Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 21 January 2026FaxWeb

Drejtësi e munguar për 21 Janarin”/ Rama: Edhe SPAK-u bëri sikur kjo çështje nuk ekziston, prokurorët i paguajmë më shumë sesa Presidentin

By: Fax Web
21 January 2026 at 10:54

“Pas disa orësh që turma e zvogëluar nisi të shpërndahej, tytat e pushkëve u drejtuan drejt trupave të protestuesve dhe morën 4 jetë të pafajshme, duke plagosur edhe protestues të tjerë. Pasojë fatale e mendjes kriminale e cila tregoi se të vriste me të vërtetë. Dreqi e di çfarë u tha mendja atyre që urdhëruan dhe kryen krimin shtetëror.

Është një gur që bëhet gjithnjë e më i madh dhe më tregon sesa më i madh bëhet në çdo 21 janar, zhgënjimi juaj të dashur familjarë dhe pengu juaj për mosardhjen e drejtësisë. 15 vite pa drejtësi.

Për ju familjarët e dëshmorëve të 21 janarit, 15 vitet e këtij boshllëku janë sa një jetë e tërë e jetuar në ankth dhe poshtërim. Atyre që janë nën dhe, nuk u ka ardhur koha të prehen të qetë. As përmbysja e sistemit të vjetër, as rënia e kultit të pandëshkueshmërisë të individëve të veshur me pushtet politik, nuk ka mjaftuar për ta zhdukur hijen e padrejtësisë së 21 janarit. Nuk ka mjaftuar as vendimi rrëqethës i gjykatës së Strasburgut, që prokurorët special t’ja kishin kërkuar gjykatës speciale drejtësinë. Në emër të drejtësisë së barabartë për të gjithë, prej plot 6 vjetësh ne u bëjmë veç duvara dhe hosanara dhe u paguajmë rroga ku e ku më të larta sesa vetja dhe presidentit, pa llogaritur justifikimin e gabimeve të tyre, ndonjëherë shqetësuese, si gabimet e një institucioni të ri.

Halli është sesa herë vjen kjo ditë tragjike. Vijnë mbi kurrizin tonë dhe gurët e mllefit dhe shumëkujt në këtë vend që ndihet i tradhtuar dhe i përdorur në besimin e vet te drejtësia e re. Unë ndihem i zbrazët në shpirt dhe i dobët në pozitë kur shoh sesi kaloi dhe një vit tjetër dhe 21 janari erdhi me padrejtësinë mbi shpinë”-u shpreh Rama.

“Edhe me orvatjen për të gjetur ngushëllim te historia e botës demokratike të krimeve shtetërore, nuk e kam menduar që reforma për drejtësi, për të cilën 21 Janari ka qenë një prej burimeve të energjisë sonë, për ta çuar përpara këtë reformë dhe pastaj strukturat speciale, nuk do të ngrinin asnjë akuzë të vërtetë për 21 Janarin, as pas 15 vjetësh nga vrasjet mizore në bulevardin kryesor të Shqipërisë. Fatkeqësisht për vite me radhë, edhe vetë SPAK bëri sikur kjo çështje nuk ekziston.

Kur i  është dashur SPAK-ut ka hetuar dhe ka ngritur akuza edhe me një letër anonime, duke mbajtur peng punë me interes shtetëror dhe punonjës shteti. Ishte i paepuri Mark Nika, ungji i të ndjerit Aleks Nika që e çoi çështjen deri në Strasburg”-shtoi Rama.

Rama: Drejtësia për “21 Janarin”, themel moral për drejtësinë e re!

By: Fax Web
21 January 2026 at 10:52

Kreu i qeverisë Edi Rama ka mbajtur një fjalim në ceremoninë përkujtimore të zhvilluar në Kryeministri, në 15-vjetrorin e 21 Janarit 2011 ku humbën jetën katër protestues.

Në fjalën e tij Rama theksoi nevojën që për këtë çështje të bëhet drejtësi, ndërsa ka kritikuar vonesat në zbardhjen e ngjarjes.

 

Sipas tij fajtorët e vërtetë për tragjedinë dhe krimin shtetëror enden të lirë. “Drejtësia për 21 janarin është themel moral për drejtësinë e re dhe shtetin shqiptar të së drejtës. Të tjerat para 21 janarit siç e tha dhe Marku kur po pinim kafen së bashku dhe po e shtoj në fund të fjalimit, janë si hetimet dhe gjyqi i kafeve të Nexhmijes”, tha ai.

