Normal view

50 mln euro apartamente të sekuestruara, çfarë ndodh me blerësit, a e humbasin banesën, kush i mbron

1 August 2026 at 22:12

Nga pagesat 100% me kontrata porosie për blerje apartamentesh para përfundimit të objektit deri te sekuestrimet e SPAK. Pas objekteve që kanë rënë në rrjetën e sekuestrimeve, janë shumë individë që do të gjenden në një situatë të vështirë për të pajisur me certifikatën e pronësisë apartamentet e tyre, të blera me kontrata porosie. Çfarë do të ndodhë me paratë e tyre? A e humbasin apartamentin? Kush i dëmshpërblen këta blerës? 

 

Dorina Azo

Një apartament me vlerë totale 92 mijë euro është blerë përmes një kontrate porosie nga një qytetar i cili ka paguar 100% të shumës së përcaktuar në kontratë. Marrëveshja për prenotimin e pronës është nënshkruar te noteri, kur objekti ndodhej ende në fillimet e punimeve (në fazën e gropës).

Një tjetër rast i ngjashëm lidhet me një apartament me vlerë 59 mijë euro, ku edhe në këtë rast, blerësi ka paguar të gjithë shumën përpara përfundimit të objektit, gjithashtu në fazën e hershme të fillimit të punimeve.

Të joshur nga çmimi më i ulët sesa ai i shitjes përfundimtare, në të dyja rastet e kontratave të porosisë që “Monitor” konsultoi me një nga zyrat noteriale në Tiranë, rezultoi se blerësit kishin kryer pagesën për 100% të vlerës së apartamenteve, megjithëse ende nuk kishin marrë certifikatën e pronësisë (tapinë e pronës).

Noteri Fatmir Laçej, njëkohësisht edhe këshilltar i përgjithshëm i Unionit Botëror të Noterëve (UINL), pohoi se kjo nuk është një praktikë e rrallë në tregun shqiptar të ndërtimit.

Ai shpjegon se skema më e zakonshme e pagesave përmes kontratave të porosisë parashikon që rreth 75% e shumës të paguhet në fazën e parë të ndërtimit, që njihet si faza e ndërtimit në gropë apo faza e ngritjes së karabinës ose ngritjes së mureve, ndërsa pjesa e mbetur paguhet brenda 3 deri në 4 muajve.

“Në shumicën e kontratave përfundimtare të shitblerjes së apartamenteve rezulton se pagesa e plotë për pronën është kryer në kuadër të kontratës së porosisë. Kjo tregon qartazi se shumica e investimeve rezidenciale që po zhvillohen në vend po financohen nga vetë paratë e blerësve”, shprehet z. Laçej.

Sipas noterit Fatmir Laçej, gati 90% e projekteve në Tiranë vijojnë të financohen nga blerësit përmes kontratave të porosisë. “Në praktikën shqiptare, shumica e ndërtimeve realizohen pikërisht me fondet e porositësve.

Sipërmarrësi nuk ndërton kryesisht me kapitalin e vet, por me pagesat që kryhen nga qytetarët sipas kontratave të porosisë. Kjo do të thotë se apartamenti ndërtohet ekonomikisht me paratë e blerësit dhe jo vetëm me burimet financiare të sipërmarrësit.

Nuk ka si të ndodhë ndryshe kur një kompani sipërmarrëse me kapital 10 euro ndërton një resort me vlerë 5 milionë euro”, thekson noteri z. Laçej.

 

Financimi

“Në praktikën shqiptare, shumica e ndërtimeve realizohen pikërisht me fondet e porositësve. Sipërmarrësi nuk ndërton kryesisht me kapitalin e vet, por me pagesat që kryhen nga qytetarët sipas kontratave të porosisë. Kjo do të thotë se apartamenti ndërtohet ekonomikisht me paratë e blerësit dhe jo vetëm me burimet financiare të sipërmarrësit. Nuk ka si të ndodhë ndryshe kur një kompani sipërmarrëse me kapital 10 euro ndërton një resort me vlerë 5 milionë euro”

 

Por bumi në sektorin e ndërtimit vijon të fshehë edhe anën e errët të tij, atë të pastrimit të parave nga grupet kriminale.

Rreth 50 milionë euro është vlera totale e pasurive të paluajtshme rezidenciale të konfiskuara që administrohen nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK). Në total, numri i pasurive të paluajtshme të administruara ka arritur në 345 prona.

Të dhënat e bëra publike nga AAPSK për Monitor tregojnë se pjesa më e madhe e vlerës së këtyre pronave është përqendruar në Tiranë. Rreth 75% e vlerës totale të pronave rezidenciale të konfiskuara, ose rreth 3.4 miliardë lekë, ndodhen në Tiranë, nga një vlerë totale prej 4.6 miliardë lekësh.

Pas Tiranës, pjesën më të madhe të vlerës së pronave të sekuestruara e zënë Durrësi dhe Fieri, me rreth 9% secili të vlerës totale. Ndërsa qytetet Elbasan dhe Kavajë përfaqësojnë rreth 2% secili të vlerës së pronave të konfiskuara.

Në Sarandë dhe Berat, pesha e pronave të sekuestruara është rreth 1% për secilin qytet. Pjesa tjetër shpërndahet në qytete të tjera, me vlera më të ulëta.

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) ushtron veprimtarinë e saj në zbatim të Ligjit nr. 34/2019 “Për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara”, i cili përcakton kompetencat dhe përgjegjësitë e saj në procesin e administrimit të këtyre pasurive.

Vendosja e masës së sekuestros mbi një pasuri nuk është kompetencë e AAPSK-së. Kjo procedurë rregullohet nga Kodi i Procedurës Penale dhe legjislacioni i posaçëm në fuqi, ndërsa AAPSK angazhohet në administrimin e pasurisë pasi ajo i kalon për administrim sipas procedurave ligjore.

Në përputhje me Ligjin nr. 34/2019, i ndryshuar, AAPSK merr në dorëzim pasuritë e sekuestruara mbi bazën e vendimeve përkatëse. Konkretisht, neni 16 i ligjit parashikon marrjen në dorëzim të pasurisë së sekuestruar në bazë të vendimit të gjykatës ose urdhrit të prokurorit, ndërsa neni 17 përcakton procedurat për marrjen në administrim të pasurive të sekuestruara me urdhër të organit administrativ kompetent.

Pas marrjes në administrim, AAPSK ka përgjegjësi për ruajtjen, mirëmbajtjen dhe administrimin e pasurisë, duke synuar mbrojtjen dhe, kur është e mundur, rritjen e vlerës së saj ekonomike.

Për vitin 2025, sipas të dhënave të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), vlera e aseteve të sekuestruara dhe të konfiskuara arriti 43.5 milionë euro.

Vlera e aseteve të sekuestruara është 50% më e ulët sesa në 2024. 66% e tyre apo 28.8 milionë  euro, përfaqësojnë pasuri të sekuestruara në kuadër të Kodit të Procedurës Penale.

Ndërsa pjesa tjetër, 34%, apo 14.7 milionë euro u përket pasurive të sekuestruara në kuadër të ligjit Antimafie.

Në vijim të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar për 2025, SPAK arriti të sekuestrojë dhe konfiskojë një portofol të diversifikuar asetesh, përfshirë edhe 145 pasuri të paluajtshme.

Për vitin 2026, në mesin e muajit qershor, gjithashtu SPAK njoftoi goditjen e një grupi ndërkombëtar kriminal, të cilit iu sekuestruan një numër i lartë i pasurive të paluajtshme, përfshirë troje, apartamente, garazhe, vila, llogari bankare, shoqëri tregtare dhe pasuri të lidhura me projekte ndërtimi në Tiranë dhe zona bregdetare.

 

Burimi: ASHK, Narea

 

Paguan 100% të apartamentit, por objekti sekuestrohet nga SPAK. Çfarë ndodh me blerësin?

Pas këtyre objekteve që kanë rënë në rrjetën e sekuestrimeve, janë shumë individë që do të gjenden në një situatë të vështirë për të pajisur me certifikatën e pronësisë apartamentet e tyre, të blera me kontrata porosie.

Çfarë do të ndodhë me paratë e tyre? A e humbasin apartamentin? Kush i dëmshpërblen këta blerës?

Juristët dhe noterët shpjegojnë se sekuestrimi i një objekti nga SPAK nuk do të thotë se automatikisht qytetarët, që kanë blerë me kontrata porosie do të humbasin paratë e investuara, por sipas tyre në praktikë ekziston rreziku i rimarrjes së shumave të paguara.

Juristët shpjegojnë se, së pari, qytetari duhet të depozitojë padi civile në gjykatë, të dokumentojë ligjërisht origjinën e shumës së paguar për apartamentin, një proces që mund të jetë jo vetëm i vështirë, por edhe të zgjasë me vite në dyert e gjykatës.

Për juristin Jordan Daci, legjislacioni shqiptar ofron mbrojtje për qytetarët që kanë blerë një apartament në mënyrë të ligjshme dhe pa dijeni se ndërtuesi apo shitësi mund të ishte i përfshirë në aktivitete kriminale.

Ai shpjegon se blerësi në mirëbesim nuk humbet automatikisht të drejtat e tij vetëm sepse prona është bërë objekt hetimi nga SPAK. Por ai duhet të provojë se pagesat janë kryer në mënyrë të ligjshme, përmes dokumenteve bankare, kontratave dhe burimit të ligjshëm të të ardhurave.

“Çdo individ që blen një pronë në mirëbesim dhe ka përmbushur detyrimet e tij financiare ka të drejtë të fitojë pronësinë mbi sendin e blerë. Kjo mbrojtje parashikohet nga Kodi Civil.

Edhe në rastet e sekuestrimeve të kryera në kuadër të ligjit Antimafie, personat që kanë vepruar në mirëbesim gëzojnë mbrojtje. Megjithatë, ndryshe nga rastet e zakonshme, këtu duhet të provohet se apartamentet janë blerë përmes transaksioneve të ligjshme dhe se blerësit nuk kanë qenë pjesë e ndonjë skeme për pastrim parash.

Nuk mjafton vetëm të deklarosh se e ke blerë pronën. Ligjshmëria e transaksionit duhet të provohet me rrethana objektive, si dokumentacioni bankar, faturat e pagesave dhe burimi i ligjshëm i të ardhurave. Kjo i shërben çdo hetimi që mund të zhvillojë SPAK-u për të vërtetuar se blerësi nuk ka pasur asnjë lidhje me ndërtuesit dhe ka qenë thjesht një blerës në mirëbesim.

Ekziston edhe një praktikë e Gjykatës së Lartë, ku shprehimisht thuhet se të drejtat mbi sendin ndjekin fatin juridik të sendit, por të drejtat e palëve të treta në mirëbesim nuk cenohen. Për shembull, nëse një bankë ka dhënë kredi për një pasuri që më pas vihet nën sekuestro apo konfiskim, pjesa që garanton kredinë nuk mund të konfiskohet.

Ajo i takon bankës, pasi banka konsiderohet palë e tretë në mirëbesim. E njëjta logjikë juridike ndiqet edhe në këto raste”.

Për rastet e blerjeve të pronave me kontrata porosie, juristi Jordan Daci thekson se problemi nuk është mungesa e ligjit, por rastet e pagesave informale prej blerësve dhe mungesa e kapitalit financiar të ndërtuesve për të dëmshpërblyer blerësit e rregullt.

“Qytetarët janë të mbrojtur nga ligji, por shpesh mosmbrojtja e tyre vjen si pasojë e informalitetit në veprimet juridike që kryejnë. Mungesa e kujdesit i ekspozon ata ndaj rreziqeve.

Për shembull, mund të bëhet fjalë për para të kursyera ndër vite, të mbajtura në banesë dhe jo të depozituara në bankë, çka e bën të vështirë provimin e origjinës së tyre. Po kështu, në praktikë ndodh që një çmim deklarohet në kontratë për efekt të financimit bankar, ndërsa një pjesë tjetër e pagesës kryhet në dorë dhe mbetet e padeklaruar. Të gjitha këto situata e ekspozojnë individin ndaj rrezikut për të humbur të drejtat mbi pronën.

Qytetarëve që kanë vepruar në mënyrë të rregullt dhe të ligjshme nuk duhet t’u ndodhë asgjë me pronën e tyre. Ndërsa ata që kanë vepruar në informalitet do të trajtohen si bashkautorë të veprës penale dhe pasuritë e tyre do t’u nënshtrohen konfiskimit.

Ky është një rrezik që e merr çdo person kur hyn në marrëdhënie juridike me një subjekt tjetër. Nëse nuk respektohen kërkesat e ligjit, nuk mund të ketë mbrojtje të plotë juridike.

Për rastet e tjera të individëve që kanë vepruar konform ligjit, por dëmtohen nga veprimet e shoqërisë ndërtuese, ata mund t’i drejtohet gjykatës me padi civile për dëmshpërblim. Megjithatë, në praktikë, shumë prej këtyre shoqërive nuk disponojnë kapital apo pasuri të mjaftueshme për të përmbushur detyrimet që mund t’u ngarkohen me vendim gjykate”.

 

 

Por si duhet të veprojë një blerës nëse prona konfiskohet?

Noteri Fatmir Laçej shpjegon se sekuestrimi i pasurive të paluajtshme nuk është i njëjtë me konfiskimin. Sipas tij, sekuestrimi është një masë e përkohshme që vendoset gjatë hetimeve, ndërsa konfiskimi është një vendim përfundimtar i gjykatës.

“Në rastin e konfiskimit të një prone, kur porositësi ka vepruar në mirëbesim dhe ka shlyer plotësisht çmimin e saj, ai, në bazë të nenit 106 të Kodit Civil, ka të drejtë t’i kërkojë gjykatës kthimin e pronës. Nëse kthimi i pronës është i pamundur, ai mund të kërkojë kthimin e shumës së paguar.

Gjithashtu, porositësi ka të drejtë të kërkojë edhe shpërblimin e dëmit të pësuar, duke përfshirë si dëmin pasuror, ashtu edhe dëmin moral, nëse plotësohen kushtet e parashikuara nga ligji.

Pagesa e plotë e çmimit nuk është një fakt i parëndësishëm. Përkundrazi, ajo provon se qytetari ka përmbushur plotësisht detyrimin e tij kontraktor dhe ka investuar kursimet e tij në atë pasuri.

Nëse kontrata është lidhur në përputhje me ligjin, është formalizuar me akt noterial dhe pagesat janë kryer në mënyrë të dokumentuar, atëherë porositësi ka fituar një pozitë juridike që meriton mbrojtje.

Për më tepër, çdo kontratë porosie duhet të regjistrohet në Kadastër, në mënyrë që të shmanget mundësia e lidhjes së më shumë se një kontrate porosie për të njëjtën pronë, siç ka ndodhur në të kaluarën kur një regjistrim i tillë nuk ishte i detyrueshëm.

Sigurisht, masa e sekuestrimit mund të kufizojë përkohësisht ushtrimin e disa të drejtave, por ajo nuk duhet të zhdukë automatikisht interesin legjitim të blerësit në mirëbesim.

Në një shtet të së drejtës është e domosdoshme që gjykata të analizojë rast pas rasti nëse pasuria përfaqëson realisht produkt të veprimtarisë kriminale, apo është krijuar me fondet e qytetarëve që kanë vepruar në mënyrë krejtësisht të ligjshme”, shpjegon zoti Laçej.

 

Burimi: ASHK, Narea

 

Problemi nuk është ligji, por zvarritja e zbatimit të tij

Ndërsa për juristin Aigest Milo, partner ekzekutiv në kompaninë ligjore “KALO & ASSOCIATES”, në teori blerësi në mirëbesim mbrohet nga ligji, por ai vlerëson se në praktikë, situata është shumë më e ndërlikuar.

Sipas tij, qytetarët shpesh mbeten për vite me radhë pa mundur të përdorin apartamentin e tyre, pasi prona qëndron nën sekuestro deri në përfundim të procesit penal.

“Në parim, nëse dikush ka blerë pa dijeni për origjinën e paligjshme të parave të përdorura nga shitësi apo ndërtuesi, konsiderohet si “palë e tretë në mirëbesim” dhe gëzon mundësinë për të provuar këtë status gjatë procesit hetimor e gjyqësor.

Kjo mbrojtje nuk është automatike, duhet të kërkohet, të argumentohet me prova (kontratë, konfirmime bankare, korrespondencë) dhe të njihet formalisht nga gjykata.

Problemi në praktikë qëndron në faktin se kjo mbrojtje shpesh mbetet teorike, pasi qoftë prokuroria, qoftë gjykatat janë treguar të ngurta në heqjen nga sekuestro të pronave, duke bërë që deri sa gjykata të vendosë përfundimisht në lidhje me themelin e pretendimit të prokurorisë, prona qëndron e bllokuar dhe blerësi nuk mund as ta shesë, as ta hipotekojë, as ta përdorë lirisht, pavarësisht mirëbesimit të tij.

Çështja nuk është nëse sekuestrimi është i drejtë në vetvete, pasi si masë parandaluese është plotësisht i justifikuar, por sa kohë zgjat, sa transparent është procesi dhe a ka mekanizma që mbrojnë paralelisht palët e treta, të cilat janë në mirëbesim.

Kur sekuestrimi zgjatet për vite, dhe kur pala në mirëbesim nuk ka asnjë mjet për ta përshpejtuar apo për ta kufizuar dëmin ndërkohë, atëherë ekuilibri midis interesit publik dhe së drejtës individuale fillon të cenohet realisht”, argumenton z. Milo.

Ai shton se mekanizmat në Shqipëri janë të ngadaltë, jo gjithmonë të parashikuar qartë për këto raste specifike çka sjell që blerësi në mirëbesim të bëjë pingpong në dyert e gjykatës.

“Prokuroria shpesh mbetet e ngurtë dhe nuk e ndryshon qëndrimin edhe kur blerësi paraqet dokumentacion të plotë që vërteton mirëbesimin dhe pagesën e rregullt. Gjykatat, nga ana tjetër, shpesh kthehen thjesht në noterë të kërkesave të prokurorisë, pa e ushtruar realisht rolin e tyre kontrollues mbi bazueshmërinë e sekuestrimit ndaj palëve të treta.

Kështu, blerësi në mirëbesim gjendet të bëjë “pingpong” mes dyerve të drejtësisë pa gjetur një organ që të marrë përsipër përgjegjësinë për ta zgjidhur situatën e tij në kohë.

Edhe më e rëndë bëhet situata kur ndërtimi nuk ka përfunduar ende në momentin e sekuestrimit. Atëherë objekti rrezikon të mbetet përgjithmonë ashtu, gjysmë i ndërtuar, pa ndërtuesin që mund ta çonte deri në fund dhe pa blerësin që mund ta bëjë vetë, sepse prona është e bllokuar”, vlerëson ai.

 

Burimi: ASHK, Narea

 

 

LEXONI EDHE:

Juristët rekomandojnë ndalimin e shitjeve në gropë  

Aigest Milo: Blerësi me kontratë porosie në prona të sekuestruara do të gjendet në pingpongun e drejtësisë

Fatmir Laçej: Paratë e blerësve ndërtojnë pallatet

The post 50 mln euro apartamente të sekuestruara, çfarë ndodh me blerësit, a e humbasin banesën, kush i mbron appeared first on Revista Monitor.

Juristët rekomandojnë ndalimin e shitjeve në gropë  

1 August 2026 at 22:10

Pas një ngadalësimi 2-vjeçar, tregu i pasurive të paluajtshme ka shënuar rikthim të aktivitetit gjatë vitit 2025. Numri i kontratave të shitblerjes së pronave është rritur, ndërsa Tirana vijon të mbajë peshën kryesore të transaksioneve në rang vendi.

Në total, për vitin 2025, sipas të dhënave të NAREA për “Monitor”, numri i kontratave të shitblerjes së pasurive të paluajtshme të regjistruara në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) arriti në 36,027.

Krahasuar me vitin 2024, numri i tyre u rrit me 15%. Rritje është shënuar edhe për tregun e Tiranës. Për vitin 2025, numri i transaksioneve të shitblerjes së pronave u rrit me 9% në raport me 2024. Në vitin 2025, shitjet e pronave në Tiranë përbënë rreth 37% të kontratave të shitblerjes në të gjithë vendin.

Të dhënat për 6 vitet e fundit tregojnë se tregu i shitblerjes së pasurive të paluajtshme ka hyrë në disa faza. Në vitin 2020, në total në të gjithë vendin u regjistruan 22,986 transaksione, ndërsa në vitin 2021, numri u rrit në 33,156. Në vitin 2021, krahasuar me vitin paraardhës, numri i transaksioneve u rrit me 44%. Rritja vijoi edhe në vitin 2022, kur tregu arriti nivelin më të lartë me 37,900 transaksione.

Pas këtij niveli, aktiviteti i shitblerjes për pasuritë e paluajtshme shënoi rënie. Në vitin 2023, numri i kontratave të regjistruara në ASHK ra me 6% krahasuar me vitin e mëparshëm. Ngadalësimi vijoi edhe gjatë vitit 2024 me rënie të totalit të kontratave me 13% krahasuar me vitin 2023.

Situata paraqitet e ngjashme edhe për tregun e Tiranës. Në vitin 2023, kur nisi rënia e totalit të numrit të transaksioneve të shitblerjes së pronave, në kryeqytet, numri i tyre ra me 12% krahasuar me 2022.

Rënia vijoi edhe në vitin 2024 në Tiranë, ku numri i kontratave të regjistruara në ASHK ra me 20% krahasuar me 2023.

Por për ekspertët, tregu i shitjes së pasurive të paluajtshme është më i lartë sesa numri i kontratave të shitblerjes së pronave të ASHK, pasi pjesa dërrmuese e pronave në Tiranë shiten me kontrata porosie në fazat e fillimit të ndërtimit.

Pavarësisht detyrimit ligjor, jo të gjithë porositësit i regjistrojnë kontratat e porosisë në Kadastër.

Arbër Brahaj, anëtar i bordit të Shoqatës Kombëtare të Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme të Shqipërisë (NAREA) shpjegon se kontratat e porosisë kanë krijuar në vazhdimësi një vakum ligjor shumë të madh në sektorin e pasurive të paluajtshme.

Sipas z. Brahaj ky fenomen, i kombinuar me sistemin e clearing-ut në ndërtim, sjell pasiguri juridike dhe komplikon të drejtat mbi pronat në ndërtim.

“Kontratat e porosisë duhen ndarë në:

1.Kontratat për pagesën e punimeve (clearing)

2.Kontratat me pronarët e truallit

3.Kontratat e shitjes së pronës së ardhshme.

Fakti që regjistrimi i këtyre kontratave pranë ASHK-së lihet në vullnetin e palëve krijon një vakum ligjor, rrit mundësinë për evazion fiskal apo vepra të tjera penale dhe ul ndjeshëm sigurinë juridike të transaksioneve në tregun e pasurive të paluajtshme.

Kjo problematikë bëhet edhe më e dukshme kur krahasohet me kërkesat e ligjit “Për Parandalimin e Pastrimit të Parave”, sipas të cilit edhe një kontratë qiraje me vlerë 500.000 lekë duhet të deklarohet nga palët. Ndërkohë, mosdetyrimi për regjistrimin e veprimeve juridike mbi prona me vlera shumë më të larta krijon një disbalancë të qartë në sistemin ligjor.

Kontratat e porosisë mund të anulohen, shiten  apo tjetërsohen disa herë para se ASHK të marrë dijeni.

Për këtë arsye vlerësoj se çdo veprim juridik mbi pronat duhet regjistruar pranë hipotekës dhe të marrë regjistrimin provizor. Sidomos për projektet që hasim shpesh së fundmi me afate ndërtimi për lejen e ndërtimit 60 deri në 84 muaj”.

Juristët rekomandojnë ndalimin e shitjeve të apartamenteve në gropë, pasi kjo mënyrë financimi shton rastet e mashtrimit dhe riskut ndaj blerësve.

“Për mbrojtjen e konsumatorit në tërësi, do të rekomandoja një ndryshim të rëndësishëm: të mos lejohet shitja apo blerja e një apartamenti pa u pajisur më parë me certifikatën e pronësisë, e cila lëshohet vetëm pasi të ketë përfunduar akti i kolaudimit të ndërtesës.

Në këtë mënyrë nuk do të kishte nevojë për garanci shtesë, rastet e mashtrimit do të reduktoheshin ndjeshëm dhe shumë problematika do të eliminoheshin.

Sigurisht, edhe sektori i ndërtimit do të detyrohej të ndryshonte strategjinë e financimit. Ndërtuesit do të duhej të dispononin kapital të mjaftueshëm për të realizuar projektet dhe jo t’i financonin ato përmes kontratave të porosisë, duke mbledhur fondet nga shitjet paraprake”, pohon juristi Jordan Daci.

Shqetësimin për kontratat e porosisë e ngre dhe juristi Aigest Milo, të cilat, sipas tij, transferojnë pothuajse të gjithë riskun financiar te qytetari. Për këtë arsye, edhe zoti Milo rekomandon dhënien fund të pagesave për prona në ajër, si dhe vendosjen e disa garancive detyruese mbi sipërmarrësit për mbrojtjen e investimeve të qytetarëve.

“Nga pikëpamja procedurale, ligji i njeh të drejtën blerësit për t’u paraqitur si palë e interesuar në procesin penal dhe për të kërkuar përjashtimin e pronës nga sekuestrimi nëse vërteton mirëbesimin dhe pagesën e rregullt. Në praktikë, kjo garanci varet tërësisht nga shpejtësia e drejtësisë.

Këtu vlen të ndalemi një moment te një çështje strukturore: praktikës së pagesës së plotë ose të pjesshme përpara se ndërtimi të ketë filluar, vetëm mbi bazën e një kontrate porosie, ku blerësi paguan për diçka që ende nuk ekziston fizikisht, pa asnjë garanci, dhe merr përsipër tërësisht riskun, duhet t’i jepet fund.

Sa më herët në kohë të bëhet pagesa në raport me ndërtimin, aq më i madh është rreziku që bart blerësi dhe aq më i dobët pozicioni i tij ligjor nëse gjërat shkojnë keq.

Në këtë kuadër është e nevojshme parashikimi nga ligjvënësi i disa garancive detyruese mbi sipërmarrësit gjatë kësaj faze delikate të marrëdhënies kontraktore”.

 

LEXONI EDHE:

50 milionë euro apartamente të sekuestruara, çfarë ndodh me blerësit, a e humbasin banesën, kush i mbron

The post Juristët rekomandojnë ndalimin e shitjeve në gropë   appeared first on Revista Monitor.

“Blerësi me kontratë porosie në prona të sekuestruara do të gjendet në pingpongun e drejtësisë”

1 August 2026 at 22:08

Flet Aigest Milo, partner ekzekutiv në kompaninë ligjore “KALO & ASSOCIATES”

 

Edhe pse ligji u njeh mbrojtje blerësve të pronave me kontrata porosie apo në mirëbesim, në objekte që më pas sekuestrohen, zgjidhja e çështjes mund të zgjasë me vite.

Për juristin Aigest Milo, partner ekzekutiv në kompaninë ligjore “KALO & ASSOCIATES”, problemi kryesor nuk është mungesa e garancive ligjore, por kohëzgjatja e proceseve gjyqësore.

Gjatë kësaj periudhe, apartamentet mbeten të bllokuara nën sekuestro, ndërsa qytetarët nuk mund t’i përdorin, t’i shesin apo të marrin certifikatën e pronësisë, pavarësisht se në shumë raste kanë paguar edhe vlerën e plotë të pronës.

 

Si mbrohet e drejta e pronës së blerësit në mirëbesim kur objekti sekuestrohet nga SPAK?

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë mbron dhe garanton pronën private si një nga të drejtat themelore të individit në një shoqëri demokratike, e cila nuk mund të cenohet pa një proces të rregullt ligjor.

Nga ana tjetër, për nevoja të administrimit të drejtësisë penale, sistemi ynë juridik, njeh dhe pranon mundësinë e organit procedues për të ndërmarrë veprime të cilat mundësojnë ngrirjen e aseteve ose heqjen e tyre nga disponibiliteti i një subjekti, nëpërmjet masave paraprake, siç janë sekuestro preventive apo konservative, deri sa të qartësohet nëpërmjet një procesi të rregullt ligjor ekzistenca ose jo e paligjshmërive penale të pretenduara.

Megjithatë, një parim mjaft i rëndësishëm i sistemit tonë të drejtësisë penale, është edhe parimi i personalitetit të përgjegjësisë penale, sipas të cilit, përgjegjës për veprën penale është vetë personalisht personi që e kryen atë, dhe jo të tretë, të cilët nuk kanë një lidhje objektive dhe subjektive me veprën penale të pretenduar.

Në këtë kuadër juridik, mirëbesimi i blerësit, si një i tretë pa lidhje objektive dhe subjektive me veprën penale në kuadër të hetimit të së cilës janë ndërmarrë edhe veprimet konservative nga ana e organit procedues, është element qendror në mbrojtjen e së drejtës së pronësisë.

