Normal view

Vizita e parë zyrtare/ Kancelari gjerman Friedrich Merz udhëton drejt Izraelit, në dhjetor

By: Rovena
28 November 2025 at 16:12

Kancelari gjerman Friedrich Merz do të udhëtojë për në Izrael më 6 dhe 7 dhjetor për vizitën e tij të parë zyrtare që nga marrja e detyrës.

Merz është planifikuar të takohet me kryeministrin Benjamin Netanyahu më 7 dhjetor për të diskutuar marrëdhëniet dypalëshe, armëpushimin në Gaza dhe çështje të tjera ndërkombëtare.

Gjithashtu, ai do të vizitojë memorialin Yad Vashem dhe do të zhvillojë bisedime me përfaqësues lokal nga shoqëria. Ndryshe, Gjermania ka qenë prej kohësh një nga mbështetëset më të forta të Izraelit, por gjithashtu ka kritikuar qeverinë e Netanyahut për strategjinë e saj në luftën shkatërruese të Gazës.

Këtë muaj, qeveria gjermane vendosi të rifillojë shitjet e armëve për Izraelin, të cilat ishin pezulluar që nga gushti për shkak të luftës. Por tha se vendimi i nënshtrohet respektimit të armëpushimit dhe ofrimit në shkallë të gjerë të ndihmës humanitare./abcnews.al

Netanyahu paralajmëron Erdoganin: F-35 amerikan ndoshta nuk do t’i merrni kurrë

By: Rovena
20 November 2025 at 22:54

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se furnizimi i Turqisë me aeroplanët F-35 nuk pritet të ndodhë së shpejti, dhe mund të mos ndodhë fare. Ai shtoi se qëndrimi i Izraelit ndaj kësaj çështjeje është i ngjashëm me atë për Arabinë Saudite, por “shumë më i fortë”.

Deklarata e udhëheqësit izraelit vjen në një kohë kur marrëdhëniet izraelito-turke mbeten të tensionuara.

Kujtojmë se urdhër-arresti është nxjerrë nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Stamboll ndaj 37 zyrtarëve izraelitë, përfshirë Netanyahun. Ata akuzohen për “gjenocid” dhe “krime kundër njerëzimit” në Gaza. Urdhër-arrestet janë dërguar te Interpol dhe te 124 vende që njohin juridiksionin universal për gjenocidin.

Ndryshe, SHBA-ja po shqyrton mundësinë e shitjes së aeroplanëve të fuqishëm Anakarasë.

Trumpi kërkon zyrtarisht faljen e Netanyahut

By: Rovena
12 November 2025 at 16:12

Presidenti izraelit, Isaac Herzog ka pranuar një letër nga presidenti i SHBA-së Donald Trump, ku i kërkohet të shqyrtojë dhënien e faljes për kryeministrin Benjamin Netanyahu, ka bërë të ditur zyra e Herzog të mërkurën.

Netanyahu është përballur me një gjyq të gjatë për korrupsion dhe Trumpi ka kërkuar vazhdimisht falje për aleatin e tij të ngushtë. Netanyahu i mohon akuzat dhe është deklaruar i pafajshëm.

“Ndërsa unë respektoj absolutisht pavarësinë e sistemit izraelit të Drejtësisë dhe kërkesat e tij, besoj se kjo ‘çështje’ kundër Bibit, i cila ka luftuar përkrah meje për një kohë të gjatë, përfshirë edhe kundër kundërshtarit shumë të ashpër të Izraelit, Iranit, është një ndjekje penale politike dhe e pajustifikuar”, ka thënë Trumpi në letrën e ndarë nga zyra e Herzog.

Zyra ka thënë se kushdo që kërkon një falje presidenciale duhet të paraqesë një kërkesë zyrtare në përputhje me procedurat e përcaktuara.

Edhe gjatë vizitës së Trumpit në Izrael në tetor, ai i kishte kërkuar Herzogut të falte kryeministrin në një fjalim para parlamentit në Jerusalem.

Netanyahu është paditur në vitin 2019 në tri raste, duke përfshirë akuzat për marrjen e dhuratave nga biznesmenët, në vlerë mbi 200 mijë dollarë.

