Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

“Shtëpia e Bardhë në zemër të Kosovës”, ish-pjesëtari i NATO-s që ndërtoi Zyrën Ovale në shtëpinë e tij dhe i mbijetoi vdekjes

Në lidhje direkte për ABC e Mëngjesit, Shaban Kilaj, ish-pjesëtar i NATO-s, ka rrëfyer një histori sa të pazakontë, aq edhe tronditëse. Prej pesë vitesh, ai ka ndërtuar në Kosovë një ambient që të lë pa fjalë: një “Zyrë Ovale” private, me kolltuqe elegante, flamuj amerikanë dhe stemë presidenciale, që krijon iluzionin e një hapësire zyrtare shtetërore amerikane.
Kilaj tregon se ka jetuar për disa kohë në SHBA për shkak të angazhimit me NATO-n dhe se kjo ishte mënyra e tij për t’i shlyer një “borxh moral Amerikës”. Ideja lindi prej tij, ndërsa realizimi u bë në konsultim me bashkëshorten. Ambienti përdoret për pritje dhe ka mahnitur çdo mysafir që ka hyrë në shtëpinë e tij.
Por jeta e Shaban Kilajt nuk është vetëm simbolikë dhe dekor. Ai rrëfen dramën e helmimit që e çoi pranë vdekjes, humbjen e 53 kilogramëve dhe shfaqjen e tre tumoreve agresive. Shpresën për jetë ia kthyen miqtë e NATO-s, që i gjetën një medikament shpëtimtar.
“Kam vizë amerikane, por nga Kosova nuk largohem kurrë,” thotë ai

“Shes ‘bisha’, jo justifikime”: Anxhelita Koxha, vajza që po thyen stereotipet me makina luksi

Në studion e “ABC e Mëngjesit”, historia e Anxhelita Koxhës erdhi si një përplasje elegante mes paragjykimeve dhe suksesit. Vetëm 25 vjeçe, ajo ka përfunduar master për lidership dhe është ndër vajzat e pakta në Shqipëri që shesin makina luksi, në një industri të dominuar prej vitesh nga meshkujt.

E quajnë “vajza që shet bisha”, por për Anxhelitën, makinat nuk janë thjesht objekte luksi, janë sfida të fituara një e nga një. Videot e saj me supermakina janë bërë virale, duke ngritur pyetjen që ndez rrjetin: marketing i zgjuar apo thjesht guxim për të qenë ndryshe? Kur timonin e merr një vajzë e bukur, vëmendja është e garantuar, por Anxhelita e kthen vëmendjen në besim dhe shitje reale.

“Gjithçka nisi spontanisht dhe u shkrinë në qenien time,” tregon ajo. Nga organizimi i një kompanie, përfundoi duke u bërë imazhi i saj, pa kërkuar leje për të hyrë në një “territor mashkullor”. “Nuk e pashë si sfidë, thjesht e dija që mund ta bëja. Unë shes makina, jo justifikime,” shprehet ajo me siguri.

Paragjykimet? I ka dëgjuar të gjitha. “Komenti më i shpeshtë ishte: ‘Ku merr vesh kjo nga makinat?’ Nuk më ka bërë përshtypje. Kam qenë bionde në atë kohë dhe e justifikoja,” thotë me ironi. Sot përgjigjen e jep me fakte, jo me replika. “Fillimisht klientët më shohin me skepticizëm, por kur flet me baza, nuk ka më vend për paragjykime.”
Rezultati është i qartë: klientë të kënaqur, bashkëpunime që kthehen në miqësi dhe një profil profesional i ndërtuar mbi njohuri, pasion dhe prezencë. “Çdo shitje më bën të lumtur, më jep kënaqësi personale arritjeje. Makinat shkojnë dhe vijnë, por një stereotip i thyer lë gjurmë.”
Për Anxhelitën, suksesi nuk matet vetëm me çelësa makinash luksoze, por me barrierat që bien. “Një stereotip i thyer nuk blihet me asgjë,” thotë ajo.

Nga Italia në majën e Shqipërisë: Motër e vëlla Kabetaj “pushtojnë” cyclo-cross-in kombëtar

Në një lidhje direkte nga Italia për “ABC e Mëngjesit”, historia e familjes Kabetaj erdhi si një dëshmi force, pasioni dhe suksesi që kalon brez pas brezi. Nelia Kabetaj, vetëm 19 vjeçe, u shpall pak ditë më parë Kampione Kombëtare në cyclo-cross 2026 në kategorinë Elite, ndërsa vëllai i saj Clayson Kabetaj rrëmbeu titullin Kampion Kombëtar Junior, duke e kthyer këtë garë në një triumf familjar të rrallë.

Motër e vëlla, në kategori të ndara, por me të njëjtin pasion dhe përkushtim, Nelia dhe Clayson shkëlqyen në një garë të vështirë, të zhvilluar në kushte atmosferike sfiduese. “Këtë garë e ndava me vëllain tim. Jemi në kategori të ndryshme, por emocioni është i njëjtë”, u shpreh Nelia, e cila për herë të tretë shpallet kampione në garat kombëtare të cyclo-cross-it.

