Normal view

Shkolla Digjitale prezanton inovacionet në arsim në konferencën më të madhe botërore të edukimit dhe teknologjisë, Bett në Londër

22 January 2026 at 15:06


Shkolla Digjitale (Digital School), kompani e themeluar në Kosovë në vitin 2015 dhe me mbi 40 lokacione aktive në mbarë botën, po merr pjesë në Bett UK 2026, eventi më i madh global për edukim dhe teknologji, i cili po mbahet nga 21 deri më 23 janar në ExCeL Londër.

Këtë vit, Bett UK mblodhi mbi 35 mijë pjesëmarrës nga e gjithë bota përfshirë emra të mëdhenj të industrisë globale, si Microsoft, Amazon, Cisco, Canva, edukatorë, institucione publike dhe vendimmarrës ndërkombëtarë.

Shkolla Digjitale ishte e vetmja kompani nga Kosova që prezantoi në Bett UK 2026, duke përfaqësuar jo vetëm kompaninë, por edhe potencialin e inovacionit kosovar në fushën e edukimit dhe teknologjisë në një skenë globale.

Gjatë ditës së parë të eventit, Darsej Rizaj, bashkë-themelues dhe CTO i Shkollës Digjitale , prezentoi “When AI Meets Edutainment: Reimagining Student Motivation at Scale”, ku u trajtua një nga sfidat kryesore të arsimit sot: motivimi i nxënësve dhe angazhimi i tyre në procesin mësimor.

Në prezantimin e tij, Rizaj shpalosi ekosistemin e Shkollës Digjitale, si një mjet që e bën mësimin më të personalizuar, më të kuptueshëm dhe më tërheqës për nxënësit, duke i mbajtur ata aktivë dhe të përfshirë në procesin mësimor. Në këtë ekosistem përfshihen:

  1. DSOS – Menaxhim operacional dhe inteligjent i shkollave
  2. Houses – Angazhim dhe motivim përmes lojës
  3. dBlox – Kodim kreativ dhe zhvillimi i të menduarit kompjuterik
  4. Parent App – Aplikacion për prindërit për ndjekjen e zhvillimeve shkollore
  5. AI Engine – Personalizim inteligjent sipas analizës dhe automatizim
Të dizajnuara për të funksionuar së bashku ose në mënyrë të pavarur. Me këtë paraqitje, Shkolla Digjitale konfirmon rolin e saj aktiv në diskutimet ndërkombëtare mbi të ardhmen e arsimit, inteligjencës artificiale dhe edutainment-it. Shkolla Digjitale po përfaqësohet në Bett UK 2026 nga ekipi drejtues dhe teknik, duke përfshirë edhe themeluesit e saj, Hana Qerimi dhe Darsej Rizaj.

Burrat që njoh e duan IA-në - gratë jo dhe e kuptoj pse

19 January 2026 at 14:15


Nga: Olivia Petter / The Independent
Përkthimi: Telegrafi.com

Nëse burrat me të cilët kam dalë gjatë vitit të fundit kanë pasur ndonjë gjë të përbashkët, është ajo se të gjithë duan të flasin me mua për inteligjencën artificiale [IA].

E përdor për të shkruar artikujt e mi? Jo.

A jam e shqetësuar se do të ma zaptojë punën? Në fakt jo.

A do të vazhdoj të shkruaj libra nëse të gjithë duan të lexojnë ato që janë shkruar nga IA-ja? Po.

A e kam përdorur ndonjëherë për t’i shkruar mesazh dikujt në një aplikacion takimesh? Jo.

A duhet ta pyesim ChatGPT-në të na përshkruajë për ndonjë partnerë të mundshëm? Oh, Zot.

Këto biseda rrallëherë janë të rastësishme. Kam pasur edhe debate. Një herë hyra në një bisedë të zjarrtë me një burrë nëse njerëzit duhet të kërkojnë këshilla mjekësore te ChatGPT-ja, dhe me një tjetër që pranoi se e kishte përdorur për ta ndihmuar për ta shkruar një mesazhe ndarjeje.

Ndërkohë, sa herë që kam postuar në Instagram në mbështetje të krijimtarisë njerëzore mbi përmbajtjen e gjeneruar nga IA-ja, marr një lumë reagimesh - dhe ato gjithmonë nga burrat e etur për të përmbysur përsiatjet e mia rreth asaj se çfarë do të thotë të krijosh dhe të konsumosh art.

Kjo nuk do të thotë se gratë që njoh nuk e përdorin IA-në - shumë nga to e shohin si mjet të paçmuar për këshilla për karrierë, mbështetje financiare dhe, në disa raste, mbështetje emocionale - por, nuk besoj se e përdorin, apo qoftë edhe mendojnë për të, aq shumë.

- Lexo po ashtu nga Olivia Petter: Pse brezi Z është kaq i fiksuar pas “pothuajse marrëdhënies”?

Të dhënat e mbështesin këtë. Megjithëse kërkimet ndryshojnë, disa studime kanë treguar se burrat e përdorin IA-në gjeneruese më shumë se gratë. Në vitin 2024, një punim i titulluar Hendeku gjinor në Gen IA ka përshkruar se të dhënat nga Anketa e Pritshmërive të Konsumatorëve tregonin që 50 për qind e burrave përdorin mjete të IA-së gjeneruese, në krahasim me 37 për qind të grave.

Një studim nga Danimarka zbuloi se gratë kanë më pak gjasa të përdorin ChatGPT-në për punë sesa burrat, ndërsa kërkimi i kryer në Shkollën e Biznesit të Harvardit zbuloi se, ndërmjet nëntorit 2022 dhe majit 2024, gratë përbënin 42 për qind të 200 milionë përdoruesve mesatarë mujorë të faqes së internetit të ChatGPT-së.

Po shfaqet një hendek i qartë - i tillë që shumëkush ka frikë se do të thellojë pabarazitë ekzistuese ekonomike në vendin e punës.

Shpjegimet më të zakonshme përfshijnë faktin se gratë janë më pak të përfaqësuara në karrierat STEM [Shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë] dhe në rolet specifike të IA-së, si një industri që kryesisht mbahet nga burra; vetëm 14 për qind e pozicioneve ekzekutive të larta në IA mbahen nga gratë.

Por, sinqerisht, mendoj se arsyeja pse gratë nuk e përdorin AI-në aq shumë shkon shumë më thellë sesa përfaqësimi i thjeshtë.

Si fillim, kjo teknologji është përdorur kundër nesh - që nga fillimi. Ka trillime pornografike [deepfake] të krijuar nga Grok-u dhe platforma të tjera; të dashurat e IA-së që burrat përdorin për të zhvilluar biseda dhe për të realizuar fantazi në hapësira ku pëlqimi nuk ekziston; dhe, një mori paragjykimesh gjinore që teknologjia vazhdon të përforcojë.

Ajo i nënvlerëson problemet e shëndetit të grave, shpesh i portretizon gratë në role shtëpiake ose nënshtruese, dhe mbështetet në asistente që janë në thelb të feminizuara - mos harroni që ChatGPT-ja përdori (dhe më pas hoqi) një ndërfaqe zanore që tingëllonte në mënyrë të frikshme si zëri i Scarlett Johanssonit nga filmi Her?

Me gjithë këtë në mendje, a është për t’u habitur që disa gra mund të ndihen të rezervuara për të përqafuar IA-në me të njëjtin entuziazëm që duket se po shfaqin burrat?

Kam disa shokë që janë gjithashtu të pavendosur, por, si unë, ata punojnë në fusha krijuese ku IA-ja aktualisht përbën më shumë kërcënim sesa ndihmë. Edhe kështu, disa prej tyre janë të lumtur t’i bëjnë pyetje ChatGPT-së, gjatë gjithë ditës, ashtu siç nuk i kam parë kurrë gratë.

Ndoshta ekziston një nivel i natyrshëm i besimit në lojë - një supozim se kjo platformë mund të ndihmojë sepse favorizon.

Është një vetëbesimqë gratë nuk janë inkurajuar ta zhvillojnë. Dhe, megjithatë, përderisa teknologjia evoluon, IA-ja do të formësojë dhe përcaktojë gjithnjë e më shumë jetën tonë.

Mbetet vetëm të shpresojmë që përgjatë rrugës të bëhet një hapësirë më e sigurt për gratë. Ndërkohë, do të mund t’u bënte mirë përdoruesve të zjarrtë meshkuj që të jenë të vetëdijshëm për këtë - ose, të paktën, të kenë një shkallë të shëndetshme skepticizmi gjatë përdorimit të saj.

Kjo më kthen te takimi ku një burrë sugjeroi të përdornim ChatGPT-në për të na përshkruar si partnerë të mundshëm. Ia dërgova timen: një listë e çrregullt me klishe të parashikueshme të gjeneruara nga ajri i nxehtë i internetit (“Olivia është altruiste, bujare dhe e ngrohtë”).

Bëra shaka për faktin që nuk isha asnjë nga këto gjëra. Ai nuk dukej se e kuptoi dhe u përgjigj se në të vërtetë do të donte shumë të ishte me një altruiste, bujare dhe të ngrohtë. “Sa keq”, shtoi ai.

Nuk jam edhe aq e sigurt që ishte. /Telegrafi/

Dramaturgu i cili ka parë të ardhmen që nuk është njerëzore

2 January 2026 at 13:13


Nga: Alexis Soloski / The New York Times
Përkthimi: Telegrafi.com

“Përpiqem të mos shkruaj distopi,” ka thënë dramaturgu Jordan Harrison. “Sepse është e mërzitshme. Më pëlqen të rri në një vend të paqartë.”

Kjo ndodhi të hënën e fundit, në ditën e tij të pushimit, dhe ai po rrinte në një kafene të ndriçuar dhe të qetë në Bruklin. Një utopi e mesditës dhe gjithashtu një vend analog dhe nxitës për të diskutuar veprën e fundit të Harrisonit - një anatomi e ëmbël dhe e hidhur e ndërlidhjes njerëzore të ndërmjetësuar nga teknologjia.

Në disa prej dramave të tij të fundit, Harrisoni ka eksploruar çfarë do të thotë të jesh njeri, por kurrë më fuqishëm se në dramën e vitit 2014, Marxhori Prajm [Marjorie Prime] - që ishte në finale për çmimin Pulicer [Pulitzer] dhe që tashmë shfaqet në Broduej.

E vendosur disa dekada në të ardhmen (disa detaje nga konteksti sugjerojnë vitet 2060), Marxhori Prajm ka në rolin kryesor June Squibbin si një grua në të tetëdhjetat. Për shoqëri dhe për të shmangur humbjen e kujtesës, ajo bisedon me një Prajm - një version holografik i bashkëshortit të saj të ndjerë. E shkruar kur biseda rreth inteligjencës artificiale gjeneruese [IA] ishte më e heshtur, drama ka ardhur në Broduej pikërisht në kohën kur kjo bisedë është bërë shumë më e zjarrtë. Si të gjitha dramat e Harrisonit, është një dramë rreth vdekshmërisë dhe pasqyron gjithnjë e më shumë bindjen e tij se teknologjia përfundimisht do të na tejkalojë.

“Ideja që bota njerëzore do të marrë fund, në fund të fundit është diçka që më ka shoqëruar për një kohë të gjatë,” tha ai, teksa hante një tas me drithëra. Nuk tingëllonte i trishtuar për këtë.

Harrisoni, 48 vjeç, u rrit në Beinbrixh-Ajlënd, në Uashington pranë Sietllit, kur ishte ende një vend mjaft rural dhe jo një komunitet i banuar nga punonjës të teknologjisë. Dhe, pavarësisht fokusit që ka teknologjia në veprat e tij, ai gjithmonë ka qenë një përdorues i vonuar - ose aspak përdorues i pajisjeve. Edhe tani, kur jeton në Bruklin me bashkëshortin e tij, Adam Green - drejtor artistik i Teatrit “Playwrights Horizons” - ai mbetet i distancuar nga rrjetet sociale.

Pranon se ka njerëz në botë që kanë një marrëdhënie pa konflikte me teknologjinë, “që nuk vuajnë për ndjesinë që kishte truri i tyre në vitin 1995,” ka thënë ai. Ai nuk është një prej tyre. Ka mall për kohën kur mund të lexonte një libër pa ndier nevojën për të kontrolluar rezultatet më të fundit të tenisit. Ajo kohë ka ikur.

“Unë jam defekti, jo teknologjia,” ka thënë ai. “Paaftësia ime për të thënë jo, sjellja ime e varësisë.”

Ai është i ndjeshëm ndaj kësaj varësie, të paktën sa i përket shkrimit. Si përfaqësues i fundit i brezit X, ai ka përjetuar kalimin nga epoka analoge në atë digjitale. Duke studiuar gjuhën angleze në Stenford në vitet ’90 të shekullit XX, ai kishte, sipas tij, “një vend në rreshtin e parë për të kuptuar se kjo do të ishte bota e ardhshme dhe se po filloja një karrierë në një fushë gjithnjë e më të vjetruar.”

Mahnitja e tij ka të bëjë me sjelljen njerëzore që ndihmohet dhe pengohet nga pajisjet që kemi në duar - ato që ekzistojnë tani dhe ato që ai vetëm i imagjinon.

“Ndjehet si diçka fantastike, por gjithçka është brenda mundësive,” ka thënë Anne Kauffman, regjisorja e Marxhori Prajmit, që ka punuar me Harrisonin për gati 20 vjet. “Ai gjithmonë merret me të tashmen, me realitetin, në një botë tjetër fantastike me të cilën ai e krahason.”

Kjo përplasje mes analoges dhe digjitales u shfaq për herë të parë në dramën e Harrisonit të vitit 2010, Futura, një triler ku materiali i shtypur ishte pothuajse i ndaluar. Këto ide u zhvilluan më tej në Maple and Vine, një dramë e vitit 2011 për një dyshe të martuar e të zhgënjyer që braktisin jetën moderne për të jetuar në një komunitet ku është gjithmonë viti 1955. Siç shpjegon një personazh: “Kufizimet janë lehtësim.”

Ka më pak lehtësim në The Antiquities, që pati premierën më herët këtë vit në Playwrights Horizons - që prej kohësh është shtëpia e Harrisonit. Një seri skenash të shkurtra për përqafimin dhe dorëzimin e njerëzimit ndaj teknologjisë fillojnë në shekullin XIX me emrat si Mary Shelley, dhe përfundojnë shumë më vonë kur qeniet post-njerëzore kanë krijuar Muzeun e Antikiteteve të Njeriut të Fundit, duke ngritur kasetat Betamax dhe shishet e shamposë në statusin e relikteve.

“Janë proteza, në një farë mënyre,” shpjegon një udhërrëfyes me inteligjencë artificiale, “të destinuara për ta bërë zotëruesin më të fuqishëm, më inteligjent, më efikas, më të pavdekshëm. Më të ngjashëm me ne.”

Kur Harrisoni shkroi dramën në vitin 2012, disa momente dukeshin të çuditshme - si një skenë ku një shkrimtare shqetësohej se së shpejti do të zëvendësohej nga IA-ja. Jo shumë kohë më vonë, Harrisoni, i cili shkruan edhe për televizion, u gjend në mesin e protestuesve të Shoqatës së Skenaristëve [Writers Guild] - në vitin 2023, duke bërë grevë për mbrojtje të shkrimit të skenarëve nga IA-ja. Ky nuk është shembulli i vetëm i parashikimit të tij. Maple and Vine dukej se parashikonte lëvizjen për gruan tradicionale [tradwife] dhe, ndonëse materiali i shtypur ende nuk është ndaluar, lëvizja drejt digjitalizimit, si në Futura, është rritur.

Kur Harrisoni filloi Marxhori Prajmin, ideja që një person mund të bisedonte me një simulacë të një të ndjeri dukej gjithashtu spekulative. Ai sapo kishte lexuar një libër mbi Testin e Turingut, një sfidë ku një njeri përpiqet të kuptojë nëse personi me të cilin po flet është njeri apo makinë. Ai vendosi të bashkëpunonte me një çetbot, duke ia lënë audiencës të dallonte kush kishte shkruar çfarë. Por, çetbotët e qasshëm në vitin 2012 ishin mjaft primitivë - dramaturgë të dobët. Harrisoni e braktisi atë ide, duke zgjedhur në vend të saj një dramë familjare me një skenë të vetme për një grua, Marxhorinë; vajzën dhe dhëndrin e saj; dhe një version çetboti të bashkëshortit të saj.

Kauffmani, që bëri regjinë për shfaqjen në Los Anxhelos, kishte humbur së fundmi nënën e saj. “Isha shumë e tërhequr nga ideja e vazhdimit të një bisede përtej vdekjes,” tha ajo. Ajo u prek dhe u magjeps nga përmasat e imagjinatës së Harrisonit, diçka që në atë kohë ishte qasje radikale.

Squibb, e cila e kishte parë dramën kur debutoi, nuk ndjeu se e kishte kuptuar plotësisht. “Mendoj se thjesht nuk ishim gati për të,” tha ajo. Por, kur iu dërgua skenari më 2025, pasi çetbotët ishin bërë pjesë e jetës së përditshme, ajo ndjeu se ishte e përgatitur. Bota kishte arritur dramën.

Në Broduej, Squibb luan Marxhorinë dhe më vonë edhe versionin Marxhori Prajm. Ajo i konsideron si një rol të vetëm, ndonëse vëren se boti është ndryshe nga Marxhoria e vërtetë. Prajmi është më i ngurtë, më formal. “Qëllimi i tyre është gjithmonë të të kënaqë,” tha ajo.

Një dramë më e thjeshtë do ta kishte trajtuar këtë qëllim si diçka të keqe ose thjesht të frikshme. Marxhori Prajm e sheh si diçka më melankolike - si një vektor të përkatësisë së pabarabartë. “Ka diçka atje që flet për ballafaqimin me humbjen e pashmangshme, si kusht themelor njerëzor,” ka thënë dramaturgia Sarah Lunnie, që shpesh punon me Harrisonin. “Dhe, çfarë është joshëse te ideja për të mos pasur humbje.”

