Normal view

BE kritikon Serbinë për ‘Ibrin’: Shmangni qëndrime të tilla

11 August 2026 at 14:59

Gazeta Si – Bashkimi Evropian ka thënë se deklaratat për ndryshimin e mundshëm të rrjedhës së lumit Ibër, si dhe veprimet që nuk i shërbejnë normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të shmangen.

“Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet vetëm përmes dialogut”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian më 11 gusht.

“Deklaratat, përfshirë ato për ndryshime të mundshme të rrjedhës së lumit, dhe veprimet që nuk e mbështesin këtë synim duhet të shmangen”, thuhet në përgjigjen e Komisionit Evropian për Radion Evropa e Lirë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi më 9 gusht se autoritetet serbe po shqyrtojnë me ekspertë mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit, duke e lidhur këtë me rrënimin e shtëpive dhe vilave të serbëve pranë Liqenit të Ujmanit, në veri të Kosovës.

Deklarata e tij nxiti reagime të ashpra nga zyrtarët në Kosovë dhe u pasua edhe nga një përplasje publike ndërmjet zyrtarëve të Shqipërisë dhe Serbisë.

Komisioni Evropian rikujtoi gjithashtu se përparimi në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është parakusht që të dyja palët të avancojnë në rrugën e tyre evropiane.

BE-ja komentoi edhe rrënimet e fundit në zonën e Liqenit të Ujmanit, me të cilat presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e kishte lidhur deklaratën e tij për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit.

“Sa i përket situatës në liqenin e Gazivodës/Ujmanit, ne tashmë kemi shprehur shqetësimet tona lidhur me rrënimet e fundit”, thuhet në përgjigje.

Sipas Komisionit Evropian, çdo masë zbatuese me pasoja të pakthyeshme duhet të respektojë procesin e rregullt ligjor.

“Personave të prekur duhet t’u jepet mundësi efektive për të kërkuar mbrojtje ligjore dhe, kur është e zbatueshme, mbrojtje të përkohshme gjyqësore para se masa të zbatohet”, thuhet në përgjigje.

Lumi Ibër, rreth 270 kilometra i gjatë, buron në Mal të Zi, kalon nëpër Serbi dhe më pas hyn në Kosovë, ku furnizon liqenin artificial të Ujmanit. Rreth dy të tretat e këtij liqeni ndodhen në territorin e Kosovës.

Uji nga sistemi i Ujmanit dhe Ibër-Lepencit furnizon shtatë komuna, përdoret për ujitje dhe për ftohjen e termocentraleve në Obiliq, të cilat prodhojnë pjesën më të madhe të energjisë elektrike në Kosovë.

Ekspertët që kanë folur më herët për Radion Evropa e Lirë kanë thënë se devijimi i rrjedhës së Ibrit është teknikisht i mundshëm, por do të ishte jashtëzakonisht i kushtueshëm dhe, nëse do t’i shkaktonte dëme Kosovës, do të binte ndesh me parimet e së drejtës ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare.

Serbia është nënshkruese e Konventës së Kombeve të Bashkuara të vitit 1997 për përdorimin e rrjedhave ujore ndërkombëtare për qëllime të tjera përveç lundrimit.

Kjo konventë përcakton, mes të tjerash, parimin e shfrytëzimit të drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare, si dhe detyrimin për të mos u shkaktuar dëme të konsiderueshme shteteve të tjera.

Kosova nuk është palë në këtë konventë, pasi nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara./REL/

The post BE kritikon Serbinë për ‘Ibrin’: Shmangni qëndrime të tilla appeared first on Gazeta Si.

Europa në gjunjë nga temperaturat dhe thatësira rekord, Britania kufizon ujin

11 August 2026 at 14:45

Gazeta Si – Vitet e fundit, mbi një milion hektarë në Evropë janë shkrumbuar nga zjarret – një sipërfaqe sa dyfishi i rajonit të Ligurias në Itali ose sa një e treta e Belgjikës.

Megjithatë, situata po përkeqësohet me shpejtësi, pasi Kontinenti i Vjetër ka hyrë në një fazë klimatike me nxehtësi ekstreme, duke u ngrohur me një ritëm që tejkalon dyfishin e mesatares globale.

Ndër vendet më të goditura janë ato që nuk kishin përjetuar kurrë më parë temperatura të tilla – veçanërisht Britania e Madhe.

Aktualisht, tre të katërtat e Anglisë po përballen me kushte thatësire dhe presin me ankth kulmin e “valës së pestë të të nxehtit” të vitit 2026. Bujqësia është në gjendje kritike dhe 27 milionë njerëz po përballen me kufizime të furnizimit me ujë.

Fermerët britanikë nuk kanë korrur drithërat kaq herët në 20 vitet e fundit. Rezervuarët e ujit po thahen njëri pas tjetrit, me nivele që kanë rënë me 11%, deri në 70% krahasuar me vitin e kaluar.

Njëzet e dy për qind e rrjedhave ujore klasifikohen si “jashtëzakonisht të ulëta” dhe nivelet e prurjeve po u afrohen – dhe po i kalojnë – nivelet më të ulëta rekord të regjistruara që nga viti 1976.

Të enjten, pas një vere me rekorde të përsëritura temperaturash, Britania pritet të shënojë një tjetër rekord: parashikimet tregojnë temperatura prej 36°C në pjesën më të madhe të Mbretërisë së Bashkuar.

Vetëm këtë vit, janë regjistruar 245 zjarre në zonat natyrore më të mbrojtura të vendit, ndërsa 45 milionë njerëz jetojnë në rajone të prekura nga thatësira; për gjysmën e tyre janë shpallur kufizime të rrepta për përdorimin e ujit të rrjetit.

Një pjesë e madhe e Evropës Perëndimore po pasqyron situatën në Britaninë e Madhe. Është një verë me kontraste të theksuara për Kontinentin e Vjetër, i cili duket i ndarë nga diferenca e temperaturave midis Lindjes dhe Perëndimit.

Kjo është pasojë e ngrohjes globale dhe e efekteve shkatërruese të fenomenit “El Niño” – një dukuri atmosferike që shkakton ngrohje anormale të Oqeanit Paqësor dhe nxit ngjarje ekstreme të motit në mbarë botën.

Sipas të dhënave nga shërbimi evropian “Copernicus”, temperatura mesatare në Evropën Perëndimore gjatë muajve qershor dhe korrik ishte 21,62°C, shifër kjo 2,79°C më e lartë se mesatarja e periudhës 1991–2020.

Kjo është shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë, duke tejkaluar me gati 0,9°C rekordin e mëparshëm të vitit 2022.

Ka qenë një fillim vere i jashtëzakonshëm, i nxitur kryesisht nga valët e vazhdueshme të të nxehtit, të cilat po bëhen më të gjata dhe më të shpeshta, duke mos u lënë kohë rajoneve që të rimëkëmben para se të goditen sërish nga i nxehti mbytës dhe kushtet e thata.

Kjo krijon një rreth vicioz: nxehtësia përshpejton avullimin dhe than tokën, ndërsa toka e tharë redukton efektin ftohës të avullimit, duke nxitur kështu temperatura edhe më të larta.

Megjithatë, më e keqja ka gjasa të mos ketë ardhur ende. Sipas Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO), “El Niño” do të vazhdojë të intensifikohet midis muajve gusht dhe tetor, duke u shndërruar në një “super Niño”.

Në fakt, agjencia amerikane “NOAA”, e konsideron shumë të mundshme që ky fenomen të arrijë në nivelin “shumë të fuqishëm” deri në fund të vitit, me pasoja të drejtpërdrejta që do të zgjasin deri në vitin 2027.

Çfarë mund të presim, pra, këtë vjeshtë? Parashikimet për periudhën nga gushti deri në tetor, tregojnë një gjasë të lartë për temperatura mbi normalen në pjesën më të madhe të globit.

Gjithashtu, pritet që “El Niño” të shkaktojë rishpërndarjen karakteristike të reshjeve, duke sjellë kushte më të lagështa se mesatarja në zona të Azisë Qendrore, Evropës Jugore, pjesës perëndimore të Amerikës së Veriut dhe pjesës juglindore të Amerikës së Jugut.

Ndonëse kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht se dimri i ardhshëm do të jetë më i ngrohtë, ndikimi në temperatura gjatë vitit 2027 mund të jetë shkatërrues, me një rekord të ri nxehtësie në horizont.

The post Europa në gjunjë nga temperaturat dhe thatësira rekord, Britania kufizon ujin appeared first on Gazeta Si.

