Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 26 December 2025Abc News

Ndahet nga jeta Ruth Bourne, gruaja që deshifroi kodet naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore

By: Rovena
26 December 2025 at 21:46

Ajo punoi në qendrën sekrete të Bletchley Park dhe kontribuoi në fitoren e Aleatëve, duke thyer kodin famëkeq “Enigma”.

Ruth Bourne, një nga gratë që luajtën një rol kyç në deshifrimin e komunikimeve sekrete të Gjermanisë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore, ka ndërruar jetë në Londër në moshën 99-vjeçare.

Bourne ishte pjesë e ekipit të fshehtë të Bletchley Park, rreth 80 kilometra në veriperëndim të Londrës, ku u thyen kodet e koduara me makinën “Enigma”. Ky operacion i klasifikuar, i njohur si programi “Ultra”, ndihmoi forcat aleate të parashikonin lëvizjet e ushtrisë gjermane dhe të fitonin beteja vendimtare gjatë luftës.

Edhe Italia fashiste u godit drejtpërdrejt nga ky aktivitet: shumë autokolona detare që niseshin drejt Libisë me trupa dhe furnizime për frontin e Afrikës së Veriut u interceptuan falë informacionit të siguruar në Bletchley Park.

E lindur më 23 maj 1926 në Salford, pranë Mançesterit, dhe e rritur në Birmingham, Ruth Bourne vinte nga një familje hebraike. Ajo u regjistrua vullnetare në Marinën Mbretërore Britanike dhe, në moshë shumë të re, u përzgjodh për një mision tepër sekret. Në vitin 1944, ende pa mbushur 18 vjeç, punoi me “bombën e Turingut”, një pajisje llogaritëse e projektuar nga matematikani i shquar Alan Turing, e aftë të çkodonte mesazhet gjermane.

Pas përfundimit të luftës, pjesëmarrësit në programin “Ultra” u detyruan të ruanin heshtjen për dekada. Vetëm në vitet ’70 u bë publik roli i tyre. Në vitin 2009, qeveria britanike i nderoi me një medalje përkujtimore për kontributin e dhënë në fitoren ndaj nazizmit.

FOTOLAJM/ Pasojat e sulmit amerikan në Nigeri

By: Rovena
26 December 2025 at 21:20

Mbrëmë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kryen një sulm ajror ndaj luftëtarëve të ISIS-it në veriperëndim të Nigerisë, në koordinim me qeverinë nigeriane.

Tani mediat kanë publikuar foto që tregojnë pasojat e këtij sulmi.

Sulmi, sipas raportimeve, e habiti popullsinë vendase.

Fshati Jabo ishte një nga zonat e goditura nga sulmet amerikane. Balira Sa’idu thotë se sulmet “ndryshuan gjithçka”.

“Duhet të mendoj për dasmën time, por tani jam në panik. Sulmet kanë ndryshuar gjithçka. Familja ime është e frikësuar dhe as nuk e di nëse është e sigurt të vazhdoj me planin e dasmës në Jabo”, tha ajo.

Aliyu Garba është një udhëheqës tradicional në fshat.

Ai thotë se mbeturinat nga sulmet ishin shpërndarë përreth dhe disa banorë nxituan në vendngjarje përpara se të mbërrinin forcat e sigurisë.

Izraeli bëhet vendi i parë që njeh zyrtarisht Somalilandin si shtet të pavarur

By: Re Nato
26 December 2025 at 21:08

Izraeli u bë të premten vendi i parë që e njeh zyrtarisht republikën e vetëshpallur të Somalilandit si shtet të pavarur dhe sovran. Ky vendim mund t’i ndryshojë dinamikat rajonale dhe ta vërë në provë Somalinë, e cila përherë e ka kundërshtuar ndarjen.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Izraeli do të kërkojë bashkëpunim të menjëhershëm me Somalilandin në bujqësi, shëndetësi, teknologji dhe ekonomi.

Në një deklaratë, ai e përgëzoi presidentin e Somalilandit, Abdirahman Mohamed Abdullahi, vlerësoi udhëheqjen e tij dhe e ftoi atë për një vizitë në Izrael.

