Normal view

2027 pritet të thyejë rekordin e temperaturave, fenomeni El Nino mund të jetë më i rrezikshëm

23 August 2026 at 22:25


El Nino, fenomeni natyror klimatik që shkaktohet nga ngrohja e pazakontë e ujërave të Oqeanit Paqësor, mund të jetë më i fuqishmi i regjistruar në kohët moderne.

Shërbimi Meteorologjik britanik paralajmëron se ndikimi i tij, i kombinuar me ndryshimet klimatike, mund ta bëjë vitin 2027 më të nxehtin në histori.

Fenomeni El Nino që po zhvillohet në Oqeanin Paqësor mund të jetë më i fuqishmi i regjistruar në kohët moderne, ka paralajmëruar Shërbimi Meteorologjik britanik.

Ky fenomen natyror rrit temperaturat globale dhe shton rrezikun e motit ekstrem në shumë pjesë të botës.

I kombinuar me ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor, ai mund ta bëjë vitin 2027 më të nxehtin në histori.

El Nino mund të sjellë gjithashtu një vjeshtë më të lagësht dhe me stuhi në Mbretërinë e Bashkuar dhe Evropën Veriperëndimore.

Meteorologët britanikë thonë se nuk kanë parë më parë një sinjal kaq të fuqishëm të këtij fenomeni në parashikimet e tyre.

El Nino ndodh zakonisht çdo dy deri në shtatë vjet dhe mund të zgjasë rreth një vit.

Ai krijohet kur erërat mbi Paqësor dobësohen ose ndryshojnë drejtim, duke lejuar që ujërat e ngrohta të zhvendosen drejt lindjes.

Nxehtësia kalon më pas nga oqeani në atmosferë, duke rritur temperaturat dhe ndryshuar shpërndarjen e reshjeve.

Aktualisht, temperatura e sipërfaqes së detit në një zonë kyçe të Paqësorit është mbi dy gradë më e lartë se normalja.

Në disa zona, ujërat në thellësinë 100 metra janë rreth tetë gradë më të ngrohta se zakonisht.

Kjo rezervë e madhe nxehtësie mund ta fuqizojë edhe më shumë fenomenin gjatë muajve të ardhshëm.

Në të kaluarën, fenomene të tilla kanë dëmtuar prodhimin e kafesë, orizit dhe kakaos, duke shkaktuar rritje të çmimeve të ushqimeve.

Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë paralajmëron se dhjetëra milionë njerëz mund të përballen me pasiguri të rëndë ushqimore.

Sipas ekspertëve, nxehtësia e çliruar nga oqeanet mund ta bëjë vitin 2027 më të nxehtë se rekordi i vendosur në vitin 2024.

Zelensky: Zgjidhja që do t’i japë fund luftës me Rusinë mund të vijë në 2027

23 August 2026 at 21:27


Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se periudha më e favorshme për arritjen e një zgjidhjeje diplomatike që do t’i japë fund luftës me Rusinë mund të jetë nga fundi i vitit 2026 deri në verën e vitit 2027.

Duke folur në një ceremoni në Kiev me rastin e Ditës së Flamurit Kombëtar, Zelensky tha se Ukraina dhe Rusia vijojnë të kenë mosmarrëveshje të thella, veçanërisht për çështjen e tërheqjes së forcave ukrainase nga Donbasi.

Sipas tij, kjo periudhë mund të përfaqësojë fazën më aktive të përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit.

Një nga opsionet e armëpushimit që po diskutohet me Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane parashikon tërheqjen reciproke të forcave dhe krijimin e një “zone të lirë ekonomike” tampon, e cila do të administrohej nga një palë e tretë.

Zelensky tha gjithashtu se Ukraina është e gatshme të diskutojë një ndalim të ndërsjellë të sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike dhe bujqësore.

Në ceremoninë e zhvilluar në Kiev morën pjesë edhe liderë nga vendet skandinave dhe shtetet baltike.

Vatikani investon 100 milionë euro për energji të gjelbër

23 August 2026 at 20:40


Vatikani do të ndërtojë një termocentral me energji të rinovueshme me vlerë rreth 100 milionë euro që mund të furnizojë me energji Selinë e Shenjtë brenda dy viteve nëpërmjet një sistemi që kombinon energjinë diellore dhe bujqësinë.

Raportohet se ferma agrovoltaike pritet të ketë një kapacitet prej 80 deri në 90 megavatësh, duke e bërë atë një nga instalimet më të mëdha të tilla në Itali.

Në termocentrale të tilla, panelet diellore janë montuar disa metra mbi tokë në mënyrë që të korrat të mund të rriten poshtë tyre, me hijen që ndihmon në uljen e avullimit dhe mbrojtjen e bimëve nga moti ekstrem.

