Financial Times: Kina ka hakeruar email-et e Kongresit Amerikan dhe po i përgjon
Kina ka hakuerar email-et e përdorura nga Kongresi Amerikan në komisione të fuqishme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, si pjesë e një fushate masive spiunazhi kibernetik të njohur si Salt Typhoon.
Sipas personave të njohur me sulmin, inteligjenca kineze ka hyrë në sistemet e email-it të përdorura nga disa punonjës të komisionit të Dhomës, si dhe nga ndihmës të komisioneve për punët e jashtme, inteligjencën dhe shërbimet e armatosura. Ndërhyrjet u zbuluan në dhjetor.
Sulmet janë elementi më i fundit i një fushate të vazhdueshme kibernetike kundër rrjeteve të komunikimit amerikan nga Ministria e Sigurisë së Shtetit, shërbimi inteligjent i Kinës. Një person i njohur me sulmin tha se nuk ishte e qartë nëse MSS kishte pasur akses në email-et e ligjvënësve.
MSS ka operuar Salt Typhoon prej disa vitesh. Ajo i lejon Kinës të ketë akses në telefonatat, mesazhet dhe postat zanore të pakriptuara të pothuajse çdo amerikani dhe, në disa raste, mundëson edhe hyrjen në llogari email-i.
Salt Typhoon ka përgjuar gjithashtu thirrjet e zyrtarëve të lartë amerikanë gjatë dy viteve të fundit, thanë persona të njohur me fushatën.
Mark Warner, demokrati më i lartë në komisionin e inteligjencës të Senatit, tha në dhjetor se ishte “e pakuptueshme” që Salt Typhoon nuk po merrte më shumë vëmendje. “Nëse nuk jeni në një pajisje të enkriptuar, ata mund të përgjojnë cilindo prej nesh,” i tha Warner grupit Defense Writers Group.
Jake Sullivan, këshilltari për sigurinë kombëtare i ish-presidentit Joe Biden, i tha Financial Times vitin e kaluar, pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë, se kompanitë amerikane të telekomunikacionit ishin “jashtëzakonisht të cenueshme” ndaj Salt Typhoon.
Kjo fushatë është një nga shumë përpjekjet e spiunazhit kibernetik nga inteligjenca kineze dhe Ushtria Çlirimtare Popullore që synojnë infrastrukturën amerikane.
Në vitin 2024, FBI dhe agjenci të tjera amerikane thanë se një grup hakerësh i sponsorizuar nga shteti kinez, i quajtur Volt Typhoon, kishte depërtuar në sistemet amerikane të energjisë, transportit dhe komunikimit, në mënyra që do t’i shërbenin Kinës në rast të një konflikti me SHBA-në.
Grupet amerikane të telekomunikacionit kanë bërë pak për t’u mbrojtur nga Salt Typhoon për shkak të kostos shumë të lartë të forcimit të rrjeteve. Warner tha në dhjetor se rrjetet amerikane janë veçanërisht të cenueshme sepse u ndërtuan në një kohë kur siguria kibernetike nuk konsiderohej një shqetësim serioz.
Thesari i SHBA-së planifikoi të vendoste sanksione ndaj entiteteve të MSS për Salt Typhoon në dhjetor, por u tërhoq nga ky vendim pas shqetësimeve se kjo do të dëmtonte afrimin diplomatik që presidentët Donald Trump dhe Xi Jinping arritën në tetor.
Katër komisionet që u shënjestruan nga MSS refuzuan të komentojnë.
Ambasada kineze në SHBA mohoi akuzat për Salt Typhoon. Liu Pengyu, zëdhënësi i ambasadës, tha:
“Ne e kundërshtojmë me vendosmëri që pala amerikane të bëjë spekulime dhe akuza të pabazuara, të përdorë sigurinë kibernetike për të njollosur Kinën, dhe të përhapë lloje të ndryshme dezinformimi për të ashtuquajturat kërcënime kineze nga hakerët.”/FinancialTimes
The post Financial Times: Kina ka hakeruar email-et e Kongresit Amerikan dhe po i përgjon appeared first on Gazeta Si.
