Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 1 February 2026Abc News

“Berisha kërkon të fashisë lëvizjen e Salianjit”, Bejko: Teza e bashkimit të opozitës, kurth për partitë e vogla!

31 January 2026 at 23:36

Analisti Roland Bejko komentoi situatën brenda selisë blu duke thënë se PD është përfshirë nga një krizë mosbesimi. Sipas Bejkos, Berisha po kërkon të fashisë lëvizjen e Salianjit sepse ai arriti të mbledhë më shumë njerëz se Berisha në mbledhjet e tij.

Për Bejkon, protesta e Berishës ishte një demostim molotovësh për të mbyllur zërat e brendshëm në parti se kryetari është vetëm ai. Sakaq, Bejko e cilësoi kreun e opozitës se do të fusë në kurth partitë e vogla dhe të zhdukë zërat e brendshë.

“PD është e përfshirë nga kriza e mosbesimit, nuk besojnë më te Berisha. Militantët dhe anëtarët janë larguar nga Berisha për atë që është dhe bën. Faktor tjetër i rëndësishëm është diskutimi që ka hapur Salianji.

Berisha po kërkon të fashisë lëvizjen e Salianjit, sepse drama e tij është se Salianji, me një eksperiment të thjeshtë, mblodhi më shumë njerëz se Berisha. Ndaj bëri protestën, e cila për mua ishte një demonstrim jo për fuqinë e tij ndaj Ramës, sepse Rama e ka mundur me dinakëri politike dhe me vota, por Berisha me atë demonstrim molotovësh e bëri të mbyllë zërat e brendshëm në parti, duke thënë se “kryetari jam unë”.

Faktori i dytë është teza për bashkim me partitë e tjera të opozitës. E bën këtë që fokusi të jetë nëse bashkohet Lapaj apo jo me Berishën dhe te legjitimiteti i brendshëm i Berishës në krye të PD-së.

Berisha operon me nënndërgjegje. Berisha kërkon të zhdukë zërat e brendshëm dhe të fusë në kurth partitë e vogla.”  / abcnews.al /

Asllani “skuqet” në debutim/ Premierë e hidhur me Besiktas, 6 minuta dhe pezullohet

31 January 2026 at 23:12

Ka rezultuar një zhgënjim i madh debutimi i Kristian Asllanit me Beshiktash. Vetëm një ditë pasi u transferua nga Seria A, mesfushori kuqezi zbriti në fushë me skuadrën e tij të re në ndeshjen e kampionatin turk kundër Koniaspor. Ai u aktivizua në minutën e 76 dhe menjëherë u duk se do të linte menjëherë shenjën e tij kur mori pjesë në golin e dytë të Beshiktash.

Por, premiera e tij u përmbys shpejt për keq, pasi në minutën e 82 u ndëshkua me karton të kuq, për shkak të një ndërhyrje të gabuar.

Ky moment prishi të gjithë debutimin e Asllanit, por për fatin e tij të mirë Beshiktashi arrit të fitojë 2-1.

Me këtë karton, mesfushori do të qëndrojë të paktën një ndeshje i pezulluar.  / abcnews.al /

Yesterday — 31 January 2026Abc News

ICE nuk bllokohet në Minnesota/ Gjykata Federale hedh poshtë kërkesën për bllokimin e operacioneve

31 January 2026 at 22:48

Një gjykatës federal refuzoi  kërkesën e Minesotës për të ndalur menjëherë operacionin e drejtuar nga drejtoria e emigracionit dhe doganave.

Në vendimin e dhënë thuhet se shteti dhe dy qytete nuk e arritën pragun ligjor të përcaktuar, te nevojshëm për të bllokuar një operacion federal të zbatimit të ligjit në këtë fazë të çështjes.

Gjykatësja e Distriktit të SHBA-së, Katherine Menendez, nënshkroi urdhrin dhe deklaroi se paditësit “nuk e kanë përmbushur kushet  për të lëshuar urdhirn ndalues për msaa të jahtëzkaonshme.

Shteti i Minesotës, së bashku me qytetet Minneapolis dhe St. Paul, paditën Departamentin e Sigurisë Kombëtare  dhe zyrtarë federalë të imigracionit, në përpjekje për të bllokuar operacionin e zbatimit të ligjit të udhëhequr nga ICE.

Minesota është shndërruar në një zonë tensioni në rezistencën e së majtës ndaj zbatimit të ligjeit federal të imigracionit, me liderët lokale dhe shtetëror demokratë që kanë shprehur hapur kundërshtimin ndaj operacioneve  të udhëhequra nga ICE.   / ABCNEWS.AL /

Bisedime të reja mes SHBA-së dhe Rusisë, i dërguari i Putinit takim me Witkoff në Florida

31 January 2026 at 22:14

I dërguari rus Kirill Dmitriev po drejton bisedime të reja me zyrtarë amerikanë në Florida sot, tha një burim pranë negociatave për AFP-në.

