Normal view

Kompensimi 10% i TVSH, aplikojnë mbi 1 mijë fermerë për një vlerë 3,5 mln euro

22 July 2026 at 15:15

Arrin mbi 1 mijë numri i aplikimeve nga fermerët për përfitimin e kompensimit 10% të TVSH përmes autofaturave të lëshuara ndaj tyre nga përpunuesit apo grumbulluesit e licencuar.

Sipas të dhënave të administratës tatimore deri më 20 Korrik 2026 janë dorëzuar 1,265 aplikime, me një vlerë totale të kompensimit të kërkuar prej 3,5 mln euro.

Aplikimet për kompensimin e TVSH-së nisën më 1 Korrik 2026.

Nisin sot aplikimet në e-Filing për kompensimin e TVSH-së për rreth 114 mijë fermerë

Aplikimet kryhen përmes sistemit e-Filing, për të gjithë fermerët e pajisur me NIPT.

Pas hyrjes në e-Filing fermerët duhet të plotësojnë te rubrika “Detajet e bankës” të dhënat e llogarisë bankare me numrin IBAN.

Pas plotësimit të kërkesës, në sistem fermerit do t’i shfaqen autofaturat e periudhës janar-qershor, të cilat duhet të identifikohen nga fermeri.

Pas identifikimit të autofaturave, sistemi do të llogarisë automatikisht vetë shumën totale të autofaturave dhe shumën e përfitimit të kompensimit 10%.

Po ashtu, sistemi kontrollon afatin, faturat dhe llogarinë para se ta pranojë.

Qëllimi i kësaj skeme është të rimbursojë TVSH-në 10% që fermeri ka paguar për inputet bujqësore, si plehrat kimike, farat dhe fidanët, duke ulur kostot e prodhimit dhe duke nxitur formalizimin e transaksioneve në sektor.

The post Kompensimi 10% i TVSH, aplikojnë mbi 1 mijë fermerë për një vlerë 3,5 mln euro appeared first on Revista Monitor.

Shtrenjtohen me 8 lekë çmimi i naftës, arrin 206 lekë për litër

22 July 2026 at 15:06

Çmimi i naftës arriti në 206 lekë për litër nga 198 lekë për litër që u tregtua 1 javë më parë në pikat e pakicës të karburanteve

Brenda 7 ditëve çmimi i naftës është rritur me 8 lekë për litër. Ndërsa çmimi i benzinës ka mbetur i pandryshuar, duke vijuar të tregtohet me 189 lekë për litër.

Shtrenjtohen sërish çmimet e karburanteve, nafta arrin 198 lekë për litër

Ndryshimet e çmimit të naftës në tregun vendas, po ndikohen nga çmimet në tregjet ndërkombëtare, për shkak të varësisë së importit.

Përshkallëzimi i ri i luftës në Lindjen e Mesme solli rritje të re të çmimeve në bursat e huaja. Ditën e martë çmimi i naftës bruto arriti 91 USD për fuçi.

Ndërsa presidenti i SHBA-ve Donald Trump ka kërcënuar me një përshkallëzim të ri të luftës së tij në Iran, duke paralajmëruar se SHBA-ja së shpejti do të nisë një sulm ndaj një objekti bërthamor iranian të fortifikuar rëndë, në një kohë kur çmimet e naftës po rriten me shpejtësi.

Kërcënimi i presidentit vjen mes një përshkallëzimi të konfliktit gati 5 -mujor mes Uashingtonit dhe Teheranit, pasi ushtria amerikane përfundoi natën e dhjetë radhazi të bombardimeve dhe çmimi i naftës arriti në 91 USD për fuçi.

Zotimi i SHBA-ve për veprime të reja ushtarake vjen në një kohë kur ankthi mes tregtarëve të naftës po rritet, pasi kalimi i naftës bruto përmes Ngushticës së Hormuzit është ngadalësuar ndjeshëm ditët e fundit dhe rezervat globale po bien në nivele kritike.

Përmes Ngushticës së Hormuzit kalon 1/5 e naftës të tregjeve botërore dhe ndërprerja e kalimit përmes saj mund të çojë çmimin e naftës deri në 120 USD për fuçi sipas parashikimeve të analistëve të huaj.

The post Shtrenjtohen me 8 lekë çmimi i naftës, arrin 206 lekë për litër appeared first on Revista Monitor.

Hakeri fshin të gjithë regjistrin e pronave në Rumani, paralizohet tregu i pasurive të paluajtshme

22 July 2026 at 14:40

Hakerët mund të zemërohen shumë kur nuk u plotësohen kërkesat. Pikërisht kjo ndodhi në Rumani, ku një keqbërës fshiu të gjithë bazën e të dhënave të regjistrit të pronave të vendit, pasi dështoi përpjekja e tij për të zhvatur para. As niveli i dobët i sigurisë kibernetike nuk ndihmoi.

Fillimisht, hakeri depërtoi në Agjencinë Kombëtare të Kadastrës dhe Reklamimit të Pasurive të Paluajtshme të Rumanisë, ANCPI, dhe publikoi në një forum hakerësh mesazhin:

“[RO] Se keni idenë çfarë do ju gjejë, Rumani! [ANCPI]”

“Përveç të dhënave të qytetarëve rumunë, të marra nga baza të ndryshme të dhënash përmes rrjeteve të ANCPI-së, ekziston edhe një kopje e serverëve GitLab, ku ndodhet kodi burimor i të gjitha sistemeve të tyre, si Eterra dhe RENNS, si dhe një version i programit tim të vogël ransomware”, vijonte njoftimi.

Tregu i pasurive të paluajtshme mbetet i bllokuar

“Faqja zyrtare e qeverisë njoftoi se sistemet e teknologjisë së informacionit ishin mbyllur për shkak të ‘problemeve teknike’, por ky është një përshkrim shumë më i butë se realiteti. U ofrua ndihmë, por pa këmbëngulje apo presion.”

Në të vërtetë, ANCPI fillimisht deklaroi se po përballej me probleme teknike, por më pas u detyrua të pranonte se ishte objekt i një sulmi kibernetik. Aktualisht, askush nuk mund të hyjë realisht në sistemet e institucionit.

Dhe, meqenëse përpjekja për të zhvatur para nuk funksionoi, hakeri — i cili duket se kishte hyrë në bazën e të dhënave duke përdorur kredenciale të vlefshme — fshiu të gjitha të dhënat që kishte vjedhur, përfshirë dokumentet e brendshme, kredencialet e punonjësve dhe, natyrisht, të dhënat e regjistrit të pronave.

Sulmi e ka bllokuar të gjithë tregun e pasurive të paluajtshme në Rumani, vëren Risky Business.

Noterët nuk mund të regjistrojnë transaksione të reja, ndërsa qytetarët nuk mund të marrin dokumente që vërtetojnë pronësinë apo të dhëna të hollësishme për pronat. Dhe Rumania nuk është një treg i vogël: mesatarisht, në të gjithë vendin shiten çdo vit nga 150 mijë deri në 170 mijë njësi banimi.

Hakeri, llogaria e të cilit në dark web quhet “ByteToBreach” dhe që kishte sulmuar më herët gjatë këtij viti edhe portalin suedez të qeverisjes elektronike, është identifikuar dhe të dhënat e tij personale janë bërë publike.

Një notere, Ana Stan, shkroi në internet:

“Jam notere. Që prej së martës nuk mund të lëshoj një ekstrakt nga regjistri i pronave, nuk mund të vërtetoj një kontratë shitjeje dhe nuk mund të regjistroj një hipotekë.”

Në dark web, hakeri u mburr gjithashtu se kishte nisur të fshinte edhe kopjet rezervë të të dhënave të vjedhura, në përpjekje për të penguar rikthimin e tyre.

Megjithatë, autoritetet rumune kanë arritur të rikthejnë të paktën faqen e internetit të ANCPI-së dhe të publikojnë një njoftim ku bëjnë të ditur se po e rindërtojnë nga e para të gjithë rrjetin e agjencisë. Duket se institucioni disponon një kopje jashtë sistemit të të dhënave të fshira./ Burimi: Cybernews

The post Hakeri fshin të gjithë regjistrin e pronave në Rumani, paralizohet tregu i pasurive të paluajtshme appeared first on Revista Monitor.

Miratohet marrëveshja me Maqedoninë e Veriut, lehtësohet kalimi kufitar për udhëtarët dhe mallrat

22 July 2026 at 14:13

Këshilli i Ministrave në mbledhjen e sotme ka miratuar disa vendime, përfshirë për lehtësimin e kalimit kufitar me Maqedoninë e Veriut dhe për trajtimin ekonomik të familjarëve të punonjësve të policisë që kanë humbur jetën në krye të detyrës.

Pas përfundimit të mbledhjes ministri i Punëve të Brendshme Besfort Lamallari njoftoi se në fund të muajit qershor është nënshkruar marrëveshja me Maqedoninë e Veriut për pikat e përbashkëta të kalimit kufitar, e cila synon lehtësimin e procedurave për qytetarët dhe transportin e mallrave mes dy vendeve.

“Marrëveshja do t’i dërgohet për ratifikim Kuvendit, ndërsa deri në përfundimin e këtij procesi do të shfrytëzohet periudha e testimit për të lehtësuar në praktikë kalimin e udhëtarëve dhe qarkullimin e mallrave”, tha ministri Lamallari.

Ministri i Punëve të Brendshme gjithashtu tha se në mbledhjen e qeverisë janë miratuar dy vendime për trajtimin ekonomik të familjeve të punonjësve të policisë që kanë humbur jetën në krye të detyrës. Sipas vendimeve, familjarët do të përfitojnë deri në 10 paga mujore bruto, si dhe pensionin përkatës. Gjithashtu, bashkëshortet dhe fëmijët e mitur të punonjësve të policisë të rënë në detyrë do të përfitojnë banesa falas.

Ndërsa ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi i pyetur nga gazetarët sqaroi disa çështje, si nga përdorimi i fondeve me vlerë 300 mln USD nga marrëveshja e huasë me SHBA, rritjen e kërkesës për rekrutime në radhët e forcave të armatosura, si dhe vendimmarrjen për dërgimin e trupave shqiptare në Gaza.

“Marrëveshja e huasë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përdoret për marrjen e mjeteve dhe pajisjeve të reja synon modernizimin e kapaciteteve të mbrojtjes sipas angazhimeve të NATOS-s. Bëhet fjalë për një plan zhvillimi afatgjatë, ndërsa investimet do të jenë në përputhje me angazhimet e deklaruara”.

Ministri i Mbrojtjes tha se kërkesat për t’u bërë pjesë e Forcave të Armatosura janë rritur me mbi 90%. Sipas tij rritja e interesit lidhet me përmirësimin e pagave dhe kushteve të shërbimit. Një rritje e veçantë e kërkesave është vërejtur edhe nga gratë që kërkojnë të bëhen pjesë e forcave të armatosura.

Në lidhje me pjesëmarrjen në misione ndërkombëtare në kuadër të Bordit të Paqes dhe mundësinë e dërgimit të trupave në Gaza, sipas ministrit të Mbrojtjes pritet që javën e ardhshme Këshilli i Ministrave të marrë një vendim.

“Më herët është zhvilluar një mision për shqyrtimin e situatës, ndërsa më pas pritet angazhimi i drejtuesve të shtabit për të kryer vlerësime konkrete mbi mundësinë e dërgimit të trupave shqiptare”, pohoi ministri i Mbrojtjes.

The post Miratohet marrëveshja me Maqedoninë e Veriut, lehtësohet kalimi kufitar për udhëtarët dhe mallrat appeared first on Revista Monitor.

FSHZH, 1.4 mln euro për dy parkime në Ksamil dhe një në Fushë-Studen

22 July 2026 at 14:00

Ksamilit dhe Fushë-Studenit do t’u shtohen tre hapësira të reja parkimi publik, në një ndërhyrje që synon të rrisë kapacitetet në dy destinacione turistike me profile të ndryshme, bregdetin e mbingarkuar gjatë verës dhe zonën malore të frekuentuar për natyrë e aventurë.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit hapi këtë javë tenderin me objekt “Ndërtimi i nyjeve multimodale të mobilitetit, Rajoni 3&4: Sistemimi urban për krijimin e parkimeve të hapura publike në Ksamil, Sarandë dhe Fushë-Studen, Librazhd”.

