Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

EMRAT/ Merrnin para për të ndikuar tek drejtësia për masat e sigurisë, 2 vite burg për ish-shefin e krimeve

Merrnin para për të ndikuar tek drejtësia për masat e sigurisë/ 2 vite burg për ish-shefin e krimeve

Ish-shefi krimeve në komisariatin nr.3 në Tiranë, Erjon Dani, është dënuar me 2 vite burg, nga Gjykata e Posaçme, për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.

Denimet:

1-Musa Gjikola – 1 Vit Burg,

2- Erjon Dani – 2 vite Burg.

3-Vilson Roçi – 1 vit burg

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se gjatë vitit 2020, të pandehurit janë përfshirë në tre episode të veçanta, ku kanë kërkuar dhe përfituar shuma monetare që varionin nga 4 000 deri në 7 500 euro, me pretendimin se kishin aftësinë për të ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj funksionarëve të drejtësisë, me qëllim ndikimin në masa sigurimi personal dhe favorizim në dhënie dënimi ndaj disa të arrestuarve.

Zelensky: Putini nuk ka frikë nga evropianët, por vetëm nga Donald Trump

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në një intervistë për televizionin francez France 2, deklaroi se pasojat e luftës me Rusinë përbëjnë një kërcënim serioz për ekzistencën e shtetit ukrainas, por shprehu besimin se paqja mund të arrihet brenda një viti.

Ai tha se presidenti rus Vladimir Putin nuk ka frikë nga udhëheqësit evropianë, por sipas tij, frikësohet vetëm nga presidenti amerikan Donald Trump.

Sipas Zelenskyt, kjo është një fakt i padiskutueshëm, duke shtuar se “çfarëdo që Trump t’i thotë Putinit, nuk është çështja jonë”.

Zelensky rikujtoi gjithashtu se Trump ka shprehur dëshirën për t’i dhënë fund luftës përmes një kompromisi. Ukraina, tha ai, mbështet iniciativat amerikane për paqe, por nuk do të pranojë asnjë kompromis që cenon sovranitetin e saj.

Në fjalimin e tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zelensky theksoi edhe një herë se vetëm demokracia nuk mjafton për ta ndalur Putinin, pasi ai nuk respekton rregullat dhe parimet e luftës.

Në intervistë, presidenti ukrainas kritikoi gjithashtu mungesën e presionit të mjaftueshëm ndaj Moskës, duke nënvizuar se çdo dialog me Rusinë duhet të zhvillohet mbi kushte të qarta, në mënyrë që të sjellë rezultate konkrete.

Trump i ashpër me zyrtarët e Iranit: Do t’iu bëjmë gjëra shumë të këqija, lideri suprem duhet të shqetësohet shumë

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka lëshuar një kërcënim të ri ndaj Iranit, duke paralajmëruar se çdo përpjekje e re nga ana e Teheranit do të përballet me një reagim të ashpër nga Uashingtoni. Deklaratat u bënë në kuadër të komenteve të tij lidhur me protestat dhe zhvillimet e fundit në Iran.

Trump theksoi se Shtetet e Bashkuara kanë pasur një rol vendimtar në situatën aktuale në Iran, duke thënë se vendi ndodhet në kaos pikërisht për shkak të ndërhyrjeve amerikane.

“Ne i kemi mbështetur ata dhe ai vend është rrëmujë tani për shkakun tonë”, u shpreh ai.

Lideri amerikan paralajmëroi se Irani kishte tentuar të rikthehej në një lokacion të mëparshëm strategjik, por pa sukses.

“Ata u përpoqën të ktheheshin në vendin e ngjarjes. Nuk mundën as t’i afroheshin. Ishte shkatërrim i plotë”, deklaroi 79-vjeçari, duke sugjeruar se infrastruktura në fjalë ishte asgjësuar plotësisht. Sipas tij, autoritetet iraniane kishin menduar të ndërtonin një objekt të ri në një pjesë tjetër të vendit, por kjo përpjekje u zbulua nga inteligjenca amerikane.

Trump tha se i kishte paralajmëruar drejtpërdrejt se “nëse e bëni këtë, do t’ju bëjmë gjëra shumë të këqija”.