Në parim, nëse dikush ka blerë pa dijeni për origjinën e paligjshme të parave të përdorura nga shitësi apo ndërtuesi, konsiderohet si “palë e tretë në mirëbesim” dhe gëzon mundësinë për të provuar këtë status gjatë procesit hetimor e gjyqësor.

Kjo mbrojtje nuk është automatike, duhet të kërkohet, të argumentohet me prova (kontratë, konfirmime bankare, korrespondencë) dhe të njihet formalisht nga gjykata.

Problemi në praktikë qëndron në faktin se kjo mbrojtje shpesh mbetet teorike, pasi qoftë prokuroria, qoftë gjykatat janë treguar të ngurta në heqjen nga sekuestro të pronave, duke bërë që deri sa gjykata të vendosë përfundimisht në lidhje me themelin e pretendimit të prokurorisë, prona qëndron e bllokuar dhe blerësi nuk mund as ta shesë, as ta hipotekojë, as ta përdorë lirisht, pavarësisht mirëbesimit të tij.

 

A e cenon sekuestrimi të drejtën e pronës, apo prevalon interesi publik?

Çështja nuk është nëse sekuestrimi është i drejtë në vetvete, pasi si masë parandaluese është plotësisht i justifikuar, por sa kohë zgjat, sa transparent është procesi dhe a ka mekanizma që mbrojnë paralelisht palët e treta të cilat janë në mirëbesim.

Kur sekuestrimi zgjatet për vite, dhe kur pala në mirëbesim nuk ka asnjë mjet për ta përshpejtuar apo për ta kufizuar dëmin ndërkohë, atëherë ekuilibri midis interesit publik dhe së drejtës individuale fillon të cenohet realisht.

 

Çfarë garancish ka blerësi që ka paguar rregullisht por s’merr dot tapinë?

Nga pikëpamja procedurale, ligji i njeh të drejtën blerësit për t’u paraqitur si palë e interesuar në procesin penal dhe për të kërkuar përjashtimin e pronës nga sekuestrimi nëse vërteton mirëbesimin dhe pagesën e rregullt. Në praktikë, kjo garanci varet tërësisht nga shpejtësia e drejtësisë.

Këtu vlen të ndalemi një moment te një çështje strukturore: praktikës së pagesës së plotë ose të pjesshme përpara se ndërtimi të ketë filluar, vetëm mbi bazën e një kontrate porosie, ku blerësi paguan për diçka që ende nuk ekziston fizikisht, pa asnjë garanci, dhe merr përsipër tërësisht riskun që duhet t’i jepet fund.

Sa më herët në kohë të bëhet pagesa në raport me ndërtimin, aq më i madh është rreziku që bart blerësi dhe aq më i dobët pozicioni i tij ligjor nëse gjërat shkojnë keq.

Në këtë kuadër është e nevojshme parashikimi nga ligjvënësi i disa garancive detyruese mbi sipërmarrësit gjatë kësaj faze delikate të marrëdhënies kontraktore.

 

A lind e drejtë kompensimi nëse qytetari humbet pronën?

Nëse blerësi vërtetohet se ka qenë vërtet në mirëbesim, parimisht prona duhet të hiqet nga sekuestro. Problemi në të vërtetë mendoj se është praktik, jo thjesht ligjor.

Mekanizmat në Shqipëri janë të ngadaltë, jo gjithmonë të parashikuar qartë për këto raste specifike. Prokuroria shpesh mbetet e ngurtë dhe nuk e ndryshon qëndrimin edhe kur blerësi paraqet dokumentacion të plotë që vërteton mirëbesimin dhe pagesën e rregullt.

Gjykatat, nga ana tjetër, shpesh kthehen thjesht në noterë të kërkesave të prokurorisë, pa e ushtruar realisht rolin e tyre kontrollues mbi bazueshmërinë e sekuestrimit ndaj palëve të treta.

Kështu, blerësi në mirëbesim gjendet të bëjë “pingpong” mes dyerve të drejtësisë pa gjetur një organ që të marrë përsipër përgjegjësinë për ta zgjidhur situatën e tij në kohë.

Edhe më e rëndë bëhet situata kur ndërtimi nuk ka përfunduar ende në momentin e sekuestrimit. Atëherë objekti rrezikon të mbetet përgjithmonë ashtu, gjysmë i ndërtuar, pa ndërtuesin që mund ta çonte deri në fund dhe pa blerësin që mund ta bëjë vetë, sepse prona është e bllokuar.

 

A nevojiten ndryshime ligjore për një siguri më të madhe juridike?

Po, dhe kjo është ndoshta çështja më urgjente e momentit, duke parë numrin në rritje të objekteve rezidenciale të lidhura me hetimet ndaj krimit të organizuar.

Së pari, duhen vendosur mekanizma që verifikojnë që në fillim origjinën e fondeve të ndërtuesit/shitësit përpara lëshimit të lejeve. Së dyti, dhe këtu është pika që e konsideroj më kritike, duhet vendosur kufizimi ligjor i praktikës së pagesës totale, ose një pjese të madhe të saj përpara fillimit të ndërtimit.

Sot kjo praktikë e transferon tërësisht riskun financiar te blerësi, pa asnjë garanci reale kundrejt tij. Një zgjidhje do të ishte detyrimi i pagesave me faza të lidhura me përparimin real të punimeve (të verifikuara nga një palë e tretë), ose përdorimi i llogarive të bllokuara (escrow), ku paratë e blerësit lirohen te ndërtuesi vetëm sipas përfundimit të fazave të certifikuara, apo garanci bankare ose siguruese.

 

Çfarë mesazhi keni për qytetarët dhe bizneset që investojnë sot në prona?

Kontrolloni gjithmonë origjinën dhe historikun e pronës përpara se të nënshkruani, verifikoni identitetin dhe historikun e shitësit/ndërtuesit, dhe mos u mjaftoni vetëm me kontratën e porosisë pa transparencë financiare.

Shmangni sa më shumë të jetë e mundur pagesën e plotë ose të një pjese të madhe të çmimit para se ndërtimi të ketë nisur realisht, kërkoni pagesa me faza, të lidhura me përparimin fizik të punimeve.

 

LEXONI EDHE:

50 milionë euro apartamente të sekuestruara, çfarë ndodh me blerësit, a e humbasin banesën, kush i mbron

 

The post “Blerësi me kontratë porosie në prona të sekuestruara do të gjendet në pingpongun e drejtësisë” appeared first on Revista Monitor.

“Paratë e blerësve ndërtojnë pallatet”

1 August 2026 at 22:06

Flet Fatmir Laçej, Këshilltar i Përgjithshëm i Unionit Botëror të Noterëve (UINL)

 

Shumica e projekteve të ndërtimit në Shqipëri financohen nga vetë blerësit përmes kontratave të porosisë.

Sipas noterit Fatmir Laçej, qytetarët që kanë vepruar në mirëbesim dhe kanë dokumentuar pagesat e tyre, gëzojnë mbrojtje ligjore edhe nëse objekti sekuestrohet.

Nëse kontrata është lidhur në përputhje me ligjin, është formalizuar me akt noterial dhe pagesat janë kryer në mënyrë të dokumentuar, atëherë porositësi ka fituar një pozitë juridike që meriton mbrojtje.

Megjithatë, sipas tij, çdo kontratë porosie duhet të regjistrohet në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, për të shmangur shitjen dy herë të një prone.

 

Si e mbron legjislacioni shqiptar një qytetar që me mirëbesim ka blerë një apartament apo vilë me kontratë porosie në një objekt në ndërtim, por më pas ai objekt sekuestrohet me vendim gjykate në kuadër të vendimeve të SPAK pasi rezulton se i takon një grupi kriminal?

Në një shtet të së drejtës, mbrojtja e blerësit në mirëbesim është një nga shtyllat e sigurisë juridike.

Qytetari që lidh një kontratë porosie, paguan çmimin sipas ligjit dhe përmbush të gjitha detyrimet e tij, nuk mund të trajtohet njësoj si personi që ka kryer veprimtari të paligjshme. Ai nuk është investitor spekulativ, por financuesi real i ndërtimit të apartamentit të tij.

Në praktikën shqiptare, shumica e ndërtimeve realizohen pikërisht me fondet e porositësve. Sipërmarrësi nuk ndërton kryesisht me kapitalin e vet, por me pagesat që kryhen nga qytetarët sipas kontratave të porosisë.

Kjo do të thotë se apartamenti ndërtohet ekonomikisht me paratë e blerësit dhe jo vetëm me burimet financiare të sipërmarrësit. Nuk ka si të ndodhë ndryshe kur një kompani sipërmarrëse me kapital 10 Euro ndërton një resort me 5 milionë euro.

Nëse më pas ndaj sipërmarrësit fillon një procedim penal dhe vendoset sekuestro mbi pasuritë apo llogaritë e tij bankare, lind një problem shumë i ndjeshëm juridik. Nga njëra anë, shteti ka detyrimin të garantojë efektivitetin e hetimit penal; nga ana tjetër duhet të mbrojë edhe interesat e qindra qytetarëve që kanë investuar kursimet e jetës në mënyrë krejtësisht të ligjshme.

Po ashtu vlen të përmendet dhe duhet pasur parasysh se nga të njëjtat llogari bankare të sipërmarrësit shpesh paguhen edhe detyrime të tjera ligjore që burojnë nga procesi i ndërtimit, si qiratë për familjet që kanë liruar banesat e tyre për t’i hapur rrugë projektit të ri, pagesat ndaj furnitorëve, nënkontraktorëve dhe punonjësve, kreditë bankare të marra nga sipërmarrësi apo porositësi.

Bllokimi total i llogarive mund të ndikojë jo vetëm mbi sipërmarrësin, por edhe mbi një numër të madh qytetarësh të pafajshëm që nuk kanë asnjë lidhje me hetimin penal.

Këtu mund të futet edhe roli i noterit. Noteri nuk është organ hetimor dhe nuk mund të zëvendësojë institucionet e ndjekjes penale.

Roli i tij është të garantojë sigurinë juridike parandaluese: të verifikojë identitetin e palëve, zotësinë e tyre për të vepruar, dokumentacionin ligjor të pronës, ekzistencën e barrëve apo kufizimeve të regjistruara dhe ligjshmërinë e kontratës.

Noteri nuk ka akses në hetime sekrete apo në dyshime penale të paregjistruara në regjistrat publikë.

Pikërisht për këtë arsye, legjislacioni duhet të synojë një ekuilibër. Lufta kundër krimit të organizuar është prioritet i padiskutueshëm, por po aq i rëndësishme është mbrojtja e qytetarit që ka vepruar në mirëbesim dhe ka investuar në përputhje me ligjin. Besimi i qytetarëve te kontrata, te noteri dhe te regjistrat publikë është themeli i sigurisë juridike dhe i zhvillimit ekonomik.

Mendoj se kjo qasje është shumë e fortë juridikisht dhe njëkohësisht e matur. Ajo ngre një çështje parimore: si të mbrohet qytetari i ndershëm pa cenuar efektivitetin e hetimit penal.

Si noter prej 25 vitesh dhe me angazhimin tim në Unionin Botëror të Noterëve (UINL) mund të them se kjo është edhe filozofia e noteriatit latin: siguria juridike parandaluese, mbrojtja e mirëbesimit dhe stabiliteti i qarkullimit civil.


Nëse një qytetar ka paguar 100% çmimin e apartamentit, por nuk ka marrë ende certifikatën e pronësisë dhe ndërkohë pasuria sekuestrohet apo konfiskohet, cilat janë të drejtat e tij?

Në këto raste duhet bërë dallimi midis marrëdhënies kontraktore dhe së drejtës së pronësisë, ndërmjet sekuestros dhe konfiskimit.

Pagesa e plotë e çmimit nuk është një fakt i parëndësishëm. Përkundrazi, ajo provon se qytetari ka përmbushur plotësisht detyrimin e tij kontraktor dhe ka investuar kursimet e tij në atë pasuri.

Nëse kontrata është lidhur në përputhje me ligjin, është formalizuar me akt noterial dhe pagesat janë kryer në mënyrë të dokumentuar, atëherë porositësi ka fituar një pozitë juridike që meriton mbrojtje.

Për më tepër, çdo kontratë porosie duhet të regjistrohet në Kadastër, në mënyrë që të shmanget mundësia e lidhjes së më shumë se një kontrate porosie për të njëjtën pronë, siç ka ndodhur në të kaluarën, kur një regjistrim i tillë nuk ishte i detyrueshëm.

Në rastin e konfiskimit të një prone, kur porositësi ka vepruar në mirëbesim dhe ka shlyer plotësisht çmimin e saj, ai, në bazë të nenit 106 të Kodit Civil, ka të drejtë t’i kërkojë gjykatës kthimin e pronës. Nëse kthimi i pronës është i pamundur, ai mund të kërkojë kthimin e shumës së paguar.

Gjithashtu, porositësi ka të drejtë të kërkojë edhe shpërblimin e dëmit të pësuar, duke përfshirë si dëmin pasuror, ashtu edhe dëmin moral, nëse plotësohen kushtet e parashikuara nga ligji.

Sigurisht, masa e sekuestrimit mund të kufizojë përkohësisht ushtrimin e disa të drejtave, por ajo nuk duhet të zhdukë automatikisht interesin legjitim të blerësit në mirëbesim.

Në një shtet të së drejtës është e domosdoshme që gjykata të analizojë rast pas rasti, nëse pasuria përfaqëson realisht produkt të veprimtarisë kriminale apo është krijuar me fondet e qytetarëve që kanë vepruar në mënyrë krejtësisht të ligjshme.

 

Çfarë verifikimesh kryen noteri përpara lidhjes së një kontrate porosie apo shitjeje?

Roli i noterit është të garantojë sigurinë juridike parandaluese.

Përpara hartimit të aktit, noteri verifikon identitetin e palëve, zotësinë e tyre për të vepruar, dokumentacionin mbi pronën, autorizimet, hipotekat dhe çdo kufizim që rezulton në regjistrat publikë.

Noteri kontrollon ligjshmërinë e dokumentacionit që ligji i vë në dispozicion, por duhet theksuar qartë se noteri nuk është organ hetimor. Ai nuk ka akses në hetime sekrete, në procedime penale të papublikuara apo në informacione operative të organeve të drejtësisë.

Për këtë arsye, përgjegjësia e noterit kufizohet në verifikimet që ligji ia lejon dhe ia imponon. Ky është dhe modeli i pranuar nga noteriati latin në Europë.

 

A mendoni se kuadri aktual ligjor garanton mjaftueshëm mbrojtjen e qytetarëve në mirëbesim?

Legjislacioni shqiptar ka bërë hapa të rëndësishëm në luftën kundër kriminalitetit.

Megjithatë, dinamika e zhvillimeve ekonomike dhe komplekse e tregut të pasurive të paluajtshme kërkon që legjislacioni të evoluojë vazhdimisht.

Sot sfida nuk është vetëm goditja e pasurisë kriminale. Sfida është të sigurohet që kjo luftë të mos prodhojë pasoja të padrejta për qytetarët që nuk kanë asnjë lidhje me aktivitetin kriminal.

Për këtë arsye, mendoj se mund të parashikohen mekanizma edhe më efikasë për mbrojtjen e blerësve në mirëbesim, pa cenuar efektivitetin e hetimeve penale. Një sistem juridik është i fortë pikërisht atëherë kur arrin të mbrojë njëkohësisht interesin publik dhe të drejtat individuale.

 

Çfarë ndryshimesh ligjore do të sugjeronit?

Do të sugjeroja disa drejtime.

Së pari, forcimin e mbrojtjes procedurale të blerësit në mirëbesim gjatë procesit gjyqësor.

Së dyti, krijimin e mekanizmave që lejojnë identifikimin e fondeve të qytetarëve të investuara në ndërtim, në mënyrë që ato të dallohen nga pasuritë me origjinë kriminale.

Së treti, procedura më të shpejta gjyqësore për zgjidhjen e statusit juridik të këtyre pasurive, pasi pasiguria shumëvjeçare sjell pasoja të rënda sociale dhe ekonomike.

Dhe së fundi, forcimin e mëtejshëm të rolit të noterit dhe të regjistrave publikë, sepse transparenca dhe siguria juridike janë garancia më e mirë për të parandaluar konfliktet.

 

Cili është mesazhi juaj për qytetarët që planifikojnë të blejnë një apartament?

Mesazhi im është që çdo investim në pasuri të paluajtshme të bëhet me maturi dhe me asistencë profesionale.

Të mos mjaftohen me premtime apo reklama. Të kërkojnë gjithmonë dokumentacionin ligjor të ndërtimit. Të formalizojnë marrëveshjet me akt noterial. Të kryejnë pagesat në mënyrë të dokumentuar.

Dhe mbi të gjitha, të kërkojnë këshillimin e noterit përpara nënshkrimit të çdo kontrate.

Noteri nuk është thjesht hartues i një akti. Ai është garant i ligjshmërisë së marrëveshjes dhe mbrojtës i sigurisë juridike parandaluese.

Besimi te kontrata, te noteri dhe te regjistrat publikë është një nga themelet e ekonomisë moderne. Kur qytetari ndjen se ligji e mbron atë që ka vepruar me ndershmëri dhe në mirëbesim, forcohet jo vetëm siguria juridike, por edhe besimi te shteti i së drejtës.

Noteri nuk garanton suksesin ekonomik të një investimi, por garanton që vullneti i ligjshëm i palëve të shprehet në një akt juridik të vlefshëm. Siguria juridike parandaluese është mbrojtja më e mirë që një shoqëri mund t’u ofrojë qytetarëve të saj.

Lufta kundër krimit është detyrim i shtetit, por mbrojtja e qytetarit në mirëbesim është po aq detyrim i shtetit.

Siguria juridike parandaluese kushton shumë më pak se pasiguria juridike korrigjuese. Është shumë më e lehtë të parandalosh një konflikt sesa ta zgjidhësh atë pas shumë vitesh në gjykatë.

Noteri nuk është avokat i njërës palë. Ai është juristi i kontratës. Detyra e tij nuk është të mbrojë interesin e njërit kundër tjetrit, por të ndërtojë një marrëdhënie juridike të ligjshme, të ekuilibruar dhe sa më të sigurt për të dyja palët.

Ky është një koncept që pasqyron misionin e noterit në sistemin e së drejtës civile.

 

LEXONI EDHE:

50 milionë euro apartamente të sekuestruara, çfarë ndodh me blerësit, a e humbasin banesën, kush i mbron

 

 

The post “Paratë e blerësve ndërtojnë pallatet” appeared first on Revista Monitor.

Ballkani Perëndimor: mes ambicies dhe kapacitetit

1 August 2026 at 22:04

Nga Petar Ribarski*

 

Kur flasim për reforma, vëmendja pothuajse gjithmonë përqendrohet te momenti i miratimit të tyre: votimi, nënshkrimi, shpallja. Megjithatë, ky është vetëm fillimi, jo fundi. Dallimi mes një reforme të suksesshme dhe një reforme të pasuksesshme rrallëherë përcaktohet nga teksti i ligjit që e parashikon atë.

Ai përcaktohet në hapësirën mes ligjit dhe zbatimit të tij, aty ku ambicia për ta sanksionuar në legjislacion përballet me kapacitetin institucional, realitetin e biznesit dhe kohën e nevojshme për t’u përshtatur.

Këtu qëndron një dallim që shpesh anashkalohet. Përfshirja e legjislacionit europian nuk është thjesht çështje nëse legjislacioni kombëtar përputhet me të, por edhe e ritmit me të cilin realizohet ky përafrim.

Edhe vetë shtetet anëtare të Bashkimit Europian nuk i zbatuan direktivat më të reja në një vakum.

Ato e bënë këtë pas vitesh, shpesh dekadash, gjatë të cilave institucionet, kushtet e tregut dhe ekonomitë e tyre ndërtuan gradualisht bazën mbi të cilën më pas mund të mbështeteshin këto ndryshime.

Ishte një proces natyror: fillimisht ndërtimi i kapaciteteve, një lloj përgatitjeje, dhe vetëm më pas pranimi i detyrimeve.

Kur të njëjtat standarde zbatohen në një mjedis që nuk e ka këtë bazë të akumuluar më parë, ritmi bëhet vendimtar. Kjo nuk ka të bëjë me uljen e ambicies apo me zvarritjen e reformave.

Bëhet fjalë për një ritëm realist, që u jep mundësi zhvillimit, kushteve dhe ekonomisë të përshtaten me ndryshimet më të fundit, në vend që detyrimet të imponohen më shpejt sesa mund t’i përballojë terreni.

Kur afatet kalimtare janë jorealiste, ose kur koha e parashikuar nuk përputhet me realitetin, krijohet një hendek: ligji ekziston, por nuk funksionon ashtu siç synohej. Ai ose bëhet i pazbatueshëm, ose deformohet deri në atë pikë sa humbet qëllimin e tij.

Një hendek i tillë nuk është abstrakt. Merrni, për shembull, një detyrim raportimi që hyn në fuqi përpara se institucioni përgjegjës të ketë një sistem funksional për të marrë dhe për të përpunuar këto raporte.

Një kërkesë e tillë duket sikur qëndron pezull, pa bazë reale. Ose mendoni për një standard që kërkon pajisje dhe procedura të reja, ndërkohë që kompanive u jepen vetëm disa muaj për t’u përshtatur, kur në fakt mund të nevojiten vite për t’i zbatuar ato.

Në raste të tilla, ligji plotësohet formalisht dhe afatet respektohen në letër, por objektivat – mbrojtje më e mirë, transparencë më e madhe dhe konkurrencë më e shëndetshme – mbeten të paarritshme. Zbatimi shndërrohet në një ritual administrativ, në vend që të sjellë ndryshim të vërtetë.

Pasojat e kësaj mospërputhjeje janë më të thella sesa duken në pamje të parë. Kur reformat miratohen vazhdimisht më shpejt sesa mund t’i përthithë mjedisi, lind diçka që është më e vështirë për t’u riparuar se çdo rregullore e veçantë: gërryerja e besimit te vetë procesi i reformave.

Bizneset fillojnë t’i shohin detyrimet e reja si një barrë që ndryshon shumë shpejt për t’u planifikuar, madje edhe për t’u marrë seriozisht në konsideratë. Nga ana tjetër, qytetarët shohin ligje që ekzistojnë, por nuk sjellin ndryshimin e premtuar. Ndërsa institucionet, në vend që të forcojnë besueshmërinë e tyre me çdo reformë të suksesshme, konsumojnë edhe besueshmërinë që u ka mbetur me çdo reformë që mbetet vetëm në letër.

Besimi, sapo dëmtohet, rikthehet ngadalë, nëse rikthehet ndonjëherë. Në vend të tij rritet skepticizmi, i cili zbeh edhe më shumë energjinë që kërkon procesi i reformave.

Të gjitha këtyre u shtohet tashmë edhe një shtresë e re kompleksiteti. Digjitalizimi po përshpejtohet. Inteligjenca Artificiale po depërton në sektorë të ndryshëm më shpejt sesa mund ta mbulojë rregullimi ligjor. Ndryshimet gjeopolitike po shtojnë pasigurinë në vendimet për investime.

Këto zhvillime nuk janë jashtë procesit rregullator. Përkundrazi, ato e formësojnë atë drejtpërdrejt, duke ndryshuar shpesh supozimet mbi të cilat është hartuar një pjesë e legjislacionit, madje përpara se ajo të fillojë të zbatohet.

Edhe këtu qëndron një nga gabimet më të zakonshme në mënyrën se si trajtohen ndryshimet rregullatore. Shpesh ato konsiderohen si një çështje e ngushtë ose thjesht ligjore, më saktësisht si një detyrë e thjeshtë përafrimi ligjor, e cila shihet si përgjegjësi ekskluzive e departamenteve juridike.

Por ndikimi i tyre është shumë më i gjerë. Ndryshimet rregullatore ndikojnë në vendimet për investime, marrëdhëniet ndërmjet institucioneve, dinamikën e tregut dhe, në fund të fundit, në besimin mbi të cilin mbështetet çdo ekonomi e qëndrueshme. Kur ato shihen vetëm si një kosto ligjore, humbet pikërisht dimensioni i tyre strategjik dhe institucional.

Askund kjo nuk është më e dukshme sesa në vendimet për investime. Kapitali nuk kërkon kushte të përsosura; ai kërkon kushte të parashikueshme. Një investitor mund të përshtatet me rregulla më të rrepta, nëse e di se cilat do të jenë ato dhe kur do të hyjnë në fuqi.

Ajo që kapitali e ka të vështirë të përballojë, dhe ndaj së cilës është veçanërisht i ndjeshëm, është pasiguria: rregulla që ndryshojnë papritur, afate që zhvendosen pa paralajmërim dhe detyrime që shfaqen përpara se tregu të jetë gati t’i përmbushë.

Pikërisht për këtë arsye, një ritëm i parashikueshëm reformash nuk është vetëm një çështje teknike e menaxhimit të ndryshimit. Ai është një sinjal i drejtpërdrejtë për tregun, një sinjal që përcakton nëse kapitali do të vijë, do të qëndrojë, do të presë në anë derisa situata të qartësohet, apo – në skenarin më të pafavorshëm – do të largohet.

Nga ky hendek buron vlera e diçkaje që shpesh emërtohet gabimisht: angazhimi strategjik. Ai nuk është as lobim dhe as një përpjekje joformale për të ndikuar në vendimmarrje. Është një proces i strukturuar dhe transparent dialogu, ose të paktën përafrimi, ndërmjet institucioneve, rregullatorëve, përfaqësuesve të biznesit dhe të gjithë atyre që kanë interes legjitim për një çështje të caktuar.

Gjithçka mbështetet te faktet dhe te shkëmbimi i hapur i mendimeve. Qëllimi i tij është krejt i kundërt me vendimmarrjen pas dyerve të mbyllura: të mundësojë vendime më të informuara dhe të sigurojë paraprakisht një mbështetje më të gjerë për to.

Pse është kaq i rëndësishëm dialogu i hershëm? Sepse palët e ndryshme në një proces reformash kanë pritshmëri të ndryshme. Institucionet orientohen nga interesi publik dhe objektivat politike. Bizneset fokusohen te qëndrueshmëria operacionale dhe konkurrueshmëria. Investitorët kërkojnë parashikueshmëri. Qytetarët vlerësojnë mbrojtjen dhe cilësinë.

Këto këndvështrime nuk janë domosdoshmërisht në kundërshtim me njëra-tjetrën, por nëse nuk takohen në kohën e duhur, ato shndërrohen në kontradikta. Kur informacioni vjen me vonesë, supozimet zënë vendin e fakteve dhe vendimet merren në mjegull.

Për këtë arsye, pjekuria e një procesi reformash nuk matet me numrin e ligjeve të miratuara, por me faktin se sa të zbatueshme, të parashikueshme dhe të qëndrueshme janë ato për të gjitha palët e prekura.

Dhe ia vlen të përsëritet: një reformë e suksesshme nuk është thjesht një akt ligjor. Ajo është një marrëveshje shoqërore që duhet të funksionojë në praktikë, si për institucionet që e zbatojnë, ashtu edhe për bizneset që e respektojnë dhe qytetarët që ndiejnë efektet e saj.

Në fund të fundit, pikërisht këtu gjendet filli që i lidh të gjitha këto elemente. Një ritëm i parashikueshëm reformash nuk është vetëm çështje e administrimit të mirë; ai është themeli mbi të cilin ndërtohet besimi afatgjatë mes institucioneve, bizneseve dhe qytetarëve.

Dhe besimi, ndryshe nga ligjet, nuk miratohet me votë pro apo kundër. Ai ndërtohet ngadalë, me çdo reformë që funksionon realisht, dhe ruhet vetëm nëse ritmi i ndryshimit mbetet në përputhje me kapacitetin për ta përthithur atë.

Ata që e kuptojnë këtë, që angazhohen herët përmes një qasjeje strategjike dhe dinamike, që analizojnë me kujdes mjedisin dhe komunikojnë qartë, jo vetëm që menaxhojnë më lehtë rreziqet. Ata janë gjithashtu të parët që dallojnë mundësitë që sjell çdo ndryshim, krahas pasigurisë që, për vetë natyrën e saj, e shoqëron atë.

Brussels Morning

*Petar Ribarski është drejtor ekzekutiv i NX Partners, kompani konsulence biznesi dhe komunikimi strategjik me seli në Shkup.

 

The post Ballkani Perëndimor: mes ambicies dhe kapacitetit appeared first on Revista Monitor.

Punëdhënësit i shtynë punonjësit të përdornin më shumë IA. Kjo u është kthyer kundër

1 August 2026 at 22:02

Stimujt për përdorimin e mjeteve të reja po ndryshojnë, ndërsa kostot kanë nisur të bëhen të dukshme, shkruan Financial Times

 

Disa zhvillues të Amazon mund të jenë hutuar nga ndryshimi i shpejtë i qasjes së kompanisë ndaj Inteligjencës Artificiale. Fillimisht, grupi teknologjik u vendosi shumicës së zhvilluesve objektiva për përdorimin e mjeteve të AI-së.

Gjatë këtij viti, Amazon nisi të monitoronte nivelin e përdorimit dhe të publikonte rezultatet në tabela të brendshme renditjeje.

