Normal view

Studentët e “Kadri Zekës” në Gjilan zhvillojnë sistemin digjital për vetëvlerësimin e nxënësve

19 February 2025 at 09:46

Studentët e vitit të tretë të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan kanë realizuar një projekt për modernizimin dhe automatizimin e proceseve arsimore.

Projekti i quajtur “Listë Kontrolli” është një sistem digjital i krijuar për të përmirësuar procesin e vetëvlerësimit të nxënësve të shkollave fillore dhe për të mundësuar një lidhje më të ngushtë mes nxënësve, mësuesve dhe prindërve.

Studentët kanë punuar për të digjitalizuar një sistem të cilin aktualisht e përdor një shkollë  fillore në komunën e Gjilanit në formatin fizik, derisa ky sistem i vetëvlerësimit u mundëson nxënësve të vlerësojnë progresin e tyre në çdo lëndë dhe të krijojnë mundësi për përmirësim të vazhdueshëm.

“Nëpërmjet këtij sistemi, nxënësit mund të identifikojnë pikat e forta dhe ato të dobëta në procesin e të nxënit, duke u ofruar mundësi për zhvillim personal dhe përmirësim të mëtejshëm. Përveç kësaj, mësuesit shqyrtojnë dhe miratojnë vlerësimet e nxënësve dhe ndajnë progresin me prindërit. Administrata menaxhon të dhënat për çdo përdorues, duke mundësuar funksionimin efikas të sistemit për të siguruar që ai të përshtatet me nevojat e individëve që e përdorin”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, ky projekt është realizuar nga studentët Ubejd Morina, Maldon Misini, Andi Latifi, Ermal Rexhepi dhe Erjon Sylaj, nën udhëheqjen e Prof. Ass. Dr. Aferdita Ibrahimi. /Telegrafi/

The post Studentët e “Kadri Zekës” në Gjilan zhvillojnë sistemin digjital për vetëvlerësimin e nxënësve appeared first on Telegrafi.

Shkrimet e reja kanë nevojë për mbrojtje nga IA-ja

11 February 2025 at 13:45

Nga: Steven McKenzie / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

Shkrimtarët dhe botuesit skocezë po shqyrtojnë mënyrat inovativet për të përballuar sfidat që hasin nga inteligjenca artificiale [IA].

Makari [bardi, poeti kombëtar] i Skocisë, Peter Mackay, ka thënë se kishte “shqetësime të mëdha” për këtë teknologji, veçanërisht në lidhje me krijimin e letërsisë dhe librave të rinj.

IA-ja përfshin mjetet e dizajnuara për kërkim, si dhe të tjera që mund të sugjerojnë struktura fjalish, tipare të personazheve, opsione dialogu dhe narracion.

Mackay tha se në idetë për të mbrojtur më mirë shkrimet e reja, përfshihen udhëzuesit e ngjashëm me paketimet ushqimore – për veprat e shkruara nga kompjuterët dhe logo të veçanta për kopertinat e librave pa ndërhyrje të IA-së.

Poeti i gjuhës gaelike, Mackay, i lindur në Luis, në dhjetor u emërua poeti kombëtar i Skocisë. Makarët e parë ishin poetë ose bardë mesjetarë, shpesh të lidhur me oborrin mbretëror dhe pritej që të krijonin vepra për ngjarje të rëndësishme.

Në dy dekadat e fundit, qytetet skoceze kanë emëruar makarët e tyre dhe në vitin 2004 u emërua poeti i parë kombëtar.

Mackay është i etur për të inkurajuar shkrimet e reja. Por, ai thekson: “Kam shqetësime të mëdha për IA-në në lidhje me krijimin e letërsisë dhe librave të rinj, pjesërisht sepse, si shkrimtar, kjo mund të jetë katastrofike për ata që sapo hyjnë në këtë profesion. Është shumë e vështirë të jetosh si shkrimtar, në secilin rast, dhe nëse duhet të konkurroni me njohurinë e përmbledhur të çdo libri të shkruar më parë, të kondensuar në një formë të konglomerati, kjo është jashtëzakonisht e vështirë për t’u përballuar.”

