Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

16:57 Forumi i Davosit, Lagarde: Bota po hyn në alternativa, jo në krizë

Presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde, deklaroi të premten në Forumin Ekonomik Botëror në Davos se rendi aktual botëror po pëson ndryshime, por këto zhvillime nuk përbëjnë një shkëputje të plotë nga sistemi ekzistues.

Duke iu referuar deklaratave të kryeministrit kanadez Mark Carney, i cili kishte folur për një “shkëputje” të rendit global, Lagarde theksoi se nuk ndan të njëjtin qëndrim. Ajo nënvizoi se politikëbërësit duhet të përgatiten për alternativa dhe plane rezervë, por pa e përshkruar situatën si një thyerje radikale.

“Ne duhet të flasim për alternativa dhe jo për një shkëputje,” u shpreh Lagarde, duke shtuar se ndryshimet aktuale kërkojnë përshtatje dhe fleksibilitet nga institucionet dhe shtetet.

Në fjalimin e tij të posaçëm në Davos, Mark Carney deklaroi se Kanadaja synon të ndërtojë aleanca të reja me vende me mendësi të përbashkët, në një periudhë marrëdhëniesh të ndërlikuara me administratën e presidentit amerikan Donald Trump.

Carney argumentoi se bota ndodhet në mes të një shkëputjeje dhe jo thjesht një tranzicioni, duke theksuar se fuqitë e mëdha po përdorin integrimin ekonomik si mjet presioni dhe tarifat si armë politike, pa përmendur drejtpërdrejt Shtetet e Bashkuara./mxh

16:44 Kriza politike në Francë/ Qeveria kalon testin e Parlamentit

Qeveria franceze ka arritur të mbijetojë dy mocione mosbesimi në Parlament, të premten, pas vendimit për të miratuar pa votim pjesën e të ardhurave të buxhetit për vitin 2026. Mocionet u paraqitën në një klimë të tensionuar politike, teksa ekzekutivi përdori kompetenca të veçanta kushtetuese për të anashkaluar Asamblenë Kombëtare.

Mocioni i parë i mosbesimit, i paraqitur nga e majta radikale e “Franca e Pabindur” së bashku me të Gjelbrit dhe Komunistët, mori 269 vota pro, por nuk arriti pragun e nevojshëm prej 288 votash për rrëzimin e qeverisë. Edhe më pak mbështetje mori mocioni i dytë, i iniciuar nga e djathta ekstreme.

Pas dështimit të dy mocioneve, kryeministri Sebastien Lecornu njoftoi aktivizimin e nenit 49.3 të Kushtetutës për të miratuar edhe pjesën e shpenzimeve të buxhetit të vitit 2026, një veprim që pritet të shkaktojë mocione të tjera mosbesimi në ditët në vijim.

Qeveria e presidentit Emmanuel Macron po detyrohet të anashkalojë Parlamentin pas muajsh negociatash të pasuksesshme për miratimin e një ligji financiar që do të ulte deficitin, në një Asamble ku asnjë forcë politike nuk ka shumicë funksionale.

Kriza buxhetore i ka kushtuar Macronit dy qeveri dhe ka futur Francën në një situatë politike të rrallë që nga krijimi i Republikës së Pestë në vitin 1958. Aktualisht, vendi po funksionon me një buxhet emergjent të trashëguar nga viti i kaluar.

Për të siguruar mbështetjen e socialistëve dhe për të shmangur rrëzimin e qeverisë, Lecornu bëri disa lëshime në fillim të këtij muaji. Ndërkohë, liderja e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, paralajmëroi se deputetët që mbështetën qeverinë do të ndëshkohen nga votuesit në zgjedhjet e ardhshme lokale dhe presidenciale.

Sipas kryeministrit, deficiti buxhetor për vitin 2026 nuk do të kalojë 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, më i ulët se 5.4 për qind në vitin 2025, por ende mbi kufirin prej 3 për qind të vendosur nga Bashkimi Europian.

Qeveria pret që buxheti i plotë të miratohet përfundimisht në gjysmën e parë të muajit shkurt./mxh

16:37 Italia dhe Gjermania zgjerojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes

Italia dhe Gjermania kanë nënshkruar një marrëveshje të re sigurie për të zgjeruar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes. Marrëveshja u firmos të premten në Romë, gjatë konsultimeve qeveritare mes dy vendeve.

Dy partnerët e Bashkimit Europian dhe NATO-s synojnë të forcojnë bashkëpunimin në sisteme artilerie dhe tanke, përfshirë obusin vetëlëvizës PzH 2000, si edhe në prodhimin e municioneve për tanke dhe artileri.

Deklarata e përbashkët përfshin gjithashtu bashkëpunimin në avionët luftarakë Eurofighter, projektin europian të dronëve “Eurodrone”, helikopterët shumëpërdorimësh të transportit ushtarak NH-90, sistemet e mbrojtjes ajrore dhe helikopterët luftarakë.

Në sektorin detar, Italia dhe Gjermania parashikojnë zgjerimin e bashkëpunimit për nëndetëset e klasit 212, përfshirë edhe tipin “Nëndetësja e së Ardhmes së Afërt”. Po ashtu, do të zhvillohen projekte të përbashkëta në teknologjinë e ndërhyrjeve elektronike dhe në fusha të tjera të avancuara ushtarake.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe kancelari gjerman Friedrich Merz ishin planifikuar të mbanin një konferencë për shtyp pas nënshkrimit të marrëveshjes, por ajo u shty për më vonë./mxh

16:24 Arktiku në fokus, Danimarka kërkon dialog të matur me SHBA-në

Danimarka ka bërë thirrje për një proces të qetë dhe pa tensione në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara lidhur me Groenlandën. Ministri i Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen, deklaroi të premten se Kopenhaga synon të ulë tonet dhe të shmangë dramën në takimet e ardhshme me Uashingtonin.

