Normal view

Tensione në Ngushticën e Hormuzit, Garda Revolucionare iraniane ndalon tre cisterna nafte

29 July 2026 at 23:00

Garda Revolucionare e Iranit (IRGC) ka njoftuar se ka ndaluar tre cisterna nafte që po lundronin në Ngushticën e Hormuzit, duke i akuzuar se kishin shkelur rregullat e vendosura nga Teherani për kalimin në këtë korridor strategjik detar.

Sipas deklaratës së IRGC-së, cisternat u ndaluan gjatë transitit në Ngushticën e Hormuzit dhe u detyruan të ndërprisnin lundrimin. Autoritetet iraniane nuk kanë bërë të ditur identitetin e anijeve, flamurin nën të cilin lundronin apo destinacionin e tyre.

Sipas mediave të huaja, incidenti ndodh në një periudhë tensionesh të larta mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara lidhur me kontrollin dhe sigurinë në këtë rrugë detare, e cila konsiderohet ndër më të rëndësishmet në botë për transportin e naftës. Gjatë javëve të fundit janë raportuar disa incidente që kanë përfshirë anije tregtare dhe cisterna në rajon, duke shtuar shqetësimet për sigurinë e furnizimeve globale me energji.

Ngushtica e Hormuzit mbetet një pikë kyçe për tregtinë ndërkombëtare të naftës, pasi një pjesë e konsiderueshme e eksporteve botërore të hidrokarbureve kalon përmes saj. Çdo incident në këtë zonë ndikon menjëherë në tregjet ndërkombëtare, duke rritur frikën për një përshkallëzim të mëtejshëm të krizës në Lindjen e Mesme.

Banorët akuzojnë autoritetet pas zjarreve në Francë: Na sakrifikuan për të shpëtuar vilat luksoze

29 July 2026 at 22:51

“Na sakrifikuan”. Kjo është bindja e dhimbshme e shumë banorëve të Le Porge, komuna në pellgun e Arcachon që u godit më rëndë nga zjarret shkatërrimtare, ku flakët dogjën pothuajse 200 banesa. Ata pretendojnë se jo vetëm u lanë pa ndihmën e duhur nga shërbimet e emergjencës, por se u flijuan për t’i dhënë përparësi mbrojtjes së Cap-Ferret, zonës së njohur për vilat luksoze dhe rezidencat verore të të pasurve.

Më shumë se 500 banorë janë organizuar në një grup në WhatsApp dhe kanë nisur procedurat për një padi ligjore, të përfaqësuar nga avokati i Bordosë, Sylvain Galinat.

“Me siguri do të depozitohet një kallëzim penal. Ka shumë gjasa që të ndërmerren edhe veprime në rrugë administrative dhe civile. Vendosmëria e banorëve është e qartë, ashtu si edhe imja”, deklaroi avokati për France Info.

Zemërimi i banorëve lidhet me faktin se urdhri për evakuimin e qytetit me rreth 3 mijë e 500 banorë u dha vetëm pasi zjarri kishte dy ditë që përhapej me shpejtësi në zonë. Nata mes 23 dhe 24 korrikut konsiderohet më dramatikja, pasi Le Porge u rrethua pothuajse plotësisht nga flakët.

Sipas dëshmive të banorëve, automjetet zjarrfikëse dhe mjetet e tjera të emergjencës u panë duke u drejtuar kryesisht drejt Cap-Ferret, ndërsa Le Porge mbeti pa mbështetjen e nevojshme.

Në krye të grupit të banorëve është Ludivine Daurignac, e cila humbi shtëpinë nga zjarri.

“Ne paralajmëruam njëri-tjetrin se duhej të largoheshim menjëherë. Nëse shpëtuam, ishte vetëm falë njoftimeve mes banorëve. Nuk kishte askënd që të na udhëzonte dhe nuk morëm asnjë mesazh alarmi”, tha ajo.

Një tjetër banore, Delphine, e cila humbi banesën pranë Route des Lacs, shprehet se “Le Porge u sakrifikua për të mbrojtur gadishullin e Cap-Ferret”.

Nga ana tjetër, zjarrfikësit këmbëngulin se prioriteti i tyre është gjithmonë shpëtimi i jetëve njerëzore, edhe nëse kjo nënkupton pamundësinë për të shpëtuar çdo banesë. Ata theksojnë se përhapja e shpejtë dhe e paparashikueshme e flakëve i detyron ekipet të zhvendosen vazhdimisht, edhe kur kjo mund të duket e pakuptimtë për banorët.

Tashmë do t’i takojë drejtësisë franceze të shqyrtojë nëse pretendimet e banorëve kanë bazë dhe nëse Le Porge u la qëllimisht në mëshirë të fatit për të mbrojtur zonën elitare të Cap-Ferret. Dyshimet kanë rikthyer në kujtesë edhe përmbytjet e vitit 2001 në Somme, kur qarkulloi teoria se autoritetet kishin devijuar ujërat për të mbrojtur Parisin, një pretendim që më vonë u hodh poshtë teknikisht, por që dëshmoi mosbesimin e thellë të banorëve ndaj institucioneve.

Gonxhja: Kush guxon të ngrejë dorë ndaj Policisë do merret prej veshësh a leckash dhe do procedohet

29 July 2026 at 22:43

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja paralajmëroi se forca e ligjit do të veprojë ndaj protestuesve që guxojnë të ngrenë dorë ndaj policisë, apo të sulmojnë institucionet.

I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN Gonxhja u shpreh se protestues të tillë që kryejnë akte dhune “do të merren për leckash” dhe do të procedohen nga uniformat blu.

Në rast se guxon të ngresh dorë, t’u kundërvihesh punonjësve të policisë, do të të marrin për veshësh, a për leckash, do të të fusin në furgon dhe do të procedojnë, dhe më pas mund të të lënë të lirë, apo të procedojnë nëse ke kryer akte që konsiderohen vepra të caktuara, do procedohesh si çeço. Kjo gjë do të bëhet e qartë për të gjithë njerëzit që s’mund të vazhdojë më kështu, s’mund të përdhosin më institucionet në këtë lloj forme. Nuk kemi ne, edhe po të ishim ne, s’është e drejta e askujt që të vendosë me vetëgjyqësi si në mesjetë, shkallën, fajin, dënimin. Unë tek e tek s’e di kush janë, mund të di podkastin e njërit apo tjetrit“, tha Gonxhja.

A ka të drejtë Spiropali? Erion Braçe përgjigjet për “Partinë-Shtet”

29 July 2026 at 22:34

Deputeti socialist, Erion Braçe i ftuar këtë të mërkurë në emisionin “Now” me Erla Mëhillin ka folur lidhur me nocionin e Elisa Spiropalit për partinë-shtet. I pyetur lidhur me këtë nocion të Spiropalit, Braçe u shpreh se Partia Socialiste nuk është parti-shtet.

“E kam dëgjuar këtë edhe nga një diskutim që u bë për reformën zgjedhore dy ditë më parë, e dëgjova nga kryekomisioneri i zgjedhjeve siç quhet nga ligji aktual. Në modelin që kemi për partinë-shtet kjo nuk ekziston. Nuk është PS parti-shtet. Nuk është. Që ndodh që fuqinë që ke si parti në pushtet edhe për të qenë prezent edhe për të mbajtur premtimet e kështu me radhë e pastaj për të shkuar në zgjedhje, kjo ndodh.

Me kë nuk ka ndodhur, me cilën parti nuk ka ndodhur? Nuk i ndodh Melonit në Itali që të përdorë fuqinë e qeverisë italiane për të qëndruar në piacë politike. Nuk është kështu. Pse u qelb partia e Merkelit sa vite qëndroi në pushtet? Kur ka persona me probleme të rënda me ligjin duhet të reflektohet, madje edhe thellë”, tha ai.

Princi Harry pëson goditje ligjore, botuesi i “Daily Mail” kërkon 34.5 milionë paund pas humbjes së gjyqit nga personazhet e famshëm

29 July 2026 at 22:26

Princi Harry dhe gjashtë personazhe të tjerë të njohur publike po përballen me detyrimin për të paguar fatura të jashtëzakonshme ligjore, pas humbjes së gjyqit të bujshëm kundër kompanisë botuese të tabloidit britanik Daily Mail, Associated Newspapers Limited (ANL).

Pas vendimit të Gjykatës së Lartë të Londrës — e cila rrëzoi padinë për shkelje të privatësisë dhe përgjime të paligjshme për shkak të provave të pamjaftueshme — avokatët e botuesit kanë formalizuar sot kërkesën për dëmshpërblimin e shpenzimeve gjyqësore në masën 34.5 milionë paund (mbi 40 milionë euro).