Pavarësisht rolit kryesisht ceremonial të presidencës izraelite, Herzog ka autoritetin për të falur kriminelët e dënuar në rrethana të pazakonta.

Megjithatë, gjyqi i Netanyahut, i cili filloi në vitin 2020, nuk ka përfunduar ende dhe ai është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat.

Netanyahu e ka cilësuar përvojën e tij ligjore si një gjueti shtrigash të krahut të majtë që synon rrëzimin e një udhëheqësi të zgjedhur të krahut të djathtë.

Netanyahu dhe Kushner diskutojnë planin për Gazën

By: Rovena
10 November 2025 at 23:57

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u takua të hënën në mëngjes më 10 nëntor me këshilltarin e lartë të Shtëpisë së Bardhë, Jared Kushner, në zyrën e tij në Jerusalem.

Qëllimi i takimit ishte koordinimi i përpjekjeve për armëpushimin në Gaza dhe kthimin e trupave të pengjeve të vrarë nga Hamasi. Sipas një zëdhënësi të qeverisë izraelite, bisedimet u përqendruan në çarmatimin e Hamasit, demilitarizimin e Gazës dhe përjashtimin e grupit nga çdo rol i ardhshëm në territor.

Këto janë pjesa kryesore e fazës së dytë të planit të paqes në Gaza, të presidentit amerikan Donald Trump. Në takim morën pjesë edhe ministri izraelit Ron Dermer dhe këshilltari amerikan, Aryeh Lightstone.

Diskutimet vijnë, ndërsa SHBA-ja dhe Izraeli po shqyrtojnë fatin e 100 deri 200 militantëve të Hamasit, të fshehur në tunele nën Rafah.

Washingtoni po ushtron presion që këta luftëtarë të lejohen të dorëzojnë armët në këmbim të kalimit të sigurt. Izraeli deri tani nuk ka dhënë një përgjigje përfundimtare mbi këtë propozim.

E diela shënoi edhe kthimin e trupit të oficerit izraelit Hadar Goldin, i mbajtur peng nga Hamasi që prej vitit 2014. Kthimi i trupit besohet të jetë pjesë e negociatave për dorëzimin e luftëtarëve të bllokuar në tunele. Raportimet mediatike pretendojnë se Turqia ka luajtur rol ndërmjetësues në këtë marrëveshje.

Megjithatë, burime të tjera pretendojnë se Ankaraja kërkoi lëshime, që Izraeli nuk i pranoi. Një burim palestinez tha se Turqia po punon, me mbështetjen amerikane, për lirimin e trupave të pengjeve të mbetura.

Netanyahu tha në Knesset se Izraeli do të zbatojë armëpushimin në Gaza dhe Liban “me grusht të hekurt”. Ai shtoi se lufta nuk ka mbaruar dhe se Hamasi “do të çarmatoset dhe Gaza do të demilitarizohet”, raporton The Times of Israel.

Këshilltari amerikan Uitkoff tha se rasti i tuneleve në Rafah është një “projekt pilot” për çarmatimin e Hamasit. SHBA-ja po shqyrton mundësinë që luftëtarët të dërgohen në një vend të tretë, por ende nuk është gjetur një shtet pritës.

Krahu ushtarak i Hamasit tha se nuk do të dorëzohet dhe kërkoi garanci për vazhdimin e armëpushimit. Ndërkohë, trupat e katër pengjeve të vrarë ende nuk janë gjetur, sipas ndërmjetësve.

Një tjetër çështje e hapur mbetet krijimi i një Force Ndërkombëtare Stabilizimi në Gaza. SHBA-ja po kërkon ta sanksionojë këtë fazë të planit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Emiratet e Bashkuara thanë se nuk do të marrin pjesë pa një kuadër të qartë veprimi. Trump pretendon se disa shtete janë të gatshme të dërgojnë trupa, por diplomatët arabë mohojnë.

Ndër shtetet e kontaktuara për kontribut janë Azerbajxhani, Indonezia, Emiratet, Egjipti, Katari dhe Turqia.Po të dielën, Azerbajxhani tha se nuk do të dërgojë forca, pa një ndalim të plotë të luftimeve. Më vonë gjatë ditës së sotme, Presidenti Trump priti në Shtëpinë e Bardhë presidentin sirian Ahmed al-Sharaa. Takimi u fokusua në sigurinë rajonale dhe në negociatat për një marrëveshje sigurie mes Izraelit dhe Sirisë.