I pyetur nga gazetarët nëse lideri suprem i Iranit ka arsye për shqetësim në këtë moment, Trump u përgjigj shkurt dhe prerë “ai duhet të jetë shumë i shqetësuar”. Ndryshe, ministri i Jashtëm iranian, Seyed Abbas Araghchi ka deklaruar se “bisedimet bërthamore me Shtetet e Bashkuara janë planifikuar të mbahen në Muskat rreth orës 10:00 të mëngjesit të së premtes,

“Të Gjitha Rrugët të Çojnë në Romë”/ Rruga e Mëndafshit sjell ide nga Italia në Shqipëri

Rruga e Mëndafshit ka qenë gjithmonë më shumë sesa një rrugë tregtie. Ajo ishte një hapësirë lëvizjeje për ide, filozofi dhe mënyra të reja të të jetuarit, që nga Azia drejt Italisë e më tej, deri në brigjet e Shqipërisë. Në këtë rrjedhë shekullore, njerëzit kanë qenë gjithmonë bartësit më të rëndësishëm të kësaj trashëgimie të padukshme.

Emisioni i sotëm lindi pikërisht si vazhdim modern i Rrugës së Mëndafshit, i mishëruar në historinë e një çifti italo-shqiptar. Udhëtimi i tyre në Azi nuk ishte thjesht një përvojë gjeografike, por një proces transformimi personal. Aty ata u përballën me filozofi që vënë në qendër ekuilibrin, kohën e ngadaltë, respektin për natyrën dhe për komunitetin – vlera që shpesh humbasin në ritmin perëndimor të jetës.

Pas kthimit të tyre në Itali dhe Shqipëri, ky projekt bëhet forma konkrete për të ndarë atë përvojë. Ai shndërrohet në një hapësirë kulturore dhe krijuese ku Lindja dhe Perëndimi takohen përmes rrëfimit personal, artit, dialogut dhe praktikave të përditshme. Ashtu si dikur mëndafshi kalonte nga duart e tregtarëve në qytete të ndryshme, sot idetë kalojnë nga përvoja e këtij çifti tek komunitetet lokale, duke krijuar ura të reja kuptimi mes kulturave.

Shqipëria, me historinë e saj si vend kalimtar dhe mikpritës, bëhet terreni ideal për këtë projekt. Këtu, përmes historisë së çiftit, Rruga e Mëndafshit merr një dimension intim dhe bashkëkohor: një projekt që nuk synon të importojë kultura, por të krijojë dialog, reflektim dhe bashkëjetesë. Në këtë mënyrë, projekti nuk është thjesht një homazh ndaj së kaluarës, por një akt i gjallë që dëshmon se udhëtimi i ideve vazhdon edhe sot – përmes njerëzve që zgjedhin ta jetojnë dhe ta ndajnë atë rrugë.

Çifti italo-shqiptar, udhëtimi si filozofi jete!/ Nga përvoja personale në hapësirë dialogu kulturor

Të nderuar teleshikues të ABC News, në emisionin e sotëm ju sjellim një histori të veçantë: historinë e një çifti italo-shqiptar, të cilët deri tani jua kemi prezantuar veç e veç, jo rastësisht, për të kuptuar më mirë interpretimin e eksperiencave të tyre për të njëjtën praktikë.

Sot jemi me Sonila Qesarakun dhe Fabian, bashkëshortë në jetë dhe në mision.

Ata nuk jetojnë më në Azi, por kanë zgjedhur të përqafojnë dhe të sjellin në Itali dhe në Shqipëri një filozofi që vjen nga kulturat aziatike, përmes asaj rruge të famshme të Mëndafshit, që nuk ka sjellë vetëm mallra, por edhe ide, praktika dhe filozofi jetese.

Një nga këto filozofi e ushtrojnë sot Sonila dhe Fabian në Torino dhe në Tiranë.

Artur Nura : Sonila, si mund ta prezantojmë këtë filozofi që ju tashmë e ushtroni në Shqipëri dhe në Itali?

Sonila Qesaraku :  Nëpërmjet disa mjeteve dhe teknikave, disa prej të cilave i kemi mësuar në Azi — si për shembull terapia me tinguj me mësues tibetanë — ne ndihmojmë personat që ta sjellin trupin në harmoni dhe në ekuilibër. Sipas mjekësisë kineze, trupi dhe mendja janë gjithmonë të lidhura. Harmonia përfshin ekuilibrin trup-mendje-shpirt. Ne nuk i shohim këto të ndara.Nëse ka diçka që nuk shkon në trup, shpesh lidhet me një mendim limitues, me një emocion të papërpunuar, me një traumë, ose me faktin që shpirti nuk po bën atë që vërtet dëshiron.