Netanyahu tha se deklarata “është në frymën e Akordeve të Abrahamit, të nënshkruara me nismën e presidentit Trump”.

Akordet e vitit 2020 u ndërmjetësuan nga administrata e parë e Trumpit dhe përfshinin formalizimin e marrëdhënieve diplomatike të Izraelit me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejnin, ndërsa vende të tjera iu bashkuan më vonë.

Netanyahu, ministri i Jashtëm Gideon Saar dhe presidenti i Somalilandit nënshkruan një deklaratë të përbashkët për njohje të ndërsjellë, thuhet në deklaratën izraelite.

Abdullahi tha në një deklaratë se Somaliland do t’i bashkohet Akordeve të Abrahamit, duke e quajtur këtë hap drejt paqes rajonale dhe globale.

Ekonomia në vitin 2026/ Eksperti Sefa: Presim vazhdimësi, ta orientojmë ekonominë te gjërat që dimë t’i bëjmë shumë mirë

By: Re Nato
26 December 2025 at 20:44

Eksperti i ekonomisë, Ergis Sefa thotë se në vitin 2026, pritet vazhdimësi e ecurisë ekonomike.

Në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, Sefa u shpreh se ekonomia shqiptare duhet drejtuar te gjërat që dimë t’i bëjmë shumë mirë.

“Ajo që pritet edhe nga orientimi që duket nga buxheti i ri i 2026, i sapomiratuar, do kemi vazhdimësi të gjendjes së 2025. Nuk shoh as ndryshim thelbësor, por as dhe një tentativë për riorientim drejt ekonomisë prodhuese. Shpresoj që të mos ketë asnjë krizë apo luhatje botërore ose rajonale, e cila të na ndikojë, sepse do të na ndikojë shumë keq në ekonominë tonë. Dhe me shpresë që qeveria do të fillojë vërtet të ndërtojë projekte strategjike në aspektin e ndërtimit të avantazhit tonë krahasues kundrejt vendeve të rajonit të paktën, në atë që ne do i ofrojmë tregut të përbashkët evropian. Është një periudhë që e kemi një mundësi të madhe, por do duhet që ne të tregohemi të zgjuar dhe ta orientojmë ekonominë tonë në atë gjëra që vërtet ne do dimë t’i bëjmë shumë mirë dhe do t’i shërbejmë të gjithë tregut të BE. Janë 540 milionë qytetarë, me fuqi blerësi mbi mesatare. Nuk besoj se do e kemi më këtë mundësi. Koha për të vepruar është tani”, theksoi ai./abcnews.al

Bilanci i ekonomisë 2025/ Nunaj: Pa vizion afatgjatë, ekonomia shqiptare mbetet në tranzicion

By: Rovena
26 December 2025 at 20:31

Ekspertja e ekonomisë Teuta Nunaj ka ngritur shqetësimin për mungesën e një vizioni afatgjatë për zhvillimin ekonomik të vendit, gjatë një interviste në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News.

Ajo theksoi se politikat publike në Shqipëri janë të pjesshme dhe të shkëputura nga njëra-tjetra, duke penguar mbylljen e tranzicionit 35-vjeçar. Sipas Nunajt, pa një strategji të qartë se ku duhet të jetë ekonomia shqiptare pas 10 vitesh dhe pa fokus te sektorë të qëndrueshëm si industria dhe bujqësia, vendi rrezikon të mbetet i orientuar vetëm drejt planeve afatshkurtra dhe me mirëqenie të ulët për qytetarët.

“Ne i kemi politikat publike të zhvilluara në mënyrë parciale, të pjesshme, ose të shkëputura nga njëra-tjetra. Nëse ne duam të kemi një ekonomi të zhvilluar dhe ta mbyllim këtë tranzicionin e gjatë 35-vjeçar ne duhet ta ndajmë mendjen se ku duhet ta çojmë ekonominë shqiptare pas 10 vitesh. Kush është sektori që duam të investojmë?