Një komision i përbashkët italiano-vatikan u takua më parë këtë muaj për të nisur projektin në pronën Santa Maria di Galeria, në pronësi të Vatikanit, në periferinë veriperëndimore të Romës.

Termocentrali mund të përfundojë brenda 18 deri në 24 muajve.

Qyteti i Vatikanit, selia e Kishës Katolike globale dhe shtëpia e Bazilikës së Shën Pjetrit, është vendi më i vogël në botë, me 108 hektarë toke, dhe strehon më pak se 900 banorë.

Projekti pritet të furnizojë me energji stacionin e transmetimit të Radio Vatikanit dhe energjia mund të përdoret gjithashtu nga pronat e lidhura me Selinë e Shenjtë, përfshirë spitalin Bambino Gesù të Romës.

Energjia elektrike e tepërt do t’i vihet në dispozicion Italisë.

Projekti ishte një përparësi për të ndjerin Papa Françeskun, papa i parë që pranoi konsensusin shkencor mbi ndryshimet klimatike, dhe është miratuar nga Papa Leoni XIV.

Skandal në Slloveni, presidentja përballet me akuza për lidhjet me Rusinë

23 August 2026 at 20:07


Një debat i fortë politik ka shpërthyer në Slloveni, ku presidentja Natasa Pirc Musar po përballet me pikëpyetje mbi lidhjet e rrethit të saj të afërt me persona me lidhje të dyshuara me Rusinë.

Çështja mori përmasa pas një aksidenti automobilistik, ku në automjetin me të cilin udhëtonte presidentja ndodhej edhe një mike ruse.

Mediat sllovene kanë raportuar për lidhjet e saj me një ish-zyrtar të inteligjencës sllovene, i cili u largua drejt Rusisë në vitet 90.

Zhvillimet kanë nxitur reagim në parlamentin slloven.

Komisioni parlamentar për sigurinë ka kërkuar informacion nga shërbimet e inteligjencës për të vlerësuar nëse ekziston ndonjë ndikim apo rrezik i mundshëm rus në rrethin e presidentes.

Në qendër të vëmendjes janë vendosur edhe udhëtimet e Pirc Musar në Rusi.

Sipas raportimeve mediatike, ajo ka vizituar disa herë Moskën dhe Shën Petersburgun, përfshirë një udhëtim pak muaj para nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës në shkurt 2022.

Partia opozitare SDS ka kërkuar masa më të forta, përfshirë shqyrtimin e aksesit të presidentes në informacionet e klasifikuara të inteligjencës, deri në përfundimin e verifikimeve të sigurisë.

Nga ana tjetër, shërbimi slloven i inteligjencës dhe sigurisë, SOVA, ka deklaruar se një verifikim i mëparshëm i personit në fjalë nuk kishte evidentuar rrethana që përbënin kërcënim për sigurinë.

OpenAI prezanton “ChatGPT for Teens”, versionin e ri për adoleshentë

23 August 2026 at 20:00


OpenAI ka prezantuar një version të posaçëm të ChatGPT për përdoruesit nën 18 vjeç, të quajtur “ChatGPT for Teens”.

Versioni i ri synon të krijojë një mjedis më të sigurt për adoleshentët dhe t’u japë prindërve më shumë mundësi kontrolli.

Raportohet se sistemi është projektuar për përdoruesit nga 13 deri në 17 vjeç.

Përdoruesit nën 18 vjeç do të kalojnë automatikisht në përvojën e përshtatur për adoleshentët.

Ndërsa personat mbi 18 vjeç do të vazhdojnë të kenë akses në versionin standard të ChatGPT.

Përcaktimi i moshës nis nga të dhënat që përdoruesi jep gjatë krijimit të llogarisë.

Megjithatë, OpenAI ka zhvilluar edhe një sistem që përpiqet të parashikojë nëse një përdorues është nën 18 vjeç.

Modeli merr në konsideratë disa sinjale, përfshirë mënyrën e përdorimit të platformës, kohëzgjatjen e ekzistencës së llogarisë dhe oraret e aktivitetit.

Një nga ndryshimet kryesore lidhet me mënyrën se si ChatGPT ndihmon nxënësit me detyrat shkollore.

Nëse një adoleshent kërkon thjesht një përgjigje të gatshme, sistemi mund ta drejtojë drejt “Study Mode”.

Ky funksion synon ta ndihmojë nxënësin të kuptojë dhe të zgjidhë problemin hap pas hapi, në vend që t’i japë menjëherë përgjigjen.

ChatGPT për adoleshentët përmban gjithashtu masa më të forta sigurie për përmbajtjet që mund të jenë të papërshtatshme për moshën.

Kompania thotë se ka vendosur kufizime shtesë për tema që mund të paraqesin rrezik për përdoruesit e mitur.

