Normal view

Pas vizitës së Ramës në Vlorë, mobilizohet administrata qendrore dhe vendore! Task Forcë për sezonin turistik

5 July 2025 at 13:18

Pas vizitës së kryeministrit, Edi Rama në qytetin e Vlorës, administrata qendrore dhe vendore është vënë në lëvizje për të garantuar një sezon turistik sa më të qetë dhe efikas.

Mësohet se ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu do të pozicionohet në qytetin e Vlorës, ku sipas burimeve do të angazhohet së bashku me strukturat e bashkisë dhe ato qendrore për mbarëvajtjen e sezonit turistik.

Mësohet se Vengu ka kërkuar që të gjitha strukturat të jenë në gatishmëri të plotë për të menaxhuar fluksin e turistëve dhe për të përballuar çdo situatë që mund të paraqitet gjatë muajve të nxehtë të verës.

Lidhur me këtë, burimet bëjnë me dije se do të ngrihet një Task Forcë e posaçme për muajt korrik dhe gusht, teksa në bashkëpunim me të gjithë deputetët e Vlorës do të ndahen edhe prioritetet e punës në tre drejtime kryesore duke përfshirë edhe të gjitha strukturat vendore dhe qendrore, të cilat konsistojnë tek:

Pastrimi dhe mjedisi: Strukturat e bashkisë dhe ndërmarrjet përkatëse do të angazhohen për të siguruar standardet e duhura të pastërtisë në zonat urbane, bregdetare dhe turistike. Do të ketë monitorim të vazhdueshëm dhe ndërhyrje të menjëhershme në rastet e problematikave.

Mirëmbajtja e infrastrukturës: Rrugët, ndriçimi publik, hapësirat publike dhe plazhet do të jenë nën vëmendje të vazhdueshme. Ndërhyrjet do të jenë të përditshme për të shmangur çdo problematikë që mund të cenojë imazhin e qytetit.

Siguria dhe shëndeti: Në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe strukturat shëndetësore duhet të jenë në gatishmëri maksimale për forcimin e parametrave të sigurisë, sidomos në zonat me prani të lartë turistike.

Burime bëjnë me dije se pas takimit që Rama bëri në Vlorë, deputetët e zgjedhur në qarkun e Vlorës duhet të intensifikojnë qëndrimin në zonat e tyre, madje të jenë sa më shumë pranë qytetarëve për çdo problem që ata mund të kenë.

Sipas burimeve administrata qendrore dhe vendore do të jenë në gatishmëri edhe fundjavave për porositë e lëna. Mësohet se Pirro Vengu, Bledi Çuçi, Vullnet Sinaj dhe deputetët e tjerë do të organizojnë takime të shpeshta për të analizuar edhe performancën e çdo drejtuesi, nëse është i duhuri për atë institucion apo duhet ndërruar, në mënyrë që për qytetarët të jenë sa më afër dhe me zgjidhje konkrete. /Tch/

The post Pas vizitës së Ramës në Vlorë, mobilizohet administrata qendrore dhe vendore! Task Forcë për sezonin turistik appeared first on Telegrafi.

Valë dorëheqjesh në Bashkinë e Vlorës pas ultimatumit të Ramës

4 July 2025 at 09:00

Pas ultimatumit të qartë të dhënë nga Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij në Bashkinë e Vlorës, të gjithë drejtuesit e drejtorive të varësisë lokale kanë paraqitur dorëheqjen pranë Kryebashkiakut Ermal Dredha.

Burime për A2 CNN nga brenda Bashkisë bëjnë me dije se menjëherë pas largimit të Ramës nga ambientet e institucionit të enjten, Kryetari Dredha ka mbledhur të gjithë drejtuesit dhe ka kërkuar zyrtarisht dorëheqjen e tyre.

Ndërkohë, kryeministri ka ngritur dy grupe pune për të çuar përpara procesin e reformimit dhe analizës së thelluar në nivel vendor:

Grupi i parë, i përbërë nga Bledi Çuçi, Vullnet Sinaj dhe Pirro Vengu, do të ketë në fokus analizimin dhe vlerësimin e performancës së drejtuesve rajonalë. Sipas Ramës, çdo drejtues që nuk ka kryer detyrën ashtu siç duhet, duhet të japë dorëheqjen, ndërsa zëvendësuesit e tyre do të kalojnë në një periudhë prove tre-mujore për të vërtetuar aftësitë e tyre.

Grupi i dytë, ku bëjnë pjesë Brisilda Çakerri, Zamira Sinaj dhe Evis Alushi, do të analizojë emrat e mundshëm për drejtuesit e rinj të Bashkisë së Vlorës.

