Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 21 January 2026FaxWeb

Rama për “21 janarin”: Katër të vrarë nuk prehen ende në paqe, drejtësia i ngjan një breshke që lutet për harresë

By: Fax Web
21 January 2026 at 08:50

Kryeministri Edi Rama ka përkujtuar ngjarjen e “21 janarin” ku në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë kryeministrisë mbetën të vrarë katër protestues.

Rama shprehet në një postim në rrjetet sociale se “15 vite më parë ndodhi një krim shtetëror i pashembullt në historinë e demokracisë së re shqiptare”.

Kreu i qeverisë thekson se “katër të vrarë ende nuk prehen dot në paqe dhe drejtësia i ngjan një breshke që lutet për harresë”.

Rama shpreh bindjen se “sado të vonojë drejtësia për 21 janarin nuk do të harrojë”.

Më 21 Janar të vitit 2011 gjatë protestës së PS-së, humbën jetën Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedja, të cilët 10 vite më vonë u shpallën “Dëshmorë të Atdheut”.

Gjykata e Lartë ka vendosur në mars të 2024-ës që dosja e “21 janarit” të hetohet nga SPAK duke pranuar kërkesën e familjarëve të viktimave.

Sot shënohen 15 vite nga “21 Janari”, çështja në rihetim nga SPAK

By: Fax Web
21 January 2026 at 08:47

Sot shënohen 15 vite nga 21 janari 2011, kur gjatë një proteste të Partisë Socialiste, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë, u vranë katër protestues.

Gjatë protestës u vranë Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda. Katër viktimat e 21 Janarit 2011 u shpallën Dëshmorë të Atdheut.

Në korrik të vitit 2024 Prokuroria e Posaçme (SPAK) rinisi zyrtarisht hetimet për 21 Janarin, pasi Gjykata e Strasburgut urdhëroi Strukturën e Posaçme të hetonte kallëzimin e bërë nga Rajmonda Nika, bashkëshortja e Aleks Nikës, ndaj Sali Berishës, ish-kryeministër, Lulzim Bashës, ish-ministër i Brendshëm dhe Ndrea Prendit, ish-kreu i Gardës së Republikës.

Gjykata e Strasburgut e ka cilësuar vrasjen e katër protestuesve si “krim shtetëror që duhej zbardhur”.

Drejtues të Partisë Socialiste kanë kërkuar zbatimin e vendimit të GJEDNJ-së për ngjarjen e “21 janarit”. Disa ditë më parë në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, kreu i grupit Taulant Balla vuri në dukje se presin nga drejtësia, veçanërisht nga Prokuroria e Posaçme, zbatimin e vendimeve të GJEDNJ-së dhe Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, lidhur me plot aspekte të asaj ngjarjeje.

“Ne nuk kemi hyrë asnjëherë në meritën apo përmbajtjen e dosjeve penale, por Kuvendi i Shqipërisë ka përgjegjësi në kontrollin e zbatimit të vendimeve të GJEDNJ-së bashkë me Ministrinë e Drejtësisë”, theksoi Balla.

Champions League/ Reali luan tenis, Arsenali mposht Interin në “San Siro”

By: Fax Web
20 January 2026 at 23:12

Real Madrid u është kthyer fitoreve bindëse në Champions League.

Skuadra e Arbeloas ka triumfuar me shifrat 6-1 përballë Monacos.

Protagonisti i mbrëmjes ishte Mbappe me dy gola, por sidomos Vinicius Jr.

Braziliani dha dy asiste, bëri që miqtë të shkaktonin autogol e pastaj shënoi edhe vetë në mënyrë spektakolare, duke bërë që “Santiago Bernabeu” të çohej në këmbë dhe të duartrokiste paraqitjen e tij.

Ndërkohë në “San Siro” Inter u mposht nga Arsenal në shifrat 1-3.

Dopeta e Gabriel Jesus dhe goli i Gyokeres, i siguroi 3 pikë të arta skuadrës së Mikel Artetës, ndërkohë që golin e vetëm për zikaltrit e shënoi Suçiç në minutën e 18-të.

Fitorja ndaj Interit zgjat serinë e pamposhtur të Arsenalit në 12 ndeshje në të gjitha kompeticionet (10 fitore, 2 barazime), ndërsa me këtë rezultat ata kanë siguruar matematikisht një vend në dyshen e parë të fazës së ligës në Champions League.

“Vetëm Spital Amerikan nuk quhet”/ Shqetësimi i demokrates që u injorua nga Berisha: Dializën e bëjmë në bodrume

By: Fax Web
20 January 2026 at 23:02

Sot në foltoren e PD, në njësinë nr.4 në Tiranë, gjatë bashkëbisedimit me qytetarët, një demokrate mori mikrofonin dhe ndau shqetësimin e saj si paciente e dializës në Spitalin Amerikan.

LEXO EDHE“Hemodializa është kthyer në monopol”/ Deputetët akuza për abuzime në koncesionin e fituar nga kompanitë e Klodian Allajbeut

Ajo tregoi se dializën ajo e bën në bodrumet e Spitalit Amerikan, ndër të tjera ajo tha se makineritë që posedon spitali kanë 20 vite aty dhe se ilaçet që duhet të marrë gjatë dializës nuk jua mundëson Spitali Amerikan por, i blen të gjitha vetë.

“Punën e dializave, që gjoja ne jemi te Spitali Amerikan, që vetëm Spitali Amerikan nuk quhet. Jemi në katin -2 në bodrum, makineritë qe kemi ne kanë nga 20 vite, po marrim infeksion gjaku dhe po vdesim nga vjetërsia e makinerive, vitamina nuk kemi fare, i blejmë vetë.