Sistemi është projektuar gjithashtu për të mos ndihmuar adoleshentët të sigurojnë produkte ose shërbime që kanë kufizime ligjore të moshës.

Mbrojtje më të forta parashikohen edhe për përmbajtjet që lidhen me dhunën dhe materiale të tjera eksplicite ose të papërshtatshme.

Një tjetër element i versionit të ri janë njoftimet që u sugjerojnë përdoruesve të bëjnë pushime nga platforma.

ChatGPT mund t’i kujtojë adoleshentit që të shkëputet përkohësisht dhe të mos qëndrojë vazhdimisht në chatbot.

OpenAI thotë se sistemi do t’u kujtojë rregullisht përdoruesve se po komunikojnë me Al dhe jo me një person real.

Kjo masë merr rëndësi në një kohë kur një pjesë e adoleshentëve përdorin chatbot-et jo vetëm për shkollën, por edhe për komunikim dhe shoqëri virtuale.

Zhvillimi vjen mes shqetësimeve të prindërve dhe ekspertëve për ndikimin që përdorimi i Al mund të ketë te të rinjtë.

OpenAI është përballur gjatë vitit të fundit edhe me hetime dhe çështje ligjore lidhur me praktikat e sigurisë së platformës.

Masat e reja synojnë të zvogëlojnë ekspozimin e përdoruesve të mitur ndaj përmbajtjeve të dëmshme ose të papërshtatshme për zhvillimin e tyre.

Megjithatë, mbetet për t’u parë se sa efektive do të jenë sistemet e verifikimit dhe parashikimit të moshës, veçanërisht kur përdoruesit deklarojnë të dhëna të pasakta.

Me “ChatGPT for Teens”, OpenAI synon të krijojë një përvojë të veçantë të Al, të përshtatur për nevojat arsimore dhe sigurinë e përdoruesve të moshës 13–17 vjeç.

Robotit i del situata jashtë kontrollit, përplaset me murin gjatë garës

23 August 2026 at 20:00


Një robot humanoid me dy këmbë pësoi një defekt katastrofik ndërsa stërvitej për një garë në një pistë sprinti në Lojërat Botërore të Robotëve Humanoide.

Gjatë provës, roboti u përplas me dhunë në një mur, duke u thyer gati përgjysmë ndërsa shkëndijat fluturuan nga trupi i tij.



Në klipin tashmë viral, roboti shihet duke rënë përtokë, pasi arriti një shpejtësi mbresëlënëse, por por duke mos arritur të ngadalësohet në fund.

Operatori që qëndronte aty pranë mund të shihej i zhgënjyer pas mosfunksionimit.

Veyron rikthehet më modern se kurrë – Bugatti krijon një model të vetëm në botë

23 August 2026 at 20:00


Më shumë se 20 vjet pas debutimit të Veyron, Bugatti i ka dhënë një jetë të re hipermakinës ikonike me një projekt unik one-off.

Makina është një nga vetëm 450 Veyron të prodhuara dhe është ridizajnuar përmes programit La Maison Pur Sang, me elemente të frymëzuara nga Chiron dhe Tourbillon.

Veyron ka marrë ngjyra të reja Rouge Rembrandt dhe Petrol Blue, rrota më të mëdha, detaje moderne dhe një kabinë të rifreskuar me lëkurë luksoze.

Në konsolë është shtuar edhe një emblemë “20 Years of Veyron”, ndërsa përfundimi Côte de Genève i jep një pamje të frymëzuar nga orët luksoze.

Bugatti nuk ka zbuluar çmimin, por projekti unik pritet të ketë një vlerë shumë të lartë.

Presidenti i Iranit: Nuk mund të luftojmë përgjithmonë

23 August 2026 at 19:31


“Irani nuk mund të vazhdojë me luftën përgjithmonë”, tha presidenti i tij, Masoud Pezeshkian, mes shenjave të rritjes së mosmarrëveshjeve brenda udhëheqjes iraniane mbi negociatat me Shtetet e Bashkuara.

Gjatë dy paraqitjeve në Teheran të dielën, Pezeshkian mbrojti memorandumin e mirëkuptimit që Irani arriti me Shtetet e Bashkuara në qershor, pavarësisht dyshimeve të supozuara të Udhëheqësit Suprem të Iranit, Mojtaba Khamenei.

“Një ditë, duhet të merret një vendim për të shpëtuar vendin nga gjendja as luftë as paqe”, tha Pezeshkian.

Pezeshkian tha se të gjithë ata që ishin të përfshirë drejtpërdrejt në negociata besonin se memorandumi ishte rruga më e mirë për të ecur përpara.

“Duke zbatuar këtë memorandum, ne mund t’i zgjidhim problemet me logjikë dhe dinjitet”, tha ai, në vërejtjet e raportuara nga agjencia shtetërore e lajmeve IRNA.

