Normal view

AI nuk arriti ta zgjidhë misterin matematikor 170-vjeçar, por bëri një zbulim të ri

16 August 2026 at 07:50


Numrat e thjeshtë nuk ndjekin një model të rregullt, por matematikanët mund të matin se sa shpërndarja e tyre i afrohet një mesatareje të parashikueshme.

Funksioni zeta i Riemannit, një shprehje matematikore e pafundme, është një nga mjetet kryesore në këtë fushë, pasi zerot e tij jotriviale përmbajnë informacion mbi shpërndarjen e numrave të thjeshtë.

Hipoteza e Riemannit thotë se të gjitha këto zero ndodhen në një vijë të vetme në planin kompleks, aty ku pjesa reale është e barabartë me 1/2. Deri më tani, askush nuk ka arritur ta provojë këtë, përfshirë edhe Claude-in e kompanisë Anthropic. Megjithatë, gjatë përpjekjes për ta zgjidhur këtë problem, Claude arriti në një rezultat të ri matematikor që mund të ndihmojë në avancimin e studimit të numrave të thjeshtë.

Sipas kompanisë, një version kërkimor i papublikuar i modelit gjeti një mënyrë të re për të treguar se të paktën 67.2 për qind e këtyre zerove ndodhen në vijën kritike, krahasuar me kufirin e mëparshëm minimal prej 41.6 për qind.

Bëhet fjalë për një përparim në një problem të lidhur me Hipotezën e Riemannit, jo për zgjidhjen e vetë hipotezës. Ky dallim është i rëndësishëm. Matematikanët prej kohësh e dinë se disa zero ndodhen në vijën kritike; sfida është të provohet se kjo vlen për të gjitha zerot.

650 ide që nuk funksionuan

Sipas Anthropic, Claude fillimisht u përpoq të përballej drejtpërdrejt me të gjithë Hipotezën e Riemannit, por nuk ia doli. Në vend të kësaj, modeli u përqendrua në pyetjen se sa zero mund të provohej se përmbushin këtë kusht dhe arriti të përcaktojë një kufi minimal më të lartë.

Procesi i kërkimit tregon gjithashtu se si kompanitë e inteligjencës artificiale po përdorin modele të mëdha gjuhësore për kërkime matematikore të hapura. Claude, sipas kompanisë, testoi 650 ide që nuk rezultuan të suksesshme. Për verifikimin e qasjeve të ndryshme dhe kontrollin e rezultateve u përdorën gjithashtu 60 instanca agjentike të Claudet.

Studiuesit njerëzorë nuk i dhanë modelit udhëzime të hollësishme matematikore. Kontributi i tyre kryesisht konsistonte në nxitje, përfshirë mesazhe për modelin që të “besonte në vete” dhe të “vazhdonte përpara”.

Kjo ndryshon nga rastet kur një modeli i kërkohet të zgjidhë një problem të përcaktuar, për të cilin tashmë dihet përgjigjja. Në këtë rast, sistemi duhej të eksploronte një pjesë të vështirë të teorisë së numrave, të eliminonte qasjet e dobëta dhe të gjente një rrugë që mund t'i qëndronte verifikimit matematik.

Matematikani i Universitetit të Oksfordit, James Maynard, e vlerësoi rezultatin si një kontribut të vërtetë. Ai tha se problemi kërkonte një ide të re dhe se rezultati i ri pikërisht këtë solli, duke shtuar se inteligjenca artificiale duket se ka dhënë një kontribut matematikor autentik dhe interesant.

Çmimi prej një milion dollarësh mbetet larg

Hipoteza e Riemannit mbetet e pazgjidhur prej gati 170 vitesh, ndërsa në vitin 2000 u shpall një çmim prej një milion dollarësh për zgjidhjen e saj.

Megjithatë, rezultati i Claudet nuk e afron marrjen e këtij çmimi. Të provosh se një përqindje më e madhe e zerove ndodhet në vijën kritike nuk është e mjaftueshme për të provuar hipotezën, pasi qëllimi është të vërtetohet se të gjitha zerot ndodhen aty.

Kjo mund të duket kundërintuitive. Problemi qëndron në faktin se matematikanët merren me një bashkësi të pafundme zerosh. Edhe nëse një numër gjithnjë e më i madh zerosh rezulton se ndodhet në vijën kritike, kjo nuk e përjashton mundësinë që më tej në varg të ekzistojnë përjashtime.

Matematikani Maynard thekson se, edhe me një dozë të madhe optimizmi, asnjë nga këto qasje aktualisht nuk ofron një rrugë drejt zgjidhjes së vetë Hipotezës së Riemannit.

Megjithatë, puna ka tërhequr vëmendje sepse sugjeron se sistemet e inteligjencës artificiale mund të jenë të dobishme në kërkimet matematikore, edhe përtej testeve të zakonshme. Matematikani i MIT-it, Andrew Sutherland, tha se rezultati tregon një rol më të gjerë të AI-së në këtë fushë, pasi dëshmon se inteligjenca artificiale mund të kryejë kërkime interesante matematikore dhe jo vetëm të zgjidhë probleme konkrete që i jepen.

