Normal view

Këto ndërtesa pranë Zvërnecit asnjë lidhje me hebrejtë

9 June 2026 at 17:11

Pretendimi: Ndërtesa kulti hebreje janë ndërtuar tashmë në Vlorë, në afërsi të Zvërnecit.

Verdikti: Mungon konteksti

Në fund të majit 2026, ndërsa qytetarë dhe ambjentalistë protestonin kundër një projekti të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Trump, dhe planifikuar për t’u ndërtuar në peizazhin e mbrojtur Zvërnec-Nartë, në rrjete sociale nisi të qarkullonte pretendimi se pranë Zvërnecit ishin ndërtuar godina “të ngjashme me Kullën e Babelit”. Përtej formës së ndërtesave, pretendohet se brenda tyre ka “vende kulti për hebrejtë që vizitohen shpesh nga Aleks Soros”. Ndërsa një nga narrativat që ka shoqëruar protestat është e lidhur me origjinën hebreje të investitorit Jared Kushner dhe shitjen e tokës për Izraelin, ky postim që nuk paraqet asnjë provë të bindshme për pretendimet e tij, ka marrë vëmendje të shtuar nga komentuesit. 

Megjithatë, godinat që shfaqen në fotot e mësipërme nuk janë ndërtuar së fundmi dhe nuk kanë lidhje me objekte kulti hebreje.

Ato janë godina rezidenciale dhe administrative të portit të Petroliferës Italo-Shqiptare (PIA) në Vlorë. Ndërtesa më e lartë, është fari sinjalizues i portit, ndërkohë që katër ndërtesat e tjera shërbejnë si rezidenca për administratën shqiptare të Petroliferes me familjet e tyre. Kjo është një traditë e kësaj kompanie italiane edhe në vende të tjera, ku administrata banon në port jo vetëm për çështje logjistike, por edhe për të dëshmuar standartet e larta të sigurisë në zonën operacionale të procesimit të karburanteve. 

I pyetur nga Faktoje, Edmond Bedini, drejtori i terminalit La Petrolifera Italo Albanese Sh.A. (PIA), konfirmoi që strukturat e paraqitura në foto janë pjesë integrale e terminalit. “Në këto ndërtesa jetojnë drejtori dhe zv.drejtori, të cilët për arsye operative dhe sigurie duhet të banojnë në një distancë të shkurtër nga terminali, si dhe përdoren si rezidenca nga kolegët tanë italianë kur ndodhen në Vlorë”, u shpreh z. Bedini.

Ai shtoi më tej se: “rezidencat u ndërtuan midis viteve 2007-2009, njëkohësisht me ndërtimin e terminalit, i cili ndodhet në tokë private. Ndër miratimet e ndryshme të marra për ndërtimin e terminalit të PIA, mund të veçoj atë nga Kuvendi i Shqipërisë, të votuar më 13 maj 2004”.

Pamje të këtyre godinave me formë të veçantë datojnë që nga viti 2009, dhe ato shfaqen në pamje satelitore të zonës nga viti 2011. Ato kanë shërbyer si vendndodhje shfaqjesh kulturore.

Sipas arkitektes që ka dizenjuar godinat, Patrizia Pozzi, forma e tyre spirale u frymëzua nga forma natyrale spirale e një guaske të gjetur në plazh dhe shërben si një mënyrë bashkëekzistence paqësore e ndërtesave me natyrën.

The post Këto ndërtesa pranë Zvërnecit asnjë lidhje me hebrejtë appeared first on Faktoje.al.

Flamingot rozë, viktima të “luftës hibride” të dezinformimit

8 June 2026 at 18:30

Ndërsa protesta masive qytetare në Shqipëri kundër projektit ndërtimor të planifikuar në zonën e Zvërnecit dhe lagunën e Nartës hyjnë në ditën e nëntë, narrativa të gjithëfarshme janë ngritur në media dhe rrjete sociale përreth këtyre protestave që kundërshtojnë projektin. Jehona e kësaj proteste paqësore që u shtri brenda dhe jashtë kufijve të vendit e që u transmetuar nga shumë media ndërkombëtare  shpreh  pakënaqësinë ndaj  klasës politike.

Masiviteti i një marshimi spontan të dielën, më 31 maj, u pasua nga një deklaratë e gjatë publike e kryeministrit Edi Rama më 1 qershor në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. 