“Bisedimet filluan herët, në orën 8:00 të mëngjesit sipas kohës”, tha burimi, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi axhendën ose përbërjen e delegacioneve.

Më parë, në llogarinë e tij në Instagram, Kirill Dmitriev, i cili ka drejtuar bisedimet në javët e fundit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, tha se ishte “përsëri” në Miami.

Më herët në janar, në kuadrin e Forumit Ekonomik të Davosit, Kirill Dmitriev u takua me zyrtarët amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner.

I dërguari i Kremlinit për investime dhe zhvillim ekonomik, Dmitriev, kishte udhëtuar në Miami në fund të dhjetorit për bisedime mbi Ukrainën me të dërguarit amerikanë.

Ky takim i ri në Florida vjen përpara një raundi të dytë të mundshëm bisedimesh në Abu Dhabi midis negociatorëve rusë, amerikanë dhe ukrainas.

Ky takim mund të zhvillohet që të dielën, megjithëse Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha këtë javë se mund të shtyhet.

Bisedimet e para të njohura të drejtpërdrejta midis ukrainasve, rusëve dhe amerikanëve mbi planin e Uashingtonit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë u zhvilluan të premten dhe të shtunën e kaluar në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Kremlini tha të premten se Presidenti i SHBA-së Donald Trump i kishte kërkuar homologut të tij rus Vladimir Putin të ndalonte sulmet ndaj Kievit “deri më 1 shkurt”, ku rrjeti i energjisë është goditur nga bombardimet e mëparshme.

Sipas zëdhënësit të presidentit rus Dmitry Peskov, ndalimi i bombardimeve ruse ka për qëllim “të krijojë kushte të favorshme për negociata”.

Bisedimet, të cilat po zhvillohen me ndërmjetësimin amerikan, janë shumë të vështira dhe preken veçanërisht nga çështja e ndarjes së tokës, me Rusinë që kërkon që Kievi të lëshojë të gjithë rajonin Donbas në Ukrainën lindore.

Gurët e shtëpisë sime/ Karvanet e kurbetit në Bënjë, tani vijnë kur i zë vapa…

31 January 2026 at 22:01

Benja shekullore e Permetit është një nga fshatrat më të veçantë të Shqipërisë. Fshati duket si një kartolinë në faqe të malit.    Kisha dhe fshati u ndertuan nga kurbetqaret. Kullat e vogla te gurta te fshatit, mbeshtetur tek njera – tjetra, e bëjnë edhe më interesant. Por Bënja ka nevoje per rruge per te rritur më shumë turizmin dhe për ta pasur jo vetëm në verë por në të katër stinët e vitit. Viktor Nauni, në Benje, na tregon kishën 200 vjeçare të Shen Marisë

dhe kurbetin në vitet 20’. “Habiteshim kur i shihnim me kapela dhe kostume”, thotë ai duke treguar kujtimet e fëminisë. Sheshi Ndergure, keshtu quhej dikur qendra e Benjes. Marjeta Nauni na e shpjegon: “Gur, ja si eshte”.

Njerezit po kthehen, por Marjeta e ka një koment edhe për këtë: “Kur i ze vapa andej, vijne kendej”. Ushqimet tradicionale këtu janë shqeto, “tave kosi por pa oriz”, kolloface dhe byrek me lepjeta dhe spinaq. Marjeta ka tre fëmijë, nga të cilët vajzën në emigrim, një djalë në Durrës dhe një djalë në Bënjë që merret me biznesin e bleteve, ullinjve dhe vreshtave. Ndër kujtimet më të mira që Marjeta ka nga Bënja, janë: “Kam shkuar mire me burrin, me vjehrren dhe vjehrrin…”            Bënja është një kartolinë e bukur dhe rruga për të shkuar është e vështirë, por ia vlen ta vizitosh. Pak më poshtë eshtë inkubatori i Benjes ku banoret çojne prodhimet per t’i perpunuar.   Sokol Kano, administrator, na tregon zierjen e rakisë, veçanërisht asaj të dëllënjës. Këtu zjehet rrushi dhe frutat e tjera për të bërë raki, bëhet perllogaritja e alkolit ne raki, dhe siç na thotë Sokoli, duhet zjere, “pa dallge” se i prish cilesine. Turistet pelqejne shume rakine, problem lenda e pare, na thotë ai. Pyetja që të vjen ndërmend këtu është: A mund te kemi te çertifikuar raki dellenje “made in Albania”?

