Meta Platforms ka prezantuar funksione të reja të bazuara në inteligjencën artificiale në Facebook, duke synuar të ndryshojë mënyrën se si përdoruesit kërkojnë informacione, krijojnë përmbajtje dhe ndërveprojnë në platformë.
Një nga risitë kryesore është AI Mode, një mënyrë e re kërkimi që përdor teknologjinë e inteligjencës artificiale për t’u dhënë përdoruesve përgjigje të drejtpërdrejta, në vend që të shfaqë vetëm një listë me rezultate. Funksioni mbështetet në përmbajtje publike nga platformat e Meta-s, përfshirë postimet, grupet dhe videot Reels.
Sipas kompanisë, përdoruesit mund të bëjnë pyetje në gjuhë natyrale dhe të marrin përgjigje të krijuara nga AI, bazuar në diskutimet dhe përvojat që njerëzit kanë ndarë publikisht në Facebook dhe shërbime të tjera të Meta-s. Kjo qasje është e ngjashme me mënyrën se si kompanitë e mëdha të teknologjisë, përfshirë Google, po integrojnë inteligjencën artificiale në kërkimet online.
Përveç kërkimit me AI, Meta ka shtuar edhe mjete të reja për përpunimin e fotografive dhe videove. Përdoruesit do të mund të ndryshojnë pamjen e fotove, të krijojnë kolazhe dhe të përdorin efekte të reja të gjeneruara nga inteligjenca artificiale.
Një tjetër funksion i ri është asistenti i inteligjencës artificiale për krijuesit e përmbajtjes, i cili mund të japë sugjerime për publikime, të analizojë reagimet e audiencës dhe të ndihmojë në krijimin e ideve të reja.
Meta thotë se këto ndryshime synojnë ta bëjnë Facebook-un më të dobishëm dhe më interaktiv, ndërsa kompania vazhdon garën me rivalët në fushën e inteligjencës artificiale.
Megjithatë, përdorimi i përmbajtjeve publike nga përdoruesit për krijimin e përgjigjeve nga AI ka ngritur edhe pyetje për saktësinë e informacionit dhe mënyrën se si trajtohen të dhënat e publikuara online. /Telegrafi/
Kompania amerikane e teknologjisë Meta ka prezantuar një sistem të ri të inteligjencës artificiale të dedikuar për bizneset, i quajtur “Meta Business Agent”. Ai u prezantua në konferencën Conversations në Londër dhe synon të automatizojë aktivitetet e përditshme të kompanive.
Agjenti i ri mund të komunikojë me klientët, të caktojë takime, të përpunojë porosi dhe madje të ndihmojë në realizimin e shitjeve përmes aplikacioneve si WhatsApp, Messenger dhe Instagram.
Sipas Metës, më shumë se një milion biznese tashmë kanë përdorur versionet e mëparshme të chatbotëve të saj, ndërsa mjeti i ri do të jetë i disponueshëm për kompani të të gjitha madhësive në mbarë botën.
Agjenti mund t’u përgjigjet pyetjeve të klientëve, të ofrojë informacione për produkte dhe shërbime, të identifikojë klientë potencialë dhe t’ua kalojë punonjësve rastet më komplekse.
Njëkohësisht, Meta ka prezantuar edhe një platformë të re që u mundëson kompanive të ndërtojnë agjentët e tyre të inteligjencës artificiale dhe t’i lidhin me sisteme të tjera biznesi, përfshirë platformat e tregtisë elektronike dhe shërbimit ndaj klientit.
Ky hap shihet si përpjekja më e re e Metës për të konkurruar me kompanitë kryesore të inteligjencës artificiale në tregun e zgjidhjeve për bizneset. /Telegrafi/
Facebook aktualisht po përballet me probleme teknike që kanë prekur miliona përdorues në mbarë botën.
Raportime të ngjashme janë shfaqur edhe për Instagram, duke sugjeruar se ndërprerja mund të prekë disa nga shërbimet e kompanisë mëmë, Meta.
Ndërkohë, përdoruesit janë drejtuar masivisht në platforma të tjera sociale për të ndarë përvojat e tyre dhe për të konfirmuar se problemi nuk ishte individual.
“Mendova se më kishin hakuar llogarinë”, tha një përdorues.
“Mendova se e kisha humbur faqen time. Ka patjetër një problem me platformën”, shtoi një tjetër.
Një tjetër komentues vuri re se “edhe Instagrami nuk është në rregull”. /Telegrafi/
Pas deklarimeve publike të ish-kryeministrit Sali Berisha lidhur me heqjen e statusit “non grata”, ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar duke ripërsëritur qëndrimet e tij të mëparshme për zhvillimet politike dhe institucionale në vend.
Meta thekson se nuk ndryshon qëndrimin e mbajtur vite më parë, duke iu referuar asaj që ai e cilëson si një “komplot mafioz” që, sipas tij, ka synuar dëmtimin e pluralizmit politik dhe marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Nuk i heq dot asnjë presje qëndrimit publik që kam mbajtur pesë vite më parë, si President i Republikës, për komplotin mafioz që synonte jo vetëm asgjësimin e pluralizmit politik në Shqipëri, por edhe helmimin e marrëdhënieve historike dhe strategjike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Afera McGonigal shpjegon shumë qartë të gjitha skandalet që korruptuesi i Charles McGonigal financoi për të shkatërruar pluralizmin dhe opozitën në Shqipëri duke keqpërdorur zyrtarë të korruptuar si McGonigal dhe plot të tjerë. /Telegrafi/
Revista teknologjike Wired ka zbuluar referenca për funksionet NameTag dhe Connections në kodin e aplikacionit Meta AI, të cilat duket se lidhen me teknologjinë e njohjes së fytyrës përmes syzeve inteligjente.
Këto funksione aktualisht janë të çaktivizuara, por kodi i nevojshëm tashmë ndodhet në versionin më të fundit të aplikacionit.
Nëse aktivizohen, syzet mund të analizojnë fytyrat e njerëzve përreth pa pjesëmarrjen ose miratimin e tyre.
Pjesa më interesante është se kompania Meta është përballur edhe më parë me akuza për mbledhjen e të dhënave biometrike.
Pas pagesës së miliarda dollarëve në gjoba, kompania premtoi se do të fshinte një bazë të dhënash që përmbante profile biometrike të më shumë se një miliard njerëzve.
Zbulimi i fundit ka ngritur sërish shqetësime për privatësinë dhe mënyrën se si teknologjitë e inteligjencës artificiale mund të përdoren për identifikimin e personave në hapësira publike. /Telegrafi/
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka lënë sot burgun 313 për t’i dhënë lamtumirën babait të tij, Rexhep Meta, që vdiq të hënën në moshën 83-vjeçare.
Top Channel raporton se ish-presidenti ka mbërritur në Skrapar, ku edhe do të zhvillohet ceremonia mortore.