“Armiqtë e huaj” na kanë në grykë të pushkës 

Në këtë fjalim mbi 1 orë të gjatë, u hodh fillimisht narrativa e “forcave të huaja” që nuk duan të zhvillohet Shqipëria dhe po përpiqen të sabotojnë projektin duke manipuluar opinionin publik si tek filmi”Wag the Dog”. (Ironikisht, Wag the Dog është një film i vitit 1987 në të cilin një propagandist i qeverisë amerikane shpik një luftë për të hequr vëmendjen nga një skandal politik)

Greqia fqinje u prezantua nga Rama si një palë e interesuar. 

Ai pyeti në mënyrë retorike se pse mediat greke ishin kaq të shqetësuara për mjedisin shqiptar dhe u shpreh i habitur që Ministria e Jashtme greke u shpreh për dhunën e ushtruar ndaj një protestuesi në Zvërnec. Protestuesi i dhunuar kishte dy shtetësi, një shqiptare dhe një greke.

Në një intervistë të 3 qershorit për median ndërkombëtare CNN, Rama foli për “lufte hibride” të drejtuar nga “armiq që i njohim shumë mirë” dhe “konkurrenca shumë e fortë në pjesën tonë të Mesdheut”

Ndërsa kryeministri Rama denonconte “luftën hibride” kundër zhvillimit të Shqipërisë, po ditën kur ai nënkuptoi se Greqia kishte interesa në ndalimin e projektit të Zvërnecit, në media dhe rrjete sociale nisi të qarkullonte një imazh i gjeneruar me inteligjencën artificiale, ku shfaqej një radhë autobusësh pranë një pike kufitare. 

Ky imazh u prezantua në ekranet shqiptare shoqëruar me pretendimin se bëhej fjalë për protestues grekë që po hynin në Shqipëri për të marrë pjesë në protestën e Tiranës kundër projektit turistik në Pishë Poro-Nartë.

E njëjta narrativë u përsërit nga Rama më 5 qershor, kur u pyet për protestat nga mediat ndërkombëtare përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor 2026 në Tivat. 

Ai deklaroi se po ndodhte një “luftë hibride” kundër Shqipërisë, e orkestruar nga “armiqtë e vendit,” të cilët kësaj radhe i identifikoi si “iranianët”

Kryeministri i ka mëshuar kësaj narrative edhe në postimet e tij të shumta në rrjete sociale, ku u shpreh  se protestuesit që shajnë “tradhëtarët e armiqtë imagjinarë të Shqipërisë” ndërsa ngulmoi se “të vetmet arsye të mbetura [për protestën] janë ato të të huajve që nuk e duan Shqipërinë në Ligën e Kampionëve të Turizmit dhe pompojnë rrjetet me ajrin toksik të luftës hibride, falë edhe naivitetit të tyre fatkeqësisht”

Narrativa të tilla u morën dhe u përhapën në studiot televizive shqiptare. 

Analistë të ndryshëm, por edhe deputetë të dy partive të mëdha PD e PS e plotësuan narrativën e forcave të huaja duke pretenduar se vendeve të rajonit nuk u pëlqeu se familja e presidentit amerikan do të investonte në Vlorë dhe ata donin ta sabotonin këtë investim; se mediat greke kishin nisur një fushatë kundër Shqipërisë; se Greqia u mërzit për investimin që do bëhej në Zvërnec; se protestat ishin të nxitura “nga jashtë,” si për shembull “nga Greqia”; dhe se protestat mbështeteshin zyrtarisht nga Athina. 

Deri më tani nga Athina zyrtare ka vetëm një deklaratë të Ministrise se Jashtme të datës 31 qershor për protestuesin e plagosur nga dhuna e ushtruar që kishte edhe nënshtetësi greke

Narrativa e anti-semitizmit

Narrativa e zaptimit të tokave nga Izraeli për të ndërtuar një enklavë izraelite në Zvërnec, e promovuarrrjete sociale, është një tjetër debat që ka shpërthyer në rrjetet sociale. Nga ana tjetër kryeministri Rama në fjalimin e tij të 1 qershorit mohoi se shteti po ia fal atë tokë Izraelit për të sjellë palestinezë në Zvërnec.

Teza “Soros”, Grupi Feminist & LGBT

ekrane televizive e portale u tha se protestuesit ishin paguar nga organizata të financuara nga Soros dhe nga Erjon Veliaj, kryebashkiaku socialist i Tiranës, i cili është në paraburgim nën akuza për korrupsion që nga Shkurti 2025, për të penguar zhvillimin e Shqipërisë.