RASFF: Çaji ‘Matcha’ në Shqipëri me 3 lloje pesticidesh

11 August 2026 at 13:37

Nga Gazeta Si- Teksa çaji Matcha ka ‘pushtuar’ trendet e viteve të fundit, ku ky trend nuk mungon as në Shqipëri, një paralajmërim ka ardhur nga sistemi i sigurisë ushqimore RASFF.

RASFF ka njoftuar se çaj Matcha me origjinë nga Japonia, ka rezultuar me tri pesticide mbi normat e lejuara.

Qendra Alert shkruan se njëri prej pesticideve konsiderohet më i rrezikshëm, siç është Lufenuron, duke shpjeguar më tej se alerti fillestar ka mbërritur nga Gjermania pas analizave të produkteve e më pas, nëpërmjet sisitemit të gjurmueshmërisë, RASFF ka përfshirë si vende me “alert” për ndjekje dhe Shqipërinë, Poloninë dhe Zvicrën. Kjo, pasi produkti është shpërndarë dhe gjendet në tregjet e këtyre vendeve.

Sipas RASFF, nga analizat e kryera në çajin japonez “Matcha”, ka rezultuar;

Pesticidi Tebuconazole, 0,15 mg/kg- ppm nga 0,05 mg/kg- ppm që është normalja e lejuar;

Pesticidi Flonicamid , 0,70 mg/kg – ppm nga 0,10 mg/kg- ppm që është limiti i lejuar;

Pesticidi Lufenuron, 0,16 mg/kg- ppm nga 0,050 mg/kg- ppm që është limiti i lejuar.

Çaji Matcha tregtohet dhe konsumohet në Shqipëri, si dhe mund të blihet i paketuar në formë pluhuri në supermarkete.

The post RASFF: Çaji ‘Matcha’ në Shqipëri me 3 lloje pesticidesh appeared first on Gazeta Si.

Mushkonjat kanë “shijet” e tyre: Çfarë i bën disa njerëz më tërheqës?

11 August 2026 at 13:30

Një studim i ri tregon se lloje të ndryshme mushkonjash mund të preferojnë njerëz të ndryshëm. Zbulimi mund të ndihmojë shkencëtarët të zhvillojnë mënyra të reja për të luftuar sëmundjet që transmetohen nga këto insekte.

Nëse keni vënë re se mushkonjat ju pickojnë më shumë se njerëzit pranë jush, mund të ketë një shpjegim shkencor.

Një studim i publikuar në revistën iScience testoi tre lloje mushkonjash te 119 persona në Miami: mushkonjën e etheve të verdha (Aedes aegypti), mushkonjën tigër aziatike (Aedes albopictus) dhe mushkonjën e shtëpisë jugore (Culex quinquefasciatus).

Studiuesit zbuluan se disa njerëz ishin tërheqës për më shumë se një specie, por asnjë person nuk ishte ndër më të preferuarit për të treja.

Gjithçka lidhet me aromën

Mushkonjat përdorin disa sinjale për të gjetur njerëzit, përfshirë dioksidin e karbonit, nxehtësinë, lagështinë, pamjen dhe aromën e trupit.

Kjo e fundit është veçanërisht komplekse. Ajo përmban qindra përbërës kimikë dhe ndikohet edhe nga bakteret dhe mikroorganizmat që jetojnë në lëkurë.

Tre speciet e studiuara treguan preferenca të ndryshme. Aedes aegypti shfaqi një preferencë të lehtë për meshkujt, ndërsa Aedes albopictus u lidh me nivele më të larta të disa përbërësve kimikë të lëkurës. Culex quinquefasciatus, e cila është aktive kryesisht gjatë natës, u ndikua nga mikroorganizmat që jetojnë në lëkurën e njeriut.

Pse ka rëndësi?

Kuptimi i mënyrës se si mushkonjat zgjedhin strehuesit mund të ndihmojë në zhvillimin e strategjive më të sakta kundër sëmundjeve si dengue, Zika, ethet e verdha dhe virusi i Nilit Perëndimor.

Studiuesit shpresojnë të identifikojnë përbërësit e aromës së trupit që i tërheqin ose i largojnë mushkonjat, me qëllim zhvillimin e repelentëve dhe metodave të reja mbrojtëse.

Megjithatë, kërkimi u krye në laborator dhe nuk do të thotë domosdoshmërisht se një person i caktuar do të pickohet më shumë në jetën reale. Për këtë nevojiten studime të mëtejshme në terren.

Nëse mushkonjat ju zgjedhin gjithmonë ju, mund të mos jetë thjesht rastësi- mund të jetë çështje kimie.

The post Mushkonjat kanë “shijet” e tyre: Çfarë i bën disa njerëz më tërheqës? appeared first on Gazeta Si.

Vendi në luftë me zjarret, dorëhiqet papritur kreu i Shërbimit Zjarrfikës, Arben Cara

11 August 2026 at 13:07

Gazeta Si – Në kulmin e situatës së rënduar me zjarret në vend, dorëhiqet nga detyra në mënyrë të papritur, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Zjarrfikës, Arben Cara.

Burime paraprake, bëjnë me dije se Cara ka paraqitur dorëheqjen një ditë më parë dhe sot është firmosur urdhri i largimit nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari.

Aktualisht mbetet e paqartë arsyeja e dorëheqjes së Carës. Largimi i tij vjen në një moment ku vendi po përballet me situata zjarri në disa qarqe.

Ai u komandua në këtë detyrë në shkurt të vitit 2024 duke zëvendësuar Holta Kominon.

Ministria e Mbrojtjes në bilancin e 24 orëve të fundit njoftoi se në territorin e vendit janë raportuar 25 vatra zjarri, ku pjesa më e madhe e të cilave janë shuar.

Aktualisht, pesë vatra vijojnë të jenë aktive, ndërsa një zonë mbahet në monitorim.

Në terren janë angazhuar 37 automjete zjarrfikëse dhe 365 forca operacionale. Në mbështetje të tyre kanë vepruar edhe 158 efektivë të Forcave të Armatosura, me 10 mjete dhe katër helikopterë të Forcës Ajrore.

Përkundër dëmeve të shumta të shkaktuara në pyje, fatmirësisht deri tani nuk është regjistruar asnjë humbje jete.

The post Vendi në luftë me zjarret, dorëhiqet papritur kreu i Shërbimit Zjarrfikës, Arben Cara appeared first on Gazeta Si.

Kopenhagen, parada me kajak në mbështetje të Groenlandës

11 August 2026 at 13:06

Qindra njerëz lundruan me kajak nëpër portin e Kopenhagës duke valëvitur flamuj të Groenlandës, duke shënuar Ditën Ndërkombëtare të Popujve Indigjenë të Botës në një shfaqje solidariteti me Groenlandën.

The post Kopenhagen, parada me kajak në mbështetje të Groenlandës appeared first on Gazeta Si.

Mbahet në Francë konkursi i klithmës së… derrave

11 August 2026 at 13:00

Një fshat francez e ka kthyer përsëri klithmën e derrave në një garë, duke organizuar kampionatin vjetor të klithmës së derrave në qytetin jugperëndimor të Trie-sur-Baise.

Gara e pazakontë ishte pjesë e edicionit të 43-të të festivalit Pourcailhade, i cili tërhoqi rreth 4,000 vizitorë – afërsisht katër herë më shumë se popullsia e fshatit. Konkurrentët imituan me radhë tingujt e derrit, duke shpresuar të impresiononin gjyqtarët dhe të merrnin titullin.

Fituesi i nëntë herëve Noel Jamet u kthye për të mbrojtur reputacionin e tij si mbajtësi i rekordit të konkursit.

The post Mbahet në Francë konkursi i klithmës së… derrave appeared first on Gazeta Si.

Cilat vende kanë shoferët më agresivë

11 August 2026 at 12:57

Disa nga destinacionet kryesore turistike në botë janë disa nga vendet më pak të këndshme për të drejtuar makinën, sipas një ankete të re globale.

Italia është një destinacion pushimi me famë botërore, me art të mrekullueshëm, peizazhe ikonike dhe ushqim të klasit të parë.

Megjithatë, një metrikë që duket se lë shumë për të dëshiruar janë rrugët e saj, dhe veçanërisht shoferët e saj.

Italia është vendi me shoferët më agresivë, sipas të anketuarve të një ankete globale të kohëve të fundit, me 23% të shoferëve që pretendojnë se kanë përjetuar sjellje të çrregullta ose të pamatur në vend.

Vendi i dytë mund të mos jetë më i dukshmi, megjithatë: Mbretëria e Bashkuar zakonisht përshkruhet me kodra të gjelbra dhe disa nga makinat më të rehatshme në botë, megjithatë ajo u rendit e dyta në sondazhin e platformës së qirasë së makinave Discovercars.com, me 11% të shoferëve që thanë se kanë duruar qëndrime agresive atje. Londra në veçanti doli si një nga qytetet më të përmendura.

