Normal view

Ish-kreu i CDC nuk pranoi fshehjen e efekteve anësore të vaksinave kundër Covid-19

13 August 2026 at 16:53

Pretendimi: Kreu i Shërbimeve Shëndetësore të ShBA (CDC) pranoi nën betim se fshehën efektet anësore të vaksinave

Verdikti: E pavërtetë

————————————————————————-

Një artikull i botuar në gusht 2026 në portalin mast-info.com pretendon se kreu i Qendrës amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) ka pranuar nën betim se fshehën efektet anësore të vaksinave anti Covid-19.

Në brendi të artikullit pretendohet se Dr. Robert Redfield, ish-kreu i CDC-së pranoi se që nga fillimi nuk kishte transparencë të mjaftueshme në lidhje me efektet anësore të mundshme të padëshirueshme të vaksinave, se kishte vendime të papërshtatshme nga disa, për të kufizuar raportimin e efekteve anësore, sepse ekzistonte frika se kjo do të ndikonte negativisht në mbulimin e vaksinimit të popullsisë dhe se shumë njerëz vuajtën nga efekte anësore të konsiderueshme negative dhe se shqetësimet nuk u trajtuan me transparencën e kërkuar.

Si provë për këtë referohet një video e postuar në platformën X, ku duket Redfield duke dëshmuar para një komisioni në Kongresin amerikan.

Megjithatë, në asnjë pjesë të videos 5-minutëshe, Redfield nuk flet par vaksinat anti-Covid. I gjithë diskutimi në video përqendrohet rreth origjinës së mundshme të pandemisë Covid-19.

Kjo sepse klipi është shkëputur nga një dëgjesë e marsit 2023 e Nënkomisionit të Zgjedhur të Dhomës së Përfaqësuesve për Pandeminë e Koronavirusit, mbajtur specifikisht mbi origjinën e Covid-19.

Redfield ishte dëshmitari kryesor në seancën e parë publike dëgjimore të komisionit, i cili po hetonte se si u shfaq koronavirusi. Ai tha se u përjashtua nga diskutimet e hershme mbi origjinën e virusit sepse dyshonte për një rrjedhje laboratorike. Redford nuk foli për fshehjen e efekteve anësore të vaksinës.

zbardhjen zyrtare të dëgjesës gjendet shkëmbimi i treguar në klip mes Redford dhe përfaqësueses republikane Nicole Malliotakis, i përkthyer në shqip më poshtë:

Znj. MALLIOTAKIS.

Faleminderit, kryetare. Për dy vjet, unë dhe republikanët e tjerë në këtë nënkomision lidhëm pikat, ekspozuam provat që mbështesnin bindjen tonë të fortë se COVID u zhvillua dhe u zbulua nga laboratori i Wuhanit. Dhe gjatë këtyre dy viteve, të njëjtët demokratë që janë në këtë komitet, ata vetëm penguan, ata penguan. Ata refuzuan të mbanin seanca dëgjimore dhe të arrinin në të vërtetën. Tani, shohim prova në rritje që mbështesin se COVID-19 e ka origjinën nga laboratori në Wuhan, Kinë, i drejtuar nga Partia Komuniste Kineze. Dhe

kjo seancë dëgjimore ka të bëjë me arritjen e të vërtetës. E falënderoj kryetarin që e bëri këtë seancën e parë dëgjimore, sepse populli amerikan që ka parë po aq amerikanë të vdesin nga COVID, pothuajse po aq të vdekur nga COVID, sa vdiqën në çdo luftë që nga Revolucioni Amerikan së bashku, meriton të dijë të vërtetën.

Dr. Redfield, ju përmendët teorinë e rrjedhjes së informacionit në laborator, edhe para se ta bënim ne. Në mesin e janarit 2020, ju shprehët shqetësime te Dr. Fauci, te Jeremy Farrar i Wellcome Trust të Mbretërisë së Bashkuar dhe te Dr. Tedros i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, duke cituar: “Ne duhej ta merrnim hipotezën e rrjedhjes në laborator me seriozitet ekstrem.” Dhe ju e nxitët Dr. Fauci të hetonte si hipotezën në laborator ashtu edhe atë natyrore. Pak më pas, më 1 shkurt, Farrar mblodhi një takim të një grupi prej 11 shkencëtarësh kryesorë në pesë zona kohore dhe i kërkoi Dr. Fauci të bashkohej. Dhe ai shkroi: “Preferenca ime është ta mbaj këtë grup shumë të ngushtë. Natyrisht, kërkojuni të gjithëve të trajtojnë me konfidencialitet të plotë.” Dr. Redfield, ju u përjashtuat nga kjo thirrje, por deri atëherë, ju ishit përfshirë në çdo bisedë tjetër. Çfarë ndryshoi? Pse mendoni se u përjashtuat nga këto biseda?

