndante pikëpamjet e ashpra të Trumpit, por sillte edhe përvojë të gjerë praktike në zbatimin dhe politikën e emigracionit.

Homan e paraqet emigracionin e paligjshëm si një çështje bardh e zi dhe nuk ka kërkuar falje për politikën e Trumpit që synon të gjithë personat në vend pa dokumentacion të rregullt.

“Nëse jeni në vend në mënyrë të paligjshme, duhet të shqetësoheni,” tha ai në një intervistë të vitit 2018 për agjencinë e lajmeve Associated Press.
“Kështu duhet të jetë. Ashtu si nëse unë shkel shpejtësinë në autostradë a shqetësohem se do të marr një gjobë? Ose nëse gënjen në deklaratën e taksave a shqetësohesh për një auditim?”

Por vetë Homan është përballur me akuza për paligjshmëri në shtator 2024, sipas raportimeve, ai u regjistrua duke pranuar një çantë që përmbante 50,000 dollarë cash nga agjentë të fshehtë të FBI-së. Homan dhe Shtëpia e Bardhë e Trumpit i kanë mohuar akuzat, por administrata deri tani nuk ka shpjeguar se çfarë ndodhi me paratë.

Dëmtimi i katërt gjatë këtij sezoni, Ardian Ismajli shqetëson Kombëtaren

By: Fax Web
27 January 2026 at 18:58

Ardian Ismajli shqetëson trajnerin e Kombëtares Sylvinho.

Klubi i Torinos njoftoi se, mbrojtësi kuqezi do të duhet të qëndrojë jashtë fushe për një periudhë jo të pakët kohe, për shkak të një dëmtimi.

Ai ka një problem në muskulin e kofshës së djathtë dhe duhet të ndjekë një program individual që të rekuperohet sa më shpejt.

Për mbrojtësin shqiptar, ky është dëmtimi i katërt muskulor gjatë këtij sezoni, dhe koha e rikuperimit vlerësohet rreth katër javë.

Më 26 maj, Shqipëria do të përballet me Poloninë në gjysmëfinalen e Play-off-it, të vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026. Nëse gjithçka shkon mirë, 29-vjeçari do të jetë gati në fillim të muajit mars. Por trajneri Silvinho dhe stafi i tij i tremben ndonjë ë papriture që mund të komplikojë situatën.

Ismajli është një nga lojtarët kyç të prapavijës kuqezi.

Por edhe trajneri i Torinos është i shqetësuar për shqiptarin. Ai nuk do ta ketë të disponueshëm për takimin delikat ndaj Lecces së Rrahmanit dhe Berishës, me “Granatat” që duan të lenë pas humbjen 6-0 ndaj Comos.

LEXO EDHE: Asllani ende pa skuadër, Ramadani gati rinovimin me Leccen

Aksidenti tragjik i tifozëve të PAOK/ Një prej viktimave shqiptar, me origjinë nga Korça?

By: Fax Web
27 January 2026 at 18:50

Video që po bë xhiron e mediave europiane pasqyron një aksident të tmerrshëm rrugor në Rumani që ka tronditur mbarë Greqinë.

Është një furgon me tifozë të ekipit grek PAOK të Selanikut ,të cilët udhëtonin drejt Francës për të ndjekur ndeshjen kundër Lionit në Europa League, i cili siç duket përfshihet në një përplasje fatale në autostradën pranë qytetit Lugoj.

Bilanci është tragjik, 7 persona humbën jetën dhe 3 të tjerë mbetën të plagosur rëndë. Të gjithë udhëtarët ishin me nënshtetësi greke, të moshës 25 deri në 30 vjeç.

Pesë prej viktimave ishin nga Aleksandria e Imathias, dy nga Katerini, ndërsa tre nga Selaniku.

Sipas informacioneve, ende të pakonfirmuara, të paktën një prej viktimave thuhet se ishte shqiptar me origjinë nga Korça, me inicialet V.P.

Sipas autoriteteve rumune, furgoni tentoi të parakalonte një kamion-cisternë, por gjatë rikthimit në korsi u përplas fillimisht me të dhe më pas u hodh në krahun e kundërt të rrugës, ku u përplas me një kamion tjetër. Në aksident u përfshinë gjithsej katër mjete.

Gjashtë nga viktimat humbën jetën në vend, ndërsa një tjetër ndërroi jetë gjatë transportit drejt spitalit.

Dy nga të plagosurit ndodhen në gjendje kritike, ndërsa një i tretë ka dëmtime më të lehta dhe ishte ai që njoftoi autoritetet për aksidentin.

