Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

AKU, kontroll në tregun e Milotit/ Bllokohen rreth 73 kg mish derri, tregtohej jashtë standardeve

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar një sasi prej 75.8 kilogramësh mish derri në tregun e Milotit, pasi u konstatuan parregullsi serioze. Sasia e bllokuar ishte pa vulë identifikimi, pa faturë tatimore dhe po tregtohej në kushte të papërshtatshme për konsum, duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve. Mishi i konfiskuar u asgjësua nga inspektorët, ndërsa ndaj tregtarit u vendos edhe masë administrative.

AKU thekson se mbetet në gatishmëri të plotë për të garantuar sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorit. Autoriteti kërkon gjithashtu bashkëpunim me institucionet ligjzbatuese, për të vijuar kontrollet në të gjitha rastet ku evidentohen parregullsi në tregtimin e produkteve ushqimore.

Qytetarëve u bëhet thirrje që të blejnë vetëm nga subjekte të licencuara dhe të autorizuara dhe të denoncojnë çdo rast të dyshimtë, duke ndihmuar në mbrojtjen e sigurisë ushqimore. Ky aksion vjen vetëm pak ditë pas bllokimit të një sasie të madhe qumështi për bebe, që rrezikonte shëndetin e fëmijëve.

KiE, alarm për paraburgimin në Shqipëri/ Drejtori për sundimin e ligjit: Norma, 5 herë me lartë se në BE

Shqipëria ka norma paraburgimi deri në pesë herë më të larta se mesatarja e Bashkimit Europian.

Gianluca Esposito, Drejtor i Përgjithshëm i të Drejtave të Njeriut dhe Sundimit të Ligjit në Këshillin e Europës, theksoi se këto janë sfida serioze për vendin, ku paraburgimi përdoret gjerësisht dhe në periudha kohore të tejzgjatura.

Esposito, në një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, citoi gjetjet e raportit të fundit të Komitetit për Parandalimin e Torturës duke konfirmuar se situate në Shqipëri është vërtet shqetësuese.

“Shkalla e paraburgimit në Shqipëri prej 94.6 personash për 100,000 banorë është pothuajse katër ose pesë herë më e lartë se mesatarja e BE”, tha Gianluca Esposito.

Sipas të dhënave zyrtare, që nga nëntori 2025, popullsia e burgjeve në Shqipëri ishte 4,578 të burgosur, 58% e të cilëve ishin në paraburgim.

Raporti zbulon se Shqipëria është ndër vendet me normat më të larta të burgosjes brenda Këshillit të Evropës, ndërsa përdorimi në rritje i paraburgimit ka kontribuar në mbipopullimin në disa qendra paraburgimi.

Tjetër shqetësim i madh mbetet kohëzgjatja e paraburgimit, me një normë mesatare mbi 8 muaj ose 253 ditë.

“Kohëzgjatja e tepërt e paraburgimit dhe mungesa e arsyetimit të mjaftueshëm gjyqësor janë identifikuar gjithashtu nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në disa vendime kundër Shqipërisë”, shtoi më tej Gianluca Esposito.

Sipas Esposito paraburgimi i zgjatur ndikon drejtpërdrejt në lirinë individuale dhe minon parimin themelor të prezumimit të pafajësisë. Ai i bëri thirrje qeverisë shqiptare të ndërmarrë hapa për të përmirësuar legjislacionin dhe praktikat gjyqësore.

Thirrje që është dëgjuar nga kryeministri Edi Rama, i cili ndau të njëjtin shqetësim duke marrë për referencë 33 masat e fundit të sigurisë për Kurum.

“Arritën një kulm të ri këtë javë me 30 e kusur fletë-arresti të prera nga një prokuror në Durrës, i cili në fakt nuk paraburgosi vetëm veten e vet, – se të gjitha çfarë kishte rreth e rrotull për një çështje që nuk përmbush asnjë kusht, zero, hiç nga ato që Këshilli i Europës dhe drejtësia demokratike përcakton si kushte të domosdoshme për arrestin, – i futi në një thes”, tha kryeministri Rama.

Por edhe kryeministri Rama konfirmoi se qeveria shumë shpejt do të ndërhyjë me masa konkrete për të adresuar problemin e paraburgimit në Shqipëri.

“Ne jemi të vendosur që do të ndërhyjmë për ta shëruar këtë plagë me masa të tjera me atë që e kam quajtur reflektim i madh dhe për të cilin po punojmë me një sërë partneresh shumë të rëndësishëm europian për të bërë ndërhyrjet e duhura dhe pa humbur shumë kohë”, shtoi më tej kreu i qeverisë.

