Normal view

Rrugët e brendshme në Sarandë dhe Ksamil ende me probleme

4 October 2025 at 19:00

Sebi Alla Në fundin e muajit prill të këtij viti, kryebashkiaku i Sarandës, Oltion Çaçi, shprehu bindjen se deri në maj (kur u mbajtën edhe zgjedhjet parlamentare) rrugët e brendshme në Sarandë dhe Ksamil do të përfundonin, për t’i shërbyer në vijim sezonit turistik.

“Fundi i majit nuk kap asnjë investim në të gjithë rrugët e Sarandës dhe Ksamilit të pambaruar. Në momentin që do të fillojë zyrtarisht sezoni turistik, punët publike do jenë mbaruar”, tha Çaçi në një nga mbledhjet e Këshillit Bashkiak.  

Faktoje vërejti në terren (në fillim të muajit shtator) se në qytetin e Sarandës rrugët e brendshme në disa lagje janë të asfaltuara, ndonëse më në thellësi të qytetit ka ende problematika.

Disa rrugica që të çojnë në lagjet periferike, në veripërëndim të Sarandës kanë probleme me infrastrukturën rrugore.

Prej vitesh janë rrugë të hapura kryesisht nga vetë banorët dhe të shtruara me çakull. Në këto zona dora e pushtetit lokal nuk është ndjerë. Megjithatë, në pjesën urbane të ngjeshur asfalti është ende i feskët, ndërsa problem mbeten trotuarët e ngushtë, kjo edhe për shkak të dendësisë së ndërtimeve dhe pamundësisë së zgjerimit.  

Faktoje.al iu drejtua Bashkisë Sarandë me një kërkesë për informacion në lidhje me infrastrukturën rrugore dhe premtimet, por deri në botimin e këtij shkrimi nuk pati reagim nga ana e tyre.

Ksamili “përgjysmë”

Ndryshe është situata në Ksamil, një zonë e rrahur nga shumë turistë. Në hyrje të qytezës së vogël përqark qendrës së saj rrugët janë të asfaltuara, por gjithçka ndryshon në brendësi, ku prej vitesh infrastruktura është problem serioz.

Rrugë të pa-asfaltuara, mungesë parkimesh dhe ndërtime të ngjeshura. “Qendra është mirë, këtë vit e sistemuan, por në brendësi të lagjeve është problem i madh. Po na prishen automjetet dhe shpesh përgjatë sezonit turistik shumë rrugë të brendshme bllokohen”, thotë një banor i Ksamilit për Faktoje.al.

Përfundimi

Ndonëse disa rrugë të brendshme në qytetin e Sarandës ishin të shtruara dhe sistemuana, premtimi se në sezonin turistik nuk do kishte asnjë rrugë të pambaruar në Sarandë dhe Ksamil do e konsiderojmë të pambajtur.

Faktoje.al, e mbështetur nga National Endoëment for Democracy (NED), po monitoron 10 bashki në vend, duke verifikuar mbajtjen ose jo të premtimeve të dhëna nga kryebashkiakët.

The post Rrugët e brendshme në Sarandë dhe Ksamil ende me probleme appeared first on Faktoje.al.

16 milionë euro për zgjerimin e rrugës së Ksamilit

28 August 2024 at 16:00

Trafiku i rënduar rrugës së Ksamilit, për shkak të fluksit të turistëve, detyroi autoritetet t’i kthenin sytë nga infrastruktura e zonës. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar zgjerimin e rrugës së Ksamilit, kosto e të cilës arrin 16 milionë euro, apo 4 milionë euro për kilometër. Projekti i zgjerimit nis në hyrje të fshatit Ksamil dhe përfundon në dalje duke krijuar By-Pass. 

Esmeralda Topi 

Trafiku i rënduar rrugës së Ksamilit në kulmin e sezonit veror vitin e shkuar nxorri në pah domosdoshmërinë e zgjerimit të rrugës.  

‘(…) zgjerimi dhe rehabilitimi i akseve turistike si ky i Ksamilit, apo të gjitha rrugët ndërlidhëse në skajin jugor të vendit, pavarësisht se kanë qenë në planet tone, tashmë duhet t’i përshpjetojmë në kohë.’, premtoi asokohe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku. 

Pesë muaj më vonë, projekti i zgjerimit të rrugës turistike të Ksamilit zuri vend në listën e projekteve që do të hapeshin këtë vit. 

“Gjatë sezonit të kaluar veror ne vumë re që kishim një numër shumë të shtuar turistësh për shkak të bukurive që ofronte Ksamili. Atëherë lindi e nevojshmë që ky aks të kalonte me një zgjerim dhe të bëhët një by pass-im i tij(…), pa penguar gjithë ata turistë që duan të frekuentojnë Ksamilin.” , lajmëroi ish drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar Evis Berberi, gjatë prezantimit të projekteve infrastrukturore të këtij viti. 

Verifikim 

Projekti i zgjerimit të rrugës 4 kilometër për në Ksamil nis në hyrje të fshatit dhe përfundon në dalje duke krijuar By-Pass. Verifikimet e Faktoje tregojnë se kosto për zgjerimin e kësaj rruge llogaritet 16 milionë euro, thënë ndryshe 4 milionë euro për kilometër. Autoriteti Rrugor ka buxhetuar 4 milionët e para për këtë vit. 

“Për këtë objekt në vitin 2024 janë parashikuar fonde në vlerën 400,000,000 lekë.”, i tha Faktoje, ARRSH.

Sipas Autoritetit Rrugor, zgjerimi i rrugës do të zgjasë dy vite, por ende nuk ka një datë për fillimin e punimeve në terren. 

‘(…) duhet më pare të mbyllet procedua e përzgjedhjes se mbikëqyrësit te punimeve.’, sqaron ARRSH. 

Autoriteti Rrugor vë në pah se aktualisht aksi 4 kilometra paraqet problematika të mëdha. 

‘Rruga ekzistuese kalon në mes të fshatit turistik duke sjell një rëndim të trafikut më së shumti në kohën e sezonit turistik. Duke qene se është një rrugë në të cilën nuk është investuar së fundmi rruga ka pësuar dhe dëmtime të shtresave.’, vëren raporti teknik i projektit. 

Rruga e Ksamilit është projektuar me parametrat teknike të Kategorise C (Interurbane Dytësore), me shpejtësi lëvizje 80 km/h. 

Referuar projektit, 1,5 kilometrat e para të rrugës së Ksamilit do të jenë me tre korsi- një për secilin sens lëvizje dhe një korsi emergjence në anën e majtë. Po ashtu, planifkohet të ketë trotuarë me gjerësi 3 metra në të dyja anët e rrugës, përfshi dhe një korsi biçikletash me gjerësi 2 metra në anën e djathtë të rrugës.  

Ndërsa, në pjesën e mbetur të rrugës janë projektuar 2 korsi levizje si dhe trotuar në të dyja anët. Përgjatë këtij segmenti rrugor janë parashikuar 3 rrethrrotullime dhe 1 urë. 

Përfundim 

Nisur nga verifikimet e kryera, premtimin e ministres Balluku për zgjerimin e rrugës së Ksamilit do ta kategorizojmë si të mbajtur. 

The post 16 milionë euro për zgjerimin e rrugës së Ksamilit appeared first on Faktoje.al.

❌