Ndërkohë kërkesa për anulimin e ndeshjes nuk është pranuar nga UEFA.

VIDEO/ “Chandra” përmbyt Irlandën! Njerëzit bllokohen nga uji, probleme edhe me energjinë elektrike

By: Fax Web
27 January 2026 at 18:32

Stuhia Chandra ka shkaktuar përmbytje të mëdha në disa zona të Irlandës, me shërbimet e emergjencës që ndërhynë për të shpëtuar shoferë të bllokuar nga uji, veçanërisht në Dublin.

Gjatë natës ranë rreth 30 mm shi në kryeqytet, duke përmbytur rrugë dhe banesa.

Rreth 30,000 persona kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa disa akse rrugore janë mbyllur në mbarë vendin. Zona e Enniscorthy-t në Qarkun Wexford ishte ndër më të goditurat, pasi lumi Slaney doli nga shtrati.

Autoritetet kanë lëshuar paralajmërim të verdhë për reshje të dendura shiu deri në orën 23:00 në disa qarqe, si dhe një paralajmërim të veçantë për erëra të forta, duke u bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të ndjekin udhëzimet zyrtare.

Aksidenti tragjik/ Qeveria spanjolle premton 20 milionë euro kompensim për familjet e viktimave

By: Fax Web
27 January 2026 at 18:23

Spanja do të paguajë 20 milionë euro kompensim për viktimat e aksidentit me tren ku humbën jetën 45 persona dhe u plagosën mbi 150 të tjerë.

Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Transportit, Oscar Puente.

Sipas planit të qeverisë, familjet e viktimave do të përfitojnë nga 216 mijë euro secila, të cilat do të shpërndahen brenda një afati maksimal prej tre muajsh.

Përveç kësaj, do të ketë 72 mijë euro lehtësim tatimor, një pagesë paraprake sigurimi prej 72 mijë eurosh, si dhe 72 mijë euro të tjera nga sigurimi i detyrueshëm i udhëtimit të pasagjerëve.

Ndërkohë, kompensimi për të lënduarit do të varjoj nga 2,400 deri në 84,000 euro, në varësi të dëmeve të pësuara, bëri të ditur ministri Puente.

“E dimë që procedurat normale dhe afatet ligjore nuk i përgjigjen gjithmonë urgjencave jetësore të një tragjedie të tillë. Viktimat nuk mund të presin me vite për mbështetje”, deklaroi Puente.

Ministri i Transportit ndodhet nën presion të fortë publik, pas aksidentit të rëndë në Adamuz dhe disa incidenteve të tjera të ndodhura brenda së njëjtës javë, përfshirë vdekjen e një makinisti treni në Katalonjë dhe dy aksidente të tjera pa viktima.

Penalltitë, Milani është skuadra më e penalizuar në Serie A

By: Fax Web
27 January 2026 at 18:12

Penalltia e akorduar në favor të Romës në ndeshjen e fundit ka vendosur një rekord negativ për Milanin në këtë sezon të Serie A.

Me 11-metërshin e shndërruar në gol nga Lorenzo Pellegrini, numri i penalltive të dhëna kundër “Djallit” ka shkuar në shtatë, duke e pozicionuar Milanin të vetëm në krye të kësaj renditjeje.

Menjëherë pas tyre renditen Napoli dhe Udinese me nga gjashtë penallti kundër, ndërsa Fiorentina dhe Lecce mbyllin pesëshen e parë me pesë të tilla.

Në skajin tjetër të tabelës, Interi dhe Lazio kanë pësuar vetëm dy penallti.

Renditja e penalltive kundër:

Milan: 7

Napoli: 6

Udinese: 6

Fiorentina: 5

Lecce: 5

Parma: 4

Pisa: 4

Sassuolo: 4

Torino: 4

Verona: 3

Bologna: 2

Como: 2

Cremonese: 2

Inter: 2

Lazio: 2

Atalanta: 1

Cagliari: 1

Genoa: 1

Juventus: 1

Luftëanijet amerikane mbërrijnë në Lindjen e Mesme, Trump: Irani do të bisedojë, kanë telefonuar disa herë

By: Fax Web
27 January 2026 at 18:04

Uashingtoni nuk e ka përjashtuar një ndërhyrje të re ushtarake kundër Teheranit për shkak të shtypjes së protestave, të cilat sipas grupeve të të drejtave të njeriut panë mijëra persona të vrarë brenda pak ditësh.