Për Neliën, ky titull nuk është thjesht një medalje më shumë, por një gur themeli në karrierën e saj sportive. Ajo e ka zbuluar pasionin për çiklizmin që në moshën 10-vjeçare dhe sot renditet mes emrave më premtues të sportit shqiptar. Kampione e Toskanës, kampione Ballkanike dhe pjesëmarrëse në kampionate botërore, Nelia frymëzimin e gjen nga babai, Valentin Kabetaj, ish-gjimnast, i cili për shkak të një dëmtimi nuk arriti ta vijonte karrierën sportive, por ia ka kushtuar gjithë energjinë fëmijëve të tij. “Kam dashur të jem si babai im, që dikur është marrë me sport. Ai na e ka ushqyer këtë dashuri çdo ditë”, tregon Nelia.
Sukseset e saj janë vlerësuar edhe në nivel kombëtar: Nelia Kabetaj është nderuar me çmimin “Yjet e Sportit 2024” nga Kryeministri Edi Rama.

Fisnik Syla tronditet nga rasti i Durrësit dhe hap zemrën e “qesen” për 3 fëmijët

Historia e tre fëmijëve të quajtur “të braktisur” në Durrës ka prekur opinionin publik dhe ka sjellë reagimin e fortë të sipërmarrësit Fisnik Syla, në lidhje direkte për ABC e Mëngjesit. I prekur nga ajo që pa dhe dëgjoi, Syla u shpreh i gatshëm të dhurojë 5.000 euro për fëmijët e Blerina Bashës, e cila deklaron se punon me dy turne për të mbajtur fëmijët. “E mendoj si për veten time, si për dikë të familjes sime”, u shpreh ai.

Sipas nënës, ngjarja është inskenuar nga familja e ish-burrit për t’i marrë fëmijët, ndërsa ajo këmbëngul se po bën gjithçka për ta. Fëmijët aktualisht janë të shtruar në spital dhe po marrin mjekimin e duhur, ndërkohë që mungesa në shkollë lidhet me sëmundjen dhe përmbytjet e fundit. Shërbimi Social i Durrësit konfirmon se kushtet e banesës ishin normale gjatë inspektimit dhe se nënës i është ofruar punë e rregullt dhe mbështetje për fëmijët.

Fisnik Syla thekson se do të ndihmojë në çdo formë, madje edhe me kujdestari, nëse vërtetohen deklaratat e nënës . Mes angazhimeve humanitare, sipërmarrësi vijon suksesin edhe në biznes, duke inauguruar restorantin e tij të ri dhe duke folur hapur për zhvillimet e fundit në jetën personale.

Stjuardesa që sfidoi veten dhe u rikthye në skenë. Rrëfimi i Blerina Matrakut pas 14 vitesh heshtje

E ftuar në studion e “ABC e Mëngjesit”, Blerina Matraku u rikthye me një histori frymëzuese për rrugëtimin e saj mes muzikës, punës dhe zgjedhjeve personale. Ajo tregoi se këngën e ka nisur që e vogël, në koncertet modeste që zhvilloheshin në Krujë. Studimet e larta i ka kryer në Elbasan, ku hodhi edhe hapat e parë në skenën e Teatrit “Skampa”.

Pas ardhjes në Tiranë, nevoja për një punë të qëndrueshme e çoi drejt profesionit të stjuardesës. Blerina rrëfeu se kënga ka qenë gjithmonë profesioni i saj i parë, por për ta mbështetur ka bërë edhe punë të dyta. Për katër vite ajo punoi si stjuardesë, një eksperiencë të vështirë, por që e ka dashur shumë. Paralelisht, ajo u formua si përkthyese e gjuhës franceze, profesion për të cilin ka përfunduar studimet. Edhe pse ka kënduar në frëngjisht, ajo pranon se vetvetja e saj artistike është në gjuhën shqipe. Duke folur për jetën personale, Blerina u shpreh se është mirë me veten e saj dhe nuk e sheh beqarinë si problem.

Pas 14 vitesh pauzë nga garat muzikore, ajo u rikthye në “Kënga Magjike” me këngën “Mama”. Vendimi për pjesëmarrjen erdhi falë mbështetjes së familjes dhe veçanërisht vëllait të saj. Ky rikthim, sipas saj, ishte një revolucion personal dhe artistik.

Blerina pranoi se ishte stilisti Joni Peçi ai që e ndihmoi të guxojë më shumë edhe në pamje. Ajo u tërhoq për vite me radhë nga skena, sepse ndjente se po përsëriste veten dhe kishte nevojë të kuptonte çfarë mund të sillte ndryshe. Rikthimi i saj sot vjen si një kapitull i ri, më i pjekur dhe më i sinqertë se kurrë.

Gëzuar 2026-ën me zogjtë e Shqipërisë, kalendari që lidh artin me natyrën

I ftuar në studion e “ABC e Mëngjesit”, Ilir Ciko fotograf i botës së egër dhe ekspert ekonomie, prezantoi një projekt të veçantë që i dedikohet zogjve të rrallë mbi qiellin shqiptar.

Ai ka përgatitur një kalendar për vitin 2026 me fotografi të shkrepura ekskluzivisht në Shqipëri, në mbështetje të Shoqatës Mjedisore për Shpendët. Të gjitha të ardhurat nga kalendari, kanë shkuar për AOS, ndërsa shpenzimet i ka mbuluar vetë autori.