Kryeministri ka kërkuar që deri më 15 korrik të përfundojë analiza për të gjithë drejtuesit, si dhe të jenë gati emrat konkretë për zëvendësimet, duke u bazuar edhe në propozimet që do të vijnë nga strukturat e Partisë Socialiste në Vlorë.

Mësohet se në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura në Bashkinë e Vlorës, shumë prej pjesëmarrësve kanë qenë të thirrur personalisht nga vetë Kryeministri. Të pranishëm kanë qenë edhe deputetët e Qarkut, ku dy prej tyre, Erjona Ismaili dhe Zamira Sinaj, kanë qenë mjaft kritikë ndaj punës së Bashkisë. Në sy të të gjithëve, ato janë ankuar për vonesat dhe zvarritjet që, sipas tyre, po bëhen në zgjidhjen e problematikave të qytetarëve.

Kryeministri ka paralajmëruar qartë se askush nuk do të mbajë postin nëse nuk e justifikon me punë konkrete. /A2CNN/

The post Valë dorëheqjesh në Bashkinë e Vlorës pas ultimatumit të Ramës appeared first on Telegrafi.

14 vatra zjarri aktive në Shqipëri, 4 vazhdojnë të jenë problematike

3 July 2025 at 22:49

Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile në AKMC, nga ora 09:00 e mëngjesit deri në orën 20:30 të datës 3 korrik 2025, janë raportuar gjithsej 14 vatra zjarri në të gjithë vendin. Prej tyre, 10 vatra zjarri janë shuar plotësisht, ndërsa 4 vazhdojnë të jenë aktive, duke kërkuar angazhim të mëtejshëm të forcave.

Vatra zjarri të shuara plotësisht

Falë punës së pandërprerë të forcave operacionale në terren, u bë i mundur izolimi dhe shuarja e plotë e vatrave të zjarrit në:

Fshatin Byshek, Njësia Administrative Shushicë, Bashkia Elbasan.

Fshatin Vehçam, Njësia Administrative Hotolisht, Bashkia Librazhd.

Ish fabrikën e çimentos, Njësia Administrative Nr. 1, Bashkia Vlorë.

Lagjen Nr. 6 Kavajë, Bashkia Kavajë.

Lagjen Yzberisht, Njësia Administrative Kashar, Bashkia Tiranë.

Fshatin Rraboshtë, Njësia Administrative Kallmet, Bashkia Lezhë.

Fshatin Moravë, Njësia Administrative Otllak, Bashkia Berat.

Fshatin Rrencë, Njësia Administrative Gur i Zi, Bashkia Shkodër.

Fshatin Ashtë, Njësia Administrative Bushat, Bashkia Vau-Dejës.

Fshatin Hoçisht, Njësia Administrative Hoçisht, Bashkia Devoll.

Ndërkohë, në Vlorë, një 38-vjeçar u arrestua për vënie zjarri ndaj mbeturinave në Jalë të Nartës, duke treguar qartë ndërgjegjësimin dhe masat ndëshkuese ndaj shkaktarëve të zjarreve.

Vatra zjarri ende aktive

Aktualisht, katër vatra zjarri mbeten aktive, duke paraqitur sfida për shkak të terrenit të vështirë dhe kushteve atmosferike:

Qarku Vlorë- Zjarri i rënë dje midis fshatit Grazhdan (Njësia Administrative Livadhja) dhe fshatit Malçan (Njësia Administrative Dhivër, Bashkia Finiq), vijon të jetë aktiv në Malin e Shedenikut, mbi fshatin Malçan. Zjarri ka përfshirë një sipërfaqe me pyll pishe në një distancë shumë të madhe dhe të pamundur për t’u arritur në këmbë. Megjithatë, forcat në terren kanë eleminuar rrezikun për banesat. Zjarri po monitorohet në distancë nga 1 mjet zjarrfikës me 3 efektivë në fshatin Malçan.

Qarku Elbasan- Më 3 korrik 2025, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit në vendgrumbullimin e mbetjeve në Bashkinë Elbasan. Angazhimi i madh përfshiu: 6 automjete zjarrfikëse me 18 efektivë nga MZSH e bashkive Elbasan, Cërrik, Librazhd, Tiranë dhe Peqin; 12 mjete të tonazhit të rëndë, 5 fadroma, 2 ekskavatorë dhe 1 traktor me zinxhirë nga bashkia Elbasan. Forcat e Armatosura angazhuan: 4 automjete zjarrfikëse, 4 kamionë vetëshkarkues, 1 traktor me zinxhirë, 35 trupa, 1 grup ekspertësh për matjen e ndotjes së ajrit dhe 1 helikopter Cougar. Gjatë ditës, puna u fokusua kryesisht në hedhjen e inerteve dhe kapsulimin e mbetjeve. Zjarri vijon të mbetet problematik.