Vitin e kaluar, Mackay ka marrë pjesë në një punëtori për shkrimtarë, botues dhe akademikë, ku IA-ja ishte temë diskutimi. Pjesëmarrësit shqyrtuan mënyrat për të bërë të qartë që një tekst nuk ishte i gjeneruar nga kompjuteri.

Mackay thotë: “Një nga gjërat që u diskutua ishte një shenjë në stilin e certifikimit të autoritetit Harris Tweed Orb ose Kitemark, për të treguar se një vepër është 100 për qind pa IA ose 100 për qind e prodhuar në mënyrë organike”.

Logoja Harris Tweed Orb qepet në veshje dhe sende të tjera që përdorin tekstil, për të treguar se thurja është endur me dorë dhe është përfunduar nga banorët e Ishujve Perëndimorë, si dhe është bërë nga lesh i lyer dhe i tjerrë në këta ishuj. Kitemark-u i Institucionit Britanik të Standardeve është përdorur si markë tregtare për produktet e prodhuara në Mbretërinë e Bashkuar për më shumë se 120 vjet.

Mackay shprehet se, si alternativë, librat e krijuar me IA mund të përfshijnë një përmbledhje të burimeve të stilit dhe strukturës së fjalive të tyre, të ngjashme me mënyrën se si aditivët listohen në kutitë e drithërave. “Mund të tregojë diçka si: 1% Vladimir Nabokov, 2% Gertrude Stein”, tha ai.

Mackay është një nga anëtarët e jurisë për çmimin Highland Book Prize për këtë vit dhe beson se ky konkurs dhe çmimet e tjera letrare mund të luajnë një rol në mbrojtjen e shkrimeve pa ndikim nga IA-ja.

“Mendoj se një nga gjërat që bëjnë çmimet letrare është të çmojnë veçantinë, diversitetin, stilin dallues – gjërat që IA-ja nuk i bën për momentin”, tha ai. “Është pikërisht kthesa e papritur e një fraze, më shumë sesa kthesa e pritshme, dhe do të shpresoja që çmimet letrare do të vazhdojnë ta bëjnë këtë. Ato ofrojnë një tregues për zërat e rinj, interesantë dhe të veçantë”.

Ai shtoi: “Kam frikë nga dita kur një çmim letrar do të fitohet nga diçka që rezulton të jetë e gjeneruar nga IA-ja. Çfarë do të ndodhë me ata që kanë kaluar orë të tëra duke shkruar, të vetëm, dhe më pas duhet të konkurrojnë me poezi, tregime të shkurtra dhe romane të krijuara nga kompjuteri”? /Telegrafi/

The post Shkrimet e reja kanë nevojë për mbrojtje nga IA-ja appeared first on Telegrafi.

DeepSeek – një alarm për Perëndimin: Përsëritja e momentit të Sputnikut

31 January 2025 at 12:47

Nga: Larry Elliott / The Guardian (titulli origjinal: The west is already losing the AI arms race)
Përkthimi: Telegrafi.com

Për një herë të vetme, Donald Trump nuk ishte fajtor për hiperbolizim. Shfaqja e një çetboti kinez me buxhet të vogël, i quajtur DeepSeek – si rival i ChatGPT-së – është me të vërtetë një alarm zgjimi. Një alarm zgjimi për gjigantët e teknologjisë në ShBA. Një alarm zgjimi për Uoll-Stritin [Wall Street]. Një alarm zgjimi për çdo vend të zhvilluar që dëshiron të hyjë në garën e inteligjencës artificiale.

E gjithë kjo mbetet e vërtetë edhe nëse rezulton se DeepSeek-u nuk është aq i fuqishëm sa pretendohet. Por, nëse është një produkt i vërtetë dhe cilësor, atëherë kinezët kanë krijuar një premium-inteligjencë artificiale, e cila është e qasshme falas ose me një kosto minimale. Kjo  është diçka e jashtëzakonshme. Në vitin 1957, ShBA-ja u trondit kur Bashkimi Sovjetik u bë vendi i parë që lëshoi një satelit artificial. Po aq e befasuar është edhe tani me ardhjen e DeepSeek-ut. Ky është me të vërtetë një moment Sputniku.