Ciko tregoi se fotografimi i shpendëve në fluturim është një nga teknikat më të vështira, por edhe më emocionueset. Sipas tij, shpendët e tërheqin sepse janë jetikë, lëvizin vazhdimisht dhe kanë një botë komplekse familjare. Ai shpjegoi se muajt mars dhe prill janë një “korridor” migrimi, ku shumë shpendë kalojnë nëpër Shqipëri. Shumë prej fotografive janë realizuar pranë Liqenit Artificial të Tiranës, një zonë që fsheh surpriza të mëdha natyrore. Ciko pranoi se nuk i njeh gjithmonë të gjitha speciet në momentin e fotografimit, por i studion më pas.

Miqtë e tij shpesh habiten kur mësojnë se shpendët më të bukur “pozojnë” në zemër të Tiranës. Përveç fotografisë së botës së egër, ai ndan pasionin edhe për wind surfing. Në kërkim të erës dhe dallgës perfekte, Ilir Ciko eksploron edhe detet shqiptare, duke e kthyer natyrën në burim frymëzimi të vazhdueshëm.

Babë, bir dhe një kukull që “flet”: Dinastia Bushi që mahniti SHBA-në dhe po çmend Shqipërinë

Nga një fshat i varfër pranë Kavajës, tek skenat më të mëdha amerikane. Nga një monedhë e fshehur në pëllëmbë, tek një kukull që flet, ironizon dhe “flirton” live para publikut. Dinastia e prestidigjitatorëve Bushi është një histori që tingëllon si truk, por është realitet i pastër.
Në studion e ABC e Mëngjesit, Dashnor dhe Nikolas Bushi, baba e bir, treguan jetën mes Shqipërisë dhe Amerikës, artin e iluzionit dhe aventurën unike të ventrilokizmit, një disiplinë pothuajse e panjohur më parë në vendin tonë.
Nikolas Bushi, djali që “flet me bark”, u shndërrua në sensacion në finalen e Albania’s Got Talent. Në krah të tij është gjithmonë Chris, kukulla që nuk kursen sarkazmën dhe batutat.
“Bukuria e këtij arti është që sarkazmën nuk e bëj unë, por Chris”, thotë Nikolas.
“Unë dhe Chris flirtojmë bashkë, por për gjëra serioze vendos vetë”, shton ai me humor, duke sqaruar se asnjë personazh nuk del jashtë kontrollit të tij.
Nikolas rrëfen se ideja për këtë art lindi 8 vite më parë, e frymëzuar nga America’s Got Talent, dhe sot ndihet i lumtur që po kontribuon në përhapjen e ventrilokizmit në Shqipëri. Madje, projekte surprizë janë në horizont, mes tyre edhe një bashkëpunim i mundshëm me Terry Fator, një nga ikonat botërore të këtij arti.
Pas suksesit të djalit qëndron “dora” e Dashnor Bushit, i cili edhe vetë ka kaluar një jetë të tërë mes trukeve e numrave të shpejtësisë e iluzionizmit.
Pas disa vitesh në Itali, rruga e jetës e çoi në Shtetet e Bashkuara, ku sot jeton me gruan dhe fëmijët, me një kalendar të ngjeshur shfaqjesh në shtete të ndryshme amerikane.

Dy vëllezërit shqiptarë që po “çmendin” meraklinjtë e motorëve unikë artizanal

Nga Londra, në lidhje direkte për ABC e Mëngjesit, vjen historia frymëzuese e Gazmend dhe Bujar Muharremit, dy vëllezër shqiptarë që kanë kthyer një pasion rinor në një biznes unik ndërkombëtar. Auto Fabrica, kompania e tyre e specializuar në ndërtimin artizanal të karrocerive dhe motoçikletave me porosi, sot është një emër i njohur në botën e dizajnit dhe mjeshtërisë së motorëve.
Gjithçka nisi thjesht, në një garazh në vitin 2011, si një ide për të ndërtuar një motoçikletë që nuk ekzistonte në treg dhe që vetë ata nuk mund ta përballonin financiarisht. Por ajo që dukej e pamundur, u kthye në mision jete.

Në vitin 2012, në Londër, lindi zyrtarisht Auto Fabrica, fillimisht një projekt i vogël, personal, që me kalimin e kohës la të fliste vetëm puna.
“Auto Fabrica është më shumë se punë, është identitet dhe mënyrë jetese,” shprehet Gazmendi. Çdo projekt konceptohet, dizajnohet, prototipohet dhe prodhohet nga zero, tërësisht me dorë, pa manuale apo formula të gatshme.

“Vështirësia më e madhe është fakti që gjithçka nis bosh. Duhet menduar, dizajnuar, testuar dhe ribërë disa herë,” tregojnë vëllezërit.
Sot, pas 13 vitesh në tregun britanik, Auto Fabrica numëron 26 prototipe të pashoqe. Pas lançimit të Type 1, bazuar në Kaëasaki, pasoi Type 2 mbi Yamaha, me një qëllim të qartë: të ndërtohej një motoçikletë që bashkon estetikën me funksionalitetin.

Vlerësimet për punën e tyre nisën të përhapen në mbarë botën, duke i bërë të njohur për stilin dallues, dizajnin dhe imazhin unik. Blerës të motorëve të tye unik të punuar totalisht në mënyrë artizanale janë kryesisht persona të pasur e “të fiksuar”, mes të cilëve dhe yje të kinemasë botërore.