Deklarata vjen pas komenteve të presidentit amerikan Donald Trump, i cili tha se kishte siguruar akses total dhe të përhershëm të SHBA-së në Groenlandë, pas bisedimeve me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Ky i fundit theksoi se aleanca duhet të rrisë përpjekjet për të përballuar kërcënimet nga Rusia dhe Kina në rajonin arktik.

Nga ana e saj, kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, njoftoi se ishte dakord me kreun e NATO-s për nevojën e forcimit të sigurisë në Arktik, pas disa javësh tensionesh të shkaktuara nga deklaratat e presidentit Trump për aneksimin e Groenlandës.

Frederiksen pritet të udhëtojë sot drejt kryeqytetit të Groenlandës, Nuuk, ku do të zhvillojë takime me kryeministrin e ishullit.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm Rasmussen konfirmoi se diplomatët danezë dhe amerikanë janë takuar të enjten në Uashington, ku kanë rënë dakord për një plan veprimi për të ecur përpara. Ai shtoi se datat e takimeve të ardhshme nuk do të bëhen publike, për të garantuar një proces të qetë diplomatik./mxh

16:15 Paris Hilton flet për Rita Orën, Bebe Rexhën: Mezi pres t’i…

Paris Hilton, ka folur së fundmi me admirim për dy artistet shqiptare me famë ndërkombëtare, Rita Orën dhe Bebe Rexhën, si dhe për dokumentarin e saj të ri, Infinite Icon: A Visual Memoir.

Hilton tregon se ka një raport shumë të ngushtë dhe miqësor me dy këngëtaret dhe shpreh respekt të madh për talentin, punën dhe personalitetet e tyre:

“I dua shumë Ritën dhe Beben. Janë vajza fantastike, shumë të talentuara dhe me zemër të madhe — si brenda, ashtu edhe jashtë skenës. I dua si motra dhe jam shumë krenare për të dyjat.”

Ajo thekson se çdo herë që janë bashkë e kalon “për mrekulli” dhe shpreh entuziazëm për t’i takuar sërish në një event të ardhshëm:

“Çdo moment me to është i veçantë — qeshim, argëtohemi dhe ndiejmë një lidhje të fortë. Mezi pres t’i shoh pas disa ditësh në festën e mikut tim.”

Dokumentari i ri

Paris Hilton foli edhe për dokumentarin e saj të ri, Infinite Icon: A Visual Memoir, që sjell një rrëfim intim mbi jetën, muzikën dhe karrierën e saj. Ky projekt përbëhet nga materiale arkivore, momente personale dhe skena nga performanca të përzgjedhura, duke ofruar një pasqyrë të hapur mbi rrugëtimin që e ka ndihmuar të rimarrë kontrollin e historisë së saj.

Dokumentari pritet të publikohet në 30 janar 2026, duke shërbyer si një udhëtim reflektues dhe emocional për publikun, larg stereotipeve dhe narrativave të medias tradicionale./mxh

16:07 “Nuk ecën dhe nuk flet….”, Kledi Kadiu flet për të birin!

Balerini i njohur shqiptar, Kledi Kadiu, në një intervistë për Arbana Osmanin, ka folur për djalin e tij 4-vjeçar, Grabielin, i cili ka nevojat ë veçanta, si pasojë e prekjes nga një virus, vetëm 11 ditë pasi kishte ardhur në jetë. Kledi tregoi se e gjithë shtatzënia dhe lindja shkoi shumë mirë, kur papritmas jeta e tyre do të përmbysej në mënyrë të papritur.

“Djali ka ardhur në jetë në gusht të 2021, ka 6 vite diferencë me vajzën. Gabrieli ka bërë 4 vjeç këtë verë. Gabrielin e prisanim, nuk ishte surprizë si e Leas. Çdo gjë shkoi mirë, deri në momentin e fundit. Pastaj më 11 shtator, më merr Sharlota në telefon pasi kishte dalë shëtitje, më thotë që djali ‘bën disa veprime të çuditshme, është mirë të shkojmë në ndihmën e shpejtë, ne po shkojmë, por hajde dhe ti.’ Unë zakonisht nuk jam në shtëpi, të premten, të shtunë, të diel dhe shkova atje, në ndihmën e shpejtë, ishte akoma koha e Covid dhe nuk mund të hynin shumë njerëz.

Më tha më prit, dhe kjo pritja për mua ishte vetëvrasje, pse duhet të prisja aq shumë, kaq përgjigje e gjatë për të thënë se çfarë po ndodh. Ajo koha e vështirë që e kaluam, mbeti. Djali ishte vetëm 11 ditë. U shtrua në spital, në reanimacion me kod të kuq. Mjekët thanë që ishte ku rasti 1 në 70 mijë që mund të ndodhte, ishte ky virusi që nga hunda shkoi në tru dhe aty bëri ca lëvizje jo të duhura. U ndryshua gjithë festa që të lind një fëmijë, u shndërrua në një dhimbje. Fakti që ai ishte kaq i vogël, mospranimi i prindërve se pse atij, të më ndodhte mua.”, tha Kledi.

Balerini foli në lidhje me vështirësitë që e gjitha familja ka përjetuar, gjatë përballjes më situatën e djalit të tij, sot 4-vjeçar.

“Ishte diçka që nuk e ndalon dot. Ajo kohë kaloi, dhe fatmirësisht gjithçka shkoi mirë për Gabrielin”, tha ai, duke theksuar se sot familja jeton me shpresë dhe besim, duke ndarë edhe detaje për gjendjen shëndetësore të djalit./mxh

17:10 SHBA dhe Nigeria thellojnë bashkëpunimin e sigurisë mes shqetësimeve për lirinë fetare

Shtetet e Bashkuara dhe Nigeria kanë zotuar thellimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, gjatë një takimi të nivelit të lartë të zhvilluar në Abuja. Bisedimet vijnë vetëm pak muaj pasi Uashingtoni e shpalli Nigerinë “vend me shqetësim të veçantë” për çështjet e lirisë fetare.

Zëvendëssekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Politike, Allison Hooker, deklaroi se vendimi i presidentit Donald Trump ka shërbyer si katalizator për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, veçanërisht në mbrojtjen e komuniteteve të cenueshme dhe luftën kundër grupeve ekstremiste.

“Që nga ajo ditë, dy vendet tona kanë bërë përparim të madh në partneritetin për të mbrojtur më mirë komunitetet e rrezikuara këtu në Nigeri.”

Nigeria ka qenë së fundmi në fokus të kritikave të administratës Trump, e cila ka akuzuar qeverinë nigeriane për dështim në mbrojtjen e të krishterëve, të cilët sipas Uashingtonit janë shënjestër e militantëve islamistë në veri të vendit. Në ditën e Krishtlindjeve, forcat amerikane kryen sulme ajrore ndaj luftëtarëve të Shtetit Islamik në veriperëndim të Nigerisë.

Nga ana e saj, qeveria në Abuja mohon çdo persekutim sistematik të të krishterëve, duke theksuar se operacionet ushtarake synojnë grupet islamiste dhe bandat e armatosura që sulmojnë si të krishterë, ashtu edhe myslimanë.

Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Nigerisë, Nuhu Ribadu, mirëpriti angazhimin e SHBA-ve për të përshpejtuar dërgimin e pajisjeve ushtarake të vonuara prej kohësh, përfshirë dronë, helikopterë dhe pjesë këmbimi.

“Ky bashkëpunim është zhvilluar me respekt të plotë për sovranitetin e Nigerisë.”

Ribadu shtoi se autoritetet nigeriane mbeten të përkushtuara për forcimin e drejtësisë dhe mbrojtjen e komuniteteve të prekura nga dhuna./mxh

16:55 Arktiku në fokusin e NATO-s, shqetësim për lëvizjet e Rusisë dhe Kinës

Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, gjenerali Alexus Grynkewich, ka ngritur alarmin për rritjen e bashkëpunimit ushtarak mes Rusisë dhe Kinës në Arktik, duke e cilësuar atë si një nga ndryshimet më shqetësuese të situatës së sigurisë në rajon.

Sipas tij, gjatë viteve të fundit është vërejtur një intensifikim i patrullimeve të përbashkëta detare dhe ajrore, përfshirë fluturime të përbashkëta të bombarduesve me rreze të gjatë veprimi.

“Kur rivalët apo kundërshtarët tanë të mundshëm rrisin bashkëpunimin e tyre ushtarak, kjo është diçka që ne duhet ta ndjekim me shumë vëmendje.”

Grynkewich theksoi se NATO nuk fokusohet vetëm te kërcënimet aktuale, por edhe te ato që mund të shfaqen në të ardhmen, duke nënvizuar nevojën për investime afatgjata në sigurinë e Arktikut.

“Disa nga masat që duhet të marrim në Arktik kërkojnë kohë, si instalimi i sensorëve të rinj dhe kapaciteteve të zbulimit. Ne po punojmë vazhdimisht për të forcuar praninë dhe qëndrimin tonë në këtë rajon.”

Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve, kreu ushtarak i NATO-s u dha një mesazh të qartë qytetarëve të vendeve anëtare, përfshirë edhe Groenlandën.

“Angazhimi ynë kolektiv ndaj Nenit 5 mbetet i hekurt.”

Deklaratat vijnë në një kohë kur Arktiku po fiton rëndësi strategjike gjithnjë e më të madhe, për shkak të ndryshimeve klimatike dhe interesave gjeopolitike në rritje./mxh

16:47 Takimi me Zelenskyn, Trump: Shkoi shumë mirë!

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se ka zhvilluar një takim të mirë me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, por theksoi se ende ka rrugë për të bërë drejt përfundimit të luftës me Rusinë.
Duke dalë nga takimi i mbajtur në Davos, Trump u shpreh se prioriteti kryesor mbetet ndalja e konfliktit.
Trump refuzoi të japë detaje mbi përmbajtjen e bisedës me liderin ukrainas, duke theksuar se takimi ishte me dyer të mbyllura. Ai i shtoi për gazetarët se në këtë takim nuk ishte diskutuar për Bordin e sapokrijuar të Paqes.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, zyrtarë të administratës Trump pritet të takohen së shpejti edhe me presidentin rus Vladimir Putin, në përpjekje për të ndërmjetësuar një marrëveshje armëpushimi.
Presidenti amerikan e përshkroi procesin si të ndërlikuar dhe afatgjatë.
Takimet në Davos shihen si pjesë e përpjekjeve të reja diplomatike për ti dhënë fund një konflikti që ka shkaktuar mijëra viktima./mxh

16:35 Danimarka: Asnjë negociatë me NATO-n për sovranitetin e Groenlanda

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, deklaroi se nuk ka pasur asnjë negociatë me NATO-n lidhur me sovranitetin e Greenlandës, duke hedhur poshtë zërat për përfshirjen e Aleancës në çështjen e statusit të ishullit.

Deklarata vjen pas disa javësh tensionesh, gjatë të cilave Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kishte kërcënuar me vendosjen e tarifave ndaj vendeve që kundërshtonin planet e tij për Greenlandën. Të enjten, Trump u tërhoq nga këto kërcënime dhe përjashtoi përdorimin e forcës, duke sinjalizuar se një marrëveshje kornizë për ishullin arktik mund të jetë pranë.

Tërheqja e Presidentit amerikan nga përdorimi i tarifave si mjet presioni u prit me lehtësim në Evropë, por situata mbetet ende e paqartë, ndërsa përplasja ka rrezikuar çarjen më të thellë të marrëdhënieve transatlantike në dekada.

Pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Donald Trump deklaroi se mund të arrihet një marrëveshje që të plotësojë kërkesën e tij për një sistem mbrojtës kundërraketor në Arktik dhe për akses në minerale strategjike. Sipas Trump, këto masa janë të nevojshme për të frenuar ambiciet e Rusisë dhe Kinës në rajon.