Kjo është hera e parë që Meta lë qelinë që nga arrestimi i tij, teksa siç duket nga pamjet e siguruara nga Hoxha, Meta është i shoqëruar nga disa efektivë të Policisë së Burgjeve.
Meta është lënë të dalë pa pranga në duar, teksa masat e sigurisë nuk duket të jenë tejet të rrepta.
Është ndarë nga jeta në moshën 83 vjeçare babai i Ilir Metës, Rexhep Meta.
Avokati i Metës ka kërkuar leje për ditën e nesërme, që kreu i PL të dalë nga qelia dhe të marrë pjesë në ceremoninë mortore të lamtumirës për të atin.
Sipas gazetares së Top Channel Anila Hoxhës, burgjet i kanë kujtuar avokatit se këtë kërkesë duhet t’ia drejtojnë edhe SPAK-ut.
Bëhet me dije jo zyrtarisht se SPAK e ka aprovuar lejen.
Avokati Kujtim Cakrani i tha Anila Hoxhës se kërkesën e kanë depozituar për leje që Meta të marrë pjesë në ceremoninë e lamtumirës, e cila do të mbahet në fshatin Çepan të Skraparit.Sakaq, po kryhen procedurat që Meta të lërë institucionin 313 dhe të marrë pjesë në varrimin e të atit. /Tch/
Meta është lideri i padiskutueshëm në tregun e ri të syzeve inteligjente të mundësuara nga Al, dhe kjo nuk ka gjasa të ndryshojë edhe pasi Samsung dhe Google t'i bashkohen kësaj fushe.
Ky sukses iu atribuua të paktën pjesërisht partneritetit të Meta-s me EssilorLuxottica.
Tani, Meta duket se po përgatitet të lansojë disa modele të reja syzesh me Al në muajt në vijim.
Sipas dokumenteve, të cilat u raportuan për herë të parë nga Lowpass, Meta po përgatitet të lansojë katër modele të reja.
Ato do të vijnë me emrat e modeleve G4QM, G4QR, G4QB dhe G4QS.
Fatkeqësisht, nuk zbulohen detaje të mëtejshme nga dokumentet e redaktuara shumë.
Por flitet se ndoshta, ky mund të jetë fundi i Ray-Ban Meta. /Telegrafi/
Meta ka njoftuar futjen e planeve të reja me pagesë për platformat e saj kryesore Facebook, Instagram dhe WhatsApp, duke ofruar shërbime shtesë për përdoruesit që zgjedhin t’i abonohen.
Sipas kompanisë, abonimet “Plus” do të sjellin funksione shtesë si statistika më të avancuara, opsione të zgjeruara personalizimi dhe më shumë kontroll mbi përmbajtjen dhe audiencën.
Çmimet pritet të variojnë nga rreth 2.99 deri në 3.99 dollarë në muaj, në varësi të platformës.
Meta thekson se aplikacionet do të vazhdojnë të mbeten falas për përdorimin bazë, ndërsa shërbimet me pagesë synojnë të ofrojnë një eksperiencë më të avancuar për përdoruesit.
Ky hap vjen si pjesë e strategjisë së kompanisë për të rritur të ardhurat përtej reklamave dhe për të financuar investimet në teknologji të reja, përfshirë inteligjencën artificiale. /Telegrafi/
Kompania teknologjike Meta ka shkurtuar rreth 8 mijë vende pune në një valë të gjerë pushimesh nga puna në nivel global, si pjesë e ristrukturimit të saj dhe fokusimit gjithnjë e më të madh në inteligjencën artificiale (AI).
Sipas raportimeve, kompania po anulon gjithashtu planet për punësimin e rreth 6 mijë personave të rinj, ndërsa mbi 7 mijë punonjës do të transferohen në role të lidhura me zhvillimin e AI-së.
Shefi ekzekutiv i Meta-s, Mark Zuckerberg, ka thënë se inteligjenca artificiale është “teknologjia më e rëndësishme e kohës sonë” dhe se kompania duhet të bëhet më efikase për të përballuar investimet masive në këtë sektor.
Meta pritet të shpenzojë deri në 135 miliardë dollarë gjatë vitit 2026 për infrastrukturën dhe projektet e AI-së, pothuajse dyfish më shumë se një vit më parë.
Pushimet nga puna kanë shkaktuar reagime të forta te punonjësit, me shumë prej tyre që kanë shprehur pasiguri dhe shqetësime për të ardhmen e vendeve të punës në industrinë e teknologjisë. /Telegrafi/
Ish-presidenti Ilir Meta ka dhënë një intervistë ekskluzive nga qelia e paraburgimit për emisionin “Off the Record” në A2 CNN me gazetarin Andrea Danglli, ku ka folur për jetën në burg, përplasjet politike me Edi Ramën, Reformën në Drejtësi, SPAK-un, opozitën dhe akuzat ndaj tij.
Meta u shpreh se është i pafajshëm, ndërsa hodhi akuza të forta ndaj qeverisë, ish-kreut të PD-së Lulzim Basha dhe institucioneve të drejtësisë.
“U luajt lojë e madhe”, Meta për Reformën në Drejtësi: Shpresoj që SPAK-u të kthehet në rrugën e Zotit!
Meta akuzoi ish-kreun e PD-së, Lulzim Basha, se me “lojërat e tij” dhe ndihmën e ish-zyrtarit amerikan Charles McGonigal, ia dha Reformën në Drejtësi Edi Ramës.
“Nuk është se nuk e kam pritur mënyrën e arrestimit. Unë kam qenë i ndërgjegjshëm për këtë grusht shteti, që të bëhen ligje mbi Kushtetutën.
S’është faji i 140 votave, problemi është te ligjet antikushtetuese. Ato 140 vota i bëri vetëm Ilir Meta dhe këtë e ka pranuar edhe ambasadori Lu.
Ishte një lojë e madhe që të mos miratohej reforma me konsensus, por të shfrytëzohej si një moment për të përçarë PD-në”, u shpreh Meta.
“Rama ka qenë qengj i urtë. Ai është akrep, unë shqiponjë”
Meta foli edhe për raportin e tij me kryeministrin Edi Rama, duke thënë se e njeh prej vitesh dhe se ndryshimi i tij erdhi pasi mori pushtetin e plotë.
“Unë e njoh z. Rama. Rama ka qenë shumë i urtë kur ka qenë ministër, kur ka qenë vartës, madje edhe kur ka qenë kryeministër në koalicion. Ai vinte çdo ditë në orën 10:00 te Parlamenti. Derisa korruptoi Lulin dhe i mori të gjitha pushtetet, duke nxjerrë fytyrën e vërtetë”, deklaroi Meta.
“30-vjeçarët e opozitës të jenë dy herë më aktivë se Berisha!”
Ish-presidenti theksoi se të rinjtë e opozitës duhet të jenë më aktivë në përballjen politike me qeverinë.