Qarku Kukës- Në zonën malore mes fshatrave Gjinaj dhe Domaj (Njësia Administrative Gjinaj, Bashkia Has), ka rënë zjarr në një sipërfaqe me pyll pishe. Në terren janë angazhuar 10 punonjës të Shërbimit Pyjor, 5 forca të MZSH Has me 1 automjet, 4 forca policore, 7 forca bashkiake dhe 10 vullnetarë. Terreni i vështirë dhe era e mbajnë zjarrin aktiv.

Qarku Tiranë- Në fshatin Bulticë (Njësia Administrative Vaqarr, Bashkia Tiranë), në orën 13:30, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Në vendngjarje shkuan 1 automjet zjarrfikës me 4 efektivë nga MZSH Tiranë dhe 3 forca policore. Terreni jo i favorshëm e bën të vështirë kalimin e mjeteve dhe vatra vijon të mbetet aktive.

Forcat e Emergjencave Civile dhe strukturat mbështetëse vazhdojnë punën e palodhur për të menaxhuar situatën dhe për të shuar plotësisht vatrat e mbetura aktive.

The post 14 vatra zjarri aktive në Shqipëri, 4 vazhdojnë të jenë problematike appeared first on Telegrafi.

Shqipëria bëhet aksionare në resortin e dhëndrit të Trumpit në Sazan

27 June 2025 at 19:20

Ishte më shumë se një vizitë turistike apo udhëtim rastësor. Kur Ivanka Trump dhe Jared Kushner, vajza dhe dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, u panë në Vlorë, ardhja e tyre ngriti më shumë pikëpyetje sesa përgjigje. Por tani mozaiku është plotësuar.

Vizita e tyre përkon me krijimin e kompanisë “Albanian State Development & Real Estate” – kompania që përfaqëson shtetin shqiptar si aksionar në resortin turistik që do të ndërtohet në ishullin e Sazanit.

Kompania është regjistruar më 26 qershor në Qendrën Kombëtare të Biznesit, me kapital fillestar 50 milionë lekë dhe me administrator Julian Adilin. Ky i fundit është Drejtor i Divizionit Ligjor dhe të Pajtueshmërisë në Korporatën Shqiptare të Investimeve.

“Të sigurojë menaxhimin, zhvillimin dhe administrimin e përgjegjshëm të pasurive të paluajtshme në pronësi, përdorim apo përgjegjësi administrimi të kompanisë, duke maksimizuar vlerën e tyre dhe duke garantuar përdorim optimal. Pjesëmarrja si përfaqësues i shtetit në partneritete apo investime strategjike, si dhe në çdo rast të përcaktuar me vendim të organeve të shoqërisë, lidhur me projektin e investimit ‘Resorti Turistik – Ishulli i Sazanit’ apo çdo projekt tjetër të autorizuar nga AIC”, Albanian State Development & Real Estate.

Gjithashtu, “Albanian State Development & Real Estate” do të ketë të drejtën të planifikojë, projektojë dhe zbatojë projekte të rëndësishme ndërtimore, duke u fokusuar në zhvillimin urban.

Nga një ish-bazë ushtarake e kohës së komunizmit, Sazani është në prag të një transformimi rrënjësor. Një ishull i mbuluar prej dekadash nga heshtja, tani pritet të ndriçojë në hartën globale të turizmit elitar – mes interesave amerikane, pasurive shqiptare dhe sfidës për zhvillim të qëndrueshëm.

“Të planifikojë, projektojë dhe zbatojë projekte të rëndësishme ndërtimore me standarde të larta të cilësisë dhe qëndrueshmërisë, duke u fokusuar në zhvillimin urban, industrial dhe të teknologjisë së gjelbër, lidhur me projektin e investimit ‘Resorti Turistik – Ishulli i Sazanit’ apo çdo projekt tjetër të autorizuar nga AIC. Monitorimi i kontratave të lidhura mes AIC dhe palëve të treta në fushën e zhvillimit, menaxhimit dhe administrimit të pasurive të paluajtshme, lidhur me projektin e investimit ‘Resorti Turistik – Ishulli i Sazanit’ apo çdo projekt tjetër të autorizuar nga AIC”, “Albanian State Development & Real Estate”.

Dhëndri i Donald Trump, biznesmeni Jared Kushner, e mori statusin e Investitorit Strategjik vitin e shkuar, në një vendim që mban datën 30 dhjetor 2024. Sipas këtij vendimi, investimi në ishull nga kompania e lidhur me dhëndrin e Donald Trump kap vlerën e 1.4 miliardë eurove dhe ndërtimi parashikohet të shtrihet në 8% të ishullit, ose në një sipërfaqe prej 45 hektarësh. Nga ky projekt pritet të punësohen mbi një mijë persona./A2 CNN

The post Shqipëria bëhet aksionare në resortin e dhëndrit të Trumpit në Sazan appeared first on Telegrafi.