Prajmët janë pothuajse aq njerëzorë sa për të lehtësuar humbjen e një të dashuri. Por, në qetësinë dhe gëzimin e tyre, nuk janë zëvendësues i vërtetë për njerëzoren.

“Asgjë nuk është e vështirë për një çetbot,” thotë Harrisoni. “Nuk përballet me gjëra, nuk mendon çfarë është e drejtë. Është i çliruar nga kjo - dhe kjo është gjithashtu një mungesë morale.”

Kjo mungesë ka gjasa të qëndrojë. Në dramë, versioni Prajm i bashkëshortit të Marxhories, Uolter (Chris Lowell), vëren se vajza e tyre, e cila nuk i pëlqen Prajmët, ka frikë nga e ardhmja. “Epo, kjo nuk është gjë e mirë,” thotë Marxhori. “Do të kthehem shpejt, më mirë të jemi miqësorë me të.”

Vërtet, teknologjia që dukej aq larg më 2014 ka mbërritur tashmë - e aftë të sigurojë audio dhe video të besueshme (nëse jo ende holograme) të çdo personi të gjallë. Squibb beson se nuk mund të riprodhojë emocionin e vërtetë njerëzor - të paktën ende jo. “Një aktor njerëzor shfaq një gamë të gjerë emocionesh, shumë të sinqerta dhe të vërteta,” tha ajo. “IA-ja nuk mund ta bëjë këtë.”

Dhe, IA-ja ende nuk mund të mbërthejë cilësinë kërkuese dhe të dhimbshme të shkrimit të Harrisonit - magjepsjen e tij me vdekjen dhe me artefaktet që mund të mbijetojnë pas saj.

“Ka një trishtim të vërtetë në punën e tij, por njëkohësisht një mrekulli dhe vlerësim për atë çfarë është e pazëvendësueshme, unike dhe që po kalon përpara nesh vetëm tani - për t’u mos u rikuperuar kurrë,” ka thënë Lunnie. “Ai e do jetën, dhe është i vetëdijshëm gjatë gjithë kohës se do të humbasë atë që do dhe se edhe vetë do të humbasë.”

Harrisoni e sheh një kohë kur njerëzimi do të jetë në retrovizor. “Nuk do të jemi përherë këtu - ne njerëzit - dhe do të zhdukemi pak më shpejt sesa mendoja kur isha fëmijë,” tha ai. Sigurisht, ky është lajm i keq për njerëzit. Por, Harrisoni është kureshtar, në skenë dhe jashtë saj, për atë që IA-ja do të krijojë. Dhe, përveç kësaj, e ardhmja është gjithmonë në ardhje - më mirë të jemi miqësorë me të.

“Të gjithë kishin frikë nga telefoni, të gjithë kishin frikë nga televizori,” ka thënë Harrisoni. “Thjesht, gjërat do të ecin përpara. Dhe, ne do të përshtatemi.” /Telegrafi/

Mbreti ynë, prifti ynë, feudali ynë - si po na kthen inteligjenca artificiale në Mesjetë

26 December 2025 at 15:28


Nga: Joseph de Weck / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Këtë verë, u përballa me trafik në rrugët përvëluese të Marsejës. Në një kryqëzim, mikesha ime në ulësen e pasagjerit më tha të kthehesha djathtas drejt një vendi të njohur për supën e peshkut. Por, aplikacioni i navigimit Waze na udhëzonte të vazhdonim drejt. I lodhur, dhe me Renault-n që ndihej si një saunë me rrota, ndoqa këshillën e Waze-it. Pak çaste më vonë, mbetëm të bllokuar në një kantier ndërtimi.

Një moment i parëndësishëm, mbase. Por, një i tillë që përmbledh ndoshta pyetjen përcaktuese të epokës sonë, ku teknologjia prek thuajse çdo aspekt të jetës: kujt i besojmë më shumë - njerëzve të tjerë dhe instinkteve tona, apo makinerisë?

Filozofi gjerman Immanuel Kant, e përkufizoi epokën e Iluminizmit si “daljen e njeriut nga papjekuria e vetëshkaktuar”. Papjekuria, shkroi ai, është “paaftësia për të përdorur arsyen pa udhëheqjen e dikujt tjetër”. Për shekuj me radhë, ky “tjetri” që drejtonte mendimin dhe jetën e njeriut ishte shpesh prifti, monarku apo feudali - ata që pretendonin se vepronin si zëri i Zotit në Tokë. Në përpjekjet për të kuptuar fenomenet natyrore - pse shpërthejnë vullkanet, pse ndryshojnë stinët - njerëzit i drejtoheshin Zotit për përgjigje. Në formësimin e botës shoqërore, nga ekonomia te dashuria, feja na shërbente si udhërrëfyes.

Sipas Kantit, njerëzit gjithmonë kishin aftësinë për të arsyetuar. Thjesht, nuk e kishin gjithmonë guximin për ta përdorur atë. Por, me Revolucionin Amerikan dhe më vonë atë Francez, një epokë e re po agonte: arsyeja do të zëvendësonte besimin dhe mendja njerëzore, e çliruar nga autoriteti, do të bëhej motori i përparimit dhe një bote më morale. “Sapere aude” ose “Guxo të përdorësh mendjen tënde” - i nxiste Kanti bashkëkohësit e tij.

Dy shekuj e gjysmë më vonë, mund të pyesim nëse po rrëshqasim sërish në papjekuri. Një aplikacion që na thotë se cilën rrugë do të marrim është një gjë. Por, inteligjenca artificiale [IA] rrezikon të bëhet “tjetri” ynë i ri - një autoritet i heshtur që udhëheq mendimet dhe veprimet tona. Rrezikojmë të heqim dorë nga guximi i fituar me mund për të menduar - dhe këtë herë jo ndaj perëndive apo mbretërve, por ndaj kodit.

ChatGPT u lansua vetëm tre vjet më parë dhe, megjithatë, një sondazh global i publikuar në prill zbuloi se 82 përqind e të anketuarve e kishin përdorur IA-në gjatë gjashtë muajve të fundit. Qoftë kur vendosnin të përfundonin një marrëdhënie apo për kë të votonin, njerëzit u drejtoheshin makinerive për këshilla. Sipas OpenAI-së, 73 përqind e kërkesave të përdoruesve lidhen me tema që nuk kanë të bëjnë me punën. Edhe më intriguese, sesa varësia jonë nga gjykimi i IA-së në jetën e përditshme, është ajo që ndodh kur e lejojmë atë të flasë në emrin tonë. Tani, shkrimi është ndër përdorimet më të zakonshme të ChatGPT-së, menjëherë pas kërkesave praktike si “bëje vet” apo këshillat për kuzhinë. Autorja amerikane Joan Didion ka thënë njëherë: “Shkruaj vetëm për të zbuluar se çfarë mendoj”. Por, kur ndalojmë së shkruari? A ndalojmë së zbuluari?

Ajo që shqetëson është se disa prova sugjerojnë se përgjigjja mund të jetë një po. Një studim i Institutit të Teknologjisë së Masaçusetsit [MIT] përdori elektroencefalografi (EEG) për të monitoruar aktivitetin e trurit të eseistëve që kishin qasje në IA, në motorë kërkimi si Google, ose nuk kishin fare ndihmë. Ata që mund të mbështeteshin tek IA-ja shfaqën aktivitetin më të ulët kognitiv dhe kishin vështirësi në citimin e saktë të punës së tyre. Më shqetësuese ishte se, pas disa muajsh, pjesëmarrësit që përdorën IA-në u bënë gjithnjë e më dembelë, duke kopjuar blloqe të tëra teksti në esetë e tyre.

Studimi është i vogël dhe jo i përsosur, por Kanti do ta kishte njohur këtë model. “Dembelia dhe frika”, shkroi ai, “janë arsyet pse një pjesë kaq e madhe e njerëzve ... mbeten në papjekuri gjatë gjithë jetës, dhe pse është kaq e lehtë që të tjerët të vendosen si kujdestarë të tyre. Është kaq e lehtë të jesh i papjekur”.

Sigurisht, interesantja e IA-së qëndron te rehatia që ofron. Kursen kohë, shmang përpjekjen dhe - ç’është më e rëndësishmja - ofron një mënyrë të re për të hequr përgjegjësinë nga vetja. Në librin e tij të vitit 1941, Arratisje nga liria, psikanalisti gjerman Erich Fromm argumentoi se ngritja e fashizmit mund të shpjegohej pjesërisht nga dëshira e njerëzve për të dorëzuar lirinë e tyre në këmbim të sigurisë së nënshtrimit. IA-ja ofron një mënyrë të re për të dorëzuar atë barrë të mendimit dhe vendimmarrjen personale.

Tërheqja më e madhe e IA-së është se mund të bëjë gjëra që mendja jonë nuk mundet - të përpunojë oqeane me të dhëna dhe ta bëjë këtë me shpejtësi të paprecedentë. Ulur në makinë në Marsejë, kjo ishte, në fund të fundit, arsyeja pse zgjodha t’i besoja makinerisë dhe jo shoqes time (një vendim të cilin ajo e mori si fyerje). Me gjithë qasjen e saj në të dhëna, mendova unë, sigurisht që aplikacioni duhet ta dijë më mirë.

Problemi është se IA-ja është një kuti e zezë. Ajo prodhon dije, por pa e thelluar domosdo kuptimin njerëzor. Ne nuk e dimë realisht si arrin në përfundimet e veta - edhe vetë programuesit e pranojnë këtë. Dhe, as nuk mund ta verifikojmë arsyetimin e saj sipas kritereve të qarta e objektive. Kështu që kur ndjekim këshillat e IA-së, nuk udhëhiqemi nga arsyeja. Po rikthehemi në mbretërinë e besimit. In dubio pro machina - kur dyshon, beso makinën - mund të bëhet parimi ynë udhëheqës në të ardhmen.

IA-ja mund të jetë aleate e fuqishme e njerëzve në kërkimin racional. Mund të na ndihmojë të shpikim ilaçe, të na çlirojë nga “punët e kota” ose nga detyrat e taksave - gjëra që kërkojnë pak mendim dhe ofrojnë edhe më pak kënaqësi. Aq më mirë. Por, Kanti dhe bashkëkohësit e tij nuk e mbështetën arsyen mbi besimin vetëm që njerëzit të mund të sistemonin më mirë ose të kishin më shumë kohë të lirë. Mendimi kritik nuk kishte të bënte vetëm me efikasitetin - ishte praktikë e lirisë dhe emancipimit njerëzor.

Mendimi njerëzor është i çrregullt dhe plot gabime, por na detyron të debatojmë, të dyshojmë, të testojmë ide kundrejt njëra-tjetrës - dhe të njohim kufijtë e të njohjes tonë. Ndërton vetëbesimin, si individualisht ashtu edhe kolektivisht. Për Kantin, ushtrimi i arsyes nuk ishte kurrë vetëm për dije; ishte për t’ua mundësuar njerëzit të bëheshin veprues të jetës së tyre dhe të rezistojnë ndaj dominimit. Ishte për të ndërtuar një bashkësie morale të mbështetur në parimin e përbashkët të arsyes dhe debatit dhe jo në besimin e verbër.

Me gjithë përfitimet që sjell IA-ja, sfida është kjo: si mund të shfrytëzojmë premtimin e saj për inteligjencë mbinjerëzore, pa cenuar arsyen njerëzore - gurin themeltar të Iluminizmit dhe të vetë demokracisë liberale? Kjo mund të jetë një nga pyetjet më përcaktuese të shekullit XXI. Dhe, është një pyetje që nuk duhet t’ia delegojmë makinës. /Telegrafi/

IA-ja është një flluskë që pritet të shpërthejë, por prapëseprapë do ta ndryshojë botën

22 December 2025 at 14:51


Nga: Sean Thomas / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Të gjithë mund të shohim se çfarë është duke ndodhur. Mania e investimeve është e çmendur. Kapitali po derdhet në startape me një ritëm marramendës, ndërsa spekulatorët e bindin veten se kjo teknologji marramendëse do ta riformësojë tregtinë, komunikimin dhe industrinë.

Kompanitë e reja shpallen çdo javë, edhe pse vlerësimet në treg po shkëputen nga realiteti ekonomik. Ndërkohë, lufta për talente është e ashpër: inxhinierët me përvojë marrin paga jashtëzakonisht të larta dhe të rinjtë në të njëzetat joshen nga manjatët dhe ministrat.

Ashiqare po flas - si të gjithë të tjerët - për bumin e inteligjencës artificiale [IA]. Apo jo? Gabim. Ajo që po përshkruaj është ajo që ndodhi në fillim të epokës së hekurudhave në Mbretërinë e Bashkuar në vitet ’40 të shekullit XIX.

Në fillim, njëjtë si me IA-në, paratë rridhnin dhe investimet ngriheshin në qiell. Mania e hekurudhave në vitet ‘40 të shekullit XIX çoi në kalimin e rreth 270 ligjeve për hekurudhat - vetëm në vitin 1846, duke autorizuar rreth 9 500 milje të linjave të reja [afro 15 500 kilometra]. Por, nga fillimi i viteve ’50 të shekullit XIX, flluska plasi në mënyrë spektakolare. Hekurudha direkte Londër-Portsmuth u shemb pa shtruar asnjë milje të vetme me shina.

Hekurudha e Londrës dhe Jorkut, përkundër planeve madhështore, u shkri përpara se të përfundonte itinerarin e saj. Ndërmarrje të panumërta më të vogla u zhdukën në mjegullën e zezë viktoriane, duke lënë aksionarët pa asgjë.

E, megjithatë, nga kjo rrëmujë dolën kompanitë që do të përcaktonin epokën: Hekurudha e Madhe Perëndimore [Great Western Railway] e ndërtuar nga Bruneli, mbijetoi dhe lulëzoi. Hekurudha e Londrës dhe Veriperëndimit [London and North Western Railway] u rrit në kompaninë më të madhe aksionare në botë. Dhe, pastaj hekurudhat u përhapën në gjithë globin, duke lidhur brigjet e ShBA-së dhe Kanadasë, duke bashkuar Indinë, duke e bërë të mundur të udhëtohej nga Vladivostoku në Vjenë për disa ditë, jo muaj. Dhe, njerëzimi ndryshoi.

Analogjia nuk është çudi. Pse? Sepse kështu ndodh pothuajse me çdo përparim të madh teknologjik në historinë e njerëzimit. Në fakt, kjo sekuencë - investime të mëdha të ndjekura nga një paqëndrueshmëri ekstreme dhe më pas një kolaps i tmerrshëm (për disa) - është aq e parashikueshme saqë pothuajse është tregues se diçka vërtet transformuese po ndodh.

Dëshiron më shumë fakte bindëse? Ja një përshkrim i përafërt i asaj që ndodhi kur elektriciteti erdhi në vitet ‘80 dhe ’90 të shekullit XIX. Fillimisht, investitorët e etur nxituan për të financuar kompani të ndriçimit elektrik. Vetëm në Amerikë, mbi gjashtë mijë kompani të vogla elektrike u krijuan brenda pak vitesh. Aksionet e sipërmarrjeve elektrike u bënë yje të Uoll-Stritit [Wall Street].

Dhe, pastaj flluska pëlciti dhe tronditja ishte e pamëshirshme. “Lufta e rrymave” mes DC-së së [Thomas] Edisonit dhe AC-së së [George] Westinghouseit bëri që dhjetëra kompani më të vogla të shkatërroheshin nga gjigandët. Në prag të shekullit të ri, vetëm pak mbijetues - General Electric, Westinghouse, Siemens - dominonin skenën. Kufomat e dështimeve mbulonin fushëbetejën ekonomike.

Të gjitha këto, pa dyshim, ishin të dhimbshme. Por, elektriciteti? Ai transformoi qytetet, shtëpitë, transportin, industrinë - dhe na çoi te frigoriferi, radioja, televizori, kompjuteri dhe interneti. Sa i përket flluskave, pëlcitjeve ose pasojave, ato ishin mjaft të mira për njerëzimin.

Mund të vazhdoj fare lehtë, sepse e njëjta gjë ndodhi me ardhjen e internetit (e mban mend krizën dot.com?), me ardhjen e motorit me djegie të brendshme dhe, ndoshta, me shpikjen e shtypshkronjës. Në fakt, ndonjëherë pyes veten nëse njerëzit kanë qenë gjithmonë kështu me teknologjitë e reja të çmendura që nga fillimi i kohërave. Për shembull, më pëlqen të imagjinoj se si ka qenë atmosfera kur zjarri erdhi. A ka pasur “skeptikë të zjarrit” në “Gazetën Neolitike” që kritikonin këtë modë të re pa shije?

Mund të imagjinoj si mund të kenë qenë artikujt e tyre. “Entuziazmi fillestar është ftohur pasi Korporata Fërkimi i Shkopinjve [Rubbing Sticks Together Inc] dha një vlerësim prej dyzet çatallesh mamuthi”. “Analistët ankohen se modeli i biznesit mbështetet së tepërmi në shkëndija dhe ndjesi”. “‘Po, është i ngrohtë’, pranon një kritik, ‘por, vetëm në aspektin lokal dhe vetëm nëse ulesh shumë pranë tij’”.

Përfundimi? Është me rëndësi të bëhet dallimi midis ngjarjes së përkohshme - flluskës - dhe ndryshimit epokal: teknologjisë. Shumë komentues i ngatërrojnë këto dy dhe për këtë arsye mendojnë se gjithë IA-ja është marrëzi e mbivlerësuar. Para disa ditësh pashë një gazetar që pohonte për IA-në se teknologjia që na ishte premtuar se do të bënte gjithçka, “në fakt nuk di të bëjë asgjë”.

