Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 15 January 2026FaxWeb

VIDEO/ Australi, era e fortë hedh makinat në det

By: Fax Web
15 January 2026 at 17:26

Një stuhi e fuqishme ka goditur shtetin e Viktorias në Australi, duke bërë që makinat të përfundonin në det.

Si pasojë e motit të keq, mijëra banorë vuajnë mungesën e energjisë elektrike.

Stuhia erdhi menjëherë pasi Rruga e Madhe e Oqeanit u mbyll për shkak të zjarreve në shkurre, që filluan kur vendi përjetoi valën e të nxehtit.

Është propozuar për postin e Kryeinspektorit të Përgjithshëm, reagon Dashnor Sula

By: Fax Web
15 January 2026 at 17:23

Mesditën e sotme, duke iu referuar burimeve të saj të besueshme, Faxweb raportoi se, ish deputeti i Partisë Demokratike është propozuar nga kryeministri Edi Rama për të marrë postin e Kryeinspektorit të Përgjithshëm, pas dorëheqjes së Shkëlqim Hajdarit.

Lidhur me këtë informacion ka reaguar vetë ish deputeti demokrat, i cili as e pohon dhe as e mohon propozimin nga ana e kryeministrit Rama.

“Jam duke ikur për në Itali. Dhe nuk kam marrë ende asnjë detyrë”, ka thënë në reagimin e tij të shkurtër Dashnor Sula.

Sula ka qenë një ndër deputetët dhe eksponentë më aktivë të Partisë Demokratike, ndërsa u largua prej saj gjatë zgjedhjeve të 11 majit 2025 pasi kreu i saj Sali Berisha nuk e vendosi në listën e kandiatëve për deputetë.

Prapaskenat e takimit në Shtëpinë e Bardhë, përplasje e fortë për Groenlandën

By: Fax Web
15 January 2026 at 17:16

“Pres sqarime”, ka deklaruar Donald Trump duke iu referuar takimit të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë mes sekretarit amerikan të Shtetit Marco Rubio, zëvendëspresidentit JD Vance dhe ministrit të Jashtëm danez Lars Løkke Rasmussen, si edhe përfaqësueses së Groenlandës, Vivian Motzfeld.

Informacionet e para janë dhënë nga delegacioni evropian gjatë një konference të ngarkuar për shtyp jashtë ambasadës së Danimarkës në Washington.

Sipas Rasmussenit, diskutimi ka qenë “i hapur dhe konstruktiv”, por palët mbeten të ndara sa i përket mënyrës se si mund të garantohet “siguria afatgjatë e Groenlandës”.

Nga burime brenda delegacionit, megjithatë, kanë rrjedhur vlerësime më kritike: “takimi shkoi keq”, thuhet, ndërsa toni i Motzfeldit la të kuptohej vështirësia për të arritur një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara.

Rasmussen e përmblodhi qëndrimin danez duke theksuar se presidenti amerikan ka shprehur qartë vizionin e tij, por se Mbretëria e Danimarkës mban një pozicion të ndryshëm. “Ne besojmë se siguria mund të garantohet përmes marrëveshjes ekzistuese të vitit 1951, si edhe në kuadër të NATO-s. Çdo ide që nuk respekton integritetin territorial të Danimarkës dhe të drejtën e vetëvendosjes së banorëve të Groenlandës është plotësisht e papranueshme”, deklaroi ai. “Kemi një mospajtim thelbësor, por jemi dakord të mos biem dakord”, shtoi më tej.

Hapi i radhës, sipas Rasmussenit, do të jetë gjetja e një rruge të përbashkët për të menaxhuar këtë çështje, të cilën ai e përshkroi si “ambicie” apo “dëshirë” personale të Trump. Për këtë qëllim pritet të ngrihet një grup pune, i cili do të mblidhet në javët në vijim për të trajtuar temat kyçe.

Delegacioni evropian kishte mbërritur në Washington me pritshmëri të ulëta dhe pa synimin për të ndryshuar bindjen e administratës amerikane. Situata u ndërlikua më tej nga zhvendosja e takimit nga Departamenti i Shtetit në Shtëpinë e Bardhë dhe përfshirja e ekipit të zëvendëspresidentit JD Vance, një prani e perceptuar si më pak e prirur për dialog dhe kompromise.

Ndërkohë, që në orët e para të mëngjesit, Trump kishte përgatitur terrenin për bisedimet përmes disa postimeve në rrjetin Truth Social. Ai kishte deklaruar se NATO do të ishte më efektive nëse Groenlanda do të ishte nën kontrollin e SHBA-ve dhe kishte theksuar se nuk do të pranonte asnjë zgjidhje tjetër përveç marrjes së kontrollit të ishullit. Presidenti amerikan kishte përmendur sërish kërcënimin rus dhe kinez, duke i bërë thirrje NATO-s të veprojë: Thuajini Danimarkës t’i dëbojë. Tani! Dy qen slitash nuk mjaftojnë, vetëm SHBA-ja mund ta bëjë këtë.