Altin Kasaj, inxhinier   ushqimor, bën matjen e cilësisë në inkubator. Ka emigruar në Maltë dhe është kthyer. Punojme per te arritur standartet ushqimore të BE, na thotë. Flora Sali është një nga fermeret e zonës që na shpjegon mjalftin e bedunicës, i vetmi që mund të përdoret nga të sëmurët me diabet. Inkubatori është shume i rendesishem per fshataret, na thotë, duke shtuar se e ardhmja është , nxjerrja e produkteve ne tregun shqiptar dhe nderkombetar. Bashkëshorti i saj ka qenë në emigrim dhe është kthyer. “Nuk do qe t’ia permendesh, atje nuk punon per vete. Po s’punove, asnjeri nuk ta ka shtruar”, na thotë.

Papa Leoni XIV citon Nënë Terezën: Aborti, shkatërrimi më i madh i paqes

31 January 2026 at 21:31

“Paqja është mbi të gjitha një dhuratë“, tha Papa Leoni duke iu drejtuar pjesëmarrësve të konferencës One Humanity, One Planet.

“Ju ftoj të reflektoni mbi faktin se nuk do të ketë paqe pa i dhënë fund luftës që njerëzimi bën kundër vetes kur përjashton të dobëtit, kur injoron të varfrit, kur mbetet indiferent ndaj refugjatëve dhe të shtypurve. Vetëm ai që kujdeset për të vegjëlit mund të bëjë gjëra vërtet të mëdha”, u shpreh Ati i Shenjtë, i cili citoi më tej një thënie të Nënë Terezës se “shkatërruesi më i madh i paqes është aborti“.

Zëri i saj mbetet profetik. Asnjë politikë nuk mund t`i shërbejë popujve nëse përjashton nga jeta ata që sapo po vijnë në botë, nëse nuk ndihmon ata që janë në varfëri materiale dhe shpirtërore.

Papa falënderoi më tej të rinjtë e angazhuar në vendet e tyre në fushën politike dhe sociale, duke theksuar se këto janë fusha shumë të rëndësishme që meritojnë energjitë më të mira, “sidomos në këto kohë të lënduara nga padrejtësitë, dhuna dhe lufta“.

Për këtë arsye, u shpreh ai liderët e rinj duhet të bashkëpunojnë gjithnjë e më shumë në studimin e formave të pjesëmarrjes, që përfshijnë të gjithë qytetarët, burra dhe gra, në jetën institucionale të shteteve.

 

Zelensky: Ukraina po përgatitet për bisedime të reja paqeje javën e ardhshme

31 January 2026 at 20:57

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se vendi i tij po pret më shumë informacion nga Shtetet e Bashkuara lidhur me bisedimet e mëtejshme të paqes dhe se pritet që takime të reja të zhvillohen javën e ardhshme.

Në deklaratën e tij gjatë fjalimit të përditshëm me video, Zelensky la të kuptohet se një takim i parashikuar për të dielën në Emiratet e Bashkuara Arabe, mes përfaqësuesve të Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së, mund të mos zhvillohet. Palët kishin mbajtur një raund bisedimesh edhe një javë më parë.

“Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me palën amerikane dhe po presim detaje konkrete prej tyre në lidhje me takimet e ardhshme,” tha Zelensky.
“Ukraina është e gatshme të punojë në të gjitha formatet e mundshme. Është e rëndësishme që të ketë rezultate dhe që takimet të zhvillohen. Ne po llogarisim në takime javën e ardhshme dhe po përgatitemi për to.”

Ndërkohë, i dërguari amerikan Steve Witkoff drejtoi të shtunën një ekip përfaqësuesish në bisedime të mbajtura në Florida me të dërguarin e Kremlinit, Kirill Dmitriev, duke i cilësuar diskutimet si “produktive dhe konstruktive”.

Shtetet e Bashkuara po udhëheqin përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës, e cila nisi pothuajse katër vite më parë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Witkoff ka theksuar se çështja e territorit mbetet kyçe për përparimin e negociatave, ndërsa Kievi ka hedhur poshtë kërkesën e Moskës që Ukraina të dorëzojë të gjithë rajonin e Donbasit, përfshirë zonat që ushtria ruse nuk i ka pushtuar.

Nga ana tjetër, këshilltari i Kremlinit për politikën e jashtme, Yuri Ushakov, deklaroi këtë javë se territori nuk është e vetmja çështje kyçe në diskutime, por nuk specifikoi problemet e tjera ende të pazgjidhura.

Një jetë në skenën e teatrit/ Rrëfehet Bujar Sulejmani: Personazhet që kanë argëtuar mijëra fëmijë

31 January 2026 at 20:45

Ishte vetëm 15 vjeç kur u angazhua për herë të parë si aktor amator pranë trupës së teatrit të kukullave në Gjirokastër dhe që prej asaj periudhe vijojnë të interpretojë dhe të argëtojë vogëlushët.