Fondi limit i procedurës është 133.5 milionë lekë, ose rreth 1.4 milionë euro, ndërsa punimet parashikohet të përfundojnë brenda 18 muajve.

Pjesa më e madhe e kapacitetit do të krijohet në Ksamil, ku projekti ndahet në dy sheshe. Sipas numërimit të vendeve të shënuara në planimetritë e projektit, parkimi i parë ka rreth 166 vende, ndërsa i dyti rreth 119 vende. Në total, dy hapësirat parashikojnë afërsisht 285 vende parkimi, përfshirë pozicionet e rezervuara.

Ndërhyrja vjen në një nga zonat me përqendrimin më të lartë sezonal të vizitorëve. Gjatë muajve të verës, fluksi në Ksamil rrit trafikun dhe kërkesën për parkim, duke e bërë gjetjen e një vendi të lirë një nga vështirësitë kryesore për vizitorët dhe operatorët turistikë.

Në Fushë-Studen, projekti do të zhvillohet në një parcelë prej 1,752 metrash katrorë. Dokumentacioni parashikon 44 vende standarde parkimi.

Fushë-Studeni, pjesë e zonës së Librazhdit, ka regjistruar interes në rritje nga vizitorët që kërkojnë turizëm natyror, aktivitete në natyrë dhe destinacione malore. Parkimi i ri synon të krijojë një pikë të organizuar pritjeje për automjetet në një zonë ku frekuentimi lidhet kryesisht me fundjavat dhe sezonet turistike.

Tenderi është pjesë e programit për ndërtimin e nyjeve multimodale të mobilitetit, përmes të cilit FSHZH po zhvillon dhe pajis parkime publike në disa qytete dhe destinacione.

Nisma lidhet edhe me planin më të gjerë të qeverisë për infrastrukturën e parkimeve. Kryeministri Edi Rama tha më herët se qeveria do të zbatonte një një program kombëtar përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit, duke përfshirë parkime nëntokësore dhe struktura parkimi të konceptuara si pjesë e ndërhyrjeve arkitekturore dhe urbane.

FSHZH ka hapur ndërkohë edhe procedura të tjera për përmirësimin teknologjik të parkimeve publike në Vlorë, Durrës, Berat dhe Gjirokastër, me sisteme automatike menaxhimi dhe pagese.

 

The post FSHZH, 1.4 mln euro për dy parkime në Ksamil dhe një në Fushë-Studen appeared first on Revista Monitor.

Plotësohet drejtimi i ASD-së, Pamela Qirko do të emërohet Zv/drejtore e Përgjithshme

22 July 2026 at 13:30

Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) pritet të plotësojë këtë muaj strukturën e saj drejtuese ekzekutive. Pas emërimit të Drejtorit të ri të Përgjithshëm, Mina Kusta, këtë muaj pritet që Drejtori të emërojë edhe Zëvendësdrejtoren e Përgjithshme të agjencisë. Në këtë detyrë pritet të emërohet Pamela Qirko.

Pamela Qirko është me profesion juriste dhe prej vitit 2017 deri në vitin 2023 mbajtur detyrën e Anëtares dhe Kryetares së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ose komisioni i vetting-ut të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Më herët, në CV-në e saj rezulton një eksperiencë e gjatë në kompaninë Telekom Albania/ Albanian Mobile Communications (AMC).

Ajo pati aplikuar për t’u emëruar gjyqtare në Gykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, por kërkesa e saj u rrëzua këtë muaj nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Sipas statutit të ASD-së, Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm propozohet nga Drejtori i Përgjithshëm, pas hapjes së vakancës dhe procesit konkurrues.

Emërimi i Pamela Qirkos ndjek atë të Drejtorit të ri të Përgjithshëm, Mina Kusta i emëruar dy muaj më parë në këtë detyrë nga Banka e Shqipërisë, pasi kishte qëndruar vakant që prej korrikut të vitit 2025, kur përfundoi mandati i drejtuesit të mëparshëm, Genc Mamani.

Që prej vitit 2013, Mina Kusta ka punuar në Albcontrol (Ofruesi i Shërbimeve të Lundrimit Ajror të Shqipërisë), në pozicionin e Drejtorit Ekonomik, ndërsa në periudhën 2019-2021 ka mbajtur postin e Drejtorit të Përgjithshëm të këtij enti.

Ndryshimet në drejtimin e ASD-së vijnë në një moment kur do të bëhen ndryshime të rëndësishme në ligjin organik të këtij institucioni që, mes të tjerash, do të rrisin edhe shumën e sigurimit të depozitave bankare në Shqipëri, për ta afruar atë me nivelin e Bashkimit Europian.

Me ligjin aktual, ASD-ja siguron depozitat bankare deri në shumën e 2.5 milionë lekëve dhe depozitat në shoqëritë e kursim-kreditit deri në shumën e 2 milionë lekëve. Direktiva e Bashkimit Europian 49/2014 kërkon që vlera e sigurimit të depozitave në vendet anëtare të jetë të paktën 100 mijë euro.

Megjithatë, rritja e menjëhershme me afërsisht katër herë e nivelit maksimal të mbulimit të depozitave do të ishte e vështirë. Për këtë arsye, ASD-ja projekton një rritje me dy etapa.

Me ligjin e ri “Për sigurimin e depozitave”, që parashikohet të dërgohet për miratim brenda vitit 2026 ose fillimit të vitit 2027, do të ketë një rritje të ndërmjetme të shumës së mbulimit të depozitave, nga 2.5 milionë lekë në 6 milionë lekë. Në një etapë të dytë, në momentin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, shuma maksimale e sigurimit të depozitave do të rritet në kufirin e parashikuar në direktivë, prej 100 mijë eurosh.

 

The post Plotësohet drejtimi i ASD-së, Pamela Qirko do të emërohet Zv/drejtore e Përgjithshme appeared first on Revista Monitor.

Lejeqëndrimi për të huajt, për janar-qershor mbi 18 mijë aplikime, 61% e tyre për punë

22 July 2026 at 13:00

Mbi 18 mijë shtetas të huaj nga 140 shtete kanë aplikuar për lejeqëndrimi në Shqipëri për 6 muajt e parë të 2026-s.

Sipas të dhënave të Policisë së Shtetit për Monitor, gjatë periudhës janar–qershor 2026 janë regjistruar gjithsej 18,552 aplikime për lejeqëndrimi për shtetas të huaj.

Nga të dhënat konstatohet se kërkesa për lejeqëndrimi në Shqipëri vijon të dominohet nga motivet e punësimit, ndërsa fluksi i aplikimeve mbetet i përqendruar kryesisht në qytetet e Durrësit, Tiranës dhe Vlorës.

Konkretisht, pjesa më e madhe e aplikimeve, 11,246 apo 61%, i përkasin kategorisë së lejeve unike për punëmarrës, duke konfirmuar se punësimi mbetet arsyeja kryesore për qëndrimin e shtetasve të huaj në vend.

Më pas renditen aplikimet për motive humanitare me 2,564 aplikime apo duke përbërë 14% të totalit. Për bashkim familjar janë pajisur me leje qëndrimi 1,746 shtetas apo 9% e totalit.

Kategori të tjera përfshijnë dhënie të 805 lejeve të qëndrimit për studime që përbënë 4% të totalit të lejeve të reja. Gjithashtu leje unike për të vetëpunësuar/investitorë pati 737 për janar-qershor apo 4% e tyre, ndërsa për leje të përhershme janë regjistruar 20 aplikime.

Rekord punësimi i të huajve, arrin 22,7 mijë shtetas; 50% e tyre nga Filipinet, India dhe Egjipti

Sipas gjinisë, 11,851 aplikantë apo 64% e tyre janë meshkuj, ndërsa 6,701 apo 36% e tyre janë femra.

Për sa i përket shpërndarjes territoriale, numri më i madh i aplikimeve është regjistruar në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin (DVKM) në Durrës me 6,241 aplikime duke përbërë 34% të totalit, e ndjekur nga Tiranë me 5,932 apo 32% e tyre dhe Vlorë me 4,356 apo 23% e tyre.

Ndërkohë, DVKM Shkodër ka regjistruar 1,301 aplikime, në Kukës 328, në Gjirokastër 273 dhe në Korçë 121 aplikime.

Të dhënat tregojnë se numrin më të lartë të aplikimeve e kanë paraqitur shtetasit nga Filipinet, me 2,841 aplikime, të ndjekur nga shtetasit e Zvicrës me 2,511, Indisë me 2,323 dhe Egjiptit me 2,270 aplikime.

Në vijim renditen shtetasit e Italisë me 1,478 aplikime, Kosovës me 1,266, Turqisë me 985, SHBA me 504, Myanmar-it me 494 dhe Tunizisë me 296 aplikime.

Gjithashtu, një numër i konsiderueshëm aplikimesh është regjistruar nga shtetas të Ukrainës (237), Rusia (222), Indonezisë (215), Maqedonisë së Veriut (210) dhe Nigerisë (173). Pjesa tjetër e aplikimeve është shpërndarë ndërmjet shtetasve nga mbi 100 shtete të ndryshme./ D.Azo

 

The post Lejeqëndrimi për të huajt, për janar-qershor mbi 18 mijë aplikime, 61% e tyre për punë appeared first on Revista Monitor.

Sondazhi i BE-së, kroatët më optimistë se shumica e europianëve

22 July 2026 at 12:49

Një numër gjithnjë e më i madh qytetarësh kroatë e shohin Bashkimin Europian si një strehë stabiliteti përballë pasigurisë gjeopolitike, ndërsa presin që Parlamenti Europian të vendosë inflacionin dhe rritjen e kostos së jetesës në krye të agjendës së tij, sipas sondazhit më të fundit të Eurobarometrit, të publikuar të mërkurën.

Sondazhi, i porositur nga Parlamenti Europian dhe i realizuar nga Verian, përfshiu 26,000 intervista ballë për ballë në të 27 shtetet anëtare të Bashkimit Europian, gjatë periudhës 9 prill – 4 maj.

Sipas rezultateve, 81% e kroatëve besojnë se BE-ja është një vend i qëndrueshëm për të jetuar në një botë të pasigurt, një rritje prej gjashtë pikësh përqindjeje krahasuar me vjeshtën e vitit të kaluar. Mesatarja në nivel të BE-së është 75%.

Në të gjithë Bashkimin Europian, më shumë se dy të tretat e të anketuarve duan që BE-ja të luajë rol edhe më të madh në mbrojtjen e qytetarëve nga krizat globale dhe rreziqet e sigurisë, ndërsa gati tre të katërtat besojnë se Unioni duhet të ketë më shumë burime për ta bërë këtë.

Kur u pyetën se ku duhet të përqendrohet BE-ja për të forcuar rolin e saj në botë, qytetarët europianë renditën në vend të parë mbrojtjen dhe sigurinë (39%), të ndjekura nga pavarësia energjetike (35%). Në vendin e tretë u renditën konkurrueshmëria dhe ekonomia.

Në Kroaci, 71% e të anketuarve thanë se janë të kënaqur me cilësinë e jetës së tyre, ndërsa siguria financiare u përmend më shpesh si faktori kryesor.

Megjithatë, kroatët kishin dukshëm më shumë gjasa se mesatarja e qytetarëve të BE-së ta konsideronin inflacionin dhe koston e jetesës si përparësinë kryesore të Parlamentit Europian. 61% e të anketuarve kroatë zgjodhën këtë çështje, krahasuar me 47% në nivel të BE-së.

Kroatët gjithashtu duan që Parlamenti Europian të përqendrohet më shumë te:

  • varfëria dhe përjashtimi social;
  • bujqësia dhe siguria ushqimore;
  • shëndeti publik;
  • mbrojtja dhe siguria e BE-së.