Aksident në Vlorë, 35-vjeçarja humb kontrollin e mjetit dhe përfundon në lumë bashkë me fëmijët

3 May 2025 at 17:01

Një aksident ka ndodhur paraditen e sotme në fshatin Lepenicë, të Vlorës.

Policia njofton se një 35-vjeçare ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe ka përfunduar në lumë.

Për pasojë janë dëmtuar drejtuesja e mjetit dhe dy fëmijët që udhëtonin me të, të cilët janë dërguar për trajtim në spital.

Nëna dhe dy fëmijët konstatohen në gjendje të rënduar shëndetësore.

Siç raporton A2 CNN nëna është ajo që rrezikon më tepër për shkak të dëmtimeve në pjesën e legenit dhe frakturave të shumta në trup që ka pësuar nga aksidenti.

Njoftimi i Policisë Vlorë

Sot, rreth orës 10:40, në fshatin Lepenicë, shtetasja A. A., rreth 35 vjeç, duke drejtuar automjetin tip “Renault”, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe ka dalë nga rruga, duke rënë në lumë. Si pasojë e aksidentit, janë dëmtuar drejtuesja e mjetit dhe dy fëmijët që udhëtonin me të.

Të tre shtetasit janë transportuar në spital dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

The post Aksident në Vlorë, 35-vjeçarja humb kontrollin e mjetit dhe përfundon në lumë bashkë me fëmijët appeared first on Telegrafi.

Pamje të trishta! Në vendin e krimit dhe nëpër lokale, qeni kërkon të zotin pas ekzekutimit të 58-vjeçarit në Vlorë

27 April 2025 at 13:38

Një video prekëse po qarkullon në rrjet pas atentatit në Vlorë ku mbeti i vrarë një 58 vjeçar i cili punonte si roje objekti.

Një qen i cili po vrapon te vendi ku ndodhi krimi dhe nëpër lokale, dyshohet të jetë qeni i 58-vjeçarit i cili u ekzekutua me 3 plumba pranë banesës së tij.

Renato Hoxhaj, 58 vjeç u gjet i vrarë me armë zjarri në afërsi të banesës së tij, në Vlorë mëngjesin e së dielës.

Mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 06:00 të mëngjesit kur 58-vjeçari po kthehej, pasi kishte mbyllur punën si roje në një objekt në ndërtim aty pranë.

Ai është goditur nga afër, tek shkallët në hyrje të banesës. Viktima u qëllua tre herë me armë zjarri pistoletë, ku dy plumba e kapën në kokë dhe një në kraharor. Të shtënat i ka dëgjuar bashkëjetuesja e tij e cila edhe ka lajmëruar policinë.

The post Pamje të trishta! Në vendin e krimit dhe nëpër lokale, qeni kërkon të zotin pas ekzekutimit të 58-vjeçarit në Vlorë appeared first on Telegrafi.

“E vranë mo e vranë”, pasi sheh trupin e pajetë, shpërthen në lot bashkëjetuesja e 58-vjeçarit të ekzekutuar me tre plumba

27 April 2025 at 09:28

Një 58-vjeçar është ekzekutuar mëngjesin e sotëm me tre plumba në Vlorë.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Hajro Çakërri”, në orën 06:00 të mëngjesit, teksa Renato Hoxhaj po shkonte në shtëpi.

Sipas Top Channel ai është qëlluar në afërsi duke shkuar në banesë, tek shkallët në hyrje së pallatit.

Ka qenë bashkëjetuesja e tij ajo që ka dëgjuar të shtënat dhe më pas pa parë trupin e vdekur, duke njoftuar policinë. Ajo ka shpërthyer në lot, duke thënë “e vranë mo e vranë”, ndërsa më pas është marrë në pyetje nga policia.

Dyshohet se autori/ët mund të këtë hyrë edhe nga një rrugë tjetër pas lagjes e cila ishte si shteg pa kamera sigurie dhe në errësirë totale.

Ndërkohë që ende nuk ka një pistë në lidhje me shkakun, teksa policia e Vlorës ka marre dhe kamerat e sigurisë së disa subjekteve aty pranë ku mendohet se mund të ketë kaluar autori.

Viktima ishte i divorcuar, baba i dy fëmijëve, dhe bashkëjetonte me një grua.

The post “E vranë mo e vranë”, pasi sheh trupin e pajetë, shpërthen në lot bashkëjetuesja e 58-vjeçarit të ekzekutuar me tre plumba appeared first on Telegrafi.

Rama takim me kandidatët e Vlorës: E pranoj, nuk kemi dhënë sa duhet në këtë qytet

23 March 2025 at 12:35

Kryeministri Edi Rama zhvilloi paraditen e së dielës një takim me kandidatët për deputetë të PS në qarkun Vlorë.