Sigurisht, ka nga ata që dyshojnë në aftësinë e një startupi kinez për të arritur, me një buxhet të kufizuar, atë që kompanitë amerikane të teknologjisë kanë shpenzuar miliarda dollarë për ta realizuar. Këto dyshime mund të jenë të drejta, por ato nuk e ndryshojnë tablonë e madhe: është real kërcënimi i Kinës ndaj dominimit teknologjik perëndimor. Gara për të fituar në fushën e inteligjencës artificiale do të jetë po aq e ashpër – ndoshta edhe më shumë – sesa gara hapësinore e viteve 1950-‘60. Kina ka një peshë më të madhe ekonomike sesa pati ndonjëherë Bashkimi Sovjetik.

Në fazat e hershme të zhvillimit të saj të shpejtë ekonomik, Kina shihej si një vend ku kompanitë amerikane dhe evropiane mund të transferonin prodhimin. Kostoja e punës ishte e ulët dhe zhvendosja e prodhimit jashtë vendit premtonte fitime më të larta. Ideja ishte që të gjitha aspektet e avancuara – dizajni i produkteve, kërkimi dhe zhvillimi – të kryheshin në Perëndim, ndërsa në Guangdong të bëhej vetëm montimi. Sistemi marksist-leninist i Kinës supozohej të pengonte krijimtarinë e nevojshme për ide dhe produkte të reja.

Kjo pikëpamje ka rezultuar vetëm si vetëkënaqësi. Në vitin 2023, Kina regjistroi më shumë patenta se gjithë pjesa tjetër e botës së bashku. Universitetet kineze diplomojnë mesatarisht mbi gjashtë mijë doktorantë në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë (STEM) në muaj – më shumë se dyfishi i ShBA-së. Siç tregon DeepSeek, Kina ka një numër në rritje të mendjeve të ndritura që janë krejtësisht të afta të mendojnë jashtë kornizave kur u jepet mundësia, siç është rasti me zhvillimin e inteligjencës artificiale, baterive me jone litiumi dhe automjeteve elektrike.

ShBA-ja është e vetëdijshme për kërcënimin ndaj hegjemonisë së saj, ndërsa përpjekjet për të frenuar fuqinë ekonomike të Kinës janë çështje dypartiake në Uashington. U mbajtën tarifat mbi importet kineze të vendosura nga Trumpi gjatë mandatit të tij të parë – dhe madje u shtuan – nga Joe Biden kur mori detyrën. Një javë para se të largohej nga zyra, Bideni vendosi kufizime të reja mbi eksportin e çipave kompjuterikë të zhvilluar nga ShBA-ja, për të penguar vendet si Kina që të kenë qasje në teknologjinë e avancuar. Ligji i Biden për Reduktimin e Inflacionit ofroi subvencione për të nxitur prodhimin e produkteve miqësore me mjedisin brenda ShBA-së.

Në disa sektorë, mund të jetë tepër vonë. Kina është tashmë eksportuesi më i madh i automjeteve elektrike, duke nxitur tarifa mbrojtëse nga ShBA-ja dhe BE-ja. Bateritë me jone litiumi të prodhuara nga fabrikat kineze kushtojnë me vetëm me një të shtatën për kWh krahasuar me 10 vjet më parë. Nuk duhej të ishte befasi për ShBA-në dhe vendet e tjera perëndimore që një ndarje globale e punës, ku Kina kryente vetëm punën e rëndë me kosto të ulët, do të kishte interes të kufizuar për vetë kinezët. Në vend të kësaj, Kina ka ndjekur një strategji të qëllimshme për të vazhduar prodhimin e këpucëve, lodrave dhe televizorëve, ndërkohë që hyn edhe në sektorët e teknologjisë së lartë.

Kjo strategji mund të ketë kufizimet e veta. Ka një argument se modeli ekonomik i Kinës do të bëhet përfundimisht i papërputhshëm me modelin e saj politik dhe se kërkesat për demokraci do ta detyrojnë Partinë Komuniste të bëhet më pak represive. Gjithashtu, Kina nuk është e lirë nga problemet ekonomike. Shumë nga kompanitë e saj shtetërore operojnë me humbje. Flluska e tregut të pasurive të patundshme është plasaritur plotësisht.