Pra e shohim individin në çdo nivel. Kur diçka nuk shkon në jetën tonë, do të thotë që kemi dalë nga ekuilibri.

Artur Nura : Si quhet kjo në mënyrë më precize?

Sonila Qesaraku :  Ne aktivizojmë vetëshërimin në trupin e personit. E ndihmojmë që, me burimet e veta të brendshme, të rikthehet në ekuilibër.

Ne flasim shumë në terma energjie.

Kur kam filluar të interesohem për këto praktika, kam pyetur një mjek se si e perceptonte ai këtë koncept.

Ai më tha: “Qeliza vetë është energji. Qeliza nuk mund të ekzistojë pa energji.”

Artur Nura : Këtë filozofi e mësuat gjatë udhëtimeve në Azi apo e kishit nisur më herët?

Sonila Qesaraku :  Ne e kishim nisur në Itali me disa teknika. Kishim marrë pjesë në disa trajnime që na pëlqyen shumë dhe donim t’i thellonim.

Disa i kishim mësuar, por donim t’i perfeksiononim dhe sidomos të mësonim në vendet ku këto praktika kanë lindur, me mësues, mentorë dhe trajnerë vendas.

Kjo ishte një nga shtyllat kryesore të udhëtimit tonë në Azi.

Artur Nura : Kjo filozofi u mirëprit më shumë në Itali apo në Shqipëri?

Sonila Qesaraku : Në Itali ishte më e njohur, sepse për meditimin dhe këto praktika flitet prej kohësh. Njerëzit janë më të familjarizuar me konceptin e përgjegjësisë personale për mendimet dhe emocionet dhe me ndikimin që ato kanë në shëndet.

Por, për surprizën tonë, në Shqipëri u mirëprit shumë, me kuriozitet të madh dhe me përqafim të menjëhershëm.

Artur Nura : Si reagoi familja juaj kur vendosët të ndiqnit këtë filozofi, fillimisht në Itali e më pas edhe në Shqipëri?

Fabio Ive : Në fillim u habitën pak, sepse janë mësuar me punën klasike në kompani.

Por na mbështetën, sepse e kuptuan që ishte diçka që ne donim ta bënim me zemër për të ndihmuar njerëzit.

Artur Nura :Tani ju mbështesin vetëm, apo marrin pjesë edhe në aktivitetet tuaja?

Fabio Ive : Po, absolutisht. Si familja ime, ashtu edhe familja e Sonilës marrin pjesë në aktivitetet tona, si në Itali, ashtu edhe në Shqipëri.

Artur Nura: Tani të mbështesin, por a vijnë edhe për seanca?

Fabio Ive: Absolutisht, si familja ime ashtu edhe familja e Sonilës marrin pjesë në eventet tona. Pra, në Itali dhe gjithashtu në Shqipëri, meqenëse përmende Sonilën.

Artur Nura: A eshte e perpahur kjo kulture ne Itali?

Fabio Ive: Po, po, absolutisht. Por ekziston kjo, siç tha me të drejtë Sonila, që meditimi është një kulturë shumë e përhapur atje; për fat të mirë, mund të themi se kohët e fundit është përhapur edhe në Shqipëri.

Artur Nura : Sonila, në një vend si Shqipëria me një kulturë tolerance fetare, si është raporti yt personal me besimin?

Sonila Qesaraku : Nga familja jam Bektashie, por babai im ka qenë pilot ushtarak dhe, siç dihet, në ushtri zakonisht mbizotëronte ateizmi.

Jam rritur pa një praktikë fetare.

Më vonë, rrugëtimi im më ndihmoi të rindërtoj marrëdhënien me atë që ne e quajmë Zot — që për dikë mund të jetë fusha kuantike, për dikë energjia universale.

Diçka më e madhe se ne.

Në jetën e përditshme shohim sinkronicitete, siç thoshte Jung. Edhe takimi im me Fabian ishte një sinkronicitet.

Nëse atë ditë nuk do të isha vonuar në punë, ndoshta sot, pas 18 vitesh, nuk do të ishim bashkë.

Artur Nura : Keni 18 vite bashkë. Fëmijë, keni në plan?