Rama nuk i kurseu kritikat për kandidatët paraardhës, teksa tha se nuk është bërë mjaftueshëm për Vlorën, por premtoi se me skuadrën e re do ketë një rezultat më të mirë.

“Këtë herë do të marrim një rezultat më të mirë. Do t’u japim mundësinë shumë qytetarëve që deri dje kanë qenë simpatizantë të punës që ne kemi bërë. Fakti që në të gjithë skuadrën e zgjedhjeve të 11 majit kemi vetëm një deputet që është aktualisht në detyrë, Vullneti, tregon se na është dashur të bëjmë një ndryshim total të skuadrës në Vlorë, pikërisht për të treguar se çfarë na ka munguar dhe çfarë duhet të bëjmë më tej.

Disa deputetë, që unë i konsideroj miq, nuk kanë rrezatuar asgjë këtu në Vlorë. Ajo që ndodh në këtë qytet rrezaton më pas edhe në territoret e tjera, dhe më vjen keq për faktin që nuk kemi dhënë aq sa duhet në këtë qytet”, tha Rama./euronews/

The post Rama takim me kandidatët e Vlorës: E pranoj, nuk kemi dhënë sa duhet në këtë qytet appeared first on Telegrafi.

Incident në portin e Vlorës, polici kufitar goditet nga dy persona gjatë kontrollit

12 March 2025 at 10:42

Një incident i rëndë ka ndodhur në pikën e kontrollit kufitar në Portin e Vlorës, ku një punonjës i Policisë së Kufirit dhe Migracionit është dhunuar fizikisht nga dy drejtuesit e një furgoni pas një debati për kontrollin e imtësishëm të mjetit.

Fillimisht, dy personat kundërshtuan me fjalë efektivin e policisë, duke e fyer dhe sharë, e më pas situata degradoi në dhunë fizike.

Për pasojë, punonjësi i policisë ka pësuar lëndime në trup dhe fytyrë dhe është dërguar për ndihmë mjekësore.

Ndërkohë, autorët e sulmit janë shoqëruar në polici dhe ndaj tyre pritet të merren masa ligjore.

The post Incident në portin e Vlorës, polici kufitar goditet nga dy persona gjatë kontrollit appeared first on Telegrafi.

Breshka “fluturuese” kapet në Vlorë, të veçantat e kësaj specie

24 February 2025 at 19:47

Një breshkë “fluturuese” ka rënë në rrjetet e peshkatarëve vlonjatë mëngjesin e kësaj të hëne.

Kjo specie e veçantë dallohet për mënyrën e saj të notit që ngjason sikur fluturon.

Pasi e kanë liruar nga rrjetat mbi të janë kryer matjet përkatëse dhe me pas është lëshuar në det.

Ajo njihet edhe si breshka e Gjelbër për shkak të ngjyrës së saj që vjen në jeshile.

The post Breshka “fluturuese” kapet në Vlorë, të veçantat e kësaj specie appeared first on Telegrafi.

Plazh në shkurt, pushuesit në Vlorë sfidojnë temperaturat e ulta dhe lahen në det

23 February 2025 at 16:36

Edhe pse Shqipëria po përjeton temperatura të ulëta, kjo e diel në Vlorë ka gjetur qytetarë që notojnë në ujrat e detit.

Plazhi në javën e fundit të muajit shkurt mund të duket i pazakontë, por jo për qytetarët e Vlorës.

Ata kanë shfrytëzuar fundjavën dhe motin me diell, duke u larë në zonën pranë ‘Ujit të Ftohtë’ duke sfiduar në këtë mënyrë dhe temperaturat e ulta./Euronews Albania

Vlora magjike në Shkurt, bëhet plazh në ujërat e kristalta pic.twitter.com/2X0nNTOhbO

— Euronews Albania (@EuronewsAlbania) February 23, 2025

The post Plazh në shkurt, pushuesit në Vlorë sfidojnë temperaturat e ulta dhe lahen në det appeared first on Telegrafi.

Shfrytëzonin shtetase të huaja për prostitucion në Vlorë, në kërkim rusja dhe ukrainasja

3 February 2025 at 09:54

Dy shtetase, një ruse dhe një ukrainase, janë shpallur në kërkim nga Policia në Vlorë, pasi shfrytëzonin shtetase të huaja për prostitucion.

Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se janë proceduar penalisht edhe dy shtetase të tjera, të cilat ushtronin prostitucion.

Mësohet se këto shtetase përdornin një apartament në lagjen “24 Maji” për këtë aktivitet të paligjshëm.

Ndërkohë materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i Policisë:

Vlorë-Shfrytëzonin shtetase të huaja për prostitucion, shpallen në kërkim dy shtetase ruse dhe ukrainase.