Presidenti iranian ka paralajmëruar shpesh për pasojat ekonomike dhe sociale të konfliktit me Shtetet e Bashkuara, duke e vënë ndonjëherë në kundërshtim me figura më të ashpra në udhëheqje.

Irani i përgjigjet Trumpit: “Kalifornia, territori i ri i Republikës Islamike”

23 August 2026 at 18:45


Një llogari zyrtare iraniane në rrjete sociale e quajti Kaliforninë një "territor të ri" të Iranit, në përgjigje të postimit të një imazhi nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, që e portretizonte Ngushticën e Hormuzit si "Territor të ri të SHBA-së".

Trump e ndau imazhin në llogarinë e tij Truth Social, duke treguar një hartë të Ngushticës së Hormuzit me rrugën ujore strategjike të rrethuar poshtë fjalëve "Territori i ri i SHBA-së", duke ndjekur deklaratat e tij të mëparshme se ngushtica do të bëhej territor i SHBA-së pasi të mbaronte lufta.

Shtëpia e Bardhë më vonë e ripostoi postimin e Trumpit në llogarinë e saj zyrtare në X.

Në përgjigje, një llogari zyrtare nga Irani postoi një hartë të SHBA-së ku tregohej Kalifornia e theksuar me të kaltër, me fjalët: “TERRITORI I RI I REPUBLIKËS ISLAMIKE TË IRANIT”.

Kazem Gharibabadi, zëvendësministri i jashtëm i Iranit, gjithashtu iu kundërpërgjigj postimit të Trumpit, duke shkruar: “Iluzioni i tij në lidhje me Ngushticën e Hormuzit së shpejti ose do të korrigjohet, ose ne do të korrigjojmë iluzionet e këtij njeriu iluzionist.”

Kalifornia, veçanërisht zona e Los Angeles, është shtëpia e përqendrimit më të madh të njerëzve me prejardhje iraniane jashtë Iranit.

Sipas Panelit të Diasporës Iraniane të organizuar nga Qendra për Studime të Lindjes së Afërt e UCLA-së, rreth 141,000 iranianë-amerikanë jetojnë në Qarkun e Los Angeles.

Shkëmbimi vjen në mes të tensioneve të larta midis Teheranit dhe Washingtonit pas muajsh konflikti.

Tragjedi në brigjet e Indisë, fundoset anija me 24 persona në bord

23 August 2026 at 17:15


Një anije mallrash me flamur të Panamasë është fundosur në brigjet e shtetit Odisha, në lindje të Indisë, ndërsa vetëm dy nga 24 anëtarët e ekuipazhit janë shpëtuar deri tani.

Anija MV Ocean Winner kishte në bord 24 persona, mes tyre 20 shtetas kinezë, tre nga Mianmari dhe një nga Bangladeshi.

Sipas Rojës Bregdetare Indiane, Qendra e Koordinimit të Shpëtimit Detar në Sri Vijaya Puram nisi operacionin e kërkim-shpëtimit të shtunën, pasi mori sinjalin e emergjencës nga anija dhe më pas humbi kontaktin me të.

Dy anëtarë të ekuipazhit u gjetën dhe u shpëtuan nga gomonet e shpëtimit.

Ndërkohë, autoritetet kanë angazhuar tre anije për kërkime në sipërfaqen e detit, në përpjekje për të gjetur 22 anëtarët e tjerë të ekuipazhit.

Operacioni i kërkim-shpëtimit vijon, ndërsa autoritetet po punojnë për të zbardhur rrethanat e fundosjes së anijes.

Trump publikon hartën: Ngushtica e Hormuzit si “territor i ri amerikan”

23 August 2026 at 16:27


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka përsëritur propozimin e tij mbi të ardhmen e Ngushticës së Hormuzit, pasi postoi në Truth Social një hartë që e përshkruan rrugën ujore strategjike si "territor të ri amerikan", megjithëse nuk komentoi mbi imazhin.

Kjo nuk është hera e parë që Trump ka publikuar të njëjtën hartë që nxjerr në pah Ngushticën e Hormuzit, pasi ai e kishte ndarë atë më 18 gusht.



Presidenti amerikan e paraqiti për herë të parë idenë e trajtimit të ngushticës si territor amerikan më 15 gusht.

"Pasi të përfundojmë mposhtjen e Iranit, i cili po pëson një disfatë shumë të rëndë, së shpejti do të njoftoj se Ngushtica e Hormuzit do të jetë tokë që i përket Shteteve të Bashkuara", tha Trump në një tubim në New York.

Ngushtica e Hormuzit është një nga korridoret më të rëndësishme të transportit detar në botë; para shpërthimit të luftës, rreth një e pesta e eksporteve globale të naftës bruto dhe gazit natyror të lëngshëm kalonin nëpër të.