Sherr mes dy personave në Vlorë/ Përfund në spital avokati i Metës, Kujtim Cakrani

55-vjeçari, Kujtim Cakrani, është dërguar për ndihmë mjekësore në spitalin rajonal të Vlorës, në repartin e kirurgjisë, pas një përplasjeje fizike me një person tjetër.

Ngjarja është regjistruar rreth mesditës së sotme në qytetin bregdetar. Sipas informacioneve paraprake, konflikti ka nisur fillimisht si një grindje verbale mes dy personave, për shkak të lënies hapur të derës së një automjeti. Situata më pas ka degraduar në përplasje fizike, ku 55-vjeçari është dëmtuar pasi është goditur nga dera e automjetit.

Menjëherë pas incidentit, i dëmtuari është transportuar drejt spitalit për trajtim mjekësor, ndërsa policia ka mbërritur në ambientet e spitalit dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Burime bëjnë me dije se Kujtim Cakrani njihet edhe si avokati i ish-presidentit Ilir Meta.

Mijëra vizitorë në janar/ Muzeu i Krujës tërheq turistë të huaj, interes për historinë dhe kulturën

Muzeu Historik Kombëtar i Krujës ka shënuar  një numër të lartë turistësh  gjatë muajit janar të këtij viti.

Vizitorët janë nga  vende të ndryshme të botës të cilët tërhiqen  nga dëshira për të njohur më nga afër historinë e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, si dhe trashëgiminë e pasur historike që ofron qyteti i Krujës.

Ndërkohë edhe  vendasit dhe  vizitorë nga   Kosova tregojnë interes për historinë.

Turistët ndalen edhe në Pazarin karakteristik të Krujës ku gjenden punime artizanale dhe suvenire tradicionale

Kruja vazhdon të mbetet një nga destinacionet më të preferuara turistike në Shqipëri, duke u shndërruar gjithnjë e më shumë në turizëm gjithëvjetor

Rreth 5 mijë turistë vendas dhe të huaj kanë vizituar qendrën historike gjate muajit janar.

Për herë të parë në spital…95 vjeç/ I moshuari rrëfen për ABC News sekretet e një jete të gjatë dhe të shëndetshme

“Është hera e parë në jetën time që shoh spital me sy. Unë në korrik mbush 95 vjeç”.

Është 95-vjeç, Enrik Prendushi nuk i ka parë shpesh ambiente e spitalit. Në gati një shekull jetë, ai tregon se kjo është hera e parë që shtrohet në spital, pasi muajt e fundit shfaqi probleme me rrahjet e zemrës.

“Këtë problem e kam pasur 2–3 muajt e fundit. Çrregullimi është i rrahjeve të pulsit. Gjithë jetën nuk jam trajtuar as për zemër, dhe asnjë problem tjetër. Kam bërë një jetë normale.”

Prendushi ka punuar për shumë dekada si topograf, duke shkelur pothuajse çdo cep të vendit në këmbë. Përveç jetës aktive, ai tregon se ka qëndruar larg veseve të këqija si duhani apo alkooli, ndërsa thotë se ka ndjekur edhe dietën e shëndetshme ushqimore.

“Si topograf kam shëtit gjithë jetën për shkak të punës. Plus ka të bëjë edhe trashëgimia. Vëllai 87, motra ende gjallë dhe mbush 99 vjeç. Nuk kam abuzuar kurrë në jetën time. 30 vitet e fundit kemi pasur regjim të fortë ushqimor, me orar fiks për tre vaktet.”

Pas daljes në pension si topograf, ai punoi deri në moshën 80-vjeçare në ndërtim. Krahas jetës aktive, pasioni për të ecur në këmbë e shoqëron edhe sot e kësaj dite, edhe pse me orë të reduktuara.

“Deri në 80 vjeç kam punuar. Edhe, pse isha në pension, kam punuar në ndërtim. E kam shtëpinë te stacioni i trenit, lëvizja për shumë vite në këmbë me bashkëshorten time deri te liqeni. Për vite të tëra. Vitin e fundit sikur më kanë lënë pak këmbët, më kanë thënë me marr shkop, do ta marr. Deri tash kap pas krahun e gruas ndihmë”.

Historia e 95-vjeçarit na dëshmon se rregullat e jetës janë të thjeshta, por kërkojnë disiplinë dhe përkushtim për t’u zbatuar.

