Normal view

Biznese online me mijëra ndjekës në Instagram, por të paregjistruar, vetëm 2 mijë të rregullta

By: Ornela
17 August 2026 at 16:31

Pandemia Covid-19 duket se e ka shndërruar blerjen online nga një zgjedhje e pakicës në një zakon të përditshëm konsumi për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë.

Për 2024, rreth 43% e blerjeve online janë kryer nga individë të mashës nga 16 deri 74 vjeç. Krahasuar me periudhën para pandemisë së Covid-19 blerjet online janë shtuar rreth 33%. Veshjet, këpucësh, aksesorët, e ndjekur nga ushqimi me porosi janë tipologjitë ku shitja realizohet masivisht nëpërmjet faqeve të rrjeteve sociale.

Në total në vend janë 2,016 biznese të regjistruara për tregti dhe shërbime online ku 68% e tyre ndodhen në Tiranë. 76% e këtyre bizneseve funksionojnë si persona fizikë dhe 23% e tyre janë entitete. Të dhënat për sektorin e tregtisë dhe shërbimeve online u publikuan në Planin Operacional për sektorin nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Pir pavarësisht zgjerimit të sektorit dhe rritjes së shitjeve online, ky sektor vijon të ketë informalitet të lartë. Tatimet gjithashtu njoftuan aksionin për kontrollin e këtij sektori ashtu siç është vepruar edhe me sektorë të tjerë më parë.

https://monitor.al/tatimet-aksion-per-shitjet-dhe-sherbimet-online-fokus-regjistrimi-dhe-deklarimi-i-xhiros/

Plani Operacioanl evidenton se katër janë tipologjitë kryesore të shitjeve online, përfshirë mes rrjeteve sociale, reklamat nëpërmjet portaleve, qendrave telefonike që kontaktojnë konsumatorët dhe operatorët postarë. Krahas tyre administrata tatimore ka identifikuar edhe risqet për secilën tipologji.

  1. Shitja Online e Mallrave Kanalet: E-commerce me shportë, Instagram/Facebook (porosi me mesazh), aplikacione celulare. Risku: Mijëra ndjekës dhe aktivitet i përditshëm, por të paregjistruar ose me qarkullim të deklaruar simbolik.
  2. Reklamimi Online Portalet: Njoftime shitjeje kundër pagesës (prona, automjete). Rrjetet sociale: Postime/stories me pagesë nga faqe me audiencë të madhe. Risku: Veprimtari ekonomike që pothuajse asnjëherë nuk shoqërohet me faturim te rregullt.
  3. Telemarketingu Modeli: Qendra telefonike kontaktojne konsumatoret per shitje produktesh, te kombinuar me reklamim ne rrjete sociale. Risku: Teleshitja me shpërndarje korrieri kundër pagesës në dorëzim, fshehje e qarkullimit.
  4. Operatoret Postare/Korrier Roli: Dorëzimi dhe arkëtimi ne dorëzim. Shërbime ndërmjetësimi shpërndarjeje. Dualiteti: Objekt i planit (për detyrimet fiskale) dhe partner të dhënash (evidenca e dërgesave mundëson rindërtimin e volumit të shitjeve).

5 risqet kryesore të sektorit online

1.Regjistrimi i tatimpaguesve/shitësve në Instagram dhe Facebook pa NIPT. BE/DAC7: platformat digjitale raportojnë identitetin dhe të ardhurat e shitësve.

2.Deklarimi i pasaktë i qarkullimit

Nëndeklarimi i shitjeve, veçanërisht kur pagesa kryhet në dorëzim (cash on delivery). CESOP: krijon mundësi për analizimin e pagesave ndërkufitare, përfshirë pragun prej mbi 25 pagesash për tremujor për një përfitues.

  1. Punonjësit e padeklaruar

Punësim i maskuar në platforma. ILO/OECD: rregullimi vendimtar.

4.Pagat e padeklaruara ose të nëndeklaruara

Rreziku i pagesave jashtë listëpagesës, përfshirë praktikën e “pagës në zarf”.

  1. Shmangia e regjistrimit në TVSH

Shmangie TVSH duke fshehur qarkullimin. Modeli britanik: subjekt i vetëm.

 

 

 

The post Biznese online me mijëra ndjekës në Instagram, por të paregjistruar, vetëm 2 mijë të rregullta appeared first on Revista Monitor.

Tatimet aksion për shitjet dhe shërbimet online, fokus regjistrimi dhe deklarimi i xhiros

By: Ornela
17 August 2026 at 15:18

Pas aksionit në sektorin e  ndërtimit dhe tregut të agjencive imobiliare, administrata tatimore zbatimin e Planit Sektorial do ta fokusojë për Tregtinë dhe Shërbimet Online

Plani Sektorial për Tregtinë dhe Shërbimet Online sipas Drejtorisë së përgjithshme të Tatimeve është një iniciativë që synon forcimin e pajtueshmërisë tatimore, formalizimin e ekonomisë dixhitale dhe krijimin e kushteve të barabarta të konkurrencës për bizneset që ushtrojnë veprimtari në internet.

Plani mbështetet në analizën e zhvillimit të tregtisë elektronike në Shqipëri, e cila ka njohur rritje të ndjeshme gjatë viteve të fundit, si dhe në kuadrin ligjor dhe strategjik në fuqi, përfshirë Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave 2024–2027 dhe Planin Strategjik të Administratës Tatimore 2024–2028.

Në zbatim të planit do të identifikohen dhe analizohen risqet kryesore të sektorit, me fokus në:

* regjistrimin e tatimpaguesve;

* deklarimin e saktë të qarkullimit;

* përmbushjen e detyrimeve për TVSH;

* deklarimin e punonjësve dhe të pagave;

* respektimin e detyrimeve për faturimin elektronik.

Gjithashtu, plani parashikon përdorimin e analizës së riskut, shkëmbimin e të dhënave me institucione dhe operatorë të tjerë, si dhe ndërmarrjen e veprimeve të koordinuara për rritjen e pajtueshmërisë vullnetare dhe trajtimin e rasteve me risk të lartë.

Përmes këtij plani, Administrata Tatimore synon të mbështesë zhvillimin e një tregu online transparent dhe të formalizuar, duke garantuar trajtim të barabartë për të gjithë operatorët ekonomikë dhe duke kontribuar në uljen e ekonomisë informale dhe rritjen e të ardhurave buxhetore.

Administrata Tatimore fton të gjithë tatimpaguesit që ushtrojnë aktivitet në fushën e tregtisë dhe shërbimeve online të përmbushin detyrimet e tyre tatimore në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke kontribuar në formalizimin e ekonomisë, zhvillimin e një tregu transparent dhe krijimin e kushteve të barabarta të konkurrencës.

https://www.tatime.gov.al/shkarko.php?id=14669

 

Planin Operacional për sektorin e ndërtimit, me qëllim monitorimin dhe kontrollin e praktikave financiare në këtë sektor nisi në mesin e muajit Dhjetor.

Fillimisht, Plani Operacional për këtë sektor u zbatua mbi një fushatë informuese që zgjati 30 ditë. Pas përfundimit të saj tatimet nisën kontrollet për subjektet që nuk i ishin përgjigjur thirrjeve të administratës tatimore.

https://monitor.al/tatimet-nisin-kontrollin-per-ndertimin-kompanite-njoftohen-per-deklarimin-e-pagave-dhe-shitjeve/

 

 

The post Tatimet aksion për shitjet dhe shërbimet online, fokus regjistrimi dhe deklarimi i xhiros appeared first on Revista Monitor.

Pas PPP-së, shteti tenderon dializën me kosto 43 % më të lartë se mesatarja e koncesionit  

17 August 2026 at 14:44

Pas përfundimit të koncesionit të dializës, shteti ka hapur një tender të ri për ofrimin e këtij shërbimi në pesë spitale rajonale, me një fond mesatar vjetor rreth 23% më të lartë se pagesa e kryer për PPP-në në vitin 2025 dhe 43 % më e lartë se mesatarja e pagesave  vjetore nga viti 2017-2025.

Operatori i Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit sh.a. ka shpallur procedurën për ofrimin e shërbimit të hemodializës në pesë qendrat e ngritura pranë spitaleve të Shkodrës, Lezhës, Korçës, Vlorës dhe Elbasanit.

Fondi limit i tenderit është rreth 4.59 miliardë lekë, ndërsa marrëveshja kuadër do të ketë një kohëzgjatje prej 48 muajsh. E ndarë për katër vjet, vlera arrin mesatarisht në rreth 1.15 miliardë lekë në vit.

Kjo shumë është ndjeshëm më e lartë se pagesat vjetore që buxheti i shtetit ka kryer për koncesionin e dializës.

Në vitin 2025, pagesa faktike për PPP-në arriti në 932 milionë lekë, ë elartë e gjithë periudhës që duket se ka shërbyer si bazë për kontratën e re. Krahasuar me këtë shumë, fondi mesatar vjetor i tenderit të ri është rreth 216 milionë lekë më i lartë, ose 23.2% më shumë.

Edhe krahasimi me pagesat e viteve të fundit tregon se procedura e re parashikon një kosto më të lartë. Në vitin 2024, koncesioni i dializës mori 920 milionë lekë nga buxheti, ndërsa në vitin 2023 pagesa ishte 875 milionë lekë. Në vitin 2022, për këtë kontratë u paguan rreth 803 milionë lekë. Mesatarja e pagesave vjetore gjate të gjithë periudhës së koncensionit ishte 769 milionë lekë. Fondet që shteti ka vënë në dispozicion janë 43 për qind më të larta se kjo mesatare.

Gjatë 2017–2025, pagesat për koncesionin arritën në total rreth 6.9 miliardë lekë. Fondi prej 4.59 miliardë lekësh i tenderit të ri vetëm për katër vite 30%, më i lartë se shuma e paguar për PPP-në gjatë katër viteve të fundit.

Pagesat vjetore për koncesionin e dializës kanë ardhur në rritje gjatë pjesës më të madhe të periudhës së zbatimit. Nga rreth 370 milionë lekë në vitin 2017, ato u rritën në 739 milionë lekë më 2018 dhe në 804 milionë lekë më 2019.

Kontrata PPP për ofrimin e shërbimit të hemodializës u lidh në shkurt të vitit 2016, me një afat 10-vjeçar. Ajo përfshinte shërbimin në pesë spitalet rajonale dhe parashikonte një pagesë prej 11,203 lekësh për çdo seancë dialize.

Pas përfundimit të kontratës koncesionare, qendrat dhe pajisjet kalojnë në administrimin e operatorit shtetëror. Megjithatë, shërbimi do të kontraktohet përsëri nga jashtë nëpërmjet procedurës së prokurimit.

Tenderi u shpall sot, ndërsa afati i fundit për dorëzimin e ofertave është 1 shtatori. Procedura është e hapur, mbi kufirin e lartë monetar, dhe burimi i financimit përcaktohet si vetëfinancim.

Vlera prej 4.59 miliardë lekësh përfaqëson fondin maksimal të parashikuar për marrëveshjen katërvjeçare. Shuma përfundimtare do të përcaktohet nga oferta fituese dhe kontratat që do të lidhen gjatë zbatimit të marrëveshjes.

 

The post Pas PPP-së, shteti tenderon dializën me kosto 43 % më të lartë se mesatarja e koncesionit   appeared first on Revista Monitor.

Punimet në Tiranë-Durrës, 26% e fazës së tretë, në diskutim një rrethrrotullim në Kashar

17 August 2026 at 14:30

Punimet për fazën e tretë të zgjerimit të autostradës Tiranë-Durrës kanë arritur në 26%, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë edhe një zgjidhje të re për lëvizjen e banorëve dhe bizneseve në zonën e Kasharit, përfshirë mundësinë e një rrethrrotullimi.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, dhe drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar Ami Kozeli zhvilluan këtë të  hënë një inspektim në kantierin e fazës së tretë, pas përfundimit të dy fazave të para të zgjerimit.

Faza e tretë parashikon zgjerimin e autostradës në tre korsi lëvizjeje dhe një korsi emergjence, si dhe ndërhyrje në nyjet e Laknasit dhe Kasharit.

“Kjo fazë e kontratës përfshin zgjerimin në tre korsi dhe një tjetër emergjence. Ndërkohë përfshihet edhe mbikalimi në disnivel i Laknasit dhe ndërtimi i mbikalimit të ri të Kasharit, që do të jetë me strukturë metalike dhe me gjatësi 94 metra,” tha Ami Kozeli.

Sipas tij, ecuria e punimeve ka arritur aktualisht në 26%, ndërsa kantieri është hapur në disa fronte njëkohësisht.

“Punimet janë të hapura në disa fronte. Ne ndodhemi në frontin ku po bëhet mbushja e bazamentit dhe tombinos, ndërkohë që në drejtimin Tiranë-Durrës kanë përfunduar muret mbajtëse dhe po vijon mbushja e trupit të rrugës,” tha Kozeli.