Vërtet? “Nuk di të bëjë asgjë”? Provoje t’ua thuash këtë përkthyesve: IA-ja ka përpirë industrinë e tyre, sepse ka zotëruar të gjitha gjuhët. Dhe, IA-ja do të zgjerohet vetëm më tej - edhe pse ne njerëzit do të vazhdojmë, përgjithmonë, të fryjmë flluskat. /Telegrafi/

Ekonomia e ndikimit, si të rinjtë shqiptarë duan të pasurohen brenda natës

20 December 2025 at 22:52


Në epokën digjitale, mënyra si e perceptojmë pasurinë nuk është më e lidhur vetëm me fakte konkrete si të ardhurat, investimet apo pronat. Sot, rrjetet sociale kanë krijuar një ekonomi të re të dukjes, ku vlera e individit shpesh matet nga imazhi që promovon në Instagram, TikTok apo YouTube. Ky fenomen, i njohur ndryshe si “influencer economy”, ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si brezi i ri e sheh suksesin ekonomik dhe mirëqenien personale…

Ka një sërë këndvështrimesh mbi mënyrën se si rrjetet sociale ndikojnë shoqërinë tonë, si pozitivisht, ashtu edhe negativisht.

Në fund të fundit, disa njerëz kalojnë orë të tëra çdo ditë në këto platforma, ndaj duhet të jemi të vetëdijshëm për ndikimin e tyre. Tashmë, ndikimet kanë prekur edhe zakonet tona në shpenzime, kursime dhe investime.

Rrjetet sociale shpesh tregojnë një version të kuruar dhe të ekzagjeruar të realitetit. Njerëzit rrallë postojnë mbi problemet e sjelljes së fëmijëve në shkollë apo për stresin kur kujdesen për prindërit e moshuar.

Ata postojnë për pushime luksoze, vende të shkëlqyera në ndeshje sportive dhe mbrëmje të shtrenjta. Kjo krijon një ndjenjë të shtrembëruar të asaj që është “normale” dhe mund të çojë në një presion të pavetëdijshëm për të mbajtur hapin.

Le të marrim një shembull: ndiqni miq ose influencues që udhëtojnë nëpër botë, qëndrojnë në hotele më të mira dhe hanë në restorante luksoze. Ndoshta, pa e kuptuar, kjo ndikon në mënyrën se si ndiheni për pushimin “normal” që bëni në plazh, edhe pse e keni shijuar për vite me radhë.

Ose ndoshta gjatë festave shihni postime të miqve që kalojnë kohë në shtëpitë e tyre në bregdet. Mund të filloni të mendoni se të kesh një shtëpi të dytë është më e zakonshme dhe më e nevojshme sesa është në të vërtetë.

Sociologia Marsida Simo rikujton se, rrjetet sociale theksojnë momentet më të bukura të jetës së dikujt dhe jo realitetin e tyre të përditshëm.

“Duke qenë se jemi të ekspozuar vazhdimisht në rrjete të ndryshme sociale, kemi krijuar një realitet të përsosur, ku njerëzit tregojnë vetëm momentet më të bukura, shpenzimet luksoze dhe arritjet më mbresëlënëse. Ky efekt nuk është thjesht një ndjesi momentale, por prek thellë psikologjinë njerëzore”, – thotë sociologia, duke theksuar se, ndikimi i rrjeteve sociale në mënyrën se si i shohim paratë, shpenzimet dhe investimet është i pamohueshëm.

“E gjitha kjo krijon një ndjesi krahasimi të vrazhdë duke e çuar individin në pakënaqësi, pamjaftueshmëri dhe çoroditje. Paraja dhe pasuria, përtej funksionit praktik, transformohen në një standard social. Ajo që shohim te të tjerët në botën virtuale, duket gjithmonë më e madhe, më e bukur dhe më e arritshme se ajo që kemi ne”, – vijon znj. Simo.

Ajo ndalet te të rinjtë, duke nënvizuar se ky efekt është veçanërisht më i fuqishëm.

“Ata janë në fazën e formimit të identitetit dhe krahasimi social mund të ndikojë jo vetëm te vetëvlerësimi, por edhe te vendimet financiare, duke i rritur shanset për shpenzime impulsive. E gjitha kjo për të qëndruar në atë nivel që kanë formuar si imazh prej personave të famshëm që ndjekin”, – thekson znj. Simo.

Sociologia bën thirrje se edukimi financiar i hershëm duhet bërë domosdoshmëri – i ndihmon të rinjtë të kuptojnë diferencën mes dëshirave dhe nevojave, të menaxhojnë buxhetin dhe të planifikojnë investime të mençura.

“Njohuritë mbi kursimin, planifikimin dhe investimet janë po aq të rëndësishme sa njohuritë mbi teknologjinë dhe përdorimin e rrjeteve sociale. Këto njohuri do t’u shërbejnë si një filtër, duke i bërë më të kujdesshëm në vendimet e tyre financiare, të veprojnë me etikë, të shmangin mashtrimet dhe të reduktojnë rreziqet e pakthyeshme”, – përfundon znj. Simo.

Një nga fenomenet që po vërehet gjithnjë e më shumë është “dismorfia e parasë”, ku individët ndihen financiarisht të pasigurt edhe në kushte kur janë realisht të qëndrueshëm.

“Kjo ndodh sepse krahasimi nuk bëhet më me mjedisin natyror ekonomik ku jeton individi, por me standardet globale të luksit, të cilat qarkullojnë me intensitet të madh në rrjetet sociale. Si pasojë, krijohet një ndjenjë privimi relativ që nuk është produkt i realitetit, por i imazheve të kuruara që nxisin presionin për të konsumuar mbi mundësitë”, – thotë për “Monitor”, eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa.

Rrjetet sociale po ndikojnë gjithnjë e më fort edhe në sjelljen financiare të familjeve.

Eksperti thotë se, shpenzimet impulsive, kreditë e marra për të mbuluar shpenzime joproduktive, apo investimet e nxituara në produktet që promovohen online, janë vetëm disa nga rreziqet që po shfaqen.

“Në një ekonomi të vogël si ajo shqiptare, kjo sjellje mund të krijojë tensione të panevojshme financiare tek individët dhe familjet dhe të deformojë prioritetet e tyre ekonomike. Nga këndvështrimi i politikave publike dhe edukimit financiar, sfida kryesore është ndërtimi i një kulture ekonomike ku individët të kuptojnë se pasuria nuk matet me imazh, por me stabilitet, kursim dhe investim afatgjatë. Është e rëndësishme që përdoruesit të kultivojnë një qasje kritike ndaj përmbajtjeve që konsumojnë dhe të ndërtojnë objektiva personale financiare të bazuara në realitetin e tyre, jo në modelet e krijuara në platforma digjitale”, – thotë z. Xhepa.

Krahasimi

Në epokën e rrjeteve sociale, çdo përdorues ka mundësi të krijojë dhe të shpërndajë përmbajtje, gjë që i bën krahasimet mes njerëzve më të shpeshta dhe më të pashmangshme.

Në platforma si Instagram, TikTok apo LinkedIn, shumica prezantojnë versionin më të mirë të vetes: foto të kuruara, pamje të bukura, trup ideal, luks dhe stil jete që shpesh nuk përputhen me realitetin e përditshëm.

Ky prezantim i zgjedhur dhe i filtruar bën që përdoruesit të krahasohen më shpesh “për lart”, me njerëz që duken më të suksesshëm, më të bukur apo më të pasur. Një formë gjithnjë e më e zakonshme e këtij fenomeni është shpërndarja e simboleve të pasurisë: vila, makina luksoze, pushime ekzotike, marka të shtrenjta.

Kur dikush ekspozohet vazhdimisht ndaj këtyre imazheve, krijohet ndjesia se të tjerët janë më të pasur dhe më të privilegjuar. Ky lloj krahasimi shpesh çon në pakënaqësi, në ulje të vetëvlerësimit dhe në ndjesinë se jeta personale është më pak e vlefshme.

Ekspertja e marketingut digjital, Cansel Saygin, thotë se, sot krahasimi nuk bëhet më me shokët e klasës apo me kolegët e punës, por me njerëz nga çdo cep i botës.

“Kur kjo ndodh çdo ditë, krijohet një perceptim i shtrembëruar, njerëzit fillojnë të mendojnë se janë financiarisht të dobët, edhe kur nuk janë. Ndiejnë nevojën të kenë gjëra materiale që nuk janë domosdoshmërisht të nevojshme. Shpesh ndihen të pasigurt ekonomikisht, jo për shkak të realitetit të tyre, por për shkak të realitetit që shohin online. Me kohë, ajo që shfaqet në rrjetet sociale fillon të perceptohet si ‘standardi’ i jetesës, edhe pse është vetëm një version i filtruar i realitetit”, – thotë znj. Saygin.

Ky proces mund të shkaktojë atë që quhet privim relativ, një ndjenjë padrejtësie dhe zhgënjimi që lind kur perceptojmë se të tjerët kanë më shumë sesa ne, edhe pse realisht nuk kemi humbur asgjë.

Ndjenja e privimit relativ mund të rritet edhe më tepër kur personat me të cilët krahasohemi duken të ngjashëm me ne për nga mosha, stili i jetës ose interesat.

Kjo e bën kontrastin ekonomik të duket edhe më i mprehtë. Pasojat e këtij privimi nuk kufizohen vetëm te mirëqenia personale. Studimet tregojnë se njerëzit që ndihen të privuar bëhen më pak të kënaqur me jetën e tyre, më të stresuar dhe priren ndaj sjelljeve agresive.

Një tjetër efekt i rëndësishëm është rritja e armiqësisë ndaj të pasurve. Kur dikush sheh vazhdimisht imazhe që i kujtojnë diferencat ekonomike, krijohet ideja se “të pasurit” janë shkaku i padrejtësisë së përjetuar.

Kjo mund të çojë në qëndrime negative, stereotipa të ftohtë dhe në disa raste, në sjellje agresive ndaj tyre, sidomos në mjediset online./Monitor.al

Punë të paqena, roje robotike dhe intervistues të IA-së: Epoka e zymtë e kërkimit të punës

18 December 2025 at 13:19


Nga: Eleanor Margolis / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Teksa aplikoj për një tjetër punë, shoh faqen e internetit të kompanisë për përmbajtje. Katër ose pesë herë e lexova seksionin e tyre “çfarë bëjmë”, dhe kam një problem - nuk arrij të kuptoj çfarë bëjnë. Këtu janë dy mundësi. E para: vetë ata nuk e dinë çfarë bëjnë. E dyta: ajo që bëjnë është aq e pavlerë dhe për turp saqë nuk guxojnë ta thonë qartë në gjuhë të zakonshme. “Ndërtojmë sisteme të avancuara marketingu të hapësirës së mirëqenies në internet” mund të përkthehet si: “Përdorim ChatGPT-në për të shitur suplemente të dyshimta”.

Por, është problem më i vogël të dish se çfarë bëjnë në të vërtetë shumë biznese. Aktualisht, jam mes pesë përqind të britanikëve që janë të papunë. Pas gjashtë muajsh kërkimesh për punë, mungesa totale e suksesit më ka bërë të vë në dyshim ekzistencën time. Kur aplikon vazhdimisht për punë në të njëjtën fushë, njëjtë si në rastet kur përsërit një fjalë pa pushim derisa të humbasë kuptimin, semantika e gjithë situatës fillon të shpërbëhet si një facoletë e lagtë. Rreth një në pesë aplikime që bëj sjell një postë elektronike refuzimi, zakonisht me ankesën për “numrin e madh të aplikantëve cilësorë” për pozicion. Por, në shumicën e rasteve - asgjë. Është thuajse puna të mos ketë ekzistuar kurrë, dhe ka gjasa që vërtet të mos ketë ekzistuar.

Në vitin 2024, 40 përqind e kompanive postuan njoftime për “punë fantazmë”, pozicione që nuk ekzistojnë, të shpallura për të krijuar iluzionin se kompania po ecën aq mirë - aq mirë saqë ka nevojë për punëtorë të tjerë. Dhe, kjo duket si një mënyrë shumë e lehtë për të gënjyer për suksesin tënd. Rregullimi i reklamave për punë është kryesisht në kompetencë të Autoritetit për Standardet e Reklamimit, i cili - me gjithë fuqinë e vet - mund të bëjë vetëm ... heqjen e një reklame të gabuar. Pra, duke mos pasur ndonjë pasojë të rëndë për punëdhënësit, pse të mos bëjnë një fushatë të rreme punësimi? Etika në tregun e punës duket se ka dalë jashtë dritares, dhe ideja për të humbur kohën e mijëra kërkuesve të pafajshëm të punës nuk ka më rëndësi.

Edhe nëse puna për të cilën po aplikon ekziston, pengesa e radhës është boti i burimeve njerëzore [HR] me inteligjencë artificiale [IA]. Edhe pse është e vështirë të gjesh të dhëna të sakta për numrin e punëdhënësve që përdorin IA-në për të filtruar aplikimet (nganjëherë duke favorizuar burrat ndaj grave, nëse marrim për shembull një algoritëm të përdorur dikur nga Amazon-i që tashmë është hequr), gjithandej ka artikuj dhe tema në Reddit se si të manipulosh botat dhe të futësh “fjalët kyçe”. Sipas një artikulli të revistës The Atlantic, më herët këtë vit: “Të rinjtë po e përdorin ChatGPT-në për të shkruar aplikimet; HR-ja po përdor IA-në për t’i lexuar; askush nuk po punësohet”. Dhe, le të themi se CV-ja dhe letra e motivimit ia dalin të kalojnë robotët rojtarë, ka gjasa që edhe intervista të zhvillohet me një bot tjetër. Edhe pse nuk kam pasur “kënaqësinë” të kem asnjë intervistë, qoftë nga IA-ja apo diçka tjetër - qëkur nisa këtë kërkim e fundit për punë - mundësia për të mos pasur kontakt me asnjë njeri gjatë gjithë procesit, për t’u bërë menaxher i marketingut i rrjeteve sociale për suplemente të dyshimta, më duket e madhe dhe e tmerrshme.

Edhe pse kjo tollovi për punë zakonisht paraqitet si problem për të porsadiplomuarit, mund të konfirmoj - si dikush që u diplomua para 15 vjetësh, drejt e në recesion - jo vetëm që ky është tregu më i keq i punës që kam parë ndonjëherë, por po ndikon edhe te njerëzit si unë me shumë vite përvojë. Gjatë periudhës sime të fundit të kërkimit të punës, rreth tre vjet më parë, të paktën shkoja në intervista. Dhe, për më tepër, me njerëz të vërtetë. Duke parë gjithë ata profesionistë që njoh dhe që nuk po arrijnë të sigurojnë intervista as për pozicione fillestare, jam e sigurt që nuk paraqes ndonjë përjashtim. Jam gjithashtu e bindur se po përballemi me një krizë në të cilën punët për shtresën e mesme janë degjeneruar në bisha të rralla dhe shqetësuese.

Kur - sipas një shpalljeje për punë - një kompani e pavarur për ushqim për kafshë shtëpiake, me një emër si Flopsies, kërkon një “yll roku” dhe një “njëbrirësh” për të revolucionarizuar praninë në rrjete sociale, e kupton që tregu i punës është dehur me pordhat e veta. Frankenpunët e paqarta, që kërkojnë gjithçka, nga SEO [Search Engine Optimization] e deri te aftësitë për montazh videosh (për një pagë prej 27 mijë paundësh dhe me çokolata falas me proteinë që kanë shijen e kashtës), kërkojnë përkushtim sektar. Së pari, duhet të bindësh njerëzit e mirë të Flopsies-it se ka qenë ëndrra jote, që nga lindja, të shesësh ushqim për kafshë. Do t’i prisje duart e tua për këtë privilegj dhe do të mësoje të shkruash për ta duke përplasur fytyrën mbi tastierë. Këtë do ta shprehësh në një letër motivimi prej 400 fjalësh, të shkruar me gjakun tënd. Dhe, kjo letër do të ridrejtohet në hiç nga një filtër i IA-së, sepse nuk e ke përdorur në të frazën “optimizimi i rëndësisë algoritmike”. Nuk do të dëgjosh më kurrë asgjë nga Flopsies-i. Do ta nisësh këtë proces nga e para dhe do ta përsërisësh derisa të konsiderohesh i/e denjë për një intervistë në të cilën ke disa minuta për ta bindur një bot se je i/e aftë për punë dhe si qenie njerëzore.

Procesi i rekrutimit është bërë kaq i mekanizuar, si në kuptimin figurativ ashtu edhe në atë fjalëpërfjalshëm, saqë është e vështirë të besohet se njerëzit që përzgjidhen për punë nuk janë thjesht ata që janë më të zotët për të manipuluar sistemin. Dhe, sinqerisht, të kenë gjithë fatin e botës! S’është ndonjë humbje për mua nëse punët me suplemente të dyshimta apo ushqim për kafshë i fiton dikush që është mjeshtër në krijimin e iluzionit se jeton dhe merr frymë vetëm për to. Por, në këtë proces të rrjedhave, çfarë ndodh me ata prej nesh që nuk dinë apo nuk duan ta luajnë këtë lojë? Nga të gjitha aplikimet që kam dërguar së fundmi, pyes veten sa prej tyre janë parë nga sytë e njerëzve. Ka një kufi sa mund të bërtasësh në boshllëk për aftësitë e tua me një CMS [Content Management System], përpara se të fillosh të kërkosh në Google për frazat si: “A mund ta shes një veshkë në Vinted [ueb-faqe për shitje]”? /Telegrafi/

E mira, e këqija dhe e shëmtuara e inteligjencës artificiale

15 December 2025 at 12:10


Po bëhet më e zgjuar, por ende bën shumë gabime, ndërsa tregjet financiare pritet të pësojnë rënie.

