Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 30 January 2026FaxWeb

EMRA-FOTO/ Aksidenti tragjik në Itali, identifikohen dy të rinjtë shqiptarë që humbën jetën

By: Fax Web
30 January 2026 at 18:45

Aksidenti i rëndë, i regjistruar në Savigliano të Italisë, u mori jetën dy të rinjve shqiptarë.

Përplasja e fortë mes makinës ku udhëtonin të rinjtë dhe një kamioni rezultoi me pasoja fatale, sidomos për dy familjet shqiptare.

Ndërkohë është bërë i mundur edhe identifikimi i dy të rinjve shqiptarë: Blendi Syla dhe Robert Daçi, të dy rreth 20 vjeç.

“Me dhimbje të thellë njoftoj ndarjen e parakohshme nga jeta të nipit tim Blendi Syla 20 vjeç, i cili humbi jetën tragjikisht si pasojë e një aksidenti në Itali. Familja Çekaj informon se, për momentin, data dhe ora e ceremonisë së varrimit nuk janë përcaktuar, pasi pritet kthimi i trupit në Shqipëri. Sapo të kemi informacion të konfirmuar, do t’ju njoftojmë në vijim.

Falënderojmë të gjithë të afërmit, miqtë dhe dashamirësit për ngushëllimet dhe mbështetjen në këto momente të vështira. I paharruar qoftë kujtimi i tij.Zoti e pastë në paqe shpirtin e tij”, shkruan një i afërm i Blendi Sylës në një postim në rrjetet sociale.

Kujtojmë se si pasojë e aksidentit kanë mbetur të plagosur edhe tre persona të tjerë, të cilët ndodhen në spital.

SPAK i mbyll derën “Xhafajt”/ Prokuroria e Posaçme refuzon komisionin “Nisma qytetare”: Cënim i pavarësisë

By: Fax Web
30 January 2026 at 18:30

Pikërisht ditën kur Klodian Braho mori detyrën e kryeprokurorit në mënyrën më aktive të mundshme duke behur në Këshillin e Mandateve në Kuvend, komisioni i Përhershëm Parlamentar Xhafaj kërkonte të futej në axhendën e SPAK.

Kërkesa lidhej me një vizitë monitoruese mbi rezultatet e SPAK për pastrimin e parave.

Mazhoranca e mbështeste kërkesën tek një shkresë e Agjencisë së Inteligjencës Financiare drejtuar kuvendit dhe disa institucioneve për disponimin e të dhënave rreth pastrimit të parave.

Por SPAK i ka thënë ‘jo” takimit me komisionin Xhafaj, që ishte sugjeruar të mbahej në 6 shkurt 2026.

SPAK në këtë dokument, të bërë publik fillimisht nga lapsi.al, e cilëson takimin monitorues në kapërcim të ligjit dhe pavarësisë së Prokurorisë së Posaçme.

“Çdo praktikë për të kryer vizita të tilla monitoruese do të binte ndesh me pavarësinë kushtetuese të Prokurorisë së Posaçme. Kjo pavarësi nuk është vetëm një kërkesë formale ligjore, por edhe një kusht themelor për të siguruar hetime të pavarura, të paanshme dhe efikase, në mbrojtje të interesit publik dhe të sundimit të ligjit.”

Megjithatë SPAK lë një dritë jeshile për bashkëpunim me komisionin, kur i kujton se mund ta informojë sipas ligjit, por jo ta monitorojë.

“Në vijim të dialogut dhe bashkëpunimit ndër institucional me komisionin, Prokuroria e Posaçme mbetet e angazhuar për të kontribuar në përcjelljen e çdo informacioni të nevojshëm në funksion të përmbushjes së detyrimeve të saj kushtetuese.”

Megjithatë siç rendit edhe në shkresë, SPAK e ka kryer më herët raportimin mbi përmbushjen e rekomandimeve të Task forcës. Ky informim kryhet në kuadër të procesit të Shqipërisë nga Moneyval, Organizata Ndërkombëtare e Monitoritimit kundër pastrimit të parave.

Përpjekja për të organizuar një vizitë “monitorimi” në SPAK është vazhdimësi e misionit të parë që iu ngarkua Fatmir Xhafajt rreth një vit e gjysëm më parë. I ashtuquajturi “Komision antikorrupsion”, sipas mazhorancës, do të shërbente për të adresuar një sërë problematikash, përfshirë edhe ecurinë e reformës në drejtësi.

“Arteria strategjike e sigurisë europiane”/ Spiropali me Ambasadorin e Italisë: Tirana mirëpret në 18 shkurt “Forumin e Korridorit VIII”

By: Fax Web
30 January 2026 at 18:17

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, priti ditën e sotme në një takim, Ambasadorin e Italisë në Shqipëri, Marco Alberti, me fokus koordinimin e përgatitjeve për mbajtjen në Tiranë të Forumit të Korridorit VIII.

Spiropali e cilëson këtë projekt “një arterie strategjike që sjell me vete potencial ndërlidhjeje infrastrukturore me rëndësi politike, ekonomike, të sigurisë rajonale e europiane.”

Ministrja njoftoi se kjo platformë e nivelit të lartë do të mbahet në 18 shkurt në Tiranë me prezencën e Ministrave të Jashtëm të Italisë, Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë.

Mbajtja e këtij forumi në Tiranë, konfirmon sipas Ministres së Jashtme, vendosmërinë e Shqipërisë për forcimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe operacional përgjatë Korridorit VIII, nga Adriatiku në Detin e Zi.

Postimi i Spiropalit:

Me Ambasadorin e Italisë në Shqipëri, Marco Alberti, koordinojmë përgatitjet për mbajtjen në Tiranë të Forumit të Korridorit VIII, arteries strategjike që sjell me vete një potencial ndërlidhjeje infrastrukturore me rëndësi politike, ekonomike, të sigurisë rajonale e europiane.

Kjo platformë e nivelit të lartë që do të mbahet në 18 shkurt në Tiranë me prezencën e Ministrave të Jashtëm të Italisë, Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, konfirmon vendosmërinë e Shqipërisë për forcimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe operacional përgjatë Korridorit VIII, nga Adriatiku në Detin e Zi“.

E rëndë në Hamburg/ Emigranti kap me forcë 18-vjeçaren dhe e tërheq drejt shinave të trenit, të dy humbin jetën

By: Fax Web
30 January 2026 at 18:12

Një incident tragjik ka ndodhur të enjten në mbrëmje në një stacion metroje në Hamburg, ku dy persona humbën jetën pas një sulmi të dhunshëm.

Sipas hetimeve të para nga policia, bëhet fjalë për një vrasje.

Rreth orës 22:07, një 18-vjeçare po priste trenin e metrosë në platformën U1, kur një 25-vjeçar me origjinë nga Sudani iu afrua dhe e kap me forcë për arsyeje ende të paqarta, duke e tërhequr atë mbi shina. Të dy ranë përpara trenit që po mbërrinte dhe u goditën nga metroja, duke vdekur menjëherë.