Cilat janë sjelljet më bezdisëse të shoferëve?

SHBA-të renditen në vendin e tretë me 9%, të ndjekura nga Franca dhe Australia me nga 5% secila.

Në vendin e pestë të përbashkët, 4% e të anketuarve thanë se kishin përjetuar më shumë agresion në rrugët e Spanjës, me 4% të tjera për Turqinë.

Sjellja më bezdisëse tenton të jetë mosdhënia e sinjalit në kthesa (56%).

Shpejtësia gjithashtu i bezdis shoferët (46%), madje më shumë se ngarja e ngadaltë në korsinë e tejkalimit (43%) dhe frenimi i menjëhershëm (20%).

Cilat vende u votuan si më të sjellshmet?

Perceptimet për mirësjelljen e një vendi ndryshojnë në varësi të faktit nëse qytetarët e tij janë në rrugë apo jashtë saj, megjithëse ka ende disa tendenca të përbashkëta.

Italianët gjithashtu shënuan dobët në një sondazh tjetër mbi sjelljet, duke u renditur ndër vendet më pak të lidhura me mirësjelljen në përgjithësi: i 24-ti nga 25 vende sipas një sondazhi nga kompania e shërbimeve financiare Remitly. Vetëm Austria shënoi më keq.

Në krye të tabelës është Japonia, ku përkulja ende konsiderohet si shenjë respekti. Pas saj vjen Kanadaja dhe më pas Mbretëria e Bashkuar në vendin e tretë.

I njëjti sondazh u kërkoi të anketuarve të reflektonin mbi sjelljen e tyre dhe të përcaktonin nëse do ta konsideronin veten të sjellshëm dhe nëse i trajtonin të huajt me respekt.

Është interesante se japonezët i dhanë vetes një nga renditjet më të ulëta, megjithëse ende të larta (8.73/10).

Brazili dhe Kili janë kombet që e shohin veten si më të sjellshmet në botë në përgjithësi midis kombeve të anketuara, duke i dhënë vetes një rezultat mesatar prej 9.46. Indianët erdhën më pas (9.41), të ndjekur nga suedezët (9.40) dhe francezët (9.40).

The post Cilat vende kanë shoferët më agresivë appeared first on Gazeta Si.

Frikë nga Irani, si u nxor Trump nga ‘Air Force One’ i fshehur brenda një mjeti shërbimi!

11 August 2026 at 12:49

Gazeta Si – Gazetat “New York Times” dhe “Washington Post”, kanë rindërtuar skenarin e hollësishëm të përdorur nga shërbimet e sigurisë amerikane në muajin korrik për të fshehur presidentin Donald Trump, ndërsa ai po kthehej nga një vizitë në Turqi.

Në atë kohë, u raportua vetëm se Trumpit iu desh të ndërronte avionin në momentin e fundit për shkak të kërcënimit të një sulmi të mundshëm iranian; tashmë është zbuluar se kjo ishte një taktikë shpërqendruese dhe se Trumpi ishte transferuar – i fshehur brenda një mjeti që përdoret për shërbimin ushqimor – në një avion tjetër, të ndryshëm nga ai në të cilin ishte parë duke hipur.

Trumpi kishte mbërritur në Turqi për një takim të NATO-s me avionin e ri Boeing 747-8, të dhuruar nga Katari.

Kamionë shërbimi ushqimor rreth avionit “Air Force One” në pistën e aeroportit të Ankarasë, më 8 korrik

Për udhëtimin e kthimit më 8 korrik, u njoftua se Trumpi do të përdorte Air Force One, avionin presidencial më të vjetër.

Ai vetë e kishte deklaruar këtë, duke pretenduar se po e bënte “për hir të së shkuarës” dhe se do ta dërgonte avionin e ri presidencial në bazën ajrore britanike Mildenhall – ku ishte planifikuar një ndalesë – me pretekstin për t’ua treguar atë trupave amerikane të stacionuara atje.

Në fund të korrikut, administrata Trump ofroi një version fillestar të ngjarjes që ndryshonte nga ai që vetë Trump kishte shpërndarë fillimisht në rrjetet sociale: ata pretendonin se agjencitë e inteligjencës kishin zbuluar një kërcënim të besueshëm nga Irani dhe se avioni presidencial “Air Force One” ishte i pajisur me masa sigurie të avancuara.

My favorite part: This Turkish catering truck nonchalantly moving from Air Force One to the other plane https://t.co/vQSoncQw9f pic.twitter.com/Ob5r1hxSwL

— John Hudson (@John_Hudson) August 11, 2026

Megjithatë, në realitet, Trump nuk fluturoi me “Air Force One”. Dy gazetat amerikane arritën të rindërtonin sekuencën e ngjarjeve: pasi hipi në “Air Force One” në sy të fotografëve dhe ekipeve televizive, Trump u zbrit fshehurazi nga avioni përmes njërit prej ashensorëve që zakonisht përdoren për ngarkimin e ushqimeve. Ky ashensor u ngrit dhe u pozicionua në anën e kundërt të avionit, siç tregohet në fotografi.

Në atë moment, Trump u dërgua me një mjet të vogël transporti te një avion i tretë në kolonën presidenciale – një C-32A (version ushtarak i Boeing 757).

Ndërkohë, gazetarët që udhëtonin me presidentin – krejtësisht të pavetëdijshëm për situatën – po prisnin të hipnin në avion te shkallët lëvizëse, në të njëjtën anë ku Trump kishte hipur pak çaste më parë, pasi ishte kthyer për t’u përshëndetur me ta.

Trump, sapo ka zbritur nga “Air Force One”, drejtohet për te avioni i ri presidencial në bazën britanike Mildenhall, më 8 korrik

Gazetarët nuk ishin vënë në dijeni se Trumpi nuk po udhëtonte me ta. Në fakt, sapo mbërritën në Bazën Ajrore Mildenhall, ata e panë atë të zbriste nga “Air Force One” dhe të shkonte drejt avionit të ri të dhuruar nga Katari, me të cilin ai kreu etapën e fundit të udhëtimit për në Uashington.

Kjo masë u mor për të ruajtur trukun: avioni C-32A kishte mbërritur tashmë në bazë, ku Trumpi u transferua në “Air Force One” përmes një hyrjeje të ndryshme nga ajo prej së cilës doli më pas, duke u sjellë sikur nuk kishte ndodhur asgjë e pazakontë.

Në të kaluarën, shërbimet e sigurisë e kishin mbajtur të fshehtë vendndodhjen e presidentit gjatë situatave të rrezikshme, por është krejtësisht e paprecedentë që media të përfshihej në këtë pa dijeninë e saj.

Në fakt, gazetarët u përdorën nga qeveria për të mbështetur këtë truk: ata u orientuan gabim me informacione të rreme – se Trumpi po udhëtonte me ta në bordin e “Air Force One” – në mënyrë që t’i përhapnin ato.

"Were you aware of any credible threat by Iran against Air Force One?"@POTUS: "I have a threat all the time. I'm number one on their list, before you — but if I go, you go, right? So perhaps some of you want to change professions." 🤣 pic.twitter.com/5VlZBBySwx

— Rapid Response 47 (@RapidResponse47) July 9, 2026

Për më tepër, gazetarëve në bord u ishte kërkuar t’i mbanin të ulura grilat e dritareve, me gjasë për të fshehur transferimin e Trumpit.

Është gjithashtu mbresëlënëse që Trumpi – i njohur për njëfarë mungese të vetëpërmbajtjes në të folur – arriti të mos zbulonte asgjë kur u takua me ta gjatë etapës së fundit të fluturimit drejt Uashingtonit.

Kur u pyet për dritaret, Trump thjesht tregoi kërcënimet e Iranit ndaj tij dhe vuri në dukje se fluturimi me gjasë ishte konsideruar i rrezikshëm “për shkak të llumit me të cilin kemi të bëjmë” – duke iu referuar iranianëve.

Ai bëri gjithashtu një koment që, po ta shohësh në retrospektivë, tingëllon si një aludim për masat e sigurisë – me qëllim për të argumentuar se mbrojtja e tij garanton edhe sigurinë e gazetarëve që e shoqërojnë: “Unë jam i pari në listën e tyre – para jush. Por nëse unë iki, ikni edhe ju, apo jo? Ndoshta një ditë do të doni të ndërroni punë”.

Përshtati: Gazeta “Si”

The post Frikë nga Irani, si u nxor Trump nga ‘Air Force One’ i fshehur brenda një mjeti shërbimi! appeared first on Gazeta Si.