Ky është Bujar Sulejmani, I cili në karrierën e tij numëron mbi 40 role të ndryshme karakteresh, kryesisht shumica e tyre të vëna në skenë para viteve ’90, ndërsa zbulon dhe një detaj të rëndësishëm historik se kur janë interpretuar për herë të parë shfaqjet e Teatrit të Kukullave.

Artisti tregon se para viteve ’90, Teatri I Kukullave përbëhej nga 10 aktorë të cilët kanë zhvilluar ture në shumë qytetete të vendit apo takime ndërkombëtare, ndërsa në vitin 2002, ai është vlerësuar me titullin “Xinxifile” për interpretimin më të mirë në Festivalin Mbarëkombëtar zhvilluar në Pogradec.

Përveç argëtimit, vogëlushët marrin dhe mesazhet e lirisë, atdhetarisë, por edhe ato të historisë.

Një nga interpretimet më të veçanta, ka qenë vendosja në skenë e veprës rusë “Topoçka”, të cilën siç thotë Bujari e ka interpretuar më tepër se dy mijë herë në ture të ndryshme.

Për fat të keq, sot trupa e Teatrit të Kukullave përbëhet vetëm nga 4 aktorë që sipas tij vjen si pasojë e faktorëve ekonomikë e për këtë ka edhe një apel ndaj bashkisë së qytetit.

Teatri I Kukullave në Gjirokastër u rikthye gati një muaj më parë, pas një ndërprerje prej më tepër se 30 vitesh.  / abcnews.al /

Jeta mes ujit dhe rrjetave/ Historia e dy vëllezërve peshkatarë në lagunën e Nartës

31 January 2026 at 20:35

Artan dhe Alfred Alliu janë dy vëllezër që për dekada i kanë kushtuar jetën peshkimit në lagunën e Nartës.

Alfredi u rikthye nga emigrimi para 12 vitesh, ndërsa Artani e ka këtë profesion prej më shumë se dy dekadash.

Ata nuk e konsiderojnë thjesht një mënyrë për të siguruar të ardhura, por një pasion që I lidh thellë me lagunën, stacionin e tyre të përditshëm.

“Kam 12 vjet qe merrem me peshkim se kam qene ne emigrim. vellai im ka me shume vite se une. po une kam 24 vite qe merrem me peshkim jemi te lincencuar. peshkojme rrjetat dhe ngjalat.”

Vëllezërit Alliu peshkojnë kocë, levrek, qefull, por edhe ngjala, këto të fundit më të rralla për shkak se variojnë nga sezoni.

“Zakonisht peshqit qe peshkojme jane koce levrek dhe qefull. edhe ngjala po ngjala eshte me sezone. levreku preferohet me shume.uji ketu eshte i kripur dhe ska te krahasuar levreku. eshte i cilesise se mire.vezet i leshon levreku tani dhe eshte koha e levrekut.”

Ata pranojnë se prodhimi ka rënë ndjeshëm në vitet e fundit, ndërsa ndryshimet klimatike, i ftohti dhe furnizimi i dobët i kanaleve që lidhin lagunën me detin kanë ndikuar dukshëm në situatën aktuale.

“Keto vitet e fundit ka qene dobet. nuk e di nuk furnizohet mire kanali se ka lidhje me detin. ndryshimet klimaterike po ashtu kane ndikuar. i ftohti ka ndikuar shume e garantuarpeshkimi eshte ne renie. klima ka ndikuar shume. nuk furnizohet laguna.”

Për Alfredin, rikthimi në vendlindje dhe puna në lagunë nuk ka qenë thjesht një zgjedhje profesionale, por një vendim i ndjekur nga pasioni e nxitur nga familja.

“Une erdha nga emigrimi para 12 vitesh dhe nipi me vellain me thane hajde pse do rrish pa pune tani qe u ktheve nga greqia. hajde hajde me thane e bleme varka e te gjitha materialet dhe fillova me qef. pastaj sic e shikon vete nga klima ra puna. me perpara kapnim 60 kg peshk, tani 3 kg.une e nisa si pasion nga kunati se shihja kunatin tim qe dilte per peshkim. sa te kem mundesi do vazhdoj te peshkoj,”

Varkat e tyre dhe të gjitha aktivitetet e peshkimit janë të licencuara dhe të rregullta, duke respektuar ligjin dhe masat e sigurisë.

