Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Luftë informalitetit në ndërtim/ Malaj: Gati ligji për sigurimin e detyrueshëm të banesave. Shteti do menaxhojë procesin

TIRANË- Sektori i ndërtimeve në vend i është nënshtruar një kontrolli të imtësishëm në terren nga administrata tatimore.

Ministri i financave Petrit Malaj tha se nga kontrollet e ushtruara në agjencitë imobiliare u evidentuan shkelje, përfshirë mungesë transparence në çmime, mosdeklarim real të pagave dhe shmangie të faturimit.

Një aksion pritet të nisë së shpejti edhe për sektorin ushqimor, turizmin dhe tregtinë online.

Financat tashmë kanë hartuar një ligj për sigurimin e detyrueshëm të banesave, i cili pritet të kalojë së shpejti në qeveri.

Sipas Malajt, përmbytjet dhe zjarret do të përfshihen në këtë ligj pasi të realizohen studime sipas zonave te riskut.

Përsa i përket procesit të rivlerësimit, kreu i financave tha se tashmë po përgatitën të gjitha aktet nënligjore dhe procesi parashikohet të nisë në mes të muajit shkurt.

Aksioni kundër informaliteit pritet të vijojë deri ne 23 maj të këtij viti./abcnews.al

Rritja e kapaciteteve të FA/ Ministri i Mbrojtjes: Buxheti i vitit 2026, është buxhet i “sovranitetit”

TIRANË- Pirro Vengu, Ministër i Mbrojtjes u shpreh se buxheti i këtij viti synon rritjen e pagave, rritje e gatishmërisë operacionale dhe garantimin e sovranitetit të vendit, si një vend anëtar i NATO-s.

Ai theksoi se buxheti në krahasim me një vit më parë është rritur me 12 për qind.

Ministri Vengu se fokusi është rritja e investimeve dhe rritja e pagave, duke e kthyer Forcat e Armatosura në një shembull model të shoqërisë.

“Armiku modern, nuk vjen vetëm ne tanke, vjen me algoritme, vjen me helm kibernetik. Buxheti 2026, nuk është buxhet rutinë, por është mekanizëm për të zhvilluar industrinë, për të forcuar sovranitetin digjitale dhe për të garantuar Shqipërinë si një vend anëtar i NATO.

Buxheti 2026 nuk është një buxhet rutinë, por një mekanizëm për të ndërtuar kapacitete reale, për të zhvilluar industrinë, për të forcuar sovranitetin dixhital dhe për të ndërtuar një Shqipëri si aleate e qëndrueshme në NATO. Këtë vit arrijmë vlerën 2.12 të PBB-së dhe nëse e krahasojmë me buxhetin 2025 kemi një rritje me 12%”, tha Vengu.

Do rrisim forcat aktive.  Ka shumë aplikime për vitin e ri akademik. Kemi nisur me rikthimin e ushtarakëve, që janë larguar në të kaluarën.

FA është forcë që tërheq gjithnjë e më shumë,. Kemi rritje të gatishmërisë operacioneve. Nga buxheti janë 50% investime dhe jo shpenzime. Investimet janë parashikuar në gatishmërisë operacionale, në infrastrukturë kritike etj.“, tha ai./abcnews.al

Moti i ftohtë “ngrin” Gjermaninë, paralizohet transporti në gjithë vendin

Reshjet e dendura të borës dhe shiu i ngrirë kanë ndërprerë trafikun në orën e pikut, në pjesë të mëdha të Gjermanisë sot në mëngjes. Aksidentet u bënë më të shpeshta në rrugët në verilindje sipas raporteve, përfshirë Saksoninë, Brandenburgun dhe Mecklenburg-Vorpommern.

Operatori hekurudhor “Deutsche Bahn” tha se priteshin vonesa dhe anulime të shërbimeve në distanca të gjata.

“Kjo përfshin të gjithë Gjermaninë jugore, si dhe trnsportin për në dhe nga Berlini, Hamburgu dhe Hanoveri”, tha “Deutsche Bahn”.

