Pas arratisjes së Altin Ndocit ditën e djeshme, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka nisur transferimin e disa të dënuarve e të paraburgosurve që konsiderohen me rrezikshmëri të lartë nga institucioni i ekzekutimit të vendimeve penale në Durrës drejt burgut të Fierit.
Burgu i Durrësit nuk klasifikohet si institucion me siguri të lartë. Ai kategorizohet si institucion paraburgimi, ndaj DPB ka vlerësuar, pas ngjarjes së rëndë, që personat me rrezikshmëri të lartë të mos qëndrojnë më në këtë strukturë.
Mësohet se masat kanë të bëjnë vetëm me transferimin e të dënuarve me rrezikshmëri të lartë dhe nuk përfshijnë zyrtarët e arrestuar, të cilët do të vijojnë të qëndrojnë në Durrës.
Ministri i Jashtëm danez Lars Lokke Rasmussen ka deklaruar se “mosmarrëveshja themelore” mbetet pas bisedimeve “të sinqerta” në Shtëpinë e Bardhë për Groenlandën.
Ai mbajti një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e jashtëm të Groenlandës, ku mes të tjerash deklaroi se qëllimi ishte të gjendej një rrugë e përbashkët për sigurinë në Arktik.
Rasmussen thotë se është e qartë se Trump ka dëshirën për të “pushtuar” Groenlandën, por se ai beson se takimi ka arritur të “ndryshojë qëndrimin amerikan”.
“E bëmë shumë, shumë të qartë se kjo nuk është në interes të Groenlandës”, thotë ai.
“Danimarka është padyshim në anën e duhur të historisë”, shtoi ai.
Para konferencës për shtyp, Danimarka tha se do të “zgjerojë” praninë e saj ushtarake në Groenlandë në “bashkëpunim të ngushtë me aleatët”.
Më parë, Presidenti Donald Trump këmbënguli përsëri se SHBA-të kanë nevojë për Groenlandën për “siguri kombëtare” dhe paralajmëroi për kërcënime nga Rusia dhe Kina.
Kërkesat e Trump për të marrë kontrollin e ishullit janë refuzuar nga udhëheqësit e Groenlandës dhe Danimarka, anëtare e NATO-s, nga e cila ishulli është një territor gjysmë-autonom.
Mbretëria e Bashkuar ka tërhequr personelin ushtarak nga një bazë amerikane në Katar.
Kjo vjen pasi Donald Trump u tha protestuesve në Iran se “ndihma është duke ardhur” dhe premtoi “veprime shumë të forta” nëse qeveria në Teheran vazhdon me ekzekutimet e planifikuara.
Irani ka thënë vazhdimisht se do të hakmerret kundër vendeve ushtarake amerikane në rajon nëse Amerika sulmon.
Sipas organizatave për të drejtat e njeriut, më shumë se 2,400 demonstrues antiqeveritarë janë vrarë gjatë shtypjes së protestave nga autoritetet iraniane. Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA), me seli në SHBA, ka konfirmuar vrasjen e 2,403 protestuesve, përfshirë 12 fëmijë, si dhe arrestimin e mbi 18,400 personave.
Irani është i gatshëm të përgjigjet “me vendime” ndaj armiqve të tij, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara, deklaroi komandanti i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).
Ai akuzoi udhëheqësit e tyre se qëndrojnë pas protestave që kanë tronditur Republikën Islamike.
“Gardat janë në gatishmëri maksimale për t’u përgjigjur ndaj gabimeve të llogaritjes së armikut”, tha komandanti Mohammad Pakpour në një komunikatë të cituar nga televizioni shtetëror, duke akuzuar presidentin amerikan Donald Trump dhe kryeministrin izraelit si “vrasës të rinisë iraniane”.
Televizioni shtetëror iranian gjithashtu ka kërcënuar Trump, duke publikuar foton e plagosur në vesh: Këtë herë plumbi nuk do të dështojë!
Televizioni shtetëror iranian transmetoi pamjet e presidentit të SHBA Donald Trump pas atentatit që iu bë në Pensilvani ku u qëllua me plumb në vesh, duke lëshuar një kërcënim të drejtpërdrejtë.
Dy zyrtarë europianë kanë thënë për Reuters se ndërhyrja ushtarake amerikane në Iran mund të ndodhë brenda 24 orëve të ardhshme.
Një zyrtar izraelit tha gjithashtu se dukej se Trump kishte vendosur të ndërhynte, megjithëse fushëveprimi dhe koha mbetën të paqarta.
Shtetet e Bashkuara po tërheqin një pjesë të personelit nga bazat në Lindjen e Mesme, tha një zyrtar amerikan të mërkurën, pasi një zyrtar i lartë iranian tha se Teherani kishte paralajmëruar fqinjët se do të godiste bazat amerikane nëse Uashingtoni sulmon.
Me udhëheqjen e Iranit që përpiqet të shuajë trazirat më të këqija të brendshme me të cilat është përballur ndonjëherë Republika Islamike, Teherani po kërkon të pengojë kërcënimet e përsëritura të Presidentit të SHBA-së Donald Trump për të ndërhyrë në emër të protestuesve antiqeveritarë.
Një zyrtar amerikan, duke folur në kushte anonimiteti, tha se Shtetet e Bashkuara po tërhiqnin disa personel nga bazat kryesore në rajon si një masë paraprake, duke pasur parasysh tensionet e larta rajonale.
Britania gjithashtu po tërheq personelin nga një bazë ajrore në Katar përpara sulmeve të mundshme të SHBA-së. Ministria britanike e mbrojtjes nuk bëri asnjë koment të menjëhershëm.
“Të gjitha sinjalet tregojnë se një sulm i SHBA-së është i afërt, por kjo është edhe mënyra se si sillet kjo administratë për t’i mbajtur të gjithë në gatishmëri. Paparashikueshmëria është pjesë e strategjisë”, tha një zyrtar ushtarak perëndimor për Reuters të mërkurën.
Trump ka kërcënuar vazhdimisht të ndërhyjë në mbështetje të protestuesve në Iran, ku mijëra njerëz janë raportuar të vrarë në një shtypje të trazirave kundër sundimit klerikal.
Influencerja italiane, Chiara Ferragni është shpallur e pafajshme në çështjet e njohura si “Pandoro Pink Christmas” dhe vezët e Pashkëve, të cilat kanë shkaktuar debat të gjerë publik në Itali.
