Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 1 January 2026FaxWeb

Proda: Zero tolerancë për alkoolin në timon gjatë natës së Vitit të Ri

By: Fax Web
1 January 2026 at 20:03

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, së bashku me Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, zhvilluan një takim me shërbimet e Policisë Rrugore dhe me punonjësit e Sallës së Komandimit të DVP Tiranë, të angazhuar gjatë natës së ndërrimit të viteve.

Gjatë takimit, Drejtori Proda uroi punonjësit për Vitin e Ri 2026 dhe falënderoi të gjithë efektivët që ishin në shërbim, duke vlerësuar përkushtimin dhe sakrificën e tyre në garantimin e sigurisë së qytetarëve. Ai theksoi se nuk do të ketë asnjë tolerancë ndaj drejtimit të mjeteve nën efektin e alkoolit, duke nënvizuar se çdo kontroll rrugor ka për qëllim parandalimin e aksidenteve dhe shpëtimin e jetëve.

Kreu i Policisë kërkoi profesionalizëm, korrektësi dhe komunikim etik me qytetarët, si dhe kujdes maksimal për sigurinë personale të efektivëve dhe bashkëpunimin mes tyre.

Në momentin e ndërrimit të viteve, Drejtori i Përgjithshëm inspektoi Sallën e Komandimit të DVP Tiranë, ku vlerësoi rolin kyç të kësaj strukture në menaxhimin e situatave operative. Ai theksoi se çdo telefonatë dhe informacion duhet të trajtohen me seriozitet maksimal, pasi reagimi në kohë dhe koordinimi i saktë me patrullat në terren janë vendimtarë për parandalimin e ngjarjeve.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë festimeve të Vitit të Ri, si pasojë e përdorimit të fishekzjarrëve, deri në orën 01:30 të datës 01.01.2026, në rang vendi janë raportuar 20 shtetas të lënduar, pa rrezik për jetën, si dhe një e mitur 13-vjeçare në Vaqarr, e cila ka pësuar gërvishtje në parakrah, dyshohet nga një plumb qorr. Rastet janë regjistruar kryesisht në Tiranë (16 raste), si dhe në Durrës, Lezhë, Fushë-Arrëz dhe Korçë.

Policia e Shtetit bën me dije se shërbimet në të gjithë vendin janë në gatishmëri të plotë dhe vijojnë monitorimin e qarkullimit rrugor, ambienteve ku zhvillohen festime dhe gjithë territorit.

Policia e Shtetit uron të gjithë qytetarët: Gëzuar Vitin e Ri 2026!
Me besim dhe bashkëpunim për më shumë siguri.

Tragjedi në Gjirokastër-Tepelenë/ Humb jetën Anxhelo Ruçi, djali i shefit të policisë dhe nipi i Gramos Ruçit

By: Fax Web
1 January 2026 at 13:15

Një aksident i rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të 1 janarit në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, ku humbën jetën disa të rinj, mes tyre edhe Anxhelo Ruçi, 27 vjeç.

Ruçi ishte djali i shefit të policisë, Rami Ruçi, dhe nip i ish-kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi.

Aksidenti ndodhi pas përplasjes së dy mjeteve: një Volkswagen ku udhëtonin Klejdi Myftari, 24 vjeç, dhe Anxhelo Ruçi, 27 vjeç – të dy humbën jetën nga plagët e marra; dhe një Mercedes Benz ku udhëtonin Martin Dulaj, 25 vjeç, i cili gjithashtu humbi jetën në vendngjarje, si dhe Arsida Demiri, 19 vjeçe, e cila u transportua në Spitalin e Traumës në Tiranë për ndihmë më të specializuar.

Autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave të plota të këtij aksidenti tragjik që ktheu festën e Vitit të Ri në një ngjarje të rëndë.

Presidenti Begaj uron efektivët e Forcave të Armatosura në misione ndërkombëtare

By: Fax Web
1 January 2026 at 12:11

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, përshëndeti sot në një lidhje direkte online efektivët e Forcave të Armatosura Shqiptare të angazhuar në misione dhe operacione jashtë vendit.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Begaj uroi ushtarët, nënoficerët dhe oficerët shqiptarë për festat, duke shprehur mirënjohjen e tij për shërbimin e tyre larg familjeve, në funksion të paqes, sigurisë dhe lirisë në botë.

Kreu i Shtetit theksoi se angazhimi i Forcave të Armatosura në misione në Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Bullgari, Letoni, Detin Egje, Irak, Sinai, Sudanin e Jugut, si dhe në strukturat mbështetëse për Ukrainën, është një dëshmi e qartë e përkushtimit të Shqipërisë ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

Presidenti Begaj u shpreh se shërbimi i Forcave të Armatosura jashtë vendit është një arritje e madhe që tregon profesionalizëm, gatishmëri dhe përgjegjshmëri të lartë për ruajtjen e stabilitetit global.

Ky urim vjen në një kohë kur efektivët shqiptarë vazhdojnë të kontribuojnë në operacione paqeruajtëse dhe humanitare, duke përfaqësuar vendin me dinjitet dhe krenari.

Nata e Vitit të Ri u kthye në kaos: dhjetëra të lënduar nga fishekzjarrët, 13-vjeçarja plagoset nga plumbi qorr

By: Fax Web
1 January 2026 at 11:56

Duket se festimet për disa persona në vend nuk kanë shkuar siç duhet. Gjatë festimeve për ndërrimin e viteve, si pasojë e hedhjes së fishekzjarrëve, deri në orën 01:30 në rang vendi janë raportuar 20 shtetas të lënduar, pa rrezik për jetën.

Sakaq, një tjetër ngjarje, fatmirësisht pa pasoja të rënda, u regjistrua në Vaqarr. Një e mitur 13-vjeçare, ka pësuar gërvishtje në parakrah, dyshohet nga një plumb qorr.

Nga rastet e lëndimit nga fishekzjarrët, 16 janë shënuar në Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Lezhë, 1 në Fushë-Arrëz dhe 1 në Korçë.

Ndahet nga jeta në moshën 82-vjeçare ish-kryeparlamentari i Kosovës, Nexhat Daci

By: Fax Web
1 January 2026 at 11:48

Është ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare ish-kryeparlamentari i Kosovës, Nexhat Daci. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari në detyrë i Kuvendit, Dimal Basha. Gjatë karrierës së tij politike, Daci ka ushtruar funksionin e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, si dhe detyrën e Presidentit në detyrë pas vdekjes së Presidentit Ibrahim Rugova në vitin 2006.