Në Berlin, shërbimet e tramvajit u detyruan të anuloheshin për shkak të ngrirjes së linjave të energjisë elektrike, dhe shërbimeve të transportit publik. Trashësia e borës, në Gjermaninë jugperëndimore dje në mbrëmje, arriti 25 centimetra.

Sot në mëngjes, disa pjesë të Mecklenburg-Vorpommern dhe Brandenburg ishin ende nën paralajmërime për mot të ashpër nga Shërbimi Gjerman i Motit, për shkak të rrezikut të motit të akullit.

Disa zona të Bavarisë veriore ishin nën paralajmërime për mot të ashpër për shkak të reshjeve të borës.

Pranë Weinsbergut në shtetin jugperëndimor të Baden-Württembergut, 15 deri në 20 makina dhe kamionë mbetën të bllokuar në dëborë gjatë natës – në një rrugë që lidh dy autostrada.

Moti nuk pritet të përmirësohet për momentin. Shërbimi meteorologjik pret reshje të mëtejshme dëbore në shumë pjesë të Gjermanisë gjatë ditës dhe mot të ftohtë

Grabiti institucionin financiar, arrestohet 27-vjeçari në Shkodër

Policia e Shkodrës ka arrestuar një 27-vjeçar, i cili dyshohet për një vjedhje të kryer me dhunë.

Ky person, dy ditë më parë, në lagjen “Vojo Kushi”, ka hyrë në ambientet e një institucioni financiar dhe duke kanosur punonjësit me çekiç, ndërsa ka vjedhur shumën prej 143,500 lekë.

Ai akuzohet për veprën penale “Vjedhja me dhunë”./abcnews.al

Maqedoni e Veriut, 370 kamionë bllokojnë kufirin / Protesta prek edhe kalimin në Qafë Thanë, ndalet transporti i mallrave drejt BE

Sot rreth mesditës, 370 automjete të rënda do të bllokojnë të gjitha pikat kufitare në vend. Do të ndalet transporti i mallrave drejt Bashkimit Evropian dhe tranziti nëpër rajon. Do të lejohen vetëm kamionët që transportojnë ilaçe, kafshë të gjalla, eksplozivë dhe municion.

Shkak për protestën është sistemi i ri i hyrje-daljes në vendet e zonës Shengen, i cili kufizon qëndrimin e shoferëve të kamionëve nga Ballkani Perëndimor. Plani është që bllokadat të zgjasin shtatë ditë, por protestuesit janë të gatshëm t’i ndërpresin ato nëse BE-ja nis negociata për zgjidhjen e problemit.

“Nëse qoftë ditën e parë apo të dytën dërgohet sinjal tek institucionet kompetente të shtetit tonë se do të zhvillohen takime për gjetjen e një zgjidhjeje, ne menjëherë do ta ndërpresim bllokadën. Nuk duam t’i shkaktojmë dëm as vetes, as ekonomisë. Si rajon do të përballemi me një situatë ku shumë transportues do të kërkojnë zgjidhje duke transferuar kapitalin në shtete të tjera të BE-së, gjë që do të çonte në kolaps të tërë ekonomisë,” deklaroi Biljana Muratovska, nga Shoqata e Transportit Makam-Trans.

Transportuesit paralajmërojnë se nëse BE-ja nuk gjen mënyrë për tejkalimin e këtij problemi, kjo do të nënkuptojë kolaps për ekonominë e Ballkanit Perëndimor. Kostot e transportit do të rriten shumëfish, e bashkë me to edhe çmimet e produkteve.
Nga Qeveria thonë se janë në komunikim me përfaqësuesit evropianë me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje dhe për të vënë në dukje problemet e transportuesve, të cilat përbëjnë kërcënim serioz për ekonominë.
Përveç transportuesve nga Maqedonia e Veriut, kamionët në pikat kufitare do t’i parkojnë edhe transportues nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina. Nuk do të ketë pengesa për hyrje-daljen e autobusëve të udhëtarëve dhe automjeteve personale.

“Drejtësi e vonuar, drejtësi e mohuar”, Begaj thirrje institucioneve gjyqësore: Të ndalen zvarritjet procedurale

 Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka theksuar sot nevojën për përgjegjësi institucionale dhe garantimin e sigurisë juridike dhe barazisë para ligjit.