Vendimi u mor nga gjyqtari i seksionit të tretë penal të Gjykatës së Milanos, Ilio Mannucci Pacini, i cili nuk pranoi akuzën për mashtrim të rënduar ndaj Ferragni-it, raporton media italiane Ansa.
Ferragni akuzohej se kishte publikuar në rrjetet sociale mesazhe potencialisht mashtruese, duke lënë të kuptohej se një pjesë e të ardhurave nga shitja e produkteve do të përdorej për qëllime bamirësie. Megjithatë, gjykata nuk e njohu rrethanën rënduese të “mbrojtjes së kufizuar” të konsumatorëve online, element kyç që do ta bënte veprën penale të ndiqej edhe pa kallëzim.
Si pasojë, duke qenë se shoqata e konsumatorëve Codacons kishte tërhequr kallëzimin rreth një vit më parë pas një marrëveshjeje dëmshpërblyese me influenceren, gjyqtari vendosi pushimin e çështjes për shkak të shuarjes së veprës penale, e riformuluar si mashtrim i thjeshtë.
Pas pezullimit të lotarisë amerikane, DASH ka lajmëruar ndalimin e dhënies së vizave nga 21 janari për Shqipërinë.
Administrata Trump po pezullon të gjithë përpunimin e vizave për vizitorët nga 75 vende, përfshirë Shqipërinë. Kështu ka raportuar këtë të mërkurë Fox News duke cituar një dokument nga Departamenti i Shtetit të SHBA-ve.
Kosova, Mali i Zi, Bosnje Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Somalia, Rusia, Irani, Afganistani, Brazili, Nigeria, Tajlanda janë ndër vendet e prekura, sipas raportit.
Sipas CNN, pezullimi vlen për vizat e emigrantëve, të tilla si ato për punësim ose për t’u bashkuar me familjen në SHBA. Pezullimi nuk vlen për vizat studentore dhe turistike, dhe si i tillë nuk do të zbatohet për ata që kërkojnë të udhëtojnë për në Kupën e Botës në SHBA këtë verë.
“Departamenti i Shtetit do t’i bëjë pauzë shqyrtimit të vizave për emigrantë nga 75 shtete, emigrantët të cilët marrin ndihma sociale nga populli amerikan në nivele të papranueshme. Kjo ndalesë do të jetë në fuqi deri kur SHBA-ja të sigurohet që migrantët e rinj nuk do të përfitojnë nga populli amerikan”, shkroi Departamenti amerikan i Shtetit në X.
Ndërkohë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Tommy Pigott deklaroi se “Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump po i jep fund abuzimit të sistemit të emigrimit të Amerikës nga ata që synojnë të pasurohen nga populli amerikan”.
Pezullimi vjen në mes të një goditjeje të gjerë ndaj emigracionit të ndjekur nga presidenti republikan i SHBA-ve, Donald Trump, që kur mori detyrën janarin e kaluar.
Në nëntor, Trump kishte premtuar të “pezullontepërgjithmonë” migracionin pas një të shtëne pranë Shtëpisë së Bardhë nga një shtetas afgan që vrau një pjesëtar të Gardës Kombëtare.
Në komunikatën e dërguar në përfaqësitë diplomatike në mbarë botën udhëzoheshin zyrtarët konsullorë të zbatonin rregulla të reja gjithëpërfshirëse të kontrollit sipas të ashtuquajturit dispozitë “public charge” të ligjit të emigracionit.
Udhëzimi i kërkon zyrtarëve konsullorë të refuzojnë vizat për aplikantët që vlerësohen se ka gjasa të mbështeten në përfitime publike, duke marrë në konsideratë një gamë të gjerë faktorësh, përfshirë shëndetin, moshën, njohuritë e gjuhës angleze, gjendjen financiare dhe madje edhe nevojën e mundshme për kujdes mjekësor afatgjatë.
Aplikantët më të moshuar ose mbipeshë mund të refuzohen, ashtu si edhe ata që kanë pasur ndonjë përdorim të mëparshëm të ndihmës financiare shtetërore ose janë institucionalizuar.
Lista e plotë e vendeve për qytetarët e të cilëve pezullohet dhënia e vizave amerikane:
Afganistan, Shqipëri, Algjeri, Antigua dhe Barbuda, Armeni, Azerbaixhan, Bahamas, Bangladesh, Barbados, Bjellorusi, Belize, Butan, Bosnje-Hercegovinë, Brazil, Burma, Kamboxhia, Kamerun, Kepi i Gjelbërt, Kolumbi, Bregu i Fildishtë, Kuba, Republika Demokratike e Kongos, Dominika, Egjipti, Eritrea, Etiopia, Fixhi, Gambia, Gjeorgjia, Gana, Grenada, Guatemala, Guinea, Haiti, Iran, Irak, Xhamaika, Jordani, Kazakhstan, Kosova, Kuvajt, Kyrgyzstan, Laos, Liban, Liberi, Libi, Maqedonia e Veriut, Moldova, Mongolia, Mali i Zi, Marok, Nepal, Nikaragua, Nigeria, Pakistan, Republika e Kongos, Rusia, Ruanda, Saint Kits dhe Nevis, Saint Lucia, Saint Vincent dhe Grenadines, Senegal, Sierra Leone, Somalia, Sudani Jugor, Sudan, Siria, Tanzania, Tailanda, Togo, Tunizia, Uganda, Uruguaj, Uzbekistan and Jemen.
Gazeta Si – Debati mbi ambiciet e Donald Trump për Groenlandën, një ishull të madh që i përket Mbretërisë së Danimarkës, është përqendruar në kërcënimet dhe interesat e Shteteve të Bashkuara nga njëra anë dhe në përgjigjet e Evropës dhe veçanërisht të Danimarkës, nga ana tjetër.
Shumë shpesh, ajo injoron mendimet e atyre që janë drejtpërdrejt të interesuar: popullsia e Groenlandës, e cila, shkurt, nuk dëshiron të dijë asgjë rreth planeve të aneksimit të Shteteve të Bashkuara apo joshjeve të tyre ekonomike.
Fraza “Ne nuk jemi në shitje”, është një temë e përsëritur, një qëndrim i mbajtur edhe nga qeveria lokale dhe ka qenë i tillë që nga fillimi.