Ai ishte themelues i Lidhjes Demokratike të Dardanisë dhe mbeti aktiv në jetën politike të vendit edhe pas përfundimit të mandatit të tij si kryeparlamentar. Daci lindi më 1944 në Tërnoc të Bujanocit.

KUSH ISHTE NEXHAT DACI
Nexhat Daci ishte kimist, profesor universiteti, akademik. Daci lindi në Tërnoc të Bujanocit. Shkollimin e kreu në vendlindje dhe Leskovc (1960). Studimet e rregullta për kimi i kreu në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Beogradit (1966), ku mbaron edhe studimet pasuniversitare (1968). Një kurs pasuniversitar e kreu në Liezh, Belgjikë (1970).

Tezën e disertacionit të Doktoratës e mbrojti në Universitetin e Zagrebit (1973). Studimet e pasdoktoratës i vazhdoi në Angli, në Universitetin e Bradfordit (1974). Në vitin 1966 u zgjodh asistent në degën e kimisë të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, pastaj ligjërues, profesor inordinar dhe në vitin 1984 merr titullin profesor ordinar. Ka bërë shumë udhëtime studimore në vende të ndryshme të botës. Është anëtar i disa institucioneve dhe asociacioneve ndërkombëtare, ndër të cilat edhe i Shoqatës Kimistëve Amerikanë (1985), i Akademisë Europiane për Çështje të Mjedisit në Tubingen, në Gjermani dhe Londër (1987).

Në vitin 1994 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 1996 anëtar i rregullt, dhe më pas bëhet sekretar i përgjithshëm dhe kryetar i saj (1999–2002). Në vitin 2014 u zgjodh anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave dhe të Arteve (ALLEA) me seli në Salcburg. Anëtar i përhershëm i komitetit të ALLEAS për projekte shkencore u zgjodh në vitin 2015. N. Daci ka qenë aktiv në jetën politike dhe institucionale të Kosovës: në periudhën 2001–2011 u zgjodh deputet i Parlamentit të Kosovës dhe në vitet 2001–2006 ishte kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në vitin 2007 themeloi Lidhjen Demokratike të Dardanisë dhe u bë kryetar i saj.

Veprimtaria e tij shkencore përmban punime shkencore të publikuara në revista të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, projekte shkencore, elaborate, kumtesa, tekste universitare etj. Veçohen punimet shkencore mbi strukturën e substancës organike të qymyrit të Kosovës, pastaj të përbërësve inorganikë të qymyrit, të analizave të ndryshme të hirit nga termocentralet dhe punime shkencore nga fusha e mbrojtjes së mjedisit, veçmas të ujërave të liqeneve akumuluese dhe të disa lumenjve të Kosovës. Ishte bartës ose pjesëmarrës në shumë projekte shkencore nga fusha e mbrojtjes së mjedisit. Udhëhoqi projektin shkencor të ASHAK-ut “Identifikimi i ndotësve të efluentëve të ujërave urbane dhe të industrisë dhe trajtimi i tyre” (2012–2014) dhe projektin për kadastrin e këtyre ndotësve e trajtimin e tyre. Është autor i teksteve universitare dhe monografive (“Kimia organike”, “Struktura e substancave organike të qymyrit të Kosovës”), si dhe bashkautor i një studimi në botimin “Kimia për mbrojtjen e mjedisit” (Elsevier, Amsterdam, Nju-Jork, Oksford, 1987). Është bashkautor i studimit monografik.

Zyrtare nga 1 janari 2026 hyn në fuqi vendimi: Paga minimale rritet në 50 mijë lekë

By: Fax Web
1 January 2026 at 11:46

Nga sot, 1 janar 2026, hyn në fuqi rritja e pagës minimale në 50 mijë lekë.

Rritja e pagës minimale reflekton vijimësinë e politikave për rritjen graduale të të ardhurave dhe mbrojtjen e punëmarrësve.

Në vitet e fundit, paga minimale ka ndjekur një trend të qëndrueshëm rritjeje, si përgjigje ndaj rritjes së kostos së jetesës dhe nevojës për forcimin e mirëqenies sociale.

Nga 24 mijë lekë në vitin 2017, përmes rritjeve të vazhdueshme ndër vite, paga minimale arrin në 50 mijë lekë në vitin 2026, duke shënuar një përmirësim të ndjeshëm krahasuar me vitet e mëparshme.

Nga kjo rritje parashikohet të përfitojnë rreth 308 mijë të punësuar në sektorin publik dhe në atë privat.

Parashikimi afatmesëm i qeverisë është për ta çuar pagën minimale në 60 mijë lekë në vitin 2028 dhe 70 mijë lekë deri në fund të mandatit.

Tragjedia në Crans Montana/ Fishekzjarrët, skenari për shpërthimin vdekjeprurës në resortin luksoz, dyshohet se numri i viktimave mund të shkojë mbi 30

By: Fax Web
1 January 2026 at 11:40

Të tjera detaje dalin në dritë nga ngjarja e rëndë në Zvicër. Të paktën dhjetë persona kanë humbur jetën dhe dhjetë të tjerë janë plagosur pas një shpërthimi të fuqishëm në barin Le Constellation në Crans-Montana, një nga vendpushimet më të njohura të skijimit. Lajmi u raportua nga Sky News, duke cituar policinë lokale, e cila sqaroi se incidenti nuk duket të ketë lidhje me terrorizmin. Në një deklaratë zyrtare, policia kantonale e Valais konfirmoi se shpërthimi u pasua nga një zjarr i madh në ambientet e barit, duke shkaktuar shumë viktima. Mediat lokale raportojnë se bilanci mund të jetë edhe më i rëndë, ndërsa një burim anonim i cituar nga radioja RhoneFM flet për deri në 40 viktima, shifër që nuk është konfirmuar zyrtarisht

Ngjarja ndodhi rreth orës 01:30 të mëngjesit sipas kohës lokale (02:30 sipas kohës greke), në kulmin e festimeve të Vitit të Ri. Zona përreth është rrethuar plotësisht nga autoritetet, ndërsa policia ka vendosur edhe një ndalim të përkohshëm fluturimesh mbi Crans-Montana për arsye sigurie.

