AQSHF përkujton Holokaustin me shfaqjen e “Rrethit të kujtesës”
TIRANË, 27 janar/ATSH/ Në sallën e Kinemasë “Drita”, në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, u shfaq filmi “Rrethi i kujtesës”, në kuadër të një aktiviteti përkujtimor me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.
Ishin të pranishëm edhe krijuesit e filmit: regjisori Esat Musliu dhe shkrimtarja Diana Çuli, autore e romanit me të njëjtin titull, mbi të cilin u bazua skenari i Roland Gjozës.
Filmi, prodhimi i vitit 1987, u ndoq edhe nga gjimnazistë të shkollës “Eqerem Çabej” si edhe studentë të Universitetit Europian të Tiranës, të cilët u bënë pjesëmarrës në bisedën mbi filmin, duke dëshmuar rëndësinë që temat e kujtesës historike kanë për brezat e rinj.
Shkrimtarja Diana Çuli dhe regjisori Esat Musliu ndanë me publikun detaje interesante mbi procesin krijues të veprës, sfidat e ekranizimit dhe mënyrën se si u trajtua një temë kaq delikate dhe e dhimbshme si ajo e kampeve të përqendrimit dhe eksperimenteve çnjerëzore naziste. Diskutimi solli jo vetëm kontekst historik, por edhe reflektime mbi përgjegjësinë morale të artit për të dëshmuar dhe për të mos lejuar harresën.
AQSHF tha se kjo shfaqje, më shumë se një ngjarje filmike, ishte një përvojë informuese dhe ndërgjegjësuese, ku filmi, letërsia dhe historia u ndërthurën për të rikujtuar se kujtesa është një akt i domosdoshëm njerëzor dhe shoqëror. /j.p/
The post AQSHF përkujton Holokaustin me shfaqjen e “Rrethit të kujtesës” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
