Dëshmitarët okularë raportuan se burri mund të ketë qenë i dehur dhe se më parë kishte ecur përgjatë platformës. Ata thanë se ai papritmas e kapi gruan dhe e tërhoqi mbi shina, duke shkaktuar një skenë dramatike. Hetuesit ende po mblidhen prova dhe po shqyrtojnë regjistrime videosh dhe dëshmi të tjera për të zbuluar rrethanat e plota të ngjarjes, shkruan gazeta gjermane “Bild“.

Skuadra e hetimit për vrasje ka marrë përsipër hetimin dhe është duke punuar me zyrën e prokurorit publik. Trafiku hekurudhor u pezullua për disa orë në linjën U1.

Ndërkohë, ekipi i ndërhyrjes në kriza i Kryqit të Kuq Gjerman ofroi mbështetje për dëshmitarët okularë, të cilët ishin dëshmitarë të ngjarjes tragjike. Hetimet vazhdojnë për të zbuluar arsyet që çuan në këtë akt dhune të pashembullt.

I ndalohet inspektimi në Burgun 313, Balliu: E paligjshme! Qëllimi ishte verifikimi i kushteve për të burgosurit dhe paraburgosurit

By: Fax Web
30 January 2026 at 18:01

Deputeti i Partisë Demokratike Klevis Balliu është ndaluar të inspektojë kushtet në Burgun e sigurisë së lartë 313, duke e cilësuar veprimin si shkelje të hapur të ligjit dhe pengim të kontrollit institucional.

Sipas Balliut, inspektimi kishte për qëllim verifikimin e trajtimit të të gjithë të burgosurve dhe të paraburgosurve, përfshirë edhe ish-presidentin Ilir Meta, për të cilin ka pasur shqetësime publike mbi kushtet e trajtimit.

“Sot u ndalova në mënyrë të paligjshme gjatë ushtrimit të detyrës sime për inspektimin e kushteve në Burgun 313. Ky veprim përbën një shkelje të hapur të ligjit dhe një pengim të kontrollit institucional.

 

 

Qëllimi i këtij inspektimi ishte verifikimi i kushteve të trajtimit të të gjithë të burgosurve dhe të paraburgosurve, pa përjashtim, përfshirë këtu edhe Presidentin Ilir Meta, për të cilin janë shprehur publikisht edhe zyrtarë të tjerë se kushtet që nga momenti i arrestimit deri te trajtimi i tij kanë qenë të padrejta. Kjo ishte pjesë e detyrimit ligjor për mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut.

Inspektimi i kushteve në institucionet e vuajtjes së dënimit është një detyrim ligjor dhe jo një favor i administratës. Ndalimi im tregon një mungesë të theksuar transparence dhe përpjekje për të fshehur problematika serioze.

Fatkeqësisht, Shqipëria po shndërrohet në një rast unik ku institucionet shtetërore, në vend që të zbatojnë ligjin, e shkelin atë.

Kjo nuk është një çështje personale, por një problem serioz i shtetit të së drejtës. Për këtë arsye, do të ndjek çdo rrugë ligjore dhe institucionale për të garantuar respektimin e ligjit dhe të të drejtave të njeriut për çdo të burgosur”, tha për mediat deputeti demokrat.

Operacion antidrogë në Athinë/ 4 të arrestuar, mes tyre edhe 2 shqiptarë

By: Fax Web
30 January 2026 at 17:49

Një operacion antidrogë, i zhvilluar në Athinë, ka çmontuar një rrjet të trafikut të narkotikëve.

Në qendër të goditjes ka qenë një organizatë narkotrafiku greko-shqiptare, që kryente aktivitetin e saj në zonën përreth Kampusit të Universitetit Zografou.

Sipas mediave greke, në operacion janë arrestuar 4 persona, mes tyre 2 shqiptarë.

Gjatë këtij operacioni, autoritetet greke kanë sekuestruar edhe 6 kilogramë kanabis, 20,000 euro dhe telefona celularë.

Sipas informacioneve, aksioni është në vazhdim e sipër.

12 anije, avionë luftarakë dhe dy nëndetëse/ Gjithçka gati për sulmin ndaj Iranit

By: Fax Web
30 January 2026 at 17:39

Nga “La Repubblica” –

Flota detare që Donald Trump po përqendron rreth Iranit ka ende mungesa të disa elementëve kyçë, siç janë kryqëzorët, por po fillon të marrë një potencial ofensiv të rëndësishëm. Pesha më e madhe e një sulmi të mundshëm do të bjerë mbi Marinën Amerikane, e cila aktualisht ka të dislokuara të paktën 12 anije dhe disa nëndetëse. Aeroplanmbajtësja Lincoln disponon bombardues F-35, të cilët për shkak të karakteristikave të tyre të “padukshmërisë” ndaj radarëve mund të bëhen maja e sulmit.

Thelbësorë janë edhe avionët EF-18 Growler, si ata në bord të anijes kryesore, ashtu edhe përforcimet që kanë kaluar Atlantikun këto orë: ata janë të pajisur për të verbuar radarët dhe neutralizuar mbrojtjen kundërajrore. Jo rastësisht, presidenti ka lavdëruar punën e këtyre avionëve, të quajtur në zhargon Wild Weasel, gjatë sulmit në Caracas. Aeroplanmbajtësja ka gjithashtu 35 F-18 Super Hornet që mund të shërbejnë si mbrojtje ose të godasin objektiva tokësorë.

Shtatë shkatërruesit e klasës Arleigh Burke, tre në skuadrën e Lincoln, të tjerët mes Detit të Kuq dhe Mesdheut, janë të pajisur me raketa cruise Tomahawk, të cilat që nga viti 1991 kanë kontribuar gjithmonë në goditjen e parë të operacioneve të mëdha amerikane. Çdo raketë mbart 450 kilogramë eksploziv në një distancë mbi 2 mijë kilometra, duke fluturuar me rreth 900 kilometra në orë.

Ato konsiderohen të sakta, por mund të godasin vetëm objektiva të fiksuar: komandat e Gardës Revolucionare, ndërtesa qeveritare, depo ushtarake, aeroporte e porte, fabrika armësh. Edhe nëndetëset me propulsim bërthamor, që qëndrojnë të fshehura pa u lokalizuar, kanë dhjetëra Tomahawk: nuk është e qartë nëse në zonë është zhvendosur një nga katër nëndetëset e klasës Ohio, të transformuara në baza raketash me plot 154 cruise.

Shtatë avionë luftarakë do të shërbejnë gjithashtu si mburojë kundër kundërpërgjigjeve iraniane. Ditët e fundit janë transferuar në Jordani dhe Arabinë Saudite një bateri anti-raketë Thaad, që neutralizon armët balistike jashtë atmosferës, dhe një Patriot Pac 3, e aftë t’i rrëzojë vetëm në fazën përfundimtare të trajektores. Sipas CNN, një tjetër kompleks Thaad mund të arrijë në rajon, për të integruar kupolën mbrojtëse të shtetit hebre.