“Me lëvizje, mos me abuzua me alkool e duhan i dimë të gjithë… por janë rregulla të thjeshta, po nuk i zbatojmë.”

Shpesh herë specialistët e shëndetit jetëgjatësinë e lidhin me stilin e jetesës, si jeta aktive, ushqyerja e shëndetshme dhe larg veseve të këqija si duhani apo alkooli.

Rruga u dëmtua nga moti i keq/ Hapet aksi që lidh fshatin Matogjin e Bashaj me Vlorën

Rruga që lidh fshatin Matogjin me Bashajn në Qarkun Vlorë  e cila ishte bllokuar prej rrëshqitjes së dherave si pasojë e motit të keq disa ditë më parë tashmë është  e hapur për qarkullimin e automjeteve.

Për shkak të shembjes së masivit të dheut banorët e fshatit Bashaj për disa ditë me radhë nuk kishin mundësi të lëviznin.

Forcat e ushtrisë kanë punuar intensivisht për rreth dy javë  për hapjen e një rruge alternative.

Aktualisht, rruga ka përfunduar.  Gjatë kësaj jave pritet të montohet ura metalike pranë përroit, e cila do ta bëjë aksin plotësisht të kalueshëm dhe më të sigurt për banorët e zonës.

Gjimshiti “fitues” i Atalanta/ Kapiteni kuqezi ka 165 triumfe për ekipin italian në 10 vjet

Padyshim që vazhdon të bëhet gjithnjë e më i veçantë.

Berat Gjimshiti po e shkruan çdo javë historinë e tij dhe kapiteni i Shqipërisë arriti në 165 fitore në karrierë tek Atalanta.

Për skuadrën me të cilën është tashmë i simbolizuar, mbrojtësi i qendrës ishte në fushë në kualifikimin e bujshëm ndaj Juventusit në Kupën e Italisë, me fitoren 3-0, duke arritur gjysmëfinalen.

Ishte kjo fitorja pikërisht e 165-të e skuadrës nga Bergamo me futbollistin shqiptar në fushë, një histori që nis që nga viti i largët 2015.

Asnjë lojtar tjetër kuqezi nuk ka mundur të ketë një numër të tillë fitoresh me një skuadër të vetme në Itali, ndërsa për sasinë totale të sukseseve, Gjimshiti vjen i dyti pasi mbrojtësit tjetër, Elseid Hysaj, i cili ka luajtur gjithsej gati 500 ndeshje në Apenine, që kur nisi karrierën tek Empoli në 2011.

Gjimshiti ka 316 ndeshje për Atalantën, nga të cilat 270 në Serinë A dhe 35 në Champions, një rekord për shqiptarët.

Tashmë në moshën 32-vjeçare, ai ka kontribut për fanelën zikaltër me 11 gola e 10 asistë.

Si kapiten ka fituar Ligën e Europës në 2024, në finalen e madhe ndaj Leverkusenit gjerman, me triumfin 3-0.

Pavarësisht moshës që kalon dhe ofertave nga Lindja e Mesme, pritet që Gjimshiti të vazhdojë të luajë në Itali për Atalantën, dhe besohet se do ta thyejë rekordin e Hysajt për numrin e ndeshjeve në Serinë A, me 314 paraqitje.

Armët nga Kosova do shiteshin në Tiranë/ Policia sekuestron 12 pistoleta “Glock”, pranga 27-vjeçarit

Policia e Tiranës ka goditur një rast të trafikimit të armëve të zjarrit, duke sekuestruar 12 pistoleta tip Glock dhe municion luftarak, të cilat dyshohet se do të shiteshin në zonën e Freskut, në kryeqytet.

Në pranga ka përfunduar poseduesi i armëve, Dukagjin Berisha 27-vjeçar nga Kosova.

Policisë i janë dashur disa javëve hetime, të bazuara në informacione që ka mbërritur në uniformat blu për trafikimin e armëve të zjarrit. Efektivët  kanë lokalizuar automjetin e dyshuar në dalje të Unazës së Madhe, pranë mbikalimit të Tufinës, ku kanë ndërhyrë duke e ndaluar atë për kontroll.

Ne automjetit tip “Volkswagen”, që drejtohej nga 27-vjeçari, policia ka gjetur të fshehura 10 armë zjarri pistoleta Glock me municion luftarak, konkretisht nën kofanon e mjetit. Po në kuadër të këtij procedimi penal, janë sekuestruar edhe dy pistoleta të tjera Glock, duke e çuar në 12 numrin total të armëve të sekuestruara.