Pamjet e transmetuara nga mediat zvicerane tregojnë ndërtesën e përfshirë nga flakët, si dhe praninë e forcave të shumta të shpëtimit, ambulancave dhe zjarrfikësve në vendngjarje. Sipas medias zvicerane Blick, më shumë se 100 persona ndodheshin brenda lokalit në momentin e shpërthimit. Bari kishte një kapacitet maksimal prej rreth 300 personash. Autoritetet po hetojnë nëse rregullat e sigurisë dhe kufiri i lejuar i kapacitetit janë respektuar. Le Constellation konsiderohej prej dekadash një pikë referimi në jetën e natës së Crans-Montana-s. Sipas BBC-së, lokali ishte në funksion prej të paktën 40 vitesh dhe ishte i njohur gjerësisht në komunitetin vendas. Ndryshe nga imazhi luksoz i vendpushimit, bari kishte një profil më popullor dhe rinor, duke tërhequr si vendas ashtu edhe turistë.

Lokali përfshinte një kat të sipërm me ekrane për transmetimin e ndeshjeve sportive dhe një bodrum të madh me bar dhe hapësirë për vallëzim, ku zhvillohej pjesa kryesore e aktivitetit gjatë natës. Sipas një ish-klienti të cituar nga Blick, bodrumi kishte vetëm një dalje emergjence, ndërsa numri i klientëve mund të mos ishte monitoruar rreptësisht. Hetimet për shkaqet e shpërthimit dhe zjarrit janë në vijim, ndërsa autoritetet pritet të japin më shumë detaje në orët dhe ditët në vijim.

 

foto galeri

foto galeri

foto galeri

Goditet rrjeti i lojërave të fatit në Lezhë, arrestime dhe hetim për efektivë policie

By: Fax Web
1 January 2026 at 11:34

Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin policor të koduar “Fishat”, duke goditur një aktivitet të paligjshëm të lojërave të fatit dhe përdorimit të drogës në qytetin e Lezhës. Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale.

Sipas njoftimit zyrtar, në një godinë trekatëshe në bulevardin “Gjergj Fishta”, ishte përshtatur një kazino e paligjshme, ku përveç lojërave të fatit, dyshohet se zhvillohej edhe aktivitet i përdorimit të lëndëve narkotike.

Sekuestrohen para, drogë dhe pajisje bixhozi

Gjatë kontrollit në objektin e marrë me qira nga shtetasi E. U., 24 vjeç, shërbimet e Policisë konstatuan se katet e dyta dhe të treta ishin përshtatur për kazino. Si prova materiale u sekuestruan:

15 makineta për lojëra fati

1 tavolinë pokeri, çipsa dhe letra bixhozi

Disa doza kokaine

725 000 lekë të rinj, si dhe shuma të konsiderueshme në euro dhe dollarë

Në vijim të operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasi B. A., 47 vjeç, i cili dyshohet si përgjegjësi i kazinosë. Ai akuzohet për një sërë veprash penale, mes tyre:

“Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”

“Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”

“Vënia në dispozicion të lokaleve për lojëra të paligjshme”

“Fshehja e të ardhurave”

“Mospagimi i taksave dhe tatimeve”

“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”

Ndërkohë, është shpallur në kërkim shtetasi E. U., 24 vjeç, i dyshuar si organizatori i aktivitetit, pasi nga hetimet rezulton se ai kishte marrë me qira godinën dhe e kishte përshtatur për funksionimin e kazinosë. Policia vijon punën për kapjen e tij.

Gjatë ndërhyrjes, u proceduan penalisht edhe 15 shtetas, të cilët u kapën në ambientet e kazinosë duke luajtur lojëra fati në makineta dhe në tavolinën e pokerit.

Paralelisht me veprimet penale, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, ka nisur hetim disiplinor ndaj disa drejtuesve dhe punonjësve të policisë, të cilët dyshohet se nuk kanë marrë masat e nevojshme për evidentimin dhe goditjen e kësaj paligjshmërie.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, Policia e Shtetit po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të çështjes dhe për nxjerrjen e përgjegjësive të të gjithë personave të përfshirë. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë.

Policia thekson se operacionet kundër lojërave të paligjshme të fatit dhe aktiviteteve kriminale do të vijojnë në të gjithë vendin.

Humbje e madhe në aksidentin në Gjirokastër–Tepelenë: 3 të rinj ndahen nga jeta, një vajzë në gjendje kritike

By: Fax Web
1 January 2026 at 11:26

Një aksident i rëndë rrugor me pasojë humbjen e tre jetëve njerëzore ka ndodhur mëngjesin e sotëm në aksin Gjirokastër-Tepelenë, në vendin e quajtur Bypass.

Dy automjete janë përplasur fort me njëra-tjetrën, duke shkaktuar një bilanc tragjik që ka shënuar ditën e parë të vitit 2026.

Një automjet tip Volksëagen, ku udhëtonin dy të rinj 27 dhe 24 vjeç, është përplasur me një mjet tip Mercedes-Benz. Si pasojë e goditjes së fortë, dy të rinjtë që ndodheshin në Volksëagen kanë humbur jetën në vend nga plagët e marra.

Në mjetin Mercedes-Benz udhëtonin dy të rinj 25 dhe 20 vjeç. Pasagjerja 20-vjeçare ka mbetur e plagosur rëndë dhe është transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhet në gjendje kritike.

Ngjarja ndodhi rreth orës 03:18. Automjeti me drejtues shtetasin Martin Dulaj, 25 vjeç, banues në Tepelenë është përplasur me automjetin që drejtohej nga shtetasi Klejdi Myftari, 24 vjeç, banues në Tepelenë.

Si pasojë e aksidentit, kanë humbur jetën dy drejtuesit e automjeteve, pasagjeri shtetasi Anxhelo Ruçi, 27 vjeç, banues në Tepelenë, si dhe ka mbetur e dëmtuar shtetasja Arsida Demiri, 19 vjeçe, banuese në Delvinë, e cila ndodhet në spitalin e Traumës, në kujdesin e mjekëve.

Policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit, ndërsa qarkullimi në këtë segment rrugor është kryer për disa orë me vështirësi.