 

Ftesa e Presidentit Trump për Kosovën në Bordin e Paqes, Rama uron Osmanin: Forcon marrëdhëniet e Amerikës me popullin shqiptar

By: Fax Web
21 January 2026 at 10:52

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar me një mesazh urimi për Presidenten Vjosa Osmani, pas ftesës që Kosova ka marrë për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një iniciativë të nisur nga Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.

Rama e ka vlerësuar këtë ftesë si një “gjest tejet domethënës” nga ana e Presidentit amerikan dhe një mundësi për të forcuar më tej marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama shkruan:

“Urime zonja Presidente, e dashur Vjosa, për marrjen e ftesës për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një gjest tejet domethënës i Presidentit Trump ndaj Kosovës, që forcon më tej marrëdhënien e Amerikës mike me popullin shqiptar, por që edhe jep një sinjal domethënës për sigurinë e përkatësinë e Kosovës në hapësirën e interesit të gjerë amerikan në botë.”

Edhe njëherë urime dhe dua të besoj se faktorët politikë të Kosovës, do ta çmojnë këtë dorë të shtrirë nga Presidenti i SHBA, si një gjest që nuk është aspak pa lidhje edhe me respektin për ty personalisht e për rolin tënd ndërkombëtarisht.”

Theu masën e arrestit në shtëpi dhe përndoqi ish-bashkëjetuesen, arrestohet 39-vjeçari në Lezhë

By: Fax Web
21 January 2026 at 10:48

Policia e Lezhës ka arrestuar një 39-vjeçar, A. A., i cili ndodhej nën masën e sigurimit “Arrest në shtëpi” për përndjekje ndaj ish-bashkëjetueses së tij.

Ai akuzohet se ka vazhduar të përndiqte të njëjtën shtetase, ndonëse ishte i pajisur me një urdhër mbrojtjeje ndaj tij.

I arrestuar në ambientet e një lokali, 39-vjeçari  u kap pas një kallëzimi të bërë nga ish-bashkëjetuesja, e cila kishte raportuar përndjekjen e vazhdueshme. Kjo ndihmoi që të organizohej një operacion i shpejtë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë dhe specialistët e Seksionit të Mbështetjes Operacionale.

Gjatë arrestimit, në automjetin e tij u gjet dhe u sekuestrua një shufër hekuri, si dhe celulari dhe automjeti i tij, të cilat do të shërbejnë si prova materiale në hetimin e mëtejshëm.

Mbesa e Ziver Veizit: Plaga e 21 janarit nuk është vetëm e familjes sonë, por e të gjithë shoqërisë shqiptare

By: Fax Web
21 January 2026 at 10:47

“Plaga e 21 janarit nuk është vetëm e familjes sonë, por e të gjithë shoqërisë shqiptare”, kështu u shpreh Zamira Veizi, mbesa e Ziver Veizit i cili humbi jetën në protestën që u zhvillua 15 vjet më parë në kryeqytet.

Kjo deklaratë erdhi në kuadër të homazheve të cilat u kryen në vendlindjen e të ndjerit ku të pranishëm ishin familjarë, miq si dhe drejtues të pushtetit vendor.

Sot bëhen 15 vite nga krimi shtetëror, familjarët presin ende drejtësi.

Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, janë katër protestuesit e vrarë 15 vite më parë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Në korrik të 2024 Prokuroria e Posaçme (SPAK) nisi zyrtarisht hetimet për 21 Janarin, pasi Gjykata e Strasburgut urdhëroi Strukturën e Posaçme të hetonte kallëzimin e bërë nga Rajmonda Nika, bashkëshortja e Aleks Nikës, ndaj Sali Berishës, ish-kryeministër, Lulzim Bashës, ish-ministër i Brendshëm dhe Ndrea Prendit, ish-kreu i Gardës së Republikës.

Gjykata e Strasburgut e ka cilësuar vrasjen e katër protestuesve si “krim shtetëror që duhej zbardhur”.

I dënuar për ‘trafik narkotikësh’ dhe pjesë e një organizatë kriminale, Prokuroria e Vlorës sekuestron 400 mijë euro pasuri të një personi

By: Fax Web
21 January 2026 at 10:39

Njoftimi:

Nuk justifikohen nga të ardhura të ligjshme, Prokuroria e Vlorës sekuestron pasuritë e shtetasit A.Rr. i dënuar më parë për ‘trafik narkotikësh’ e ‘organizatë kriminale’

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, u sekuestruan pasuritë e shtetasit A.Rr. dhe familjarëve të tij, nën hetim për veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.

