❌

Normal view

Ibsen Elezi: Pedagogët nuk mund të përfaqësohen nga vajza e Berishës në protestë

20 October 2026 at 23:35

Ibsen Elezi ka komentuar protestat dhe situatën politike në vend, në një intervistë në “Ora e Njëmbëdhjetë”, në ABC News.

Duke u ndalur te përfshirja e pedagogëve në protestë, Elezi u shpreh se ata nuk duhet të përfaqësohen nga Argita Berisha, duke e cilësuar këtë si një dëm për ta.

Ai theksoi se gjatë protestave me dinamizëm të lartë mund të ndodhin edhe fenomene të padëshirueshme, ndërsa nënvizoi se prona private nuk duhet të preket.

Elezi u shpreh se studentët, sipas tij, qëndrojnë më lart se kjo mënyrë përfaqësimi, ndërsa iu referua edhe një episodi të disa ditëve më parë, kur Klevis Balliu përfundoi në Lanë.

“Të dalësh të nxjerrë ato pedagogë me fytyrën e vajzës së Sali Berishës dhe dhëndrin është të hedhësh baltë. Nuk duhet ta kishin pranuar studentët. Kur ka protesta të tilla me shumë dinamizëm ndodhin edhe fenomene të padëshirueshme, dhe duhet të dinë që prona private nuk duhet të preket.

Këta pedagogë të përfaqësohen me fytyrën dhe vajzës së Sali Berishës është një dëm shumë i madh. Unë mendoj që studentët janë më lart. Para disa ditësh kujtojmë se Klevis Balliu përfundoi në Lanë dhe e kaloi “Lanën” me not, nuk e di se si iu ka shpëtuar. Studentët janë të qartë, kanë thënë nuk kemi kërkesa, por do shembin klasën politike”, tha ai.

/abcnews.al/

Përfundon protesta në Tiranë/ Policia i përgjigjet molotovëve me ujë dhe arrestime

20 October 2026 at 23:17

Protesta u mbyll me përplasje në bulevard. Por në rrugë nuk ishte i pranishëm agresiviteti dhe kaosi i ditëve më parë.

Përleshje mes policisë dhe protestuesve pati. Gurëve dhe molotovëve agjentët iu përgjigjën me ujë dhe, në vijim, me arrestime.

Protestuesit u ndanë në grupe dhe u shpërndanë në rrugët e kryeqytetit.

Në fund u kthyen në bulevard, por situata ishte nën kontrollin e agjentëve.

Italia me “dorë të hekurt”/ Kryeministrja Meloni: Burg dhe gjoba për sulmet me gurë e fishekzjarrë në protesta

20 October 2026 at 23:10

“Nëse, gjatë një marshimi ose demonstrate, bashkoheni me një grup prej pesë ose më shumë personash dhe filloni të hidhni gurë, fishekzjarrë ose shkopinj – duke rrezikuar kështu sigurinë e të gjithëve – përballeni me deri në pesë vjet burg dhe një gjobë deri në 20,000 euro. Nëse fytyra juaj ishte e mbuluar ose nëse keni lënduar dikë, dënimi rritet; dënimet rriten gjithashtu për ata që përfshihen në akte shkatërrimi si pjesë e një grupi.”, u shpreh kryeministrja Meloni.

Kjo është një nga masat që qeveria italiane ka miratuar me qëllim parandalimin dhe luftimin e akteve të dhunshme dhe trazirave që përfshinë qytetet veriore të Italisë gjatë fundjavës, përfshirë kryeqytetin financiar Milanon, ku bandat kryesisht të të rinjve kryen shkatërrime masive, duke thyer dritare, duke plaçkitur dyqane dhe duke sulmuar policinë.

Duke iu referuar imazheve të dhunës që tronditën Milanon dhe qytete të tjera italiane në fundjavë, kryeministrja italiane Georgia Meloni njoftoi dekretin e miratuar nga Këshilli i Ministrave, dhe deklaroi se ato janë skena të papranueshme që askush nuk mund t’i minimizojë ose justifikojë. Meloni shpjegoi se në fuqi “Është futur një vepër e re penale: pjesëmarrja e dhunshme në një demonstratë”. Për më tepër, paraburgimi mund të zbatohet edhe për të miturit.