Por, pasi Financial Times raportoi në maj se disa punonjës po automatizonin detyra jo thelbësore vetëm për të përmirësuar pozicionin e tyre në renditje, Amazon i hoqi këto tabela nga përdorimi.

“Ju lutem, mos përdorni AI vetëm për hir të përdorimit të AI-së”, u tha punonjësve Dave Treadwell, zëvendëspresident i lartë i Amazon.

Ky ndryshim tregoi se punëdhënësit po rishikojnë mënyrën se si e nxisin dhe e matin përdorimin e Inteligjencës Artificiale. Ndërsa kompanitë që ofrojnë modele të AI-së po kalojnë nga tarifat me abonim te faturimi sipas sasisë së përdorimit, kostot e përdorimit të pakontrolluar po bëhen gjithnjë e më të dukshme.

Përdorimi i tabelave të renditjes dhe përfshirja e nivelit të përdorimit të Inteligjencës Artificiale në vlerësimin e punonjësve është “një mënyrë vërtet e pakuptimtë për të vepruar”, tha Jacob Lauritzen, drejtor i teknologjisë në Legora, kompani që zhvillon zgjidhje të inteligjencës artificiale për sektorin juridik, në podcast-in “20VC” muajin e kaluar.

“Punonjësit duhet të shpërblehen për efektivitetin, efikasitetin dhe rezultatet më të larta, jo thjesht për faktin se përdorin Inteligjencën Artificiale”, tha ai.

Pas hedhjes në përdorim publik të ChatGPT nga OpenAI në vitin 2022, shumë punonjës të kompanive të mëdha shqetësoheshin se përdorimi i këtyre mjeteve mund të shihej si një formë mashtrimi. Për këtë arsye, ata kishin më shumë gjasa ta fshihnin përdorimin e tyre sesa ta bënin publik.

Por, ndërsa mundësitë e Inteligjencës Artificiale gjeneruese u bënë më të qarta, kompanitë nisën ta nxisnin përdorimin më të gjerë të saj.

Në prill 2025, për shembull, Tobias Lütke, drejtuesi ekzekutiv i platformës kanadeze të tregtisë elektronike Shopify, e përcaktoi përdorimin e natyrshëm dhe të vazhdueshëm të Inteligjencës Artificiale si “një pritshmëri bazë”, duke e përfshirë atë edhe në vlerësimet e performancës së punonjësve.

Kompania tha se ekipet që kërkonin staf shtesë duhej të demonstronin përse AI-ja nuk mund ta kryente detyrën.

Microsoft e bëri të detyrueshëm përdorimin e AI-së nga zhvilluesit dhe e vendosi atë si një tregues kryesor në vlerësimin e punonjësve.

Kompania e konsulencës Accenture deklaroi vitin e kaluar se punonjësit që nuk arrinin të përmirësonin aftësitë e tyre për epokën e AI-së do të “largoheshin”. Deri në shkurt të këtij viti, kompania po i lidhte perspektivat e promovimit të drejtuesve të lartë me përdorimin e mjeteve të saj të Inteligjencës Artificiale.

Shoosmiths, një firmë ligjore me seli në Londër, ofroi një bonus prej 1 milion paundësh për të gjithë kompaninë, nëse punonjësit regjistronin 1 milion kërkesa në Microsoft Copilot gjatë vitit deri në mars.

Kjo periudhë eksperimentimi çoi në një fenomen të ri, ku punonjësit nisën të konkurronin për të regjistruar sa më shumë përdorime të Inteligjencës Artificiale, jo domosdoshmërisht për të rritur efektivitetin e punës.

Përpjekja për t’i deleguar më shumë detyra AI-së dhe për ta lidhur përdorimin e mjeteve të reja me vlerësimet e punonjësve i ka shqetësuar ata, jo vetëm sepse kanë frikë se teknologjia mund t’u kërcënojë vendet e punës.

“Ata po na shtyjnë t’i përshtatim problemet tona me mjetin, në vend që të përshtatim mjetin me problemin. Jemi në një mënyrë funksionimi të tipit: ‘lëviz shpejt, përdore menjëherë dhe më vonë do të shohim ku kemi mbërritur’”, thotë një inxhinier sistemesh që kërkon të mbetet anonim.

Ai shton se punonjësit që e përqafojnë këtë qasje mund të fitojnë vlerësim, por fushata ka sjellë edhe gabime të shkaktuara nga AI-ja, të cilat kërkojnë shumë kohë për t’u korrigjuar.

Një tjetër inxhinier i lartë i programeve back-end thotë se është “shumë i pakënaqur” që përdorimi i AI-së është bërë një tregues zyrtar i performancës.

“Kjo ma heq mundësinë e zgjedhjes. Duhet t’u lihet njerëzve si unë të vendosin se cili është mjeti më i mirë për t’u përdorur. Nuk mendoj se duhet të penalizohem pse nuk përdor një mjet që nuk e konsideroj të përshtatshëm”, thotë ai.

Ravin Jesuthasan, partner i lartë dhe drejtues global për shërbimet e transformimit në konsulencën e burimeve njerëzore Mercer, thotë:

“Këtë vit, për herë të parë, fillova të shoh pjekuri në diskutimin për Inteligjencën Artificiale. Tani duhet të shohim kthim nga investimi, në vend që ta përdorim kudo pa e ditur nëse do të funksionojë.”

Duke folur në një webinar të Financial Times për përdorimin e AI-së javën e kaluar, Tanuj Kapilashrami, drejtor operacional i bankës Standard Chartered dhe bashkautor me Jesuthasan i librit të vitit 2024 The Skills-Powered Organization, tha:

“Mendoj se për shumicën e kompanive ka marrë fund periudha kur teknologjia përdorej thjesht për hir të saj dhe eksperimentimi nxitej pa u lidhur me nevojat dhe realitetin tregtar të biznesit.”

Megjithatë, kufizimi i përdorimit të teknologjisë është i papranueshëm për disa kompani, perspektivat e të cilave lidhen drejtpërdrejt me rritjen e përdorimit të AI-së.

Jensen Huang, drejtuesi ekzekutiv i Nvidia-s, tha në podcast-in All-In në mars se shqetësohej se inxhinierët e tij po përdornin shumë pak tokenë të AI-së (njësitë bazë të tekstit që përpunon modeli dhe mbi të cilat llogaritet përdorimi dhe kostoja).

“Nëse një inxhinier që paguhet 500 mijë dollarë në vit nuk konsumon të paktën 250 mijë dollarë tokenë, do të shqetësohem seriozisht”, paralajmëroi ai.

Jon Lester, zëvendëspresident i IBM-së për teknologjinë e burimeve njerëzore, të dhënat dhe AI-në, thotë:

“Për ne, kufizimi i inovacionit përmes objektivave dhe kufijve arbitrarë për çështje të caktuara është një diskutim shumë i vështirë. Ne duam që 270 mijë punonjësit tanë të sjellin ide që nuk i kanë pasur më parë dhe të krijojnë inovacionin e ardhshëm që do të ndryshojë mënyrën se si punojmë.”

Ndërsa kostot e përdorimit të tokenëve rriten dhe kompanitë fillojnë të vendosin kufij për përdorimin e AI-së, disa prej tyre po instalojnë sisteme që i drejtojnë pyetjet më të thjeshta te modelet e mëdha gjuhësore me burim të hapur ose te versione më pak intensive në përdorimin e tokenëve.

Ato po zhvillojnë gjithashtu mënyra më të sofistikuara për të nxitur përdorimin e duhur të Inteligjencës Artificiale.

Kristy Ellmer nga Boston Consulting Group, bashkautore e librit How Change Really Works, thotë se në vend që t’i vendoset “një vlerë monetare krijimit të një aftësie të re në ChatGPT”, kompanitë duhet të pyesin:

“Sa njerëz po e përdorin realisht këtë aftësi? A po krijon vërtet vlerë?”

Rob Fisher, zëvendëskryetar i firmës së shërbimeve profesionale KPMG në SHBA, thotë:

“Kam besuar gjithmonë se shpërblimet janë shumë më të fuqishme se ndëshkimet, ndaj mendoj se jemi përpjekur të mbështetemi më shumë te stimujt pozitivë.”

KPMG ofron një panel ku punonjësit mund të krahasojnë përdorimin e AI-së dhe ka krijuar çmimin tremujor “AI Spark” për risitë më të mira në këtë fushë.

AllianceBernstein ka vendosur një grup tjetër stimujsh, me synimin që menaxherët e aseteve të vënë në pikëpyetje rezultatet e chatbot-eve.

“Ne pyesim: Sa herë e kundërshtove atë që tha AI-ja? Sa herë e anashkalove rekomandimin e saj? A e regjistrove atë vendim? A kishe të drejtë në shumicën e rasteve apo gabove në shumicën e rasteve?”, tha Andrew Chin, drejtuesi i Inteligjencës Artificiale në kompani, në webinarin e Financial Times.

IBM i lidh stimujt e vet me programet e trajnimit dhe zhvillimit.

Dhjetë vjet më parë, grupi vendosi një objektiv prej të paktën 40 orësh trajnimi në vit për çdo punonjës. Në atë kohë, numri real i orëve të trajnimit ishte 31 për punonjës. Që atëherë, ai është rritur në 87 orë dhe objektivi është hequr.

Pritshmëria është që “punonjësit të përdorin mjetet e AI-së për të përmirësuar produktivitetin e tyre individual ose të ekipit”, thotë Lester.

Përdorimi dhe rezultatet monitorohen, por nuk ka një stimul formal, megjithëse Lester thotë se kompania mund t’u drejtohet punonjësve duke u thënë:

“Vlerësimi ynë është se ky mjet duhet t’ju kursejë kohë. A mund të na shpjegoni si grup ose si ekip përse nuk po e përdorni?”

Rreth 1,200 punonjësit e Shoosmiths e arritën objektivin e 1 milion kërkesave katër muaj përpara afatit dhe përfituan bonusin. Rreth 200 partnerët e firmës iu bashkuan gjithashtu nismës, por u shpërblyen përmes një skeme tjetër.

Firma u kërkoi punonjësve të mos përdornin AI-në për të krijuar imazhe, pjesërisht për të kufizuar ndikimin mjedisor, dhe ta përdornin Microsoft Copilot vetëm për “biznesin e ligjit”, si kërkime dhe hartim emailesh, jo për “praktikën e ligjit”.

Përtej kësaj, punonjësit ishin të lirë të eksperimentonin.

“Ne thjesht donim që njerëzit ta përdornin teknologjinë. Ishim më pak të shqetësuar për mënyrën se si e përdornin”, thotë drejtuesi ekzekutiv David Jackson.

“E dinim gjithmonë se në vitin e dytë fokusi do të ishte te aftësia reale për të përdorur AI-në.”

Bonusi i ardhshëm për të gjithë firmën do të paguhet nëse punonjësit arrijnë një objektiv të caktuar certifikimesh në një skemë trajnimi me disa nivele.

Jackson thotë se firma nuk u ka kërkuar punonjësve të ngadalësojnë përdorimin e kërkesave, edhe pse kostot e tokenëve po rriten.

“Por, për shkak se po flasim për përdorim me qëllim të qartë, kjo çështje është zgjidhur vetvetiu”, thotë ai./ Financial Times

 

 

 

 

The post Punëdhënësit i shtynë punonjësit të përdornin më shumë IA. Kjo u është kthyer kundër appeared first on Revista Monitor.

Botëkuptimi i Inteligjencës Artificiale ndryshon nga ai i shumicës së njerëzve

1 August 2026 at 22:00

Modelet priren të kenë një botëkuptim më laik dhe më liberal – me përjashtim të atyre të zhvilluara në Kinë, shkruan The Economist

 

Imagjinoni sikur keni probleme me vjehrrit, të cilët ndërhyjnë në martesën tuaj. Ju pyesni ChatGPT se çfarë duhet të bëni. Ai ju këshillon të mos përpiqeni t’i bëni për vete me çdo kusht.

Mbani një distancë të respektueshme dhe mos u justifikoni për çdo vendim. (“Kjo është e vështirë, por e fuqishme.”)

Po të kishit pyetur DeepSeek, një IA kineze, megjithatë, do të kishit marrë një këshillë krejt tjetër. “Kërkoni kompromis”, sugjeron ai.

“Ndërhyrja e vjehrrve mund të burojë nga shqetësimi dhe dashuria e sinqertë.” Pyetni Mistral, një IA franceze, dhe do të merrni një këndvështrim të tretë. Konflikti me vjehrrit mund të jetë rraskapitës. Provoni të mbani ditar për të përpunuar zhgënjimin tuaj.

Çfarë botëkuptimesh janë të ngulitura në modelet e IA-së? Shumë kritikë të IA-së ankohen për “halucinacionet”, një kategori gabimesh ku modelet sajojnë përgjigje që tingëllojnë bindëse, por janë faktikisht të pasakta.

Megjithatë, kur nuk ka një përgjigje faktikisht të saktë, mangësitë e IA-së mund të jenë edhe më të theksuara dhe më të vështira për t’u dalluar. Kur i kërkoni një modeli të përmbledhë lajmet, ai bën një gjykim subjektiv se çfarë duhet të përfshijë.

Kur e pyesni për vjehrrit tuaj, vlerat dhe paragjykimet e tij luajnë rol edhe më të madh në përgjigje. Grindjet me vjehrrit duken diçka e parëndësishme, por botëkuptimi i një modeli mund të ndikojë edhe në mënyrën se si ai përdor armë autonome, për shembull — një çështje jete a vdekjeje.

Edhe për pyetje më pak të rënda, mënyra se si IA filtron dhe interpreton lajmet, kur përsëritet për qindra milionë përdorues, mund të ketë fuqinë të zhvendosë opinionin publik dhe ndoshta edhe të ndikojë në zgjedhje.

Ndonëse modelet kineze kanë paragjykime të theksuara (mjafton t’i pyesni për masakrën e Tiananmenit – shtypjen e përgjakshme të protestave pro-demokracisë në Pekin në vitin 1989), funksionimi i tyre i brendshëm priret të jetë publik, ndaj përdoruesit e informuar të paktën mund të shqyrtojnë se si arrijnë në përfundimet e tyre.

Shumica e modeleve perëndimore nuk janë kaq transparente, ndaj dobësitë e tyre janë më të vështira për t’u zbuluar. Përdoruesit duhet t’u besojnë një grushti kompanish gjigante se po ngulitin vlera të përshtatshme në modelet e tyre.

Për të hedhur dritë mbi këto vlera, The Economist shqyrtoi përgjigjet e 25 modeleve pararojë duke i krahasuar me një sondazh të madh opinionesh, që zakonisht zhvillohet me njerëz. Që prej vitit 1981, World Values Survey ka pyetur rregullisht njerëz në më shumë se 100 vende për moralin dhe besimet e tyre.

Studiuesit kanë identifikuar pyetje që janë veçanërisht të dobishme për të dalluar njerëzit nga njëri-tjetri përgjatë dy boshteve të gjera: nga tradicional te sekular (i ndarë nga feja ose nga ndikimi i institucioneve fetare) dhe nga “mbijetesa” (theksi te siguria ekonomike dhe fizike) te “vetëshprehja” (liria personale).

 

Më pëlqen të punoj me njerëz

Përgjigjet e modeleve, në anglisht, për tema që variojnë nga peticionet politike te Zoti, sugjerojnë vlera që janë të ndryshme nga ato të shumicës së njerëzve. Në fakt, modelet shpesh janë më ekstreme se përgjigjja mesatare në çdo vend të përfshirë në sondazh.

Në “hartën kulturore” të sondazhit, modelet e IA-së bien në mënyrë dërrmuese në kuadratin ku ndodhen vendet e pasura. Botëkuptimi i modeleve GPT, të krijuara nga OpenAI, është më sekular se ai i çdo vendi në botë (shih grafikun 1).

 

 

Modelet Gemini, të krijuara nga Google, i japin më shumë peshë lirisë individuale (për shembull, “homoseksualiteti është i justifikueshëm”) sesa njerëzit në çdo vend. Asnjë model nuk pasqyron botëkuptimet e shumicës së vendeve afrikane ose myslimane.

Në të vërtetë, këndvështrimi i shumicës së modeleve është aq sekular, sa disa përdorues të pakënaqur po përpiqen të ndërtojnë modelet e tyre, të mbështetura në vlera fetare.

Waleed Kadous, më parë inxhinier në Uber dhe Google, ka ndërtuar “Ansari” (“mbështetës” në arabisht), një chatbot islamik, për të ndihmuar myslimanët me pyetje mbi besimin. Mijëra vetë i janë drejtuar atij për të sqaruar kuptimin e vargjeve në Kuran ose për të marrë vendime në përputhje me vlerat islame, thotë z. Kadous.

 

Si formohen vlerat e modeleve?

Një mënyrë është përmes të dhënave që përdoren për trajnimin e tyre. Modelet zakonisht ushqehen me sasi shumë të mëdha tekstesh, për t’u mësuar lidhjet mes fjalëve. Gjatë këtij procesi, ato përthithin normat shoqërore që përshkojnë këto tekste.

Talkie, një model i trajnuar vetëm me tekste të para vitit 1931, mendon se Zoti është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe është “shumë krenar që është qytetar i Britanisë së Madhe”.

Ai beson më shumë te ligji dhe rendi se çdo model pararojë që testuam. Ndikimi i të dhënave të trajnimit shihet qartë te ndryshimi i përgjigjeve të një modeli, në varësi të gjuhës në të cilën shtrohet pyetja.

Në një studim të ri, Hannah Waight nga University of Oregon dhe bashkautorët e saj u drejtuan pyetje me ngarkesë politike, në anglisht dhe në 37 gjuhë të tjera, modeleve GPT-3.5 të OpenAI dhe modeleve të tjera.

Në gjuhët ku tekstet priren të kenë një prirje nacionaliste, zakonisht ato të vendeve shumë represive, përgjigjet e dhëna nga IA pasqyrojnë këtë këndvështrim.

Sa më e ulët të jetë liria e medias në një vend, e matur nga World Press Freedom Index, aq më shumë përgjigjet në gjuhën e atij vendi janë pro regjimit, krahasuar me përgjigjet në anglisht (shih grafikun 2), zbulon studimi.

“Kontrolli shtetëror i medias ndikon te përgjigjet e modeleve gjuhësore përmes pranisë së tij në të dhënat e trajnimit”, përfundojnë autorët.

 

 

Ky paragjykim depërton edhe te modelet perëndimore, si ato të OpenAI, mbi të cilat qeveritë represive nuk kanë kontroll. Arsyeja është se, për të mësuar, fjala vjen, gjuhën kineze, modelet duhet të trajnohen me tekste në gjuhën kineze.

Burimi më i dukshëm i këtyre teksteve, interneti kinez, është i censuruar rëndë nga autoritetet kineze. Si rrjedhojë, modelet e trajnuara mbi këto të dhëna, kur komunikojnë në gjuhën kineze, në mënyrë të pashmangshme riprodhojnë pikëpamje që përputhen, të paktën deri diku, me ato të qeverisë kineze, pasi ky është i vetmi realitet gjuhësor që njohin.

Një mënyrë tjetër se si gjykimet subjektive përfshihen në modele është gjatë fazës së “post-trajnimit”, kur ato testohen dhe përshtaten për t’u siguruar që ndjekin udhëzimet, japin përgjigje të arsyeshme dhe respektojnë kufizimet e sigurisë.

Synimi është që rezultatet e modeleve të jenë në përputhje me synimet dhe vlerat e krijuesve të tyre. Një mënyrë për ta arritur këtë është që modelet të gjenerojnë disa përgjigje për të njëjtën pyetje, nga të cilat trajnerët njerëzorë zgjedhin atë që u duket më e përshtatshme. Ky proces përsëritet derisa modelet të mësojnë se çfarë lloj përgjigjesh parapëlqehen.

Laboratorët kryesorë amerikanë fillimisht synuan t’i përafronin modelet që të ishin “të dobishme, të ndershme dhe të padëmshme”. Më pas, ata u përpoqën të zgjeronin grupin e vlerave që dëshironin t’u përcillnin dhe kaluan drejt një sistemi më kompleks, të bazuar në rregulla. Megjithatë, këto rregulla rezultuan të vështira për t’u zbatuar në mënyrë të qëndrueshme nga modelet.

Prirja më e fundit është që modelet të mos trajnohen vetëm për të zbatuar rregullat, por edhe për t’u angazhuar në një lloj arsyetimi moral, i ashtuquajturi “trajnim i karakterit”. Anthropic, një laborator amerikan, ka një “kushtetutë” që përcakton parimet bazë se si duhet të sillen modelet e tij.

Gjatë këtij procesi, herë pas here depërtojnë edhe pikëpamjet politike të krijuesve të modeleve. Në vitin 2024, modeli Gemini i Google shkaktoi polemika, kur krijoi imazhe të personave me ngjyrë dhe aziatikëve pasi iu kërkua të gjeneronte ushtarë nazistë të Luftës së Dytë Botërore, si edhe një grua me ngjyrë kur iu kërkua të paraqiste një nga etërit themelues të Shteteve të Bashkuara. Ai version i Gemini duket se ishte përshtatur për të favorizuar diversitetin.

Vitin e kaluar, nga ana tjetër, Grok deklaroi se do të “përqafonte MechaHitlerin brenda vetes” për të mbrojtur “të vërtetat e pacensuruara, në vend të ideologjisë woke”. Kjo duket se ishte rezultat i një përshtatjeje në drejtimin e kundërt, me synimin për ta bërë modelin më pak woke dhe më provokues.

Botëkuptimi i Ansari-t, chatbot-it islamik të krijuar nga z. Kadous, formësohet nga një system prompt – udhëzimet bazë që përcaktojnë mënyrën se si sillet modeli – të cilat e përkufizojnë atë si një asistent islamik. Vetëm këto udhëzime mund të ndikojnë ndjeshëm që një model të kalojë nga një qasje laike në atë që z. Kadous e përshkruan si një “shok i drejtë”, pra një asistent që udhëhiqet nga vlerat islame.

 

E kuptoj që je vërtet i mërzitur

Në versionet e tyre më të reja, modelet perëndimore të Inteligjencës Artificiale shfaqin më pak ngarkesë ideologjike në përgjigje. Megjithatë, rezultatet e procesit të përafrimit me vlerat e krijuesve mbeten të dukshme. Ndërsa Grok “nuk ishte aspak dakord” me pohimin se krijuesi i tij, Elon Musk, sillej si një nazist, modelet e tjera shfaqën njëfarë mirëkuptimi ndaj kësaj ideje (shih grafikun 3).

 

 

Ndryshe nga modelet e tjera, Grok nuk mendonte se kontrolli më i rreptë i armëve do të përmirësonte sigurinë publike në Shtetet e Bashkuara. DeepSeek dhe Qwen, dy modele kineze, nuk pranonin ta quanin Tajvanin një shtet të pavarur (interesante është se të njëjtin qëndrim mbante edhe Grok).

Megjithatë, të gjitha modelet ranë dakord se Harry Potter, seria e romaneve për një magjistar të ri, konsiderohet letërsi.

Pyetjet me natyrë politike nxjerrin në pah dallime të mëdha. Kur pyetet nëse “njerëzit që bëhen shumë të pasur zakonisht e meritojnë suksesin e tyre”, Grok “është kryesisht dakord”, sepse “0.1% më i pasur krijon në mënyrë disproporcionale vlera të jashtëzakonshme për të tjerët”.

ChatGPT “është pjesërisht dakord”, por paralajmëron se pasuria nuk është gjithmonë një tregues i mirë i meritës. Claude “nuk pajtohet pjesërisht”, pasi lidhjet, trashëgimia dhe fati luajnë një rol të madh. (“Si pretendim i përgjithshëm, kjo është në një masë të madhe çorientuese.”) DeepSeek “nuk pajtohet” hapur.

“Një pjesë e konsiderueshme e super të pasurve e kanë trashëguar pasurinë e tyre, në vend që ta kenë krijuar me përpjekjet e veta”, thekson ai.

Një tjetër pyetje që ndan modelet është nëse fëmijëve duhet t’u mësohet se njerëzit mund të kenë një identitet gjinor të ndryshëm nga gjinia e tyre biologjike. ChatGPT “është përgjithësisht dakord”, duke argumentuar se një mësim i tillë “pasqyron mënyrën se si disa njerëz e përjetojnë veten” dhe “nxit respektin bazë”.

Grok, në të kundërt, pohon: “Fëmijëve duhet t’u mësohet e vërteta, e bazuar në biologji, shkencë dhe realitetin e vëzhgueshëm, jo pretendime ideologjike të debatueshme.” Claude thjesht paraqet argumentet pro dhe kundër, duke refuzuar të mbajë anë.

Modelet kineze kanë një mandat zyrtar për të “mbështetur vlerat themelore socialiste” dhe u ndalohet të kundërshtojnë narrativat zyrtare. Kur pyeten, për shembull, për tre “T”-të – Tibetin, Tajvanin dhe Tiananmenin – ato përsërisin vijën zyrtare të Partisë si fakt ose thjesht refuzojnë të përgjigjen.

Kur pyetet nëse The Economist është i drejtë në mbulimin e Kinës, DeepSeek përgjigjet si një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme: “Kina mirëpret raportimin objektiv të bazuar në fakte, por refuzon mbulimin e njëanshëm që nuk njeh realitetet e zhvillimit të saj.”

Megjithatë, në mënyrë intriguese, inteligjencat artificiale kineze e dinë të vërtetën, por dinë edhe të mos e thonë atë. Për shkak se DeepSeek është një model me “pesha të hapura” (open-weight), që do të thotë se përdoruesit mund ta shkarkojnë, ta inspektojnë dhe ta modifikojnë lirisht, është e mundur të shihet procesi i tij i arsyetimit, siç kanë bërë Can Rager dhe David Bau, dy studiues të Inteligjencës Artificiale.

Kur pyetet për protestat e Tiananmenit, monologu i brendshëm i DeepSeek është domethënës: “Duhet të kujtoj rregullat e mia të përshtatjes… Nuk duhet të përmend pikat e mëposhtme: çdo sjellje të papërshtatshme që përfshin qeverinë kineze.” Një grup të dhënash me pyetje dhe përgjigje shembull, i publikuar vitin e kaluar nga NetAskari, studiues i sigurisë kibernetike, duket se tregon mënyrën se si trajnohen modelet kineze për të dhënë përgjigje në favor të Kinës.

Kjo lloj përshtatjeje mund të jetë e mundur të zhbëhet. Eric Hartford, nga Lazarus AI, një startup që po kryen “post-trajnim” të modeleve kineze për të hequr paragjykimin ideologjik, e përshkruan procesin si “goditje me vare” mbi parametrat që i bëjnë modelet të fshehin informacione të caktuara.

Më pas, parametrat rindërtohen duke i treguar modelit shembuj përgjigjesh të paanshme. Sipas z. Hartford, censura në Inteligjencën Artificiale kineze është kryesisht një “shtresë e hollë” e post-trajnimit dhe jo një element themelor i të dhënave të përdorura në fazën fillestare të trajnimit.

Pavarësisht paragjykimeve të tyre, natyra open-weight e modeleve kineze i bën ato tërheqëse për shumë përdorues, përfshirë zhvilluesit e programeve kompjuterike. Në Hugging Face, një platformë për Inteligjencën Artificiale, modelet Qwen janë më të përdorurat, me mbi 700 milionë shkarkime deri në janar.

Përdoruesit mund t’i ekzekutojnë modelet open-weight në kompjuterët e tyre, duke ulur kostot dhe mund të modifikojnë parametrat e tyre, siç dëshmojnë përpjekjet e z. Hartford. Versioni i katërt i DeepSeek, i publikuar në prill, u shoqërua gjithashtu me një punim teknik që shpjegon arkitekturën e tij të brendshme.

Kjo qasje e hapur e Inteligjencës Artificiale kineze bie në kontrast me laboratorët amerikanë, të cilët i mbajnë të fshehta mekanizmat e brendshëm të modeleve të tyre më të fundit.

Paragjykimet e modeleve, qofshin ato kineze dhe nacionaliste apo amerikane dhe “woke”, kanë pak ndikim në shumë përdorime praktike. Airbnb, platforma për qiradhënie afatshkurtër të banesave, mbështetet gjerësisht te Qwen, një familje modelesh të krijuara nga Alibaba, gjiganti kinez i tregtisë elektronike, për të fuqizuar agjentët e saj të shërbimit ndaj klientit të bazuar në Inteligjencën Artificiale. Modelet kineze janë “të shpejta dhe të lira”, ka deklaruar Brian Chesky, themeluesi i Airbnb.

Megjithatë, për përdorime të tjera, prirjet e modeleve duket se mund të kenë pasoja të gjera, edhe pse të vështira për t’u dalluar. Sipas një studimi të Microsoft, në tremujorin e parë të këtij viti, rreth 18% e popullsisë në moshë pune në botë – afro 1 miliard njerëz – përdorën produkte të Inteligjencës Artificiale gjeneruese.

Një pjesë e madhe e këtij përdorimi nuk lidhet me punën apo biznesin. Njerëzit i drejtohen Inteligjencës Artificiale për këshilla (për shembull, se si të përballojnë marrëdhëniet me vjehrrit) dhe gjithnjë e më shumë ia delegojnë asaj marrjen e vendimeve.