Nga ana e saj, Danimarka thekson se çështja e Greenlandës mbetet një temë sovrane dhe çdo diskutim do të zhvillohet vetëm në kuadër të marrëdhënieve mes Kopenhagës, Greenlandës dhe Uashingtonit./mxh

16:23 NATO rrit angazhimin në Arktik, Rutte: Siguria e rajonit prioritet

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se Aleanca Atlantike do të rrisë angazhimin për sigurinë në rajonin e Arktikut, pas marrëveshjes kornizë të arritur me Presidentin amerikan Donald Trump për Greenlandën.

Në një intervistë për Reuters, në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, Rutte tha se NATO ka rënë dakord kolektivisht, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, që të forcojë praninë dhe mbrojtjen në veri.

“Si NATO, duhet të rrisim përpjekjet. Tani ushtria jonë do të nisë planifikimin dhe sapo të finalizohet, do të vendosim nëse vendimi merret në Këshillin e Atlantikut të Veriut apo në nivel komandues. Më e rëndësishmja është që Arktiku të jetë i sigurt.”

Rutte theksoi se të shtatë vendet anëtare të NATO-s që kufizohen me Arktikun – SHBA, Kanadaja, Danimarka, Finlanda, Suedia, Norvegjia dhe Islanda – janë plotësisht dakord për këtë nismë, ndërsa edhe vende të tjera aleate pritet të kontribuojnë.

Sipas tij, rezultatet e para të këtij angazhimi mund të shihen që këtë vit, ndërsa objektivi është që struktura e plotë e sigurisë të jetë gati në fillim të vitit 2026.

“Nuk kam asnjë dyshim që mund ta bëjmë këtë shpejt. Shpresoj për vitin 2026, madje herët në 2026, por dua që gjeneralët tanë të punojnë pa presion.”

Rutte sqaroi se gjatë takimit me Presidentin Trump nuk është diskutuar shfrytëzimi i mineraleve në Greenlandë, ndërsa negociatat specifike do të vazhdojnë mes Shteteve të Bashkuara, Danimarkës dhe autoriteteve të Greenlandës.

Ai theksoi gjithashtu se rritja e angazhimit në Arktik nuk do të ndikojë negativisht mbështetjen e NATO-s për Ukrainën.

I pyetur nëse aleatët mund t’i besojnë fjalës së Donald Trump, Rutte u përgjigj pa hezitim:

“Donald Trump mund të merret gjithmonë në fjalë. Ai është lideri i botës së lirë dhe po bën pikërisht atë që duhet për të forcuar NATO-n dhe për të garantuar sigurinë në Arktik.”

Presidenti Trump, nga ana e tij, deklaroi se SHBA nuk do të përdorë forcën për të ndjekur ambicien për Greenlandën dhe hoqi dorë nga kërcënimet për tarifa shtesë ndaj aleatëve europianë./mxh

16:15 Chiara Ferragni rikthehet fuqishëm në bashkëpunimin me markën ndërkombtare!

Pss gjithë zhurmës të viteve të fundit, Chiara Ferragni ka shënuar rikthimin e saj në modën ndërkombëtare si imazhin e fushatës globale Guess për verën 2026, një bashkëpunim që vjen pas vendimit nga Gjykata e Milanos në çështjen e njohur si “Pandorogate”. Lajmi u bë publik më 20 janar 2026 nga marka e bashkëthemeluar nga Paul Marciano, vetëm pak më shumë se një javë pas mbylljes së procesit gjyqësor, pas tërheqjes së padive nga palët e dëmtuara.


Fushata, me një estetikë thelbësore dhe frymëzim të fortë nga vitet ’80, është realizuar nga Morelli Brothers. Në qendër të imazheve qëndron xhinsi: Ferragni e cila shfaqet topless dhe siluetë minimaliste, duke interpretuar shpirtin modern dhe të gjithanshëm të koleksionit. Krahas fotove kryesore, fushata përfshin edhe një seri prej rreth dhjetë imazhesh të menduara për rrjetet sociale, disa prej të cilave janë publikuar tashmë. Në to, influencerja dhe sipërmarrësja prezanton edhe aksesorët ikonikë të Guess, mes tyre çanta Camden, e konsideruar It bag e markës.

Partneriteti Guess/Ferragni përkon me 45-vjetorin e markës. Vendimi për bashkëpunim është marrë dhe konkretizuar përpara përfundimit të procesit gjyqësor, duke reflektuar lidhjen e gjatë dhe të konsoliduar mes Paul Marciano dhe Ferragni.

Ky nuk është bashkëpunimi i parë mes tyre. Në vitin 2013, në kohën e “The Blonde Salad”, platforma e lançuar në vitin 2009 nga Ferragni me ish-partnerin Riccardo Pozzoli, Chiara 22-vjeçare ishte protagonistja e Holiday Campaign të Guess. Videot e asaj kohe e tregonin energjike dhe plot ngjyra, duke ndryshuar pamje nën ritmin e këngës “Waves” nga banda britanike Blondfire.

Ndërsa marrëdhënia me Pozzoli përfundoi, miqësia me Marciano mbeti e fortë. Stilisti e kishte të ftuar speciale Ferragni-n në event e tetorit 2025 në Marrakech, ku morën pjesë mbi 800 të ftuar. Në një postim në rrjetet sociale, Marciano shkroi: “Chiara përfaqëson një grua që beson në veten e saj dhe ecën përpara me vendosmëri. E përkryer për këtë koleksion modern, të gjithanshëm dhe plot personalitet.”