Dr. REDFIELD.

Faleminderit shumë. Mendoj – vetëm për ta theksuar – në fillim deri në mes të janarit, pata disa telefonata me Fauci-n, Farrar-in dhe Tedros-in rreth asaj se sa e rëndësishme mendoja se ishte që shkenca të angazhohej dhe të ndiqte të dyja hipotezat. Gjithashtu, si virolog klinik, shpreha se nuk ishte shkencërisht e besueshme që ky virus kaloi nga një lakuriq te njerëzit dhe u bë një nga viruset më infektivë që kemi tek njerëzit. Jo të gjithë viruset janë të njëjtë. Kur shikoni koronaviruset, për shembull SARS dhe MERS, kur ata hynë në speciet njerëzore, gjë që e bënë nëpërmjet një ndërmjetësi, ata kurrë nuk mësuan se si të kalonin nga njeriu te njeriu. Edhe sot e kësaj dite, ata nuk dinë si të kalojnë nga njeriu te njeriu. Pra, nuk mund ta barazoni Ebolën me një “koronavirus”.

Znj. MALLIOTAKIS.

Pse mendoni se u përjashtuat nga ato thirrje?

Dr. REDFIELD.

Sepse më thanë se ata donin një narrativë të vetme, dhe se unë padyshim kisha një këndvështrim të ndryshëm.

Znj. MALLIOTAKIS.

Në rregull. Në emailet pas thirrjes telefonike, katër nga 11 shkencëtarët i thanë Faucit se të gjithë gjetën një sekuencë gjenetike në kundërshtim me pritjet nga teoria evolucionare, në thelb atë që po thoni ju. Megjithatë, vetëm tre ditë më vonë, këta katër shkencëtarë kishin hartuar një punim duke argumentuar të kundërtën. Dhe kjo është tani famëkeqja “Origjina e Afërt e SARS COVID 2”. Hetimet tona tregojnë se ky punim u nxit nga Dr. Fauci, ndër të tjerë, me qëllim që të hidhte poshtë teorinë e rrjedhjes në laborator. Cila është mundësia që këta shkencëtarë të kenë hasur në informacione shtesë vetëm tre ditë pasi bënë këto deklarata, për të arritur në përfundimin me një siguri të tillë se COVID-19 erdhi nga natyra në vend të rrjedhjes në laborator që ata menduan se ishte tre ditë më parë?

Dr. REDFIELD.

Po. Mendoj se është për të ardhur keq. Përsëri, e kam thënë këtë më parë, se e gjithë kjo qasje që u mor më 1 shkurt dhe më pas në muajin shkurt, nëse doni vërtet të jeni të sinqertë, është në kundërshtim me shkencën.

Znj. MALLIOTAKIS.

Faleminderit.

Dr. REDFIELD.

Shkenca ka debat dhe ata shtypën çdo debat.

Znj. MALLIOTAKIS.

Faleminderit. Duke pasur parasysh atë që dimë tani dhe duke parë të gjitha bisedat në shkurt 2020 dhe para publikimit të punimit, a mendoni se Dr. Fauci e përdori këtë punim për të fshehur se ky virus u krijua nga hulumtimi i fitimit të funksionit?

Dr. REDFIELD.

Nuk mund të flas për motivimin e Fauci-t.

Znj. MALLIOTAKIS. 

A mendoni se punimi fsheh të vërtetën?

Dr. REDFIELD.