Rasmussen iu përgjigj disa orë më vonë, duke kujtuar se qentë e slitave janë thelbësorë për patrullimin e disa zonave dhe duke kundërshtuar narrativën amerikane mbi praninë kineze. “Shërbimet tona të inteligjencës nuk kanë regjistruar anije kineze në ato ujëra prej dekadash”, tha ai.

Nga Zyra Ovale, pas përfundimit të takimit dyorësh, Trump përsëriti qëndrimin e tij: “Nuk do të heq dorë nga asnjë opsion» në lidhje me Groenlandën dhe «nuk mund të mbështetem te fakti që Danimarka është në gjendje të mbrohet e vetme”.

Nuk është ende e qartë se çfarë propozimi konkret kanë paraqitur Shtetet e Bashkuara. Burime amerikane flasin për një ide të JD Vance për blerjen e pjesës veriore të ishullit, me synimin për të bllokuar aksesin rus dhe kinez nga Arktiku drejt Gjirit të Baffinit, ndërsa pjesa lindore do t’u mbetej evropianëve. NBC raporton se një studim i kryer nga akademikë dhe ish-zyrtarë amerikanë vlerëson koston e blerjes së gjithë Groenlandës në rreth 700 miliardë dollarë.

Ndërkohë, Gjermania pritet të dërgojë në ditët në vijim 13 ushtarë në Groenlandë për të “rësuar kushtet për një kontribut të mundshëm ushtarak në mbështetje të Danimarkës”, sipas gazetës Bild. Edhe Franca do t’i bashkohet misionit të udhëhequr nga Danimarka, Suedia dhe Norvegjia për forcimin e sigurisë së ishullit.

GOLI/ Vora përuron stadiumin e rikonstruktuar me fitore ndaj Partizanit

By: Fax Web
15 January 2026 at 17:06

Vora e përuron në mënyrën më të mirë të mundshme stadiumin e saj të rikonstruktuar teksa mori një fitore të rëndësishme ndaj Partizanit me rezultatin 1-0 në sfidën e javës së 19 të Kategorisë Superiore.

Në fakt për këtë ndeshje, ishte Partizani skuadra pritëse, por pas një marrëveshje mes dy klubeve u vendos që kjo sfidë të luhej pikërisht në këtë impiant të ri që u shndërrua në një ditë feste për Vorën që mori maksimumin nga kjo sfidë, 3 pikë me peshë për luftën për mbijetesë në elitën e futbollit shqiptar.

Sfida ishte e luftuar, me Partizanin që u pa më kërkues me Të kuqtë që patën shansin e artë për të marrë kryesimin me një penallti në fundin e pjesës së parë, por Toma gaboi me gjuajtjen e tij nga pika e bardhë dhe skuadrat shkuan në pushimin e ndeshjes me barazimin 0-0.

Edhe në 45 minutat e dyta, Partizani u përpoq më shumë, por në minutën e 90, Vora e ndëshkoi duke shënuar me Dakën, një gol që fillimisht u anulua për pozicion jashtë loje, por pas verifikimit në sistemin VAR ai u konsiderua i rregullt.

Në këtë ndeshje pati edhe momente tensioni, por ndeshja u mbyll me rezultatin 1-0 për Vorën që shkon në 22 pikë, ndërkohë që për Partizanin kjo ishte humbja e tretë radhazi.

Përdhunoi në mënyrë të përsëritur motrën e tij të mitur, 26-vjeçari arrestohet sapo zbret në Gjermani

By: Fax Web
15 January 2026 at 16:56

Një emigrant somalez, i kërkuar nga autoritetet britanike për përdhunime të përsëritura ndaj motrës së tij a13-vjeçare, është arrestuar sapo ka zbritur nga avioni në Gjermani.

I dyshuari, shtetas holandez i lindur në Somali, u ndalua nga policia federale gjermane në aeroportin e Frankfurtit, vetëm pak çaste pas mbërritjes nga një fluturim i gjatë nga Addis Ababa, Etiopi.

Ai ishte në kërkim ndërkombëtar nga Mbretëria e Bashkuar që prej dhjetorit 2023, shkruan The Sun.

Sipas autoriteteve, ai akuzohet se ka përdhunuar në mënyrë të përsëritur motrën e tij 13-vjeçare gjatë vitit 2020, ndërsa jetonte në Mbretërinë e Bashkuar.

Pas arrestimit, i dyshuari u paraqit para gjyqtarit kompetent të paraburgimit në Frankfurt. Emri i tij nuk është bërë publik, ndërsa ai u mbajt në paraburgim në aeroport teksa hetimet vijojnë.

Autoritetet gjermane sqaruan se, për shkak se i arrestuari ka të drejtë të kundërshtojë ekstradimin, transferimi i tij drejt Britanisë së Madhe mund të zgjasë nga 10 deri në 60 ditë — afate që konsiderohen standarde në raste të tilla.

Ngjarja vjen vetëm pak ditë pasi një tjetër emigrant, Mehmet Ogur, u dënua me shtatë vite burg në Britani për përdhunim dhe tentativë përdhunimi.

Po ashtu, më herët gjatë këtij muaji, një emigrant afgan u shpall fajtor për sulm seksual ndaj një gruaje, duke shtuar shqetësimet mbi raste të ngjashme kriminale.