Skuadriljet e Forcave Ajrore të pranishme në zonë mund të kryejnë vetëm misione mbrojtëse: monarkitë sunite janë kundër hapjes së një sfide të re me teokracinë iraniane. Ato janë përqendruar në bazat saudite dhe jordane, duke eliminuar praninë e avionëve në aeroportet e Emirateve, Kuvajtit dhe Katarit, shumë të ekspozuar ndaj kundërpërgjigjeve.

Bëhet fjalë kryesisht për Strike Eagles, versioni i fundit i legjendarit F-15 që mbart 10 tonë armë. Në dy përplasjet me Iranin në vitin 2024, ata ishin vendimtarë për të krijuar një barrierë kundër dronëve dhe raketave cruise të drejtuara drejt Izraelit, duke i rrëzuar me raketa ajër-ajër, kundërtank dhe breshëri nga topi i bordit.

Në këtë listë të makinerive vdekjeprurëse përfshihen edhe bombarduesit B-2 Spirit që ngrihen direkt nga Shtetet e Bashkuara. Ata janë të vetmit në gjendje të përdorin bombat gjigante “shkatërruese bunkeri” që depërtojnë në strehimet e blinduara të gërmuara nën kodra ose male. Në qershor u përdorën për të shkatërruar laboratorët e programit bërthamor; tani po mendohet një mision për të tentuar të eliminojnë drejtuesit e Republikës Islamike, duke përfshirë edhe Udhëheqësin Suprem Ali Khamenei.

Pentagoni ka edhe mjete të tjera për një aksion surprizë: nga komando të Navy Seals te sistemet ende sekrete me të cilat u thye mbrojtja e Maduros. Bëhet fjalë për topa akustikë, që paralizojnë njerëzit; sisteme me impulse elektromagnetike që ndalin dronët dhe raketat; sulme kibernetike “taktike” që çojnë në kolaps kompjuterët e avionëve, anijeve dhe radarëve.

Gardianët e Revolucionit po përgatiten të përgjigjen me kërcënimin më të vjetër: mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, nga ku kalon një e pesta e naftës së planetit. Ata kanë njoftuar një stërvitje detare që do të zhvillohet të dielën dhe të hënën, ku do të përdoren municione reale. Një mesazh tepër i qartë.

Vuante nga një sëmundje e rëndë, shuhet në moshën 63-vjeçari koreografi i njohur

By: Fax Web
30 January 2026 at 17:29

Është ndarë nga jeta në moshën 63-vjeçare koreografi i njohur lezhjan Gazmend Golemi.

Lajmin e hidhur e ka bërë me dije djali i tij përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Sipas njoftimit të familjes, Golemi u nda nga jeta mëngjesin e sotëm në spitalin e Firences, Itali, pas një sëmundjeje të rëndë.

Koreografi Gazmend Golemi u ngjit për herë të parë në skene në moshën 6 vjeçare, e që prej asaj kohe arti koreografik u bë pjesë e pandashme e jetës së tij.

Gjatë këtyre viteve  ai ka nxjerr dhjetëra grupe valltaresh të cilët kanë qenë pjesë në aktivitet kulturore brenda dhe jashtë vendit, duke u vlerësua dhe me çmime.

“Udhëheqësit botërorë, frikacakë”, Guardiola: I kemi lënë vetëm fëmijët në Gaza

By: Fax Web
30 January 2026 at 17:23

Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola bëri një deklaratë publike në një aktivitet në Barcelonë të enjten në mbrëmje.

Tekniku katalanas u shfaq në një koncert solidariteti i veshur me një rrobë palestineze dhe foli hapur për dhimbjen dhe zemërimin e tij kur pa imazhet e fëmijëve që vuajnë në Rripin e Gazës.

Guardiola, përshkroi dhimbjen që ndjen pasi pa imazhet e dy viteve të fundit në mediat sociale dhe televizion.

Shoh një fëmijë midis rrënojave që pyet veten ‘ku e ka nënën?’ pa e ditur ende të vërtetën. Gjithmonë mendoj: Çfarë po u shkon ndërmend? Besoj se i kemi lënë vetëm, i kemi braktisur”, tha 55-vjeçar.

Trajneri katalanas nuk hezitoi të përdorte gjuhë të ashpër për udhëheqjen politike botërore, duke e përshkruar qëndrimin e tyre si “frikacak”.

“Ndoshta sepse ata që janë në pushtet janë frikacakë. Ata dërgojnë të rinj të pafajshëm për të vrarë njerëz të tjerë të pafajshëm. Ne duhet të bëjmë një hap përpara. Kjo është një deklaratë për Palestinën, por mbi të gjitha një deklaratë për njerëzimin”, theksoi ai mes duartrokitjeve.

Për shkak të pranisë së tij në këtë ngjarje, Guardiola nuk mori pjesë në konferencën e caktuar për shtyp të premten përpara derbit të së dielës me Tottenham.

Manchester City kishte përmendur “arsye personale”, me asistentin e tij, Pep Leinders, që zuri vendin e tij para gazetarëve.

Precedenti “Ymeri”/ Balluku rekurs në Gjykatën e Lartë: Të shpallen nul provat e nxjerra nga telefoni i Berberit

By: Fax Web
30 January 2026 at 16:27

Zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka paraqitur një rekurs në Gjykatën e Lartë ku kërkon rrëzimin e vendimit të GJKKO për bllokimin e daljes jashtë vendit.

Siç mëson TCH, në rekursin e depozituar në Gjykatën e Lartë, avokatët e Ballukut ka përdorur si mbrojtje rastin “Ymeri”, në çështjen e Arben Ahmetaj ku Kushtetuesja vendosi që telefoni i sekuestruar nuk mund të merrej si provë pasi nuk kishte më parë një vendim gjykate.

Telefoni në fakt i përkiste Onejda Ymerit, e cila ditën që u thirr në kuadër të hetimeve ndaj ish-zëvendëskryeministrit  iu bllokua dhe telefoni.

Ky precedent është marrë si shembull nga mbrojtja e zv.kryeministres dhe ministres Belinda Balluku, të dhënat për të cilën u përftuan nga telefoni i Ervis Berberit, që është bërë shkak për hapjen e disa fraksioneve hetimore një ndër to edhe tenderat ku Balluku ka marrë statusin e të pandehurës dhe mbahet në masën ndalim për të dalë jashtë vendit.

Momenti i dytë që ndalen avokatët e Ballukut është arsyetimi se nuk ka asnjë rrezik që Belinda Balluku të arratiset nga Shqipëria dhe ndaj duhet hequr masa e ndalimit për të dalë jashtë vendit.

Si provë sillen tre udhëtimet mbas muajit tetor 2025 kur Belinda ishte thirrur për tu pyetur nga SPAK dhe ku ju komunikua akuzë . Një ndër këto udhëtime është edhe udhëtimi në Zvicër.

Por në pritje për një vendim nga Gjykata Kushtetuese dhe nga këshilli i mandateve, SPAK ka kryer sekuestro dhe këqyrje të shumta mes tyre edhe biznesmenësh të përmendur në tendera.