Ne nuk flasim për Shqipërinë, si një vend i vogël, por që ka potenciale dhe ne këto potenciale nuk i marrim fare në konsideratë dhe qytetarët që ngelen në Shqipëri janë ata që janë më pak të kualifikuar dhe bëjnë punë më pak të kualifikuara, që do të thotë bëjnë punë më pak të paguara dhe mirëqenia e tyre nuk rritet. Nëse ne nuk përcaktojmë ekonominë shqiptare dhe se ku do të jemi pas 10 vitesh dhe jo të mbështetmi te sektorë të paqëndrueshëm, por kryesisht në industri dhe në sektorin e bujqësisë, atëherë ne gjithmonë do të jemi në plane të shkurtra 3-4 apo 5-vjeçare dhe asnjëherë në këtë rast nuk do të jemi vizionarë për ekonominë tonë”, tha Nunaj./abcnews.al

“Turizmi, lokomotiva e rritjes ekonomike gjatë këtij viti”, eksperti rendit problematikat

By: Rovena
26 December 2025 at 20:21

Eksperti i ekonomisë Enio Civici ka analizuar rolin e turizmit në ekonominë shqiptare, duke theksuar se gjatë këtij viti ky sektor ka ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin e shërbimeve, ndërtimit dhe punësimit.

I ftuar në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, Civici u ndal te ndikimi pozitiv i turizmit në rritjen ekonomike, ndërsa vuri në dukje se pesha e lartë e këtij sektori në ekonomi lidhet kryesisht me të ardhurat që vijnë nga jashtë dhe jo me prodhimin e brendshëm, duke e bërë të nevojshme një vështrim më të gjerë mbi qëndrueshmërinë afatgjatë të zhvillimit ekonomik.

“Edhe shërbimet, edhe ndërtimi edhe punësimi janë udhëhequr këtë vit vetëm nga një sektor që është turizmi. Sa mirë dhe i fuqishëm është ky sektor në këto momente dhe sa mirë i bën ekonomisë sonë, duke e ndihmuar dhe udhëhequr në rritje, është edhe një alarm i madh për të ardhmen.

Pra sektori që po na ushqen tani është edhe sektori më i paqëndrueshëm në gjithë historinë e ekonomisë botërore, sepse lidhet direkt me ngjarje që nuk kanë të bëjnë me të. Krahas lavdërimit të sektorit të turizmit si lokomotiva e të pestë nënsektorëve më të rëndësishëm, nga ana tjetër duhet të ngremë alarmin dhe të themi që një ekonomi kaq e dobët strukturalisht nuk mund të jetë kaq e varur vetëm nga sektor i cili nuk është i lidhur me prodhimin tonë të brendshëm, lidhet me të ardhurat që vijnë nga jashtë”, tha eksperti./abcnews.al

Bilanci i ekonomisë 2025/ Ekspertët: Rritja ekonomike nuk po përkthehet në mirëqenie për familjet shqiptare

By: Rovena
26 December 2025 at 20:12

Ekonomia shqiptare ka shfaqur stabilitet në treguesit makroekonomikë vitet e fundit, por kjo rritje nuk është reflektuar në përmirësimin e mirëqenies së familjeve.

Kështu u shprehën ekspertët e ekonomisë të ftuar në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC Neës, të cilët theksuan se, pavarësisht të dhënave pozitive në nivel kombëtar, shpërndarja e rritjes ekonomike mbetet problematike dhe ndikimi në të ardhurat e qytetarëve ka qenë i kufizuar, duke e bërë vitin 2025 një periudhë ende të vështirë për ekonominë familjare.

Teuta Nunaj: Në nivelin makro ka qenë një ekonomi e qëndrueshme dhe në nivelin familja ka qenë një ekonomi që nuk ka përcjellë mirëqenie për familjarët.

Enio Civici: Nga pikëpamja makro ekonomike Shqipëria më në fund ka arritur që të 3-4 vitet e fundit një lloj stabiliteti sa u takon të dhënave të mëdha, atyre që duhen për të parashikuar politika publike. Ndërsa në aspektin e ekonomisë që ndjejnë njerëzit mendoj po ashtu që ka qenë një vit i vështirë për transmetimin e kësaj rritjeje ekonomike në rritje të të ardhurave apo të portofolit të familjeve shqiptare. Nuk mendoj se vitit 2025 është karakterizuar nga një vit ku familjet shqiptare janë ndjerë më mirë financiarisht.