Mendoj se është një punim i pasaktë që në thelb ishte pjesë e një narrative që ata po krijonin. Mos harroni, kjo pandemi nuk filloi në janar në tregun e ushqimeve të detit. Tani e dimë se kishte infeksione që në shtator. Ky ishte një narrativë që u vendos se ata do të thoshin se kjo erdhi nga tregu i lagësht, dhe ata do të bënin gjithçka që mundën për ta mbështetur atë, për të mohuar çdo diskutim rreth mundësisë që kjo erdhi nga një laborator.

Znj. MALLIOTAKIS. 

Më kanë mbetur edhe 20 sekonda. Dr. Fauci u informua në mënyrë pozitive në një email se NIH kishte një marrëdhënie monetare me Institutin Wuhan përmes EcoHealth Alliance. Kjo iu tha më 27 janar 2020. A mendoni se Dr. Fauci qëllimisht i gënjeu nën betim senatorit Paul kur ai mohoi me forcë financimin e NIH për kërkimin mbi fitimin e funksionit?

Dr. REDFIELD.

Mendoj se nuk ka dyshim se NIH po financonte kërkimin mbi fitimin e funksionit.

Znj. MALLIOTAKIS.

A ka të ngjarë që dollarët e taksave amerikane të kenë financuar kërkimin mbi fitimin e funksionit që krijoi këtë virus?

Dr. REDFIELD.

Mendoj se e bëri. Jo vetëm nga NIH, por edhe nga Departamenti i Shtetit, USAID dhe nga DOD.

Znj. MALLIOTAKIS.

Nuk kam kohë. Faleminderit shumë.

The post Ish-kreu i CDC nuk pranoi fshehjen e efekteve anësore të vaksinave kundër Covid-19 appeared first on Faktoje.al.

Statistikat, si po “humbasin” në gjykata dosjet e zjarrvënieve

13 August 2026 at 15:00

Nga Anila Hoxha

Skënder P. i duhen edhe tre muaj që të përfundojë dënimin e dhënë nga gjyqtari Taulant Banushaj, i cili e gjeti fajtor për zjarrvënie nga pakujdesia. 

Tre vjet më parë, Skënder P. rrezikoi disa banesa në fshatin Kus. 

Ai u dënua me 32 muaj dënim me kusht, me detyrimin që të mbajë kontakte me zyrën vendore të Shërbimit të Provës në Tiranë. 

Mes detyrave që 58-vjeçari ka, është jo vetëm të mos kryejë vepër penale, por duke u paraqitur e duke u intervistuar, duhet të japë prova se ka reflektuar në raport me kujdesin që duhet të ketë me zjarrin.

Burri nga Vora thotë shkurt për “Faktoje” se shprehja: “kujdes nga zjarret dhe shteti” është e vërtetë, duke qenë se prej të parit për pak u dogj, ndërsa prej të dytit ai po shlyen dënimin.

Për një bisht cigare iku gati një pyll    

Ashtu siç ka pohuar edhe para drejtësisë, Skënderi kujton: “Po pija duhan dhe në një moment më zuri gjumi. Dëgjova të bërtitura dhe pashë njerëz që po përpiqeshin të fiknin zjarrin. Nuk e kuptova si ndodhi”. 

Ai insiston se gjithçka ndodhi nga pakujdesia. 

Lidhur me këtë pohim, gjykata shprehet ndër të tjera se: “I pandehuri duhet të kishte parashikuar pasojën që mund të vinte, por nuk e ka parashikuar se, duke pirë duhan, do të mund të shkaktonte zjarr në këtë zonë për shkak të llojit të bimësisë dhe periudhës (muaji korrik) kur është shkaktuar zjarri”

Prokuroria e Tiranës i adresoi atij akuzën “Shkatërrimi nga pakujdesia me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor” 

Kësaj radhe autoriteteve nuk iu desh shumë punë për të provuar autorësinë, e cila pasqyrohet në një procesverbal të kapjes në flagrancë, ku përshkruhet 58-vjeçari teksa përpiqej bashkë me banorët të shuante zjarrin. 

Djegia në shtrirje lineare e gati 5 mijë metrave pyll (njësia administrative Kashar) u konsiderua “pasojë e rëndë që cenon ekosistemin në atë zonë, duke e bërë të panevojshme përllogaritjen në vlerë monetare të pasojës së ardhur”

Nga 5 vite burgim në shërbim prove 

Shtetasi O.D. u dënua me pesë vite burgim, por përfitoi nga gjykimi i shkurtuar duke iu konvertuar koha prej 3 vitesh në shërbim prove. 