Megjithatë, është e qartë se beteja për dominimin e inteligjencës artificiale po intensifikohet. Trumpi mendon se konkurrenca kineze nuk është domosdoshmërisht diçka e keqe për sektorin e teknologjisë në ShBA, dhe ai ka të drejtë. Vlera e aksioneve të kompanive teknologjike në Uall-Strit ra pas lajmit për DeepSeek-un, sepse ngriti dyshime nëse investimi masiv në kompanitë amerikane kishte qenë i justifikuar, por disponueshmëria e modeleve më të lira do të përshpejtojë përdorimin e inteligjencës artificiale. Edhe pse kjo vjen me rreziqe – për privatësinë, sigurinë dhe vendet e punës – ka edhe përfitime të mundshme.

Keir Starmer thotë se dëshiron që Britania të bëhet një “superfuqi e inteligjencës artificiale”, dhe arritja e këtij qëllimi duhet të bëhet më e lehtë ndërsa kostot e zhvillimit po bien. Por, fjalët janë të lira. Sektori i teknologjisë së lartë në Kinë nuk është shfaqur në mënyrë magjike, dhe nuk është rastësi që vendi ka dominuar tregun e automjeteve të lira elektrike. Ashtu si vendet e tjera të Azisë Lindore para saj, Kina ka pasur një vizion strategjik për industritë në të cilat dëshironte të konkurronte, ka investuar fuqishëm për t’i zhvilluar, i ka mbrojtur në fazat e tyre fillestare dhe ka pritur me durim rezultatet. Nuk ka pasur besim të verbër në forcat e tregut dhe as një refuzim për të mbështetur fituesit. Kontrasti me Britaninë nuk mund të jetë më i madh. /Telegrafi/

 

The post DeepSeek – një alarm për Perëndimin: Përsëritja e momentit të Sputnikut appeared first on Telegrafi.

Perëndimi duhet të shqetësohet: “DeepSeek” lë të kuptohet se Kina ka zotëruar artin e kaizen-it

30 January 2025 at 12:01

Koncepti japonez i përmirësimit të vazhdueshëm industrial, ndihmon në shpjegimin e suksesit teknologjik të Pekinit.

Nga: Leo Lewis / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Gjatë kulmit të garës hapësinore, Amerika shpenzoi miliona dollarë nga taksapaguesit për të zhvilluar një stilolaps që do të funksiononte në gjendje pa gravitet. Përballë të njëjtit problem, rusët përdorën … një laps.

Kjo, në fakt, është një përrallë e trilluar. Të dyja palët fillimisht provuan lapsat dhe në fund përdorën Stilolapsin Hapësinor [Space Pen], një produkt i zhvilluar krejtësisht nga sektori privat. Por, miti rikthehet shpesh si një parabolë industriale, gjeopolitike dhe ideologjike, sepse përmbledh frikën që i përshkon të gjitha këto fusha: se kompania, pozita apo modeli ekonomik i kundërt mund të jetë më i strukturuar për të punuar në mënyrë më të zgjuar dhe më të lirë.

A u rikthye këtë javë memja e Stilolapsit Hapësinor, ndërsa investitorët dhe qeveritë u mahnitën nga modeli – i supozuar me kosto të ulët – i Kinës i inteligjencës artificiale [IA], DeepSeek, duke u pyetur nëse kontrollet e eksportit të ShBA-së kishin rezultuar në të kundërtën e synuar dhe duke humbur besimin te miliardat e investuara në qasjen më të shtrenjtë amerikane ndaj të njëjtit problem? Natyrisht që po.

Por, termi më shqetësues i momentit duhet të jetë kaizen-i – koncepti japonez i “përmirësimit të vazhdueshëm”, i cili dikur ngjalli frikë në zemrat e korporatave amerikane dhe që tani Kina, në një mënyrë ose tjetër, duket se e ka zotëruar në heshtje – pjesërisht duke punësuar mjeshtër japonezë të kaizen-it, të cilët ishin nënvlerësuar në ekonominë e tyre.