Maynard vlerësoi gjithashtu mënyrën se si Anthropic e prezantoi kërkimin. Kompanitë e AI-së janë kritikuar më herët kur sistemet e tyre kanë përsëritur punime ekzistuese matematikore ose kanë paraqitur rezultate të arritura më parë nga njerëzit si zbulime origjinale. Në këtë rast, sipas Maynard, Anthropic u ka dhënë meritat e duhura punimeve të mëparshme dhe nuk e ka ekzagjeruar atë që Claude ka arritur. /Telegrafi/

- YouTube www.youtube.com

Hyundai ka zgjidhjen - si mund të rritet numri i vendeve të parkimit për 50 për qind?

15 August 2026 at 16:08


Vendet e parkimit janë veçanërisht të kërkuara në qytetet e mëdha, ndërsa Hyundai njofton se mund të ketë një zgjidhje për këtë problem, duke rritur numrin e hapësirave të parkimit.

Kompania koreano-jugore po zhvillon robotë për parkim, të cilët, përveç reduktimit të aksidenteve të vogla, pritet të rrisin kapacitetin e parkingjeve me 20 deri në 50 për qind.

Këta robotë janë të përmasave të vogla dhe kanë një lartësi prej vetëm 11 centimetrash. Ata futen poshtë veturës, e ngrenë atë nga rrotat dhe e zhvendosin. Robotët janë të pajisur me sensorë LiDAR dhe mund të parkojnë automatikisht vetura me peshë deri në 3.4 tonë, ndërsa shpejtësia maksimale që mund të arrijnë është 4.3 km/h.

Sistemi funksionon në këtë mënyrë: drejtuesi e çon veturën në një pikë të përshtatshme, del prej saj dhe më pas robotët marrin kontrollin, duke e zhvendosur automjetin deri te vendi i parkimit. Kur vjen koha për ta marrë veturën, drejtuesi shkon te një terminal i posaçëm dhe u jep komandë robotëve që t’ia sjellin automjetin.

Meqë nuk ka nevojë të hapen dyert e veturave, automjetet mund të vendosen shumë më pranë njëra-tjetrës, duke rritur kështu numrin e hapësirave të disponueshme të parkimit.

Përveç kursimit të kohës dhe reduktimit të stresit për drejtuesit, përdorimi i robotëve pritet të ketë ndikim pozitiv edhe te pronarët e parkingjeve, të cilët do të mund të rrisin kapacitetin e tyre. Sistemi mund të ndikojë gjithashtu në mbrojtjen e mjedisit dhe sigurinë e këmbësorëve.

Për të demonstruar efikasitetin dhe mundësitë e sistemit, Hyundai do të zhvillojë një program pilot në një kompleks banimi në qytetin Siheung, në jugperëndim të Seulit. Kompleksi do të pajiset me dy grupe robotësh për parkim, të cilët do të menaxhojnë 53 vende parkimi në parkingun nëntokësor.

Të dhënat që Hyundai synon të mbledhë gjatë këtij programi lidhen me kohën mesatare të pritjes, shpejtësinë e lëvizjes së automjeteve dhe shpejtësinë e funksionimit të robotëve. Në të njëjtën kohë, kompania dëshiron të përcaktojë mënyrën më të mirë për të llogaritur numrin optimal të vendeve të parkimit për çdo ndërtesë dhe numrin e robotëve që do të nevojiten për t'i menaxhuar ato. /Telegrafi/

Pamje të tjera dramatike nga Indonezia - qytetarët ikin gjersa tërmeti çan asfaltin, nxënësit tmerrohen nga dridhjet

15 August 2026 at 15:55


Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.7 ballë goditi herët të shtunën zonën pranë brigjeve të ishullit indonezian Flores, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe shembjen e ndërtesave e shtëpive.

Sipas raportimeve të fundit, të paktën 40 persona kanë humbur jetën.

Pamjet e publikuara pas tërmetit tregojnë momentet e panikut, me qytetarë që largohen me vrap nga zonat e prekura.

Në disa prej videove shihet edhe asfalti duke u çarë nga lëkundjet e fuqishme, ndërsa në një tjetër regjistrohen nxënësit brenda një klase teksa ndërtesa e shkollës lëkundet fuqishëm.

Lëkundjet kanë shkaktuar frikë të madhe te banorët, ndërsa ekipet e shpëtimit po punojnë për të vlerësuar dëmet dhe për të kërkuar persona të mundshëm nën rrënoja.

Pas tërmetit, autoritetet indoneziane lëshuan edhe paralajmërim për cunami, duke u bërë thirrje banorëve të zonave bregdetare të zhvendoseshin në vende më të larta.

Paralajmërimi u hoq më vonë pasi monitorimi nuk evidentoi ndryshime të rrezikshme të nivelit të detit.

Indonezia është një nga vendet më të ekspozuara ndaj tërmeteve dhe aktivitetit vullkanik në botë.

Arkipelagu me më shumë se 17 mijë ishuj ndodhet në Unazën e Zjarrit të Paqësorit, një zonë ku përplasen disa pllaka tektonike dhe ku aktiviteti sizmik është i shpeshtë. /Telegrafi/

Netanyahu e quajti Britaninë “republikën e parë islame me armë bërthamore”, reagon Londra

15 August 2026 at 15:18


Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka shkaktuar reagim në Londër pasi e përshkroi Britaninë e Madhe si “republikën e parë islame me armë bërthamore”, gjatë një paraqitjeje në podcastin e radios ushtarake izraelite.

Netanyahu e bëri deklaratën pasi u pyet nëse, sipas tij, edhe Evropa po shkon në të njëjtin drejtim. Ai tha se “dikush” e kishte përshkruar Britaninë si republikën e parë islame me armë bërthamore.