Sa do të paguajnë paditësit nga xhepi i tyre?

Shuma e kërkuar nga ANL pritet të ndahet mes shtatë paditësve, mes të cilëve numërohen Duka i Sussex-it, ylli i muzikës pop Elton John, bashkëshorti i tij David Furnish, si dhe baronesha Doreen Lawrence, anëtare e Dhomës së Lordëve dhe aktiviste e njohur kundër racizmit.

Sipas raportimeve mediatike, paditësit kishin marrë paraprakisht një polisë sigurimi ligjor që mbulon shpenzimet deri në 16.2 milionë paund. Nëse gjykata miraton kërkesën e plotë të Daily Mail shuma prej 16.2 milionë paundësh do të mbulohet nga kompania e sigurimeve.

Diferenca prej 18.3 milionë paundësh do të duhet të paguhet drejtpërdrejt nga xhepat e vetë personazheve të famshëm.

Argumentet e botuesit dhe vendimi i ardhshëm i gjykatës

Avokatët e kompanisë ANL e kanë mbrojtur shifrën rekord, duke e cilësuar padinë e ngritur nga Princi Harry dhe figurat e tjera si një “kryqëzatë ligjore me synim shkatërrimin e gazetës”, e cila ka zgjatur në kohë dhe i ka shkaktuar dëm të madh reputacionit të mediatikëve.

“Padia e ngritur nuk ishte aspak e zakonshme apo e arsyeshme. Ajo u shoqërua me një përmbytje publiciteti negativ që dëmtoi drejtpërdrejt reputacionin e gazetës dhe të gazetarëve tanë.” tha ekipi mbrojtës i Associated Newspapers Limited (ANL)

Vendimi përfundimtar mbi bazueshmërinë e tarifave dhe kërkesën e botuesit për ekzekutimin e menjëhershëm të të paktën një të katërtës së shumës totale pritet të merret së shpejti nga Gjykata e Lartë e Londrës.

Evropa Jugore në flake, Franca përballet me zjarrin sa katërfishi i Parisit, zjarrfikës të vdekur në Greqi

29 July 2026 at 22:18

Evropa Jugore po përballet me një nga krizat më të rënda mjedisore dhe humanitare të viteve të fundit. Një zjarr i përmasave katastrofike në Francën jugperëndimore — katër herë më i madh se sipërfaqja e Parisit — vazhdon të kërcënojë komunitetet bregdetare, ndërsa bilanci humanitar po rëndohet me humbjen e tre zjarrfikësve në Greqi dhe zhvendosjen e më shumë se çerek milioni banorëve në mbarë rajonin.

Gjendja e jashtëzakonshme ka përfshirë një territor të gjerë që shtrihet nga bregu francez i Atlantikut deri në ishujt e Mesdheut Lindor, si pasojë e një përzierjeje shkatërruese të temperaturave ekstreme që i afrohen 40°C, thatësirës historike dhe erërave të forta.

Tragjedia në Greqi dhe operacionet në frontin francez

Humbja e jetëve njerëzore i ka dhënë një përmasë edhe më dramatike situatës. Autoritetet greke konfirmuan vdekjen e dy zjarrfikësve gjatë luftimeve me flakët në rajonin e Rethymnos në Kretë, si dhe humbjen e një pjesëtari të tretë të ekipeve të emergjencës në rajonin e Peloponezit.

“Ata ranë në krye të detyrës për të mbrojtur jetën, pronën e qytetarëve dhe mjedisin natyror.”, thuhet në njoftimin zyrtar të Departamenteve Zjarrfikëse të Greqisë.

Në rajonin e Girondës në Francë, më shumë se 2,200 zjarrfikës dhe mbi 20 mjetë ajrore po përpiqen të mbajnë nën kontroll atë që konsiderohet si beteja më e madhe e vendit me zjarret. Ndihma ka mbërritur nga ushtria, strukturat kombëtare dhe partnerët evropianë.

Evakuimet masive dhe reagimi i komunitetit

Në kulmin e krizës, numri i personave të zhvendosur për shkak të rrezikut arriti në afërsisht 330,000 në të gjithë Francën dhe Spanjën, duke e kthyer këtë në operacionin më të madh të evakuimit në kohë paqeje.

Strehimi në Bordeaux

Qyteti ka shndërruar qendrën e tij të ekspozitave në një qendër pritëse për qindra familje të evakuuara.

Mobilizimi civil

Në fshatrat e rrezikuara si Souge dhe Lacanau, banorët lokalë po bashkohen me mjete private, duke pompuar ujë nga liqenet dhe duke lëruar tokën me makineri industriale për të krijuar rrethime mbrojtëse.

Hetimet mbi shkakun

Sipas Prokurorit të Bordeaux, Renaud Gaudeul, hetimet paraprake sugjerojnë se zjarri gjigant në Gironde mund të jetë nxitur aksidentalisht gjatë punës rutinë të pastrimit të shkurreve pranë një linje të tensionit të lartë elektrik.

Spanja më e qetë, por ndikimi klimatik mbetet alarmant

Në Spanjë, dhjetëra mijëra banorë në rajonin e Madridit dhe Ávilës kanë filluar të kthehen gradualisht në shtëpi pas përparimit të bërë nga zjarrfikësit, ndonëse rreth 10,000 persona mbeten ende nën urdhra evakuimi në Castellón.

Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez paralajmëroi se ekipet e emergjencës po përballen me kushte mjaft të vështira për shkak të valës së katërt të të nxehtit që po përfshin vendin.

Sipas të dhënave të shërbimit klimatik të BE-së, Copernicus, Evropa vazhdon të jetë kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë — me dyfishin e mesatares globale. Vetëm gjatë këtij viti, në Francë janë djegur më shumë se 1,160 kilometra katrorë sipërfaqe pyjore, çka ka nxitur shqetësime të mëdha për pasojat afatgjata mbi mjedisin, ekonominë dhe turizmin rajonal.

Braçe zbardh debatet me Ramën në grupin parlamentar: Nuk jam dakord me emërimet…

29 July 2026 at 22:09

Erion Braçe, deputet i Partisë Socialiste, ka folur këtë të mërkurë në emisionin Now me Erla Mëhillin për debatet e brendshme në parti.

Braçe u shpreh se nuk është dakord me mënyrën se si Partia Socialiste bën emërimet, duke theksuar se ky është një problem që, sipas tij, reflektohet edhe te protestat që zhvillohen në bulevard.

“Kisha një reflektim timin për protestën, për atë që ndjej unë nga protesta, për atë që duhet të ndryshojmë ne dhe, natyrisht, cili është problemi që kemi aty brenda. Normalisht, u banalizua gjithçka që thashë me idenë se ‘Rama dhe Braçe u zunë për plehrat e Tiranës’. Ndërkohë që edhe kësaj radhe ngrita një element shumë të rëndësishëm, që ka të bëjë me mënyrën se si ne emërojmë, me mënyrën se si zgjedhim dhe me mënyrën se si vendosim. Është një problem i madh, sepse këto elemente që nuk funksionojnë në PS janë edhe problemi i sheshit. Mënyra se si vendosim brenda vetes është problemi edhe aty jashtë”, tha Braçe.

La trafikun e drogës për të punuar në ndërtim, shqiptarit i bëjnë atentat ish-shokët e grupit kriminal

29 July 2026 at 22:01

Një zgjedhje për të ndryshuar jetën u shndërrua në një makth për një 25-vjeçar shqiptar në Itali.

Pasi vendosi t’i jepte fund përfshirjes në trafikun e drogës dhe të punonte në sektorin e ndërtimit, ai u bë objekt i një atentati, që sipas hetuesve u organizua nga ish-anëtarët e grupit kriminal me të cilin bashkëpunonte.

Autoritetet italiane kanë arrestuar dy shtetas shqiptarë, Luigj Makaj, 44 vjeç, dhe Armiol Gjoka, 40 vjeç, të njohur si autorët e dyshuar të sulmit. Sipas Prokurorisë, Makaj dyshohet se organizoi atentatin, ndërsa Gjoka, i njohur me nofkën “Molli”, është personi që hapi zjarr ndaj të riut.

Sipas mediave italiane, ngjarja ndodhi mbrëmjen e 1 korrikut në Mirano, pranë Venecias. Hetimet tregojnë se viktima kishte refuzuar të vazhdonte aktivitetin e shpërndarjes së lëndëve narkotike, pasi kishte siguruar një vend pune në ndërtim. Vendimi për t’u larguar nga grupi kriminal, sipas hetuesve, u pasua fillimisht me kërcënime dhe më vonë me një sulm të armatosur.