“Duhet të jenë të gjithë si Klevis Balliu në vijë të parë të betejës. Duhet të jenë të gjithë si Tedi Blushi në vijë të parë të betejës. Duhet të jenë dy herë më aktivë këta 30-vjeçarët se Sali Berisha”, tha Meta.
Ai përmendi edhe Adriana Kalaja si shembull të opozitarizmit për kallëzimet e saj të vazhdueshme në SPAK.
“Çfarë do t’i thuash Ramës kur ta takosh përballë?”, Meta rrëfim nga burgu
I pyetur se çfarë do t’i thoshte Ramës nëse do ta takonte përballë, Meta tha se nuk shmanget nga askush dhe se ndihet “ballëhapur” përpara qytetarëve.
“Unë dal përballë cilitdo dhe as nuk e ndërroj rrugën, as nuk i ul sytë. Përpara shqiptarëve do të jem gjithmonë ballëhapur sepse kam mbrojtur interesin kombëtar dhe demokracia për mua është interes kombëtar”, deklaroi ai.
“Jam i pafajshëm. Më thoni një akuzë?!”
Meta deklaroi se nuk mban përgjegjësi penale për bashkëpunëtorët e tij dhe se përgjegjësia është individuale.
“Unë jam i pafajshëm, jo thjesht se e deklaroj. Më thoni një faj timin, një episod, një akuzë dhe t’ju jap përgjigje”, tha ai.
I pyetur për bashkëpunëtorët e tij, Meta shtoi:
“Nuk ndaj asnjë mendim lidhur me përgjegjësinë ligjore apo penale për askënd, vetëm për Ilir Metën.”
“Ja çfarë i kërkova Klodian Brahos”
Meta foli edhe për letrën që i ka dërguar kreut të SPAK-ut Klodian Braho, duke sqaruar se nuk e ka akuzuar për fshehje provash.
“Letra ime është publike dhe shumë korrekte. I është drejtuar atij jo për ta akuzuar për fshehje provash, sepse ai nuk është prokuror i çështjes sime”, tha Meta. /a2cnn/
Ndërsa gjigantët e teknologjisë dhe një valë e re startup-esh të inteligjencës artificiale po garojnë drejt inteligjencës së përgjithshme artificiale (AGI), studiuesit më elitarë dhe drejtuesit kryesorë të inxhinierisë po shndërrohen në “yjet” e vërtetë të këtij sektori.
Kjo industri në zhvillim ka krijuar një treg pune që nuk është parë në Silicon Valley që nga epoka e “dot-com boom”-it, por me një ndryshim të rëndësishëm: kësaj radhe, thuhet se vetëm disa qindra njerëz në botë kanë aftësinë reale për të ndërtuar dhe shkallëzuar sisteme të avancuara të inteligjencës artificiale, shkruan euronews.
OpenAI, Meta, Google DeepMind, Anthropic, xAI, Safe Superintelligence dhe një numër gjithnjë e më i madh startup-esh të inteligjencës artificiale po garojnë ashpër për të tërhequr këtë grup jashtëzakonisht të kufizuar talentesh të nivelit më të lartë.
Si pasojë, gjatë dy viteve të fundit janë raportuar negociata për paketa kompensimi që arrijnë në shifra nëntëshifrore, si dhe grante të mëdha aksionesh. Paralelisht, po zhvillohen edhe fushata rekrutimi të drejtuara personalisht nga CEO-t e disa prej kompanive më të mëdha në botë, përfshirë Mark Zuckerberg dhe Sam Altman.
Megjithatë, disa nga shifrat që qarkullojnë në internet mbeten të kontestuara ose të pakonfirmuara. Për këtë arsye, ky artikull fokusohet vetëm te individët kryesorë për të cilët vlera e rekrutimit dhe kërkesa në treg janë raportuar nga media të mëdha ose janë konfirmuar drejtpërdrejt nga vetë personat e përfshirë në këto negociata.
Më poshtë paraqiten pesë nga inxhinierët dhe studiuesit më të njohur të inteligjencës artificiale në botë sot, pa një renditje të caktuar. Historitë e tyre pasqyrojnë format e ndryshme të garës së fortë për talent që po zhvillohet aktualisht brenda industrisë së AI-së.
Ilya Sutskever
Ilya Sutskever është një nga figurat më të respektuara në fushën e inteligjencës artificiale, një shkencëtar kompjuterik izraelito-kanadez që shpesh përmendet si një nga arkitektët kryesorë të revolucionit të AI-së gjeneruese.
Si bashkëthemelues dhe ish-kryeshkencëtar i OpenAI, Sutskever ka luajtur një rol qendror në zhvillimin e modeleve GPT, teknologji që kanë formësuar në mënyrë vendimtare epokën moderne të inteligjencës artificiale. Ai konsiderohet gjerësisht si një nga mendjet kryesore pas përparimeve që e kanë sjellë AI-në gjeneruese në qendër të industrisë globale të teknologjisë.
Para OpenAI, ai ka punuar në Google Brain, projektin kërkimor të Google që më vonë u bë një nga shtyllat e zhvillimit të Google DeepMind, duke kontribuar në disa prej zbulimeve themelore që nxitën revolucionin e “deep learning”.
Pas krizës së bujshme të qeverisjes në OpenAI në vitin 2023, kur CEO Sam Altman u largua përkohësisht nga detyra, Sutskever u tërhoq nga kompania. Në vitin 2024, ai bashkëthemeloi startup-in Safe Superintelligence (SSI).
SSI është shndërruar shpejt në një nga startup-et më të ndjekura në botën e inteligjencës artificiale. Edhe pse ende nuk ka prezantuar një produkt komercial, kompania u vlerësua privatisht në rreth 32 miliardë dollarë (rreth 27.5 miliardë euro) në vitin 2025, duke reflektuar intensitetin e garës globale për talent dhe teknologjitë e avancuara të AI-së, transmeton Telegrafi.
Më vonë u raportua se Meta kishte shqyrtuar mundësinë e një blerjeje të Safe Superintelligence (SSI), ndërsa paralelisht kishte zhvilluar edhe një fushatë agresive rekrutimi për të tërhequr talente të lidhura me këtë startup, gjatë valës së re të punësimeve në fushën e AI-së të udhëhequr nga Mark Zuckerberg në vitin 2025.
Po ashtu, gjatë dëshmisë së tij në një proces gjyqësor me shumë peshë mes Elon Musk dhe krijuesve të ChatGPT, Ilya Sutskever konfirmoi se zotëron një pjesë aksionesh me vlerë rreth 7 miliardë dollarë (rreth 6 miliardë euro) në OpenAI. Kjo e rendit atë ndër figurat e reja miliardere që kanë dalë nga kompania, krahas presidentit Greg Brockman, i cili gjithashtu dëshmoi se mban një paketë të konsiderueshme aksionesh me vlerë afro 30 miliardë dollarë (rreth 25.8 miliardë euro).