Përdornin një apartament në lagjen “24 Maji” për këtë aktivitet të paligjshëm, procedohen penalisht edhe dy shtetaset e huaja që ushtronin prostitucionin.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Vlorë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive të paligjshme që lidhen me shfrytëzimin e prostitucionit, kanë evidentuar dhe goditur një rast, në kuadër të të cilit u shpallën në kërkim shtetaset: Y. M., 35 vjeçe, banuese në Ukrainë; K. A., 31 vjeçe, banuese në Rusi.

Këto shtetase dyshohen se përdornin një apartament në lagjen “24 Maji”, Vlorë, ku shfrytëzonin për prostitucion dy shtetase të tjera të huaja, ukrainase, të cilat, në vijim të veprimeve, u proceduan penalisht në gjendje të lirë për ushtrim prostitucioni.

Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e dy shtetaseve të shpallura në kërkim dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/

The post Shfrytëzonin shtetase të huaja për prostitucion në Vlorë, në kërkim rusja dhe ukrainasja appeared first on Telegrafi.

Detaje nga plagosja me armë në Orikum, autori e qëlloi 10 herë nga makina

27 January 2025 at 08:26

Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja e ndodhur pasditen e kësaj të diele në Orikum ku mbeti i plagosur 29-vjeçari Sildi Velaj.

Burimet e policisë së Vlorës kanë konfirmuar për Euronews Albania se i plagosuri në momentin e ngjarjes ka qenë duke luajtur letra në brendësi të karburantit me disa shok.

Autori ka ardhur me makinë duke goditur drejt tij Mendohet të kenë patur një konflikt të mbartur mes tyre për motive banale.

Autori Qerim Bello ka goditur 10 herë në drejtim të tij dhe më pas është largua me makinën e tij.

Velaj është plagosur nga dy plumba në pjesën e shpatullës.

Në vendngjarje ndodhet edhe drejtori i policisë së Vlorës Elidon Cela. Ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë të karburantit në fjalë.

The post Detaje nga plagosja me armë në Orikum, autori e qëlloi 10 herë nga makina appeared first on Telegrafi.

Temperaturat e ajrit mbi 18 gradë, pushuesit e huaj zgjedhin plazhin e Vlorës për shplodhje

25 January 2025 at 17:45

Edhe pse jemi në muajin janar, ku temperaturat e ajrit nuk janë aspak për të marrë rreze dielli, duket se kapriçot e kohës kanë sjellë pushues në plazhin e Vlorës. Banorët e qytetit kanë shijuar rrezet buzë detit, ndërsa ka edhe nga ata që këto ditë mezi i presin.

“Sot është dita më e bukur e Janarit. Ngrohtë dhe temperatura të shkëlqyera. Natyrisht ne e kemi bërë traditë tani dhe s’na bënë përshtypje më pasi në çdo kohë lahemi, nga 31 qershori deri më 31 janar. Jemi një grup shokësh që lahemi zakonisht të shtunë, të diela kur kemi pushim por edhe gjatë ditëve të javës kur ka temperatura të mira. Deti ishte faktikisht pak i ftohtë, sepse këtu ka edhe burime dhe janë temperatura të ulta por ambientohesh kollaj. Unë e kam shprehur dhe e shpreh prapë, që vlonjati kënaqet me të parë. Shijon më shumë plazhin në behar sesa në dimër. Unë i bëj thirrje këtyre çunave të rinjë të merren me detin, me sport dhe me not. Nëse këtu janë burime të ftohtë mund ta bëjnë nga plazhi i vjetër.”

Në plazh nuk mungojnë as të huajt. Një çift britanik që ka jetuar për vite me rradhë në Vlorë, këtë fundjavë janë rikthyer sërish për të festuar përvjetorin e martesës. Koha me diell ishte surpriza më e bukur për ta.

“Vlora më pëlqen shumë. Vazhdojmë gjithë vitin plazhin pasi ambientohet trupi. Ambientohesh shumë lehtë. Më pëlqen më shumë tani që ka diell, është ngrohtë, ambienti shumë i pastër. Shpresoj se do ta vazhdojmë plazhin. Por vetëm për pak ditë, pasi nesër ikim sërish në Angli. Në Angli nuk ka diell, është vetëm shi, gri dhe shumë ftohtë. Në Vlorë është shumë bukur. Më pëlqejnë edhe njerëzit që janë shumë të dashur, të ngrohtë si koha. Edhe ushqimi na pëlqen shumë”, tha një turiste angleze.

Turisti britanik shprehet shumë i kënaqur që është rikrhyer me bashkëshorten në Vlorë për të festuar përvjetorin e martesës.