Në një fjalim përpara institucioneve të drejtësisë, Begaj vuri theksin tek rëndësia e eficencës institucionale dhe rreziku që paraqesin zvarritjet procedurale dhe vonesat në shqyrtimin e dosjeve.

Ai rikujtoi parimin se “drejtësi e vonuar, është drejtësi e mohuar”, ndërsa shtoi se vonesat në zbardhjen e vendimeve ndikojnë negativisht në perceptimin e qytetarëve.

Presidenti shtoi se vetëm përmes ofrimit të drejtësisë dhe rikthimit të besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor mund të arrihet progres i qëndrueshëm dhe avancimi në rrugën drejt Bashkimit Europian. Ai përfundoi fjalën duke theksuar mbështetjen e tij për forcimin dhe funksionalitetin e sistemit të drejtësisë, si dhe ruajtjen e integritetit të tij.

“Kërkohet përgjegjësi institucionale. Të garantohet siguria juridike dhe barazia para ligjit. Një tjetër parim në drejtësi është “drejtësi e vonuar, është drejtësi e mohuar”.

Zvarritjet procedurale, qartësia e vendimit, koha e gjatë e shqyrtimit të dosjeve, zbardhja me vonesë e vendimeve perceptojnë dhe nxisin impaktin dhe mendimin negativ tek qytetarët. Duhet eficencë institucionale. Dhe vetëm duke dhënë drejtësi, duke fituar drejtësinë te qytetarët, do kemi progres të qëndrueshëm edhe në rrugën drejt BE.

Kjo është zgjidhja e vetme që kemi dhe sfida me e rëndësishme për institucionet që ndodhen në këtë sallë dhe për të gjitha ata që vendosin në emër të Kushtetues dhe ligjit. Mbështes forcimin dhe funksionalitetin e sistemit të drejtësisë dhe ruajtjes së integritetin e tyre”, tha Begaj.

Hapja e vitit të ri gjyqësor/ Presidenti Begaj: Drejtësi e pavarur dhe me integritet!

TIRANË – Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, në hapjen e vitit të ri gjyqësor, apeloi për drejtësi të pavarur dhe me integritet.

Ai theksoi se reforma në drejtësi ishte një përgjigje e domosdoshme ndaj krizës në sistemin gjyqësor, dhe 10 vjet më pas rezultatet janë të dukshme.

Presidenti nënvizoi gjithashtu rolin e të gjithë aktorëve politikë, institucioneve publike, medias dhe shoqërisë civile, që bashkëpunojnë me organet e drejtësisë dhe problemt e tyre i zgjidhin përmes rrugës ligjore.

Kjo shtoi kreu i shtetit tregon se është rritur besimi në drejtësi.

“Hapja e e vitit të  gjyqësor nuk përfaqëson vetëm një kalander pune, por shënon hapjen e një kapitulli të ri të së drejtës. Përkon me 10- vjetorin e reformës në drejtësi. Reforma ishte përgjigje e domosdoshme  ndaj një krizës në sistemin e drejtësisë.

Dhjetë vjet më pas, rezultate janë të dukshme. Shumica e qytetarëve besoj se epoka e pandëshkueshmërisë ka nisur të marrë fund.

Të gjithë aktorët politikë, publikë, media dhe shoqëria civile i reformohet kushtetutës dhe organet e drejtësisë, duke adresuar problematikat e tyre në formë ligjore. Kjo është një kulturë demokratike. Drejtësia funksion, kur ajo respektohet”, tha kreu i shtetit.

U arrestua në Dubai/ Kush është Bujar Sefa, pjesë e grupit “Rraja” që trafikuan 2.4 tonë drogë drejt BE

DUBAI- Arrestohet në Dubai Bujar Sefa, i shpallur në kërkim nga SPAK si pjesë e grupit “Rraja”.  Ai u shpall në kërkim nga SPAK më 15 dhjetor 2025 si pjesë e një grupi, i cili  kishte trafikuar 2.4 tonë kanabis dhe kokainë drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Më herët, Sefa i kishte shpëtuar arrestimit nga policia gjatë një operacioni në fshatin Nojë, ku u sekuestruan 145 kilogramë hashash dhe municion luftarak.