Deklarata u kundërshtua menjëherë nga qeveria britanike, shkruan timesofisrael.

“Këto komente janë plotësisht të papranueshme dhe ia kemi përcjellë këtë qëndrim qeverisë izraelite”, deklaruan autoritetet në Londër.

Ndërkohë, zëdhënësi i qeverisë izraelite, David Mencer, u përpoq ta sqaronte deklaratën e kryeministrit, duke thënë se Netanyahu kishte cituar një koment të bërë më herët nga zëvendëspresidentin amerikan, JD Vance.

Sipas Mencer, Netanyahu nuk e kishte paraqitur këtë vlerësim si deklaratë të tijën, por kishte cituar fjalët e Vance.

Megjithatë, deklarata e kryeministrit izraelit ka shkaktuar reagime të forta në Britani, në një kohë kur marrëdhëniet mes Londrës dhe qeverisë së Netanyahut janë nën tension për shkak të luftës në Gaza. /Telegrafi/

Trump's VP pick JD Vance says UK could become first 'Islamist country' to get nuclear weapon www.youtube.com

Krizë karburanti në Rusi, shoferët përleshen në radhët e gjata

15 August 2026 at 14:38


Një krizë e zgjatur e karburantit në jug të Rusisë ka shkaktuar tensione të mëdha në pikat e karburantit, ku shoferët janë përfshirë edhe në përleshje për të siguruar furnizimet.

Mungesat janë përsëritur që nga sulmet me dronë ukrainas ndaj rafinerive të naftës, të cilat kanë dëmtuar kapacitetet e përpunimit dhe kanë vështirësuar furnizimin me karburant në disa zona.

Për shkak të mungesave, disa pika karburanti kanë vendosur kufizime për sasinë që mund të blejë secili klient. Ndërkohë, radhët e automjeteve janë zgjatur për kilometra, duke shkaktuar kaos dhe pritje të gjata.

Situata është bërë veçanërisht e vështirë për shoferët, disa prej të cilëve kanë kaluar natën në automjetet e tyre për të pritur radhën dhe për të siguruar karburant.

Pamjet nga pikat e karburantit tregojnë tensionin në rritje, ndërsa përleshjet mes shoferëve janë shndërruar në një tjetër pasojë të krizës së furnizimit.

Kriza po krijon shqetësime për transportin dhe aktivitetin ekonomik në jug të Rusisë, ndërsa sulmet ndaj infrastrukturës energjetike vazhdojnë të ndikojnë në furnizimin me karburant. /Telegrafi/

Kopshtari luan me pandat sikur të ishin fëmijët e tij

15 August 2026 at 14:01


Një video që po tërheq vëmendjen në rrjetet sociale tregon një kopshtar duke luajtur me disa panda, të cilat duket se nuk duan të ndahen prej tij.

Në pamjet e publikuara, pandat i afrohen vazhdimisht kopshtarit dhe i kapen pas, duke e bërë të vështirë për të që të largohet. Sjellja e tyre ka shkaktuar reagime të shumta nga shikuesit.

Kopshtari duket tepër i qetë dhe i përkushtuar teksa luan me kafshët, duke krijuar një skenë që ngjan më shumë me një prind që kujdeset për fëmijët e tij.

Videoja është bërë virale pikërisht për shkak të këtij momenti të veçantë, ndërsa shumë përdorues i kanë përshkruar pandat si “shokët më ngjitës” që nuk e pranojnë lehtë fjalinë: “Duhet të iki.”

Pamjet kanë sjellë një moment të këndshëm dhe argëtues për mijëra përdorues të rrjeteve sociale. /Telegrafi/

Kamera e pazakontë që të lejon të shohësh përmes saj, kushton vetëm 40 euro

15 August 2026 at 14:00


Godox C100 është një kamerë kompakte e pazakontë që përdor një kasë gjysmëtransparente, duke i mundësuar përdoruesit të marrin pamje më të mirë fotografike, ndërsa në të njëjtën kohë sheh se çfarë ndodhet pas vetë pajisjes.

Ky dizajn synon të mundësojë fotografimin pa pasur nevojë që përdoruesi ta kontrollojë fotografinë në ekran pas çdo shkrepjeje.

Kamera peshon rreth 65 gramë dhe ka një dizajn retro që të kujton aparatet fotografike lodër, duke u përshtatur me trendin gjithnjë e më të popullarizuar të pajisjeve pa ekran.

Kasa gjysmëtransparente lejon të kalojë më shumë se 50 për qind e dritës, ndërsa përmes saj mund të shfaqet një ekran bazë “heads-up”, me informacione për mënyrën e fotografimit, gjendjen e baterisë dhe ekspozimin.

Godox C100 mbështet formatet 16:9, 4:3, 3:2 dhe 1:1, ndërsa mund të regjistrojë si fotografi, ashtu edhe video. Për ruajtje përdor karta SD me kapacitet deri në 128 GB. Kamera mund të lidhet drejtpërdrejt me telefonin përmes kabllos USB, duke mundësuar shikimin dhe transferimin e skedarëve të regjistruar.