Kaizen-i u bë pjesë e vërtetë e leksikut të biznesit ndërkombëtar në vitet ’80 të shekullit XX, kur kompanitë amerikane dhe evropiane kishin nevojë të kuptonin pse kompanitë japoneze po i mundnin – si në çmim ashtu edhe në cilësi – në industritë si automobilizmi, elektronika e konsumit dhe gjysmëpërçuesit. Të dyja palët e identifikonin dallimin si një përmirësim të durueshëm dhe thellësisht japonez të produktit dhe procesit.

Efektet praktike të kaizen-it ishin të jashtëzakonshme: ato ishin një nga arsyet kryesore pse ekonomia e Japonisë u bë një superfuqi në vitet 1970-‘80 dhe pse shumë nga kompanitë e saj mbeten ende konkurrente globale në një gamë të gjerë sektorësh prodhimi.

Por, është ndoshta edhe më i jashtëzakonshëm evolucioni i kaizen-it gjatë dekadave të gjata të stagnimit ekonomik të Japonisë, pas shpërthimit të flluskës financiare. Pasi u shua epoka e tepricave financiare, kaizen-i u bë një superfuqi mbijetese: një mekanizëm i njëkohshëm për të rritur cilësinë dhe për të ulur kostot në kohë të vështira. Deflacioni dhe paaftësia e prodhuesve japonezë për të siguruar fuqi çmimesh në tregun e tyre vendor, e shndërruan uljen e kostove në një art të vërtetë.

Prodhuesit kinezë, të përqendruar prej kohësh në kosto dhe teknologji, e kanë vëzhguar me kujdes gjithë këtë proces dhe kanë gjetur mënyra për ta bërë kaizen-in pjesë të tyre. DeepSeek mund të përfaqësojë një përparim të madh në softuer, por është një arritje e bazuar mbi themelet e një sektori të pajisjeve harduerike që po ecën përpara në mënyrë të pamëshirshme dhe të vazhdueshme.

Shumë vetë do të argumentojnë se përvetësimi i teknologjisë nga Kina ka qenë, në rastin më të mirë, oportunist dhe, në rastin më të keq, i pandershëm. Kur nuk fajësohen vjedhja e hapur apo detyrimi (gjë që ndodh shpesh), kompanitë e huaja kanë humbur teknologjitë kyçe për shkak të marrëveshjeve të dobëta të transferimit ose optimizmit të tepruar mbi aftësinë për të mbrojtur pronësinë intelektuale. Por, kjo nuk shpjegon më gjithçka.

Në arritjet më të fundit dhe më të dukshme industriale të Kinës – prodhimi i makinave elektrike me kosto të ulët dhe cilësi konkurruese, elektronika e konsumit, makineritë industriale, trenat me shpejtësi të lartë dhe robotët – një version i kaizen-it është tashmë në veprim. Dhe, ka arsye për të dyshuar se versioni kinez mund të funksionojë për një periudhë më të shpejtë, më trazuese dhe me rezultate më të dukshme sesa origjinali japonez.

Së pari, Kina ka burimet njerëzore dhe talentin për të aplikuar kaizen-in në një shkallë shumë më të madhe sesa Japonia ka arritur ndonjëherë. Përmirësimet graduale funksionojnë më mirë kur ka shumë prej tyre.

Së dyti, kjo po ndodh në një epokë ku konsumatorët janë shumë më të shpejtë për të identifikuar dhe komunikuar kur një produkt nuk është saktësisht ashtu siç do të donin.

Por, së treti, Kina mund të jetë në gjendje të paguajë për shpejtësinë. Përveçse kanë vëzhguar drejtpërdrejt kaizen-in në veprim në operacionet e prodhimit japonez, kompanitë kineze, sipas agjentëve të rekrutimit në Tokio, kanë zbuluar se mund të tërheqin si konsulentë inxhinierë japonezë të specializuar në gjysmëpërçues, hekurudha dhe robotikë. Kjo nuk është diçka e re, thonë agjentët, por tani po përshpejtohet ndjeshëm.