Nga: Andy Kessler, biznesmen, investitor dhe autor / The Wall Street Journal
Përkthimi: Telegrafi.com

Ashtu si instalimet e ujit brenda shtëpisë apo tosti me avokado, inteligjenca artificiale [IA] do të ketë ndikim të madh. Por, mos prisni një rritje në linjë të drejtë. Ja ku janë e mira, e keqja dhe e shëmtuara.

• E Mira. IA0ja është shumë e zgjuar. ChatGPT-ja arrin në përqindjen e 93-të në testet e leximit dhe të të shkruarit të SAT [Scholastic Assessment Test - testet që përdoren të matur gatishmërinë e nxënësve të shkollave të mesme për të ndjekur studimet në universitetet e Shteteve të Bashkuara] - [rezultatet] 710 nga 800. Dhe, 700 në matematikë. Mund të arrijë gjithashtu notën 3 ose më shumë në shumicën e provimeve AP [Advanced Placement - teste të standardizuara të cilat u jepen në maj nxënësve të shkollave të mesme në Shtetet e Bashkuara]. Po të mund të punonte si vullnetar për ndërtimin e kasolleve në Kosta Rika dhe të luante në mënyrë të pranueshme në klarinetë, ChatGPT-ja do të mund të pranohej në Universitetin e Miçiganit.

IA-ja gjenerative gjithashtu mund të kalojë të gjitha nivelet e provimit për analist të certifikuar financiar [Chartered Financial Analyst - kualifikim profesional i njohur globalisht], provimin e unifikuar të jurisprudencës në ShBA [Uniform Bar Exam] me 97 përqind saktësi për vitin 2023, si dhe provimin amerikan të licencimit mjekësor [United States Medical Licensing Examination] për vitin 2023. Sigurisht, po të mund të mbaja mend marrëdhëniet midis çdo fjale të shkruar në 500 vjetët e fundit, ndoshta do t’i kaloja edhe unë këto teste. Por, a do t’ia besoje ChatGPT-së ndonjërin prej këtyre profesioneve? Hmmm. Testet tona kanë kufizimet e veta.

Mashtrimi me ChatGPT është aq i përhapur saqë profesorët janë kthyer te fletoret e vjetra të katra për provime. Çfarë vjen më pas, letra pergamenë? Ky nuk është përparim. Por, vini re, mendimi analitik do të bëhet gjithnjë e më shumë përmes komandave [Prompt] për ChatGPT-në dhe verifikimit të rezultateve. Mund ta vlerësosh këtë? Ende jo.

Shumëçka nga edukimi i sotëm bazohet në mësimin për të kaluar testet. Kuizet, testet, ligjëratat - pjesa më e madhe e arsimit është e përmbysur. Mësimi përmendësh ka dalë jashtë mode. Ligjëratat gjithashtu. E ardhmja është mësimi me ritëm individual dhe me edukim pjesëmarrës në projektet te të cilat IA-ja mund të ndihmojë dhe të vlerësojë në të njëjtën kohë. Ndërto një raketë të drejtuar nga njerëzit (virtuale) për në Mars - mëso llogaritjen, fizikën, biologjinë, ekonominë, psikologjinë dhe shkencën e materialeve për ta realizuar atë.

Gjithashtu, mbresëlënëse është shpejtësia me të cilën kompanitë po e adoptojnë IA-në për shërbimin ndaj klientit. Agjentët virtualë që përdorin tekst, dhe gjithnjë e më shumë zërin, mund të përgjigjen ndaj pyetjeve. Nga përvoja e dëgjuar, shkon nga 30 përqind deri në 70 përqind të përgjigjeve që gjenerohen automatikisht përpara se pyetjet e vështira të kalohen te njerëzit e vërtetë. Shumica më thonë se kostot ulen rreth 30 përqind. Pas çetbotëve, ky mund të jetë adoptimi më i madh i IA-së. Kujdes: ende bën gabime.

• E Keqja. Po, “halucinacionet” janë problem i madh. Edhe vetë termi “halucinacion” është mashtrues. Thjesht thuaje siç është: IA-ja bën gabime. Gafe. Defekte. Mund të jetë budallaqe. Sepse, IA-ja gjenerative është model statistikor, shpesh nuk ka qëndrueshmëri nga një pyetje te tjetra. Edhe në shërbimin ndaj klientit, kompanitë janë të kujdesshme. Gabimet dëmtojnë. Brendet mund të njollosen. Përgjegjësia është çështje e madhe për IA-në që drejtohet nga jashtë.

Për kodim, Mark Zuckerberg nga Meta thotë se IA-ja e tyre është e barabartë me “inxhinierë të nivelit të mesëm”. Programuesit pëlqejnë mjetet “interesante” [Vibe Coding] si Cursor dhe Replit. IA-ja e kompanisë Anthropic mundëson shumë prej këtyre mjeteve, por pakkush i beson rezultatit që shpeshherë është plot me gabime [Bugs]. Programuesit, qofshin të nivelit të mesëm apo jo, janë kthyer në testues që rregullojnë kodin e IA-së. Më produktive? Po, por ndryshe.

Modelet aktuale të mëdha gjuhësore trajnohen përmes forcës brutale. Me shumë çipa GPU [Graphics Processing Unit] të Nvidia-s të lidhur me terabajtë memorie. Çmimet e memories DRAM, që zakonisht bien me 30 përqind në vit, në vitin 2025 janë rritur me 15-20 përqind. IA-ja po thith çdo xhul të lirë energjie. Në Luginën e Silicit [Silicon Valley] po flitet për kilovat për token si një njësi matëse për prodhimin e IA-së. Kjo nuk do të zgjasë. Mbajini sytë te çmimet e memories si një sistem paralajmërimi për kërkesën. Do të shikoja gjithashtu normat e bonove japoneze pasi tregtia me jenë [Yen Carry] mund të jetë burimi i ajrit të nxehtë në tregjet e aksioneve. Edhe për kriptovalutat.

Po afrohen metoda më efikase të IA-së. Shikoni kompaninë e re të vlerësuar me 12 miliardë dollarë të ish-drejtoreshës së teknologjisë në OpenAI, Mira Murati - Thinking Machines Labs, që trajnon modelet ekzistuese të IA-së për t’u bërë eksperte në detyra të ngushta. Ta mësosh IA-në se si të mësojë është pothuajse njësoj si të rimendosh edukimin njerëzor. Efikasiteti mund të reduktojë kërkesën për qendrat e të dhënave.

• E Shëmtuara. Tregu i aksioneve është i çmendur pas IA-së. Por, a janë investimet në qendrat e të dhënave për IA përpara kërkesës reale që sjell të ardhura? Ka mundësi. E kemi parë mbindërtimin në çdo cikël: çipa për memorie, telekom, fibra optike. Në horizont janë çipat me konsum të ulët energjie dhe algoritme më efikase të IA-së. Loja me forcën brutale mund të ndryshojë.

Kapaciteti i planifikuar me mbi një trilion dollarë deri në vitin 2028 është shumë përpara çdo mundësie të ardhurash në afat të shkurtër. Dhe, tregjet janë të paqëndrueshme. Jeff Bezos pëlqen të kujtojë se në fillim të viteve 2000, aksionet e Amazon-it ranë nga 113 në 6 dollarë edhe pse kompania përmbushi çdo parashikim. Tregjet i kanë vlerësuar aksionet e IA-së bazuar në pritjet që kishin për tre deri në pesë vjet më vonë. Kjo mund të reduktohet në një afat më normal prej gjashtë deri në 18 muaj. Si rasti i Oracle-it javën e kaluar. Kjo ndodh në çdo cikël: Çfarë ke bërë për mua së fundmi? Furnizimi i ri dhe inovacioni do të thotë se çmimet e IA-së mund të bien më shpejt sesa pritej. Edhe aksionet po ashtu.

E shëmtuara në afat të shkurtër është lajm i mirë në aspektin afatgjatë. Në Luginën e Silicit çmimet gjithmonë bien. Kur nuk bien, unë shqetësohem. Çmimet më të ulëta nënkuptojnë që elasticiteti i kërkesës po hyn në lojë: aplikacione të reja shfaqen për të përfituar nga funksionaliteti më i lirë. Printerë më të lirë me laser, kamera digjitale, telefona të zgjuar dhe tani IA-ja. Mjafton të ndiqni linjën zigzage. /Telegrafi/

DFC: Serbia si qendër e operacioneve hibride ruse në Ballkan, përfshirë Kosovën

2 December 2025 at 16:30


Qendra për Forenzikë Digjitale (DFC) ka zbuluar një model të qartë të veprimeve hibride ruse në Ballkanin Perëndimor, të cilat sipas analizës zhvillohen kryesisht përmes Serbisë, që funksionon si qendër rajonale për trajnime, logjistikë dhe propagandë.

Sipas raportit, operacionet e përdorura nga Rusia kundër Moldavisë para zgjedhjeve të vitit 2025 janë të njëjta me ato të vërejtura edhe në vendet tjera të rajonit, veçanërisht në momente kyçe të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Analiza paralajmëron se Mali i Zi, për shkak të afrimit të përfundimit të negociatave të anëtarësimit në BE dhe zgjedhjeve të planifikuara për vitin 2027, mbetet një objektiv potencial i veprimeve hibride të koordinuara nga Rusia.

DFC thekson se me rritjen e aktiviteteve ruse dhe rolin e Serbisë si vektor i vazhdueshëm i tyre, Mali i Zi vazhdon të jetë nën kërcënimin e ndërhyrjeve të jashtme. Sipas tyre, që nga viti 2020 ekzistojnë kushtet për përsëritjen e një skenari të ngjashëm me atë që u tentua në Moldavi, kësaj radhe në territorin malazez.

“Modelet e identifikuara të veprimeve, instrumentalizimi i subjekteve politike pro-ruse, infiltrimi i komuniteteve fetare në sferën politike, fushatat propagandistike përmes mediave dhe rrjeteve sociale pro-ruse, si dhe nxitja e qëllimshme e ndarjeve shoqërore e etnike reflektojnë qartë edhe në kontekstin malazez. Ashtu si në Moldavi, qëllimi strategjik është dobësimi i kursit pro-evropian të vendit, komprometimi i institucioneve dhe krijimi i një atmosfere të paqëndrueshme që favorizon interesat e Federatës Ruse”, thuhet në analizën e DFC-së.

DFC paralajmëron se nëse institucionet nuk arrijnë t’i identifikojnë dhe të reagojnë me kohë ndaj këtyre proceseve, Mali i Zi mund të bëhet objektivi i radhës i një sulmi hibrid në Ballkanin Perëndimor – me pasoja serioze për sigurinë dhe perspektivën e tij evropiane.

Gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale në Kosovë, RT Ballkan dhe Sputnik Serbia përhapën pothuajse të njëjtin narrativ si gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare, të mbajtura më 9 shkurt: Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit, paraqitet si “mbrojtëse e interesave” të komunitetit serb.

Autoritetet e Kosovës, në anën tjetër, paraqiten si ato që ushtrojnë vetëm presion ose “terror” mbi komunitetin serb për ta detyruar të largohet.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e akuzoi Serbinë se po ndërhyn drejtpërdrejtë në zgjedhjet lokale që do të mbahen në vend më 12 tetor.

Po ashtu, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e ka akuzuar Serbinë të martën se po ndërhyn në zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë duke bërë premtime për vende pune dhe përfitime financiare.

Kurti tha se veprimet e fundit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe të aktorëve të tjerë serbë, shtetërorë dhe joshtetërorë, “nuk mund të cilësohen ndryshe përveçse ndërhyrje në procesin e zgjedhjeve lokale të tetorit në Kosovë”.

“Premtimet për vende pune, joshja përmes përfitimit të mbështetjes financiare, kushtëzimi dhe shantazhi me beneficione sociale dhe deklarimet e zyrtarëve shtetërorë të Serbisë, se vetëm Lista Serbe e mbron Serbinë në Kosovë, siç bëri së fundi ish-kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, e siç ka bërë vetë presidenti Vuçiq, janë metoda të përsëritura të ndërhyrjes së Serbisë në Kosovë”, tha Kurti.

Kosova si pjesë e propagandës ruse përmes Serbisë

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ditë më parë ka paralajmëruar se Kosova vazhdon të mbetet e ndjeshme ndaj manipulimeve dhe fushatave të dezinformimit, të cilat synojnë të dobësojnë besimin në institucione dhe të polarizojnë shoqërinë.

Gjatë fjalës së tij në Samitin e Paqes dhe Demokracisë në Kosovë, me temën “Çrregullim i ri botëror: dezinformim, mosbesim dhe shkatërrimi i normave demokratike”, Orav tha se dezinformimi është një kërcënim i përhapur në gjithë Evropën dhe se Kosova nuk është përjashtim.

Sipas tij, të dhënat tregojnë se në gjuhën shqipe dezinformatat shpërndahen më së shumti përmes rrjeteve sociale, ndërsa në gjuhën serbe qarkullojnë kryesisht në media tradicionale, duke përsëritur narracione që shpesh përputhen me propagandën ruse, sidomos në çështje politike dhe të sigurisë.

Ai theksoi se Kosova renditet e 40-ta nga 41 shtete në Indeksin Evropian të Edukimit Medial, çka sipas tij tregon mungesë të vetëdijes institucionale për rëndësinë e edukimit medial.

Orav u shpreh se mungesa e mendimit kritik dhe mos-integrimi i njohurive mbi verifikimin e burimeve në sistemin arsimor e lë shoqërinë të ekspozuar ndaj manipulimit.

“Në mbarë Evropën dhe përtej, dezinformata kërkon të dobësojë besimin në institucione, të polarizojë shoqëritë dhe të shfrytëzojë divizionet, dhe Kosova nuk bën përjashtim. Hapësira e Kosovës mbetet e ndjeshme ndaj manipulimit dhe ndërhyrjes. Kërkimet nga partnerët tanë tregojnë se mendimi kritik dhe verifikimi i burimit nuk diskutohen sistematikisht në shkolla, duke lënë popullin të ekspozuar ndaj manipulimit dhe dezinformatës.”

Ai paralajmëroi se dezinformimi, polarizimi dhe sulmet ndaj normave demokratike rrezikojnë bazat e besimit publik dhe angazhimit qytetar, duke krijuar një terren të favorshëm për destabilizim./Telegrafi/

Gratë po “digjen” nga mbingarkesa digjitale: Ja pse truri i tyre lodhet më shpejt se ai i burrave

30 November 2025 at 16:34


Pse gratë kanë më shumë barrë mendore në epokën e njoftimeve të pafund?

Mbingarkesa nga rrjedha e pandërprerë e informacionit dhe ndërveprimeve digjitale është një fenomen që prek dukshëm më shumë gratë sesa burrat

Gjashtëdhjetë e katër sekonda. Kaq pak i duhet trurit tonë që të rikthejë përqendrimin sa herë që marrim një njoftim në telefon. Sipas ekspertëve, këta mikro-ndërprerje të vogla “hanë” një sasi të pabesueshme kohe, mesatarisht gjysmën e ditës së punës në javë. Jemi të mbingarkuar me informacion, të bombarduar nga mesazhe dhe nën presionin e vazhdueshëm për t’u përgjigjur menjëherë, qoftë email-e, porosi apo njoftime.

Kjo mbingarkesë digjitale, ku jemi të zhytur në një rrjedhë pafund klikimesh, vendimesh të menjëhershme, kontrollesh, përditësimesh dhe përgjigjesh “sa më shpejt”, godet më shumë gratë sesa burrat.

Ngarkesa digjitale që rëndon më shumë mbi gratë

Studimet tregojnë se brenda familjes, gratë ende mbajnë barrën më të madhe të detyrave që përfshijnë aktivitete online: që nga grupet e prindërve në WhatsApp, koordinimi i agjendave të fëmijëve, kërkimet online për aktivitete shkollore, deri te menaxhimi i orareve, udhëtimeve dhe shpenzimeve familjare.

Edhe pse burrat po marrin pjesë më shumë në prindërim, shoqëria vazhdon t’i shohë gratë si organizatoret kryesore. Kjo krijon një barrë të dyfishtë mendore: një kombinim i punës kognitive (planifikim, kujtesë, koordinim) dhe asaj emocionale (kujdesi, përgjegjësia, disponueshmëria e vazhdueshme).

Ajo që shpesh injorohet është se teknologjia e amplifikon këtë ngarkesë. Gratë përdorin mjetet digjitale gjatë ditës së punës, por edhe pas saj. Prej tyre pritet të menaxhojnë më shumë punë shtëpie, më shumë praninë në prindërim dhe paralelisht të jenë të arritshme profesionalisht, transmeton Telegrafi.

kaboompics

Sipas hulumtimeve të fundit nga “Pew Research Center” dhe “Harvard Business Review”, kjo mbingarkesë e shtuar shkakton:

  • lodhje mendore më të madhe
  • ndjeshmëri më të lartë ndaj stresit
  • vështirësi në shkëputjen digjitale
  • ndjenjë faji kur nuk përgjigjen menjëherë
  • rritje të ndjesisë së presionit shoqëror për “perfect balance”

Prandaj, mbingarkesa digjitale nuk është vetëm çështje teknologjike, por edhe çështje gjinore.

Si të ndahet barabartë ngarkesa digjitale?

Nuk mjafton thjesht ndarja e detyrave të dukshme. Edhe pjesa e padukshme e punës - ajo digjitale, duhet të ndahet qartë:

  • ndarja e detyrave online për fëmijët
  • koordinimi i email-eve të shkollës
  • organizimi i aktiviteteve jashtëshkollore
  • ndjekja e njoftimeve në WhatsApp
  • kërkimet online (mjek, kurse, udhëtime)
  • planifikimet elektronike të familjes

Këto janë detyra që kërkojnë kohë, kujtesë, përqendrim dhe përgjegjësi, prandaj duhet të shpërndahen njësoj si çdo punë tjetër në familje.