Vlera e Sutskever në industrinë e inteligjencës artificiale buron nga një kombinim i rrallë: kredibiliteti shkencor në nivel elitar, përvoja në ndërtimin e modeleve në kufijtë e teknologjisë dhe aftësia udhëheqëse në organizata kërkimore. Për këtë arsye, shumë investitorë e shohin atë si një nga pak njerëzit në botë që mund të udhëheqë një organizatë kërkimore në shkallën e AGI-së.
Mira Murati
Ajo është një tjetër figurë kyçe që u largua nga OpenAI, ku shërbeu si krye-drejtoreshë teknologjike deri në vitin 2024.
Inxhinierja dhe ekzekutivja shqiptaro-amerikane luajti një rol qendror në zhvillimin dhe lansimin e disa prej produkteve më të rëndësishme të kompanisë, përfshirë ChatGPT, DALL·E dhe GPT-4, duke u shndërruar në një nga fytyrat publike të revolucionit të inteligjencës artificiale. Para OpenAI, ajo ka punuar edhe si menaxhere e lartë e produktit në Tesla.
Pas largimit nga OpenAI, Mira Murati themeloi Thinking Machines Lab, një startup që shpejt tërhoqi ish-studiues nga OpenAI dhe u shndërrua në një lojtar të rëndësishëm në ekosistemin e ri të inteligjencës artificiale.
Edhe pse kompania ende nuk ka lançuar një produkt komercial, ajo është raportuar se ka arritur një vlerësim mbi 5 miliardë dollarë (rreth 4.3 miliardë euro) menjëherë pas themelimit. Fokusimi i saj është te bashkëveprimi njeri–AI, në vend të ndërtimit të sistemeve plotësisht autonome.
Së fundmi, Thinking Machines Lab ka prezantuar në mënyrë paraprake konceptin e “interaction models”, të cilët synojnë t’u mundësojnë përdoruesve kontroll më natyral përmes zërit dhe akses të drejtpërdrejtë në ekranin e tyre, duke synuar një përvojë më të integruar dhe më të thjeshtë të ndërveprimit me inteligjencën artificiale.
Po ashtu, Meta ka tentuar në mënyrë agresive të rekrutojë studiues elitarë të lidhur me Mira Murati dhe startup-in e saj, Thinking Machines Lab, i cili ka arritur të mbledhë inxhinierë dhe kërkues që më parë kanë punuar në projekte si ChatGPT, Character.ai, Mistral AI, PyTorch dhe sisteme të tjera të avancuara të inteligjencës artificiale.
Vlera strategjike e Muratit në këtë ekosistem lidhet jo vetëm me përvojën e saj në ndërtimin e produkteve të mëdha të AI-së, por edhe me aftësinë për të tërhequr në mënyrë të qëndrueshme talent të nivelit më të lartë.
Në industrinë e inteligjencës artificiale, kjo “gravitet rekrutimi” është shndërruar në një avantazh konkurrues më vete, veçanërisht në një kohë kur kompanitë po kuptojnë se talenti elitar është gjithnjë e më i përqendruar në një numër të kufizuar laboratorësh dhe organizatash në kufijtë e teknologjisë.
Alexandr Wang
Alexandr Wang përfaqëson një profil ndryshe brenda garës për talent në inteligjencën artificiale: në vend që të dalë nga OpenAI apo laboratorët e mëdhenj kërkimorë, ai u ngrit si themelues dhe më pas u integrua në një nga strukturat më të mëdha korporative të industrisë.
Ai themeloi Scale AI në vitin 2016, një kompani që u shndërrua në një infrastrukturë kyçe për ekosistemin e mësimit të makinerive, duke ofruar shërbime për etiketimin e të dhënave, vlerësimin dhe testimin e modeleve. Me kalimin e kohës, Scale AI u bë një pjesë e rëndësishme e zinxhirit global të zhvillimit të inteligjencës artificiale, duke bashkëpunuar me qeveri, kompani të mëdha dhe laboratorë kryesorë të AI-së.
Në vitin 2025, u raportua se Meta bleu një pjesëmarrje prej 49 për qind pa të drejtë vote në kompani për rreth 14.3 miliardë dollarë (rreth 12.3 miliardë euro), duke e vlerësuar Scale AI në rreth 29 miliardë dollarë (rreth 25 miliardë euro). Si pjesë e kësaj marrëveshjeje, Wang mori një rol drejtues brenda “Meta Superintelligence Labs”, divizioni i ri i AI-së i kompanisë së Mark Zuckerberg.
Sipas dokumenteve të supozuara të rrjedhura, kompensimi i tij është ndër më të mëdhenjtë në historinë e Silicon Valley, duke përfshirë një pagë bazë rreth 1 milion dollarë (860 mijë euro), bonuse shumë milionëshe dhe paketa aksionesh që mund të arrijnë nga 100 deri në 150 milionë dollarë (86–129 milionë euro), të shpërndara gjatë pesë viteve.
Kjo lëvizje u interpretua gjerësisht si pjesë e përpjekjes së Mark Zuckerberg për të përshpejtuar kapacitetet e Meta-s në fushën e inteligjencës artificiale, në një kohë kur kompania perceptohej se kishte mbetur prapa OpenAI në garën publike të AI-së.
Ndryshe nga studiuesit e pastër akademikë, Alexandr Wang u bë veçanërisht i vlefshëm për shkak të kuptimit të tij operacional mbi mënyrën se si ndërtohen dhe shkallëzohen sistemet e AI-së në nivel frontier. Ekspertiza e tij përfshin infrastrukturën, ndërtimin e grupeve të të dhënave, pipeline-et e vlerësimit dhe organizimin e ekzekutimit në shkallë të gjerë.
Ky lloj njohurie gjithëpërfshirëse po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm, ndërsa sistemet e inteligjencës artificiale rriten në kompleksitet, kosto dhe nevojë për koordinim të avancuar teknik.
Demis Hassabis
Demis Hassabis është një nga figurat më me ndikim në historinë moderne të inteligjencës artificiale, me një rrugëtim që ndërthur themelimin e një startup-i kërkimor dhe integrimin e tij në një nga strukturat më të mëdha teknologjike në botë.
Ai është bashkëthemelues i DeepMind, një laborator kërkimor i inteligjencës artificiale i krijuar në Londër, i cili shumë shpejt u shndërrua në një nga qendrat më të avancuara të kërkimit në botë. DeepMind u bë i njohur globalisht për arritje si AlphaGo, një sistem që mposhti kampionët njerëzorë në lojën e lashtë kineze Go, si dhe AlphaFold, një model që revolucionarizoi biologjinë duke parashikuar strukturat tredimensionale të proteinave.