Një pjesë e rëndësishme e projektit lidhet me nyjen e Laknasit. Ajo është parashikuar si një nyje në disnivel me katër rampa, dy hyrëse dhe dy dalëse, si dhe një nyje në nivel për të menaxhuar trafikun e zonës së banuar.

“Sa i takon nyjës së Laknasit kemi një nyje në disnivel me katër rampa, dy hyrëse dhe dy dalëse, një nyje në nivel që do të shërbejë për trafikun dhe mjetet, sepse aty është një qendër e banuar, pra është një komunitet i tërë,” tha Kozeli.

Projekti parashikon edhe një rrugë lidhëse rreth 300 metra mes nyjës në disnivel dhe asaj në nivel.

Gjatë inspektimit u diskutua edhe shqetësimi i ngritur nga bizneset dhe banorët për lëvizjen në zonën e Kasharit. Sipas ministrit, një nga alternativat në shqyrtim është vendosja e një rrethrrotullimi, për të shmangur nevojën që mjetet të shkojnë deri në Vorë ose Casa Italia për të kryer kthimin.

“Bizneset dhe banorët kanë ngritur si shqetësim pjesën e kalimit sa i takon Kasharit dhe aty është menduar vendosja e një rrethrrotullimi, që të mos shkojnë në Vorë apo Casa Italia për të bërë kthimin për të dalë në nyjen e Rinasit,” tha ai.

Kozeli tha se kontraktori po përgatit një propozim që do të kalojë për diskutim në Këshillin Teknik.

“Kontraktori po përgatit një propozim që do ta sjellë për diskutim në Këshillin Teknik,” tha ai, duke shtuar se hapësira në zonë nuk lejon ndërtimin e një rrethrrotullimi me diametër të madh.

“Duhet gjetur një zgjidhje që të mos sjellë trafik,” u tha gjatë inspektimit.

Kontrata për fazën e tretë ka afat përfundimi deri në prill 2027. Sipas ARRSH-së, segmenti nuk është i gjatë, por përfshin një numër të madh veprash arti dhe konsiderohet teknikisht kompleks. Në projekt përfshihet edhe mobilimi urban dhe ndërtimi i gjashtë mbikalimeve për këmbësorët në pika ku më parë kanë ekzistuar kalime me devijime të vogla. Sipas Kozelit, mbikalimet e reja do të jenë rreth 72 metra të gjata.

 

The post Punimet në Tiranë-Durrës, 26% e fazës së tretë, në diskutim një rrethrrotullim në Kashar appeared first on Revista Monitor.

Punësimi i të huajve, udhëzimi i ri shkurton në 1 ditë afatin për miratimin e kërkesave

By: Ornela
17 August 2026 at 14:28

Ndryshojnë procedurat për punësimin e shtetasve të huaj. Udhëzimi i ri i përbashkët i Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme që shfuqizon rregullat e miratuara në vitin 2023, shkurton afatet për miratimin online të kërkesës për punësim.

Sipas udhëzimit të ri të botuar në Fletoren Zyrtare, aplikimet për leje unike do të bëhen përmes platformës e-Albania, ndërsa Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA), do të ketë vetëm 1 ditë pune për të dhënë një përgjigje nga 2 javë (10 ditë punë) që ishte afati i mëparshëm.

“Autoriteti përgjegjës qendror/rajonal i AKPA së shprehet në sistemin elektronik online, me miratim paraprak/aprovim/kërkesë për plotësim dokumentacioni apo refuzim të kërkesës për miratim punësimi, brenda 1 (një) dite pune pas vlerësimit të aplikimit në sistemin e shërbimeve të punësimit, kontratës së punës/ofertës së punës (sipas formatit standard në shtojcën 1 dhe/ose dokumenteve të tjera të nevojshme)”, përcaktohet në udhëzimin e ri.

Udhëzimi i ri zgjeron edhe kategoritë e të huajve që përfshihen në procedurën e miratimit të punësimit, duke synuar një proces më të shpejtë dhe më të thjeshtë administrativ.

Udhëzimi i vitit 2023  përfshinte kryesisht punëmarrës, punëtorë sezonalë, ICT, të kualifikuar, vullnetarë, sportistë dhe shërbime kontraktuale.

Në udhëzimin e ri, shtohet edhe kategori të tjera, përfshirë të vetëpunësuarit, punonjësit ndërkufitarë, personat për formim profesional dhe punëtorët e shtëpisë.

 

Udhëzimi i ri për punësimin e të huajve

  1. Bashkëpunimin ndërinstitucional ndërmjet autoriteteve shtetërore përgjegjëse që mbulojnë çështjet e kufirit dhe migracionit, dhe autoriteteve shtetërore përgjegjëse që mbulojnë çështjet e punësimit të të huajve, mbi zbatimin e procedurave të miratimit të lejes unike, për kategoritë e të huajve që kërkojnë miratim për punësim.
  2. Kërkesa për pajisje me leje unike ose për ripërtëritjen e saj, bëhet nëpërmjet platformës ealbania, drejtuar drejtorisë së kufirit dhe migracionit në rajonin ku kryhet aktiviteti.
  3. Për kategoritë e të huajve, punëmarrës, të vetëpunësuar, punonjës ndërkufitarë, për formim profesional, punëtorët e shtëpisë, punonjës stinorë, të transferuar brenda ndërmarrjes, punonjës me kualifikim të lartë, vullnetarë, sportistë dhe shërbime kontraktuale, kërkesa shqyrtohet fillimisht nga autoriteti përgjegjës qendror/rajonal i Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA), që mbulon territorin ku i huaji kryen aktivitetin.
  4. Për shtetasit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe anëtarët e familjes së tyre, dhe shtetas të zonës Shengen, që nuk janë anëtarë të Bashkimit Evropian dhe që janë me qëndrim të ligjshëm në Republikën e Shqipërisë, shtetasit e njërit prej vendeve të Ballkanit Perëndimor, Bosnjë Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, kërkesa trajtohet vetëm nga struktura vendore e kufirit dhe migracionit, ndërsa AKPA-ja i siguron të dhënat për këtë kategori të huajsh të punësuar, nëpërmjet sistemit elektronik.
  5. Autoriteti përgjegjës qendror/rajonal i AKPA së shprehet në sistemin elektronik online, me miratim paraprak/aprovim/kërkesë për plotësim dokumentacioni apo refuzim të kërkesës për miratim punësimi, brenda 1 (një) dite pune pas vlerësimit të aplikimit në sistemin e shërbimeve të punësimit, kontratës së punës/ofertës së punës (sipas formatit standard në shtojcën 1 dhe/ose dokumenteve të tjera të nevojshme).
  6. Autoriteti përgjegjës qendror/rajonal i AKPAsë, miraton kërkesën për punësim nëse janë plotësuar kriteret e pikës 6, të nenit 74, të ligjit “Për të huajt”, të ndryshuar, kriteret dhe dokumentacionin sipas vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 858, datë 29.12.2021, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave e të dokumentacionit për hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e të huajve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe duke u bazuar në dokumentacionin e siguruar nëpërmjet konsultimit me sisteme të tjera informatike.
  7. Për ripërtëritjen e lejes unike, në rastet kur kërkohet miratimi për punësim, ndiqet e njëjta procedurë si në rastin e kërkesës për miratim për punësim për herë të parë, me përjashtim të shpalljes së vendit të lirë të punës
  8. Në rast se, miratimi për punësimin e një të huaji revokohet, autoriteti përgjegjës qendror/ rajonal i AKPA-së, shprehet në sistemin elektronik online për revokimin e miratimit për punësim.
  9. Autoriteti përgjegjës vendor për kufirin dhe migracionin dhe autoriteti përgjegjës qendror/ rajonal i AKPA-së, shkëmbejnë informacione për rastet kur ka ndryshim të kushteve të punësimit apo kur AKPA-ja refuzon të japë miratimin për punësimin e një të huaji.
  10. Verifikimi i dokumentacionit të paraqitur online për miratimin e lejes unike, bëhet nga autoriteti përgjegjës vendor për kufirin dhe migracionin.
  11. Drejtori i përgjithshëm i AKPA-së përcakton personat përgjegjës për aprovimin apo refuzimin e kërkesës në strukturën qendrore/rajonale.
  12. Udhëzimi i përbashkët i ministrit të Brendshëm dhe i ministrit të Financave dhe Ekonomisë nr. 3, datë 11.1.2023, “Mbi bashkëpunimin ndërinstitucional ndërmjet autoriteteve përgjegjëse të Ministrisë së Brendshme dhe autoriteteve përgjegjëse të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, për përcaktimin e procedurave për miratimin e lejes unike”, shfuqizohet. 1
  13. Për zbatimin e këtij udhëzimi ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive. Ky udhëzim hyn në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

The post Punësimi i të huajve, udhëzimi i ri shkurton në 1 ditë afatin për miratimin e kërkesave appeared first on Revista Monitor.

Pronat shtetërore mbi 70-vjeçare do të verifikohen për interes kulturor

17 August 2026 at 13:59

Pasuritë e paluajtshme në pronësi të shtetit që janë ndërtuar më shumë se 70 vjet më parë, ose që mund të kenë vlera historike, arkitektonike apo arkeologjike, do të përfshihen në lista të posaçme për t’iu nënshtruar verifikimit të interesit kulturor.

Rregullat e reja përcaktohen në një udhëzim të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, të botuar tashmë në Fletoren Zyrtare. Akti përcakton kriteret për identifikimin e pronave shtetërore, dokumentimin e tyre dhe dërgimin e dosjeve pranë institucioneve të trashëgimisë kulturore.

Sipas udhëzimit, në listat për verifikim përfshihen pronat që plotësojnë të paktën një prej disa kritereve. Një prej tyre është që objekti të jetë “ndërtuar ose krijuar më shumë se 70 vjet” përpara hartimit të listës. Në proces mund të futen gjithashtu ndërtesa ose prona që paraqesin shenja të vlerave historike, artistike, arkitektonike, arkeologjike ose etnografike.

Kriteret shkojnë edhe përtej moshës së ndërtesës. Verifikimit mund t’i nënshtrohen pasuri që shfaqen në dokumente historike, arkivore, bibliografike ose hartografike, si edhe ato që ndodhen brenda qendrave dhe ansambleve historike, peizazheve kulturore apo zonave arkeologjike.

Procesi mund të nisë edhe nga propozime të institucioneve të trashëgimisë, autoriteteve që administrojnë pronën, pushtetit vendor, komuniteteve lokale ose organizatave të shoqërisë civile, sipas udhëzimit.

Listat do të hartohen nga institucioni që administron pronën, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore. Për këtë do të përdoren dokumentet administrative, teknike, kadastrale dhe historike, si edhe informacioni i mbledhur nga verifikimet në terren.

Për çdo pronë do të kërkohet një grup i gjerë të dhënash: emërtimi, vendndodhja, koordinatat gjeografike, të dhënat kadastrale kur ekzistojnë, institucioni që e administron, gjendja fizike, përdorimi aktual dhe informacioni paraprak mbi vlerat e mundshme kulturore. Listat duhet të përgatiten dhe të ruhen në format elektronik.

Përveç listës, për çdo pasuri do të hartohet një skedë e veçantë. Ajo duhet të mbështetet në verifikimin në terren, dokumentacionin teknik dhe kadastral, arkivat historike, fotografitë dhe hartat. Udhëzimi kërkon që informacioni të jetë “i plotë, i saktë dhe i përditësuar”.

Skeda do të përmbajë edhe të dhëna për historikun e objektit, arkitekturën, ndërhyrjet e mëparshme për konservim apo restaurim, materialet e ndërtimit dhe elementet e tij konstruktive. Modeli i miratuar kërkon gjithashtu të dhëna mbi pronësinë, sipërfaqen, numrin e kateve dhe aksesin në pronë.

Një pjesë e veçantë e dokumentimit lidhet me gjendjen e pronës dhe rreziqet. Skedat duhet të evidentojnë nëse objekti është në përdorim, përdoret pjesërisht ose nuk përdoret, si dhe nëse përballet me rrezik nga tërmeti, përmbytjet, rrëshqitjet, zjarri, ndryshimet klimatike apo faktorë të tjerë.

Udhëzimi vendos edhe një shkallë për gjendjen strukturore. Objektet mund të klasifikohen nga ato në gjendje të mirë dhe pa rrezik deri te ndërtesat në nevojë restaurimi, objektet me rrezik qëndrueshmërie dhe ato plotësisht të shkatërruara e jashtë funksionit.

Pas përgatitjes, listat dhe skedat i dërgohen Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore së bashku me fotografitë, hartat dhe dokumentacionin kadastral të disponueshëm. Instituti ka 15 ditë pune për të kontrolluar nëse dokumentacioni është i plotë dhe në përputhje me kërkesat.

Nëse dosja ka mangësi, institucioni administrues duhet ta plotësojë ose korrigjojë brenda një afati që nuk mund të jetë më i gjatë se 20 ditë pune. Në raste të arsyetuara ky afat mund të zgjatet edhe me 10 ditë të tjera. Nëse dokumentacioni nuk plotësohet në kohë, procedura mbyllet dhe një paraqitje e mëvonshme trajtohet si kërkesë e re.