Sondazhi tregoi se 81% e kroatëve besojnë se vendi i tyre ka përfituar nga anëtarësimi në Bashkimin Europian, veçanërisht përmes përmirësimit të mundësive të biznesit dhe ruajtjes së paqes dhe sigurisë.

Në nivel të BE-së, përgjigjet pozitive ndaj pyetjes nëse anëtarësimi ka qenë i dobishëm për vendin arritën nivelin më të lartë që nga viti 1983, kur kjo pyetje u përfshi për herë të parë në Eurobarometër.

Kroacia iu bashkua Bashkimit Europian në vitin 2013 si anëtari i 28-të. Pas largimit të Mbretërisë së Bashkuar nga blloku, Bashkimi Europian numëron tani 27 shtete anëtare.

Të anketuarit në mbarë Europën e shohin gjithnjë e më shumë kontributin e BE-së në ruajtjen e paqes dhe sigurisë si përfitimin kryesor të anëtarësimit, të ndjekur nga bashkëpunimi më i ngushtë ndërmjet shteteve anëtare. Qytetarët presin gjithashtu që vendet e Bashkimit Europian të veprojnë në mënyrë më të bashkuar në arenën ndërkombëtare.

 

 

The post Sondazhi i BE-së, kroatët më optimistë se shumica e europianëve appeared first on Revista Monitor.

Monedha e betontë

22 July 2026 at 12:00

Nga Fatos Fico*

Ekspert i zhvillimit të qëndrueshëm

 

Struktura ekonomike, emigrimi dhe oligopolet ekonomike në Shqipëri e kanë kthyer lekun në një monedhë të fortë në mënyrë të panatyrshme.

Në makroekonominë klasike, një vend në zhvillim që vuan nga emigrimi masiv i popullsisë dhe ka një deficit të thellë tregtar, problem madhor ka inflacionin dhe zhvlerësimin e monedhës së tij. Në Shqipëri ndodh e kundërta. Leku shqiptar ka njohur një rritje historike shumëvjeçare kundrejt euros, duke arritur së fundmi në 93 lekë për një euro nga 140 lekë rreth dhjetë vite më parë. Një vend me rreth 2.4 milionë banorë, vëllimi i madh i valutës së huaj, ai mbi deficitin tregtar, që qarkullon në sistem, i vlerësuar në rreth 3,8 miliardë euro në vit përballë një PBB-je prej vetëm 23-25 miliardë eurosh, ka prishur mekanizmat standardë të politikës monetare.

Banka e Shqipërisë është përpjekur të ndalë ngritjen e lekut, duke blerë gjatë vitit 2025 mbi një miliard euro nga tregu i brendshëm valutor. Megjithatë, këto ndërhyrje janë si të përpiqesh të zbrazësh ujin që futet në anije me kova. Kriza nuk është thjesht monetare; ajo është rezultat i riorganizimit strukturor të dekadës së fundit që vjen nga bumi i ekonomisë formale, ekonomisë informale dhe një cikli politiko-ekonomik me fillesa që nga vitet ’90, që ekstrakton pasurinë nga ekonomia e resurset natyrore për ta derdhur në beton, por më e rëndësishmja- politikat nuk kanë mundur të krijojnë e ndërtojnë rrugë e mundësi të tjera ekonomike, e zhvillimi perveç betonit.

 

Flukset hyrëse dhe ekonomia informale

Forcimi i lekut mbështetet nga flukse masive dhe të vazhdueshme të valutës së huaj. Së pari, ndryshimi strukturor në ekonominë reale. Shqipëria është shndërruar në një vend eksportues shërbimesh, ku të ardhurat nga turizmi kalojnë 5 miliardë euro në vit duke rezultuar në një suficit neto prej rreth 2.685 miliardë eurosh. Krahas kësaj, Investimet e Huaja Direkte (IHD) formale kontribuojnë me rreth 1.63 miliardë euro.

Megjithatë, të dhënat zyrtare tregojnë vetëm gjysmën e së vërtetës. Ekonomia informale funksionon si një turbo-karikues me euro. Ndryshe nga IHD-të e korporatave që kanalizohen në llogari bankare, paratë informale janë “në treg” dhe me shpejtësi të lartë qarkullimi e mbështesin konsumin, duke ngopur pikat e këmbimit valutor. Ky fluks mjaft i dukshëm shkakton reagim zinxhir në sjelljen e tregut: duke parë rritjen e vazhdueshme të vlerës së lekut, qytetarët dhe bizneset vendase këmbejnë eurot që mund të kenë për t’i kthyer ato në depozita në lekë ose bono thesari.

Shtrëngimi dhe mungesa e lekut

Ndërsa eurot vërshojnë në treg, monedha fizike në lek është bërë edhe më e rrallë. Qeveria ndjek një politikë të shtrënguar fiskale, me deficite buxhetore të projektuara pranë 0.7% të PBB-së dhe borxh publik në rënie nën 55%. Mbledhja e taksave vazhdimisht tejkalon shpenzimet publike, që do të thotë se shteti tërheq miliarda lekë nga ekonomia dhe i mban ato në llogaritë e thesarit, duke krijuar një mungesë artificiale në tregun e brendshëm. Shpenzimet publike shpesh nuk realizohen 100% dhe përqendrohen në muajin dhjetor, kur qeveria lëvron fonde më shumë për të realizuar planin sesa si pagesa për investimet dhe punët e kryera realisht.

Banka Qendrore bën ndërhyrje për të ulur volumin e eurove në treg, por synimi kryesor i saj është parandalimi i inflacionit. Për këtë, sa herë që Banka e Shqipërisë blen euro nga tregu, ajo i “sterilizon” menjëherë këto ndërhyrje duke i tërhequr lekët e emetuar sërish në llogaritë e saj. Sasia e lekut fizik mbetet e pandryshuar, duke neutralizuar efektin e ndërhyrjes. Për më tepër, sistemi bankar tregtar nuk po krijon para të reja, pasi kredia totale private në Shqipëri është vetëm 34% e PBB-së, kjo në ndryshim nga vendet e BE-së ku kredia private shkon në 100% ose më shumë të PBB-së.

 

Matematika e Këmbimit :  faktorët kryesorë në shifra

Për t’u kuptuar më qartë po rendisim se nga vijnë rreth 3,8 miliardë ekstra euro që po “mbytin” tregun. (me përafërsi shifrash vjetore):

  • Eksportet, investimet dhe remitancat formale: Këtu përfshihen të ardhurat masive zyrtare nga turizmi ~5.7 miliardë euro, Investimet e Huaja Direkte formale ~1.6 miliardë euro) dhe remitancat zyrtare nga emigrantët të cilat për vitin 2025 llogariten në 1.1 miliardë euro. Vlera totale e hyrjeve formale shkon rreth 8.43 miliardë euro. Nëse llogarisim diferencën e vërtetë neto, nga kjo shifër duhet të zbresim eurot që shqiptarët shpenzojnë jashtë shtetit për turizëm rreth 2.7 miliardë euro dalëse si dhe deficitin e thellë tregtar prej rreth 5.9 miliardë eurosh dalëse. Matematikisht, bilanci total formal rezulton negativ, me një hendek të vogël prej rreth 170 milionë euro. Në kushte normale, euroja do të duhej të ishte shtrenjtuar, por kjo diference tejkalohet totalisht së pari nga ekonomia e padeklaruar e pastaj nga faktorë të tjerë.
  • Ekonomia informale / Paraja cash: Llogaritet në rreth 2.5 deri në 3.2 miliardë euro të hyra. Ky është fluksi i padeklaruar që qarkullon në ekonomi, dhe ndahet në rreth 1 miliard euro cash nga diaspora, rreth 800 milionë – 1 miliard euro nga turizmi që paguhet cash dhe nuk deklarohet, dhe rreth 1 deri në 1.2 miliardë euro nga të ardhura nga aktivitete jo legale jashtë vendit.

Shënim: Shifrat e ekonomise informale janë të ekstrapoluara dhe të llogaritura në mënyrë indirekte dhe jo të dhëna zyrtare.

  • Ndërhyrjet sterile të Bankës Qendrore: Megjithëse banka bleu përgjatë vitit 2025 pak me shume se 1 miliardë euro për të ndalur rënien, ajo e sterilizon ndërhyrjen duke mbajtur sasinë e lekut të pandryshuar/neutrale. Ky veprim nuk e shton euron, por nuk lejon shtimin e lekut, duke e lënë lekun qarkullues sërish të rrallë e të shtrenjtë.
  • Përshtatja e tregut: Likuidimi i kursimeve nga 500 milionë deri në 1 miliard euro. Nga frika e zhvlerësimit të mëtejshëm, qytetarët shtyhen të këmbejnë kursimet e tyre nga euro ne lek, duke shtuar deri në 1 miliard euro të tjera në treg
  • Kredia e Bankave private e mangët në lekë dhe disbursime të kredive edhe ne Euro: Efekt prej 500 deri në 800 milionë euro. Rreth 50% e kredive merren në euro. Ndërtuesit i marrin këto euro dhe një pjesë të madhe e këmbejnë menjëherë në lekë për të paguar punetorët dhe materialet brenda vendit, taksa, etj. duke hedhur euro të reja në treg pa krijuar lek të rinj.
  • Bllokimi fiskal nga Qeveria: Ekuivalenti i 300 deri në 600 milionë eurove. Qeveria mbledh taksa dhe mban në llogaritë e saj me dhjetëra miliarda lekë të pashpenzura gjatë vitit, duke bërë që leku fizik të mungojë në xhepat e njerëzve dhe duke e mbajtur raportin në disfavor të euros.

Bilanci Përfundimtar:

Ekuacioni i këtyre 6 pikave tregon qartë pse bie euro. Le të llogarisim të hyrat dhe te dalat – bilanci i formal eksporte+IHD+remitanca minus importe+turizëm dalës lë një deficit prej rreth 0.17 miliardë eurosh, ndërsa Banka e Shqipërisë tërheq edhe 1 miliardë euro. Pra, tregu duhej te ishte i “zbrazur” me rreth 1.2 miliardë euro.

Por, më tej veprojnë forcat masive të mbiofertës: paratë informale ~3.2 mld, + përshtatja e tregut ~1 mld, + konvertimi i kredisë ~0.8 mld,  të cilat së bashku hedhin në treg rreth 5 miliardë euro të reja.

Diferenca midis 5.0 mld ekstra hyrëse me 1.2 mld (deficiti + BSH) lë në treg një suficit të pastër prej rreth 3.8  miliardë eurosh neto çdo vit.

Ky det me euro të tepërta përplaset me një monedhë Lek që mbetet i rrallë, nga sterilizimi i BSH-se, bllokimi fiskal e kreditor, si dhe kërkesa e vazhdueshme për lek nga konsumatorët e bizneset duke vulosur rënien e pashmangshme të euros.

Këto duken të jenë faktorët kryesorë monetarë, megjithëse tabloja totale është më komplekse – biznese të medha shqiptare tani po investojnë jashtë vendit, duke nxjerrë valutë jashtë, por janë edhe ndihmat nga BE, që risjellin euro në ekonomi, Bonot e thesarit ne Euro, etj.

Edhe nëse eliminohet tërësisht një nga këta faktorë p.sh., paratë euro jo legale, faktorët e tjerë do ta mbanin përsëri euron të zhvlerësuar mjaftueshëm.