Me këtë fushatë, Ferragni nis një kapitull të ri profesional, duke u rikthyer si fytyrë e një brandi ndërkombëtar pas anulimit të shumë kontratave komerciale gjatë periudhës së trazirave mediatike dhe gjyqësore. Rikthimi “nga xhinsi” shënon jo vetëm një zgjedhje stili, por edhe një sinjal rilindjeje për figurën e saj publike./mxh

16:07 Alba konflikohet me Limin dhe Dolcen, e ftojnë në vallëzimin intim!

Last Updated on 22/01/2026 by Monika

Gjatë festës së organizuar nga “Vëllai i Madh” në shtëpinë e Big Brother VIP Kosova, është regjistruar një tjetër moment tensioni mes banorëve, kësaj radhe mes Alba dhe Dolce, ku në qendër të situatës ishte Limit.

Gjatë vallëzimit, Limi ka tentuar fillimisht ta afrojë Albën, duke e marrë nën krah, por ajo ka refuzuar këtë veprim.

Situata është ndërlikuar edhe më tej në momentin kur Dolce i ka bërë thirrje Albës që t’i bashkohej asaj dhe Limit në vallëzim, por Alba ka refuzuar sërish, duke kërkuar që të mos prekej me dorë.

Ky moment ka krijuar tension të dukshëm mes tre banorëve, duke u reflektuar edhe në reagimet e tyre të mëvonshme gjatë festës.

Situata mes Albës, Limit dhe Dolces vazhdon të mbetet e ndjeshme, veçanërisht për faktin se Dolce aktualisht është në një lidhje me Limin.

Nga ana tjetër, Alba ka shprehur më herët se ndihet e lënduar emocionalisht, duke parë ish-të dashurin e saj në një marrëdhënie me një banore tjetër brenda shtëpisë. Kjo ka ndikuar që çdo ndërveprim mes tyre të shoqërohet me tension dhe keqkuptime./mxh

Raportet mes tre banorëve mbeten një nga temat më të diskutuara të këtij edicioni, ndërsa publiku vijon të ndjekë me interes zhvillimet e radhës në Big Brother VIP Kosova./mxh

22:59 “Interes që të mos zbardhet e vërteta”/ Kikia: 21 janari, njollë e errët në politikën shqiptare

Gazetari Mentor Kikia komentoi sot ngjarjen e 21 janarit, në këtë 15-vjetor në të cilin bëhen ende thirrje për drejtësi.

Në një studio televizive, Kikia e cilësoi si një njollë të errët të politikës shqiptare, që sipas tij tregoi se shkel edhe mbi gjakun e shqiptarëve për interesat e veta.

Kikia hodhi dyshimet se për këtë ngjarje me katër viktima ka interes që të mos zbardhet e vërteta.

“Janë bërë vite tashmë që shikojmë të njëjtin ritual. Gjithë drejtuesit e PS-së, ministrat, etj, vihen në rresht me karafila dhe bëjnë atë traditën e homazhit. Të njëjtat fjalime. Besoj se deri tani, 21 Janari, nuk di se çfarë do të sjellë hetimi i fundit që ka SPAK në dorë. Ka çështje për të cilën të gjithë kanë qenë të interesuar të mos shkohej deri në fund. Përgjegjësitë shkojnë të ata që qëlluan dhe e organizuan. Historia e zhytur në një zinxhir të fundëm gjyqesh e ndëshkimesh. Tri procese gjyqësore janë zhvilluar. Vetëm çështja për atë plumbin që nuk dihej nga kshte dale dhe çështja ka kaluar për hetim për të gjetur provat për të gjetur urdhëruesit që qëlluan. Një njollë e errët në politikën në politikën shqiptare, por edhe të drejtësisë në kushtet e pafuqisë ose mungesës së vullnetit për ta çuar deri në fund, por edhe për të dëshmuar se politika shqiptare ka shkelur edhe mbi gjakun e shqiptarëve për interesat e saj për të shkuar atje ku ka dashur”,-tha Kikia./mxh

22:47 Trump: Kanadaja ia detyron ekzistencën e saj të vazhdueshme SHBA-së

Kanadaja ia detyron ekzistencën e saj të vazhdueshme Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tha sot presidenti i SHBA-së Donald Trump, ndërsa kritikoi fjalimin e kryeministrit kanadez Mark Carney në të cilin ai dënoi masat shtrënguese nga fuqitë e mëdha, sipas “CBC News”.

Duke folur në Davos të Zvicrës, ku Trump këmbënguli për blerjen e Greonlandës nga SHBA-ja, ai tha se i duhej territori danez për “Kupolën e Artë” të propozuar nga vetë ai, një sistem mbrojtjeje nga raketat që mund të mbulojë Amerikën e Veriut.

Trump tha se kupola do ta mbronte Kanadanë për shkak të gjeografisë dhe vendi nuk ishte mjaftueshëm mirënjohës që një sistem i tillë ishte në proces.

Carney nuk ka qenë i angazhuar në të kaluarën në lidhje me pjesëmarrjen ose pagesën e Kanadasë për atë që Trump po propozon.

“Kanadaja merr shumë dhurata falas nga ne. Ata duhet të jenë mirënjohës, por nuk janë”, tha Trump.

“E pashë kryeministrin tuaj dje. Ai nuk ishte aq mirënjohës – ata duhet të jenë mirënjohës ndaj SHBA-së. Kanadaja jeton për shkak të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Trump, një referencë e dukshme për mbrojtjen ushtarake që SHBA-ja i ofron kontinentit.

“Mbaje mend këtë, Mark, herën tjetër që do të bësh deklaratat e tua”, tha ai, duke iu referuar kryeministrit kanadez, i cili u largua nga samiti para se Trump të mbante fjalimin e tij. Të dy nuk u takuan në margjinat e samitit.

Pa e përmendur Trump me emër, Carney iu referua “hegjemonisë amerikane” dhe tha dje se fuqitë botërore po e përdornin integrimin ekonomik si “armë”.

“Kanadezët e dinë se supozimi ynë i vjetër dhe i rehatshëm se gjeografia dhe anëtarësimi ynë në aleancë automatikisht na jepnin prosperitet dhe siguri nuk është më i vlefshëm”, tha Carney.