Nuk është bërë një kontroll tamam, kemi dëgjuar nëpër ajër sikur do na çojnë në kat të shtatë, po sa të vete unë në kat të shtatë kam vdekur. Çdo ditë nga një i sëmurë o do vdesin o do jetë në reanimacion. Kemi frikë, themi o shyqyr shpëtuam edhe sot. Po ikin të gjithë jashtë, jo vetëm fëmijët por edhe ne”, u shpreh qytetarja.

Historia e demokrates u injorua dhe nuk u komentua në asnjë moment as nga kryedemokrati ashtu edhe nga pjesa tjetër e panelit të pranishëm në foltore dhe mikrofoni i kaloi një qytetari tjetër.

LEXO EDHEPastrim parash dhe falsifikim dokumentesh/ A do të arrestojë SPAK Klodian Allajbeun?

Yesterday — 20 January 2026FaxWeb

“Bordi i Paqes”, ANSA: Vetëm 7 vende e kanë pranuar ftesën

By: Fax Web
20 January 2026 at 22:00

Deri më sot, thuhet se 52 udhëheqës nga po aq vende të botës janë ftuar në Bordin e Paqes, dhe vetëm shtatë prej tyre, Argjentina, Hungaria, Kazakistani, Uzbekistani, Shqipëria dhe Vietnami, kanë konfirmuar zyrtarisht qëllimin e tyre për të marrë pjesë.

Shumica e qeverive që kanë lëshuar deklarata zyrtare në lidhje me ftesat e tyre kanë treguar se çështja është “nënshtruar shqyrtimit politik dhe ligjor institucional”, ndërsa disa kanë theksuar nevojën për t’u konsultuar me partnerët e tyre.

Megjithatë, pritet që të ftohen udhëheqës të tjerë, shkruan agjencia italiane e lajmeve ANSA.

Ditën e sotme, Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Trump për të marrë pjesë në Bordin e Paqes për Gazën.

Kreu i qeverisë bëri me dije se kjo iniciativë e Shqipërisë, duhet të marrë dhe miratimin nga Kuvendi.

LEXO EDHETrump kërkon 1 miliard dollarë për një vend të përhershëm në “Bordin e Paqes” për Gazën

Në tre muajt e fundit, Ndoci 5 herë në spital/ Të burgosurit e pasur, për takime “speciale”

By: Fax Web
20 January 2026 at 21:45

Që prej vitit 2020 kur Ndoci u vendos në burgun e Durrësit e deri në vitin 2024, ishte shoqëruar katër herë në spital, për problem të ndryshme shëndetësore.

Ndërsa, që nga 8 tetori i kaluar, deri ditën e arratisjes ai është shoqëruar jashtë burgut për vizita mjekësore, plot 5 herë, 3 nga të cilat kur drejtimi i Institucionit i paraburgimit të Durrësit, I ishte besuar Indrit Cerlojit, aktualisht në arrest me burg, nën dyshimet për shpërdorim detyre, për rastin e arratisjes së Ndocit.

Prokuroria dyshon se vizitat janë realizuar pa patur nevojë për konsulta mjekësore jashtë burgut.

Duke marrë në konsideratë rritjen e frekuencës së daljeve në një periudhë relativisht të shkurtër dhe duke e krahasuar me historikun e mëparshëm të daljeve të tij për spital, ekziston dyshimi i arsyeshëm se këto planifikime për vizita mjekësore për në spital që përkojnë me periudhën tetor 2025-janar 2026 janë fiktive”, është shprehur Prokuroria në dosjen e saj hetimore.

Një tjetër element i dyshimtë është dhe fakti se daljet e Ndocit për në spital, nuk janë regjistruar sipas procedurave.

Nga verifikimet e deritanishme ka rezultuar se për daljet nga IEVP të të burgosurit Altin Ndoci që përkojnë me periudhën tetor 2025-janar 2026, në asnjë rast nuk është pasqyruar në komunikatën e aktivitetit ditor të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe në asnjë rast nuk është informuar Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve”.

Rasti i Ndocit nuk duket të jetë një episod i izoluar, në burgun e Durrësit ku nuk kanë munguar favoret ndaj të paraburgosurve, kundrejt pagesave në para.

Nga informacionet e përftuara në kohë nga SHKBB (Shërbimi I Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve) rezulton se shpeshherë shoqërimi për spital i të burgosurve që kanë rrezikshmëri të lartë shoqërore si dhe me gjendje të mirë ekonomike, dyshohet se kryhet për t’iu mundësuar favore të ndryshme (kryesisht takime speciale) këtyre të burgosurve, kundrejt dhënies së ryshfetit Drejtuesve të institucioneve dhe personelit përkatës”, shkruhet në dosjen e Prokurorisë.

Altin Ndoci u dërgua në spitalin e Durrësit, pa kryer më parë një vizitë nga mjekja e burgut, e cila sipas prokurorisë kishte firmosur rekomandimin, vetëm me kërkesë të kryeinfermierit Altin Cuku.

Ai u transportua me ambulancën e burgut, së bashku me një të paraburgosur tjetër, dhe vetëm në shoqërinë e 5 punonjësve të sigurisë, në shkelje flagrante të protokolleve që parashikojnë një minimum prej 3 punonjësish për secilin të burgosur.

Për më tepër, ndonëse i dyshuar për vepra të rënda penale, mes të cilave dhe vrasje, Ndoci ishte vlerësuar si një person pa rrezikshmëri të lartë, e që nuk do mund të tentonte arratisjen.

VIDEO/ Champions League rikthehet me surpriza! Manchester City turpërohet në Norvegji

By: Fax Web
20 January 2026 at 21:26

Faza në grupe e Ligës së Kampioneve në këtë edicion ka dhuruar sot atë që shumëkush e ka cilësuar si surprizën më të madhe deri tani.