Kur verifikimi përfundon dhe ministri përgjegjës e deklaron objektin pasuri kulturore, dokumentacioni përcillet për regjistrim në Regjistrin Kombëtar të Pasurive Kulturore.

Marrja e statusit të pasurisë kulturore nuk ndryshon pronësinë ose institucionin që administron objektin. Sipas udhëzimit, prona vazhdon të administrohet nga institucioni përkatës, por do t’u nënshtrohet detyrimeve, kufizimeve dhe kërkesave që burojnë nga legjislacioni për trashëgiminë kulturore.

 

The post Pronat shtetërore mbi 70-vjeçare do të verifikohen për interes kulturor appeared first on Revista Monitor.

Portugalia dhe Spanja, në qendër të krizës së strehimit në BE

By: Ornela
17 August 2026 at 13:36

Portugalia dhe Spanja po përballen me dy nga krizat më të rënda të strehimit në Bashkimin Europian, pasi rritja e popullsisë e nxitur nga emigracioni, burokracia dhe kostot e larta të ndërtimit kanë krijuar mungesa të mëdha banesash.

Këto mungesa po ushqejnë pakënaqësinë publike dhe tensionet politike në Europë, duke shtyrë lart çmimet dhe qiratë, duke i detyruar banorët të largohen nga lagjet e tyre dhe duke e bërë gjithnjë e më të vështirë për shumë familje të përballojnë edhe një banesë modeste.

Presioni është veçanërisht i fortë në qytetet më të mëdha të Gadishullit Iberik.

Sipas një studimi të Bankës së Spanjës, Portugalia ndërtoi rreth 300 mijë banesa më pak nga sa kërkonte rritja e popullsisë gjatë periudhës 2021-2025. Ky deficit ishte i barabartë me 6.6% të numrit të përgjithshëm të familjeve në vend vitin e kaluar.

Në Spanjë, mungesa arriti në rreth 750 mijë banesa, ose 3.7% të numrit të familjeve.

Për krahasim, mesatarja e deficitit të banesave në Eurozonë ishte vetëm 0.5%. Portugalia dhe Spanja kanë gjithashtu ndër nivelet më të ulëta të banesave publike në Bashkimin Europian.

Guvernatori i Bankës së Portugalisë, Álvaro Santos Pereira, tha për Financial Times se problemi i përballueshmërisë së banesave mbetet shqetësues në disa rajone të vendit, veçanërisht në Lisbonë dhe Porto.

Ai pranoi se flukset e larta migratore kanë rritur numrin e familjeve rezidente, por theksoi se zgjidhja duhet të vijë kryesisht nga shtimi i ofertës së banesave të reja.

Portugalia ka përjetuar vitet e fundit një rritje të fortë të emigracionit, që ka përfshirë si emigrantë me të ardhura të ulëta nga Azia Jugore, ashtu edhe individë me të ardhura të larta që përfitonin nga skema e “vizave të arta”. Deri në ndryshimin e rregullave në vitin 2023, këto viza mund të merreshin edhe përmes blerjes së pronave.

Sipas Santos Pereira, situata ka nisur të përmirësohet. Banka e Portugalisë vlerëson se në vitin 2025 ndërtimi i banesave të reja pothuajse arriti ritmin e krijimit të familjeve të reja, pjesërisht edhe për shkak të ngadalësimit të emigracionit. Megjithatë, deficiti i grumbulluar gjatë viteve të mëparshme mbetet i lartë.

Kryeministri i qendrës së djathtë, Luís Montenegro, në pushtet që prej vitit 2024, ka shmangur retorikën kundër emigracionit të partive populiste të djathta, por ka shtrënguar rregullat e hyrjes dhe kushtet për lejet e përkohshme të qëndrimit.

Guvernatori i Bankës së Portugalisë kërkon që debati të zhvendoset nga kufizimi i kërkesës drejt rritjes së ofertës.

“Theksi duhet të vendoset te masat nga ana e ofertës, pasi mungesa e ofertës është në themel të deficitit të akumuluar”, tha ai.

Megjithatë, sektori i ndërtimit në Portugali ende nuk është rikuperuar plotësisht nga goditja e krizës së Eurozonës.

Manuel Maria Gonçalves, drejtues i Shoqatës Portugeze të Zhvilluesve dhe Investitorëve të Pronave, tha se gjatë asaj periudhe vendi humbi kompani, punonjës dhe kapacitete prodhuese.

Sipas tij, zhvilluesit janë të gatshëm të ndërtojnë, por rritja e kostove dhe burokracia e tepërt e bëjnë gjithnjë e më të vështirë realizimin me fitim të banesave të destinuara për shtresën e mesme. Për pasojë, investimet po orientohen më shumë drejt segmenteve më të shtrenjta, ku këto kosto mund të përthithen më lehtë.

Ai vlerësoi pozitivisht disa masa të miratuara këtë vit nga parlamenti portugez, përfshirë uljen e TVSH-së për punimet e ndërtimit dhe thjeshtimin e procedurave të lejeve, të cilat pritet të përmirësojnë leverdishmërinë ekonomike të projekteve të banimit.

Banka e Spanjës e ka matur deficitin e banesave duke krahasuar numrin neto të familjeve të reja të krijuara çdo vit me numrin e banesave për të cilat ishin miratuar leje ndërtimi dy vjet më parë, duke marrë parasysh kohën e nevojshme për ndërtim.

Nga ekonomitë e mëdha të BE-së, Gjermania rezultoi me ofertën më të mirë të banesave. Duke përdorur lejet e ndërtimit si tregues, vendi kishte një suficit të barabartë me 0.5% të numrit të familjeve në periudhën 2021-2025. Nëse llogaritja bëhet mbi bazën e banesave të përfunduara, megjithatë, Gjermania kishte një deficit të vogël prej 0.1%.

Në Spanjë dhe Portugali, një tjetër faktor që po zvogëlon stokun e banesave për rezidentët është përdorimi i apartamenteve për qira turistike afatshkurtra.

Zhvilluesit dhe organizatat e shoqërisë civile thonë se mungesa e banesave po detyron njerëzit të flenë në shtëpitë e miqve, të marrin me qira vetëm një dhomë në apartamente ku jetojnë disa familje dhe të përballojnë udhëtime gjithnjë e më të gjata drejt vendit të punës.

Në Lisbonë, një banor me pagë mesatare do të duhej të shpenzonte më shumë se 110% të të ardhurave mujore për të marrë me qira një apartament tipik me një dhomë gjumi në qendër të qytetit, niveli më i lartë në Europë sipas llogaritjeve të cituara nga Financial Times. Në Madrid dhe Barcelonë, kjo peshë arrin rreth 75% të të ardhurave.

Në Spanjë, strehimi është tashmë shqetësimi kryesor i votuesve, sipas institutit publik të sondazheve CIS.

Kryeministri Pedro Sánchez, i cili drejton një qeveri të majtë në pakicë, ka ndjekur një politikë relativisht të hapur ndaj emigracionit, që ka shtuar kërkesën për banesa. Popullsia e lindur jashtë Spanjës është rritur mesatarisht me 665 mijë persona në vit që prej vitit 2022.

Megjithatë, që prej rizgjedhjes në vitin 2023, Sánchez ka pasur hapësirë të kufizuar për të miratuar reforma të mëdha për strehimin, si për shkak të mungesës së shumicës parlamentare, ashtu edhe sepse qeveritë rajonale kanë kompetenca të gjera në këtë fushë.

Në prill, qeveria spanjolle miratoi një plan prej 7 miliardë eurosh për periudhën 2026-2030, që përfshin financim për rritjen e stokut të banesave publike dhe rehabilitimin e ndërtesave të zbrazëta.

 

Por zhvilluesit privatë argumentojnë se shkaqet kryesore të mungesës së banesave ndodhen diku tjetër.

Juan José Perucho, drejtues i kompanisë së madhe spanjolle të zhvillimit të pronave Ibosa, tha se ndër pengesat kryesore janë burokracia dhe betejat ligjore, të cilat bëjnë që sigurimi i lejeve për zhvillimin e trojeve të reja të zgjasë me vite.

Sipas tij, një faktor edhe më i rëndësishëm është rritja e shpejtë e numrit të emigrantëve në punë, të cilët kërkojnë banesa të përballueshme në të njëjtin segment të tregut.

“Si për shitjet, ashtu edhe për qiratë, po arrijmë në një pikë ku çmimet kanë arritur nivele që nuk janë më në përputhje me pagat e njerëzve”, tha Perucho./ Fionancial Times

The post Portugalia dhe Spanja, në qendër të krizës së strehimit në BE appeared first on Revista Monitor.

Jamie Dimon paralajmëron ministrin britanik të Financave kundër rritjes së taksave për bankat

By: Ornela
17 August 2026 at 13:01

Jamie Dimon, drejtuesi ekzekutiv i JPMorgan Chase, ka paralajmëruar ministrin britanik të Financave, John Healey, kundër krijimit të një mjedisi fiskal më armiqësor për bankat, ndërsa sektori financiar po përgatitet për një fushatë të gjerë lobimi përpara Buxhetit të tetorit, shkruan Financial Times.

Sipas personave të informuar mbi bisedën, drejtuesi i bankës amerikane i tha Healey-t, gjatë një telefonate të enjten, se taksat më të larta shpesh i shtyjnë vendet e punës drejt tregjeve të tjera. Ai solli si shembull rënien e ndjeshme të numrit të vendeve të punës në financë në Nju Jork, të cilën ia atribuoi pjesërisht barrës fiskale të qytetit.

Dimon, një nga figurat më me ndikim në financën globale, ishte ndër drejtuesit e bankave që lobuan me sukses kundër rritjes së taksave përpara Buxhetit të vitit të kaluar. Në atë kohë ai zhvilloi diskutime me ministren e atëhershme të Financave, Rachel Reeves, ndërsa JPMorgan po shqyrtonte planet për ndërtimin e një selie të re prej 3 miliardë paundësh në Canary Wharf, Londër.

Bankat mund të bëhen një objektiv tërheqës për Healey-n në Buxhetin e tetorit, pasi sektori ka realizuar fitime të larta vitet e fundit. Sindikatat kanë kërkuar rritjen e taksave ndaj bankave për të financuar një paketë mbështetëse për faturat e energjisë së familjeve.

Healey ende nuk ka shprehur një qëndrim publik për taksimin e bankave, por Dimon e bëri të qartë se një taksë e jashtëzakonshme mbi fitimet e bankave apo rritje më të gjera të taksave mbi pasurinë nuk do të mirëpriteshin, sipas një personi të informuar mbi bisedën.

Një tjetër person në dijeni të diskutimit tha se Dimon i kishte thënë Healey-t se e vetmja mënyrë për të zgjidhur problemet ekonomike të Mbretërisë së Bashkuar ishte nxitja e rritjes ekonomike dhe se kjo mund të arrihej vetëm “përmes politikave të mira”.

Sipas të njëjtit burim, komentet e tij për taksat nuk kishin të bënin vetëm me Mbretërinë e Bashkuar dhe nuk kishin qenë tema kryesore e bisedës, e cila u përshkrua si “shumë miqësore”.

Dimon ishte ndër drejtuesit e parë të bankave që zhvilloi një telefonatë prezantuese me ministrin e ri të Financave, me kërkesë të ekipit të Healey-t. Drejtues të tjerë bankash pritet të zhvillojnë biseda të ngjashme javën e ardhshme.

Komentet private të Dimon pasojnë një paralajmërim publik që ai i kishte bërë muajin e kaluar kryeministrit Andy Burnham dhe ministrit të tij të Financave, duke thënë se taksa më të larta për bankat mund të sillnin “pasoja negative”.

“Do të ishte edhe një element tjetër negativ në listën e gjërave që duhet të marrësh parasysh”, tha Dimon, duke iu referuar mundësisë që qeveria të rriste taksën mbi bankat ose shtesën mbi tatimin e fitimit. Këto taksa u vendosën pas ndërhyrjes së qeverisë për shpëtimin e bankave të mëdha britanike gjatë krizës financiare të vitit 2008.

“Mund të tingëllojë mirë thirrja ‘taksoni bankat’, por vetëm nga kjo taksë shtesë aksionerët e mi kanë paguar 5 miliardë dollarë”, tha Dimon në podcast-in The Master Investor me Wilfred Frost. “Mendoj se masa të tilla sjellin pasoja negative.”

Një person i afërt me negociatat që Dimon zhvilloi me Reeves përpara Buxhetit të nëntorit të kaluar tha se kreu i JPMorgan vazhdimisht e vë theksin te ndikimi i taksave mbi bankat dhe do të kërkojë garanci se një qeveri e drejtuar nga Burnham do të mbështesë ndërtimin e selisë së re në Canary Wharf.