Ndërsa përballet me këtë dinamikë të re, Carney tha se Kanadaja duhet të ishte “parimore dhe pragmatike” dhe të kthehej për të ndërtuar vendin dhe për të diversifikuar marrëdhëniet tregtare – për t’u bërë më pak e varur nga vende si SHBA-ja, tani që është e qartë se integrimi mund të çojë në “nënshtrim”.

“Kjo qasje izolacioniste, ku ekziston një “botë fortesash”, do t’i bëjë vendet më të varfra, të brishta dhe më pak të qëndrueshme”, tha Carney.

“Por, kjo po vjen gjithsesi dhe Kanadaja duhet të punojë me aleatë me të njëjtat mendje, aty ku është e mundur, për të kundërshtuar dominimin nga vendet më të mëdha, më të pasura dhe më të armatosura mirë”, shtoi ai.

“Rendi i vjetër nuk po kthehet. Nuk duhet ta vajtojmë. Nostalgjia nuk është një strategji. Por nga thyerja, ne mund të ndërtojmë diçka më të mirë, më të fortë dhe më të drejtë”, tha dje Carney në Davos.

Gjatë fjalimeve të tij të gjata dhe të paqarta, Trump iu referua sërish Kanadasë ndërsa po reklamonte përfitimet e supozuara të regjimit të tij global të tarifave.

Në një konferencë për shtyp dje në Shtëpinë e Bardhë, Trump përmendi problemet në industrinë automobilistike të Kanadasë si një nga arritjet e tij.

Trump u tha punonjësve në fabrikën “Ford në Dearborn”, javën e kaluar se amerikanët nuk kishin nevojë për makina të prodhuara në Kanada.

Automjetet janë eksporti i dytë më i madh kanadez për nga vlera, me 46,5 miliardë dollarë në vitin 2024, nga të cilat 92 % u eksportuan në SHBA.

Fabrikat e montimit të automjeteve në Brampton dhe Ingersoll, Ont., kanë qenë të bllokuara që kur Trump nisi luftën e tij tregtare.

Dhe disa prodhues makinash si “General Motors” dhe kompania mëmë e “Chrysler, Stellantis”, kanë njoftuar investime të reja në SHBA.

Megjithatë, pavarësisht retorikës së presidentit, të dhënat paraprake nga Byroja e Statistikave të Punës në SHBA tregojnë se në fakt ka pasur një tkurrje të vendeve të punës në industrinë e automobilave në jug të kufirit gjatë vitit të kaluar.

Fjalët e fundit të Trump vijnë gjithashtu një ditë pasi ai postoi një imazh të ndryshuar në media sociale të flamurit të SHBA-së mbi Kanadanë dhe Groenlandën./mxh

22:36 Ndikimi i udhëtimit të Trump në Davos/ Ari arrin çmime në rekord, bursat bien

Çmimi i arit arriti nivelin më të lartë në histori, mbi 4,800 dollarë për 28 gramë ndërsa tregjet e aksioneve ranë.

Ndryshimet e ndjeshme u shkaktuan nga ankthi i investitorëve për rreziqe globale, sidomos për tensionet rreth planeve të SHBA-së për Groenlandën dhe tensionet tregtare midis SHBA-së dhe Evropës, që po shtojnë edhe më shumë pasigurinë në tregje.

Bursat kryesore europiane pësuar rënie, përfshirë CAC 40 i Francës dhe DAX i Gjermanisë që shënuan ulje.

Edhe aksionet amerikane u ndikuan nga udhëtimi i Presidentit të SHBA, Donald Trump, në Forumin Ekonomik Botëror në Davos. Investitorët janë ende të shqetësuar për pasojat e mundshme të masave tregtare dhe tensioneve diplomatike./mxh

22:26 Kaos te Lazio! Përplasje trajner-president, Sarri në “ajër”

Situata aktuale te Lazio po konsiderohet ndër më të ndërlikuarat e viteve të fundit, me marrëdhënien mes trajnerit Maurizio Sarri dhe presidentit Klaudio Lotito që ndodhet në një fazë të tensionuar. Raportet mes palëve janë në nivele minimale dhe zhvillimet e fundit kanë lënë të hapur çdo skenar për të ardhmen e klubit.

Në qendrën stërvitore është zhvilluar një takim mes drejtuesve dhe stafit teknik, por ky takim nuk ka ndryshuar thelbin e problemit.

Sarri vazhdon të gjendet në një situatë ku duhet të menaxhojë një skuadër mbi të cilën nuk ka pasur mundësi të ndërhyjë gjatë verës, për shkak të bllokimit të merkatos që ka prekur klubin. Edhe tani, kur ekziston mundësia që presidenti të investojë në merkato, trajneri nuk ka garanci se do të përfshihet në procesin e vendimmarrjes.

Sarri ka qenë i qartë në qëndrimin e tij, duke bërë të ditur se disa lojtarë janë afruar pa miratimin e tij. Nga ana tjetër, Lotito ka përsëritur një qëndrim të njohur, duke nënvizuar se kontrolli përfundimtar mbi klubin i takon presidencës. Kjo përplasje e hapur ka krijuar pasiguri si brenda skuadrës, ashtu edhe te tifozët.

Edhe përbërja aktuale e ekipit shihet si problematike, me një balancë që ngre pikëpyetje në disa reparte. Në këtë kuadër, nuk përjashtohen largime të tjera të rëndësishme.

Një rast konkret është ai i Alessio Romagnoli, i cili po shqyrton një ofertë të rëndësishme financiare nga Al Sadd, me një kontratë trevjeçare prej 6 milionë eurosh në sezon. Mungesa e një oferte rinovimi nga Lotito e shtyn mbrojtësin drejt një largimi të mundshëm.