Skulptorët shqiptarë që bënë kryevepra e histori në Venecia. E vërteta që pak e dinë…

Skulptorët shqiptarë që bënë kryevepra e histori në Venecia. E vërteta që pak e dinë…
Historia e artit europian fsheh brenda saj emra të mëdhenj shqiptarë, të cilët për shekuj me radhë kanë mbetur në hije. Në një lidhje direkte për ABC e Mëngjesit, studiuesi Alban Kraja solli në vëmendje një kapitull mahnitës të historisë sonë kulturore: historinë e dy skulptorëve virtuozë shqiptarë që magjepsën Italinë e shekujve XVI–XVII.
Giovanni Battista Albanese dhe vëllai i tij Girolamo Albanese ishin skulptorë, arkitektë dhe piktorë me origjinë shqiptare, të cilët u bënë emra të njohur në Italinë e kohës. Ata kishin qendrën e tyre artistike në Vicenza, ndërsa në Venecia realizuan disa nga kryeveprat që sot admirohen nga mijëra vizitorë nga e gjithë bota.
Sipas studiuesit Alban Kraja, gjyshi i tyre vinte nga Shkodra, ndërsa origjina shqiptare e familjes është e dokumentuar. Pas pushtimit osman të Shkodrës, një pjesë e madhe e popullsisë u detyrua të emigrojë drejt territoreve të Republikës së Venecias.
“Rreth 40% e qytetarëve të Shkodrës u zhvendosën në Venecia, sepse ishte vendi më mikpritës për ta në atë periudhë historike,” shpjegon Kraja.
Një nga dëshmitë më të forta të kontributit shqiptar në artin italian ndodhet në Kishën San Giorgio Maggiore në Venecia. Pikërisht aty gjenden pesë statuja të realizuara nga Giovanni Battista Albanese, vepra që edhe sot konsiderohen si shembuj të shkëlqyer të artit skulpturor të kohës.
“Gjurmët e Giovanni Battista Albanese janë qartësisht të dukshme në këtë kishë ikonike,” thekson studiuesi, duke shtuar se arti i tij përfaqëson nivelin më të lartë të mjeshtërisë së epokës.
Veprimtaria e Giovanni Battista Albanese nuk u kufizua vetëm në Venecia. Në sheshin kryesor të Vicenza-s, ai ka realizuar një statujë monumentale që vazhdon të qëndrojë aty edhe sot, si një dëshmi e pavdekshme e talentit të tij.
Qendra e tyre krijuese ishte pikërisht Vicenza, nga ku vëllezërit Albanese udhëtonin drejt Venecias për të realizuar porositë më të rëndësishme artistike të kohës.

Skulptorët shqiptarë që bënë kryevepra e histori në Venecia. E vërteta që pak e dinë…

Historia e artit europian fsheh brenda saj emra të mëdhenj shqiptarë, të cilët për shekuj me radhë kanë mbetur në hije.

Në një lidhje direkte për ABC e Mëngjesit, studiuesi Alban Kraja solli në vëmendje një kapitull mahnitës të historisë sonë kulturore: historinë e dy skulptorëve virtuozë shqiptarë që magjepsën Italinë e shekujve XVI–XVII.
Giovanni Battista Albanese dhe vëllai i tij Girolamo Albanese ishin skulptorë, arkitektë dhe piktorë me origjinë shqiptare, të cilët u bënë emra të njohur në Italinë e kohës. Ata kishin qendrën e tyre artistike në Vicenza, ndërsa në Venecia realizuan disa nga kryeveprat që sot admirohen nga mijëra vizitorë nga e gjithë bota.
Sipas studiuesit Alban Kraja, gjyshi i tyre vinte nga Shkodra, ndërsa origjina shqiptare e familjes është e dokumentuar. Pas pushtimit osman të Shkodrës, një pjesë e madhe e popullsisë u detyrua të emigrojë drejt territoreve të Republikës së Venecias.
“Rreth 40% e qytetarëve të Shkodrës u zhvendosën në Venecia, sepse ishte vendi më mikpritës për ta në atë periudhë historike,” shpjegon Kraja.
Një nga dëshmitë më të forta të kontributit shqiptar në artin italian ndodhet në Kishën San Giorgio Maggiore në Venecia. Pikërisht aty gjenden pesë statuja të realizuara nga Giovanni Battista Albanese, vepra që edhe sot konsiderohen si shembuj të shkëlqyer të artit skulpturor të kohës.
“Gjurmët e Giovanni Battista Albanese janë qartësisht të dukshme në këtë kishë ikonike,” thekson studiuesi, duke shtuar se arti i tij përfaqëson nivelin më të lartë të mjeshtërisë së epokës.
Veprimtaria e Giovanni Battista Albanese nuk u kufizua vetëm në Venecia. Në sheshin kryesor të Vicenza-s, ai ka realizuar një statujë monumentale që vazhdon të qëndrojë aty edhe sot, si një dëshmi e pavdekshme e talentit të tij.
Qendra e tyre krijuese ishte pikërisht Vicenza, nga ku vëllezërit Albanese udhëtonin drejt Venecias për të realizuar porositë më të rëndësishme artistike të kohës.

“E Kuqja” që pushtoi New York-un: Linda Lupi, zëri i artit shqiptar në zemër të botës

Në studion e ABC e Mëngjesit, piktorja dhe pedagogia Linda Lupi solli një histori suksesi që tejkalon kufijtë e artit dhe shndërrohet në krenari kombëtare. Me ekspozitën e saj “E Kuqja”, artistja shqiptare arriti të vendosë artin shqiptar në një nga skenat më prestigjioze të botës, selinë historike të Kryetarisë së Bashkisë së New York-ut.