Përgjigje Fabio Ive: Kur Zoti ta ketë thënë.

Ky është një çift jo si të gjithë të tjerët. Një çift që zgjodhi një rrugë jete të veçantë dhe sot po sjell rezultatet e kësaj rruge si në Itali, ashtu edhe në Shqipëri.

 

Amerikani që tentoi ta vriste Trumpin dënohet me burgim të përjetshëm

Ryan Routh u dënua të mërkurën nga një gjykatë federale në Fort Pierce, Florida, me burgim të përjetshëm, për përpjekjen e tij për të vrarë presidentin amerikan, Donald Trump, gjatë një incidenti që ndodhi në një teren golfi në Florida në vitin 2024.

Ky rast ka tërhequr vëmendje të madhe, duke nxitur shqetësime për sigurinë e figurave publike dhe masat e rrepta që autoritetet marrin ndaj kërcënimeve të tilla.

Sipas aktakuzës dhe provave të paraqitura në gjykatë, Routh kishte kaluar javë të tëra duke planifikuar atentatin. Ai u fsheh në gjelbërim me një armë gjysmëautomatike, duke qëndruar i papërfillshëm për të kapur momentin kur Trump do të ishte i dukshëm në fushën e golfit. Ngjarja ndodhi më 15 shtator 2024, në klubin e tij të golfit në West Palm Beach, Florida, ku Trump po luante si pjesë e rutinës së tij publike dhe aktiviteteve sportive.

Një agjent i Shërbimit Sekret vuri re Routhin para se Trump të bëhej i dukshëm dhe veproi menjëherë.

Agjenti hapi zjarr, duke e detyruar Routhin të linte armën dhe të largohej pa pasur mundësi të shkaktonte ndonjë dëm. Ky veprim shpëtoi jetën e presidentit dhe nxori në pah rëndësinë e pranisë dhe vigjilencës së shërbimeve të sigurisë në mbrojtjen e figurave publike.

Routh u gjet fajtor për pesë akuza federale, përfshirë tentativën për vrasje të një kandidati presidencial dhe shkelje të ndryshme të ligjit mbi armët. Gjykata vendosi që ai të kalojë pjesën tjetër të jetës në burg, duke dhënë një mesazh të qartë kundër akteve të dhunshme kundër liderëve politikë.

Rasti ka nxitur debat në publik për sigurinë e figurave politike dhe për mënyrën se si përgatiten dhe zbatojnë autoritetet federale strategjitë mbrojtëse ndaj kërcënimeve të mundshme.

Përveç aspektit ligjor, ngjarja thekson edhe rreziqet me të cilat përballen politikanët në aktivitetet e përditshme publike dhe rëndësinë e masave parandaluese për të parandaluar tragjedi të mundshme.

A meritojnë gjyqtarët rritje rroge?/ Debati në “Real Story”, Çoçoli: Shkelet morali publik. Kthupi: Punojnë në kushte të vështira

Gazetari Fatos Çoçoli, i ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, komentoi debatin mbi rritjen e pagave për gjyqtarët, duke theksuar se raporti mes pagës së magjistratëve dhe pagës mesatare në Shqipëri është shumë më i lartë krahasuar me vendet e rajonit.

Sipas tij, kjo krijon një hendek të madh social dhe prek moralin publik, veçanërisht nëse Gjykata Kushtetuese vonon marrjen e një vendimi.

Në të njëjtën linjë, avokati Rezart Kthupi vuri në dukje problematikat serioze infrastrukturore të sistemit gjyqësor, duke theksuar mungesën e hapësirave të përshtatshme për zhvillimin e gjyqeve në disa prej gjykatave kryesore të vendit.

Fatos Çoçoli: Raporti mes pagës mesatare të magjistratëve dhe pagës mesatare në shtetin tonë, po të shikojmë vendet e rajonit niveli është shumë më i ulët. Raporti tek ne është shumë i lartë, këtu mbaron edhe morali. Nëse Gjykata Kushtetuese vonon pro, ky hendek do të thellohet, ky kas magjistratësh do të konsiderohet si një klasë shumë e privilegjuar. Morali publik mendoj që do të preket dhe njerëzit do të ndjehen jo mirë me këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese. Ne kemi strukturë vërtetë emergjente të magjistratëve që punojnë në kushte të papërshtatshme. Di që tani është një projekt për ndërtimin e një gjykate të vendit tonë. Do të jetë një ndërtesë për Gjykatën e Lartë.