Manchester është mundur me shifrat 3-1 nga Bodo/Glimt në Norvegji, në një ndeshje ku edhe loja ka folur për ekipin vendas.

Anglezët ishin shumë të ngathët në fazën ofensive në këtë sfidë, teksa u ndëshkuan dy herë radhazi nga zbritjet e vendasve, të goditur brenda 3 minutash nga Hog i cili mposhti Donarumën dhe i dha entuziazëm ekipit norvegjez.

Ky i fundit u mbrojt me rregull dhe duke shfrytëzuar kundërsulmet, gjeti rrjetën edhe me anë të Hauge, ndërsa pa t’i anulohej një gol tjetër dhe traversën e Donarumës t’i mohonte përsëri festën.

Cherki ngushtoi shifrat për City-n, por çdo plan i Guardiolës për një përmbysje u shkatërrua pas kartonit të kuq të Rodri, i cili la ekipin me 10 lojtarë dhe ia bëri më të thjeshtë punën vendasve në administrimin e rezultatit deri në vërshëllimën përfundimtare.

Kështu, City doli pa pikë dhe me një vend mes tetë më të mirëve që tani është në dyshim.

Ndërsa Bodo/Glimt mori fitoren e parë të këtij edicioni, që gjithsesi nuk i siguron një vend mes 24 ekipeve të turneut që vazhdojnë në turin tjetër.

DOKUMENTI/ Udhëzimi i Nokës për strukturat e PD-së: “Pastroni” listën e anëtarësisë

By: Fax Web
20 January 2026 at 20:50

Përveç “Foltoreve” dhe Protestës Kombëtare të 24 Janarit, Partia Demokratike mesa duket po punon edhe zgjedhjet e brendshme brenda selisë blu.

Për këtë arsye, Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka ka shpërndarë në degë një udhëzim ku kërkohet përditësimi i listave të anëtarësisë.

Në dokument udhëzohen Degët e PD të angazhohen me këtë proces ndërsa renditen edhe kriteret që duhet të plotësojë një anëtar.

Udhëzimi parashikon ndarjen e anëtarëve në kategori të veçanta:

– ata që janë zhvendosur brenda territorit të Shqipërisë, ata që ndodhen në emigracion,

– individët që nuk duan të angazhohen,

– rastet për të cilat nuk ka informacion.

Ndër të tjera, në udhëzim nënvijëzohet se nuk do të konsiderohen anëtarë aktivë të PD-së ata që kanë vepruar kundër interesave të partisë në fushata zgjedhore, kanë mbajtur qëndrime publike kundër vijës politike, kanë mbështetur kundërshtarë politikë apo kanë thyer disiplinën e brendshme.

Së fundmi Partia Demokratike është përfshirë në përplasje të brendshme lidhur me garën për kryetarin e partisë.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, është shprehur se ish-deputeti është vetëpërjashtuar nga gara, me argumentin se ka shkelur Statutin e partisë dhe, për rrjedhojë, nuk mund të kandidojë për kryetar të PD-së.

Nga ana tjetër, Salianji e ka kundërshtuar këtë qëndrim, duke theksuar se askush nuk është mbi Kushtetutën e Partisë Demokratike, e cila, sipas tij, është miratuar me votë nga anëtarësia.

Ai ka deklaruar se Statuti i PD-së nuk njeh konceptin e “vetëpërjashtimit” dhe se do të vijojë të përfaqësojë shqetësimet e demokratëve, duke bërë thirrje për bashkim, respekt të rregullave dhe dinjitet brenda partisë.

Zgjedhjet për kreun e ri të PD dhe strukturat drejtuese janë parashikuar të mbahen gjatë muajit prill.

“Një milion o jetë/ Zbardhen bisedat mes policëve që vinin baste: Kam kap 4 sot…

By: Fax Web
20 January 2026 at 20:37

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ekzekutoi sot masat e sigurisë ndaj gjashtë punonjësve të policisë dhe një shtetasi civil, si pjesë e operacionit “Last Bet”, i zhvilluar në rajonet Elbasan dhe Korçë.

Efektivët, duke shfrytëzuar atributet e funksionit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar dhe favorizuar ushtrimin e llotarive të palejuara / basteve sportive.

Ndërkohë, grupi hetimor, në vijim aktit të ekspertimit teknik të celularëve të sekuestruar, janë evidentuar të ruajtura biseda të zhvilluara në aplikacionin e komunikimit “WhatsApp” midis punonjësit të policisë i identifikuar si E.P., dhe R.T., po ashtu punonjës policie, me përmbajtje të organizimit dhe ushtrimit të lojërave të fatit.

Por cilat janë disa prej bisedave mes policëve, të cilët ishin vetë “klientë” të basteve të paligjshme:

Polici me inicialet E.P.: He mo tiger se te thash me vilu dy skedina po i vuna tjeter kund se me vonove

Polici me inicialet R.T: Iken 200 mij lek

Polici me inicialet E.P.: naj ndeshje te sigurt

Polici me inicialet R.T: Argjentina 2/3plus Mexica 2/plus 70 mij lek… mos na ven skedina fituse o boss ta marrim te qet at %

Polici me inicialet E.P.: Un kam lujt nja dy neshje sot mbrapsh kam kap 4 skedina

Polici me inicialet R.T: Jam 3.7 plus… Nuk du me i prek ma

Polici me inicialet E.P.: Jo mos maj shpresa te shefi tpakten deri nga mesi mujit

Polici me inicialet R.T: Ore po hapja user altinit mor vlla e i ban llogarite nfund muji

Polici me inicialet E.P.: jam te i marr borxh 1 milion

Polici me inicialet R.T: ti je pronari nr1

Polici me inicialet E.P.: ej neser duhet me dorzu leket e llotos

Polici me inicialet R.T: zemra

Polici me inicialet E.P.: kshuqe po erdhe te pijm kafe… Thuj te rrije ai ja japim i 5 mij leksh ma shum a 10 ja jap un

Polici me inicialet R.T: thash se neser duhet me shku me ba dorzimet e lekve

Polici me inicialet E.P.: ok se i them un per kte nuk a problem

Polici me inicialet R.T: por per leket e llotos

Polici me inicialet E.P.: A i ka cu?