Ish-presidenti sirian Assad, dënohet me vdekje në mungesë për ‘krime lufte’

11 August 2026 at 12:27

Gazeta Si – Ish-diktatori Bashar al-Assad – i cili e sundoi Sirinë në mënyrë autoritare për 24 vjet para se të rrëzohej nga një ofensivë rebele në dhjetor të vitit 2024 – është dënuar me vdekje në mungesë.

Një gjykatë siriane e shpalli atë fajtor për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Assad nuk ishte i pranishëm; pas rënies së regjimit të tij, ai u arratis në Rusi, ku vazhdon të jetojë së bashku me familjen.

Assad ishte larguar pa njoftuar askënd – as ndihmësit dhe as të afërmit e tij – pikërisht në momentin kur rebelët e udhëhequr nga presidenti aktual Ahmed al-Sharaa (ish-komandanti i Shtetit Islamik që drejtoi kryengritjen me grupin e tij, Hayat Tahrir al-Sham) ndodheshin në dyert e kryeqytetit, Damaskut.

Ai u kishte premtuar gjeneralëve të tij ndihmë ushtarake nga Rusia – një aleat me ndikim gjithnjë e në rënie në Sirinë e al-Sharaa-s – por ajo mbështetje nuk u realizua kurrë.

Regjimi i Asadit, të cilin Bashari e trashëgoi nga i ati, Hafezi, në vitin 2000, ka qenë një nga më të korruptuarit dhe më brutalët në historinë e fundit.

Pas një periudhe të shkurtër gjatë së cilës Bashari e paraqiste veten si reformator, taktikat e pamëshirshme dhe paranojake të të atit dolën sërish në pah.

Gjatë luftës civile që nisi në vitin 2011, ai urdhëroi arrestimin, torturimin dhe vrasjen e dhjetëra mijëra kundërshtarëve. Regjimi përdori armë kimike kundër popullsisë së vet.

Së bashku me aleatët e tij rusë dhe iranianë, ai rrethoi qytetet e kontrolluara nga rebelët dhe e la popullsinë të vdiste nga uria. Vlerësohet se rreth gjysmë milioni njerëz janë vrarë gjatë trembëdhjetë viteve të luftës civile siriane.

Sistemi represiv, i ndërtuar gjatë dekadave të diktaturës – Hafezi e mori pushtetin në vitet 1970 – njihej për zhdukjet dhe burgosjet arbitrare në ambiente të rrënuara, shpesh nëntokësore dhe çnjerëzore, ku tortura ishte dukuri e zakonshme. Simboli i këtij aparati ishte burgu gjigant i Sednajas, i njohur ndryshe si “thertorja njerëzore”.

Krahas Basharit, me të njëjtat akuza u dënuan me vdekje edhe vëllai i tij më i vogël dhe ish-shefi i ushtrisë, Maher – i cili u gjykua në mungesë pasi ishte arratisur gjithashtu në Rusi – si dhe kushëriri i tij, Atef Najib, i cili ishte i pranishëm në gjyq.

Gjyqi ndaj Najibit, i cili u arrestua në janar të vitit 2025 pas një periudhe të gjatë arratisjeje, ishte i pari që u zhvillua ndaj një ish-zyrtari të Asadit në Siri.

Ai kishte shërbyer si shef i sigurisë në Dara, qyteti jugor, ku nisën kryengritjet e Pranverës Arabe – kryengritje të cilave regjimi iu përgjigj duke dislokuar tanke.

The post Ish-presidenti sirian Assad, dënohet me vdekje në mungesë për ‘krime lufte’ appeared first on Gazeta Si.

U arrestua si i dyshuar për zjarrin në Krujë, lirohet nga qelia 74-vjeçari

11 August 2026 at 12:12

Gazeta Si – Një 74-vjeçar i arrestuar pak ditë më parë, si i dyshuar për zjarrin që përfshiu malin e Krujës dhe vuri në rrezik disa lagje të qytetit, është liruar me urdhër të Prokurorisë së Tiranës.

Organi i akuzës e ka cilësuar të paligjshëm arrestimin e 74-vjeçarit, duke argumentuar se deri në këtë fazë të hetimit nuk ka prova që e implikojnë atë në zjarrvënie.

Sipas Prokurorisë, ndalimi i Berhamit është kryer gjithashtu pa u vënë në dijeni organi procedues. Nga hetimet e kryera deri më tani rezulton se, kur efektivët e policisë kanë mbërritur në zonë, e kanë gjetur 74-vjeçarin duke tentuar të shuante flakët.

Në dëshminë e dhënë para uniformave blu, i moshuari ka mohuar të ketë qenë ai personi që ka shkaktuar zjarrin.

Prokuroria thekson se të dhënat e mbledhura deri në këtë fazë janë të paqarta dhe kontradiktore. Në materialin e organit të akuzës thuhet gjithashtu se 74-vjeçari ka bashkëpunuar me autoritetet gjatë procesit të hetimit.

Megjithatë, pavarësisht lirimit të tij, hetimet për zbardhjen e shkaqeve dhe autorit të zjarrit në malin e Krujës vijojnë.

The post U arrestua si i dyshuar për zjarrin në Krujë, lirohet nga qelia 74-vjeçari appeared first on Gazeta Si.

Zëvendësime të thjeshta për të shmangur ushqimet ultra të përpunuara

11 August 2026 at 12:00

Nga akullorja te salca e domates dhe shkopinjtë e tërshërës: disa alternativa të thjeshta, të lira dhe të përgatitura në shtëpi mund t’ju ndihmojnë të reduktoni ushqimet ultra të përpunuara në dietën e përditshme.

Ushqimet ultra të përpunuara janë bërë pjesë e pandashme e dietës moderne. Ato gjenden në produkte që konsumojmë shpesh, nga buka dhe salcat e gatshme, te ëmbëlsirat dhe ushqimet e shpejta.

Problemi është se shumë prej këtyre produkteve përmbajnë përbërës që rrallë do t’i përdornim në kuzhinën tonë, si emulsifikues, trashësues, konservues dhe aromatizues të ndryshëm.

Dietat e pasura me ushqime ultra të përpunuara janë lidhur në studime me një sërë problemesh shëndetësore, përfshirë obezitetin, diabetin e tipit 2 dhe disa lloje kanceri. Megjithatë, shmangia e tyre plotësisht nuk është gjithmonë e lehtë. Ato janë shpesh më të lira, më të shpejta dhe më praktike se alternativat e përgatitura në shtëpi.

Por disa ndryshime të vogla mund të bëjnë diferencë.

Akullore me banane dhe kakao

Në vend që të blini një akullore të gatshme, mund të provoni një alternativë tepër të thjeshtë me banane të ngrira dhe kakao pa sheqer.

Bananet e pjekura, të cilat shpesh përfundojnë në koshin e mbeturinave pasi lëkura e tyre nxihet, mund të shndërrohen në një ëmbëlsirë kremoze. Mjafton t’i ngrini dhe më pas t’i përzieni me pluhur kakaoje.

Rezultati është një krem i ftohtë dhe i ëmbël, pa nevojën për një listë të gjatë aditivësh. Për më shumë kremozitet, mund të shtoni pak gjalpë kikiriku.

Një tjetër alternativë është kosi i ngrirë, i përzier me fruta të freskëta ose të ngrira. Banania, luleshtrydhet dhe pjeshkët janë disa nga zgjedhjet më të thjeshta.

Salcë domatesh e përgatitur në shtëpi

Salcat e gatshme të domates mund të përmbajnë sheqer të shtuar, trashësues dhe konservues.

Për një version më të thjeshtë, skuqni qepë dhe hudhër në pak vaj derisa të marrin ngjyrë të artë. Më pas shtoni domate dhe barishte të freskëta ose të thata.

Lëreni salcën të ziejë në zjarr të ulët për 10-20 minuta.

Kjo është një mënyrë e thjeshtë për të kontrolluar vetë përbërësit dhe sasinë e kripës apo sheqerit.

Megjithatë, jo çdo salcë e blerë në dyqan është domosdoshmërisht ultra e përpunuar. Një salcë që përmban vetëm domate, vaj, kripë dhe erëza mund të jetë një zgjedhje krejtësisht e arsyeshme.

Salcë shtëpie për skuqje

Perimet dhe proteinat e freskëta mund të shndërrohen shpejt në një darkë të shijshme, por salcat e gatshme mund të përmbajnë sasi të larta kripe, sheqeri dhe përbërës të tjerë.

Një alternativë e thjeshtë është të përgatisni vetë salcën.