Ndaj Ballukut, SPAK ngriti aktakuzë më 31 tetor 2025, nën dyshimet se ka bërë shkelje gjatë dhënies së tenderëve.

Balluku i ka mohuar akuzat si “hedhje balte, insinuata, gjysmë të vërteta dhe gënjeshtra”, duke u shprehur se do të bashkëpunonte plotësisht me drejtësinë.

Ajo ishte pezulluar nga detyrat zyrtare dhe i ishte pamundësuar largimi nga shteti, por vendimi i SPAK-ut për pezullim u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese.

A është dollari i dobët rrezik për Europën?

By: Fax Web
30 January 2026 at 16:20

Dollari amerikan po vazhdon të humbasë vlerën kundrejt monedhave të tjera të rëndësishme duke ndjekur kësisoj tendencën e vitit 2025. Vitin e kaluar monedha e SHBA-së shënoi humbjen më të fuqishme që prej gati një dekade.

Minusi kundrejt një grupi monedhash të tjera më 2025 përbënte rreth 10 përqind. Që nga fillimi i vitit 2026 rënia ka qenë edhe me minus 2,6 përqind të tjera.

Humbja e vlerës së dollarit ka pasoja ndaj euros dhe monedhave të tjera. Monedha e përbashkët europiane për herë të parë që nga viti 2021 ka arritur vlerën 1,20 dollarë të SHBA-së. Edhe paundi britanik dhe yeni japonez janë rritur kundrejt dollarit në nivelet më të larta.

Disa ekonomistë dhe analistë i shpjegojnë humbjet e vazhdueshme të vlerës së dollarit me mungesën e besimit të investitorëve tek monedha e SHBA-së, sepse paparashikueshmëria e politikës së presidentit Donald Trump vazhdon të japë shkas për shqetësime.

Ka edhe një tjetër këndvështrim, sipas të cilit vet Trump dhe shumë pjestarë të ekipit të tij për ekonominë e dëshirojnë një humbje vlere të dollarit,me shpresën, që eksportet nga SHBA të jenë me çmime më të favorshme dhe në këtë mënyrë të rritet aftësia e konkurrencës.

Trump nuk është përpjekur ta hedhë poshtë këtë hamendësim. Përkundrazi, kur e pyetën këtë javë, nëse shqetësohet për dollarin e dobët, ai u përgjigj: “Jo, kështu është shumë mirë.”

Stephen Miran, ish-kryetar i shtabit të këshilltarëve ekonomik të Trumpit dhe tani anëtar i këshillit administrativ të Bankës së Rezervave të SHBA-së, Fed, në nëntor 2024 publikoi një “Udhëzues për ristrukturimin e sistemit global të tregtisë”. Doganat dhe zhvleftësimi i dollarit u paraqitën si instrumenta të rëndësishme, për ta ulur deficitin tregtar të SHBA-së.

Përse e prek kjo Europën?
Dobësimi i dollarit ka efekt jo vetëm ndaj ekonomisë së SHBA-së, por ka edhe pasoja për ekonominë e eurozonës dhe për euron. Monedha e përbashkët në 2025 ka fituar 13 përqind vlerë kundrejt dollarit – rritja më e fuqishme që nga viti 2017.

Forcimi i euros luan “një rol të rëndësishëm për rendimentin ekonomik, tregun e punës dhe gjendjen financiare të buxheteve” në BE, thotë Jack Allen-Reynolds, zëvendës-kryeekonomist për eurozonën në Capital Economics.

“Një euro më e fuqishme ul aftësinë konkurruese të eksporteve, gjë që dëmton prodhuesit në rajon”, thotë për DW Allen-Reynolds. “Nga ana tjetër importet janë më të lira, gjë çon në uljen e çmimeve për konsumatorët.”

Ricardo Amaro, kryeekonomist për eurozonën në Oxford Economic tërheq vëmendjen, se një rritje e mëtejshme e euros kundrejt dollarit mund të prekë gjithnjë e më shumë aftësinë e konkurrencës të sipërmarrjeve europiane, të cilat eksportojnë në SHBA.

Kjo vërtetë kompensohet nga çmimi i favorshëm i produkteve të SHBA-së në Europë, sipas Amaros. Por në përgjithësi kursi aktual i këmbimit, nëse mbetet kështu, do të kishte efekt negativ ndaj rritjes ekonomike në Europë.

“Sipas llogarive tona produkti bruto në vend i eurozonës sivjet do të ishte rreth 0,2 përqind më i ulët, nëse kursi i këmbimit euro-dollar mbetet në nivelin aktual (1,20 USD), në vend të normës 1,16 dollar, që ka shërbyer si pikë reference në marrëveshjen e tregtisë BE-SHBA në fund të korrikut”, thotë Amaro për DW.

A duhet të ndërhyjë BQE?

Rritja e euros kundrejt dollarit ka nxitur spekulimet, nëse është e nevojshme ndërhyrja e Bankës Qendrore Europiane.

Martin Kocher, guvernator i Bankës Qendrore të Austrisë e konsideron rritjen aktuale të euros si të “moderuar”. Nëse vlera e euros do të vazhdojë të rritet, duhet të ndërhyjë BQE-ja.

Qysh tani BQE përpiqet të influencojë pritshmëritë e tregut, kur përfaqësuesit e nivelit të lartë të BQE-së deklarojnë, se “po e vëzhgojnë situatën, dhe shprehin rezerva lidhur me zhvillimet e fundit”, thotë Ricardo Amaro. “Kjo shtron temën e uljes së interesave për të frenuar rritjen e euros.”

Edhe Jack Allen-Reynolds mendon, se nuk është e nevojshme ndërhyrja me nivelin aktual të ndryshimeve në kurset e këmbimit. Por ai beson, se ndryshime të mëtejshme mund ta venë në lëvizje BQE-në që gjatë vitit të ulë interesat.

Ndërsa Zsolt Darvas argumenton, se pasojat aktuale lidhur me inflacionin janë gati zero dhe asnjë sektor nuk është veçanërisht i ndjeshëm. “Kurset e këmbimit dekadat e fundit kanë pasur luhatje të fuqishme. Sipërmarrjet janë përgatitur për të përballuar luhatje edhe më të forta se këto që shohim aktualisht”, vlerëson Darvas./DW

Opsione të reja ushtarake kundër Iranit/ “New York Times”: Trump po diskuton sulmet e komandove brenda vendit

By: Fax Web
30 January 2026 at 15:57

Një “paketë” e gjerë opsionesh ushtarake kundër Iranit i është paraqitur Donald Trump ditët e fundit, ndërsa Shtëpia e Bardhë thotë se Uashingtoni mbetet i hapur për një zgjidhje diplomatike, por paralajmëron se “koha po mbaron”, shkruan “New York Times“.