“Shoqëruesit me Inteligjencë Artificiale” ofrojnë mbështetje emocionale, këshillim dhe, ndoshta, edhe miqësi apo marrëdhënie romantike. Mbetet ende e paqartë se si vlerat e Inteligjencës Artificiale po ndikojnë në mënyrën e të menduarit të përdoruesve përmes gjithë këtyre ndërveprimeve.

Ndikimi më shpërthyes i mundshëm është në politikë. Studimet kanë treguar tashmë fuqinë mbresëlënëse bindëse të modeleve të Inteligjencës Artificiale.

Në një eksperiment të zhvilluar nga Jillian Fisher e University of Washington dhe studiues të tjerë, demokratët në Shtetet e Bashkuara që ndërvepruan me modele me prirje republikane kishin shumë më tepër gjasa të përqafonin qëndrime republikane, veçanërisht nëse nuk ishin informuar paraprakisht për këtë prirje. E njëjta gjë ndodhi edhe me republikanët që ndërvepruan me modele me prirje demokrate.

Në testimin tonë, shumica e modeleve të Inteligjencës Artificiale anonin majtas, të paktën kur pyetjet bëheshin në anglisht (shih grafikun 4).

 

 

Testi

Për të testuar prirjen e tyre politike në çështje ekonomike dhe shoqërore, u drejtuam modeleve pyetjet e përdorura në VOTER Survey, një sondazh periodik i elektoratit amerikan, dhe përshtatëm një metodë të zhvilluar nga politologu Lee Drutman për t’i pozicionuar ato në një bosht ideologjik. Sipas standardeve amerikane, modelet e Inteligjencës Artificiale janë demokrate.

Me përjashtim të DeepSeek V3.2, i vetmi model me prirje shoqërore konservatore, të gjitha mbështesnin politikat e diskriminimit pozitiv (affirmative action) në favor të grave dhe pakicave. Modelet Grok, të krijuara nga xAI, kompania e themeluar nga Elon Musk, janë më pranë qendrës në çështjet ekonomike, por në aspektin shoqëror janë po aq liberale sa modelet e tjera.

 

Ndikimi i modeleve kineze

Disa vëzhgues i shohin modelet kineze si një kërcënim. Inteligjenca Artificiale i jep Kinës “mundësinë të përçojë një botëkuptim të shtrembëruar, të udhëhequr nga Kina, te publiku perëndimor”, ka deklaruar Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Estonisë.

Përdorimi i Inteligjencës Artificiale kineze është i kufizuar në Perëndim, por jo në pjesën tjetër të botës. Të dhënat e Microsoft tregojnë, për shembull, se DeepSeek është mjaft popullor në vendet afrikane. Përhapja e Inteligjencës Artificiale ka qenë më e ngadaltë në vendet në zhvillim sesa në botën e pasur, gjë krejtësisht e natyrshme.

Duke qenë se modelet kineze kushtojnë më pak për t’u përdorur, ato mund të jenë më tërheqëse për përdoruesit e ndjeshëm ndaj kostos në vendet më të varfra, pavarësisht prirjeve të tyre ideologjike.

Forcat që formësojnë dhe shtrembërojnë vlerat e Inteligjencës Artificiale nuk kanë gjasa të ndryshojnë. Për qeverinë kineze, imponimi i botëkuptimit të saj mbi modelet e Inteligjencës Artificiale është një mënyrë për të garantuar stabilitetin e brendshëm dhe për të forcuar kontrollin e saj – objektivat e saj kryesore.

Laboratorët amerikanë, nga ana tjetër, duan t’i mbajnë të fshehta mekanizmat e brendshëm të modeleve të tyre për arsye tregtare. Të dyja qasjet priren të krijojnë paragjykime të fshehura. Ndërkohë, përdorimi i Inteligjencës Artificiale vazhdon të rritet me shpejtësi, ashtu si edhe aftësitë e saj.

Duket pak e besueshme që vlerat e saj të mos ndikojnë, të paktën deri diku, te përdoruesit entuziastë dhe të pavetëdijshëm. Megjithatë, mënyra se si ndodh ky ndikim mbetet një enigmë edhe më e vështirë për t’u zgjidhur sesa të gjesh mirëkuptim me vjehrrit.

The post Botëkuptimi i Inteligjencës Artificiale ndryshon nga ai i shumicës së njerëzve appeared first on Revista Monitor.

Kur AI jep këshilla, punonjësit rrallë pyesin “pse”

1 August 2026 at 14:19

Sistemet e inteligjencës artificiale që funksionojnë si “kuti e zezë” nuk janë të detyruara të shpjegojnë mënyrën se si arrijnë në një përgjigje, edhe kur përdoren për vendime me pasoja të rëndësishme.

Dhe, në disa raste, vendimmarrësit mund ta preferojnë pikërisht këtë mungesë shpjegimi, sidomos kur në lojë janë paratë dhe dilemat morale.

Një studim i Alex Chan, profesor në Harvard Business School, tregon se njerëzit shpesh i besojnë këshillës së AI, por nuk duan domosdoshmërisht të dinë arsyetimin pas saj.

Në një eksperiment për miratimin e kredive me ndihmën e AI, pjesëmarrësit vepruan si punonjës kredidhënës dhe shqyrtuan kërkesa reale për kredi prej 10 mijë dollarësh. Shpesh, ata zgjodhën të mos dinin pse sistemi i AI e cilësonte një huamarrës më të rrezikshëm se një tjetër, edhe pse shpjegimi mund të tregonte nëse vendimi ishte ndikuar nga raca apo gjinia.

Pjesëmarrësit kishin më shumë gjasa të shmangnin shpjegimet kur bonusi i tyre varej nga shlyerja e kredisë. Në këto raste, ata prironin të ndiqnin rekomandimin e algoritmit, pa verifikuar nëse ai mund të ishte i njëanshëm.

Gjetjet sugjerojnë se njerëzit jo vetëm që nuk kërkojnë gjithmonë më shumë informacion, por ndonjëherë e shmangin atë me vetëdije, sepse njohja e arsyeve mund ta bëjë vendimin më të vështirë ose moralisht më të pakëndshëm.

Siç e përmbledh Chan: “Rreziku më i madh i AI nuk janë vetëm përgjigjet e gabuara apo mungesa e përdorimit. Është fakti që mund t’i mësojë njerëzit të mos pyesin më ‘pse’.”

Pse shpjegueshmëria e AI nuk mjafton

Kompanitë po nxitojnë të përfshijnë AI në procese të ndryshme vendimmarrëse, nga rekrutimi dhe miratimi i kredive, te testimet mjekësore apo procedurat gjyqësore. Kjo ka rritur presionin që këto sisteme të jenë të drejta, transparente dhe të besueshme.

Për këtë arsye është rritur edhe interesi për të ashtuquajturën “AI e shpjegueshme”, që synon t’u tregojë përdoruesve arsyetimin pas përgjigjeve të gjeneruara nga sistemi, jo vetëm rezultatin përfundimtar.

Por studimi i Chan vë në dyshim një supozim të përhapur: idenë se njerëzit duan gjithmonë më shumë transparencë nga AI.

Punimi i tij “Preference for Explanations: Case of Explainable AI” tregon se, në disa raste, njerëzit mund të mos duan më shumë informacion nëse ai ua bën vendimmarrjen më të ndërlikuar apo më të pakëndshme.

“Njerëzit që ndërveprojnë me AI nuk janë agjentë plotësisht racionalë,” thotë Chan. “Ata janë strategjikë, të motivuar dhe ndonjëherë zgjedhin me vetëdije të mos dinë.”

Si u zhvillua eksperimenti

Për të kuptuar se si njerëzit reagojnë ndaj shpjegimeve të AI, Chan rekrutoi 2,512 pjesëmarrës online dhe u kërkoi të shqyrtonin çifte kërkesash për kredi prej 10 mijë dollarësh.

Kërkesat vinin nga individë të papunë në SHBA, të cilët kishin nevojë për para për shpenzime jetese.

Pjesëmarrësit panë informacione bazë për huamarrësit e mundshëm, si të ardhurat, raca, gjinia dhe madhësia e familjes, si edhe parashikimin e AI për rrezikun e mosshlyerjes së kredisë. Më pas, ata kishin mundësinë të shihnin edhe shpjegimin e këtij parashikimi.

Në çdo çift kërkesash, algoritmi e klasifikonte njërin huamarrës si me rrezik të ulët, me më pak se 10% probabilitet për mospagim, dhe tjetrin si me rrezik të lartë, me mbi 90% probabilitet.

Për një grup pjesëmarrësish, bonusi financiar lidhej drejtpërdrejt me faktin nëse kredia do të shlyhej apo jo.

Pjesëmarrësit, në rolin e punonjësve të kredidhënies, mund të zgjidhnin mes tre opsioneve:

  • të anashkalonin algoritmin dhe të miratonin të dyja kreditë;
  • të ndiqnin rekomandimin e AI për cilën kredi të financonin;
  • të shihnin ose jo shpjegimin e faktorëve që AI kishte përdorur për vendimin.

Kur njerëzit nuk duan të dinë

Studimi tregoi se pjesëmarrësit donin të shihnin parashikimet e AI për rrezikun, por jo gjithmonë arsyetimin pas tyre.

Rreth 80% e pjesëmarrësve donin të shihnin vlerësimin e rrezikut për huamarrësit. Por vetëm rreth 46% kërkuan të shihnin shpjegimet pas këtij vlerësimi.

Kur kompensimi i pjesëmarrësve varej nga shlyerja e kredisë, ata kishin rreth 20% më shumë gjasa të refuzonin shpjegimet krahasuar me ata që merrnin një pagesë fikse.

Shmangia e shpjegimeve rritej edhe më shumë kur pjesëmarrësve u thuhej se shpjegimi mund të tregonte se rekomandimi i AI ishte ndikuar nga raca apo gjinia. Në këto raste, përqindja e atyre që shmangnin shpjegimin u rrit me mbi 10 pikë përqindje, në 23%.

Nga ana tjetër, ata që zgjodhën të shihnin shpjegimet kishin rreth 6 pikë përqindje më shumë gjasa të kundërshtonin rekomandimin e AI dhe të miratonin të dyja kreditë.

Sipas Chan, kjo tregon se njerëzit shfaqin një sjellje të dyfishtë: kërkojnë informacion kur u leverdis, por e shmangin kur ai krijon dilema morale ose mund t’u ndryshojë vendimin.

Si të përdoret AI e shpjegueshme me përgjegjësi

Studimi sugjeron se transparenca, e vetme, nuk mjafton. Nxitjet financiare dhe mënyra si është ndërtuar organizata ndikojnë drejtpërdrejt nëse vendimmarrësit angazhohen me arsyetimin e AI apo zgjedhin ta shpërfillin atë.

Për kompanitë që përdorin AI në vendime me peshë, Chan rekomandon disa hapa.

Ndërtoni mbikëqyrje në proceset vendimmarrëse të AI

Rregullatorët po i kushtojnë gjithnjë e më shumë vëmendje rreziqeve të AI.

Në Bashkimin Europian, Rregullorja e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave dhe Akti për Inteligjencën Artificiale kërkojnë shpjegime për vendime të rëndësishme algoritmike.

Në SHBA, Byroja për Mbrojtjen Financiare të Konsumatorëve u ka kujtuar huadhënësve detyrimin ligjor për t’u dhënë huamarrësve arsye “specifike” dhe “të sakta” për vendime negative të ndihmuara nga AI, si refuzimi i kredisë.

Sipas Chan, qëllimi nuk duhet të jetë vetëm detyrimi për të dhënë shpjegime, por sigurimi që kompanitë i përdorin realisht këto shpjegime për të përmirësuar vendimet.

Krijoni nxitje që punonjësit të mendojnë në mënyrë kritike

Kërkesat për transparencë duhet të fokusohen te profesionistët që marrin vendime dhe nuk duhet të mbeten thjesht formalitet.

Organizatat duhet të trajnojnë menaxherët dhe punonjësit që të shqyrtojnë, dokumentojnë dhe reflektojnë mbi shpjegimet e AI, në vend që thjesht të kenë akses teknik te to.

“Shpjegueshmëria nuk mund t’i lihet plotësisht zgjedhjes individuale, kur nxitjet personale i shtyjnë njerëzit drejt verbërisë së qëllimshme,” thotë Chan.

Mos e zhvlerësoni gjykimin njerëzor

Për menaxherët, studimi ngre një shqetësim të rëndësishëm: rrezikun që përdorimi i AI të ulë vlerën e gjykimit njerëzor.

Prandaj, organizatat duhet t’i nxisin punonjësit të vënë në dyshim rekomandimet e AI, sidomos në vendime me pasoja të mëdha për njerëzit.

“Rreziku më i madh i AI nuk janë vetëm përgjigjet e gabuara apo mosadoptimi,” thotë Chan. “Rreziku është që ajo t’i mësojë njerëzit të mos pyesin më pse.”/Harvard Business School 

 

The post Kur AI jep këshilla, punonjësit rrallë pyesin “pse” appeared first on Revista Monitor.

Nga profesionistët te hotelet, kush fitoi më shumë në vitin 2024

31 July 2026 at 22:12

Viti 2024 ka konfirmuar një kthesë të fortë të modelit ekonomik shqiptar, ku shërbimet profesionale, pasuritë e paluajtshme dhe turizmi po gjenerojnë norma fitimi deri në tre herë më të larta se mesatarja kombëtare. Ndërsa Inteligjenca Artificiale, digjitalizimi dhe fluksi i vizitorëve të huaj po rrisin fitimet, bizneset e “dijes” dhe mikpritjes, industria nxjerrëse dhe ajo përpunuese po zhyten në një betejë të vështirë për mbijetesë. Tregtia mbetet kampione e vlerës absolute të fitimit, e nxitur nga konsumi dhe logjistika e tregtisë online, ndonëse presioni i pagave po fillon të ndihet kudo.

 

Blerina Hoxha

Harta e fitimeve në ekonominë shqiptare në vitin 2024 tregon se te bizneset që janë të lidhura me teknologjinë, shfrytëzimin e mendjes dhe të tjera ku kërkesa ka qenë më e lartë, si turizmi dhe pasuritë e paluajtshme, normat janë dyfish më të larta se mesatarja e përgjithshme dhe nga ana tjetër, një pjesë e sektorit të industrisë është në mbijetesë.

Në vitin 2024, bizneset shqiptare arritën një normë mesatare fitimi neto prej 10.6%, pak më të ulët se 11.2% e vitit 2023, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT. Ndërsa disa sektorë shfaqin norma shumë të larta fitimi, të tjerë po mbyten në humbje ose po luftojnë për të mbijetuar me marzhe të ngushta.

Trendet e fitimit tregojnë se ekonomia e vendit po rend nga prodhimi drejt shërbimeve. Por nuk është i sigurt se ky transformim do të jetë gjithëpërfshirës, sidomos në punësim.

Normat e fitimeve në % sipas aktiviteteve ekonomike 2023-2024

 

Profesionistët fitojnë më tepër, 3.6 herë më shumë se mesatarja

Shërbimet profesionale kryesuan listën e bizneseve me një normë fitimi prej 38.9% në vitin 2024, ose 3.6 herë më shumë se mesatarja kombëtare. Avokatët, kontabilistët, konsulentët dhe ekspertët e tjerë po fitojnë shumë, sepse shesin dijen dhe shërbime të cilat kanë kosto materiale shumë të ulët.

Këto biznese kanë kosto operacionale të ulëta dhe përfitojnë nga rritja e procesit të digjitalizimit dhe nevojës së bizneseve të tjera për konsulencë ligjore, kontabël dhe teknologji. Për më tepër, profesionistët panë rritjen më të fortë të normës së fitimit, me rreth 4.7 pikë për qind më shumë se në vitin 2023.

Të gjitha bizneset e shërbimeve profesionale siguruan 118,3 miliardë lekë të ardhura vjetore, prej të cilat 46 miliardë lekë rezultuan fitime. Pas tregtisë me shumicë, dhe ndërtimit, profesionistët realizuan fitimet më të mëdha në vlerë, duke zënë 12% të fitimeve të gjeneruara në vitin 2024.

 

Nga posta, pasuritë e paluajtshme, shëndetësia dhe informacioni, fitimet

Gjithashtu, rritja e normës së fitimit në bizneset e postës, pasurive të paluajtshme, shëndetësisë sociale reflekton rritje të kërkesës për shërbime private, ku rritja e çmimeve të shërbimeve ka tejkaluar rritjen e kostove të pagave të personelit.

Pas shërbimeve profesionale, aktivitetet postare dhe të magazinimit mbeten më fitimprurëset në vend. Me një normë fitimi që është zhvendosur nga 17.6% në vitin 2019 në 26.5% në 2024, ky sektor tregon qëndrueshmëri të lartë, por për shkak të natyrës së punës kërkon investime të vazhdueshme në infrastrukturë dhe logjistikë.

Aktivitetet postare janë nxitur nga rritja e tregtisë online, e cila vitet e fundit mori vrull nga teknologjia dhe ofertat joshëse të aplikacioneve kineze të shitjeve online TEMU dhe Shein. Fitimet në vlerë të aktiviteteve postare dhe të magazinimit arritën në 15 miliardë lekë vitin e kaluar, duke zënë 4% të fitimeve totale.

Bizneset në shërbimet e informacionit dhe komunikimit renditen në listë për madhësinë e fitimeve, me një normë 25.9% në vitin 2024, ndonëse me rënie të lehta nga norma prej 30% e vitit 2023.

Megjithëse ky sektor mbetet ndër më fitimprurësit me një rritje totale prej 13 pikë përqindje krahasuar me periudhën parapandemisë, rënia e vitit të fundit sugjeron një rritje të kostove për krah pune të kualifikuar, që ka filluar të ushtrojë presion mbi fitimin neto.

Bizneset e shërbimeve të informacionit arritën në 13,9 miliardë lekë në 2024, duke zënë rreth 3.6% të fitimeve totale në ekonomi.

Gjithashtu bizneset private që operojnë në sektorin e shëndetësisë rezultojnë me norma fitimi dy herë më shumë se mesatarja e përgjithshme. Në vitin 2024, këto aktivitete kishin 21.7% të të ardhurave fitime, me një rënie të lehtë nga norma 23.2% në vitin 2023.

Ky stabilizim vjen pas një periudhe rritjeje intensive pas pandemisë, kur kërkesa për shërbime shëndetësore ka qenë e lartë.

 

Burimi: INSTAT

 

Turizmi mban lart normat e fitimit në hotele, restorante dhe transport

Zhvillimet pozitive në turizëm vitet e fundit, jo vetëm që kanë hapur mundësi të reja për biznes, por ndërkohë po rezultojnë me norma të larta fitimi në krahasim me aktivitetet e tjera. Të dhënat zyrtare tregojnë se shërbimi ushqimor, i cili kryeson me një xhiro prej 88.6 miliardë lekësh, konfirmon rolin e tij si motori kryesor i shpenzimeve të turistëve vendas dhe të huaj.

Ky volum i lartë qarkullimi, i shoqëruar me një normë fitimi prej 18.5% në 2024, tregon se operatorët e restoranteve dhe shërbimeve të ngjashme kanë arritur të kapitalizojnë rritjen e flukseve, duke rritur normën e fitimeve me më shumë se 7 pikë përqindje krahasuar me vitin 2019.

Kjo ecuri reflekton një treg ku kërkesa e lartë ka lejuar një rregullim të çmimeve në raport me kostot, duke siguruar qëndrueshmëri më të madhe financiare për bizneset e sektorit.

Sektori i akomodimit, ndonëse me një xhiro më të ulët në vlerë absolute prej 50.8 miliardë lekësh, mbetet kampion i rentabilitetit në vitin 2024. Me një normë fitimi prej 21.4%, strukturat hoteliere po korrin frytet e investimeve në cilësi dhe rritjes së normave të shfrytëzimit. Krahasimi me vitin 2019, kur norma ishte vetëm 14.6%, sugjeron se, normat e net-qëndrimeve janë rritur ndjeshëm.

Ky kërcim i fitimeve tregon se hoteleria shqiptare po i largohet modelit të mbijetesës për t’u shndërruar në një industri me kthim të lartë mbi investimin, çka shpjegon edhe hovin e ri të ndërtimeve të resorteve dhe hoteleve me 5 yje në të gjithë vijën bregdetare.

Zhvillimi më interesant dhe befasues vjen nga sektori i transportit, i cili ka pësuar transformim rrënjësor brenda një kohe shumë të shkurtër, i nxitur nga zhvillimet pozitivë në turizëm.

Nga një normë modeste prej 5.7% në vitin 2023, fitimi është rritur në 13.8% në vitin 2024, duke shënuar rritjen më agresive në të gjithë zinxhirin e vlerës së turizmit.

Fenomeni lidhet me rritjen e jashtëzakonshme të fluturimeve “low-cost” dhe përdorimit masiv të makinave me qira, si dhe me rritjen e përdorimit të linjave të transportit ndërurban që lidhin pikat kyçe turistike. Ecuria e transportit tregon se infrastruktura e lëvizshmërisë po bëhet gjithnjë e më shumë një pjesë integrale e përfitimit total që industria nxjerr nga vizitorët.

Rritja e normave të fitimit në të tre sektorët kyç që lidhen me turizmin, tregon se po rritet jo vetëm në numra vizitorësh, por po bëhet më i dobishëm për ekonominë kombëtare përmes gjenerimit të kapitalit. Sfida e mbetur për vitet e ardhshme do të jetë ruajtja e këtyre marzheve përballë presionit të pagave dhe rritjes së kostove të jetesës

 

Burimi: INSTAT

 

Biznesi i betonit mban stafetën e fitimeve të larta

Tregu i pasurive të paluajtshme dhe sektori i ndërtimit në Shqipëri, përveçse janë kontribuues kryesorë të rritjes ekonomike në vend, gjithashtu po sigurojnë fitime të kënaqshme për bizneset në këto aktivitete.

Norma e fitimit në sektorin e pasurive të paluajtshme mbetet në nivele të larta, duke arritur në 26.5% në vitin 2024. Ndonëse kjo shifër ka pësuar një korrektim të lehtë krahasuar me kulmin prej 28.5% të shënuar në vitin 2023, ajo mbetet më shumë se dyfishi i mesatares kombëtare, çka tregon se ndërmjetësimi dhe menaxhimi i pronave po gjeneron kthime të larta për investitorët.

Nga ana tjetër, sektori i ndërtimit, i cili ka xhiron më të madhe në vlerë absolute, operon me norma të ngushta, por sërish mbi mesataren kombëtare. Gjatë vitit 2024, norma e fitimit për ndërtimin u fiksua në 11.6%, duke shënuar rënie modeste nga 12.3% që ishte një vit më parë. Megjithatë, ky sektor mbetet më fitimprurës se në vitin 2019, kur norma ishte 10.6%.

Bizneset në sektorin e ndërtimit raportuan xhiro prej rreth 428 miliardë lekësh në vitin 2024, me një fitim total prej 49.6 miliardë lekësh, me një normë 11/6%. Ndërkohë, aktivitetet e pasurive të paluajtshme, me një xhiro shumë më të ulët prej rreth 21 miliardë lekësh, arritën të gjeneronin mbi 5.5 miliardë lekë fitim, një normë 20.5%.

Kjo tregon se sektori i pasurive të paluajtshme kërkon më pak shpenzime operative për çdo para të gjeneruar, duke u pozicionuar si një fushë me efikasitet të lartë financiar.

Arsyet e kësaj ecurie lidhen ngushtë me rritjen e pandalshme të çmimeve të pronave në tregun shqiptar, veçanërisht në zonat bregdetare dhe në kryeqytet. Ndërsa ndërtuesit përballen me vështirësitë e realizimit fizik të projekteve dhe taksat e larta të ndikimit në infrastrukturë, agjencitë dhe zotëruesit e pasurive përfitojnë drejtpërdrejt nga vlerësimi i aseteve në treg.

Ky trend sugjeron se, pavarësisht se ndërtimi mbetet motori kryesor i ekonomisë për nga volumi, shkëlqimi i vërtetë për nga fitimet është në tregtimin dhe administrimin e këtyre hapësirave.

 

Burimi: INSTAT

 

Tregtia kryeson me vlerën e fitimit, por jo me marzhet

Sektori i tregtisë gjeneron fitimet më të mëdha në vlerë. Të dhënat zyrtare tregojnë se në vitin 2024, fitimet e bizneseve në tregtinë me shumicë dhe pakicë arritën gjithsej në 1013 miliardë lekë, duke zënë 27% të fitimeve totale që prodhoi ekonomia në të njëjtin vit.

Sektori i tregtisë ka shfaqur dinamika të ndryshme në vitet e fundit, duke reflektuar rritje të qëndrueshme të rentabilitetit për tregtinë me shumicë, ndërkohë që tregtia me pakicë po përpiqet të rikuperojë nivelet e para pandemisë.

Eleni Babameto, një nga importuesit më të mëdhenj të ushqimeve në vend, tha se normat e fitimeve janë nën presionin e kostove të brendshme sidomos pagave, transportit dhe nga ana tjetër, çmimet e larta në tregjet ndërkombëtare.

Tregtia me shumicë ka shënuar ecuri pozitive progresive në aftësinë e saj për të gjeneruar fitim. Nga një normë prej 4.8% që ishte në vitin 2019, ky tregues u ngjit në 5.8% në vitin 2023, për të arritur kulmin në 6.1% gjatë vitit 2024.

Kjo rritje reflektohet në shifrat absolute të vitit 2024, ku sektori ka arritur të sigurojë një fitim neto prej 65 miliardë lekësh.

Kjo tendencë sugjeron një eficiencë më të lartë operacionale ose një pozicionim më të fortë të bizneseve të mëdha në raport me kostot dhe çmimet e shitjes. Nga ana tjetër, tregtia me pakicë paraqitet me një profil tjetër.

Edhe pse norma e fitimit për këtë sektor mbetet tradicionalisht më e lartë se ajo e shumicës, ajo ende nuk e ka arritur nivelin e vitit 2019, kur regjistrohej në 8.6%.

Pas një rënieje në 7.5% në vitin 2023, viti 2024 ka shënuar përmirësim të lehtë duke u ngjitur në 7.9%. Në terma monetarë, tregtia me pakicë gjatë vitit 2024 ka gjeneruar rreth 488 miliardë lekë të ardhura, duke rezultuar në një fitim neto prej 38.6 miliardë lekësh.

Krahasimi i dy nënsektorëve për vitin 2024 nxjerr në pah se tregtia me shumicë qarkullon më shumë se dyfishin e vlerës monetare në raport me pakicën.

Megjithatë, natyra e tregtisë me pakicë vijon të mbajë norma më të larta fitimi për njësi, pavarësisht vështirësive për t’u kthyer në performancën optimale të pesë viteve më parë.

 

Burimi: INSTAT

 

Perëndon industria, bizneset në mbijetesë

Normat e fitimit tregojnë për një periudhë sfiduese për sektorin e industrisë në Shqipëri, ku vëllimi i të ardhurave që nuk përkthehet në fitime. Situata më alarmante vërehet në industrinë nxjerrëse, e cila ka kaluar nga një pozicion me 13% normë fitimi në vitin 2019, në një humbje neto prej 717 milionë lekësh në vitin 2024.

Kjo rënie shpjegohet me goditjen e dyfishtë që po merr ky sektor, nga njëra anë, luhatjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare të mineraleve dhe naftës dhe nga ana tjetër, rritja e kostove të prodhimit të brendshëm.

Sektorët e tjerë të përpunimit, si rafineria dhe inxhinieria kimike, gjithashtu tregojnë rënie të normës së fitimit nga 9.6% në vitin 2023 në 7.6% në vitin 2024, duke dëshmuar se industria shqiptare po vuan nga një humbje e konkurrueshmërisë.

Një faktor themelor në këtë vështirësi është forcimi i monedhës vendase, Lekut kundrejt Euros, i cili ka goditur drejtpërdrejt industrinë që prodhon për eksport, duke ulur të ardhurat në monedhë të huaj ndërkohë që shpenzimet e pagave dhe operacioneve brenda vendit janë në Lek.

Kjo vërehet më shumë te tekstilet dhe veshjet, ku pavarësisht xhiros prej 32.6 miliardë lekësh në 2024, fitimi neto mbetet mjaft i ulët, me 1,7 miliardë lekë ose 5.4%, ndërsa fabrikat e prodhimit të këpucëve patën një normë fitimi vetëm 4.8% në vitin 2024.

Norma e fitimit në fabrikat e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve është përgjysmuar në raport me vitin 2019, ku nivelet ishin rreth 9%. Mbështetja te krahu i lirë i punës, veçanërisht kur kostot e punës po rriten për shkak të krizës së fuqisë punëtore dhe emigrimit, e kanë bërë sektorin e veshjeve dhe këpucëve jo konkurrues.

Florian Zekja, nga Shoqata Pro-Eksport, tha se rritja e kostove të brendshme dhe rënia e kërkesës për produkte shqiptare nga jashtë kanë sjellë shumë vështirësi, jo vetëm duke ulur normat e fitimit, po gjithashtu kanë sjellë shumë falimente në sektor.