Përpara gjyqtares Vjollca Spahiu, i riu tha vetëm një fjali: “Mëshirë, falje, jam i penduar”. 

Akuza ndaj tij ishte shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor. 

Ai donte të pastronte përmes djegies një sipërfaqe prej 50 metrash në fshatin Kutreq, por situata i doli nga dora dhe vatra shpërtheu, duke dëmtuar afro 3 hektarë, kryesisht dru pishe dhe shkurre që gjendeshin në territorin e zonave të mbrojtura. 

Dëmi i llogaritur në këtë rast ishte 1 050 000 lekë, që, sipas VKM-së nr. 558, datë 29.07.2022, u vlerësua si shkelje me pasoja të rënda.

Situata 

Ndërkohë, zjarret janë rikthyer kërcënueshëm edhe këtë vit. 

Gentian Mullaj, zëdhënës i Policisë së Shtetit, tha për Faktoje se: “Si rezultat i reagimit në kohë të strukturave të Policisë gjatë periudhës 01.06.2026–11.08.2026, në të gjithë vendin janë vënë në pranga 21 shtetas të dyshuar si autorë, ku një pjesë janë kapur në flagrancë; 44 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë dhe 3 shtetas janë shpallur në kërkim” 

Kruja pa autor

Mes tyre rezultoi të ishte edhe 74-vjeçari Q.B. i arrestuar më 9 gusht për kryerjen e veprës penale “shkatërrim i pronës me zjarr”, pas një vatre që nisi në lagjen Abazaj të Bashkisë Krujë dhe që rrezikoi gjithë qytetin.

Në procesverbal, oficerët shkruajnë se e gjetën 74 vjeçarin duke u munduar të shuante zjarrin me kova.

Gjatë hetimeve prokuroria konstatoi se i moshuari nuk ishte autor i zjarrvënies ndaj urdhëroi lirimin e tij dhe shpalli ndalimin e paligjshëm. 

“Në dosjen e procedimit penal të administruar në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë nuk është administruar asnjë provë direkte apo indirekte, se shtetasi Q.B. me dashje i ka vënë zjarrin pronës në afërsi të banesës së tij, e cila theksojmë do të ishte e para që do të dëmtohej nga zjarri për shkak të afërsisë me vendin ku ka rënë zjarri.

E vetmja indicie është afërsia e banesës me vendin ku ka filluar zjarri si dhe fakti se ky shtetas kalonte në këtë rrugë dy herë në ditë për shkak se punonte në depon e ujit që furnizonte lagjen e tij dhe qytetin e Krujës.

Organi i akuzës ka regjistruar procedimin penal pa autor dhe do vazhdojë kryerjen e hetimeve të hollësishme, të gjithanshme, të pavarura dhe objektive me qëllim administrimin e të gjitha provave të nevojshme dhe zbulimin e ngjarjes së ndodhur nëse ajo ka qenë e qëllimshme apo aksidentale duke vendosur kështu përpara përgjegjësisë personin /personat përgjegjës”

Çfarë nuk shkon me gjetjen e autorëve? 

Mihallaq Qirjo, kreu i REC Albania dhe drejtues i një prej studimeve të pakta mbi drejtësinë mjedisore në qytetet Korçë, Elbasan dhe Tiranë, thotë se zinxhiri i hetimit nuk funksionon siç duhet.

“Hallka më problematike është ajo e oficerëve të policisë gjyqësore, që është përgjegjëse për grumbullimin e provave edhe për rastet kur ato raportohen nga policia, individë apo organizata të tjera. 

Vonesat gjatë grumbullimit të provave të mjedisit dhe mungesa e një qartësie në kuadrin ligjor mjedisor në nivelin e dëmit  dhe efektet që krimet mjedisore shkaktojnë mbi shëndetin, ekosistemin dhe biodiversitetin, bëjnë që problematika të shoqërohet gjatë dhënies së drejtësisë mjedisore”

Gjyqësori me dosjet dëng 

Një udhëzim të KLGJ-së i datës 6 maj 2026  i kërkon Gjykatës së Apelit që të shqyrtojë me prioritet, edhe çështjet me objekt mbrojtjen e mjedisit dhe klimës. 