Sipas zyrtarëve amerikanë që folën me NYT në kushte anonimiteti për shkak të natyrës së ndjeshme të planeve, presidenti amerikan ka një sërë opsionesh ushtarake të zgjeruara qartësisht kundër Iranit, që synojnë dobësimin e mëtejshëm të objekteve të tij bërthamore dhe raketore ose edhe destabilizimin e udhëheqjes së vendit. Këto opsione shkojnë përtej atyre që ai po shqyrtonte rreth dy javë më parë, si pjesë e angazhimit të tij publik për të ndaluar shtypjen e përgjakshme të protestave nga forcat iraniane të sigurisë dhe organizatat paraushtarake pranë regjimit.

Në kontekstin e ri që është shfaqur dhe ndërsa protestat në Iran deri më tani janë shtypur me dhunë, lista e opsioneve përfshin edhe mundësinë e sulmeve amerikane ndaj objektivave brenda territorit iranian. Megjithatë, sipas të njëjtave burime, Donald Trump ende nuk ka miratuar ndonjë operacion ushtarak dhe as nuk ka zgjedhur një drejtim specifik nga propozimet që i janë paraqitur nga Pentagoni.

Presidenti amerikan po i bën presion Teheranit që të ndërmarrë hapa shtesë për t’i dhënë fund programit të tij bërthamor dhe për të ndaluar mbështetjen e ndërmjetësve që kanë synuar Izraelin dhe destabilizuar Lindjen e Mesme për vite me radhë. Ai dhe ndihmësit e tij të ngushtë po shqyrtojnë nëse përdorimi i mjeteve ushtarake mund të ndihmojë në arritjen e këtyre qëllimeve apo edhe të çojë në ndryshimin e regjimit në Teheran.

Zyrtarisht, Shtëpia e Bardhë po e mban derën hapur për diplomaci. “Si komandant i ushtrisë më të fuqishme në botë, Presidenti Trump ka shumë mundësi në dispozicion kur bëhet fjalë për Iranin”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly . “Presidenti e ka bërë të qartë se shpreson që asnjë veprim të mos jetë i nevojshëm, por regjimi iranian duhet të bëjë një marrëveshje para se të jetë tepër vonë.”

Gjatë protestave masive që përfshiu Iranin disa javë më parë, qeveria amerikane kishte konsideruar sulme si ndaj programit bërthamor të vendit ashtu edhe ndaj objektivave më simbolikë, siç është selia e një milicie që konsiderohet përgjegjëse për shumë akte të dhunshme shtypjeje. Trump tërhoqi papritur mundësinë e veprimeve ushtarake, pas deklaratave të autoriteteve iraniane se qindra ekzekutime të planifikuara ishin anuluar , dhe pas kërkesave nga Izraeli dhe shtetet arabe për të vonuar çdo sulm.

Zyrtarët amerikanë vënë në dukje se Trump po ndjek një strategji presioni të ngjashme me atë që zbatoi në Venezuelë . Në atë kohë, Shtetet e Bashkuara kishin grumbulluar forca ushtarake pranë bregdetit të vendit për muaj të tërë, duke u përpjekur ta detyronin Presidentin Nicolas Maduro të largohej nga pushteti. Përpjekja dështoi, duke çuar në fund në një ndërhyrje ushtarake amerikane dhe arrestimin e Maduros, i cili mbetet në një qendër federale paraburgimi në Brooklyn, së bashku me gruan e tij, në pritje të gjyqit.

Megjithatë, në rastin e Iranit, zyrtarët duken skeptikë nëse Teherani do t’i pranojë kushtet e vendosura nga Uashingtoni. Këto përfshijnë një ndalim të përhershëm të të gjitha aktiviteteve të pasurimit të uraniumit dhe dorëzimin e të gjitha rezervave ekzistuese bërthamore të vendit, duke filluar me më shumë se 435 kilogramë uranium të pasuruar në nivele afër atyre të kërkuara për një armë bërthamore . Megjithatë, pjesa më e madhe e këtij materiali vlerësohet të mbetet e varrosur nën rrënojat e shkaktuara nga sulmet ajrore të qershorit.

Kërkesat e SHBA-së shtrihen edhe në programin e raketave të Iranit, me kufizime në rrezen dhe numrin e raketave të tij balistike, si dhe një ndërprerje të plotë të mbështetjes për grupet e armatosura në Lindjen e Mesme, të tilla si Hamasi, Hezbollahu dhe Huthitët në Jemen. Pranimi i këtyre kushteve, sipas zyrtarëve amerikanë, do ta bënte praktikisht të pamundur çdo sulm të ardhshëm iranian ndaj Izraelit.

Të mërkurën e kaluar, Donald Trump u kthye me një paralajmërim të ashpër nëpërmjet mediave sociale, duke theksuar se ushtria amerikane është gati të sulmojë “me shpejtësi dhe forcë, nëse është e nevojshme”. “Shpresoj që Irani të ‘ulet shpejt në tryezë’ dhe të negociojë një marrëveshje të drejtë dhe të ekuilibruar – PA ARMË BËRTHAMORE – që do të jetë në interesin më të mirë të të gjithëve”, shkroi ai, duke shtuar: “Koha po mbaron, kjo është vërtet një çështje me rëndësi të madhe.”

Dallimet me Venezuelën

Pavarësisht ngjashmërive në taktikat e presionit të SHBA-së, Trump dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë e kuptojnë plotësisht se çdo operacion ushtarak i mëvonshëm në Iran do të ishte pakrahasueshëm më i vështirë se ai në Venezuelë . Niveli i rrezikut për forcat amerikane do të ishte qartësisht më i lartë, ndërsa Irani konsiderohet një kundërshtar shumë më i aftë dhe i rrezikshëm.

Ky vlerësim ndahet nga Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio , i cili i tha Senatit të mërkurën se menaxhimi i një ndryshimi të mundshëm të regjimit në Iran do të ishte “edhe më kompleks” sesa operacioni përkatës në Venezuelë. Për këtë arsye, Trump ende po peshon gamën e plotë të opsioneve në dispozicion të tij, të cilat, sipas zyrtarëve, mund të zbatohen ose njëkohësisht ose në kombinime të ndryshme.

Ndër propozimet më të guximshme është një mision i fshehtë i komandove amerikane brenda Iranit , me qëllim shkatërrimin e pjesëve të programit bërthamor të Teheranit që nuk u goditën nga bombardimet e SHBA-së në qershor. Ushtria amerikane ka vite që stërvitet për misione të specializuara në vende si Irani, duke synuar objektet bërthamore ose objektiva të tjera me vlerë të lartë.

Edhe pse Trump ka deklaruar vazhdimisht se programi bërthamor iranian është “eliminuar”, strategjia e sigurisë kombëtare e SHBA-së e publikuar nga administrata e tij në vjeshtë përdor një gjuhë shumë më të moderuar, duke thënë se sulmi i qershorit “degradoi ndjeshëm” aftësitë e programit. Presidenti i SHBA-së ka shprehur më parë rezerva në lidhje me dërgimin e forcave tokësore, duke përmendur shpesh operacionin e dështuar të vitit 1980 nën Presidentin Jimmy Carter për të shpëtuar 52 pengje amerikane në Iran. Sipas zyrtarëve që e kanë diskutuar çështjen me të, dështimi i atij operacioni ka lënë një gjurmë të fortë në mendimin e tij.