I pyetur nëse Dimon kishte kërcënuar më parë se do të anulonte projektin nëse bankat goditeshin nga taksa më të larta, burimi tha se fjala “kërcënim” do të ishte e tepruar.

“Por, sigurisht, çdo biznes merr parasysh mjedisin fiskal përpara se të marrë vendimin përfundimtar për një investim.”

JPMorgan bëri publike planet për ndërtesën e re në zonën Riverside të Canary Wharf një ditë pas Buxhetit të Reeves, duke theksuar se projekti do të varej nga “vazhdimësia e një mjedisi pozitiv biznesi në Mbretërinë e Bashkuar”.

Rregullat e vendosura pas krizës financiare të vitit 2008 bëjnë që bankat që operojnë në Mbretërinë e Bashkuar të paguajnë tashmë taksa shtesë. Këtu përfshihet një taksë mbi bilancet e tyre dhe një shtesë mbi fitimet, përveç tatimit standard mbi fitimin e korporatave.

Megjithatë, fitimet e bankave janë rritur ndjeshëm vitet e fundit, të ndihmuara nga normat më të larta të interesit. Në City-n e Londrës ka shqetësime se kjo mund t’i bëjë bankat objektiv të një regjimi edhe më të rëndë fiskal.

Kongresi i Sindikatave, TUC, i ka kërkuar Healey-t të rrisë shtesën që paguajnë bankat, aktualisht në nivelin 3% mbi normën 25% të tatimit mbi fitimin, me qëllim financimin e masave për uljen e kostos së jetesës.

Megjithatë, disa drejtues të bankave janë shprehur tashmë hapur kundër çdo rritjeje të mëtejshme të barrës fiskale.

Drejtuesja e Santander, Ana Botín, i tha Financial Times në qershor se regjimi britanik i taksave mbi bankat “nuk ka kuptim ekonomik”.

“Nëse politikëbërësit po kërkojnë sektorë që realizojnë kthime jashtëzakonisht të larta, ka vende të tjera nga mund të fillojnë”, tha ajo.

Edhe ish-zyrtarë të lartë të administratës laburiste të Sir Keir Starmer i kërkuan këtë javë Healey-t të mos e dëmtojë rimëkëmbjen ekonomike përmes taksave më të larta ndaj biznesit ose një zgjerimi të fortë të huamarrjes publike.

Miles Celic, drejtues ekzekutiv i grupit lobues TheCityUK, tha se ministrat dhe zyrtarët duhet ta trajtojnë sektorin privat si partner në tërheqjen e investimeve dhe nxitjen e rritjes ekonomike.

“Ata duhet t’i bëjnë gjërat bashkë me industrinë, jo t’ia imponojnë asaj”, tha Celic.

 

Ministria e Financave deklaroi se ministri “takohet rregullisht me përfaqësues të lartë të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë, përfshirë sektorin e shërbimeve financiare”.

JPMorgan nuk pranoi të komentojë.

Financial Times

The post Jamie Dimon paralajmëron ministrin britanik të Financave kundër rritjes së taksave për bankat appeared first on Revista Monitor.

Tenderat, 20 mln euro për ujësjellës e impiante në Dhërmi, Qeparo dhe Pustec

17 August 2026 at 13:00

Tre tenderë me vlerë të përbashkët rreth 20 milionë euro janë hapur për investime në ujësjellës, kanalizime dhe impiante të trajtimit të ujërave të ndotura në Dhërmi, Qeparo dhe Pustec, me pjesën më të madhe të fondit të parashikuar për Dhërmiun.

Në total, fondi limit për të tre procedurat arrin në rreth 1.82 miliardë lekë apo rreth 20 mln euro. Projekti në Dhërmi ka një fond limit prej 1.129 miliardë lekësh, ai në Pustec prej 522.85 milionë lekësh, ndërsa për ujësjellësin e Qeparoit janë parashikuar 166.67 milionë lekë.

Pwr Dhërmiun, Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Vlorë ka hapur tenderin për ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura dhe sistemit të kanalizimeve. Projekti është pjesë e Programit Buxhetor Afatmesëm 2024-2026 dhe synon zgjerimin e rrjetit ekzistues, rritjen e zonës së mbuluar me shërbim dhe trajtimin e ujërave të ndotura para shkarkimit të tyre në det, larg bregut.

Sipas dokumentacionit të projektit, ndërhyrja përfshin fshatin e vjetër të Dhërmiut dhe zonën turistike në pjesën lindore. Sistemi është projektuar për mbledhjen, transferimin dhe trajtimin e ujërave të ndotura, ndërsa dokumenti parashikon edhe lidhjen e familjeve me rrjetin qendror në vend të përdorimit të gropave septike.
Në Pustec, Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Korçë ka hapur tenderin me fond limit 522.85 milionë lekë për ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve në fshatrat e bashkisë dhe impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura.

Projekti është hartuar për një zonë me rreth 5,191 banorë dhe synon të adresojë mungesën e infrastrukturës bashkëkohore të kanalizimeve dhe problemin e shkarkimeve nga banesat. Relacioni teknik evidenton rrjete të amortizuara, ndërsa në disa njësi nuk ka rrjet ekzistues. Dokumenti përmend gjithashtu dalje të ujërave në sipërfaqe, probleme higjienike dhe përmbytje nga reshjet.

Rrjeti është projektuar kryesisht me vetërrjedhje. Për pikat pranë liqenit parashikohet trajtimi i ujërave të ndotura përpara shkarkimit, me qëllim shmangien e ndikimit në ekosistemin e liqenit.

Tenderi i tretë është hapur nga Bashkia Himarë për ndërtimin e ujësjellësit të Qeparoit, me fond limit 166.67 milionë lekë.

Projekti përfshin Qeparo Fshat dhe Qeparo Fushë dhe, sipas dokumentacionit teknik, është hartuar për një popullsi të përgjithshme prej 2,769 banorësh. Sistemi furnizohet nga burimet e Borshit, ndërsa linja transmetuese kalon drejt zonës së projektit dhe stacioni i pompimit dërgon ujin në një rezervuar ekzistues me kapacitet 200 metra kub. Studimi hidrogjeologjik i përfshirë në dokumentacion llogarit një prurje të disponueshme prej 22 litrash në sekondë për furnizimin e Qeparoit nga burimi i Borshit.

 

The post Tenderat, 20 mln euro për ujësjellës e impiante në Dhërmi, Qeparo dhe Pustec appeared first on Revista Monitor.

Eksportet përmirësohen në korrik, fasoni thellon rënien, ushqimet ndalin rritjen

17 August 2026 at 11:49

Pas një ngadalësimi në maj dhe një përmirësimi në qershor, eksportet kanë përshpejtuar sërish ritmet në korrik, duke u zgjeruar me 10.61 % në krahasim me të njëjtin muaj të vitit 2025, sipas të dhënave të INSTAT.

Gjithsesi, grupi më i madh në vend, që zë 26.3% të totalit të shitjeve jashtë vendit, dhe një nga punëdhënësit kryesore të industrisë, ai i tekstile e këpucë ka vijuar me tendencën tkurrëse. Ndërkohë grupet e tjera kryesore si materialet e ndërtimit, makineritë e pajisjet, minerale djegëse e energji elektrike shënuan rritje dyshifrore. Me zgjerim pozitiv ishin dhe produktet ushqimore por vetëm me 1 %.

Në korrik 2026 eksportet e mallrave arritën vlerën 33,6 mld lekë, duke u rritur me 10.6%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 8,3%, në krahasim me Maj 2026, raportoi INSTAT.

Gjatë muajit Korrik 2026, në rritjen e eksporteve prej 10,6 %, pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +8,9 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +5,3 pikë përqindje, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +0,9 pikë përqindje, ndërsa negativisht kanë ndikuar grupet: “Tekstile dhe këpucë” me -4,3 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me -0,6 pikë përqindje, etj. (Fig. 2)

Për 7- mujorin, tendenca vijoi të ishte pozitive. Sipas INSTAT, për periudhën janar-Korrik 2026, eksportet ishin 227 miliardë lekë, me rritje 6.7 me bazë vjetore (nga 6.1% që ishte zgjerimi për 6 mujorin). Edhe për 7- mujorin, ndikimin kryesor pozitiv e dhanë mineralet lëndë djegëse e energji, materiale ndërtimi dhe makineri e pjesë këmbimi, ndërsa efekti më negativ ishte nga tekstile e këpucë.

Fasoni, vijon më rënie të fortë

Eksportet nga industria e veshjeve dhe këpucëve kanë shënuar muaj radhazi me rënie. Në korrik rënia ishte 13.8%, duke u thelluar në krahasim me qershorin -3.8%. Për gjithë 7 mujorin eksportet ishin 59.7 miliardë lekë, me tkurrje është 7.7% (-4.9 miliardë lekë), duke qenë i vetmi grup i madh me tendencë negative.

Sipas eksportuesve, arsyeja kryesore lidhet me rënien e euros. Monedha e përbashkët zbriti në nivelin më të ulët historik sërish në qershor, duke iu afruar 94 lekëve.

Sipas eksportuese edhe arsye të tjera lidhen me faktin që lufta ka vështirësuar importimin e lëndëve të para dhe kostot. Edhe kërkesa nga Europa është me rënie. Situata po detyron shumë kompani që të mbyllen dhe shumë marka, si Cotonella, COFRA, po largohen në vende me kushte ekonomike më favorizuese, si Tunizia, Maroku, Uzbekistani, Egjipti etj.

Rritet energjia e lëndët djegëse

Ndërsa fasoni është ndikuar negativisht nga lufta, e kundërta ka ndodhur me eksportet e lëndëve djegëse.

Grupi “Minerale. Lëndë djegëse, energji” ka eksportuar 6.5 miliardë lekë në korrik 2026, me një rritje të fortë prej 32% me bazë vjetore, i ndikuar nga çmimet e favorshme në bursa.

Për 7 mujorin, ky grup ka eksportuar 49.1 miliardë lekë, me zgjerim vjetor prej 23%. Ky është grupi i dytë më i madh në vend, me rreth 22% të totalit.

Ushqime pije e duhan me rritje

“Ushqime pije e duhan”, një nga grupet me ecurinë më të mirë vitet e fundit dhe një nga dy sektorët që ka shënuar rritje në 2026-n, është përmirësuar por në korrik rritja është frenuar pasi eksportet me u rriten vetëm me 1% në bazë vjetore. Për gjashtë mujorin, grupi është zgjeruar me 3%. Ky grup ka kaluar në të tretin më të madh në vend, me 16% të totalit.

Materiale ndërtimi e metale me rritje

“Materialet e ndërtimit dhe metalet” e mbyllën vitin 2025  me një rënie prej 25.4%, më e thella nga të gjitha grup-mallrat. Megjithatë, në mars-korrik 2026, grupi iu kthye rritjes, duke u zgjeruar me 72% në qershor. Për 7- mujorin, eksportet u rritën 22.5%.

Industria mbështetëse automotive, me ecurinë më pozitive këtë vit

“Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” është grupi me ecurinë më pozitive në gjashtë 7-mujorin. Për periudhën janar-korrik shitjet e tij arritën në 26.6 miliardë lekë, me një rritje prej gati 13.5%. Në korrik, shitjet e këtij sektori jashtë vendit u rritën me 7.8 % me rënie nga ritmi prej 30.1% në qershor.

Ky grup, ku peshën kryesore e mban industria automotive është rimëkëmbur që në fund të vitit të kaluar kur kompanitë raportuan se porositë erdhën në rritje. Një pjesë  e kompanive prodhojnë pjesë të thjeshta për makineri pune dhe mjete të mëdha transporti një segment që ka qenë në ecuri të qëndrueshme.

Ndërkohë vendimi i KE për të lënë  mjetet me djegie të brendshme përtej 2035 ne formë hibride, ndryshoi panoramën edhe për këtë vit ku porositë pritet të jenë në rritje. Presionet kryesore që kjo industri e vendosur në vendin tonë po kalon lidhen me fuqinë punëtore, zhvlerësimin e vazhdueshëm të euros pasi kontratat e tyre janë fikse disavjeçare dhe së treti rritja e beftë e pagës minimale në 50 mijë lekë.

Ecuria e tregtisë së mallrave sipas vendeve partnere

Në muajin Korrik 2026, vendet me të cilat Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të eksporteve, në krahasim me Korrik 2025 janë: Greqia (19,0 %), Gjermania (2,5 %), etj.

Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur rënien më të madhe, janë: Italia (2,0 %), Kosova (2,4 %), etj. Në muajin Korrik 2026, vendet me të cilat Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të importeve, në krahasim me Korrik 2025 janë: Italia (0,3 %), Kina (22,7 %), etj.