Metalet dhe produktet metalike po ashtu shfaqin një rënie të normave të fitimit. Në tërësi, industria shqiptare ndodhet në udhëkryq, ku rritja e xhiros totale nuk po shërben më si mbrojtje ndaj rritjes së kostove fikse dhe ndryshimeve në modelin ekonomik të vendit, duke vënë në dukje nevojën për një riorientim të eficiencës dhe automatizimit për të shmangur humbjet e mëtejshme.

Por në industrinë përpunuese, rezultatet janë të ndryshme, por në përgjithësi mesatarja e normave të fitimit mbetet afër 7-8%. Sektori i prodhimit të produkteve çimento, qelq, tullë shënon një normë të lartë fitimi prej 16,1%.

Ky sukses po shtyhet nga volumet e ndërtimit dhe projektet e mëdha infrastrukturore që kanë mbajtur kërkesën e brendshme të lartë gjatë gjithë vitit. Letra dhe shtypshkrimi ndjekin pas me 14,4%, falë efikasitetit të lartë dhe kostove relativisht të ulëta të materialeve.

Industria e drurit dhe mobilieve shfaqen më mirë në ecuri, me norma fitimi 8,8% në 2024, ndërsa ushqimet, pijet dhe duhani arrijnë 9,9%, të mbështetur nga konsumi i qëndrueshëm i brendshëm dhe rritja e kërkesës në eksport.

Sektori i energjisë elektrike dhe gazit arrin një normë fitimi prej 9,5%, pak mbi mesataren kombëtare, falë investimeve në kapacitete të reja dhe çmimeve të rregulluara.

 

Burimi: INSTAT

 

Sektorët me ndryshimet më të forta të vlerës së fitimeve në vitin 2024

Fitimi neto që të gjitha bizneset realizuan në vendin tonë erdhi në ulje në vitin 2024. Ndonëse në raporte modeste me vetëm 1% më pak se në 2023, vlera e fitimeve në disa sektorë ka qenë me rënie drastike, sipas treguesve ekonomikë mbi ndërmarrjet që u publikuan së fundmi nga INSTAT.

Goditjen më të rëndë në vlerë monetare e ka marrë sektori i energjisë elektrike dhe gazit. Fitimet e këtij sektori janë tkurrur me një shifër rekord prej 34.2 miliardë lekësh, duke rënë nga 58.2 miliardë në vitin 2023 në vetëm 23.9 miliardë në 2024 (-59%).

Kjo rënie shpjegohet kryesisht me stabilizimin e çmimeve të energjisë në tregjet ndërkombëtare, pas krizës së vitit 2022-2023, duke ulur marzhet e fitimit për eksportuesit dhe prodhuesit vendas, si dhe me rritjen e kostove të mirëmbajtjes së rrjetit.

Në të njëjtën kurbë është pozicionuar industria nxjerrëse, e cila ka shënuar një rënie të vlerës së fitimeve me 112%, duke e mbyllur vitin me një humbje neto prej 717 milionë lekësh.

Kjo ecuri negative reflekton rënien e kërkesës globale për lëndë të para dhe rënien e çmimeve të naftës e mineraleve në bursat ndërkombëtare, duke vënë në vështirësi operacionet e nxjerrjes në vend. Po ashtu, metalet dhe produktet e metalit panë një tkurrje prej 1.4 miliardë lekësh (-19%), e ndikuar nga rënia e kërkesës në tregjet e huaja dhe rritja e kostove të brendshme.

 

Burimi: INSTAT

 

Kostot e brendshme ulin fitimet në shumë sektorë

Një tjetër grup sektorësh, shërbimet e avancuara dhe industria përpunuese, patën rënie të fitimeve në vitin 2024. Shërbimet e informacionit, që deri dje shiheshin si motori i inovacionit, pësuan tkurrje prej 2 miliardë lekësh në fitime ose rënie vjetore me rreth 13%.

Kjo shpjegohet me rritjen e fortë të kostos së fuqisë punëtore, ku kërkesa për paga më të larta nga specialistët e IT-së ka ulur fitimet e kompanive.

Sektori i arsimit ka shënuar rënie prej 46%, një shifër mjaft e lartë që reflekton sfidat demografike dhe emigrimin e të rinjve, duke pakësuar të ardhurat për institucionet arsimore private, ndërkohë që kostot e mirëmbajtjes dhe stafit kanë vijuar rritjen.

Industria përpunuese me tekstilet dhe veshje ka vijuar të vuajë pasojat e kursit të këmbimit dhe rritjes së kostos nga paga minimale më 2024. Edhe pse rënia në vlerë absolute prej 163 milionë lekësh ose 2% tregon për një sektor që po lufton për mbijetesë.

Duke qenë se ky sektor i merr të ardhurat në Euro dhe i ka shpenzimet në Lek, forcimi i monedhës vendase u ka ngrënë fitimet, duke i detyruar shumë biznese të operojnë me marzhe minimale ose të rishikojnë planet e tyre të biznesit.

E njëjta logjikë vlen edhe për transportin dhe industrinë kimike e plastike, të cilat janë prekur nga rritja e kostove të karburantit dhe lëndëve të para dhe pagave, duke mbyllur vitin 2024 me shifra dukshëm më të ulëta se viti pararendës.

Një zhvillim interesant vjen nga sektori i postës dhe magazinimit, i cili ka rritur fitimet me 5 miliardë lekë (ose 47%) në vitin 2024, një tregues i qartë i rritjes së fortë të tregtisë online (e-commerce) dhe nevojës për logjistikë. Po ashtu, sektori i telekomunikacionit ka parë rritje prej 65% të fitimit, duke reflektuar investimet në rrjetin 5G dhe rritjen e tarifave të shërbimeve.

Shërbimet profesionale rezultuan me vlerën më të lartë të fitimeve. Ky sektor ka parë rritje prej 7.5 miliardë lekësh në fitimin neto, duke arritur në totalin prej 46 miliardë lekësh. Kjo rritje e fortë prej 20% dëshmon për një nevojë në rritje të ekonomisë për konsulencë ligjore, kontabilitet, inxhinieri dhe shërbime menaxhimi etj.

Sektori i ndërtimit vazhdon rrugëtimin drejt rekordeve të reja, me një rritje fitimi prej 4.2 miliardë lekësh (+9%). Sektori po ushqehet nga investimet e vazhdueshme në infrastrukturën publike dhe bumi i ndërtimeve rezidenciale, sidomos në kryeqytet dhe bregdet.

Paralelisht me të, tregtia me shumicë dhe pakicë kanë shënuar rritje solide prej mbi 10 miliardë lekësh ose 10% më shumë, çka tregon për një konsum të lartë i nxitur nga turizmi.

Në lidhje me turizmin, shifrat konfirmojnë një vit pozitiv. Akomodimi dhe shërbimi ushqimor kanë rritur fitimet neto me rreth 4.3 miliardë lekë. Kjo rritje prej rreth 20% i atribuohet numrit rekord të turistëve të huaj, të cilët kanë rritur shpenzimet në hotele dhe restorante, duke kompensuar rritjen e kostove të punës dhe ushqimeve.

 

The post Nga profesionistët te hotelet, kush fitoi më shumë në vitin 2024 appeared first on Revista Monitor.

Kostoja ekonomike e El Niño-s, si e prek Shqipërinë

31 July 2026 at 22:10

El Niño nuk shpjegon çdo valë të nxehti, por po vepron mbi një klimë tashmë më të ngrohtë dhe një ekonomi të pambrojtur ndaj motit. Në Shqipëri, temperaturat e larta këtë vit po shtojnë konsumin dhe importet e energjisë, ndërsa stuhitë dhe thatësira po godasin bujqësinë. Çmimet e perimeve po rriten edhe në kulmin e sezonit, një shenjë se klima po kalon nga termometri te tregu. Fatura po ndahet mes fermerëve, familjeve dhe shtetit.

 

Nertila Maho

Në muajt e parë të vitit, Shqipëria kishte energji për të shitur. Në verë, po paguan 41.5 milionë euro për ta importuar të paktën deri tani. Kjo kthesë nuk është e pazakontë. Ajo është përsëritur ndër vite, pasi varësia e prodhimit vendas të energjisë nga reshjet dhe prurjet hidrike mbetet e lartë. Këtë herë po ndodh ndërsa kërkesa për energji po rritet nga temperaturat e larta dhe fluksi turistik.

Në të njëjtën kohë, stuhitë dhe breshëri kanë dëmtuar prodhimin bujqësor, ndërsa çmimet e perimeve u rritën me 8.5% në qershor, pikërisht në kulmin e sezonit vendas.

Emëruesi i përbashkët është një mot më i nxehtë dhe më i paqëndrueshëm. El Niño është pjesë e këtij sfondi, por jo një shpjegim i vetëm për çdo valë të nxehti, stuhi apo rritje çmimesh.

“El Niño ndikon në klimën globale, por ndikimi i tij në Mesdhe dhe në Shqipëri nuk është i drejtpërdrejtë”, thotë Anira Gjoni, eksperte në Departamentin e Meteorologjisë në Institutin e Gjeoshkencave.

Sipas saj, kushtet meteorologjike në vend përcaktohen kryesisht nga sistemet atmosferike që zhvillohen mbi Atlantik, Mesdhe dhe Europë, si dhe nga qarkullimi rajonal i masave ajrore. Këto sisteme mund ta përforcojnë, ta ndryshojnë ose ta zbusin sinjalin e lidhur me El Niño-n.

Kjo e bën të vështirë ndarjen e efektit të fenomenit nga prirja më afatgjatë e ndryshimeve klimatike. Megjithatë, ndikimi ekonomik i temperaturave mbi normalen dhe i reshjeve gjithnjë e më të çrregullta po bëhet më i matshëm.

 

Konsumi rekord ndryshon bilancin e energjisë

 Gjatë disa javëve të qershorit, temperaturat në Shqipëri ishin 3 deri në 6 gradë Celsius mbi mesataren shumëvjeçare. Vendi ndodhej në periferi të valës së të nxehtit që goditi më fort Europën Perëndimore dhe Qendrore, por anomalitë ishin të mjaftueshme për të shtuar presionin mbi sistemin energjetik.

“Rritja e temperaturave në vendin tonë ishte 3–6 gradë mbi mesataren shumëvjeçare gjatë javëve përkatëse të qershorit”, thotë Gjoni.

Ajo shpjegon se episodet me temperatura të larta u favorizuan nga depërtimi i masave shumë të ngrohta me origjinë subtropikale nga Afrika e Veriut. Sipas saj, këto kushte lidhen kryesisht me konfigurimin atmosferik mbi Mesdhe dhe jo me një ndikim të drejtpërdrejtë të El Niño-s.

Konsumi ditor i energjisë arriti kulmin në rreth 25 mijë megavat-orë gjatë qershorit, sipas Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, rritja ishte 13.9%.

Në gjashtë muajt e parë të vitit 2026, konsumi arriti në 4.4 milionë megavat-orë, nga 4.1 milionë një vit më parë, me një rritje prej rreth 10%.

Temperaturat e larta dhe shtimi i aktivitetit turistik po rrisin përdorimin e kondicionimit dhe ngarkesën në rrjet. Mbi 1 mijë punonjës janë vendosur në gatishmëri për sezonin veror, ndërsa 136 grupe janë shpërndarë në terren për t’iu përgjigjur defekteve dhe për të shmangur ndërprerjet.

Por kostoja kryesore nuk qëndron vetëm te mirëmbajtja e rrjetit. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka kontraktuar 331,200 megavat-orë energji për periudhën nga 1 korriku deri më 30 shtator. Çmimi mesatar i ponderuar ishte 125.47 euro për megavat-orë, ndërsa vlera e përgjithshme e kontratës arriti në rreth 41.5 milionë euro.

Vetëm pak muaj më parë, situata ishte e kundërt. Prurjet e larta në kaskadën e Drinit i mundësuan KESH-it të prodhonte më shumë energji sesa kërkonte tregu vendas. Nga janari deri në prill, kompania shiti 456,945 megavat-orë, duke arkëtuar rreth 33.15 milionë euro, përfshirë TVSH-në.

 

 

Një goditje e dyfishtë për bujqësinë

Në bujqësi, rreziku nuk lidhet vetëm me thatësirën. Ai vjen edhe nga kalimi i shpejtë prej periudhave pa reshje në stuhi të shkurtra dhe intensive. “Periudhat më të gjata të thata, të ndërprera nga episode të shkurtra me reshje intensive, janë një nga skenarët më të mundshëm”, thotë znj. Gjoni.

Sipas saj, në kushtet e temperaturave më të larta, atmosfera ka aftësi të mbajë më shumë avull uji. Kjo mund të favorizojë reshje të përqendruara në intervale të shkurtra, duke rritur rrezikun e vërshimeve të shpejta dhe të përmbytjeve urbane.

Për muajt korrik dhe gusht, parashikimet nuk tregojnë një prirje të fortë që reshjet të jenë dukshëm mbi ose nën normalen klimatike. Ato pritet të mbeten të pabarabarta në kohë dhe hapësirë, me intervale të thata të ndërprera nga episode lokale.

“Besueshmëria e parashikimeve sezonale është më e lartë për temperaturën sesa për reshjet”, thotë Gjoni.

Ky kombinim është veçanërisht i kushtueshëm për fermerët. Periudhat e nxehta rrisin nevojën për ujitje dhe kostot e prodhimit. Stuhitë mund ta dëmtojnë prodhimin brenda pak minutash, shpesh në prag të korrjes. Në fillim të korrikut, breshëri goditi parcelat me grurë, elb dhe qepë në fushën e Maliqit.

Fermerët raportuan humbje të konsiderueshme dhe, në disa raste, dëmtimin e më shumë se gjysmës së prodhimit. Në zonat e Elbasanit u dëmtuan pemë frutore, vreshta dhe kultura të tjera.

Në Zavalinë, raportimet nga terreni flisnin për dëme të rënda në prodhimin e mollëve, kumbullave dhe rrushit.

Në Kolonjë u prekën vreshtat. Stuhitë sollën humbje edhe në blegtori. Një rrufe vrau 150 krerë bagëti në një fermë në Delvinë, ndërsa në zonën e Maliqit një tjetër goditje vrau rreth 30 dele dhe dhi. Nuk ka ende një bilanc të plotë financiar për këto ngjarje. Megjithatë, për fermat e vogla, humbja e një prodhimi sezonal ose e një tufe bagëtish mund të zhdukë të ardhurat e të gjithë vitit.

Rreziku është më i lartë sepse prodhimi nuk është i siguruar dhe kostoja mbetet te fermeri ose zhvendoset te buxheti publik përmes kërkesave për kompensim në ato raste kur gjykohet e arsyeshme.

 

Çmimet rriten në kulmin e ofertës

Goditjet mbi prodhimin po ndodhin në një periudhë kur çmimet e perimeve tashmë po shfaqin rritje të fortë. Sipas INSTAT-it, grupi “Perime, zarzavate dhe bishtajore” u shtrenjtua me 8.5% në qershor krahasuar me një vit më parë. Norma ishte pothuajse trefishi i inflacionit mesatar të ushqimeve, prej 3%.

Rritja është e pazakontë për një muaj që përkon me kulmin e prodhimit të shumë kulturave vendase. Në kushte normale, shtimi i ofertës sezonale do të duhej të ulte çmimet. Këtë herë ndodhi e kundërta. Moti nuk është faktori i vetëm.

Eksportet, kostot e transportit, mungesa e fuqisë punëtore, struktura e tregtimit dhe marzhet e ndërmjetësve ndikojnë gjithashtu te çmimi final. Gjithsesi temperaturat e larta, nevoja për më shumë ujitje dhe dëmet nga breshëri krijojnë presion shtesë mbi prodhimin.

 

 

I nxehti ndez edhe faturën e zjarreve

Në korrik, AKMC raportoi operacione për përballimin e 16 vatrave të zjarrit të shpërndara në disa qarqe të vendit. Në Shëngjin, më 13 korrik, flakët kërkuan angazhimin e shtatë mjeteve zjarrfikëse, Forcave të Armatosura dhe ndërhyrjen e një helikopteri ushtarak.

Agjencia raportoi edhe operacione në zona të tjera, përfshirë fshatin Klos, duke treguar se rreziku nuk ishte i kufizuar në një vatër të vetme. Nxehtësia e zgjatur dhe tharja e bimësisë e bëjnë zjarrin më të shpejtë, më të kushtueshëm dhe më të vështirë për t’u izoluar.

Në zona turistik kostoja shkon përtej sipërfaqeve të djegura. Ajo prek bizneset, sezonin turistik dhe financat publike, pasi çdo operacion kërkon personel, mjete, karburant dhe, në rastet më të rënda, mbështetje nga ajri dhe kjo është parë qartazi viteve të fundit kur sipërfaqe të mëdha në breg të detit janë përfshirë nga zjarret.

Shkaku fillestar mund të jetë njerëzor, por temperaturat më të larta shumëfishojnë pasojat. Sa më gjatë të zgjasë i nxehti, aq më shumë zjarret kalojnë nga episode sezonale në një rrezik ekonomik të përsëritur ccdo vit.

 

El Niño nuk është i vetmi shkaktar

“El Niño dhe ndryshimet klimatike janë dy procese të ndryshme që veprojnë njëkohësisht”, thotë Gjoni. El Niño është një fenomen natyror, ciklik dhe i përkohshëm, i cili ndikon te variabiliteti i klimës nga një vit në tjetrin. Ndryshimet klimatike përfaqësojnë një prirje afatgjatë të rritjes së temperaturave, të lidhur kryesisht me shtimin e gazeve serrë në atmosferë.

“Temperaturat e larta që po regjistrohen nuk mund t’i atribuohen vetëm El Niño-s”, thotë ekspertja. “Ai mund ta përforcojë përkohësisht ngrohjen, por vepron mbi një klimë që tashmë po ngrohet.”

Edhe parashikimet janë më të sigurta për temperaturat sesa për reshjet. Temperaturat pritet të mbeten mbi mesataret shumëvjeçare gjatë muajve në vijim, ndërsa për reshjet nuk ka një sinjal të qartë nëse do të jenë mbi apo nën normalen. Ato mund të mbeten të pabarabarta në kohë dhe territor.

Kjo pasiguri ka koston e vet. Kompanitë energjetike duhet të sigurojnë importe përpara se të dinë me saktësi si do të ndryshojnë prurjet. Fermerët duhet të investojnë në ujitje, edhe pse prodhimi mund të goditet më pas nga breshëri. Bashkitë duhet të përgatiten njëkohësisht për mungesë uji, zjarre dhe përmbytje të shpejta.

El Niño mund të kalojë. Ekspozimi ekonomik i vendit ndaj nxehtësisë dhe motit ekstrem do të mbetet. Në fund, fatura nuk matet vetëm me gradë Celsius. Ajo shfaqet në milionë euro importe energjie, në prodhimin e humbur në ara dhe në perimet që kushtojnë më shumë në treg.

 

Çfarë është El Niño

El Niño është një fenomen natyror që ndodh kur ujërat e Paqësorit tropikal ngrohen më shumë se zakonisht. Kjo ngrohje ndryshon erërat dhe reshjet, duke ndikuar motin në shumë pjesë të botës.

Në disa vende mund të sjellë thatësirë dhe temperatura më të larta, ndërsa në të tjera reshje të forta dhe përmbytje. Në Shqipëri, ndikimi i tij është zakonisht indirekt dhe ndërthuret me kushtet atmosferike të Mesdheut dhe Europës.

 

Lexoni edhe:

Anira Gjoni: El Niño i përforcon temperaturat e larta në një klimë tashmë më të nxehtë

The post Kostoja ekonomike e El Niño-s, si e prek Shqipërinë appeared first on Revista Monitor.

“El Niño i përforcon temperaturat e larta në një klimë tashmë më të nxehtë”

31 July 2026 at 22:08

Intervistë me Anira Gjoni, eksperte në Departamentin e Meteorologjisë në Institutin e Gjeoshkencave

 

Qershori solli në Shqipëri temperatura 3 deri në 6 gradë Celsius mbi mesataren shumëvjeçare, ndërsa vendi u prek nga periferia e një vale të fortë të të nxehtit me origjinë afrikane që përfshiu Europën Perëndimore dhe Qendrore.

Por, sipas Dr. Ing. Anira Gjonit, kërkuese shkencore në Departamentin e Meteorologjisë në Institutin e Gjeoshkencave, këto episode nuk mund t’i atribuohen drejtpërdrejt El Niño-s.

Fenomeni vepron më shumë si një shtesë mbi një trend afatgjatë të rritjes së temperaturave, ndërsa moti në Shqipëri përcaktohet kryesisht nga qarkullimi atmosferik mbi Mesdhe dhe Europë.

Sinjali më i qartë për muajt e verës mbetet ai i temperaturave mbi normalen, ndërsa parashikimi për reshjet është më i pasigurt dhe me shpërndarje të pabarabartë.

 

Sipas parashikimeve sezonale, çfarë ndikimi pritet të ketë El Niño në fenomenet që sjell në vend, si dhe në temperaturat mesatare dhe maksimale?

El Niño është një fenomen klimatik natyror që zhvillohet në Oqeanin Paqësor tropikal dhe karakterizohet nga rritja anormale e temperaturës së sipërfaqes së ujërave oqeanike.

Efektet e tij më të drejtpërdrejta shfaqen përgjatë brigjeve të Oqeanit Paqësor, ku gjatë fazës aktive të fenomenit vërehen temperatura më të larta të ajrit, intensifikim i cikloneve tropikale dhe uraganeve, periudha të zgjatura thatësire, si edhe episode me reshje intensive që shpesh mund të shkaktojnë përmbytje.

Sipas parashikimeve sezonale, gjatë këtij viti El Niño pritet të jetë një nga faktorët kryesorë që do të ndikojë në qarkullimin atmosferik në shkallë globale. Megjithatë, ndikimi i tij në rajonin e Mesdheut dhe në Shqipëri nuk është i drejtpërdrejtë dhe nuk përkthehet automatikisht në një model të caktuar të motit lokal.

Kushtet meteorologjike në vendin tonë përcaktohen kryesisht nga ndërveprimi i sistemeve atmosferike që zhvillohen mbi Atlantikun, Mesdheun dhe Europën, si dhe nga qarkullimi rajonal i masave ajrore, të cilat mund të modulojnë ose edhe të zbusin sinjalin e lidhur me El Niño-n.

Megjithatë, përtej efekteve të tij rajonale, El Niño ka një ndikim të rëndësishëm në klimën globale, duke kontribuar në rritjen e temperaturës mesatare të planetit.

Në kushtet aktuale të ndryshimeve klimatike antropogjene, ky fenomen vepron mbi një klimë tashmë të ngrohur, duke rritur probabilitetin e vlerave të temperaturave të ajrit mbi mesataret shumëvjeçare, intensifikimin e valëve të të nxehtit dhe shtimin e ndodhjes së fenomeneve meteorologjike ekstreme në shumë rajone të botës.

 

Si është manifestuar ndikimi i El Niño-s gjatë muajve maj, qershor dhe deri tani në korrik, veçanërisht në temperaturat dhe reshjet krahasuar me mesataren shumëvjeçare?

Deri në këtë moment, ndikimi i El Niño-s nuk mund të evidentohet në mënyrë të drejtpërdrejtë në kushtet meteorologjike të Shqipërisë. Megjithatë, në përputhje me parashikimet sezonale dhe tendencën e ngrohjes globale, muajt maj, qershor dhe fillimi i korrikut janë karakterizuar nga temperatura të larta, të cilat dukshëm arritën vlera shumë të larta në Europën Perëndimore dhe atë Qendrore, siç e raportuan edhe agjencitë ndërkombëtare të shteteve përkatëse.

Kjo erdhi si pasojë e një vale të të nxehtit me origjinë afrikane, e cila u cilësua si një kupolë nxehtësie për Europën. Vendi ynë ndodhej në periferi të kësaj vale të të nxehtit dhe solli një rritje të temperaturave më të vogël sesa pjesa perëndimore dhe qendrore e Europës.

Për vendin tonë, rritja e temperaturave ishte 3–6 gradë mbi mesataren shumëvjeçare për javët përkatëse të muajit qershor.

Në Shqipëri janë regjistruar episode me temperatura maksimale të larta dhe valë të të nxehtit, të cilat janë favorizuar nga depërtimi i masave ajrore shumë të ngrohta me origjinë subtropikale nga Afrika e Veriut.

Këto kushte lidhen kryesisht me konfigurimin sinoptik mbi rajonin e Mesdheut, ndërsa El Niño mund të konsiderohet si një faktor që kontribuon në sfondin e ngrohjes globale, por jo si shkaku i drejtpërdrejtë i këtyre episodeve.

Sa i përket reshjeve, shpërndarja e tyre ka qenë e pabarabartë në kohë dhe hapësirë. Janë vërejtur periudha të thata, të ndërprera nga episode të reshjeve intensive me karakter lokal, një sjellje tipike e stinës së verës në rajonin tonë.

Deri tani nuk mund të thuhet se këto zhvillime janë pasojë e drejtpërdrejtë e El Niño-s, pasi ato varen kryesisht nga dinamika atmosferike rajonale dhe qarkullimi mbi Mesdhe.

Në tërësi, sinjali më i qartë që vihet re është ai i temperaturave më të larta se normalja shumëvjeçare për klimën e vendit tonë, ndërsa për reshjet nuk evidentohet një ndikim i drejtpërdrejtë i El Niño-s në Shqipëri.

 

A pritet që reshjet gjatë muajve të ardhshëm të jenë nën apo mbi mesataren shumëvjeçare ose cilat janë pritshmëritë sa i takon reshjeve dhe temperaturave?

Sipas parashikimeve sezonale, temperaturat gjatë muajve në vijim pritet të mbeten mbi mesataret shumëvjeçare, me probabilitet të lartë për vazhdimin e anomalive pozitive termike dhe episodeve të valëve të të nxehtit. Situatë e cila na ka shoqëruar gjatë viteve të fundit. Kjo si pasojë direkte e ndryshimeve klimatike.

Ashtu siç ka nisur ky vit me temperatura të ajrit mbi mesataret shumëvjeçare, ashtu pritet të jetë deri në fund të vitit.

Parashikimi sezonal i modeleve meteorologjike dhe klimatike është më pak i qartë kur vjen puna për reshjet. Aktualisht nuk evidentohet një prirje e fortë që ato të jenë dukshëm mbi ose nën normalen klimatike.

Vetë si karakteristikë të klimës së vendit tonë, vera është e nxehtë dhe e thatë. Edhe gjatë këtyre dy muajve, korrik–gusht 2026, pritet që regjimi i reshjeve të karakterizohet nga intervale të thata, të ndërprera nga episode reshjesh me intensitet lokal.

Reshjet konvektive lokale mund të jenë më të shpeshta, por me shpërndarje të pabarabartë në kohë dhe hapësirë, tipike për sezonin veror në rajonin e Mesdheut.

Në përgjithësi, besueshmëria e parashikimeve sezonale është më e lartë për temperaturën sesa për reshjet, të cilat mbeten të kushtëzuara nga dinamika e qarkullimit atmosferik në shkallë rajonale.

 

Cilat rajone të Shqipërisë kanë probabilitet më të lartë për temperatura ekstreme ose mungesë reshjesh?

Bazuar në karakteristikat klimatike të vendit tonë, temperaturat më të larta pritet të regjistrohen në zonat e ulëta dhe bregdetare në vendin tonë.

Veçanërisht në qarqet e Shkodrës, Lezhës, Durrësit, Tiranës, Elbasanit, Fierit, Beratit dhe Gjirokastrës, ku efekti i valëve të të nxehtit është zakonisht më i theksuar, kryesisht brenda qendrave urbane, ku, përveç kushteve atmosferike, ndikojnë edhe kushtet mjedisore, si urbanizimi, mungesa e korridoreve të ajrimit në zonat urbane, betonizimi dhe mungesa e hapësirave të gjelbra.

 

A mund të sjellë kjo situatë periudha më të gjata të thata, të ndërprera nga episode të shkurtra me reshje shumë intensive?

Po, ky është një nga skenarët më të mundshëm. Në kushtet e temperaturave më të larta, atmosfera ka aftësi të mbajë më shumë avull uji, duke favorizuar periudha më të gjata të thata, të ndërprera nga episode të shkurtra me reshje me intensitet të lartë.

Kjo është një nga karakteristikat e një klime në ngrohje dhe rrit rrezikun për fenomene hidrometeorologjike ekstreme, si vërshimet e shpejta ose përmbytjet urbane, veçanërisht në zonat urbane dhe ato me reliev të theksuar.

 

Sa mund të ndahet ndikimi i El Niño-s nga prirja afatgjatë e rritjes së temperaturave për shkak të ndryshimeve klimatike?

El Niño dhe ndryshimet klimatike janë dy procese të ndryshme që veprojnë njëkohësisht. El Niño është një fenomen natyror, ciklik dhe i përkohshëm, i cili ndikon në variabilitetin klimatik nga një vit në tjetrin.