Ambasada e SHBA citon Presidentin Trump: Siguria ekonomike është siguri kombëtare

By: Fax Web
15 January 2026 at 16:46

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka rikujtuar rëndësinë e sigurisë ekonomike për sigurinë kombëtare, duke cituar fjalët e presidentit Donald Trump.

Në një aktivitet për promovimin e teknologjisë amerikane të komunikimit, E Ngarkuara me Punë e SHBA, Nancy VanHorn, theksoi se zgjedhjet teknologjike të vendeve ndikojnë drejtpërdrejt në qëndrueshmërinë, sovranitetin dhe sigurinë e qytetarëve.

Siç ka thënë Presidenti Trump, ‘siguria ekonomike është siguri kombëtare.’ Ky parim është veçanërisht i rëndësishëm në sigurinë publike dhe infrastrukturën kritike, ku teknologjia që zgjedhin vendet ndikon drejtpërdrejt në qëndrueshmërinë, sovranitetin dhe sigurinë e qytetarëve”, shkruan në Facebook Ambasada e SHBA.

Takimi me Brahon, Ambasada e Holandës: Rikonfirmojmë mbështetjen për SPAK dhe sundimin e ligjit në Shqipëri

By: Fax Web
15 January 2026 at 16:33

Ambasadori i Holandës në Shqipëri, Reinout Vos, zhvilloi të enjten takimin e parë zyrtar me drejtuesin e ri të Prokurorisë së Posaçme Anti Korrupsion, Klodjan Braho.

Takimi mes Brahos dhe ekipit diplomatik u zhvillua në ambjentet e SPAK.

Në një reagim në profilin e saj zyrtar në Facebook, Ambasada e Holandës bën të ditur se takimi ishte në kornizën e një vizite kortezie për të përgëzuar Brahon për emërimin e tij në SPAK.

Sot, ekipi i Ambasadës tonë zhvilloi një vizitë kortezie për të përgëzuar kreun e ri të SPAK, Klodjan Braho, për emërimin e tij dhe arritjet e institucionit. Përmes projekteve tona MATRA dhe krahas bashkëpunimit tonë të fortë bilateral, ne rikonfirmojmë mbështetjen tonë për SPAK dhe sundimin e ligjit në Shqipëri”, shkruhet në reagimin e Ambasadës së Hollandës.

Klodian Braho u zgjodh në krye të SPAK më 11 dhjetor 2025 duke pasur në këtë detyrë Altin Dumanin.

Më herët, kreu i SPAK është takuar edhe diplomatë të tjerë në vend, përfshirë ata të SHBA dhe Bashkimit Europian.

VIDEO/ Të dyshuarit për vrasjen e djalit të tij u liruan, babai i Martin Çeços: Do t’i përvëloj ata që nesër, nuk i lë

By: Fax Web
15 January 2026 at 16:18

Gjykata e Apelit të Tiranës ka liruar nga burgu 3 autorët e dyshuar të vrasjes së 26-vjeçarit Martin Çeço, për shkak të tejkalimit të afateve të paraburgimit, duke i lënë ata në ‘arrest shtëpie‘.

Pas këtij vendimi ka reaguar babai i 26-vjeçarit, i cili para kamerës ka shpërthyer në lot.

Ai shton se djali i tij nuk u vra për një histori dashurie, siç është pretenduar, por sepse kishte parë drogën e mbjellë në parcelat e autorëve.

“S’kam ça të them më. Unë do t’i përvëloj ata që nesër, nuk i lë. Nuk jetoj më unë. Arrest shtëpie lirim janë ata. Mua nuk më dhimbset jeta fare, nuk i le. Ta them troç, nuk i le, le të më arrestojnë po të duan. Do gjej një bidon me benzinë dhe do i djeg. Djali nuk pati as takim me çupën e asgjë. Dy dashnorë në fshat i kishte ajo, pse nuk bëri ndonjë krim te ata, por bëri te djali im. Ata kanë mbjellë drogë aty lart. Dhe për të zhdukur djalin tim kishin dalë në Maliq dy veta. E hape gojën i kishin thënë, do të zhdukim. Djali im s’kishte faj. Unë do i përvëloj me benzinë të gjithë si familje. I dënuan 25 vite, ia dërguan Tiranës dhe atje thanë që do dënohen me burg të përjetshëm. Tani i liruan fare. Unë nuk i lë pa përvëluar ata dhe kur të mbaroj punë, do i them djalit ‘e realizova planin’. Dhe nuk e bëj veten të më arrestojnë, do vras veten në mes të gjyqit atje”, tha mes lotëve babai i Martin Çeços.

Martin Çeço, 26-vjeç, u gjet i vdekur në qershor 2022, në rezervuarin e fshatit Kolanec, në Maliq.