Në dijeni të plotë të këtij udhëzimi, i cili vendos në prioritet të kalendarit të gjyqtarëve gjykimet mjedisore, veç atyre që lidhen me interesin e fëmijëve, kujdesin ushqimor, paditë e divorceve dhe ato të marrëdhënieve të punës, kancelarja e kësaj gjykate, Lertida Balili, e sheh si një ogur të mirë këtë lëvizje.

Por ajo shton se, “stoku deri në fund të muajit korrik ka mbërritur në 46,679 çështje, të cilat duhet të gjykohen nga vetëm 41 gjyqtarë. 

Është fakt se në Gjykatën e Apelit po shqyrtohen ende çështjet e vitit 2018, mes tyre ato me afat dhe ato për të cilat kërkohet përshpejtimi. Përderisa sipas këtij udhëzimi mund të kërkohet përshpejtimi edhe për këtë kategori, natyrisht që është një sinjal i mirë. Por, në dijeninë time, për këtë kategori nuk ka pasur deri më tani kërkesë për t’i përshpejtuar”.

Në një kohë kur drafti i Kodit të Ri Penal është ende në proces dhe kur parashikohet një gamë më e madhe veprash penale për drejtësinë mjedisore, në paketën aktuale janë të dënueshme 19 vepra 

Mes tyre përfshihen edhe dispozitat për zjarrvënien, shkatërrimin e pronës me zjarr.

Të dhënat zyrtare: Shumë proçedime pak të dënuar  

Nga të dhënat zyrtare zyrtare që Prokuroria e Përgjithshme vuri në dispozicion të Faktojes për krimet mjedisore gjatë pesë viteve të fundit, vërehet se numri i referimeve është i lartë për veprat e shkatërrimit me zjarr të pyjeve (neni 206/a) dhe shkatërrimit nga pakujdesia me zjarr i pyjeve (neni 206/b). 

Konkretisht, të dhënat  tregojnë se nga 314 krime mjedisore (95 prej të cilave të pushuara), 40 procedime për vitin 2021 ishin për zjarret, por në gjykatë u dërguan vetëm dy të pandehur, të cilët u dënuan. 

Njëmbëdhjetë çështje u pushuan, ndërsa të tjerat u referuan për hetime të mëtejshme dhe më pas u pezulluan për mungesë autorësh.

Në vitin 2022 trendi vijon i njëjtë: u regjistruan 34 procedime penale për këto krime, u regjistruan shtatë emra nën hetim dhe në përfundim dolën para gjykatës dy të dënuar që morën fajësi. 

Për këtë vit, në total në të gjithë vendin u regjistruan 372 procedime penale, nga të cilat 130 u pushuan

Në vitin 2023, të dhënat ekskluzive të vëna në dispozicion të Faktoje tregojnë sërish hetime mjedisore që humbasin rrugës për procedurë; u regjistruan 343 procedime si krime mjedisore, nga të cilat 146 u pushuan dhe 79 u pezulluan. 

Gjatë këtij viti u hetuan 26 çështje të zjarrëvënies me dashje dhe nga pakujdesia, por me akuzat në gjykatë u përballën vetëm tre shtetas.

Në vitin 2024 u regjistruan 299 procedime penale si krime mjedisore, prej të cilave 53 kishin lidhje me hetimet ndaj zjarreve. 

Në gjykatë përfunduan 5 zjarrvënës që të pestë të dënuar. 

Në të gjithë spektrin e çështjeve mjedisore të këtij viti 225 çështje u pushuan

Në vitin 2025 u regjistruan 330 çështje mjedisore nga të cilat 58 ishin hetime ndaj zjarrvënies. 

Gjashtë persona u morën të pandehur. 

Për këtë vit u pezulluan 140 hetime për mungesë autorësh dhe 80 u pushuan 

Grafik i perpunuar me AI

Krimi që vërehet se ka volum më të lartë në këtë pesëvjeçar është ai i prerjes së paligjshme të pyjeve, menaxhimi i mbetjeve dhe ndotja e ajrit, ujit dhe tokës

  • Në total, gjatë pesë viteve të fundit janë regjistruar 1,658 procedime mjedisore, ku më shumë se gjysma janë pushuar ose pezulluar.
  • Ndërkohë, për krimet e zjarrvënies janë regjistruar 211 procedime, por vetëm 18 persona kanë dalë para gjykatës dhe janë dënuar. 