Nga hetimet ka rezultuar se ky nuk ishte episodi i parë. Disa muaj më parë, në fund të shkurtit dhe në fillim të marsit, persona të armatosur kishin qëlluar edhe ndaj tij dhe partneres së tij. Për t’i shpëtuar sulmit, të dy ishin strehuar në një rulotë në pronën e babait të vajzës.

Mbrëmjen e atentatit, 25-vjeçari u përball me dy të dyshuarit, të cilët i kërkuan të ndalonte. Ai tentoi të largohej me vrap, por u ndoq dhe u qëllua nga një distancë e afërt. Plumbi e goditi në pjesën mes qafës dhe shpatullës. Sipas dosjes hetimore, edhe pasi ai ra i plagosur në tokë, njëri prej agresorëve i drejtoi armën në kokë, ndërsa të dy u larguan vetëm kur në vendngjarje mbërritën ekipet e emergjencës.

Pas një muaji hetimesh intensive, të mbështetura në përgjime, ndjekje dhe analizën e komunikimeve telefonike e të rrjeteve sociale, karabinierët arritën të lokalizonin dhe arrestonin dy shqiptarët.

Ata tashmë përballen me akuzën e tentativës së vrasjes dhe janë transferuar në dy institucione të ndryshme të vuajtjes së dënimit, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht motivet dhe rrethanat e atentatit.

Deklarata e fortë e Braçes: Në PS ka luftë të brendshme, duan të më eliminojnë politikisht

29 July 2026 at 21:52

Erion Braçe ka folur këtë të mërkurë në emisionin Now me Erla Mëhillin, lidhur me debatet e brendshme në Partinë Socialiste. Braçe ka pranuar se në PS ka një luftë të brendshme, duke thënë se ka persona që duan ta eliminojnë politikisht.

Braçe: I nxjerrin mesazhet sepse kanë qëllim të më poshtërojnë, tamam për të më poshtëruar. Për mua është shumë e rëndë. Edhe ajo që ka dalë nga mbledhja e grupit, pavarësisht se është transformuar dhe hedhur në atë formë në publik. ‘I tha ik pirdhu’. Nuk është kështu. Është ta nxjerrësh për ta vrarë tjetrin politikisht. Ai që e ka nxjerrë këtë kërkon të të largojë nga fusha e brendshme e Grupit Parlamentar një njeri që e sheh aty prej vitesh, që e konsideron konkurrent dhe e ka problem. Unë s’kam problem me qenien e atij. Unë i konsideroj ata kolegë.”

Mëhilli: Mund të jetë Edi Rama?

Braçe: Jo, nuk është. Këtu jemi për t’i thënë gjërat lirisht. Kishte ndodhur gati 46 ditë më parë, kur u goditën gra deputete me vezë. Edhe kam shkruar në grup që të thirrej policia. Edhe shkrova për gratë. Edhe atë mesazh e nxorën në media. Natyrisht, me interpretimet e duhura se policinë e kërkoi ky. Nuk është vetëm ndaj meje kjo sjellje. E kanë pësuar edhe të tjerë si unë dhe guxojnë ta bëjnë. Edhe këto interpretohen si përpjekje për eliminim. Ja, kjo më bën të them se ka luftë të brendshme në PS.

Horror në Itali: Burri porosit vrasjen e ish-gruas, plani zbulohet para ekzekutimit

29 July 2026 at 21:45

Një vrasje me pagesë është ndaluar nga policia në çastet e fundit, atëherë kur dukej se për autorët çdo gjë ishte gati.

Ngjarja e rëndë, por me fund të mirë, u shënua në Caserta në Italisë, ku sipas mediave vendase një burrë kishte paguar 20 mijë euro për të vrarë ish-bashkëshorten.

Ai kishte thurur planin me detaje, duke i mundësuar vrasësit me pagesë çdo informacion për ish-gruan, madje edhe çelësat e shtëpisë së saj.

Fillimisht gruaja do të rrëmbehej dhe më pas do të ekzekutohej në një vend të izoluar.

Për ngjarjen, në pranga kanë rënë 5 persona, ndërsa ende nuk dihet arsyeja se përse porositësi i krimit donte ta vriste ish-gruan.

Sondazh: 73 % e amerikanëve mendojnë se Trumpi nuk po u kushton vëmendjen e duhur problemeve më të rëndësishme të Amerikës

29 July 2026 at 14:19

Nga Ariel Edwards-Levy, CNN*

Një përqindje rekord prej 73% e të rriturve në SHBA thonë se presidenti Donald Trump nuk u ka kushtuar vëmendje të mjaftueshme problemeve më të rëndësishme të vendit, sipas një sondazhi të ri të CNN-it, të realizuar nga SSRS. Vetëm 27% thonë se ai ka pasur përparësitë e duhura.

Këto rezultate vijnë në një kohë kur pikëpamjet për luftën në Iran po bëhen gjithnjë e më pesimiste, pakënaqësia ekonomike mbetet në vendnumëro dhe ekziston një pakënaqësi e gjerë ndaj mënyrës se si Trump po i trajton këto sfida.

Afërsisht dy të tretat e amerikanëve mendojnë se politikat e Trumpit i kanë përkeqësuar kushtet ekonomike dhe se vendimet e tij ushtarake në Iran e kanë dëmtuar SHBA-në.

Rreth tre të katërtat thonë se presidenti nuk është në kontakt me problemet me të cilat përballen amerikanët e zakonshëm në jetën e përditshme.

Niveli i përgjithshëm i miratimit për Trumpin, 34%, është i njëjtë me nivelin më të ulët të karrierës së tij, të regjistruar në fund të mandatit të parë, pas kryengritjes së 6 janarit 2021. Gjysma e amerikanëve tani shprehen fuqimisht kundër tij, niveli më i lartë gjatë mandateve të tij, ndërsa vetëm 15% e miratojnë fuqimisht, një nivel rekord i ulët.

Edhe brenda partisë së tij, niveli i miratimit ka rënë në një minimum të ri prej 78% mes republikanëve. Vetëm 19% e republikanëve thonë se janë entuziastë për pjesën e mbetur të mandatit të tij të dytë, krahasuar me 38% pranverën e kaluar.

Megjithëse vlerësimet për Trumpin janë negative në një sërë çështjesh të përfshira në sondazh, rezultatet më të ulëta ai i regjistron në tri çështje të ndërlidhura: vetëm 28% e miratojnë mënyrën se si po e trajton situatën në Iran, 25% e miratojnë qasjen e tij ndaj inflacionit dhe 21% ndaj çmimeve të karburantit. Edhe mes mbështetësve të tij ka nivele të konsiderueshme pakënaqësie.

Ndërsa një shumicë gjithnjë e më e madhe amerikanësh parashikon një konflikt ushtarak afatgjatë, vetëm rreth një e katërta mendojnë se Trump ka një plan të qartë për trajtimin e situatës, krahasuar me 40% në fillim të luftës. Tani 62% thonë se Trump nuk është një udhëheqës botëror i efektshëm, nga 54% që mendonin kështu në fillim të mandatit të tij të dytë.

Vetëm një e katërta thonë se lufta ia ka vlejtur përballë kostos në jetë amerikanësh dhe në dollarë, ndërsa amerikanët më të rinj janë veçanërisht skeptikë.

Për sa i përket pasojës ekonomike më të prekshme të konfliktit në Iran, 74% e amerikanëve thonë se rritja e çmimeve të karburantit u ka shkaktuar të paktën disa vështirësi, nga 63% në mars. Pak më pak se një e katërta besojnë se presidenti ka një plan për ta trajtuar këtë çështje. Ndërkohë, 71% thonë se Trump nuk ka bërë sa duhet për të ulur çmimet e mallrave të përditshme, nga 58% një vit më parë.

Ka pak zhvillime pozitive në politikën e brendshme për presidentin. Vlerësimi i tij më i lartë për trajtimin e një çështjeje arrin në 41% dhe lidhet me të drejtat e votimit dhe integritetin e zgjedhjeve, një nga temat për të cilat mbështetësit e tij janë bashkuar më fuqishëm rreth tij.

Vetëm 39% e amerikanëve e miratojnë mënyrën se si Trump po trajton emigracionin, i cili konsiderohej një element relativisht pozitiv në fillim të mandatit të tij të dytë, ndërsa 35% miratojnë mënyrën se si ai po administron qeverinë federale.

Pas dy incidenteve të fundit me të shtëna vdekjeprurëse nga agjentë të ICE-s, amerikanët thonë, me një diferencë prej 20 pikësh përqindjeje, se kjo agjenci po i bën qytetet më pak të sigurta dhe jo më të sigurta. Ndërkohë, në kushtet e një shpërthimi të ciklosporës dhe të rritjes së rasteve të fruthit, ata thonë, me një diferencë prej 34 pikësh, se ndryshimet në agjencitë shëndetësore si FDA-ja dhe CDC-ja po e bëjnë publikun më pak të sigurt dhe jo më të sigurt.