Korporatat japoneze kanë prirjen t’i nxjerrin relativisht herët në pension punonjësit shumë të kualifikuar, të cilët nuk i kanë paguar veçanërisht mirë gjatë viteve të deflacionit dhe nuk kanë arritur të krijojnë ndjenjën e besnikërisë që mund të kishin shpresuar. Një inxhinier i tillë mund të paguhet mirë nga një kompani kineze dhe, pa zbuluar drejtpërdrejt sekrete industriale, vlera e tij mbetet e jashtëzakonshme: kaizen-i është në thelb një proces eksperimentimi dhe gabimi, dhe një inxhinier me përvojë mund të ofrojë një këshillë të paçmueshme për atë që është provuar dhe nuk ka funksionuar.

Një këshillë e tillë si: harroni lapsin, ishte i pavlefshëm.

 

 

 

The post Perëndimi duhet të shqetësohet: “DeepSeek” lë të kuptohet se Kina ka zotëruar artin e kaizen-it appeared first on Telegrafi.

Nëse inteligjenca artificiale ta merr punën në vitin 2025, së shpejti do të punësohesh përsëri

1 January 2025 at 12:23

Pas një viti gabimesh nga inteligjenca artificiale [IA], është e qartë që revolucioni i robotëve nuk është aq i përsosur sa pretendohej.

Nga: Andrew Orlowski / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Kanë kaluar dy vjet që nga lançimi i ChatGPT-3-shit dhe kemi mësuar shumë gjëra gjatë kësaj kohe.

Tani dimë, për shembull, se Hillary Clinton ishte gruaja e parë presidente e Shteteve të Bashkuara, duke korrigjuar kështu një padrejtësi historike. Inteligjenca gjeneruese artificiale na ka ofruar receta për makarona që përfshijnë benzinën si përbërës dhe na ka këshilluar që, për shëndetin tonë, të kujtohemi të hamë çdo ditë nga një guralec.

E preferuara ime është kjo: astronautët “kanë takuar mace në Hënë, kanë luajtur me to dhe janë kujdesur për to” – sipas Google-it. Mesa duket, për këtë fliste Neil Armstrong kur përmendi se “hapi i vogël” ishte ai i një maceje. Sa të paditur që ishim që nuk e vumë re atë që, duke u kthyer prapa në kujtesë, ishte një sugjerim mjaft i qartë nga NASA për pushtimin hapësinor nga macet.

Historia, siç na doli, është plot me befasi të tjera. Vikingët pushtues të Evropës mesjetare dhe, po ashtu, ushtria naziste në Luftën e Dytë Botërore, kishin politika mbresëlënëse të diversitetit, pasi shumë anëtarë ishin me origjinë afrikano-amerikane ose indianë amerikanë – sipas Google-it.

Inteligjenca artificiale është përpjekur të përmirësojë standardet arsimore. Ajo insiston që fjala “luleshtrydhe” [strawberry] ka dy shkronja “r” dhe mos lejoni që dikush t’ju thotë ndryshe.

Nganjëherë më pyesin për librin tim të vitit 2013, The Goolag: How Google’s Empire Is Changing the World, të cilin ChatGPT-ja e përfshin në përmbledhjet e karrierës sime dhe e përshkruan si një “vepër të shquar”. Më vjen keq t’ju informoj që një libër i tillë nuk ekziston, as diçka e ngjashme – as nga unë, as nga dikush tjetër. Është një nga shumë veprat që më atribuohen gabimisht.

Tani Apple ka hyrë në lojë duke sjellë Apple IntelligenceiPhone-t e saj. Nuk mund të bëhet më keq, apo jo? Është Apple. Fatkeqësisht, tashmë na ka thënë se kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, është arrestuar për krime lufte (gabim) dhe se atentatori i dyshuar i një ekzekutivi të shquar të industrisë së shëndetësisë amerikane kreu vetëvrasje në qeli (gabim). Të dyja historitë iu atribuuan BBC-së, e cila nuk ishte aspak e lumtur.

Google u detyrua të kërkojë falje pasi çatboti i tij krijoi një nazist me ngjyrë dhe një viking si indigjen amerikan.