Bashkimi i një numër aktivistesh feministe dhe të të drejtave LGBT në protestë u portretizua në rrjete sociale si një përballje epike mes presidentit amerikan Donald Trump dhe miliarderit Soros, e ngjashme me atë mes Cezarit dhe Pompeut në brigjet e Karaburunit.

Më 31 maj, ditën pasi një protestues u dhunua nga roje private në Zvërnec, incident që u pasua me nisjen e protestave masive në kryeqytet, në media nisi të qarkullonte narrativa se ambjentalistët dhe OJF-të, të paguar nga miliarderi i shumëpërfolur hungarez George Soros, ngritën çështjen e Zvërnecit për të shpërqëndruar vëmendjen nga udhëzuesi për terapinë hormonale të transgjinorëve.

Megjithatë, organizata ambjentaliste PPNEA, e para që dha alarmin për punimet që nisën në peizazhin e mbrojtur, kishte denoncuar ndërhyrjen e makinerive të rënda dhe shkatërrimin e pyllit dhe dunave ranore që në 1 maj, gati një muaj përpara se lajmi për udhëzuesin e Ministrisë të dilte në media. Protesta e parë kundër kësaj ndërhyrje u thërrit më 16 maj në Zvërnec, ndërsa në 26 maj, dy ditë përpara lajmit të terapisë hormonale, u mbajt një protestë përpara Ministrisë së Mjedisit në kryeqytet.

Flamingo, një nga qindra speciet që popullojnë lagunën, i cili u adoptua herët nga protestuesit si simbol, u lidh nga mediat “me aktivizëm kulturor progresist dhe me narrativa të afërta me lëvizjet LGBT në Perëndim” Përdorimi i këtij simboli nga protestuesit u quajt “tentativë për të futur simbolikë ideologjike mbi simbolin kombëtar shqiptar”

Nëse protesta për Zvërnecin nisi si një reagim qytetar ndaj shkatërrimit të një ekosistemi të mbrojtur, shumë shpejt ajo u mbulua nga një “luftë hibride” e informacionit, ku narrativat politike dhe digjitale u përdorën për të deformuar kuptimin e saj. Nga imazhe të gjeneruara me inteligjencë artificiale, tek akuzat për ndërhyrje të huaja, deri tek teoritë e konspiracionit për Soros apo pushtimin izraelit, u krijua një terren ku e vërteta dhe propaganda u përplasën pa dallim. Ky bombardim narrativash nuk synon thjesht të shpjegojë protestën, por të minojë legjitimitetin e saj, duke e zhvendosur debatin nga mjedisi dhe të drejtat qytetare tek “armiqtë e jashtëm” dhe “komplotet globale”. Në këtë kuadër, “lufta hibride” nuk është vetëm një metaforë politike, por një realitet i prodhimit masiv të informacionit të manipuluar, ku qytetarët duhet të dallojnë mes faktit dhe fabulës. Dhe pikërisht këtu qëndron sfida më e madhe: a do të arrijë shoqëria të mbrojë jo vetëm lagunën e Nartës, por edhe hapësirën e saj informative nga pushtimi i narrativave hibride?

The post Flamingot rozë, viktima të “luftës hibride” të dezinformimit appeared first on Faktoje.al.

Jared Kushner nuk është tërhequr nga Sazani

8 June 2026 at 17:46

Më 7 qershor 2026, ditën e tetë të protestave kundër projektit që planifikohet të ndërtohet në peizazhin e mbrojtur Zvërnec-Nartë, lajmi se dhëndri i presidentit amerikan Trump, Jared Kushner, një prej investitorëve të lidhur me projektin, do të tërhiqet nga një resort i projektuar në Sazan dhe simotra e tij në Zvërnec, për ta dërguar investimin në ishullin grek Mykonos nisi të qarkullonte gjerësisht në rrjetet sociale dhe mediat shqipfolëse.

Deputeti i Partisë Socialiste për Vlorën, Ardit Bido, postoi gjithashtu pretendimin në rrjete sociale, duke qesëndisur se “tani që doli lajmi se Kushner do tërhiqet nga Sazani e Zvërneci për të investuar miliarda euro në Mykonos, çfarë do të thonë ata që thoshin se Greqia nuk ka dorë pas?”

Megjithatë, në rrëmbimin për të bërë lajm sensacional, për këtë pretendim nuk jepet ndonjë provë e qenësishme. 