Aksident në aksin Peqin-Rrogozhinë, tre të plagosur rëndë

By: Fax Web
1 January 2026 at 10:35

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar rreth orës 10:05 të ditës së sotme, e cila shënon edhe ditën e parë të këtij viti, në aksin e rrugës kombëtare Peqin–Rrogozhinë. Sipas burimeve nga vendngjarja, dy automjete janë përplasur mes tyre në fshatin Karinë të Peqinit.

Si pasojë e përplasjes së fortë, të dy mjetet janë shkatërruar pjesërisht, ndërsa raportohet se të paktën tre persona kanë mbetur të plagosur rëndë. Të lënduarit janë transportuar me autoambulancë drejt spitalit për ndihmë mjekësore.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e policisë dhe autoambulancat, të cilat po kryejnë veprimet e nevojshme, ndërsa qarkullimi në këtë segment rrugor ka pësuar vështirësi të përkohshme. Policia po heton shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.

FOTO/ 2 vajza janë bebet e para të 2026-ës. Vogëlushet lindën pak pas ndërrimit të viteve

By: Fax Web
1 January 2026 at 00:54

2 vajza janë bebet e para të 2026-ës. Vogëlushet lindën pak pas ndërrimit të viteve.

Lajmin e ka ndarë kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale.

Kreu i qeverisë thekson se bebet e para të 2026-ës lindën te materniteti “Mbretëresha Geraldinë” dhe “Koço Gliozheni”.

Postimi i Ramës:

Dy vajza janë bebet e para të lindura në 2026, njëra në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” dhe tjetra në “Koço Gliozheni”.

foto galeri

foto galeri

Viti i Ri, 8 traditat e veçanta që i bëjnë shqiptarët të dallojnë nga të tjerët

By: Fax Web
1 January 2026 at 00:03

Nata e ndërrimit të viteve festohet në gjithë planetin dhe është një festë që bën bashkë anëtarët e familjes dhe njerëzit më të dashur. Njerëzit, në anë të ndryshme të botës festojnë këtë natë me mënyra të ndryshme, por të gjithë besojnë se dëshirat e tyre do të realizohen në vitin që pason.

Ndryshe nga vendet e tjera të botës, apo edhe mes fqinjëve, nata e vitit të ri tek Shqiptarët festohet ndryshe. Ka disa tradita të cilat na dallojnë nga të tjerët dhe ku merr kuptim fjala ‘shqiptarët’.

Tryeza plot me ushqime, veçanërisht mish

Edhe pse çdo ditë nuk konsumojmë shumë ushqime, natën e vitit të ri, tryeza duhet të jetë e mbushur plot e përplot. Nuk mjafton nëse gjeli i detit ndodhet mbi tryezë, pasi kryefamiljari ka blerë edhe dy-tre lloje të tjera mishi që në fund të fundit, askush nuk i prek.

Bakllava
Ëmbëlsira me e preferuar e tryezës përgatitet shumë ditë para festës. Disa zonja ende preferojnë ta gatuajnë vetë, disa të tjera ua besojnë furrave.

Pijet
Në tryezë nuk mungon asnjë marke alkooli, pije me gaz, pa gaz apo energjike. Nuk ka rëndësi nëse do të pihen apo jo, e rëndësishme të jene aty.

Superpastrimi i shtëpisë
Çdo cep shtëpie, dhomat, çdo orendi duhet pastruar. Viti i ri duhet të gjejë çdo shtëpi të pastër. Është e pastër dhe s’ka nevojë? Do të ripastrohet sërish. Nuk ka dyshime për këtë!

Luftë fishekzjarrësh
Nga dritaret, ballkonet e kudo të munden, shqiptarët do tregojnë me padurim arsenalin e pafundmë të fishekzjarrëve në shtëpi. Ishin më të bukura ato të fqinjëve? S’ka problem, në 1 janar rihedhim sërish.

Leku në byrek
Një tjetër traditë, byreku me lekun e fshehur. Kureshtja vijon. Kujt do ti bjeri këtë vit? Me shtrenjtësimin e jetesës dilema bëhet me e madhe. Çfarë shume do të marrim në këmbim të lekut? Momente sa argëtuese e qesharake që i shtojnë gëzim tryezës familjare.

Festa
Tani më, dihet nga të gjithë. Deri para mesnate me familjen, pas mesnate me shoqërinë. Mëngjesi? Nuk dihet ku na gjen.

Kush do të hyjë i pari në shtëpi?
Thonë që kur të hyn një djalë i vogël në shtëpi, viti do të shkojë mbarë. Akoma më shumë, shqetësimi më i rëndësishëm; të hyj me këmbën e djathtë. Një traditë që vështirë të zbehet.

Yesterday — 31 December 2025FaxWeb

Shëndet, Shpresë dhe Paqe/ Gëzuar Vitin e Ri 2026 nga Fax Web

By: Fax Web
31 December 2025 at 16:50

Të dashur lexues të Fax Web,

Teksa lëmë pas një vit me sfida, zhvillime dhe ngjarje që na kanë prekur të gjithëve, ju falënderojmë sinqerisht për besimin, vëmendjen dhe mbështetjen që na keni dhënë çdo ditë.

Falë jush, Fax Web ka vijuar të jetë një dritare pa filtra informimi për realitetin shqiptar dhe më gjerë.

Viti 2026 urojmë të sjellë më shumë shpresë, paqe, shëndet dhe prosperitet për ju dhe familjet tuaja.

Urojmë që të jetë një vit me më shumë të vërteta, më shumë drejtësi dhe më shumë lajme që na bashkojnë dhe frymëzojnë.

Ne do të vijojmë misionin tonë për t’ju sjellë informacion të saktë, të shpejtë dhe të paanshëm, duke qenë gjithmonë pranë jush.

Gëzuar Vitin e Ri 2026!

Stafi i Fax Web

Video-Mesazhi/ Berisha: Në 2026 shqiptarët do ti bëjnë funeralin organizatës kriminale ‘Rilindja’

By: Fax Web
31 December 2025 at 16:35

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zgjedhur të urojë shqiptarët përmes një mesazhi të gjatë.