Në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr.1125 të vitit 2020, rezultoi se shtetasi A.Rr., i dënuar më parë për ‘Trafik të lëndëve narkotike’ dhe ‘Organizatë krimiale’, nuk justifikonte pasuritë e krijuara, për të cilat Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Vlorë kërkoi sekuestrimin si më poshtë:

a. Pasuria e llojit “apartament” me nr.pasurie 29/519+2-2, me sip.67 m2, Vlorë, në zotërim të shtetasit B.B dhe A.Rr;
b. Pasuria e llojit “apartament” me nr.29/599+1-22, me sip.73 m2, Vlorë, në zotërim të shtetasve A.Rr dhe B.B;
c. Pasuria e llojit “apartament” me nr.113/34+2-20, me sip.68.8 m2, ZK 3292, Tiranë, në zotërim të shtetases B.B;
d. Pasuria e llojit ‘njësi’ me nr. 12/417-N4 ZK 8602, Vlorë, me sip. 27 m2, në zotërim të shtetasit A.Rr;
e. Pasuria e luajtshme automjet marka “Toyota Corolla” viti 2020, në zotërim të shtetases B.B;
f. Pasuria e luajtshme automjet marka “Volvo XC 60” viti 2020, në zotërim të shtetases B.B; si dhe
g. Pasuria e luajtshme automjet marka “Mercedes benz GLA” viti 2016, në zotërim të shtetases S.Rr.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë pranoi kërkesën e organit të akuzës, duke caktuar masën e sigurimit pasuror sekuestro preventive për pasuritë e mësipërme të paluajtshme në vlerë totale 400.000 euro.

“Nuk kërkojmë hakmarrje, por drejtësi”/ Xhaxhai i Aleks Nikës: Kemi besim te SPAK dhe Gjykata e Strasburgut

By: Fax Web
21 January 2026 at 10:36

Xhaxhai i Aleks Nikës, një nga protestuesit e vrarë në demonstratën e 21 janarit, u shpreh se thirrja për drejtësi vazhdon.

Mark Nika shtoi se familjarët e viktimave kërkojnë drejtësi dhe besojnë te SPAK-u dhe Gjykata e Strasburgut.

“Unë kam ardhur këtu, si çdo vit për shpirtin e Aleksit, nipit tim, ashtu edhe familjarët e tjerë. Shpresoj që ambasadorët e vendeve aleate të na dëgjojnë. Ata na kanë premtuar që do na mbështesin në thirrjen tonë për drejtësi. Nuk kërkojmë hakmarrje, por drejtësi. Përgjegjësia nuk mund të harrohet. Ne qëndrojmë me besim te SPAK-u dhe Gjykata e Strasburgut për drejtës”, tha Mark Nika.

Fyeu Adriatik Lapajn, GJKKO dënon me 300 mijë lekë gjobë Agron Shehajn

By: Fax Web
21 January 2026 at 10:35

Adriatik Lapaj e ka paditur Agron Shehajn për shpifje lidhur me një deklaratë që ky i fundit bëri duke pretenduar për lidhje të Lapajt me eksponentë të botës së krimit.

Gjykata e Posaçme dënoi këtë të mërkurë me 300 mijë lekë (të reja) gjobë Agron Shehajn, kreun e partisë “Mundësia”. Dënimi u vendos për fyerjen e kreut të ‘Shqipëria Bëhet’  Adriatik Lapaj, ndërsa u shpall i pafajshëm për Shpifje.

Adriatik Lapaj e ka paditur Agron Shehajn për shpifje lidhur me një deklaratë që ky i fundit bëri duke pretenduar për lidhje të Lapajt me eksponentë të botës së krimit.

Shehaj e akuzoi Lapajn se kishte marrë 45 milionë lekë nga kompania “Merkaj 3 shpk”, e sekuestruar nga SPAK pasi përdorej për të pastruar paratë e grupit kriminal të  “Çopjave”.

Ai mohoi akuzat duke thënë se paratë nuk i kishte marrë dhe ishin thjesht detyrime ndaj shërbimeve si avokat ndaj kompanisë në fjalë.

15 vite nga “21 Janari”, Rama:Protestuesit nuk kishin asnjë armë me vete

By: Fax Web
21 January 2026 at 10:03

Kjo e mërkurë shënon 15 vite nga protesta e 21 Janarit në bulevardin “Dëshmorë e Kombit” në Tiranë, ku mbetën të vrarë katër qytetarë.

Në Kryeministri u mbajt ceremonia e homazheve, ku fjalën e mori kreu i qeverisë, Edi Rama, i cili kujtoi rrjedhjen e protestës.

Ai u shpreh se asnjë protestues nuk kishte armë me vete, ndërsa shtoi se mbi ta u hodh gaz lotsjellës nga një autoblindë, teksa qytetarët ishin duke u mbledhur për tubim.