Dyshohet se i arrestuari është pjesë e një rrjeti më të gjerë të trafikimit të armëve ndërsa vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Lamine, lideri i ri i Braçës/ “El Mundo Deportivo” e cilëson njeriun-kyç të këtij sezoni

Ende nuk është një legjendë. Nuk do të jetë e lehtë për Lamin Jamalin të arrijë nivelin e një Peleje, Maradona apo Mesi, por gjithsesi ai po krijon një standard që I lumturon tifozët e Barcelonës.

Ylli që është ende vetëm 18 vjeç ka një rritje të madhe në cilësinë e paraqitjeve të tij, duke u kthye në një futbollist-kyç për katalanasit këtë sezon.

E përditshmja “El Mundo Deportivo” thekson se Jamal ka shënuar dhe asistuar më shumë sesa ka qenë pritshmëria për të, shenjë e qartë e hopit cilësor, dhe se është kthyer në “lokomotivën” që merr me vete gjithë ekipin.

Lamin ka 14 gola dhe 13 asistë deri tani këtë sezon, në La Ligë, në Champions dhe çdo konkurrim tjetër, ndërsa ka luajtur 29 ndeshje.

Pra kontributi për gol është thuajse një për çdo sfidë. Për më tepër, adoleshenti ka ndikim të madh në lojën e katalanasve, përtej golave dhe asisteve.

Në moshën 18-vjeçare ai ka 39 rrjeta për ekipin “blaugrana” që kur nisi të luante me të rriturit, diçka që një Lionel Mesi nuk e bëri dot në kohën e tij.

Po ashtu, ai ka kaluar numrin e golave të Diego Armando Maradonës me fanelën barceloniste, që shënoi gjithsej 38.

Gjithsesi, duhet bërë një dallim. Maradona i shënoi 38 gola në vetëm 58 ndeshje, ndërsa Jamalit I janë dashur 135.

Nga ana tjetër, Leo pati nevojë për 98 paraqitje që të arrinte në 38 rrjeta. Deri tani, Jamal ka fituar Kampionatin Europian me Spanjën, dy tituj kampion në La Liga me Barcelonën si dhe Kupën e Mbretit si dhe dy Superkupa të Spanjës, gjithnjë me katalanasit.

Muçi në stilin “Messi”/ Mediat turke ngrenë në qiell shqiptarin pas golave të mëdhenj

E dyta herë që e bëjnë. Ernest Muçi është krahasuar sërish me legjendën e futbollit botëror, Lionel Mesi, pas golit të fundit të realizuar në Turqi.

Të përditshmet e Stambollit dhe të Ankarasë nuk I kanë kursyer komplimentet për talentin shqiptar, I cili e ka pushtuar me sulm skenën në vendin e madh mes Europës dhe Azisë.

Gazeta “Foto Maç” bën pikërisht krahasimin me superyllin argjentinas, duke vlerësuar klasin në këmbët e lojtarit ofensiv kuqezi.

Një lartësim për të tillë për Muçin e bëri e përditshmja tjetër “Fanatik”, pasi Muçi shënoi golin e shkëlqyer nga goditja e dënimit ndaj Konjasporit në Superligën turke, kur realizoi nga një kënd thuajse I pamundur.

Sipas agjencisë së statistikave dhe vlerësimeve në futboll, lojtari 24-vjeçar ka vlerësimin më të lartë tek Trabzonspori, dhe njërin nga më të lartët këtë sezon në Turqi të paktën për 11 ndeshjet e fundit që nga 24 nëntori, duke marrë notën mesatare 7.6.

Për gjithë edicionin, Muçi ka mesataren 7.09, duke qenë gjithnjë ndër më të mirët e ekipit të tij.

Forma e shkëlqyer që nga 24 nëntori, pra në 75 ditë, ka bërë që ai të ketë rendimentin e jashtëzakonshëm me 11 gola e 4 asistë në 12 ndeshjet e fundit, pra gati një rrjetë për çdo dalje në fushë, dhe më shumë se një kontribut për gol në çdo sfidë.

Në kampionat janë 8 rrjeta e 2 asistë në 8 duele, në kupë janë 3 gola e 2 asistë në 4 ndeshje.

Pritet që Trabzonspori t’ia blejë kartonin, por këstet besohet se do të nisin të paguhen që nga korriku, të paktën siç ka thënë presidenti I klubit

Mamaja e artë e Olimpiadës/ Francesca Lollobrigida rekord olimpik në patinazhin e shpejtësisë

Një nënë dhe kampione. Kjo është historia e Francesca Lollobrigida, atletja italiane e cila që tani ka fituar një vend në historinë e Lojërave Olimpik Dimërore.