Përveç fotografimit, C100 ofron edhe një funksion shtesë të dedikuar për kontrollin e ndriçimit. Paketa bazë e kamerës është në dispozicion me një çmim prej rreth 40 eurosh në Amazon. /Telegrafi/

Momenti dramatik në Berlin, gruaja hidhet nga kati i 11-të në koshin e zjarrfikësve

15 August 2026 at 13:59


Një zjarr i fuqishëm në një ndërtesë 21-katëshe në lagjen Friedrichshain të Berlinit shkaktoi momente paniku të premten, pasi banorët u përpoqën të shpëtonin nga flakët.

Zjarri shpërtheu rreth orës 06:30 në një apartament në katin e 11-të dhe më pas u përhap në apartamentin sipër tij.

Situata u bë veçanërisht dramatike për një grua që ndodhej në katin e 11-të. Shkalla rrotulluese e zjarrfikësve nuk mund të arrinte deri në atë lartësi, ndaj ajo u detyrua të hidhej drejt koshit të shpëtimit të vendosur në majë të shkallës. Operacioni u përshkrua nga zjarrfikësit si “dramatik”, shkruan welt.

Pamjet tregojnë momentin e rrezikshëm, ndërsa ekipet e shpëtimit përpiqen të pozicionojnë koshin në mënyrë që banorja të mund të shpëtonte nga ndërtesa e përfshirë nga zjarri.

Sipas raportimeve të para, disa banorë të tjerë në ndërtesë po konsideronin gjithashtu të hidheshin nga dritaret për t’i shpëtuar flakëve dhe tymit. Të gjithë banorët e ndërtesës u evakuuan.

Raportimet fillestare flasin për disa persona të lënduar. Associated Press raportoi për rreth pesë të lënduar, ndërsa raportime të tjera lokale kanë dhënë shifra më të larta, ndaj numri përfundimtar nuk është ende i qartë.

Zjarrfikësit arritën ta vinin zjarrin nën kontroll brenda më pak se tri orësh. Shkaku i zjarrit ende nuk është bërë i ditur dhe autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e tij. /Telegrafi/

- YouTube www.youtube.com

Trump dhe Musk pajtohen pas përplasjes së bujshme - miliarderi premton 100 milionë dollarë për republikanët

15 August 2026 at 13:22


Presidenti amerikan, Donald Trump dhe miliarderi Elon Musk kanë rikthyer marrëdhëniet pas përplasjes së ashpër publike mes tyre në vitin 2025, ndërsa tashmë komunikojnë rregullisht.

Musk ishte një prej aleatëve më të rëndësishëm të Trumpit gjatë muajve të parë të mandatit të tij, kur drejtonte Departamentin për Efiçencën e Qeverisë (DOGE). Megjithatë, marrëdhënia mes tyre u përkeqësua pas mosmarrëveshjeve politike dhe përplasjeve lidhur me politikat e administratës.

Përplasja arriti kulmin kur Musk akuzoi publikisht Trumpin se po pengonte publikimin e dokumenteve lidhur me Jeffrey Epstein, ndërsa Trump kërcënoi me anulimin e kontratave qeveritare të kompanive të miliarderit.

Sipas Wall Street Journal, në përpjekjet për të riparuar marrëdhëniet luajtën rol zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance dhe shefja e kabinetit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles. Edhe aktivisti konservator Charlie Kirk kishte punuar për afrimin e dy figurave para vrasjes së tij në shtator 2025.

Një moment i rëndësishëm në pajtimin e tyre ishte takimi në ceremoninë përkujtimore të Kirkut, ku Trump dhe Musk u panë duke biseduar dhe shtrënguar duart. Ky ishte kontakti i tyre i parë i rëndësishëm publik pas përplasjes.

Musk gjithashtu ka hequr dorë nga ideja për krijimin e një partie të re politike dhe është zotuar të investojë të paktën 100 milionë dollarë për të mbështetur përpjekjet e republikanëve në zgjedhjet e nëntorit.

Megjithëse marrëdhëniet janë përmirësuar, Trump, sipas këshilltarëve të tij, beson se raporti me Musk nuk do të jetë më aq i afërt sa ishte më parë. Të dy thuhet se flasin rreth një herë në muaj, kryesisht për inteligjencën artificiale, Kinën dhe zhvillimet botërore. /Telegrafi/

Ukraina goditi objektiva ruse 900 kilometra larg kufirit

15 August 2026 at 12:42


Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Ukraina ka kryer sulme të reja në distancë të gjatë ndaj disa objektivave strategjike në territorin e Rusisë, duke thënë se operacionet synojnë të reduktojnë potencialin luftarak të Moskës.

Sipas tij, në rajonin Samara është goditur Qendra Progress, një ndërmarrje e rëndësishme e Roscosmos që, ndër të tjera, është e përfshirë në prodhimin e pajisjeve elektronike.

Ai tha se në sulm janë përdorur raketat “Flamingo” dhe se objektivi ndodhej rreth 900 kilometra nga kufiri ukrainas.

Lideri ukrainas tha gjithashtu se objektivat ukrainase kanë arritur bazën ajrore Savasleyka, rreth 700 kilometra nga Ukraina. Në këtë bazë janë të stacionuara aeroplanë që përdoren nga Rusia për lëshimin e raketave ndaj qyteteve dhe fshatrave ukrainase.

Zelensky deklaroi se Kievi ka marrë konfirmim edhe për dëmet në një objekt të industrisë së naftës në Ust-Luga, më shumë se 800 kilometra larg kufirit ukrainas.