“Aktualisht, për një të ri të moshës midis 14 dhe 18 vjeç, Shteti duhet të provojë në çdo rast se ai ishte i aftë të kuptonte se çfarë po bënte. Ne kishim miratuar tashmë një ligj që e përmbys këtë parim, domethënë se supozohet se ai ishte i aftë të kuptonte se çfarë po bënte, përveç nëse provohet e kundërta. Ky ligj është në Parlament, por me dekretin e sotëm hyn në fuqi menjëherë, dhe paraburgimi – i cili deri më tani zbatohej vetëm për të rriturit – mund të zbatohet edhe për të miturit”, tha ajo.

Pjesë e paketës së masave të qeverisë italiane për aktet e dhunshme në protesta është edhe parimi “kush dëmton, paguan”.

“Nëse e prish, do të paguash për të – dhe nëse personi që e prish është i mitur, do të paguajnë prindërit e tij”, shtoi Meloni.

Por si do të funksionojë?

“Nëse dëmi është në pronë publike – siç është një stacion autobusi, një semafor ose një automjet policie – prefekti do të dërgojë një urdhër pagese në shtëpinë e individit. Nëse dëmi është në pronë private – siç është një vitrinë dyqani, një dyqan ose një makinë – pronari mund t’i drejtohet një gjyqtari dhe të marrë një urdhër gjykate që zbatohet menjëherë.”, nënvizoi Meloni.

Kryeministria Meloni konfirmoi vendosjen e 500 trupave shtesë ushtarak në Milano deri në fund të vitit. Për më tepër, sipas saj, do të ketë edhe një rritje të numrit të magjistratëve dhe vendeve në qendrat e paraburgimit për të mitur.

“Të rinjtë t’i kthehen tokës”/ Julvin Marku fton fermerët të investojnë, apelon edhe për më shumë mbështetje për bujqësinë

20 October 2026 at 22:34

Julvin Marku ka një synim përtej parcelës së tij me lajthi në Fushë-Krujë, krijimin e një zone ku kjo kulturë bujqësore të përhapet edhe te fermerët e tjerë.

Pas tetë vitesh përvojë, ai dëshiron të ndajë njohuritë e fituara dhe të nxisë banorët e zonës që të investojnë në kultivimin e lajthisë. Për këtë arsye, ai shprehet i gatshëm t’u ofrojë falas fidanë personave që dëshirojnë të nisin këtë aktivitet.

Nisma e tij vjen pas një rrugëtimi që nuk ka munguar të përballet me vështirësi, nga gabimet e para në mbjellje deri te dëmtimet e prodhimit dhe ndikimi i thatësirës.

“Do të vetëofrohesha që banorët e tjerë, kush të dëshirojë, të vijë të marrë fidanë falas këtu, të ndërtojmë fshatin e lajthive”, shprehet Julvin Marku në emisionin “Toka Jonë” në ABC News.

Për të, përhapja e kësaj kulture do të ishte një mundësi për të nxitur zhvillimin e bujqësisë në zonë dhe për të treguar se edhe të rinjtë e arsimuar mund të ndërtojnë një aktivitet ekonomik duke u marrë me tokën.

Megjithatë, ai thekson se një nga pengesat kryesore mbetet vaditja. Sipas tij, funksionimi i kanaleve vaditëse do t’i ndihmonte fermerët të përballonin periudhat e thata dhe të siguronin prodhim më të qëndrueshëm.

“Vaditja është problemi më i madh. Do të ishte mirë nëse kanalet vaditëse do të ishin funksionale. Verës nuk kemi ujë, ndërsa dimrit kemi përmbytje. Do të ishte mirë nëse institucionet do të na jepnin një dorë”, thotë ai.

Krahas bujqësisë, Julvini vijon të punojë edhe në fushën e informatikës, duke u përpjekur të mbajë të dy profesionet. Por dëshira e tij është që aktiviteti me lajthi të zgjerohet dhe të kthehet në një mundësi edhe për brezin e ri.

Ai shpreson që edhe djali i tij, Aleksandri, të vijojë një ditë këtë aktivitet familjar dhe ta çojë më tej.

Nga një ide e lindur gjatë viteve të universitetit, te synimi për të krijuar një “fshat të lajthive”, Julvin Marku kërkon që përvoja e tij të shërbejë si nxitje për të tjerët që t’i kthejnë sytë nga toka.