I vetmi burim i cituar është një artikull i vetëm, i botuar më 7 qershor nga portali grek Greek City Times, që mban titullin “Ekskluzive: Jared Kushner braktis Sazanin e Shqipërisë për stimujt grekë të Mykonosit.”

Ndërkohë, vetë artikulli i mësipërm citon “burime të besueshme,” por anonime. I vetmi burim i verifikueshëm që ai citon është një postim në Twitter të një gazetari kosovar që jeton në ShBA të quajtur Fitim Çeku, i cili ka shkruar më 7 qershor:

“Ekskluzive: Kompania e Jared Kushner po planifikon të tërhiqet nga investimi në Sazan. Burime të Gazeta Journal thonë se Greqia ka ofruar kushte të veçanta për të investuar në Mykonos. Detaje ekskluzive nesër nga burimet tona.”

Ndërsa postimi i tij ka marrë shumë vëmendje, 24 orë më pas, “burimet” e Çekut duket se ende nuk kanë ofruar “detajet ekskluzive” të premtuara. 

Postimi më i fundit i Çekut ishte një imazh i gjeneruar me inteligjencën artificiale që tregonte presidentin amerikan Trump duke mbajtur në dorë një hartë të Shqipërisë me mbishkrimin: “Shqipëria, shteti i 51 i Amerikës,” të cilin Çeku e shoqëron me përshkrimin: “Mirë se vini në Shqipëri President Trump. Shqipëria e re.”

Vlen të përmendet se më herët këtë muaj, gjatë protestave masive në Tiranë, Çeku ka postuar pretendime se ato po nxiten nga “e majta” për të sulmuar administratën Trump dhe i ka quajtur ato propagandë kundër “zhvillimit të Shqipërisë.”

Në një tjetër postim ai pretendon se “investimet e mëdha ndërkombëtare kanë shkuar gjithmonë në Mal të Zi dhe Greqi. Për herë të parë, Shqipëria do të ketë një investim masiv,” duke falenderuar Ivanka Trump dhe të shoqin Jared Kushner për këtë.

Kjo nuk është hera e parë që Çeku bën parashikime të bujshme, pa asnjë provë.

Në Qershor të vitit 2025, ai deklaroi se “në ditët në vijim” pritej që Trump do të kërkonte personalisht dhe publikisht lirimin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nga paraburgimi në Hagë. Sigurisht, asgjë e tillë nuk ndodhi.

Sa i përket projektit të Sazanit, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) tha më 8 qershor për Faktoje se “kompania “Atlantic Incubation Partners LLC”, e cila ka shfaqur interes për ishullin e Sazanit, nuk ka depozituar ndonjë shkresë për tërheqje nga ky proces.”

Përgjigja zyrtare e AIDA mbi kërkesën e Faktoje për investimin në Sazan

Një largim i investimit në ishullin e njohur grek ka pak gjasa të ndodhë edhe për faktin se në Mykonos aktualisht nuk ka sipërfaqe të reja të lira për zhvillim, ndërkohë që ndërtimet e reja janë të kufizuara deri në vitin 2030 nga rregulloret e planifikimit. Investimet fokusohen kryesisht tek vilat ekzistuese dhe pronat me leje të vlefshme, të cilat kanë vlerë të lartë për shkak të mungesës së ofertës.

Bazuar në verifikimet e mësipërme, deri në momentet e publikimit të këtij shkrimi, rezulton se frika për një braktisje të investimit miliardësh në ishullin e Sazanit nga Jared Kushner në këmbim të lehtësive fiskale në Mykonos nuk ka ndonjë bazë reale. Deklaratën e deputetit Bido e vlerësojmë si të pavërtetë.

The post Jared Kushner nuk është tërhequr nga Sazani appeared first on Faktoje.al.

Një stuhi në gotë rreziku i braktisjes së Sazanit për Mykonos

8 June 2026 at 17:26

Pretendimi: Jared Kushner do të tërhiqet nga investimi në Sazan dhe Zvërnec për të ndërtuar rezortin në ishullin grek Mykonos

Vlerësimi: E paprovuar

Më 7 qershor 2026, ditën e tetë të protestave kundër projektit që planifikohet të ndërtohet në peizazhin e mbrojtur Zvërnec-Nartë, nisi të qarkullonte gjerësisht në rrjetet sociale dhe mediat shqipfolëse lajmi se dhëndri i presidentit amerikan Trump, Jared Kushner do të tërhiqet për ta dërguar investimin në ishullin grek Mykonos. 