Në rezidencën ikonike Gracie Mansion, Linda Lupi prezantoi veprat e saj përpara Kryetarit aktual të New York-ut, Eric Adams, në kuadër të eventit të veçantë “Albanian

Diaspora Night”, një mbrëmje e mbushur me emocione, art dhe krenari kombëtare.
“I dhurova një nga pikturat e mia Kryetarit të Bashkisë, i cili më priti me shumë entuziazëm dhe e mirëpriti dhuratën time”, u shpreh artistja. Ky moment, sipas saj, nuk ishte vetëm një nder personal, por një dëshmi e fortë se arti shqiptar ka zë dhe vend në skenën ndërkombëtare.
“Ky ishte një motiv më shumë për të vazhduar të krijoj me pasion dhe përkushtim ndaj identitetit tim kulturor,” thekson Lupi, duke e cilësuar këtë përvojë si një natë që do ta mbajë mend gjithë jetën.

Linda Lupi thekson se veprat e saj nuk flasin vetëm për të si artiste, por për shpirtin shqiptar që udhëton, krijon dhe mbetet gjithmonë krenar për origjinën e vet. Një nga pikturat më të diskutuara të mbrëmjes ishte “Eksodi i Kosovës”, një vepër që preku thellë të pranishmit dhe u bë pikë reflektimi për historinë dhe qëndresën shqiptare.
“Ne jemi gjithmonë bashkë, të pandarë,” shprehet ajo, duke nënvizuar se në event ishin të pranishëm edhe artistë të tjerë nga Kosova, çka e bëri mbrëmjen edhe më domethënëse.

Ekspozita në New York erdhi menjëherë pas një tjetër prezantimi të suksesshëm në Egjipt, ku Linda Lupi ishte pjesë e një aktiviteti prestigjioz ndërkombëtar me pjesëmarrje nga vende të ndryshme të botës. Një tjetër dëshmi se arti i saj po fiton gjithnjë e më shumë hapësirë dhe vlerësim global.

E angazhuar në disa drejtime njëkohësisht, Linda Lupi shprehet se e gjen artin në gjithçka që bën. Përveç pikturës dhe mësimdhënies, ajo është edhe pjesë e ekranit televiziv me programin “Ora e Tiranës”, ku prezanton aktivitetet kulturore dhe artistike të kryeqytetit.

Arineta Mula/ Shqiptarja që sfidoi 6 majat më të larta të botës, eksperiencat e ekstreme

Arineta Mula, ish-alpinistja dhe gruaja nga Peja që ka ngjitur disa nga majat më të larta të botës, është një shembull i jashtëzakonshëm i forcës, guximit dhe pasionit për natyrën.

Pavarësisht se nuk e nisi jetën si alpiniste, ajo ka arritur të ngjisë majat më të vështira, duke u bërë një figurë frymëzuese për gratë dhe të rinjtë e Kosovës dhe më gjerë.
Arineta nuk e kishte menduar kurrë të bëhej alpiniste.

Rrugëtimi i saj nisi një ditë kur një shoqe e ftoi për një shëtitje në male. Ajo që nisi si një ekskursion i thjeshtë, përfundoi duke u shndërruar në një pasion të jetës. “U dashurova me natyrën, qetësinë dhe energjinë që më jepnin ato vende,” thotë Arineta, duke kujtuar fillimet e saj të thjeshta, kur çdo fundjavë shkelte majat e Kosovës.

Nga male të Kosovës në Everest, Arineta shpejt kuptoi se ky ishte vetëm fillimi i një udhëtimi të madh dhe ambicioz. “Nisa të trajtohem seriozisht dhe fillova të ngjitem në maja të ndryshme në Europë dhe më pas edhe jashtë saj,” shpjegon ajo.

Në maj të vitit 2017, Arineta bëri histori duke ngjitur Everestin, maja më e lartë e botës. Ajo ishte pjesë e ekspeditës së parë kosovare që arriti në majën e këtij mali të tmerrshëm, një ngjitje që zgjati 66 ditë dhe përfshinte kushte jashtëzakonisht të vështira: ftohtësi ekstreme, mungesë oksigjeni dhe rreziqe të shumta. “Kalova me sukses zonën e vdekjes, një nga pjesët më të rrezikshme të ngjitjes, ku shumica e ngjitësve mund të pesojnë dëme të pariparueshme fizike,” thotë Arineta, duke theksuar forcën e mendjes dhe trupit që kërkohej për t’u ngjitur në majën më të lartë të botës.

Kim Kardashian kopjon motivuesin e njohur shqiptar? Një padi në “ajër” për miliarderen