“Me perpara ketu skishe ku coje peshkun. te gjitha keto 40 varka ketu jane me licence. nuk ka gjueti te paligjshme. jane te gjitha me targa varkat me licence ska as dinamit asgje jemi te perhershem ketu jemi me rregulla. me perpara kane qene 30 varka-35 maksimumi tani jane reduktuar jane 15-20,”

Megjithë uljet në prodhim dhe ndikimet klimatike, dy vëllezërit Alliu nuk ndalen në pasionin dhe punën e tyre të përditshme pranë lagunës së Nartës.  / abcnews.al /

Mes bujqësisë dhe mekanikës/ Historia e Asllan Ishmakut që punon me “ursus” polak të vitit 1960

31 January 2026 at 20:26

76-vjeçari Asllan Ishmaku prej dekadash jetën e tij e ka lidhur me bujqësinë dhe mekanikën. Në oborrin e shtëpisë së tij në fshatin Drojë, ende punon një traktor “Ursus”, mjet bujqësor polak i vitit 1960, të cilin Asllani e bleu në vitin 1975 dhe nuk iu nda kurrë.

Edhe sot, ai këtë makineri e ndez çdo ditë dhe kryen procese të ndryshme pune, duke mbajtur funksional një mjet që për shumëkënd do të ishte vetëm relike muzeale.

“Ky eshte ursus tipi i pare ursus ne vitin 1960. e kam blere ne 1975. origjinen e ka polak, eshte ursus polak 35 kuaj fuqi. qysh ne ate kohe ky ka punu krejtesisht makineri bujqesore. me plug me mbjellje me te gjitha agregatet ne dispozicion te bujqesise.”

Në vitet ’60, Shqipëria kishte kryesisht mjete bujqësore sovjetike, ndërsa Ursusi polak ishte një risi e rrallë. Asllani e mori pasi fitoi patentën dhe prej asaj kohe u bë një nga mekanizatorët më të përkushtuar në zonë.

Ky mjet bujqësor kryen thuajse të gjitha proceset: plugime, mbjellje, prashitje, vaditje dhe transport. Për Asllanin, marrja e Ursusit ishte një vlerësim i madh në atë kohë, një hap drejt modernizimit të bujqësisë.

“Plugime transport mbjellje prashitje vaditje. te gjitha punet i ben. u gezova kur e mora patjeter se ka qene vleresim i madh ne ate kohe te kishe makineri. para vitit 60 kemi pas mbjelle me parmende me plug dhe u eleminua plugu e keto pajisje primitive. u prishen atehere marredheniet me bashkimin sovjetik dhe u lidhem me kinen. u permiresu gjendja. ne 1969 shkova ushtar ne 1971 u ktheva dhe kam punuar me makineri te shumta me autokembanje po kete mjet e kam preferu shume.”

Një nga veçoritë që e bën këtë traktor unik është ndërhyrja teknike që Asllani i ka bërë vetë, duke modifikuar pompën e naftës, një defekt i njohur për këto mjete.

“Kur këto makineri punonin përtej limiteve, nxirrnin defekte te pompat e naftës. Unë jam i pari në Shqipëri që e kam modifikuar pompën e T28. E ka edhe sot të modifikuar dhe punon
Zgjidhja e tij u bë shembull edhe për specialistë të tjerë, të cilët morën eksperiencën e tij për ta aplikuar më gjerë.

“E kuptova që isha i pari kur erdhi një inxhinier nga Korça dhe pa si e kisha zgjidhur problemin. Atëherë mora vesh që ajo që kisha bërë unë ishte zgjidhje.”

Asllani ka qenë mekanizator në shumë vepra të rëndësishme në vend. Ai ka punuar me autokëmbanja, buldozerë dhe eskavatorë, duke dhënë kontributin e tij në ndërtimin e rrugëve kryesore të vendit.

“Kam punuar me të gjitha makineritë e rënda, me dokumente dhe patente. Kam punuar në Rrugën e Kombit, në bypassin e Shkodrës, të Vlorës… me bypassin e Vlorës e mbylla karrierën time.”

Edhe pse sot është në pension prej 11 vitesh, Asllani nuk i ndahet punës dhe mirëmbajtjes së Ursusit, të cilin e konsideron ekonomik, rezistent dhe të besueshëm.

“Jam mekanik vetë, sot jam në pension. Punoj me këtë makineri, e mirëmbaj dhe shërbimet ia bëj të gjitha vetë. Edhe pse duket i vjetër nga jashtë, punon perfekt. Edhe sot, po të më kërkojnë, edhe pse jam 76 vjeç, jam i gatshëm të punoj prapë.”
Historia e Asllan Ishmakut dhe Ursusit të vitit 1960 është një histori që flet për bujqësinë shqiptare, për punën e ndershme dhe për njerëzit që nuk u dorëzuan kurrë përballë kohës.