Deputetët polakë votojnë për lehtësimin e kufizimeve ndaj abortit

20 October 2026 at 22:29

Të martën, dhoma e ulët e parlamentit të Polonisë votoi për të lejuar abortin në rastet e anomalive të fetusit dhe për të dekriminalizuar ofrimin e ndihmës për kryerjen e një aborti.

Kjo lëvizje vjen derisa ligjvënësit përpiqen të zhbëjnë ndalimin pothuajse total të abortit, të vendosur nga qeveria e mëparshme.

Megjithatë, ka shumë gjasa që ky legjislacion të përballet me veton e presidentit nacionalist.
Polonia, një vend me shumicë katolike, vendosi një ndalim pothuajse total të abortit në vitin 2021, pasi Gjykata Kushtetuese vendosi se ndërprerjet e shtatzënisë për shkak të anomalive të fetusit ishin në kundërshtim me Kushtetutën. Ky ndalim shkaktoi protesta të gjera.

Koalicioni pro-evropian i kryeministrit Donald Tusk i fitoi zgjedhjet e vitit 2023, pjesërisht duke premtuar lehtësimin e kufizimeve mbi abortin. Presidenti Karol Nawrocki ka lënë të kuptohet se do të bllokojë çdo liberalizim të ligjit.

Një projektligj tjetër, i cili do të legalizonte abortin me kërkesë deri në javën e 12-të të shtatzënisë, është aktualisht në shqyrtim në komisionet parlamentare.

Sipas ligjit aktual, aborti është i ligjshëm vetëm në rastet e përdhunimit ose incestit, si dhe kur shëndeti apo jeta e gruas janë në rrezik.

Fermeri tregon kostot e kultivimit të lajthisë, vështirësitë e prodhimit dhe ndikimin e thatësirës te rendimenti

20 October 2026 at 22:20

Kultivimi i lajthisë kërkon investim fillestar, punë të vazhdueshme dhe njohuri për të shmangur dëmtimet që mund të ulin prodhimin. Për Julvin Markun, fermerin nga Fushë-Kruja, tetë vitet e përvojës në këtë sektor kanë sjellë mësime të rëndësishme, por edhe sfida që lidhen me kushtet atmosferike dhe dëmtuesit.

Në emisionin “Toka Jonë” në ABC News, Julvini tregon se nisja e një plantacioni me lajthi kërkon një investim që, sipas përllogaritjeve të tij, shkon rreth 5 milionë lekë për hektar, në varësi të kostove të përfshira.

Përvoja e vitit të parë ishte një ndër mësimet më të vështira. Mbjellja në një periudhë të papërshtatshme dhe mungesa e informacionit të duhur sollën kalbëzimin e fidanëve. Më vonë, dëme në prodhim shkaktuan edhe brejtësit.

Një nga periudhat më intensive të punës është vjelja, kur nevojitet më shumë krah pune për mbledhjen e lajthive, pastrimin e barërave dhe mbrojtjen e bimëve nga dëmtuesit. Për Julvinin, ky është një aktivitet familjar, ku angazhohen edhe pjesëtarët e tjerë të familjes.

Edhe këtë vit, prodhimi është ndikuar nga kushtet atmosferike. Sipas fermerit, thatësira ka ulur rendimentin, duke bërë që sasia e përftuar të jetë më e vogël nga sa priste.

“Ky vit nuk ka qenë ndër vitet më të mira të prodhimit, për shkak të thatësirës. Rreth dy kuintalë. Nëse do të kishte reshje, do të ishte më shumë”, shprehet Julvin Marku.

Prodhimin e tij ai e shet në tregun vendas. Sipas fermerit, çmimi i shitjes i mundëson të mbulojë shpenzimet dhe të sigurojë fitim, pavarësisht rendimentit më të ulët të këtij viti.

Një tjetër problem që ai ngre është mungesa e ujit për vaditje dhe mosfunksionimi i kanaleve vaditëse. Julvini thotë se gjatë verës, kur bimët kanë më shumë nevojë për ujë, furnizimi mbetet problematik, ndërsa në dimër zona përballet me përmbytje.

Për fermerin nga Fushë-Kruja, përmirësimi i infrastrukturës vaditëse do të ishte një ndihmë e rëndësishme për zhvillimin e bujqësisë dhe rritjen e prodhimit.