“Plani ynë për goditjet në distancë të gjatë ndaj Rusisë për këtë luftë po zbatohet dhe është e rëndësishme që potenciali i Rusisë për të zhvilluar luftën të reduktohet”, tha ai.

Presidenti ukrainas falënderoi njësitë ukrainase që morën pjesë në operacionet dhe vlerësoi saktësinë e sulmeve.

Ndryshe, presioni ushtarak ndaj objektivave strategjike ruse është pjesë e përpjekjeve të Ukrainës për ta detyruar Moskën drejt paqes. /Telegrafi/

E papritur! Talebanët i bëjnë thirrje SHBA-së të rikthehet në Afganistan

15 August 2026 at 12:05


Pesë vjet pas tërheqjes së trupave amerikane nga Afganistani, Talebanët po i bëjnë thirrje Uashingtonit të rikthehet në vend, këtë herë jo me trupa ushtarake, por me diplomaci dhe investime.

Ministri i Jashtëm i administratës talebane, Amir Khan Muttaqi, tha se SHBA-ja mund të rihapë ambasadën në Kabul dhe të investojë në ekonominë afgane.

Sipas Muttaqit, investimet amerikane mund të përfshijnë sektorin minerar, ndërtimin e digave dhe rrugëve, shkruan newyorktimes.

Ai ka bërë të qartë se kthimi i trupave amerikane nuk është pjesë e propozimit, duke theksuar se afganët nuk do të pranonin një prani të huaj ushtarake.

Thirrja vjen në një kohë kur Talebanët po përpiqen të zgjerojnë lidhjet diplomatike dhe ekonomike me vendet e tjera. Rusia është bërë vendi i parë që e ka njohur zyrtarisht qeverinë talebane, ndërsa Kina, Irani, India dhe vende të tjera kanë rritur kontaktet me Kabulin.

Megjithatë, regjimi taleban vazhdon të jetë i izoluar në masë të madhe ndërkombëtarisht. Vetëm Rusia e njeh zyrtarisht, ndërsa kufizimet ndaj grave dhe vajzave, përfshirë ndalimin e arsimit dhe kufizimet në punësim, mbeten ndër çështjet kryesore që pengojnë normalizimin e marrëdhënieve me Perëndimin.

Kërkesa për investime amerikane lidhet edhe me pasuritë minerare të Afganistanit, të cilat mund të jenë tërheqëse për administratën e presidentit, Donald Trumpit. Megjithatë, përpjekjet e mëparshme amerikane për zhvillimin e sektorit minerar afgan nuk sollën rezultatet e pritshme.

Në thelb, Kabuli po kërkon që ish-armiku i tij të rikthehet me kapital dhe marrëdhënie diplomatike, ndërsa Talebanët përpiqen të dalin nga izolimi ndërkombëtar dhe të sigurojnë investime të huaja për ekonominë e vendit. /Telegrafi/

Drita e frenimit edhe në pjesën e përparme?

15 August 2026 at 12:01


Shkencëtarët e Universitetit Teknik të Grazit kanë studiuar se si do të ndikonte në sigurinë rrugore vendosja e dritave shtesë të frenimit në pjesën e përparme të automjeteve. Sipas tyre, kjo teknologji mund të parandalonte deri në 17 për qind të aksidenteve në kryqëzime.

Ndërsa dritat tradicionale të frenimit paralajmërojnë vetëm automjetet që ndodhen pas jush, dritat e frenimit në pjesën e përparme do t’u sinjalizonin edhe këmbësorëve dhe drejtuesve të automjeteve që vijnë përballë se automjeti po frenon.

Shkencëtarët thonë se këto drita do të ndriçonin me ngjyrë të gjelbër, në vend të së kuqes, dhe mund të integroheshin lehtësisht në dizajnin e automjeteve. Ato gjithashtu mund të instaloheshin edhe në automjetet ekzistuese me një kosto relativisht të ulët.

Shkencëtarët, të udhëhequr nga Ernst Tomasch nga Instituti për Sigurinë e Automjeteve, rikonstruktuan 200 aksidente reale trafiku të ndodhura në kryqëzimet rrugore në Austri dhe më pas i simuluan me supozimin se automjetet e përfshira ishin të pajisura me drita frenimi në pjesën e përparme.

Në varësi të kohës së reagimit të pjesëmarrësve në trafik, mund të parandaloheshin nga 7.5 deri në 17 për qind e përplasjeve. Në rreth një të katërtën e rasteve, dritat shtesë do të mundësonin uljen e shpejtësisë së përplasjes dhe, si rrjedhojë, do të zbutnin edhe pasojat e lëndimeve.

Çelësi qëndron te shkurtimi i kohës së reagimit, i cili mund të bëjë dallimin vendimtar mes një aksidenti dhe frenimit në kohë.

Megjithatë, kjo teknologji ka edhe kufizimet e saj. Sipas studimit të TU Graz, të publikuar së fundmi në një revistë shkencore për automjetet, në rreth një të tretën e aksidenteve të rikonstruktuara, dritat e frenimit në pjesën e përparme nuk do të ishin të dukshme për shkak të këndit të pafavorshëm të shikimit.