Ndërsa Irani këmbëngul se ka marrë kontrollin mbi ngushticën, Trump, nga ana e tij, pohon se Shtetet e Bashkuara janë ato që “kontrollojnë plotësisht” kalimin.

Teherani e ka mbajtur të mbyllur ngushticën që nga fillimi i luftës dhe mosmarrëveshja e tij me Uashingtonin vazhdon mbi kushtet për rihapjen e saj.

Witkoff dhe Kushner në Ukrainë në Ditën e Pavarësisë? Ja çfarë dihet

22 August 2026 at 23:50


Të dërguarit e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner mund të bëjnë vizitën e tyre të parë në Ukrainë në ditët në vijim, pas disa javësh raportimesh se dy negociatorët kryesorë po përgatiteshin të udhëtonin për në Kiev, si pjesë e përpjekjeve të Uashingtonit për t'i dhënë fund pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë.

Vizita mund të zhvillohet rreth Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, të hënën, megjithëse as Uashingtoni dhe as Kievi nuk e kanë konfirmuar udhëtimin.

Trump tha në fund të korrikut se do t'i dërgonte Witkoff dhe Kushner në kryeqytetin ukrainas në javët e ardhshme.

Raportet e mëvonshme sugjeruan se të dy mund të udhëtonin si në Kiev ashtu edhe në Moskë, me mediat e kontrolluara nga Kremlini që raportuan më parë këtë muaj se një vizitë mund të zhvillohej rreth këtyre ditëve.

Moska gjithashtu nuk e ka konfirmuar ende vizitën.

Pasiguria vjen ndërsa Kievi përgatitet të shënojë 35 vjetorin e pavarësisë të hënën, me disa nga aleatët e Ukrainës që pritet të vijnë në kryeqytet në një shfaqje solidariteti.

Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, pritet në Kiev, së bashku me të ftuar të tjerë ndërkombëtarë.

Koalicioni i të Vullnetarëve do të takohet gjithashtu në Kiev të hënën, me disa udhëheqës që do të marrin pjesë personalisht, përfshirë Presidentin finlandez Alexander Stubb dhe Kryeministrin e Luksemburgut Luc Frieden.

Prania e Costa-s mund të ketë rëndësi të shtuar nëse Witkoff dhe Kushner udhëtojnë gjithashtu në Kiev, mes një debati më të gjerë mbi rolin e BE-së në procesin e paqes dhe kush mund ta përfaqësojë Evropën në çdo negociatë të ardhshme me Rusinë.

Costa është shfaqur në diskutimet se kush mund të flasë për interesat evropiane nëse rifillojnë negociatat thelbësore, ndërsa BE-ja kërkon të sigurojë që të ketë një zë në një proces diplomatik të drejtuar kryesisht nga Uashingtoni.

Megjithatë, Moska është përpjekur të vazhdojë negociatat vetëm me Uashingtonin, duke hedhur poshtë një rol të drejtpërdrejtë për BE-në, ndërkohë që ka rritur kërcënimet kundër Brukselit dhe kryeqyteteve të tjera evropiane.

Raportohet se për momentin, nuk ka negociata thelbësore midis Ukrainës dhe Rusisë.

Moska ka hedhur poshtë të gjitha opsionet e mundshme të paraqitura në procesin e paqes të udhëhequr nga SHBA-të, përfshirë thirrjet për armëpushim.

Rusia ka vazhduar të kërkojë lëshime të gjera territoriale nga Ukraina dhe, në fund të fundit, dorëzimin e Kievit.

Kremlini nuk ka treguar gatishmëri për të bërë kompromis mbi kërkesat e tij ose për të negociuar një zgjidhje më të gjerë.

Shkëmbimet e të burgosurve të luftës kanë qenë rezultati kryesor i prekshëm i kontakteve të drejtpërdrejta midis Ukrainës dhe Rusisë.

Ndryshe, Witkoff dhe Kushner kanë luajtur role qendrore në përpjekjet e administratës Trump për të ndërmjetësuar një marrëveshje, duke zhvilluar takime të përsëritura me zyrtarë rusë.

Witkoff ka udhëtuar në Moskë tetë herë dhe është takuar me Vladimir Putinin disa herë.

Megjithatë, as ai dhe as Kushner nuk e kanë vizituar Ukrainën që kur kanë marrë rolet e tyre negociuese.

Një udhëtim në Kiev do të kishte rëndësi përtej një raundi tjetër takimesh diplomatike, duke u dhënë dy prej negociatorëve kryesorë të Uashingtonit ekspozimin e tyre të parë të drejtpërdrejtë me Ukrainën e kohës së luftës, ndërsa administrata Trump shqyrton nëse ekziston një rrugë e qëndrueshme për t'u rikthyer në bisedime me Moskën.