Megjithatë, në rrëmbimin për të bërë lajm sensacional, për këtë pretendim nuk jepet ndonjë provë e qenësishme. 

I vetmi burim i cituar në këto postime dhe artikuj është një artikull i vetëm, i botuar më 7 qershor nga portali grek Greek City Times, që mban titullin “Ekskluzive: Jared Kushner braktis Sazanin e Shqipërisë për stimujt grekë të Mykonosit.”

Ndërkohë, vetë artikulli i mësipërm në median greke citon “burime të besueshme,” duke u bazuar në një postim në X/Twitter të një gazetari kosovar që jeton në ShBA të quajtur Fitim Çeku. Ky i fundit, ka shkruar më 7 qershor:

“Ekskluzive: Kompania e Jared Kushner po planifikon të tërhiqet nga investimi në Sazan. Burime të Gazeta Journal thonë se Greqia ka ofruar kushte të veçanta për të investuar në Mykonos. Detaje ekskluzive nesër nga burimet tona.”

Ndërsa postimi i tij ka marrë shumë vëmendje, 24 orë më pas, “burimet” e Çekut duket se ende nuk kanë ofruar “detajet ekskluzive” të premtuara. 

Vlen të përmendet se më herët këtë muaj, gjatë protestave masive në Tiranë, Çeku ka postuar pretendime se ato po nxiten nga “e majta” për të sulmuar administratën Trump dhe i ka quajtur ato propagandë kundër “zhvillimit të Shqipërisë.”

Në një tjetër postim ai pretendon se “investimet e mëdha ndërkombëtare kanë shkuar gjithmonë në Mal të Zi dhe Greqi. Për herë të parë, Shqipëria do të ketë një investim masiv,” duke falenderuar Ivanka Trump dhe të shoqin Jared Kushner për këtë.

Kjo nuk është hera e parë që Çeku bën parashikime të bujshme, pa asnjë provë.

Në qershor të vitit 2025, ai deklaroi se “në ditët në vijim” pritej që Trump do të kërkonte personalisht dhe publikisht lirimin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nga paraburgimi në Hagë. Sigurisht, asgjë e tillë nuk ndodhi.

Përkundër këtyre burimeve anonime të cituara në mediat shqiptare dhe greke, Faktoje iu drejtua në 8 qershor me një kërkesë për informacion Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), institucioni në varësi të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, i cili funksionon si ndërmjetës mes investitorëve të huaj dhe Qeverisë së Shqipërisë. Në përgjigjen e dërguar, AIDA konfirmoi se “kompania “Atlantic Incubation Partners LLC”, e cila ka shfaqur interes për ishullin e Sazanit, nuk ka depozituar ndonjë shkresë për tërheqje nga ky proces.”

Përgjigja zyrtare e AIDA mbi kërkesën e Faktoje për investimin në Sazan

Bazuar në verifikimet e mësipërme, deri në momentet e publikimit të këtij shkrimi, rezulton se frika për një braktisje të investimit miliardësh në ishullin e Sazanit nga Jared Kushner në këmbim të lehtësive fiskale në Mykonos nuk ka ndonjë bazë reale. 

Një largim i investimit në ishullin e njohur grek ka pak gjasa të ndodhë edhe për faktin se në Mykonos aktualisht nuk ka sipërfaqe të reja të lira për zhvillim, ndërkohë që ndërtimet e reja janë të kufizuara deri në vitin 2030 nga rregulloret e planifikimit. Investimet fokusohen kryesisht tek vilat ekzistuese dhe pronat me leje të vlefshme, të cilat kanë vlerë të lartë për shkak të mungesës së ofertës.

The post Një stuhi në gotë rreziku i braktisjes së Sazanit për Mykonos appeared first on Faktoje.al.

Resort 1,4 mld € në ishullin e Sazanit

20 January 2025 at 16:00

Dikur një bazë ushtarake, ishulli i pabanuar i Sazanit pritet të shndërrohet në një “strehë pasanikësh” me investim 1,4 mld €. Qeveria i dha statusin e investitorit strategjik kompanisë së dhëndrit të presidentit Trump për të ndërtuar resort elitar në Sazan. Pas vendimit, ekspertët ngrenë pikëpyetje mbi përfitimet e taksapaguesve shqiptarë nga ky investim.