Po ashtu telashet e tij me drejtësinë nuk janë vetëm në Shqipëri.

Ai është në kërkim dhe nga autoritetet italiane, pasi është dënuar në Itali me 12 vjet e 9 muaj burg, ndërsa i janë konfiskuar pasuri me vlerë deri në 346 mijë euro.

Nga dosja hetimore rezulton se Bujar Sefa, i njohur edhe si Xaka, kishte rol drejtues në një grup kriminal që merrej me kultivimin e lëndëve narkotike.

Nga përgjimet e kryera,  ai kujdesej për punëtorët e angazhuar në parcelat e kanabisit./abcnews.al

Plagosje e dyfishtë me thikë në Durrës, detajet e para

Një ngjarje e rëndë dyshohet se ka ndodhur këtë mëngjes pranë tregut të fruta-perimeve në Durrës, ku ka mbetur i plagosur një çift i ri.

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, por dëshmi të pakonfirmuara ende zyrtarisht nga policia, babai ka plagosur vajzën dhe dhëndrin me thikë.

Ata janë transportuar me makina të rastit me urgjencë në spital. Gjendja e tyre nuk dihet ende, por mësohet se kishin marrë disa plagë nga goditjet me thikë.

Drejtues i një grupi kriminal/ Arrestohet në Dubai Bujar Sefa, pritet ekstradimi drejt Shqipërisë

EMIRATET E BASHKUARA ARABE- Një 39 vjeçar, i shpallur  në kërkim ndërkombëtar për llogari të SPAK është arrestuar në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Bëhet fjalë për Bujar Sefa alias Bujar Xaka, i cili akuzohet si drejtuesi i një grupi kriminal që ka kultivuar bimë narkotike, në Krujë,

Ai është shpallur në kërkim nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitje e narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Ai akuzohet se ka qenë drejtuesi i një grupi kriminal, i cili në vitin 2020 ka kultivuar bimëve narkotike në fshatrat e njësisë administrative Cudhi, Krujë.

Interpol Tirana dhe Interpol Abu Dhabi po bashkëpunojnë për të kryer procedurat e ekstradimit të këtij shtetasi, në Shqipëri./abcnews.al

Shqetësimi në SHBA/ Rrjetet sociale mes orëve të mësimit, alarm për përdorimin e telefonit në shkollë

Fëmijët dhe adoleshentët po kalojnë një pjesë të konsiderueshme të ditës së shkollë me telefonat e tyre, shumë më tepër sesa mendojnë prindërit. Një studim i publikuar nga revista “JAMA” tregon se të rinjtë amerikanë të moshës 13–18 vjeç shpenzojnë mesatarisht rreth 70 minuta të ditës shkollore në telefon, kohë që përkon drejtpërdrejt me orët e mësimi, sipas CNN.

Sipas autorit kryesor të studimit, Dr. Jason Nagata nga Universiteti i Kalifornisë në San Francisko, kjo kohë merret nga momentet kur nxënësit duhet të jenë të përqendruar në klasë. Ai thekson se përdorimi i telefonit gjatë mësimit ndikon negativisht në përqendrim dhe në cilësinë e të nxënit.

Ky studim dallon nga kërkimet e mëparshme sepse nuk u mbështet në vetë-raportimin e adoleshentëve, por në një aplikacion që regjistroi realisht përdorimin e telefonit. Të dhënat treguan se pjesa më e madhe e kohës gjatë shkollës shpenzohej në rrjete sociale si TikTok, Instagram dhe Snapchat, si dhe në aplikacione lojërash dhe video si YouTube.

Edhe pse disa nxënës thonë se telefonat u nevojiten për detyra shkollore, aplikacionet më të përdorura kishin shumë pak lidhje me mësimin. Kjo sugjeron se telefoni po shërben më tepër si burim shpërqendrimi sesa si mjet edukativ gjatë orarit shkollor.