Sipas tij, viti 2025 ishte viti kur Edi Rama rrëmbeu votën, fuqizoi kartelet dhe korrupsionin qeveritar. Ndërsa shton se viti 2026 do të jetë ai i funeralit për “Rilindjen”.

Mesazhi i plotë:

Të dashur qytetarë dhe qytetare shqiptarë!

Sonte ne presim vitin e ri 2026!

Ndaj dhe unë nga zemra ju uroj, kudo që ndodheni, në votrat familjare, në lokale, në udhëtime, në Shqipëri, në botë, në institucionet e vuajtjes së dënimit, në spitale,

Gëzuar vitin e ri 2026.

Viti i ri për të gjithë shqiptarët, për të gjithë njerëzit, është vit shprese.

Por, siç është tradita, nuk mund të ndahemi nga ky vit pa hedhur një vështrim drejt tij.

Viti 2025 ishte një vit që shqiptarët kurrë nuk e meritonin.

Ky vit i gjen ata qytetarët më të keqpaguar në Europë.

Qytetarët me tavolinat më të pakta, sepse blejnë me çmimet më të shtrenjta, me rroga më të ulëta, me pensionet më të ulëta.

Por ky vit i gjen ata gjithashtu me drejtorët, ministrat, qeveritarët më të pasur në Europë.

Pasuritë e tyre marramendëse arrijnë pasuritë e regjimeve diktatoriale të dikurshme të Afrikës së 30 viteve më parë.

Viti që lamë pas ishte një vit në të cilin kombi u pakësua dhe më shumë.

Mijëra shqiptarë u ndanë nga jeta më shumë sesa erdhën në këtë jetë.

Viti 2025 ishte viti i agonisë së plotë të demokracisë shqiptare.

Narkodiktatori, duke përdorur të gjitha mjetet dhe potencialet e një shteti, rrëmbeu votën e shqiptarëve dhe ndërtoi mazhorancën e krimit.

Viti që lamë pas ishte viti i zjarreve, përmbytjeve më të mëdha, të cilat nuk ndodhën vetëm në Shqipëri, por ato për ne shqiptarët erdhën si në një vend pa shtet.

Në fakt, viti 2025 do të mbahet mend edhe si viti i zbulimit të vjedhjeve më të mëdha në historinë kombëtare të shqiptarëve nga Edi Rama, Lubi Balluku, familja Rama, Erjon Veliaj, drejtorët e tij në ministri, në bashki, zyrtarë në tërësi.

Ky ishte viti në të cilin u burgos pas 46 protestave, kryetari i Bashkisë Tiranës.

Viti në të cilin në regjistrat e prokurorisë, dolën emrat dhe vjedhjet e paimagjinueshme të Lubi Ballukut me 300 apartamente, dy jahte, 15 supermarkete.

Emri i Edi Ramës në të gjitha mesazhet si përcaktues i tenderave dhe vetëm në tunelin e Llogarasë u zhdukën të paktën 50 milionë euro.

AKSHI, përbën skandalin më të madh korruptiv jo të Shqipërisë, po të Europës.

AKSHI, kopshti privat i Edi Ramës, ishte epiqendra e krimit shtetëror, të padëgjuar më parë.

Kopshti privat që varej direkt nga Edi Rama, ishte epiqendër e rrëmbimeve, pengmarrjeve për vjedhjen e qindra milionë eurove, në epiqendër të të cilës është Edi Rama me Lindat e tij, Lindën e AKSHI-t, por dhe Lindën e Surrelit për shkak të kunatit.

AKSHI është super skandali në të cilin të gjitha të dhënat personale, sekrete të çdo qytetari shqiptar, kaluan në duart e bandave.

Kaloi kadastra e shtetit.

Kaloi çdo e dhënë.

Dhe akoma më keq, të gjitha sekretet që NATO i ka besuar Shqipërisë, u eksportuan në kartel e drogës dhe tek armiqtë e saj, armiqtë e NATO-s.

Viti 2025 ishte viti në të cilin kartelet e drogës të lidhura direkt me qeverinë shqiptare dhe me Edi Ramën, morën në dorë dhe u bënë zotër të tregut të kokainës në Europë.

Pra u bënë kartelet më të fuqishme.

Ato me ndërhyrjet e tyre aktive në zgjedhjet e 11 majit, apo për ndërhyrjet e tyre, u shpërblyen me leje për ndërtimin e 450 kullave, resorteve turistike, pallateve dhe vilave në mbarë territorin.

Pra, viti ishte të themi, viti në të cilin narkoshteti u konsolidua me shpejtësinë më të madhe.

Por ishte dhe viti në të cilin opozita shqiptare ja doli të gozhdojë para komunitetit ndërkombëtar Edi Ramën si armik i egër i pluralizmit.

Në 7 rezoluta denoncohet shtypja e pluralizmit nga institucionet e narkoshtetit.

Denoncohet narkoshteti, denoncohen vjedhjet e shqiptarëve dhe shndërrimi i procesit zgjedhor në farsë elektorale.

Kontrolli total mbi mediat dhe mashtrimi i tmerrshëm që ato ju bëjnë qytetarëve, për shkak të kontrollit mafioz.

Të gjitha këto janë sanksionuar edhe në dokumentin themelor të OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet në Shqipëri.

Pra miq, të gjitha këto përbëjnë një bazë të fuqishme për çdo qytetar shqiptar për veprim, ndaj dhe me besim të plotë mund të themi se viti 2026 është viti i shpresës së madhe, për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Është viti në të cilin ata do bashkohen si kurrë më parë për t’i bërë funeralin organizatës kriminale që quhet Rilindja dhe kryesohet nga Edi Rama.

Do bashkohen si kurrë më parë për të shpëtuar demokracinë shqiptare, rikthimin e votës së lirë.

Për të shpëtuar familjen shqiptare nga një ligj shkatërrimtar për gjininë dhe familjen.

Për të shpëtuar Shqipërinë nga rrokullisja e saj e madhe.

Pra, këtë vit çdo shqiptar që e do këtë vend, e fillon si misionar, e fillon në lartësinë e një misioni të madh shpëtimtar.

Ndaj dhe unë dua sonte t’ju uroj ju, gëzuar kudo që ndodheni.

Një vit të mbarë në lartësinë e shpresave dhe pritshmërive tuaja.

Gëzuar!