Jo vetëm kaq, pamjet teksa feston me djalin e saj në krah medaljen e artë dhe rekordin olimpik në disiplinën e 3 mijë metrave në patinazhin e shpejtësisë mund të cilësohen që tani si “kartolina” më e bukur e “Milano Cortina 2026”.

Ky triumf i vërtetë ishte edhe dhurata më e bukur që 35 vjeçarja mund t’i bënte vetes në ditën e saj të lindjes, duke e pasuruar suksesin me një histori të madhe njerëzore.

Për t’u kthyer te gara, Francesca Lollobrigida dominoi pistën që në nisjen, duke ndalur kronometrin në kohën 3 minuta 54 sekonda e 28 të qindat.

Medalje e artë dhe rekord olimpik për atleten e shtëpisë dhe triumfi i parë për skuadrën italiane në kompeticionin që zhvillon në shtëpinë e saj.

Në vendin e dytë u rendit norvegjezja Viklund, ndërsa në të tretin kanadezja Malteis, respetivisht me medalje argjendi dhe bronzi.

Protesta në Olimpiadë/ Gjashtë të arrestuar në Milano, Meloni: Armiq të vendit, dëmtojnë imazhin

Protestat në Milano kanë marrë vëmendjen nga një nga eventet më të rëndësishëm sportive, Lojërat Olimpike Dimërore.

Të paktën gjashtë persona u arrestuan gjatë përplasjeve me policinë në Milano9, gjatë ditës së parë të garës olimpike.

Mijëra njerëz dolën në rrugët e qytetit në Italinë veriore të shtunën për të protestuar kundër një sërë çështjesh, përfshirë koston e jetesës. Disa qëlluan me fishekzjarrë dhe gurë drejt policisë, e cila u përgjigj me topa uji.

Përplasjet vijnë pasi qeveria ashpërsoi ligjet për protesta pas një demonstrate fundjavën e kaluar në Torino që la më shumë se 100 oficerë të plagosur.

Javën e kaluar qindra protestuan kundër pranisë së agjentëve të ICE në Olimpiadën Dimërorë. Edhe në protestën e fundit demonstruesit thanë se ishin kundër pranisë së agjentëve amerikanë të emigracionit , pavarësisht deklaratave zyrtare se një numër i vogël agjentësh nga një krah hetimor do të ishin të pranishëm në territorin diplomatik të Shteteve të Bashkuara dhe jo në rrugë.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka reaguar ashpër pas protestave , duke shprehur solidaritet me policinë dhe institucionet vendore.

Meloni tha se mijëra italianë janë duke punuar pa u lodhur për mbarëvajtjen e Lojërave Olimpike, shumë prej tyre si vullnetarë, me synimin që Italia të lërë një përshtypje pozitive në arenën ndërkombëtare.

Sipas Melonit, protestat po dëmtojnë imazhin e vendit, ndërsa protestuesit i cilësoi armiq të Italisë.

20 thika në trup, dhuna që nuk harrohet/ Tre vite më vonë, Afërdita rrëfen tmerrin e një martese 33-vjeçare

Kanë kaluar 3 vite, por përjetimet e dhunës makabre që përjetoi në trup dhe në shpirt janë ende të freskëta për Afërditën. Ishte natë dhjetori, kur 49-vjeçarja nga Tirana u godit me thikë nga burri i saj. Shenjat e  20 plagëve në trup, i ka ende edhe sot.

“Gjithsej kam 20 thika në trup. Nuk e di si kam jetuar. Thikën e parë që kam ngrënë, i thash përse po më vret, që të paktën të kërkoj falje. Vetëm të dua të vdekur më ka thënë. Ai mendoi se kisha vdekur. Më ra të fikët, isha mbuluar me gjak. Mora shumë goditje në fytyrë, në qafë. Kam dëgjuar vetëm fjalët e ish-burrit; lamtumirë, shihemi në botën tjetër! I kam kërkuar vetëm pak ujë. Më tha, ti meriton të vdesësh. Mbylli derën dhe iku. Nuk ka zgjatur me sekonda e zvarritur, erdhën komshinjtë edhe vajza…..falë atyre jam gjallë”, tregon Afërdita.

Sa kohë keni qëndruar në spital nga ky episod dhune? Kam qenë në gjendje kome tre ditë, dhe 1 muaj në spital.

Plagët me thikë i sollën 49-vjeçares pasoja të parikuperueshme për shëndetin si dhe në gjendjen psikologjike.

