Normal view

Spanja “bombardon” Francën/ Specialistët e futbollit: “Gjelat” po vuajnë lidhjen e mesfushës me sulmin

14 July 2026 at 22:37

TIRANË- Kombëtarja e Spanjës po udhëheq përballjen ndaj Francës në gjysmëfinale, falë golit të shënuar nga pika e bardhë e penalltisë në një pjesë të parë të luftuar dhe taktike. Të ftuar në emisionin “Futboll, jo Soccer”, analistët ndanë vlerësimet e tyre për 45 minutat e para të takimit.

Gazetari i njohur Fatmir Mneri theksoi se Franca ka mundësi të korrigjojë problemet në mesfushë, por vlerësoi paraqitjen e Spanjës.

“Ata mund ta riparojnë defektin në mesfushë. Përtej aspektit teknik, ajo që vura re në pjesën e parë ishte një përqendrim shumë më i mirë nga ana e Spanjës në ballafaqimin total.

Mënyra se si e interpretoi ndeshjen, duke luftuar për çdo centimetër të fushës dhe duke ushtruar presion në çdo cep të saj, ishte mbresëlënëse. Lamine Yamal është një futbollist i pjekur dhe tregon përgjegjësi të madhe për atë që i kërkohet në fushë”, u shpreh Mneri.

Specialisti i futbollit Bashkim Delia u ndal te problemet e Francës në fazën sulmuese.

“Sulmi dhe mesfusha e Francës nuk funksionuan si duhet. Kylian Mbappé dhe Ousmane Dembélé ishin pothuajse gjithmonë shumë larg mesfushës, çka ndikoi në mungesën e lidhjes mes reparteve”, analizoi Delia.

Ndërkohë, specialisti Febron Ziu vlerësoi se ndeshja mbetet e hapur.

“Spanja nuk ka ndonjë superioritet të madh në fushë. Diferencën deri tani e ka bërë shfrytëzimi i rasteve dhe organizimi më i mirë në momentet kyçe të lojës”, u shpreh Ziu.

Spanja mund ta vrasë “ciklopin”/ Kampionët e Europës synojnë finalen e dytë në Botërorë

14 July 2026 at 13:42

E quajnë një kolos.

Nëse ka rivalë që njihen shumë mirë këta janë Spanja e Franca, dhe “Furitë e Kuqe” do të luajnë sonte pikërisht përballë “gjelave” shanset e tyre për finalen e Kupës së Botës.

Në gjysmëfinale të Kampionatit Europian në 2024 në Gjermani, spanjollët ia dolën me përmbysje duke fituar 2-1 me një Lamin Jamal të shkëlqyer.

Një vit më vonë, në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve, ishte sërish skuadra iberike që fitoi 5-4, dhe Jamal shënoi përsëri, plot dy gola, ndihmuar nga Niko Uilliams, Pedri dhe I përhershmi Mikel Merino.

Çfarë pritet në stadiumin e Dallasit?

Kampionët e Europës u përgatitën me qetësi, por të ndërgjegjshëm se nënkampionët e Europës cilësohen favoritë.

Kompanitë e basteve dhe analistët janë në një mendje, dhe madje diferenca në pritshmëri është e madhe.

Sidoqoftë, trajneri Luis De La Fuente u ka thënë yjeve të tij që të mos mendojnë për parashikimet, por vetëm të përgatiten në maksimum.

Lajmet janë të mira, pasi nuk ka më dëmtime, as pezullime, e Niko Uilliams u kthye disa minuta ndaj Belgjikës.

Pikëpyetja e vetme duket nëse Pedri do të jetë titullar apo jo.

De La Fuente foli në ekuilibër të plotë në konferëncën e shtypit.

Trajneri iberik deklaroi se nuk ka rëndësi kush cilësohet favorit, se asgjë nuk arrihet pa vuajtje, dhe ftoi lojtarët e tij të marrin përgjegjësi, por pa qenë nervozë.

Dueli pritet me ankth të madh në Spanjë dhe mediat sportive e kanë padyshim lajmin e ditës.

E përditshmja madrilene, “Marka”, titullon me besim: Kemi një zemër të madhe! Spanja kërkon finalen e saj të dytë në një Botëror, përballë një kolosi të futbollit!

“Sfilatë për lavdinë”, – shkruan gazeta tjetër e Madridit, “AS”, – me Lamin Jamalin që kalon tunelin e shokëve në kombëtare! Synonet finalja e dytë, Mbape, Olize e Dembele, pengesa e fundit!”

Spanja merr kopertinën edhe në të përditshmen e Katalonjës, “El Mundo Deportiv” që e cilëson finalen e parë atë ndaj Francës, me foto të Lamin Jamalit e Mbapesë!

Pritet të shihet nëse Lamin Jamal do të jetë kthyer si dy vjet më parë në Europian, dhe nëse Mikel Merino do të shfaqet sërish si engjëlli mbrojtës I minutave të fundit./abcnews.al

“Ishim me fat me Norvegjinë”, Çobani: Anglia ka objektiv fitimin e Botërorit, Tuchel tha një të vërtetë

13 July 2026 at 22:50

TIRANË- Specialisti i futbollit Artur Çobani, i ftuar në emisionin “Futboll, jo Soccer”, komentoi ecurinë e Anglisë në Kampionatin Botëror, duke u shprehur se skuadra ka kontingjentin e duhur për të bërë ndryshime gjatë ndeshjeve dhe se objektivi i saj është fitimi i trofeut.

Ai vlerësoi deklaratën e trajnerit të Anglisë, Thomas Tuchel, pas ndeshjes me Norvegjinë, i cili u shpreh se “Tre Luanët” ishin me fat, deklaratë kjo që u komentua gjerësisht në median britanike dhe jo vetëm.

“Ai i ka njerëzit për të bërë ndryshime. Nuk besoj se do të ketë ndryshime në mesin e fushës. Skuadra ka ardhur me qëllimin për të fituar Kupën e Botës. Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, ka thënë një të vërtetë, që ishin me fat, sepse përballë kishin një skuadër të fortë si Norvegjia. Ai tha një të vërtetë”, u shpreh Çobani.

“Finalja” e parakohshme Francë-Spanjë/ Tahiri: Përballje e vështirë, shpresoj që iberikët të hyjnë në lojën e tyre

13 July 2026 at 22:21

TIRANË- Të martën, në orën 21:00, luhet “finalja” e parakohshme e Kampionatit Botëror mes Francës dhe Spanjës. Dëshirat janë të ndryshme, por parashikimet e shohin Francën si favoriten absolute, por ky është thjesht dhe vetëm një parashikim.

Futbolli luhet në fushë dhe siç ka treguar futbolli dhe historia, gjithçka mund të ndodhë.

I ftuar në emisionin “Futboll, jo Soccer”, specialisti i futbollit Ermal Tahiri u shpreh se pret një përballje të fortë dhe spektakolare.

Ai komentoi edhe gjysmëfinalen tjetër mes Anglisë dhe Argjentinës, të cilën gjithashtu e cilësoi si një finale të parakohshme.

“Ndeshje e vështirë, ndeshje e bukur, shpresoj që Spanja të hyjë në lojën e vet, sepse nuk ka ekip që mund ta ndalojë Francën. Edhe Anglia me Argjentinën është finale e parakohshme. Anglia ka treguar se është një nga ekipet shumë kompakte, shumë e fortë. Kualitetet në ekip janë më të mira  te Anglia sesa te Argjentina”, tha Ermal Tahiri, specialist futbolli.

 

❌