Një kombinim i shijshëm mund të bëhet me salcë soje, mjaltë, vaj susami dhe hudhër. Për ata që duan të reduktojnë marrjen e kripës, mund të përdoret salcë soje me përmbajtje të ulët natriumi.

Kështu, një salcë e përgatitur në pak minuta mund t’i japë shije perimeve dhe proteinave pa pasur nevojë për një listë të gjatë përbërësish.

Kokoshka në vend të ushqimeve të paketuara

Jo të gjitha patatet e skuqura janë domosdoshmërisht ushqime ultra të përpunuara. Disa versione të thjeshta përmbajnë vetëm patate, vaj dhe kripë.

Por kjo nuk do të thotë se janë zgjedhja më e mirë për t’u konsumuar shpesh, pasi mund të kenë shumë yndyrë dhe kripë.

Një alternativë e thjeshtë janë kokoshkat e përgatitura në shtëpi.

Kokrrat e misrit mund të përgatiten me një sasi të vogël vaji ose gjalpi dhe pak kripë. Përveçse janë të lehta për t’u bërë, kokoshkat përmbajnë fibra dhe polifenole.

Megjithatë, duhet pasur kujdes me fëmijët e vegjël: kokoshkat paraqesin rrezik mbytjeje dhe nuk rekomandohen për fëmijët nën pesë vjeç.

Shkopinj tërshëre në shtëpi

Raftet e supermarketeve janë të mbushura me shkopinj proteinikë dhe granola, por disa prej tyre mund të përmbajnë sasi të larta sheqeri dhe shumë përbërës të tjerë.

Përgatitja në shtëpi është shumë e thjeshtë.

Përzieni tërshërë të plotë me fruta të thata dhe arra. Për ta lidhur masën dhe për t’i dhënë ëmbëlsi, mund të përdorni mjaltë, gjalpë kikiriku ose banane të shtypura.

Piqini për rreth 18-20 minuta në 180°C ose vendosini në frigorifer derisa të forcohen.

Tërshëra është e pasur me fibra, ndërsa arrat dhe gjalpi i arrave ofrojnë proteina dhe yndyra të pangopura. Bajamet, për shembull, janë gjithashtu burim i vitaminës E.

Nuk është e nevojshme të eliminoni gjithçka

Shmangia e çdo ushqimi ultra të përpunuar mund të jetë e vështirë dhe, për shumë njerëz, as nuk është e nevojshme.

Qasja më praktike është të përqendroheni te cilësia dhe sasia. Në vend që të mendoni vetëm se çfarë duhet të hiqni nga dieta, mund të pyesni veten se çfarë mund të shtoni: më shumë fruta, perime, drithëra të plota, arra dhe ushqime të përgatitura me përbërës të thjeshtë.

Në fund, ndryshimet e vogla mund të jenë më të qëndrueshme se kufizimet e mëdha. Një akullore me banane, një salcë domatesh e bërë në shtëpi apo një tas me kokoshka mund të jenë hapa të thjeshtë drejt një diete më pak të varur nga ushqimet ultra të përpunuara.

The post Zëvendësime të thjeshta për të shmangur ushqimet ultra të përpunuara appeared first on Gazeta Si.

Trump kufizon vaksinat për fëmijët dhe ndarjen e MMR, ekspertët: Vendim i rrezikshëm

11 August 2026 at 11:39

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër që kërkon më pak vaksina për fëmijë dhe gjithashtu rekomandon ndarjen e vaksinave kundër shytave, fruthit dhe rubeolës (MMR).

“Dekada më parë, fëmijët merrnin vetëm një pjesë të vogël të vaksinave të kërkuara sot,” tha Trump. “Në ato kohë, njerëzit ishin shumë më të shëndetshëm.”

Presidenti ka hedhur prej kohësh dyshime mbi sigurinë e vaksinave MMR, por studime të shumta nuk kanë gjetur asnjë lidhje midis vaksinave dhe autizmit.

Urdhri gjithashtu rekomandon që numri i vaksinave për fëmijë të ulet në 11 nga 18 ekzistuese të rekomanduara nga Akademia Amerikane e Pediatrisë (AAP).

Urdhri i Trump shërben si udhëzues, jo si mandat, pasi vaksinat e kërkuara për ndjekjen e shkollës përcaktohen në nivel shtetëror, dhe jo nga qeveria federale.

Duke folur në Zyrën Ovale të hënën, presidenti tha se administrata e tij “po njeh rekomandimet standarde të vaksinave për fëmijë për vetëm 11 vaksinime kryesore kundër sëmundjeve më serioze dhe të rrezikshme”.

Vaksinimet e rekomanduara për të gjithë fëmijët sipas urdhrit janë për fruthin, shytat, rubeolën, difterinë, tetanosin, pertusisin, poliomelitin, Haemophilus influenzae tip B, sëmundjen pneumokoksike, papillomavirusin njerëzor dhe variçelën ose linë e dhenve.

“Po i zvogëlojmë ato,” tha Trump. “Nuk është vetëm se po bëni më pak vaksina, ose injeksione, siç thonë, por po i bëni ato në një seri vizitash te mjeku.”

Presidenti sugjeroi që vaksina MMR mund të jetë “mjaft vdekjeprurës” nëse jepet menjëherë. Ai e krahasoi atë me derdhjen e një shisheje pije freskuese në trupin e një fëmije.

Kur një gazetar kërkoi prova për pretendimin “vdekjeprurës”, Trump tha: “Ajo që kam dëgjuar është se ka disa njerëz që thonë se është kështu”.

Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), vaksina MMR mbart një rrezik shumë të vogël të krizave febrile për fëmijët e vegjël. Ata me probleme shëndetësore, duke përfshirë reaksione të rënda alergjike ose sistem imunitar të dobësuar, këshillohen të konsultohen me ofruesit e kujdesit shëndetësor para se të marrin vaksinat.

Agjencia thotë se “shumica e njerëzve që marrin vaksinën MMR nuk kanë probleme serioze me të”, dhe se marrja e vaksinës “është shumë më e sigurt sesa të marrësh fruth, shyta ose rubeolë”.

Sipas CDC, nuk ka “asnjë provë shkencore të publikuar që tregon ndonjë përfitim në ndarjen e vaksinës së kombinuar MMR në tre doza individuale”.

Ekspertët thonë se lejimi i kohës midis vaksinimeve do të thotë që fëmijët kanë më shumë gjasa të preken nga sëmundjet ose se kanë më shumë gjasa të humbasin takimet nëse ka vaksina të shumëfishta.

Sekretari i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS) i Trump, Robert F Kennedy Jr, tha se ndryshimet e propozuara kishin për qëllim t’u jepnin prindërve zgjedhje, jo të ndalonin aksesin në vaksinat e fëmijërisë.

Që nga marrja e detyrës në vitin 2025, Kennedy është përpjekur të ndryshojë dhe të lehtësojë rregulloret e vaksinimit. Gjatë një interviste të tensionuar 20-minutëshe në CNN javën e kaluar, Kennedy këmbënguli se “nuk e kishte vënë kurrë në dyshim efikasitetin e vaksinës MMR”.

Zyrtarët e administratës Trump kanë thënë se urdhri do të thotë që fëmijët në SHBA do të marrin shumë më pak se 72 vaksinat e rekomanduara sipas ndarjes së mëparshme të vaksinimit.

Dr. Andreë Racine, president i Akademisë Amerikane të Pediatrisë, tha se urdhri ekzekutiv i Trump ishte “i rrezikshëm” dhe nuk bazohej në “shkencën standarde të arta”.

“Shtyrja ose anashkalimi i vaksinave është i rrezikshëm, veçanërisht ndërsa fruthi vazhdon të përhapet dhe fëmijët kthehen në shkollë”, tha Racine.

Senatori republikan Bill Cassidy, i cili ishte vota vendimtare në Senat për të konfirmuar Kennedyn si sekretar të shëndetësisë, gjithashtu e qortoi urdhrin ekzekutiv të Trump të hënën, duke e etiketuar atë “të gabuar”.

“Presidenti nuk ka ekspertizën për të bërë këto ndryshime”, shkroi Cassidy. “Vaksinat janë jashtëzakonisht të sigurta. Vaksinat janë efektive. Vaksinat NUK shkaktojnë autizëm.”

Ekspertët kanë frikë se nëse prindërit përmbahen nga vaksinimi i fëmijëve të tyre si rezultat i idesë së diskredituar se vaksinat e fëmijërisë janë të lidhura me autizmin, kjo rrezikon rishfaqjen e sëmundjeve si fruthi.