Botërori 2026/ 500 milionë kërkesa për bileta nga 211 vende

By: Fax Web
15 January 2026 at 16:16

Më shumë se 500 milionë kërkesa ka marrë FIFA për biletat e finaleve të Botërorit 2026, që do të mbahet verën e ardhshme në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Për një kërkesë kaq të lartë, janë 7 milionë bileta në dispozicion, ku një pjesë e tyre është marrë në fazat e mëparshme. Në fund të dhjetorit ishin rreth 150 milionë aplikime, ndërsa dy javë më vonë kjo kërkesë u trefishua. Infantino tha se kërkesat janë nga të gjitha vendet anëtare.

“Kemi marrë kërkesa nga të 211 vendet anëtare të FIFA-s. Ne po organizojmë, me të gjitha qytetet mikpritëse, shumë aktivitete për tifozët që do të vijnë ta ndjekin nga afër Kupën e Botës”, thotë Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.

Pas vendeve organizatore, më shumë kërkesa ka pasur nga Gjermania, Anglia, Brazili, Spanja, Portugalia, Argjentina dhe Kolumbia.

Ky do të jetë turneu i parë me 48 ekipe, ku do të luhen 104 ndeshje.

Shqipëria është ende në garë për një vend në finalet e Botërorit 2026, që kalon nga play-off-i, ku më 26 mars do të luajë me Poloninë në Varshavë dhe, nëse e kalon me sukses, ndaj fituesit të takimit Ukrainë–Suedi më 31 mars, po në transfertë.

Lehtësim për qytetarët, DPSHTRR: Taksat e makinave mund të paguhen edhe online

By: Fax Web
15 January 2026 at 15:50

Rreth 770 mijë drejues mjetesh në Shqipëri tashmë mund të paguajnë taksat e makinave online.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor informon qytetarët se pagesa e taksës së mjeteve realizohet tashmë 100% online përmes platformës e-Albania.

Pagesa mund të realizohet  me anë të çdo karte bankare në mënyrë të thjeshtë dhe pa praninë fizike.

Ofrimi I këtij shërbimi online përktheht në kursim kohe dhe parash për drejtuesit e mjeteve.

Mënyra e pagesës për qytetarët është shumë  e thjeshtë dhe nuk nevojitet dokumentacion shoqërues.

Qytetarët identifikohen si qytetar ose biznes në portalin e-Albania dhe më pas zgjidhet  shërbimi “Pagesa e taksës vjetore të mjeteve të përdoruara apo  mjeteve të luksit”; –  Klikoni butonin “Përdor” për të parë automjetet që dispononi dhe zgjidhni mjetin për të cilin dëshironi të shikoni taksat përkatëse .

Ky shërbim digjital përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të shërbimeve publike dhe lehtësimit të proceseve për qytetarët, duke ofruar një procedurë të shpejtë, të sigurt dhe të aksesueshme nga telefoni apo kompjuteri.

Falë këtij shërbimi, rreth 770,000 zotërues mjetesh përfitojnë lehtësira të matshme, të përkthyera në rreth 283 milionë lekë kursime ,ditë pune të fituara, duke shmangur kohën e pritjes si dhe karburant të kursyer me ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik dhe mjedisor.

Dorëheqja e Hajdarit, Rama vendos Dash Sulën në postin e Kryeinspektorit të Përgjithshëm

By: Fax Web
15 January 2026 at 15:33

Shkëlqim Hajdari ka dhënë ditën e sotme dorëheqjen nga posti i Kryeinspektorit të Përgjithshëm.

Hajdari, një ish prokuror me eksperiencë, mbante këtë post që prej vitit 2016 kur u emërua nga Këshilli i Ministrave.

Ndërsa nuk dihen ende arsyet pse Hajdari dha dorëheqjen nga ky post, Fax News, nga burime ende të pakonfirmuara, mëson se në këtë post është propozuar ish deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula. Edhe ky i fundit një ish prokuror.

Dashnor Sula, pas moskandidimit në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit 2025, ka qenë një zë kritik ndaj Partisë Demokratike.

Komiteti i Përbashkët Ekzekutiv me OKB, Balluku: Vijojmë punën drejt një Shqipërie më moderne, më të fortë dhe më afër BE

By: Fax Web
15 January 2026 at 15:32

U zhvillua sot mbledhjen e Komitetit të Përbashkët Ekzekutiv për kuadrin e bashkëpunimit mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Kombeve të Bashkuara, ku mori pjesë edhe zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Gjatë mbledhjes u vlerësua përmbushja e kornizës së bashkëpunimit 2022–2026 dhe rezultatet e arritura deri më tani.

Në një reagim në rrjetet sociale, Balluku shprehet se, Qeveria e Shqipërisë dhe partnerët e OKB-së do të vijojnë punën e përbashkët drejt një Shqipërie më moderne, më të fortë dhe më afër Bashkimit Europian.

Sot në mbledhjen e Komitetit të Përbashkët Ekzekutiv për kuadrin e bashkëpunimit mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Kombeve të Bashkuara, ku u vlerësua përmbushja e kornizës së bashkëpunimit 2022–2026 dhe rezultatet e arritura deri më tani.

Ndërsa hyjmë në vitin përmbyllës të programit aktual dhe nis përgatitja për kornizën e re 2027–2031, mbetemi të angazhuar për të çuar përpara një bashkëpunim që fuqizon kapitalin njerëzor, nxit rritjen e qëndrueshme dhe konsolidon institucionet demokratike.