Zbutet deficiti tregtar

Në Korrik 2026 eksportet e mallrave arritën vlerën 33,7 mld lekë, duke u rritur me 10,6 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe duke u ulur me 5,0 %, në krahasim me Qershor 2026. Importet e mallrave arritën vlerën 86,4 mld lekë, duke u rritur me 3,6 %, në krahasim me një vit më parë dhe me 3,5 %, në krahasim me Qershor 2026. Defiçiti tregtar i këtij muaji është 52,8 mld lekë, duke u ulur me 0,5 %, krahasuar me një vit më parë dhe duke u rritur me 9,8 %, në krahasim me Qershor 2026.

The post Eksportet përmirësohen në korrik, fasoni thellon rënien, ushqimet ndalin rritjen appeared first on Revista Monitor.

Hotelet, vizitorët e huaj rriten me 20.6% në qershor, kryeson Kosova, Italia e Polonia

17 August 2026 at 11:29

Numri i vizitorëve të akomoduar në strukturat turistike në vend u rrit me 17% në qershor krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa net-qëndrimet u shtuan me 9.8%, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT mbi Strukturat Akomoduese.

Rritja ishte më e fortë te vizitorët e huaj. Numri i tyre u rrit me 20.6% në krahasim me qershorin 2025, ndërsa vizitorët rezidentë u shtuan me 7%. Net-qëndrimet e të huajve u rritën me 9.2% dhe ato të rezidentëve me 11.8%.

Të dhënat e qershorit vijnë pas një ecurie me luhatje të turizmit gjatë këtij viti, ku dinamika ka ndryshuar nga muaji në muaj. Operatorët turistikë presin që në tërësi sezoni të ketë një ecuri të ngjashme por ilanci më i plotë i sezonit do të mund të shihet pas përfundimit të muajve kryesorë të verës.

Në qershor, rritja e vizitorëve të huaj ishte më e dukshme në zonat bregdetare. Numri i tyre arriti në 323,426, nga 253,867 në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, një rritje prej rreth 27.4%. Në zonat jo-bregdetare numri u rrit në 122,420, nga 115,816, ose me rreth 5.7%.

Hotelet dhe strukturat e ngjashme pritën 401,836 vizitorë të huaj, krahasuar me 336,226 në qershor 2025. Në akomodimet për pushime dhe strukturat e tjera afatshkurtra, numri i vizitorëve të huaj u rrit në 39,457 nga 27,227 një vit më parë.

Norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele arriti në 41.3%, nga 39.5% në qershor 2025, një rritje prej 1.8 pikë përqindjeje.

Kosova ishte burimi më i madh i vizitorëve të huaj të akomoduar në Shqipëri, me 15% të totalit. Italia përbënte 14%, Polonia 13%, ndërsa Franca dhe Gjermania nga 7% secila. Pjesa tjetër e vendeve zinte 44% të totalit.

 

The post Hotelet, vizitorët e huaj rriten me 20.6% në qershor, kryeson Kosova, Italia e Polonia appeared first on Revista Monitor.

iute lançon iuteMarket, shërbimin e integruar të blerjeve digjitale

17 August 2026 at 11:07

iute Group ka zgjeruar ekosistemin e saj të bankingut digjital me iuteMarket, shërbimin e dedikuar për “shopping” apo blerjet online, e integruar në aplikacionin Myiute. Përmes iuteMarket, klientët mund të zbulojnë, financojnë dhe blejnë produkte në një platformë të vetme, duke e bërë procesin e blerjes më të thjeshtë dhe më të aksesueshëm.

Përtej shërbimeve të pagesave, financimit, bankingut dhe sigurimeve që janë tashmë të disponueshme përmes aplikacionit Myiute, iuteMarket lidh produktet e tregtarëve partnerë me shërbimet financiare që klientët mund të kenë nevojë gjatë procesit të blerjes.

“Blerjet online janë bërë pjesë e jetës së përditshme dhe klientët presin që e gjithë përvoja e blerjes të jetë sa më e thjeshtë dhe e integruar. Duke sjellë në një vend të vetëm produktet e partnerëve tanë dhe shërbimet financiare që ofrohen tashmë në Myiute, ne mund të reduktojmë numrin e hapave që klientëve u duhet të ndjekin dhe, në fund, t’u kursejmë kohë. Ne besojmë se koha është një nga pasuritë më të çmuara të njerëzve dhe se teknologjia duhet të na ndihmojë ta përdorim atë në mënyrë më efikase”, tha Allar Niinepuu, Drejtor i Përgjithshëm Komercial i iute Group.

I disponueshëm për të gjithë klientët e Myiute në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, iuteMarket ofron një përzgjedhje të gjerë produktesh në qindra kategori, duke përfshirë pajisje elektroshtëpiake apo elektronike, produkte për bukurinë dhe kujdesin personal, mobilie, artikuj për fitness, etj. Klientët mund të shfletojnë produktet, të marrin rekomandime të personalizuara dhe ta përfundojnë blerjen pa dalë nga aplikacioni.

Krahas produkteve të reja, iuteMarket ofron gjithashtu pajisje teknologjike të rinovuara në mënyrë profesionale. Këto pajisje inspektohen, testohen dhe kontrollohen për cilësinë përpara se të ofrohen për shitje, duke u dhënë klientëve mundësi për të zgjedhur nga një gamë më e gjerë produktesh elektronike, teksa njëkohësisht rritet dhe përdorimi më i qëndrueshëm dhe më qarkullues i teknologjisë.

Për tregtarët partnerë, iuteMarket krijon një kanal të ri shitjesh digjitale brenda ekosistemit të iute. Në vend që të ofrojnë vetëm financim në momentin e blerjes, tregtarët bëhen pjesë e një eksperience më të gjerë digjitale për klientin, që lidh zbulimin e produkteve, financimin, pagesat dhe shërbime të tjera financiare të përditshme.

“Ne besojmë se ekosistemet krijojnë më shumë vlerë sesa produktet individuale”, vijoi Niinepuu. “Sa më shumë shërbime dhe partnerë që u përgjigjen nevojave të klientëve të mund të lidhim përmes Myiute, aq më i dobishëm bëhet aplikacioni për klientët dhe aq më i fuqishëm bëhet ekosistemi për partnerët tanë. iuteMarket na mundëson të krijojmë këtë vlerë për të dyja palët.”

Pas lançimit në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, iuteMarket do të vijojë të zgjerohet edhe në tregjet e tjera ku operon Iute Group.

Në fund të tremujorit të parë të vitit 2026, iute Group u shërbeu më shumë se 247,000 klientëve aktivë në tregjet ku operon, ndërsa aplikacioni Myiute është shkarkuar më shumë se 1.75 milionë herë. Grupi bashkëpunon gjithashtu me më shumë se 4,650 pika aktive shitjeje në tregjet ku është i pranishëm.

iute Group është një grup bankar digjital i fokusuar në shërbimet e përditshme financiare në Evropën Juglindore. E themeluar në vitin 2008 dhe me seli në Estoni, iute u shërben klientëve në Shqipëri, Bullgari, Moldavi, Maqedoninë e Veriut dhe Ukrainë. Përmes aplikacionit Myiute dhe operacioneve të tij lokale, iute ofron shërbime financiare dixhitale duke përfshirë pagesat, banking, financimin dhe ndërmjetësimin në sigurime. Grupi iute financon operacionet e tij përmes kapitalit, depozitave dhe obligacioneve të siguruara të listuara në Tregun e Rregulluar të Bursës së Frankfurtit dhe Listën Kryesore të Nasdaq Baltic.

The post iute lançon iuteMarket, shërbimin e integruar të blerjeve digjitale appeared first on Revista Monitor.

Yield-et e bonove 12-mujore arrijnë nivelin më të lartë në 14 muaj

17 August 2026 at 11:00

Yield-et e bonove 12-mujore u rritën përsëri në ankandin e muajit shkurt, duke arritur nivelin më të lartë në më shumë se një vit.

Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar arriti në 2.75%, niveli më i lartë që prej qershorit të vitit të kaluar.

Pjesëmarrja e investitorëve në ankand rezultoi përsëri e ulët. Nga 7.2 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave, vlera totale e kërkesave ishte rreth 6.86 miliardë lekë. Ky ishte ankandi i tretë radhazi që shuma e shpallur për t’u financuar nuk u arrit të plotësohet.

Rritja e yield-eve, duke filluar nga tremujori i dytë i këtij viti, mund të shpjegohet së pari me rritjen e inflacionit gjatë muajve të fundit.

Në muajin korrik inflacioni arriti në 3.4%, duke u ngjitur më shumë mbi objektivin prej 3% të Bankës së Shqipërisë. Shtrenjtimi i karburanteve, si rezultat i krizës gjeopolitike në Lindjen  Mesme, por edhe presionet e brendshme inflacioniste, të shkaktuara sidomos nga çmimet e qirave, kanë sjellë një valë të re në rritje të inflacionit.

Banka e Shqipërisë i qëndron besimit se kjo rritje e inflacionit do të jetë afatshkurtër. Këshilli Mbikëqyrës vendosi ta mbajë normën bazë të pandryshuar edhe në mbledhjen e muajit gusht.

Megjithatë, tregu financiar ka nisur të reagojë me një korrigjim në rritje të yield-eve, çka mund të shpjegohet kryesisht me pritshmëritë për norma më të larta interesi.

Pjesërisht, rritja e yield-eve gjatë tremujorit të tretë është e lidhur edhe me një pjesëmarrje më të ulët të sektorit bankar në ankandet e titujve qeveritarë, por edhe me rritjen e kërkesës për financim nga qeveria në tregun e brendshëm, krahasuar me tremujorët paraardhës.

Sipas kalendarit të emetimeve të Ministrisë së Financave, shuma planifikuar e huamarrjes në ankandet e bonove dhe obligacioneve parashikohet në vlerën e 79.5 miliardë lekëve, në rritje me 18% krahasuar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Fakti është se yield-et e bonove 12-mujore tashmë janë 0.25 pikë përqindje sipër nivelit të normës bazë, ndërkohë që deri në muajin prill ishin ende poshtë normës bazë të interesit.

Rritja e yield-eve të bonove 12-mujore përcillet edhe në kosto më të lartë të huamarrjes për sektorin privat. Duke qenë se bonot 12-mujore janë instrumenti kryesor benchmark për bonedhën vendase, normat e interesit të kredive afatgjata ndërtohen mbështetur mbi ecurinë e tyre, plus një marzh fiks interesi. Rritja e yield-eve të bonove 12-mujore, rrjedhimisht, përkthehet edhe në rritje të interesave të kredive.

Pavarësisht optimizmit të Bankës së Shqipërisë, duket se tregu financiar projekton një rritje të afërt të normave të interesit. / E.Shehu

Burimi: BSH

The post Yield-et e bonove 12-mujore arrijnë nivelin më të lartë në 14 muaj appeared first on Revista Monitor.

Pse besimi 100% i bordit është sinjal alarmi

17 August 2026 at 10:01

Besimi i bordit zakonisht shihet si shenjë përputhjeje dhe besimi te menaxhimi. Por çfarë ndodh kur ky besim mbështetet mbi një realitet të kuruar me kujdes?

 

Nga Nik Kinley*

 

Besimi i bordit është parë tradicionalisht si shenjë harmonizimi dhe besimi te drejtuesit ekzekutivë. Por shumë shpesh, ai mund të tregojë edhe diçka tjetër: se bordi po merr një pamje të përzgjedhur dhe të lustruar të realitetit, jo një pamje të saktë të tij.

Asnjë bord nuk merr një raport plotësisht transparent për atë që ndodh realisht në nivelet më të ulëta të organizatës. Informacioni që arrin deri në krye zakonisht është përpunuar, zbutur, thjeshtuar dhe riformuluar në çdo hallkë të hierarkisë. Në rastin më të mirë, hendeku mes asaj që bordi sheh dhe realitetit mbetet i vogël dhe i padëmshëm. Në rastin më të keq, kompania përfundon si një rast studimor në shkollat e biznesit, me një bord që nuk i pa rreziqet derisa ishte tepër vonë.

Kjo nuk ndodh domosdoshmërisht për shkak të mashtrimit, paaftësisë apo mungesës së ndershmërisë. Kjo është thjesht mënyra si funksionojnë natyrshëm hierarkitë organizative.

Katër forca ndikojnë në këtë filtrimin e informacionit. Së pari, njerëzit e zbusin atë që thonë kur flasin me persona që kanë pushtet mbi ta, sepse kanë frikë nga pasojat sociale apo profesionale. Së dyti, informacioni thjeshtohet dhe riformulohet për t’u dukur më i dobishëm: hiqet ajo që mendohet se drejtuesi nuk do ta vlerësojë dhe shtohet ajo që supozohet se ai dëshiron të dëgjojë. Së treti, çdo person përmes të cilit kalon mesazhi e interpreton atë sipas bindjeve dhe interesave të veta. Së fundi, çdo hallkë shtesë krijon mundësi të reja për gabime të thjeshta.