Studime të shumta nuk kanë gjetur asnjë lidhje midis vaksinës MMR dhe autizmit. Një studim i kohëve të fundit me cilësi të lartë nga Danimarka në vitin 2019 shqyrtoi 657,461 fëmijë dhe arriti në përfundimin se të dhënat nuk mbështesnin faktin që vaksina MMR shkakton ose shkakton autizëm.

Në faqen e saj të internetit, CDC rekomandon që fëmijëve t’u jepen dy doza të vaksinës së kombinuar MMR, duke filluar me dozën e parë në 12-15 muaj dhe të dytën midis moshës katër dhe gjashtë vjeç.

Sipas AAP-së, shpeshtësia dhe numri i vaksinave që marrin fëmijët në SHBA bazohet në kohën kur vaksinat do të funksionojnë më mirë me sistemet e tyre imunitare dhe kur ata janë më të prekshëm ndaj sëmundjeve të caktuara.

AAP thotë se nuk ka arsye mjekësore për të vonuar ose anashkaluar vaksinimet e rekomanduara.

Urdhri i Trump kërkon gjithashtu zhvillimin e alternativave ndaj aluminit në vaksina dhe për të testuar nëse këto alternativa janë më të sigurta dhe më efektive.

Por AAP thotë se studimet nuk kanë gjetur rreziqe të konsiderueshme shëndetësore të lidhura me sasitë e vogla të kripërave të aluminit në vaksina.

Sasi të vogla të kripërave të aluminit- të cilat gjenden natyrshëm në tokë, ujë dhe ushqime  janë përdorur në disa vaksina për dekada me qëllim forcimin e përgjigjes imunitare të trupit.

Kjo do të thotë se nevojiten sasi më të vogla të vaksinës dhe më pak doza, sipas AAP-së.

The post Trump kufizon vaksinat për fëmijët dhe ndarjen e MMR, ekspertët: Vendim i rrezikshëm appeared first on Gazeta Si.

Planifikoi sulm me bombë në një qendër tregtare, Italia dëbon 22-vjeçarin shqiptar

11 August 2026 at 11:23

Gazeta Si – Një 22-vjeçar shqiptar, i cili mbërriti të dielën e kaluar në aeroportin “Canova” të Trevizos me një fluturim nga Tirana, është dëbuar nga Italia për arsye sigurie dhe parandalimi të terrorizmit.

Ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi, e bëri të ditur lajmin përmes rrjeteve sociale, duke shpjeguar se i riu “synonte të siguronte materiale për prodhimin e eksplozivëve dhe të planifikonte një sulm në Itali”, si dhe duke identifikuar një qendër tregtare si objektiv të mundshëm.

Rasti, për të cilin raportuan sot “Il Gazzettino” dhe “Corriere Veneto”, ka të bëjë me një të ri që dyshohet se ka kaluar një proces radikalizimi përmes internetit.

Sipas raportimeve, hetuesit kanë rindërtuar të dhënat mbi interesin e 22-vjeçarit për krijimin e një pajisjeje shpërthyese dhe metodat e nevojshme për ndërtimin e saj.

Disa nga materialet e nevojshme për prodhimin e bombës dyshohet se ishin blerë tashmë. Mes hipotezave që po shqyrtohen nga hetuesit është mundësia që i riu ta kishte identifikuar rajonin e Venetos si vendndodhjen e sulmit, me një qendër tregtare si objektiv.

Shqiptari u ndalua menjëherë pas mbërritjes në aeroport nga oficerë të DIGOS-it dhe të Zyrës së Emigracionit.

Pas verifikimeve, u lëshua një urdhër dëbimi nga Italia për arsye të sigurisë kombëtare dhe parandalimit të terrorizmit.

Lidhur me këtë çështje reagoi edhe Alberto Stefani, Presidenti i rajonit të Venetos, duke theksuar nevojën për të qëndruar vigjilentë sa i përket sigurisë.

“Ata që vijnë këtu, duhet të respektojnë ligjet, rregullat dhe parimet e demokracisë”, deklaroi Stefani, duke përsëritur se “komuniteti nuk e pranon dhe nuk do ta pranojë kurrë të jetë shënjestër” dhe se Veneto do të vazhdojë të luftojë “çdo formë terrorizmi, me çdo kusht. Le të jetë e qartë: siguria e banorëve të Venetos është parësore”.

The post Planifikoi sulm me bombë në një qendër tregtare, Italia dëbon 22-vjeçarin shqiptar appeared first on Gazeta Si.

Eklipsi diellor, çfarë do të ndodhë me rrjetin elektrik kur dielli të ‘shuhet’?

11 August 2026 at 11:14

Gazeta Si – Data për t’u mbajtur parasysh është 12 gushti, kur Evropa do t’i drejtojë sytë nga qielli për të parë Diellin teksa zhduket pas Hënës.

Megjithatë, ndonëse eklipsi diellor premton një pamje spektakolare, ai do të ndikojë gjithashtu në rrjetin elektrik – një sistem që tashmë ndodhet nën presion për shkak të temperaturave të larta në vende të ndryshme.

Në fakt, mijëra impiante diellore do të shënojnë një rënie të prodhimit të energjisë që përkon me eklipsin. Komisioni Evropian dhe shoqata kontinentale e operatorëve të rrjetit e kanë klasifikuar ngjarjen e së mërkurës si një fenomen operacional me rrezik të lartë për balancën energjetike të të gjithë kontinentit.

ENTSO-E, shoqata e operatorëve evropianë të sistemeve të transmetimit (TSO), ka aktivizuar një plan të përshtatur me përmasat e ngjarjes; ajo vlerëson se midis orës 19:15 dhe 21:30 të datës 12 gusht – duke supozuar se qielli do të jetë i kthjellët – prodhimi i energjisë nga panelet fotovoltaike mund të ulet deri në 9,7 gigavat.

Për ta vendosur këtë në perspektivë dhe për të kuptuar pasojat reale të fenomenit, mjafton të kemi parasysh se kapaciteti total i paneleve diellore të instaluara në të gjithë kontinentin është pak më shumë se 400 gigavat. Për më tepër, orari i ngjarjes – siç raportohet nga La Repubblica” – ndihmon në zbutjen e ndikimit.

Simona Benedettini, eksperte e energjisë dhe drejtuese ekzekutive e “Race Consulting”, shpjegoi në një intervistë për gazetën se “gjatë orëve të eklipsit, rrezatimi diellor është tashmë në nivelet e tij më të ulëta; prandaj, termocentralet me gaz do të ndërhyjnë për të siguruar energjinë që mungon”.

Ajo shtoi: “Duke qenë se kërkesa për energji elektrike bie historikisht gjatë javës së ‘Ferragostos’, ndikimi te çmimet mund të jetë i papërfillshëm”.

Në Spanjë, sipas përllogaritjeve të “Red Eléctrica”, mungesa në prodhimin e energjisë diellore mund të arrijë në 5 gigavat, që barazohet me 13% të kërkesës maksimale gjatë një të mërkure tipike të muajit gusht.

Vend tjetër që do të preket më së shumti do të jetë Gjermania, me një rënie të parashikuar prej 2,5 gigavatësh.

Edhe Anglia do të shënojë një rënie: operatori i rrjetit parashikon një ulje prej rreth 700 megavatësh, por ka sugjeruar se, bazuar në modele historike, ndikimi mund të arrijë deri në 1,3 gigavat.

The post Eklipsi diellor, çfarë do të ndodhë me rrjetin elektrik kur dielli të ‘shuhet’? appeared first on Gazeta Si.

Nga Haiti në Venezuelë, tërmetet më shkatërruese në dekadat e fundit

11 August 2026 at 11:02

Gazeta Si – Kolumbia u godit nga një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.4 ballë në orën 7:34 të mëngjesit të së hënës sipas kohës lokale, në një thellësi prej 82 kilometrash dhe u ndje në rajone të shumta të Kolumbisë: Bogotá, Cali, Manizales dhe Armeni.

Presidenti kolumbian, Abelardo de la Espriella shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. Ky tërmet i fuqishëm, është i fundit i një liste të gjatë, nga Haiti në Indonezi numri i dridhjeve që kanë mbjellë vdekje dhe shkatërrim vitet e fundit është e gjatë.

Në fakt, Amerika Latine po goditet përsëri pas lëkundjeve të dhunshme që goditën Venezuelën më 24 qershor. Një bilanc i tërmeteve më shkatërruese në dekadat e fundit.

Haiti, 12 janar 2010

Haiti u godit nga një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.0, me epiqendër pranë kryeqytetit Port-au-Prince. Goditja, e cila ndodhi në një thellësi prej afërsisht 13 km, shkaktoi shembjen e shtëpive, spitaleve, shkollave dhe ndërtesave qeveritare.