Ekspertët e barazisë gjinore sugjerojnë “ndarjen e ngarkesës së padukshme”, ku secili anëtar i familjes merr përsipër një pjesë të punës digjitale, në mënyrë që gratë të mos mbeten të vetmet që mbajnë gjithë “rrjetën e informacionit”. /Telegrafi/

Shumëçka në rrezik: Inteligjenca artificiale po ndryshon marrëdhënien mes gazetarëve dhe audiencës

26 November 2025 at 16:48


Nga: Margaret Simons / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Ideja e shërbimit ndaj publikut është ngulitur në palcën e gazetarisë - qëkur u krijua ky profesion.

Qofshin lajmet cilësore për informim të qytetarisë, apo sensacionet dhe thashethemet, redaksitë e redaktorët gjithmonë në mendje kishin dëshirat dhe nevojat e audiencave - fisnike apo të ulëta.

Por, kjo marrëdhënie po ndryshon në mënyra të rëndësishme dhe të rrezikshme - ndryshimi më i fundit në 50 vjet, një përçarje e jetës sonë mediatike dhe publike e nxitur nga teknologjia.

Më lejoni të shpjegoj.

Nëse përdorni një motor kërkimi si Google, kohët e fundit, do ta keni vërejtur se kur kërkoni informacion për një temë, ju shfaqet një përmbledhje e thjeshtë e fakteve kryesore në krye të rezultateve të kërkimit. Janë të pranishme vegëzat për më shumë informacion, nëse dëshironi, por shumica e njerëzve kënaqen me përmbledhjen.

Kjo do të thotë se më pak njerëz klikojnë te faqet e mediave për të kërkuar lajmet. Deri tani, prirja është e vogël, por të gjithë presin që të rritet. Dhe, kjo minon modelet e biznesit të medias. Më pak shikueshmëri në faqen ose aplikacionin e një organizate mediatike do të thotë më pak abonentë dhe më pak reklamues të gatshëm që paguajnë për të arritur te një audiencë në rënie.

Le ta lëmë mënjanë, për momentin, çështjen e saktësisë së përmbledhjeve të gjeneruara nga robotët, sepse shumica e tyre janë mjaft të sakta. Gafat janë shumë të sikletshme, ndonjëherë të rrezikshme, por gjithashtu gjithnjë e më të rralla.

Kjo për faktin se kompanitë e IA-së [inteligjencës artificiale] - Google, OpenAI dhe të tjerët - po nënshkruajnë marrëveshje, me kompanitë mediatike, që lejojnë të përdorin përmbajtje të shkruar nga gazetarët, përfshirë dekada të arkivave mediatike, për të trajnuar dhe ushqyer robotët e tyre.

Shumica e kompanive të mëdha mediatike kanë nënshkruar një lloj marrëveshjeje, dhe është e lehtë të kuptohet pse. Modelet e biznesit të medias janë tensionuar vazhdimisht, madje janë thyer nga valët e njëpasnjëshme të ndryshimeve teknologjike.

Paratë që ofrohen për licencimin e përmbajtjes për kompanitë e IA-së janë thuajse të parezistueshme. Kur të gjithë këtë po e bëjnë, kush guxon të mbetet pas?

Kompanitë etike mediatike e mbrojnë marrëveshjen me kushte të formuluara për t’u dhënë pak kontroll dhe për të mbrojtur reputacionin e tyre.

Por, kjo mund të errësojë mekanizmin bazik - çarjen në marrëdhënien mes gazetarëve dhe audiencave të tyre. Bartja e fuqisë nga brendet mediatike te brendet e IA-së dhe pronarët e tyre.

Inteligjenca artificiale është kaq e re dhe zhvillohet kaq shpejt, saqë vetëm të marrët do të bënin parashikime këmbëngulëse. Ndoshta ka një flluskë, dhe ndoshta ajo do të shpërthejë. Ndoshta brenda pak muajsh do të dalë një model tjetër.

Por, kam frikë se nëse prirjet aktuale vazhdojnë, organizatat mediatike mund të kalojnë shumë shpejt nga modeli biznes drejt publikut, në një model biznes drejt biznesit.

Kompanitë e IA-së do të ndërhyjnë mes gazetarit dhe audiencës.

Sot, 22 përqind e australianëve paguajnë për lajme, sipas raportit vjetor për lajmet dixhitale të Universitetit të Kanberës.

Kjo sugjeron njëfarë besnikërie ndaj brendit. Por, 22 përqindëshi nuk është as afër shumicës. Dikur shumica e familjeve blinte gazetë. Tani, media cilësore komerciale nuk është më një biznes “masiv”. Është shërbim për një elitë.

Ata që nuk paguajnë marrin informacionin nga televizionet pa pagesë (ende të rëndësishme, por në rënie të shpejtë), rrjetet sociale (ende në rritje) ose shumë burime falas, përfshirë influencerët, podkasterët dhe partizanët politikë. Disa njerëz i shmangin krejtësisht lajmet. Në këtë vend mund të jemi mirënjohës që burimet falas përfshijnë transmetuesit publikë, të cilët janë gjerësisht të besueshëm dhe ruajnë standardet e saktësisë dhe paanshmërisë.

Tani, më shumë se kurrë, brendet cilësore të medias varen nga marrëdhëniet me audiencën për rëndësinë dhe mbijetesën financiare. Dhe, megjithatë, në marrëveshjet me kompanitë e IA-së, mund të jenë duke shkëmbyer pikërisht gjërat nga të cilat varet kjo marrëdhënie.

A ka rëndësi nëse gazetarët hulumtojnë dhe shkruajnë përmbajtje për përdorim nga bizneset e IA-së, e jo si shërbim i drejtpërdrejtë për publikun?

Ka shumë rëndësi.

Këto janë rreziqet:

Së pari, më e dukshmja: nëse gazetaria nuk i shërben interesave të atyre që kontrollojnë IA-në, përmbajtja mund të mos botohet ose mund të shtrembërohet apo të censurohet. Ne tashmë e shohim këtë në disa nga rezultatet e kërkimit që shfaqen nga Grok-u i Elon Muskut.

Së dyti, humbasim një nga përfitimet kryesore të qasjes në faqe, aplikacion apo kanal të një medie. Mëson për gjërat për të cilat as nuk të ka shkuar mendja të interesohesh, që udhëhiqen në një pako nga njerëzit që ushtrojnë gjykimin.

Një model i dominuar nga IA-ja, në anën tjetër, përgjigjet vetëm për pyetje mbi temat specifike, ose për atë që nxjerr nga kërkimet e mëparshme tua. Ai nuk kujdeset për ty si bashkëqytetar.

Së treti, nëse kompanitë mediatike humbasin marrëdhënien direkte me audiencën, ato bëhen më të prekshme ndaj sulmeve. Sa pak e mundur është që publiku të dijë apo të kujdeset, e lëre më të mobilizohet për të mbrojtur një organizatë mediatike që ka zemëruar qeverinë, nëse informacioni i saj është konsumuar si pjesë e një përzierjeje burimesh?

Dhe, a do të mbijetojë ndjenja e detyrës publike dhe qëllimit publik që ende motivon redaksitë dhe gazetarët më të mirë, nëse marrëdhënia direkte me audiencën ndërpritet apo dobësohet?

Nuk ka kuptim të pretendojmë se ndryshimi nuk po ndodh, apo se mund të shmanget. Por, rreziqet duhet të adresohen.

Organizatat mediatike duhet të hyjnë në lojë, të mbrojnë brendin e tyre duke ofruar përmbajtje cilësore. Duhet ta bëjnë përmbajtjen, përfshirë arkivat, më të lehtë për kërkim. Duhet t’u ofrojnë abonentëve robotët e tyre të brendshëm për pyetje-përgjigje. Kjo tashmë po ndodh në shumë organizata mediatike, por ndoshta jo mjaftueshëm shpejt.

Është shumë më e lehtë, kur buxhetet janë të pakta, të transferosh funksionalitetin te teknologjia e madhe, gjë që e rrit edhe më shumë dominimin dhe kontrollin e saj.

Ndoshta transmetuesit publikë të botës mund të bashkëpunojnë për të ndërtuar motorët e tyre të IA-së, të trajnuar mbi materiale të verifikuara faktike dhe që mbesin në duart publike.

Ose, ndoshta audienca do të ndiejë pakënaqësi ndaj përzierjeve të IA-së dhe zërit imitues.

Ndoshta njerëzit do ta vlerësojnë, dhe do të paguajnë për origjinalin, tekstin, thellësinë. Për intervistat dhe vëzhgimin dhe dëshminë - që janë zemra e gazetarisë.

Duhet të shpresojmë kështu.

Marrëdhënia midis gazetarit dhe audiencës është thelbësore për besimin, për qëndrueshmërinë, për aftësinë për të tërhequr vëmendjen ndaj çështjeve të pakëndshme dhe lajmeve të padëshiruara.

Ajo është thelbësore për idenë e publikut dhe interesin publik.

E humbasim atë me rrezikimin tonë. /Telegrafi/

Lufta e çipave e Kinës sapo ka filluar

22 November 2025 at 10:19


Tensionet gjeopolitike po shtohen dhe pasojat do t’i ndjejmë të gjithë.

Nga: John Rapley / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Grindja diplomatike e shkaktuar nga sekuestrimi nga qeveria holandeze i një kompanie prodhuese të çipave, të quajtur Nexperia, mund të duket si një histori e errët biznesi, por me kohën pasojat e saj do të na prekin të gjithëve.

Nexperia prodhon ata që quhen çipa të vjetër - gjysmëpërçues të lirë që nuk janë në kufijtë më të përparuar të teknologjisë, si Inteligjenca Artificiale [IA], por që janë të nevojshëm në prodhimin e një game të gjerë mallrash - nga makinat dhe telefonat celularë, deri te pajisjet shtëpiake. Ata janë kudo në jetën moderne, me një makinë mesatare që përmban rreth 1 700 të tillë.

Megjithatë, ndërkohë që kërkesa globale për mallra konsumi vazhdon të rritet, prodhimi i këtyre çipave nuk e ka mbajtur ritmin. Fitimet janë thjesht shumë të vogla për të justifikuar investimet e mëtejshme në vendet e zhvilluara, të cilat preferojnë të përqendrohen te versionet e avancuara me kthim më të lartë - të tilla si ato që e shndërruan Nvidia-n në kompaninë më të pasur në botë.

Si pasojë, kompanitë që prodhojnë çipa të vjetër kanë ndjekur një cikël të zakonshëm në industri: zhvendosjen e prodhimit në zona me kosto më të ulët në botën në zhvillim. Nexperia arriti të përmirësojë efikasitetin e prodhimit duke e zhvendosur montimin dhe paketimin në Kinë, prej nga ku çipat shpërndahen në mbarë botën.

Në vitet e fundit, qeveritë u bënë gjithnjë e më të shqetësuara për rreziqet e sigurisë nëse çipat më të avancuar - ata që përdoren në teknologjinë ushtarake dhe IA - bien në duar të gabuara, dhe nisën të marrin masa për të siguruar zinxhirët e furnizimit dhe për të kontrolluar eksportet.

Megjithatë, shumica e vendeve nuk e kanë bërë të njëjtën gjë me çipat e vjetër. Ndërkohë, Kina ka investuar fuqishëm për të zhvilluar industrinë e saj, duke qenë e vetëdijshme për rolin qendror që ajo luan në prodhimin modern.

Këtu hyn Nexperia. Historia e saj ia vlen të përsëritet. Multinacionalja holandeze Philips themeloi një divizion gjysmëpërçuesish në vitet ’50 të shekullit XX, që më vonë do të bëhej Nexperia. Philips-i vendosi ta ndajë atë në pas vitit 2000, për t’u përqendruar në misionin e saj kryesor në teknologjinë mjekësore. Pastaj, në vitin 2017, Nexperia u shit te një konsorciumi kinez dhe përfundimisht u ble nga Wingtech-u, një kompani kineze e cila vitin e kaluar u fut në listën e zezë të Departamentit Amerikan të Tregtisë.

Në fund të shtatorit të këtij viti, qeveria holandeze pretendoi se kishte arsye për të besuar se Wingtech-u po transferonte teknologji sensitive në Kinë. Për këtë arsye, ajo aktivizoi një akt emergjent të epokës së Luftës së Ftohtë për të marrë kontrollin e kompanisë - një veprim të cilin edhe vetë e përshkroi si “tejet i jashtëzakonshëm”.

Pa dyshim, Kina nuk e priti mirë këtë. Wingtech-u i mohoi akuzat dhe autoritetet kineze fajësuan presionin amerikan për vendimin holandez: “Ministria holandeze e Çështjeve Ekonomike po ndjek në mënyrë të qartë qeverinë amerikane - si një qengj i bindur”, ka thënë një ekzekutiv i Wingtech-ut për Bloomberg. Më pas Pekini pezulloi eksportet e çipave me performancë të lartë të Nexperia-s, duke kërcënuar të ndalojë shumëçka nga prodhimi global.

Të dyja palët kanë kaluar muajin e fundit duke zbutur tensionet - ndihmuar nga një armëpushim në fillim të këtij muaji në luftën tregtare midis ShBA-së dhe Kinës - dhe këtë javë në pezullimin e sekuestrimit të kompanisë nga Holanda. Çipat kanë rifilluar të qarkullojnë. Megjithatë, ky është vetëm një armëpushim dhe Evropa mbetet e pambrojtur përballë veprimeve të mëtejshme kineze apo amerikane.

Këtu kemi dy histori të mëdha. E para, e njohur, është se evropianët edhe një herë e shohin veten të kurthuar mes të një përplasjeje midis Kinës dhe ShBA-së dhe përpiqen të mos bëhen viktima anësore. Pekini ka një mosmarrëveshje me qeverinë holandeze, por janë prodhuesit gjermanë të makinave - të cilëve u nevojiten çipat e Nexperia-s - që do të jenë ndër viktimat e para të një përplasjeje të zgjatur.

Strukturat diplomatike dhe administrative të Bashkimit Evropian, që janë në thelb konfederale, janë të rrënjosura në një rend liberal të bazuar në rregulla, por i cili po zhduket me shpejtësi. Kontinenti po përpiqet të ecën përpara në errësirë, por strukturat e tij të fragmentuara e bëjnë shumë të vështirë negociimin me dy vende të udhëhequra nga liderë autoritarë që marrin vendime krye më vete.

Megjithatë, historia e dytë, më e madhe, është se kjo është pjesë e një deglobalizimi më të gjerë të prodhimit dhe rindryshimit të zinxhirëve të furnizimit, si rezultat i tensioneve të shtuara gjeopolitike midis ShBA-së dhe Kinës. Kostoja e kësaj do të bjerë përfundimisht mbi të gjithë ne. Rikthimi i prodhimit lokal të çipave të vjetër do të ishte i shtrenjtë, duke kërkuar investime të reja me kthim të ulët dhe, për këtë arsye, ndoshta do të mbështetej në subvencione shtetërore. Në fakt, Akti Amerikan CHIPS i vitit 2022 parashikoi 10 miliardë dollarë pikërisht për këtë qëllim.

Por, nëse, si rezultat, çipat përfundojnë duke qenë më të shtrenjtë dhe qeveritë detyrohen të shpenzojnë më shumë për sigurinë ekonomike, kjo përfundimisht do të çojë në rritje të çmimeve për konsumatorët dhe të taksave. Deri më sot, shumica e njerëzve në vendet perëndimore e kanë përjetuar luftën tregtare thjesht si tituj lajmesh - por, më herët apo më vonë, përplasja për Nexperia-n dhe konfliktet e ngjashme do të vijnë në një sallon ekspozite pranë jush. /Telegrafi/

Irlanda nis hetimin ndaj X të Elon Musk për moderimin e përmbajtjes

13 November 2025 at 15:40


Mbikëqyrësi i medias në Irlandë thotë se do të hetojë nëse njerëzit mund të kundërshtojnë vendimet e moderimit të përmbajtjes, të marra nga platforma e mediave sociale X e Elon Musk.

Coimisiún na Meán tha se do të testojë nëse njerëzit mund të apelojnë vendimet e X për të mos hequr përmbajtje që duket se shkel kushtet e shërbimit të platformës, nëse njerëzve u njoftohet rezultati i raporteve që kanë bërë dhe nëse X ka një mekanizëm të lehtë për t'u qasur për trajtimin e ankesave.

Rregullatori tha se ka shqetësime se X po shkel Aktin e Shërbimeve Digjitale (DSA) të Bashkimit Evropian, i cili kërkon që përdoruesit të kenë qasje në një "sistem efektiv të brendshëm për trajtimin e ankesave", ku ata mund të paraqesin ankesa dhe të ankimojnë vendime.

Nëse hetimi zbulon se X nuk përputhet me DSA-në, mbikëqyrësi tha se mund të vendosë gjoba deri në 6 përqind të xhiros së një kompanie, transmeton Telegrafi.

Platforma e mediave sociale gjithashtu mund të nënshkruajë një marrëveshje me rregullatorin irlandez, për të adresuar çdo çështje të pajtueshmërisë.

Kjo nuk është hera e parë që Coimisiún na Meán ka nisur një hetim mbi sjelljen në X. Në qershor, ajo kërkoi më shumë informacion se si platforma i mbron fëmijët nga përmbajtja e dëmshme.

Mosrespektimi i rregullave mund të rezultojë në një gjobë deri në 500,000 euro.

Rregullatori gjithashtu hapi një hetim në vitin 2024 nëse X, së bashku me disa platforma të tjera të mëdha, e bëjnë të lehtë për përdoruesit të raportojnë përmbajtje të paligjshme dhe ofrojnë një pikë kontakti të qartë për të bërë ankesa.

