20:50 Alfio Rrotani dhe partnerja e tij në pritje të një vajzë, zbulojnë emrin dhe historinë e dashurisë!
Jeta personale e shefit të njohur të kuzhinës, Alfio Rrotani, po shkëlqen po aq sa suksesi i tij profesional. Prej disa kohësh ai ndan jetën me Joana Gjonajn, një inxhiniere ndërtimi, larg vëmendjes mediatike, por shumë pranë botës së tij. Sot, historia e tyre e dashurisë ndodhet në pragun e një kapitulli të ri: ardhjen në jetë të fëmijës së parë. Në një intervistë në programin “Rudina” ata kanë zbuluar detajet më të bukura të marrëdhënies së dashurisë.
Njohja mes tyre nuk nisi si romancë, por si një bashkëpunim pune, i ndërmjetësuar nga miq të përbashkët. Takimet profesionale u shoqëruan me biseda të gjata, humor dhe një mirëkuptim të rrallë, që gradualisht u kthye në ndjenja të sinqerta. Edhe pse gjithçka nisi pa pritshmëri, lidhja e tyre u ndërtua natyrshëm dhe pa nxitim.
Në daljen e tyre të parë televizive në programin “Rudina” në Tv Klan, Alfio dhe Joana ndanë emocionet e kësaj periudhe të veçantë, siç është pritja e ëmbël e fëmijës së parë. Çifti tregoi se baza e marrëdhënies së tyre janë vlerat e përbashkëta, respekti dhe parimet familjare, të cilat i kanë bërë të ndihen më shumë si shokë jete sesa thjesht partnerë.
Sot, Joana ndodhet në javët e fundit të shtatzënisë dhe çifti po pret me padurim ardhjen e një vajze. Lajmi i ëmbël ka qenë i menduar dhe i dëshiruar nga të dy, një hap i natyrshëm për një çift që e sheh të ardhmen si projekt të përbashkët. Momentin e zbulimit të shtatzënisë, ata e përshkruajnë si një përzierje emocionesh të forta, ku lotët e gëzimit dhe qetësia u ndërthurën në mënyrë perfekte.
Prindërit e ardhshëm kanë menduar edhe për emrin e vogëlushes, e cila do të mbajë dy emra. Njëri prej tyre do të jetë Maria, si një homazh prekës për gjyshen e ndjerë të Alfios, një figurë që ka lënë gjurmë të thella në jetën e tij. Emri i parë, megjithatë, do të zbulohet vetëm pas lindjes.
Teksa numërojnë ditët e fundit të pritjes, Alfio Rrotani dhe Joana Gjonaj po shijojnë një nga periudhat më të bukura të jetës së tyre, të bindur se vajza e tyre do të jetë simboli më i pastër i dashurisë, harmonisë dhe bashkimit që i karakterizon./mxh



















