Ekonomia përballë rreziqeve, flluska e ndërtimit, plakja dhe sfida europiane
Intervistë / Eksperti i ekonomisë, Panajot Soko
Rritja prej 3.5% në vitin 2026 mund të fshehë një goditje të fortë nga sektori i real estate, presione të rënda fiskale nga demografia dhe rrezikun që integrimi në BE ta gjejë Shqipërinë të papërgatitur për konkurrencën e tregut të përbashkët, parashikon eksperti i ekonomisë, Panajot Soko
Si e parashikoni rritjen ekonomike të Shqipërisë për vitin 2026, në raport me trendet aktuale të konsumit, investimeve dhe eksporteve?
Në pamje të parë, referuar të dhënave që vijnë nga raportet, duket se 2026-a do të jetë një vit i zakonshëm në aspektin e performancës ekonomike; rritja ekonomike diku tek 3.5%, me ndërtimin dhe turizmin që do të vazhdojnë të jenë lokomotiva, të mbështetur nga një konsum në zgjerim.
Por, siç e thashë, kjo është ajo që duket në pamje të parë. Personalisht jam i shqetësuar, pasi besoj se tashmë vendi ynë ka hyrë zyrtarisht në zonën e rrezikut të një goditjeje që mund t’i vijë ekonomisë nga sektori i real estate, nga e ashtuquajtura “flluska e ndërtimit”, e cila duket se tashmë është pranuar në heshtje nga të gjithë aktorët që ekzistojnë.
Tregu i apartamenteve në Tiranë duket se ka tejkaluar çdo kufi stoku dhe teprica gjigante e inventarit përbën një “minë me sahat” që mund të shpërthejë në çdo moment. Sinjalet për një ngjarje të afërt në kohë janë duke ardhur nga të gjitha anët, si nga krahu i kërkesës, ashtu edhe nga krahu i ofertës.
Shumë shqetësuese, p.sh., shoh situatën shumë të keqe ku ndodhen kompanitë e ndërtimit, të cilat duket se po “vdesin” dalëngadalë, të mbytura në llogaritë e kleringut dhe problemi është se procesi i “mbytjes” gjendet në një fazë përtej asaj që mund të shpëtohet.
E njëjta tablo shfaqet edhe nëse zgjedhim të shohim atë që po ndodh me lejet e ndërtimit, ku një pjesë shumë e mirë e tyre as nuk kanë filluar fare zbatimin (dhe këtu po u referohem si lejeve për pallate, po ashtu dhe projekteve për kulla 40 apo 50-katëshe).
Nga krahu tjetër duket se të parat që po marrin masa për “shtrëngatën” që po vjen janë bankat, të cilat kanë filluar të rivlerësojnë procedurat e kreditimit të blerjes së apartamenteve, duke i shtrënguar ato.
Kërkesa për apartamente, nga krahu tjetër, është në rënie të lirë. Duket se të gjithë aktorët që deri dje gjallonin ekonominë me shumë ngjyra të sektorit të ndërtimit e kanë braktisur Tiranën, duke lënë malin e apartamenteve bosh të rritet eksponencialisht.
Dhe bashkë me “malin” e apartamenteve rritet dhe frika e asaj që po vjen.
Sepse tashmë jemi në një moment ku nuk mund të kthehemi më mbrapsht, por, si një gur që bie në liqen dhe zbret ngadalë, por qëndrueshëm, po presim momentin kur do të prekim tabanin në fund të liqenit.
Flluska e ndërtimit është paralajmëruar dhe shpërfillur prej shumë kohësh. Ne kemi bërë të njëjtin gabim që shumë të tjerë e kanë bërë para nesh.
Ne besuam (madje shumë vazhdojnë të besojnë) se vlera e pronës mund të rritet pafundësisht dhe prandaj dislokuam aty kapital shumë përtej aftësisë përtypëse të tregut. Por historia na ka mësuar që asgjë nuk rritet pafundësisht; vjen një moment dhe tregu korrektohet. Dhe korrektimi nuk vjen pa pasoja.
Çështja është se ndikimi që një krizë në sektorin e ndërtimit do të kishte mbi ekonominë do të ishte brutal. Kjo, pasi ky sektor sot është ai që ka arritur të zaptojë 1/5 e gjithë ekonomisë dhe të qëndrojë në krye të saj.
Ndikimi do të ishte gjithëpërfshirës, duke filluar që nga destabilizimi i kursit të këmbimit dhe deri te rritja e kredive të këqija në banka, duke destabilizuar dhe sektorin financiar. Siç e thashë dhe më lart, tashmë jemi të pafuqishëm për ta ndaluar atë që është nisur. Na mbetet vetëm të shpresojmë që të ndodhë sa më vonë.
Rreziku i flluskës
Kërkesa për apartamente, nga krahu tjetër, është në rënie të lirë. Duket se të gjithë aktorët që deri dje gjallonin ekonominë me shumë ngjyra të sektorit të ndërtimit e kanë braktisur Tiranën, duke lënë malin e apartamenteve bosh të rritet eksponencialisht. Dhe bashkë me “malin” e apartamenteve rritet dhe frika e asaj që po vjen. Sepse tashmë jemi në një moment ku nuk mund të kthehemi më mbrapsht, por, si një gur që bie në liqen dhe zbret ngadalë, por qëndrueshëm, po presim momentin kur do të prekim tabanin në fund të liqenit.