“Ne vijmë prej Anglisë. Nuk është hera e parë që jemi në Vlorë. Ne kemi jetuar këtu prej 7 vitesh. Nuk jetojmë më tani por kemi jetuar këtu më parë. Vlora për ne është një vend i mrekullueshëm. Jemi rikthyer për pushime këtu për përvjetorin tonë të martesës. Më shumë këtu në Vlorë më pëlqen deti, njerëzit dhe ushqimi. Sigurisht që do të kthehem këtu sërish”, tha turisti britanik.

Temperaturat e ajrit mbi 18 gradë celcius gjatë ditës kanë bërë që shumë qytetarë të zgjedhin Vlorën për të kaluar momente të qeta dhe shplodhëse./Euronews Albania

The post Temperaturat e ajrit mbi 18 gradë, pushuesit e huaj zgjedhin plazhin e Vlorës për shplodhje appeared first on Telegrafi.

Policia zbardh pesë vjedhje në Vlorë, publikon pamjet

23 January 2025 at 11:47

Policia ka arrestuar tre persona në Vlorë, të cilët akuzohen si autorë të 5 vjedhjeve në këtë qytet.

Mësohet se në pranga janë vënë shtetasit K. D., 30 vjeç, G. Ç., 28 vjeç dhe F. P., 30 vjeç, të tre banues në Vlorë.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, pas një pune të mirorganizuar hetimore dhe bazuar në inteligjencën informative, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Target 6,” si rezultat i të cilit, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, u ndaluan shtetasit:

K. D., 30 vjeç, G. Ç., 28 vjeç dhe F. P., 30 vjeç, të tre banues në Vlorë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, të maskuar me kapuçë dhe shalle, duke përdorur dorashka dhe sende të forta, kanë kryer vjedhje në qytetin e Vlorës, konkretisht:

-Më 10.01.2025, në lagjen “Partizani”, kanë thyer xhamin e një automjeti tip “Mercedes Benz” ku kanë vjedhur një palë syze me vlerë 400 euro dhe një parfum me vlerë 50 euro;

-Më 13.01.2025, në lagjen “Partizani”, kanë vjedhur disa steka me cigare në një dyqan;

-Më 18.01.2025, në lagjen “Hajro Çakërri”, kanë vjedhur 20 000 lekë dhe steka me paketa me cigare me vlerë 80 000 lekë në një dyqan;

-Më 19.01.2025, në lagjen “15 Tetori”, kanë vjedhur 16 000 lekë në një market;

-Më 21.01.2025, në lagjen “24 Maji”, kanë vjedhur 30 000 lekë dhe paketa me cigare në një dyqan;

-Më 21.01.2025, në lagjen “Lef Sallata”, kanë tentuar të vjedhin në një subjekt financiar jobankar.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan disa sende të vjedhura, mjetet dhe veshjet e përdorura nga autorët, për kryerjen e vjedhjeve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim”, njofton policia. /Telegrafi/

The post Policia zbardh pesë vjedhje në Vlorë, publikon pamjet appeared first on Telegrafi.

Aksidenti në Vlorë ku humbi jetën 22-vjeçari, arrestohet drejtuesi 80-vjeçar i makinës

20 January 2025 at 09:31

Një aksident i rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në afërsi të fshatit Lapardha të Vlorës.

Një motor tip “Yamaha” është përplasur me një automjet tip “Peugeot”, me drejtues shtetasin J. K., 80 vjeç, banues në Vlorë.

Si pasojë ka humbur jetën shtetasi F. K., 22 vjeç, drejtues i motomjetit. Ditën e sotme Policia bëri të ditur se ka arrestuar drejtuesin e automjetit, shtetasin 80-vjeçar, për ngjarjen e rëndë.

Ndërkohë materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.

Njoftimi i Policisë:

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë

Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore, në vijim të veprimeve hetimore për aksidentin e ndodhur ditën e djeshme, në aksin rrugor “Peshkëpi-Kotë”, arrestuan shtetasin J. K., 80 vjeç, banues në Vlorë, pasi drejtonte automjetin që u përplas me motomjetin me drejtues shtetasin F. K., 22 vjeç, banues në Tiranë, i cili humbi jetën.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.

The post Aksidenti në Vlorë ku humbi jetën 22-vjeçari, arrestohet drejtuesi 80-vjeçar i makinës appeared first on Telegrafi.

Kush është i riu me dy identitete që u ekzekutua brenda makinës në Vlorë

13 January 2025 at 22:35

Vendi u trondit sërish sonte me një tjetër vrasje në makinë, pasi 30 vjeçari Kristian Marku u qëllua në lëvizje teksa udhëtonte në autostradën Fier-Vlorë.

I riu u qëllua me armë zjarri sonte në orën 18.15 në afërsi të fshatit Novoselë, në autostradën Fier-Vlorë.