Megjithatë, amerikanët fatlumë së shpejti do të jenë në gjendje të telefonojnë një numër falas (është 1-800-CHATGPT) dhe të dëgjojnë leximin e përmbajtjes së kësaj cilësie.

Disa njerëz paguajnë shumë për t’u fyer në telefon – kabinat telefonike publike të Londrës dikur ishin të mbushura me broshura që promovonin shërbime të tilla – kështu që ndoshta kjo nuk është risi. Por, është një kujtesë e qartë se parashikimet statistikore që qëndrojnë pas Modeleve të Mëdha Gjuhësore (LLM) shpesh çojnë në rezultate të tmerrshme, të quajtura “halucinacione”.

Për këtë, unë nuk i fajësoj tërësisht kompanitë e inteligjencës artificiale. Të ekzagjerojnë dhe të shesin më shumë një teknologji, është thjesht ajo që bëjnë sot. Ato nuk marrin më shumë përgjegjësi për pasojat sesa akrepi në fabul, i cili kërkoi të kalonte lumin mbi një bretkosë, premtoi të mos e pickonte, por gjithsesi e bëri këtë, duke i fundosur që të dy.

Por, ndryshe nga fabula, akrepat e Luginës së Silikonit [Silicon Valley] gjithmonë duket se arrijnë në anën tjetër, ku thjesht fillojnë gjithçka nga e para. Nëse ka një problem, mund të jeni të sigurt se nuk do të jenë aty për të ndihmuar në pastrimin e rrëmujës.

Po aq përgjegjësi bie mbi ne që insistojmë të përdorim teknologjinë atje ku nuk është e përshtatshme. Arsyeja ka humbur.

Për shembull, Tony Blair po na nxit të shpenzojmë miliarda për IA-në për të përmirësuar efikasitetin e Shërbimit Kombëtar të Shëndetësisë [NHS] – duke automatizuar, në vend që të zëvendësojmë shtresat e shumta të burokracisë.

Dominic Cummings tani kënaqet me fantazi të çmendura për ekipe çatbotësh që zëvendësojnë votuesit e vërtetë që sot marrin pjesë në grupet e fokusit. Ai madje paramendon që këto halucinacione të ushqehen drejtpërdrejt në një IA tjetër për të prodhuar material fushate. Cummings ka kaluar aq shumë kohë në shoqërinë e shitësve të vajit të gjarprit [ilaç i rremë] të Luginës së Silikonit, saqë duket se mendon që të gjithë të tjerët janë budallenj.

Kur inteligjenca artificiale përdoret me arsye, ajo mund të jetë vërtet shumë e dobishme. Mësimi makinerik është dëshmuar si një mjet i vlefshëm në analizën e të dhënave, duke gjetur modele në masa të mëdha të të dhënave. Atje ku gabimet janë të parëndësishme, si në shumë aplikime të përpunimit të sinjalit dhe imazheve, IA-ja është zbatuar mirë. Asistentët kërkimorë të teksteve nuk janë ende gati, por pritet të përmirësohen.

Pesë rastet kur IA-ja degjeneroi:
ChatGPT flet “spanglish”
1. Në shkurt, ChatGPT i OpenAI-së u duk sikur degjeneroi, duke dhënë përgjigje të pakuptimta për pyetje, duke u rikthyer te listimet e pafundme dhe duke folur në “spanglish”.
Bing-u i Microsoft-it doli jashtë kontrollit
2. Përpjekja e hershme e Microsoft-it për të shtuar një çatbot në motorin e tij të kërkimit Bing, përfundoi keq. Përdoruesit arritën ta “thyejnë” botin, që filloi të quante veten Sidni [Sidney], duke deklaruar dashurinë e tij të përjetshme për një gazetar nga i cili madje kërkoi që të shkurorëzohej.
Çatboti racist i Meta-s
3. Në vitin 2022, Meta lëshoi një çatbot të quajtur BlenderBot, i projektuar për të pasur biseda të natyrshme, por ai doli jashtë kontrollit, duke shpërndarë teori konspirative raciste, si për shembull atë se hebrenjtë “kontrollojnë ekonominë”.
Lambda e Google-it bëhet “i ndërgjegjshëm”
4. Një çatbot i brendshëm i ndërtuar nga Google shkaktoi turp pasi një inxhinier publikoi pretendimet se boti ishte bërë i vetëdijshëm. Inxhinieri më vonë u pushua nga puna.
“Will Smithi që ha spageta”
5. Një video virale dëshmoi se sa të dobëta ishin disa gjenerime të hershme të videos nga IA-ja. Një klip i njohur nga viti 2023, i krijuar me një mjet të quajtur ModelScope, shfaqte një version të Will Smithit që hante spageta – ndërsa fytyra e tij kishte shtrembërime të çuditshme.