Në vitin 2024, AlphaFold2 zgjidhi një sfidë shkencore që kishte qëndruar e hapur për dekada në biologjinë strukturore, duke hapur rrugën për përdorim të gjerë në mjekësi dhe kërkime shkencore. Për këto kontribute, Hassabis u nderua me Çmimin Nobel në Kimi në vitin 2024.
DeepMind u ble nga Google në vitin 2014 dhe më vonë u integrua në strukturën e Google DeepMind, që sot funksionon si një nga divizionet kryesore të inteligjencës artificiale brenda gjigantit teknologjik.
Shuma e blerjes nuk u konfirmua kurrë zyrtarisht, por vlerësohet se ka qenë mes 400 dhe 650 milionë dollarëve (rreth 344–559 milionë euro), në një periudhë kur inteligjenca artificiale ende nuk konsiderohej një prioritet qendror në industrinë e teknologjisë.
Hassabis është sot CEO i Google DeepMind dhe një nga figurat më të rëndësishme në garën globale të inteligjencës artificiale.
Paga e tij bazë nuk është bërë publike, por si drejtues i Google DeepMind, kompensimi i tij vjetor total vlerësohet në miliona dollarë. Po ashtu, ai ka marrë shpërblime të veçanta të lidhura me performancën, përfshirë një bonus të raportuar prej rreth 3 milionë dollarësh (rreth 2.58 milionë euro) për sukseset e lidhura me projektin Gemini AI. Pasuria e tij neto vlerësohet rreth 600 milionë dollarë (rreth 516 milionë euro).
Pas lansimit të OpenAI dhe sidomos suksesit të ChatGPT, gara globale e inteligjencës artificiale u përshpejtua ndjeshëm, duke bërë që Google të konsolidojë më fort aktivitetet e saj të AI-së rreth Google DeepMind nën drejtimin e Hassabis. Kjo e vendosi kompaninë në një konkurrencë më të drejtpërdrejtë me Anthropic, Meta dhe OpenAI, si për talentin ashtu edhe për ndikimin publik.
Roli i Hassabis është veçanërisht i vlefshëm sepse ai kombinon statusin e themeluesit, kredencialet elitare shkencore dhe aftësinë drejtuese organizative në një figurë të vetme. Në këtë kontekst, mbajtja e studiuesve kryesorë të DeepMind është bërë strategjikisht kritike për Google, sidomos ndërsa pritjet për kompensime dhe konkurrenca për talent në industrinë e AI-së vazhdojnë të rriten.
Andrej Karpathy
Andrej Karpathy përmbyll këtë listë si një tjetër figurë kyçe e lidhur me themelimin e OpenAI.
Pas rolit të tij në fazat e hershme të OpenAI, ai kaloi në Tesla, ku drejtoi ekipin e inteligjencës artificiale dhe kontribuoi në zhvillimin e sistemeve të drejtimit autonom të bazuara në rrjete neurale gjatë periudhës 2017–2022. Kjo punë e vendosi atë në qendër të përpjekjeve për aplikimin praktik të AI-së në industrinë e automjeteve.
Më pas, Karpathy u rikthye për një periudhë të shkurtër në OpenAI, përpara se të themelonte në vitin 2024 Eureka Labs, një iniciativë e fokusuar në edukimin dhe projektet e pavarura në fushën e inteligjencës artificiale. Deri më tani, kompania nuk ka një vlerësim të publikuar privat, pasi operon kryesisht në fazë zhvillimi dhe eksperimentimi.
Ndryshe nga shumë drejtues të tjerë të kësaj liste, vlera e Karpathy-t në ekosistemin e inteligjencës artificiale lidhet më shumë me aftësinë e tij për të lidhur kërkimin akademik me aplikimet praktike në industri, sidomos në fusha si autonomia dhe sistemet e mësimit të thellë.
Megjithatë, pasuria neto e Andrej Karpathy vlerësohet të jetë mes 50 milionë dollarëve (rreth 43 milionë euro) dhe 150 milionë dollarëve (rreth 129 milionë euro), kryesisht si rezultat i karrierës së tij në kompani të mëdha teknologjike dhe roleve të mëparshme drejtuese.
Edhe pse ai nuk është përfshirë publikisht në spekulimet për kompensime të jashtëzakonshme si disa studiues të tjerë të laboratorëve frontier, Karpathy mbetet një figurë me ndikim strategjik në ekosistemin e AI-së.
Kjo lidhet veçanërisht me aftësinë e tij për të ndikuar komunitetet e zhvilluesve dhe për të tërhequr talent, falë rolit të tij të hershëm në formësimin e kulturës moderne inxhinierike rreth mësimit të thellë dhe sistemeve të inteligjencës artificiale. /Telegrafi/
Autoritetet në Kaliforni kanë ngritur padi ndaj Meta Platforms, duke e akuzuar se ka përfituar nga reklamat mashtruese në Facebook dhe Instagram, ndërsa nuk ka arritur të ndalojë në mënyrë efektive aktivitetet mashtruese në shkallë të gjerë.
Qarku Santa Clara pretendon se Meta ka shkelur ligjet për reklamim të rremë dhe konkurrencë të pandershme, duke lejuar që reklamat mashtruese të gjenerojnë miliarda dollarë të ardhura. Padia kërkon dëmshpërblim, gjoba civile dhe ndalimin e këtyre praktikave.
Rasti mbështetet në dokumente të brendshme të rrjedhura, sipas të cilave Meta mund të ketë përfituar deri në 7 miliardë dollarë në vit nga reklama “me rrezik të lartë” që shfaqnin shenja mashtrimi.
Zyrtarët e qarkut thonë se kompania ka vendosur fitimin përpara zbatimit të ligjit, duke krijuar mekanizma të brendshëm që, sipas tyre, kanë kufizuar luftën kundër mashtrimeve kur rrezikoheshin të ardhurat.
Meta i ka mohuar akuzat, duke deklaruar se lufton në mënyrë aktive reklamat mashtruese. Megjithatë, padia pretendon se kompania ka bërë deklarata publike që nuk përputhen me realitetin e përfitimeve nga këto reklama.
Çështja konsiderohet një nga paditë më të ashpra ndaj platformave të rrjeteve sociale për rolin e tyre në reklamimin e rremë dhe pritet të ketë pasoja të rëndësishme ligjore dhe financiare. /Telegrafi/
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e ish-presidentit Ilir Meta për zëvendësimin e masës së sigurisë, duke lënë në fuqi arrestin ndaj tij.
Vendimi u dha pas seancës së zhvilluar këtë të hënë në GJKKO, ku ishin të pranishëm edhe disa figura të Partisë së Lirisë dhe opozitës, mes tyre Tedi Blushi, Flamur Noka, Klevis Balliu dhe Bujar Leskaj.