Tërmeti shkaktoi midis 250,000 dhe 300,000 vdekje, mbi 300,000 të plagosur dhe la më shumë se një milion njerëz pa strehë, duke prekur një total prej mbi 3 milionë banorësh.

Për shkak të varfërisë së vendit dhe ashpërsisë së dëmeve, përpjekjet e ndihmës ishin jashtëzakonisht të vështira.

Indonezi, 26 dhjetor 2004

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 9.1–9.3 ballë goditi Oqeanin Indian, me epiqendër pranë brigjeve të Banda Aceh, në bregun veriperëndimor të Sumatrës, Indonezi.

Tërmeti zgjati afërsisht 8 minuta. Tërmeti shkaktoi një cunami masiv që goditi brigjet e 14 vendeve, përfshirë Indonezinë, Sri Lankën, Indinë dhe Tajlandën.

U konfirmuan të vdekur afërsisht 230,000 njerëz, afërsisht 500,000 u plagosën dhe miliona mbetën pa strehë. Valët e cunamit arritën lartësinë mbi 30 metra në disa vende.

Kinë, 12 maj 2008

Më 12 maj 2008, një tërmet i fortë me magnitudë 7.9 goditi Provincën Sichuan në Kinën jugperëndimore. Epiqendra ishte e vendosur në Qarkun Wenchuan, rreth 90 km në veriperëndim të Chengdu-së, në një thellësi prej afërsisht 19 km.

Tërmeti shkaktoi afërsisht 69,000 vdekje të konfirmuara, mbi 374,000 të plagosur dhe gati 18,000 të zhdukur.

Miliona njerëz humbën shtëpitë e tyre dhe zona të gjera u shkatërruan nga shembja e ndërtesave dhe infrastrukturës. Tërmeti shkaktoi mbi 200,000 rrëshqitje toke dhe formimin e qindra të ashtuquajturve “liqene sizmikë”.

Pakistan, 8 tetor 2005

Rajoni i Kashmirit në Pakistanin verior u godit nga një tërmet shkatërrues me magnitudë 7.6 . Epiqendra ishte e vendosur pranë qytetit Muzaffarabad, rreth 90 km në verilindje të Islamabadit, dhe tërmeti preku edhe Indinë dhe Afganistanin.

Tërmeti shkaktoi afërsisht 80,000 vdekje (vlerësimet variojnë midis 74,000 dhe 88,000) dhe afërsisht 138,000 të plagosur. Mbi 3 milionë njerëz mbetën pa strehë për shkak të shkatërrimit të fshatrave dhe infrastrukturës së tërë.

Turqi/Siri, 6 shkurt 2023

Dy dridhje shumë të forta goditën Turqinë jugore dhe Sirinë veriore. I pari kishte një magnitudë prej 7.8 ballë dhe epiqendra e tij ndodhej pranë Gaziantepit, në Turqinë juglindore.

Një dridhje e dytë me magnitudë 7.5 ballë ndodhi disa orë më vonë. Numri përfundimtar i viktimave ishte afërsisht 60,000, mbi 121,000 të plagosur dhe më shumë se 5 milionë të zhvendosur. Tërmeti u ndje në disa vende të Lindjes së Mesme dhe shkaktoi mijëra lëkundje pasuese.

Japoni, 11 mars 2011

Më 11 mars 2011, Japonia u godit nga një tërmet me magnitudë 9.1, më i fuqishmi i regjistruar ndonjëherë në vend.

Epiqendra ishte në Oqeanin Paqësor, pranë brigjeve të rajonit Tōhoku, pranë qytetit të Sendai. Tërmeti shkaktoi afërsisht 20,000 të vdekur ose të zhdukur dhe mbi 6,000 të plagosur.

Menjëherë pas goditjes, një cunami masiv goditi bregun verilindor të Japonisë, duke shkatërruar qytete, porte dhe infrastrukturë.

Cunami arriti lartësi deri në 40 metra dhe shkaktoi aksidentin bërthamor të Fukushimës, një nga më të këqijtë në histori.

Nepal, 25 prill 2015

Epiqendra e tërmetit me magnitudë 7.8  ishte e vendosur pranë Lamjung/Gorkha, rreth 80 km në veriperëndim të kryeqytetit Katmandu, në një thellësi prej rreth 15 km .

Tërmeti vrau afërsisht 8,700 njerëz dhe plagosi gati 19,000 të tjerë, duke lënë afërsisht 3.5 milionë njerëz pa strehë. Goditja shkaktoi një ortek masiv në malin Everest, duke vrarë dhjetëra njerëz në kampin bazë.

Venezuelë, 24 qershor 2026

Tërmeti i fundit në Venezuelë është një nga më shkatërruesit e viteve të fundit. Dy dridhje të fuqishme, më e forta me magnitudë 7.5, e gjunjëzuan vendin, duke shkaktuar shembjen e qindra ndërtesave, përfshirë edhe në Karakas.

Numri i të vdekurve vlerësohet të jetë mbi 6,000. Epiqendra ishte e vendosur në veri të vendit, pranë qytetit Yumare, në shtetin Yaracuy. Ishte gjithashtu tërmeti më i fuqishëm i regjistruar në Venezuelë që nga viti 1900.

Java, 27 maj 2006

Më 27 maj 2006, një tërmet me magnitudë 6.2-6.3 ballë goditi ishullin Java, Indonezi. Epiqendra ishte e vendosur pranë Yogyakarta, rreth 25 km në jugperëndim të qytetit, një nga zonat më të dendura të populluara në vend. Tërmeti vrau afërsisht 5,700 njerëz dhe plagosi mbi 36,000, duke lënë afërsisht 200,000 njerëz pa strehë.

Tërmeti ndodhi ndërsa vullkani Merapi aty pranë ishte tashmë në aktivitet intensiv. Pas goditjes, u regjistrua një rritje e aktivitetit vullkanik, duke ushqyer frikën e një shpërthimi të afërt.

Përshtati: Gazeta “Si”

The post Nga Haiti në Venezuelë, tërmetet më shkatërruese në dekadat e fundit appeared first on Gazeta Si.

Britani/ Farage propozon që kriminelët e huaj të dërgohen në burgje jashtë, kryesisht në Kosovë dhe El Salvador

11 August 2026 at 10:53

Udhëheqësi i Reform UK, Nigel Farage, ka propozuar që të gjithë të burgosurit e huaj të dërgohen për të vuajtur dënimet e tyre jashtë vendit, kryesisht në Kosovë dhe El Salvador.

Farage tha se partia e tij po shqyrtonte mundësitë me vendet e treta për marrjen me qira të hapësirave të burgjeve, përfshirë El Salvadorin, të cilin ai tha se kryetari i Reformës, Lee Anderson, do ta vizitonte së shpejti për bisedime fillestare.

Partia më parë ka sugjeruar Kosovën dhe El Salvadorin si mundësi të mundshme, me Farage që sugjeroi të hënën se Estonia dhe Lituania mund të shqyrtohen.

Reform tha se largimi i shtetasve të huaj nga pasuria e burgut, si dhe ndërtimi i burgjeve emergjente “Nightingale”, do të mundësonte ndryshime në ligjet e dënimit në mënyrë që kriminelët e rëndë të vuajnë dënimet e tyre të plota.

Partia Laburiste tha se plani “nuk bën asgjë” për situatën aktuale pasi do të duheshin vite për të rregulluar marrjen me qira të vendeve të burgjeve jashtë vendit.

Sipas planeve të Reformës, kriminelët e huaj të cilëve u janë dhënë dënime jo me burgim do të deportoheshin në vendin e tyre të origjinës.

Ata me dënime me burgim do ta vuanin të gjithë dënimin në vendin e tyre të origjinës, ose në një vend të tretë që ofron hapësira burgu me qira nëse refuzojnë t’i marrin ato.

Deri në fund të qershorit, në Angli dhe Uells mbaheshin në paraburgim 10,134 të huaj, që përfaqësojnë 12% të popullsisë së përgjithshme.

Reform pretendon se propozimet e saj për të burgosurit e huaj do të lironin më shumë se 10,000 vende burgu, por dokumenti i saj i politikave nuk shpjegon nëse do të zbatohej për të burgosurit në pritje të gjyqit, të cilët përbëjnë rreth një të tretën e këtij numri.

Si Farage ashtu edhe zëdhënësi i punëve të brendshme, Zia Yusuf, nuk e trajtuan këtë pikë kur u pyetën ta bënin këtë në një konferencë shtypi të hënën.

Vitin e kaluar, Farage tha se El Salvadori ishte një “shembull ekstrem” i një vendi ku partia mund të dërgonte të burgosur të huaj.