Polici me inicialet R.T: Iliri

Polici me inicialet E.P.: po

Polici me inicialet R.T: ke edhe ti 1 mili e 50

Polici me inicialet E.P.: 1 miljon o jet

Polici me inicialet R.T: 50shja esht e ktij muji

Polici me inicialet E.P.: 50 jan te mujit

Polici me inicialet R.T: qe kena hy … e i kam leket po i kam than atij shokut qe ia kam marr kur i qova 2.2 milion

Polici me inicialet E.P.: pasneser duhet me qu leket e llotos

Nga sa më sipër ka dyshime se shtetasit E.P dhe R.T, të dy punonjës policie të Policisë së Shtetit, kanë organizuar dhe ushtruar veprimtarinë e kundërligjshme të lojrave të fatit. E.P. ka bashkëpunuar edhe me shtetasin I.T. në kryerjen e veprës penale.

Nesër 15-vjetori i “21 Janarit”, Balla: Shqiptarët dhe familjarët e të rënëve duan drejtësi

By: Fax Web
20 January 2026 at 20:26

Teksa nesër do të përkujtohet 15-vjetori i protestës së “21 Janarit” ku mbetën të vrarë 4 qytetarë, kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, përmes një postimi në rrjetet sociale, shprehet se shqiptarët dhe familjarët e viktimave kërkojnë ende drejtësi.

Shqiptarët dhe familjet e të rënëve të 21 Janarit duan drejtësi! Gjykata e Lartë, në dritën e vendimit historik të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, ka konkluduar me emra të përveçëm:

Asnjëherë nuk është tentuar për të shtrirë hetimet – lidhur me “ngjarjen e 21 janarit” – ku mbeten të vrarë katër demostrues dhe të plagosur dhjetëra të tjerë – nga zjarri i armëve të përdorura nga efektive të Gardës…, përtej nivelit të mirëfilltë ekzekutues të krimit (krimeve) – të sipërcituar (efektivë dhe drejtues të Gardës) – por edhe të paballafaquar minimalisht (në të njëjtën kohë) me indiciet individualizuese – evidentuese të implikimit të nivelit më të lartë drejtues shtetëror – përfshirë Kryeministrin dhe Ministrin e Brendshëm të kohës – përtej atij të mirëfillte ekzekutues – të vëna në dispozicion të organit të procedimit”, shkruan Balla në postimin e tij.

Më 21 janar 2011 humbën jetën Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, para kryeministrisë, në protestën e thirrur nga Partia Socialiste.

Hetimi i parë çoi si të pandehur për ngjarjen Ndrea Prendin dhe Agim Llupon, që u dënua nga apeli me 1 dhe 3 vjet burg për “vrasje nga pakujdesia”.

Hetimi për ngjarjen është tashmë në duart e SPAK.

LEXO EDHEDëshmia për “21 Janarin”/ Kush është personazhi i rëndësishëm që Meta përmendi para SPAK

Eliminim i dyfishtë dhe hyrje të reja, rikthehet për herë të parë…/ Çfarë pritet sot “Big Brother VIP”

By: Fax Web
20 January 2026 at 20:19

Shtëpia është “ndezur” pas nominimit të papritur të Brikenës, për të zëvendësuar Stelinën me Mateon.

Erik, Ina, Keijsi apo Mateo, kush do të largohet mes tyre?

Për herë të parë, rikthehet zinxhiri i shpëtimit… Me një eliminim të dyfishtë dhe hyrje të reja.

Për të zbuluar këto dhe shumë të tjera, ndiqni sot spektaklin e madh në DigitAlb me dy kanalet e dedikuara “Big Brother VIP 1” dhe “Big Brother VIP 2”.

Deklarata e fortë e Trump: Nuk ka kthim mbrapa, Groenlanda është…

By: Fax Web
20 January 2026 at 20:11

Presidenti i SHBA Donald Trump ka bërë një deklaratë të fortë në një konferencë nga Shtëpia e Bardhë.

Ai e cilësoi Groenlandën, territor “të domosdoshëm për sigurinë kombëtare dhe botërore”, raportojnë mediat amerikane.

Ai tha se “nuk ka kthim prapa” në planin e tij për të përfshirë Groenlandën si pjesë të strategjisë amerikane.

Në të njëjtën kohë, presidenti francez Emmanuel Macron dha një paralajmërim të ashpër gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos, duke kunderpërpjekur akumulimin e tarifave nga SHBA, dhe paralajmëroi për një “zhvendosje drejt një bote pa rregulla”.

Macron e quajti “thelbësisht të papranueshëm” përshkallëzimin e tarifave nga ana e Shteteve të Bashkuara, duke theksuar rrezikun për përkeqësimin e marrëdhënieve tregtare ndërkombëtare.

LEXO EDHE“Bordi i Paqes” të enjten në Davos/ Macron kundër, Trump e kërcënon

Tarifat e reja të Trump janë një përgjigje ndaj kundërshtimeve ndërkombëtare për planet e tij lidhur me Groenlandën, dhe mund të thellojnë përçarjen me aleatët tradicionalë të SHBA-së.

Ndërkohë, Parlamenti Evropian ka vendosur të pezullojë miratimin e një marrëveshjeje tregtare me SHBA-në si pasojë e përkeqësimit të debatit mbi Groenlandën dhe politikat e Trump.