Më shumë informacion, përvojë dhe mbështetje për fermerët mbeten elementë të rëndësishëm për këdo që dëshiron të investojë në këtë kulturë bujqësore.

Lajthia në Fushë-Krujë/ Tetë vite më parë e nisi si një nismë studentore, sot synon të krijojë “fshatin e lajthive”

20 October 2026 at 22:16

Një konkurs biznesi i ndryshoi drejtimin e së ardhmes. Julvin Marku, nga Fushë-Kruja, nisi kultivimin e lajthive tetë vite më parë, kur ishte ende student i informatikës.

Ajo që në fillim dukej si një nismë e thjeshtë, sot është kthyer në një aktivitet bujqësor që ai e zhvillon paralelisht me profesionin e tij.

Historia e Julvinit vjen në emisionin “Toka Jonë” në ABC News. Ai tregon se ideja për t’u marrë me bujqësi lindi pasi mori pjesë në një konkurs biznesi të organizuar nga një organizatë ndërkombëtare, ku doli fitues.

Zgjedhja e lajthisë nuk ishte e rastësishme. Duke qenë se ndiqte studimet për informatikë, Julvini kërkonte një kulturë bujqësore që të mos i kërkonte shumë kohë. Por përvoja e parë në parcelë i tregoi se bujqësia kërkon njohuri, përkushtim dhe durim.

“Nisja ka qenë në vitin e parë të universitetit, një nismë djaloshare. Kur e shoh sot, do ta mendoja dy herë nëse do ta nisja apo jo. Por ia vlen, është me leverdi”, tregon ai për “Toka Jonë”.

Viti i parë nuk shkoi siç e kishte parashikuar. Mungesa e informacionit të duhur dhe gabimet në mbjellje i shkaktuan dëme në parcelë, duke e bërë të kuptonte se përvoja është thelbësore për suksesin në bujqësi.

Në fillim, as mbështetja nga familja dhe komuniteti nuk ishte e plotë. Vendimi i një të riu të arsimuar për t’u marrë me bujqësi shihej me skepticizëm, ndërsa Julvini duhej të gjente mënyrën për të mbajtur bashkë dy profesione.

Sot, ai vazhdon të punojë në informatikë dhe të kujdeset për parcelën me lajthi, ku është përfshirë edhe familja e tij.

Pas tetë vitesh përvojë, Julvini thotë se do ta niste sërish këtë rrugëtim, por këtë herë me më shumë njohuri. Madje, ai dëshiron që përvoja e tij të shërbejë edhe për banorët e tjerë të zonës, duke i nxitur të investojnë në kultivimin e lajthisë.

Historia e tij është një shembull i një të riu që ka zgjedhur të mos i kthejë shpinën tokës, edhe kur bujqësia nuk ka qenë profesioni i tij i parë.

UNHCR: Mbi 250 mijë të zhvendosur në Jemen që nga gushti, luftimet përshkallëzohen

20 October 2026 at 22:01

Më shumë se 250.000 njerëz janë zhvendosur në Jemen midis 1 gushtit dhe 17 tetorit, ndërsa luftimet u intensifikuan në të gjithë vendin, tha të martën agjencia e OKB-së për refugjatët (UNHCR).

Shifra u rrit nga gati 213.000 të raportuara më parë, ku Taizi mbetet në qendër të krizës së zhvendosjes, duke përbërë 76 për qind të largimeve dhe duke pritur 52 për qind të atyre që janë zhvendosur rishtazi.

Lahj në Jemenin jugperëndimor strehon 23 për qind të popullsisë së zhvendosur rishtazi, e ndjekur nga Aden në jug me 13 për qind, sipas UNHCR-së.

“Granatimet u intensifikuan në Taiz, duke përfshirë zonat e banuara dhe përreth objekteve shëndetësore, ndërsa pasiguria dhe kufizimet përgjatë rrugëve kryesore vazhdojnë të kufizojnë aksesin dhe lëvizjen humanitare”, tha agjencia në një deklaratë.

“Në Aden, u raportuan sulme, duke përfshirë edhe pranë infrastrukturës kryesore civile”, shtoi ajo.

Deri më 17 tetor, UNHCR dhe partnerët e saj kishin vlerësuar 12.283 familje të zhvendosura në Abyan, Aden, Marib, Lahj dhe Taiz, duke përfshirë rreth 2.050 familje pa strehë.