Projektet e bujshme të Trumpit janë jopopullore
Në sondazhe, Trump nuk është vlerësuar asnjëherë shumë si një person që është në kontakt me problemet e amerikanëve të zakonshëm. Në sondazhin më të fundit, vetëm 27% thonë se ky përshkrim i përshtatet atij, ndërsa rreth dy të tretat thonë se ai nuk e vendos të mirën e vendit përpara përfitimit të tij personal.

Këto shifra pasqyrojnë një skepticizëm të gjerë ndaj projekteve të bujshme, me të cilat Trump synon të lërë gjurmën e tij në kryeqytetin e vendit. Një shumicë prej 58% e amerikanëve thonë se ndihen të pakënaqur ose të zemëruar për projektet e ndërtimit që Trump ka ndërmarrë në Uashington, duke përfshirë përpjekjen për të ndërtuar një sallë të re ballosh në Shtëpinë e Bardhë dhe për të rinovuar Pellgun Reflektues. Vetëm 17% shprehin ndjenja pozitive, ndërsa 25% thonë se kjo çështje nuk ka rëndësi për ta.

Në kohën e inaugurimit të dytë të Trumpit, pothuajse gjysma e amerikanëve mendonin se kishte të paktën njëfarë gjase që ai t’i shmangte konfliktet ndërmjet kompanisë së familjes së tij dhe detyrës si president. Megjithatë, vetëm 23% mendojnë se ai ia ka dalë ta bëjë këtë deri diku mirë.

Ndërkohë, 57% thonë se është diçka negative që Trump fitoi më shumë se 2 miliardë dollarë vitin e kaluar, ndërkohë që shërbente si zyrtar i zgjedhur. Këto të ardhura përfshinin fitime nga zotërimet në kriptomonedha, pagesat e honorareve dhe investimet në prona. Vetëm 7% e shohin këtë si diçka pozitive, ndërsa 36% thonë se të ardhurat e tij gjatë kohës që është president nuk kanë shumë rëndësi.

Më shumë se gjashtë në dhjetë amerikanë thonë se Trump ka shkuar tepër larg në ndjekjen e interesave të tij personale të biznesit, ndërkohë që shërben si president, si dhe në ndërmarrjen e projekteve për rimodelimin e Shtëpisë së Bardhë dhe monumenteve të tjera të Uashingtonit. Pothuajse po aq thonë se ai ka shkuar tepër larg edhe me ndryshimet në institucione kulturore si Qendra Kennedy dhe Smithsonian.

Këto përpjekje nuk janë shumë të pëlqyera as nga baza mbështetëse e presidentit. Vetëm 43% e republikanëve thonë se kanë një qëndrim pozitiv ndaj projekteve të ndërtimit të Trumpit, ndërsa 35% thonë se këto projekte nuk kanë rëndësi për ta. Shumica e republikanëve thonë se të ardhurat e tij gjatë kohës që shërben si president janë të parëndësishme.

Mes atyre që kanë një mendim për këtë çështje, ka më shumë gjasa që të ardhurat e tij të shihen negativisht sesa pozitivisht.

*https://www.cnn.com/2026/07/29/politics/cnn-poll-donald-trump-midterms-polls-iran-war

Horoskopi ditor për nesër, e Enjte 30 Korrik 2026

29 July 2026 at 13:00

Dashi

Dita e sotme do jete shume e mire për ju qe jeni ne një lidhje. Do merreni vesh për gjithçka dhe bashkëpunoni fort. Beqaret do influencohen tej mase nga disa persona te ardhur rishtazi ne pune ose ne lagje dhe do afrohen me ta. Për financat do jete një dite goxha delikate. Merrini gjerat shtruar dhe mos kërkoni t’i rregulloni gjerat menjëherë. Asgjë nuk mund te ndodhe me magji.

Demi

Asgjë e keqe nuk ka për te ndodhur sot ne jetën tuaj ne çift. Do dashuroheni plot pasion me partnerin dhe kënaqësitë do jene te njëpasnjëshme. Beqaret do i marrin gjerat si t’iu vijnë pa kërkuar asnjë gjë me ngulm. Do jene me fat sot. Sektori i financave do jete me i qëndrueshëm se me pare. Do ndryshoni disa zakone te këqija dhe gjerat do marrin rrugën e duhur.

Binjaket

Mos u tregoni idealiste sot ne jetën tuaj ne çift sepse gjerat nuk janë ashtu si duhet. Do lëndoni veten dhe do vuani tej mase me vone. Beqaret do krijojnë iluzione te kota sepse as sot nuk do jete momenti i përshtatshëm për te ndryshuar statusin. Ne planin financiar do kryeni transaksione te rëndësishme sepse gjendja do jete gjithë kohës e qëndrueshme.

Gaforrja

Tregohuni sa me realiste sot ju qe jeni ne një lidhje sepse vetëm ne këtë mënyrë do mund te ruani një klime te ngrohte ne jetën ne çift. Beqaret do tërhiqen nga disa persona, por do druhen t’i shprehin pëlqimet dhe do mbeten serish vetëm. Te ardhurat do vijnë dalëngadalë duke u përmirësuar. Duhet te keni pak durim qe gjendja te ndryshoje ashtu si ju doni.

Luani

Jeta juaj ne çift do vazhdoje te mbetet e qëndrueshme edhe gjate kësaj dite. Nuk do ju bëjnë aspak përshtypje ato qe do ju thonë te tjerët sepse ju e njihni partnerin me mire se askush. Beqaret do kenë takime te shumta, por nuk do fiksohen pas dikujt. Me financat bëni sa me shume kujdes qe te mundeni ne mënyrë qe te mos përballeni me surpriza te këqija.

Virgjeresha

Dite pozitive kjo për gjithë te dashuruarit. Do jeni besnike ndaj partnerit dhe do kaloni momente pasionante me te. Beqaret do bien koke e këmbë ne dashuri me personin e pare qe do ju dale para. As vete nuk e kishit menduar se gjerat mund te ndryshonin kaq shpejt. Financat do jete goxha delikate. Mundohuni te shpenzoni me kujdes dhe maturi ne mënyrë qe hendeku mos thellohet me tepër.

Peshorja

Monotonia do ju pushtoje gjate gjithë kësaj dite dhe shpesh do ndiheni keq. Mundohuni te flisni hapur me partnerit dhe ta ndryshoni sa me pare situatën. Beqaret do ndihen aq mire me personat qe kane ne krah saqë nuk do e ndiejnë are nevojën e një partneri. Buxheti do përkeqësohet edhe me tepër nëse nuk tregoheni te kujdesshëm.

Akrepi

Jeta juaj ne çift nuk do jete e trishtë sot, përkundrazi ju do jeni te gëzuar dhe te buzëqeshur. Do krijohet një ambient harmonik dhe ne mbrëmje me seksual. Beqaret do vazhdojnë edhe sot te jene vete. Mos e mbani mendjen tek dashuria por dilni argëtohuni me miqtë ose me familjaret. Ne planin financiar kërkohet me tepër maturi. Limitoni shpenzimet qe te mos keni probleme.

Shigjetari

Mos u mbyllni ne vetvete gjate kësaj dite sepse jo vetëm qe do mërziteshit vete, por do e mërzitnit edhe atë qe keni ne krah. Beqaret duhet te përgatiten për një aventure shume te këndshme dhe emocionuese. Zemra juaj do rrahe pa pushim. Financat do jene gjate gjithë kohës te mbrojtura nga yjet. Mund te shpenzoni pak me tepër pa u shqetësuar aspak.

Bricjapi

Për ata qe e kane tashme një lidhje, kjo dite do jete e mrekullueshme. Nuk ka nevoje te bëni asgjë duke qene se gjerat do rrjedhin shume mire. Nëse jeni beqare, mundësitë për takime interesante nuk do jene te shumta. Beni edhe pak durim qe te mos lëndoheni. Ne planin financiar do keni surpriza te këndshme. Me ne fund do arrini te bëni shpenzimet e domosdoshme.

Ujori

Jeta juaj ne çift do jete e influencuar shume mire gjate kësaj dite. Do merrni atë qe gjithmonë keni kërkuar dhe emocionet do jene te njëpasnjëshme. Shfrytëzojeni çdo sekonde. Edhe beqaret do jene ne humor te mire dhe do shfrytëzojnë çdo mundësi qe do iu jepet për takime. Financat do jene te pastabilizuara kështu qe shmangni çdo shpenzim te tepruar.