Situata prek edhe lojtarë të tjerë kyç, si Guendouzi, i cili kishte vendosur të qëndronte në verë kryesisht për shkak të Sarrit, ndërsa u largua në merkaton e dimrit. Vetë trajneri, i afruar gjatë verës për të përballuar presionin dhe për të garantuar stabilitet, është gjendur në një realitet të papritur, pa qenë i informuar plotësisht për zhvillimet strukturore të klubit.

Sarri ka konsideruar mundësinë e dorëheqjes, një vendim që e ka marrë edhe më parë, në vitin 2024, por hezitimi lidhet me idenë e braktisjes së skuadrës në një moment të vështirë. Premtimi i dhënë tifozëve për të qëndruar të paktën deri në fund të sezonit mbetet një faktor vendimtar.

Nga ana tjetër, Lotito nuk e ka shkarkuar trajnerin, pasi kjo do t’i kushtonte klubit rreth 12 milionë euro bruto për pjesën e mbetur të kontratës trevjeçare. Situata ka marrë formën e një përplasjeje të hapur, që aktualisht nuk i shërben asnjërës palë dhe, mbi të gjitha, dëmton interesat e Lazios./mxh

22:13 Stuhia Harry godet Mesdheun/ Përmbytje në Maltë, Korsikë dhe Kataloni

Një stuhi e quajtur Harry ka ndikuar në disa pjesë të Mesdheut, duke shkaktuar shira të rrëmbyeshëm, përmbytje dhe dëme të mëdha.

Në Maltë, banorët u zgjuan me pemë të rrëzuara dhe dëme në ndërtesa, sidomos në zonat bregdetare si Marsascala, Sliema dhe Birzebbuga për shkak të erës së fortë dhe dallgëve të larta.

Në ishullin italian të Liparit, dallgë të mëdha u përplasën në breg, duke çuar në mbyllje të disa zonave dhe ndërprerje të shërbimeve detare.

Në Korsikë, shirat e rrëmbyeshëm bënë që lumenjtë të dalin nga shtrati dhe të përmbytën pjesë të ishullit pas mbi 200 mm shi në një ditë.

Në rajonin spanjoll të Katalonisë, dallgë deri në 6 metra goditën bregdetin, ndërsa shirat e furishëm përmbytën rrugë në Girona./mxh

22:07 “Nuk fitohet duke vendosur gishtin tek ata”, demokrati ia thotë në sy Berishës: S’shtyhet më me denoncime lart e poshtë, tregoni ç’do bëni ndryshe

Kryetari i Partisë demokratike Sali Berisha mbajti sot një bashkëbisedim me qytetarët në njësinë nr.2 Tiranë.

Gjatë bashkëbisedimit një qytetar i tha Berishës se ka ardhur koha të ndalojnë denoncimet lart e poshtë sepse sipas tij tashmë dihet mirë se kush janë hajdutërit dhe kërkoi ndryshim konkret nga PD për të fituar elektoratin që nuk e voton.

“Që PD të fitojë mbështetjen e popullit ka vetëm një ka vetëm disa rrugë të qarta. Kam dëgjuar disa foltore doktor dhe nuk më kanë pëlqyer sepse nuk duhet të vendosim gishtin te Rama apo Balluku, por të tregojmë se çfarë do bëjmë ndryshe sepse kështu i mbushet mendja asaj pjesës tjetër që nuk na voton. Janë hajdutër mjafton një herë t’ua themi një herë. Na mungon uji, energjia, ilaçet etj., por kemi 30 vite që i dëgjojmë, kur kemi dalë në 90’ kishim shumë shpresa, dhe këto shpresa i përdhosi si PD, PS dhe i gjithë rangu politik. Asnjë nuk punon për interes kombëtar, por për të pasuaruar veten dhe të gjitha ithtarët që i rrinë pas. Më falni për kritikën, por dua të jem i sinqertë sot”, tha qytetari.

Më tej ai i tha kryedemokratit se nëse vjen në pushtet duhet të kontrollojë pasurinë e të gjithë politikanëve shqiptar dhe t’iu ngrihen asete që kanë vjedhur nga populli.

“Unë kërkoj që pas ardhjes së saj në pushtet nëse ndodh, PD të kërkojë shqyrtimin e pasurisë së politikanëve nga cila anë të jetë sepse vetëm kështu krijojmë besim te populli, ku prospetriteti të jetë mes nesh. Sot nuk mund të tregoni sot nga PS, është e saktë kjo që bëni, por nuk keni aftësi juridike të denonconi sepse i gjithë sistemi gjyqësor është i kapur, është e kotë, ju denonconi lart e poshtë gjëra që dihen qartë, nëse prokuroria nuk punon ndaj atyre që shkelin ligjin, por merret se i kujt partie është, s’ka vlerë. Për të gjitha këta që denonconi ju është shume e thjeshtë, kur të vini në pushtet, bëhet një ligj për të analizuar nga kanë ardhur këto para, të ngrihen dhe t’iu kthehen atyre që iu janë marrë, premtojani popullit këtë. Ka nevojë populli për qaje serioze ndoshta s’do keni sukses”, u shpreh demokrati./mxh

21:58 Pse në rrjete sociale na ka marrë malli për 2016-n: viti kur gjithçka dukej më e lehtë (Lifestyle)

Mirë se u riktheve, 2016. Po, jemi në 2026, por mjaftoi pak “scrolling” këto ditë që të kuptojmë: kolektivisht, kemi vendosur ta injorojmë të tashmen dhe të kthehemi dhjetë vjet pas, në një epokë kur jeta dukej më e lehtë, më e thjeshtë, më pak e rënduar. E vështirë për t’u shpjeguar; duhej të ishe aty. Më mirë akoma, po të ishe adoleshent.

Nostalgjia është kaq e fortë, sa edhe njerëz të zakonshëm, edhe të famshëm po nxjerrin nga sirtarët fotot ikonike të asaj kohe, sikur po shfletojmë një album të përbashkët kujtimesh ku gjithçka duket më “light”.