Studiuesit vërejnë gjithashtu se, pavarësisht rregullave kufizuese në shumicën e shkollave, shumë adoleshentë po gjejnë mënyra për t’i anashkaluar ato. Studimi përfshiu vetëm përdorues të Android-it dhe u zhvillua në periudhën 2022–2024, çka do të thotë se nevojiten analiza të tjera për të vlerësuar ndikimin e politikave më të reja shkollore.

Ekspertët këshillojnë që prindërit të mos i fajësojnë fëmijët, pasi telefonat janë të dizajnuar për të krijuar varësi. Në vend të ndëshkimit, rekomandohet dialogu, përfshirja e fëmijëve në vendosjen e rregullave dhe kufizimi i njoftimeve ose lënia e telefonit në shtëpi gjatë shkollës.

Po aq e rëndësishme është edhe sjellja e vetë prindërve. Studimet tregojnë se mënyra se si prindërit përdorin telefonin ndikon drejtpërdrejt në zakonet digjitale të fëmijëve, duke e bërë shembullin personal një nga mjetet më efektive për të nxitur përdorim më të shëndetshëm të teknologjisë.

Kreu 11 vjedhje, 7 nën kërcënimin e armës lodër/ Arrestohet 30-vjeçari nga Mamurrasi

Policia ka arrestuar një 30-vjeçar, autori i dyshuar i një serie vjedhjesh nën kërcënimin e armës. Gjatë vitit 2025 dhe janarit të këtij viti, 30-vjeçari dyshohet se ka kryer 11 vjedhje, ndër to 7 nën kërcënimin e armës.

Gjithashtu, 30-vjeçari dyshohet se ka djegur pjesërisht një automjet në Tiranë dhe ka kanosur me fjalë ish-vjehrrën e tij.

Si rezultat i fazës së dytë të operacionit, në bashkëpunim me DVP Tiranë, u bë e mundur kapja në Tiranë e 30 vjeçarit, banues në Mamurras, i dyshuar për veprat penale “Vjedhja me armë”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kanosja”, si autor i 11 vjedhjeve (dy karburanteve, një dyqani dhe 4 taksistëve nën kërcënimin e armës, ku dyshohet se ka përdorur një pistoletë lodër, si dhe ka kryer edhe 4 vjedhje të tjera, në markete e banesa).

Në momentin e ndalimit, 30-vjeçari ka qenë në shoqërinë e jë 42 vjeçari, lindur në Mamurras dhe banues në Tiranë, ku gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, armë gjahu, fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe aparat celular.

42-vjeçari u procedua penalisht për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve të gjahut” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”.

Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit, i dyshuar si bashkëpunëtor i 30-vjeçarit.

Identifikimi i autorëve u bë gjatë fazës së parë të këtij operacioni, të zhvilluar në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës.

Ndërkohë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet e thelluara për zbardhjen e rasteve të tjera të vjedhjeve të ndodhura më parë, që dyshohet se janë kryer nga ky shtetas.

Pamjet e aksionit/ Goditen “shtëpitë e barit” në Malësi të Madhe, 5 në pranga

MALËSI E MADHE- Policia ka zbuluar një tjetër rast të kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura me llamba, në fshatin Boriç i Madh. Me këtë goditje, shkon në 13 numri i rasteve të evidentuara gjatë operacionit “Neonët”.

Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë një 35-vjeçar, ndërsa u shpall në kërkim një 36-vjeçar, të dyshuar se kishin përshtatur 3 ambiente (1 banesë dhe 2 stalla) për kultivimin dhe tharjen e kanabisit, duke i furnizuar pajisjet me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Po ashtu, u ndaluan 4 punonjës të OSHEE-së dhe u procedua penalisht edhe një punonjës tjetër për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Të arrestuarit janë Kol Narkaj, Valentin Kuvendaj, Xhuljano Ceraj, Faik Muselaj, Fatmir Kajoshaj.