Dëshmia e rrallë e tmerrit në kampet naziste/ Rrëfimi i 101-vjeçarit, si u rreshtua në batalionin e Kuçit dhe u kap nga gjermanët

31 January 2026 at 20:02

Në moshën 101-vjeçare, Stillo Papadhima është sot një nga zërat e rrallë që ende dëshmon për realitetin e errët të kampeve naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore.

I lindur në vitin 1925, ai u përball herët me vështirësitë e jetës, pasi humbi të atin në moshën vetëm 5 vjeç. U rrit nën përkujdesjen e nënës dhe vëllezërve e motrave më të mëdhenj, ndërsa në rini u rreshtua në forcat Nacional-Çlirimtare, si pjesëtar i batalionit të Kuçit. Në dhjetor të vitit 1943, pas shpërbërjes së formacionit partizan, ai u kthye drejt vendlindjes së tij.

Por rruga drejt shtëpisë do të shënonte fillimin e një periudhe të errët: në Borsh, Stillo Papadhima dhe disa partizanë të tjerë u kapën nga forcat gjermane. Pas kësaj, ai u transferua nga një burg në tjetrin, duke përfunduar në Selanik, nga ku nisi deportimi drejt Gjermanisë.

Së bashku me dhjetëra të burgosur nga Saranda dhe Gjirokastra, ai u dërgua me tren drejt kampit nazist të Augsburgut, ku mbërriti në fund të korrikut 1944.

Në dëshminë e tij, Stillo tregon se të burgosurit detyroheshin të kryenin punë të rënda dhe rraskapitëse, kryesisht në bujqësi dhe shërbime të detyruara.

Një episod veçanërisht prekës i rrëfyer prej tij lidhet me ndihmën ndaj hebrenjve të përndjekur. Ai kujton se rreth 20 hebrenj u fshehën në kapanonin ku ndodheshin shqiptarët, për t’i shpëtuar transferimit nga forcat gjermane. Shqiptarët ndanë rrobat dhe ushqimin duke kontribuar në shpëtimin e tyre.

Rikthimi drejt Shqipërisë ishte i vështirë, por dëshira për të parë sërish vendlindjen dhe familjen i dha forcë për të përballuar rrugën. Mbërritja në Nivicë, së bashku me vëllanë dhe ish-të burgosurit e tjerë, u kthye në një ngjarje festive për të gjithë fshatin, me banorët që dolën për t’i pritur.

Vite më vonë, pas rënies së komunizmit, fëmijët e tij i mundësuan të vizitonte sërish kampin e Augsburgut në Gjermani, një rikthim emocional në vendin ku kishte përjetuar një nga kapitujt më të vështirë të jetës së tij.

Historia e tij është një rrëfim i qëndresës, sakrificës dhe mbijetesës, në një nga periudhat më të dhimbshme të shekullit XX.

Lajçak pjesë e dosjes Epstein/ Jep dorëheqjen si këshilltar i kryeministrit sllovak

31 January 2026 at 19:42

Miroslav Lajçak, një nga figurat më të njohura të diplomacisë sllovake dhe evropiane, ka njoftuar dorëheqjen nga pozita e këshilltarit të kryeministrit të Sllovakisë, Robert Fico, pas daljes së emrit të tij në dokumentet që lidhen me skandalin e Jeffrey Epstein, financierit amerikan të dënuar për abuzime seksuale dhe trafikim njerëzish.

Situata mori vëmendje të madhe kur u bë e ditur se Lajçak kishte komunikuar më parë me Epstein, duke ngritur pikëpyetje për natyrën e këtyre kontakteve.

Si ndodhi gjithçka?

Emri i Lajçakut u përmend në disa komunikime me Epstein, duke ngjallur debat publik dhe shqetësime për figurën e tij diplomatike. Pavarësisht se Lajçak ka një karrierë të gjatë dhe të shquar diplomatike, duke përfshirë detyra si Ministër i Jashtëm dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, reagimi ndaj këtyre zbulimeve ishte i menjëhershëm.

Deklarata e Lajçakut

Në deklaratën e tij, Lajçak mohoi se mesazhet apo komunikimet me Epstein ishin të natyrës kompromentuese. Ai theksoi se kontaktet ishin rastësore dhe jo profesionale, dhe se nuk ka përfituar ndonjë gjë nga këto ndërveprime. “Nëse do të kisha ditur më parë për natyrën kriminale të veprimeve të Epstein, nuk do të kisha ndërvepruar me të”, u shpreh Lajçak. Ai po ashtu tha se nuk mund të konfirmojë saktësinë e të gjitha mesazheve, duke i përshkruar ato si informale.