Turqia, urdhër arresti për Netanyahun/ Padia akuzon Izraelin për krime lufte dhe genocid në Gaza

7 November 2025 at 23:07

Prokuroria e Përgjithshme e Stambollit lëshoi këtë të premte një urdhër-arrest për 37 persona ku mes tyre edhe për kryeministrin Izraelit Benjamin Netanyahu nën akuzën e kryerjes së gjenocidit ndaj popullit palestinez përgjatë luftës dy vjeçare në Rripin e Gazës.

Vendimi erdhi pas një padie të paraqitur nga Dhoma e Avokatëve të Stambollit, e cila akuzoi Izraelin për vazhdimin e krimeve kundër njerëzimit dhe të krimeve të luftës, pavarësisht nënshkrimit të një marrëveshjeje për armëpushim.

Në padinë e saj, Dhoma e Avokatëve thekson se Izraeli ka kryer “vrasje masive ndaj fëmijëve dhe grave të pafajshme, shkatërrim të mjedisit dhe mizori ndaj Gazes”.
Sipas deklaratës, “shteti i Izraelit përbën një kërcënim jo vetëm për popullin palestinez, por për gjithë njerëzimin”, duke kujtuar se vetëm gjatë dy viteve të fundit ka kryer sulme në Liban, Siri, Tunizi, Iran, Katar, Jemen, Irak, Maltë dhe Egjipt.

Në dokumentin e paraqitur si provë përfshihen disa raste të rënda, përfshirë atë të një vajze palestineze vetëm 6 vjeçe, e cila – sipas raportit – është qëlluar për vdekje me 335 plumba nga ushtarë izraelitë.
Po ashtu, përmendet bombardimi i Spitalit të Miqësisë Turko-Palestineze dhe “krimet e kryera ndaj aktivistëve të flotës humanitare Global SUMUD” në tetor.

Presidenti Turk Rexhep Taip Ergogan ka akuzuar vazhdimisht Izraelin për kryerje te gjenocidit ne Rripin e Gazes ndërsa ka deklaruar se bota kishte mbyllur syte ndaj krimeve te njerezimit qe po kryheshin ndaj palestinezeve.

Vitin e kaluar, Turqia iu bashkua padisë së ngritur nga Afrika e Jugut kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke e akuzuar atë për gjenocid. Një armëpushim i brishtë është në fuqi në territorin e shkatërruar palestinez që prej 10 tetorit, si pjesë e planit të paqes rajonale të presidentit amerikan, Donald Trump.

/abcnews.al/

Netanyahu sfidon presionin e Trump për Bregun Perëndimor: Vendimet për aneksim i marrim vetë

By: Rovena
24 October 2025 at 11:39

Presidenti amerikan, Donald Trump, kishte paralajmëruar se Izraeli do të humbasë “të gjithë mbështetjen e SHBA-së” nëse anekson Bregun Perëndimor.

Në një intervistë për revistën TIME, lideri amerikan ka pohuar se “kjo nuk do të ndodhë sepse u dhashë fjalën vendeve arabe… Izraeli do të humbasë të gjithë mbështetjen e tij nga Shtetet e Bashkuara nëse kjo do të ndodhte”.

Ky paralajmërim erdhi pas miratimit të një projektligji në parlamentin izraelit për avancimin e aneksimit të Bregut Perëndimor. Në një reagim ndaj këtyre zhvillimeve, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu u pyet nëse SHBA-ja po dikton politikën izraelite.

Ai u përgjigj se “gjithmonë do ta thonë këtë, nuk ka rëndësi. Ne jemi një vend i pavarur”. Ky qëndrim i Netanyahut thekson angazhimin e Izraelit për të ruajtur sovranitetin në vendimmarrje, pavarësisht presioneve ndërkombëtare.

Kujtojmë se projektligji u miratua me një votim 25-24. Nuk është e qartë nëse ka mbështetje për të fituar shumicën në Knessetin (parlamenti) me 120 vende, dhe ka mënyra se si kryeministri mund ta vonojë ose ta mposhtë atë.