Nga kontrollet, Policia sekuestroi 771 bimë të dyshuara narkotike kanabis, 6,2 gramë material bimor, si dhe pajisje të shumta elektrike, përfshirë 195 llamba, 21 aspiratorë dhe 20 filtra ajri, të përdorura për kultivimin e bimëve narkotike.

Operacioni u zhvillua nga  Policia e Shkodrës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Malësi e Madhe dhe me mbështetjen e Forcave të Posaçme “Shqiponjat”.  Aktualisht vijon kapjen e personit në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Tronditet Meksika/ Ekzekutohen 11 persona në një fushë futbolli, 12 të plagosur

Të paktën 11 persona u vranë dhe 12 të tjerë u plagosën pasi persona të armatosur hapën zjarr në një fushë futbolli në Salamanca të Meksikës, në fund të një ndeshjeje.

Sulmi, sipas kryetarit të bashkisë Cesar Prieto, është pjesë e një vale dhune që po godet qytetin.

Autoritetet lokale dhe federale kanë nisur hetimet dhe po forcojnë sigurinë. Guanajuato mbetet shteti me numrin më të lartë të vrasjeve në vend, për shkak të përplasjeve mes grupeve kriminale, pavarësisht se qeveria raporton një rënie të përgjithshme të normës së vrasjeve në Meksikë.

“Fatkeqësisht, ka grupe kriminale që përpiqen t’i nënshtrojnë autoritetet, diçka që nuk do ta arrijnë,” tha kryetari i bashkisë.

Qeveria e Meksikës thotë se norma e vrasjeve në vend për vitin 2025 ishte më e ulëta që nga viti 2016, me 17.5 vrasje për 100,000 banorë, megjithëse analistët paralajmëruan se këto shifra mund të mos pasqyrojnë plotësisht dhunën në vend.

Stuhia dimërore “kaplon” SHBA/ Të paktën shtatë të vdekur dhe 800 mijë banorë pa energji elektrike

Një stuhi e rrezikshme dimërore ka përfshirë SHBA-në, duke lënë të paktën shtatë të vdekur dhe duke ndërprerë energjinë elektrike për qindra mijëra shtëpi.

Shkollat dhe rrugët në të gjithë vendin janë mbyllur dhe fluturimet janë anuluar, pasi kushtet “kërcënuese për jetën” shtrihen nga Teksasi në New England, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit (NWS).

Të paktën dy persona vdiqën nga hipotermia në Luiziana, dhe vdekje të tjera të lidhura me stuhinë janë raportuar në Teksas, Tenesi dhe Kansas.

Që nga pasditja e së dielës, më shumë se 800,000 familje kishin mbetur pa energji elektrike, sipas poweroutage.us, shkruan BBC.

Ndërkohë, më shumë se 11,000 fluturime u anuluan, raportoi FlightAware.

Bora e madhe, breshëri dhe “shiu i ngrirë”, i cili është një fenomen i rrezikshëm ku pikat e ftohta të shiut ngrijnë menjëherë në sipërfaqe, mund të zgjasin me ditë të tëra, dhe stuhia mund të prekë rreth 180 milionë amerikanë – më shumë se gjysmën e popullsisë.

“Bora dhe akulli do të shkrihen shumë, shumë ngadalë dhe nuk do të zhduken së shpejti, dhe kjo do të pengojë çdo përpjekje për rimëkëmbje”, ka thënë Allison Santorelli, një meteorologe në Shërbimin Kombëtar të Motit, për CBS News.

Departamenti i Shëndetësisë i Luizianës konfirmoi të dielën se dy burra kishin vdekur nga hipotermia.

Edhe kryebashkiaku i Austin, Teksas, tha se kishte pasur një vdekje “të lidhur me ekspozimin”.

Ndërsa zyrtarët në Kansas thanë se një grua, trupi i së cilës u gjet të dielën pasdite i mbuluar me borë, “mund të ketë vdekur nga hipotermia”.

Vdekje të tre personave të lidhura me motin janë raportuar edhe në Tenesi. Ndërkohë, kryebashkiaku i qytetit të Nju Jorkut, Zohran Mamdani, shkroi në një postim në X se të paktën pesë persona në qytet kishin vdekur të shtunën, por shtoi se shkaku i vdekjes së tyre ende nuk është përcaktuar.