Gjatë seancës, avokati Kujtim Cakrani paraqiti edhe vendimin e fundit të Kolegjit të Bashkuar të Gjykatës së Lartë, duke argumentuar në favor të ndryshimit të masës së arrestit, por kërkesa e mbrojtjes nuk u pranua nga gjykata./euronews/
Meta bleu Assured Robot Intelligence, një startup të bashkëthemeluar nga ish-bashkëthemeluesi i Fauna Robotics, Lerrel Pinto, dhe ish-studiuesi i Nvidia, Xiaolong Wang, për të forcuar strategjinë e saj të platformës së robotikës humanoide.
Marrëveshja, e cila sjell modele kontrolli të robotëve me të gjithë trupin dhe teknologji sensorësh në Meta Superintelligence Labs, zbulon ambicien e Metës për të qenë Androidi i humanoidëve: të ofrojë shtresën e inteligjencës dhe t'i lejojë të tjerët të ndërtojnë makinat, transmeton Telegrafi.
Lerrel Pinto bashkëthemeloi Fauna Robotics, një startup që ndërtoi një robot dykëmbësh të afrueshëm të quajtur Sprout. Ai u largua në vitin 2025. Amazon bleu Fauna në mars, së bashku me 50 punonjësit e saj dhe humanoidin vallëzues me vlerë 50,000 dollarë, tre metra e gjysmë të gjatë, për të hyrë në tregun e robotikës së konsumatorit.
Pinto më pas bashkëthemeloi Assured Robot Intelligence me Xiaolong Wang, një ish-studiues i Nvidia dhe profesor i asociuar në UC San Diego, i cili fitoi çmimin MLSys 2024 Best Paper Award për punën mbi optimizimin e modelit të IA-së.
Të premten, Meta bleu ARI dhe të dy themeluesit iu bashkuan Meta Superintelligence Labs. Blerja u mbyll në të njëjtën ditë që u njoftua. Kushtet financiare nuk u zbuluan.
Pyetja interesante nuk është se çfarë pagoi Meta për një startup, punonjësit e të cilit ishin të përqendruar në San Diego dhe New York. Por është ajo që Meta synon të bëjë me teknologjinë dhe çfarë zbulon ky qëllim në lidhje me teorinë e kompanisë se si do të zhvillohet tregu humanoid.
Platforma
Qëllimi i deklaruar i Meta-s për robotikën është të kopjojë atë që bënë sistemi operativ Android i Google dhe çipat e Qualcomm për industrinë e telefonave inteligjentë: të ndërtojë themelin mbi të cilin ndërtojnë të gjithë të tjerët.
Kompania lançoi Meta Robotics Studio vitin e kaluar, punësoi ish-CEO-n e Cruise, Marc Whitten, për të udhëhequr përpjekjen dhe filloi të rekrutojë afërsisht 100 inxhinierë për të zhvilluar pajisje humanoidë të brendshme së bashku me modelet e IA-së që e fuqizojnë atë.
Drejtori i Teknologjisë Andrew Bosworth i ka përshkruar robotët humanoidë si bastin e radhës të Meta-s në një shkallë të krahasueshme me realitetin e shtuar, një kategori në të cilën Meta ka shpenzuar tashmë dhjetëra miliarda përmes divizionit të saj Reality Labs.
Blerja e ARI shton një aftësi specifike në këtë përpjekje: modele kontrolli robotësh që u mundësojnë humanoidëve të kuptojnë, parashikojnë dhe përshtaten me sjelljen njerëzore në mjedise të pastrukturuara.
Strategjia e platformës është e qartë. Meta synon të zhvillojë sensorë, softuerë dhe modele të inteligjencës artificiale për robotët dhe t'i bëjë ato të disponueshme për pjesën tjetër të industrisë, që do të thotë se teknologjia mund të përdoret nga prodhuesit që Meta nuk i zotëron ose nuk i kontrollon.
Ky është modeli Android i aplikuar në makinat fizike. Në telefonat inteligjentë, Google dha sistemin operativ dhe fitoi vlerë përmes kërkimit, reklamimit dhe ekosistemit Play Store.
Në robotikë, Meta do të jepte shtresën e inteligjencës dhe do të fitonte vlerë përmes të dhënave, ekosistemit të modelit dhe integrimit me platformat ekzistuese të Metës, ku 3.3 miliardë njerëz tashmë bashkëveprojnë çdo ditë.
Meta ka blerë talente të inteligjencës artificiale në mënyrë agresive, duke punësuar pesë anëtarë themelues të Thinking Machines Lab, përfshirë një studiues, paketa gjashtëvjeçare e të cilit thuhet se arriti në 1.5 miliardë dollarë.
Blerja e ARI përputhet me të njëjtin model: ekip i vogël, aftësi kufitare, integrim i menjëhershëm në divizionin kërkimor të Superintelligence Labs.
Teknologjia
Kontributi teknik i ARI-t përqendrohet në atë që kompania e quan "inteligjencë robotike e projektuar për t'i mundësuar robotëve të kuptojnë, parashikojnë dhe përshtaten me sjelljet njerëzore në mjedise komplekse dhe dinamike".
Në praktikë, kjo do të thotë modele të IA-së për kontrollin humanoid të të gjithë trupit, aftësinë për të koordinuar gjymtyrët, ekuilibrin dhe lëvizjen e një roboti në përgjigje të të dhënave shqisore në kohë reale nga një botë fizike e paparashikueshme.
Puna e vlerësuar me çmime e Wang-ut mbi kuantizimin e peshës të vetëdijshëm për aktivizimin, e njëjta teknikë që e bëri blerjen e Eigen AI nga Nebius të vlefshme këtë javë, është e rëndësishme këtu: kompresimi i modeleve të IA-së në mënyrë që ato të funksionojnë në mënyrë efikase me llogaritjen e kufizuar të disponueshme brenda një roboti, në vend që të kërkojnë një lidhje me një qendër të dhënash të largët.
Kompania gjithashtu zhvilloi e-Flesh, një sensor prekës që mat deformimet në mikrostrukturat e printueshme në 3D duke përdorur magnet dhe magnetometra. Ndjesia prekëse është një nga problemet e pazgjidhura në robotikën humanoide.
Një robot që mund ta shohë mjedisin e tij përmes kamerave dhe lidarit ende nuk mund të ndiejë ndryshimin midis kapjes së një veze dhe kapjes së një topi tenisi pa reagime prekëse.
Hendeku midis mënyrës se si robotët mësojnë në simulim dhe mënyrës se si ata performojnë në botën fizike mbetet pengesa qendrore për vendosjen në shkallë të gjerë.
Puna e ARI-t mbi vetë-mësimin për kontrollin e robotëve, e kombinuar me teknologjinë e saj të sensorëve, adreson të dyja anët e këtij hendeku: modele më të mira dhe të dhëna më të mira shqisore.
Tregu
Tregu i robotikës humanoide është zhvendosur nga spekulativ në konkurrues në një periudhë prej 18 muajsh. Tesla planifikon të fillojë prodhimin në shkallë të gjerë të humanoidit të saj Optimus V3 midis korrikut dhe gushtit, me objektiva vjetore të kapacitetit prej një milion njësish deri në fund të vitit 2026 dhe një çmim midis 20,000 dhe 30,000 dollarëve.
