16:57 Khamenei: Fuqia e Iranit qëndron te populli dhe uniteti, jo te raketat
Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka deklaruar se fuqia e një kombi nuk matet me raketa apo avionë luftarakë, por me vullnetin dhe qëndrueshmërinë e popullit, duke u bërë thirrje iranianëve të ruajnë unitetin dhe të “dëshpërojnë armikun”.
Në një mesazh të regjistruar, Khamenei tha se Revolucioni Islamik i 22 Bahmanit shënoi një fitore të madhe për kombin iranian, duke e shpëtuar vendin nga ndërhyrjet e huaja. Ai theksoi se gjatë dekadave të fundit, fuqitë e jashtme kanë tentuar vazhdimisht të rikthejnë situatën e mëparshme, por sipas tij, Irani ka qëndruar i palëkundur.
“Fuqia kombëtare lidhet më shumë me vullnetin dhe qëndrueshmërinë e popujve sesa me raketat dhe avionët,” u shpreh Khamenei, duke shtuar se marshimet dhe mobilizimi i qytetarëve në rrugë janë një mesazh i qartë për ata që, sipas tij, kanë ambicie kundër Republikës Islamike. Ai u bëri thirrje iranianëve të tregojnë edhe një herë unitet dhe vendosmëri, duke theksuar se vetëm kështu armiku mund të vihet në dëshpërim.
Deklaratat vijnë teksa Irani po përgatitet të shënojë 47-vjetorin e Revolucionit Islamik, në një klimë tensionesh të shtuara rajonale dhe ndërkombëtare.
Ndërkohë, diplomatët amerikanë dhe iranianë zhvilluan javën e kaluar bisedime indirekte në Oman, në përpjekje për të ringjallur dialogun diplomatik, mes një pranie të shtuar ushtarake të SHBA-së pranë Iranit dhe paralajmërimeve të Teheranit për reagim të ashpër në rast sulmi.
Zyrtarët iranianë kanë përjashtuar kategorikisht përfshirjen e programit raketor në negociata, duke theksuar se një nga objektivat kryesore të Teheranit mbetet njohja e së drejtës për pasurimin e uraniumit.
Sipas mediave iraniane, Ali Larijani, këshilltar i Ajatollah Khamenei dhe sekretar i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, pritet të vizitojë Omanin të martën, pas bisedimeve indirekte mes Uashingtonit dhe Teheranit të zhvilluara në Muskat./mxh



