Kujtoj se bashkë me Pandeli Majkon dhe disa të tjerë po kalonim urën e bulevardit për të ardhur këtu, një autoblind u shfaq dhe një valë gazi lotsjellës u lëshua mbi kokat e njerëzve pa nisur ende protesta, duke na zmbrapsur nga parku Rinia. Kjo e ktheu protestën në një lëmsh kaotik, duke na detyruar të ktheheshim në selinë e partisë.

Protesta doli jashtë kontrollit. Vatrat e zjarrit u ndezën, protestuesit nuk tentuan të kapërcenin gardhin e godinës së Kryeministrisë, veç një veturë që u filmua duke hyrë në portën anësore të hekurit. Askush nga protestuesit nuk bëri përpjekje për të shkelur perimetrin e sigurisë dhe të futej brenda në godinë. Asnjë pamje filmike nuk nxori në pah praninë e një arme në radhët e protestuesve“, u shpreh Rama.

Rama kujton ‘21 Janarin’ dhe sulmon Berishën: Lëshoi kushtrimin me përgjigje me plumb ballit ndaj protestës së opozitës!

By: Fax Web
21 January 2026 at 10:00

Kryeministri Edi Rama nga Kryeministria, atje ku po mbahet një aktivitet përkujtimor për 4 protestuesit e vrarë në protestën e 21 janarit, nuk u kurse për të sulmuar paraardhësin e tij, Sali Berishën që asokohe ishte në krye të qeveris. Ai tha se Kryeministri i asaj kohe lëshoi kushtrimin me përgjigje me plumb ballit ndaj opozitës.

“15 vite më parë, këtu në këtë godinë ishte barikaduar një hordhi e armatosur, përzierje e trupës së rregullt të Gardës dhe çetave paramilitare të Kryeministrit. Godina ishte përforcuar me tela me gjemba, të shtrira gjithandej pas atij gardhi të shëmtuar hekuri që rrethonte Kryeministrinë, pas sulmit të armatosur të vitit 1998. Njeriu i futur nga populli në zyrën e kryeministrit për të udhëhequr Shqipërinë, kishte lëshuar kushtrimin për përgjigje me plumb balli ndaj protestës së opozitës së bashkuar të kohës.”, tha ai.

Rama për “21 janarin”: Katër të vrarë nuk prehen ende në paqe, drejtësia i ngjan një breshke që lutet për harresë

By: Fax Web
21 January 2026 at 08:50

Kryeministri Edi Rama ka përkujtuar ngjarjen e “21 janarin” ku në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë kryeministrisë mbetën të vrarë katër protestues.

Rama shprehet në një postim në rrjetet sociale se “15 vite më parë ndodhi një krim shtetëror i pashembullt në historinë e demokracisë së re shqiptare”.

Kreu i qeverisë thekson se “katër të vrarë ende nuk prehen dot në paqe dhe drejtësia i ngjan një breshke që lutet për harresë”.

Rama shpreh bindjen se “sado të vonojë drejtësia për 21 janarin nuk do të harrojë”.

Më 21 Janar të vitit 2011 gjatë protestës së PS-së, humbën jetën Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedja, të cilët 10 vite më vonë u shpallën “Dëshmorë të Atdheut”.

Gjykata e Lartë ka vendosur në mars të 2024-ës që dosja e “21 janarit” të hetohet nga SPAK duke pranuar kërkesën e familjarëve të viktimave.

Sot shënohen 15 vite nga “21 Janari”, çështja në rihetim nga SPAK

By: Fax Web
21 January 2026 at 08:47

Sot shënohen 15 vite nga 21 janari 2011, kur gjatë një proteste të Partisë Socialiste, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë, u vranë katër protestues.

Gjatë protestës u vranë Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda. Katër viktimat e 21 Janarit 2011 u shpallën Dëshmorë të Atdheut.

Në korrik të vitit 2024 Prokuroria e Posaçme (SPAK) rinisi zyrtarisht hetimet për 21 Janarin, pasi Gjykata e Strasburgut urdhëroi Strukturën e Posaçme të hetonte kallëzimin e bërë nga Rajmonda Nika, bashkëshortja e Aleks Nikës, ndaj Sali Berishës, ish-kryeministër, Lulzim Bashës, ish-ministër i Brendshëm dhe Ndrea Prendit, ish-kreu i Gardës së Republikës.

Gjykata e Strasburgut e ka cilësuar vrasjen e katër protestuesve si “krim shtetëror që duhej zbardhur”.