Peshqit

Jeta juaj ne çift do jete tërësisht e qete gjate kësaj dite. Përfitoni për te folur mbi disa tema delikate qe ju kane munduar deri me tani. Beqaret do jene shume te shpërqendruar dhe nuk do dine çfarë te bëjnë me pare. Ne planin financiar do kryeni transaksione te rëndësishme sepse gjendja do jete goxha e qëndrueshme. Do ndiheni me mire se me pare.

Policia arreston “psikologun e rremë”, tentoi të përfitonte financiarisht nga francezët e evakuuar

29 July 2026 at 12:51

Një person është arrestuar në Francë pasi dyshohet se është paraqitur në mënyrë të rreme si psikolog dhe ka tentuar të përfitojë financiarisht nga banorët e evakuuar për shkak të zjarreve masive.

Sipas Policisë Kombëtare Franceze, personi kishte shkuar në qendrën e evakuimit në Parc des Expositions në Bordo, ku mijëra banorë të shqetësuar prisnin informacione për shtëpitë e tyre të lëna pas për shkak të katastrofës.

Ai u prezantua si psikolog vullnetar dhe u ofroi të prekurve seanca këshillimi me pagesë. Autoritetet thanë se bëhej fjalë për një person që shtirej si profesionist dhe synonte të mashtronte njerëzit në një moment të vështirë për ta.

I dyshuari është vënë në pranga dhe është dërguar në paraburgim, së bashku me dy persona të tjerë të arrestuar më herët për vjedhjen e furnizimeve ushqimore të destinuara për banorët e prekur nga zjarret.

Ndërkohë, forcat e policisë vijojnë të ruajnë zonat e prekura dhe qendrat e strehimit, me pika kontrolli të ngritura në zonat e evakuimit.

Në komunën Le Haillan, pranë Bordosë, një grua u ndalua pasi u gjet me një çantë me bizhuteri, mjete pune dhe sende të tjera, për të cilat nuk mundi të justifikonte origjinën. Ajo u arrestua nën dyshimin për mbajtje të sendeve të vjedhura.

Sipas autoriteteve franceze, që prej 6 korrikut janë arrestuar gjithsej 163 persona nën dyshimin për zjarrvënie, ndërsa 15 prej tyre lidhen me zjarret aktuale dhe janë ndaluar gjatë javës së fundit.

Zjarr në një sipërfaqe pyjore në Bulqizë, ndërhyrja e zjarrfikësve shmang rrezikun për banesat

29 July 2026 at 12:42

Një zjarr ka përfshirë një sipërfaqe me tokë dhe pyll në fshatin Peladhi, në Bashkinë Bulqizë, duke rrezikuar edhe banesat pranë zonës së prekur.

Sipas informacioneve, flakët u favorizuan nga temperaturat e larta dhe era, çka bëri që zjarri të përhapej me shpejtësi.

Në vendngjarje ndërhynë forcat zjarrfikëse të Bulqizës, të cilat arritën të izolojnë vatrën dhe të parandalojnë përhapjen e flakëve drejt banesave, duke shmangur dëme më të mëdha.

Aktualisht, puna vijon për shuarjen e plotë të zjarrit dhe monitorimin e zonës, ndërsa shkaqet e rënies së tij janë ende nën hetim.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre, veçanërisht gjatë ditëve me temperatura të larta.

PD çon në Kushtetuese marrëveshjen konfidenciale me SHBA-të për kredinë 302 milionë dollarë

29 July 2026 at 12:32

Partia Demokratike ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese ligjin ratifikues të marrëveshjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke pretenduar se ai bie ndesh me Kushtetutën.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi se marrëveshjet strategjike nuk mund të miratohen duke shkelur Kushtetutën.

Procedura e ndjekur për miratimin e kësaj marrëveshjeje nuk përmban vetëm një shkelje të izoluar. Ajo cenon njëkohësisht disa prej parimeve themelore mbi të cilat funksionon parlamentarizmi kushtetues: të drejtën e deputetëve për t’u njohur dhe për të debatuar mbi aktet që votojnë, afatet kushtetuese të përdorimit të procedurës së përshpejtuar dhe sigurinë juridike që duhet të shoqërojë hyrjen në fuqi të një marrëveshjeje ndërkombëtare.“, tha Bardhi.

Ai theksoi se Partia Demokratike e mbështet në parim marrëveshjen me SHBA-të, e cila sipas tij, i shërben interesit strategjik të Shqipërisë për të rritur investimet në mbrojtje, por shtoi se nuk pajtohen me procedurën që ndoqi Partia Socialiste për ratifikimin e saj.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dhe opozita në tërësi e ka bërë të qartë se e mbështet në parim këtë marrëveshje, sepse ajo i shërben interesit strategjik të Shqipërisë për të rritur investimet në mbrojtje, për të modernizuar Forcat e Armatosura dhe për të përmbushur detyrimet që burojnë nga anëtarësimi në NATO. Pikërisht sepse bëhet fjalë për marrëveshjen më të rëndësishme të viteve të fundit me Shtetet e Bashkuara në fushën e mbrojtjes, ajo duhej të ishte një model i respektimit të Kushtetutës, i transparencës dhe i debatit parlamentar, jo një tjetër shembull i përdorimit të shumicës parlamentare për ta shkelur atë“, tha ai.

Sipas tij, ligji përmban shtatë shkelje kushtetuese dhe kërkohet ndërhyrja e Gjykatës Kushtetuese për vlerësimin e tij.

Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 74 vota të socialistëve, këtë të hënë, 27 korrik 2026 marrëveshjen e huasë me SHBA-të, ndërsa PD e bojkotoi seancën.

Marrëveshja parashikon një hua në vlerën totale prej 302 milionë dollarësh amerikanë, në kuadër të programit të Financimit të Jashtëm Ushtarak.

Deklarata e plotë e Gazment Bardhit:

Gjatë seancës plenare të ditës së hënë, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, paralajmërova zyrtarisht se procedura e ndjekur nga shumica për miratimin e marrëveshjes së huasë prej 302 milionë eurosh ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për blerjen e pajisjeve ushtarake ishte në kundërshtim me Kushtetutën. Paralajmërova gjithashtu se, nëse mazhoranca do të këmbëngulte në këtë rrugë, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do t’ia nënshtronte atë kontrollit të Gjykatës Kushtetuese.

Ky paralajmërim nuk ishte për të bërë politikë. Ishte një paralajmërim real dhe i sinqertë. Ai ishte përpjekja e fundit për të ndaluar shumicën parlamentare që të mos përfshinte edhe marrëdhënien më të rëndësishme strategjike të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara në një procedurë antikushtetuese.

Opozita kërkoi gjatë gjithë seancës respektimin e afateve kushtetuese, të drejtës së deputetëve për t’u njohur me aktin që votonin dhe të standardeve që vetë Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar vetëm pak muaj më parë në vendimin e saj për procedurat parlamentare dhe Rregulloren e Kuvendit. Paralajmëruam se një procedurë e tillë nuk e zgjidhte urgjencën që pretendonte qeveria, por vetëm sa do ta zgjaste atë, sepse do ta bënte të pashmangshëm kontrollin kushtetues të saj.

Edhe përpara seancës, në komunikime institucionale me Kryetarin e Kuvendit, kërkuam që kjo rrugë të mos ndiqej. Kërkuam të respektoheshin afatet, të mos mohoheshin disa të drejta kushtetuese për deputetët, përfshirë të drejtën për t’u njohur me projektligjin. Për të qenë i sinqertë deri në fund, më duhet të pohoj se, në këto komunikime, morëm mirëkuptim nga Kryetari i Kuvendit për shqetësimin e ngritur. Për fat të keq, në fund nuk vendosi as Kushtetuta, as arsyeja, as mirëkuptimi. Vendosi urdhri politik i Edi Ramës, duke e kthyer edhe një herë Kuvendin në noter të vendimeve të qeverisë.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dhe opozita në tërësi e ka bërë të qartë se e mbështet në parim këtë marrëveshje, sepse ajo i shërben interesit strategjik të Shqipërisë për të rritur investimet në mbrojtje, për të modernizuar Forcat e Armatosura dhe për të përmbushur detyrimet që burojnë nga anëtarësimi në NATO. Pikërisht sepse bëhet fjalë për marrëveshjen më të rëndësishme të viteve të fundit me Shtetet e Bashkuara në fushën e mbrojtjes, ajo duhej të ishte një model i respektimit të Kushtetutës, i transparencës dhe i debatit parlamentar, jo një tjetër shembull i përdorimit të shumicës parlamentare për ta shkelur atë.