Pjesa tjetër e problemit qëndron te marrësi i informacionit. Pushteti ndryshon mënyrën si drejtuesit përpunojnë informacionin. Studimet prej dekadash tregojnë se pushteti rrit besimin te gjykimi personal, ul dëshirën për të dëgjuar detaje që e vënë në dyshim këtë gjykim dhe i bën drejtuesit më të prirur të pranojnë narrativa të pastra e të vendosura, sesa histori me nuanca dhe rezerva. Ai nxit mendimin në nivel të përgjithshëm dhe e bën më të vështirë të dallosh çfarë mungon në atë që po të thuhet.

Vetë natyra e bordeve i përqendron këto probleme. Bordet qëndrojnë në majë të një zinxhiri të gjatë filtrimi informacioni. Takohen rrallë. Mbështeten te përmbledhje të përgatitura nga drejtuesit, performancën e të cilëve duhet të vlerësojnë. Dhe efektet psikologjike të pushtetit i bëjnë më pak të prirur se kushdo tjetër në organizatë për të dalluar çfarë është hequr apo zbutur nga informacioni.

Prandaj, kur një bord shpreh besim të lartë te ekipi drejtues, strategjia apo kultura e kompanisë, një reagim i arsyeshëm do të ishte: “Sigurisht që kështu do të thoshin”. Pyetja më e dobishme është tjetër: “Si do ta dinin nëse realiteti ishte ndryshe?”

Sepse në një mjedis ku informacioni është i kuruar, besimi i rremë dhe besimi i merituar duken njësoj. Pikërisht kjo e bën kaq të rrezikshëm hendekun mes realitetit dhe asaj që i paraqitet bordit.

 

Pasojat praktike

Nga kjo situatë lindin tre rreziqe.

Së pari, bie cilësia e vendimmarrjes. Bordet marrin vendime të rëndësishme mbi bazën e asaj që u paraqitet. Nëse pamja është rregulluar dhe pastruar, vendimet merren mbi një version të sajuar të biznesit.

Së dyti, dobësohet mbikëqyrja. Një bord nuk mund të sfidojë atë që nuk sheh. Kur informacioni filtrohet, qeverisja kthehet në një ushtrim formal.

Së treti, dhe më rrezikshëm, cikli ushqen vetveten. Bordet e sigurta bëjnë më pak pyetje. Më pak pyetje nxisin më shumë filtrimin e informacionit. Më shumë filtrimi prodhon edhe më shumë siguri. Rrethi mbyllet dhe zakonisht thyhet vetëm nga një goditje e jashtme.

Kjo nuk do të thotë se bordet duhet të mos i besojnë menaxhimit. Mosbesimi krijon deformimet e veta. Por bordet duhet të jenë skeptike ndaj pamjeve tepër të rregullta, ndaj rrëfimeve që duken shumë të pastra dhe pa kundërshti.

Një bord që kërkon një panoramë më të saktë të realitetit të lidershipit duhet të shqyrtojë jo vetëm informacionin që merr, por edhe sistemin përmes të cilit ai informacion prodhohet. Duhet të pyesë cilat çështje mungojnë zakonisht në materialet që i paraqiten. Duhet të kërkojë nivele sigurie dhe rezerva, jo vetëm përfundime. Duhet të dëgjojë drejtpërdrejt edhe njerëz poshtë ekipit ekzekutiv, pa e kthyer këtë në teatër formal. Dhe duhet të vëzhgojë me kujdes çfarë ndodh me personin e parë që sjell një mesazh të pakëndshëm. Reagimi ndaj tij i tregon gjithë organizatës se cilat janë rregullat e vërteta.

Realitetet e kuruara janë qetësuese. Realitetet e sakta shpesh janë më të pakëndshme.

Bordet që nuk dallojnë dot ndryshimin nuk po qeverisin realitetin e lidershipit. Po qeverisin vetëm prezantimin e tij./

Management Today

 

 

*Nik Kinley është psikolog, trajner lidershipi dhe vlerësues. Ai është gjithashtu autor i librit The Power Trap.

The post Pse besimi 100% i bordit është sinjal alarmi appeared first on Revista Monitor.

EU funds are coming, but Western Balkan municipalities are not ready

17 August 2026 at 10:00

Municipalities across the six Western Balkan countries have made progress in aligning their legal frameworks with the European Union, but many still lack the funding, staff and technical capacity needed to implement EU standards effectively.

The weaknesses are most pronounced in the management of EU funds, public procurement, social services, anti-corruption measures and environmental protection, according to a 2025 study by NALAS, the Network of Associations of Local Authorities of South-East Europe.

The study covers Albania, Bosnia and Herzegovina, Kosovo, Montenegro, North Macedonia and Serbia. It focuses on five negotiation chapters that directly affect local government: public procurement; social policy and employment; regional policy and structural funds; rule of law and fundamental rights; and environment and climate change.

The report finds that large cities and capital municipalities generally have stronger revenues, more specialised staff and better administrative structures to adapt to EU requirements. Smaller and rural municipalities face far greater difficulties in preparing projects, carrying out procurement procedures, delivering social services, managing water and waste systems and implementing anti-corruption measures.

At the same time, local fiscal autonomy has weakened. In 2006, own-source revenues, shared taxes and general grants accounted for 83% of local government budgets across the region. By 2021, their share had fallen to 70%.

Limited capacity to prepare and implement EU-funded projects is one of the common challenges facing all six countries. Smaller administrations often struggle to complete the required documentation, prepare technical designs, conduct procurement in line with EU rules and secure co-financing.

Bosnia and Herzegovina and Kosovo are still assessed as being at an early stage of preparation for regional policy and structural instruments. Albania, Montenegro, North Macedonia and Serbia are classified as moderately prepared, although all continue to show significant shortcomings at local level.

The report warns that these weaknesses could also hamper the effective use of the EU’s €6 billion Growth Plan for the Western Balkans. The ability of local administrations to absorb funding and implement reforms has yet to be fully tested, while limited consultation of municipalities by central governments could affect the quality of projects.

NALAS recommends the creation of dedicated funding mechanisms to support municipalities, particularly those with fewer resources, with co-financing, pre-financing, feasibility studies, environmental assessments and technical documentation.

The study also highlights corruption as an ongoing problem across all six countries, particularly in public procurement, public finance, energy, transport, healthcare, water management, infrastructure, natural resources and education.

NALAS recommends making local government participation mandatory in the drafting of legislation that municipalities will later be required to implement. Municipalities should also be represented in negotiation groups, thematic committees and the structures responsible for programming IPA funds.

Administrative procedures should be standardised, particularly in public procurement, financial management, environmental assessments and anti-corruption measures. The report also calls for a review of decentralisation laws to clearly define responsibilities and funding sources.

Municipalities should have access to dedicated resources for project co-financing and pre-financing, as well as technical support for feasibility studies and the preparation of project documentation./ B. Hoxha

The post EU funds are coming, but Western Balkan municipalities are not ready appeared first on Revista Monitor.

Bashkitë e Ballkanit të papërgatitura për fondet dhe standardet e BE-së

17 August 2026 at 10:00

Bashkitë në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë bërë përparim në përafrimin ligjor me Bashkimin Europian, por vazhdojnë të kenë mungesë financimi, personeli dhe kapacitetesh teknike për zbatimin e standardeve europiane.

Dobësitë janë më të theksuara në administrimin e fondeve të BE-së, prokurimet publike, shërbimet sociale, parandalimin e korrupsionit dhe mbrojtjen e mjedisit, sipas një studimi të NALAS, rrjeti i shoqatave të autoriteteve vendore të Europës Juglindore.

Studimi që i takon vitit 2025 analizon Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Vlerësimi përqendrohet në pesë kapituj të negociatave që prekin drejtpërdrejt pushtetin vendor: prokurimet publike, politikat sociale dhe punësimi, politikat rajonale dhe fondet strukturore, sundimi i ligjit dhe të drejtat themelore, si dhe mjedisi e ndryshimet klimatike.

Raporti konstaton se qytetet e mëdha dhe kryeqytetet kanë më shumë të ardhura, specialistë dhe struktura administrative për t’iu përshtatur kërkesave të BE-së. Bashkitë e vogla dhe rurale kanë më shumë vështirësi në përgatitjen e projekteve, prokurimet, shërbimet sociale, administrimin e ujit dhe mbetjeve dhe zbatimin e masave kundër korrupsionit.

Ndërkohë, autonomia fiskale vendore është dobësuar. Në vitin 2006, të ardhurat e veta, taksat e ndara dhe granti i përgjithshëm përbënin 83% të buxheteve vendore në rajon. Në vitin 2021, pesha e tyre kishte zbritur në 70%.

Mungesa e aftësisë për të përgatitur dhe zbatuar projekte europiane është një nga problemet e përbashkëta të gjashtë vendeve. Administratat e vogla kanë vështirësi të plotësojnë dokumentacionin, të përgatisin projektet teknike, të kryejnë prokurimet sipas rregullave të BE-së dhe të sigurojnë bashkëfinancimin.

Në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë, përgatitja për politikat rajonale dhe instrumentet strukturore vlerësohet ende në fazë të hershme. Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia klasifikohen si mesatarisht të përgatitura, por të gjitha kanë mangësi në nivelin vendor.

Raporti paralajmëron se këto dobësi mund të pengojnë edhe përdorimin e Planit të Rritjes prej 6 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor. Aftësia për të përthithur fondet dhe për të zbatuar reformat ende nuk është provuar, ndërsa konsultimi i kufizuar i bashkive nga qeveritë qendrore mund të ndikojë në cilësinë e projekteve.

NALAS rekomandon krijimin e fondeve që do të ndihmonin bashkitë, veçanërisht ato me më pak burime, me bashkëfinancimin, financimin paraprak, studimet e fizibilitetit, vlerësimet mjedisore dhe dokumentacionin teknik.

Studimi evidenton se korrupsioni vazhdon të jetë problem në të gjashtë vendet, sidomos në prokurimet publike, financat, energjinë, transportin, shëndetësinë, ujin, infrastrukturën, burimet natyrore dhe arsimin.

NALAS rekomandon përfshirjen e detyrueshme të pushtetit vendor në hartimin e legjislacionit që do të zbatohet nga bashkitë, si dhe në grupet e negociatave, komitetet tematike dhe strukturat që programojnë fondet IPA.

Procedurat administrative duhet të standardizohen, veçanërisht në prokurime, menaxhim financiar, vlerësime mjedisore dhe masa kundër korrupsionit. Raporti kërkon gjithashtu rishikimin e ligjeve të decentralizimit për të përcaktuar qartë përgjegjësitë dhe burimet e financimit. Bashkitë duhet të kenë fonde për bashkëfinancimin dhe parapagimin e projekteve, si dhe mbështetje për hartimin e studimeve të fizibilitetit dhe dokumentacionit teknik./ B.Hoxha

 

The post Bashkitë e Ballkanit të papërgatitura për fondet dhe standardet e BE-së appeared first on Revista Monitor.

“Kopshti i Edenit” i Francës, destinacioni i ri që po tërheq adhuruesit e ecjeve në natyrë

17 August 2026 at 09:46

Një nga itineraret më të rinj të ecjes në Francë po fiton shpejt vëmendjen e udhëtarëve që kërkojnë përvoja larg turizmit masiv. Bëhet fjalë për shtegun GR736, një rrugë rreth 300 kilometra e gjatë, e inauguruar në vitin 2023, që ndjek lumin Tarn nga burimi i tij në Parkun Kombëtar Cévennes deri në qytetin historik të Albit.

Pjesa më spektakolare e këtij itinerari është kalimi përmes Gorges du Tarn, një kanion gëlqeror 53 kilometra i gjatë, i konsideruar ndër më mbresëlënësit në Evropë. Shkëmbinjtë ngrihen deri në 500 metra mbi lumë, ndërsa peizazhi alternon pyje, livadhe me lule të egra, fshatra mesjetarë dhe shtigje të gdhendura në faqet e kanionit.

Ky destinacion nuk tërheq vetëm për panoramat. Zona është një nga më të pasurat në biodiversitet në Francë. Ujërat e kristalta të lumit Tarn janë habitat për kastorë, vidra, trofta dhe dhjetëra specie shpendësh, ndërsa qielli dominohet nga qindra shkaba që fluturojnë mbi kanion. Në brigjet e lumit rriten edhe mbi 30 lloje orkidesh të egra, duke e kthyer zonën në një parajsë për adhuruesit e natyrës.

Ecja zgjat rreth pesë ditë dhe nis nga fshati malor Le Pont-de-Montvert, për të vijuar drejt grykës së lumit përmes pyjeve të ahut dhe pishës, livadheve alpine dhe vendbanimeve të vogla historike. Gjatë rrugës, udhëtarët kalojnë nëpër fshatra si Castelbouc, me shtëpi të ndërtuara në shkëmb, dhe Saint-Chély-du-Tarn, i njohur për kishën e shekullit XII dhe mullirin tradicional të ujit.