Ergis Sefa: Nuk është çështja vetëm te rritja ekonomike, është rritje për kë? Si shpërndahet kjo rritje ekonomike? Mund të kesh një rritje ekonomike të madhe dhe shpërndahet në pak duar, ndërkohë që mund të kesh një rritje ekonomike më të vogël dhe shpërndahet ashtu siç duhet. Kjo është e gjithë diferenca. Siç thanë edhe kolegët në nivelin tonë të mirëqenies, duhet që nivelin makroekonomik ta zbresim tek individi dhe tek qytetarët./abcnews.al

Rusia akuzon Ukrainën për pengimin e bisedimeve për t’i dhënë fund luftës

By: Re Nato
26 December 2025 at 19:48

Rusia akuzoi Ukrainën se po pengon bisedimet mbi një plan të SHBA-së për t’i dhënë fund luftës, duke thënë se teksti i ri i paraqitur nga Kievi këtë javë ishte “rrënjësisht i ndryshëm” nga ai që Moska negocioi me amerikanët.

“Kievi dhe sponsorët e tij, kryesisht në Bashkimin Evropian, të cilët nuk e shohin një marrëveshje në mënyrë të favorshme, kanë dyfishuar përpjekjet e tyre për ta prishur atë”, tha zëvendësministri i Jashtëm Sergei Ryabkov.

“Pa një zgjidhje adekuate të problemeve që shkaktuan këtë krizë, thjesht do të jetë e pamundur të arrihet një marrëveshje përfundimtare”, vazhdoi Ryabkov.

Ai bëri thirrje për “qëndrim brenda kufijve të përcaktuar” gjatë samitit midis Presidentëve Vladimir Putin dhe Donald Trump  në Alaska gjatë gushtit.

Përndryshe, “nuk mund të arrihet asnjë marrëveshje”, shtoi ai.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paraqiti një version të ri të planit amerikan të mërkurën.

Ky dokument i ri me 20 pika propozon ngrirjen e vijave të frontit pa zgjidhur menjëherë çështjet territoriale, ndërsa nuk përmban dy kërkesa kryesore nga Moska: tërheqjen e forcave ukrainase nga Donbasi dhe një angazhim ligjor nga Ukraina për të mos u bashkuar me NATO-n.

Lideri i opozitës ruse dënohet me gjashtë vjet burgim

By: Rovena
26 December 2025 at 19:34

Kritiku i Vladimir Putinit, Sergei Udaltsov është dënuar me gjashtë vjet burgim për terrorizëm nga një gjyakatë në Rusi të enjten, raportoi “The Guardian”. Udhëheqësi i lëvizjes së Frontit të Majtë që kundërshton Putinin dhe është i lidhur me Partinë Komuniste, u arrestua vitin e kaluar.

Sipas faqes ruse të lajmeve Mediazona, akuzat kundër tij rrjedhin nga një artikull që Udaltsovi postoi në internet në mbështetje të një grupi tjetër aktivistësh rusë të akuzuar për formimin e një organizate terroriste. Këta aktivistë u dënuan këtë muaj me dënime që varionin nga 16 deri në 22 vjet burgim.

Udaltsov i ka hedhur poshtë akuzat kundër tij si të sajuara. Të enjten, ai e cilësoi vendimin si të turpshëm dhe tha se do të hynte në grevë urie.

Ai ishte një figurë e shquar e opozitës gjatë protestave masive të viteve 2011-12 në Rusi, të shkaktuara nga raportet për manipulim të gjerë të zgjedhjeve parlamentare. Në shkurt të vitit 2012, ai mori pjesë në një takim që presidenti i atëhershëm Dmitry Medvedev zhvilloi me figura të ndryshme të opozitës.

Në dhjetor 2023, një gjykatë në Moskë e dënoi Udaltsovin me 40 orë punë të detyruar për shkelje të procedurave që lidhen me organizimin e një tubimi pasi u ndalua në Sheshin e Kuq, ku u përpoq të shpaloste një flamur me imazhin e diktatorit sovjetik Josef Stalin, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve, Tass.