Netanyahu del në gjyq/ Kryeministri izraelit para drejtësisë, Trump kërkoi ta falnin

15 October 2025 at 13:01

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu doli këtë të mërkurë para gjykatës, pavarësisht thirrjes së Donald Trump për të falur akuzat ndaj tij për korrupsion. Kjo ishte paraqitja e parë e Netanyahut në gjyq në thuajse një muaj, për shkak të disa festave në kalendarin hebraik dhe angazhimeve ndërkombëtare.

Netanyahu u rikthye për t’u përballur me akuza që përfshijnë ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit në lidhje me tre raste të veçanta të njohura si 1000, 2000 dhe 4000. Rasti i parë ka të bëjë me marrjen e dhuratave luksoze me vlerë mbi 210,000 dollarë, duke përfshirë puro, shampanjë dhe bizhuteri, nga biznesmenë të pasur në këmbim të favoreve politike.

Rasti 2000 ka të bëjë me bashkëpunimin e Netanyahu me një botues gazete për të siguruar mbulim të favorshëm mediatik. Ndërsa në rastin më të fundit dhe akuzën më serioze, Netanyahu dyshohet se i dha përfitime rregullatore gjigantit të telekomunikacionit Bezeq në këmbim të mbulimit pozitiv në rrjetin e tyre të lajmeve.

Përtej korrupsionit, Netanyahu përballet gjithashtu me urdhër-arreste nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për krime lufte në Gaza. Kryeministri izraelit vijon të përballet me drejtësinë, edhe pse presidenti amerikan Donald Trump, kërkoi që Netanyahu të amnistohet.

Gjatë fjalimit të tij në Knesset të hënën, Trump i bëri thirrje presidentit izraelit të falë Netanyahun, të cilin e përshkroi si “një nga udhëheqësit më të mëdhenj” të kohës së luftës.

/abcnews.al/

Orët e fundit për paqen në Gaza/ Hamas përballë ultimatumit të Trump

By: Rovena
5 October 2025 at 12:40

Grupi militant Palestinez Hamas do duhet të jap këtë të diel përgjigjen e tij përfundimtare për planin e paqes në Gaza, plan ky  me 20 pika i propozuar nga Presidenti amerikan Donald Trump.

Tryeza e Negociatave do të mbahet në  Kryeqytetin e Egjiptit atje ku janë mbledhur negociatorët e Hamas, i dërguari i Trump për Lindjen e Mesme Steve Witkoff dhëndri i kreut të Shtëpisë së Bardhë Jared Kushner. Delegacioni Izraelit kryesohet nga Ministri i Çështjeve Strategjike Ron Dermer, një ndër njerëzit më të besuar të Kryeministrit Izraelit Benjamin Netanyahu.

Presidenti Amerikan Donald Trump publikoi në Truth Social një hartë që tregon tërheqjen që do të ndodhë nga Ushtria Izraelite menjëherë sapo Hamas të pranojë marrëveshjen dhe të dorëzojë 48 pengjet ku mes tyre janë 20 persona të gjallë dhe trupat e pajetë të 28 të tjerëve.

Donald Trump deklaroi se Ushtria Izraelite do të kufizojë ushtrinë e tyre në Gaza në një gjerësi prej 3500 kilometrash në veri, nga 1500 deri në 6500 kilometra në pjesën anësore të enklavës palestineze dhe 2000 deri në 2500 metra në jug të saj.

Pasi tha se Izraeli do të tërheq ushtrinë e tyre menjëherë nga disa zona të rripit të Gazës, kreu i Shtëpisë së Bardhë publikoi edhe pamje nga protestat në Tel Aviv duke shtuar kështu presionin mbi kryeministrin Izraelit Benjamin Netanyahu që të pranojë sa më parë një marrëveshje paqeje në Gaza. Protestuesit mbanin pankarta që thonin se koha për paqe është o tani o kurrë.
Hamas ka një ultimatum për të dhënë përgjigjen finale mbi pranimin e planit të armëpushimit deri në mesnatën e kësaj të diele. Grupi militant, i cili tha se do të pranonte të lironte të gjitha pengjet ka kërkuar negociata me administratën Trump mbi disa pika sa I përket qeverisjes së Gazës pas përfundimit të luftës.