Policia tha se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin Kristian Marku 30 vjeç, i cili ka humbur jetën.

Mësohet se po bëhet krehja e zonës dhe kontrollet për kapjen e autorëve.

Aktualisht është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Viktima Kristian Marku, rezulton me precedent penal për “Vrasje me dashje ne bashkëpunim mbetur ne tentative” dhe “Mbajtja pa leje e armeve te zjarrit dhe municionit luftarak”.

Kristian Marku alias Kristi Bardhi dyshohet te jete autor ne ngjarjen e dates 26 mars 2023, rreth ores 19:00, ndodhur ne Rreshen, Mirditë, ku pati te shtena me arme zjarri ne drejtim te shtetasit me iniciale S. R.

Veprat penale te konsumuara në këtë rast ishin “Vrasje me dashje ne bashkëpunim mbetur ne tentative” dhe “Mbajtka pa leje e armeve te zjarrit dhe municionit luftarak”

The post Kush është i riu me dy identitete që u ekzekutua brenda makinës në Vlorë appeared first on Telegrafi.

Vrasje me breshëri kallashnikovi në Vlorë, ekzekutohet 30-vjeçari

13 January 2025 at 20:05

Policia e Vlorës ka dalë me një deklaratë zyrtare në lidhje me vrasjen që u regjistrua pas më parë në aksin Fier-Levan.

Sipas policisë, rreth orës 18:15, në afërsi të fshatit Novoselë, në autostradën Fier-Vlorë, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin Kristian Marku 30 vjeç, i cili ka humbur jetën.

Në vendngjarje kanë shkuar shërbime të Policisë së DVP Vlorë dhe grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë Njësia Fier.

Vijon krehja e zonës dhe kontrollet për kapjen e autorëve.

“Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit”, shkruhet në reagimin e policisë./A2 CNN

The post Vrasje me breshëri kallashnikovi në Vlorë, ekzekutohet 30-vjeçari appeared first on Telegrafi.

Moti i keq, Vlora përmbytet nga reshjet e shirave

12 January 2025 at 18:24

Shirat e rënë në Vlorë, nisur që prej mbrëmjes së kaluar e duke vijuar gjatë gjithë ditës së sotme, kanë bërë që rruga ‘Albano e Romina’ të përmbytet.

Shirat e rënë në kohë të gjatë kanë bërë që me gjithë tërheqjen e pompave të hidrovorit, zona problematike e ‘Albano Rominës’ të mos e përballojë prurjen e reshjeve, e për pasojë ka nisur përmbytja e aksit, raporton RTSH.

Ndërkaq, si pasojë e motit të keq ka pasur probleme edhe në aksin rrugor që lidh qytetin e Laçit me Kishën e Shën Antonit (kisha e Sh’na Ndoit).

Si pasojë e dëborës së rënë disa mjete që kishin shkuar për pelegrinazh në vendin e shenjtë, kanë mbetur të bllokuara dhe po ndërhyhet me mjetet e bashkisë për pastrimin dhe kriposjen e këtij segmenti.

Referuar raportimeve dhe njoftimeve të emergjencave civile, në akset e tjera të kësaj bashkie nuk vërehen problematika.

Ndërkaq, si rezultat i erës me intensitet të vrullshëm, vazhdon të ketë ndërprerje të energjisë elektrike, sidomos në zonat rurale.

Grupet e punës së OSHEE janë në terren për riparimin e defekteve të shfaqura, kurse strukturat e MC të bashkisë janë në terren dhe po punojnë për normalizimin e gjendjes.

The post Moti i keq, Vlora përmbytet nga reshjet e shirave appeared first on Telegrafi.

Aksident në autostradën Vlorë-Fier, raportohet për dy të plagosur

10 January 2025 at 10:38

Aksident në autostradën Vlorë-Fier. Një automjet tip Volkswagen Golf ka dalë nga rruga duke përfunduar në kanal.

Dy persona që ndodheshin në automjet, çift bashkëshortësh, janë dërguar në spitalin rajonal të Vlorës. Policia është në vendngjarje për të hetuar shkaqet e aksidentit, ndërsa nga informacionet e para dyshohet se shkak ka qenë shpejtësia në lëvizje, shkruan A2 CNN.

Automjeti ishte duke lëvizur në autostradë nga Vlora në drejtim të Fierit. Sipas Policisë, drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin edhe për shkak të shpejtësisë, duke dalë nga rruga dhe përfunduar në kanal. Të dy personat e lënduar që ndodheshin në automjet janë dërguar me urgjencë në spitalin rajonal për të marrë ndihmën e parë mjekësore.

The post Aksident në autostradën Vlorë-Fier, raportohet për dy të plagosur appeared first on Telegrafi.

❌