LEXO EDHEPërshkallëzim i marrëdhënieve/ PE pritet të pezullojë marrëveshjen për tarifat me SHBA

Përshkallëzim i marrëdhënieve/ PE pritet të pezullojë marrëveshjen për tarifat me SHBA

By: Fax Web
20 January 2026 at 19:39

Parlamenti Evropian po planifikon të pezullojë miratimin e marrëveshjes për tarifat me Shtetet e Bashkuara, të cilën palët e kishin arritur në muajin korrik, sipas burimeve pranë Komitetit të tij për tregtinë ndërkombëtare, shkruan BBC.

Njoftimi i pezullimit pritet të mbahet nesër në Strasburg.

Ky hap do të shënonte një tjetër përshkallëzim të tensioneve mes SHBA dhe Evropës, ndërkohë që presidenti Donald Trump po intensifikon përpjekjet e tij për të blerë Groenlandën, duke kërcënuar me tarifa të reja gjatë fundjavës.

Ky konfrontim ka tronditur tregjet financiare, duke rikthyer frikën për një luftë tregtare dhe mundësinë e hakmarrjes ndaj SHBA-së për masat e saj tregtare.

Aksionet në të dy anët e Atlantikut ranë të martën, me tregjet evropiane që regjistruan humbje për ditën e dytë radhazi dhe tre indekset kryesorë të bursave amerikane, duke u ulur më shumë se 1% gjatë tregtisë në mëngjes.

Në tregun e valutave, dollari amerikan gjithashtu ra ndjeshëm. Euro u rrit 0.8% kundrejt dollarit në 1.1742 dollarë, ndërsa paundi britanik u rrit 0.2% në 1.346 dollarë.

Kostot e huamarrjes u rritën gjithashtu në mbarë botën, pasi shitja më e madhe e titujve afatgjatë të qeverive në muajt e fundit rriti të ardhurat nga obligacionet 30-vjeçare në tregjet e SHBA-së, MB-së dhe Gjermanisë.

Tensionet tregtare midis SHBA-së dhe Evropës ishin lehtësuar që nga marrëveshja e arritur në fushën e golfit të Trump në Turnberry, Skoci, në korrik.

Marrëveshja kishte vendosur tarifa amerikane për mallrat evropiane në 15%, nga 30%. Në këmbim, Evropa kishte rënë dakord të investonte në SHBA dhe të bëjë ndryshime që priteshin të rrisnin eksportet amerikane.

Marrëveshja ende kërkon miratimin e Parlamentit Evropian për t’u bërë zyrtare.

Por të shtunën, brenda pak orësh nga kërcënimi i Trump për tarifa amerikane mbi Groenlandën, Manfred Weber, një anëtar influent gjerman i Parlamentit Evropian, deklaroi se miratimi nuk është i mundur në këtë fazë.

Bashkimi Evropian kishte vendosur në pritje planet për hakmarrje ndaj tarifave amerikane me një paketë që synonte mallra amerikane me vlerë prej 93 miliardë eurosh, ndërsa të dy palët përfundonin detajet.

Por kjo shtyrje skadon më 6 shkurt, që do të thotë se tarifat evropiane do të hyjnë në fuqi më 7 shkurt, nëse blloku nuk kërkon zgjatje ose nuk miraton marrëveshjen e re.

Duke folur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, përsëriti paralajmërimin e tij ndaj liderëve evropianë për hakmarrjen, duke i këshilluar të kenë një mendje të hapur.

“U them të gjithëve, qetësohuni. Merrni një frymë thellë. Mos u hakmerrni. Presidenti do të jetë këtu nesër dhe do të japë mesazhin e tij”, tha ai.

SHBA-ja më parë kishte shprehur pakënaqësi për progresin evropian drejt miratimit të marrëveshjes, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi tarifat e teknologjisë dhe metaleve. SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian me 27 vende janë partnerët tregtarë më të mëdhenj të njëri-tjetrit, me më shumë se 1.6 trilionë euro (1.9 trilionë dollarë) mallra dhe shërbime të shkëmbyera në vitin 2024. Kjo përfaqëson thuajse një të tretën e gjithë tregtisë globale. Kur Trump filloi të shpallte tarifat vitin e kaluar, kjo nxiti kërcënime hakmarrjeje nga shumë liderë politikë, përfshirë edhe në Evropë.

VIDEO/ Ndoqi me sharrë policin në rrugë, dënohet me 10 vite burg shqiptari

By: Fax Web
20 January 2026 at 19:30

32-vjeçari shqiptar, Liridon Kastrati, është dënuar me 10 vjet burg pasi u përpoq të vriste një polic në një qytet të Skocisë më 6 maj 2024, pasi e kishte ndjekur nga pas me sharrë, shkruajnë mediat vendase.

Ngjarja ndodhi pas një aksidenti me makinë, ku Kastrati goditi një automjet policie.
Polici tha në gjykatë se kishte tentuar ta arrestonte, por u detyrua të ikte, pasi Kastrati u kthye, mori sharrën elektrike dhe filloi ta ndiqte duke fyer policin.

 

Gjyqtari e përshkroi sulmin si “të tmerrshëm dhe të shëmtuar”, duke thënë se përdorimi i sharrës si armë është i paparë në gjykatat skoceze dhe se veprimet e Kastratit kërkonin një dënim të rëndë.

Gjatë shpalljes së dënimit, Kastrati u zemërua, goditi tavolinën e gjykatësit dhe e ofendoi duke e quajtur “terrorist” para se të shoqërohej nga rojet.

Polici i sulmuar është rikthyer në punë dhe kolegët e tij u përgëzuan për “guxim dhe profesionalizëm ekstrem”.