Reagimi i kryeministrit Fico

Kryeministri Robert Fico pranoi dorëheqjen e Lajçakut, duke e përshkruar atë si një diplomat të jashtëzakonshëm. Fico kritikoi reagimet publike, duke i konsideruar të ekzagjeruara dhe të bazuara në spekulime dhe tha se dorëheqja është një hap për të shmangur rrezikun e reputacionit të keq për shtetin sllovak në këtë periudhë të ndjeshme.

Abdixhiku ngelet kreu i LDK/ Kalon votëbesimin në parti, 164 kundër dorëheqjes së tij

31 January 2026 at 19:28

Lumir Abdixhiku mbetet në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ai kaloi votëbesimin në Kuvendin e Punës së Partisë, ku nga 300 delegatë pjesëmarrës 164 votuan kundër dorëheqjes së tij dhe 136 pro.

Abdixhiku i ofroi Kuvendit të partisë dorëheqjen nga pozita si kryetar, pas rezultatit zhgënjyes në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Lidhja demokratike mori vetëm 13.24 për qind të votave rezultati i dytë më i keq që pas periudhës së pasluftës.

Figura të rëndësishme brenda partisë, si Hykmete Bajrami, kishin kërkuar dorëheqjen e parevokueshme të Abdixhikut.

Ajo dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së partisë dhe të njëjtën gjë kishte kërkuar edhe nga Abdixhiku.

Ndërkohë, Avdullah Hoti kishte shpallur kandidaturën për kryetar, por në Kuvendin e së shtunës duket se pati diskutime vetëm  për performancën e kryetarit aktual.

e ka shpallur ditë më parë kandidaturën për kryetar të partisë, por të shtunën duket se ka pasur diskutime vetëm për performancën e Abdixhikut.

Lidhja Demokratike u themelua në vitin 1989 nga Ibrahim Rugova dhe është një nga partitë më të vjetra në Kosovë.

Roli i kësaj partie ka qenë kyç në historinë politike të Kosovës, por vitet e fundit rezultatet nuk kanë qenë ato që priteshin.

Lidhja Demokratike e Kosovës, ashtu si edhe partitë e tjera opozitare, dolën me një rezultat më të dobët nga cc’pritej në zgjedhjet e parakohshme dhe shumë mbështetës dhe analistë kanë kërkuar që liderët të marrin përgjegjësinë që u takon.  / abcnews.al /

Mbrojtje për Altin Dumanin/ KLP miraton kërkesen e kreut të SPAK, Braho

31 January 2026 at 19:09

Komisioni i mbrojtjes pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë ka miratuar kërkesën e kreut te ri te SPAK Klodian Brahos për të shtuar mbrojtjen ndaj prokurorit Altin Dumani.

Kërkesa vjen pas presionit në rritje ndaj ish-kreut të SPAK lidhur me hetime të rëndësishmë që mbajnë firmën e tij. Disa nga çështjet më të bujshmë të hetuara nga Dumani përfshijnë dosjen e ish-presidentit Meta, dosjen ne ngarkim te kryebashkiakut Veliaj, inceneratorët, dosja Toyota Yaris, dosjen e Laert Haxhiut si dhe operacionet nderkombetare te cilat kane goditur grupet kriminale Shqiptare.

Por ashtu si e ka deklaruar dhe vetë ish-kreu I SPAK prokurorët që prej nisjes së detyrës janë nën presion, sidomos prej grupeve kriminale, për shkak të dosjeve që kanë trajtuar.

Dumani ishte nën ruajtje të rreptë deri në fund të mandatit të tij tre vjeçar si kryeprokuror i posaçëm, ruajtja e tij do të vijojë edhe me mbylljen e kësaj detyre.

Aktualisht për shkak të detyrave që mbajnë kanë ruajtje kreu i SPAK Klodian Braho dhe shefi i gjykatës antikorrupsion Erjon Bani.

Per shkak te ceshtjeve sensitive te cilat hetojne nën ruajtje janë edhe gjyqtarë e prokrurorë të posaçëm ku përfshihen prokurorja Doloreza Musabelliu e cila ka qene ne shenjester te grupeve kriminale, Adnan Xholi, Dritan Prenci,Vladimir Mara si dhe gjyqtarja Irena Gjoka.  / abcnews.al /

Paralajmëron presidentja e Meksikës: Tarifat e naftës të Trump ndaj Kubës rrezikojnë krizë humanitare

31 January 2026 at 19:04

Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, ka paralajmëruar se tarifat e reja të shpallura nga administrata Trump për vendet që furnizojnë Kubën me naftë mund të çojnë në një krizë të rëndë humanitare në ishull.

Gjatë një konference për shtyp, Sheinbaum theksoi se kufizimi i furnizimit me naftë do të kishte pasoja serioze për jetën e përditshme të kubanezëve.