Ishte shkruar në tabelat në demonstratën anti-Trump marsin e kaluar në kryeqytetin Nuuk, më e madhja në historinë e Groenlandës (rreth një mijë njerëz, një numër i madh për një total prej 57,000 banorësh, një e treta e të cilëve jetonin në Nuuk).
Lasse Lindegaard shton një emocion të tretë në listë: lodhjen. Lindegaard është gazetar për televizionin publik danez DR, i cili kaloi pjesën më të madhe të vitit të kaluar në Groenlandë dhe është ende atje.
“Ndihet si déjà vu, por në një kuptim negativ: është sikur e gjithë bota tani e ka kuptuar absurditetin e situatës”, thotë ai.
Ai thekson se në Groenlandë, planet ekspansioniste të Trump u morën seriozisht një vit më parë, kur presidenti filloi të fliste për to me këmbëngulje.
“Është e tepërt”, është fraza që Lindegaard e ka dëgjuar më shpesh gjatë një viti intervistash. Kjo vlen për madhësinë e situatës, për valën e vëmendjes që po i drejtohet një vendi që nuk ka marrë kurrë kaq shumë; për fluksin e gazetarëve të huaj, të gjithë me të njëjtat pyetje.
Sigurisht, kjo vlen edhe për Trumpin. “Njerëzit janë të ngopur me një president që nuk ka bërë asgjë për t’u folur drejtpërdrejt atyre ose qeverisë së Groenlandës, por megjithatë flet për ta si për pasuri të paluajtshme, si për një copë tokë që mund ta blejë”, thotë Lindegaard.
Narrativa që rrethon aneksimin e mundshëm të Groenlandës në Shtetet e Bashkuara është ajo e një blerjeje të madhe.
Partitë politike të Groenlandës kanë thënë se e konsiderojnë atë mungesë respekti, në një deklaratë të rrallëtë përbashkët duke bërë thirrje për të drejtën e vetëvendosjes: “Ne nuk duam të jemi amerikanë, nuk duam të jemi danezë, duam të jemi groenlandezë”.
Sipas një sondazhi, 85 përqind e banorëve të Groenlandës të intervistuar kundërshtojnë mundësinë që vendi të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara.
Kjo ndodhi në fillim të vitit 2025, por që atëherë administrata Trump nuk e ka ndryshuar qasjen e saj. Përkundrazi, ajo është bërë më kërcënuese dhe e paturpshme në lidhje me mundësinë e blerjes së Groenlandës, duke shpërfillur vazhdimisht vullnetin e popullsisë, madje edhe në komunikimet e saj në kanalet zyrtare të Shtëpisë së Bardhë.
Një pamje ajrore e kryeqytetit, Nuuk
Verën e kaluar, u zbulua një operacion i dyshuar spiunazhi amerikan, që synonte të ndikonte në politikën lokale, duke synuar kështu një vend gjoja aleat.
Dhjetorin e kaluar, Trump emëroi një të dërguar special i cili e përshkroi misionin e tij si “bërjen e Groenlandës pjesë të Shteteve të Bashkuara”.
Kohët e fundit, doli në pah se qeveria amerikane po shqyrton ofrimin e stimujve ekonomikë për banorët e Groenlandës, me shuma midis 10,000 dhe 100,000 dollarëve për person, dheinvestiminnë industrinë lokale të minierave.
Postimi në mediat socialei podkaster-es Katie Miller, që paraqiste një hartë të Groenlandës të ngjyrosur me flamurin amerikan dhe fjalën “Së shpejti”, shkaktoi zemërim të gjerë në Groenlandë.
Miller është gruaja e Stephen Miller, zëvendësshefit të stafit të Trump, i cili konsiderohet si një nga figurat më me ndikim në administratën e tij.
Në përgjigje të postimit, shumë njerëz ndanë të njëjtën hartë në profilet e tyre në mediat sociale, por të mbështjellë me flamurin kombëtar të kuq e të bardhë (përfshirë këngëtaren Björk, e cila është islandeze).
Për më tepër, reputacioni i Shteteve të Bashkuara në Groenlandë është historikisht i lidhur me një aksident ajror në vitin 1968.
Një bombardues amerikan B-52 u rrëzua në një fjord pranë bazës ajrore amerikane në Pituffik (ende në funksionim) duke mbajtur katër bomba atomike që teorikisht nuk ishte i autorizuar t’i transportonte në territorin danez: një pjesë e njërës prej të tyre nuk u gjet kurrë, edhe pse nuk kishte ndotje serioze.
Ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara filloi në një kohë kur Groenlanda po diskutonte tashmë një temë tjetër të debatuar ashpër: pavarësinë nga Danimarka.
Shumica e popullsisë është pro, siç tregon sondazhi i lartpërmendur, dhe qeveria e mëparshme e Groenlandës, po përpiqej ta bënte këtë: ajo kishte njoftuar një referendum, por më pas e anuloi atë kur ndërhyri Trump. Partia më e kujdesshme për këtë çështje fitoi zgjedhjet e marsit të kaluar.
Pavarësia është e lidhur pazgjidhshmërisht me të kaluarën koloniale të Danimarkës, e cila deri pak vite më parë – dhe, në fakt, deri te Trump – e kishte shmangur këtë çështje.
Gjatë shekujve të sundimit danez, identiteti inuit ishte i shtypur dhe i mohuar: edhe në shekullin e njëzetë, pati raste të fëmijëve të marrë nga familjet e tyre dhe mijëra gra që kishin spirale kontraceptive të implantuara pa pëlqimin e tyre, për të kufizuar popullsinë.
Qeveria daneze kërkoi falje për spiralet vetëm në vitin 2025, të njëjtin vit që shfuqizoi edhe një test prindëror që diskriminonte grenlandezët.
Baza ushtarake amerikane në Pituffik, Groenlandë
Për këtë arsye, është e rëndësishme për qeverinë dhe për shoqërinë e Groenlandës në përgjithësi, që narrativa të mos jetë ajo e një zgjedhjeje binare midis Shteteve të Bashkuara dhe Danimarkës: domethënë, midis një ndikimi të ri dhe një ndikimi aktual, i cili po përpiqet të rehabilitojë veten ose të thotë: “Në fund të fundit, nuk ishim aq keq” (madje edhe duke mobilizuar monarkinë).