Drejtues të Partisë Socialiste kanë kërkuar zbatimin e vendimit të GJEDNJ-së për ngjarjen e “21 janarit”. Disa ditë më parë në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, kreu i grupit Taulant Balla vuri në dukje se presin nga drejtësia, veçanërisht nga Prokuroria e Posaçme, zbatimin e vendimeve të GJEDNJ-së dhe Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, lidhur me plot aspekte të asaj ngjarjeje.

“Ne nuk kemi hyrë asnjëherë në meritën apo përmbajtjen e dosjeve penale, por Kuvendi i Shqipërisë ka përgjegjësi në kontrollin e zbatimit të vendimeve të GJEDNJ-së bashkë me Ministrinë e Drejtësisë”, theksoi Balla.

Champions League/ Reali luan tenis, Arsenali mposht Interin në “San Siro”

By: Fax Web
20 January 2026 at 23:12

Real Madrid u është kthyer fitoreve bindëse në Champions League.

Skuadra e Arbeloas ka triumfuar me shifrat 6-1 përballë Monacos.

Protagonisti i mbrëmjes ishte Mbappe me dy gola, por sidomos Vinicius Jr.

Braziliani dha dy asiste, bëri që miqtë të shkaktonin autogol e pastaj shënoi edhe vetë në mënyrë spektakolare, duke bërë që “Santiago Bernabeu” të çohej në këmbë dhe të duartrokiste paraqitjen e tij.

Ndërkohë në “San Siro” Inter u mposht nga Arsenal në shifrat 1-3.

Dopeta e Gabriel Jesus dhe goli i Gyokeres, i siguroi 3 pikë të arta skuadrës së Mikel Artetës, ndërkohë që golin e vetëm për zikaltrit e shënoi Suçiç në minutën e 18-të.

Fitorja ndaj Interit zgjat serinë e pamposhtur të Arsenalit në 12 ndeshje në të gjitha kompeticionet (10 fitore, 2 barazime), ndërsa me këtë rezultat ata kanë siguruar matematikisht një vend në dyshen e parë të fazës së ligës në Champions League.

“Vetëm Spital Amerikan nuk quhet”/ Shqetësimi i demokrates që u injorua nga Berisha: Dializën e bëjmë në bodrume

By: Fax Web
20 January 2026 at 23:02

Sot në foltoren e PD, në njësinë nr.4 në Tiranë, gjatë bashkëbisedimit me qytetarët, një demokrate mori mikrofonin dhe ndau shqetësimin e saj si paciente e dializës në Spitalin Amerikan.

LEXO EDHE“Hemodializa është kthyer në monopol”/ Deputetët akuza për abuzime në koncesionin e fituar nga kompanitë e Klodian Allajbeut

Ajo tregoi se dializën ajo e bën në bodrumet e Spitalit Amerikan, ndër të tjera ajo tha se makineritë që posedon spitali kanë 20 vite aty dhe se ilaçet që duhet të marrë gjatë dializës nuk jua mundëson Spitali Amerikan por, i blen të gjitha vetë.

“Punën e dializave, që gjoja ne jemi te Spitali Amerikan, që vetëm Spitali Amerikan nuk quhet. Jemi në katin -2 në bodrum, makineritë qe kemi ne kanë nga 20 vite, po marrim infeksion gjaku dhe po vdesim nga vjetërsia e makinerive, vitamina nuk kemi fare, i blejmë vetë.

Nuk është bërë një kontroll tamam, kemi dëgjuar nëpër ajër sikur do na çojnë në kat të shtatë, po sa të vete unë në kat të shtatë kam vdekur. Çdo ditë nga një i sëmurë o do vdesin o do jetë në reanimacion. Kemi frikë, themi o shyqyr shpëtuam edhe sot. Po ikin të gjithë jashtë, jo vetëm fëmijët por edhe ne”, u shpreh qytetarja.

Historia e demokrates u injorua dhe nuk u komentua në asnjë moment as nga kryedemokrati ashtu edhe nga pjesa tjetër e panelit të pranishëm në foltore dhe mikrofoni i kaloi një qytetari tjetër.

LEXO EDHEPastrim parash dhe falsifikim dokumentesh/ A do të arrestojë SPAK Klodian Allajbeun?

Yesterday — 20 January 2026FaxWeb

“Bordi i Paqes”, ANSA: Vetëm 7 vende e kanë pranuar ftesën

By: Fax Web
20 January 2026 at 22:00

Deri më sot, thuhet se 52 udhëheqës nga po aq vende të botës janë ftuar në Bordin e Paqes, dhe vetëm shtatë prej tyre, Argjentina, Hungaria, Kazakistani, Uzbekistani, Shqipëria dhe Vietnami, kanë konfirmuar zyrtarisht qëllimin e tyre për të marrë pjesë.