Avokati i mbrojtjes argumentoi se Kastrati mjetin prerës e kishte për të pastruar oborrin e tij dhe veproi në mënyrë spontane pas aksidentit, duke shtuar se Kastrati ishte penduar.

Foltorja, Berisha: OKB i shikon shqiptarët si një komb në zhdukje

By: Fax Web
20 January 2026 at 19:20

Foltorja e demokratëve u ndal këtë të martë në Njësinë 4, Tiranë, ku kreu i PD-së, Sali Berisha, ka mbajtur një bashkëbisedim me simpatizantët e pranishëm.

Berisha u ndal fillimisht te emigrimi i të rinjve në vend, duke u shprehur se “OKB i shikon shqiptarët si një komb në zhdukje”.

“Miq, nga viti 2014 gjer në vitin 2023, vetëm në hapësirën europiane, në Schengen, kanë emigruar 1 milion e 100 mijë shqiptarë. Nga të cilët rreth 700 mijë të rinj. Pra, rriten në Shqipëri, por ëndrrën shqiptare nuk e ndërtojnë dot në Shqipëri. Marrin rrugët e Europës, rrugët e botës për të ndërtuar ëndrrën e tyre. Dhe ne pakësohemi, pakësohemi, pakësohemi. Në çfarë shkalle? Pakësohemi në atë shkallë, saqë të gjithë, nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe çdo institut tjetër që merret me demografinë, shqiptarët i shikon si një komb në zhdukje. Si një komb që sot kanë lindur atë numër fëmijësh që lindnin 100 vite më parë. Kur ata ishin në regjistra 700 mijë. Shqiptarët nga viti 2018 gjer sot, humbasin, mijëra e mijëra qytetarë ndahen nga jeta më shumë sesa lindin“, tha ai.

Berisha u shpreh gjithashtu se vendi është boshatisur këtë 10-vjeçar të fundit si pasojë e humbjes së shpresës.

Siç tha kreu i PD-së, të paktën 49% e Shqipërisë, është “buzë varfërisë”.

“Në 10 vite, si kurrë dhe si asnjë vend tjetër, jemi plakur 10 vjet. Mosha mesatare jonë është rritur 10 vjet. Në 10 vite, vendi pra u boshatis nga shpresa. Por në qoftë se në 2013-ën ne ishim njerëzit më të paguar, pak merrnim, nuk merrnim shumë, po më të paguar ishim se të gjithë këta që janë përreth nesh, përveç grekëve. Më të paguar se dhe bullgarët dhe rumunët. Sot jemi më të keqpaguarit. Sot 49% e jona është buzë varfërie ose në varfëri“.

“Bordi i Paqes” të enjten në Davos/ Macron kundër, Trump e kërcënon

By: Fax Web
20 January 2026 at 16:36

“Bordi i Paqes” i Donald Trump pritet të jetë në qendër të vëmendjes edhe në samitin e Davosit në Zvicër.

Presidenti amerikan synon që të enjtën e 22 janarit të nënshkruhet statuti dhe mandati i plotë i strukturës ndërkombëtare.

Në një ftesë thuhet se ceremonia do të mbahet gjate samitit ekonomik, ndërsa në një dokument tjetër theksohet se Trump do të jetë në krye të bordit dhe një pasardhës mund të zgjidhet vetëm nëse presidenti amerikan largohet vullnetarisht.

Ftesa për pjesëmarrje në këtë mekanizëm të madh ndërkombëtar u ka shkuar shumë shteteve, mes tyre edhe Shqiëpria. Megjithatë duket se jo të gjithë janë gati të pranojnë.

LEXO EDHE: Rama i përgjigjet ftesës së Trump për Bordin e Paqes: Privilegj dhe nder të shpreh gatishmërinë time për…

Më herët u raportua në media se Emmanuel Macron kishte kundërshtuar pjesëmarrjen e Francës në Bordin e Paqes.

Mirëpo kur u pyet nga gazetarët, Donald Trump dha një mesazh të qartë për homologun e tij francez.

“Askush nuk e do Macron sepse ai do të largohet nga detyra shumë shpejt, kështu që nuk ka shumë rëndësi. Do të vendos një tarifë prej 200% për verërat dhe shampanjat e tij dhe ai do të bashkohet, por nuk është I detyruar.  Siç e dini, ai do të largohet nga detyra pas disa muajsh”, u shpreh Trump

Ftesa e Donald Trump për “Bordin e Paqes” është kundërshtuar edhe nga krerë të tjerë shtetesh, ku ndër të tjera thuhet se kjo nismë shkel kartën e OKB-së.

Trump ka qenë një kritik i vazhdueshëm i Kombeve të Bashkuara dhe së fundmi ka njoftuar tërheqjen e SHBA-së nga 66 organizata dhe traktate ndërkombëtare, gjysma e të cilave lidhen me OKB-në.

Kujtojmë se, anëtarësimi në Bord do të jetë i kufizuar vetëm për shtetet e ftuara nga kryetari, ndërsa Trump do të ketë të drejtën edhe të përjashtojë vende anëtare, përveç rasteve kur dy të tretat e anëtarëve vendosin veto.

Nga ajo çfarë dihet deri tani, Trump ka emëruar si anëtarë të “Bordit të Paqes” Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, ish-kryeministrin britanik Tony Blair, negociatorin Steve Witkoff dhe dhëndrin e tij, Jared Kushner.

Ndërkohë, Izraeli ka shprehur kundërshtime ndaj përbërjes së “bordit ekzekutiv për Gazën”, i cili përfshin ministrin e Jashtëm të Turqisë, Hakan Fidan, dhe diplomatin nga Katari, Ali Al-Thawadi.