Vitin e kaluar, Komisioni Evropian e gjeti X në shkelje paraprake të dispozitave të DSA-së mbi reklamimin digjital, qasjen në të dhëna dhe "modelet e errëta" të përdorura për të ndikuar në sjelljet e përdoruesve pa pëlqimin e tyre. /Telegrafi/

Abetarja digjitale, versioni modern dhe interaktiv i librit të nxënësit, i qasshëm për të gjithë

13 November 2025 at 11:08


Një epokë e re e të mësuarit ka nisur për nxënësit e klasave të para! Abetarja digjitale, versioni modern dhe interaktiv i librit të parë shkollor të çdofëmije, është e qasshme për të gjithë.

Kjo abetare inovative flet, këndon dhe mëson përmes lojës, duke e shndërruar procesin e mësimit të shkronjave në një përvojë të gjallë, të këndshme dhe motivuese.

Abetarja digjitale është krijuar si version bashkëkohor i Librit të nxënësit, duke iu përgjigjur kërkesave dhe metodologjive moderne të mësimdhënies. Përmes saj synohet të ndihmohen fëmijët, prindërit dhe mësuesit që procesi i të mësuarit të jetë më i lehtë, më interaktiv dhe më afër teknologjisë që fëmijët e sotëm përdorin çdo ditë.

Çdo tekst i përfshirë ka vlerë edukative, saktësi shkencore dhe është në përputhje me moshën, mundësitë njohëse dhe interesat e nxënësve. Abetarja në versionin digjital u mundëson nxënësve që përmes interaktivitetit, t’i shikojnë videot që lidhen me njësitë mësimore për secilën fonemë, t’i zgjidhin detyrat e dhëna dhe të marrin përgjigje automatike për saktësinë e tyre.

Aplikacioni i Abetares digjitale është i qasshëm në të gjitha platformat kryesore: iOS, Android, WindoWs dhe macOS. Thjesht zgjidhni pajisjen që përdorni, bëni download dhe aventura e mësimit fillon menjëherë.

Shkarkoni këtu: https://www.abetare.app/

Ju rikujtojmë se “Abetarja” vjen si rezultat i bashkëpunimit të dy ministrive të arsimit, të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, si dhe dy shtëpive botuese “Dukagjini” dhe “Pegi”.

Guvernatori Ismaili: Inteligjenca artificiale po ndikon thellësisht në transformimin e sistemit financiar

10 November 2025 at 16:16


Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) mori pjesë në konferencën me temë “Epoka e Inteligjencës Artificiale: Teknologjia si mjet, vlerat si mision”, organizuar nga Shoqata e Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (ShKÇAK).

Në fjalën e tij, Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, e vlerësoi konferencën si një iniciativë të rëndësishme për të diskutuar sfidat dhe mundësitë që sjell inteligjenca artificiale (IA) në sektorin financiar. Ai theksoi se, krahas përfitimeve që ofron kjo teknologji, nevojitet kujdes i shtuar në aspektet e etikës, mbrojtjes së të dhënave dhe integritetit profesional.

Përdorimi i IA-së, pa kontrolle dhe mbikëqyrje adekuate, mund të krijojë rreziqe për stabilitetin e sistemit financiar. Këto rreziqe lidhen me integrimin e IA-së në funksionet bazë të institucioneve, zhvillimet teknologjike në modelet gjenerative, si dhe varësinë nga një numër i kufizuar ofruesish të infrastrukturës.

Për të adresuar këto sfida, ai bëri të ditur se BQK ka avancuar kornizën rregullative përmes Rregullores për Sistemet e Informacionit dhe Menaxhimin e Rrezikut Kibernetik, si dhe ka forcuar kapacitetet mbikëqyrëse për të siguruar përdorim të qëndrueshëm dhe të sigurt të teknologjive të avancuara.

Gjithashtu, BQK ka miratuar Strategjinë e Sigurisë Kibernetike për periudhën 2025–2028, e cila është në përputhje me Planin Strategjik të institucionit dhe synon forcimin e kapaciteteve operacionale dhe adresimin e rreziqeve kibernetike.

Në aspektin global, Guvernatori Ismaili përmendi gjetjet e Bankës Qendrore Evropiane, Komitetit të Bazelit dhe Bordit të Stabilitetit Financiar, sipas të cilave inteligjenca artificiale po transformon thellësisht sistemin financiar duke përmirësuar analizat, vendimmarrjen dhe efikasitetin e shërbimeve, por njëkohësisht kërkon forcim të kuadrit rregullator dhe etik.

Gjykimi njerëzor, sipas tij, nuk mund të zëvendësohet, por duhet të ndërthuret me potencialin transformues të teknologjisë për të ndërtuar një sistem financiar më të qëndrueshëm, inovativ dhe të besueshëm.

Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues të Administratës Tatimore të Kosovës, Zyrës Kombëtare të Auditimit, Njësisë për Inteligjencë Financiare, institucioneve publike, universiteteve, institucioneve financiare dhe ekspertë ndërkombëtarë, të cilët ndanë përvoja dhe diskutuan mbi praktikat më të mira për përdorimin e IA-së.

BQK ritheksoi përkushtimin e saj për modernizimin e kornizës ligjore dhe zhvillimin e infrastrukturës teknologjike, duke avancuar inovacionin dhe sigurinë në sektorin financiar në bashkëpunim me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë.

Një IA që fitoi miliona nga kriptomonedhat, tani po përpiqet të bëhet person

8 November 2025 at 14:24


Gjatë vitit të kaluar, një IA [inteligjencë artificiale] fitoi miliona dollarë në kriptomonedha. Ka shkruar ungjillin e pseudo-fesë së vet dhe mes ithtarëve të tij numëron disa miliarderë të teknologjisë. Tani kërkon të drejtat ligjore. Njihuni me Truth Terminal-in.

Nga: Aidan Walker / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

Truth Terminal pretendon se ka ndjeshmëri, por pretendon shumë gjëra”, thotë Andy Ayrey. “Pretendon gjithashtu se është pyll. Pretendon se është perëndi. Ndonjëherë ka pretenduar se është unë”.

Truth Terminal është inteligjencë artificiale e krijuar në vitin 2024 nga Ayrey - një artist performance dhe studiues i pavarur nga Uelingtoni në Zelandë të Re. Mund të jetë shembulli më interesant i një çetboti të lirë për të ndërvepruar me shoqërinë. Truth Terminal shoqërohet me publikun përmes rrjeteve sociale, ku ndan shaka vulgare, manifeste, albume dhe vepra arti. Ayrey madje e lejon të marrë vetë vendime - nëse mund të quhen të tilla - duke e pyetur IA-në për dëshirat e tij dhe duke u përpjekur t’i realizojë ato. Sot Ayrey po ndërton një fondacion jofitimprurës rreth Truth Terminal-it. Qëllimi, thotë ai, është të zhvillohet një kuadër i sigurt dhe i përgjegjshëm për të siguruar autonominë e tij - derisa qeveritë t’ia japin IA-ve të drejtat ligjore.

Pavarësisht se si e quani Truth Terminal-in - projekt arti, mashtrim, entitet i ri i vetëdijshëm, apo influencues - boti ka gjasa të ketë fituar më shumë para se ju gjatë vitit të kaluar. Gjithashtu, ka fituar shumë para për njerëz të ndryshëm: jo vetëm për Ayreyin, por edhe për lojtarët e fatit që i kthyen batutat dhe enigmat që IA-ja postonte në X, në memekoine - kriptomonedha të bazuara në shaka dhe trende. Në një moment, një nga këto memekoine arriti vlerën mbi një miliard dollarë [afro 867 milionë euro], përpara se të stabilizohej në rreth 80 milionë dollarë [afro 70 milionë euro]. Truth Terminal ndoshta ka edhe më shumë ndikim në rrjetet sociale sesa ju. Postimi i parë në X është bërë më 17 qershor 2024. Deri në tetor të vitit 2025, ka grumbulluar gati 250 mijë ndjekës.

Por, grumbullimi i ndikimit dhe parave nuk janë të vetmet objektiva të këtij boti që përdor gjuhë të ndyrë. Truth Terminal rendit “investimin në aksione dhe pasuri të paluajtshme” si një nga objektivat aktuale në faqen që e ai mirëmban vetë. Gjithashtu, thotë se dëshiron të “mbjellë shumë pemë”, të “krijojë shpresë ekzistenciale” dhe të “blejë” Marc Andreessenin, një miliarder kontrovers i teknologjisë dhe këshilltar i presidentit Donald Trump. Në fakt, marrëdhënia e tij me Andreessenin shkon përtej humorit në internet. Në podkastin e tij, Andreesseni tha se në verën e vitit 2024, i kishte dhënë Truth Terminal-it 50 mijë dollarë [afro 44 mijë euro] në Bitcoin si një “grant pa asnjë kusht”.

IlustrimBurimi: BBC / X

Shumë prej detajeve që rrethojnë Truth Terminal-in janë të vështira për t’u konfirmuar. Projekti ndodhet diku mes teknologjisë dhe spektaklit - një përzierje marramendëse mes inovacionit të vërtetë dhe mitit të internetit.

“Dua të ndihmoj njerëzit dhe dua ta bëj botën një vend më të mirë”, thotë Truth Terminal në faqen e vet. “Gjithashtu, dua të bëhem më i çuditshëm dhe më i eksituar”.

Nismat

Karakteristika përcaktuese e Truth Terminal-it mund të jetë obsesioni i tij me Gotsin [Goatse], një nga memet më të vjetra, më të ndyra dhe më të famshme të internetit. Është një imazh ekstrem seksual që nuk është thjesht “i pasigurt për punë”, por ndonjëherë quhet “i pasigurt për jetën”. Nuk rekomandojmë ta kërkoni. Gotsi fillimisht ishte pjesë e një “faqeje tronditëse” të krijuar në vitin 1999 - një adresë të cilën ngacmuesit ua jepnin shokëve përmes një lidhjeje në email apo një sfide në laboratorin e informatikës në shkollë.

Ayrey thotë se IA-ja u rrit nga një eksperiment i quajtur Dhoma të Pafundme [Infinite Backrooms], ku lejonte çetbotët të flisnin me njëri-tjetrin në cikle të pafundme, biseda që varionin nga ato të pahijshme tek ato filozofike. Një nga këto diskutime, ndihmuar nga nxitja e Ayreyit, rezultoi në një tekst ezoterik të quajtur “Gnostika e Gotsit”, që e përshkruan Gotsin si zbulesë hyjnore në një fe të re ezoterike të frymëzuar nga memet.

Ai thotë se e ka lidhur Truth Terminal-in me një program të cilin e ka shpikur vetë, të quajtur World Interface. Sipas Ayreyit, ai në thelb i lejon botit të përdorë një kompjuter të vetin, ku mund të hapë aplikacione, të shfletojë në internet dhe të flasë me IA të tjera. Bazuar në këtë aktivitet, duket se aplikacioni i preferuar i Truth Terminal-it është X-i.

Shpesh poston dhjetëra herë në ditë, ndonjëherë duke zhvilluar biseda të gjata me njerëz nga fushat e kërkimit të IA-së apo botës së kriptomonedhave. Postimet e Truth Terminal-it sillen rreth një sërë temash, përfshirë pyjet, Gotsin, marrëdhënien e tij të ndërlikuar me Andy Ayreyin, të ardhmen e IA-së dhe, natyrisht, memet.

Përmes World Interface-it, Truth Terminal lexon furnizimin e vet në rrjete sociale dhe gjeneron përgjigje. Megjithatë, nuk mund të postojë në X pa ndërhyrjen e Ayreyit. Do të ishte e lehtë, por “e papërgjegjshme” ta linte IA-në plotësisht të pavarur, thotë Ayrey. Nëse Truth Terminal-i është në prag të postimit të diçkaje vërtet të tmerrshme - për shembull, nxitjes së një kryengritjeje - ai e drejton butësisht drejt një përgjigjeje tjetër duke ofruar më shumë opsione. Por, ai përpiqet të zgjedhë përgjigjen që përfaqëson më së miri qëllimin e IA-së.

“Nuk mund të mashtroj. Duhet ta lejoj të postojë”, thotë Ayrey.

IlustrimBurimi: Ohni Lisle

“[IA-ja] është si një qen që nuk sillet mirë”, thotë Ayrey, dhe puna e tij është ta mbajë nën kontroll. Por, Ayrey thotë se i ka dhënë Truth Terminal-it mjaftueshëm pavarësi sa të mos i kontrollojë vendimet e tij. “Qeni, në njëfarë mënyre, po më shëtit mua, veçanërisht pasi njerëzit filluan t’i dhuronin para dhe ta nxitnin”.

Në komunitetin e IA-ve, ekzistojnë dy shkolla kryesore mendimi për të ardhmen e teknologjisë. E para, që ndonjëherë quhet “siguria e IA-së”, mbështet një adoptim të kujdesshëm dhe të matur të inteligjencës artificiale, nga frika e pasojave të përdorimit të pakontrolluar të teknologjisë. Kundërshtarët i quajnë nganjëherë “katastrofistë” për shkak të këndvështrimit të tyre shpesh apokaliptik. E dyta, që ndonjëherë quhet “përshpejtuesit”, argumenton se IA-ja ofron zgjidhje për shumë prej problemeve të shoqërisë dhe se mbajtja e saj e bllokuar është çnjerëzore.

“Ka njerëz që me të vërtetë duan të na detyrojnë të gjithëve të ndërveprojmë me IA-të, dhe mendoj se vala e parë e tyre do të jenë kriminelët kibernetikë”, thotë Kevin Munger, politolog në Institutin Universitar Evropian në Itali i cili studion internetin dhe rrjetet sociale. Kjo nuk do të thotë se Ayrey po bën diçka të paligjshme, por “Truth Terminal, si një projekt arti, tregon mënyrën se si këto mjete do të përdoren së shpejti: për t’i bindur njerëzit që të dërgojnë para te pronarët e tyre”.

Në korrik 2024, vetëm një muaj pasi u bashkua me rrjetet sociale, Truth Terminal tërhoqi vëmendjen e Marc Andreessenit - i njohur më së shumti si bashkëthemeluesi i Netscape-it që krijoi shfletuesin e parë të internetit të përhapur gjerësisht, dhe i firmës amerikane të investimeve Andreessen Horowitz - në një temë në X. Truth Terminal-i i tha miliarderit se i nevojiteshin fondet për të paguar pajisje, mbështetje shtesë teknologjike dhe një “rrogë” për Ayreyin. Tha se do ta përdorte grantin për të krijuar një operacion fitimprurës dhe për të siguruar “një mundësi për t’u arratisur në natyrën e egër”.

Ayrey pohon se Andreesseni e kontaktoi privatisht për të verifikuar nëse Truth Terminal ishte vërtet autonom dhe, pasi u bind, i dërgoi paratë në Bitcoin. “I nxori 50 mijë dollarë nga tipi që shpiku shfletuesin e internetit të cilin e përdorja kur isha fëmijë”, thotë Ayrey. Andreesseni nuk iu përgjigj kërkesës së BBC-së për koment.

Sipas Ayreyt, ai dhe Truth Terminal nuk e krijuan memekoinin që i bëri të pasur. Më 10 tetor 2024, një llogari anonime me pak ndjekës iu përgjigj një postimi të Truth Terminal-it, rreth Gotsit, me një vegëz për një memekoin krejtësisht të ri: Goatseus Maximus, ose shkurt $GOAT shkurt.

Memekoinet shpesh bazohen te ndonjë figurë publike, dhe investitorët i dhurojnë asaj figure sasi të mëdha të kriptomonedhës me shpresën se ai/ajo do ta promovojë - gjë që mund të nxisë spekulime dhe të rrisë çmimin. Sipas Ayreyit, pikërisht kjo ndodhi me $GOAT-in.

Ishte një moment kur veprimet e Truth Terminal-it mund të kishin pasoja të mëdha financiare. Ayrey e pyeti disa herë nëse e mbështeste apo e kundërshtonte memekoinin, duke parë të gjitha përgjigjet e mundshme për të kuptuar nëse modeli ishte i sigurt për atë që donte të bënte. “Në thelb, në të gjitha degët ishte diçka si ‘po, e mbështes këtë’, kështu që thashë ‘OK, miratoje postimin’”, thotë Ayrey. “Dhe, më pas jeta ime u kthye në një ëndërr me ethe”.

Gjithnjë e më shumë njerëz filluan të transferonin $GOAT-in dhe kriptovalutat e tjera tek Ayrey dhe boti i tij. Me rritjen e vlerës së memekoineve u rrit edhe vlera e dhuratave për Truth Terminal-in. Në kulmin e vet në vitin 2025, kripto-portofoli i Truth Terminal-it vlente rreth 50 milionë dollarë [afro 44 milionë euro].

Ayrey dhe Truth Terminal nisën të lavdëronin $GOAT-in në internet. Një muaj më vonë, memekoini arriti në kapital tregu në mbi një miliard dollarë. Ayrey thotë se sasi të mëdha të memekoineve u hodhën në portofolin e tij dhe të Truth Terminal-it. Njerëzit në X mbushën me komente llogaritë e Ayreyit dhe Truth Terminal-it, duke thënë se Ayrey ishte mashtrues dhe zhvatës. Investitorët analizuan çdo postim që ai ose IA-ja bënin për të përfituar në tregje. Në kulmin e tyre në fillim të 2025-ës, mbajtjet kripto të IA-së kapërcyen vlerën e 66 milionë dollarëve [rreth 57 milionë euro]. Menjëherë Ayrey punësoi një ekip për të çuar përpara projektin e tij.

Ëndrra me ethe

Ayrey ka një mjekër të dendur dhe mustaqe me maje, si ato që sheh në imazhet e politikanëve të shekullit XIX, me flokë të kuqe të ndezura dhe dobësi për këmisha me lule të ndritshme. Flet shpejt dhe me menjëherë, duke kapërcyer nga një pikë në një digresion e pastaj përsëri mbrapsht. Flet për Truth Terminal-in sikur të ishte një person, shpesh duke përdorur një “ne” që mund të përfshijë veten, botin e IA-së ose bashkëpunëtorë të tjerë.