Ministrat e Jashtëm të Katarit, Jordanise, Emirateve te Bashkuara Arabe, Arabisë Saudite, Egjiptit, indonezise Pakistatin dhe Turqise pergezuan Hamas per pranimin e pjesshëm të marrëveshjes qe do të sillte lirimin e pengjeve dhe do t’i hapte mundësi vendosjes së paqes në Enklavën Palestineze. Këta ministra vlerësuan gjithashtu thirrjet që Trump bëri që Izraeli të ndalë menjëherë bombardimet në Gaza, pasi të shtunën u vranë mbi 65 palestinezë.

Lufta në Lindjen e Mesme nisi më 7 tetor të vitit 2023 pas sulmit terrorist të Hamas nga Izraelit ku u vranë 1200 izraelit dhe u morën peng 251 persona.

Pas këtij sulmi terrorist Izraeli nisi inkursionin e tij ushtarak ne Gaza ku deri më tani janë vrarë mbi 61 mijë palestinezë./abcnews.al

Plani me 20 pika, kushte për Netanyahun: Lirimi i pengjeve për 72 orë…

30 September 2025 at 16:41

Plani prej 20 pikash i Donald Trump, i quajtur ndryshe“Plani gjithëpërfshirës për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza”, është prezantuar si një propozim konkret për ndaljen e luftimeve mes Izraelit dhe Hamasit. Krahas ndryshimeve të thella në krahasim me versionin paraprak, në plan nuk përfshihet më pika që përmendte se Izraeli nuk do të sulmonte më Katarin, element ky i fshirë pas një telefonate mes kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe atij të Katarit.

Në qendër të planit është kërkesa për lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve, të gjallë apo të vdekur, brenda 72 orëve nga nënshkrimi i marrëveshjes. Në këmbim, Izraeli do të lirojë 250 të burgosur me burgim të përjetshëm dhe mbi 1 mijë e 700 palestinezë nga Gaza të arrestuar pas 7 tetorit. Për çdo trup të pengjeve që kthehet, Izraeli do të dorëzojë trupat e 15 palestinezëve.

Ndihma humanitare

Sipas dokumentit, hyrja dhe shpërndarja e ndihmave humanitare do të jetë e menjëhershme dhe në përputhje me marrëveshjen e janarit 2025. Për herë të parë specifikohet se këtë do ta bëjnë Kombet e Bashkuara, agjencitë e tyre, Gjysmëhëna e Kuqe dhe organizata ndërkombëtare të paanshme, duke përjashtuar entitete të mbështetura nga njëra palë, siç është Gaza Humanitarian Foundation, e përkrahur nga Izraeli dhe SHBA.

Qeverisja e Gazës

Në vend të një formule të paqartë për një “qeveri teknokrate kalimtare”, plani i ri parashikon që Gaza të administrohet nga një komitet palestinez teknokrat dhe apolitik, i përbërë nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, nën mbikëqyrjen e një organi të ri ndërkombëtar, “Këshilli për Paqen”, i cili do të drejtohet nga ish-presidenti amerikan Donald Trump, së bashku me liderë të tjerë botërorë, përfshirë Tony Blair. Ky komitet do të menaxhojë fondet për rindërtimin e Gazës derisa Autoriteti Kombëtar Palestinez të përfundojë reformat e tij dhe të jetë në gjendje të marrë kontrollin efektiv të territorit.

Hamas dhe demilitarizimi

Dokumenti thekson qartë se Hamas nuk do të ketë më asnjë rol në Gaza, ndërsa të gjitha strukturat e tij ushtarake dhe të infrastrukturës terroriste, përfshirë tunelet, do të shkatërrohen dhe nuk do të rindërtohen. Procesi do të mbikëqyret nga vëzhgues të pavarur ndërkombëtarë.

Po ashtu, krijimi i një Forcë Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF) nuk është më një ide e përgjithshme, por një plan konkret: SHBA, vendet arabe dhe partnerë ndërkombëtarë do të formojnë një njësi të përkohshme që do të dislokohet menjëherë në Gaza. Kjo forcë do të trajnojë dhe mbështesë policinë palestineze, duke bashkëpunuar me Jordaninë dhe Egjiptin, si dhe me Izraelin për sigurinë kufitare.