Pasojat 

Zoti Qirjo thotë për Faktoje se gjatë analizës së thelluar të gjithë zinxhirit të drejtësisë mjedisore është konstatuar se hetimi penal dhe administrativ është mjaft i ulët . “Procedura është mjaft e gjatë”, thekson Qirjo sipas të cilit arma më e fortë mbetet ende komuniteti për ta mbrojtur mjedisin

The post Statistikat, si po “humbasin” në gjykata dosjet e zjarrvënieve appeared first on Faktoje.al.

Asnjë bazë për gjetjen e fermave të adrenokromit të fëmijëve në Ukrainë

13 August 2026 at 14:53

Pretendimi: Ushtarët rusë kanë gjetur fëmijë të dobët dhe të sëmurë në Ukrainë që u merrej në mënyrë profesionale gjaku dhe lëngjet nga veshkat, për të furnizuar tregtinë globale të adrenokromit

Verdikti: E paprovuar

——————————————————————

Në rrjetet konspiracioniste, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi i jashtëzakonshëm se ushtarët rusë në Ukrainë kanë gjetur fëmijë të dobët dhe të sëmurë, të cilëve u jepeshin lëngje nëpërmjet infuzionit, ndërsa trupave të tyre u merrej në mënyrë profesionale gjaku dhe lëngjet nga veshkat, për të furnizuar tregtinë globale të adrenokromit.

Si zakonisht, për të mbështetur këto pretendime të jashtëzakonshme nuk sillet ndonjë provë, burim apo referencë, aq më pak e jashtëzakonshme.

Asnjë media ndërkombëtare nuk ka raportuar një ngjarje të tillë, e cila, nëse do të ishte e vërtetë, do të ishte raportuar gjerësisht nga shtypi i etur për lexues, siç zaptoi peizazhin mediatik përmbajtja e dosjeve të lëshuara nga Departamenti amerikan i Drejtësisë lidhur me pedofilin dhe trafikantin amerikan Jeffrey Epstein.

Megjithëse postimi shoqërohet me tre imazhe që tregojnë fëmijë të dobët dhe të keqtrajtuar, asnjë nga këto imazhe nuk tregon fëmijë në Ukrainë.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se imazhi i sipërm tregon 5-vjeçaren vietnameze Nguyen Thuy Duong në 2013. Ajo ishte abuzuar brutalisht nga i ati. Imazhi i poshtëm majtas tregon foshnjen siriane Sahar Dofdaa, e cila vdiq në 2017 kur ishte vetëm një muajshe, si pasojë e paushqyerjes në Ghouta Lindore të Sirisë, ku një shtetrrethim i regjimit të atëhershëm kishte shtyrë qindra fëmijë në prag të urisë. Ndërsa imazhi i poshtëm djathtas tregon një fëmijë në një qendër trajtimi për kequshqyerjen në Sanaa, Jemen, më 30 tetor 2016, pas 20 muajsh lufte civile në vend mes një koalicioni të udhëhequr nga Arabia Saudite dhe grupit Houthi të lidhur me Iranin.

Pyetur nga AFP në 2023 në lidhje me akuzat për trafikim organesh që pretendohej se ishin kryer nga ushtarët ukrainas, Misioni i Monitorimit të të Drejtave të Njeriut të OKB në Ukrainë tha se “asnjë nga anëtarët e misionit të OKB-së nuk ka dëgjuar ndonjëherë për një gjë të tillë”.

Jakub Kalenský, eksperti kryesor për dezinformimin i Qendrës Europiane e Ekselencës për Kundërshtimin e Kërcënimeve Hibride, tha për AFP se “trillimi i gënjeshtrave për krimet ukrainase kundër fëmijëve ka qenë një nga qëllimet e preferuara të kanaleve dezinformuese të Kremlinit dhe ekosistemit që përsërit gënjeshtrat e tyre të paktën nga viti 2014.”