“Në çdo moment unë kam frik të shoh gjak, kam frik nga një hija, kam frik nga një zhurmë në shtëpi, kam frikë nga gjithçka….më ka lënë pasoja.   unë jam me paralizë në fytyrë. Jam e tronditur në kokë. Kam shumë plagë në dorë ku nuk mund të punoj, për momentin jam pa punë.”

Afërdita me ish-bashkëshortin u njohën në gjimnaz. Pas martesës sollën në jetë dy fëmijë. Në 33 vite, Afërdita thotë se jetën e ka kaluar mes dhunës fizike e psikologjike, për shkak të xhelozisë se bashkëshortit.

“Episodet e para kanë nisur që kur martova vajzën. Sepse djali ka ik shumë herët në kurbet. Kam 33 vite martesë, pas 18 vitesh nisi dhuna.  Aty nisën konfliktet, pinte alkool. Filloi drogën. Shfaqi shenja xhelozie, për gjëra më të vogla. 2-3 herë më ditë episode dhune. Rrinim 24 orë bashkë dhe në darkë më thonte të kam parë këtu, të kam parë atje. Edhe një mesazh që do vinte në telefon, ai do e kontrollonte… Kam jetuar në ankth, kam jetuar në dhunë. Kam jetuar si mos më keq.”

– Në sytë e fëmijëve je dhunuar ndonjëherë?

– Po, jam dhunuar, në sytë e vajzës.

Në vitet e fundit çdo çast mendonte divorcin, por serish tërhiqej për të ruajtur familjen.

“Qaja gjithë natën dhe në mëngjes qeshja, që asnjë njeri mos ta kuptonte se jam dhunuar nga burri . Nuk doja që të përçaja fëmijët. Nuk doja që fëmijët ta urrenin, ata e kanë baba.”

– E kishe mbështetjen e familjes për divorcin?

– Familja ime ka dashur me vite që unë të ndahem, jo tani. Më kanë mbështetur nga të gjithë mënyrat. Që para 4 vitesh kur më godiste, më thonte motra, një ditë do na vij thirrja në telefon që ti ke vdekur. Ne e presim këtë lajm…

Afërdita thotë se shenjat e dhunës dhe njollat e gjakut në dysheme ishin kthyer në tmerr për fëmijët e saj.

“Absolutisht nuk duan t’ia dinë, a është gjallë apo ka vdekur. Unë prap vazhdoj t’ju them e keni baba, Zoti vendos drejtësi. Nuk mund ta harroj kurrë atë skenë më thotë djali, kur e kanë njoftuar se mami po lufton me vdekjen. Nuk ja fal kurrë më thotë, nëse është diçka që të thonë liroja litarin babait, unë do u thoja shtrëngoja dhe pak.”

Dhuna nuk e mposhti, përkundrazi e bëri më të fortë dhe luftarake për veten dhe dy fëmijët e saj. Megjithatë, ajo tregon edhe pengun e jetës.

“Tani më interesojnë vetëm dy fëmijët e mi. Më intereson vetja ime, dhe them kam bërë një gabim shumë të madh në jetë, kur unë se kam ngrit zërin më përpara. Këtë nuk ja fal vetes që arrita deri këtu. Fëmijët më thonë ku ke qenë më herët. Kam harruar të qesh.”

Sot, burri i saj po vuan dënimin në burg për dhunën e ushtruar ndaj Afërditës. Ndërsa ajo përpiqet të rindërtojë jetën dhe t’u japë mesazh grave të tjera:

“Jam grua më në fund, e pijë kafen e qetë. Mesazhi im për gratë e vajzat është kjo, unë e kam përjetuar dhe nuk ma mbush dot mendjen njeri që burrat duhen falur. Ju lutem mos falni dy herë një person. Mos jepni shans të dytë. Unë i kam dhënë shumë herë shans, dhe ja ku përfundova me 20 thika në trup.”

Kjo është historia e një gruaje që i mbijetoi dhunës ekstreme nga njeriu qe deshi dhe me te cilin ngriti familjen dhe ndërtoi jetën. Një histori që sfidon friken dhe dekurajimin dhe jep  mesazhin e forcës dhe ringritjes për të gjitha gratë e dhunuara si Afërdita.

Të dehur në Timon/ Policia Rrugore e Durrësit arreston 5 shoferë

Pesë persona kanë rënë në prangat e Policisë në Durrës gjatë fundjavës, pasi drejtonin makinat në gjendje të dehur, ndërsa dy prej tyre tentuan edhe të korruptonin efektivët e policisë.