Udaltsov ishte burgosur në vitin 2014 dhe ishte dënuar me 4.5 vjet burgim për akuza që lidhen me rolin e tij në organizimin e një demonstrate të vitit 2012 kundër Putinit që u shndërrua në trazira. Ai u lirua në vitin 2017.

Kosova, letërporosi në SPAK/ Hetim pasurive në Shqipëri të 31 të dyshuarve për trafik droge

By: Re Nato
26 December 2025 at 19:18

Prokuroria Speciale e Kosovës ka dërguar një letërporosi në Prokurorinë e Posaçme SPAK, për të nisur hetime për verifikimin e pasurive të mundshme në Shqipëri të 89 shteasve Kosovarë. Kjo kërkesë është miratuar nga Gjykata e Posaçme duke I dhënë të drejtën SPAK të kryejë hetime.

SPAK ka kryer hetime për verifikimin e pasurive të mundshme në Shqipëri të 89 të dyshuarve, për krijim të të arrdhurave mbi bazën e aktivitetit kriminal. Prokuroria Speciale e Kosovës sqaron në kërkesën e saj për SPAK se është duke hetuar 31 persona të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal të përfshirë në trafik droge dhe pastrim parash.

Ata janë identifikuar për shkak të komunikimeve në aplikacionin SKY ECC, bazuar në të dhënat e marra nga autoritetet belge dhe franceze të drejtësisë.

Referuar hetimit të Prokuroisë Speciale të Kosovës të pandehurit i kanë investuar paratë e trafikut të drogës në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, si brenda territorit të Republikës së Kosovës, ashtu dhe në vende të tjera përfshirë këtu Shqipërinë.

Për këtë arsye, pala kosovare kërkon të kalohet në filtër jo vetëm pasuritë e tyre, por edhe të 58 personave të tjerë, familjarë apo të afërm në emër të të cilëve mund të jenë regjistruar pasuritë e paligjshme. Në zbatim të kërkesës së Prokurorisë Speciale, SPAK do të gjurmojë jo vetëm pasuritë e paluajtshme të tyre, por edhe nëse kanë hapur llogari bankare në banka të nivelit të dytë në Shqipëri./abcnews.al

Shefi i NATO-s, Rutte: Të mos harrojmë se Evropën dhe NATO nuk i përbën vetëm BE

By: Rovena
26 December 2025 at 18:56

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, beson se Bashkimi Evropian nuk duhet të bëhet plotësisht i pavarur nga Shtetet e Bashkuara në fushën e mbrojtjes, pavarësisht qëndrimit të marrë për këtë çështje nga qeveria e presidentit amerikan, Donald Trump.

Shtetet e Bashkuara presin që Evropa të marrë më shumë përgjegjësi dhe të shpenzojë më shumë para për mbrojtjen, tha Rutte për dpa në një intervistë të fundit.

“Jam absolutisht i bindur se SHBA-ja është plotësisht e përkushtuar ndaj NATO-s. Nuk ka asnjë dyshim. Pritshmëritë janë rritur. Në të vërtetë, ne duam të shpenzojmë më shumë, Evropa do të marrë më shumë përgjegjësi”, tha ai.

Ish-kryeministri i Holandës theksoi samitin e NATO-s në Hagë në muajin qershor, ku të gjithë aleatët ranë dakord për rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) deri në vitin 2035.

“Mendoj se kjo është ende një nga fitoret më të mëdha të politikës së jashtme të presidentit Trump, këto 5 për qind, një përkushtim i qartë ndaj prodhimit më të madh”, tha Rutte dhe shtoi se “shtatëdhjetë e pesë për qind e ndikimit ekonomik është ende jashtë BE-së”.

Duke pranuar rëndësinë e BE-së, ai vuri në dukje se 23 vendet e BE-së brenda NATO-s përbëjnë vetëm rreth një të katërtën e ndikimit të përgjithshëm ekonomik të aleancës. “Shtatëdhjetë e pesë për qind është ende jashtë BE-së”, tha ai, duke iu referuar anëtarëve të NATO-s si Britania, Norvegjia, Kanadaja dhe SHBA-ja.