Sot seanca në Kushtetuese për pagat e gjyqtarëve, reagon Rama: Farsë! I vetmi vend në botë ku…

By: Fax Web
20 January 2026 at 16:29

Kryeministri Edi Rama reagon lidhur me seancën në Gjykatën Kushtetuese ku po shqyrtohet paga e gjyqtarëve.

Përmes një postimi në “X”, kreu i qeverisë shprehet se, po synohet që Shqipëria të jetë i vetmi vend në botë ku gjykatësit paguhen më shumë se kushdo tjetër, duke marrë kompetencat kushtetuese të qeverisë e të parlamentit për politikën e pagave.

Postimi i plotë i Edi Ramës: 

Sot Gjykata Kushtetuese po zhvillon (fatkeqësisht pa transmetim direkt për shkaqe teknike) farsën më të shëmtuar të imagjinueshme, e cila i është imponuar nga dy shoqata gjyqtarësh, të cilët duan të rrisin rrogat e tyre me gjyq, duke thyer piramidën shtetërore të pagave, ndërkohë që janë kategoria më e lartpaguar në Shqipëri, si rezultat i mbështetjes që kjo shumicë qeverisëse i dha për hir të Reformës në Drejtësi pushtetit gjyqësor! 

Tani këta duan që në përjetësi t’u jepet e drejta ta rrisin vetë rrogën sa herë rriten pagat e tjera, pra Shqipëria të jetë përgjithmonë i vetmi vend në botë ku gjykatësit paguhen më shumë se sa çdokush tjetër duke marrë kompetencat kushtetuese të qeverisë e të parlamentit për politikën e pagave – ky është një skandal logjik, moral, ligjor dhe kushtetues, të cilin uroj që Gjykata Kushtetuese të mos e lejojë kurrësesi të kthehet në një turp kombëtar! 

Respekte për SPAK-un që nuk iu bashkua kësaj marrëbabëzie në emër të pavarësisë së gjyqësorit.

Proda mirëpret Kuestorin e Romës: Të vendosur për të luftuar krimin e organizuar

By: Fax Web
20 January 2026 at 16:28

Mesditën e sotme, Kuestori i Romës, Roberto Massucci, së bashku me delegacionin që e shoqëronte, zhvilloi një vizitë kortezie në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku u prit nga Drejtori i Përgjithshëm Ilir Proda, dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.

Gjatë takimit, Massucci falenderoi Prodën për pritjen, dhe vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë që ekziston mes dy policive.

Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit siguroi Kuestorin e Romës se Policia e Shtetit është e vendosur të bashkëpunojë ngushtësisht me partnerët italianë dhe ata ndërkombëtarë.

Ai theksoi se bashkëpunimi me Policinë italiane përbën një shembull shumë të mirë, përmes shkëmbimit të informacionit, krijimit të skuadrave të përbashkëta hetimore dhe operacionale, si dhe realizimit të trajnimeve dhe shkëmbimit të eksperiencave.

Gjatë takimit u shkëmbyen gjithashtu eksperienca mbi menaxhimin e situatave të ndryshme, u vlerësua roli dhe mbështetja e ambasadës italiane në Tiranë, si dhe u dakordësua forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve, përfshirë zgjerimin e bashkëpunimit edhe me Kuesturën e Romës.

Vrau burrin e ish-të dashurës/ Rrëfehet “molla e sherrit”: Më kërcënonte, kisha frikë për jetën

By: Fax Web
20 January 2026 at 16:23

Autori i vrasjes së kryetarit 50-vjeçar të komunitetit të Lithovouni, në Aitoloakarnania, shtetas shqiptar, pritet të kërkojë falje para autoriteteve nesër, ndërsa hetimet po nxjerrin në dritë të dhëna të reja që hedhin dritë mbi motivin e krimit që ka tronditur zonën.

Sipas emisionit investigativ “Zbulesa”, bashkëshortja e viktimës ka dëshmuar se burri i saj e kishte kërcënuar me vdekje.

Në një deklaratë ajo është shprehur se kishte frikë për jetën e saj dhe për atë të autorit të krimit, me të cilin dyshohet se kishte një lidhje të fshehtë.

“Jam e shokuar. Kostas më ka kërcënuar vazhdimisht kohët e fundit se do të më vriste, edhe mua edhe autorin. Kisha frikë për jetën time dhe për jetën e tij. Më intereson mbi të gjitha shëndeti mendor i fëmijës tim,” ka deklaruar ajo, duke shprehur gjithashtu keqardhje për humbjen e 50-vjeçarit.

Një banor i fshatit, duke folur në emisionin “Të vërteta me Zinën”, pohoi se kishte këshilluar viktimën që në fillim “ta linte situatën dhe të largohej”, duke lënë të kuptohet për tensione të vazhdueshme mes palëve.

Funeral me masa të rrepta sigurie

Funerali i Kostas Alexandris, i vrarë të shtunën më 17 janar, u mbajt të martën në mëngjes në Kishën e Agios Dimitrios në Lithovouni, mes një atmosfere të rëndë emocionale. Të afërm, miq dhe bashkëfshatarë i dhanë lamtumirën e fundit babait të një fëmije të mitur dhe drejtuesit të Bashkësisë Vendore.

Sipas sinidisi.gr, figura më tragjike e ceremonisë ishte djali i tij 13-vjeçar, i cili qëndroi pranë nënës dhe xhaxhait të tij. Dhimbje e madhe u pa edhe te nëna e viktimës. Kurora nderimi u dërguan, mes të tjerëve, nga zëvendësministri i Punës Kostas Karagounis, kryetari i Bashkisë Agrinio Giorgos Papanastasiou, Këshilli Bashkiak i Agrinio-s dhe institucione të tjera lokale.