Për këtë arsye, shkencëtarët rekomandojnë që dritat e frenimit të vendosen edhe në pjesët anësore të automjetit, në mënyrë që sinjali të jetë i dukshëm nga sa më shumë drejtime. /Telegrafi/

Shtohen vatrat e zjarrit në Kroaci - shikoni pamjet dramatike nga Dugi Otok

15 August 2026 at 11:28


Një zjarr i madh që shpërtheu dje në Dugi Otok, në Kroaci, u përhap me shpejtësi për shkak të erërave të forta dhe përfshiu një terren të vështirë për t’u arritur, të mbuluar me bimësi të dendur.

Në disa zona, flakët iu afruan edhe rrugës, ndërsa pamjet dramatike u filmuan nga zjarrfikësit dhe qytetarët, shkruan index.hr.

Zjarrfikësit luftuan me flakët gjatë gjithë natës dhe u përqendruan në mbrojtjen e shtëpive dhe vilave të shpërndara nëpër gjire.

Një video e filmuar nga një automjet zjarrfikës tregon përmasat e zjarrit, i cili në disa momente dukej sikur kishte përfshirë të gjithë rrugën.

Pas një nate të lodhshme, disa zjarrfikës e pritën mëngjesin të shtrirë pranë automjeteve të tyre.

Pavarësisht kushteve të vështira, ata arritën të mbrojnë të gjitha shtëpitë dhe vilat e rrezikuara.

Gjatë natës, në Dugi Otok mbërritën përforcime nga kontinenti. Rreth 50 zjarrfikës me 17 automjete u transportuan me traget, duke e çuar numrin e zjarrfikësve në terren në rreth 100.

Në mëngjes, operacionit të shuarjes iu bashkuan edhe dy avionë Canadair. Zjarri ende nuk është vënë nën kontroll të plotë, ndërsa terreni i pjerrët dhe i vështirë për t’u kaluar, së bashku me bimësinë e dendur, po e vështirësojnë më tej ndërhyrjen. /Telegrafi/




Ish-profesori i Kembrixhit, gjendet i vdekur pas skandalit për plagjiaturë

15 August 2026 at 10:51


Jason Arday, ish-profesor i sociologjisë së arsimit në Universitetin e Kembrixhit, është gjetur i vdekur në një adresë në Battersea, në jug të Londrës.

Shërbimet emergjente thanë se një burrë u gjet “pa shenja reagimi” të premten pasdite. Policia e ka cilësuar vdekjen si të papritur, por nuk beson se ajo është e dyshimtë.

Arday, 41 vjeç, kishte dhënë dorëheqjen javën e kaluar nga posti në Kembrixh, pas akuzave për plagjiaturë dhe pikëpyetjeve mbi disa prej arritjeve të tij akademike. Ai i kishte mohuar akuzat, ndërsa kishte pranuar se në disa prej punimeve të tij të hershme kishte gabime.

Familja e tij tha se ishte “e tronditur” nga humbja e tij dhe e përshkroi Ardayn si një “baba, partner, vëlla, xhaxha dhe djalë të mrekullueshëm”.

Sipas familjes, “fushata e dezinformimit ishte e tepërt për Jasonin”, të cilin e përshkruan si një njeri të butë që gjithmonë kërkonte të shihte të mirën te të tjerët.

Polemika shpërtheu pasi akademiku Nathan Cofnas, i cili më parë ishte shkarkuar nga Kembrixhi, pretendoi se kishte zbuluar raste të shumta plagjiature në punën e Arday, shkruan bbc.

Universiteti Liverpool John Moores, i cili i kishte dhënë Arday doktoraturën në vitin 2015, kishte hetuar akuzat dhe kishte përfunduar se ai nuk kishte kryer plagjiaturë.

Arday kishte thënë se disa nga gabimet në punimet e tij të hershme lidhen me autizmin e tij dhe mënyrën se si ai përpunonte informacionin.

“Nuk kam vrarë askënd. Mizoria që kam përjetuar dhe mënyra se si jam paraqitur si gënjeshtar dhe fantazist është krejtësisht e papranueshme”, kishte deklaruar ai për Times.

Në njoftimin për dorëheqjen, Arday tha se kostoja personale e shqyrtimit publik ishte bërë “shumë e madhe”.

“Akuzat e pandërprera, spekulimet dhe komentet publike kanë shkaktuar një dëm të thellë tek unë dhe tek njerëzit që dua”, kishte shkruar ai, duke theksuar se dorëheqja nuk nënkuptonte pranimin e akuzave.

Zëvendëskancelarja e Kembrixhit, Deborah Prentice, tha se universiteti ishte “jashtëzakonisht i pikëlluar” nga lajmi dhe shprehu ngushëllimet për familjen e tij. Kembrixhi kishte nisur gjithashtu një hetim të pavarur për mënyrën se si Arday ishte emëruar në postin e profesorit.

Miku i tij dhe profesori Kehinde Andrews tha se Arday ishte “shumë i rënduar” pas dorëheqjes, se nuk dilte më nga shtëpia dhe kishte humbur shumë peshë.

Arday ishte bërë në vitin 2023, në moshën 37-vjeçare, profesori më i ri me ngjyrë në historinë e Kembrixhit. Ai kishte nisur karrierën si mësues i edukatës fizike dhe më vonë ishte bërë profesor në Durham, Glasgow dhe Kembrixh. /Telegrafi/

Tërmet në Spanjë, aktivizohet faza e emergjencës në Andaluzí

15 August 2026 at 10:39


Një tërmet me magnitudë 5.0 ka goditur në orët e para të së shtunës provincën e Granadës në Spanjë, duke shkaktuar dëme materiale dhe panik te banorët.