Jo aneksim, tërheqje graduale

Plani rikonfirmon se Izraeli nuk do të aneksojë apo pushtojë Gazën. Ndërkohë që ISF vendos kontrollin dhe stabilitetin, forcat izraelite (IDF) do të tërhiqen në faza, sipas një kalendari të dakorduar me ISF-në. Një perimetër sigurie do të mbahet i pranishëm derisa Gaza të jetë e mbrojtur plotësisht nga çdo kërcënim terrorist.

Dialog ndërfetar dhe narrativat shoqërore

Një nga risitë më të rëndësishme, sipas palës izraelite, është përfshirja e një procesi të dialogut ndërfetar që synon ndryshimin e mentaliteteve dhe narrativave mes palestinezëve dhe izraelitëve, duke u bazuar në vlerat e tolerancës dhe bashkëjetesës paqësore

Netanyahu mbërrin në Shtëpinë e Bardhë/ Trump i bindur për marrëveshje paqeje

By: Rovena
29 September 2025 at 18:32

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka mbërritur në Shtëpinë e Bardhë, ku u prit nga ish-presidenti amerikan Donald Trump jashtë Krahut Perëndimor.

Të dy liderët u përshëndetën me buzëqeshje dhe shtrëngim duarsh, ndërsa Trump bëri shenjë me gishtat e mëdhenj lart, në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve.

Kur u pyet nëse ishte i sigurt për arritjen e një marrëveshjeje paqeje në Gaza, Trump u përgjigj shkurtimisht: Po. Jam shumë i bindur.

Netanyahu: Izraeli “duhet të përfundojë punën” kundër Hamasit

26 September 2025 at 22:32

I përballur me kritika dhe protesta jashtë selisë së Kombeve të Bashkuara, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu u tha udhëheqësve botërorë se shteti i tij “duhet të përfundojë punën” kundër Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – në Gazë.

Udhëheqësi izraelit po përballet me izolim në rritje ndërkombëtar për shkak të refuzimit të tij që të ndalë luftën në enklavën palestineze.

“Udhëheqësit perëndimorë mund të jenë dorëzuar nën presion”, tha ai në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. “Por, unë ju garantoj një gjë: Izraeli nuk do të dorëzohet”, shtoi Netanyahu.

Fjalimin Netanyahu e nisi pasi dhjetëra delegatë nga disa shtete u larguan nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në shenjë proteste.

Duke iu përgjigjur vendimeve të marra së fundi nga disa shtete për njohjen e shtetësisë palestineze, Netanyahu tha se “vendimet tuaja të turpshme do të nxisin terrorizmin kundër hebrenjve dhe kundër njerëzve të pafajshëm kudo”.

Netanyahu: Akuzat për gjenocid dhe krizë urie për popullin e Gazës janë të pabaza!

26 September 2025 at 17:31

“Akuzat për gjenocid kundër Izraelit janë të pabaza. Ne u kemi kërkuar banorëve të qytetit të Gazës të largohen, po bëjmë gjithçka që mundemi për të shmangur dëmtimin e banorëve. A do të silleshin kështu ata që kryejnë gjenocid? “, tha kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në një fjalim para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Netanyahu iu drejtua edhe vendeve perëndimore, të cilat kanë rritur kritikat ndaj izraelit për luftën në Gaza.

Sipas tij, Izraeli po bën luftën e tyre dhe madje pretendoi se liderët që e dënojnë Izraelin publikisht, në privat e falënderojnë, duke lavdëruar shërbimet sekrete izraelite që parandalojnë sulme terroriste.

Më tej Netanyahu tha se nuk është Izraeli ai që e refuzon një zgjidhje me dy shtete, por shtoi se janë vetë palestinezët ata që nuk e besojnë një zgjidhje të tillë.

/abcnews.al/

Netanyahu në OKB: Vendimi për të njohur shtetin palestinez, ‘një çmenduri’!