Ajo tha se partnerët e strehimit kanë arritur në 3.166 familje, por rreth 33.700 familje ende kanë nevojë për ndihmë strehimi për shkak të mungesës së fondeve të rënda për përgjigjen më të gjerë humanitare.

UNHCR tha se shkollat ​​në kampin e refugjatëve Kharaz në Lahj, i cili strehon 9.490 refugjatë, u mbyllën përsëri më 11 tetor pasi situata e sigurisë u përkeqësua, ndërsa kufizimet e aksesit vazhduan të ndikonin në operacionet humanitare dhe lëvizjen për në dhe nga kampi.

Jemeni është përfshirë në konflikt që kur rebelët Huthi pushtuan kryeqytetin Sanaa dhe disa provinca të tjera në shtator 2014, duke bërë që një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite të ndërhynte në mars 2015 në mbështetje të qeverisë së njohur ndërkombëtarisht.

Grupi Huthi kontrollon pjesën më të madhe të Jemenit verior dhe perëndimor, ndërsa forcat qeveritare dhe aleatët e tyre mbajnë Adenin dhe pjesë të mëdha të provincave jugore dhe lindore të vendit.

“Jemi në ‘luftë botërore’ për zonat e influencës”, Nura: Europa duhet të marrë përgjegjësi për Ballkanin, përndryshe do ta vuajë!

20 October 2026 at 21:29

Analisti Artur Nura ka komentuar zhvillimet gjeopolitike në botë, duke u ndalur te rivaliteti mes fuqive të mëdha, ndikimi ekonomik i Kinës dhe raportet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe Bashkimit Europian.

Sipas Nuras, bota po përballet me një përplasje për zonat e influencës, ku shtetet e mëdha synojnë të zgjerojnë ndikimin e tyre ekonomik dhe strategjik.

Ai e ka cilësuar situatën aktuale si një luftë të tretë botërore përmes rivalitetit për kontrollin e zonave me rëndësi ekonomike dhe gjeopolitike.

Sipas tij, aktualisht ka dallime të qarta, përfshirë ato strategjike, mes Uashingtonit, NATO-s tradicionale dhe Bashkimit Europian.

“Lufta frontale ndodh në zona të caktuara, jemi në një luftë të tretë botërore. Përplasja është për zonat e influencës, për zona që do të shfrytëzojnë shtetet e mëdha për ekonomi. Kina është marrë me ekonomi të drejtpërdrejtë, shtrirja e saj në Europë dhe Afrikë është evidente. Kinës nuk i intereson Lufta e Ftohtë. Kjo duhet përdorur nga Perëndimi për të krijuar të çara në bllokun kundërshtar. Duhet të shfrytëzohen nga pala. Ne kemi SHBA-në, që për fat të keq nuk janë në sinkron me NATO-n tradicionale dhe BE-në. Ka diferenca të qarta dhe diferenca strategjike. Europa duhet të marrë përgjegjësi për Ballkanin, ose do ta vuajë.”   / abcnews.al /

Protesta/ Shëndetësia: 6 të lënduar, mes tyre një efektiv dhe një protestuese

20 October 2026 at 21:22

Gjashtë persona kanë marrë ndihmë mjekësore pas protestës së zhvilluar më 20 tetor në Tiranë. Sipas përditësimit të orës 21:00, në urgjencën e Spitalit Universitar të Traumës janë paraqitur katër kalimtarë dhe një efektiv policie, ndërsa në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është paraqitur një protestuese.

Nga katër kalimtarët e paraqitur në urgjencën e Spitalit Universitar të Traumës, njëri ka deklaruar se ishte lënduar gjatë protestës së një dite më parë. Një tjetër person është shtruar në spital pas kryerjes së ekzaminimeve.

Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, protestuesja ka marrë mjekimin dhe më pas është larguar.

Të dhënat janë pjesë e përditësimit për personat e lënduar gjatë protestës, deri në orën 21:00 të datës 20 tetor 2026.

Ngjarja e rëndë në Tiranë, dyshohet se 46-vjeçari u vetëvra. Arma gjendet në automjet

20 October 2026 at 22:30

Detaje janë zbardhur lidhur me ngjarjen e rëndë të regjistruar mbrëmjen e sotme në rrugën “Mihal Popi”, në Tiranë, ku u gjet i pajetë 46-vjeçari Ismet Habili.