Guvernatorja e shtetit të Nju Jorkut, Kathy Hochul, i paralajmëroi banorët të qëndrojnë brenda dhe jashtë rrugëve.

“Ky është sigurisht moti më i ftohtë që kemi parë, stuhia më e ftohtë dimërore që kemi parë në vite”, tha ajo të dielën.

“Një lloj rrethimi arktik ka pushtuar shtetin tonë dhe shumë shtete të tjera në të gjithë vendin”.

Hochul tha se kushtet “brutale” pritej të sillnin periudhën më të gjatë të të ftohtit dhe reshjet më të larta të borës në vite.

E guvernatori i Kentucky-t, Andy Beshear, theksoi të dielën se shteti po shihte më shumë akull dhe më pak borë sesa ishte parashikuar fillimisht.

Ekspertët e motit kanë paralajmëruar se një nga rreziqet më të mëdha të stuhisë është akulli, i cili ka potencialin të dëmtojë pemët, të rrëzojë linjat e energjisë dhe t’i bëjë rrugët të pasigurta.

Kanadezët janë goditur gjithashtu nga bora e madhe dhe qindra fluturime të anuluara.

Energjia elektrike e gjelbër/ Ja cilat vende të BE po e përdorin më shumë

Përdorimi total nga burimet e rinovueshme në të gjithë BE-në ka arritur pothuajse 50%, i nxitur nga energjia hidrike dhe, gjithnjë e më shumë, nga energjia diellore. Austria kryeson BE-në për përdorimin e energjisë elektrike të rinovueshme, me pjesën më të lartë të energjisë që vjen nga burimet e gjelbra.

Sipas Eurostat, vendi u rendit i pari me një normë përdorimi të energjisë elektrike të gjelbër prej gati 90%, e rritur nga 16 hidrocentralet e saj. Suedia vjen e dyta me 88%, e mundësuar kryesisht nga era dhe uji, ndërsa një vend tjetër nordik, Danimarka, vjen e treta me 80%, falë rrjetit të saj të gjerë të parqeve me erë në tokë dhe në det të hapur.

Norma dukshëm mbi 50% u regjistruan gjithashtu në Portugali (66%), Spanjë (60%) dhe Kroaci (58%), ndërsa Italia dhe Franca u renditën në gjysmën e poshtme, përkatësisht të 18-të dhe të 21-të në BE.

Përqindjet më të ulëta të përdorimit të energjisë elektrike të gjelbër u gjetën në Maltë (11%), Republikën Çeke (18%), Luksemburg (20.5%), Hungari dhe Qipro (24%).

Këto shifra mbulojnë të gjithë energjinë elektrike që vjen nga burime të rinovueshme, përfshirë atë të importuar nga jashtë. Ndërkohë, bëhet e ditur se përdorimi i energjisë elektrike të gjelbër në të gjithë Bashkimin Evropian është rritur ndjeshëm gjatë dy dekadave të fundit.

Në vitin 2004, ajo përbënte vetëm 16% të konsumit total të energjisë elektrike. Rreth 10 vjet më vonë, kjo shifër u rrit në gati 29%, dhe sot qëndron në 47.5%.

A do ta kalojë energjia diellore, energjinë hidro – si burimi kryesor i energjisë elektrike të gjelbër?

Energjia e erës aktualisht përbën pjesën më të madhe të burimeve të rinovueshme të përdorura për të prodhuar energji elektrike, me 38% të totalit, e ndjekur nga energjia hidro me 26%.

Megjithatë, rritja më e shpejtë është energjia diellore, e cila shkoi nga vetëm 1% në vitin 2008 në mbi 23% në vitin 2024, me 304 TWh.

Eksperti i energjisë në Bruegel, Ben McWilliams, i tha ‘Europe in Motion’ se “është pothuajse e sigurt që energjia diellore do të kalojë energjinë hidro në vitet e ardhshme”.