“Prit këtu” – Babai lë djalin 7-vjeçar vetëm në malin Fuji dhe vazhdon ngjitjen

22 August 2026 at 23:45


Një baba është qortuar nga policia në Japoni pasi la djalin e tij shtatëvjeçar vetëm në malin Fuji për disa orë, me vetëm një pije freskuese dhe pak ushqim.

Fëmija u gjet i ulur në një stol në kushte mjegulle dhe shiu, në një lartësi prej më shumë se 2,000 metrash mbi nivelin e detit.

Sipas raportimeve, babai 48-vjeçar i kishte thënë djalit të “priste këtu” pasi ai ishte ankuar se ishte i lodhur.

Më pas, babai vazhdoi ngjitjen drejt majës së malit së bashku me djalin e tij më të madh.

Stafi i një strehimoreje malore e gjeti fëmijën pranë stacionit të gjashtë të një prej shtigjeve drejt majës dhe njoftoi policinë.

Autoritetet arritën ta lokalizonin babain mes stacioneve të shtatë dhe të tetë, rreth tre orë larg nga vendi ku ndodhej fëmija.

Djali u gjet i vetëm rreth orës 07:30 të mëngjesit të së enjtes. Ai kishte pritur për rreth tetë orë, përpara se babai të kthehej dhe të ribashkohej me të.

Sipas policisë, fëmija ishte “i lodhur dhe i shqetësuar”.

Oficerët e qortuan ashpër babain për vendimin e tij.

“Edhe nëse kjo do të thotë të heqësh dorë nga ngjitja e malit së bashku, është e papranueshme të lësh një fëmijë pas”, thanë ata, sipas mediave japoneze.

Babai thuhet se kërkoi falje, duke e cilësuar vendimin e tij si të nxituar.

Mali Fuji, me lartësi 3,776 metra, është një nga destinacionet më të njohura të alpinizmit në Japoni dhe ka qenë skenë e disa incidenteve në vitet e fundit.

Rreth 200 mijë persona e ngjitin malin çdo vit, ndërsa në disa prej itinerareve janë vendosur kufizime ditore për të shmangur mbipopullimin.

Trump dhe “Bisha” e tij në pistë, do të hapin garën spektakolare në Washington

22 August 2026 at 23:02


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të udhëheqë një xhiro nderi në një garë të Serisë IndyCar që do të zhvillohet në rrugët e Washingtonit këtë fundjavë, duke përmbyllur ngjarjet verore që shënojnë 250-vjetorin e Shteteve të Bashkuara.

Makinat do të garojnë pranë monumenteve historike në Washington, duke përfshirë Ndërtesën e Kapitolit dhe Muzeumet Smithsonian.



Garuesit do të përfundojnë 147 xhiro, duke arritur shpejtësi deri në 300 km/h.

Për shkak të shpejtësive jashtëzakonisht të larta, organizatorët kanë salduar më shumë se 200 kapakë pusetash përgjatë pistës gati tre kilometra të gjatë, për të parandaluar lëvizjen e tyre për shkak të forcës së madhe.

Stërvitja dhe kualifikimet do të zhvillohen sot, ndërsa gara "Freedom 250 Grand Prix" do të zhvillohet nesër.

Trump, 80 vjeç, pritet të udhëheqë xhiron e nderit me limuzinën e tij të blinduar, të njohur si "Bisha", dhe më pas të sinjalizojë fillimin e garës duke valëvitur flamurin e gjelbër.

Eventi organizohet nga IndyCar, një seri garash makinash amerikane që paraqet modele të ngjashme me ato në Formula 1, por që shpesh garojnë në pista ovale, përfshirë të famshmen Indianapolis 500.

Festimet e 250-vjetorit filluan në qershor me ndeshje të organizuara nga Ultimate Fighting Championship (UFC), të cilat u mbajtën në një kafaz gjigant në lëndinën e Shtëpisë së Bardhë.

Ashtu si me eventin e UFC-së, kostot e kësaj gare mbulohen nga organizatorët e Serisë IndyCar dhe disa nga rrugët më të ngarkuara të Washingtonit janë mbyllur për disa ditë për të organizuar garën. Masat e sigurisë do të jenë të rrepta dhe të gjithë spektatorët do të duhet të kalojnë nëpër detektorë metalesh.

Kali bllokohet mbi 2 metra nën tokë, shpëtohet pas një operacioni dramatik - pamje nga Venezuela

22 August 2026 at 23:00


Një kalë mbeti i bllokuar më shumë se 2 metra nën tokë, pasi një pjesë e një rruge të paasfaltuar u shemb nën këmbët e tij, në La Grita, Tachira, Venezuelë.

Kafsha ishte pjesërisht e mbuluar nga dheu dhe aq e lodhur sa nuk kishte më forcë të çlirohej vetë.