Qeveria e Shqipërisë dhe partnerët e OKB-së do të vijojnë punën e përbashkët drejt një Shqipërie më moderne, më të fortë dhe më afër Bashkimit Europian”, shkruan në rrjetet sociale Balluku.

EMRI/ Ja kush është Drejtori i ri i Burgut të Durrësit

By: Fax Web
15 January 2026 at 17:20
Edmond Llabani do të jetë drejtori i ri i komanduar i Burgut të Durrësit.Llabani vjen në këtë post si Drejtor i Burgut të Lushnjes.

Emërimi i tij vjen pas shkarkimit të Indrit Cërloj pas arratisjes së Altin Ndocit.

Altin Ndoci u arratis ditën e martë teksa ndodhej për një kontroll mjekësor në Spitalin e Durrësit.

Ndoci ndodhej aty për një konsultë me mjekun e burgut që më pas rekomandoi një kirurg. Gjatë kohës që kryente vizitën, i paraburgosuri me rrezikshmëri të lartë sulmoi dy policët që e shoqëronin dhe ia mbathi pa lënë gjurmë.

Pasi doli në parkingun e spitalit, ai dyshohet se u largua pa lënë gjurmë me një Audi A7 që e priste aty.

Ai fillimisht ka kaluar në zonën e Spitallës, më pas është shfaqur në Shënavlash, ka vijuar në autostradë dhe dyshohet se ka hyrë në Tiranë.

Kompleks studentor rezidencial në Durrës/ Rama me rektorët: Na duhet ligj i ri për arsimin e lartë

By: Fax Web
15 January 2026 at 15:07

Kryeministri Edi Rama dhe 40 rektorët e universiteteve publike dhe private zhvilluan sot, 15 janar, një bisedë të hapur për cilësinë e institucioneve tona të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.

Fillimisht, Rama u ndal te nevoja për riformatimin e ligjit të arsimit të lartë, duke theksuar se para sesionit të ri parlamentar duhet përgatitur baza për korrektimet që do të kryhen.

“Duke vlerësuar sinqerisht bashkëpunimin që kemi ndërtuar dhe vijmësinë e komunikimit në një rrugë sa institucionale aq edhe të hapur informale, gjë që na ka dhënë mundësinë të jemi vazhdimisht në kontakt me njëri-tjetrin dhe të dëgjojmë e të kuptojmë më shumë në kohë reale, është koha për të rivizituar ligjin e arsimit të lartë, pasi ka kaluar një periudhë e mjaftueshme për të reflektuar ndryshimet që ka sjellë koha.

Fatmirësisht kemi një praktikë të mirë të mëparshme, ligji aktual është shkruar me kontributin tuaj dhe ma ha mendja se ky do të jetë rasti përsëri. Shpresoj e besoj që edhe për shkak të eksperiencës dhe se në këtë rast nuk bëhet fjalë për përmbysje, por korrektime, do të jetë e mundur ta bëjmë në një kohë të arsyeshme dhe nuk do presim sesionin tjetër të parlamentit për ta përgatitur bazën, pastaj procedura parlamentare mund të jetë në fund të sesionit, por ajo që është e rëndësishme është të organizohemi në një grup të përbashkët”, deklaroi kryeministri.

Së dyti, nënvizoi faktin se sfida themelore mbetet ndërkombëtarizimi i universitetit dhe racionalizimi i burimeve dhe potencialeve.

Më tej u ndal te pjesa e financimit duke thënë se edhe për këtë duhet diskutuar në vijim.

“Në takimin e ardhshëm të mblidhemi për të diskutuar hapur procesin dhe do doja të ftonim edhe të gjithë rektorët e universiteteve private.”

“Kemi dy kampuse përpara, atë të Tiranës, në ndërkohë kemi hapur procesin për kampusin e universitetit Aleksandër Moisiu. Ka një potencial për të krijuar edhe infrastrukturë qëndrimi rezidence të studentëve, duke pasur parasysh që treni do të jetë në funksion së shpejti. Do të jetë e thjeshtë që studentët në Tiranë të strehohen në kampusin e Durrësit, prandaj do ndërtojmë një kompleks studentor rezidencial, për shkak të çmimeve të larta në Tiranë, edhe në Durrës xhanëm, por në Tiran”, njoftoi Rama.

Më të paguarit e sportit për vitin 2025/ Ronaldo në krye, amerikanët dominojnë klasifikimin

By: Fax Web
15 January 2026 at 14:42

Cristiano Ronaldo mbetet në krye të piramidës globale financiare të sportit, duke kryesuar listën e 100 atletëve më të paguar në botë për të tretin vit radhazi. Sipas anketës vjetore nga Sportico, superylli portugez regjistroi në vitin që sapo është mbyllur një shifër të ardhurash në total prej 260 milion dollarësh, nga të cilat 200 milion dollaë vijnë nga kontrata që ai ka me skuadrën e Al Nassr dhe pjesa e mbetur prej 60 milionë dollarësh nga sponsorizimet dhe aktivitetet komerciale.