Përmes një njoftimi, policia iu ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të mos drejtojnë makinën në gjendje të dehur.

Transportonin 5 emigrantë të paligjshëm kundrejt parave/ Tiranë, arrestohen dy të rinjtë

U kapën duke transportuar 5 emigrantë të paligjshëm, vihen në pranga 2 shtetas, të cilët dyshohen se iu kanë marrë emigrantëve, nga 2700 euro, me premtimin se do t’i transportonin në Francë.

Ata u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur  “Mbikalimi i Kasharit” duke transportuar me një automjet, 5 emigrantë, të cilëve kundrejt pagesës 2700 euro secili, iu kishte premtuar transportimin me destinacion final shtetin Francez.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 automjet dhe 2 aparate celulare.

Të dënuar ose të akuzuar për vepra penale/ Tiranë, arrestohen 4 persona të shpallur në kërkim

Kapen 4 shtetas në kërkim, të dënuar ose të akuzuar për vepra të ndryshme penale.

Strukturat e DVP Tiranë, si rezultat i kontrolleve të ushtruara në terren, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, në kuadër të operacionit policor “Catch”, kapën dhe vunë në pranga 4 shtetas të shpallur në kërkim, konkretisht:

-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 kapën dhe ndaluan shtetasin G. I., 30 vjeç, pasi Prokuroria kishte lëshuar urdhër ndalimi për të, për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje”, e kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”. Ky shtetas, më datë 01.12.2025, në rrugën “Irfan Tomini”, në bashkëpunim me shtetasin E. U. (i arrestuar në flagrancë), ka plagosur me mjet prerës shtetasin M. A.Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit G. I., ditën e ngjarjes, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa.

-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, kapën dhe ndaluan shtetasin R. R., 30 vjeç. Ky shtetas është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”. Nga ky dënim, i kanë mbetur për të vuajtur 1 vit, 5 muaj e 19 ditë burgim.

-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 kapën shtetasin në kërkim E. M., 19 vjeç, pasi Gjykata e Durrësit ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Vjedhja”. Ky shtetas iu dorëzua DVP Durrës, për veprime të mëtejshme.

-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 ekzekutuan vendimin e Gjykatës për ndalimin e shtetasit A. D., 22 vjeç, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Përndjekja” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Ekipi negociator i SHBA-së viziton aeroplanmbajtësen pranë ujërave të Iranit

Uashingtoni dukej se po shtonte presionin ndaj Teheranit, ndërsa negociatorët kryesorë vizituan aeroplanmbajtësen amerikane që kryeson një forcë të fuqishme pranë ujërave të Iranit, edhe pse bisedimet bërthamore indirekte mes kundërshtarëve po vazhdonin.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, dhe Jared Kushner dhëndri i presidentit Donald Trump, vizituan USS Abraham Lincoln në Detin Arabik më 7 shkurt, së bashku me admiralin Brad Cooper, shef i Komandës Qendrore të ushtrisë amerikane.

“Sot u takuam me marinarët trima në bordin e USS Abraham Lincoln, grupin e saj goditës dhe Krahun Ajror të Aeroplanmbajtëses 9, të cilët na mbajnë të sigurt dhe po zbatojnë mesazhin e presidentit Trump për paqe përmes forcës”, tha Witkoff në rrjetet sociale.

Aeroplanmbajtësja, me bazë në San Diego të Kalifornisë, u nis në nëntor për dislokim në rajonin Indiano-Paqësor, përpara se të mbërrinte në Lindjen e Mesme në janar, tha ushtria.

Bisedime “shumë të mira” në Oman

Vizita në aeroplanmbajtëse vjen pasi delegacione nga Teherani dhe Uashingtoni zhvilluan bisedime të ndërmjetësuara nga Omani më 6 shkurt, diskutime që Trump i cilësoi si “shumë të mira”.

Ndërsa asnjëra palë nuk njoftoi rezultate konkrete, të dyja sugjeruan se negociatat për programin bërthamor të Iranit mund të vazhdojnë në afat të afërt.

“Irani duket se dëshiron shumë të arrijë një marrëveshje. Duhet të shohim se çfarë marrëveshjeje është ajo”, u tha Trump gazetarëve.

Ali Vaez, drejtor i projektit për Iranin në International Crisis Group, i tha Radios Farda të REL-it se “fakti që bisedimet nuk dështuan dhe se të dyja palët nuk u larguan nga tryeza e negociatave tregon se ndoshta ato gjetën mjaftueshëm pika të përbashkëta ose se të dyja palët vunë në tryezë disa lëshime që ishin mjaft tërheqëse për të vazhduar bisedimet”.