Fatkeqësisht, ne ndodhemi në këtë situatë për shkak të dështimeve të vetë qeverisë. Për vite me radhë, qeveria e Shqipërisë, nën drejtimin e Edi Ramës, nuk përmbushi angazhimet e Shqipërisë ndaj Aleancës. Në vend të objektivit minimal prej 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen, shpenzimet reale mbetën rreth 1.6%, duke e vendosur Shqipërinë në një pozitë të vështirë përballë aleatëve dhe duke krijuar deri edhe pikëpyetje serioze mbi përmbushjen e angazhimeve që lidhen me antarësimin në NATO të Shqipërisë.

Nuk na habit fakti që qeveria e Edi Ramës nuk i përmbushi për vite me radhë detyrimet e Shqipërisë ndaj NATO-s, sepse, për vite me radhë në opozitë, Edi Rama udhëhoqi protesta kundër anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Prandaj, si forca politike që bëri të mundur anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën Atlantike, Partia Demokratike nuk pranon leksione nga askush për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara apo për përkushtimin ndaj NATO-s.

Pikërisht sepse këto marrëdhënie janë jetike për sigurinë kombëtare, ne nuk do të pranonim kurrë që marrëveshja më e rëndësishme e viteve të fundit me Shtetet e Bashkuara në fushën e mbrojtjes të miratohej në shkelje të Kushtetutës. Ky ishte edhe thelbi i qëndrimit tonë gjatë seancës plenare. Sepse problemi nuk është marrëveshja, të cilën edhe sot pas miratimit antikushtetues nuk e njohim se cfarë përmban. Problemi është mënyra antikushtetuese se si shumica vendosi ta miratonte marrëveshjen.

Për këtë arsye, kjo nuk është një mosmarrëveshje politike. Është një çështje kushtetuese. Është një cështje për të mbrojtur dinjitetin e Republikës së Shqipërisë, institucioneve të saj demokratike dhe thelb vetë imazhit të shtetit shqiptar në botë.

Thomas Jefferson thoshte se: “Mjafton një hap përtej kufijve që Kushtetuta i ka vendosur pushtetit, që ai të hyjë në një territor pa kufij.”

Fatkeqësisht, edhe në këtë rast. ky hap u hodh nga mazhoranca dhe çështjen e bën akoma më shqetësuese fakti se kjo ndodhi vetëm pak muaj pasi vetë Gjykata Kushtetuese, në vendimin e saj për Rregulloren e Kuvendit, kishte vendosur standarde të qarta për përdorimin e procedurës së përshpejtuar dhe mbrojtjen e të drejtave të deputetëve. Në vend që ta zbatonte atë vendim të muajit shkurt, shumica zgjodhi të përsëriste të njëjtën praktikë që Gjykata sapo e kishte shpallur antikushtetuese. Duke injoruar jo vetëm deputetët, Kuvendit, por edhe autoritetin e Gjykatës Kushtetuese.

Për grupin parlamentar të PD respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nuk ka të bëjë vetëm me ruajtjen e autoritetit të kësaj gjykate, por mbi të gjitha me vetë themelet mbi të cilën është ngritur Republika Parlamentare.

Procedura e ndjekur për miratimin e kësaj marrëveshjeje nuk përmban vetëm një shkelje të izoluar. Ajo cenon njëkohësisht disa prej parimeve themelore mbi të cilat funksionon parlamentarizmi kushtetues: të drejtën e deputetëve për t’u njohur dhe për të debatuar mbi aktet që votojnë, afatet kushtetuese të përdorimit të procedurës së përshpejtuar dhe sigurinë juridike që duhet të shoqërojë hyrjen në fuqi të një marrëveshjeje ndërkombëtare.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka identifikuar shtatë shkelje kushtetuese. Meqenëse kjo është një çështje me natyrë juridike, do të përpiqem t’i shpjegoj ato me një gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme për çdo qytetar.

Shkelja e parë: Deputetëve iu mohua e drejta kushtetuese për t’u njohur me marrëveshjen përpara votimit. Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit detyrojnë Kryetarin e Kuvendit që, menjëherë pas depozitimit të projektligjit, t’u shpërndajë deputetëve projektligjin, tekstin e marrëveshjes dhe relacionin shoqërues. Kjo procedurë garanton që deputetët të kenë kohën e nevojshme për ta shqyrtuar marrëveshjen, për t’u konsultuar, për të paraqitur amendamente dhe për të vendosur me përgjegjësi se si do të votojnë.

Shkelja e dytë: Deputetëve iu mohua e drejta kushtetuese për të kontrolluar mënyrën e përdorimit të fondeve publike. Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit detyrojnë që projektligjet me efekte financiare të shoqërohen me raportin që përligj shpenzimet financiare. Ky raport u mundëson deputetëve të vlerësojnë ndikimin e projektligjit në Buxhetin e Shtetit dhe të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues të kontrollit mbi administrimin e financave publike. Në këtë rast, raporti që përligjte shpenzimet financiare nuk iu vu në dispozicion deputetëve.

Shkelja e tretë: Deputetëve iu mohua e drejta për të ushtruar lirisht funksionin e tyre parlamentar, përmes debatit parlamentar, paraqitjes së amendamenteve dhe votimit të informuar. Pikërisht për të garantuar ushtrimin efektiv të këtyre të drejtave, Rregullorja e Kuvendit parashikon që rendi i ditës të bëhet publik jo më vonë se dy ditë përpara seancës plenare. Në rastin e kësaj marrëveshjeje, kjo nuk ndodhi. Kryetari i Kuvendit njoftoi ndryshimin e rendit të ditës të hënën dhe, po atë ditë, maxhoranca shqyrtoi dhe miratoi marrëveshjen, duke zhvlerësuar afatin ligjor prej 48 orësh të njoftimit të rendit të ditës së seancës, i cili është përcaktuar si mekanizëm që garanton këto të drejta të deputetëve. Edhe Gjykata Kushtetuese ka arsyetuar se mosrespektimi i afatit dyditor për rendin e ditës cenon parimin e demokracisë përfaqësuese.

Shkelja e katërt: Kjo lidhet me një afat tjetër shumë të rëndësishëm, i përcaktuar shprehimisht në Kushtetutë dhe i interpretuar qartë nga Gjykata Kushtetuese, kur ajo rrëzoi mënyrën sesi Kuvendi miratoi Rregulloren e funksionimit të tij. Një rast identik me mënyrën sesi u miratua marrëveshja me SHBA të hënën. Edhe praktika e ndjekur për këtë marrëveshje, njësoj si praktika e shpallur antikushtetuese për Rregulloren e Kuvendit, u zhvillua me procedurë të përshpejtuar brenda 24 orëve. Në vendimin që duhet të ishte detyrues për Parlamentin, Gjykata Kushtetuese arsyetoi në muajin shkurt se mosrespektimi i afatit minimal njëjavor cenon sërish parimin e demokracisë përfaqësuese, duke u mohuar deputetëve të drejtat e tyre kushtetuese.

Shkelja e pestë: Marrëveshja u trajtua sikur Shqipëria të ndodhej në një situatë të jashtëzakonshme, me nevojë dhe urgjencë për hyrjen e menjëhershme në fuqi të ligjit. Në fakt, nuk ekzistonte asnjë nga këto kushte. Vetë qeveria e rrëzon pretendimin për urgjencë. Marrëveshja u miratua prej saj në parim më 19 qershor dhe u nënshkrua më 22 qershor. Këshilli i Ministrave kishte më shumë se një muaj kohë për ta paraqitur projektligjin sipas procedurës së zakonshme parlamentare, por zgjodhi ta mbante një muaj në sirtar dhe, për arsye që i di vetëm Edi Rama, ta sillte në Parlament vetëm në ditën e fundit të punimeve të tij. Në këto kushte, nuk mund të flitet për një urgjencë objektive, por për një urgjencë artificiale, të krijuar nga vetë qeveria. Po ashtu, Shqipëria nuk ndodhej në një situatë që të justifikonte nevojën urgjente për t’u pajisur me pajisje ushtarake, pasi nuk përballej me ndonjë agresion të armatosur apo kërcënim të jashtëm.

Shkelja e gjashtë: 1/5 e Deputetët kanë të drejtë që të venë në lëvizje Gjykatën Kushtetutese për të kontrolluar një marrëveshje përpara ratifikimit të saj. Duke e sjell dhe miratuar marrëveshjen brenda një dite, procedura parlamentare praktikisht e ka zhveshur pakicën parlamentare nga ushtrimi i përgjegjësisë së saj për të ushtruar kontrollin e kushtetutshmërisë së marrëveshjes në kohë, për të vënë në lëvizje Gjykatës Kushtetuese nëse cmonte vetëm përpara ratifikimit, si dhe praktikisht ka zhveshur vetë Gjykatën Kushtetuese nga kompetenca për të vlerësuar kushtetutshmërinë e marrëveshjes.