Ronaldo ka tejkaluar 100 milionë dollarë të ardhura vjetore për nëntë vjet radhazi, ndërsa për tre vitet e fundit ai është zhvendosur vazhdimisht mbi 200 milionë dollarë. Ai mbetet jashtëzakonisht tërheqës për kompanitë e mëdha, me më shumë se një duzinë partneritetesh gjigante, duke përfshirë Nike, Binance dhe Herbalife. Shtrirja e tij e madhe në mediat sociale, pai ai tejkaloi 1 miliard ndjekës në vitin 2024, rrit më tej vlerën e tij komerciale.

Në përgjithësi, 100 atletët më të paguar në botë fituan 6.05 miliardë dollarë, një rënie e lehtë prej 2.1% nga rekordi i të gjitha kohërave i vitit të kaluar.

Për të tretin vit radhazi, asnjë grua nuk u rendit në listë, ndërkohë që atletja Coco Gauff është e para për femra, më e paguar e vitit 2025 me 33 milionë dollarë, nën pragun e hyrjes në 100 më të paguarit që është 37.9 milionë dollarë.

Atletët amerikanë dominojnë shifrat, duke zënë 62 nga 100 pozicionet, kryesisht falë kontratave të mëdha në NBA dhe NFL. Megjithatë, në krye mbetet shumëkombëshe, me 12 vende të ndryshme të përfaqësuara në 15 vendet e para. LeBron James është i vetmi amerikan në pesë vendet e para, me një të ardhur totale prej 128.7 milionë dollarësh, nga të cilat 80 milionë vijnë nga përfitimet që nuk kanë lidhje me sportin në parket.

Në futboll, 13 lojtarë u renditën në listë, me Ligën Profesionale Saudite që kishte pesë atletë në 20 më të mirët. Neymar, pavarësisht se kishte tejkaluar 1 miliard dollarë në total në karrierën e tij, ra në vendin e 30-të pas kthimit tek Santos. Në basketboll, NBA përfaqësohet me 40% të listës, ndërsa në NFL, Patrick Mahomes spikati.

Për herë të parë që nga viti 2021, dy lojtarë të MLB-së hyjnë në 10 më të mirët. Juan Soto u ngjit për shkak të një bonusi nënshkrimi prej 75 milionë dollarësh me Mets, ndërsa Shohei Otani u bë atleti i parë që arriti 100 milionë dollarë vetëm në sponsorizime në një sezon të vetëm.

Hulumtimi i Sportico tregon qartë se, pavarësisht rënies së vogël të përgjithshme, atletët kryesorë vazhdojnë të gjenerojnë shifra të mëdha financiare, me të ardhurat jashtë fushës që tani luajnë një rol vendimtar në formësimin e renditjes botërore.

10 atletët më të paguar në botë për vitin 2025:

Cristiano Ronaldo (futboll): 260 milionë dollarë.

Canelo Alvarez (boks): 137 milionë dollarë.

Lionel Messi (futboll): 130 milionë dollarë.

Juan Soto (MLB/bejzboll): 129.2 milionë dollarë.

LeBron James (NBA/basketboll): 128.7 milionë dollarë.

Karim Benzema (futboll): 115 milionë dollarë.

Stephen Curry (NBA/basketboll): 105.4 milionë dollarë.

Shohei Otani (MLB/bejzboll): 102.5 milionë dollarë.

Kevin Durant (NBA/basketboll): 100.8 milionë dollarë.

John Rahm (LIV Golf/golf): 100.7 milionë dollarë.

Rrëmbimi dhe zhdukja e Jan Prengës, SPAK kërkon burgim të përjetshëm për Altin Hajrin në arrati

By: Fax Web
15 January 2026 at 14:34

Prokuroria e Posaçme, SPAK, kërkon burgim të përjetshëm për Altin Hajrin, i akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.

Pronari i kompleksit “Golden” cilësohet si një nga organizatorët e rrëmbimit të Prengës më 17 Janar 2020 në Kamëz dhe dërgohet nga grupi kriminal drejt kompleksit, ku torturohet dhe duket se u mbetet në dorë rrëmbyesve.

Sipas hetimeve, shkak ishte bërë një ngarkesë kokaine prej 260 kg, e vjedhur në portin e Portsmuthit nga vëllai i Jan Prengës dhe një mik i tij në Angli, por që i përkiste një karteli shqipfolës.

Po nga hetimet dhe dëshmitë e deritanishme, personat që janë prezantuar si pronarët e kokainës dyshohet se janë Gramoz Rexhepi, atëkohë nga burgu në Ekuador, i dënuar për narkotrafik dhe Gentian Funiqi (Doçi), në kërkim. Gramoz Rexhepi, i njohur edhe si Dritan, me precedentë të shumtë dhe i arrestuar vitin e kaluar në Turqi, ka kërkuar kthimin e mallit. Edhe pse droga dhe paratë u kthyen në Londër, nuk ndodhi kështu me Jan Prengën.

Policia dhe Prokuroria zbuluan nga një kamera e kompleksit “Golden” veprimet e grupit kriminal, teksa lëviznin trupin e pajetë të Prengës për ta zhdukur.