Megjithatë, bisedimet u zhvilluan mes një grumbullimi ushtarak amerikan në Lindjen e Mesme. Tensionet janë rritur nga javë të tëra trazirash në Iran, gjatë të cilave autoritetet nisën një goditje të ashpër që, sipas grupeve për të drejtat e njeriut, vrau mijëra civilë.

Trump paralajmëron autoritetet iraniane

Ndërsa raportet për masakrën nisën të dalin nga Irani, Trump kërcënoi se do ta godiste Iranin nëse ndonjë nga dhjetëra mijëra protestuesit e arrestuar do të ekzekutohej.

Presidenti amerikan ka vazhduar të mbajë opsionet ushtarake mbi tryezë, ndërsa njëkohësisht ka theksuar përpjekjet për të frenuar programin bërthamor të Iranit, për të cilin fuqitë perëndimore druhen se synon prodhimin e një bombe, pavarësisht këmbënguljes së Teheranit se është për qëllime civile.

Pas bisedimeve në Oman, Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi sanksione të reja ndaj eksporteve të naftës së Iranit, duke shënjestruar 15 subjekte dhe 14 anije të ashtuquajtura të flotës hije.

Pas bisedimeve në Oman, ministri i Jashtëm i Iranit tha se Teherani dhe Uashingtoni besojnë se bisedimet bërthamore duhet të rifillojnë së shpejti, edhe pse Teherani përjashtoi diskutimet për programin e tij raketor dhe pasurimin e uraniumit.

Abbas Araqchi i tha televizionit Al Jazeera të Katarit më 7 shkurt se të dyja palët ranë dakord që diskutimet duhet të rifillojnë së shpejti, duke shtuar se nuk ka një afat të rënë dakord për takimin e radhës.

“Ne jemi gati të arrijmë një marrëveshje qetësuese për pasurimin”, tha ai.

“Çështja bërthamore iraniane do të zgjidhet vetëm përmes negociatave”.

Netanyahu do të takohet me Trumpin

Në një tjetër front diplomatik, zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu tha se ai do të takohet me Trumpin në Uashington më 11 shkurt për të diskutuar “negociatat me Iranin”.

Netanyahu ka nxitur vazhdimisht Trumpin dhe presidentë të mëparshëm amerikanë të mbajnë një linjë të ashpër ndaj rivalit të betuar, Iranit.

Muajin e kaluar, Netanyahu tha se Izraeli do të kundërpërgjigjej nëse sulmohej nga Teherani me një “forcë që Irani nuk e ka parë kurrë”.

Shtetet e Bashkuara bombarduan objektet kyçe nëntokësore të pasurimit të Iranit në Fordow dhe Natanz gjatë luftës 12-ditore mes Iranit dhe Izraelit në qershor.

“Do ta vras me armën time automatike”, një burrë kërcënon zëvendëspresidentin amerikan

Një juri e madhe federale ngriti padi ndaj një 33-vjeçari nga Ohio për kërcënim me vrasje të zëvendëspresidentit amerikan JD Vance, ka njoftuar Departamenti i Drejtësisë në një njoftim për shtyp.

Shannon Mathre nga Toledo akuzohet se ka thënë: “Do të zbuloj se ku do të jetë ai dhe do të përdor armën time automatike M14 dhe do ta vras”.

Ky kërcënim raportohet të jetë bërë më 21 janar ose rreth asaj date, sipas aktakuzës.

Aktakuza pretendon më tej se Mathre shpërndau materiale abuzimi seksual me fëmijë, shkruan CNN.

“Forcat federale të rendit zbuluan se ai posedonte gjithashtu materiale abuzimi seksual me fëmijë”, tha Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Todd Blanche.

Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi tha gjithashtu në një deklaratë: “Avokatët tanë po e ndjekin penalisht me forcë këtë kërcënim të neveritshëm kundër zëvendëspresidentit Vance”.

Mathre përballet me një dënim maksimal prej 5 vitesh dhe një gjobë prej 250,000 dollarësh për kërcënimin për vrasjen e Vance.

Përveç kësaj, ai përballet me një dënim maksimal prej 20 vitesh burg për akuzën e materialeve të abuzimit seksual me fëmijë dhe një gjobë prej 250,000 dollarësh, nëse shpallet fajtor.

Tani ai mbetet në paraburgim dhe do të ketë një seancë dëgjimore për paraburgim të mërkurën.

❌