Ishte mbretëria e skinny jeans aq të ngushta sa duhej të kërcenim për t’i veshur dhe të shtriheshim në shtrat për t’i mbyllur. Leggings-at ishin “uniformë” dhe askush s’e mendonte se një ditë do të demonizoheshin nga moda baggy. Pastaj bomber jacket, bikini Triangl super të ndezur (nëse e di, e di), print ushtarak, këmisha me kuadrata të lidhura në bel, suede, crop tops, t-shirt me grafika… dhe ai boho-chic-i që dukej sikur ishte bërë për Coachella.

Në atë (dis)komfort, choker-at ishin detaj i detyrueshëm: gjerdanë të ngushtë në qafë, të çdo lloji. Sot, me mendjen mbrapa, ndoshta ishte më mirë ta shtrëngonim qafën atëherë me chokers, sesa ta ndjenim sot “nyjën në fyt” nga përgjegjësitë e jetës së rritur. Dhe po sado “decluttering” të bëjmë çdo vit, një palë skinny dhe një choker diku i mbajmë, si hajmali, si relike, si provë që e dinim: një ditë do ktheheshin prapë.

Harroje “clean girl era”-n që dominon sot. Në 2016, skincare ende s’ishte fe popullore. Flitej më shumë për make-up: koleksione të pafundme tinti buzësh, nga nude te ngjyra ekstreme si vjollcë, e zezë, blu. Zgjatnin ditë të tëra më të qëndrueshme se çdo premtim dhe shumica prej nesh sot e paguajmë ende faturën e asaj kohe me buzë të thata dhe një balsam në xhep 24/7.

Edhe flokët ishin “playground”: ngjyra, paruke, eksperimente (me frymëzim nga Kylie Jenner dhe epoka e saj e re në beauty), plus gërsheta, gërsheta, gërsheta. Ishte koha kur shoqet në shkollë të preknin flokët mes orëve, si të ishe në backstage, jo në korridor.

Edhe interneti dukej më i pafajshëm. Snapchat ishte revolucion: postonim duke ditur që gjithçka zhdukej pas 24 orësh. Filtri i qenit, kurora me lule “cringe”? Ndoshta. Por shumë më pak toksik se filtrat e sotëm që të ndryshojnë fytyrën dhe të ngatërrojnë kufirin mes realitetit dhe fantazisë. Plus, Snapchat të njoftonte kur dikush bënte screenshot: avangardë.

Dhe pastaj erdhën Instagram Stories në verën e 2016-s. Ishin fëmija i Snapchat-it: ecën sepse Snapchat vrapoi. Por ta themi: atëherë postonim më shumë për qejf, për eksperiment, për vete. Sot shpesh postojmë për të tjerët, me më shumë kalkulim, sikur po shesim një estetikë, jo po ndajmë një copëz jete.

Edhe filtrat kishin një “shije” tjetër: ai Rio de Janeiro që e bënte gjithçka rozë. Ndërsa sot, me kamera super të avancuara në xhep, po kthehemi prapë te kamerat digjitale për “moments”, thjesht që të kapim atë ndjesinë e vjetër. Në 2016, një iPhone rozë dukej kulmi i cool-it aq sa s’donim as t’i vinim mbrojtëse, edhe sikur të thyhej te rrëzimi i parë. Sot, kur dëgjon që ekziston iPhone 17, të kap një ndjesi e lehtë “mosha po ecën”.

S’kishte TikTok kishte Musical.ly. Vine ishte burimi kryesor i të qeshurave: meme që lëviznin, të shkurtra dhe brilante. “Doomscrolling” nuk ishte epidemi. Algoritmi s’dukej sikur të njihte më mirë se shoqëria. Online dhe offline kishin ende kufi. Interneti ishte argëtim, jo zgjatim i identitetit.

Edhe shopping-u bëhej kryesisht “live”, jo me një klik. Dhe kjo, çuditërisht, na duket sot si luks.

2016 kishte edhe një soundtrack të pareplikueshëm: këngë që s’ishin thjesht hite, por “momente”. Pop-i ishte në epokën e artë: Sia, Coldplay, Drake, Chainsmokers, Shawn Mendes, Justin Bieber në “Purpose era”, Ariana Grande me super-hite… dhe Rihanna, kudo. Ishte koha kur një koncert të mbetej në trup, jo në galerinë e telefonit. Dhe ndoshta kjo është një nga arsyet pse na duket më e bukur: sepse e jetonim më shumë sesa e dokumentonim.

Në 2016, ideja e një pandemie globale dukej fantashkencë. Në kinema shkonim më shpesh, qanim me “Me before you”, ëndërronim me “La La Land”. Netflix sapo kishte nisur të bëhej “gjë” dhe askush s’e kuptonte se po vinte një revolucion i tërë në mënyrën si konsumojmë filma e seriale. Stranger Things sapo hapej si epokë.

Dhe, si çdo nostalgji e madhe, kishte edhe notat e hidhura: One Direction shpallnin pauzë dhe ne besonim realisht se “do ribashkohen”. Bota dukej më e qëndrueshme: edhe disa figura që sot s’janë më, atëherë të dukeshin të përjetshme.

Ndoshta s’mund të kthehemi mbrapa. Ndoshta as s’duhet. Por mund të kujtojmë si ndihej të ishe më i lehtë dhe, herë pas here, ta provojmë ta bëjmë prapë. Të postojmë më pak për të “dukur”, e më shumë për të “qenë”. Të shijojmë më shumë momentin, jo vetëm ta ruajmë.

Sepse ndoshta ajo që na mungon nga 2016 nuk janë skinny jeans, filtrat rozë apo Snapchat-i. Na mungon ndjesia se jeta s’ishte gjithmonë një provë, një garë, një performancë. Na mungon një lloj pafajësie digjitale. Dhe një frymëmarrje më e lirë./MXH

❌