Fillimisht u arrestuan 6 persona dhe shpallën në kërkim 8 të tjerë.

Altin Hajri u arratis dhe shpall në kërkim. Bashkë me të Rexhepi dhe Funiqi.

Aktualisht Hajri rezulton se është ndihmuar dhe strehuar nga ish-deputeti i PS, Jurgis Çyrbja, pasi u shpall në kërkim për Prengën. Ai e ka fshehur në pronat e tij, kryesisht banesa. Komunikimet në platformën e koduar SKY ECC duket se kanë provuar dyshimet.

Hajri mbetet ende në kërkim dhe kontrollet e kryera nga Policia dje kanë dështuar përsëri në kapjen e tij.

“Organizatë kriminale që vjedh ditë e natë”/ Berisha: E gjithë bota pret nga PD zgjidhje për situatën dramatike në Shqipëri

By: Fax Web
15 January 2026 at 14:12

Kreu i PD-së, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar, është shprehur se, të gjithë miqtë e Shqipërisë në Europë dhe në botë presin që Partia Demokratike ta nxjerrë vendin nga kjo situatë ku është futur.

Sipas tij, është faktuar tashmë para qytetarëve shqiptarë dhe mbarë botës se qeveri Rama është një klikë e papërgjegjshme, një organizatë kriminale që vjedh ditë e natë qytetarët e saj.

“Ne nisim këtë vit kur të gjithë shqiptarët, të gjithë miqtë e Shqipërisë në Europë dhe në botë presin nga PD, presin nga opozita shqiptare zgjidhjen e situatës dramatike në Shqipëri.

Zgjidhjen përfundimtare të kësaj situate, e cila si në asnjë vend tjetër, një vend anëtar i NATO-s, një vend që pretendon se po ecën drejt BE, faktohet para qytetarëve të saj dhe mbarë botës një klikë e papërgjegjshme, një organizatë kriminale që vjedh ditë e natë qytetarët e saj.

Një organizatë kriminale që bashkëpunon me kartelet më të rrezikshme të drogës në Europë dhe në botë.
Shqiptarët e nisën këtë vit në shumë zona të vendit, nga Gjirokastra në Shkodër, por veçanërisht në Durrës dhe qarkun e Durrësit, në një përmbytje të përmasave të papara ndonjëherë.

Në një përmbytje me pasoja të rënda. Në një përmbytje në të cilën shteti jo që nuk ishte një mbështetje për qytetarët, por shteti me korrupsionin e tij të çmendur, të papërmbajtur, ishte shkaku i thellë i kësaj përmbytje të paparë ndonjëherë në qarkun e Durrësit, por edhe në disa qarqe të tjera.

Në fakt, në ujërat që përmbytën mijëra e mijëra banesa, nga veriu në jugun e vendit, u përmbyt gjithashtu morali i kalbur i kësaj qeverie. Shqiptarët panë se si këta gobsekë vazhdonin ahengjet, udhëtimet, ndërkohë që ujërat shtoheshin çdo ditë në shtëpitë e tyre. Shqiptarët panë me sytë e tyre shkaqet e vërteta të kësaj drame që pësuan dhe që edhe sot janë në të.

Në çdo vend dhe çdo qeveri në botë, ndërtohet një infrastrukturë kundër përmbytjeve. Dhe në ligjin e sigurisë kombëtare, emergjenca ndaj fatkeqësive natyrore ka një përparësi absolute. Pra, Shqipëria u dogj sa asnjëherë tjetër në historinë e saj.

Satelitët e Peleshit mbushën xhepat e Edi Ramës. Firmosja e një marrëveshje se na duhen satelitët për të parë vatrën e parë të zjarrit që të shkojmë dhe ta fikim menjëherë, ky mashtrues i paskrupullt, i pamoral, zjarret dogjën njerëz të gjallë, dogjën familje, shtëpi si asnjëherë tjetër, dhe satelitët i verboi korrupsioni

Berisha: Qeveria kriminale, Shqipëria e përmbytur dhe e djegur nga korrupsioni

By: Fax Web
15 January 2026 at 14:09

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kritikuar qeverinë gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së, duke u ndalur në situatën e rëndë në të cilën ndodhet vendi, si pasojë e përmbytjeve të fundit dhe zjarreve që kanë përfshirë më herët Shqipërinë.

Berisha u shpreh se viti i ri ka nisur me pritshmëri të mëdha nga qytetarët shqiptarë dhe nga partnerët ndërkombëtarë për një zgjidhje përfundimtare të krizës politike dhe institucionale në vend. Sipas tij, Shqipëria, ndonëse anëtare e NATO-s dhe me pretendime për integrim në Bashkimin Evropian, drejtohet nga një qeveri e papërgjegjshme dhe e zhytur në korrupsion.

Duke iu referuar përmbytjeve, kreu i PD-së tha se zona të shumta të vendit, nga Gjirokastra në Shkodër dhe veçanërisht qarku i Durrësit, u përballën me përmbytje të përmasave të papara ndonjëherë. Ai akuzoi qeverinë se, ndërkohë që mijëra banesa përmbyteshin, drejtuesit shtetërorë vijonin udhëtimet dhe aktivitetet festive.