“Zbatimi i tarifave për vendet që furnizojnë Kubën me naftë mund të shkaktojë një krizë humanitare në shkallë të gjerë, duke prekur drejtpërdrejt spitalet, sektorin ushqimor dhe shërbime të tjera thelbësore,” u shpreh presidentja meksikane.

Deklarata e Sheinbaum vjen një ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që parashikon vendosjen e tarifave shtesë, me vlerë ende të paspecifikuar, ndaj çdo vendi që shet naftë Kubës.

Dekreti nuk përcakton qartë se cilat vende do të preken, por Meksika përfshihet ndër shtetet që dërgojnë naftë në Kubë.

Sheinbaum bëri të ditur se ka kërkuar kontakte të menjëhershme me Departamentin e Shtetit të SHBA-së për të sqaruar fushëveprimin e urdhrit.

“Ne shprehim gjithmonë solidaritet me popullin kuban, por duhet të dimë fushëveprimin e këtij vendimi, sepse nuk duam ta vëmë vendin tonë në rrezik,” deklaroi ajo, duke theksuar se Meksika do t’u japë përparësi kanaleve diplomatike.

Megjithëse furnizimet me naftë drejt Kubës përbëjnë më pak se 1% të eksporteve totale të naftës bruto të Meksikës, ato janë jetike për ishullin, sidomos pas ndërprerjes së furnizimeve nga Venezuela.

Presidenti kubanez Miguel Díaz-Canel akuzoi Donald Trump se po përpiqet të “mbytë” Kubën, e cila po përballet me një nga krizat më të rënda ekonomike që nga revolucioni i vitit 1959.

Meksika është përballur me kërcënime të vazhdueshme për tarifa nga SHBA-të që prej rikthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025, ndërsa pritet edhe rinegocimi i marrëveshjes trepalëshe të tregtisë së lirë me SHBA-në dhe Kanadanë.  / abcnews.al /

Burime amerikane: SHBA mund të nis një sulm kundër Iranit të dielën

31 January 2026 at 18:40

Raportime nga Drop Site News dhe burime të tjera amerikane thonë se Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar aleatët rajonalë për një sulm të mundshëm ndaj Iranit që mund të fillojë këtë të dielë. Zyrtarët amerikanë nuk kanë dhënë një konfirmim përfundimtar, por paralajmërimi i tyre tregon se plani është në fazë të avancuar përgatitore.

Sipas burimeve, synimet e një sulmi të mundshëm nuk do të kufizohen vetëm tek objektivat bërthamore dhe raketore të Iranit, por mund të përfshijnë edhe udhëheqësit kryesorë dhe strukturat ushtarake të larta. Qëllimi i supozuar do të ishte dobësimi i kapaciteteve ushtarake dhe ndikimi te regjimi iranian, duke lënë hapësirë për ndryshim të mundshëm të regjimit.

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar javët e fundit se i ka dhënë Iranit një afat për të arritur një marrëveshje. Ai ka theksuar se nëse diplomacia dështon, gjërat do të jenë serioze, duke lënë të kuptohet se opsioni ushtarak mbetet i mundshëm. Trump gjithashtu theksoi se forca amerikane e dërguar në rajon është më e madhe se ajo e përdorur më parë ndaj Venezuelës, duke përfshirë anije të luftës dhe grupin rreth aeroplanmbajtëses USS Abraham Lincoln, një demonstrim i fuqisë detare amerikane.

U.S. Central Command (CENTCOM) ka paralajmëruar Iranin që të mos afrohet te anijet amerikane gjatë ushtrimeve të planifikuara në Ngushticën e Hormuzit, duke nënvizuar se çdo kërcënim ndaj trupave amerikane nuk do të tolerohet. Në përgjigje, Irani ka paralajmëruar se çdo sulm ndaj vendit mund të shkaktojë goditje brenda Izraelit. Ali Shamkhani, këshilltar i liderit suprem të Iranit, tha se një ofensivë mund të shkaktojë një përshkallëzim të gjerë në rajon.

Irani gjithashtu ka njoftuar ushtrime ushtarake me zjarr në detin e Hormuzit gjatë fundjavës, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre zhvillojnë ushtrime ajrore dhe detare shumëditore, për të treguar gatishmërinë dhe kapacitetin ushtarak. Analistët thonë se situata është jashtëzakonisht e ndjeshme, pasi një sulm i mundshëm do të shkaktonte rrezik të lartë për përshkallëzim në Lindjen e Mesme, me pasoja serioze për sigurinë globale dhe stabilitetin rajonal.

Në këtë pikë, vendimi përfundimtar i SHBA-së nuk është bërë publik, dhe diplomacia mbetet ende një mundësi e hapur, ndërsa rajoni përgatitet për një fundjavë të tensionuar. /Clash Report/

❌
❌