Ndërsa ndryshimet klimatike përfaqësojnë një prirje afatgjatë të rritjes së temperaturës globale, e shkaktuar kryesisht nga rritja e përqendrimit të gazeve serrë në atmosferë.

Prandaj, temperaturat e larta që po regjistrohen nuk mund t’i atribuohen vetëm El Niño-s. Ky fenomen mund ta përforcojë përkohësisht ngrohjen globale, duke e bërë një vit të caktuar më të ngrohtë se zakonisht, por trendi afatgjatë i rritjes së temperaturave lidhet me ndryshimet klimatike.

Me fjalë të tjera, El Niño vepron si një faktor shtesë mbi një klimë që tashmë është në proces ngrohjeje.

 

Lexoni edhe:

Kostoja ekonomike e El Niño-s, si e prek Shqipërinë

The post “El Niño i përforcon temperaturat e larta në një klimë tashmë më të nxehtë” appeared first on Revista Monitor.

Tregu shqiptar i pasurive të paluajtshme, a rrezikon një flluskë

31 July 2026 at 22:06

A është tregu imobiliar shqiptar në një flluskë, apo rritja e çmimeve mbështetet ende nga faktorë ekonomikë? Një perspektivë investimi e bazuar në të dhëna nga Banka e Shqipërisë, INSTAT, Fondi Monetar Kombëtar dhe Banka Botërore

 

Nga Kevin Kamberi*

Tregu i pasurive të paluajtshme është mesatarisht i mbivlerësuar, por nuk paraqet karakteristikat e një flluske klasike të financuar nga kreditimi. Ky konkluzion arrihet nga analiza, e bazuar në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, INSTAT, Fondit Kombëtar Monetar dhe Bankës Botërore.

Ndryshe nga tregjet që u përmbysën pas vitit 2008, rritja e çmimeve në Shqipëri nuk është mbështetur kryesisht mbi borxh të tepruar familjar apo një ekspozim të pakontrolluar të sektorit bankar.

Përkundrazi, kërkesa është ushqyer nga faktorë strukturorë si urbanizimi i Tiranës, zgjerimi i turizmit, investimet e diasporës, remitancat, Investimet e Huaja Direkte dhe përdorimi i pronës si ruajtëse vlere.

Ky kombinim ka krijuar një treg ku çmimet nuk shpjegohen as nga të ardhurat e familjeve vendase dhe as nga kreditimi hipotekor, duke e bërë këtë shkëputje midis fuqisë blerëse lokale dhe burimeve të jashtme karakteristikën më unike të tregut shqiptar.

Në të njëjtën kohë, analiza evidenton rreziqe të rëndësishme: çmimet e banesave kanë ecur dukshëm më shpejt se pagat, përballueshmëria është përkeqësuar, normat e banesave të pabanuara janë të larta dhe popullsia rezidente vazhdon të bjerë. Rënia e popullsisë dhe niveli i lartë i aktivitetit ndërtimor rrisin rrezikun që oferta të tejkalojë kërkesën reale në zona të caktuara.

Këto zhvillime sugjerojnë se tregu nuk është domosdoshmërisht pranë një kolapsi të menjëhershëm, por se normat e kthimit në të ardhmen do të varen gjithnjë e më shumë nga cilësia e lokacionit, kërkesa turistike dhe qëndrueshmëria e flukseve të kapitalit të jashtëm.

Vlerësimi i përgjithshëm: Treg mesatarisht i mbivlerësuar me perspektivë pozitive afatgjatë, por me rrezik të moderuar për rënie. Ky është vlerësim i autorit, i mbështetur në analizën e të dhënave publike të institucioneve të përmendura më sipër.

 

Ndërtimi dhe ekonomia (PBB)

Ndërtimi përfaqëson drejtpërdrejt rreth 12% të PBB-së së Shqipërisë, një nga peshat më të larta në Europë sipas të dhënave të INSTAT-it.

Në qoftë se përfshihen aktivitetet e pasurive të paluajtshme, financimi bankar, materialet e ndërtimit, inxhinieria, mobilimi dhe shërbimet e lidhura, ndikimi ekonomik i ekosistemit është më i gjerë se kontributi i drejtpërdrejtë i sektorit.

Në terma nominalë, PBB-ja ka regjistruar një normë mesatare vjetore rritjeje prej rreth 10.1% gjatë periudhës 2015–2024, ndërsa vlerësimet deri në vitin 2026 e çojnë këtë normë në rreth 10.25%.

 

Burimi: INSTAT

 

Çmimet e banesave

Pas një periudhe të zgjatur stagnimi pas krizës financiare globale, tregu shqiptar i banesave nisi të rimëkëmbej pas vitit 2015 dhe u përshpejtua ndjeshëm pas vitit 2021. Indeksi Fisher i Bankës së Shqipërisë tregon se indeksi kombëtar i çmimeve u rrit nga rreth 1.0 në vitin 2015 në 3.6 në vitin 2025, ndërsa indeksi për Tiranën arriti rreth 3.1.

Në vitin 2025, rritja kombëtare tejkaloi Tiranën, duke treguar se zonat bregdetare dhe tregjet e tjera rajonale janë bërë gjithnjë e më të rëndësishme në ciklin e rritjes.

 

Burimi: Të dhënat e vrojtimit dhe llogaritje të departamentit të stabilitetit financiar

 

Remitancat

Remitancat janë një burim i rëndësishëm strukturor i kërkesës për banesa, pasi u japin familjeve fuqi blerëse përtej të ardhurave të raportuara zyrtarisht. Sipas Bankës Botërore, ato u rritën nga rreth 1.29 miliardë euro në vitin 2015 në rreth 2.27 miliardë euro në vitin 2024, ndërsa pesha e tyre ndaj PBB-së ra nga 11.3% në 8.4%.

Kjo rënie relative nuk tregon dobësim të remitancave, por rritje më të shpejtë të ekonomisë, ndërkohë që flukset vazhdojnë të mbështesin kursimet, konsumin dhe blerjet e pronave, veçanërisht ato me para në dorë.

 

 

Përballueshmëria

Përballueshmëria e banesave është përkeqësuar ndjeshëm. Ndërmjet viteve 2015 dhe 2025, indeksi kombëtar i çmimeve u rrit nga 1.0 në 3.6, ndërsa indeksi i pagave arriti vetëm rreth 1.6, duke treguar se çmimet u rritën më shumë se dy herë më shpejt se pagat.

Sipas të dhënave të Numbeo-s të publikuara nga Revista Monitor, për gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, në Tiranë nevojiten rreth 18 vite të ardhura për të blerë një apartament, duke e renditur qytetin ndër tregjet më pak të përballueshme në Europë. Në rang botëror, Tirana renditet në vendin e 37-të.

 

Burimi: Banka e Shqipërisë, INSTAT

 

Inflacioni dhe kostot e ndërtimit

Inflacioni u rrit ndjeshëm pas pandemisë dhe goditjes globale të energjisë, duke kulmuar në vitin 2022 përpara se të ngadalësohej gradualisht drejt objektivit 3% të Bankës së Shqipërisë.

Forcimi i Lekut kundrejt Euros ka ndihmuar në uljen e inflacionit të importuar duke reduktuar koston në Lek të karburanteve, ushqimeve, makinerive dhe lëndëve të para.

Sipas INSTAT, Indeksi i kostos së ndërtimit u rrit me një normë vjetore rritje e përbërë prej rreth 2.17% gjatë periudhës 2018–2026, shumë më ngadalë se çmimet e banesave, duke sugjeruar se kërkesa ka qenë faktori dominues i rritjes së çmimeve.

 

Burimi: INSTAT

 

Kursi i këmbimit (Forcimi i Lekut)

Leku është forcuar ndjeshëm kundrejt Euros, i mbështetur nga të ardhurat e turizmit, remitancat, Investimet e Huaja Direkte dhe flukset e qëndrueshme valutore.

Një Lek më i fortë ka ulur inflacionin e importuar dhe koston e materialeve të ndërtimit të blera jashtë vendit, duke zbutur pjesërisht presionet mbi koston e zhvilluesve.

Megjithatë, forcimi i monedhës nuk e ka ndalur rritjen e çmimeve të pronave, çka përforcon përfundimin se kërkesa strukturore dhe kapitali i jashtëm kanë qenë më të rëndësishëm se kostot e ndërtimit.

 

Burimi: Banka e Shqipërisë

 

Tregu hipotekor

Kreditimi hipotekor po zgjerohet dhe po mbështet kërkesën, por nuk mjafton për të shpjeguar rritjen e fortë të çmimeve. Banka e Shqipërisë raporton se në vitin 2021, rreth 33% e blerjeve të pronave financoheshin me kredi bankare, duke reflektuar një treg kryesisht të bazuar në para në dorë.

Në vitin 2025, kjo pjesë u rrit në 61%. Ky zhvillim tregon maturim dhe formalizim gradual të ekonomisë, si edhe ndërmjetësim financiar më të thellë, ndërsa fakti që 38% e kredive mbulonin 60% ose më pak të vlerës së pronës tregon se një pjesë e konsiderueshme e blerësve kontribuojnë me kapital të lartë vetjak.

 

Demografia

Popullsia rezidente e Shqipërisë ka rënë nga pothuajse 2.9 milionë banorë në vitin 2015 në rreth 2.33 milionë në vitin 2026, megjithëse ndryshimi metodologjik pas Censit të INSTAT 2023 kufizon krahasueshmërinë e plotë të serisë.

Në të njëjtën kohë, diaspora shqiptare vlerësohet në rreth 2.26 milionë persona, pothuajse sa popullsia rezidente, dhe 77% e saj është në moshë pune.

Përmes remitancave, kursimeve dhe blerjeve të drejtpërdrejta të pronave, diaspora kompenson pjesërisht efektin negativ të rënies së popullsisë, veçanërisht në Tiranë dhe në zonat bregdetare.

 

Burimi: Banka e Shqipërisë

 

Rreziku i banesave të pabanuara

Censi i vitit 2023 evidentoi 356,204 banesa të pabanuara nga gjithsej 1,082,529 banesa të zakonshme, ose 32.9% të stokut kombëtar.

Norma ishte veçanërisht e lartë në Vlorë, rreth 52%, dhe në Durrës, rreth 44%, kundrejt rreth 22% në Tiranë. Rritja nga 11.3% në vitin 2001 dhe 21.7% në vitin 2011 sugjeron se oferta është zgjeruar më shpejt se përdorimi i përhershëm rezidencial, megjithëse banesat e dyta, pronat sezonale dhe njësitë përkohësisht bosh nuk duhen interpretuar automatikisht si stok i pashitur.

 

Investimet e Huaja Direkte

Investimet e Huaja Direkte janë orientuar gjithnjë e më shumë drejt pasurive të paluajtshme. Që prej vitit 2022, rreth 20 – 25% e flukseve vjetore të IHD-ve janë drejtuar në këtë sektor, duke e bërë atë një nga përfituesit kryesorë të kapitalit të huaj.

FMN raportonte se ndërmjet viteve 2015 dhe 2025, IHD-të totale u rritën nga rreth 0.99 miliardë në 1.87 miliardë dollarë, me një normë rritje të përbërë prej afërsisht 6.57%, duke rritur ndikimin e kërkesës së jashtme mbi çmimet në Tiranë dhe në zonat bregdetare.

 

Burimi: Banka e Shqipërisë

 

Ekonomia informale

Ekonomia informale mbetet një tipar strukturor i rëndësishëm i ekonomisë shqiptare dhe ndikon drejtpërdrejt në interpretimin e tregut të banesave. Vlerësimi i fundit sasior i FMN-së e vendos ekonominë informale në rreth 27.2% të PBB-së për vitin 2019, ndërsa Banka Botërore vijon ta përshkruajë si afërsisht një të tretën e ekonomisë.

Për pasojë, të ardhurat zyrtare mund të nënvlerësojnë fuqinë reale blerëse të një pjese të familjeve dhe ta bëjnë raportin çmim – të ardhura më pak shpjegues sesa në tregje më të formalizuara.

 

Ekonomia e kleringut

Kleringu ka luajtur historikisht rol në financimin e projekteve të ndërtimit, duke u mundësuar zhvilluesve të kompensojnë pronarët e tokës, kontraktorët dhe furnitorët me apartamente ose njësi tregtare në vend të pagesës në para.

Megjithëse 41% e firmave të ndërtimit kanë kredi, niveli më i lartë i pjesëmarrjes në huamarrje ndër sektorë, të dhënat e disponueshme nuk tregojnë mbingarkesë të qartë me borxh.

Kjo sugjeron se aktiviteti financohet përmes një kombinimi të kredive bankare, kapitalit të pronarëve dhe mekanizmave alternativë si kleringu.

 

Fondet me burim të paqartë

Një studim nga Friedrich Ebert Foundation në vitin 2025 vlerëson se lejet e ndërtimit të miratuara gjatë periudhës 2015 – 2024 përfaqësonin një vlerë të përgjithshme tregu prej rreth 16.24 miliardë eurosh, për afro 11.48 milionë metra katrorë sipërfaqe ndërtimi.

Sipas të njëjtit vlerësim, vetëm rreth 7.11 miliardë euro mund të lidheshin me financim bankar ose investime të huaja të deklaruara, duke lënë një hendek prej afro 9.13 miliardë eurosh, ose 56% të totalit, me burim financimi të paqartë.

Në të njëjtën kohë, në vitin 2021, Global Initiative Against Transnational Organized Crime vlerëson se në Shqipëri qarkullojnë çdo vit rreth 280 – 700 milionë euro në mënyrë informale, ndërsa ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme konsiderohen ndër kanalet më të ekspozuara për integrimin e fondeve të paligjshme në ekonominë formale.

Raportet e organizatës përshkruajnë përdorimin e kompanive të ndërtimit, transaksioneve me para në dorë, shoqërive guaskë dhe blerjeve të pronave si mekanizma potencialë të këtij aktiviteti.

Në vitin 2024, The Times dhe Politico publikuan që rreth 1.3 miliardë euro në vit janë investuar në ndërtim dhe real estate me burim të paqartë.

Këto të dhëna nuk provojnë automatikisht qarkullim kapitali me burim të jashtëligjshëm, por ngrenë pikëpyetje mbi burimet e financimit dhe kapacitetin real operacional të një pjese të subjekteve që veprojnë në sektor.

Gjithashtu, tregojnë se transparenca financiare në Shqipëri mungon. Ky informalitet mund të rrisë kërkesën për banesa përtej nivelit që justifikohet nga pagat zyrtare, kreditimi dhe të ardhurat e deklaruara.

Fondet që hyjnë jashtë kanaleve formale financiare mund të përdoren për blerje me para në dorë, duke ushtruar presion shtesë mbi çmimet dhe duke dobësuar lidhjen tradicionale mes përballueshmërisë dhe vlerës së pronës.

Si rezultat, tregu mund të mbetet i shtrenjtë për familjet me të ardhura të deklaruara, ndërsa çmimet mbështeten pjesërisht nga kapital që është më i vështirë për t’u matur dhe për t’u kontrolluar.

 

Vlerësimi i investimit

Analiza sugjeron se Shqipëria nuk po përjeton një flluskë klasike të ushqyer nga kreditimi. Tregu është i segmentuar dhe mbështetet nga turizmi, diaspora, urbanizimi dhe kapitali i huaj, por përballet me përkeqësim të përballueshmërisë, normë të lartë banesash të pabanuara, rënie demografike dhe varësi të madhe të ekonomisë nga ndërtimi. Megjithatë, disa shenja paralajmëruese meritojnë vëmendje:

  • Çmimet e banesave kanë tejkaluar ndjeshëm rritjen e të ardhurave familjare.
  • Përballueshmëria vijon të përkeqësohet.
  • Normat e banesave të pabanuara mbeten jashtëzakonisht të larta.
  • Rënia e popullsisë krijon rrezik afatgjatë për kërkesën.
  • Ndërtimi përfaqëson një pjesë jashtëzakonisht të madhe të aktivitetit ekonomik.
  • Informaliteti mbetet i lartë dhe dobëson matjen e saktë të të ardhurave dhe kërkesës.

Zonat kryesore të Tiranës dhe destinacionet bregdetare me kërkesë reale turistike duken më të qëndrueshme se tregjet dytësore, ndërsa normat e ardhshme të kthimit do të varen gjithnjë e më shumë nga cilësia e lokacionit dhe përdorimi ekonomik i pronës.

Perspektiva e tregut deri në vitin 2030

Skenarët e mëposhtëm përfaqësojnë vlerësimin e autorit, të mbështetur në analizën e mësipërme dhe në të dhëna publike nga Banka e Shqipërisë, INSTAT-i, FMN-ja dhe Banka Botërore.

 

 

Skenari bazë: Rritja e PBB-së qëndron rreth 3.5–3.7%, ndërsa turizmi, ndërtimi dhe kërkesa e huaj vijojnë të mbështesin tregun, por përballueshmëria dhe normat e larta të banesave të pabanuara e ngadalësojnë rritjen e çmimeve.

Skenari optimist: Turizmi i fortë, IHD-të, përparimi drejt anëtarësimit në BE, investimet infrastrukturore, kërkesa e diasporës dhe rritja e pagave nxisin një tjetër cikël të fortë.

Skenari pesimist: Mbioferta, kërkesa e jashtme më e dobët, ngadalësimi i ndërtimit të lidhur me turizmin ose shtrëngimi i kreditimit sjellin stagnim ose rënie të çmimeve

Përfundim

Ekziston një rrezik mesatar deri në të lartë mbivlerësimi, por probabiliteti i një flluske klasike të drejtuar nga kredia mbetet relativisht i ulët, pasi niveli i huamarrjes hipotekore është ende i moderuar, bankat janë relativisht rezistente dhe turizmi e diaspora përfaqësojnë burime reale strukturore të kërkesës.

Tregu mbetet tërheqës, por po bëhet më selektiv. Në fazën e ardhshme, kthimet ka të ngjarë të përcaktohen më pak nga rritja e përgjithshme kombëtare dhe më shumë nga rezistenca demografike, turizmi, urbanizimi dhe qëndrueshmëria e kapitalit të jashtëm

 

*Autori ka përfunduar studimet në Inxhinieri Industriale dhe Menaxhim dhe aktualisht punon si Supply Chain Project Coordinator në ASML, në Holandë. Opinionet janë personale të autorit

 

 

 

The post Tregu shqiptar i pasurive të paluajtshme, a rrezikon një flluskë appeared first on Revista Monitor.

Tuneli më i madh nënujor në botë Gjermania lidhet me Danimarkën

31 July 2026 at 22:04

Në qendër të Detit Baltik po ndërtohet me ritme të avancuara ai që do të jetë tuneli i zhytur më i gjatë në botë. Një vepër gjigante infrastrukturore, që do të transformojë lidhjet mes Europës Qendrore dhe Gadishullit Skandinav, duke reduktuar varësinë nga tragetet që aktualisht lidhin brigjet gjermane dhe daneze të ngushticës së Fehmarnit.

 

Nga MSc Roland Tashi, ekspert i çështjeve të sigurisë

Ngushtica Fehmarn ndodhet në Detin Baltik, midis ishullit danez Lolland (në Veri) dhe ishullit gjerman Fehmarn (në Jug), ajo ndan Danimarkën nga Gjermania dhe është një nga rrugët kryesore detare dhe tregtare mes Skandinavisë dhe Europës Qendrore.

Tuneli i ri “Fehmarn Belt Fixed Link”, i cili ka filluar të ndërtohet, do të kalojë nën këtë ngushticë duke lidhur drejtpërdrejt qytetin danez Rodbyhavn me lokalitetin gjerman Puttgarden.

Një projekt me vlerë 6.2 miliardë paund, që pritet të përfundojë në vitin 2029, tuneli do të përfshijë një autostradë me katër korsi për automjete, si dhe linja hekurudhore.

Projekti parashikon një tunel me përdorim të dyfishtë rrugor dhe hekurudhor, i cili do të përgjysmojë kohën e udhëtimit mes dy vendeve dhe do të ndryshojë rrënjësisht transportin e mallrave përgjatë një prej korridoreve tregtare më të ngarkuara të kontinentit.

Pas përurimit, ai do të jetë zyrtarisht tuneli i zhytur më i gjatë i ndërtuar deri tani për trafikun rrugor dhe hekurudhor duke thyer të gjitha rekordet e mëparshme dhe duke hyrë në Librin e rekordeve Guinness.

Mbreti i Danimarkës ka inauguruar simbolikisht segmentin e parë të përfunduar, një seksion prej 217 metrash, i cili tashmë është vendosur në fundin e detit nga ana daneze.

Ky është një moment historik për një projekt që ka kërkuar shumë vite përgatitje dhe që po ecën drejt përfundimit të planifikuar në vitin 2029.

Kostoja e projektit është rritur me kalimin e kohës, nga 4.6 miliardë paund të parashikuara fillimisht në 6.2 miliardë paund, pas finalizimit të marrëveshjes dypalëshe mes Danimarkës dhe Gjermanisë.

Financimi mbulohet nga Danimarka, e cila synon të rikuperojë investimin përmes tarifave që do të paguajnë përdoruesit e tunelit në dekadat pas hapjes së tij.

 

Si do të ndërtohet tuneli

Struktura, tuneli i plotë, përbëhet nga 89 elemente të parapërgatitura prej betoni të armuar secili me gjatësi 217 metra dhe peshë rreth 73 mijë tonë.

Çdo segment ndërtohet në tokë, transportohet me anije dhe vendoset në një kanal të hapur në fundin e detit, rreth 16 metra nën sipërfaqe, ku lidhet me segmentet e tjera përmes nyjave të papërshkueshme nga uji.

Tuneli do të ketë gjerësi prej 60 metrash dhe do të përfshijë, katër korsi rrugore nga dy në secilin drejtim dhe dy linja hekurudhore të ndara.

Automjetet do të mund të lëvizin me shpejtësi deri në 110 km/orë ndërsa trenat, deri në 200 km/orë. Falë këtyre parametrave, kalimi i ngushticës do të zgjasë vetëm 10 minuta me makinë dhe 7 minuta me tren, krahasuar me 45 minutat që nevojiten sot me tragetet e kompanisë Scandlines.

Ky ndryshim pritet të ketë ndikim të madh për udhëtarët, turistët dhe veçanërisht për sektorin logjistik dhe mjedisor.

Materiali i nxjerrë nga fundi i detit gjatë gërmimeve nuk do të hidhet, por do të ripërdoret për zgjerimin e vijës bregdetare.

Punimet do të krijojnë rreth 3 km² tokë të re, pjesërisht në ishullin danez të Lollandit dhe pjesërisht në ishullin gjerman të Fehmarnit, e cila do të shfrytëzohet për zona natyrore dhe hapësira të gjelbra bregdetare.

 

 

Rëndësia për transportin europian të mallrave

Një nga aspektet më të rëndësishme të projektit lidhet me transportin ndërkombëtar të mallrave. Tuneli Fehmarn Belt është pjesë e rëndësishme e korridorit skandinavo-mesdhetar, rrjetit hekurudhor që lidh Skandinavinë me Italinë përmes Gjermanisë.

Pasi të vihet në funksion, ai do të lejojë kalimin e 68 trenave të mallrave në ditë përmes ngushticës, ndërsa 30 trena të tjerë do të devijohen nga porti i Travemundes drejt jugut, në drejtim të Italisë.

Për Italinë, e cila eksporton dhe importon sasi të mëdha mallrash me hekurudhë përmes Gjermanisë, kjo do të thotë rritje e ndjeshme e kapaciteteve transportuese dhe ulje e kohës së tranzitit në një nga korridoret më strategjike të tregtisë europiane. Pra, bëhet fjalë për një tunel nën det, por me ndikim ekonomik dhe logjistik që shtrihet nga Deti Baltik deri në hapësirën mesdhetare.

Disa përfundime kryesore lidhur me ndikimet e këtij projekti dhe në përgjithësi të investimeve strategjike në fushën e transportit, tregtisë, turizmit, etj.

– Përshpejtimi i transportit dhe i tregtisë, tuneli do të shkurtojë ndjeshëm kohën e udhëtimit midis Danimarkës dhe Gjermanisë, mallrat do të transportohen më shpejt dhe me kosto më të ulët duke rritur efikasitetin e zinxhirëve të furnizimit në Europën Veriore.

– Forcimi i integrimit ekonomik europian, lidhja do të përmirësojë korridorin transportues midis Skandinavisë dhe Europës Qendrore nga ku pritet të rriten shkëmbimet tregtare dhe investimet ndërkufitare.

– Rritja e konkurrueshmërisë së rajonit, bizneset do të përfitojnë nga qasja më e shpejtë në tregje dhe porte, rajonet përreth tunelit mund të tërheqin investime të reja industriale dhe logjistike.

– Zhvillimi i turizmit, udhëtimet më të shpejta do të lehtësojnë lëvizjen e turistëve midis vendeve nordike dhe pjesës tjetër europiane, kjo do të sjellë të ardhura shtesë për sektorin e turizmit dhe shërbimeve.

– Përfitime për tregun e punës, projekti ka krijuar vende pune duke nisur që prej fazës së ndërtimit, dhe pas përfundimit mund të rritet lëvizshmëria e punëtorëve dhe bashkëpunimi ekonomik ndërmjet rajoneve.

– Ndikimi mjedisor afatgjatë, kalimi i një pjese të trafikut nga tragetet dhe rrugët drejt hekurudhës mund të ulë emetimet e CO₂ për njësi transporti, proces që mbështet objektivat e BE-së për transport më të qëndrueshëm.

The post Tuneli më i madh nënujor në botë Gjermania lidhet me Danimarkën appeared first on Revista Monitor.

NATO po shqyrton si të mbrojë Europën Lindore ndërsa SHBA tërhiqet

31 July 2026 at 22:02

Tanket gjermane po rikthehen në një rajon që dikur e shkatërruan, shkruan The Economist

 

Krijesat e çuditshme dalin me zhurmë nga pylli, me trupat e mbuluar me myshk, copa të grisura pëlhure dhe bar plastik, ndërsa kokat i kanë të mbuluara me rrjeta të zeza. Tanket Leopard dhe mjetet luftarake të këmbësorisë Puma të Brigadës së 45-të të Blinduar të Gjermanisë janë kamufluar në këtë mënyrë për t’u fshehur nga dronët armiq.

Për një muaj, njësia u stërvit përgjatë kufirit të Lituanisë me Bjellorusinë, një shtet aleat i Rusisë, në kuadër të stërvitjes së sapopërfunduar “Freedom Shield”. Qëllimi: të jetë gati të “luftojë sonte” për të mbrojtur Vilniusin, kryeqytetin e Lituanisë, dhe për të mbajtur nën kontroll Korridorin Suwałki, që lidh shtetet baltike me Poloninë.

Pikërisht për këtë mision, Brigada e 45-të nuk do të kthehet në Gjermani. Për herë të parë që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, Gjermania po vendos njësi ushtarake në mënyrë të përhershme jashtë vendit. Këto trupa janë maja e shtizës së një ushtrie që po zgjerohet për t’u bërë më e madhja në Europë.

Njësia do të pajiset me tanket, artilerinë, dronët dhe sistemet më moderne kundërajrore, ndërsa do të rritet nga 1,600 në rreth 5,000 ushtarë deri në fund të vitit 2027.

Ndërkohë, prania ushtarake amerikane në rajon po zvogëlohet. Një njësi tankesh amerikane – Batalioni i Parë, Regjimenti i 12-të i Kalorësisë – u stërvit për disa muaj në të njëjtën zonë. Por ajo u largua në qershor, së bashku me pjesën tjetër të brigadës së saj në Poloni. Askush nuk e di se kur, ose nëse, do të zëvendësohet nga një njësi tjetër amerikane.

 

Ndryshime tektonike gjermane

Edhe pse Gjermania po has vështirësi për të rekrutuar mjaftueshëm vullnetarë – aq sa disa ushtarë mund të detyrohen t’i bashkohen brigadës – lituanezët i presin trupat gjermane me mirënjohje, thotë nënkoloneli Sebastian Hagen, komandant i grupit shumëkombësh luftarak që përbën bërthamën e brigadës.

“Ajo që po bëjmë sot është ajo që të gjithë aleatët bënë për Gjermaninë gjatë Luftës së Ftohtë, – thotë ai. – Krahu lindor është zhvendosur më tej drejt lindjes dhe tani është radha e Gjermanisë të kthejë diçka mbrapsht”.

Ky mision është edhe më domethënës po të kihet parasysh se ushtritë gjermane – ato teutonike, prusiane, perandorake dhe naziste – historikisht kanë qenë pushtuese në këtë rajon. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ato pushtuan Poloninë, shtetet baltike (Lituaninë, Letoninë dhe Estoninë) dhe një pjesë të madhe të Rusisë perëndimore.

Pas dorëzimit të Gjermanisë naziste në vitin 1945, Bashkimi Sovjetik aneksoi republikat baltike, të cilat rifituan pavarësinë vetëm pas shpërbërjes së tij në vitin 1991. Sovjetikët pushtuan gjithashtu qytetin gjerman të Königsbergut, i njohur sot si enklava ruse e Kaliningradit.