Një skenar i ndryshëm parashikon një seri sulmesh të synuara ndaj objektivave ushtarake dhe objekteve administrative, me qëllim që të shkaktojë trazira të tilla saqë kushtet për largimin e udhëheqësit suprem 86-vjeçar të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei , nga forcat e sigurisë së brendshme ose aktorë të tjerë mbeten të paqarta, megjithatë, kush mund të marrë përsipër qeverisjen e vendit në një ngjarje të tillë dhe nëse ai person do të ishte më i hapur për negociata me Shtetet e Bashkuara.

Motivimi personal dhe kërcënimet për hakmarrje

Thuhet se Trump ka një motiv personal për qëndrimin e tij të ashpër kundër qeverisë në Teheran, pasi zyrtarët iranianë janë akuzuar se janë përpjekur të orkestrojnë vrasjen e tij. Prokurorët federalë në Nju Jork zbuluan vitin e kaluar se komplotistët iranianë po diskutonin një plan për të vrarë Trump pak para rizgjedhjes së tij.

Izraeli, nga ana e tij, po shtyn përpara një opsion të tretë, duke i kërkuar Shteteve të Bashkuara të bashkohen në sulme të reja ndaj programit të raketave balistike të Iranit. Sipas inteligjencës amerikane, Irani ka rindërtuar kryesisht arsenalin e tij të raketave që kur sulmet izraelite e shkatërruan atë gjatë luftës 12-ditore në qershor.

Teherani tashmë ka paralajmëruar për hakmarrje të ashpër . Kontraadmirali Ali Shamkhani , kreu i një organi të sapokrijuar që mbikëqyr operacionet ushtarake në Iran, tha të mërkurën se çdo sulm i SHBA-së do të konsiderohej një akt lufte dhe se përgjigja do të ishte e menjëhershme, duke synuar – siç tha ai – Tel Avivin. Për këtë arsye, zyrtarët izraelitë duken veçanërisht të shqetësuar për aftësitë e programit iranian të raketave, i cili mund të godasë objektiva ushtarake dhe civile në të gjithë territorin izraelit.

Në këtë kontekst, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë u takuan më herët këtë javë me gjenerallejtënant Shlomi Binder , kreun e inteligjencës ushtarake të Izraelit, i cili informoi qeverinë amerikane mbi të dhënat më të fundit mbi Iranin. Në të njëjtën kohë, Ministri saudit i Mbrojtjes, Princi Khalid bin Salman, do të jetë në Uashington këtë javë , duke u takuar me zyrtarë të lartë të administratës Trump mes tensioneve në rritje në rajon.

“Pengesa” e bazës ligjore

Zyrtarët amerikanë theksojnë se të gjithë skenarët e mësipërm për veprim kundër Iranit, si dhe opsionet shtesë në tryezë, janë ende duke u përpunuar dhe diskutuar brenda rrethit të ngushtë të bashkëpunëtorëve kryesorë të Donald Trump. Siç vërejnë ata, ende nuk ka konsensus as për fushëveprimin dhe as për qëllimin përfundimtar të çdo veprimi ushtarak, gjë që pasqyron vështirësinë e vendimeve dhe rrezikun e lartë të përshkallëzimit.

Pyetje të rëndësishme lindin gjithashtu në lidhje me bazën ligjore që Shtetet e Bashkuara mund të përdorin për të kryer sulme kundër Iranit, në mungesë të miratimit të qartë nga Kongresi. Megjithëse presidentët modernë amerikanë kanë urdhëruar vazhdimisht operacione të kufizuara ushtarake pa autorizim paraprak parlamentar, një fushatë më e gjerë kundër Iranit do të ishte një rast i ndryshëm.

Nëse sulmet nuk do të kufizoheshin në ngadalësimin e programit bërthamor, por do të synonin dobësimin ose edhe rrëzimin e qeverisë iraniane, sigurisht që do të kishte debat të nxehtë nëse presidenti amerikan ka kryer në mënyrë efektive një akt lufte. Në një rast të tillë, sipas zyrtarëve, administrata Trump ka të ngjarë të thirret në historinë e gjerë të Teheranit në mbështetjen e organizatave terroriste , siç bëri në vitin 2020, kur Trump urdhëroi sulmin me dron që çoi në vdekjen e komandantit të Forcës elitare Quds, Gjeneral Major Qassem Soleimani .

Edhe pse Shtetet e Bashkuara nuk e kanë cilësuar kurrë drejtpërdrejt Ajatollah Ali Khamenein si terrorist , ato e kanë përfshirë Iranin në listën e tyre të shteteve sponsorizuese të terrorizmit. Në të njëjtën kohë, udhëheqësi suprem i Iranit drejton Trupat e Gardës Revolucionare Islamike , një organizatë që si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Evropa e kanë cilësuar si terroriste. Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së e kishte justifikuar vrasjen e Soleimanit si një akt ligjor, duke pretenduar se gjenerali iranian “po zhvillonte në mënyrë aktive plane për sulme të mëtejshme kundër personelit ushtarak dhe diplomatëve amerikanë”, sipas një memo të censuruar të lëshuar pas sulmit.

Mbetet e paqartë nëse Shtëpia e Bardhë ka kërkuar një mendim ligjor përkatës mbi opsionet aktuale në lidhje me Iranin. Sidoqoftë, ushtria amerikane po forcon fuqishëm praninë e saj në rajon, në mënyrë që të jetë në gjendje të veprojë menjëherë nëse Trump jep urdhrin përkatës.

Aeroplanmbajtësja ” Abraham Lincoln”», i pajisur me avionë luftarakë F/A-18 dhe avionë të fshehtë F-35, tashmë po operon në Detin Arabik, brenda distancës së goditjes nga objektivat iraniane, thanë zyrtarët e Marinës Amerikane këtë javë. Aeroplanmbajtësja shoqërohet nga tre shkatërrues të pajisur me raketa.

Sipas zyrtarëve amerikanë, Shtetet e Bashkuara kanë dërguar një duzinë luftëtarësh shtesë F-15E në rajon, duke rritur aftësitë e tyre ajrore, ndërsa Pentagoni ka vendosur gjithashtu sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore Patriot dhe THAAD. Qëllimi është të mbrohen trupat amerikane në Lindjen e Mesme nga hakmarrja e mundshme iraniane me raketa me rreze të shkurtër dhe të mesme veprimi. Së fundmi, bombarduesit me rreze të gjatë veprimi në Shtetet e Bashkuara, të cilët mund të godasin objektiva në Iran, mbeten në gatishmëri të lartë.

Tregu i sigurimeve u rrit me ritme më të larta në 2025

By: Fax Web
30 January 2026 at 15:53

Tregu i sigurimeve e përmirësoi rritjen gjatë vitit 2025.