Menjëherë, zjarrfikësit dhe banorët e zonës nisën një garë me kohën për t’i shpëtuar jetën.

Ata hoqën me shumë kujdes dheun që e kishte mbuluar dhe liruan këmbët e tij të përparme.

Kur kuptuan se kali nuk kishte më fuqi të dilte vetë, siguruan trupin e tij dhe përdorën një eskavator për ta nxjerrë ngadalë nga gropa.

Dhe më në fund erdhi momenti që të gjithë prisnin: kali ishte i lirë!

Një veteriner e kontrolloi pas shpëtimit dhe, fatmirësisht, ai u rikthye shëndoshë e mirë te pronari.

BMW shfaq reklamën e Spider-Man në ekranet e veturave

22 August 2026 at 22:00


BMW ka shfaqur një animacion promovues për filmin “Spider-Man: Brand New Day” direkt në ekranet qendrore të informacionit të makinave të saj, duke shkaktuar reagime nga shumë pronarë.

Promovimi u shfaq nga 27 korriku deri më 10 gusht, në më shumë se 70 vende.



BMW e përshkroi atë si një animacion festiv të lidhur me bashkëpunimin me Sony dhe Marvel, duke këmbëngulur se nuk bëhej fjalë për reklamë.

Megjithatë, shumë pronarë nuk janë dakord.

Ata e konsiderojnë shfaqjen e një promovimi filmi në ekranin e makinës si të padëshiruar, sidomos pasi thonë se nuk janë pyetur paraprakisht.

Animacioni shfaqej në ekranin qendror të makinës dhe, pasi përdoruesi e aktivizonte, luhej një video rreth 19 sekonda, ku Spider-Man kalon mbi një BMW, ndërsa ndriçimi ambiental i makinës sinkronizohej me pamjet.

Promovimi ishte i disponueshëm në automjetet e pajisura me sistemet e reja të infotainment-it të BMW-së.

Kompania thekson se videoja nuk ndërhynte në sistemin e sinjalizimeve dhe nuk shfaqej gjatë drejtimit.

Zjarret përhapen në të gjithë Serbinë, Beogradi kërkon ndihmë nga BE

22 August 2026 at 22:00


Mekanizmi i Mbrojtjes Civile i Bashkimit Evropian ka dërguar helikopterë dhe zjarrfikës për të ndihmuar Serbinë të luftojë zjarrin masiv në një rezervat natyror në verilindje të vendit.

Serbia e aktivizoi mekanizmin të premten pasi luftoi për javë të tëra me një zjarr në Deliblatska Pescara, një përzierje unike dunash rëre dhe pyjesh rreth 80 km nga kryeqyteti Beograd, si dhe zjarre të tjera në jugperëndim të vendit.



“Ne qëndrojmë me Serbinë në mbrojtjen e jetëve, mjeteve të jetesës dhe trashëgimisë unike natyrore të Deliblatska Sands”, deklaroi Andreas Beckerath, kreu i misionit të BE-së në Beograd.

Luka Çausiç, kreu i Departamentit Serb për Emergjenca, tha se ndihma evropiane përbëhet nga katër helikopterë zjarrfikës Black Hawk nga Rumania, Sllovakia dhe Republika Çeke, 55 zjarrfikës dhe 24 automjete nga Gjermania, si dhe 69 zjarrfikës dhe 15 automjete nga Rumania.

- YouTube www.youtube.com

Një helikopter nga Rumania dhe një nga Sllovakia iu bashkuan përpjekjeve për shuarjen e zjarreve të shtunën, ndërsa dy të tjerë nga Republika Çeke do të angazhohen të dielën.

Ndryshe, Serbia nuk është anëtare e BE-së, por ka qasje në ndihmën emergjente të BE-së sipas Mekanizmit të Mbrojtjes Civile.

Gratë në Gaziantep mësojnë artin tradicional të endjes dhe kontribuojnë në ekonominë familjare

22 August 2026 at 22:00


Gratë që marrin trajnim për endjen tradicionale me dorë në një qendër që funksionon në një zonë rurale të Gaziantepit, kontribuojnë në ekonominë familjare.

Kursantet që marrin trajnim 5 ditë në javë, ndërsa mësojnë endjen tradicionale me dorë, përgatisin produkte që dëshirojnë për shtëpitë e tyre, si dhe produkte sipas porosive të marra nga qendra.

Gratë që marrin një pjesë të të ardhurave nga produktet e shitura, në këtë mënyrë kontribuojnë në ekonominë familjare.

Instruktorja e punishtes, Melike Aslanoglu, tha për Anadolu se endja me dorë është një zanat që po shkon drejt harrimit.