Shumica e qeverive që kanë lëshuar deklarata zyrtare në lidhje me ftesat e tyre kanë treguar se çështja është “nënshtruar shqyrtimit politik dhe ligjor institucional”, ndërsa disa kanë theksuar nevojën për t’u konsultuar me partnerët e tyre.

Megjithatë, pritet që të ftohen udhëheqës të tjerë, shkruan agjencia italiane e lajmeve ANSA.

Ditën e sotme, Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Trump për të marrë pjesë në Bordin e Paqes për Gazën.

Kreu i qeverisë bëri me dije se kjo iniciativë e Shqipërisë, duhet të marrë dhe miratimin nga Kuvendi.

LEXO EDHETrump kërkon 1 miliard dollarë për një vend të përhershëm në “Bordin e Paqes” për Gazën

Në tre muajt e fundit, Ndoci 5 herë në spital/ Të burgosurit e pasur, për takime “speciale”

By: Fax Web
20 January 2026 at 21:45

Që prej vitit 2020 kur Ndoci u vendos në burgun e Durrësit e deri në vitin 2024, ishte shoqëruar katër herë në spital, për problem të ndryshme shëndetësore.

Ndërsa, që nga 8 tetori i kaluar, deri ditën e arratisjes ai është shoqëruar jashtë burgut për vizita mjekësore, plot 5 herë, 3 nga të cilat kur drejtimi i Institucionit i paraburgimit të Durrësit, I ishte besuar Indrit Cerlojit, aktualisht në arrest me burg, nën dyshimet për shpërdorim detyre, për rastin e arratisjes së Ndocit.

Prokuroria dyshon se vizitat janë realizuar pa patur nevojë për konsulta mjekësore jashtë burgut.

Duke marrë në konsideratë rritjen e frekuencës së daljeve në një periudhë relativisht të shkurtër dhe duke e krahasuar me historikun e mëparshëm të daljeve të tij për spital, ekziston dyshimi i arsyeshëm se këto planifikime për vizita mjekësore për në spital që përkojnë me periudhën tetor 2025-janar 2026 janë fiktive”, është shprehur Prokuroria në dosjen e saj hetimore.

Një tjetër element i dyshimtë është dhe fakti se daljet e Ndocit për në spital, nuk janë regjistruar sipas procedurave.

Nga verifikimet e deritanishme ka rezultuar se për daljet nga IEVP të të burgosurit Altin Ndoci që përkojnë me periudhën tetor 2025-janar 2026, në asnjë rast nuk është pasqyruar në komunikatën e aktivitetit ditor të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe në asnjë rast nuk është informuar Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve”.

Rasti i Ndocit nuk duket të jetë një episod i izoluar, në burgun e Durrësit ku nuk kanë munguar favoret ndaj të paraburgosurve, kundrejt pagesave në para.

Nga informacionet e përftuara në kohë nga SHKBB (Shërbimi I Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve) rezulton se shpeshherë shoqërimi për spital i të burgosurve që kanë rrezikshmëri të lartë shoqërore si dhe me gjendje të mirë ekonomike, dyshohet se kryhet për t’iu mundësuar favore të ndryshme (kryesisht takime speciale) këtyre të burgosurve, kundrejt dhënies së ryshfetit Drejtuesve të institucioneve dhe personelit përkatës”, shkruhet në dosjen e Prokurorisë.

Altin Ndoci u dërgua në spitalin e Durrësit, pa kryer më parë një vizitë nga mjekja e burgut, e cila sipas prokurorisë kishte firmosur rekomandimin, vetëm me kërkesë të kryeinfermierit Altin Cuku.

Ai u transportua me ambulancën e burgut, së bashku me një të paraburgosur tjetër, dhe vetëm në shoqërinë e 5 punonjësve të sigurisë, në shkelje flagrante të protokolleve që parashikojnë një minimum prej 3 punonjësish për secilin të burgosur.

Për më tepër, ndonëse i dyshuar për vepra të rënda penale, mes të cilave dhe vrasje, Ndoci ishte vlerësuar si një person pa rrezikshmëri të lartë, e që nuk do mund të tentonte arratisjen.

VIDEO/ Champions League rikthehet me surpriza! Manchester City turpërohet në Norvegji

By: Fax Web
20 January 2026 at 21:26

Faza në grupe e Ligës së Kampioneve në këtë edicion ka dhuruar sot atë që shumëkush e ka cilësuar si surprizën më të madhe deri tani.