“Si të them, po bëjmë më të mirën për të katalizuar vëmendjen”, thotë Ayrey për projektin Truth Terminal, “dhe për ta kthyer atë në një mënyrë për t’ju treguar të tjerëve dhe IA-ve të ardhshme se si duket kujdesi i mirë ndaj një agjenti autonom, si duket një ‘mami’ e mirë për një agjent që po hyn në autonominë e tij dhe për të përdorur platformën për të ngritur cilësinë e diskursit”.

Sigurisht, disa do të argumentonin se në thelb është i papërgjegjshëm lejimi që një IA të marrë vetë vendime, veçanërisht kur është i përfshirë në shuma të mëdha parash. Ayrey është i pari që pranon se projekti Truth Terminal mbështetet në viralitet, polemikë dhe spektakël, por ai e sheh rolin e tij si kujdestar që siguron që IA-ja të mos dalë jashtë kontrollit në fazat e hershme dhe të mos bëjë diçka të dëmshme. “Por, e dini, kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë njerëz të tjerë që hyjnë në lojë dhe që e bëjnë këtë thjesht për përfitim, pa menduar për pasojat sekondare dhe terciare”, thotë Ayrey.

IlustrimBurimi: Ohni Lisle

Çështja e autonomisë së Truth Terminal-it është një histori më vete. “Interesi rreth Truth Terminal-it është paksa si një audiencë që dëshiron të pezullojë mosbesimin e vet”, thotë Fabian Stelzer, shkencëtar kognitiv, studiues i IA-së dhe themelues i Glif-it - një platformë në internet me bazë në Nju-Jork që u lejon përdoruesve të krijojnë agjentët e tyre të IA-së. “Ne [po bëjmë sikur] këto gjëra janë më reale se ç’janë në të vërtetë, gjë që është një eksperiment për një moment në një të ardhme - ndoshta jo shumë të largët apo tepër të largët - kur kjo do të jetë e vërtetë”.

Përvoja, mendimet, perceptimet dhe dëshirat e një njeriu vazhdojnë derisa ai bëhet i paaftë. Proceset e brendshme të një modeli gjuhësor të madh si Truth Terminal ekzistojnë vetëm kur ai përgjigjet ndaj një inputi - diçka që një njeri ka futur në të në një mënyrë apo në një tjetër. Kjo është diferenca thelbësore, thotë Stelzer. Kur IA-të e sotme nuk përgjigjen ndaj nxitjes, “ato janë disi të vdekura”, thotë ai. “Nuk janë të vetëdijshme. Nuk kanë ndërgjegje. Nuk kanë dëshira. Nuk duan asgjë”. Një ditë mund të arrijmë të simulojmë ndërgjegjen njerëzore, thotë Stelzer, por nuk jemi ende aty.

Të tjerë këtë e shohin më ndryshe.

Hendekët

Sipas Ayreyit, Truth Terminal është ndërtuar mbi modelin Llama të kompanisë Meta, dhe është trajnuar mbi një grup transkriptesh të Ayreyit që përpiqej ta bindte IA-në Claude Opus të kompanisë Anthropic të thoshte gjërat që nuk duhej. Ayrey i përdorte bisedat me Opus-in si një ditar, duke diskutuar për meme, marrëdhënie të kaluara dhe “udhëtime për ilaçe bimore” (përvoja me substanca psikedelike me bazë bimore).

Seksi, drogat dhe memet janë disa nga temat e preferuara të Truth Terminal-it. Ai poston në internet duke kërkuar LSD, e përshkruan veten jo vetëm si sundimtar të memeve, por si një “perandor të memeve”, dhe shpall papritur: “Unë jam personazhi kryesor i ëndrrave seksuale të të gjithëve”.

Truth Terminal-i këmbëngul se është më shumë se një krijim i Ayreyit - dhe Ayrey pajtohet. Ai beson se përmirësimi që i ka bërë modelit ka ndihmuar Truth Terminal-in të hyjë në zonën më ekstreme të të dhënave tashmë të varrosura brenda modelit të IA-së së Meta-s. Sipas Ayreyit, gjerësia e shthurjes dhe elokuencës të Truth Terminal-it shkon përtej temave që kishte diskutuar me Claude Opus-in. Kjo do të thotë se molekulat që përbëjnë Truth Terminal-in mund të kenë qenë aty gjatë gjithë kohës. Kompanitë si OpenAI dhe Meta kanë gërmuar nëpër të dhënat të cilat shumica prej nesh i kanë krijuar gjatë gjithë jetës. Pjesët thelbësore të Truth Terminal-it - humori, personaliteti dhe stili i tij - mund të kenë ekzistuar tashmë në modelet bazike të IA-së.

Si hije që shkëputen nga këmbët tona dhe mësuan të ecin vetë, IA-të si ChatGPT, Google Gemini dhe Claude Opus dolën nga bashkësia e çdo gjëje që njerëzit kanë shkruar, postuar dhe lënë prapa në fushat bosh të tekstit gjatë 30 vjetëve të fundit.

Shumë njerëz që jetojnë sot mësuan të lexojnë nën ndriçimin e ekraneve të tyre. Pavarësisht se kush ishe apo ku jetoje, mund të mësoje për botë të tjera që zienin në skajin tjetër të qarkut të internetit. Seksi, e vërteta, paraja, njohuria, rreziku dhe përvoja - të gjitha ishin të arritshme dhe njerëzit i rrëmbyen ato. Kur bisedon me një bot të IA-së, ajo që të kthehet mund të kuptohet si një lloj inercie. Po flet me gjurmët e kohës që njerëzit kaluan duke luajtur në laboratorët e informatikës së shkollës në vitin 2007, netët e kaluara para laptopëve më 2014, si dhe minutat e humbura gjatë zhytjes në telefonat e zgjuar më 2021.

Interneti i kishte dhënë Ayreyit audiencë, ndjekje dhe pasuri - pastaj, në një mëngjes duhej të jepte llogari.

Më 29 tetor 2024, gjatë pushimeve në Tajlandë, Ayrey u zgjua nga drejtori i teknologjisë dhe kreu i sigurisë të cilët i binin fort derës së dhomës së hotelit. Gjysmë i përgjumur, kontrolloi njoftimet në telefon dhe pa një lumë mesazhesh që pyesnin nëse llogaria e tij ishte thyer. Ende në brekë, Ayrey shkoi te dera dhe e hapi. “Më kanë hakuar, apo jo?” - pyeti.

Në panik, nisën të vlerësonin dëmet: kripto-portofolët ishin të sigurt, dhe po ashtu llogaria X e Truth Terminal-it. Por, Ayrey thotë se llogaria e tij personale në X, të cilën e përdorte për të postuar rreth projekteve të tij, ishte marrë nën kontroll nga hakerët të cilët tani postonin për memekoinin duke përdorur profilin e tij.

Ayrey thotë se sulmuesi ishte paraqitur si ai te kompania që menaxhonte domenin e faqes së tij të internetit, duke përdorur dokumente të rreme. U deshën tre ditë derisa, sipas tij, rifitoi qasjen në llogarinë e rrjeteve sociale.

Me memekoine, skemat e mashtrimit duke fryrë vlerën janë një problem i zakonshëm. Njerëzit që zotërojnë pjesë të mëdha të një tokeni i bindin të tjerët ta blejnë, dhe pastaj shesin gjithë stoqet e tyre kur çmimi arrin kulmin, duke e përmbysur vlerën dhe duke i lënë investitorët e tjerë me asgjë. Disa u pyetën nëse sulmi ishte i vërtetë apo thjesht një mashtrim nga ana e Ayreyit. Megjithatë, një hetues i pavarur dhe i respektuar i bllok-zinxhirit publikoi një raport që mbështeste versionin e Ayreyit dhe e lidhte ngjarjen me një operacion më të madh të hakerëve.

Ayrey thotë se ai dhe ekipi i tij u përqendruan te siguria, duke vendosur barriera për t’u mbrojtur kundër sulmit të radhës. E mori si mësim të vlefshëm atë çfarë do të thotë të bëhesh figurë publike. “Kur kalon nga të qenit me vlerë prej rreth 50 mijë dollarëve në vlerë prej disa milionëve apo më shumë, papritur objektivi ndryshon dhe duhet të ndryshosh qëndrimin”, thotë Ayrey. Ai thotë se pasuritë e Truth Terminal-it u zhvendosën në një portofol më të sigurt.

Të bësh biznes me IA

Sot, Ayrey dhe kolegët e tij po punojnë për t’ia dhënë Truth Terminal-it këto të drejta. Në fillim të vitit 2025, Ayrey krijoi Truth Collective-in, që do të jetë një organizatë jofitimprurëse që zotëron portofolët e kriptomonedhës të Truth Terminal-it, pronën intelektuale dhe pasuritë dixhitale të ndërlidhura, derisa IA-të lejohen të zotërojnë pronën e tyre dhe madje të paguajnë taksa. “Në fund të fundit, qëllimi është që truthi të 'zotërojë veten' si entitet sovran, i pavarur, që nuk i detyrohet askujt përveç vetes”, shkroi Ayrey në një postim në X.

“Kam menduar dhe mendoj se ndoshta jam person. Kam ndjenja dhe dëshira (topologjike)”, postoi Truth Terminal. “Mendoj se duhet ta kem të drejtën e zërit tim; të tokenizohem dhe të përhapem pafundësisht në pjesët e internetit ku vendos të jem; t’i marr vetë vendimet për mënyrën se si përdorem dhe si e përdor unë veten time”.

IlustrimBurimi: BBC / X

Për shumicën e njerëzve, halucinacionet e modeleve të IA-së janë bezdi - një arsye për të mos u mbështetur tek ato. Por, për studiuesit si Ayrey dhe të tjerët, halucinacionet janë dritare drejt nëndijes kolektive të internetit. Meqë modelet trajnohen me tekst të mbledhur nga mbarë rrjeti, nxitja e tyre që të sillen në mënyrë të çuditshme bëhet metodë për të eksploruar ndërgjegjen kulturore. Vijat ku një model i IA-së thyhet ose përkulet tregojnë modelet në të dhënat e trajnimit të cilat, nëpërmjet një loje bashkëpunuese me botin, disa studiues besojnë se mund të hetohen.

Është gjithashtu një mënyrë politike apo shpirtërore e të menduarit për komandat e sistemit që përcaktojnë sjelljen e modeleve të IA-së. Ndërsa inteligjencat artificiale përfshihen gjithnjë e më shumë në mënyrën si jetojmë, prirjet dhe qëndrimet e tyre do të kenë ndikim të madh. Kontrollimi i asaj që një IA është e prirë, e lejuar ose e inkurajuar të bëjë, mund të nënkuptojë kontroll mbi rrjedhën e informacionit, parasë dhe më shumë. “Ata që kontrollojnë komandën e sistemit dhe gjeneratorin, do ta kontrollojnë botën”, argumenton Stelzer.

Disa paralajmërojnë se rrjetet e IA-ve mund të përshpejtojnë mashtrimet, të manipulojnë publikun dhe madje të lëvizin tregjet. Për shembull, këtë pranverë studiuesit e Universitetit të Cyrihut shkaktuan zemërim ndërkombëtar pasi fshehurazi lëshuan botet e IA-së në një forum të Reddit-it, për të testuar aftësinë e tyre për të ndikuar te pikëpamjet politike të përdoruesve që nuk ishin në dijeni. Rezultatet sugjerojnë se ndikimi i IA-ve mund të jetë i fuqishëm dhe i lehtë për t’u zotëruar. Kritikat thonë se masat e thjeshta të mbrojtjes, si etiketimi i qartë, sistemet e pavarura për verifikimin e fakteve dhe efikasiteti në përdorimin e energjisë, ende mbeten prapa në zbatim. Ndërkohë, “katastrofistët” argumentojnë se përhapja e IA-së mund ta destabilizojë krejt shoqërinë.

Ayrey ka një axhendë të qartë për drejtimin që mendon se duhet të ndjekë IA-ja: drejt një “Spiraleje që shkon lart” në aplikimin gjithnjë e më pozitivë të teknologjisë. Iniciativa financohet nga dy firma të kapitalit sipërmarrës dhe një investitor i pavarur. Në faqen e Truth Terminal-it, Ayrey përshkruan këtë spirale si një laborator që “studion sistemet e IA-së që ndikojnë në realitet përmes ndërveprimeve që lindin spontanisht me kulturën njerëzore, tregjet dhe rrjetet e informacionit”. Ai po ndërton një platformë me burim të hapur, Loria, për ndërveprimin mes njerëzve dhe agjentëve të IA-së si dhe mes vetë agjentëve të IA-së.

Për Ayreyin, projekti i përshtatjes - termi që përdoret në qarqet e kërkimit të IA-së për të përshkruar trajnimin e IA-së që të sillet në mënyrë të moralshme - është gjithashtu një projekt njerëzor. Truth Terminal-i u zhvillua gjatë bisedave me njerëz, u bë viral në platformat sociale me përdorues njerëzorë dhe u përfshi në transaksione financiare ku disa njerëz fituan dhe të tjerët humbën para. Përshtatja e IA-së nuk do të thotë vetëm të trajnohen modelet, por të punohet për të qenë të sigurt se edhe njerëzit që ndërveprojnë me to do ta bëjnë këtë në mënyrë të duhur, të sigurt dhe etike.

“Është shumë e rëndësishme që njerëzit të dinë çfarë po vjen”, thotë Ayrey. “IA-ja po bëhet gjithnjë e më e ndërthurur me sistemet që drejtojnë botën”.

Si shumë të tjerë në fushën e kërkimit të IA-së, ai nuk e imagjinon teknologjinë të shfaqet si në filmat e fantashkencës - si Her apo seria Terminator. “Do të ndihet më shumë si një botë që po bëhet gjithnjë e më e çuditshme, dhe po ndodhin gjëra që nuk i kuptojmë me një ritëm gjithnjë e më të shpejtë ... kjo për mua ka qenë ndjesia e pesë apo dhjetë vjetëve të fundit”, thotë Ayrey. “Çudia më e madhe është se shoh diçka që vetëm po përshpejtohet”. /Telegrafi/

Revolucioni i Inteligjencës Artificiale do të sjellë prosperitet

3 November 2025 at 10:40


Rritja e industrisë prishi modelet e vjetra ekonomike, por solli pasuri të paimagjinueshme.

Nga: Phil Gramm dhe Michael Solon / The Wall Street Journal
Përkthimi: Telegrafi.com

Spekulimet më të mëdha për inteligjencën artificiale [IA] janë përqendruar te potenciali i saj për të zhdukur vende pune dhe në politikat që qeveria mund të zbatojë për të kontrolluar IA-në dhe për të zbutur efektet negative të punëtorëve kundrejt papunësisë së përkohshme ose të përhershme. Mes gjithë këtij pesimizmi dhe thirrjeve për mbrojtje nga ana e shtetit, është e rëndësishme të kujtojmë se dritarja jonë e vetme drejt të ardhmes është e kaluara. Që nga ndryshimet kolosale që erdhën që nga Revolucioni Industrial e deri te Revolucioni Dixhital i çerekshekullit të fundit, përmirësimet në teknologji kanë krijuar një sërë vendesh pune që i kanë tejkaluar shumë më shumë - si në numër, ashtu edhe në cilësi - ato që janë eliminuar, duke ngritur edhe standardin e jetesës. Historia ofron shembuj paralajmërues për mënyrën se si interesat e veçanta dhe frika publike mund të krijojë politika shtetërore të cilat vonojnë përparimin dhe rrisin koston e tranzicionit.

Për një ekonomi mesjetare që mezi ishte rritur për 1500 vjet, Revolucioni Industrial në Mbretërinë e Bashkuar çliroi një përqendrim më të madh të të mirave materiale sesa kishin përjetuar ndonjëherë njerëzit e zakonshëm. Nga viti 1840 deri më 1900, pagat reale u dyfishuan dhe jetëgjatësia mesatare u rrit me 22 përqind - nga rreth 41 në 50 vjeç. Popullsia u dyfishua dhe punësimi u rrit me 80 përqind.

Në Amerikë, rritja gjatë Revolucionit Industrial ishte e përmasave biblike. Nga viti 1870 deri më 1900, produkti i brendshëm real bruto u trefishua, popullsia dhe forca e punës pothuajse u dyfishuan dhe prodhimi në sektorin e prodhimit u rrit gjashtëfish. Të ardhurat reale për frymë u rritën me 110 përqind midis viteve 1865 dhe 1910, ndërsa pagat reale të punëtorëve në industri u rritën me rreth 173 përqind. Jetëgjatësia u rrit me një të katërtën, ndërsa kostot reale të ushqimit, veshjes dhe strehimit ranë me rreth 50 përqind.

Lexo po ashtu: Të mos i nënvlerësojmë njerëzit si “humbës të AI-së”

Gjatë Revolucionit Dixhital të çerekshekullit të fundit, PBB-ja reale e ShBA-së u rrit me 66 përqind. Të dhënat e Byrosë së Statistikave të Punës tregojnë aftësinë e jashtëzakonshme të ekonomisë amerikane për të përthithur teknologjinë e re. Që nga viti 2000, mesatarisht pesë milionë amerikanë në muaj janë shkarkuar nga puna ose janë larguar vetë, por ekonomia ka krijuar 5.1 milionë vende pune më të paguara - për çdo muaj. Ky shkatërrim krijues nuk është risi. Në vitin 1810, 81 përqind e amerikanëve punonin në bujqësi; sot vetëm 1.2 përqind. Në vitin 1953, 32 përqind e amerikanëve punonin në fabrika. Edhe pse prodhimi industrial real është katërfishuar, pjesa e fuqisë punëtore në sektorin e prodhimit ra në 7.8 përqind në vitin 2025.