26 September 2025 at 16:12

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, ka mbajtur fjalën e tij në OKB. Netanyahu ka folur për Iranin, grupin Houthi dhe Hamasin duke thënë se janë shkaktarët dhe kërcënuesit kryesorë të paqes në rajon dhe në të gjithë botën.

Ai nënvizoi Izraeli goditi terroristët dhe se shkatërroi programin e armëve atomike dhe raketave balistike të Iranit.

Netanyahu reagoi edhe ndaj vendimit të vendeve, përfshirë Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar, për të njohur shtetin palestinez , duke e quajtur atë “vetëvrasje kombëtare” për Izraelin.

Është “çmenduri e pastër, është çmenduri dhe ne nuk do ta bëjmë”, thotë kryeministri izraelit.

Duke iu përgjigjur akuzave se po shënjestron civilë në Gaza, ai thotë se nuk është e vërtetë dhe se qëllimi kryesor kanë qenë vetëm terroristët.

/abcnews.al/

Sllovenia i ndalon Benjamin Netanyahut hyrjen në vend

25 September 2025 at 15:50

Sllovenia i ka ndaluar kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu hyrjen në territorin e saj.

Ky vendim vjen pas një ndalimi ndaj dy ministrave të ekstremit të djathtë në kabinetin izraelit në korrik, thuhet në një deklaratë qeveritare.  Sllovenia, një anëtare e Bashkimit Evropian, njohu shtetin palestinez vitin e kaluar dhe vendosi një embargo armësh ndaj Izraelit në gusht.

Sipas të dhënave të AFP-së, të paktën 151 vende nga 193 shtetet anëtare të OKB-së tashmë e njohin shtetin e Palestinës.

/abcnews.al/

Portugalia konfirmon se do ta njohë shtetin palestinez

20 September 2025 at 15:19

Portugalia ka njoftuar se do ta njohë zyrtarisht shtetin palestinez, duke u bërë një nga vendet perëndimore që po ndryshojnë politikën e tyre në kohën kur lufta në Rripin e Gazës nuk po tregon shenja përfundimi.

Ministria e Jashtme e Portugalisë e bëri njoftimin para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, që do të mbahet javën e ardhshme në New York.

Franca, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Australia pritet të shpallin vendime të ngjashme.

Izraeli e ka dënuar këtë hap, me kryeministrin Benjamin Netanyahu që ka thënë se “shpërblen terrorin” pas sulmit të Hamasit të 7 tetorit 2023 kundër Izraelit.

Netanyahu paralajmëron Hamasin: Nëse dëmtoni pengjet do ta paguani shtrenjtë!

17 September 2025 at 09:10

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu paralajmëroi Hamasin që të mos dëmtojë pengjet që mban ende në Rripin e Gazës.

“Nëse ata dëmtojnë qoftë edhe një fije floku të një pengu të vetëm, ne do t’i ndjekim deri në fund të jetës së tyre dhe ky fund do të vijë shumë më shpejt nga sa mendojnë ata”, tha Netanyahu gjatë një konference për shtyp.

Sipas njoftimeve nga mediat ndërkombëtare, Hamasi ka zhvendosur disa nga pengjet, të cilët më parë mbaheshin në tunele, në tenda dhe shtëpi me qëllim që të parandalojë ushtrinë izraelite të nisë operacione kundër disa zonave.

Kryeministri izraelit theksoi se pengjet po mbahen në zona që janë të rrezikshme. Më herët edhe presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi Hamasin se do të “paguante shtrenjtë” nëse do t’i përdorte pengjet që mbante si “mburoja”.

/abcnews.al/

Netanyahu sfidon Erdoganin: Jerusalemi është qyteti ynë

By: Rovena
16 September 2025 at 22:26

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka dhënë një deklaratë të fortë nga Jerusalemi, duke reaguar ndaj komenteve të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan lidhur me statusin e qytetit të shenjtë.

Gjatë një fjalimi të mbajtur të enjten, ai theksoi sovranitetin izraelit mbi Jerusalemin, duke e quajtur atë “qyteti ynë të përjetshëm”.

“Epo, ne jemi këtu. Kjo është qyteti ynë. Zoti Erdogan, nuk është qyteti juaj. Është qyteti ynë. Do të jetë gjithmonë qyteti ynë. Nuk do të ndahet më kurrë”, deklaroi lideri izraelit.