Ukraina përdor dronë të avancuar për goditje në frontin e Lymanit

By: Re Nato
26 December 2025 at 18:44

Forcat ukrainase kanë intensifikuar përdorimin e dronëve FPV për të goditur objektiva ushtarake ruse në zona të pyllëzuara.

Këta dronë, të drejtuar nga distanca, u mundësojnë njësive ukrainase të veprojnë me saktësi dhe shpejtësi të lartë.

Sipas raportimeve, sulmet janë përqendruar pranë vijave të frontit rreth Lymanit, një zonë me rëndësi strategjike.

Terreni i vështirë dhe mbulimi pyjor e bëjnë më të ndërlikuar lëvizjen e trupave në terren.

Situata tregon rritjen e rolit të teknologjisë së dronëve në konfliktin aktual.

Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit 2022 duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të shumta materiale.

There is just no escape: Ukrainian FPV drones strike Russian troops near Lyman forests. pic.twitter.com/u9sxstq2yD

— Clash Report (@clashreport) December 26, 2025

Tajlanda bombardon zonën kufitare me Kamboxhian

By: Rovena
26 December 2025 at 18:29

Tajlanda kreu sulme ajrore në një zonë kufitare të diskutueshme me Kamboxhian, ndërsa zyrtarët nga të dyja palët vazhduan bisedimet për t’i dhënë fund luftimeve.

Forcat Ajrore Tajlandeze thanë se kishin goditur një “pozicion të fortifikuar ushtarak” kamboxhian pasi civilët ishin larguar nga zona.

Ministria e mbrojtjes e Kamboxhias akuzoi Tajlandën për “sulme pa dallim” kundër shtëpive të civilëve dhe për plagosjen e disa personave. Luftimet shpërthyen përsëri në fillim të këtij muaji, pasi një armëpushim i brishtë në korrik i dha fund përleshjeve të ashpra kufitare pesë ditëshe.

Të paktën 41 persona janë vrarë dhe pothuajse një milion janë zhvendosur që kur rifilluan armiqësitë. Të dyja vendet kanë fajësuar njëra-tjetrën për prishjen e armëpushimit.

Që atëherë, luftimet janë përhapur në pothuajse çdo provincë përgjatë kufirit prej 800 kilometrash. Ministria e mbrojtjes e Kamboxhias tha se sulmet e së premtes ndodhën në provincën veriperëndimore Banteay Meanchey. Deri në 40 bomba u hodhën nga aeroplanët luftarakë F-16.

Tajlanda tha se aksioni kishte për qëllim kontrollin e fshatit Nong Chan dhe se u “krye në mënyrë efikase dhe të suksesshme”. Kjo ndodhi ndërsa negociatorët tajlandezë dhe kamboxhianë zhvilluan ditën e tretë të bisedimeve në një pikë kontrolli kufitar. Kryeministri tajlandez Anutin Charnvirakul tha se sapo të dyja palët të bien dakord për kushtet e njëra-tjetrës, mund të nënshkruhet një marrëveshje armëpushimi.

SHBA-të dhe Kina janë përpjekur gjithashtu të ndërmjetësojnë një armëpushim të ri.

Ndryshe, mosmarrëveshja midis Tajlandës dhe Kamboxhias daton më shumë se një shekull më parë dhe ka pasur përleshje sporadike, me ushtarë dhe civilë të vrarë nga të dyja palët gjatë viteve. Por në maj, tensionet u përshkallëzuan pasi një ushtar kamboxhian u vra në një përleshje.

Dhe më 24 korrik, situata u përshkallëzua në mënyrë dramatike pas një sulmi me raketa nga Kamboxhia në Tajlandë, i cili u pasua nga sulme ajrore tajlandeze. Kjo shkaktoi pesë ditë luftimesh të ashpra, të cilat lanë dhjetëra ushtarë dhe civilë të vdekur.

“PD, shërbyese e familjes Berisha”/ Ibsen Elezi: E kanë braktisur mbi 200 mijë votues, opozita në regres

By: Re Nato
26 December 2025 at 18:26

Ish kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Ibsen Elezi thotë se PD është bërë shërbyese e familjes së Sali Berishës.