Efekte të tjera të prurjeve masive në euro të cilat  ndikojnë në ekonomi dhe treg janë:

  • Çmimet e banesave: Normalisht duhet të ndjekin rritjen e pagave dhe volumin e ndërtimeve të reja kundrejt kërkesës. Realiteti: Çmimet së fundmi janë rritur me 20%–40%; Tirana kap çmime nga €2,500–€5,000/m² ndërsa paga mesatare është ~€770. Shkaku: Tregu i aseteve ushqehet nga para shpesh informale që përpiqen ta ruajnë vlerën me beton.
  • Shkalla e vakancës (shtëpitë bosh): Normalisht oferta e madhe në ndërtim duhet të çojë drejt rënies së çmimeve. Me dhjetëra mijë apartamente janë bosh në Tiranë, ndërsa çmimet vazhdojnë të rriten. Prona funksionon si llogari bankare jolikuide për investitorët, jo për strehim.
  • Eksportet (Mallra): Normalisht duhet të rriten krahas zgjerimit ekonomik të vendit. Eksportet janë tkurrur me ~15%; pushime masive nga puna në fasoneri. “Sëmundja Holandeze” , forca artificiale e monedhës e bën importin më të lirë, por shkatërron prodhimin vendas.
  • Bilanci tregtar: Deficitet e larta (importi shumë më i madh se eksporti) zakonisht e dobësojnë monedhën vendase. Deficiti thellohet në €5.9 miliardë, megjithatë leku vazhdon të forcohet. Flukset hyrëse nga kanale të tjera (jo-tregtare) e tejkalojnë plotësisht hendekun tregtar.

Rënia e shpejtësisë së qarkullimit te parasë

Për të kuptuar plotësisht paradoksin e Euros kundrejt Lekut, duhet parë përtej treguesve monetarë, duhet të shikojmë ekonominë politike, si dhe përqendrimin e pasurisë.

Të ardhurat e shtetit shqiptar bazohen te taksat indirekte, si psh. TVSH-ja dhe akcizat e karburantit. Kur çmimet rriten për shkak te krizave të ndryshme, qytetarët e thjeshtë shtrydhen edhe më shumë dhe buxhetet e tyre modeste në lekë zbrazen edhe më shpejt drejt arkave të tregtarëve dhe shtetit.

Shteti më pas e rishpërndan këtë pasuri të mbledhur nga taksat kryesisht përmes kontratave të mëdha infrastrukturore dhe koncesioneve Publike-Private (PPP). Rezultati është një transferim masiv i pasurisë: lekët e miliona qytetarëve përqëndrohen në llogaritë bankare të një grushti ndërtuesish dhe importuesish mallrash e karburanti të cilët fitojnë rregullisht edhe tenderat publikë.

Kjo shkakton kolaps në shpejtësinë e qarkullimit të parasë. Njëqind mijë lekë në duart e një mësuesi qarkullojnë shpejt nëpër dyqanet dhe ekonominë lokale. Dhjetëra miliardë lekë të përqëndruara në llogarinë e një oligarku nuk blejnë ushqime apo mallra; ato blejnë tokë, ndërtojnë komplekse hotelesh dhe kulla banimi. Për pasojë, tregtia e pakicës sëe përditshme ngec, shërbimet ngecin, ndërsa ndërtimi përjeton hiperinflacion.

Kjo dinamikë nga ana tjetër krijon stuhinë e përsosur në sektorin e pasurive të paluajtshme. Leku i përqëndruar i tregut të brendshëm, ai nga kontratat qeveritare, bashkohen me valën masive të eurove që hyjnë nga turizmi, diaspora dhe ekonomia informale. Për shkak se tregu financiar i Shqipërisë është i pazhvilluar — nuk ka bursë aktive apo treg obligacionesh të korporatave — nuk ka asnjë mjet financiar ”sfungjer” për të thithur këtë kapital, bën që të gjitha këto para të përplasen drejtpërdrejt në tregun e pronave fizike.

 

Demografia dhe rreziqet e tjera

Për t’i shtuar kësaj situate, kemi edhe problemin demografik. Censi i fundit konfirmon se mbi 420,000 shqiptarë janë larguar jashtë vendit dhe se ikjet vazhdojnë. Kjo jo vetëm tkurr bazën e përdoruesve vendas që mbështeten te leku për transaksionet e përditshme, por ul thellësinë e ekonomisë vendase, dhe në të njëjtën kohë rrit diasporën jashtë vendit, e cila sjell euro në vend për të mbështetur familjet, me turizëm si dhe për blerje pronash.

Kërcënimi afatgjatë i monedhës lokale të mbivlerësuar është stanjacioni i plotë i produktivitetit. Duke kanalizuar pothuajse të gjithë kapitalin e tepërt në sektorë jo-të-tregtueshëm, (si nocion ekonomik kur shitet dhe blihet vetëm brenda vendit), si pasuri të paluajtshme dhe hoteleri me vlerë të ulët në vend të teknologjisë, bujqësisë apo prodhimit, Shqipëria po shkatërron kompleksitetin e saj ekonomik të së ardhmes. Për më tepër, kjo krijon një rrezik sistemik të lartë. Nëse flukset informale zvogëlohen, ose nëse rënia demografike vazhdon edhe më tej bën që flluska e “apartamenteve fantazmë” të pëlcasë. Sektori bankar i cili mban këto prona si kolateral me çmime të mbivlerësuara mund të përballet me një krizë të rëndë likuiditeti. Së fundi, një ekonomi informale e përmasave përtej atyre fiziologjike që vepron në sektorin e pronave mund të krijojë vështirësi të tjera për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Banka e Shqipërisë po lufton një betejë që nuk mund ta fitojë me instrumentet standarde monetare. Edhe nëse një faktor strukturor do të eliminohej, për shembull rreth 1 miliard euro te supozuara nga burime të paligjshme, miliardat e mbetura nga turizmi, IHD-të, shtrëngimi fiskal, kreditimi privat i mangët, e mungesa e tregut financiar, do të mbanin euron në mbiofertë.

Derisa Shqipëria të thellojë tregjet e saj të kapitalit për të thithur këto prurje, dhe të zhvendosë ekonominë e saj “politike” larg përqëndrimit oligarkik të pasurisë dhe derdhjes së betonit, leku do të mbetet i vlerësuar në mënyrë të panatyrshme — një monument i një ekonomie të gërryer nga brenda, por të mbytur me para nga jashtë.

 

 

*Opinionet janë personale të autorit dhe nuk përbëjnë qëndrim të revistës

The post Monedha e betontë appeared first on Revista Monitor.

OKB: Kriza energjetike dhe mungesa e plehrave kimike do të rrisin më tej çmimet e ushqimeve

22 July 2026 at 11:47

Rritja e çmimeve të energjisë dhe plehrave kimike pritet të vazhdojë të ushqejë inflacionin e produkteve ushqimore në mbarë botën, paralajmëroi OKB-ja në raportin e saj më të fundit. Kjo, nga ana tjetër, mund të rrisë koston e një ushqyerjeje të shëndetshme dhe të rrezikojë përparimin në luftën kundër urisë globale.

Konfliktet dhe ndërprerjet në tregjet globale të energjisë mund të shtyjnë miliona njerëz drejt urisë, duke rritur kostot e karburantit, plehrave kimike dhe ushqimeve, paralajmëroi kreu i Fondit Ndërkombëtar për Zhvillimin Bujqësor, me seli në Romë. Paralajmërimi vjen ndërsa një raport i ri i Kombeve të Bashkuara tregon se përparimi global në luftën kundër urisë mbetet i brishtë.

Raporti i OKB-së për sigurinë ushqimore, i publikuar të martën, konstatoi se uria globale është zbutur lehtë vitet e fundit, por parashikon se më shumë se 500 milionë njerëz mund të vazhdojnë të përballen me uri kronike deri në vitin 2030.

Afrika pritet të mbajë peshën më të madhe të kësaj krize.

Në një intervistë për Associated Press këtë muaj, presidenti i IFAD-it, Alvaro Lario, tha se tensionet gjeopolitike dhe ndërprerjet e mundshme në transportin detar dhe furnizimet me energji, përfshirë pasigurinë rreth Ngushticës së Hormuzit gjatë luftës në Iran, mund të lënë edhe 9 deri në 18 milionë njerëz të tjerë përballë urisë, nëse këto tronditje vazhdojnë.

“Po jetojmë në një periudhë kur numri i konflikteve është në nivelin më të lartë dhe vazhdon të rritet,” tha Lario, duke shtuar se “sa herë që ka konflikt, rriten edhe uria, zhvendosja e popullsisë dhe numri i refugjatëve”.

 

Konfliktet po nxisin rritjen e çmimeve të energjisë dhe plehrave kimike

Sipas Larios, konfliktet e vazhdueshme, si lufta në Iran dhe pushtimi rus i Ukrainës, janë faktorët kryesorë që po rrisin çmimet e energjisë dhe plehrave kimike.

Duke ndërprerë transportin detar dhe furnizimet me inpute bujqësore dhe energji, këto konflikte po shkaktojnë një tjetër goditje inflacioniste për sistemet ushqimore në mbarë botën. Ndikimi është veçanërisht i madh te fermerët e vegjël, shumë prej të cilëve varen nga nafta për të pompuar ujin, për të korrur të mbjellat dhe për t’i transportuar produktet në treg.

Kjo është veçanërisht shqetësuese, pasi kostoja e një diete të shëndetshme në mbarë botën tashmë po rritet.

Sipas raportit të OKB-së, kostoja mesatare globale e një diete të shëndetshme u rrit në 4.28 dollarë sipas barazisë së fuqisë blerëse për person në ditë, nga 3.44 dollarë në vitin 2021.

Amerika Latine dhe Karaibet regjistruan kostot më të larta, me 4.91 dollarë sipas barazisë së fuqisë blerëse.

Kostoja e një diete të shëndetshme ndryshonte ndjeshëm nga një rajon në tjetrin, në varësi të dallimeve në sistemet agro-ushqimore. Produktet me origjinë shtazore, perimet dhe frutat përbënin pjesën më të madhe të kostos, krahasuar me ushqimet bazë me përmbajtje niseshteje.

Edhe veprimtaritë pas daljes së produkteve nga ferma, si përpunimi, logjistika dhe tregtia me shumicë, përbënin 40 për qind të kostos totale.

Meqë këto veprimtari janë veçanërisht të cenueshme ndaj ndërprerjeve të zinxhirit të furnizimit të shkaktuara nga konfliktet, është edhe më e rëndësishme të ndërtohen sisteme më efikase dhe më të qëndrueshme në këto fusha, sidomos për të ulur kostot e ushqimeve që prishen shpejt.

Në mënyrë të ngjashme, nevojiten më shumë investime në infrastrukturë, zhvillim, kërkim shkencor, ujitje dhe zinxhirë frigoriferikë, për të ulur koston e një diete të shëndetshme. Edhe reformat në subvencione dhe kuadrin rregullator, së bashku me lehtësimin e tregtisë, mund të ndihmojnë në arritjen e këtij objektivi.

Lario theksoi gjithashtu se uria dhe konfliktet shpesh ushqejnë njëra-tjetrën, duke krijuar një cikël që është i vështirë të prishet pa më shumë stabilitet.

“Dhënia fund e urisë dhe bërja e dietave të shëndetshme të përballueshme kërkojnë angazhim politik, investime të qëndrueshme dhe politika mbështetëse,” tha Qu Dongyu, drejtor i përgjithshëm i FAO-s.

“Krizat e fundit — nga fatkeqësitë natyrore, si pandemia e COVID-19, te fatkeqësitë e shkaktuara nga njeriu, si vatrat e konflikteve, lufta në Ukrainë, kriza në Gazë dhe ndërprerja e fundit në Ngushticën e Hormuzit — kanë treguar si qëndrueshmërinë e sistemeve agro-ushqimore, ashtu edhe nevojën për t’i forcuar më tej, në mënyrë që t’u shërbejnë më mirë njerëzve më të cenueshëm në botë, fermerëve dhe konsumatorëve,” shtoi Dongyu.

Goditjet klimatike shtojnë presionin

Raporti i ri e identifikon përballueshmërinë si një nga sfidat më të mëdha të sigurisë ushqimore në botë. Edhe pse prodhimi ushqimor vazhdon të rritet, rreth një e treta e popullsisë globale ende nuk mund ta përballojë një dietë të shëndetshme. Sipas Larios, në vendet me të ardhura të ulëta, kjo shifër arrin në rreth 77 për qind.