“Krijimi i historive dezinformuese për fëmijët e abuzuar dhe të lënduar synon të krijojë emocionet më të forta të mundshme tek audienca e synuar dhe kështu të eliminojë mendimin e tyre kritik”, tha Kalensky. “Deri më tani, nuk kemi parë asnjë provë që autoritetet ukrainase kanë kryer krime kundër fëmijëve. Përkundrazi, ka pasur shumë prova për krime ruse kundër fëmijëve ukrainas. Është një situatë tipike dhe cinike e ‘hajdutit’ që thërret ‘kapeni hajdutin’.”

Ndërkaq, në mars 2023, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste për presidentin rus Vladimir Putin dhe komisioneren ruse për të drejtat e fëmijëve, Maria Lvova-Belova, nën akuzat për deportim dhe transferim të paligjshëm të fëmijëve nga zonat e pushtuara të Ukrainës në Federatën Ruse, të cilat karakterizohen si krime lufte.

Narrativa e trafikimit të fëmijëve për t’u nxjerrë adrenokromin që përdoret nga elitat për të zgjatur jetën dhe rininë e tyre u shfaq për herë të parë në 2017 në ShBA, si pjesë e teorisë konspirative QAnon. Kjo teori përshkruan presidentin amerikan Donald Trump si një hero i vetëm që po luftonte një kabal elitash që ishin pedofilë dhe vrasës fëmijësh. QAnon premtonte se këta komplotistë do të ekspozoheshin dhe ndëshkoheshin së shpejti në një “stuhi” që po vinte.

Një variant i hershëm i kësaj teorie konspiracioni, Pizzagate, pretendon se pjesëtarët e Partisë Demokrate të ShBA dhe disa restorante amerikanë ishin të përfshirë në një ring trafikimi fëmijësh dhe pedofilie. Ndikuar nga kjo teori, në 4 dhjetor 2016, një burrë nga North Carolina shkoi në picerinë Comet Ping Pong dhe shtiu me armë.

Sa i përket adrenokromit, kjo substancë prodhohet nga oksidimi i adrenalinës. Ajo është studiuar në vitet 1950-’70, por sot nuk ka asnjë përdorim mjekësor. 

Adrenalina prodhohet në gjëndrat mbiveshkore, oksidantët e të cilave (monoaminat) qarkullojnë në gjak. Meqenëse adrenokromi ekziston si pjesë e metabolizmit të adrenalinës, duke qenë një neurotransmetues, trupi e oksidon atë me shpejtësi. Pasi këta lajmëtarë kimikë oksidohen, ata humbasin funksionin e tyre.

Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) nuk e ka aprovuar përdorimin e adrenokromit. Mbi të gjitha, nëse një grup elitash do ta donte gjithsesi këtë substancë të deklaruar të padobishme nga shkenca, nuk do t’i duhej të rrëmbenin fëmijë nëpër tunele nëntokësore për ta përftuar atë. Adrenokromi mund të krijohet në laborator, madje mund të blihet në internet lehtësisht. Kompania kanadeze Toronto Research Chemicals shet 25 mg adrenokrom për 126 dollarë amerikanë, ndërsa laboratori Astatech Inc. ofron të njëjtën sasi për 464 dollarë amerikanë.

Adrenokromi mund të blihet lehtësisht në internet

The post Asnjë bazë për gjetjen e fermave të adrenokromit të fëmijëve në Ukrainë appeared first on Faktoje.al.

Tirana rrethohet nga zjarret në ditën më të nxehtë të vitit

13 August 2026 at 13:23

Në ditën më të nxehtë të vitit, Tirana u rrethua nga zjarret. Nga Dajti, ku flakët u shfaqën pranë fabrikës së ujit në Selitë dhe mbi tunelet e Qafë-Mollës, deri në Priskë të Madhe, ku zjarri u shtri drejt Gurrës, Farkës dhe Lundrës, vatrat u afruan me kryeqytetin.

Në Dajt, për shuarjen e zjarrit në pyllin me pisha janë angazhuar forcat zjarrfikëse dhe strukturat e zonave të mbrojtura, të mbështetura nga dy helikopterë të Forcës Ajrore. Autoritetet thonë se aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Priskë të Madhe ndërhyrja po vijon nga toka dhe ajri, ndërsa zjarri është shtrirë në drejtim të Gurrës, Farkës dhe Lundrës.