Groenlanda ka pasur qeverinë e vet që nga viti 1979 dhe ka gëzuar autonomi të gjerë nga Danimarka që nga viti 2009, por gjysma e buxhetit të shtetit varet nga pagesat vjetore nga Danimarka: afërsisht 580 milionë euro, të cilave qeveria daneze është zotuar t’u shtojë një shumë të vetme prej 214 milionë eurosh midis viteve 2026 dhe 2029.
Pikërisht për shkak të abuzimeve të kryera në të kaluarën koloniale, një segment i politikës së Groenlandës, tani një pakicë, bën pak dallim midis Shteteve të Bashkuara dhe Danimarkës dhe do të mirëpriste një marrëveshje ekonomike me të parën.
Kjo përkon me Naleraq, partinë nacionaliste që doli e dyta në zgjedhjet e marsit dhe është e vetmja parti opozitare (qeveria mbështetet nga katër nga pesë partitë që hynë në parlament, në një lloj uniteti kombëtar).
Disa fëmijë luajnë në Nuuk, në një foto nga shkurti i kaluar
Për më tepër, Jørgen Boassen, përfaqësuesi i Trump në Groenlandë, është gjithashtu afër qëndrimeve të Naleraq.
Udhëheqësit e Naleraq e shohin ndërhyrjen e Trump si një përshpejtues të mundshëm të procesit të pavarësisë dhe mbështesin një pragmatizëm mjaft cinik.
Aki-Matilda Høegh-Dam, një anëtare e Parlamentit Danez për Naleraq (ku Groenlanda ka dy vende), argumentoi në një intervistëse negociatat janë më të mira: “Shtetet e Bashkuara do të vijnë për Groenlandën gjithsesi, kështu që ne duhet të përpiqemi të nxjerrim diçka prej saj”.
Një takim është planifikuar për sot midis Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve Marco Rubio dhe ministrave të Jashtëm të Groenlandës dhe Danimarkës.
Nga Gazeta ‘Si’- Partia Socialiste dhe ajo Demokrate arritën një dakordësi paraprake për reformën territoriale pavarësisht se kjo e fundit më vonë bojkotoi Komisionin pas zgjedhjes së Endri Shabanit si Avokat Populli.
Sipas burimeve, deri tani socialistët dhe demokratët kanë rënë dakord për mënyrën se si do të ndryshojë harta e pushtetit vendor në vend, duke e ndarë atë në dy nivele funksionimi.
Reforma administrativo-territoriale mësohet se është shtrirë jo vetëm në ridizenjimin e hartës së pushtetit vendor por edhe në ndryshimin e kompetencave. Palët kanë gjetur dakordësinë për të rritur numrin e tyre, nga 61 aktualisht në mbi 90 të tilla, por me kompetenca më të cunguara.
Këtë gjë e pati paralajmëruar edhe Luciano Boçi, bashkëkryetari i opozitës, në një tryezë të mbajtur në 27 nëntor.
“Ajo që na ka bërë bashkë nuk është në fakt BE por dështimi i reformës së 2015, që u kthye në një centralizim duke i hequr kompetenca pushtetit lokal dhe duke e çuar qeverisjen vendore në mos funksionim në disa territore. Kërkesa kryesore është më shumë bashki dhe më shumë shërbime. Pra një Reformë e re Territoriale. Jemi këtu për të bashkëpunuar, por jo për të qenë bashkë për një rezultat që mazhoranca ka parapërgatitur”, tha Boçi.
Sipas kësaj dakordësie paraprake, socialistët kishin pranuar rritjen e numrit të bashkive me kushtin që ato të kishin kompetenca më të reduktuara fokusuar vetëm te çështjet e administrimit të qytetit, ndërsa kompetencat e mëdha do t’i kalojnë qarqeve, të cilat mund të ndryshojnë emër, me opsionin që mund të quhen superbashki.
Qarqet sipas propozimi do të drejtohen nga të zgjedhur vendor të cilët do të kenë kompetencë jo vetëm financat e territorit që do të administrojnë, por edhe politikat dhe strategjitë e zhvillimit.
Kryetar dhe Këshilli i Qarkut do të duhet të zgjidhen direkt nga qytetarët me votë.
Megjithatë, në sfondin e ri ku PD ka zgjedhur të bojkotojë komisionet, si për reformën Territorale ashtu edhe për atë Zgjedhore, kjo dakordësi mbetet e ngrirë.
Gazeta Si – Ish-kryeministrja ukrainase, Julia Timoshenko, po përballet me probleme ligjore. “Zonja e Hekurt” e Kievit është vënë në shënjestër nga autoritetet antikorrupsion për dyshimin se është përpjekur të “blejë” votat e disa parlamentarëve ukrainas.
Sipas raporteve të mediave lokale, selia e Partisë Batkivshchyna u bastis natën e 13-14 janarit. “Mbi tridhjetë burra të armatosur rëndë”, – u ankua Timoshenko, “pa paraqitur asnjë dokument, në fakt pushtuan ndërtesën dhe morën peng punonjësit e saj. Unë i hedh poshtë kategorikisht të gjitha akuzat absurde. Duket se zgjedhjet janë shumë më afër nga sa dukeshin. Dhe dikush ka vendosur të fillojë spastrimin e kundërshtarëve të tyre”.
Një figurë qendrore në politikën ukrainase gjatë njëzet viteve të fundit, Yulia Tymoshenko ka shërbyer dy herë si kryeministre dhe konsiderohet si një nga protagonistet e Revolucionit Portokalli të vitit 2004.
Një udhëheqëse historike e opozitës ndaj qeverive pro-ruse, ajo ka qenë vazhdimisht në qendër të përplasjeve politike dhe gjyqësore: në vitin 2011, ajo u dënua dhe u burgos me akuza të konsideruara arbitrare nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, vetëm për t’u liruar në vitin 2014 pas ndryshimit të pushtetit në Kiev.
Duke mbetur një prani me ndikim në skenën politike, Tymoshenko vazhdon të udhëheqë Partinë Batkivshchyna dhe është një nga zërat më kritikë të establishmentit aktual.
Nga Gazeta ‘Si’- Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, shprehu mbështetje për Groenlandën të mërkurën, duke thënë se ishulli Arktik, të cilin Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është zotuar ta pushtojë, “i përket popullit të tij”.