Fitim Brahimi, folës motivues dhe trajner personal zhvillimi, në studion e “ABC e Mëngjesit” hodhi dyshime serioze mbi ngjashmëritë mes programeve motivuese të Kim Kardashian dhe metodologjisë së tij të punës.
Sipas Brahimit, ngjashmëritë janë të dukshme, sidomos në temat e komunikimit, ndikimit dhe transformimit personal.
“Për mua kjo nuk është çështje emocioni, por çështje faktike”, u shpreh ai, duke theksuar se aktualisht është në konsultim me avokaten e tij.
Pas zërave për ngjashmëri dhe kopjim nga emra të mëdhenj ndërkombëtarë, përfshirë Kim Kardashian, ai zgjodhi të flasë qetë, me tone të matura, duke e vendosur theksin jo te zhurma, por te faktet dhe përvoja personale.
“Kjo për mua nuk është çështje emocioni, por çështje faktike”, u shpreh Brahimi, duke sqaruar se është në konsultim me avokaten e tij për të analizuar nëse ka përputhje reale në përmbajtje dhe nëse hapat ligjorë janë të arsyeshëm dhe të justifikuar.
Ai theksoi se çdo veprim do të ndërmerret vetëm në mënyrë të drejtë dhe profesionale, nëse faktet e konfirmojnë këtë.
Brahimi, dikur një refugjat nga Kosova, që shkoi në gjermani ndërtoi një metodë të thjeshtë dhe njerëzore për komunikim, ndikim dhe transformim personal, pa teori boshe, pa premtime të rreme.
Sot, ai ndan përvojën e tij përmes katër mënyrave konkrete për vetëshërim dhe forcim, duke u folur njerëzve që janë të lodhur, të thyer apo të humbur jo si ekspert mbi ta, por si dikush që ka kaluar vetë nëpër errësirë.
Fitim Brahimi është drejt përfundimit të librit të tij më të ri, “Nga refugjat në speaker-star – fitorja ime në 4 minuta”, një rrëfim i drejtpërdrejtë dhe i sinqertë, ku synimi kryesor është qartësia, cilësia dhe përmbajtja e pastër.

Moti “trondit” fundvitin: Shi, borë dhe stuhi në Shqipëri. Krishtlindje të bardha?

Ditët e fundit të vitit do të shoqërohen me përkeqësim të ndjeshëm të kushteve atmosferike, ndërsa vendi ynë pritet të përfshihet nga reshje shiu dhe dëbore, duke rikthyer plotësisht skenarin dimëror.
Sipas meteorologes së IGJEUM, Anira Gjoni, reshjet do të nisín fillimisht në jug të territorit, për t’u shtrirë më pas në të gjithë vendin gjatë orëve të natës. Sot, nesër dhe pasnesër, Shqipëria do të përjetojë reshje të vazhdueshme, me shi në zonat e ulëta dhe borë në zonat malore.
Ultësira perëndimore do të përfshihet nga reshjet e shiut, ndërsa zonat malore, veçanërisht juglindja, do të shohin reshje dëbore. Intensiteti i reshjeve pritet të jetë i ulët deri mesatar, me kulmin e tij ditën e mërkurë.
Qarqet Vlorë dhe Gjirokastër do të kenë shtrëngata, ndërsa në qarqet e tjera reshjet do të jenë më të dobëta. Era do të fryjë e lehtë deri mesatare, pa krijuar problematika të mëdha.
Ndërsa viti po mbyllet, dimri duket se po jep “goditjen” e tij të parë, duke sjellë një fundvit të lagësht, të ftohtë dhe të paqëndrueshëm.
Pyetja që mbetet është: a do të zbardhet Shqipëria për Krishtlindje?

Po ikni me pushime? Ja ç’duhet të hiqni urgjent nga priza. Këshillat praktike të ekspertit

Në studion e Abc së Mëngjesit, inxhinieri elektrik Azmer Dulevic ngriti alarmin për rreziqet elektrike që i kanosen banesave gjatë ditëve të pushimeve, kur shtëpia mbetet bosh. Mbingarkesat dhe shkëndijat elektrike janë ndër shkaqet kryesore të dëmtimeve apo zjarreve, sidomos në impiante të vjetra ose të pa certifikuara.

Sipas tij, nuk është gjithmonë e nevojshme të fiket energjia totale, por patjetër duhet të shkëputen nga priza pajisjet e panevojshme. Pajisje si ngrohëset, bojleri, mikrovala, lavatriçja dhe karikuesit duhen hequr gjithmonë nga rrjeti.

Dulevic paralajmëron se nga ora 18:00 deri në 22:00 është ora e “pikut”, kur nuk rekomandohet vënia në punë e të gjitha pajisjeve njëkohësisht. “Rrezikoni të dëmtoni linjën e furnizimit, sidomos në pallate ku përdoret tel 4 mm, që është shumë i hollë për ngarkesa të mëdha”, shprehet ai. Nëse automati nuk është i duhuri, rreziku i shkëndijave elektrike rritet ndjeshëm. Zgjidhja, sipas inxhinierit, është shpërndarja e ngarkesës dhe kontrolli profesional i impiantit.

Në ditët me shi dhe mot të keq, pajisjet duhet të hiqen menjëherë nga priza nëse vërehen luhatje të energjisë. Vetëm pasi rryma stabilizohet, pajisjet më të nevojshme duhen rikthyer gradualisht në punë.

Përtej profesionit, Azmer Dulevic është edhe njeriu pas peticionit që ndryshoi përshkrimin e Skënderbeut në Muzeun e Vjenës. Brenda dy muajsh, një tabelë e re e prezanton qartë heroin si udhëheqës shqiptar, me identitet dhe origjinë të plotë historike. “

Julia Hoxha dhe “Zana” / Shqiptarja në majat e Health Tech Gjermane

Julia Hoxha është një nga emrat më frymëzues të teknologjisë shqiptare në diasporë. Vajza nga Patosi që sot qëndron pas aplikacionit inovativ të shëndetit “ZANA”, ka ndërtuar një rrugëtim të jashtëzakonshëm mes shkencës, inteligjencës artificiale dhe sipërmarrjes, duke e çuar emrin shqiptar në majat e Health Tech gjermane.