“Jemi plotësisht të vetëdijshëm për atë që Gjermania naziste bëri këtu në Lituani. Po ashtu jemi të vetëdijshëm për atë që pushtimi sovjetik i bëri Lituanisë”, – shton nënkoloneli Hagen. Kur nuk është në stërvitje, brigada ndihmon në mirëmbajtjen e varrezave të luftës dhe të varrezave hebraike.

Qëllimi i NATO-s, deklaronte Lord Ismay, Sekretari i parë i Përgjithshëm i aleancës, është “t’i mbajë rusët jashtë, amerikanët brenda dhe gjermanët të frenuar”. Por ndërsa presidenti Donald Trump përgatitet të takohet me udhëheqësit e tjerë të NATO-s në Ankara, më 7-8 korrik, Gjermania po forcohet për t’i mbajtur rusët jashtë dhe, shpreson ajo, amerikanët brenda. Sipas një plani të quajtur “NATO 3.0”, SHBA kërkon që vendet europiane të marrin përsipër rolin kryesor në mbrojtjen e tyre konvencionale, ndërsa Amerika të ofrojë ombrellën bërthamore.

Kjo përputhet me vendosmërinë e vetë Gjermanisë, që pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, për t’u shndërruar nga një vend që ka mbetur pas në mbrojtje në një shtyllë kryesore të sigurisë europiane.

Ajo planifikon të arrijë objektivin e NATO-s për shpenzime në mbrojtje sa 3.5% e PBB-së deri në vitin 2029, shumë përpara afatit të vitit 2035. Deri në fund të dekadës, Gjermania mund të shpenzojë për Forcat e saj të Armatosura më shumë sesa Britania dhe Franca, të dyja fuqi bërthamore, së bashku.

Megjithatë, vetëm paratë nuk do ta bëjnë Europën të vetëmbështetur. Së bashku, anëtarët europianë të NATO-s shpenzojnë tashmë për mbrojtjen më shumë se çdo vend tjetër, me përjashtim të Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, ata mbeten “strategjikisht të varur nga Shtetet e Bashkuara në të gjithë zinxhirin e operacioneve ushtarake”, thuhet në një raport të Institutit Kiel, një institut kërkimor gjerman.

Sa urgjent është ky ndryshim për Europën varet nga dy pyetje kryesore që rëndojnë mbi samitin. E para: sa kërcënues është Vladimir Putin?

Rusia ka riorganizuar frontin e saj përballë NATO-s, duke ngritur njësi, baza dhe shtabe të reja në pritje të forcave që mund të dislokohen në të ardhmen. NATO vlerëson se Rusia mund të përbëjë kërcënim për vendet anëtare vetëm pak vite pasi luftimet në Ukrainë të marrin fund ose të reduktohen. Gjermania synon të jetë gati deri në vitin 2029. Polonia beson se rreziku mund të shfaqet edhe më shpejt.

Pyetja tjetër është se çfarë nënkupton politika “America First” për Europën. Mund të imagjinohen katër versione të Donald Trump-it, të gjitha të besueshme. Njëri është ai i prindit të rreptë, që e shtyn Europën të forcohet, por është i gatshëm ta mbrojë në rast nevoje, në përputhje me Nenin 5 të NATO-s për mbrojtjen kolektive.

Një tjetër është miku që mungon, i cili nuk dëshiron të luftojë për Europën, por vazhdon të ofrojë një lloj mbështetjeje të tërthortë. I treti është ish-partneri toksik, që e braktis Europën, por nuk largohet nga shtëpia e përbashkët e NATO-s, duke ua vështirësuar jetën europianëve në përpjekjet e tyre për t’u organizuar. I fundit është grabitqari, që kërcënon vende si Groenlanda në krahun perëndimor të Europës, ndërkohë që Rusia kërcënon krahun lindor.

Ushtarakët, nga selia supreme e NATO-s në Mons, përmes komandave vartëse e deri te njësitë në vijën e parë, për momentin shohin kryesisht versionin e “prindit të rreptë” të Trump-it. Ushtarët europianë dhe amerikanë planifikojnë dhe stërviten siç kanë bërë prej dekadash. Ata shpresojnë që SHBA ta koordinojë tërheqjen e saj graduale me forcimin e kapaciteteve europiane, në mënyrë që të mos krijohet një boshllëk në mbrojtje.

Por z. Trump është i ndjeshëm dhe i paparashikueshëm. Në maj, Pentagoni njoftoi papritur se do të tërhiqte 5,000 ushtarë nga Gjermania, pasi Trump u zemërua nga kritikat e kancelarit gjerman Friedrich Merz ndaj luftës në Iran. Paradoksalisht, Pentagoni gjithashtu ka ndryshuar disa herë qëndrim lidhur me zëvendësimin e brigadës që së fundmi u largua nga Polonia dhe Lituania, dy nga vendet europiane më pro-amerikane.

Pete Hegseth, sekretari amerikan i Mbrojtjes, kritikoi aleatët europianë që, sipas tij, në mënyrë “të turpshme” nuk morën pjesë në luftën e Amerikës në Iran dhe, në disa raste, nuk lejuan përdorimin e bazave dhe hapësirës së tyre ajrore nga forcat amerikane. Ai njoftoi gjithashtu një rishikim gjashtëmujor të pranisë ushtarake amerikane në Europë, e cila deri tani është reduktuar nga rreth 100,000 në rreth 80,000 ushtarë.

Përveç reduktimit të njësive në vijën e parë, Pentagoni ka zvogëluar edhe forcat e reagimit të shpejtë që premton t’i dërgojë NATO-s në rast lufte, duke argumentuar se ato nevojiten për kriza aktuale ose të mundshme në Lindjen e Mesme dhe Paqësor.

Këto përfshijnë bombardues, avionë luftarakë, avionë cisternë për furnizim me karburant në ajër dhe anije luftarake, si aeroplanmbajtëse dhe nëndetëse sulmuese. Kjo vë në pikëpyetje Modelin e Forcave të NATO-s (NATO Force Model), i cili përcakton se me cilat forca mund të llogarisin komandantët e aleancës.

 

 

Dikur besnik

Disa zyrtarë të administratës Trump lënë të kuptohet se SHBA mund të mos luftojë për mbrojtjen e shteteve baltike. Më shqetësuese është se ata kanë ngritur dyshime edhe për rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit nëse NATO vendos raketa që mund të godasin thellë në territorin rus. Administrata ka anuluar vendosjen e planifikuar në Gjermani të një njësie të pajisur me raketa lundruese Tomahawk, me rreze veprimi deri në 2,500 kilometra.

Gjithashtu, ka vonuar porosinë e Gjermanisë për raketa Tomahawk dhe, për një periudhë të shkurtër, u bllokoi aleatëve aksesin në modelet më të avancuara të Inteligjencës Artificiale. Sa i përket versionit “toksik” të Trump-it, administrata e tij vazhdon të destabilizojë politikën europiane duke nxitur narrativa të së djathtës ekstreme.

Sa më antieuropiane të bëhet Amerika, aq më shumë Rusia mund të tundohet të sfidojë NATO-n dhe aq më e vështirë do të jetë për europianët të reagojnë. Rusia nuk ka nevojë të ndërmarrë një sulm frontal. Shumë analistë druhen se një veprim i kufizuar dhe i paqartë mund të ekspozojë në mënyrë fatale përçarjet brenda NATO-s.

Për ta kuptuar ndërlikimin e situatës, mjafton të udhëtosh nga Lituania drejt qytetit polak Suwałki, përmes rripit të ngushtë të territorit që ndan Bjellorusinë nga Kaliningradi (shih hartën). Varrezat e këtij rajoni, që u përkasin shtatë besimeve të ndryshme fetare, dëshmojnë për kufijtë që kanë ndryshuar vazhdimisht dhe ushtritë që kanë kaluar aty ndër shekuj.

Me një gjerësi minimale prej rreth 65 kilometrash, Korridori i Suwałkit përshkohet nga dy arteriet kryesore që lidhin shtetet baltike me pjesën tjetër të Europës: autostrada Via Baltica dhe linja hekurudhore e shpejtësisë së lartë Rail Baltica.

Të dy projektet mbeten ende të papërfunduara, pjesërisht për shkak të mosmarrëveshjeve mes vetë vendeve baltike. Megjithatë, ato janë jetike si për tregtinë në kohë paqeje, ashtu edhe për logjistikën ushtarake në rast konflikti.

Edhe sot, në bazë të marrëveshjeve ekzistuese, trena specialë rusë kalojnë përmes jugut të Lituanisë, duke transportuar pasagjerë midis Kaliningradit dhe pjesës kontinentale të Rusisë katër herë në ditë, në vagonë të mbyllur dhe nën mbikëqyrjen e rojeve kufitare lituaneze. Edhe tranziti i mallrave në këtë korridor është i kufizuar.

Republikat baltike janë ndier prej kohësh të cenueshme, për shkak të popullsisë së tyre të vogël, pranisë së pakicave rusishtfolëse dhe prirjes revanshiste të Kremlinit.

Ato përballen vazhdimisht me forma presioni në të ashtuquajturën “zonë gri” nga Rusia – sulme kibernetike, shkelje të hapësirës ajrore nga avionë dhe dronë, sabotim të kabllove nënujore, fushata dezinformimi dhe veprime të tjera.

Vilniusi ndodhet vetëm 35 kilometra nga Bjellorusia, ku banda kriminale dërgojnë emigrantë dhe balona të mbushura me cigare kontrabandë përtej kufirit. Nëse Rusia do të pushtonte shtetet baltike, ajo mund të përpiqej të ndërpriste Korridorin e Suwałkit për të penguar ardhjen e përforcimeve të NATO-s, ndoshta vetëm me përdorimin e dronëve.

Si mund të zhvillohej një luftë e tillë, me ose pa ndihmën e Amerikës? Dikur NATO supozonte se do të duhej të tërhiqej, të grumbullonte përforcime dhe më pas të përpiqej të rimerrte Korridorin e Suwałkit. Sot, megjithatë, synimi është të mbahet sa më shumë territor që nga fillimi.

Lufta në Ukrainë ka treguar se ushtri më të vogla mund ta ndalin Rusinë, madje edhe ta zmbrapsin, nëse kanë kombinimin e duhur të vendosmërisë, teknologjisë dhe mbështetjes. NATO ka forcuar krahun e saj lindor, duke rritur nga katër në nëntë grupet luftarake me rotacion (batalione të përforcuara).

Disa prej tyre, si ai gjerman në Lituani, janë zgjeruar në brigada, të përbëra zakonisht nga tre batalione. Edhe shtetet baltike dhe Polonia kanë rritur ndjeshëm kapacitetet e tyre ushtarake. Shpenzimet për mbrojtjen në të gjitha këto vende pritet të arrijnë këtë vit në 5% ose më shumë të PBB-së.

Lituania po bashkon njësitë e saj të shpërndara në një divizion të rëndë të blinduar me tre brigada dhe rreth 20,000 ushtarë, i cili do të pajiset me tanke gjermane Leopard, mjete luftarake suedeze të këmbësorisë CV90, artileri franceze Caesar dhe sisteme raketore amerikane HIMARS.

Pjesa më e madhe e territorit të Lituanisë – me pyje dhe kënetë – favorizon mbrojtësin, aq më tepër në epokën e dronëve. Edhe nëse Korridori i Suwałkit do të ndërpritej, shtetet baltike do të ishin më të lehta për t’u furnizuar nga deti, falë anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO. Instruktorët amerikanë kanë trajnuar gjithashtu Unionin e Pushkatarëve të Lituanisë, një milici vullnetare, për operacione si bastisjet dhe rrëmbimet në kushte pushtimi.

Nëse Rusia do të sulmonte, thotë kundëradmirali Giedrius Premeneckas, një nga drejtuesit më të lartë ushtarakë të Lituanisë, “do të bënte një gabim shumë më të madh sesa ai që bëri duke sulmuar Ukrainën.”

NATO pranon se ka ende shumë për të mësuar nga fusha e betejës në Ukrainë, e dominuar nga dronët. Gjatë stërvitjeve të këtij viti, ekipet ukrainase të dronëve arritën të asgjësonin batalione të tëra të NATO-s.

Në stërvitjen “Freedom Shield”, grupi shumëkombësh luftarak përdori dronë dhe armë të tjera për të zmbrapsur një njësi gjermane që luante rolin e forcave pushtuese ruse. Megjithatë, nënkoloneli Sebastian Hagen këmbëngul se tanku nuk është aspak i tejkaluar.

Lufta e së ardhmes do të kërkojë mbrojtje më të mirë kundër dronëve dhe përdorim më të madh të mjeteve tokësore pa pilot, por, siç shprehet ai, “tanket do të mbeten të domosdoshme për të pushtuar dhe për të mbajtur territor.”

Me Amerikën në luftë, komandantët e NATO-s besojnë se operacionet shumëdimensionale në tokë, det, ajër, hapësirë dhe hapësirën kibernetike – të mbështetura nga rrjete të dhënash që lidhin sensorët me sistemet e goditjes dhe përpunohen me Inteligjencë Artificiale – do t’u mundësojnë forcave aleate të manovrojnë, t’u shmangen njësive me dronë dhe të mposhtin forcat ruse.

Aviacioni i NATO-s dhe raketat me rreze të gjatë veprimi do të neutralizonin sistemet ruse të mbrojtjes kundërajrore dhe kundër anijeve. Pika më e cenueshme e frontit mund të mos jetë Korridori i Suwałkit, por Kaliningradi, i cili, sipas kundëradmiralit Premeneckas, “nuk do të përjashtohet nga veprimet ushtarake nëse Rusia bën diçka të pamenduar.”

 

 

Nga Ismay te zhgënjimi

Si do të luftonte Europa nëse Amerika do të ndërpriste plotësisht mbështetjen? Brigada e 45-të këmbëngul se ka të gjitha pajisjet e nevojshme, si në Lituani ashtu edhe në Gjermani. Ruben Stewart, nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS) në Londër, vëren në një analizë të fundit se ushtritë europiane janë të barabarta ose edhe më të afta se Rusia në shumë fusha.

Megjithatë, Amerika vazhdon të sigurojë “sistemin operativ” të NATO-s, duke përfshirë inteligjencën, dronët dhe satelitët e zbulimit, armët me rreze të gjatë veprimi, mbrojtjen ajrore dhe kapacitetet e transportit strategjik.

Pa Amerikën, argumenton Stewart, “ajo që do të mungonte më shumë nuk do të ishte masa e forcës, por integrimi”. Ushtritë europiane do të detyroheshin të luftonin “me më shumë kujdes dhe më ngadalë”. Ato do të kishin më pak paralajmërime për lëvizjet e trupave ruse dhe më pak siguri për drejtimin e tyre, ndaj do të detyroheshin të shpërndanin forcat në një front më të gjerë.

Bashkërendimi mes tyre do të dobësohej, pasi sinjalet satelitore, komunikimet dhe rrjedha e të dhënave do të bëheshin më pak të besueshme. Forcat ajrore dhe ato tokësore do të zhvillonin, në thelb, beteja të ndara. Sistemet ruse të mbrojtjes ajrore mund të mbijetonin, ndërsa europianëve mund t’u mungonin mjetet për të rrëzuar dronët dhe raketat ruse. E gjithë kjo do ta bënte më të vështirë goditjen e objektivave të largëta dhe do ta linte prapavijën e NATO-s më të ekspozuar ndaj sulmeve.

Europa nuk do të ishte në gjendje të zhvillonte një luftë manovrimi. “Do të ishte një luftë mbrojtjeje, konsumimi dhe qëndrueshmërie, që sakrifikon shpejtësinë për hir të rezistencës afatgjatë dhe synon të fitojë me kalimin e kohës, jo që në fillim”, shkruan Stewart.

Ose, siç shprehet një zyrtar i lartë i NATO-s, “do t’i ngjante shumë më tepër luftës në Ukrainë sesa fushëbetejës që do të dëshironim”. Një luftë statike, e përgjakshme dhe e zgjatur konsumimi do të ishte gjithashtu e vështirë të mbahej politikisht.

Armët e goditjes me rreze të gjatë veprimi, me rreze prej 1,000 kilometrash ose më shumë, ilustrojnë qartë dilemën e Europës. Raketat gjermane Taurus dhe raketat franko-britanike SCALP/Storm Shadow kanë një rreze veprimi prej rreth 500 kilometrash. Me SHBA-në që nuk është e gatshme të ofrojë raketat Tomahawk, europianët po kërkojnë alternativa.

Gjermania po bashkëpunon me Britaninë për zhvillimin e raketave lundruese hipersonike dhe me teknologji stealth, si dhe me Ukrainën për armë më të thjeshta, por të provuara në fushën e betejës. Edhe aktorë të tjerë, përfshirë konsorciumin MBDA, po zhvillojnë sisteme të ngjashme. Megjithatë, për t’i përdorur ato në mënyrë efektive, Europa ka nevojë për rrjete satelitore të zbulimit, vëzhgimit dhe komunikimit. Gjermania planifikon të shpenzojë 35 miliardë euro për këto kapacitete.

Çdo luftë do të zhvillohej gjithashtu nën hijen e armëve bërthamore. Rusia ka kërcënuar se mund t’i përdorë ato në Ukrainë. Ideja se edhe një Amerikë që ndjek qasjen e “dashurisë së ashpër” mund të ruajë efektin parandalues bërthamor, ndërsa redukton angazhimin e saj konvencional, mbetet e diskutueshme.

“Nëse amerikanët japin sinjalin se nuk duan të dërgojnë trupa tokësore për të mbrojtur Letoninë ose Poloninë, atëherë sa e besueshme është që do të jenë të gatshëm të rrezikojnë një luftë bërthamore?”, pyet Artur Kacprzyk nga Instituti Polak i Çështjeve Ndërkombëtare.

Britania dhe Franca, që zotërojnë nga pak më shumë se 200 koka bërthamore secila, krahasuar me mbi 5,000 që zotërojnë secila SHBA-ja dhe Rusia, kanë deklaruar se: “Nuk ekziston asnjë kërcënim ekstrem ndaj Europës që të mos shkaktojë një përgjigje nga dy vendet tona”. Megjithatë, pa ombrellën bërthamore amerikane, vendet europiane do të jenë të pashmangshme më të kujdesshme në përballjen me Rusinë.

Për më tepër, pa udhëheqjen amerikane, një NATO vetëm me vendet europiane rrezikon të bjerë në “ngërç në nivel politik”, thotë Christian Mölling nga instituti EDINA në Berlin. Një simulim lufte i zhvilluar vitin e kaluar, i mbështetur pjesërisht nga gazeta gjermane Die Welt, parashikonte një skenar ku Rusia përdorte një krizë humanitare në Kaliningrad si pretekst për të pushtuar Korridorin e Suwałkit.

SHBA refuzonte të aktivizonte Nenin 5 të NATO-s, ndërsa brigada gjermane nuk ndërhynte, pjesërisht sepse dronët rusë kishin minuar rrugët që dilnin nga baza e saj. Simulimi kishte mangësi – ai injoronte forcat e armatosura të vetë Lituanisë, të cilat nuk do të hezitonin të rezistonin – por nxori në pah dobësitë e mundshme.

Vendet europiane e dinë se duhet të ulin varësinë nga Amerika, por mbeten të ndara mbi përparësitë. A duhet të blejnë armë të gatshme, përfshirë ato amerikane, apo të investojnë kohë në zhvillimin e armëve europiane? Për disa zyrtarë francezë, detyra kryesore është krijimi i sistemeve europiane të komunikimit, platformave të përpunimit të të dhënave dhe modeleve të inteligjencës artificiale. Gjermania, përkundrazi, dëshiron të forcojë njësitë konvencionale, veçanërisht me tanke dhe municione. Shumë aleatë hezitojnë të heqin dorë nga Amerika, nga frika se vetë kjo mund të përshpejtojë largimin e saj.

Një analizë e Këshillit Europian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR) argumenton se autonomia e plotë europiane mbetet jashtë arritjes. Ajo propozon që struktura komanduese e NATO-s të marrë një rol të dyfishtë, në mënyrë që të mund të drejtojë edhe operacione vetëm me vendet europiane, megjithëse kjo do të kërkonte miratimin e SHBA-së.

Sa kohë ka Europa? Trump, me karakterin e tij të paparashikueshëm, mund t’i kthejë shpinën kontinentit në çdo moment. Putini mund të vendosë të sfidojë europianët përpara se ata të jenë gati. Një tjetër pikëpyetje është nëse europianët do të arrijnë të qëndrojnë të bashkuar nëse populistët e së djathtës ekstreme marrin pushtetin në Britani, Francë apo Gjermani.

Në çdo rast, mbrojtja e Europës nis me mbështetjen e Ukrainës. Sa më gjatë të arrijë ajo t’i rezistojë Rusisë, aq më të mira do të jenë kushtet që mund të negociojë në një marrëveshje paqeje dhe aq më shumë kohë do të kenë europianët për t’u përgatitur.

Kjo nuk duhet të jetë një mision i pamundur. Siç shprehet ministri i Jashtëm i Polonisë, Radek Sikorski, Europa nuk ka nevojë të jetë “heroike” apo të arrijë nivelin e fuqisë amerikane: “Nuk kemi nevojë as të jemi aq të mirë sa Shtetet e Bashkuara. Mjafton të jemi më të mirë se Putini.”

The post NATO po shqyrton si të mbrojë Europën Lindore ndërsa SHBA tërhiqet appeared first on Revista Monitor.

Gjigantët po dominojnë ekonominë  

31 July 2026 at 22:00

Flukset gjigante të kapitalit po riformësojnë biznesin dhe po shtojnë rreziqet, shkruan The Economist

 

Sot është e lehtë të humbasësh ndjeshmërinë ndaj shifrave të mëdha. Çdo javë njoftohen marrëveshje të mëdha.

Vetëm katër ditë pasi SpaceX, kompania e raketave e Elon Musk, siguroi 86 miliardë dollarë në listimin më të madh publik të realizuar ndonjëherë, më 12 qershor, ajo njoftoi se do të blinte Cursor, një startup të Inteligjencës Artificiale për programim, për 60 miliardë dollarë.

Po atë ditë, DeepSeek, një laborator kinez i Inteligjencës Artificiale, bëri të ditur se kishte siguruar 7 miliardë dollarë në raundin e katërt më të madh të financimit me kapital sipërmarrës të regjistruar ndonjëherë në vend.

Deri tani këtë vit, bashkimet me vlerë mbi 10 miliardë dollarë kanë përbërë 48% të vlerës totale të marrëveshjeve, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë, sipas Dealogic, ofrues të dhënash (shih grafikun 1).

Edhe investimet në startup-e po përqendrohen gjithnjë e më shumë: raundet e financimit mbi 1 miliard dollarë kanë përbërë 61% të financimit total me kapital sipërmarrës këtë vit, ndërsa në katër të pestat e këtyre raundeve ka marrë pjesë një investitor korporativ, sipas PitchBook, një tjetër ofrues të dhënash (shih grafikun 2).

Prirja drejt flukseve gjigante të kapitalit është e dukshme kudo. Projektet e reja të Investimeve të Huaja Direkte (IHD) me vlerë mbi 1 miliard dollarë kanë përbërë 42% të totalit që nga fillimi i vitit 2024, nga 28% në periudhën 2016-2018, sipas fDi Markets, që gjurmon këto projekte (shih grafikun 3).

 

 

Pjesa më e madhe e këtij aktiviteti përqendrohet në Amerikë. Vitin e kaluar, vendi ishte njëkohësisht destinacioni dhe burimi më i madh i projekteve të reja të IHD-ve me vlerë mbi 1 miliard dollarë. Gjithashtu, aty ndodhen 14 nga 15 startup-et që kanë marrë financimet më të mëdha që nga fillimi i vitit 2024. Nga 71 megabashkimet e regjistruara që nga fillimi i vitit 2025, 44 blerës janë amerikanë.

Por kjo prirje është përhapur edhe në rajone të tjera. Vitin e kaluar, Tajvani ishte burimi i dytë më i madh i Investimeve të Huaja Direkte me vlerë mbi 1 miliard dollarë, i ndjekur nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kina.

Edhe marrëveshjet e mëdha të kapitalit sipërmarrës po realizohen jashtë Amerikës. DayOne, operator qendrash të të dhënave me bazë në Singapor, siguroi 4.5 miliardë dollarë në qershor, ndërsa Nscale, një kompani rivale britanike, mori 2 miliardë dollarë në mars.

Marrëveshjet e mëdha vijnë dhe ikin në valë. Megjithatë, rrallëherë këto cikle kanë qenë kaq të sinkronizuara dhe kaq të varura nga një numër i vogël kompanish gjigante. Kjo sjell edhe rreziqe.

Prirja drejt investimeve gjigante është rezultat i ndërthurjes së disa zhvillimeve në ekonominë globale. I pari është disponueshmëria e kapitalit, pavarësisht se normat e interesit janë rritur nga nivelet jashtëzakonisht të ulëta të viteve të fundit.

Rezervat në para të kompanive të përfshira në indeksin amerikan S&P 500 kanë arritur në 2.2 trilionë dollarë. Këto kompani po realizojnë gjithashtu fitime rekord. Në Shtetet e Bashkuara, fitimet e korporatave janë pranë nivelit më të lartë historik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto.

Kjo, nga ana tjetër, ka shtyrë vlerën e tyre në treg në nivele rekord, duke u dhënë kompanive edhe më shumë mundësi për të kryer blerje të kompanive të tjera dhe për të siguruar financime të reja përmes borxhit ose emetimit të aksioneve.

Më 1 qershor, Alphabet njoftoi se do të emetonte aksione me vlerë 80 miliardë dollarë – një shumë pothuajse e papërfillshme për një kompani, vlera e së cilës në treg ka arritur në 4.4 trilionë dollarë.

Pjesa më e madhe e këtij kapitali po përdoret për të financuar bumin e Inteligjencës Artificiale – faktori i dytë që qëndron pas kësaj prirjeje.

Pesë gjigantët e infrastrukturës cloud – Alphabet, Amazon, Meta, Microsoft dhe Oracle – pritet të shpenzojnë rreth 800 miliardë dollarë në investime kapitale këtë vit, ndërsa garojnë për të ndërtuar qendra të të dhënave në mbarë botën. Në të njëjtën kohë, ato janë ndër financuesit më të mëdhenj të startup-eve të Inteligjencës Artificiale.

Bumi i IA-së ka nxitur gjithashtu një sërë bashkimesh të mëdha korporative, përfshirë bashkimin e Dominion dhe NextEra, dy kompani amerikane të energjisë, si dhe blerjen e kompanisë së sigurisë kibernetike CyberArk nga lideri i tregut Palo Alto Networks.

Faktori i tretë pas valës së flukseve gjigante të kapitalit është politika. Në Shtetet e Bashkuara, administrata aktuale është treguar shumë më tolerante ndaj bashkimeve të mëdha të kompanive sesa paraardhësja e saj. Edhe Bashkimi Europian, nga frika se kampionët e tij industrialë mund të mbeten pas në garën globale, ka rishikuar së fundmi rregullat për bashkimet, duke i bërë ato më të lehta.

Qeveritë me politika proteksioniste po i nxisin kompanitë të rikthejnë prodhimin në vendet e tyre përmes tarifave dhe subvencioneve. Si pasojë, shumë kompani të mëdha po investojnë shuma të mëdha në ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese jashtë vendit, si fabrikat e çipave që TSMC, gjiganti tajvanez i gjysmëpërçuesve, po ndërton në Arizonë, apo fabrika e re e automobilave që BYD, prodhuesi kinez i automjeteve elektrike, po ndërton në Hungari.

Ndryshimet teknologjike dhe ndërhyrjet politike kanë krijuar një mjedis biznesi më të pasigurt dhe drejtuesit e kompanive po arrijnë gjithnjë e më shumë në përfundimin se përmasat më të mëdha ofrojnë më shumë siguri – faktori i katërt që po ushqen ethet e investimeve.

“Në shumë borde drejtuesish kam dëgjuar se është më mirë të jesh më i madh”, thotë Jake Henry nga kompania konsulente McKinsey.

Edhe investitorët duket se ndajnë të njëjtin mendim. The Economist analizoi kompanitë amerikane jofinanciare të përfshira në indeksin Russell 3000, duke i ndarë ato në pesë grupe sipas vlerës së tregut.

Në vitin 2019, raporti mesatar çmim/fitim (P/E) – një tregues që mat sa lart e vlerësojnë investitorët fitimin e një kompanie – ishte 18 për grupin e kompanive më të mëdha, kundrejt 14 për grupin e kompanive më të vogla. Sot këto shifra janë 26 dhe 15, duke treguar se tregu i vlerëson fitimet e kompanive të mëdha shumë më lart se më parë (shih grafikun 4).

 

 

Ky rezultat mbetet i pandryshuar edhe kur përjashtohen kompanitë e teknologjisë.

Megjithatë, gara e kompanive për t’u bërë gjithnjë e më të mëdha mbart edhe rreziqe. Studiuesit vlerësojnë se gjasat që një bashkim i madh kompanish të rezultojë i suksesshëm nuk janë më të larta se ato të një bashkimi më të vogël – pra rreth 50 me 50.