Shkelja e shtatë: Qeveria ka pamundësuar hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Huasë me SHBA-të. Duke e shpallur marrëveshjen sekrete, ajo ka pamundësuar botimin e saj në Fletoren Zyrtare. Por Kushtetuta përcakton qartë se një marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar me ligj bëhet pjesë e sistemit të brendshëm juridik vetëm pasi botohet në Fletoren Zyrtare. Në këto kushte, mënyra se si është trajtuar kjo marrëveshje krijon një papajtueshmëri të drejtpërdrejtë me Kushtetutën, pasi një marrëveshje që nuk botohet nuk mund të hyjë në fuqi dhe as të bëhet pjesë e sistemit juridik të Republikës së Shqipërisë.

Nuk bëhet fjalë për një problem që nuk kishte zgjidhje. Legjislacioni shqiptar ofron mekanizma për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar pa cënuar kërkesat kushtetuese për hyrjen në fuqi të marrëveshjeve ndërkombëtare. Qeveria zgjodhi të mos i përdorte ato. Ky nuk është thjesht një gabim procedural. Është një mënyrë qeverisjeje që e bën të atakueshme vetë marrëveshjen dhe e ekspozon Shqipërinë përballë partnerit të saj strategjik si një vend aleat joserioz, që nuk qeveriset sipas Kushtetutës, por sundohet sipas interesit politik të Kryeministrit.

Pikërisht mbi këto argumente, të mbështetura në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në vendimet e detyrueshme për zbatim të Gjykatës Kushtetuese dhe në jurisprudencën më të fundit të saj, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike sapo i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar kontrollin kushtetues të procedurës së ndjekur nga Kuvendi. Kemi kërkuar nga Gjykata Kushtetuese shfuqizimin e ligjit ratifikues dhe pezullimin e tij.

Qëllimi ynë është të mbrojmë kushtetutshmërinë në vend dhe që marrëveshja më e rëndësishme ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare të miratohet sipas Kushtetutës, me një procedurë të rregullt parlamentare, në përputhje me standardet që vetë Gjykata Kushtetuese ka vendosur për Kuvendin. Nëse Gjykata Kushtetuese e shqyrton këtë çështje me përparësi, ne mund ta miratojmë së bashku marrëveshjen, pasi të njihemi me përmbajtjen e saj, edhe në një seancë të jashtëzakonshme parlamentare, duke respektuar plotësisht Kushtetutën dhe duke siguruar mbështetjen e plotë politike që një marrëveshje e tillë strategjike meriton.

Aleanca me Shtetet e Bashkuara nuk forcohet duke mohuar dhe shkelur Kushtetutën. Ajo forcohet duke respektuar shtetin e së drejtës, institucionet demokratike dhe standardet që përbëjnë themelin e demokracive perëndimore. Shqipërisë i duhet standardi i Kongresit Amerikan, jo standardi i Taulant Ballës.

Marrëdhëniet strategjike të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara meritojnë shumë më tepër sesa të përfaqësohen përmes akteve antikushtetuese të Edi Ramës.

Këshilli Bashkiak i Tiranës miraton disa vendime, përfitojnë 216 familje

29 July 2026 at 12:25

Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi një sërë vendimesh me fokus mbështetjen sociale të familjeve në nevojë dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët e kryeqytetit.

Mbledhja u drejtua nga nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Vasilika Vjero, e cila prezantoi projektvendimin “Për miratimin e familjeve aplikuese që përfitojnë nga programi i bllok-ndihmës ekonomike deri në 6% nga fondi i kushtëzuar dhe nga buxheti i Bashkisë Tiranë, për periudhën 1-30 qershor 2026”.

Gjatë fjalës së saj, Vjero bëri të ditur se strukturat përgjegjëse për shërbimet sociale kanë përfunduar vlerësimin e aplikimeve dhe kanë shpallur përfituese 216 familje.

“Strukturat përgjegjëse për shërbimet sociale kanë vlerësuar si përfituese 216 familje në nevojë në bazë të vlerësimeve social-ekonomike që kanë mbërritur nga njësitë administrative. Nga këto, 136 familje do të trajtohen me fonde të buxhetit vendor, ndërsa 80 familje do të mbështeten nga fondi i kushtëzuar deri në masën 6%,” u shpreh Vjero.

Në të njëjtën mbledhje, Këshilli Bashkiak miratoi edhe projektvendimin për trajtimin me subvencion të qirasë për disa familje në nevojë që nuk kanë mundësi të përballojnë qiranë e tregut të lirë.

Po ashtu, u miratua projektvendimi për sistemimin e disa familjeve në banesat sociale me qira në zonën e Shkozës, si dhe projektvendimi për dhënien e ndihmës financiare për 15 subjekte, banesat e të cilëve kanë pësuar dëme si pasojë e zjarreve dhe përmbytjeve.

Vendimet e miratuara synojnë të forcojnë mbështetjen sociale për shtresat në nevojë, duke garantuar më shumë siguri dhe mbështetje për familjet që përballen me vështirësi ekonomike apo situata të shkaktuara nga fatkeqësitë.

Hapet platforma online për mjekët jashtë vendit, Ministria: Mundësi për t’u bërë pjesë e sistemit në Shqipëri

29 July 2026 at 12:14

Mjekët shqiptarë që jetojnë dhe ushtrojnë profesionin jashtë vendit kanë tashmë një mundësi të re për t’u bërë pjesë e sistemit shëndetësor publik në Shqipëri.

Ministria e Shëndetësisë njofton se në dispozicion të tyre do të jetë një platformë të re online, e cila mundëson aplikimin në mënyrë të thjeshtë, të shpejtë dhe transparente.

Mjekët shqiptarë që jetojnë dhe ushtrojnë profesionin jashtë vendit kanë tashmë një mundësi të re për t’u bërë pjesë e sistemit shëndetësor publik në Shqipëri.

Platforma e re e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale mundëson aplikimin online, duke e bërë procesin më të thjeshtë, më të shpejtë, më të aksesueshëm dhe më transparent”, thuhet në njoftim.

Netanyahu kërkon sulm të ri ndaj Iranit, Trump vendos pikat mbi “i”

29 July 2026 at 12:05

Ata nisën së bashku një luftë që tronditi ekuilibrin energjetik global, duke shfaqur unitet të plotë, por për pesë muaj nuk u takuan asnjëherë.

Ndërkohë, optimizmi fillestar për një ndryshim të mundshëm regjimi në Iran i la vend zhgënjimit nga një konflikt që ka dëmtuar popullaritetin e Donald Trumpit dhe rrezikon të shndërrohet në një tjetër ngërç për Shtetet e Bashkuara.

Kur më në fund u takuan dje në Shtëpinë e Bardhë për rreth një orë, sfida kryesore për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu nuk ishte të festonte sukseset, por të zbusë tensionet me presidentin amerikan. Netanyahu ka nevojë për mbështetjen e Trumpit për zgjedhjet e tetorit në Izrael dhe prej javësh kishte kërkuar këtë takim. Trump pranoi ta zhvillonte, por bëri të qartë se edhe për çështjet e Lindjes së Mesme “vendimin e merr ai”.

Netanyahu hyri në Shtëpinë e Bardhë nga hyrja anësore, ndërsa jashtë protestonin mbështetës të Palestinës.

“Ishte një takim i shkëlqyer, me bashkëpunim të plotë dhe me një objektiv të përbashkët: të sigurojmë që Irani të mos pajiset me armë bërthamore”, deklaroi Netanyahu menjëherë pas takimit.

Zyra e tij u përpoq të minimizonte çdo përshtypje për mosmarrëveshje me Uashingtonin. Zëdhënësi Doron Spielman theksoi se “qëllimi i kryeministrit është të forcojë koordinimin, jo ta shtyjë presidentin të marrë një vendim të caktuar”, duke shtuar se Izraeli do të mbështesë çdo rrugë që do të zgjedhë Trump.

Irani mbetet pika kryesore e përplasjes

Megjithatë, para takimit, Trump kishte shfaqur pakënaqësi ndaj aleatit izraelit, duke nisur nga debati për shitjen e avionëve luftarakë F-35 Turqisë.

“Askush nuk më tregon se kujt duhet t’ia shesim”, deklaroi ai.

Por çështja më e ndjeshme mbetet Irani.

Trump ka pranuar që Izraeli të mos tërhiqet nga jugu i Libanit, ka toleruar qëndrimin izraelit në Gaza dhe nuk ka komentuar dhunën në Bregun Perëndimor. Megjithatë, përballja me Teheranin lidhet drejtpërdrejt me zgjedhjet e mesmandatit dhe me të ardhmen e presidencës së tij.