1X Technologies ka hapur një fabrikë në Hayward, Kaliforni, për të prodhuar 10,000 robotë humanoide NEO në vitin e saj të parë, me kapacitetin e prodhimit të vitit të parë që shitet brenda pesë ditëve nga hapja e porosive paraprake.
Apptronik ka mbledhur 520 milionë dollarë me një vlerësim prej 5 miliardë dollarësh, duke bashkëpunuar me Google DeepMind dhe modelet e saj Gemini Robotics. Amazon ka bërë dy blerje robotike në një muaj të vetëm. Unitree synon 20,000 dërgesa humanoide në vitin 2026.
Morgan Stanley parashikon që tregu global i robotëve humanoide do të arrijë në 38 miliardë dollarë deri në vitin 2035 dhe 5 trilion dollarë deri në vitin 2050.
Dinamikat konkurruese po sqarohen në tre nivele. Niveli i parë janë prodhuesit e integruar vertikalisht, kompani si Tesla dhe 1X që projektojnë, ndërtojnë dhe shesin robotin e plotë. Niveli i dytë janë ofruesit e platformave, kompanitë që furnizojnë shtresën e inteligjencës, sistemin operativ ose komponentët kryesorë që përdorin prodhues të shumtë. Niveli i tretë janë furnizuesit e komponentëve, prodhuesit e çipave dhe kompanitë e sensorëve që u shesin të dyjave.
Meta po pozicionohet në nivelin e dytë dhe nuk është e vetmja. Google, përmes programit Gemini Robotics të DeepMind dhe partneritetit të saj me Apptronik, po ndjek një strategji të ngjashme platforme.
Evropa po zhvillon qasjen e saj ndaj garës humanoide, me kompani dhe institucione kërkimore që ndjekin strategji që theksojnë sigurinë, saktësinë industriale dhe pajtueshmërinë rregullatore mbi qasjen e shpejtësisë në treg të preferuar nga konkurrentët amerikanë dhe kinezë.
Basti
Historia e Metës me platformat e harduerit është mësimore. Kompania humbi celularët. Facebook Home, përpjekja e saj e vitit 2013 për t'u bërë ndërfaqja e parazgjedhur në telefonat Android, u ndërpre brenda një viti.
Më pas, kompania shpenzoi më shumë se 50 miliardë dollarë në Reality Labs duke u përpjekur të zotëronte platformën e ardhshme kompjuterike përmes realitetit virtual dhe të shtuar, një bast që ende nuk ka sjellë fitime në asgjë që i afrohet shkallës së biznesit të saj të reklamave.
Syzet inteligjente Ray-Ban Meta janë më afër që kompania ka arritur me një produkt harduerik të suksesshëm jashtë platformave të saj kryesore të mediave sociale, dhe madje edhe ato janë në thelb një aksesor për asistentin e inteligjencës artificiale të Meta-s dhe jo një pajisje kompjuterike e pavarur.
Basti i robotikës është i ndryshëm në një aspekt. Meta nuk po përpiqet të prodhojë vetë harduerin në shkallë të gjerë. Po përpiqet të ofrojë inteligjencën, modelet, teknologjinë e sensorëve dhe paketën e softuerëve, dhe t'i lejojë të tjerët të ndërtojnë makinat.
Kjo është një strategji me kapital më të ulët dhe me levë më të lartë sesa qasja e Reality Labs, dhe luan me pikat e forta të vërteta të Metës në kërkimin e IA-së, shpërndarjen e modeleve me burim të hapur dhe ekonominë e platformave.
Por kjo varet nga zhvillimi i tregut humanoid në mënyrën se si u zhvillua tregu i telefonave inteligjentë: me qindra prodhues që kanë nevojë për një platformë të përbashkët softuerësh. Nëse tregu konsolidohet rreth disa lojtarëve të integruar vertikalisht, secili me IA të pronarit, modeli Android nuk zbatohet. Tesla nuk po kërkon një sistem operativ. As 1X.
Kompanitë që mund të duan shtresën e inteligjencës së Metës janë ato që ende nuk ekzistojnë, ekuivalentët humanoidë të Samsung, Xiaomi dhe Oppo, prodhues që mund të ndërtojnë trupa, por kanë nevojë për dikë tjetër për të siguruar trurin.
Meta vë bast se këto kompani do të vijnë. Blerja e ARI është investimi më i fundit për t'u siguruar që kur të mbërrijnë, teknologjia e Metës është ajo që ata kërkojnë së pari. /Telegrafi/
Një gjyq që nis në New Mexico mund të detyrojë gjigantin Meta Platforms të bëjë ndryshime të mëdha në funksionimin e Facebook, Instagram dhe WhatsApp – madje kompania paralajmëron se mund të largohet nga shteti.
Padia është ngritur nga prokurori i përgjithshëm Raúl Torrez, i cili akuzon Meta-n se i ka dizajnuar platformat për të krijuar varësi tek të rinjtë dhe nuk i ka mbrojtur ata nga shfrytëzimi seksual.
Thelbi i gjyqit është nëse këto platforma përbëjnë një “dëmtim publik” (public nuisance).
Nëse gjykatësi Bryan Biedscheid vendos kështu, mund të urdhërojë ndryshime të thella në mënyrën si funksionojnë këto rrjete për përdoruesit në New Mexico.
Në një fazë të mëparshme, një juri vendosi se Meta kishte shkelur ligjin për mbrojtjen e konsumatorit duke paraqitur si të sigurta platformat për të rinjtë dhe e dënoi me 375 milionë dollarë.
Autoritetet kërkojnë:
verifikim të moshës së përdoruesve
ndryshime në algoritme për përmbajtje më cilësore për të mitur
ndalimin e autoplay dhe scroll-it të pafund për të rinjtë
Gjithashtu, shteti mund të kërkojë deri në 3.7 miliardë dollarë për një plan 15-vjeçar të shëndetit mendor.
Nga ana tjetër, Meta thotë se:
ka marrë tashmë masa për sigurinë
nuk ka prova shkencore që rrjetet sociale shkaktojnë probleme mendore
disa kërkesa janë “të pamundura teknikisht”
Ky rast po ndiqet nga afër, sepse mund të ndikojë edhe në qindra procese të ngjashme në SHBA kundër kompanive të rrjeteve sociale. /Telegrafi/
Është shtyrë gjykimi në themel për ish-presidentin Ilir Meta. Procesi ka zgjatur më pak seç pritej, sepse nga sa raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, gjyqi është shtyrë për datën 11 maj, ora 12:00 e mesditës.
Avokatja e Fatime Kryemadhit, e ëma e Monika Kryemadhit, ka kërkuar ndërprerje të seancës, për shkak se nuk ka në prokurë tagrat për të kërkuar gjykim të shkurtuar.