Tërmeti u regjistrua në orën 01:04, me epiqendër pranë Alhendín, në zonën metropolitane të Granadës.

Lëkundjet u ndjenë në pjesë të mëdha të Andaluzisë, përfshirë provincat e Granadës, Málaga, Almería, Jaen, Cordoba dhe Sevilla. Shërbimet e emergjencës morën më shumë se 200 telefonata lidhur me tërmetin dhe dëmet e shkaktuara.

Në disa zona u raportuan çarje në fasada, rënie të pjesëve të ballkoneve dhe kornizave të çative, si dhe dëmtime të automjeteve. Një ndërtesë banimi në Las Gabias u evakuua si masë parandaluese për shkak të dëmeve të shkaktuara nga lëkundjet.

Qeveria rajonale e Andaluzisë aktivizoi nivelin e emergjencës të planit për rrezikun sizmik, ndërsa ekipet e emergjencës, zjarrfikësit dhe specialistët po vlerësojnë dëmet në ndërtesat e prekura.

Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të ruajnë qetësinë dhe të shmangin hyrjen apo daljen e panevojshme nga ndërtesat e dëmtuara. Gjithashtu, qytetarët janë paralajmëruar të qëndrojnë larg fasadave, ballkoneve, mureve dhe strukturave të tjera që mund të shemben.

Pas tërmetit kryesor janë regjistruar edhe disa pasgoditje, me magnituda nga 2.2 deri në 3.7. Deri tani nuk raportohet për viktima, ndërsa autoritetet vazhdojnë monitorimin e situatës dhe kontrollin e ndërtesave të dëmtuara. /Telegrafi/

WhatsApp prezanton “Scam Alert” - inteligjenca artificiale zbulon mashtrimet

15 August 2026 at 10:06


WhatsApp po prezanton një veçori të re të quajtur “Scam Alert”, e cila përdor inteligjencën artificiale për të zbuluar përpjekjet për mashtrime dhe për t’i paralajmëruar përdoruesit përpara se të bien pre e tyre.

Sistemi është krijuar për të analizuar modele të dyshimta në komunikim dhe për të identifikuar mesazhe ose biseda që mund të jenë pjesë e skemave mashtruese.

Kjo veçori synon të rrisë sigurinë e përdoruesve dhe t’i ndihmojë ata të dallojnë më lehtë mashtrimet online.

Veçanërisht ato që përpiqen t’i bindin përdoruesit të dërgojnë para, të japin të dhëna personale apo të klikojnë në lidhje të dyshimta.

WhatsApp ka shtuar në vazhdimësi masa të reja sigurie kundër mashtrimeve, ndërsa përdorimi i inteligjencës artificiale pritet ta bëjë më të shpejtë identifikimin e sjelljeve të dyshimta. /Telegrafi/

Gjermanët kalojnë mesatarisht 22 ditë në vit në pushim mjekësor

15 August 2026 at 10:01


Gjermania po përgatitet të ashpërsojë rregullat për pushimet mjekësore, në një përpjekje për të frenuar mungesat nga puna dhe për të rritur produktivitetin.

Megjithatë, studiuesit paralajmërojnë se masat e reja mund të trajtojnë pasojat dhe jo shkaqet e problemit.

Punonjësit në Gjermani ishin mesatarisht rreth 22 ditë në pushim mjekësor gjatë vitit 2024, ndërsa qeveria e kancelarit Friedrich Merz po shqyrton heqjen e mundësisë për marrjen e raportit mjekësor përmes telefonit. Punëdhënësve mund t’u lejohet gjithashtu të kërkojnë vërtetim mjekësor që nga dita e parë e mungesës.

Por ekspertët thonë se rritja e mungesave lidhet edhe me presionin në rritje në vendin e punës, veçanërisht në sektorët e shëndetësisë, arsimit dhe shërbimeve sociale, shkruan reuters.

Mungesa kronike e stafit, pagat e ulëta, mundësitë e kufizuara për avancim dhe ngarkesa e lartë emocionale konsiderohen ndër faktorët kryesorë.

Të dhënat tregojnë se punonjëset në sektorin e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale ishin mesatarisht 27 ditë në pushim mjekësor në vitin 2024, ndërsa mësuesit 24 ditë. Në sektorin financiar mesatarja ishte 18 ditë, ndërsa në komunikime 16 ditë.

Ndërkohë, pushimet mjekësore për shkak të problemeve të shëndetit mendor janë rritur ndjeshëm. Numri i ditëve të mungesës për këto arsye është rritur me 47 për qind që nga viti 2014, duke i bërë problemet e shëndetit mendor një nga shkaqet kryesore të mungesave afatgjata në punë.

Planet e qeverisë janë kritikuar nga sindikatat dhe organizatat e mjekëve, të cilat paralajmërojnë se kufizimi i raporteve mjekësore me telefon mund të rëndojë më tej ordinancat tashmë të mbingarkuara. Sindikata Verdi e ka cilësuar qasjen si shenjë të një “kulture mosbesimi” ndaj punëtorëve. /Telegrafi/

Top gjigant me flokë rrotullohet nëpër New York

15 August 2026 at 10:01


Një top gjigant me flokë të vërtetë është parë duke u rrotulluar nëpër rrugët e New Yorkut, duke habitur dhe tërhequr vëmendjen e kalimtarëve. Ajo që në pamje të parë dukej si një skenë e pazakontë ishte në fakt një fushatë reklamuese e kompanisë së produkteve për flokë K18.