2026-a vjen “e bardhë”/ Ngricat dhe dëbora pushtojnë gjithë Shqipërinë

By: Fax Web
31 December 2025 at 15:42

Pas një dhjetori të pazakontë, thuajse pa reshje dhe me mungesë dëbore edhe në zonat e thella malore, janari pritet që të vijë krejt ndryshe.

Sinoptikanët parashikojnë se në ditët në vijim do të kemi temperatura shumë të ulëta dhe mot të kthjellët, si pasojë e një mase ajrore të ftohtë që vjen nga Poli i Veriut.

Megjithatë, ky episod i acartë nuk do të zgjasë shumë, pasi në fillim të janarit pritet një ndryshim i menjëhershëm i kushteve atmosferike, me rikthim të reshjeve, dëborë në zonat malore dhe më pas shira të dendur e erë të fortë në pjesën më të madhe të vendit.

Me pak fjalë sot edhe nesër do të kemi temperatura shumë të ulëta në të gjithë territorin.

Tirana i është afruar sot temperaturave 0 gradë, sonte gjatë natës temperaturat do shkojnë -8 dhe -9 në zonat malore, në Korçë temperaturat do shkojnë në -6.

Sa i takon muajit janar, meteorologët parashikojnë mot të paqëndrueshëm me temperatura ekstreme, reshje shiu dhe dëbore, erë të fortë dhe shumë pak ditë me diell.

Parashikohet deri në datën 15 janar moti të jetë shumë i paqëndrueshëm, pritet të ketë shi, erë dhe dëborë. Janari do të jetë një muaj i ftohtë, një muaj tipik dimri ndryshe nga dhjetori.

Mbështetja për fermerët përmes Skemës Kombëtare, Rama: Gjatë 2025-ës arriti në 6.4 miliardë lekë

By: Fax Web
31 December 2025 at 15:07

Kryeministri Edi Rama, bëri të ditur se me aktin normativ të fundvitit, garantuam dëmshpërblimin për 638,065 krerë shpendë për fermerët e prekur nga Influenca Aviare, si dhe disbursimin 100% për mbi 65 mijë fermerë, nga të cilët 49,808 përfitojnë mbështetje për naftën.

Sipas Ramës, mbështetja për fermerët përmes Skemës Kombëtare 2025, arriti në 6.4 miliardë lekë, ku 5.1 miliardë lekë janë dedikuar për mbështetje direkte.

“I gjithë buxheti i parashikuar me Akt Normativ është disbursuar në thesar brenda datës 31 dhjetor”, nënvizoi Rama.

Kjo mbështetje e shtuar synon uljen e kostove të prodhimit dhe garantimin e vijimësisë së prodhimeve bujqësore dhe blegtorale Made in Albania.

Skema Kombëtare mbetet një nga instrumentet kryesore të qeverisë për forcimin e prodhimit vendas dhe për mbështetjen konkrete të ekonomisë rurale.

Akti normativ garanton pagesën e plotë për çdo fermer të kualifikuar brenda vitit buxhetor, duke siguruar korrektësi dhe transparencë në zbatimin e skemës.

VIDEO/ Viti i Ri mbërrin edhe në Australi

By: Fax Web
31 December 2025 at 15:04

Australia mirëpret Vitin e Ri me spektakël fishekzjarresh mbi Portin e Sidneit.

Më herët ishte Zelanda e Re, që mirëpriti vitin 2026-të, gjithashtu me spektakël fishekzjarresh.

Mijëra qytetarë u mblodhën në sheshe publike, me duart lart duke brohoritur, ndërsa fishekzjarret ndriçuan qiellin e natës pas festimeve.

Ishulli Kiritimati, i njohur edhe si Ishulli i Krishtlindjes, së bashku me 10 ishuj të tjerë kryesisht të pabanuar në Paqësorin Qendror, ishin të parët që “përshëndetën” vitin 2026.

Në ishullin Chatham, pjesë e Zelandës së Re, Viti i Ri mbërriti disa minuta para pjesës tjetër të vendit. Ky arkipelag i largët ka rreth 600 banorë.

Tonga dhe Samoa gjithashtu festuan mbërritjen e vitit 2026.

SHBA-të janë nga vendet e fundit që festojë mbërritjen e Vitit të Ri.

LEXO EDHEOraret e pritjes së Vitit të Ri 2026 në mbarë botën

VENDIMI/ Kategoritë që përfitojnë nga kompensimi i të ardhurave mujore të pensionit

By: Fax Web
31 December 2025 at 14:25

Është publikuar vendimi për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve.

Me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave vendosi:

1. Përfitojnë kompensim të të ardhurave mujore deri në 1 800 (një mijë e tetëqind) lekë në muaj personat me të ardhura deri në 40 000 (dyzet mijë) lekë në muaj në datën 31.12.2025, sipas kategorive të mëposhtme:

a) Personat që përfitojnë pension pleqërie të plotë të caktuar sipas ligjit nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, të ndryshuar;

b) Personat që përfitojnë pension pleqërie të plotë urban, pension pleqërie si nënë me shumë fëmijë urban dhe pension të reduktuar të pleqërisë, me datë lindjeje të së drejtës deri në datën 31.12.2014, të caktuara në bazë të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;

c) Personat që përfitojnë pension pleqërie me datë lindjeje të së drejtës nga data 1.1.2015 e në vijim, të caktuar në bazë të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, që plotësojnë periudhën e domosdoshme të sigurimit të parashikuar në nenin 92, pension pleqërie si nënë me shumë fëmijë, të caktuar në bazë të pikës 2, të nenit 31, dhe pension pleqërie të reduktuar, të caktuar në bazë nenit 31/1, të këtij ligji.

ç) Personat që përfitojnë pension pleqërie të caktuar në bazë të ligjit nr.150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë”;

d) Personat që përfitojnë pension për shkak të profesionit, të caktuar në bazë të ligjit nr.29/2019, “Për trajtimin financiar suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës dhe të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”.