Sot ishte hera e parë që një gjyq i Metës transmetohej direkt në media sociale apo në televizion, teksa u pa edhe një ndryshim në pamjen e ish-presidentit, i cili qëndron prej më shumë se një viti i izoluar në “Burgun 313”.
Avokati i Metës, Kujtim Cakrani, pas përfundimit të seancës dha një deklaratë për mediat, ku tha se ish-presidenti meriton gjyq publik, teksa përmendi rastin e Fatos Nanos.
Ish-presidenti Ilir Meta, pre 18 muajsh mbahet në paraburgim, ndërsa gjyqi ndaj tij vijon. Këtë të hënë, për herë të parë gjyqi në themel në GJKKO u transmetua një pjesë online, ku shihej Meta në kafazin e xhamit, e pranë tij ish-bashkëshortja Monika Kryemadhi dhe avokati i tij Kujtim Cakrani. /Tch/
Janë publikuar pamjet e para nga seanca gjyqësore në GJKKO që po zhvillohet këtë të hënë lidhur me çështjen e Ilir Metës.
Kreu i partisë së Lirisë, Ilir Meta shihet brenda kafazit prej xhami teksa lëshuar akuza ndaj sistemit të drejtësisë se procesi ndja tij është i turpshëm.
“Nuk jam unë në pozita të pabarabarta, por ata. Me shpifje dhe gënjeshtra, një proces i turpshëm kundër shtetit shqiptar. Nga sot deri në momentin e fundit, ju ftojë të ndiqni dhe transmetoni seancën”, tha ai.
“Unë iu garantoj që mbaj përgjegjësi për çdo shkelje timet”, dëgjohet duke thënë Meta ndërsa vijon seanca.
Në nisje të seancës, trupa gjykuese pritet të shprehet me vendim nëse do të lejohen kamerat e televizioneve në sallë, në një proces që ka ngjallur interes të lartë publik dhe mediatik. Meta ka kërkuar gjithashtu që seancat të transmetohen drejtpërdrejt, duke i drejtuar gjykatës një kërkesë publike për “transparencë të plotë” gjatë zhvillimit të procesit.
Sipas SPAK, Meta dhe Kryemadhi dyshohet se kanë përdorur ndikim politik për të favorizuar subjekte të caktuara në këmbim të përfitimeve financiare, si dhe për të fshehur pasuri dhe shpenzime./Euronews/
Monika Kryemadhi ka folur sot për marrëdhënien e saj me Ilir Metën, për të cilin u shpreh se sot gëzon ende respekt për 33 vitet e kaluara bashkë si partnerë.
E ftuar në ‘Breaking’ në Top News, Monika u shpreh se vitet e bashkëjetesës me Metën kanë qenë periudha më e bukur e jetës së saj, edhe pse me të ka kaluar shumë sfida dhe beteja me të.
“Më thuaj ti një femër që nuk mban mend puthjen e parë. Unë nuk mund të mohoj 33 vite jetë me Metën, nuk kanë qenë të tmerrshme, por shumë të bukura. Ka qenë periudha më e bukur e jetës sime. Me Metën kam kaluar shumë sfida, shumë beteja, disa i fituam, disa u humbën. Unë nuk mund të mohoj çdo gjë. Kjo që jam, jam për shkak të bashkëjetesës sime me të. Ai ishte shumë tolerant, më linte të bëja çfarë të doja, nuk kam pasur kurrë kontroll. Ne në jetën tonë kemi bërë a s’kemi bërë 5 herë pushime familjare.
Jam penduar që kam harxhuar kohën për të tjerët dhe jo për familjen time. Kam peng në marrëdhënien me fëmijët, sepse i jam përkushtuar njerëzve të tjerë dhe në fund të ditës, kur kthen kohën, thua çfarë kam bërë për fëmijën tim. Ndjej respekt për të. Meta kurrë nuk ka qenë i vëmendshëm për veshjen time. Vetëm një herë, kur i kam lyer flokët e kuqe, i bëri përshtypje.
Sot ndjej respekt dhe inat me veten që SPAK dhe Dumani përdorën metodologjinë e sigurimit të shtetit për të na futur në konflikt, duke i quajtur si bashkëpunëtor të SPAK, pra që kam tradhtuar Metën dhe doli që nuk ishte e vërtetë. Meta gjithmonë i ka besuar njerëzit dhe ky ka qenë problemi më i madh i tij. Ai ka një miqësi të tepruar brenda vetes së tij. Zhgënjimin e ka shumë më të madh. Manipulimi që është bërë ka qenë shumë i shëmtuar dhe jo njerëzor”.
Monika riktheu në vëmendjet edhe akuzat që i janë bërë.
“Të gjithë ata që kanë ndërtuar këtë lloj skeme… ata i than në fillim Metës, që në telefonin e Monikës kemi gjetur një të dashur, pra “Monika ka të dashur”. Unë thoja që të kesh të dashur duhet të kesh kohë njëherë. Meta kishte ikur nga shtëpia atëherë. Thonin që unë kam të dashur. I kishin çuar Metës mesazhet e mia me “Zemra ime”. Unë Metën e kisha të regjistruar në telefon me “Zemra ime”, u shpreh Monika Kryemadhi. /Tch/
Meta Platforms po përgatitet për një valë të re pushimesh masive nga puna, që pritet të nisë më 20 maj, sipas burimeve të cituara nga Reuters.
Në fazën e parë, kompania që zotëron Facebook dhe Instagram planifikon të largojë rreth 10% të stafit global, afërsisht 8,000 punonjës. Burimet thonë se mund të ketë edhe shkurtime të tjera në gjysmën e dytë të vitit, ndërsa planet mund të ndryshojnë në varësi të zhvillimeve në inteligjencën artificiale.
Drejtori ekzekutiv Mark Zuckerberg po investon shuma të mëdha në AI, duke synuar transformimin e kompanisë drejt një strukture më efikase me më pak nivele menaxhimi.
Një trend i ngjashëm është parë edhe te Amazon dhe Block Inc., të cilat kanë bërë shkurtime të mëdha duke i lidhur ato me automatizimin përmes AI.
Sipas të dhënave të Layoffs.fyi, mbi 73 mijë punonjës në sektorin e teknologjisë kanë humbur vendin e punës këtë vit.
Këto lëvizje vijnë pas një periudhe të ngjashme në 2022–2023, kur Meta eliminoi rreth 21,000 vende pune gjatë të ashtuquajturit “viti i efikasitetit”.
Aktualisht, Meta ndodhet në një gjendje më të qëndrueshme financiare, me mbi 200 miliardë dollarë të ardhura dhe rreth 60 miliardë dollarë fitim vitin e kaluar, por po ristrukturon ekipet dhe po zhvendos fokusin drejt zhvillimit të inteligjencës artificiale dhe automatizimit të proceseve. /Telegrafi/