Esmeralda Topi 

Fundvitin e kaluar, qeveria i hapi rrugën shndërrimit të Sazanit– ishullit më të madh që ka Shqipëria – nga një bazë ish ushtarake në resort elitar për të pasurit. Komiteti i Investimeve Strategjike që drejtohet nga kryeministri Edi Rama “bekoi” me statusin e investitorit strategjik kompaninë, që ka lidhje me Jared Kushner – dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump. Më herët, për t’i hapur rrugën investimit, presidenti i Republikës, Bajram Begaj firmosi dekretin për nxjerrjen e një zone të stërvitjes jashtë planit të përhapjes së Forcave të Armatosura.

“Atlantic Incubation Partners LLC” mori statusin për një periudhë 10 vjeçare për të ndërtuar resortin turistik me vlerë 1,4 miliardë euro në Sazan

Sipas dokumenteve zyrtare investimi në Sazan do të bëhet brenda një sipërfaqeje prej 45 hektarë, ndërkohë që ishulli ka një sipërfaqe prej 562 hektarësh. Projekti përfshin ndërtimin e strukturave akomoduese turistike të brandeve ndërkombëtare, njësi rezidenciale, zona gastronomike dhe rekreacionale. Po ashtu, parashikohet edhe integrimi i një marine turistike. Realizimi i projektit do të jetë i ndarë në tre faza dhe parashikohet punësimi i 1,000 (një mijë) personave.

Projekti i Jared Kushner për Sazanin
Brenda ishullit të Sazanit

“Rajoni i Ballkanit është ende një treg i virgjër në shumë drejtime dhe apeli për të ‘bërë një ndryshim’ tërheq disa investime të huaja direkte”, thotë Mark Krauford, ish- President i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri. 

Investimi në Sazan, roli i shtetit i paqartë

Vendimi i Komitetit të Investimeve Strategjike parashikon edhe qeverinë shqiptare si ortake në investim. Por mënyra se si do të përfshihet shteti do të përcaktohet nga një entitet i përbashkët me kompaninë e Jared Kushner. Kjo pikë lë vend për dyshime- thonë ekspertët.

“Shqipëria është nevojtare e madhe për investitorë. Por kur vjen fjala tek pasojat që ka për financat e vendit duhet që vendimi të jetë më i qartë. Të kemi informacion të plotë se si preken interesat publike. Po ashtu sa do të jetë barra e shtetit dhe si do të amortizohet në vazhdimësi që të mos dalim me humbje.” argumenton Xhepa.

Sazani do të merrte vlerë nëse investimi rezulton me përfitime për qytetarët jo thjesht për investitorin- thekson Xhepa.

Ndërsa ekspertët e mjedisit ngrenë të tjera shqetësime. Hapësira ujore rreth ishullit është pjesë e të vetmit Park Kombëtar Detar që ka Shqipëria.  

“Është një fatkeqësi e madhe që për shumicën dërrmuese të qytetarëve, Sazani, kjo mrekulli natyrore, do të “elitizohet” dhe mbetet e paarritshme. Kthimi i Sazanit në një ‘kopsht miliarderësh’ është një abuzim i rëndë me trashëgiminë natyrore dhe historike të vendit tonë”,  argumenton Aleksandër Trajçe, drejtues ekzekutiv i Qendrës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA).

Sazani përmban monumente natyrore si “Barriera koralore e grykës së Djallit” dhe “Faleza e Sazanit”, të cilat janë të mbrojtura me ligj. Ndaj në vendimin e Komitetit të Investimeve Strategjike nënvizohet se ndërtimet për projektin luksoz duhet të shmangin dëmtimin e monumenteve si dhe të përfshijnë masa për mbrojtjen e mjedisit.

“Projekti zhvillimor do të ketë një ndikim të thellë dhe të pakthyeshëm mjedisor, duke dëmtuar biodiversitetin dhe ekosistemin unik të zonës. Kjo ndërhyrje rrezikon të shkatërrojë vlerat natyrore dhe llojet e rralla që ky park strehon.” përfundon ai.

Plani i veprimit për resortin

Për realizimin e “Resorti turistik – ishulli i Sazanit” Komiteti i Investimeve Strategjike ka përcaktuar një plan veprimi, i cili monitorohet nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve. 