“Zhvilluesit vazhdojnë të ndërtojnë centrale diellore me një ritëm rekord, ndërsa vendosja e energjisë hidrike nuk rritet”, tha ai, duke shtuar se sa më shumë panele diellore të instalojë Evropa, aq më mirë për sigurinë energjetike.

“Çdo panel i ri diellor zvogëlon varësinë nga nafta, gazi dhe qymyri, dhe këto varësi janë kërcënimet e vërteta për sigurinë energjetike evropiane”, theksoi McWilliams.

Mbështetja e BE-së nga energjia diellore në Kinë nuk është një problem afatgjatë

Edhe pse shumica dërrmuese e paneleve diellore të instaluara në BE prodhohen në Kinë, McWilliams përjashtoi idenë se kjo e bën Evropën më të brishtë mes tensioneve gjeopolitike.

“Panelet diellore janë një stok jo një rrjedhë; pasi BE të ketë instaluar një panel nga Kina, ai është aty përgjithmonë”, tha ai. “Nëse – për çfarëdo arsye – importet e paneleve diellore nga Kina ndalen, kjo thjesht do të ngadalësonte ndërtimin e paneleve të reja diellore dhe furnizimi do të rritej diku tjetër (përfshirë brenda vendit) gjatë një periudhe dy-tre vjeçare”.

Sipas Solar Power Europe, aktualisht ka 166 kompani në BE aktive në zinxhirin fotovoltaik, ose të energjisë së dritës. Shumica dërrmuese e tyre janë në Gjermani, megjithëse kapaciteti më i madh i energjisë diellore për frymë prodhohet në Holandë, me rreth 1,044 W në vit.

Krijohet bateria që mund të zëvendësojë litiumin

Inxhinierët kinezë kanë krijuar një lloj të ri baterie me natrium dhe squfur, të cilën thonë se mund të jetë një alternativë më e sigurt dhe më e lirë ndaj qelizave të litiumit,sipas “The Independent”.

Një numër gjithnjë e në rritje i pajisjeve elektronike përdorin litium si material kryesor të baterisë. Por bateritë e litiumit janë të prirura ndaj ngrohjes së tepërt dhe problemeve me burimet e materialeve, duke sjellë rreziqe sigurie dhe kosto më të larta.

Shkencëtarët në mbarë botën janë në kërkim të materialeve të baterive me cilësi më të dëshirueshme.

Përpjekjet e mëparshme për të dizajnuar bateri natrium-squfur hasën në probleme të mundshmërisë, përfshirë nevojën për një sasi të madhe metali natrium, gjë që kufizonte përdorimin e gjerë.

Këto dizajne të mëparshme gjithashtu hasën vështirësi në krijimin e reaksionit kimik kryesor të nevojshëm për prodhimin e energjisë në temperaturën e dhomës. “Përdorimi i një sasie të konsiderueshme metali natrium në anodë, zakonisht dhjetëra herë më i madh se ai i baterive konvencionale me litium ose natrium, dëmton sigurinë dhe kostoefektivitetin, duke sakrifikuar gjithashtu densitetin e energjisë dhe fuqisë së disponueshme,” shpjeguan studiuesit në një studim të publikuar në revistën Nature.

Shkencëtarët ndryshuan reaksionin kimik për të krijuar një bateri me anodë të lirë me tension të lartë që funksionon mirë në temperaturën e dhomës.

Ata thonë se dizajni i ri ofron një tension shkarkimi prej 3.6 volt, krahasuar me vetëm rreth 1.6 V në versionet e mëparshme.

Bateria tregon “performancë elektro-kimike dhe praktikshmëri të shkëlqyer” dhe ka një kosto “shumë më të ulët se alternativat aktuale”. Studiuesit thonë se kostoja e saj mund të jetë deri në dy rendë më e ulët se bateritë aktuale të natriumit.

Megjithatë, ata argumentojnë se dizajni ka potencialin të adresojë problemet e zinxhirit të furnizimit dhe sigurisë që prekin teknologjinë e baterive aktualisht.

“Bateria jonë natrium-squfur pa anodë tregon potencial për ruajtjen e energjisë në rrjet dhe elektronikë të veshshme”, thanë studiuesit.

❌