“Për mua është e rëndësishme që grenlandezët ta dinë, dhe e dinë këtë me vepra, jo vetëm me fjalë, se ne i respektojmë dëshirat e grenlandezëve dhe interesat e tyre dhe se ata mund të mbështeten tek ne”, tha ajo në një konferencë për shtyp në Bruksel.
Komentet e saj vijnë ndërsa zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio do të presin ministrat e jashtëm danezë dhe të Groenlandës në Shtëpinë e Bardhë më vonë të mërkurën.
Ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Lokke Rasmussen, u tha gazetarëve se ai dhe homologia e tij nga Groenlanda, Vivian Motzfeldt, kishin kërkuar një takim me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, pasi ai përshkallëzoi kërcënimet e tij për të aneksuar territorin vetëqeverisës danez.
Gazeta Si – Dyshohet se ata transferuan të paktën 4 milionë euro jashtë vendit, të vjedhura nga qindra kursimtarë që besonin se po i investonin në tregti online.
Për të kryer mashtrimin, dyshohet se përdorën qendra thirrjesh “Call Center” në Shqipëri, një galaktikë llogarish dhe kompanish jashtë vendit, si dhe një rrjet bashkëpunëtorësh në të gjithë vendin.
Shtatë persona janë shpallur fajtorë, me dy deri në tre vjet burg me akuzën e pastrimit të parave, ndërsa i pandehuri i fundit – një 45-vjeçar shqiptar, i përfaqësuar nga Alessandro Pantosti – është ende në gjyq (me procedurë të zakonshme) me akuzat se ka vepruar si oficer ndërlidhës midis “trurit të mashtrimit”, që janë dy vëllezër shqiptarë dhe dhe agjentëve përgjegjës për transferimin e parave në llogaritë bankare italiane dhe më pas transferimin e tyre jashtë vendit.
Kallëzimi i pensionistit
Skema u nxor në dritë falë denoncimit të një pensionisti nga Torino, i cili depozitoi 40,000 euro, pasi u bind në telefon për të investuar në internet, i joshur nga marzhet e larta të fitimit.
Për të shmangur ngjalljen e dyshimeve, ndalesa e parë e parave ishte një llogari bankare italiane (grupi kishte hapur llogari në degët e bankave në Orbassano, Rivoli dhe Grugliasco), dhe vetëm më vonë fondet u transferuan jashtë vendit. Destinacionet përfundimtare? Shqipëria, Turqia, Kina, Dubai, Ishujt Marshall dhe Ishujt Kanarie.
Sipas zyrës së prokurorit, dy biznesmenë nga Torino (të cilët gjithashtu pranuan fajësinë), ishin të përfshirë në operacionin e pastrimit të parave: ata dyshohet se i bënë llogaritë bankare në emrat e kompanive të tyre me seli në Bukuresht dhe Maltë, “të disponueshme përgjithmonë” dhe përfshinin biznesmenë të tjerë të gatshëm të vepronin si administratorë të kompanive fiktive në këmbim të një përqindjeje të të ardhurave nga mashtrimi.
Në atë pikë, 45-vjeçari shqiptar, i dyshuar si oficer ndërlidhës – i cili udhëtonte midis Torinos dhe Tiranës – hyri në lojë, i ngarkuar me identifikimin e kompanive të huaja dhe llogarive bankare, në të cilat do të transferoheshin fondet.
Ai, i vetmi që zgjodhi të mbrohej në gjyq, pohon se nuk ishte në dijeni të mashtrimit dhe se e konsideronte punën e tij si të zakonshme dhe legjitime.
Humbje që arrijnë në qindra mijëra euro
Në këtë mashtrim, kursimtarët individualë humbën deri në 350,000 euro, ndërsa ata që kishin më shumë fat, panë “vetëm” 2,000 ose 3,000 euro të zhdukeshin.
Shumë të tjerë investuan në transhe të shumëfishta, të siguruar nga kurbat në rritje në ndërfaqen grafike përmes së cilës supozohej të monitoronin investimet e tyre.
Midis tyre ishin profesorë universiteti, sipërmarrës dhe tregtarë. Hetimi, i koordinuar nga prokurorja Giulia Marchetti, u krye duke përdorur aktivitete tradicionale dhe të inteligjencës në “blockchain”, si dhe duke analizuar materialet e sekuestruara në kërkimet e mëparshme në zonën e Torinos.
Dy mendjet e mashtrimit – dy vëllezër shqiptarë – u arrestuan në fund të vitit 2024 midis Vlorës dhe Tiranës dhe u ekstraduan në Itali.
Ata akuzohen për veprat penale, pastrim parash, të fituara në mënyrë të paligjshme përmes tregtisë online.
Hetimet e koordinuara nga Eurojust dhe SPAK, zbuluan një skemë të sofistikuar, ku shumat e paligjshme janë pastruar përmes kriptomonedhave dhe përdorimit të kompanive guaskë, duke fshehur origjinën e fondeve të fituara në mënyrë të paligjshme.
Gjatë operacionit në dhjetor 2024, janë sekuestruar në Itali pasuri që arrijnë vlerën e 4 milionë eurove, që dyshohen se janë të lidhura me aktivitetet kriminale të dyshuar.
Gazeta Si – Një ditë pas arratisjes së Altin Ndocit në Spitalin e Durrësit, ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka firmosur sot shkarkimin e drejtorit të IEVP Durrës, Indrit Cërloj.
Veç shkarkimit të drejtorit, Lamallari ka kërkuar nga drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, një plan të ri të vlerësimit të sigurisë dhe rishpërndarjes mbi bazën e rrezikshmërisë së të dënuarve dhe paraburgosurve në IEVP Durrës, duke konsideruar edhe transferimin në burgje të tjera të sigurisë së lartë.
Po kështu, ditën e djeshme u krye menjëherë pezullimin e nga detyra të të gjithë zinxhirit komandues të IEVP Durrës.
Nga verifikimet paraprake, rezulton se IEVP Durrës për shoqërimin e Ndocit në spital, nuk ka raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi.
Gjithashtu, rezulton se nuk janë respektuar procedurat standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve.
Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka quajtur sulm politik hetimin pasuror ndaj tij, ku disa figura të PD janë thirrur në SPAK për t’u pyetur mbi financimin e Kuvendit Kombëtar të 11 dhjetorit 2021, që u mbajt në stadium.
Berisha tha se sipas tij hetimi i pasurisë është bërë me lupë, ndërsa hodhi akuza ndaj prokurorëve të SPAK që po merren me këtë çështje, duke thënë se janë primitivë dhe mashtrojnë publikisht.
“Hetimi pasuror i Berishës, është bërë me lupë, është finalizuar dhe është dërguar me kohë në gjykatë. Ky hetim politik që bëhet, nuk ka lidhje me asnjë hetim pasuror të Sali Berishës dhe të fëmijëve të tij. Është një hetim i mirëfilltë politik për Kuvendin e Rithemelimit për të cilin unë nuk kam asnjë vërejtje. Unë kam thënë dhe them, prokuroria duhet të jetë e lirë dhe ne qëndrojmë të hapur për çdo lloj veprimi. Por lidhja është mashtrim që ish xhelati i sigurimit të shtetit, në bashkëpunim me Dumanin i bënë çështjes. Janë primitiv, sepse në qoftë se ata do ta bënin atë hetim, unë do ta quaja gjë normale.
Por faktin që ata nuk kanë çfarë të hetojnë, duan ta lidhin me diçka që të gënjejnë dëshmon se ata po bëjnë një hetim politik”, tha Berisha.
Kreu i PD tha se nuk dinte asnjë shifër se sa ka shkuar fatura e Kuvendit Kombëtar, ndonëse shprehet se çdo faturë është e deklaruar.
“Është deklaruar çdo gjë, çdo financim i çdo personi. Kjo është deklaruar, nuk ka asgjë të fshehur. Dhe personat që e kanë financuar e kanë deklaruar atë sapo janë pyetur. Dhe ata besoj se po thërrasin emra, pra e dinë që këta kanë deklaruar. Kjo është e tëra. Asnjë shifër nuk kam parasysh”, tha Berisha.
Kujtojmë se gjatë kësaj jave, SPAK ka marrë në pyetje deputetin Belind Këlliçi dhe sekretarin për Diasporën në PD, Indrit Hoxha, në lidhje me hetimin që po bën për Kuvendin e Rithemelimit.
Gazeta “SI”- Data 14 janar 1990 shënon një moment historik për Shqipërinë: në Shkodër u zhvillua demonstrata e parë antikomuniste që hapi rrugën për rrëzimin e regjimit komunist, i fundit diktatorial në Evropën Lindore. Qytetarët e Shkodrës dolën në mënyrë spontane në rrugët e qytetit për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj regjimit, duke u bërë protagonistë të një ngjarjeje që do të mbetej në kujtesën e kombit.
Në atë ditë historike, mijëra shkodranë u grumbulluan në qendër të qytetit dhe tentuan të rrëzonin bustin e Stalinit, një simbol i regjimit komunist. Megjithatë, policia dhe ushtria e kohës ndërhynë dhe shpërndanë turmën me dhunë. Pas demonstratës, dhjetëra protestues u arrestuan dhe u dhunuan barbarisht në burgje, ndërsa regjimi tentonte të frikësonte qytetarët në përpjekje për të ruajtur kontrollin.
Ngjarja, për rëndësinë dhe kontekstin e saj historik, u konsiderua menjëherë si demonstrata e parë antikomuniste në Shqipëri. Ajo pati jehonë jo vetëm brenda vendit, por edhe në mediat ndërkombëtare, duke u analizuar si një shenjë e hershme e valës së ndryshimeve demokratike që do të përfshinin Shqipërinë.
Lek Kurti, pjesëmarrës në demonstratë, kujton se lëvizja u nxit nga ndryshimet që po ndodhnin në Evropën Lindore. Në një intervistë për eetimestv, ai rrëfen se një natë para protestës, sigurimi i shtetit ushtronte terror nëpër lagjet e qytetit, duke arrestuar të paktën katër persona që dyshohej se po organizonin reagimin qytetar. Megjithatë, përpjekjet e regjimit për të ndaluar protestën dështuan.
Filip Guraziu, në një shkrim të mëparshëm do të theksonte rëndësinë e Shkodrës në këtë ngjarje:
“Nuk mund të konsiderohet rastësi që demonstrata e parë antikomuniste u zhvillua pikërisht në Shkodër. Populli i këtij qyteti dhe i malësive përreth kishte treguar më parë se komunizmi ishte i huaj për ta. Ky popull, i ndikuar historikisht nga tradita e lirisë dhe kontaktet me kulturën perëndimore përmes tregtisë dhe Kishës Katolike, nuk mund të pranonte kurrë diktaturën dhe dogmën komuniste. Rezistenca e armatosur e Kelmendasve në Janar 1945 dhe kryengritja e përgjakshme e Postribës në vitin 1946 janë shembuj të veçantë në historinë e Shqipërisë.”
Terrori politik pas 14 janarit nuk mundi të thyente shpirtin demokratik të shkodranëve. Përkundrazi, ai u shndërrua në një katalizator për protesta më të ashpra dhe të gjera në mbarë vendin, duke frymëzuar qytetarët në qytete të tjera. Historia e demokracisë shqiptare kujton me respekt revoltën e shkodranëve në 16 Qershor 1990, 11 Nëntor 1990, 13 Dhjetor 1990 dhe 2 Prill 1991.
Guraziu thekson se demonstrata e 14 janarit 1990 duhet të përkujtohet jo vetëm në Shkodër, por në të gjithë Shqipërinë, si momenti kur u hodh “guri i parë” i themeleve të demokracisë post-komuniste.
Sipas tij, qindra qytetarë u arrestuan dhe shumë prej tyre u torturuan. Dhjetë prej aktivistëve kryesorë, Dedë Kasneci, Gjergj Livadhi, Rin Monajka, Kolec Hublina, Flamur Elbasani, Nikolin Margjini, Tonin Dema, Nikolin Thana, Klaudio Daka dhe Aldo Perizi u dënuan me vite të gjata burg. Gjashtë të tjerë – Gjovalin Rolba, Gjovalin Zefi, Ndoc Leqejza, Pjerin Veli, Paulin Shtjefni dhe Viktor Martini – u dërguan në spitale psikiatrike, ndërsa shumë familje u internuan. Rin Monajka, një nga të burgosurit, doli nga burgu me gjendje invaliditeti ekstrem për shkak të torturave shtazarake.