Një nga momentet më të veçanta të itinerarit është lundrimi me barkat tradicionale me fund të sheshtë në segmentin pranë La Malène, ku guidat lokale tregojnë historinë e zonës dhe ndihmojnë vizitorët të vëzhgojnë kolonitë e kastorëve dhe katër llojet e shkabave që jetojnë në kanion. Më tej, shtegu kalon pranë fshatrave të braktisur dhe tarracave të dikurshme bujqësore, që sot janë rikthyer në habitat natyror për drerë, derra të egër dhe specie të tjera të faunës vendase.

Për ta bërë përvojën më të aksesueshme, operatorët lokalë ofrojnë transport të bagazheve nga një akomodim në tjetrin, duke u mundësuar vizitorëve të ecin vetëm me çantat e ditës. Rruga është menduar për turistët që kërkojnë një kombinim mes aventurës, natyrës dhe komoditetit.

Përveç peizazhit, rajoni është i njohur edhe për gastronominë lokale. Restorantet përgjatë itinerarit shërbejnë troftë të kapur në lumin Tarn, specialitete me gështenja dhe verëra të zonës, duke e kthyer ecjen në një eksperiencë që ndërthur natyrën me kulturën dhe kulinarinë franceze.

Autori britanik Robert Louis Stevenson e përshkroi dikur luginën e Tarn si vendin ku mund të ndodhej “Kopshti i Edenit”. Sot, me hapjen e shtegut të ri GR736 dhe interesin në rritje për turizmin e qëndrueshëm, kjo zonë po pozicionohet si një nga destinacionet më tërheqëse të ecjeve në Evropë për vitin 2026./ THE GUARDIAN

The post “Kopshti i Edenit” i Francës, destinacioni i ri që po tërheq adhuruesit e ecjeve në natyrë appeared first on Revista Monitor.

Rivlerësimi dhe hetimet e SPAK ulin në qershor çmimet e apartamenteve, frenohet paraja informale

17 August 2026 at 06:02

Prej një viti tashmë, çmimet mesatare të shitjes së apartamenteve në Tiranë vijojnë të qëndrojnë mbi nivelin e 2 mijë euro/m².

Që prej 3-mujorit të dytë të vitit 2025, çmimet mesatare të apartamenteve kanë arritur në rreth 2,100 euro/m², duke mbetur në këto nivele edhe në tremujorin e dytë të vitit 2026.

Konkretisht, sipas të dhënave më të fundit të publikuar nga indeksi Keydata Albania të “Çelësi Media Group” të vënë në dispozicion për “Monitor”, deri në muajin qershor 2026 çmimi mesatar i apartamenteve arriti në vlerën e 2,116 euro/m².

Megjithatë, në qershor u konstatuan sinjale frenimi dhe rënieje në kryeqytet. Krahasuar me 3-mujorin e mëparshëm çmimin mesatar i apartamenteve është ulur me 1,2%.

Rënie është shënuar edhe për çmimin median nga 2,046 euro/m² që ishte 3-mujorin e mëparshëm deri në qershor të 2026 ka arritur në 1,982 euro/m². Rënia e çmimit median është me 3%.

Për drejtuesin e “Çelësi Media Group” Ylli Sula një ndër faktorët kryesorë të nisjes së rënies së çmimeve është ulja e tatimit për shitblerjen e apartamenteve nga nisja e zbatimit të procesit të rivlerësimit.

Sula pohoi për Monitor se ulja e tatimit mbi fitimin nga shitja e pronës  nga 15% në 5% me nisjen e rivlerësimit ka krijuar më shumë fleksibilitet për ata që kanë pasur nevojë ta shesin pronën sa më shpejt.

Sipas tij, kjo ka bërë që në raste të tilla çmimet e shitjes të ulen me rreth 3–4%, pasi shitësit kanë pasur mundësi të negociojnë më shumë falë kostos më të ulët fiskale.

Procesi i rivlerësimit me tatim të reduktuar 5% nisi zbatimin nga muaji shkurt 2026.

Ndërkohë, agjentë të tjerë imobiliarë e lidhin rënien e çmimeve me hetimet e shumta të nisura nga SPAK, gjatë të cilave janë sekuestruar prona luksoze të dyshuara se u përkasin grupeve kriminale.

Sipas tyre, kjo ka ndikuar në frenimin e qarkullimit të parasë informale në tregun e pasurive të paluajtshme, duke sjellë si pasojë edhe uljen e kërkesës nga kjo kategori blerësish.

Por ashtu siç ndodhi edhe në 3-mujorin e parë të 2026, edhe për 3 mujorin e dytë të vitit, brenda 7 viteve çmimeve e apartamenteve pothuajse janë dyfishuar.

Keydata: Çmimet e apartamenteve rriten 122% brenda 7 viteve, arrijnë gati 2.2 mijë euro/m² në mars

Nga 982 euro/m2 që ishte çmimi mesatr i shitjes së apartamenteve në 3 –mujorin e dytë të 2019, për të njëjtën periudhë të 2026-s çmimi mesatar arriti në 2,116 euro/m2. Rritja e çmimeve brenda 7 viteve është 115% apo rreth 2.1 herë më e madhe.

Në raport me 2005 kur ka nisur llogaritja e indeksit, çmimet mesatare të apartamenteve deri në muajin qershor 2026  janë rritur me 218 %, apo rreth tre herë më shumë sesa 21 vite më parë.

Në llogaritjen e çmimeve mesatare indeksi përfshin prona të reja dhe nga rishitja, që zënë pjesën më të madhe të tyre.

 

Burimi: Llogaritjet e Keydata Albania (2026)

Burimi: Llogaritjet e Keydata Albania (2026)

 

 Referuar raportit të Keydata Albania theksohet se nga tremujori i parë 2020 deri në tremujorin e parë 2026, çmimi real i shitjes së apartamenteve në Tiranë është rritur me 114%. Inflacioni kumulativ për tremujorët 2020-2026 përllogaritet në 80.3%.

Referuar grafikut të mësipërm, kurba e indeksit të çmimit të shitjes së apartamenteve në Tiranë ka pësuar fluktuacione të pakta përgjatë kësaj periudhe kohore, mes të cilave do të nënvizonim:

Momentet kryesore të rritjes janë listuar si më poshtë:

Tremujori i tretë 2020 deri në tremujorin e dytë 2023; indeksi është rritur me: 3.17%; 2.2%, 0.41%, 0.69% dhe 0.63%, 1.89%, 0.85%, 1.70%, 5.56%, 3.00%, 0.72% dhe 6.24% përkatësisht nga njëri tremujor në tjetrin.

Nga tremujori i tretë në tremujorin e kartër indeksi është rritur me një përqindje më të lartë, përkatësisht me 21%, nga tremujori i katërt në tremujorin e parë 2024, indeksi është rritur me 10.09%, nga tremujori i parë në të dytë 2024, indeksi është rritur me 2.26% dhe nga tremujori i dytë në atë të tretë është rritur me 4.19%.

Periudha aktuale, tremujori i dytë 2025 shoqërohet me një rritje me 23% krahasuar me tremujorin e parë 2025, ndërsa tremujori i tretë krahasuar me tremujorin e dytë është rritur me një përqindje shumë të vogël, 0.91%. Në tremujorin e parë 2026, çmimet reale të shitjes janë rritur me 9.5% krahasuar me tremujorin e fundit 2025.

Rënie në indeks vërehet nga tremujori i parë në tremujorin e dytë 2020, një rënie me  2.37 % në indeksin e çmimit të shitjes së apartamenteve në Tiranë, një rënie me 1.04% nga tremujori i dytë në tremujorin e tretë 2023, një rënie në periudhën aktuale nga tremujori i tretë në tremujorin e katërt 2024 me 2.57% dhe nga tremujori i fundit 2024 në tremujorin e parë 2025 me 5.26%.

Tremujori i fundit 2025 është shoqëruar me një rënie në indeksin e shitjes së apartamenteve në Tiranë me 3.1% krahasuar me tremujorin e tretë 2025. Periudha aktuale, tremujori i dytë 2026 është shoqëruar me një rënie të vogël me 1.33% krahasuar me tremujorin e parë 2026.

Grafiku 2. Çmimi mesatar real dhe mediana e çmimit të apartamenteve në Tiranë (Euro/m2) për periudhën e tremujorëve 2020-2026

Burimi: Llogaritjet e Keydata Albania (2026)

Në Grafikun 2 më sipër paraqitet çmimi mesatar real i shitjes së apartamenteve në Tiranë në Euro/m2 për periudhën e tremujorëve 2020-2026, shprehur në vlerë reale (i deflatuar me normën e inflacionit) si dhe çmimet mediane (vlera e mesit).

Nga tremujori i parë 2020 deri në tremujorin e dytë 2026, niveli i çmimeve mesatare reale në Tiranë ka lëvizur brenda intervalit 1,030 €/m2 – 2,141 €/m2, ndërsa çmimet mediane brenda intervalit 984 €/m2 në 2,046 €/m2.

Në tremujorin e dytë 2026, çmimet mesatare dhe mediane përllogariten në 2,116 €/m2 dhe 1,982 €/m2, respektivisht. Krahasimisht me tremujorin e parë 2026, në këtë tremujor, çmimet mesatare reale të shitjes së apartamenteve në Tiranë janë ulur me 1.06% dhe çmimet mediane janë ulur me 3.13%.

Ҫmimet mesatare, në ndryshim nga indeksi i çmimeve, përllogariten në proporcion me numrin e apartamenteve që janë në shitje në një periudhë të caktuar. Kështu, një rritje apo rënie në çmimet mesatare, jo domosdoshmërisht duhet të interpretohet me një dukuri që mund të ketë ndodhur të tregun e pasurive të paluajtshme. Ajo mund të interpretohet me faktin se në një moment të caktuar, oferta për apartamente është rritur ose ulur.

Në Grafikun 3, paraqitet çmimi mesatar real dhe median i shitjes së apartamenteve në Tiranë (Euro/m2) në zonën brenda Unazës së vogël për periudhën e tremujorëve 2020-2026. Siç mund të vihet re nga grafiku, çmimi mesatar real i shitjes në këtë zonë, ka ardhur duke u rritur, në intervalin 1,128 – 2,478 €/m2. Çmimet mediane luhaten në intervalet 1,074 – 2,282 €/m2.

Një tendencë e vogël rënëse e çmimeve në zonën brenda Unazës së vogël vihet re në tremujorin e dytë 2026. Në këtë tremujor, çmimi mesatar përllogaritet në 2,426 €/m2; çmimi median përllogaritet në 2,233 €/m2. Krahasuar me tremujorin e parë 2026, në këtë tremujor, çmimet mesatare janë ulur me 0.19% dhe çmimet mediane janë ulur me 2.14%.

Grafiku 3. Çmimi mesatar real dhe median i shitjes së apartamenteve në Tiranë (Euro/m2) në zonën brenda Unazës së vogël për periudhën e tremujorëve 2020-2026

Burimi: Llogaritjet e Keydata Albania (2026)

 

Në Grafikun 4 është paraqitur kurba e evoluimit të çmimit mesatar real dhe medianës së  çmimeve (Euro/m2) të apartamenteve në zonën e Bllokut. Në këtë zonë, çmimet mesatare të shitjes kanë pësuar një luhatje të konsiderueshme duke variuar në intervalin 1,462€/m2-3,003€/m2 ndërsa çmimet median brenda intervalit 1,387€/m2 -3,337€/m2.

Grafiku 4. Çmimi mesatar real dhe median i shitjes së apartamenteve në Tiranë (Euro/m2) në zonën e Bllokut për periudhën e tremujorëve 2020-2026

Burimi: Llogaritjet e Keydata Albania (2026)

 

Një rënie e nivelit të çmimeve mesatare reale vihet re në tremujorin e dytë 2020, 13.7%, shoqëruar më pas me një rritje me të madhe me 20.7% krahasuar me një tremujor më parë, një rënie me 3.2 % nga tremujori i katërt 2020 në tremujorin e parë 2021 shoqëruar më pas me një rritje me 6.2% dhe sërisht një rritje me 2.9% nga tremujori i dytë në tremujorin e tretë 2021, me një rënie nga tremujori i tretë në të katërt me 1.4%, nga tremujori i parë në të dytë një rritje me 9.8% dhe një rritje me 13.4% nga tremujori i tretë në tremujorin e fundit 2022.

Në tremujorin të parë 2026, mesatarisht një apartament në zonën e bllokut shitet në vlerën 3,003€/m2, çmimi median përllogaritet në vlerën 3,004 €/m2. Çmimet mesatare në këtë tremujor krahasuar me tremujorin e katërt 2025 kanë pësuar një rritje me 1.8% ndërsa çmimet mediane janë rritur me 9.7%.

Për sa i përket periudhës aktuale, në këtë tremujor të dytë 2026, mesatarisht një apartament në zonën e bllokut shitet në vlerën 2,962€/m2, një rënie me 1.4% nga tremujori i parë 2026, çmimi median përllogaritet në vlerën 3,337 €/m2, një rritje me 11.1% nga tremujori i parë 2026.