12 vatra aktive

Flakët janë rikthyer në Krujë. Pas zjarrit masiv që rrezikoi pak ditë më parë zonat e banuara, vatra në lagjen Abaze vijon të jetë aktive. Forcat e Armatosura dhe mjetet ajrore janë sërish në terren për të frenuar përhapjen e flakëve dhe për të mbrojtur banesat. 

Në Krastë dhe Halil po operojnë forcat e zonave të mbrojtura, strukturat bashkiake dhe efektivë të Forcave të Armatosura.

Zjarri vijon të përparojë edhe në Lurë, një nga zonat më të bukura pyjore të Shqipërisë. Në Gurë-Lurë po zhvillohet një operacion i gjerë nga toka dhe ajri, ku janë angazhuar zjarrfikës, forca bashkiake, Policia e Shtetit, shërbimi pyjor, strukturat e zonave të mbrojtura, emergjencat civile dhe vullnetarë. Në terren janë edhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura, ndërsa nga ajri po ndërhyhet me dy avionë “Air Tractor”.

45 vatra në 24 orë

Situata është e ngjashme edhe në zona të tjera të vendit. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë raportuar 45 vatra zjarri. Prej tyre, 12 mbeten aktive, ndërsa një tjetër është në monitorim.

Në Patos-Mallakastër, në zonën Drenie–Lofkënd–Ngracie, operacioni vijon me forca zjarrfikëse dhe ushtarake.

Në Përmet, dy vatra janë aktive në malin e Nëmërçkës dhe malin Dhëmbel, ndërsa në Gurë-Lurë të Dibrës po zhvillohet një operacion nga toka dhe ajri, i mbështetur edhe nga dy avionë “Air Tractor”.

Vatra aktive raportohen gjithashtu në malin e Moravës në Devoll, në disa zona të Mirditës dhe në Vau të Dejës. Në Vilëz të Kurbinit, zjarri është kaluar në monitorim pas ndërhyrjes nga toka dhe ajri.

Për përballimin e situatës, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në operacionet e 24 orëve të fundit janë angazhuar 839 forca operacionale dhe 72 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje janë vënë edhe 250 efektivë të Forcave të Armatosura, 5 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”. 

“Problemi nis shumë kohë përpara se të shfaqen flakët”

Inxhinieri i pyjeve Abdulla Diku thotë se zjarret e kësaj vere nuk janë një situatë e papritur, por përsëritje e të njëjtit problem. Sipas tij, pyjet dhe mbrojtja nga zjarret nuk janë trajtuar seriozisht, ndërsa mungojnë masat e vazhdueshme parandaluese.

“Problemi nis shumë kohë përpara se të shfaqen flakët”, thotë Diku, duke renditur mungesën e patrullimit në zonat me rrezik, pastrimin e brezave mbrojtës, kontrollin e vegjetacionit të thatë, mirëmbajtjen e rrugëve pyjore dhe pikave të furnizimit me ujë.

Ai ngre pikëpyetje edhe për mungesën e fushatave të sensibilizimit të qytetarëve, fermerëve, barinjve dhe vizitorëve të zonave natyrore për rrezikun e zjarreve dhe përgjegjësitë që sjell ligji.

Një tjetër problem, sipas inxhinierit, është mungesa e monitorimit të vazhdueshëm në terren, personelit teknik pyjor dhe përdorimit sistematik të të dhënave satelitore e dronëve.

Në këtë panoramë, Diku e sheh edhe zbatimin e ligjit si një hallkë të dobët. Djegia e mbetjeve bujqësore gjatë periudhës së thatë është e ndaluar me ligj, por sipas tij ndalimi vazhdon të shkelet.

Në këtë situatë, pjesa më e madhe e barrës bie mbi zjarrfikësit. Ata përballen me flakët në terrene të vështira dhe me rrezik të lartë, ndërsa shteti mat suksesin e operacionit me numrin e forcave dhe mjeteve të dërguara në terren.

Por, siç thekson inxhinieri Abdulla Diku, heroizmi i zjarrfikësve nuk mund të zëvendësojë një sistem funksional të parandalimit dhe menaxhimit të zjarreve.

The post Tirana rrethohet nga zjarret në ditën më të nxehtë të vitit appeared first on Faktoje.al.

❌