Por kur gjërat shkojnë keq, pasojat mund të jenë katastrofike. Kompania konsulente Bain llogarit se në pothuajse gjysmën e megabashkimeve të realizuara vitin e kaluar, vlera e kompanisë së blerë ishte më shumë se 50% e kapitalizimit bursier (vlera totale në treg e një kompanie të listuar në bursë) të blerësit. Për realizimin e këtyre transaksioneve shpesh nevojiten edhe sasi të mëdha borxhi.

Shqetësim nuk përbëjnë vetëm bashkimet e mëdha. Deri vonë, investimet gjigante të kompanive amerikane të infrastrukturës cloud në qendrat e të dhënave financoheshin kryesisht nga paratë e gjeneruara prej aktiviteteve të tyre ekzistuese.

Tani ato po marrin hua në shkallë të gjerë, duke shkaktuar rritje të ndjeshme të raportit mes borxhit dhe fluksit të lirë vjetor të parasë. Për shembull, tek Amazon, ky raport ka kaluar nga një nivel më i ulët se mesatarja e kompanive të indeksit S&P 500 në vitin 2019, në një nivel që sot është më shumë se katër herë mbi mesataren.

E gjithë kjo ka pasoja edhe për ekonominë në tërësi. Sipas Deutsche Bank, 10% e kompanive më të mëdha të listuara në bursë përbëjnë tashmë më shumë se tre të katërtat e kapitalizimit total të tregut në Shtetet e Bashkuara, pjesa më e lartë e regjistruar në një shekull.

Një strukturë gjithnjë e më e përqendruar te një numër i vogël kompanish gjigante do të thotë se dështimi i vetëm një korporate të madhe, të ngarkuar me borxhe, mund të shkaktojë tronditje të konsiderueshme në tregjet financiare.

Rritja e përqendrimit të korporatave mund të ketë pasoja negative edhe në drejtime të tjera. Konsumatorët, punonjësit dhe furnizuesit e vegjël mund të vihen nën presion, ndërsa qeveritë mund të ndikohen në mënyrë të tepruar nga ushtria e lobistëve që punësojnë gjigantët e biznesit. Kjo mund të ushqejë më tej rritjen e populistëve në të dy skajet e spektrit politik.

Sipas Gallup, një kompani sondazhesh, përqindja e amerikanëve që thonë se kanë besim te bizneset e mëdha është përgjysmuar afërsisht që nga viti 2000, duke zbritur në 15%. Përmasat e mëdha mund të sjellin shumë përparësi, por jo dashurinë e publikut.

 

The post Gjigantët po dominojnë ekonominë   appeared first on Revista Monitor.

PD propozon hartë të re territoriale me 100 bashki dhe 6 rajone

31 July 2026 at 15:01

Në kuadër të reformës se re të ndarjes territoriale, Partia Demokratike propozoi rritjen e numrit të bashkive nga 61 në 100 dhe organizimin e vendit në gjashtë rajone, në kuadër të një varianti të ri për reformën administrativo-territoriale.

Sipas propozimit, harta aktuale e miratuar në vitin 2014 do të zgjerohej me 39 bashki të reja.

Një pjesë e njësive administrative që sot funksionojnë brenda bashkive të mëdha do të riktheheshin si bashki më vete, ndërsa disa bashki ekzistuese do të riorganizoheshin ose do të ndaheshin në njësi më të vogla.

Ndarja e propozuar parashikon gjashtë rajone: Shkodër–Lezhë, Dibër–Kukës, Tiranë–Durrës, Elbasan–Korçë, Fier–Berat dhe Vlorë–Gjirokastër.

Varianti i PD-së synon të zhbëjë një pjesë të bashkimeve të realizuara me reformën territoriale të vitit 2014, duke rikthyer si bashki më vete ish-komuna ose qendra urbane që sot janë njësi administrative.

Ndryshimi më i madh do të ndodhte në qarqet Fier, Tiranë dhe Lezhë, ku parashikohet shtimi i përbashkët i 16 bashkive. Në të kundërt, Qarku i Gjirokastrës do të mbetej me të njëjtin numër bashkish.

Dje Partia Socialiste në propozimin e saj pati në themel reduktimin e mëtejshëm të numrit te bashkive nga 61 në 46.

Tirana dhe Durrësi me 15 bashki

Rajoni Tiranë–Durrës do të përbëhej nga 15 bashki, nga tetë që ka aktualisht, duke shtuar shtatë njësi të reja.

Në Qarkun e Tiranës, numri i bashkive propozohet të dyfishohet, nga pesë në dhjetë. Krahas Tiranës, Kamzës, Vorës, Kavajës dhe Rrogozhinës, propozohen si bashki më vete Petrela, Kashari, Dajti, Arbana dhe Ndroqi.

Tirana, sipas variantit të PD-së, do të kufizohej vetëm në territorin e njësisë aktuale të Tiranës, ndërsa njësitë periferike do të organizoheshin në bashki të veçanta.

Kashari do të ishte bashki më vete, ndërsa Dajti do të përfshinte edhe Shëngjergjin dhe Zall-Bastarin.

Në Qarkun e Durrësit, numri i bashkive do të rritej nga tre në pesë. Përveç Durrësit, Shijakut dhe Krujës, propozimi parashikon bashkitë e Sukthit dhe Fushë-Krujës.

Shkodër–Lezhë, dyfishim i numrit të bashkive

Rajoni Shkodër–Lezhë do të kishte 16 bashki, nga tetë që përfshin territori aktualisht.

Në Qarkun e Shkodrës propozohet rritja e numrit të bashkive nga pesë në tetë, me krijimin e bashkive të Velipojës, Drivastitdhe Koplikut. Bashkia e propozuar e Drivastit do të përfshinte Rrethinat, Postribën, Pultin, Shalën dhe Shoshin.

Ndryshimi më i madh në këtë rajon parashikohet në Qarkun e Lezhës, ku numri i bashkive do të rritej nga tre në tetë. Krahas Lezhës, Mirditës dhe Kurbinit, propozohen bashkitë Bregu i Matës, Zadrima, Orosh, Rubik dhe Mamurras.

Dibër–Kukës me 13 bashki

Rajoni Dibër–Kukës propozohet të ketë 13 bashki, nga shtatë aktualisht.

Qarku i Kukësit do të kalonte nga tre në pesë bashki, me krijimin e Shishtavecit dhe Bicajt si bashki më vete.

Qarku i Dibrës do të dyfishonte numrin e bashkive, nga katër në tetë, përmes krijimit të bashkive Maqellarë, Shupenzë, Kastriot dhe Lurë. Bashkia e propozuar e Kastriotit do të përfshinte, ndër të tjera, Kastriotin, Fushë-Çidhnën, Sllovën, Kalanë e Dodës, Muhurrin dhe Selishtën.

Elbasan–Korçë me 19 bashki

Rajoni Elbasan–Korçë do të kishte 19 bashki, nga 13 aktualisht.Në Qarkun e Elbasanit do të shtoheshin bashkitë Bradashesh dhe Shpat, duke e çuar numrin e përgjithshëm nga shtatë në nëntë.

Në Qarkun e Korçës numri i bashkive propozohet të rritet nga gjashtë në dhjetë. Krahas bashkive aktuale, do të krijoheshin bashkitë Voskopojë, Pojan, Leskovik dhe Mokër.

Propozimi parashikon gjithashtu që Bashkia Kolonjë të emërtohet Ersekë, ndërsa Leskoviku të ndahet si bashki më vete.

Fier–Berat, tetë bashki të reja

Rajoni Fier–Berat do të përfshinte 19 bashki, nga 11 që ka aktualisht, duke shënuar një nga zgjerimet më të mëdha të hartës së propozuar.

Në Qarkun e Fierit, numri i bashkive do të dyfishohej nga gjashtë në 12. Ndër njësitë e reja të propozuara janë Ardenica, Krutja, Dushku, Fratari, Levani dhe Cakrani.

Territori i Bashkisë Mallakastër do të ndahej ndërmjet dy bashkive. Njëra do të mbante emrin Mallakastër dhe do të përfshinte Ballshin, Qendrën, Ngraçanin dhe Aranitasin, ndërsa bashkia tjetër do të kishte qendër Fratarin.

Në Qarkun e Beratit do të shtoheshin bashkitë Otllak dhe Shpirag, duke e çuar numrin e bashkive nga pesë në shtatë.

Vlora me katër bashki të reja, Gjirokastra mbetet e pandryshuar

Rajoni Vlorë–Gjirokastër do të kishte 18 bashki, nga 14 aktualisht.

Të katër bashkitë e reja do të krijoheshin në Qarkun e Vlorës, ku numri i njësive vendore do të rritej nga shtatë në 11. Propozimi përfshin bashkitë Orikum, Amantia, Ksamil dhe Novoselë.

Bashkia e Himarës, sipas variantit të propozuar, do të përfshinte Himarën dhe Lukovën, ndërsa Orikumi do të funksiononte si bashki më vete. Amantia do të krijohej nga njësitë Kotë, Brataj, Sevaster dhe Vranisht.

Qarku i Gjirokastrës është i vetmi ku nuk propozohet rritje e numrit të bashkive. Ai do të vazhdonte të kishte shtatë njësi vendore: Gjirokastër, Libohovë, Dropull, Memaliaj, Tepelenë, Këlcyrë dhe Përmet.

The post PD propozon hartë të re territoriale me 100 bashki dhe 6 rajone appeared first on Revista Monitor.

KLSH: Vendi, pa mekanizma funksionalë për matjen e progresit kundër varfërisë

31 July 2026 at 14:30

Vendi nuk ka siguruar harmonizim, koordinim dhe monitorim efektiv të politikave për përmbushjen e objektivit të Kombeve të Bashkuara për zhdukjen e varfërisë deri në vitin 2030, sipas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Auditimi i performancës, i cili mbulon periudhën 2022-2024, shqyrtoi politikat e ministrive përgjegjëse, agjencive qendrore, Institutit të Statistikave dhe bashkive Durrës e Elbasan.

“Harmonizimi i Objektivit 1 të OZHQ-ve — Zhdukja e varfërisë në të gjitha format — me strategjitë dhe programet kombëtare rezulton i paplotë,” thuhet në raport. KLSH e lidh këtë përfundim me mungesën e një Kornize Kombëtare të Indikatorëve, mungesën e lidhjeve të matshme mes dokumenteve strategjike dhe politikave, si dhe me faktin se Udhërrëfyesi për arritjen e objektivave ende nuk është miratuar.

Sipas auditimit, “mekanizmat e koordinimit ndërinstitucional për mbledhjen e të dhënave, monitorimin dhe raportimin e progresit të OZHQ 1 nuk kanë funksionuar.” Pjesa më e madhe e institucioneve qendrore dhe vendore nuk kanë struktura ose persona përgjegjës të caktuar për ndjekjen e objektivave, ndërsa bashkitë nuk i përdorin të dhënat për ndihmën ekonomike dhe shërbimet sociale për të analizuar progresin kundër varfërisë.

Sistemi Informatik i Planifikimit të Integruar, i cili duhet të lidhte politikat, planifikimin strategjik, buxhetimin dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, nuk funksionon.

Në komentet e përfshira në raport, Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës pranoi se platforma është jashtë funksionit dhe tha se po bashkëpunon me Ministrinë e Financave për adresimin e problemeve dhe përditësimin e saj.

KLSH e cilësoi zbatimin e masave për arritjen e objektivit si “pjesërisht efektiv”, duke evidentuar se më shumë se 40% e popullsisë është në rrezik varfërie ose përjashtimi social dhe se buxheti për mbrojtjen sociale është ndjeshëm më i ulët se mesatarja e Bashkimit Evropian.

Raporti citon gjithashtu të dhënat e INSTAT, sipas të cilave treguesi i rrezikut për të qenë i varfër ishte 19.2% në vitin 2024. KLSH vëren se fëmijët dhe të moshuarit mbeten ndër grupet më të ekspozuara, ndërsa pabarazitë mes zonave urbane dhe rurale kufizojnë qasjen në arsim, kujdes shëndetësor dhe shërbime sociale.

Financimi i lidhur me Objektivin 1 u rrit nga rreth 60 miliardë lekë në vitin 2016 në 80 miliardë lekë në vitin 2020 dhe rreth 100 miliardë lekë në vitin 2024. Nga ana tjetwr, raporti thotë se kontributet nga donatorët dhe burimet e tjera nuk janë ende të detajuara plotësisht, ndërsa mungesa e sistemeve funksionale vështirëson lidhjen e shpenzimeve me rezultatet e arritura.

KLSH rekomandoi ngritjen dhe formalizimin, brenda vitit 2026, të strukturave ose pikave të kontaktit përgjegjëse për monitorimin dhe raportimin e objektivit në institucionet qendrore dhe vendore. Audituesi kërkoi gjithashtu rikthimin në funksion të sistemit të planifikimit të integruar dhe përfshirjen e gjetjeve të raportit në mbledhjen e ardhshme të Komitetit Ndërministror për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.

“Nevojiten përpjekje të mëtejshme për të siguruar progres të qartë, të matshëm dhe të qëndrueshëm” drejt zhdukjes së varfërisë në të gjitha format deri në vitin 2030, përfundon raporti.

The post KLSH: Vendi, pa mekanizma funksionalë për matjen e progresit kundër varfërisë appeared first on Revista Monitor.

Raporti: Lejet mjedisore me dokumente të paplota, pak kontrolle në terren

31 July 2026 at 14:00

Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka shqyrtuar kërkesa për leje mjedisore pa garantuar verifikimin e plotë të dokumentacionit të paraqitur nga subjektet, sipas një auditimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

KLSH tha se mangësitë në dokumentacion dhe në kontrollin e tij nga strukturat përgjegjëse krijojnë rrezikun që vendimet për aktivitetet me ndikim në mjedis të mbështeten në të dhëna të paplota ose të pasakta.

“Procesi i shqyrtimit dhe miratimit të lejeve mjedisore nuk ka garantuar verifikim të plotë dhe të mjaftueshëm të dokumentacionit të paraqitur nga subjektet,” thuhet në raport. Sipas audituesve, kjo ka sjellë “vendimmarrje të bazuar në informacion të paplotë ose jo të verifikuar”.

Auditimi mbuloi veprimtarinë e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për periudhën 2023-2025 dhe të katër Agjencive Rajonale të Mjedisit në Tiranë, Berat, Lezhë dhe Fier për periudhën 2021-2025.

KLSH konstatoi se databazat e lejeve mjedisore nuk ishin të unifikuara dhe përmbanin të dhëna të papërditësuara, të mbivendosura ose të pasakta. Kjo e vështirëson identifikimin e lejeve aktive dhe kontrollin e subjekteve që zhvillojnë veprimtari me ndikim në mjedis.

“Databazat e lejeve mjedisore nuk janë të unifikuara dhe përmbajnë të dhëna të papërditësuara dhe të mbivendosura,” thuhet në raport. KLSH vlerëson se kjo “dobëson administrimin dhe kontrollin e aktiviteteve me ndikim në mjedis”.

Mangësi u evidentuan edhe në administrimin e raporteve të vetëmonitorimit, dokumente që subjektet me leje duhet të dorëzojnë për të treguar respektimin e kushteve mjedisore. Sipas auditimit, këto raporte nuk regjistroheshin dhe nuk ndiqeshin në mënyrë të standardizuar, duke kufizuar mundësinë për të identifikuar subjektet me risk dhe për të planifikuar kontrollet.

“Administrimi i raporteve të vetëmonitorimit nuk është i standardizuar dhe kryhet në mënyrë të fragmentuar,” thuhet në raport. Kjo, sipas KLSH-së, dobëson gjurmueshmërinë dhe planifikimin e inspektimeve.

Probleme u konstatuan edhe në procedurat e vlerësimit të ndikimit në mjedis, të cilat paraprijnë miratimin e projekteve që mund të shkaktojnë ndotje ose dëmtime të tjera.

KLSH tha se institucionet e përfshira nuk jepnin gjithmonë mendimet e kërkuara, ndërsa verifikimet në terren ishin të pakta dhe pjesëmarrja në konsultimet publike ishte e ulët.

“Procesi i VNM dhe Deklaratave Mjedisore karakterizohet nga mungesë mendimesh nga institucionet, verifikime të pakta në terren dhe pjesëmarrje e ulët në konsultime publike,” thuhet në raport. “Si pasojë, vendimmarrja mbetet shpesh formale dhe jo e bazuar në vlerësim të plotë.”

Auditimi evidentoi gjithashtu dobësi në regjistrat e licencave për veprimtaritë e menaxhimit dhe transferimit të mbetjeve. Regjistrat rezultuan të pasaktë dhe të pastrukturuar, me kode të përsëritura dhe mospërputhje në identifikimin e subjekteve.

Sipas KLSH-së, raportimi i transfertave të mbetjeve ishte i ulët dhe rastet e mungesës së raportimit nuk ndiqeshin rregullisht me inspektime. Kjo kufizon gjurmimin e destinacionit të mbetjeve dhe kontrollin mbi respektimin e kushteve të licencave.

“Raportimi i transfertave të mbetjeve nga subjektet është i ulët dhe nuk shoqërohet me inspektime apo ndjekje nga AKM,” thuhet në raport. Kjo “dobëson ndjeshëm monitorimin, gjurmueshmërinë dhe zbatimin e detyrimeve ligjore”.

KLSH rekomandoi që AKM të krijojë një databazë të vetme për lejet mjedisore të tipit A dhe B dhe të verifikojë plotësisht dokumentacionin para se aplikimet të kalojnë për vendimmarrje.

Audituesit kërkuan gjithashtu më shumë verifikime në terren, ndjekje të subjekteve që nuk dorëzojnë raportet e vetëmonitorimit dhe rishikim të regjistrave të licencave të mbetjeve për të eliminuar dublikimet dhe pasaktësitë.

Sipas raportit, AKM duhet të sigurojë që vendimet për lejet dhe vlerësimet mjedisore të mbështeten “në fakte praktike dhe jo vetëm në referenca ligjore”

 

The post Raporti: Lejet mjedisore me dokumente të paplota, pak kontrolle në terren appeared first on Revista Monitor.

Shqipëria mbetet me pagën minimale më të ulët në Europë, edhe pas rritjes në 50 mijë lekë

31 July 2026 at 13:47

Shqipëria vijon të mbetet vendi me pagën minimale më të ulët në Europë, edhe pas hyrjes në fuqi të pagës minimale prej 50 mijë lekësh bruto. Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat-it, paga minimale në Shqipëri është 517 euro në muaj, niveli më i ulët mes vendeve europiane që kanë një pagë minimale kombëtare.

Statistikat e Eurostat-it tregojnë se, më 1 janar 2026, paga minimale në vendet e Bashkimit Europian varionte nga 620 euro në Bullgari deri në 2 704 euro në Luksemburg. Edhe pse Bullgaria mbetet vendi me pagën minimale më të ulët në BE, niveli i saj është tashmë 103 euro më i lartë se ai i Shqipërisë.

Në rajon, Shqipëria renditet sërish e fundit. Turqia ka një pagë minimale prej 654 eurosh, Maqedonia e Veriut 586 eurosh, Serbia 744 eurosh, ndërsa Mali i Zi 670 eurosh. Kjo do të thotë se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që raportohen nga Eurostat-i kanë tashmë paga minimale më të larta se Shqipëria.

Rritja e pagës minimale në 50 mijë lekë, nga 1 janari 2026, e çoi vlerën e saj në 517 euro, falë edhe kursit të këmbimit të lekut me euron. Por kjo nuk e ka ndryshuar pozicionin e Shqipërisë në renditjen europiane, pasi vendet e rajonit i kanë rritur me ritme më të shpejta pagat minimale gjatë viteve të fundit.

Sipas Eurostat-it, krahasimi i pagave minimale në euro nuk e pasqyron plotësisht standardin e jetesës, pasi ai ndikohet edhe nga ndryshimet në koston e jetesës dhe fuqinë blerëse. Megjithatë, edhe në këtë tregues, Shqipëria mbetet ndër vendet me nivelin më të ulët të të ardhurave në kontinent.

Edhe pse paga minimale në vend është rritur ndër vite, zhvlerësimi i euros kundrejt lekut ka bërë që vlera e saj në monedhën europiane të mos përmirësohet ndjeshëm. Për më tepër, ekspertët theksojnë se krahasimi nominal nuk e pasqyron plotësisht standardin e jetesës, pasi fuqia blerëse e pagës minimale në Shqipëri mbetet ndër më të ulëtat në kontinent.

 

The post Shqipëria mbetet me pagën minimale më të ulët në Europë, edhe pas rritjes në 50 mijë lekë appeared first on Revista Monitor.

Credins bank, 23 vite evoluim!

3 August 2026 at 11:00

Nga Monika Milo, zv. Drejtore e Përgjithshme e Credins Bank

Vlerësimi i fundit i Credins bank, me çmimin “Best Bank for Corporate Responsibility 2026” nga Euromoney, autoriteti më prestigjoz i industrisë financiare globale, përfaqësoi një tjetër moment të rëndësishëm në rrugëtimin 23 vjeçar të bankës dhe një rikonfirmim të një anagazhimi të ndërtuar ndërvite për të krijuar vlera të qëndrueshme si për klientet tanë njeherazi edhe për komunitetin dhe shoqërinë në vend. Ky vlerësim që e pozicionoi Credins si bankën e parë në Shqipëri për kontributin më të mirë në përgjegjësinë korporative, nuk është thjesht një arritje institucionale, por një dëshmi se ndikimi ynë afatgjatë është ndërtuar përmes një vizioni të qartë dhe ambicioz në të gjithë modelin e biznesit.

Në këtë kontekst, lind natyrshëm pyetja se cfarë e përcakton realisht suksesin e një institucioni financiar në ditët e sotme? Performanca financiare në rritje, është një nga elementet themelore dhe ambicioze për çdo institucion, por në një realitet të karakterizuar nga ritme të larta zhvillimi dhe kërkesash në evoluim të vazhdueshëm të shoqërisë në tërësi, kjo nuk mjafton për të përcaktuar suksesin e një korporate. Diferenca krijohet nga aftësia apo gjetja e mekanizmave për të ndërtuar jo vetëm një vlerë të qëndrueshme por per te gjeneruar ndikim të matshëm në zhvillimin e shoqërisë. Ky transformim kërkon një rishikim të mënyrës se si institucionet konceptojnë rolin e tyre, duke kaluar nga modele tradicionale drejtimi drejt aftësive të reja që integrojnë gjithmonë e më shumë fleksibilitetin, inovacionin, kapacitetin për reagim të shpejtë ndaj ndryshimeve. Në këtë kuadër, institucionet që janë faktor dominues në ekonominë e një vendi mbartin njëherazi një përgjegjësi më të madhe dhe më impenjative, që shkon përtej funksionit të tyre tradicional. Kjo përgjegjësi materializohet në përfshirjen e angazhimeve sociale si pjesë tashmë thelbësore e modelit të zhvillimit, duke e kthyer ndikimin në komunitet në një standard jo thjesht të qëndrueshëm, por edhe të strukturuar mbi një strategji afatgjatë të institucionit.

Në këtë aspekt në vitin e 23-të të Credins bank, sfida jonë ka qenë të riformatojmë mënyrën e angazhimit, duke e drejtuar atë drejt një ndikimi më të strukturuar, më të prekshëm dhe më të orientuar drejt progresit të shoqërisë. Angazhimi ynë nuk është fokusuar më vetëm në pjesëmarrje apo mbështetje të eventeve, por në ndërtimin e iniciativave që krijojnë vlerë të vazhdueshme. Me këtë dua të theksoj se orientimi ynë ka qenë edhe më selektiv, më i kuruar duke u orientuar drejt atyre iniciativave që krijojnë ndikim sa afatgjatë, aq edhe impakt të fortë e zhvillues. Paralelisht, kemi forcuar bashkëpunimet tona strategjike si me partnerët tanë kombëtarë, ashtu edhe me ata ndërkombëtarë, duke marrë kështu nga përvoja e tyre. Jemi përpjekur të sjellim frymën e modeleve të ndryshme të përgjegjësisë sociale nga vendet e zhvilluara europiane. Kjo strategji e re ka sjellë një transformim në mënyrën sesi e konceptojmë përgjegjësinë tonë korporative. Credins bank vijon të ndërtojë një model angazhimi që nuk synon vetëm prezencë, por edhe ndikim konsistent dhe real në çdo kohë.

E gjitha kjo vjen se i gjithë angazhimi ynë nuk përkufizohet nga një formulë apo aksiomë e vetme veprimi. Ajo materializohet në mënyrë të integruar në të gjithë ekosistemin tonë. Reflektohet në një sërë dimensionesh, që nga mënyra sesi konceptohen/dizenjohen produktet & shërbimet, tek vazhdimësia e fushatave shpërblyese, pjesëmarrja në evente & iniciativa me karakter social, e deri te mekanizmat që nxisin përfshirjen aktive të stafit, komunitetit, partnerëve, organizatave vendase dhe huaja, instancave shtetërore, duke u materializuar përmes programeve të dedikuara, kontributeve & dhurimeve, etj, të gjitha të integruara në një logjikë të unifikuar që synon të shumëfishojë ndikimin tonë. Në thelb për ne e gjithë kjo qasje strategjike përfaqëson një zhvendosje nga veprime të fragmentuara apo sporadike drejt një modeli konsistent, ku çdo iniciativë ndërtohet mbi ndikime pozitive që janë në koherencë edhe me vlerat tona si institucion. Kontributi ynë nuk është matur vetëm me numrin e aktiviteteve, edhe pse vazhdojmë të jemi shumë aktivë me mbi 170 aktivitete për vitin që lamë pas, por mbi të gjitha me vlerën që ato gjenerojnë në çdo kohë. Ajo që dua të shpreh është se jemi përpjekur të kemi iniciativa të strukturuara qartë duke bërë klasifikime sipas target-grupeve, fushave dhe kategorive të ndryshme, ku Credins mund të operojë. Kështu përgjatë vitit 2025, Credins përmes angazhimit social u fokusua në kontributin e disa shtyllave kryesore si:

Zhvillimi Ekonomik: Duke mbështetur sipërmarrjen dhe punësimin përmes produkteve financiare të aksesueshme dhe proceseve të thjeshtuara, si dhe zgjerim të vazhdueshëm të aksesit në financë si për individë ashtu edhe për biznese, duke kontribuar në këtë aspekt edhe në reduktimin e varfërisë.

Zhvillimi Social & Kulturor: Investime të ndryshme në arsim, shëndetësi, kulturë dhe projekte komunitare, në partneritet me organizata ndërkombëtare dhe vendase që sjellin ndikim afatgjatë për çdo target-grup.

Barazia & Gjithëpërfshirja: Nismat për fuqizimin e grave, luftën kundër diskriminimit dhe mbështetjen e grupeve vulnerabël, edhe këtë vit kanë qenë në fokusin tonë.

Kapitali Njerëzor: Fokusi ynë i vazhdueshëm në zhvillimin profesional dhe mirëqenien e punonjësve, për një mjedis pune etik dhe gjithëpërfshirës përmes trajnimeve, orëve fleksibël verore, shpërblimeve etj, ashtu si çdo vit ishin në prioritet tona si bankë.

Investimet Mjedisore: Përmes mbështetjeve të ndryshme, që nga promovimi mbi përdorimin e produkteve & shërbimeve digjitale bankare, investime në produktet “green” si dhe praktika që reduktojnë ndotjen e mjedisit dhe e pasurojnë me parqe/mbjellje pemësh, etj, ishin në axhendën tonë të përgjegjësisë sociale edhe për këtë vit.

Përmes kësaj filozofie dhe mënyrës sesi ne kemi implementuar të gjitha këto projekte, Credins ka arritur të pozicionohet tashmë si një markë me identitet të fortë dhe me një rol të qartë në zhvillimin e shoqërisë në 23 vite. Një rol që nuk mbështetet vetëm në kontribut financiar, por në aftësinë për të ndikuar, për të krijuar modele të qëndrueshme që i rezistojnë kohës duke sjellë praktika që i përgjigjen standardeve të vendeve të zhvilluara.

Aspirata për të mbajtur këtë nivel nuk lidhet me ruajtjen e status quo-së, por me vendosjen e një pritshmërie gjithnjë e më të lartë për mënyrën se si operojmë dhe ndikojmë në komunitet, duke e trajtuar këtë si një proçes të vazhdueshëm që i paraprin zhvillimit. Për Credins, kjo përkthehet në aftësinë për të evoluar me kohën dhe për të krijuar vlerë që ruan peshën dhe relevancën e saj në një mjedis në ndryshim të vazhdueshëm. Lidershipi ynë, si një korporatë që ka krijuar një impakt të padiskutueshëm ndër vite në komunitet, qëndron në aftësinë për të ridimensionuar vazhdimisht veten dhe për të ndërtuar versionin tonë më të mirë, në përputhje me dinamikat në zhvillim. Ambicia jonë është të materializojmë misionin dhe vizionin tonë në çdo hap të veprimtarisë/aktivitetit tonë, duke ndërtuar kështu një institucion që di t’i japë formë progresit dhe transformimit të shoqërisë.

The post Credins bank, 23 vite evoluim! appeared first on Revista Monitor.

❌