Në Grafikun 5 paraqitet evoluimi i çmimit mesatar real dhe median të shitjes në Euro/m2 të apartamenteve në zonën jashtë Unazës së vogël. Çmimet mesatare reale në këtë zonë variojnë nga një interval 959 €/m2 deri në 2,022 €/m2 në tremujorin e parë 2026. Çmimet mediane variojnë në intervalin nga 930 €/m2 – 1,951€/m2.

 

Grafiku 5. Çmimi mesatar real dhe median i shitjes në Euro/m2 të apartamenteve në zonën jashtë Unazës së vogël për periudhën e tremujorëve 2020-2026

Burimi: Llogaritjet e Keydata Albania (2026)

Tremujori i dytë 2026 karakterizohet nga një rënie e çmimeve mesatare të shitjes së apartamenteve në këtë zonë. Ҫmimet reale mesatare përllogariten në 2,003 €/m2, ndërsa çmimet mediane në nivelin 1,925€/m2, duke pësuar një rënie me 0.9%, ndërsa çmimet mediane janë ulur me 1.29% krahasuar me tremujorin e parë 2026.  / Dorina Azo

The post Rivlerësimi dhe hetimet e SPAK ulin në qershor çmimet e apartamenteve, frenohet paraja informale appeared first on Revista Monitor.

Kriza e pensioneve, janë sa 30% e pagës; Shqipëria me zëvendësimin më të ulët në Europë

17 August 2026 at 06:01

Sistemi i pensioneve në Shqipëri regjistron tashmë shkallën më të ulët të zëvendësimit në të gjithë hapësirën europiane, çka tregon se pensionistët po përballen me presion të dyfishte, nga rënia e të ardhurave dhe rritja e çmimeve.

Të dhënat zyrtare të Eurostat për raportin e përgjithshëm të zëvendësimit dëshmojnë një tkurrje drastike të këtij treguesi, i cili ka rënë nga 0.43 në vitin 2019 në vetëm 0.30 në vitin 2023.

Kjo shifër alarmante tregon se pensioni mesatar bruto në vend përfaqëson tashmë vetëm 30% të pagës mesatare të grupit moshor aktiv 50-59 vjeç, duke thelluar hendekun mes të ardhurave të pensionistëve dhe ritmit më të shpejtë të rritjes së pagave në vendin tonë (të dhënat për Shqipërinë i takojnë vitit 2023, për Europën 2025).

Ky nivel e pozicionon Shqipërinë jo vetëm në fund të Ballkanit Perëndimor, por edhe në skajin më të ulët krahasuar me të gjitha shtetet e Bashkimit Europian, ku mesatarja e bllokut është e qëndrueshme, në rreth 0.57 – 0.60 e pagës mesatare.

Për më tepër, vendet e rajonit regjistrojnë tregues dukshëm më të lartë, ku Serbia ka një raport 0.48, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut ruajnë nivele më të favorshme, ndërsa vende si Greqia, Italia apo Spanja arrijnë vlera nga 0.75 deri në 0.78.

Kjo rënie e paprecedentë në Shqipëri është pasojë direkte e disa faktorëve strukturorë që minojnë skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore.

Së pari, informaliteti i lartë në tregun e punës dhe deklarimi i pagave pjesërisht nën dorë gjatë viteve të punës reduktojnë ndjeshëm bazën e kontributeve dhe madhësinë e pensionit.

Së dyti, skema shqiptare vuan nga ngurtësia e formulës së indeksimit, e cila nuk ka arritur kurrë të përshtatet me rritjen nominale të pagave në sektorin privat.

Nga ana tjetër, raporti i pafavorshëm i varësisë demografike, i cili po përkeqësohet vazhdimisht për shkak të emigracionit të popullsisë së re dhe plakjes së shpejtë të shoqërisë, ushtron presion mbi financat e skemës publike.

Dështimi i qeverisë për të mbrojtur të moshuarit është pasojë e drejtpërdrejtë e nënvlerësimit të politikave qeveritare ndaj kësaj shtrese.

Formula aktuale e indeksimit, e cila bazohet kryesisht te rritja e çmimeve të shportës (inflacioni) dhe jo te rritja e pagave në ekonomike, ka ndikuar në rritjen e hendekut ndërmjet pagave dhe pensioneve.

Ndërkohë që qeveria ka ndërmarrë politika për rritjen e pagave minimale dhe mesatare në sektorin publik, skema e pensioneve është lënë në hije përmes rritjeve simbolike, duke bërë që pensionistët të mos përfitojnë asgjë nga rritja e përgjithshme e produktivitetit dhe pasurisë kombëtare.

Në vendet e Bashkimit Europian apo edhe të rajonit qeveritë ndërhyjnë rregullisht me skema shtesë të mbrojtjes sociale.

Edhe pse qeveria ka ndërmarrë disa fushata kundër informalitetit, mungesa e një mekanizmi efikas kontrolli për dekada të tëra ka lejuar që qindra mijëra punonjës të deklarohen me pagë minimale ndërkohë që pjesa tjetër paguhet nën dorë.

Mungesa e vullnetit politik për të ndëshkuar rreptësisht këtë fenomen po bën që pensionet e reja vit pas viti t dalin me të ulëta në vlerë, ndërkohë që e kundërta duhet të ndodhte.

Gjithashtu qeveria ka dështuar të krijojë një mjedis të besueshëm dhe nxitës fiskal për zhvillimin e fondeve private të pensioneve.

Mungesa e reformave inkurajuese për kursimin individual të detyrueshëm apo vullnetar ka lënë të gjithë barrën e sigurimit të jetesës vetëm mbi skemën publike, e cila tani po shembet nën peshën e saj./ B.Hoxha

The post Kriza e pensioneve, janë sa 30% e pagës; Shqipëria me zëvendësimin më të ulët në Europë appeared first on Revista Monitor.

Si ndahet torta 81 mln euro e buxhetit për shkencën, mbi gjysma shkon për universitetet

17 August 2026 at 06:00

Qeveria e Shqipërisë ka rritur vitit pas viti fondet për kërkimin shkencor, edhe pse alokimet nuk ndjekin të njëjtat ritme.

Sipas të dhënave të Eurostat Shqipëria parashikoi 81.4 milionë euro fonde publike për kërkim dhe zhvillim në vitin 2025, me një rritje prej 10.3% krahasuar me 73.8 milionë euro në vitin 2024.

Struktura e financimit paraqet një zgjerim të shpejtë të buxhetit të përgjithshëm për kërkim, por me përqendrim të lartë te financimi institucional dhe me peshë të ulët të programeve për teknologjinë, shëndetësinë, energjinë dhe mjedisin.

Brenda tre viteve, fondet u shtuan me 51.3 milionë euro, ose me rreth 171%. Të dhënat i referohen treguesit GBARD, që mat fondet e parashikuara në buxhetet e qeverisë për kërkim dhe zhvillim, sipas objektivave socio-ekonomike dhe jo shpenzimet faktike të realizuara gjatë vitit.

Megjithatë, fondi vijon të mbetet ndër më të ulëtit në Europë, në nivelin e 34 euro për banor, nga 289 euro që është mesatarja e Bashkimit Europian, ose 12% e mesatares së BE-së, duke u renditur e katërta nga fundi.

 

Kërkimi, vetëm 1.5 euro për frymë për teknologjinë dhe shëndetësinë, sa 3.7% e mesatares së BE-së

 

Mbi 53% e fondeve për universitetet

Financimi i përgjithshëm për universitetet publike arriti në 43.4 milionë euro në vitin 2025, nga 38.8 milionë euro më 2024 dhe 13.8 milionë euro në vitin 2022.

Kjo kategori përfitoi rreth 53.3% të të gjithë buxhetit publik të Shqipërisë për kërkim dhe zhvillim. Krahasuar me vitin 2022, fondet u rritën me 29.6 milionë euro, ose më shumë se trefish.

Edhe kategoria tjetër e financimit për përparimin e përgjithshëm të njohurive, jashtë fondeve të përgjithshme universitare, mori 8.1 milionë euro në vitin 2025, nga 7.5 milionë euro një vit më parë.

Të dyja kategoritë e përparimit të përgjithshëm të njohurive përfituan së bashku rreth 51.5 milionë euro, ose 63.3% të të gjithë buxhetit për kërkim dhe zhvillim.

Përqendrimi i fondeve te financimi institucional tregon se rritja e buxhetit nuk është shpërndarë në të njëjtën masë drejt programeve kërkimore me objektiva të drejtpërdrejtë ekonomikë, teknologjikë dhe shëndetësorë.

 

Vetëm 1.45 milionë euro për teknologjinë

Kërkimi për prodhimin industrial dhe teknologjinë mori vetëm 1.45 milionë euro në vitin 2025, nga 1.33 milionë euro në vitin 2024.

Pavarësisht rritjes, teknologjia përfitoi vetëm 1.8% të gjithë buxhetit publik për kërkim dhe zhvillim. Shuma mbetet e ulët në raport me nevojën për modernizimin e sektorit prodhues, digjitalizimin, rritjen e produktivitetit dhe përmirësimin e konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve shqiptare.

Edhe kërkimi për transportin, telekomunikacionin dhe infrastrukturat e tjera mori vetëm 2.63 milionë euro, ose 3.2% të totalit. Fondet për këtë kategori u rritën me 12% krahasuar me 2.35 milionë euro në vitin 2024.

 

Shëndetësia mori vetëm 2.5% të buxhetit

Për kërkim në fushën e shëndetësisë u parashikuan 2.05 milionë euro në vitin 2025, nga 1.98 milionë euro më 2024. Rritja vjetore ishte vetëm 3.3%.

Krahasuar me vitin 2022, kur shëndetësia mori 1.39 milionë euro, financimi u shtua me rreth 47%, por pesha e kësaj fushe në buxhetin e përgjithshëm të kërkimit mbeti vetëm 2.5%.

Teknologjia dhe shëndetësia morën së bashku rreth 3.5 milionë euro, ose vetëm 4.3% të fondeve publike të parashikuara për kërkim dhe zhvillim. Buxheti i kombinuar për këto dy fusha ishte më i ulët se financimi për kërkimin në bujqësi dhe gjithashtu më i vogël se fondi i ndarë për mbrojtjen.

 

Rriten fondet për bujqësinë dhe arsimin

Kërkimi në bujqësi përfitoi 3.68 milionë euro në vitin 2025, nga 3.24 milionë euro një vit më parë. Rritja vjetore ishte 13.7%, ndërsa krahasuar me vitin 2022 fondet u shtuan me 55.8%.

Bujqësia përfitoi rreth 4.5% të buxhetit të përgjithshëm për kërkim dhe zhvillim. Fondet mbeten modeste përballë problemeve të produktivitetit, fragmentimit të fermave, ndryshimeve klimatike dhe nevojës për teknologji të reja në prodhim.

Për kërkimin e lidhur me arsimin u parashikuan 10.1 milionë euro, nga 9.1 milionë euro në vitin 2024 dhe 6.3 milionë euro në vitin 2022. Arsimi mori rreth 12.4% të totalit dhe ishte kategoria e dytë më e financuar, pas fondeve të përgjithshme universitare.

Buxheti për arsimin u rrit me 11.1% brenda një viti dhe me rreth 60% krahasuar me vitin 2022.

 

Mbrojtja mori më shumë se teknologjia dhe shëndetësia së bashku

Fondet e kërkimit për mbrojtjen arritën në 4.43 milionë euro në vitin 2025. Mbrojtja përfitoi rreth 5.4% të buxhetit të përgjithshëm për kërkim dhe zhvillim.

Fondi i saj ishte rreth 936 mijë euro më i lartë se shuma e kombinuar për prodhimin industrial, teknologjinë dhe shëndetësinë.

Për sistemet politike dhe sociale u parashikuan 1.23 milionë euro, nga 1.17 milionë euro një vit më parë. Kultura, aktivitetet argëtuese, feja dhe media morën 942 mijë euro, me rritje prej 21% ndaj vitit 2024.

 

Pak fonde për energjinë dhe mjedisin

Kërkimi në energji mori 736 mijë euro në vitin 2025, me rënie prej 5% krahasuar me 2024. Pesha e tij në buxhetin e përgjithshëm ishte vetëm 0.9%.

Për mjedisin u parashikuan 726 mijë euro, nga 688 mijë euro më 2024, me rritje prej 5.5%. Kërkimi për eksplorimin dhe shfrytëzimin e hapësirës mori 703 mijë euro, ndërsa ai për eksplorimin dhe shfrytëzimin e tokës rreth 1.19 milionë euro.

Energjia dhe mjedisi morën së bashku rreth 1.46 milionë euro, më pak se 1.8% e totalit. Niveli i ulët i financimit vjen në një periudhë kur vendi përballet me rrezikun e zjarreve, përmbytjeve, degradimin e tokës, ndotjen dhe nevojën për diversifikimin e burimeve energjetike./ B.Hoxha

 

Burimi: Eurostat

The post Si ndahet torta 81 mln euro e buxhetit për shkencën, mbi gjysma shkon për universitetet appeared first on Revista Monitor.

❌