Rezart Kthupi: Gjykata e Apelit sot që flasim nuk ka ku të bëjë gjyqe. Të mos flasim për Gjykatën Administrative është si labirint, kurse në Gjykatën Kushtetuese është shumë e vogël, gjyqtarët nuk rrinë as dy metër larg njëri-tjetrit.

Përplasja ekzekutiv-gjyqësor/ Çoçoli: Magjistratët tanë me paga më të larta se mesatarja në Ballkan. U ndjeva i fyer nga kërkesa e tyre

Gazetari dhe analisti ekonomik Fatos Çoçoli komentoi nivelin e pagave të magjistratëve në Shqipëri, duke theksuar se ato janë aktualisht më të larta se mesatarja e vendeve të Ballkanit dhe të krahasueshme me një vend anëtar të Bashkimit Europian si Greqia.

I ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, Çoçoli u shpreh se pagat e magjistratëve shqiptarë janë rreth 25% më të larta se ato të homologëve bullgarë dhe mbi nivelin e magjistratëve rumunë, pavarësisht diferencës së madhe në të ardhurat për frymë mes Shqipërisë dhe vendeve të BE-së.

Sipas tij, megjithëse rritja e pagave lidhet me garantimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë, ky nivel pagesash shkon përtej mundësive reale të buxhetit të vendit, duke pasur parasysh se Shqipëria ka të ardhura për frymë rreth tre herë më të ulëta se Greqia.

Çoçoli theksoi se mbetet e rëndësishme që kjo pagesë të justifikohet nga profesionalizmi dhe cilësia e punës së magjistratëve, ndërsa shtoi se nuk mund të japë një vlerësim mbi aspektin juridik të performancës së tyre.

“Për momentin që flasim ky nivel i pagës së magjistratëve, paga mesatare e tyre sot që flasim është më e lartë se paga mesatare e vende të Ballkanit. Është më e lartë se niveli i magjistratëve rumunë, 25% më shumë se e magjistratëve bullgarëve, është në një nivel të ngjashëm me një vend të zhvilluar të një vendi anëtarë të BE, Greqisë. Gjykoj si ekonomist, që morali, që përkundër sakrificave të buxhetit duke vlerësuar pavarësinë e tyre, do të ishte mirë që sot vlerësohen me paga barabartë me vendet e BE do të ishte një moral publik i plotësuar.

Të mos harrojmë që Greqia i ka të ardhurat për frymë 27 mijë euro, ne i kemi në nivelin e 9 mijë eurove për frymë, tani që flasim. E kemi tre herë më pak se Greqia, po magjistratët i paguajmë njësoj. Uroj që të jenë realisht profesionistë të punës që ta meritojnë këtë pagë. Çfarë kërkohet?! Është diçka më tej  nga sa janë mundësitë reale të buxhetit tonë. Nuk mund të diskutoj për cilësinë e magjistratëve, sepse nuk kam jurist. Unë si qytetar jamë ndjerë shumë i fyer nga kërkesa e tyre”, tha Çoçoli./abcnews.al

Qeveri VS gjyqësor/ ‘Beteja’ për rritjen e pagave, Hoxha: Kërkesë e padrejtë! Ballanca: Rama e ka cilësuar skandaloze

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish me tone të ashpra ndaj gjyqtarëve në lidhje me çështjen e rritjes së pagave, duke shprehur habinë për qëndrimin e Shoqatës së Gjyqtarëve dhe duke e cilësuar kërkesën e saj si të paprecedentë. Në një komunikim për mediat, kreu i qeverisë vuri në pikëpyetje momentin dhe bazën ligjore të kësaj kërkese, duke e konsideruar të papërshtatshme në kontekstin aktual.

Debati është kthyer në temën e ditës dhe po diskutohet gjerësisht në emisionin “Real Story” në ABC News, ku juristë dhe ekspertë të fushës ofrojnë këndvështrime të ndryshme mbi përplasjen mes pushtetit ekzekutiv dhe sistemit të drejtësisë, si dhe mbi aspektet ligjore dhe institucionale të kërkesës për rritjen e pagave të gjyqtarëve.