Manchester është mundur me shifrat 3-1 nga Bodo/Glimt në Norvegji, në një ndeshje ku edhe loja ka folur për ekipin vendas.

Anglezët ishin shumë të ngathët në fazën ofensive në këtë sfidë, teksa u ndëshkuan dy herë radhazi nga zbritjet e vendasve, të goditur brenda 3 minutash nga Hog i cili mposhti Donarumën dhe i dha entuziazëm ekipit norvegjez.

Ky i fundit u mbrojt me rregull dhe duke shfrytëzuar kundërsulmet, gjeti rrjetën edhe me anë të Hauge, ndërsa pa t’i anulohej një gol tjetër dhe traversën e Donarumës t’i mohonte përsëri festën.

Cherki ngushtoi shifrat për City-n, por çdo plan i Guardiolës për një përmbysje u shkatërrua pas kartonit të kuq të Rodri, i cili la ekipin me 10 lojtarë dhe ia bëri më të thjeshtë punën vendasve në administrimin e rezultatit deri në vërshëllimën përfundimtare.

Kështu, City doli pa pikë dhe me një vend mes tetë më të mirëve që tani është në dyshim.

Ndërsa Bodo/Glimt mori fitoren e parë të këtij edicioni, që gjithsesi nuk i siguron një vend mes 24 ekipeve të turneut që vazhdojnë në turin tjetër.

DOKUMENTI/ Udhëzimi i Nokës për strukturat e PD-së: “Pastroni” listën e anëtarësisë

By: Fax Web
20 January 2026 at 20:50

Përveç “Foltoreve” dhe Protestës Kombëtare të 24 Janarit, Partia Demokratike mesa duket po punon edhe zgjedhjet e brendshme brenda selisë blu.

Për këtë arsye, Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka ka shpërndarë në degë një udhëzim ku kërkohet përditësimi i listave të anëtarësisë.

Në dokument udhëzohen Degët e PD të angazhohen me këtë proces ndërsa renditen edhe kriteret që duhet të plotësojë një anëtar.

Udhëzimi parashikon ndarjen e anëtarëve në kategori të veçanta:

– ata që janë zhvendosur brenda territorit të Shqipërisë, ata që ndodhen në emigracion,

– individët që nuk duan të angazhohen,

– rastet për të cilat nuk ka informacion.

Ndër të tjera, në udhëzim nënvijëzohet se nuk do të konsiderohen anëtarë aktivë të PD-së ata që kanë vepruar kundër interesave të partisë në fushata zgjedhore, kanë mbajtur qëndrime publike kundër vijës politike, kanë mbështetur kundërshtarë politikë apo kanë thyer disiplinën e brendshme.

Së fundmi Partia Demokratike është përfshirë në përplasje të brendshme lidhur me garën për kryetarin e partisë.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, është shprehur se ish-deputeti është vetëpërjashtuar nga gara, me argumentin se ka shkelur Statutin e partisë dhe, për rrjedhojë, nuk mund të kandidojë për kryetar të PD-së.

Nga ana tjetër, Salianji e ka kundërshtuar këtë qëndrim, duke theksuar se askush nuk është mbi Kushtetutën e Partisë Demokratike, e cila, sipas tij, është miratuar me votë nga anëtarësia.

Ai ka deklaruar se Statuti i PD-së nuk njeh konceptin e “vetëpërjashtimit” dhe se do të vijojë të përfaqësojë shqetësimet e demokratëve, duke bërë thirrje për bashkim, respekt të rregullave dhe dinjitet brenda partisë.

Zgjedhjet për kreun e ri të PD dhe strukturat drejtuese janë parashikuar të mbahen gjatë muajit prill.

“Një milion o jetë/ Zbardhen bisedat mes policëve që vinin baste: Kam kap 4 sot…

By: Fax Web
20 January 2026 at 20:37

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ekzekutoi sot masat e sigurisë ndaj gjashtë punonjësve të policisë dhe një shtetasi civil, si pjesë e operacionit “Last Bet”, i zhvilluar në rajonet Elbasan dhe Korçë.

Efektivët, duke shfrytëzuar atributet e funksionit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar dhe favorizuar ushtrimin e llotarive të palejuara / basteve sportive.

Ndërkohë, grupi hetimor, në vijim aktit të ekspertimit teknik të celularëve të sekuestruar, janë evidentuar të ruajtura biseda të zhvilluara në aplikacionin e komunikimit “WhatsApp” midis punonjësit të policisë i identifikuar si E.P., dhe R.T., po ashtu punonjës policie, me përmbajtje të organizimit dhe ushtrimit të lojërave të fatit.