“Sfida më e madhe nuk është më thjesht prodhimi i mjaftueshëm i ushqimit, por bërja e dietave të shëndetshme të përballueshme,” tha ai.

Ndryshimet klimatike po ushtrojnë presion të mëtejshëm mbi sistemet ushqimore dhe jetesën në zonat rurale.

Lario vuri në dukje se përmbytjet, thatësirat e zgjatura dhe temperaturat ekstreme po prishin gjithnjë e më shumë bujqësinë në mbarë botën dhe janë bërë një realitet i zakonshëm për shumë komunitete.

Sipas tij, qeveritë duhet të përqendrohen te qëndrueshmëria dhe përshtatja përpara se të godasin fatkeqësitë, në vend që të mbështeten vetëm te reagimet emergjente pas tyre.

“Kjo po bëhet thjesht normaliteti i ri,” tha Lario. “Po shohim përmbytje në shumë vende. Po vazhdojmë të shohim edhe thatësira që janë zgjatur për katër ose pesë vjet.”

Fondi po rrit investimet në programe për përshtatjen ndaj klimës, të cilat synojnë të ndihmojnë komunitetet rurale t’u rezistojnë përmbytjeve, thatësirave dhe temperaturave ekstreme, tha ai. Sipas tij, mbështetja është urgjentisht e nevojshme për miliona fermerë të vegjël që prodhojnë një pjesë të madhe të furnizimit ushqimor në botë.

Afrika shfaqet si epiqendra

Raporti e veçon Afrikën si sfidën më urgjente në botë për sigurinë ushqimore.

Për herë të parë, kontinenti ka kaluar Azinë si rajoni me numrin më të madh të njerëzve që vuajnë nga uria, ndërsa deri në vitin 2030 atje mund të jetojë gati 60 për qind e njerëzve të kequshqyer kronikisht në botë.

Lario ia atribuoi këtë ndryshim pjesërisht rritjes së shpejtë të popullsisë dhe përparimit më të ngadaltë ekonomik krahasuar me disa pjesë të Azisë. Ai bëri thirrje për më shumë investime në bujqësi, infrastrukturë dhe sisteme ushqimore.

Sipas tij, vendet afrikane importojnë aktualisht ushqime me vlerë gati 100 miliardë dollarë, ose 87.7 miliardë euro, çdo vit. Kjo nënvizon nevojën për prodhim vendor më të fortë, kapacitete më të mira magazinimi dhe shpërndarjeje, si dhe rrjete më të zhvilluara të tregtisë rajonale.

Konfliktet, ndërprerjet në tregjet e energjisë dhe ekstremet klimatike rrezikojnë ta nxjerrin progresin nga shinat, nëse qeveritë nuk investojnë në sisteme ushqimore më të qëndrueshme, tha Lario./ Euronews

The post OKB: Kriza energjetike dhe mungesa e plehrave kimike do të rrisin më tej çmimet e ushqimeve appeared first on Revista Monitor.

Nafta arrin në nivelin më të lartë në gjashtë javë, ndërsa lufta në Lindjen e Mesme përshkallëzohet

22 July 2026 at 11:33

Donald Trump ka kërcënuar me një përshkallëzim të ri të luftës së tij në Iran, duke paralajmëruar se SHBA-ja së shpejti do të nisë një sulm ndaj një objekti bërthamor iranian të fortifikuar rëndë, në një kohë kur çmimet e naftës po rriten me shpejtësi.

Kërcënimi i presidentit vjen mes një përshkallëzimi të konfliktit gati pesëmujor mes Uashingtonit dhe Teheranit, pasi ushtria amerikane përfundoi natën e dhjetë radhazi të bombardimeve dhe çmimi i naftës arriti në 91 dollarë për fuçi.

Trump u tha gazetarëve të martën se mendonte se Irani “mund t’i ketë” zhvendosur komponentët kritikë për ndërtimin e një arme bërthamore në një objekt bërthamor të groposur thellë nën Kolang Gazla — i njohur si Mali Pickaxe — në Iranin qendror.

“Do ta godasim atë zonë shumë shpejt dhe shumë rëndë,” tha ai në Zyrën Ovale gjatë një takimi me presidentin e Libanit, Joseph Aoun.

Zotimi i Trumpit për veprime të reja ushtarake vjen në një kohë kur ankthi mes tregtarëve të naftës po rritet, pasi kalimi i naftës bruto përmes Ngushticës së Hormuzit është ngadalësuar ndjeshëm ditët e fundit dhe rezervat globale po bien në nivele kritikisht të ulëta.

Të paktën shtatë anije janë goditur në ngushticë që prej prishjes së armëpushimit, ndërsa Irani ka vënë në shënjestër anijet që përpiqen të kalojnë përmes rrugës ujore pranë bregdetit të Omanit, e cila mbrohet kryesisht nga mbulimi ajror amerikan.

Nga 15 kalimet e regjistruara të hënën nga kompania e inteligjencës detare Windward, të gjitha, përveç dy anijeve, kaluan përmes ngushticës duke përdorur një itinerar të përcaktuar nga Irani, mbi të cilin ai ushtron kontroll mbi trafikun.

Dy anijet e tjera që përdorën itinerarin e Omanit — cisterna të operuara nga kompania greke Dynacom — u goditën të dyja nga raketa iraniane.

Nafta Brent, standardi ndërkombëtar i referencës, u rrit me 2.4 për qind të martën, në 91.34 dollarë për fuçi, duke e çuar rritjen e saj në 25 për qind gjatë korrikut.

Goldman Sachs paralajmëroi të hënën në mbrëmje se çmimi i naftës Brent mund të ngjitej në 120 dollarë për fuçi, nëse Ngushtica e Hormuzit — nëpërmjet së cilës kalonte një e pesta e naftës së botës përpara luftës — do të mbetej “e ndërprerë” deri në tremujorin e katërt të këtij viti.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë tha gjithashtu të martën se “nuk ka vend për vetëkënaqësi lidhur me sigurinë energjetike, ndërsa armiqësitë po përshkallëzohen dhe rezervat tregtare të disponueshme po vazhdojnë të bien”.

Trump ka pretenduar vazhdimisht se e ka “zhdukur” programin bërthamor të Iranit gjatë ofensivës 12-ditore të SHBA-së dhe Izraelit në qershor 2025, e cila kishte në shënjestër objekte përfshirë Natanzin dhe Fordowin.

Megjithatë, asnjëra palë ushtarake nuk e goditi objektin e fortifikuar rëndë me tunele nëntokësore, që po ndërtohet nën malin Pickaxe.

Objekti, disa kilometra në jug të Natanzit, është një objektiv më i vështirë për t’u goditur se Fordowi, sepse ndodhet më thellë dhe është më i mbrojtur. Gjithashtu, ai nuk është hartëzuar aq mirë sa ishte Fordowi.

Pickaxe ka të paktën katër tunele, krahasuar me dy të Fordowit, gjë që e bën më të vështirë bombardimin e hyrjeve për t’i bllokuar ato. Thellësia e tyre mund t’i vendosë gjithashtu jashtë rrezes së bombave amerikane 30,000-paundëshe kundër bunkerëve, të cilat u përdorën ndaj Fordowit në sulmet e vitit të kaluar.

Javën e kaluar, gjatë një interviste me drejtuesin konservator të podkastit Hugh Hewitt, Trump kërcënoi se do ta “eliminonte” objektin.

Ai shtoi në emision se objekti ishte “një shënjestër për një goditje të bukur, të madhe dhe të fuqishme drejt e në hyrjen kryesore”.

Irani ka shtuar sulmet ndaj aleatëve të SHBA-së në Gjirin Persik gjatë javëve të fundit, që kur një armëpushim i prillit u shemb. Të martën, lufta u zgjerua më tej, pasi rebelët Houthi të Jemenit, të mbështetur nga Irani, deklaruan se do të vendosnin një “embargo detare” ndaj porteve të Arabisë Saudite.

Besohet se katër pjesëtarë të ushtrisë amerikane janë vrarë gjatë ditëve të fundit të luftimeve në Lindjen e Mesme, ndërsa Pentagoni ende nuk e ka konfirmuar identitetin e njërit prej tyre.

Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, bëri të ditur të hënën se “gati 100” pjesëtarë të forcave të armatosura ishin plagosur vetëm gjatë dy javëve të fundit, por tha se shumica kishin pësuar tronditje të lehta dhe ishin rikthyer në detyrë.

Rritja e numrit të viktimave dhe shtrenjtimi i ndjeshëm i benzinës, çmimi i së cilës u ngjit sërish mbi 4 dollarë për gallon këtë javë, kanë nxitur një kundërshtim gjithnjë e më të madh brenda vendit ndaj luftës, në prag të zgjedhjeve vendimtare të mesmandatit në nëntor.

Trump nuk pranoi të thoshte se sa kohë priste që ushtrisë amerikane t’i duhej për t’ia hequr Iranit aftësinë për të kërcënuar transportin tregtar përmes ngushticës, në mungesë të një marrëveshjeje.

Në vend të kësaj, ai e riktheu vëmendjen te programi bërthamor i Iranit, për të cilin tha se SHBA-ja e kishte “përfunduar” dhe “shuar”.

“Po të largoheshim tani, Iranit do t’i duheshin 20 ose 25 vjet për ta rindërtuar,” tha ai. “Dhe ne nuk kemi përfunduar aspak.”

The post Nafta arrin në nivelin më të lartë në gjashtë javë, ndërsa lufta në Lindjen e Mesme përshkallëzohet appeared first on Revista Monitor.

Bilanci i stuhisë, MIE: 21 fidera jashtë pune, dëmtohen kontejnerë në Durrës, Patosi pa ujë

22 July 2026 at 11:32

Moti i keq që përfshiu disa zona të vendit gjatë mbrëmjes së të martës dhe orëve të para të mëngjesit të kësaj të mërkure la 21 fidera jashtë pune, rrëzoi kontejnerë bosh në Portin e Durrësit dhe shkaktoi probleme të përkohshme në furnizimin me ujë.

Sipas bilancit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, reshjet intensive të shiut dhe era e fuqishme krijuan problematika në rrjetin e shpërndarjes së energjisë, në stacionet e pompimit dhe në infrastrukturën portuale.

Vlora, Fieri, Saranda dhe Librazhdi janë ndër rajonet e prekura nga ndërprerjet e energjisë elektrike. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka angazhuar mbi 1,000 punonjës në terren për normalizimin e furnizimit. Në orët e para të mëngjesit u vendos në punë nënstacioni i Livadhjasë, duke rikthyer energjinë në disa zona. Ndërkohë, të gjitha linjat e transmetimit 400 kilovolt, 220 kilovolt dhe 110 kilovolt janë në operim normal.

Në Portin e Durrësit, stuhia rrëzoi disa kontejnerë bosh në Terminalin e Kontejnerëve. Tetë prej tyre pësuan dëmtime më të konsiderueshme, ndërsa vijon koordinimi me kompanitë për vlerësimin e plotë të situatës dhe të dëmeve. Aktiviteti në sektorët e tjerë të portit po vazhdon normalisht. Aeroporti i Tiranës pati disa vonesa të lehta në trafikun në ardhje, të shkaktuara nga fenomene meteorologjike të veçuara. Situata në aeroport, sipas ministrisë, ishte kryesisht e qetë. Në Portin e Sarandës situata paraditen e sotme paraqitet e qetë dhe linja detare me Korfuzin vijon normalisht.

Probleme u regjistruan edhe në furnizimin me ujë. Në Sarandë dhe Ksamil, stacionet e pompimit të ujërave të ndotura janë rikthyer në funksionim normal. Rrugët e bllokuara pranë stacionit të pompimit të ujit të pijshëm u zhbllokuan, ndërsa vijon puna për largimin e pemëve të rrëzuara në impiantin e trajtimit të ujërave të ndotura. Në Fushë-Krujë dhe Çermë u evidentuan problematika të përkohshme në stacionet e pompimit. Në Çermë, një elektropompë pësoi avari, por defekti u riparua brenda pak orësh dhe pajisja u rikthye në funksion.