Me ndryshimet e strukturës demografike të vendit, cilat janë efektet e pritshme në shpenzimet publike dhe produktivitet?
E para, plakja e popullsisë do të rrisë ndjeshëm presionin mbi sistemin e pensioneve dhe mbi shpenzimet shëndetësore.
Një strukturë demografike ku raporti i të moshuarve ndaj popullsisë aktive rritet nënkupton një raport më të lartë varësie nga paratë e taksave dhe një nevojë më të madhe për transferta buxhetore.
Kjo do të sjellë rritje të shpenzimeve publike në formën e pensioneve, subvencioneve sociale dhe kujdesit shëndetësor afatgjatë, duke kufizuar hapësirën për investime produktive.
Fatkeqësisht, më duhet ta pranoj, pavarësisht se është e dhimbshme, sepse bëhet fjalë për njerëz që kanë punuar, se nëse nuk ndërmerren reforma parametrike (si rritja e moshës së daljes në pension, ndryshimi i formulës së përfitimeve apo diversifikimi i fondeve të pensioneve), sistemi aktual rrezikon të bëhet i paqëndrueshëm dhe eventualisht të rrëzohet.
Nga ana e produktivitetit, emigracioni i vazhdueshëm i forcës së re të punës dhe ulja e lindshmërisë reduktojnë bazën e kapitalit njerëzor. Kjo sjell tkurrje të ofertës së punës dhe rritje të kostos së saj, duke e bërë më të vështirë ruajtjen e konkurrueshmërisë në sektorët intensivë në punë.
Për më tepër, mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar mund të pengojë transformimin teknologjik dhe inovacionin, duke e mbajtur produktivitetin në nivele të ulëta. Nëse ky trend vazhdon, ekonomia do të përballet me një stagnim të produktivitetit total të faktorëve (TFP), çka do të kufizojë potencialin e rritjes afatgjatë.
Në këtë kuadër, efektet e pritshme janë të dyfishta: nga njëra anë, rritje e shpenzimeve publike për shkak të plakjes së popullsisë dhe nevojës për mbështetje sociale; nga ana tjetër, ulje e produktivitetit për shkak të emigracionit dhe tkurrjes së bazës së punës aktive.
Kjo krijon një spiral fiskalo-demografik, ku rritja e barrës mbi buxhetin kombinohet me dobësimin e kapacitetit prodhues të vendit.
Si parashikohet të ndikojë integrimi me BE-në dhe programet e financimit europian në ekonominë shqiptare gjatë 2026-s dhe në vijim?
Integrimi në Bashkimin Europian është një proces që nuk mund të shihet thjesht si një hap formal, por si një transformim i thellë i ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare. Momenti i parë që duhet evidentuar është përgatitja e vendit për konkurrencën e tregut të përbashkët europian.
Nëse Shqipëria nuk arrin të strukturojë ekonominë e saj dhe të rrisë standardet e prodhimit, produkti shqiptar do të shtypet nga konkurrenca e vendeve të BE-së, të cilat kanë kapacitete më të mëdha teknologjike, financiare dhe logjistike.
Kjo nënkupton se reformat sektoriale nuk janë më një opsion, por një domosdoshmëri për të mbijetuar në një treg të hapur. Pa një përgatitje serioze, Shqipëria rrezikon të mbetet një konsumator pasiv i mallrave europiane, duke humbur çdo avantazh prodhues.
Momenti i dytë lidhet me rolin që Shqipëria duhet të gjejë brenda BE-së. Pyetja themelore është: çfarë sjell Shqipëria në këtë bashkësi dhe si e pozicionon veten?
Nëse nuk ka një strategji të qartë, vendi rrezikon të kthehet në një hapësirë periferike, ku krahu i punës largohet drejt vendeve më të zhvilluara dhe ku mbetjet industriale apo flukset e refugjatëve mund të kanalizohen si një barrë e re.
Për ta shmangur këtë skenar, Shqipëria duhet të përcaktojë qartë sektorët ku ka avantazh krahasues dhe të investojë në to.
Turizmi, energjia e gjelbër, bujqësia e specializuar dhe shërbimet digjitale mund të jenë fusha ku vendi mund të ofrojë vlerë të shtuar.
Kjo kërkon politika të qarta industriale, reforma në arsimin profesional dhe universitete që përgatisin kapital njerëzor të përshtatur me kërkesat e tregut europian.
Nëse Shqipëria arrin të strukturojë ekonominë e saj, ajo mund të hyjë në BE jo si një vend i dobët që thjesht konsumon, por si një partner që sjell produkte, shërbime dhe energji të reja.
Nëse dështon, rreziku është që vendi të kthehet në një “kosh plehrash”, ku eksportohen problemet e BE-së dhe ku shfrytëzohet vetëm si një rezervuar i lirë pune.
Prandaj, integrimi nuk është thjesht një proces politik, por një provë e madhe ekonomike dhe sociale. Shqipëria duhet të vendosë nëse do të jetë një aktor aktiv me rol të qartë, apo një periferi e margjinalizuar.
Vetëm përmes reformave sektoriale të thella, vendi mund të shmangë skenarin e dështimit dhe të sigurojë një pozicion dinjitoz në tregun e përbashkët europian.
The post Ekonomia përballë rreziqeve, flluska e ndërtimit, plakja dhe sfida europiane appeared first on Revista Monitor.