Një grup aeroplanmbajtësesh, të udhëhequra nga “USS Abraham Lincoln”, kanë mbërritur tashmë në ujërat e Lindjes së Mesme, njoftoi Komanda Qendrore e SHBA-së, pa zbuluar vendndodhjen e saktë.

Që prej momentit kur Irani në fillim të këtij muaji nisi shtypjen e protestave, të shoqëruar me një bllokim total të internetit, presidenti amerikan Donald Trump ka dhënë sinjale të përziera mbi ndërhyrjen, të cilën disa kundërshtarë të udhëheqjes klerikale e shohin si të vetmen mënyrë për të sjellë ndryshim.

Kemi një armatë të madhe pranë Iranit. Më të madhe se ajo pranë Venezuelës,” i tha Trump faqes së lajmeve Axios, disa javë pasi një veprim ushtarak amerikan çoi në kapjen e presidentit të vendit latino-amerikan, Nicolas Maduro.

Por ai shtoi: “Ata duan të bëjnë një marrëveshje. E di këtë. Kanë telefonuar në disa raste. Duan të flasin.”

Analistët thonë se opsionet përfshijnë sulme ndaj objekteve ushtarake ose goditje të synuara kundër udhëheqjes nën Ajatollah Ali Khamenei, në një përpjekje të plotë për të rrëzuar sistemin që sundon Iranin që nga revolucioni islamik i vitit 1979, i cili përmbysi Shah-un.

“Pika më e dobët”

Gazeta The New York Times raportoi ndërkohë se Trump ka marrë disa raporte të inteligjencës amerikane që “tregojnë se pozita e qeverisë iraniane po dobësohet” dhe sinjalizojnë se kontrolli i saj mbi pushtetin “është në pikën më të dobët” që nga rënia e Shah-ut.

Senatori amerikan Lindsey Graham i tha gazetës se kishte folur me Trump ditët e fundit për Iranin dhe se “qëllimi është përfundimi i regjimit”.

“Ata mund të ndalojnë vrasjet sot, por nëse janë në pushtet muajin tjetër, do t’i vrasin përsëri,” shtoi ai.

Zyrtarët iranianë gjatë ditëve të fundit janë shfaqur të kujdesshëm për të mos përshkallëzuar më tej situatën.

Teherani ka thënë më parë se ekziston një kanal komunikimi mes ministrit të Jashtëm iranian Abbas Araghchi dhe të dërguarit amerikan Steve Witkoff, pavarësisht mungesës së marrëdhënieve diplomatike mes dy armiqve.

Por gazeta konservatore Hamshahri citoi të martën zëdhënësin e Gardës Revolucionare, Mohammad Ali Naini, të ketë thënë se “nëse aeroplanmbajtësja e tyre do të gabonte dhe do të hynte në ujërat territoriale iraniane, ajo do të goditej”.

Gazeta tjetër konservatore Javan tha se Irani ishte “gati për një përgjigje të madhe” dhe do të bllokonte Ngushticën strategjike të Hormuzit, një nyje kyçe për furnizimet energjetike.

“Arrestime masive, frikësim”

Grupet e të drejtave të njeriut e kanë përshkruar shtypjen e protestave si më vdekjeprurësen ndonjëherë në Iran dhe paralajmërojnë se përpilimi i shifrave është vështirësuar nga bllokimi gati trejavor i internetit, që sipas tyre synon të fshehë përmasat e represionit.

Human Rights Activists News Agency (HRANA) tha se kishte konfirmuar vdekjen e 6,126 personave, përfshirë 5,777 protestues, 86 të mitur, 214 anëtarë të forcave të sigurisë dhe 49 kalimtarë. Por grupi, i cili ka një rrjet të gjerë burimesh brenda Iranit dhe i ka ndjekur protestat çdo ditë që nga fillimi i tyre, shtoi se po heton ende edhe 17,091 vdekje të mundshme të tjera.

Të paktën 41,880 persona janë arrestuar“, thotë HRANA.

Agjencitë e sigurisë vazhdojnë të ndjekin një qasje të përqendruar në arrestime masive, frikësim dhe kontroll të narrativës,” thuhet në deklaratë.

Aktivistët kanë akuzuar autoritetet se po bastisin spitalet për të gjetur protestues të plagosur dhe më pas t’i arrestojnë ata.

Gjatë fundjavës, kanali televiziv në gjuhën persiane Iran International tha se më shumë se 36,500 iranianë u vranë nga forcat e sigurisë mes 8 dhe 9 janarit, duke cituar raporte, dokumente dhe burime.

❌
❌