Në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, Elezi u shpreh se PD e kanë braktisur mbi 200 mijë votues.

“Partia është kthyer në një ngrehinë të shkatërruar. Në vetvete ka një barrë të madhe. Fakti që këtu janë thyer të gjitha rregullat, mënyra se si funksionon. Nëse akuzojmë Ramën për autokraci, e njëjta është në PD. Thelbi i gjësë pse PD ka rënë, erdhi gradualisht shkatërrimi. Nuk e di si kanë kurajo t’i flasin për demokraci, anëtarëve të PD. I vjen shumë njerëzve keq. Të jesh i sigurt që pjesa më e madhe e demokratëve, janë në një situatë ku nuk e dijnë se si është zgjidhja. Nuk është çështje organizimi. Duhet të ketë frymë, dëshirë që njerëzit të mblidhen. Nuk ka frymë. PD e kanë braktisur mbi 200 mijë votues. PD është në rënie të vazhdueshme, nuk ka progres. Sali Berisha po e përdor për interesa të familjes së vet.”, theksoi ai./abcnews.al

Aksident në Malësinë e Madhe/ Kamioni del nga rruga, lëndohen dy persona

By: Rovena
26 December 2025 at 17:56

Rreth orës 16:00, në fshatin Rrjoll, Malësi e Madhe, shtetasi N. P., duke drejtuar një automjet tip kamion, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe, si pasojë automjeti ka dalë nga rruga dhe është rrëzuar.

Si pasojë e aksidentit, është dëmtuar drejtuesi i kamionit, shtetasi N. P., si dhe pasagjeri G. P., të cilët ndodhen në Spitalin Rajonal Shkodër, jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

Një burrë tenton vetëvrasje në xhaminë në Mekë, ndërhyjnë forcat e sigurisë

By: Rovena
26 December 2025 at 17:48

Një përpjekje për vetëvrasje në Xhaminë al-Haram në Mekë u parandalua pasi një anëtar i forcave të sigurisë së xhamisë ndërhyri, duke pësuar lëndime ndërsa përpiqej ta ndalonte burrin të hidhej nga një kat i sipërm.

Pamjet që qarkullojnë në internet kapin momentet e tensionuara para ndërhyrjes. Burri mund të shihet duke iu afruar fundit të katit të sipërm, ndërsa një oficer sigurie nxiton poshtë në përpjekje për ta shpëtuar. Oficeri u lëndua ndërsa parandaloi vetëvrasjen.

Në një deklaratë, Emirati i Rajonit të Mekës tha se Forca Speciale për Sigurinë e Xhamisë së Madhe reagoi menjëherë pasi burri u përpoq të hidhej nga katet e sipërme. Ai shtoi se oficeri i plagosur pësoi fraktura dhe se të gjitha hapat e nevojshëm ligjorë u kryen në përputhje me rregulloret në fuqi.

Forcat e Sigurisë së xhamisë gjithashtu pranuan incidentin, duke thënë: “Pati një incident ku një person u përpoq t’i jepte fund jetës nga katet e sipërme të Xhamisë së Madhe. Një oficer sigurie u plagos ndërsa përpiqej ta parandalonte atë të binte në tokë në momentin e rënies së tij. Të dy individët u transferuan menjëherë për të marrë kujdesin e nevojshëm mjekësor dhe u përfunduan procedurat zyrtare të kërkuara.”

Ministria e Brendshme e Arabisë Saudite tha se Forca Speciale veproi shpejt për të vënë situatën nën kontroll dhe për të mbrojtur besimtarët.

Sipas Khaleej Times, Kryeimami i Xhamisë së Madhe, Abdur Rahman As Sudais, foli më vonë duke u bërë thirrje pelegrinëve të nderojnë shenjtërinë e xhamisë së shenjtë, të ndjekin rregullat e saj dhe të përqendrohen në adhurim. Ai theksoi se mbrojtja e jetës është thelbi i mësimeve islame, duke iu referuar vargut kuranor, “Dhe mos e hidhni veten në shkatërrim me duart tuaja”.

❌
❌