Në Fier, defekti në stacionin e Kafarajt u riparua rreth orës 02:00, duke mundësuar rikthimin e furnizimit normal me ujë për qytetin. Në stacionin e Varibopit vijon mungesa e energjisë elektrike dhe, si pasojë, Patosi mbetet pa furnizim me ujë.

Akset kombëtare kanë qenë të kalueshme dhe qarkullimi ka vijuar normalisht. Ekipet e Autoritetit Rrugor Shqiptar kanë ndërhyrë për pastrimin e gurëve dhe materialeve të rëna dhe po monitorojnë vazhdimisht gjendjen e rrugëve. Situata në basenin e lumit Drin dhe në kaskadë paraqitet e qetë dhe pa problematika.

Stuhia erdhi gjatë një episodi të motit të rëndë në Europën Juglindore, për të cilin ESTOFEX, Qendra Europiane për Parashikimin e Stuhive, kishte vendosur nivelin 3 të alarmit për zonën nga Italia drejt jugut të Kroacisë, Bosnjës jugore, Malit të Zi dhe Kosovës. Paralajmërimi ishte i vlefshëm nga ora 06:00 e 21 korrikut deri në orën 06:00 të 22 korrikut dhe lidhej kryesisht me rrezikun e breshrit shumë të madh, erërave shkatërruese dhe, në një shkallë më të ulët, tornadove. Qendra paralajmëroi gjithashtu për stuhi të shpejta dhe jetëgjata, përfshirë superqeliza dhe sisteme të fuqishme të erës. Shqipëria nuk u permend në zonën e nivelit 3 por nivele me te moderuara.

 

The post Bilanci i stuhisë, MIE: 21 fidera jashtë pune, dëmtohen kontejnerë në Durrës, Patosi pa ujë appeared first on Revista Monitor.

Google duhet të paguajë 4.1 miliardë euro gjobë për Android

22 July 2026 at 11:18

Google ka pësuar një nga humbjet më të mëdha ligjore në historinë e saj në Europë. Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Europian (CJEU) ka lënë në fuqi një gjobë prej 4.125 miliardë eurosh, duke vendosur se kompania abuzoi me pozitën dominuese të sistemit operativ Android për të kufizuar konkurrencën.

Vendimi i jep fund një procesi gjyqësor që zgjati disa vite dhe konfirmon se Google përdori Android për të forcuar dominimin e motorit të kërkimit Google Search dhe shfletuesit Chrome, në dëm të rivalëve.

Çështja nisi në vitin 2018, kur Komisioni Europian vendosi një gjobë rekord prej 4.34 miliardë eurosh ndaj Google. Sipas autoriteteve europiane, kompania u kërkonte prodhuesve të telefonave Android që të instalonin paraprakisht Google Search dhe Chrome nëse dëshironin të përdornin dyqanin e aplikacioneve Google Play. Në disa raste, prodhuesit kufizoheshin edhe nga përdorimi i versioneve alternative të Android, duke e bërë më të vështirë konkurrencën për kompani të tjera.

Google e apeloi vendimin dhe në vitin 2022 gjoba u ul lehtësisht në 4.125 miliardë euro, por tani gjykata më e lartë e Bashkimit Europian ka konfirmuar përfundimisht këtë shumë.

Kompania argumentoi se Android ka rritur konkurrencën në treg, pasi sistemi operativ ofrohet pa pagesë dhe u ka dhënë prodhuesve një alternativë ndaj Apple. Megjithatë, gjykata arriti në përfundimin se pozita dominuese e Android u përdor për të favorizuar shërbimet e vetë Google dhe për të penguar hyrjen e konkurrentëve në treg.

Ky është një tjetër sinjal i qartë se Bashkimi Europian po vazhdon të ashpërsojë kontrollin ndaj gjigantëve të teknologjisë. Gjatë viteve të fundit, Google është përballur me disa gjoba shumë miliardëshe në Europë për praktika të konsideruara antikonkurruese, ndërsa kompani të tjera si Apple, Meta dhe Amazon janë gjithashtu nën vëzhgim për respektimin e rregullave të konkurrencës dhe të Digital Markets Act (DMA).

Për Google, ndikimi financiar i gjobës është i kufizuar duke pasur parasysh madhësinë e kompanisë. Megjithatë, rëndësia e vendimit është shumë më e madhe se shuma që duhet të paguajë. Ai krijon një precedent të fortë ligjor, duke i dhënë autoriteteve europiane një bazë edhe më të fortë për të ndërhyrë kur platformat dominuese përdorin fuqinë e tyre për të favorizuar produktet dhe shërbimet e veta në dëm të konkurrencës./BBC

The post Google duhet të paguajë 4.1 miliardë euro gjobë për Android appeared first on Revista Monitor.

Policia, 2.4 milionë euro për qendrën biometrike që do të lidhë fytyrën, gjurmët dhe dokumentet

22 July 2026 at 11:14

Policia e Shtetit do të pajiset me një qendër të re për identifikimin biometrik, e projektuar për të bashkuar në një sistem të vetëm gjurmët e gishtave, njohjen e fytyrës, fotografitë, tatuazhet, zërin dhe kontrollin e dokumenteve të identitetit.

Operatori i Blerjeve të Përqendruara hapi  këtë të mërkurë tenderin me fond limit 223.6 milionë lekë pa TVSH, ose rreth 2.39 milionë euro, për ngritjen e Qendrës me Sistemet Multiaplikative të Identifikimit Biometrik të Personit, AMAIS, pranë Qendrës së Furnizimit Materialo-Teknik në Mullet.

Kontrata parashikon furnizimin me 12 sisteme shumëfunksionale për mbledhjen dhe administrimin e të dhënave biometrike të personave të ndaluar ose të arrestuar, si dhe 30 pajisje portative për identifikim përmes gjurmëve të gishtave dhe imazhit të fytyrës.

Sistemet fikse do të instalohen në struktura të Policisë së Shtetit ku kryhen procedurat për personat e ndaluar dhe të arrestuar. Ato do të përdoren për krijimin e dosjeve biometrike me të dhëna personale, numrin e regjistrimit penal, gjurmët e dhjetë gishtave dhe të pëllëmbëve, fotografitë ballore dhe në profil, imazhet e tatuazheve dhe shenjave të veçanta, si dhe kampionin e zërit.

Pajisjet duhet të mundësojnë marrjen automatike të fotografive, kontrollin e cilësisë së imazhit, rregullimin e pozicionit të personit dhe transmetimin e të dhënave drejt bazave qendrore të Policisë së Shtetit. Sistemet do të lidhen me AFIS/APIS për gjurmët e gishtave dhe me AFAIS për identifikimin përmes fytyrës.

Dokumentet parashikojnë që gjurmët e personave të ndaluar ose të arrestuar të krahasohen automatikisht me të dhënat e administruara si prova shkencore në çështje penale nën hetim ose të pezulluara. Gjurmët e gjetura në vendngjarje duhet gjithashtu të dërgohen në kohë reale në sistemin AFIS/APIS për krahasim me bazën e të dhënave.

Tridhjetë pajisjet portative do t’u lejojnë strukturave policore të verifikojnë në terren identitetin e një personi përmes gjurmëve të gishtave dhe fytyrës. Rezultatet e kërkimit duhet të rikthehen në terminal së bashku me të dhënat e regjistruara për individin në sistemet qendrore.

Pajisjet do të përdoren edhe për kontrollin e kartave të identitetit, pasaportave biometrike, vizave dhe dokumenteve të udhëtimit. Ato duhet të lexojnë çipin RFID dhe kodin MRZ, të krahasojnë fotografinë dhe gjurmët e ruajtura në dokument me personin që e paraqet atë dhe të analizojnë elementet e sigurisë përmes dritës së bardhë, ultravjollcë, infra të kuqe dhe ndriçimit këndor.

Platforma elektronike do të përfshijë pajisjet, programet dhe shërbimet për lidhjen e terminaleve portative me bazat qendrore. Dokumentacioni kërkon gjithashtu një bazë me modele dokumentesh dhe kartëmonedhash, me elemente sigurie nga të paktën 100 vende.

 

The post Policia, 2.4 milionë euro për qendrën biometrike që do të lidhë fytyrën, gjurmët dhe dokumentet appeared first on Revista Monitor.

Ligji drejt miratimit, institucionet e pagesave marrin akses direkt në sistemet kombëtare të BSH-së

22 July 2026 at 11:00

Ndryshimet në ligjin “për sistemin e pagesave”, pritet të mundësojë pjesëmarrjen direkte të institucioneve financiare jo banka në sistemet kombëtare të pagesave, sipas draftit të depozituar në Kuvendin e Shqipërisë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, objektivi i këtyre ndryshimeve ligjore do të jetë zgjerimi i kategorive të subjekteve pjesëmarrëse në sistemet e pagesave, që funksionojnë në përputhje me parimin e finalitetit të shlyerjes dhe rritja e konkurrencës dhe e efikasitetit në tregun e pagesave, e, rrjedhimisht, rritja e përdorimit të instrumenteve elektronike të pagesave.

Pjesëmarrja direkte në sistemet e pagesave është një kërkesë e hershme e institucioneve financiare të pagesave, sidomos pas miratimit të ligjit të ri “Për shërbimet e pagesave”, që transpozoi Direktivën Europiane të Pagesave PSD 2.

Në argumentimin e këtyre institucioneve, nuk mund të ketë konkurrencë plotësisht të drejtë dhe të barabartë në shërbimet e pagesave, për sa kohë që pjesëmarrja direkte në sistemet e pagesave mundësohet vetëm për bankat tregtare, ndërsa institucionet e pagesave duhet t’i shlyejnë detyrimisht pagesat nëpërmjet tyre.

Për këtë arsye, anëtarësimi direkt i institucioneve financiare jobanka në sistemet kombëtare të pagesave do të shënojë një risi shumë të rëndësishme në funksionimin e tregut të pagesave.

Aktualisht, pjesëmarrësit në sistemin e pagesave të Bankës së Shqipërisë, të pagesave ndërbankare me vlerë të madhe (AIPS) kategorizohen  në pjesëmarrës të drejtpërdrejtë, të tërthortë dhe pjesëmarrës operatorë. Pjesëmarrës të drejtpërdrejtë, të cilët kryejnë pagesat direkt nga llogaritë e tyre të shlyerjes, janë Banka e Shqipërisë dhe bankat tregtare.

Pjesëmarrës të tërthortë, të cilët shlyejnë nëpërmjet llogarive të administruara nga Banka e Shqipërisë, janë Ministria e Financave, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN)), Banka Botërore (IBRD) dhe Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD), që e kanë këtë të drejtë nga ligjet e organizimit të tyre. Banka e Shqipërisë, në rolin e saj si agjent shlyerës për klientët e saj, kryen pagesa për pjesëmarrësit e tërthortë, duke administruar llogari të posaçme për ta.

Pjesëmarrës operatorë, janë subjektet të cilët shlyejnë pozicionet e tyre nëpërmjet llogarive të

shlyerjes së pjesëmarrësve të drejtpërdrejtë në sistemin AIPS mbi bazë të autorizimit të dhënë për ta nga këta të fundit. Në këtë kategori përfshihen operatorë të sistemeve të shlyerjes së titujve, operatorë të sistemeve të pagesave, operatorë të shtëpive të klerimit, operatorë të skemave

kombëtare të pagesave me kartë, si dhe elementë të tjerë të rëndësishëm të sistemit kombëtar të pagesave të licencuar sipas ligjit “Për sistemin e pagesave”,, si edhe operatorë të skemave ndërkombëtare të pagesave me kartë.

Ndërkohë, pjesëmarrësit në sistemin e klerimit të pagesave me vlerë të vogël (AECH) kategorizohen në pjesëmarrës të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë.