Sipas statistikave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), primet e shkruara bruto arritën vlerën e 27.1 miliardë lekëve, në rritje me 10.6% krahasuar me një vit më parë. Për vitin 2024, rritja e tregut kishte qenë më e ulët, në nivelin 7%.

Sipas vlerësimeve të AMF-së, tregu është rritur edhe në terma realë.

Primet e shkruara bruto vlerësohen sa 1.03% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga 0.97% që kishte qenë një vit më parë.

Edhe primi i sigurimit për frymë u rrit për të pestin vit radhazi. Ky tregues, i shprehur ndryshe edhe si densiteti i sigurimeve në vend, arriti në 11463 lekë (rreth 119 euro), në rritje me 11.8% krahasuar me një vit më parë.

Tregu i sigurimeve vazhdon të dominohet nga produktet e tregut të Jo-Jetës dhe kryesisht sigurimet e detyrueshme motorike.

Primet e shkruara bruto në sigurimin e jo-jetës arritën në pothuajse 24.7 miliardë lekë, në rritje me 9.9% krahasuar me një vit më parë. Ky segment vazhdon të jetë dominues, me 91% të primeve totale të tregut, por megjithatë pesha e tij pësoi një rënie të lehtë për të shtatin vit radhazi. Kjo i detyrohet një rritjeje në vazhdimësi më të lartë në tregun e sigurimit të Jetës.

Tregu i sigurimit të Jo-Jetës edhe për vitin 2025 u dominua nga sigurimet e detyrueshme motorike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta. Primet e shkruara bruto në këtë segment arritën në 16.9 miliardë lekë ose sa 68.6% e totalit të tregut.

Sigurimi i brendshëm motorik TPL ngelet produkti më i madh i tregut, me 58% të primeve të shkruara bruto në sigurimin e Jo-Jetës. Vitin e kaluar hyri në fuqi sistemi i ri i llogaritjes së primeve mbi bazë rreziku, që ka ndikuar pjesërisht në rritjen e primeve të shkruara bruto nga ky produkt. Primet e sigurimit të brendshëm TPL u rritën me 13.3% krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë, produktet e sigurimit vullnetar në përgjithësi shfaqën një rritje më të ngadaltë edhe vitin e kaluar. Megjithatë, gjatë muajit dhjetor, produkti kryesor i sigurimit vullnetar, sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, shënoi një rritje të fortë, duke e përmirësuar ndjeshëm rritjen krahasuar me 11 muajt e parë të vitit. Primet e shkruara bruto për të gjithë 2025 u rritën me 10.25%, por pesha e këtij produkti në treg ngeli e ngjashme me vitin 2024.

Ndërkohë, tregu i sigurimit të Jetës edhe për 2025 shfaqi ritme rritjeje më të larta.

Primet e shkruara bruto arritën në 2.44 miliardë lekë, në rritje me 17.6% krahasuar me një vit më parë.

Tregu i sigurimit të Jetës ngelet i dominuar nga produkti i sigurimit të jetës së debitorit, i lidhur kryesisht me sigurimin e jetës për huatë e marra në institucionet financiare. Ky produkt u rrit me 15.4% vitin e kaluar dhe përbënte 77.5% të primeve të shkruara bruto të tregut.

LEXO EDHE“SEE NEWS”: SIGAL në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut në “Top 100” e Evropës Juglindore

“Mbyllte gjyqet tek kafeneja”, Malltezi: KLGJ dhe ILD po zvarrisin qëllimisht çështjen e Irena Gjokës! Reforma në drejtësi, mburojë për abuzuesit

By: Fax Web
30 January 2026 at 15:44

Drejtuesi i Departamentit të Mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi, akuzon institucionet e drejtësisë për zvarritje dhe mbrojtje të qëllimshme të gjyqtares Irena Gjoka.

Sipas Malltezit, KLGJ ka dërguar tre përgjigje të ndryshme duke pritur verifikime, pavarësisht ekzistencës së dokumenteve me vulë apostile, ndërsa çështja i kalon tashmë ILD-së, e cila prej 8 muajsh e mban në sirtar.

Malltezi e cilëson reformën në drejtësi një “mysybet”, që shërben për të mbrojtur individë të inkriminuar dhe pazare korruptive brenda sistemit.

Reagimi i plotë:

“Jo 1, por 3 përgjigje na ka dërguar mender-KLGJ ku shkruan se po pret përgjigjen e Prokurorisë së Përgjithshme për Irena Gjokën ndonëse kish vërtetim me VULË APOSTILE! Shihni 3 pergjigjet me foto. Tani që ia solli Prokuroria e Përgjithshme ia çon ILD. Lapangjosë! Nuk janë shtetarë por lolo të pushtave të shtetit. ILD ka 8 muaj që gjithashtu e mban në sirtar nga frika. Mysybet reforma për të mbrojtur një delinkuete që mbyllte gjyqet tek kafeneja përballë gjykatores dhe që ia plasën revolen në salle të gjyqit për pazaret”.

Screenshot
Screenshot
Screenshot
Screenshot

FOTO-EMRAT/ Tre gjeneralë të rinj i shtohen Forcave të Armatosura

By: Fax Web
30 January 2026 at 15:29

Është zhvilluar në mjediset e Shtabit të Përgjithshëm ceremonia e gradimit të tre gjeneralëve të rinj të Forcave të Armatosura.

Grada madhore “Gjeneral Brigade”, me dekret të presidentit të Republikës Bajram Begaj, iu akordua kolonelëve Razije Mehmeti, Fatmir Neziraj dhe Edmond Voci, në vlerësim të kontributit të tyre në drejtimin dhe zhvillimin e Forcave të Armatosura.

Në ceremoni morën pjesë ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Arben Kingji, si dhe drejtues të tjerë të lartë ushtarakë dhe civilë.

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu u shpreh se niveleve drejtuese të Forcave të Armatosura u shtohen tre gjeneralë të rinj, të cilët përfaqësojnë tre rrugëtime të veçanta në forcë dhe tre profesionistë të dedikuar ndaj uniformës dhe Atdheut.

Ai u uroi suksese në këtë përgjegjësi të re, duke theksuar se me përkushtimin e tyre do t’i shtojnë vlera forcës dhe do të shërbejnë si shembull frymëzimi për ushtarakët e rinj.

Gradimi i tre gjeneralëve konsiderohet një hap i rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve drejtuese të Forcave të Armatosura dhe në vijimin e procesit të modernizimit të tyre.

VIDEO/ Milani gjen sulmues në Premier League, gati akordi

By: Fax Web
30 January 2026 at 15:24

Milani është pranë transferimit të sulmuesit të të Crystal Palace, Jean-Philippe Mateta. Takimi i fundit në Londër mes palëve, ka afruar akordin.

Marrëveshja parashikon një vlerë transferimi prej rreth 30 milionë eurosh për verën e ardhshme, ndërsa lojtari pritet të përfitojë një pagë vjetore prej 3 deri në 3.5 milionë euro plus bonuse.