Instalacioni, i quajtur “Tumblehair”, është rreth 3 metra i lartë dhe është krijuar nga një përzierje flokësh të vërtetë njerëzorë dhe flokësh sintetikë. Kompania e përdori atë për të simbolizuar sasinë marramendëse të flokëve që, sipas llogaritjeve të saj, banorët e New Yorkut humbin çdo ditë.

K18 e lidhi këtë instalacion me prezantimin e serumit të saj të ri FutureIQ, i cili promovohet si një produkt për jetëgjatësinë e flokëve dhe reduktimin e rënies së tyre. Kompania thotë se përdorimi i vazhdueshëm i serumit mund të ndihmojë në ruajtjen e deri në 19 mijë fijeve më shumë pas 90 ditësh.

Topi gjigant kaloi nëpër disa nga lagjet e njohura të Manhatanit, duke përfshirë Midtown, West Village dhe Chinatown. Pamjet e tij u përhapën në rrjetet sociale, ku disa përdorues fillimisht menduan se bëhej fjalë për një krijim të inteligjencës artificiale.

Fushata synon të tërheqë vëmendjen ndaj plakjes së parakohshme të flokëve dhe rënies së tyre, duke e shndërruar një fenomen të zakonshëm në një objekt gjigant dhe të pamundur për t’u injoruar.

Në vend të një reklame tradicionale, K18 zgjodhi një mënyrë spektakolare për ta bërë produktin të flitet në rrugët e Nju Jorkut – një top gjigant flokësh që, për disa minuta, e ktheu një problem të zakonshëm të bukurisë në një pamje surrealiste urbane. /Telegrafi/

Notari gjen në det mbetjet e një rakete ruse në brigjet e Turqisë

15 August 2026 at 09:17


Një notar në brigjet veriore të Sinopit, në Turqi, ka nxjerrë nga deti një objekt të dyshimtë që fillimisht u duk si pjesë e një rakete ose predhe.

Objekti u vu re në ujë nga notari, i cili më pas e nxori në breg, raportojnë mediat.

Pamja e tij tërhoqi vëmendjen e qytetarëve që ndodheshin në zonë dhe ngjalli dyshime për origjinën e tij.

Pas verifikimeve fillestare, u konstatua se bëhej fjalë për mbetje të një rakete ruse. Megjithatë, detaje të tjera pritet të dalin pas ekzaminimit teknik të objektit.

Autoritetet do të përcaktojnë përmes ekspertizës se cilit lloj municioni i përket objekti dhe si ka përfunduar në ujërat pranë brigjeve turke.

Ky nuk është rasti i parë i tillë në provincën Sinop. Një pjesë e ngjashme municioni ishte gjetur më herët në det dhe nxjerrë në breg në Ayancık, një tjetër zonë bregdetare e provincës. /Telegrafi/

Zelensky kërkoi 10 për qind të rezervave të sistemeve Patriot, vjen përgjigjja e Shtëpisë së Bardhë

15 August 2026 at 08:39


Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i ka kërkuar Shteteve të Bashkuara t’i shesin Ukrainës 5 për qind të rezervave amerikane të raketave për sistemet Patriot, duke thënë se kjo sasi do të ishte vendimtare për mbijetesën e vendit gjatë dimrit.

Sipas tij, nëse SHBA-ja do të siguronte 10 për qind të rezervave, Ukraina do të mund t’i ndalonte të gjitha raketat balistike ruse.

Në një intervistë për CNN, Zelensky tha se Ukraina këtë vit ka 2.5 herë më pak interceptorë sesa kishte në vitin 2025, ndërsa Rusia, sipas tij, po lëshon çdo muaj dy herë më shumë raketa balistike se më parë.

Zelensky explains Ukraine’s ballistic missile interceptor shortage www.youtube.com

Ka ardhur edhe reagimi i parë i Shtëpisë së Bardhë, ku Karoline Leawitt, gjatë një bisede me gazetarët foli për dërgimin e armëve jashtë vendit dhe tha se presidenti amerikan, Donald Trump ka qenë i qartë për këtë çështje.

“Presidenti ka qenë shumë i qartë lidhur me qëndrimin tonë për municionet. Fatkeqësisht, në mënyrë tragjike, presidenti Joe Biden i dha shumë municione Ukrainës dhe vendeve të tjera në mbarë botën. Presidenti, që nga dita e parë, është përqendruar në rindërtimin e arsenalit tonë. Për më tepër, ndryshe nga shumica e raportimeve në media, Shtetet e Bashkuara kanë më shumë se mjaftueshëm municione të magazinuara këtu në vend dhe në mbarë botën për të realizuar çdo mision që miraton komandanti i përgjithshëm”, deklaroi Leavitt.

Ajo përsëriti gjithashtu se Trump po bën një punë shumë më të mirë se Biden në këtë drejtim.

“Është e qartë se ky president ka qenë shumë më i matur se paraardhësi i tij sa i përket dërgimit të municioneve tona jashtë vendit, në shtete të tjera. Ai dëshiron të rindërtojë bazën tonë këtu në vend dhe ushtria po punon për këtë. E di se sekretari Hegseth e ka vendosur këtë si një prioritet të madh”, tha Leavitt. /Telegrafi/

❌