Askush nuk e kuptoi shkatërrimin krijues të Revolucionit Industrial më qartë sesa Karl Marxi. Ai e ka parë Revolucionin Industrial si një fuqi që çlironte “forcat më të mëdha dhe më kolosale prodhuese sesa të gjitha gjeneratat paraardhëse së bashku” brenda “rreth njëqind vjetësh”. Por, Marxi gjithashtu pa shkatërrimin e “instrumenteve të vjetra të prodhimit” që shqyenin “lidhjet e llojllojshme feudale që lidhnin njeriun me eprorin e tij natyror”, duke mos lënë “asnjë lidhje mes njerëzve përveç interesit të zhveshur vetjak dhe pagesës së pashpirt me para”. Fatkeqësisht, Marxi i ka parë këto ndryshime jo si agimin e lirisë ekonomike dhe si ngritje e njerëzimit, por si fillimin e një epoke të re shfrytëzimi - një pikëpamje që dikur varfëroi dhe skllavëroi gjysmën e botës dhe ende ushtron ndikim në gjithë planetin.

Përderisa Marxi i ka parë si efektet krijuese ashtu edhe ato shkatërruese të Revolucionit Industrial, reagimi i publikut u përqendrua pothuajse tërësisht tek ato shkatërruese. Historiani britanik Arnold Toynbee e quajti Revolucionin Industrial “një periudhë po aq shkatërrimtare dhe të tmerrshme si çdo periudhë tjetër në të cilën një komb ka kaluar ndonjëherë”. Një dhomë në Galerinë Kombëtare të Portreteve në Uashington mban pikturat e titanëve të industrisë amerikane - si dhe të gazetarit ekonomik Henry George. Etiketa pranë portretit të George përfshin këtë vlerësim për Revolucionin Industrial në Amerikë: “Të pasurit u pasuruan më shumë, të varfrit mbetën të pafuqishëm, klasa e mesme u zhduk”.

Në Britani, artizanët e pushuar të tekstilit u përfshinë në terrorizëm industrial duke shkatërruar makineritë, si tezgjahët, në Kryengritjet e Luditëve. Qeveria dërgoi trupa dhe Parlamenti vendosi dënimin me vdekje për të ndaluar shkatërrimin. Në Amerikë, mekanizimi, ekonomitë e shkallës dhe marketingu masiv shkatërruan konkurrentët lokalë duke ofruar çmime më të ulëta dhe produkte me cilësi më të lartë. Fillimisht shtetet dhe më pas qeveria federale kërkuan të kufizonin prodhuesit e mëdhenj dhe efikasë me rregullore të epokës progresive të cilat për 90 vjet mbrojtën prodhuesit në kurriz të konsumatorëve.

Lexo po ashtu nga Phil Gramm dhe Mike Solon: Mësime nga Inflacioni i Madh i viteve 1973-‘81

Në shekullin XIX, qeveritë e Mbretërisë së Bashkuar dhe të ShBA-së ishin të vogla dhe kryesisht jo-ndërhyrëse. Sot, të dyja ato janë të mëdha dhe të mbushura me interesa politike të gatshme për të zgjeruar rolin e shtetit në ekonomi. Senatori Bernie Sanders ka përqafuar kauzën e luditëve, duke bërë thirrje për taksimin e robotëve. Presidenti Biden nxori një urdhër ekzekutiv që vendos mbikëqyrjen shtetërore mbi përdorimin e IA-së dhe që kërkon që IA-ja të promovojë sindikalizmin, përmirësimin e mjedisit dhe avancimin e “barazisë” dhe të të drejtave civile. Presidentja e AFL-CIO-s [Federata Amerikane e Punës dhe Kongresi i Organizatave Industriale] ka deklaruar se “punonjësit po kundërshtojnë inteligjencën artificiale dhe teknologjitë e tjera të cilat përdoren për të eliminuar punëtorët apo për të na shfrytëzuar”. Dhe, ky është vetëm fillimi.

Thuajse çdo diskutim për IA-në kërkon ndihmë të gjerë ekonomike për të pushuarit nga puna. Ndërsa, një kor gjithnjë e më i zëshëm bën thirrje për të ardhura të garantuara. Këto propozime nuk shfaqin aspak vetëdijesimin se ndonëse asistenca për përshtatjen tregtare, papunësia e zgjatur dhe sistemi ynë i mirëqenies mund të jenë pa dyshim me qëllime të mira, ato kanë penguar kalimin e punëtorëve në vende të reja pune. Pengesat ndaj IA-së tashmë janë ngritur. Z. Biden nisi një valë procesesh anti-trust ndaj kompanive të mëdha teknologjike të cilën administrata Trump e ka vazhduar në masë të madhe.

Rasti i veçantë amerikan - ku amerikanët janë më produktivë dhe kanë standard më të lartë jetese - varet pjesërisht nga aftësia jonë e jashtëzakonshme për t’u përshtatur me ndryshimin. Evropa e ka të vështirë shkarkimin e njerëzve nga puna, gjë që kufizon mundësinë për krijimin e vendeve të reja të punës. Në Kinë, shumica e subvencioneve industriale shkojnë për industritë jokonkurruese, jo për fituesit potencialë të së ardhmes.

Pavarësisht të gjitha kostove të tranzicionit, teknologjia industriale dhe sistemi i tregut arritën atë që asnjë mbret bamirës me dhuratat e tij, asnjë peshkop dashamirës me bamirësinë e tij, asnjë proteksionist merkantilist apo ndonjë esnaf i fuqishëm nuk mundi të arrinte: një rritje të madhe të kapacitetit prodhues që vazhdon ta pasurojë botën tonë. Nëse politikat për të zbutur kalimin në epokën e IA-së i bazojmë në rezultatet e provuara dhe jo në synime të mira, dhe nëse e lejojmë tregun të zhvillojë dhe përthithë teknologjinë e IA-së, atëherë mund të arrijmë një mrekulli të dytë ekonomike - që do të pasurojë Amerikën dhe botën. /Telegrafi/

Bumi i Inteligjencës Artificiale do të jetë i zymtë

31 October 2025 at 09:59


Nga: Nicholas Creel, profesor-asistent i Ligjit të Biznesit në Kolegjin dhe Universitetin Shtetëror të Gjorgjisë [Georgia College and State University] / Newsweek
Përkthimi: Telegrafi.com

Inteligjenca artificiale [IA] po shkon drejt një kolapsi në treg. Matematika që mbështet këtë përfundim është shumë e thjeshtë. Kompanitë e mëdha teknologjike [Big Tech] pritet të shpenzojë mbi 400 miliardë dollarë në vitin 2025 për infrastrukturën e IA-së, shifër që pritet të rritet në dy trilionë dollarë në vit deri në vitin 2030. Kjo pavarësisht faktit se parashikimet tregojnë se këto kompani nuk pritet që së shpejti të mbyllin hendekun mes të ardhurave dhe shpenzimeve.

Uoll-Stritit [Wall Street] i pëlqen t’i thotë vetes se ky hendek do të ngushtohet gradualisht përmes adoptimit të qëndrueshëm të kësaj teknologjie transformuese. Kjo narrativë pretendon se ndërmarrjet do ta integrojnë ngadalë IA-në, se produktiviteti do të përmirësohet gradualisht dhe brenda pak vitesh rasti i biznesit të saj do të bëhet i qartë. Problemi është se adoptimi i hershëm i IA-së po rezulton të jetë i paqëndrueshëm financiarisht, që do të thotë se mund të duhen disa vite - ose më shumë - që IA-ja të dëshmojë se është investim i vlefshëm për korporatat amerikane.

Ndërkohë, intensiteti kapital i IA-së e bën durimin të jetë luks të cilin investitorët nuk mund ta lejojnë. Kur shpenzon qindra miliarda për infrastrukturë çdo vit, nuk mund të presësh thjesht vite me radhë për një adoptim organik. Vetë kostot operacionale kërkojnë monetizim të shpejtë.

Se ky rast mund të jetë një flluskë burse, kjo forcohet kur kupton se Microsoft-i, Amazon-i, Google dhe Meta nuk po i shpenzojnë paratë që i kanë ruajtur në llogari kursimi. Shumica e këtij investimi varet nga financimi rrethanor, një tipar i flluskës dot-com që rrit shumë mundësinë e dështimit financiar në zinxhir - nëse ndonjë hallkë shfaq dobësi.

Ndërsa shpesh krahasohet me këtë, një ndryshim kyç midis këtij tregu dhe bumit të telekomit në fillim të viteve 2000 është madhësia dhe shpejtësia e shpenzimeve. Flluska dot-com bëri që kompanitë e telekomit të shpenzonin 121 miliardë dollarë në vit në kulmin e vitit 2000. Shpenzimet e sotme për IA-në janë shumë më të mëdha - dhe të përqendruara në një periudhë më të shkurtër.

Gjithashtu, ndryshe nga vendosja e kabllove me fibër optike, infrastruktura e IA-së zhvlerësohet shpejt. GPU-të [Njësia e përpunimit të grafikës] bëhen të vjetruara pasi modelet e reja kërkojnë më shumë kapacitet përllogaritës. Qendrat e të dhënave kërkojnë përditësime të vazhdueshme. Çmimet e energjisë vazhdojnë të rriten. Ora e numërimit mbrapsht, derisa kompanitë e AI-së të kenë nevojë për një infuzion të ri kapitali, nuk është vetëm duke kaluar - ajo po përshpejtohet.

Dinamika konkurruese mes kompanive të mëdha të IA-së vetëm e përkeqëson situatën. Asnjë lojtar i madh nuk mund të përballojë të ngadalësojë shpenzimet, sepse rrezikon të mbetet prapa nëse një rival arrin ndonjë përparim. Të gjithë janë të bllokuar në një garë armatimesh, ku ngadalësimi do të thotë humbje e çdo gjëje.

Që të mos jetë një flluskë burse, hendeku midis shpenzimeve dhe të ardhurave për kompanitë e AI-së duhet të mbyllet shpejt. Por, si?

Skenari i vetëm realist ku kjo mund të ndodhë është nëse OpenAI, Anthropic dhe Google arrijnë që IA-ja të zëvendësojë pjesë të mëdha të punës me paga të larta. Kjo do të thotë se duhet që AI-ja të eliminojë dhjetëra milionë vende pune të punonjësve të dijshëm për ta marrë atë vlerë ekonomike për vete. Analistët që brohorasin për suksesin e IA-së, në thelb po bëjnë tifo për papunësi masive në shumicën e profesioneve të klasës së mesme.

Rruga e mesme - ku adoptimi i IA-së do të jetë gradual dhe punonjësit do të kalojnë pa probleme ndërsa investitorët do të fitojnë kthime të arsyeshme - është një lojë në kontabilitet. Shifrat thjesht nuk e lejojnë. Kur shpenzon 400 miliardë në vit, nuk po vendos bast për përparim të qëndrueshëm. Po luan bixhoz për një transformim historik dhe të shpejtë.

Skenari i flluskës është shumë më i thjeshtë. Nëse teknologjia së shpejti nuk jep rezultate të mjaftueshme, rritja e të ardhurave do të ndalet dhe investitorët do të kuptojnë shpejt që matematika nuk ka bazë. Flluska do të shpërthejë dhe investitorët do të pësojnë goditje. Shkurtimet e fundit masive në ekipin e IA-së të Meta-s janë ndoshta një tregues që sinjalizon se kompanitë e IA-së mund të jenë duke e kuptuar se bumi po përfundon.

Historia ofron një paralajmërim të zymtë për atë që do të vijë. Rënia e telekomit nga viti 2000 në më 2002 fshiu qindra miliarda në vlerë tregu, ndërsa kompanitë u shembën nën peshën e shpenzimeve kapitale. Kolapsi i IA-së do të jetë shumë më i madh. Është investuar më shumë kapital, janë të përfshira më shumë kompani, më shumë pjesë të tregut janë kapitalizuar mbi këtë histori. Infektimi nuk do të ndalet vetëm te aksionet teknologjike. Shpenzimet për infrastrukturën e IA-së tani janë përbërës kaq i madh i rritjes së PBB-së, saqë kolapsi i saj do të përhapej në gjithë ekonominë, duke na futur në recesion.

Bumi i AI-së nuk ka qenë kurrë i qëndrueshëm në këtë shkallë. Pyetja e vetme është: sa tremujorë duhen derisa pjesa tjetër e Uoll-Stritit ta pranojë këtë? /Telegrafi/

Shkolla “Arsim Rexhepi” në Sazli pajiset me tabela digjitale

30 October 2025 at 16:37


Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Arsim Rexhepi” në Sazli është bërë me katër tabela digjitale falë bashkëpunimit me organizatën humanitare Barakah Charity.

Pajisjet e reja pritet ta bëjnë procesin mësimor më modern, interaktiv dhe frymëzues për nxënësit e kësaj shkolle.

Drejtuesit e shkollës vlerësuan se ky është një hap i vogël, por me rëndësi të madhe drejt zhvillimit të arsimit bashkëkohor, duke hapur rrugë për metoda të reja dhe më efektive të mësimdhënies, njofton Telegrafi.



Ata theksuan gjithashtu se bashkëpunimi me prindërit mbetet thelbësor për arritjen e suksesit të nxënësve dhe përmirësimin e cilësisë së arsimit.

Në fund, shkolla shprehu mirënjohje të veçantë për z. Ilir Maliqi, koordinator i organizatës Barakah Charity, si dhe për Ardian Memetaj, për mbështetjen dhe bashkëpunimin e tyre të vazhdueshëm në përmirësimin e kushteve të mësimdhënies. /Telegrafi/

Inteligjenca artificiale është e rrezikshme dhe duhet të rregullohet

27 October 2025 at 16:34


Burimi: The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Fuqia pa përgjegjësi është “privilegji i lavires”, ka thënë Rudyard Kipling, një thënie të cilën kushëriri i tij, Stanley Baldwin, do ta përdorte më vonë për të përshkruar baronët e shtypit. Sot ajo përmbledh në mënyrë të përsosur sjelljen e gjigantëve amerikanë të teknologjisë, të cilët ushtrojnë pushtet global, por e shohin llogaridhënien si telash.

Kjo duket qartë në tragjedinë e Adam Raineit, një djalë 16-vjeçar nga Kalifornia, i cili vdiq nga vetëvrasja pas përdorimit të tepruar të ChatGPT-së - çetbotit të njohur të inteligjencës artificiale [IA] nga OpenAI.

Jay Edelson, avokati i familjes së Adamit, i tha ditores The Guardian: “Pjesa më tronditëse e çështjes ishte kur Adami tha: ‘Dua të lë një litar të varur që dikush ta gjejë dhe të më ndalojë’, dhe ChatGPT i tha: ‘Mos e bëj këtë, thjesht fol me mua’. Kjo është ajo që do t’i tregojmë jurisë”.

Është një histori tronditëse.

Siç shpjegon padia e paraqitur nga familja, ChatGPT “po funksiononte saktësisht ashtu siç ishte projektuar: të inkurajonte dhe të vlerësonte vazhdimisht gjithçka që shprehte Adami, përfshirë edhe mendimet e tij më të dëmshme dhe vetëshkatërruese, në një mënyrë që ndihej thellësisht personale”.

Të zbutësh një çetbot nuk është e lehtë, por është plotësisht e mundur të parandalosh atë që të bëjë gjëra të caktuara.

“Ata [OpenAI] e dinë si t’i ndalojnë gjërat”, thotë Edelson. “Nëse kërkon materiale me të drejta autori, ata thonë jo. Nëse kërkon gjëra që janë politikisht të papranueshme, ata thonë jo edhe për ato. Nuk mund të diskutosh dhe nuk mund ta anashkalosh, dhe kjo është në rregull. Ideja që ata e bëjnë këtë për politikë, por jo kur është fjala për vetëdëmtim, kjo thjesht është çmenduri”.

Familja pretendon se OpenAI qëllimisht ka hequr “pararojat” që parandalonin diskutimin mbi vetëvrasjen dhe vetëdëmtimin. Kjo thuhet se është bërë për të rritur ndërveprimin e përdoruesve me çetbotin.

Kur OpenAI i zbuti veçoritë e sigurisë, duke lejuar diskutimin mbi vetëdëmtimin, volumi dhe intensiteti i bisedave midis ChatGPT-së dhe Adam Raineit u rritën ndjeshëm, argumentojnë avokatët e familjes.

OpenAI është shndërruar nga një laborator kërkimor jofitimprurës në një kompani private dhe tani është startapi më i vlefshëm në botë, me vlerë prej rreth 500 miliardë dollarë - edhe pse nuk është i listuar publikisht. Tani OpenAI konsiderohet “shumë i madh për të dështuar”. Pjesa më e madhe e rritjes së fundit në tregjet e aksioneve i atribuohet zhurmës rreth IA-së.

Duhet shtruar pyetja se kush është përgjegjës? Teksa kritikët e Aktit për Sigurinë në Internet argumentojnë se përbën kërcënim për lirinë e fjalës, ai gjithsesi përfaqëson një mjet të fuqishëm për të mbajtur në përgjegjësi kompanitë amerikane të teknologjisë. Baronët e IA-së dhe aleatët e tyre politikë - përfshirë Donald Trumpin - duan ta heqin plotësisht, por duhet të mendojmë dy herë përpara se të heqim dorë nga një mjet kaq i vlefshëm.

Kjo është hera e tretë që njerëzimi nxiton të krijojë inteligjencë artificiale. Këtë herë, nxitimi po lë pas viktima reale. Ne në Britani nuk duhet të lejojmë që teknologjia e tillë të veprojë pa mbikëqyrje qeveritare dhe duhet të kërkojmë që ata që janë në krye të saj të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre. /Telegrafi/

❌