Por cilat janë disa prej bisedave mes policëve, të cilët ishin vetë “klientë” të basteve të paligjshme:

Polici me inicialet E.P.: He mo tiger se te thash me vilu dy skedina po i vuna tjeter kund se me vonove

Polici me inicialet R.T: Iken 200 mij lek

Polici me inicialet E.P.: naj ndeshje te sigurt

Polici me inicialet R.T: Argjentina 2/3plus Mexica 2/plus 70 mij lek… mos na ven skedina fituse o boss ta marrim te qet at %

Polici me inicialet E.P.: Un kam lujt nja dy neshje sot mbrapsh kam kap 4 skedina

Polici me inicialet R.T: Jam 3.7 plus… Nuk du me i prek ma

Polici me inicialet E.P.: Jo mos maj shpresa te shefi tpakten deri nga mesi mujit

Polici me inicialet R.T: Ore po hapja user altinit mor vlla e i ban llogarite nfund muji

Polici me inicialet E.P.: jam te i marr borxh 1 milion

Polici me inicialet R.T: ti je pronari nr1

Polici me inicialet E.P.: ej neser duhet me dorzu leket e llotos

Polici me inicialet R.T: zemra

Polici me inicialet E.P.: kshuqe po erdhe te pijm kafe… Thuj te rrije ai ja japim i 5 mij leksh ma shum a 10 ja jap un

Polici me inicialet R.T: thash se neser duhet me shku me ba dorzimet e lekve

Polici me inicialet E.P.: ok se i them un per kte nuk a problem

Polici me inicialet R.T: por per leket e llotos

Polici me inicialet E.P.: A i ka cu?

Polici me inicialet R.T: Iliri

Polici me inicialet E.P.: po

Polici me inicialet R.T: ke edhe ti 1 mili e 50

Polici me inicialet E.P.: 1 miljon o jet

Polici me inicialet R.T: 50shja esht e ktij muji

Polici me inicialet E.P.: 50 jan te mujit

Polici me inicialet R.T: qe kena hy … e i kam leket po i kam than atij shokut qe ia kam marr kur i qova 2.2 milion

Polici me inicialet E.P.: pasneser duhet me qu leket e llotos

Nga sa më sipër ka dyshime se shtetasit E.P dhe R.T, të dy punonjës policie të Policisë së Shtetit, kanë organizuar dhe ushtruar veprimtarinë e kundërligjshme të lojrave të fatit. E.P. ka bashkëpunuar edhe me shtetasin I.T. në kryerjen e veprës penale.

Nesër 15-vjetori i “21 Janarit”, Balla: Shqiptarët dhe familjarët e të rënëve duan drejtësi

By: Fax Web
20 January 2026 at 20:26

Teksa nesër do të përkujtohet 15-vjetori i protestës së “21 Janarit” ku mbetën të vrarë 4 qytetarë, kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, përmes një postimi në rrjetet sociale, shprehet se shqiptarët dhe familjarët e viktimave kërkojnë ende drejtësi.

Shqiptarët dhe familjet e të rënëve të 21 Janarit duan drejtësi! Gjykata e Lartë, në dritën e vendimit historik të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, ka konkluduar me emra të përveçëm:

Asnjëherë nuk është tentuar për të shtrirë hetimet – lidhur me “ngjarjen e 21 janarit” – ku mbeten të vrarë katër demostrues dhe të plagosur dhjetëra të tjerë – nga zjarri i armëve të përdorura nga efektive të Gardës…, përtej nivelit të mirëfilltë ekzekutues të krimit (krimeve) – të sipërcituar (efektivë dhe drejtues të Gardës) – por edhe të paballafaquar minimalisht (në të njëjtën kohë) me indiciet individualizuese – evidentuese të implikimit të nivelit më të lartë drejtues shtetëror – përfshirë Kryeministrin dhe Ministrin e Brendshëm të kohës – përtej atij të mirëfillte ekzekutues – të vëna në dispozicion të organit të procedimit”, shkruan Balla në postimin e tij.

Më 21 janar 2011 humbën jetën Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, para kryeministrisë, në protestën e thirrur nga Partia Socialiste.

Hetimi i parë çoi si të pandehur për ngjarjen Ndrea Prendin dhe Agim Llupon, që u dënua nga apeli me 1 dhe 3 vjet burg për “vrasje nga pakujdesia”.

Hetimi për ngjarjen është tashmë në duart e SPAK.

LEXO EDHEDëshmia për “21 Janarin”/ Kush është personazhi i rëndësishëm që Meta përmendi para SPAK

❌
❌