Pjesëmarrës të drejtpërdrejtë janë subjektet që shlyejnë nëpërmjet llogarisë së tyre të shlyerjes në sistemin AIPS dhe në këtë kategori përfshihen vetëm Banka e Shqipërisë dhe bankat tregtare.

Pjesëmarrës të tërthortë janë subjektet të cilët shlyejnë nëpërmjet llogarisë së një pjesëmarrësi shlyerës në sistemin AIPS ose nëpërmjet llogarive të administruara nga agjenti shlyerës. Në këtë kategori përfshihen Ministria e Financave dhe pjesëmarrës të tjerë të cilët e kanë këtë të drejtë nga ligjet e organizimit të tyre, si edhe subjektet financiare jobanka të përfshira në aktivitetin e pagesave, transfertave dhe emetimit të parasë elektronike, të cilët mund të mbajnë llogari klientësh dhe që shlyejnë nëpërmjet llogarisë së një banke në sistemin AIPS./ E.Shehu

 

 

The post Ligji drejt miratimit, institucionet e pagesave marrin akses direkt në sistemet kombëtare të BSH-së appeared first on Revista Monitor.

Mbi gjysma e videove më të ndjekura në TikTok për shëndetin mendor përmbajnë dezinformim

22 July 2026 at 10:09

TikTok është kthyer në një nga burimet kryesore ku të rinjtë kërkojnë këshilla për shëndetin mendor, por një analizë e re ngre shqetësime serioze për besueshmërinë e këtij përmbajtjeje. Sipas një raporti të cituar nga People, më shumë se gjysma e 100 videove më të ndjekura me hashtagun #mentalhealthtips përmbajnë informacione të pasakta ose mashtruese.

Videot u analizuan nga psikologë, psikiatër dhe specialistë të shëndetit mendor, të cilët konstatuan se shumë prej tyre ofronin shpjegime të thjeshtëzuara për çrregullime komplekse si depresioni, ankthi, ADHD apo autizmi. Në raste të tjera promovoheshin metoda trajtimi pa prova shkencore, suplemente të paprovuara ose teknika që pretendojnë se mund të “shërojnë traumën” brenda një kohe shumë të shkurtër.

Ekspertët paralajmërojnë se një pjesë e madhe e këtyre videove nxisin vetëdiagnostikimin, duke i bërë përdoruesit të interpretojnë emocione apo sjellje të zakonshme si shenja të një çrregullimi psikologjik. Sipas tyre, përmbajtje të tilla mund të krijojnë konfuzion, të vonojnë kërkimin e ndihmës profesionale dhe të banalizojnë problemet serioze të shëndetit mendor.

Raporti evidenton gjithashtu përdorimin e shpeshtë të gjuhës terapeutike jashtë kontekstit klinik. Terma si “traumë”, “abuzim emocional”, “çrregullim personaliteti” apo “depresion” përdoren shpesh për të përshkruar përvoja të zakonshme të jetës, pa shpjegimet dhe kriteret që kërkon diagnostikimi profesional.

Nga ana e saj, TikTok kundërshtoi metodologjinë e analizës dhe deklaroi se platforma bashkëpunon me organizata shëndetësore, përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetësisë, për të luftuar dezinformimin. Kompania theksoi se heq përmbajtjet e dëmshme dhe promovon burime të besueshme informacioni, ndërsa mbështet edhe ndarjen e përvojave personale nga përdoruesit.

Megjithatë, specialistët këshillojnë që rrjetet sociale të mos përdoren si zëvendësim për konsultën me një profesionist të shëndetit mendor. Përmbajtja në TikTok mund të ndihmojë në rritjen e ndërgjegjësimit, por diagnoza dhe trajtimi duhet të bazohen gjithmonë në vlerësimin e ekspertëve dhe në prova shkencore./ THE GUARDIAN

The post Mbi gjysma e videove më të ndjekura në TikTok për shëndetin mendor përmbajnë dezinformim appeared first on Revista Monitor.

KESH i jep Colenco-s kontratën e konsulencës për parkun diellor 50 MW të Belshit

22 July 2026 at 10:00

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, KESH, i ka dhënë kompanisë Colenco Ltd. kontratën për shërbimet mbështetëse të Njësisë së Zbatimit të Projektit për parkun fotovoltaik të Belshit.

Njoftimi u publikua në platformën e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Kontrata, e nënshkruar më 20 korrik 2026, ka një vlerë prej 425,695 eurosh. Përfundimi i saj është planifikuar për më 26 prill 2030. Colenco, me adresë në Shkup të Maqedonisë së Veriut, do të mbështesë KESH-in në zbatimin e projektit dhe në përmbushjen e kërkesave të dokumenteve të financimit dhe të politikave të BERZH-it.

Sipas njoftimit të kontratës, konsulenti do të ofrojë asistencë për strukturën organizative dhe procedurat operative të njësisë së zbatimit, prokurimin, tenderimin, administrimin e kontratave, raportimin dhe përmbushjen e detyrimeve mjedisore e sociale.

Shërbimet do të mbulojnë të gjithë projektin dhe jo vetëm pjesën e financuar nga BERZH-i. Kontrata nuk është e ndarë në lote. Tenderi për konsulencën u zhvillua me procedurë të hapur dhe me sistem me dy zarfe. Njoftimi fillestar u publikua më 18 nëntor 2025, ndërsa afati për dorëzimin e ofertave ishte 21 janari 2026.

 

Projekt fotovoltaik 50 MW

Projekti i Belshit parashikon ndërtimin e një centrali fotovoltaik tokësor me kapacitet 50 MWp në Shqipërinë qendrore. Vlera totale e parashikuar e projektit është 41.67 milionë euro, sipas njoftimit të përgjithshëm të prokurimit të BERZH-it.

BERZH-i ka siguruar një kredi të garantuar nga shteti shqiptar deri në 30 milionë euro në favor të KESH-it. Të ardhurat e kredisë do të përdoren për ndërtimin e impiantit diellor në zonën e Belshit. Projekti mori miratimin e bordit të bankës më 26 mars 2025.  Njoftimi i prokurimit përcakton gjithashtu një grant prej 9.25 milionë eurosh nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor, WBIF, për financimin e projektit.

Sipas dokumentacionit të BERZH-it, centrali pritet të prodhojë mesatarisht më shumë se 70 GWh energji elektrike në vit. Banka vlerëson se prodhimi i tij do të përfaqësojë rreth 1% të prodhimit vjetor të energjisë elektrike në Shqipëri.

Impianti do të lidhet me rrjetin e transmetimit në nivelin 110 kilovolt, përmes nënstacionit të Kajanit, rreth tetë kilometra larg zonës së centralit. Projekti përfshin gjithashtu ndërtimin e një nënstacioni të ri pranë parkut fotovoltaik dhe infrastrukturën përkatëse të lidhjes me rrjetin./ N.Maho

 

 

The post KESH i jep Colenco-s kontratën e konsulencës për parkun diellor 50 MW të Belshit appeared first on Revista Monitor.

Shqipëria “jeton për t’u ushqyer”, shpenzimet për ushqime sa 20.4% e ekonomisë, rekord në Europë

22 July 2026 at 06:03

Pavarësisht rritjes ekonomike dhe të ardhurave në vitet e fundit, Shqipëria mbetet një ekonomi ku një pjesë shumë e madhe e burimeve financiare përdoret ende për sigurimin e ushqimit.

Sipas të dhënave të Eurostat, të përpunuara nga Monitor, Shqipëria vijon të ketë peshën më të lartë të shpenzimeve për ushqime në raport me madhësinë e ekonomisë, duke lënë pas jo vetëm vendet e Bashkimit Europian, por edhe të gjitha ekonomitë e tjera të rajonit.

Statistikat tregojnë se shpenzimet nominale për ushqime në Shqipëri arritën në vitin 2025 në 20.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), nga 20.5% një vit më parë. Kjo do të thotë se një vlerë e barabartë me rreth një të pestën e gjithë prodhimit vjetor të ekonomisë shqiptare përdoret për blerjen e ushqimeve.

Pesha e lartë e ushqimeve tregon se familjet shqiptare vazhdojnë të përdorin një pjesë të madhe të të ardhurave për nevojat bazë. Në ekonomitë me të ardhura më të larta, ushqimet zënë një pjesë shumë më të vogël të shpenzimeve, pasi familjeve u mbeten më shumë para për strehim, transport, arsim, shëndetësi, kulturë dhe argëtim.

 

Çfarë mat treguesi

Të dhënat janë pjesë e bazës së Eurostat për barazinë e fuqisë blerëse, nivelet e çmimeve dhe shpenzimet sipas kategorive të konsumit.

Treguesi i përdorur në këtë rast është “shpenzimi nominal si përqindje e PBB-së” dhe mat vlerën totale të shpenzimeve për ushqime në një vend, në raport me madhësinë e ekonomisë së tij.

 

Shqipëria mbi të gjithë rajonin

Shqipëria renditej e para në rajon në vitin 2025, me shpenzimet për ushqime sa 20.4% e PBB-së.

Shumë pranë saj ishte Mali i Zi, ku ushqimet përfaqësonin 19.9% të PBB-së, nga 19.3% në vitin 2024. Në Bosnjë dhe Hercegovinë, pesha u rrit lehtë nga 19% në 19.1%.

Në Maqedoninë e Veriut, shpenzimet për ushqime zinin 17.9% të PBB-së në vitin 2025, me rënie nga 18.2% një vit më parë.

Mesatarja e vendeve kandidate dhe potencialisht kandidate, pa përfshirë Turqinë dhe Kosovën, ishte 15.9% e PBB-së, rreth 4.5 pikë përqindjeje më e ulët se në Shqipëri.

Serbia kishte një nivel dukshëm më të ulët se pjesa tjetër e Ballkanit Perëndimor. Shpenzimet për ushqime përbënin 12.8% të PBB-së në vitin 2025, nga 12.7% në vitin 2024.

Për Kosovën, tabela e publikuar nuk përmban të dhëna të veçuara.

 

Europa shpenzon shumë më pak për ushqime

Diferenca me Bashkimin Europian është edhe më e madhe. Në 27 vendet e BE-së, shpenzimet për ushqime përfaqësonin mesatarisht 6.2% të PBB-së në vitin 2025.

Në Shqipëri, pesha prej 20.4% ishte mbi tri herë më e lartë se mesatarja europiane. Diferenca arrinte në 14.2 pikë përqindjeje.

Edhe krahasuar me vendet më të varfra të BE-së, Shqipëria kishte një peshë shumë më të lartë. Në Rumani, ushqimet zinin 12.9% të PBB-së, në Bullgari 11%, ndërsa në Greqi 11.2%.

Në Kroaci, pesha ishte 10.2%, në Portugali 11.4%, ndërsa në Poloni 9%.

Në Itali, shpenzimet për ushqime përfaqësonin 7.9% të PBB-së, ndërsa në Spanjë 6.6%.

Në vendet me të ardhura më të larta, pesha e ushqimeve në ekonomi ishte shumë më e ulët.

Në Gjermani, shpenzimet për ushqime përbënin 5% të PBB-së, në Francë 5.8%, në Austri 4.6% dhe në Zvicër 4%. Në Danimarkë dhe Holandë, raporti ishte vetëm 4.4%, ndërsa në Norvegji 3.3%. Nivelet më të ulëta u regjistruan në Luksemburg, me 2.8% të PBB-së, dhe në Irlandë, me vetëm 2.1%.

 

Çmimet e ushqimeve janë më të shtrenjta se mesatarja e BE-së, sipas fuqisë blerëse

Një nga faktorët që rrit buxhetin e familjeve për ushqime janë çmimet e shtrenjta të tyre, në raport me të ardhurat. Të dhënat e tjera të Eurostat, bënë të ditur se në 2025-n, çmimet e ushqimeve për herë të parë u bënë rreth 3% më të shtrenjta se mesatarja e Bashkimit Europian. Çmimet janë rritur me shpejtësi, nga 85% e mesatares së BE-së që ishin në 2022-n, në 99.6% në 2024-n, për të kaluar në 102.9% në 2025-n.