Studiuesi Kastriot Dervishi ofron një pasqyrë të veprimeve të Sigurimit të Shtetit para dhe gjatë demonstratës. Sipas tij, regjimi kishte marrë masa të rrepta për të parandaluar protestën. Dega e Punëve të Brendshme dhe Komiteti i PPSH-së dërguan njerëz të infiltruar për të monitoruar grumbullimin, i cili u filmua në mënyrë të fshehtë. Materiali i filmimit nuk dihet ku ka përfunduar. Hetuesia vlerësoi pjesëmarrësit në rreth 2000 veta dhe identifikoi Rini Monajkën si figurën kryesore të demonstratës.
Rin Monajka u arrestua për pjesëmarrje në organizimet me qëllim rrëzimin e bustit të Stalinit në Shkodër, në datat 11-14 janar 1990. Rini ishte me origjinë austriake dhe punonte në ndërmarrjen e peshkimit. Bashkë me Dedë Kasnecin, u bënë figurat kryesore të këtyre lëvizjeve antikomuniste në qytet.
U gjykua më 25-30 prill 1990 nga Gjykata e Lartë në Tiranë. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me vendimin nr.2 të, datë 30.4.1990 i deklaroi fajtorë të pandehurit dhe i dënoi me heqje lirie. Rin Monajka u dënua me 7 vjet burg. Gjykata e konsideronte “demonstratë antisocialiste” dhe të pandehurit “me rrezikshmëri të madhe shoqërore”.
Intensiteti i veprimeve u shfaq kryesisht midis 13 dhe 16 janarit 1990. Përveç arrestimeve, u rrit shpërndarja e fletushkave dhe parullave antikomuniste. Më 15 janar u hodh një dinamit pranë Komitetit të Partisë, por ai nuk shpërtheu falë vigjilencës së policisë. Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Zylyftar Ramizi, raportoi se qëllimi i demonstratës ishte rrëzimi i bustit të Stalinit dhe më pas takimi me sekretarin e parë të Komitetit të PPSH-së, Xhemal Dymylja, për të kërkuar liri shtypi, fjalë dhe demokraci. Hetuesia përqendroi hetimet te pjesëmarrësit dhe ata që kishin shkruar parullat.
Nga Gazeta ‘SI’ – Një raport monitorimi i organizatës Qëndresa Qytetare ka gjetur se qindra projekte të parashikuara nga qeveria, në buxhetin e vitit 2024, kanë mbetur vetëm në letra.
Sipas QQ-së, disa nga projektet e parealizuara janë jetike për vendin dhe do të ndikonin në përmirësimin e jetesës së qytetarëve.
Konkretisht, bëhet fjalë për 275 projekte investimesh të parashikuara në Planin Buxhetor, me një vlerë totale rreth 33.7 miliard lekë nga 7 ministritë kryesore.
Në ministrinë e Bujqësisë 11 projekte (2.87 miliard lekë), përfshirë cilësinë dhe kontrollin e ushqimit, nuk janë nisur.
Në ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjitikës, 120 projekte (11.96 miliard lekë), kryesisht ndërtimi dhe rehabilitimi i ujësjellësve; 112 projekte ujësjellësash nuk u realizuan.
Financat dhe Ekonomia: 24 projekte (2 miliard lekë), kryesisht për përmirësimin e banimit dhe lehtësimin e tregtisë.
Arsimi dhe Sportet: 59 projekte (4.3 miliard lekë), përfshirë transportin për nxënës dhe mësues, laboratorë dhe projekte kërkimore.
Shëndetësia dhe Mirëqënia Sociale: 21 projekte (836 milionë lekë), kryesisht ndërtimi i qendrave shëndetësore dhe furnizimi me pajisje laboratorike.
Brendshme: 20 projekte (1.06 miliard lekë), për modernizimin e sistemeve dhe parandalimin e rreziqeve të sigurisë.
Mbrojtja: 20 projekte (10.68 miliard lekë), përfshirë modernizimin dhe rritjen e kapaciteteve në kuadër të NATO-s.
Në përfundim, Qëndresa Qytetare rekomandon që për të përmirësuar situatën, duhet rritur transparenca dhe të gjurmohet me kujdes ecuria e projekteve publike, duke vendosur një kod unik për secilin projekt që të lehtësohet monitorimi. Po ashtu, projektet, sugjeron QQ, duhet të klasifikohen sipas rëndësisë, duke i dhënë përparësi atyre më strategjikë, ndërsa çdo mos-realizim duhet shpjeguar publikisht, për të garantuar llogaridhënie dhe besueshmëri ndaj qytetarëve dhe parave të tyre.
Gazeta Si – Përveç se Altin Ndoci sulmoi policët për të vënë në zbatim planin e tij të arratijes, ka përfituar edhe nga mungesa e zbatimit të protokollit nga ana e policëve që e shoqëronin.
Teksa ka pranuar dështimin e masave të sigurisë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, me një deklaratë zyrtare, konfirmon se për shoqërimin e të burgosurit, burgu i Durrësit nuk ka informuar as institucionin qendror dhe as komisariatin vendor për vizitën mjekësore.
Sipas Drejtorisë së Burgjeve, ai ishte dërguar për vizitë mjekësore pas rekomandimit të mjekut të institucionit.
Verifikimet paraprake kanë zbuluar shkelje të rënda procedurale, pasi vizita mjekësore nuk ishte raportuar dhe nuk janë respektuar protokollet standarde të shoqërimit.
“Nga verifikimet paraprake rezulton se, për shoqërimin e planifikuar, IEVP Durrës nuk ka informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Komisariatin e Policisë Durrës, si dhe nuk ka raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi. Gjithashtu, rezulton se nuk janë respektuar procedurat standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Burgjet po ashtu sqarojnë edhe dinamikën e arratisjes së 39-vjeçarit. Në reagimin e gjatë, ku bëhet me dije se është pezulluar i gjithë zinxhiri komandues i burgut dhe janë arrestuar 8 persona, theksohet se pasi i ishte bërë kontrolli, Ndocit i ishte rekomanduar të rikontrollohej pas 2 orësh dhe gjatë kësaj kohe ai ka kërkuar të shkojë në tualet, ku më pas ka goditur punonjësit që e shoqëronin dhe ia ka mbathur me vrap.