Avokati, Arbër Hoxha: Deklarata ishte e drejtpërdrejtë dhe gjuha e përdorur ishte e papërshtatshme. Në thelb kërkesa më duket e padrejtë, e paligjshme e papërshtatshme në këtë kohë.

Ish-avokatja e Popullit, Erinda Ballanca: Unë e dëgjova të gjithë seancën dhe aty kishte një përballje mendimesh dhe idesh që kishin të bënin vetëm me anën juridike të procesit. Në 4 orë e 50 minuta u diskutuar të gjitha aspektet juridike. Në orën e parë u tha që gjetën një oportunitet, një kohë të përshtatshme për të depozituar kërkesën. Gjykata, ata nuk duhet të shkelin ligjin. Kjo është e dënueshme, paraqitja e argumenteve nuk është diçka që shkel ligjin. Ishte një kërkesë e vazhdueshme, e përllogaritjes së pagave të gjyqtarëve. Edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese Rama e ka shkrehur mendimin e tij për pagat,e ka cilësuar gjithmonë skandaloze, ky lloj presioni ka ekzistuar.

“Epstein” përplas Trump me gazetaren e CNN

Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi ligjin që i dha fund mbylljes së pjesshme të qeverisë federale, por në daljen për mediat vëmendja u zhvendos te çështja Epstein dhe zhvillimet e fundit nga Departamenti i Drejtësisë.

Në fillim, Trump u pyet për reagimin e tij ndaj lajmit se ish-presidenti Bill Clinton dhe ish-kandidatja demokrate për presidente Hillary Clinton do të dëshmojnë para Kongresit në kuadër të hetimeve për Jeffrey Epstein. Presidenti amerikan u shpreh se situata është e rëndë për ta dhe se i vjen keq që përballen me këtë proces.

“Është për të ardhur keq dhe më vjen keq që duhet ta kalojnë këtë situatë”.

Më pas, një tjetër pyetje lidhej me hetimet në Mbretërinë e Bashkuar ndaj ish-ambasadorit britanik në SHBA, Peter Mandelson, ku Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se nuk kishte dijeni të mjaftueshme për çështjen.

“Nuk di shumë për këtë çështje”.

Presidenti amerikan reagoi ashpër ndaj një pyetjeje të gazetares së CNN, Kaitlan Collins, lidhur me lidhjet e figurave publike me Jeffrey Epstein. Trump e sulmoi gazetaren, duke e cilësuar si gazetaren më të keqe, pasi nuk e ka parë kurrë të buzëqeshë.

Reagimet e Trump vijnë në një kohë kur Departamenti amerikan i Drejtësisë ka publikuar miliona dokumente të brendshme lidhur me rrjetin e Jeffrey Epstein, duke nxjerrë në pah lidhjet e tij me figura të njohura nga politika, financa dhe biznesi, si para ashtu edhe pas dënimit të tij për krime seksuale.

Epstein, mesazhi misterioz nga qelia/ Video selfie 37 sekonda e regjistruar në burgun në dokumentet e publikuara

Një video e re e cila tregon Jeffrey Epstein në ambientet e paraburgimit është kthyer në një sensacion virtual pasi abuzuesi Seksual shfaqet duke riregjistruar një mesazh brenda qelisë ku po qëndronte.

Videoja 37 sekondëshe është pjesë e më shumë se 3 milionë dokumenteve të publikuara nga Departmanti Amerikan i Drejtësisë të premten e shkuar.

Në video, Epstein u drejtohet dy grave të paidentifikuara, duke u thënë se ka “fotografi të tyre te  varura në mur”.

Departamenti i Drejtësisë nuk ka dhënë asnjë shpjegim apo kontekst zyrtar për këtë video. Megjithatë, sfondi, përshkrimi dhe veshja e Epstein sugjerojnë se mesazhi është regjistruar fshehurazi gjatë kohës kur ai ishte nën arrest.

Gjatë videos, Epstein flet me një person jashtë kamerës, të cilit i referohet me emrin “Darren”. Duke iu drejtuar kamerës së telefonit, ai dëgjohet të thotë: “Unë dhe Darren po rrimë këtu… po bëj sikur po flas me Darren, pra ‘përshëndetje Darren’.”

Më pas ai përmend dy gra, emrat e të cilave janë censuruar nga Departamenti i Drejtësisë, dhe thotë: “A po kaloni mirë? Siç e shihni, kam një plagë të vogël në fytyrë që e mora nga një burrë me ngjyrë që u përpoq të më puthte. Është vërtet e neveritshme.”