2. Përfitojnë kompensim të të ardhurave mujore deri në 800 (tetëqind) lekë në muaj personat me të ardhura deri në 22 000 (njëzet e dy mijë) lekë në muaj në datën 31.12.2025, sipas kategorive të mëposhtme:

a) Personat që përfitojnë pension pleqërie të pjesshëm, të caktuar sipas ligjit nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, të ndryshuar;

b) Personat që përfitojnë pension pleqërie të pjesshëm urban, me datë lindjeje të së drejtës deri në datën 31.12.2014, të caktuar në bazë të neneve 34 e 95, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;

c) Personat që përfitojnë pension pleqërie, me datë lindjeje të së drejtës nga data 1.1.2015 e në vijim, të caktuara në bazë të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, që nuk plotësojnë periudhën e domosdoshme të sigurimit të parashikuar në nenin 92 të këtij ligji;

ç) Personat që përfitojnë pension social të caktuar, në bazë të nenit 5/1, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

3. Përfitojnë kompensim të të ardhurave mujore deri në 1 000 (një mijë) lekë në muaj personat me të ardhura deri në 18 000 (tetëmbëdhjetë mijë) lekë në muaj në datën 31.12.2025, sipas kategorive të mëposhtme:

a) Personat që përfitojnë pension pleqërie të caktuar në bazë të ligjit nr.4976, datë 29.6.1972, “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, të ndryshuar;

b) Personat që përfitojnë pension pleqërie rural, me datë lindjeje të së drejtës deri në datën 31.12.2014, të caktuar në bazë të neneve 31, 34, 93, 95 dhe të paragrafit të dytë të nenit 96 të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

4. Përfitojnë kompensim të të ardhurave mujore deri në 600 (gjashtëqind) lekë në muaj personat me të ardhura deri në 30 000 (tridhjetë mijë) lekë në muaj në datën 31.12.2025, që përfitojnë pension invaliditeti, të caktuar sipas ligjit nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, të ndryshuar, ligjit nr.4976, datë 29.6.1972, “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

5. Përfitojnë kompensim të të ardhurave mujore deri në 700 (shtatëqind) lekë në muaj personat me të ardhura deri në 18 000 (tetëmbëdhjetë mijë) lekë në muaj në datën 31.12.2025, që përfitojnë pension familjar, të caktuar sipas ligjit nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, të ndryshuar, ligjit nr.4976, datë 29.6.1972, “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, të ndryshuar, ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe ligjit nr.8455, datë 4.2.1999, “Për një trajtim të veçantë të familjeve të pilotëve, që humbasin jetën në përmbushje të detyrës, gjatë fluturimit”, të ndryshuar.

6. Masa individuale e kompensimeve të parashikuara në këtë vendim do të përfitohet deri në plotësimin e vlerës së të ardhurave të parashikuar në pikat 1, 2, 3, 4 dhe 5 të këtij vendimi.

Për të gjitha rastet që kompensimi i parashikuar sjell si pasojë tejkalimin e vlerës së të ardhurave sipas pikave 1, 2, 3, 4 dhe 5 të këtij vendimi, masa individuale e kompensimit do të llogaritet si diferencë e të ardhurave të parashikuara në pikat 1, 2, 3, 4 dhe 5 të këtij vendimi, me shumën e të ardhurave mujore të përfituesve, sipas përcaktimeve në këtë vendim.

7. Në kuptim të këtij vendimi, të ardhurat mujore të përfituesve të pensioneve, sipas pikave 1, 2, 3, 4 dhe 5 të këtij vendimi, përfshijnë:

a) masën e pensionit;

b) shtesën mbi pensionin e posaçëm shtetëror, të parashikuar në nenin 5, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;

c) shtesën mbi pensionin e pleqërisë të caktuar sipas nenit 33, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;

ç) trajtimet e veçanta financiare, sipas neneve 5/1/a, 5/1/b, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;

d) përfitimet sipas dekretit nr.758, datë 1.2.1994, “Për një mbrojtje të veçantë të ushtarakut”, të miratuar me ligjin nr.7799, datë 24.2.1994, të Kuvendit Popullor, dhe ligjit nr.8097, datë 21.3.1996, “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, të ndryshuar, ligjit nr.10139, datë 15.5.2009, “Për pensionet shtetërore suplementare të punonjësve të universiteteve, të shkollave të larta, Qendrës së Studimeve Albanologjike, Akademisë së Shkencave dhe të gjitha institucioneve të tjera kërkimore publike në Republikën e Shqipërisë, të cilët kanë tituj shkencorë”, ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, ligjit nr.9128, datë 29.7.2003, “Për një trajtim të veçantë financiar të pilotëve fluturues në pension”, të ndryshuar, ligjit nr.9361, datë 24.3.2005, “Për një trajtim të veçantë financiar të efektivave, oficerë dhe nënoficerë lundrues, të nëndetëseve dhe palombarëve të Forcave Detare, në pension”, ligjit nr.29/2019, “Për trajtimin financiar, suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”, ligjit nr.129/2021, “Për statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës””;

dh) kompensimet sipas vendimit nr.763, datë 27.11.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”, vendimit nr.401, datë 21.6.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”, vendimit nr.17, datë 20.1.2007, të Këshillit të Ministrave, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve të fshatit”, vendimit nr.415, datë 27.4.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për rritjen e pensioneve”, vendimit nr.474, datë 30.6.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për rritjen e pensioneve”.

8. Kompensimi shtesë për të ardhurat mujore, sipas këtij vendimi, u jepet edhe personave që do t’u caktohet pension nga data 1.1.2026 e në vazhdim, të cilët kanë datë lindjeje të së drejtës për pension deri në datën 31.12.2025, përfshirë edhe këtë datë, me kusht që masa e pensionit dhe përfitimet e përmendura në shkronjat “b”, “c”, “ ç”, “d” dhe “dh”, të pikës 7, të këtij vendimi, në datën 31.12.2025 të mos kalojnë të ardhurat e parashikuara në pikat 1, 2, 3, 4 dhe 5 të këtij vendimi.

9. Kompensimi shtesë për të ardhurat mujore, sipas këtij vendimi, u jepet edhe personave që do t’u caktohet pension nga data 1.1.2026 e në vazhdim, me kusht që data e lindjes së të drejtës për pension të jetë deri në datën 31.12.2026, përfshirë edhe këtë datë, me kusht që masa e pensionit dhe përfitimet e përmendura në shkronjat “b”, “c”, “ ç” “d” dhe “dh”, të pikës 7, të këtij vendimi, në datën e lindjes së të drejtës për pension të mos kalojnë të ardhurat e parashikuara në pikat 1, 2, 3, 4 dhe 5 të këtij vendimi. Personave, që do u caktohet pension me datë lindjeje të së drejtës nga data 1.1.2027 e në vazhdim, nuk janë subjekte përfituese sipas këtij vendimi.