Ngjarja u raportua fillimisht si vrasje me armë zjarri, por pas hetimeve paraprake, dyshimet janë përqendruar te mundësia e vetëvrasjes.

Hetuesit dyshojnë se 46-vjeçari mund t’i ketë dhënë fund jetës, pasi arma e zjarrit është gjetur brenda automjetit ku ai u konstatua pa shenja jete.

Habili u gjet mbrëmjen e 20 tetorit, rreth orës 20:20, brenda një automjeti tip “Volvo”, në rrugën “Mihal Popi”, në bllokun “1 Maji”.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes. Dyshimet paraprake mbeten objekt verifikimi deri në përfundimin e hetimeve.

Tiranë/Informacion shtesë

Në vijim të informacionit të dhënë pak më parë, për ngjarjen e ndodhur në rrugën “Mihal Popi”, ku u gjet pa shenja jete, brenda automjetit, shtetasi I. H., ju bëjmë me dije se:

Gjatë kontrollit në automjet, u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri pistoletë dhe një gëzhojë.

Nga veprimet e para hetimore dhe procedurale të kryera, dyshohet se shtetasi I. H., 46 vjeç, mund të jetë vetëvrarë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë të rastit.

“Kuvendi me agjendë të ngjeshur”, Bylykbashi: Rruga europiane nuk do të ndalet, duhet punë dhe angazhim

20 October 2026 at 20:56

TIRANË- Deputetja e Partisë Socialiste, Aulona Bylykbashi, e ftuar në emisionin “Real Story”, u shpreh se të enjten Kuvendi do të mbajë seancën plenare duke theksuar se agjenda parlamentare dhe procesi i integrimit europian do të vijojnë përpara.

Duke komentuar kërkesat e protestuesve për largimin e kryeministrit, Bylykbashi argumentoi se çështja nuk duhet parë vetëm te emri i kreut të qeverisë, por te funksionimi i sistemit demokratik dhe i institucioneve.

Sipas saj, rrëzimi i një qeverie të votuar me shumicë votash pa një analizë të pasojave institucionale mund të krijojë një precedent të rrezikshëm dhe të çojë në kaos institucional. Në përfundim, Bylykbashi theksoi se mazhoranca do të vijojë punën për përmbushjen e agjendës së saj parlamentare dhe objektivave të integrimit europian.

“Përveç javës që shkoi, në të cilën kam pasur edhe një zëvendësim të agjendës së Parlamentit, kjo për një qëllim madhor, meqë ishin dhe ditët e para dhe tensioni ishte shumë i lartë. Ishte shumë e dukshme që protestuesit patjetër që do vinin te Parlamenti, sepse ishte vendi që ishin të gjithë përfaqësuesit e popullit shqiptar. Është gjithë ajo kastë politike që thonë se duhet të ikë. Ky ka qenë si qëllimi i tyre.

Pas asaj të enjteje, ne kemi vazhduar, kemi ndjekur proceset e punës në mënyra sigurisht më të kujdesshme. Të enjten ne kemi Parlament. Të enjten do të mblidhet Parlamenti. Ka një agjendë shumë të ngjeshur me projektligje, një pjesë e të cilëve është përafrimi i ligjeve me ato të BE-së.

Agjenda jonë europiane nuk ka për t’u ndalur dhe ne kemi të gjithë vullnetin për ta çuar përpara dhe të mbyllim të gjithë kapitujt brenda 2027. Nuk është proces i thjeshtë, është i vështirë, kërkon shumë angazhim. Kur shoh disa të rinj që nuk kuptojnë, ose thonë: “Të ikë kryeministri, vetëm këtë kërkojmë”, por pa një analizë se si ndikon kjo te institucionet.

Këtu nuk është çështja e emrit të kryeministrit, këtu është çështje e një sistemi demokratik, e para që ti krijon një precedent të rrezikshëm për mënyrën se si pastaj njerëz, nëse duam,  thonë e hedhim një qeveri edhe pse ajo është e votuar. Krijohet një kaos institucional. Ne vazhdojmë ta çojmë agjendën tonë përpara.”, theksoi ajo./abcnews.al

“Shajeni Ramën sa të doni, por shteti duhet ruajtur”, Leka: Le Pen në Francë përkrah Policinë, po opozita jonë?