Kjo ngjarje i kushtoi lirinë tetë personave deri më tani, shtatë punonjësve të Policisë së Burgjeve dhe kryeinfermierit të burgut të Durrësit.
“Nisur nga të dhënat paraprake, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, është pezulluar i gjithë zinxhiri komandues i IEVP Durrës, me qëllim garantimin e një procesi të rregullt ligjor dhe administrativ, konkretisht: z. Indrit Cerloj – Drejtor i IEVP Durrës; z. Afrim Zeqiraj – Shef i Policisë; z. Dezdemon Pazaj – Shef i Policisë IEVP Durrës (i komanduar); znj. Ylfete Sema – Shefe e Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor; z. Aulon Quku – Kryeinfermier; z. Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve; z. Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve; z. Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve; z. Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve; z. Idajet Calamaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve; z. Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve; znj. Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve”.
Po ashtu, me qëllim garantimin e një procesi të rregullt ligjor dhe administrativ, Drejtoria e Burgjeve pezulloi 12 zyrtarë të burgjeve, mes tyre edhe drejtuesin e burgut të Durrësit.
“Referuar ngjarjes dhe veprimeve të ndërmarra, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në bashkëpunim me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, ka vendosur ndalimin e shtetasve të mëposhtëm: Komisar Dezdemon Pazaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve; Komisar Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve; Kryeinspektor Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve; Inspektor Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve; Inspektor Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve; Inspektor Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve; Kryeinspektor Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve; Kryeinfermier Aulon Quku – Punonjës i IEVP Durrës”.
Altin Ndoci cilësohet nga autoritetet si një personazh me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Me origjinë nga Lezha dhe banim në Tiranë, ai është arrestuar nga SPAK në Tiranë 6 vite më parë gjatë operacionit “Plumbi i Artë”.
Dëshmitë e disa bashkëpunëtorëve të drejtësisë e kanë përfshirë në disa vrasje të bujshme, mes tyre edhe masakra e Bradasheshit, por më pas fitoi pafajësinë.
Ai mbahej në burg gjithsesi i akuzuar për armëmbajtje pa leje dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, i dyshuar si bashkëpunëtor i klanit “Çopja” në Elbasan.
Nga Gazeta ‘Si’- I dërguari special i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, dhe dhëndri i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Jared Kushner, po shqyrtojnë mundësinë e një udhëtimi në Moskë për t’u takuar me presidentin rus Vladimir Putin, shkruanBloomberg.
Sipas Bloomberg, takimi mund të zhvillohet brenda këtij muaji, megjithatë planet nuk janë përfundimtare dhe data mund të shtyhet për shkak të situatës së tensionuar në Iran.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha për Bloomberg se aktualisht nuk është planifikuar një takim i tillë.
Sipas raportimit, zyrtarët amerikanë pritet t’i paraqesin Putinit dhe ekipit të tij draftin më të fundit të propozimeve për paqe.
Bisedimet pritet të përfshijnë garancitë e sigurisë nga SHBA-ja dhe Evropa për mbështetjen e çdo marrëveshjeje të mundshme, si dhe rindërtimin e Ukrainës pas përfundimit të luftës.
Në deklarata të bëra më herët këtë muaj, Donald Trump shprehu pakënaqësi ndaj Vladimir Putinit për vazhdimin e luftës në Ukrainë, duke përsëritur se fillimisht kishte besuar se përfundimi i konfliktit do të ishte një proces i lehtë.
Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se PD do të depozitojë një kallëzim në SPAK për ‘Durana Park’.
“Do të dërgojmë në SPAK provat dhe do të bëjmë padi për Durana Park. Si në çdo skandal. Për një kohë të gjatë Dumani i ka konservuar ato dhe ka bërë që mos të përfillen. Paditë tona janë të bazuara në ligj dhe të pakundërshtueshme. Ne do t’i dërgojmë. Aty mbeten. Rama dhe Dumani mendojnë se mund të shpëtojnë nga djegësi i Tiranës dhe nga Durana, apo çështje të tjera. Por mos të shpresojnë”, tha ai.
Sipas tij, ky park tenologjik është një abuzim identik si ai me inceneratorin në zonën e Sharrës.
Ndonëse thotë që është një investim që i ka kushtuar shqiptarëve 130 milionë euro, Berisha shton se nuk ka asnjë gjurmë të tij.
“Nëse do shkoni në Sharrë për të gjetur investimin 130 milionë euro taksa të shqiptarëve për djegien e plehrave, nuk do gjeni asnjë tullë dhe gjurmë të tij”, tha Berisha, ndërsa shtoi se “Durana apo Troplana e famshme e Edi Ramës është identike”.
Ai akuzoi edhe Koorporatën e Investimeve Shqiptare që do ketë kontrollin e këtij investimi shtetëror, duke akuzuar drejtpërdrejtë si pjesë të skemës korruptive drejtoreshën e institucionit Elira Kokona, duke e krahasuar me “Mirlindën e AKSHI-t apo Ballukun”.
“Tenderi varet nga tarifa e paguar. Nëse i paguaje Frangut deri në 5 mijë euro, e merrje, kurse për kategorinë platinuim duheshin negociata të larta, deri te Armand Frangu, allias Ermal Beqiri. Legalizimi i parajsës së Troplinëve, ata kanë aksionet e tyre, nuk i japin kot livadhet e tyre.
45 ditë pas krijimit të ACTI, më 20 shkurt të 2025, me shpejtësi regjistrohet në QKB kompania shtetërore Durana Tech Park, dhe i kalon drejtimi Koorporatës së Investimeve Shqiptare, me në krye Elira Kokonën. Çfarë është kjo, kjo është Mirlinda e AKSHI-t. Përcaktohet Xhafzotaj si zonë e lirë. Elira Kokona ishte garantuesja ligjore e statusit të parkut Dorana. Çfarë është kjo Elira Kokona? Kjo është Mirlinda e AKSHI-t, por në prona”, tha Berisha mes të tjerash.
Berisha tha se me këtë skemë i hapet rruga edhe e përjashtimit nga taksat për këto kompani përfituese, të ndara në katër kategori sipas pagesave: “Golden”, “Silver”, “Platinuim” dhe individuale.