“ZANA” është një aplikacion shëndetësor i bazuar në inteligjencë artificiale, i cili analizon zërin e njeriut për të identifikuar shenja të hershme të sëmundjeve. Në kohën kur u krijua “ZANA”, as “Alexa” dhe as ChatGPT nuk ishin ende në treg. Megjithatë, vizioni i Julias dhe ekipit të saj ishte i qartë: të ndërtohej një aplikacion që të ndërvepronte natyrshëm me njerëzit dhe t’u jepte këshilla mjekësore për çdo problem shëndetësor.

“Ne jemi duke e testuar ‘ZANËN’ kryesisht në sëmundjet kardio-respiratore”, shpjegon ajo. Sipas Julias, aplikacioni ndihmon si pacientin, ashtu edhe mjekun, për të kuptuar shkakun e problemit në kohë. Kjo përkthehet në kursim kohe, parash dhe, mbi të gjitha, në shpëtim jete. Pas suksesit të “ZANA”-s qëndron edhe një histori partneriteti të fortë. Julia dhe Armandi janë partnerë në jetë dhe në kompani, një çift suksesi në teknologji.

Julia jeton prej 19 vitesh në Gjermani, por largimi i parë nga Shqipëria ka qenë shumë më herët, kur nisi studimet në Bullgari. Më pas, bashkë me bashkëshortin, u zhvendosën në Gjermani për të ndjekur studimet master. Para këtij rrugëtimi, suksesi i parë i madh kishte ardhur shumë herët. Që në moshën 21-vjeçare, Julia dhe Armandi themeluan kompaninë e parë, “Shqipëria.com”, një platformë që u rrit në mënyrë të vrullshme, madje në atë kohë më shpejt se Facebook./abcnews.al

Shqiptarët, trashëgimtarë të Ilirëve: Historia e vërtetë që ADN-ja nuk mund ta fshijë

Në studion e “ABC e Mëngjesit”, Sazan Guri, themelues i Akademisë “Rrënjët tona”, rrëfeu zbulimet tronditëse mbi origjinën e popullit shqiptar. Studimet e tij tregojnë se shqiptarët modernë ruajnë pothuajse të njëjtën linjë gjenetike me ilirët e epokës së bronzit dhe hekurt, duke dëshmuar vazhdimësinë e jashtëzakonshme të popullsisë në këtë trojë. Shqipëria, e cila nuk u përkul as pas dyndjeve sllave, mbeti një “refugium” gjenetik dhe kulturor, ku historia dhe gjuha shqiptare rezistuan shekuj të tërë.

Analizat tregojnë se shqiptarët dikur nuk ishin vetëm malësorë, por edhe detarë dhe qytetarë të lashtë të Adriatikut, të lidhur ngushtë me qytetërimet e hershme. Edhe gjuhët e tjera paleo-ballkanike u zhdukën me kalimin e kohës, ndërsa shqipja mbijetoi, duke bartur linjat e gjakut që nuk u thyen kurrë. Sazan Guri thekson se çdo varr, çdo gjurmë e lashtë, si ai i zbuluar në Apolloni, tregon historinë e një populli që ka arritur të ruajë identitetin e vet për mijëra vjet. Kjo rrëfenjë e ADN-së dhe historisë, sipas tij, e bën Shqipërinë unike në Ballkan dhe shqiptarët trashëgimtarë të një qytetërimi të jashtëzakonshëm që nuk mund të shuhet.

Nga Lezha në Champions League: Eglantina Pjetrushaj, arbitra shqiptare që vendos drejtësi me stemën e FIFA-s

Eglantina Pjetrushaj ishte e ftuar në studion e “ABC e Mëngjesit”, ku rrëfeu rrugëtimin e saj frymëzues nga Lezha drejt arbitrimit në arenat më të rëndësishme europiane. Prej dy vitesh e pajisur me stemën zyrtare të FIFA-s, ajo është sot pjesë e listës elitare të arbitrave shqiptarë të certifikuar për ndeshje ndërkombëtare.

Në vitin 2024, ky certifikim i hapi dyert për të gjykuar ndeshje jashtë kufijve të Shqipërisë, ndërsa këtë sezon është aktivizuar edhe në Kupën e Meshkujve.

Në fund të nëntorit, Eglantina u thirr nga UEFA për testime fizike dhe teorike, ku u vlerësua si një perspektivë e fortë për nivele edhe më të larta. E rritur në një familje me traditë të gjatë në arbitrim, dinastia Pjetrushi ka qenë gjithmonë e lidhur ngushtë me futbollin. Që e vogël, ajo ndiqte kampionatet botërore me familjen, duke e parë arbitrimin si mënyrën e vetme për të qenë pjesë e lojës. Ajo e nisi këtë rrugë si pasion, pa e menduar se një ditë do të mbante stemën e FIFA-s.

Në karrierën ndërkombëtare, ka gjykuar edhe në UEFA Champions League për femra, duke treguar autoritet dhe vendosmëri në fushë. “Më pëlqen loja e fortë dhe nuk jam dorëlëshuar me kartonat”, thotë ajo, duke theksuar rëndësinë e gjakftohtësisë. Përveç arbitrimit, Eglantina është edhe trajnere fitnessi dhe e vetmja që ka hapur një palestër vetëm për vajza në Lezhë.