Duke folur për fotografitë e ngjitura në mur  Epstein deklaron se I ishte dashur të merrte një ngjitës të forte për ti vendosur këto foto në qelinë e tij.

Videoja është komentuar gjerësisht si një mesazh që Abuzuesi seksual me të mitur ka dashur të dërgojë jashtë ambienteve të qelisë ku qëndronte ndërsa ka pikëpyetje të mëdha edhe për faktin sesi ai kishte arritur që të siguronte një smartfon brenda qelisë së tij.

“Berisha është i rrëzuar”/ Mërtiri: Nuk ka mbështetjen e popullit, nuk e rrëzon dot qeverinë

Analisti politik Ergys Mërtiri, i ftuar në emisionin “Tirana Live” në ABC News, deklaroi se ish-kryeministri Sali Berisha nuk ka as kapacitetin dhe as mbështetjen e nevojshme popullore për të rrëzuar qeverinë. Sipas tij, mungesa e instrumentit kryesor popullit, e bën opozitën aktuale të pafuqishme, ndërsa veprimet e Berishës i cilësoi si përpjekje për të fshehur dobësinë e brendshme.

Mërtiri theksoi se vendi ndodhet përballë një qeverie dhe një opozite me imazh të dëmtuar, ndërsa brenda Partisë Demokratike po thellohet përplasja mes bazës që kërkon ndryshim dhe elitave që mbështesin statuskuon.

“Berisha nuk ka fuqinë që të rrëzojë qeverinë, sepse nuk ka mbështetje popullore. Nuk ka asnjë mjet që ta rrëzojë qeverinë, sepse nuk ka popullin, instrumentin e vetëm për të rrëzuar qeverinë. Përpjekja e Berishë për të prodhuar tym dhe flakë është vetëm një mënyrë për të treguar pafuqinë e vet. Kemi një qeveri me imazhin më të keq, nga ana tjetër kemi edhe një opozitë me imazhin më të keq ndonjëherë. Berisha për shkak se ka vendosur në krye njerëz servilë, të cilët i kontrollon dhe i shantazhin i ka deri diku të fortifikuara rrugët për të qëndruar në PD.

Nga ana tjetër ka një pakënaqësi nga anëtarët e tjerë të PD, sepse kërkojnë ndryshim. Salianji ka filluar që të ketë një rol drejtues dhe ka njerëz nga mbrapa. Berisha frikësohet sepse e di që forcat e Salianjit qëndrojnë tek mbështetja e tij. Berisha është i rrëzuar dhe i kalbur nga brenda dhe mbahet vetëm me paterica. Ka një dallim mes demokratëve të thjeshtë që duan ndryshim dhe elitave të asaj partie që kërkojnë statuskuo, sepse vetëm ajo i mban në pushtet”, tha Mërtiri.

Mbi 160 të vrarë nga sulmet e armatosura në Nigeri

Më shumë se 160 persona u vranë në fshatin Woro në perëndim të Nigerisë nga sulmues të armatosur, duke u bërë sulmi më vdekjeprurës i këtij viti.

Banorët thanë se viktimat u mblodhën, iu lidhën duart dhe më pas u qëlluan. Sulmuesit dogjën edhe shtëpi dhe dyqane, raporton theguardian.

Disa banorë u arratisën në pyll me plagë nga armët, ndërsa disa, përfshirë sundimtarin e fshatit, janë të zhdukur. Banorët raportuan se sulmuesit ishin xhihadistë që kërkuan që ata të pranonin Sheriatin.

Kur banorët refuzuan, sulmuesit hapën zjarr gjatë predikimit. Policia konfirmoi sulmin, por nuk ka dhënë shifra të sakta, raporton theguardian.

Guvernatori i Kwara e dënoi si një akt frikacak të terrorizmit. Ushtria njoftoi se kishte neutralizuar 150 banditë dhe kishte pastruar strehimoret e tyre.

Nigeria po përballet me dhunë xhihadiste, grabitje dhe konflikte etnike në shumë rajone. SHBA kanë dërguar një skuadër të vogël ushtarake për të ndihmuar në luftën kundër dhunës.Siguria në vend mbetet e paqëndrueshme dhe komunitetet po përpiqen të rikuperohen nga dhuna.

❌