E thënë më thjesht, një shportë ushqimesh që mesatarisht kushton 100 euro në Bashkimin Europian, në Shqipëri kushton rreth 103 euro, e matur sipas fuqisë blerëse, ndërkohë që të ardhurat për frymë të shqiptarëve janë më pak se gjysma e mesatares europiane (48%, sipas konsumit individual për frymë).

Shqipëria është dhe më e shtrenjta në rajon. Serbia renditet e dyta me një indeks prej 96.6, megjithëse edhe atje çmimet janë rritur gradualisht nga 91.5 në vitin 2022. Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina kanë nivel pothuajse të njëjtë çmimesh, përkatësisht 84.6, ndërsa Maqedonia e Veriut mbetet vendi më i lirë në rajon me 74.3% të mesatares së BE-së. Të dhënat për Kosovën mungojnë.

 

Shqipëria shtrenjtohet më tej në 2025, çmimet e ushqimeve e kalojnë për herë të parë mesataren e BE

 

5 miliardë euro, një e pesta e ekonomisë, për tu ushqyer

Në terma nominalë, shpenzimet për ushqime në Shqipëri arrijnë në rreth 5 miliardë euro në vit. Për banor, çdo shqiptar, sipas Eurostat, shpenzoi 2349 euro në 2025-n, një shifër që është e krahasueshme me mesataren e Bashkimit Europian, prej 2576 euro. Shqipërisë në rajon ia kalon vetëm Mali i Zi (2613 euro), por që ka paga gati 40% më të arta se në Shqipëri. Më pak në vlerë për tu ushqyer shpenzojnë maqedonasit (1666), Bosnjë Hercegovina (1620), Serbia (1735).

The post Shqipëria “jeton për t’u ushqyer”, shpenzimet për ushqime sa 20.4% e ekonomisë, rekord në Europë appeared first on Revista Monitor.

Norma maksimale e lejuar e interesit për kreditë e vogla konsumatorë ulet në 51.37%

22 July 2026 at 06:01

Norma maksimale e interesit (NEI maksimal) për kreditë konsumatore është ulur sërish për gjysmën e dytë të vitit 2026.

Sipas normave të reja të miratuara nga Banka e Shqipërisë, për kreditë konsumatore me vlerë deri në 200 mijë lekë, institucionet financiare nuk mund të aplikojnë normë efektive interesi më të lartë se 51.37%, nga 54.8% që kishte qenë në gjysmën e parë të vitit 2026 dhe nga 62.2% që kishte qenë një vit më parë.

Norma efektive maksimale e interesit përfshin normën nominale të interesit, komisionet e aplikuara nga huadhënësi dhe të gjitha kostot e kredisë që i transferohen klientit.

Sipas ndryshimeve të miratuara në fillim të vitit 2025 nga Banka e Shqipërisë në rregulloren “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare”, norma maksimale e interesit për kreditë konsumatore me këste deri në vlerën e 200 mijë lekëve është sa mesatarja e thjeshtë e normës efektive të interesit për kredinë e dhënë në 6-mujorin paraardhës, pa u shtuar me një të tretën, siç parashikohej më parë.

Ndërkohë, për kreditë në vlerë më të lartë se 200 mijë lekë mënyra e llogaritjes do të vazhdojë të jetë e njëjtë, duke i shtuar mesatares së 6-mujorit të kaluar një të tretën, për të përcaktuar vlerën e NEI-t maksimal.

Pjesë e ndryshimeve në rregullore ishte edhe shtimi i detyrimit për kryerjen e pagesës nga ana e konsumatorit të komisioneve të aplikuara nga subjektet në momentin e dhënies së kredisë

konsumatore, duke mos lejuar shpërndarjen e këtyre kostove përgjatë jetëgjatësisë së kredisë.

Gjithmonë për shumat deri në 200 mijë lekë, NEI maksimal për overdraftet (paradhëniet) është ulur lehtë në 18.07%, nga 18.27% që kishte qenë në gjashtëmujorin e parë 2026 dhe nga 18.3% që kishte qenë në gjashtëmujorin e dytë 2025.

NEI maksimal për kreditë nga 200 mijë lekë deri në 600 mijë lekë ka shënuar rritje në 37.4%, nga 35.43% që kishte qenë në gjashtëmujorin e kaluar dhe 35.21% që kishte qenë në gjashtëmujorin e dytë 2025.

Për overdraftet në intervalin 200-600 mijë lekë, NEI maksimal është ulur në 18.39%, nga 18.5% që ishte në gjashtëmujorin e parë dhe 2025 dhe 18.41 që kishte qenë në gjashtëmujorin e dytë 2025.

Ndërkohë, për kreditë me vlerë nga 600 001 deri në 2 000 000 lekë NEI maksimal është ulur në 14.46%, nga 14.71% që kishte qenë në gjashtëmujorin e kaluar dhe14.93% që kishte qenë në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025.

Aplikimi i një norme tavan interesi për kreditë konsumatore në Shqipëri nisi në fillim të vitit të vitit 2022. Sipas Bankës së Shqipërisë, arsyeja kryesore ishte mbrojtja e konsumatorit nga normat potencialisht abuzive të interesit, të aplikuara kryesisht nga disa institucione financiare jobanka.

Që prej aplikimit për herë të parë, NEI maksimal ka pësuar një rënie të ndjeshme. NEI i parë maksimal për kreditë e vogla deri në 200 mijë lekë, që u vendos në fillim të vitit 2022, ishte në nivelin 171.41%, ndërsa sipas publikimit më të fundit të Bankës së Shqipërisë ky tregues ka zbritur tashmë në 51.37%./ E.Shehu

Burimi: BSH

The post Norma maksimale e lejuar e interesit për kreditë e vogla konsumatorë ulet në 51.37% appeared first on Revista Monitor.

Rritet barra e provës për bizneset, dokumente për zinxhirin e pronësisë dhe kontrollin real

22 July 2026 at 06:00

Bizneseve nuk do t’u mjaftojë më të regjistrojnë vetëm emrin e personit që paraqitet si pronar përfitues.

Projektligji i ri “Për regjistrin e pronarëve përfitues”, tashmë në konsultim, kërkon që subjektet të dokumentojnë mënyrën se si kanë identifikuar pronarin real, hallkat e strukturës së pronësisë dhe mekanizmin përmes të cilit ushtrohet kontrolli përfundimtar.

Sipas draftit, subjektet raportuese duhet “të mbajnë të dhëna dhe dokumente shoqëruese të duhura, të sakta e të përditësuara”, mbi bazën e të cilave përcaktohen pronarët përfitues dhe lloji i kontrollit të ushtruar prej tyre.

Detyrimi nuk kufizohet te dokumentet që provojnë zotërimin e drejtpërdrejtë të aksioneve. Projektligji e përkufizon pronarin përfitues si individin që ka në pronësi ose “kontrollon i fundit” një person juridik, përmes aksioneve, kuotave, të drejtave të votës, pjesëmarrjes në kapital apo “kontrollit nëpërmjet mjeteve të tjera”.

Për strukturat me disa kompani ndërmjetëse, drafti parashikon ndjekjen e pronësisë indirekte në të gjitha nivelet. Pjesëmarrjet në secilën hallkë të zinxhirit duhet të shumëzohen, ndërsa rezultatet e zinxhirëve të ndryshëm të mblidhen.

Teksti kërkon që në këtë vlerësim të merren parasysh “të gjitha kuotat/aksionet në çdo nivel pronësie”. Kur aksionari i një kompanie shqiptare është një person juridik tjetër, subjekti duhet ta ndjekë strukturën deri te individi në fund të zinxhirit dhe të ruajë dokumentet mbi të cilat është mbështetur llogaritja.

Projektligji trajton edhe rastet kur kontrolli nuk buron vetëm nga përqindja e kapitalit. Në përkufizimet e reja përfshihen funksionet drejtuese e mbikëqyrëse dhe marrëveshjet që mund t’i japin një personi ndikim mbi vendimmarrjen.

Drafti përkufizon “marrëveshjen formale të emërimit” si kontratën ku një person udhëzon një tjetër të veprojë në emër të tij, për shembull si drejtor, aksionar ose themelues. Për identifikimin e kontrollit real mund të marrin rëndësi marrëveshjet ndërmjet ortakëve, prokurat, kontratat e administrimit dhe aktet që tregojnë se kush emëron ose udhëzon drejtuesit. Për organizatat jofitimprurëse, kontrolli i fundit efektiv lidhet me personin që përcakton vendimet ose kontrollon zgjedhjen, emërimin dhe largimin e shumicës së organeve vendimmarrëse apo ekzekutive.

Rregulla më të hollësishme vendosen edhe për trustet dhe organizimet ligjore të ngjashme. Për këto struktura duhet të identifikohen krijuesi, kujdestari ose i mirëbesuari, mbrojtësi, përfituesit dhe çdo individ tjetër që ushtron kontrollin përfundimtar.

Regjistri duhet të përmbajë gjithashtu të dhëna mbi aktin e themelimit, qëllimin, pasuritë e administruara dhe vendin nga ku drejtohet organizimi. Informacioni i deklaruar nuk do të qëndrojë i izoluar në regjistër. Sipas projektligjit, Regjistri i Pronarëve Përfitues duhet të mbledhë në kohë reale të dhëna nga regjistra të tjerë shtetërorë, ndërsa Qendra Kombëtare e Biznesit do të përgjigjet për administrimin, përpunimin dhe ruajtjen e tyre.

Kontrolli dokumentar merr peshë kur bankat, institucionet financiare ose subjektet e tjera të detyruara konstatojnë se informacioni në regjistër nuk përputhet me të dhënat e mbledhura gjatë verifikimit të klientit. Në këto raste, kompania duhet ta përditësojë informacionin, nëse mospërputhja është e saktë, ose të konfirmojë të dhënat ekzistuese.

Regjistri u krijua pas kërkesave ndërkombëtare për më shumë transparencë

Ligji për Regjistrin e Pronarëve Përfitues u miratua në kuadër të forcimit të transparencës së pronësisë dhe zbatimit të rekomandimeve ndërkombëtare kundër pastrimit të parave.

Në dhjetor 2018, MONEYVAL, organi i Këshillit të Europës që vlerëson sistemet kombëtare kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, i kërkoi Shqipërisë të përmirësonte efektivitetin e sistemit. Në qershor 2019, Kuvendi miratoi pesë ligje me synimin për të adresuar rekomandimet e këtij institucioni dhe për të forcuar kuadrin parandalues.

FATF, organizmi ndërqeveritar që vendos standardet globale kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, e përfshiu Shqipërinë në shkurt 2020 në listën e juridiksioneve nën monitorim të shtuar, e njohur si “lista gri”. Shqipëria doli nga ky monitorim më 27 tetor 2023, pasi FATF vlerësoi se vendi kishte përfunduar planin e veprimit.

Në të njëjtën periudhë u ngrit edhe kuadri ligjor për pronësinë përfituese. Komisioni Europian raportoi se ligji për krijimin e regjistrit u miratua në korrik 2020, ndërsa regjistri u bë funksional në fund të qershorit 2021, me të dhëna nga bizneset dhe organizatat jofitimprurëse.

Në qershor 2023, MONEYVAL vlerësoi se Shqipëria kishte përmirësuar përputhshmërinë teknike me Rekomandimin 25 të FATF-së, që lidhet me transparencën dhe pronësinë përfituese të trusteve dhe organizimeve të tjera ligjore.

Edhe raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë 2025 nënvizonte se  “Regjistri i Pronarëve Përfitues është funksional” por një tjetër dokument tjetër zyrtar i Komisionit, i lidhur me programimin e financimit për Ballkanin Perëndimor, evidentonte se pavarësisht kësaj vijojnë sfidat në zbatimin e ligjeve kundër pastrimit të parave dhe në zbatimin e plotë të regjistrit./ N.Maho

The post Rritet barra e provës për bizneset, dokumente për zinxhirin e pronësisë dhe kontrollin real appeared first on Revista Monitor.

❌