20 October 2026 at 20:46

Analisti Martin Leka ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si institucionet shtetërore menaxhojnë protestat dhe identifikojnë personat që shkelin ligjin.

Ai ka theksuar se pjesëmarrja në protesta nuk duhet të përjashtojë përgjegjësinë për veprimet e paligjshme, duke shtuar se një pjesë e qytetarëve protestojnë, ndërsa të tjerë qëndrojnë në shtëpi.

Leka është ndalur edhe te roli i opozitës në vendet europiane, duke përmendur Francën dhe Italinë. Sipas tij, opozita në Francë, Le Pen, që do pushtetin, e ruan shtetin dhe përkrah policinë.

“ Si ka mundësi që ne, me ligj, ndalojmë në tubime njerëzit me maska dhe si ka mundësi që shteti nuk i identifikon, nuk i arreston? Si ka mundësi që një njeri me mitraloz nuk e identifikojnë dot? Një pjesë është në protestë, por një pjesë rri në shtëpi.

Ne jemi unikë dhe te opozita. Opozitë ka dhe në Francë dhe Itali, por Le Pen, që do pushtetin, e ruan shtetin dhe përkrah policinë. Le Pen thotë se dhunuesit do të paguajnë dëmet. Shajeni Ramën sa të doni, por shtetin duhet ta ruajë çdo njeri.”

Të miturit në protesta/ Nikolla: Kufiri 14 vjeç për përgjegjësinë penale është i pranueshëm

20 October 2026 at 20:43

Avokati Gjergj Nikolla ka komentuar çështjen e moshës së përgjegjësisë penale dhe masat që mund të merren ndaj të miturve të përfshirë në veprime të paligjshme gjatë protestave.

Sipas Nikollës, kufiri i moshës 14 vjeç për përgjegjësinë penale për krimet dhe 16 vjeç për kundërvajtjet penale është i pranueshëm, duke theksuar se këto kufij janë të ngjashëm me ata që zbatohen në disa vende europiane.

“Amerika ka moshën për përgjegjësi penale 6–7 vjeç. Në Shqipëri është Kodi i Procedurës Penale dhe nuk mund të vendosësh arrest me burg; për veprat në protestë, këto masa nuk legjitimohen me burg. Konventa e OKB-së rekomandon këtë moshë që ne kemi: 14 vjeç për krime, 16 vjeç për kundërvajtje, si shumë vende europiane. Ne e kemi huazuar nga Italia. Rusia e ka edhe 15 vjeç, më të lartë. Kufiri 14 vjeç është mëse i pranueshëm, pavarësisht se brezat janë më të zhvilluar.”

“15-vjeçarët nuk janë në fazën e zhvillimit të tyre intelektual”/ Deputetja e PS: Policia ruajti proporcionalitetin përballë protestuesve

20 October 2026 at 20:40

Deputetja e Partisë Socialiste, Aulona Bylykbashi, ka komentuar në emisionin “Real Story” në ABC News reagimin e forcave të rendit gjatë protestës, duke deklaruar se policia ka qenë e pranishme gjatë gjithë kohës për të menaxhuar situatën dhe për të ruajtur proporcionalitetin.

Bylykbashi u shpreh se efektivët e policisë janë përballur me vështirësi gjatë menaxhimit të protestës, ndërsa sipas saj, kanë treguar kujdes për të garantuar mbarëvajtjen e saj përballë sjelljeve që ajo i cilësoi si të dhunshme.

Deputetja e PS-së vuri në fokus rolin e policisë në ruajtjen e rendit publik, duke theksuar se menaxhimi i situatave të tilla kërkon kujdes, veçanërisht kur në protestë marrin pjesë edhe të mitur.

“Forcat e rendit kanë qenë gjithë kohën aty duke menazhuar situatën dhe duke treguar një kujdes të shtuar për të ruajtur proporcionalitetin ndaj reagimit të dhunshëm që kishin protestuesit. Të gjithë aktorët ndikojnë te formimi i këtij brezi që kemi sot dhe këto fëmijë 15-vjeçar nuk janë në fazën e zhvillimit të tyre intelektual që të kuptojnë pse reagojnë. Ata janë gëzuar se kanë lënë një orë mësimi kanë shkuar në shesh dhe po argëtohen. Shumë prej tyre kanë qenë në fjalor të dhunshëm. Pashë sot disa nga minorenët, iu afrua një zonjë që po i fliste si mësuese si nënë dhe fjalori që iu kthye mbrapsht ishte i tmerrshëm. Flasim për reagimin e policisë, dhe tregon forcën e shtetit dhe siguron mbarëvajtjen dhe duhet të themi se ka pasur vështirësi”, tha ajo.