10. Kompensimet e përfituara sipas këtij vendimi nuk do të jenë objekt ndryshimi, në rastet e indeksimit të pensioneve me vendime të Këshillit të Ministrave.

11. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi llogariten në shumën 9 800 960 000 (nëntë miliardë e tetëqind milionë e nëntëqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë, të cilat ndahen:

a) 9 728 460 000 (nëntë miliardë e shtatëqind e njëzet e tetë milionë e katërqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë, për mbulimin e pagesave të kompensimit të të ardhurave mujore të pensionistëve;

b) 72 500 000 (shtatëdhjetë e dy milionë e pesëqind mijë) lekë shpenzime administrative për procedurat teknike të zbatimit të këtij vendimi dhe për pagesën e komisioneve të shërbimit të pagesave të pensioneve nga Posta Shqiptare, sh.a., dhe bankat e nivelit të dytë.

12. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, në shumën 9 800 960 000 (nëntë miliardë e tetëqind milionë e nëntëqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë, do të përballohen nga buxheti i shtetit, i planifikuar në buxhetin për sigurimet shoqërore, për vitin 2026.

13. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1.1.2026.

DETAJE/ 12-vjeçarja që u përdhunua nga i moshuari shkonte në shtëpinë e tij për ta ndihmuar

By: Fax Web
31 December 2025 at 14:29

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e raportuar në Pogradec, ku një vajzë 12-vjeçare dyshohet se është abuzuar seksualisht nga një 67-vjeçar dhe aktualisht rezulton shtatzënë, rreth 22 javëshe.

Familjarët e të miturës, në deklarime jashtë kamerave, janë shprehur se mes tyre dhe autorit të dyshuar kishte marrëdhënie të afërta shoqërore, duke theksuar se familjet frekuentonin shpesh banesat e njëra-tjetrës.

Sipas tyre, raportet kanë qenë korrekte dhe nuk kishin pasur asnjë dyshim se mund të ndodhte një ngjarje e tillë.

Ata shprehen se po përjetojnë një gjendje të rënduar emocionale dhe ndihen të tronditur dhe të turpëruar nga ajo që ka ndodhur, ndërsa presin që drejtësia të veprojë dhe të sqarojë plotësisht rrethanat e rastit.

Burime hetimore bëjnë me dije se banesat e familjes së vajzës dhe të autorit të dyshuar ndodhen ngjitur me njëra-tjetrën.

Po sipas këtyre burimeve, e mitura lejohej nga familjarët të shkonte herë pas here në dyqan, për të ndihmuar familjen e të dyshuarit, pa pasur dyshime për rrezik.

Rasti është zbuluar pasi prindërit kanë vënë re ndryshime fizike te vajza, çka i ka shtyrë ta dërgojnë për kontroll mjekësor.

Pas ekzaminimeve, mjekët kanë konstatuar se e mitura ishte shtatzënë.

Mësohet se i dyshuari, Rushan Selko, e ka kërcënuar vazhdimisht të miturën që të mos tregonte për ngjarjen.

Aktualisht, organet kompetente po vijojnë veprimet hetimore, po marrin në pyetje familjarët dhe persona të tjerë të përfshirë në rrethana, ndërsa vajza ka rrëfyer ngjarjen në prani të një psikologu.

Euro mbyll vitin 2025 me rritje në ditën e fundit, por bilanci vjetor mbetet negativ

By: Fax Web
31 December 2025 at 14:15

Euro e mbyll vitin 2025 me një rritje të lehtë ndaj lekut, duke u këmbyer në ditën e fundit të dhjetorit në nivelin e 96.77 lekëve, sipas kursit zyrtar të publikuar nga Banka e Shqipërisë.

Krahasuar me ditët e fundit të vitit, monedha europiane shënon një forcim modest, por ky zhvillim nuk mjafton për të përmbysur prirjen dominuese të gjithë vitit, gjatë të cilit euro ka qenë nën presion të vazhdueshëm zhvlerësues.

Gjatë 2025-s, euro ka reflektuar një dobësim të ndjeshëm në raport me lekun, i nxitur nga një kombinim faktorësh strukturorë dhe sezonalë. Flukset e larta valutore nga turizmi, remitancat e emigrantëve, investimet e huaja direkte, por edhe ofertat periodike të valutës nga bizneset eksportuese, kanë mbajtur tregun e këmbimit të mbingopur me euro. Në të njëjtën kohë, kërkesa për valutë europiane ka qenë relativisht e kufizuar, duke forcuar më tej pozitat e lekut.

Rritja e fundit e euros në mbyllje të vitit lidhet kryesisht me faktorë teknikë dhe sezonalë, përfshirë rregullimet e portofolave financiare, nevojat për likuiditet në fundvit dhe lëvizjet e zakonshme të tregut ndërbankar. Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se kjo rritje nuk përbën një ndryshim të qëndrueshëm të trendit, por më tepër një korrigjim afatshkurtër pas një periudhe të gjatë dobësimi.

Për vitin 2026, pritshmëritë mbeten të kujdesshme.

Nëse faktorët që kanë ushqyer forcimin e lekut gjatë 2025-s vijojnë, veçanërisht turizmi, investimet e huaja dhe flukset hyrëse nga jashtë, euro pritet të mbetet nën presion edhe në muajt e parë të vitit të ardhshëm. Një stabilizim i kursit të këmbimit ose një forcim i lehtë i euros mund të ndodhë vetëm në rast të rritjes së kërkesës për valutë, për shkak të importeve, projekteve të mëdha infrastrukturore apo ndryshimeve në politikën monetare.

Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë pritet të vijojë monitorimin e tregut valutor për të shmangur luhatje të forta, duke ruajtur stabilitetin financiar dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë. Për bizneset dhe konsumatorët, viti 2026 pritet të karakterizohet nga një kurs këmbimi relativisht i qëndrueshëm, por me rreziqe të vazhdueshme nga faktorët e jashtëm dhe zhvillimet në ekonominë europiane.

❌
❌