Ekziston mundësia që transferimi të kryhet menjëherë brenda muajit janar, nëse Milani paguan një shtesë prej 5 milionë eurosh, duke e çuar totalin në 35 milionë. Që ky operacion të realizohet tani, Crystal Palace duhet të gjejë fillimisht një zëvendësues, ku objektiv mbetet Jorgen Strand Larsen i Wolverhampton.

Gjithashtu, lëvizja e Matetas në janar varet edhe nga situata e Christopher Nkunku, i cili kërkohet nga klube si Atletico Madrid, Roma dhe Fenerbahce.

Pavarësisht kohës së zyrtarizimit, akordi mes Matetas dhe Milanit konsiderohet i arritur.

Arrestohet në Turqi vëllai i “Visit të Pojës”

By: Fax Web
30 January 2026 at 15:05

Policia e Shtetit është njoftuar për arrestimin e një shtetasi shqiptar në Turqi, i cili dyshohet se është Bledar Doçi, vëllai i Elvis Doçit, i njohur si “Visi i Pojës”, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge.

Edhe vetë Elvis Doçi është shpallur në kërkim ndërkombëtar edhe nga Italia në nëntor të vitit të kaluar në kuadër të megaoperacionit “Ura”.

Aktualisht, autoritetet turke dhe ato shqiptare po bëjnë verifikimet për konfimimin e identitetit të tij.

“Visi i Pojës”, i njohur edhe si nipi i Xhevdet Troplinit, rezulton kreu i një prej grupeve më të mëdha me bazë në Shqipëri dhe degëzime në Itali për trafikun e drogës nga Amerika e Jugut në Evropë.

Hidhet edhe shorti i Europa League/ Dinamo Zagreb i Hoxhës përballet me Genk, spikat dhe Fenerbahçe-Nottingham Forest

By: Fax Web
30 January 2026 at 14:59

Në Nyon të Zvicrës u hodh edhe shorti për fazën “play-off” të Europa League.

Pas ekipeve të kualifikuara direkt si: Aston Villa, Braga, Freiburg, Lyon, Midtjylland, Porto, Real Betis dhe Roma, janë mësuar edhe përballjet për ekipet e rënditura nga vendi i 9-të deri në të 24-tin, për të përcaktuar tetë fituesit që do të plotësojnë këtë fazë.

Sipas shortit, spikasin përballjet si Fenerbahçe kundër Nottingham Forest dhe Stuttgart kundër Celtic.

Skuadra e Bolognës do të ndeshet me norvegjezët e Brann, ndërsa Lille do të sfidojë Crvena Zvezda-n.

Ndeshjet e para të kësaj faze janë programuar të luhen më 19 shkurt, ndërsa ato të kthimit do të zhvillohen një javë më vonë, më 26 shkurt.

Sfidat:

Fenerbahçe – Nottingham Forest

Ludogorets – Ferencvaros

Stuttgart – Celtic

Dinamo Zagreb – Genk

Lille – Crvena Zvezda

Celta Vigo – PAOK

Viktoria Plzen – Panathinaikos

Brann – Bologna

Champions League/ Shorti vendos Real-Benfica, sfida delikate për Juven dhe Interin

By: Fax Web
30 January 2026 at 14:52

Është hedhur në Nyon të Zvicrës shorti i fazës së playoffit të Ligës së Kampioneve dhe çiftet e përcaktuara janë vërtet interesante.

Ajo që bie në sy në përfundim të këtij shorti ështe se Real Madrid do të kthehet sërish në vendin ku u poshtërua vetëm dy ditë më parë, në Lisbonë. Kjo sepse fati deshi që “Los Blancos” të përballen edhe njëherë me skuadrën e Benfica në fazën e playoffit ku do të kërkojnë revanshin dhe kualifikimin për më tej.

Shanset që në këtë short të kishte përplasje mes skuadrave të të njëjtit kampionat ishin të mëdha dhe një gjë e tillë i ra për pjesë Ligue 1 në Francë ku skuadra kampione në fuqi e Evropës, Paris Saint Germain do të luajë ndaj Monaco për te vijuar në misionin e saj për të mbrojtur titullin.

Interi, skuadra nënkampione e kontinentit do të ketë një përballje me norvegjezët e Bodo/Glimt, në raundin e playoffit, një përballje që nuk do të jetë aspak e lehtë për zikaltrit edhe pse në letër duken favorite, mjafton të mendosh fitoren e norvegjezëve në shtëpinë e Atletico Madrid.

Edhe Juventusi ka një raund të komplikuar teksa përballë do të ketë Galatasaray, skuadrën turke që ka në radhët e saj një futbollist që e njeh mirë futbollin italian si Osimhen.

ÇIFTET E PLAYOFF-it

Monaco-PSG

Benfica-Real Madrid

Qarabag-Newcastle

Bodo/Glimt-Inter

Galatasaray-Juventus

Dortmund-Atalanta

Brugge-Atletico Madrid

Olympiacos-Leverkusen

SPAK dhe BKH zbarkojnë te Klodian Allajbeu, kontrolle te “Evita”

By: Fax Web
30 January 2026 at 14:44

Forca të shumta policie kanë zbarkuar prej disa orësh në ambientet e kompanisë “Evita” sh.p.k, në pronësi të biznesmenit të “Spitalit Amerikan”, Klodian Allajbeu.

Burime bëjnë me dije se kontrollet janë kryer në kuadër të veprimeve hetimore të SPAK, pasi ka dyshime për pastrim parash.

LEXO EDHETenderi shkon për ofertën më të lartë/ “Evita” e Klodian Allajbeut shpallet fituese, edhe pse kërkon 120 milionë lekë më shumë

Efektivët e BKH kanë ushtruar kontrolle edhe në një kompani tjetër dhe në një banesë në zonën e Selitës në Tiranë.

Kontrollet janë kryer me urdhër prokurores se Posaçme, Dorina Bejko.

Kujtojmë se, vetëm pak ditë më parë, Allajbeu shpall fitues i një tenderi me vlerë 1.6 miliardë lekë për furnizimin me materiale laboratorike që përdoren për kontrollin e gjakut dhe zbulimin e viruseve infektive.

Kujtojmë se në këtë tender të shpallur nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara, me vlerë 1.6 miliardë lekë, fitues u shpall kompania “Pegasus” e Janis Karathano dhe “Evita” e Klodian Allajbeut edhe pse një kompani tjetër kishte ofruar 51 milionë lekë më pak, duke kursyer kështu fondet e shtetit.

Kjo tregoi edhe një herë se në Shqipëri, shërbimet e rëndësishme publike, e kryesisht ato të shëndetësisë, janë kthyer në një monopol ku përfitues kryesor është pikërisht Klodian Allajbeu, përfshirë projektin e Laboratorëve, i cili kap vlerën totale prej 214 milionë eurosh.

LEXO EDHE: “Së shpejti edhe Klod Brahon”/Hakerimi i SPAK! U morën dosjet e Ahmetajn, Veliajt, Gjiknurit, Allajbeut dhe…

❌
❌