/abcnews.al/

Protesta/ Pedagogu: Qeveria të garantojë normalitetin për njerëzit, siguria publike mbetet sfida

20 October 2026 at 20:33

Pedagogu Klementin Mile, i ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, ka komentuar mesazhet e kryeministrit Edi Rama lidhur me protestën, duke u ndalur te sfidat e qeverisjes në mandatin e katërt.

Sipas Miles, mesazhi i Ramës i drejtohet fillimisht bazës së Partisë Socialiste, me synimin për të përcjellë siguri dhe besim, por komunikimi shkon përtej saj, duke iu drejtuar në tërësi elektoratit shqiptar.

Sipas tij, problemet e qeverisjes nuk janë të reja për një kabinet që ndodhet në mandatin e katërt.

“Unë mendoj që edhe i është drejtuar bazës vet, bazës socialiste për ta siguruar jemi të fortë jemi mire. Dhe më pas ka patur edhe një komunikim më të gjerë, ideja është për një grup protestuesish. Por nuk është për ata, i flet në tërësi elektoratit shqiptar. Për mua vështirësia e qeverisë ka qenë kjo të qeverisë, të garantojë normalitetin për njerëzit. Kjo është qeveri në mandatin e 4 dhe një qeveri në mandatin e 4 nuk i filluan problemet tani. Kjo narrativa që na mbytën skandalet e qeverisjes, apo performanca e keqe, çon tek kjo gjë që pavarësisht të gjitha këtyre, Rama ka rritur numrin e deputetëve dhe të votave. Pra i bie që nuk funksionon kjo narrativa. Ajo që e dënon Ramën, këta shqiptarë e kanë votuar dhe motivuar këta nuk e falin dot kur nuk u siguron rendin dhe sigurinë publike”, tha ai.

/abcnews.al/

“Protesta nisi paqësore, por degradoi në dhunë”, deputetja e PS-së: Berisha sot u rrëmbeu sheshin për interesat e tij

20 October 2026 at 20:27

TIRANË– Deputetja e Partisë Socialiste, Aulona Bylykbashi, u shpreh se protesta filloi si protestë paqësore para Ministrisë së Arsimit dhe më pas degradoi në dhunimin e efektivëve të Policisë së Shtetit.

Ai theksoi se në protestën e sotme prezenca e familjarëve të Berishës në shesh tregoi se kjo protestë është rrëmbyer nga kryetari i PD-së.

“Protesta në fakt ka pasur një përshkallëzim dhe ecuri të zhvillimeve kaotike këto ditë, ka filluar si protestë para Ministrisë së Arsimit, ka degraduar në një protestës të dhunshëm ndaj forcave të policisë. Në këtë protestë drejtohej nga familjarët të Berishës.

Ai bëri atë që di të bëjë më mirë është t’ju marrë sheshin dhe ta kthejë në protestën e vete jo dinjitoze gjithmonë dhe të pashpresë. Prania e Berishës i distancon ato nga kjo protestë. Në bëjmë ftesë të hapur për dialog  për të gjithë qytetarët dhe të gjithë të rinjtë që kanë shqetësime të artë dhe konkrete për të adresuar në raport me qeverisjen. “, tha  ajo.

Ajo theksoi se kryeministri Edi Rama ka qenë i hapur për dialog me ata protestues, të cilët kanë shqetësim reale, por jo me dhunuesit.

“Kryeministri dhe kryetari i partisë Edi Rama, nuk e ka ndarë kurrë vetën nga iu trëndafili i PS dhe ko është për tu thënë. Kjo forcë politike ka treguar se nga zgjedhjet në zgjedhje shkon në fitore të vazhdueshme.

Që nga protesta e flamingos, ne identifikuan brenda saj individë të cilët shprehen shqetësime që kishin nevojë për adresim tregon se kryeministri tregon se ka dëgjuar  një masë më të madhe se pakica për të cilat po flasim ditët e fundit. Djegia e gjykatave për mua ka qenë një nga aktet më të rënda”, theksoi ai./abcnews.al

❌