E rëndë në Laç / Tre të sëmurë me kancer në një familje… dhe forca që s’u thye kurrë

Në studion e “ABC të Mëngjesit” ishte të martën një grua që e ka parë jetën nga anët më të errëtat e saj, por ka zgjedhur të mos dorëzohet. Blerina Kalthi, artizane, nënë, motër dhe bijë, sjell rrëfimin e një rrugëtimi të mbushur me dhimbje, humbje dhe luftë që vazhdon ende sot.

Historia e saj është kalvari i një familjeje që u përball brenda pak viteve me tri beteja të mëdha me kancerin. Gjithçka nisi papritur, në vitin 2021, kur Blerina vetëm 33 vjeçe mori njoftimin që ndryshoi jetën e saj: diagnozë me kancer malinj në gji. Ajo hyri menjëherë në një spirale të pafund seancash kimioterapie, ndërhyrjesh kirurgjikale dhe më pas, transplantit të gjakut dhe të palcës në Turqi. Sëmundja nuk u ndal: përhapi rrënjët e saj në mitër, në mëlçi dhe në gjak, duke e detyruar Blerinën të kalojë 28 seanca kimioterapie dhe disa operacione radhazi, një rrugëtim i gjatë, i lodhshëm, i dhimbshëm.
Por sfida e saj nuk mbaronte me kaq.
Para se sëmundja ta prekte atë vetë, familja e saj kishte përjetuar plagën më të madhe: humbjen e vëllait të vetëm, vetëm 28 vjeç, nga një formë agresive e kancerit në kokë. “Nuk kam as motra e as vëllezër të tjerë… ishim vetëm të dy,” rrëfen ajo. Dhimbja e asaj humbjeje nuk është shëruar kurrë.
Dhe historia, si një mallkim që nuk kursen askënd, u përsërit sërish: edhe nëna e Blerinës u diagnostikua me kancer malinj në gji. Pas operacionit e radioterapisë, ajo vazhdon ende sot me kimioterapi, duke luftuar me të njëjtin kurajë si vajza e saj.

Mes gjithë këtyre betejave, Blerina gjeti dritën e vet: artin. Pikturat dhe punimet me grep nuk janë thjesht bukuri, janë frymë, jetë, rezistencë. “Arti im është një mënyrë për t’i bërë ballë jetës,” thotë ajo. “Më jep qetësi, më jep fuqi. Kur nuk mund të punoj dot fizikisht, këto punime më mbajnë gjallë.” Punimet e ekspozuar në Instagram në faqen “Art me dashuri” janë të gjitha në shitje dhe me paratë e shitjeve, Blerina vijon trajtimin shëndetësor të nënës së saj.

Shqiptari hyn në Guinness, humb 4.2 kg për 1 ditë. 24 orë luftë me trupin e rekordin

Krenar Kasumi, ish-futbollist dhe trajner crossfit, i ka dalë mbanë një prej sfidave më ekstreme njerëzore: thyerja e rekordit 24-orësh të Guinness në përdorimin e makinerisë së lundrimit. Një mision që kërkoi gjashtë muaj përgatitje, sakrifica të jashtëzakonshme dhe një vullnet që nuk njeh kufij.

Rekordi i David Harris, i vendosur në nëntor të vitit 2001, më në fund u thye. Për 24 orë rresht, pa gjumë, pa pushim, vetëm duke kryer ushtrimin, Kasumi udhëtoi drejt fitores me një forcë që sfidoi dhimbjen dhe fiziologjinë njerëzore.

“Kam pasur dhimbje të mëdha, sidomos pas garës,” rrëfen ai në lidhje direkte për “ABC e Mëngjesit”. “Këto 24 orë ishin krejt ndryshe nga çfarë kisha imagjinuar. Nuk më interesonin metrat, por sfida vetë.”

Që nga ora e tretë, trupi i tij nisi t’i dërgonte sinjale alarmi. Kur pa se i kishin mbetur edhe 21 orë, dhimbja u bë realitet brutal. Në orën 4 të mëngjesit, krizat u shfaqën njëra pas tjetrës, trupi nuk arrinte të përthithte karbohidratet e marra, energjia shteronte, muskujt dridheshin.

“Ka pasur momente që thashë ‘boll’, por mendoja gjithmonë vajzën time,” thotë Kasumi me emocione. Mbi kokë kishte bashkëshorten, të cilën e quan “forcë të palëkundur”, ndërsa ekipi që e shoqëronte kërkonte ta ndihmonte, por ai u lutej: “Ikni flini gjumë, duhet të jeni të freskët.”

Nëse doktori do ta kishte parë në ato orë të vështira, Kasumi është i bindur se gara do t’i ishte ndërprerë. “Nuk isha mirë. Në orët e para të mëngjesit ndjeva sikur trupi po më tradhtonte.”
E gjithë kjo u bë nën një sfond të jashtëzakonshëm: vajza e tij e porsalindur, muza e këtij babai të pakshoq, i cili historinë e sfidës së tij do ta përjjetësojë dhe në një film me titull “Bora që nuk ndalej kurrë”.

Dokumentari do jetë një dhuratë e përjetshme për vajzën e tij. “Kurrë në jetë nuk e bëj më këtë sfidë. E kam bërë që vajza ime, kur të rritet, ta shohë dhe të kuptojë çfarë mund të arrijë njeriu kur nuk dorëzohet.”  / abcnews.al /

❌