Plani përcakton masat, procedurat dhe afatet, në lidhje me shërbimet dhe lehtësimin e procedurave për projektin. Ndër masat e para përmendet de-militarizimi i zonës, inventarizimi i tuneleve nëntokësore dhe bunkerëve. Kjo pasi ishulli ka shërbyer prej vitesh si rajon stërvitje dhe qitje detare dhe rezulton të ketë risk të lartë piroteknik.

Nga ana tjetër, investitorit i kërkohet plani i plotë i biznesit me kostot përkatëse; studimi i fizibilitetit që provon se projekti është i përshtatshëm dhe i realizueshëm;mënyra e pjesëmarrjes apo mbështetjes direkte të shtetit në investim; apo projekti zhvillimor për infrastrukturën e brendshme dhe mënyrën e lidhjes së saj me infrastrukturën e jashtme.

Mes detyrimeve që ka investitori strategjik radhiten dhe masat mbështetëse në infrastrukturë. Referuar vendimit, kostot për lidhjen me rrjetin ekzistues të energjisë elektrike i lihen investitorit. Po ashtu, ky i fundit duhet të ketë parasysh që në ishull mungon infrastruktura për furnizimin me ujë të pijshëm dhe trajtimi i ujrave të zeza. 

“Në këto kushte, duhen gjetur zgjidhje alternative të financuara nga vetë investitori”, përcaktohet në vendim. 

Kushner, vizitori investitor 

Kompania ‘Atlantic Incubation Partners LLC’ u themelua më 5 prill të 2023, në Delaware – një nga parajsat fiskale me të mëdha në botë. Disa muaj më vonë, mes miliona “turistëve” në Shqipëri, mediat i bënë jehonë ardhjes së Ivanka Trump dhe bashkëshortit të saj Jared Kushner. 

Korrikun e vitit 2023, vajza e ish- presidentit amerikan dhe bashkëshorti i saj u fotografuan në jug të vendit. Gjatë qendrimit në Shqipëri, Faktoje fiksoi disa momente nga vizita e tyre në Tiranë në godinën e Kryeministrisë.

Korrik 2023, Tiranë

Tetë muaj pas vizitës, përkatësisht pranverën e 2024 shqiptarët mësuan nga media ndërkombëtare se vizita e tyre nuk kishte pasur si qëllim vetëm turizmin. Agjencia e lajmeve Bloomberg njoftoi se, Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump, kishte në plan të investonte 1 miliardë dollarë në dy projekte turistike në Shqipëri, përkatësisht në ishullin e Sazanit dhe zonën e Zvërnecit

Po atë ditë, Kushner ndau në rrjete sociale imazhet e dy projekteve që synon të zbatojë në Sazan dhe Zvërnec, bashkë me një tjetër në Beograd.

“Të emocionuar që të ndajmë disa imazhe paraprake të dizajnit për projektet e zhvillimit që kemi krijuar për bregdetin shqiptar dhe qendrën e Beogradit” – shkruante dhëndri i Trump në X.

Publikimi i projekteve nga Kushner ishte një muaj pasi socialistët miratuan ndryshimet në ligjin e zonave të mbrojtura, që i hapin rrugën ndërtimit në këto territore.  

Turizëm elitar në Sazan 

Ekspertë të turizmit e shohin me interes projektin e Jared Kushner. Zak Topuzi që drejton “Shoqatën Shqiptare të Turizmit” thotë se investimi e fut Shqipërinë në hartën e turizmit elitar.

“Mesdheu është pjesa më e rëndësishme e turizmit elitar. Ky lloj turizmi siguron 8 herë më shumë të ardhura sot në botë ndaj është e rëndësishme t’i lehtësosh punën një investitori të tillë. Turizmi elitar siguroi 170 miliardë euro të ardhura në botë”,  pohon kryetari i Shoqatës Shqiptare të Turizmit. 

Një kërkim i fundit nga Google e Deloitte për turizmin, e cilëson Mesdheun si një nga katër destinacionet kyçe në të ardhmen. Ndaj, për të qënë konkurrues, vendi ka nevojë edhe për resorte që i përgjigjen shtresës së mesme, thekson Topuzi. 

“Na mungojnë resortet për familjet me të ardhura të mesme. Me këto lloj resortesh jo vetëm tërheq më shumë turistë të huaj, por edhe familjet shqiptare. Ndaj ikin shqiptarët në Turqi apo Greqi”, përfundon ai. 

The post Resort 1,4 mld € në ishullin e Sazanit appeared first on Faktoje.al.

❌