Nga Elton Qyno – Syri.net
Kur janë mbushur 5 muaj nga rrëmbimi i biznesmenit Gerond Meçe, prokuroria e posaçme SPAK ende nuk ka dalë në përfundimin se kush ishte grupi i çunave prej 4 veta që morën peng Gerond Meçen në mes të Tiranës.
Të 4 personat, janë filmuar nga disa kënde të ndryshme nga kamerat e bizneseve aty afër dhe qartasi duken se janë pa maska, vetëm me kapele në kokë.
Fytyrat e tyre janë thuajse të dallueshme plotësisht, por çuditërisht skuadra e çunave, nuk është arritur të identifikohet qoftë nga informatorët e Policisë së Shtetit, por qoftë dhe nga informatorët e Prokurorisë së Posaçme dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Pse kaq vonesë për identifikimin e 4 njerëzve, imazhet e të cilëve janë kapur nga pamjet filmike dhe kush është njeriu që mbron skuadrën me 4 persona, që të mos arrestohet.
Aq më tepër që mjeti luksoz “Land Rover” me targa “AC121JJ”, që u përdor për marrjen peng të biznesmenit Gerond Meçe, është identifikuar si pronë e shoqërisë “Merkaj 3 shpk” që e administron Endri Merkaj.
Kjo makinë përdorej nga bashkëshortja e këtij të fundit, e cila është marrë në pyetje në SPAK, duke treguar rrethanat e përdorjes së makinës dhe në çfarë cilësie kishte rënë mjeti në dorë të 4 personave që rrëmbyen më pas Gerond Meçen.
Por teksa makina, është arritur të identifikohet se kush e përdor, çuditërisht nuk janë identifikuar 4 personat që e kanë përdorur mjetin në datën 12 Gusht 2025 në Tiranë, me të cilën është marrë peng Meçe.
Për këtë ngjarje SPAK në 15 dhjetor 2025, arrestoi dhe procedoi 8 persona, mes të cilëve shpalli në kërkim dy biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqirin.
Sipas dosjes hetimore ishte 12 gushti 2025 në mëngjes, ora 10:30, kur Gerond Meçe, del nga shtëpia pasi më herët kishte kryer një telefonatë pune.
Makinën “Hunday”, e kishte të parkuar në anë të pallatit dhe teksa afrohej, një makinë fuoristradë e tipit “Defender”, ngjyrë e zezë, me fenelina policie, afrohet drejt tij.
“Gerond Meçe…” i thërret një person, i gjatë, pa mjekër, i veshur me uniformë ngjyrë blu si dhe një jelek ngjyrë të verdhë me mbishkrimin BKH, Byroja Kombëtare e Hetimit.
Me këto detaje, e nis rrëfimin e rrëmbimit të tij, në një dëshmi të 22 shtatorit 2025 në Prokurorinë e Posaçme, Gerond Meçe, pronari i kompanisë “Advanced Businnes Solution ABS”, si një nga personazhet kyçe të dosjes së SPAK për grupin e Ergys Agasit, të cilin e ka shpallur në kërkim për dyshimet mbi tenderat e AKSHI-t.
Bashkë me rrëfimin e tij Meçe i ka vënë në dispozicion SPAK-ut pamjet filmike nga momenti kur e kanë marrë poshtë pallatit ku banonte, të cilat kanë fiksuar çdo moment të ngjarjes, nga kënde të ndryshme.
LEXO EDHE: PD DEL ME EMRA: Ja kompanitë që përfituan miliona euro nga kontratat e AKSHI-t