Duke treguar se aktualisht u japin trajnim 12 grave, Aslanoglu tha: "Ne përpiqemi ta modernizojmë këtë zanat tradicional aq sa kemi mundësi, ta përshtatim me ditët e sotme dhe ta shndërrojmë në produkte që mund t'i përdorim. Qëllimi ynë është që t'ua përcjellim këtë zanat brezave të ardhshëm duke ua bërë të dashur. Ne bëjmë endje, por këto punime i shndërrojmë në aksesorë për shtëpi. Nxjerrim produkte që mund t'i përdorim lehtësisht në jetën e përditshme. Në këtë mënyrë, të rinjtë tanë vijnë me më shumë dëshirë".

Koordinatorja e projektit, Tugba Ayaz, tha se arti turk i endjes është një artizanat me rrënjë të thella që shtrihet nga Turkistani deri në Anadoll.

"Ky art është një nga mjetet më të fuqishme të shprehjes vizuale të kulturës turke. Ai nuk është vetëm një objekt, por njëkohësisht shprehje e identitetit, besimit, statusit dhe kuptimit të estetikës. Përmes punishtes së endjes që kemi ngritur në Qendrën e Mbështetjes së Familjes, të rinjtë tanë i njohin më nga afër artet tradicionale të dorës dhe do të vazhdojmë së bashku ta mbajmë gjallë këtë trashëgimi të bukur që shtrihet nga e kaluara drejt së ardhmes", tha ajo. /AA/

E pabesueshme, roboti mposht rekordin botëror të Usain Bolt

22 August 2026 at 21:30


Një robot humanoid i ka tejkaluar njerëzit duke thyer rekordin botëror të Usain Bolt në vrapimin 100 metra, sipas prodhuesit të tij.

Prodhuesi kinez i telefonave inteligjentë Honor tha se Lightning - një robot i hollë i zi dhe i kuq - e përshkoi distancën për 9.32 sekonda në Lojërat Botërore të Robotëve Humanoide në Pekin.



Tetë herë fituesi i medaljes së artë olimpike, Bolt, vendosi rekordin botëror për njerëzit në vitin 2009, duke vrapuar 100 metra për 9.58 sekonda.

Ngjarje të tjera në lojërat e robotëve, të cilat filluan të shtunën, përfshijnë boksin dhe futbollin, por edhe detyra shtëpiake si palosja e rrobave të lara.

Më shumë se 2,000 robotë nga 16 vende pritet të garojnë në lojëra. Ngjarja vjen në një kohë kur Kina shfaq investimet e saj të mëdha në robotikë.

"Dëgjova se ju kisha munguar", Melania Trump thyen heshtjen pas javësh mungesë në daljet publike

22 August 2026 at 21:23


Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Melania Trump, u rikthye në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë, ku njoftoi një donacion prej 2 milionë dollarësh për zgjerimin e programit të saj për bursat në 26 universitete.

Në fjalimin e saj, Melania Trump iu përgjigj indirekt edhe kritikave lidhur me mungesën e saj nga aktivitetet publike.



“Dëgjova se ju kisha munguar. Ja ku jam”, tha Zonja e Parë, pasi doli nga Zyra Ovale krah për krah me bashkëshortin e saj, presidentin Donald Trump.

Dalja e saj erdhi pas një sërë artikujsh në mediat amerikane që ngrinin pyetjen: “Ku është Melania?”.

Ajo ishte parë për herë të fundit në publik më 19 korrik, gjatë finales së Kupës së Botës 2026.

Melania njoftoi se nisma e saj “Fostering the Future” do të zgjerojë rrjetin kombëtar falë një donacioni prej 2 milionë dollarësh nga IndyCar dhe Fox Corporation.

Fondet do të përdoren për bursa në Universitetin e Indianës dhe Universitetin Purdue.

“Investimi më i madh që Amerika mund të bëjë nuk është në teknologji, infrastrukturë apo tregjet e kapitalit. Është te fëmijët tanë”, deklaroi ajo.

“Avantazhi më i madh konkurrues i Amerikës mbetet te vetë njerëzit e saj. Udhëheqësit e së nesërmes janë sot në bankat e shkollës, përfshirë edhe ata që rriten në kujdesin e familjeve kujdestare. Aftësitë e tyre nuk janë më pak të jashtëzakonshme”, shtoi Zonja e Parë.

Melania Trump është përballur me kritika në median amerikane për numrin relativisht të kufizuar të daljeve publike.

Sipas USA Today, Këshilltari i saj i lartë, Marc Beckman, kundërshtoi idenë se mungesa e daljeve publike nënkupton mungesë pune.

“Kjo Zonjë e Parë është e përqendruar te rezultatet. Ajo nuk është e përqendruar te imazhi”, tha Beckman.

Ai përmendi miratimin në maj nga Dhoma e Përfaqësuesve të ligjit “Fostering the Future Act” dhe përpjekjet e Melania Trump për ta çuar atë për votim edhe në Senat.

❌