Deklarata e Netanyahut vjen në një kohë tensionesh të shtuara në Lindjen e Mesme, ku Jerusalemi mbetet një pikë kyçe për përplasjet diplomatike dhe fetare midis Izraelit dhe botës islame.

Erdogan ka qenë ndër zërat më të zëshëm që e kundërshton kontrollin e plotë izraelit mbi Jerusalemin, duke mbështetur aspiratat palestineze për pjesën lindore të qytetit.

Komentet e fundit të udhëheqësit izraelit pritet të shkaktojnë reagime të ashpra nga Ankaraja dhe vendet e tjera me shumicë myslimane, të cilat e shohin Jerusalemin Lindor si kryeqytetin e ardhshëm të një shteti palestinez. Zhvillimet pritet të ndikojnë më tej në marrëdhëniet izraelito-turke, të cilat kanë qenë të tensionuara në dekadën e fundit, pavarësisht përpjekjeve sporadike për normalizim.

Izraeli nisi operacionin tokësor në Gaza, familjet e pengjeve të shqetësuar për fatin e të afërmve të tyre

16 September 2025 at 11:35

Forumi i Familjeve të Pengjeve të Izraelit po nis një apel të dëshpëruar për të mbrojtur të dashurit e tyre, duke akuzuar kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu se i ka sakrifikuar ata, sipas ”Times of Israel”.

“Nata e 710-të në Gaza mund të jetë nata e fundit në jetën e pengjeve që mezi mbijetojnë, dhe nata e fundit në të cilën do të jetë e mundur të gjenden dhe të kthehen pengjet e vrarë për një varrim dinjitoz”, deklaroi ky forum.

Forumi pohon, vazhdon gazeta izraelite, se një numër i konsiderueshëm i 22 pengjeve që konsiderohen të gjallë nga Izraeli po mbahen në Qytetin e Gazës.

“Kryeministri po zgjedh me vetëdije t’i sakrifikojë ata në altarin e konsideratave politike”, shton grupi duke e akuzuar atë se ka injoruar këshillën e shefit të Shtabit të IDF-së, i cili thuhet se paralajmëroi kundër operacionit.

Izraeli ka filluar sulmin e tij tokësor në Gaza, me tanket që thuhet se kanë hyrë tashmë në qytetin kryesor të Rripit.

Netanyahu nuk përjashton sulme ndaj udhëheqësve të Hamasit

By: Rovena
15 September 2025 at 17:40

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk ka përjashtuar sulme të mëtejshme ndaj udhëheqësve të Hamasit pas sulmit të javës së kaluar në Katar, duke thënë se ata nuk do të kenë imunitet “kudo që të jenë”.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së Marco Rubio në Jerusalem, Netanyahu tha se çdo vend kishte të drejtë “të mbrohej përtej kufijve të tij”.

Vendimi i Izraelit për të synuar udhëheqës të lartë të Hamasit në Katar – një aleat i ngushtë i SHBA-së – shkaktoi zemërim ndërkombëtar dhe kritika nga presidenti i SHBA-së Donald Trump.

Sulmi izraelit në Doha, Shtëpia e Bardhë: Trump do të takohet me kryeministrin e Katarit!

12 September 2025 at 21:31

Shtëpia e Bardhë njoftoi se Donald Trump do të presë kryeministrin e Katarit, Mohammed bin Abdelrahman al-Thani, të mërkurën.

Takimi vjen tre ditë pasi Izraeli kreu një sulm ndaj udhëheqësve të lëvizjes islamiste palestineze Hamas, në Doha.

I dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, do të marrë pjesë në darkë me presidentin e SHBA-së dhe kryeministrin e Katarit.

Kryeministri i Katarit më herët tha se homologu i tij izraelit, Benjamin Netanyahu duhet të mbajë përgjegjësi pasi sulmet ajrore izraelite në kryeqytetin e Emirateve shënjestruan anëtarët e një ekipi negociator të Hamasit.

“Mendoj se ajo që bëri Netanyahu ishte të vriste çdo shpresë për pengjet që mbeten në Gaza”, tha al-Thani për CNN.

/abcnews.al/

❌