Netanyahu shkoi në Uashington për të kërkuar mbështetje për një sulm të ri masiv ndaj Iranit, duke besuar se kjo është mënyra e vetme për ta detyruar Republikën Islamike të tërhiqet, edhe pse pesë muaj bombardime nuk kanë prodhuar rezultatin e dëshiruar.

“Nuk kam nevojë që Netanyahu të më tregojë”

Trump reagoi me irritim ndaj raportimeve se Netanyahu kishte sjellë në Uashington informacione të inteligjencës mbi programin bërthamor iranian.

“Nuk kam nevojë që Bibi të ma thotë. Ne e dimë saktësisht se çfarë po ndodh. Ai e thotë këtë sepse dëshiron që ne të mbetemi të përfshirë në Iran. Dhe pse duhet t’ia tregojë gjithë botës?”, tha Trump në një intervistë për Fox News.

Ai shtoi se, nëse nuk arrihet një marrëveshje me Iranin, “Mali Pickaxe mund të shkatërrohet lehtësisht”.

Izraeli kërkon një ofensivë të re

Një zyrtar i lartë izraelit deklaroi për televizionin Channel 12 se situata është në një moment vendimtar.

“Presidenti Trump do të marrë së shpejti një vendim. Ne nuk po i bëjmë presion, por as nuk po i injorojmë rreziqet. Netanyahu beson se nuk ka alternativë tjetër përveç një sulmi të ri ndaj Iranit, që do të godiste objektet bërthamore, impiantet e rindërtuara dhe bazat që nuk janë sulmuar më parë.”

Administrata amerikane mbetet e ndarë

Deri tani, Trump është shfaqur hezitues për të ndërmarrë një ofensivë të re ushtarake. Një pjesë e rëndësishme e administratës së tij, përfshirë zëvendëspresidentin J.D. Vance, kundërshton përfshirjen në një konflikt të ri.

Ndërkohë, pavarësisht goditjeve ushtarake dhe vështirësive ekonomike, Irani nuk ka ndryshuar qëndrim as për programin bërthamor dhe as për kontrollin e Ngushticës së Hormuzit.

Fundjavën e kaluar, Omani i propozoi Teheranit një plan për administrimin rajonal të ngushticës, me kontribute vullnetare nga vendet që e përdorin atë për transport detar. Megjithatë, Irani e hodhi poshtë propozimin, duke këmbëngulur se duhet të ruajë kontrollin mbi rrugët detare dhe hyrjet në Ngushticën e Hormuzit.

Zubin Potok/ Mbetjet mortore në Kalludër rezultojnë njerëzore, vijon puna për identifikimin e tyre

29 July 2026 at 11:57

Mbetjet mortore të gjetura në zonën e Kalludrës, në Zubin Potok, u konfirmuan si njerëzore nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Kosovë.

Ky zbulim i bërë gjatë gërmimeve sjell një zhvillim të ri në procesin e ekzaminimit të mbetjeve mortore të gjetura në këtë zonë dhe, sipas Ditor Halitit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, mbetjet i përkasin njerëzve.

“Për momentin e kemi siguruar vendin e ngjarjes dhe, për shkak të kompleksitetit të vendit të ngjarjes, siç po e shihni, është terren malor dhe qasja është pak më komplekse. E kemi vendosur që tash të fokusohemi në përgatitje sa më të mirë të qasjes në terren, në mënyrë që ta realizojmë gërmimin pastaj në mënyrë sa më profesionale”, tha Ditor Haliti, përfaqësues i Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Pas ekspertizës fillestare, autoritetet do të vijojnë me analizat e mëtejshme shkencore, teksa procesi po ndiqet edhe nga Kushtrim Gara i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur.

“Si zonë, si lokacion, si hapësirë, gjithmonë gjatë këtyre viteve ka pasur vëmendje dhe prioritetin e duhur, dhe çdo informacion pastaj që mund të ndahet, sigurisht që fillimisht do të ndahet me familjet dhe familjarët e personave të zhdukur.

Ne gjithmonë kemi thënë për Komisionin Qeveritar për Personat e Zhdukur: familjet dhe familjarët e personave të zhdukur, vetë personat e zhdukur, viktimat janë në qendër të këtij procesi dhe pastaj do të ndahet më tutje për opinionin publik”, tha Kushtrim Gara, Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur.

Gjetja e mbetjeve në Kalludër ka rikthyer vëmendjen te çështja e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Identifikimi i mbetjeve mortore është një proces që kërkon analiza të hollësishme shkencore. Çështja e identifikimit mbetet e ndjeshme, veçanërisht për familjet që prej vitesh presin informacion për fatin e të afërmve të tyre të zhdukur.

“I bie të rrimë 45 vjet ne këtu”, Kryemadhi parashtron në GJKKO kundërshtitë mbi akuzat

29 July 2026 at 11:41

Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) po zhvillohet seanca e radhës e procesit gjyqësor në ngarkim të Ilir Metës dhe ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhit.

Gjyqi ndodhet në fazën e parashtrimeve, ku ish-deputetja Kryemadhi lexoi kundërshtitë e saj mbi aktakuzën e SPAK.

Ish-kreu i shtetit Ilir Meta dhe ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi kanë pretenduar se provat janë marrë në mënyrë të paligjshme duke goditur vlefshmërinë e tyre.

SPAK pretendon se Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë përdorur influencën që kishin për futjen në tregun e fibrave optike si dhe lidhjen e marrëveshjes së interkonjeksionit.

këto pretendime të SPAK, Kryemadhi i kundërshtoi duke pretenduar se komunikimet e përfshira në dosje, me kushëririn e saj Ardian Shatku, tregojnë vetëm një debat institucional dhe nuk provojnë asnjë ndikim të paligjshëm apo favorizime.

Sipas Kryemadhit, një pjesë e komunikimeve, konkretisht ato të të datës 11 prill me Adrian Shatkun janë shkëputur nga kronologjia dhe janë paraqitur në mënyrë selektive nga prokuroria.

Parashtrimet dhe replika e Kryemadhit me gjyqtarin Erii

Kryemadhi: Jemi në faqen e 46 të akuzës. Jam e detyruar të bëj analizë shkencore, ku akuza bën interpretime të ndryshme. Janë disa komunikime.  Rezulton kjo fjali: U firmos dhe u shpërnda te të gjithë ministrat. Shatku thotë: Urime. Sipas akuzës ky mesazh quhet provë. Kjo nuk u miratua, atëherë akuza nuk duhet të ekzistojë. Këto komunikime lexohen në rend kronologjik, nuk provojnë ndikimin e paligjshëm politik. Mesazhi i datës 11 prill, organi i akuzës citon komunikimet me Adrian Shatkun. Mesazhet janë nxjerrë nga konteksti. Në 167 emaile që Adrian Shatku ka me mua, 4 janë përdorur nga akuza, të tjerat nuk kanë lidhje. Janë 70 faqe vetëm fibrën optike. Provat shkresore nuk vërtetojnë ndërhyrje. Organi i akuzës më numëron qimet e shtëpisë dhe mi nxjerr në media. Nëse kam vetëm 4 e-maile të Adrian Shatkut, do i lexoj edhe gjithë të tjerat.

Gjyqtari: Këtu nuk flitet për gjithçka bëni ju, vetëm për objekt i gjykimit. Jo çdo lloj komunikimi që keni pasur ju në jetën tuaj.

Kryemadhi: I bie të rrimë 45 vjet ne këtu. U them vetëm për fibrën optike organi i akuzës ka përdorur 65 mesazhe. Përderisa jam në akuzë do i përmend.

Gjyqtari: Mund të jeni më të përmbledhur.

Kryemadhi: Zoti gjyqtar, e përmbledhur është. Duke parë dosjen vetë, çdo ditë rezulton nga një provë e keqinterpretuar. Jam llahtarisur, të çohet drejtori juridik që është ambasador sot, në një nivel katastrofik, gjobaxhi. Kërkoj falje sinqerisht. Është procesverbali për mënyrën sesi kemi funksionuar.

Ndërsa, Ilir Meta ka kërkuar sërish përmes avokatit që seancën ta ndjekë jashtë kafazit të xhamtë, por kërkesa e tij u rrëzua nga gjyqtari Erion Bani.

Meta akuzohet për tre vepra penale, të cilat iu komunikuan më 4 gusht 2025, sa i përket dosjes CEZ/DIA dhe lobimit në SHBA. Ai akuzohet për fshehje pasurie, pastrim parash dhe korrupsion.

Ai ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024, ndërsa Kryemadhi është nën masën e “detyrimit për paraqitje”

❌