“Nisim një vit ku të gjithë shqiptarët dhe miqtë e Shqipërisë presin nga PD dhe opozita shqiptare zgjidhjen e situatës dramatike në Shqipëri. Zgjidhjen përfundimtare të kësaj situate e cila si në asnjë vend tjetër, një vend anëtar i NATO-s, pretendon se po ecën drejt BE-së, faktohet para qytetarëve dhe mbarë botës një klikë e pa përgjegjshme, një organizatë kriminale që vjedh ditë e natë qytetarët e saj.
Shqiptarët e nisën këtë vit në shumë zona të vendit nga Gjirokastra në Shkodër, por veçanërisht në qarkun e Durrësit në një përmbytje të përmasave të papara ndonjëherë.
Në ujërat që përmbytën mijëra banesa nga veriu në jug, u përmbyt gjithashtu morali i kalbur i kësaj qeverie. Shqiptarët panë se vijohej ahengu, udhëtimet, ndërkohë që ujërat shtoheshin çdo ditë në shtëpitë e tyre.
Shqiptarët panë më sytë e tyre shkaqet e vërteta të kësaj drame që pësuan.
Çdo vend ka një infrastrukturë kundër përmbytjeve dhe në ligjin e sigurisë kombëtare, emergjenca ndaj fatkeqësive natyrore ka një përparësi absolute.
Shqipëria u dogj si asnjë tjetër në historinë e saj, satelitët e Peleshit mbushën xhepat e Ramës. Satelitët i verboi korrupsioni”, tha ai.

“Të përkushtuar për dialogun”/ Kurti: Milan Radoiçiç të dorëzohet dhe të përballet me drejtësinë në Kosovë!

By: Fax Web
15 January 2026 at 14:00

Kryeministri në detyrë Albin Kurti u takua me përfaqësuesin e BE, Peter Sorensen një ditë më parë. Nëpërmjet një reagimi në platformën X, Kurti ka vlerësuar mbështetjen e BEm ndërsa nënvizon se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj normalizimit të plotë dhe dialogut konstruktiv në Bruksel.

Megjithatë Kurti shprehet se përparimi i dialogut me Sërbinë përveçse kërkon besim , por ashtu duhet bërë, nënvizon ai edhe tërheqja e letrës së paraqitur nga ish-kryeministrja serbe Brnabiç në EEAS dhe dorëzimin e Milan Radoicic dhe grupit të tij për t’u përballur me drejtësinë në Kosovë për sulmin paraushtarak dhe terrorist në Banjska.

“Dje, mirëprita Përfaqësuesin Special të BE-së Peter Sørensen në takimin tonë të parë pas zgjedhjeve të dhjetorit në Kosovë. Kosova mbetet e përkushtuar ndaj normalizimit të plotë dhe dialogut konstruktiv në Bruksel. Përparimi domethënës kërkon besim të mirë, duke përfshirë tërheqjen e letrës së paraqitur nga ish-kryeministrja serbe Brnabiç në EEAS dhe dorëzimin e Milan Radoicic dhe grupit të tij për t’u përballur me drejtësinë në Kosovë për sulmin paraushtarak dhe terrorist në Banjska, si dhe nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe Aneksit të Zbatimit të Ohrit si garanci ligjore për rrugën përpara. Kosova ka një mandat demokratik të rifreskuar që siguron përfaqësim të besueshëm në dialog”, shkruan Kurti në platformën X.

Vrasja e Martin Çeços/ Gjykata e Apelit ndryshon masën për tre të dyshuarit, kalojnë në arrest shtëpie

By: Fax Web
15 January 2026 at 13:56

Gjykata e Apelit në Tiranë ka vendosur të ndryshojë masën e sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie” për tre autorët e dyshuar të vrasjes së 26-vjeçarit Martin Çeço.

Raportohet se Valter Mollaj, kushëriri i tij Edlir Mollaj dhe çobani Bleti Angjo janë liruar nga ambientet e paraburgimit, pasi Apeli ka konstatuar humbjen e fuqisë së masës së arrestit të caktuar më 20 qershor 2022, për shkak të tejkalimit të afatit maksimal të qëndrimit në paraburgim.

Megjithëse masa e sigurisë është zbutur, hetimet për vrasjen e Martin Çeços vijojnë dhe tre të dyshuarit mbeten nën masën e “arrestit shtëpiak”, në pritje të përfundimit të procedurave gjyqësore.

Ngjarja e rëndë ndodhi në qershor të vitit 2022, kur 26-vjeçari Martin Çeço u vra dhe më pas trupi i tij u hodh në rezervuarin e fshatit Kolanec, në Maliq. Tre të dyshuarit u arrestuan pas dëshmisë së Tina Pajollarit, e cila ndodhet ende në burg në lidhje me këtë çështje.

Pajollari u arrestua më vonë, pasi dyshohet se ka qenë e pranishme në momentin e vrasjes dhe ka dhënë informacione kyçe që çuan në zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve të dyshuar.

❌
❌