Problemi për industrinë e teknologjisë është se nuk mund të krijosh një flluskë të madhe në tregun e aksioneve ose të bësh që klasa politike të varët nga çdo fjalë e jotja, nëse ti promovon një program softuerik që është “në të vërtetë ndonjëherë mjaft i dobishëm”. Nuk është sa duhet revolucionar, dhe kjo ka qenë mënyra e vetme që ata njohin për të shitur produktet e veta.

Besueshmëria jonë është vënë në pikëpyetje prej dekadash. Në vitet ’60 të shekullit XX, një shkencëtar kompjuterik i quajtur Joseph Weizenbaum, zhvilloi dy programe shumë të suksesshme për biseda, ELIZA dhe DOCTOR, dhe reagimi i përdoruesve e habiti. Njerëzit flisnin për orë të tëra, duke zbuluar sekretet e tyre para softuerit. Ishte reagimi i tyre tepër i besueshëm, jo teknologjia, që e shndërroi Weizenbaumin nga një mbështetës i inteligjencës artificiale në një skeptik të teknologjisë.

Simon Willison, një zhvillues britanik shumë i ndjekur në Luginën e Silikonit, na kujton se “LLM-të janë mjete të dobishme për të menduar, por mjete të tmerrshme për të deleguar marrjen e vendimeve. Çdo herë që dikush ia bart autoritetin aktual vendimmarrës një gjeneruesi të paqartë të numrave të rastësishëm, fjala është për një recetë për katastrofë”.

Mjaft njerëz nuk po u kushtojnë vëmendje ekspertëve. Në fillim të vitit 2024, Instituti i besueshëm për Kërkime të Politikave Publike (IPPR), publikoi një raport që krijoi një titull të parashikueshëm për Guardian-in: “’Apokalipsi’ i IA-së mund të eliminojë tetë milionë vende pune në Mbretërinë e Bashkuar, thotë raporti”. Vitin e kaluar, banka “Goldman Sachs” tha se 300 milionë vende pune – në mbarë botën – mund të zhduken.

Por, në të vërtetë, dhe siç kemi parë, do të duhej të ishe i çmendur për t’ia lënë një sistemi të IA-së të marrë një vendim përfundimtar. Nëse IA-ja ta merr punën këtë vit, ndoshta do të punësohesh sërish shumë shpejt kur shefi yt e kupton gabimin që ka bërë. Nëse edhe shefi yt është zëvendësuar nga një IA, ai ose ajo do të punësohet i pari.

Dikur ishim më të kujdesshëm. Një prezantim i jashtëzakonshëm u zbulua së fundmi, i krijuar në IBM në fund të viteve ’70 të shekullit XX. Ishte një grup rregullash që zhvilluesit e softuerëve duhet të ndiqnin. “Një kompjuter nuk mund të mbahet kurrë përgjegjës. Prandaj, një kompjuter nuk duhet të marrë kurrë një vendim menaxherial”, ishte njëra nga këshillat. Udhëzime të tjera ishin po aq të theksuara: “MANDATI PA PËRGJEGJËSI ËSHTË FORMË ELEGANTE E VETËVRASJES”, ishte një tjetër udhëzim.

Është një mesazh nga një epokë tjetër, nga një gjeneratë më pak cinike, por më e përgjegjshme teknologësh – një gjeneratë që ishte më e shqetësuar për mirëqenien njerëzore sesa për t’u pasuruar shpejt. /Telegrafi/

The post Nëse inteligjenca artificiale ta merr punën në vitin 2025, së shpejti do të punësohesh përsëri appeared first on Telegrafi.

❌