Detajet e krimit

Sipas të dhënave paraprake, autori 44-vjeçar, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, i kishte ngritur pritë viktimës dhe e kishte qëlluar tre herë me armë zjarri, teksa 51-vjeçari po kalonte me automjetin e tij. Nga të shtënat, viktima humbi kontrollin e makinës, e cila përfundoi në një fushë të zonës. Gjatë kontrollit në vendngjarje, policia konstatoi se viktima u gjet me fytyrën poshtë në sediljen e pasagjerit, ndërsa brenda automjetit u gjet edhe një pushkë gjahu, fakt që tregon se ai ishte i armatosur.

Pak orë pas krimit, autori kontaktoi vetë policinë dhe kërkoi të dorëzohej, duke deklaruar: “Ejani të më merrni nga shtëpia, unë e vrava”, ndërsa gjatë arrestimit dorëzoi edhe armën e krimit. Avokati i tij mbrojtës, Christos Tsiboukis, ka deklaruar se “90% e asaj që është dëgjuar dhe shkruar për çështjen është e pabazuar”, por ka pranuar se roli i bashkëshortes së viktimës është kyç në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Sipas burimeve hetimore, motivi kryesor dyshohet të ketë qenë rivaliteti romantik.

Frikë nga hakmarrja

Në zonë janë vendosur masa të shtuara sigurie, me prani të forcave policore dhe efektivëve të OPKE-së, të cilët ruajnë shtëpitë e të dy familjeve, për të shmangur çdo akt hakmarrjeje. Autoritetet raportojnë se tensioni mbetet i lartë në fshatrat përreth, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e krimit.

“Gjoka”, PD kërkesë SPAK: PD i drejtohet SPAK: Hetoni pa vonesa, rrezikohet interesi publik dhe sistemi i drejtësisë

By: Fax Web
20 January 2026 at 16:14

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i është drejtuar zyrtarisht Prokurorisë së Posaçme duke kërkuar përfundimin pa vonesa të hetimit ndaj gjyqtares së Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka, pas konfirmimit nga Prokuroria e Përgjithshme se ajo rezulton e dënuar në Greqi dhe se këtë fakt e ka fshehur në formularët e vetëdeklarimit.

Sipas opozitës, zvarritja e hetimit po cenon rëndë parimin e barazisë para ligjit, integritetin e sistemit të drejtësisë dhe interesat financiare të shtetit shqiptar.

DEKLARATA E PD:

“Pasi Prokuroria e Përgjithshme konfirmoi sot se gjyqtarja e Gjykatës së Posacme Irena Gjoka rezulton e dënuar në shtetin grek dhe një fakt të tillë e ka fshehur në formularët e vetdeklarimit, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka kërkuar Prokurorisë së Posacme, përfundimin pa vonesa të hetimit të saj për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve zyrtare.

Në shkresën e firmosur në emër të opozitës, nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Pd, Gazment Bardhi, thesohet se“përmes këtij konfirmimi të autoriteteve përgjegjëse rezulton se gjyqtarja Irena Gjoka, ndodhet në kushtet e papajtueshmërisë me funksionin kushtetues të gjyqtarit, në kuptim të nenit 6/1 të Kushtetutës, ligjit nr. 95/2016 dhe ligjit nr. 96/2016, si dhe ka fallsifikuar aktet, duke kryer një tjetër krim, në mënyrë të përsëritur, për shkak të mosdeklarimit të urdhër dëbimeve dhe vendimit gjyqësor të dënimit. Është e pashpjegueshme sesi ende sot Prokuroria e Posaçme zvarrit hetimin për këtë rast, duke vijuar devijimin nga parimi i barazisë përpara ligjit dhe duke lejuar vijimin e gjendjes së paligjshmërisë në sistemin gjyqësor.”

Deputetët e opozitës në Kuvendin e Shqipërisë, shprehin shqetësimin e thellë, për mosveprimin në kohë të Prokurorisë së Posaçme, që po sjell pasoja të rënda dhe të parikuperueshme në sistemin gjyqësor. “Cenimi i parimit të “gjykatës së caktuar me ligj”, është shkak i mjaftueshëm kushtetues për të cënuar çdo vendimmarrje të saj si gjyqtare në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar. Kjo ka pasoja të rënda për vetë sistemin e drejtësisë, për vetë punën e Prokurorisë së Posaçme, por mund të shkaktojë edhe pasoja të rënda financiare për shtetin shqiptar. Ky rast cenon edhe besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë dhe krijon pasiguri mbi vendimmarrjet e sistemit gjyqësor, duke cenuar integritetin e të gjithë sistemit.”- thuhet në letrën e firmosur nga Gazment Bardhi.

Në përfundim, opozita thekson se “Për këtë arsye, duke respektuar parimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe duke shmangur çdo ndërhyrje në çështje konkrete në hetim apo në punën e Prokurorisë së Posaçme, ne deputetët e opozitës në Kuvend, në përputhje me parimin e ndarjes dhe të balancimit të pushteteve, parimit të shtetit ligjor, dhe të përgjegjësisë sonë si deputetë për të mbrojtur interesin e shtetit shqiptar, kushtetutshmërinë dhe ligjshmërisë në sistemin gjyqësor, kërkojmë nga ana e Prokurorisë së Posaçme që të veprojë në kohë, pa vonesa të mëtejshme, me paanësi dhe në përputhje me parimin e barazisë përpara ligjit, për hetimin brenda një afati të arsyeshëm të këtij rast. Çdo vonesë nga ana juaj për përgjegjësinë penale apo nga organet e tjera kushtetuese për përgjegjësinë administrative, shkakon pasoja të rënda për interesin publik, për vetë sistemin e drejtësisë dhe për interesat financiare të shtetit shqiptar”.

LEXO EDHE: Skandal në drejtësi: Gjyqtarja Irena Gjoka nuk deklaroi dënimin në Greqi

❌
❌