Të hënën, ai minimizoi akuzat për shkelje të të drejtave të njeriut në vendin e Amerikës Qendrore, duke thënë: “Jo të gjitha burgjet janë kafaze”.

El Salvadori ka shkallën më të lartë të burgosjeve në botë, pas një goditjeje qeveritare ndaj krimit të lidhur me bandat, dhe është shtëpia e mega-burgut famëkeq, Qendrës për Mbylljen e Terrorizmit (Cecot).

Reform thotë se një marrëveshje do të kërkonte që El Salvadori t’i përmbahet “standardeve britanike për madhësinë, ndriçimin, ngrohjen, ventilimin dhe pajisjet, dhe të kërkojë kohë të përditshme në ajër të hapur”.

Partia nuk ka përcaktuar një buxhet për këtë skemë, duke thënë në vend të kësaj se marrëveshjet për të dërguar të burgosur jashtë vendit do të kursenin “miliarda paund” që aktualisht i kushton qeverisë strehimi i tyre në Mbretërinë e Bashkuar.

Vende të tjera kanë ndjekur marrëveshje të ngjashme – në vitin 2021, Danimarka pranoi t’i paguante Kosovës një tarifë vjetore prej 12.8 milionë paundësh për një periudhë fillestare pesëvjeçare për të marrë me qira 300 nga hapësirat e tyre të burgut.

The post Britani/ Farage propozon që kriminelët e huaj të dërgohen në burgje jashtë, kryesisht në Kosovë dhe El Salvador appeared first on Gazeta Si.

Përdorte profile të rreme për shantazh, kapet përndjekësi 24 vjeçar në Tiranë

11 August 2026 at 10:51

Gazeta Si – Një 24 vjeçar, me iniciale K.G., është arrestuar nga policia, pasi dyshohet se përndoqi në rrjetet sociale një person me qëllim shantazhin.

I riu u kap në flagrancë në momentin kur po merrte shumën monetare nga personi që kishte shantazhuar. Dyshohet se 24 vjeçari duke përdorur profile të rreme ka përndjekur dhe kanosur D.P., duke i kërkuar që t’i jepte një shumë parash.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një shumë parash dhe 2 aparate celularë.
Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe dokumentimin e plotë të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprat penale “Përndjekja”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë”, “Falsifikimi kompjuterik” dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve”.

The post Përdorte profile të rreme për shantazh, kapet përndjekësi 24 vjeçar në Tiranë appeared first on Gazeta Si.

Tërmeti në Kolumbi, mbi 132 të vdekur dhe 2.700 persona të zhdukur (video)

11 August 2026 at 10:46

Gazeta Si – Më shumë se 2.700 persona rezultojnë të zhdukur pas tërmetit me magnitudë 7.4 që goditi Kolumbinë të hënën, më 10 gusht.

Ndërsa operacionet e shpëtimit dhe kërkimet nën rrënoja vijojnë, familjet kolumbiane po publikojnë informacione rreth familjarëve të tyre të zhdukur në faqe interneti lokale të drejtuara nga qytetarët.

Bilanci i përditësuar i viktimave flet për 132 të vdekur dhe gati 600 të lënduar, sipas shifrave të bëra të ditura gjatë natës nga CNN.

Spitalet në Cali – një nga qytetet e goditura më rëndë nga tërmeti – kanë shpallur “alarmin e kuq” pasi kanë arritur kapacitetin maksimal. Një nënë dhe foshnja e saj e porsalindur janë shpëtuar.

Departamenti amerikan i Shtetit e përshkroi tërmetin si “katastrofik”, ndërsa njoftoi se Shtetet e Bashkuara po monitorojnë nga afër situatën dhe janë të gatshme të mbështesin autoritetet kolumbiane.

Ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë operacionet në zonat më të prekura, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar se bilanci mund të ndryshojë, pasi dyshohet se persona të tjerë mund të jenë ende të bllokuar nën rrënoja.

Epiqendra e tërmetit ndodhej pranë qytetit San José del Palmar, në një zonë malore të provincës Chocó, ndërsa hipoqendra ishte në një thellësi prej 103 kilometrash.

#Colombia 🚨 Un edificio habría colapsado en Pereira, Risaralda, en medio del potente terremoto que sacudió a Colombia. La emergencia generó momentos de pánico entre los habitantes, mientras organismos de socorro avanzan en la verificación de posibles personas afectadas. pic.twitter.com/HbhSpOqbpZ

— El Montemariano (@elmontemariano_) August 10, 2026

Zona më e goditur është ajo përreth Pereirës — e cila ndodhet rreth pesëdhjetë kilometra në lindje, në rajonin e kultivimit të kafesë në Kolumbi — ku humbën jetën të paktën 66 persona dhe u shembën dhjetëra ndërtesa; gjithashtu, për arsye sigurie është vendosur një shtetrrethim gjatë natës.

Dëme të rënda u shkaktuan gjithashtu në Cali, në provincën Valle del Cauca – më pranë bregdetit të Paqësorit dhe rreth 200 kilometra larg epiqendrës.

De La Espriella deklaroi se ka rreth 190 persona të zhdukur vetëm në këtë qytet. Viktima u raportuan edhe në qytete të tjera, përfshirë Manizales, Quibdó dhe Medellín, ndërsa disa aeroporte – përfshirë ato në Cali dhe Pereira – u mbyllën për shkak të dëmeve të pësuara.

The post Tërmeti në Kolumbi, mbi 132 të vdekur dhe 2.700 persona të zhdukur (video) appeared first on Gazeta Si.

Debati për Ibrin, Rama: Serbia e humbi Kosovën, nuk duam Shqipëri të Madhe

11 August 2026 at 10:32

Gazeta Si – Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj deklaratave më të fundit të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç i cili ka folur edhe për mundësinë e bllokimit të rrjedhës së lumit Ibër që furnizon edhe Kosovën.

Duke e nisur me theksin se Tirana zyrtare nuk dëshiron ndonjë “Shqipëri të Madhe”, Rama vijoi më tej duke shkruar se Shqipëria nuk ka asnjë pretendim mbi territorin serb.

Ndërsa përsa i takon lumit Ibër, Rama shkroi se Serbia nuk mundet ta ndryshojë rrjedhën sepse lumi ndjek rrjedhën gjeografike, jo bisedat diplomatike.

“Shqipëria nuk ka asnjë pretendim mbi territorin serb dhe nuk ka nevojë të shpikë ndonjë. As nuk na duhet një ‘Shqipëri e Madhe’ për të qëndruar pranë Kosovës. Kosova është shtet më vete. Shqiptarët e Kosovës janë pikërisht kaq: shqiptarë të Kosovës. Ata kanë Republikën e tyre, institucionet e tyre dhe të drejtën për të vendosur për të ardhmen e tyre. Ne gjithmonë do të qëndrojmë pranë kësaj të drejte”.

Kryeministri thotë gjithashtu se të drejtat, siguria, prona, gjuha dhe trashëgimia kulturore e komunitetit serb në Kosovë duhet të mbrohen, ndërsa thekson se Shqipëria dëshiron marrëdhënie të mira me Serbinë dhe një rajon të integruar në Bashkimin Europian, ku, sipas tij, duhet të përfshihet edhe Serbia.

“Serbia e humbi Kosovën. Përsëritja se nuk e humbi mund ta kthejë ndoshta humbjen në fitore në gjeografinë e imagjinatës politike, por fatkeqësisht hartat janë më pak të gatshme për kompromis. Territori i Republikës së Kosovës nuk është territor serb dhe burimet natyrore që gjenden brenda tij nuk janë burime të Republikës së Serbisë. Miqtë tanë serbë e dinë këtë shumë mirë, përfshirë sa herë ulemi bashkë rreth tavolinave evropiane”, – shkruan Rama ndër të tjera.

Ideja e Serbisë për të devijuar rrjedhën e lumit Ibër, i cili përshkron dhe Kosovën, çoi në një përplasje të fortë Tiranën dhe Beogradin. Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha bëri thirrje një ditë më parë që Serbia të mos bëjë presion politik me ujin. Ndërkohë presidenti serb Aleksandar Vuçiç, tha se Shqipëria nuk ka punë me këtë çështje.

Ideja për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit nuk është e re. Vuçiç e kishte përmendur edhe dy vite më parë, kur kishte mohuar përfshirjen e Serbisë në shpërthimin që dëmtoi kanalin Ibër-Lepenc në Varagë të Zubin-Potokut. Nga lumi Ibër varet furnizimi me ujë në një pjesë të madhe të Kosovës, si dhe prodhimi i energjisë elektrike.

The post Debati për Ibrin, Rama: Serbia e humbi Kosovën, nuk duam Shqipëri të Madhe appeared first on Gazeta Si.

❌