Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Kushtetuesja rrëzon qeverinë/ Beqiri: Republika e Prokurorëve po krijon precedent të rrezikshëm

Avokati Idajet Beqiri tha se përdorimi i prokurorisë si gjykatë ka degjeneruar drejtësinë dhe ka krijuar “republikën e prokurorëve”.

Ai deklaroi se SPAK po përdoret politikisht për të goditur mazhorancën dhe për të rrëzuar qeverinë.

“ Pushteti gjyqësor është i pavarur. Kur e merr prokurorinë dhe e ke bërë sikur të jetë gjykatë, këtu e ke degjeneruar sistemin e së drejtës dhe ndërtimin e shtetit dhe ke krijuar një precedent të rrezikshëm. Pas këtij qëndrimi të Kushtetueses, ne kemi të bëjmë me një republikë prokurorësh.

Nëse ti, si politikë, je në minorancë dhe nuk e merr dot pushtetin, të ndihmon prokuroria duke i rënë mazhorancës. Kjo mazhorancë rritet e rritet dhe del republika e prokurorëve dhe thotë: kush është ajo forcë që e çon në majë të suksesit, është Veliaj – bjeri në kokë, çoje në burg; është Belinda, Lefter Koka, Vangjush Dako, kryetari i bashkisë Lushnjë.

Të votosh Berishën është si të votosh Serbinë, Vuçiçin, dhe ky ngrihet sot dhe thotë që kemi bërë kërkesë të shkëputet Shqipëria, të mos jetë pjesë e BE-së. SPAK-u, si seksion i Berishës, rrëzon qeverinë që të vijë në pushtet Berisha.“

31 të vrarë nga sulmi vetëvrasës në një xhami në Pakistan

Në një prej sulmeve më vdekjeprurëse në vitet e fundit, një sulmues vetëvrasës vrau të paktën 31 persona në një xhami shiite në Islamabad të Pakistanit, teksa besimtarët po merrnin pjesë në Lutjet e së Premtes.

Zyrtarët thanë më 6 shkurt se nga sulmi u plagosën afër 170 besimtarë në Tarlai, në periferi të Islamabadit. Xhamitë në mbarë botën myslimane janë të mbushura plotë me besimtarë gjatë Lutjeve të së Premtes.

Sipas videove të publikuara menjëherë pas sulmit, u panë trupa njerëzish të shtrirë nëpër objektin e xhamisë. Dhjetëra të plagosur po ashtu janë parë të shtrirë në oborrin e xhamisë Khadija Tul Kubra Imambargah.

“Në total, 31 persona kanë humbur jetën. Numri i të plagosurve që janë dërguar në spitale ka arritur në 169”, tha Irfan Memon, zyrtar i lartë shtetëror.

Aun Shah, dëshmitar okular, tha se dy sulmues fillimisht kanë vrarë me armë zjarri rojet e sigurisë së xhamisë. Ai tha se besimtarët tentuan t’i ndalnin, duke vrapuar drejt tyre.

“Sapo [sulmuesit] arritën te dera e xhamisë, njëri nga ta shpërtheu eksplozivin”, tha ai për Radion Mashaal të Radios Evropa e Lirë.

Disa besimtarë më pas protestuan jashtë xhamisë. Ata thanë se Qeveria është e paaftë të parandalojë sulmet terroriste në rritje.

Sulmet në Islamabad janë të rralla, pasi aty ka forca të shtuara të sigurisë. Por, provinca veriperëndimore të Kiber Paktunkvës dhe në atë jugperëndimore të Baloçistanit po goditen gjithnjë e më shumë nga dhuna islamiste dhe kryengritjet nacionaliste, ku talibanët pakistanezë dhe separatistët laikë etnikë baluçë përballen me forcat e sigurisë të Pakistanit.

Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, por monitoruesi i konfliktit ACLED tha se sulmi ngjason me sulmet që kryen nga grupi terrorist, Shteti Islamik. Ky grup tha se sulmi i 6 shkurtit është më vdekjeprurësi në Islamabad që një dekadë.

Pakistani me 240 milionë banorë ka popullsi shumicë sunite myslimane dhe myslimanët shiitë përbëjnë 15 për qind të popullatës. Që nga vitet ’80, mijëra persona janë vrarë në dhunën sektare dhe shpesh shiitët janë shënjestruar nga ekstremistët sunitë.  / abcnews.al /

Francë/ Gjyqtarja dhe nëna e saj rrëmbehen, kërkohet shpërblim 1.6 milionë euro në Bitcoin

Një gjyqtare 35-vjeçare dhe nëna e saj 66-vjeçare u rrëmbyen dhe u mbajtën për rreth 30 orë në zonën e Grenoble përpara se të liroheshin, sipas Le Parisien.

Rrëmbimi ndodhi, sipas të njëjtit informacion, natën e së martës ndaj së mërkurës, rreth orës 3 të mëngjesit, në shtëpinë e 35-vjeçares në Saint-Martin-le-Vinoux, në Francën juglindore.

Dyshohet se autorët i kanë futur gratë në bagazhin e një makine, ndërsa në vendin e rrëmbimit u gjetën gjurmë gjaku. Partneri i 35-vjeçares, një drejtues në një kompani aktive në sektorin e kriptomonedhave, mungonte në kohën e incidentit.

Dy gratë u gjetën të premten në mëngjes në Bourg-lès-Valence, afërsisht 100 kilometra nga vendi i rrëmbimit. Ato u gjetën të lidhura në një garazh kur një fqinj hapi derën pasi dëgjoi zhurma.

Dy gratë pësuan lëndime dhe u dërguan në spital për ndihmën e parë, ndërsa deri më tani nuk janë bërë arrestime. Sipas një burimi policor, autorët dyshohet se kanë kërkuar një shpërblim në bitcoin, me një vlerë totale prej afërsisht 1.6 milion eurosh. Nuk dihet në këtë kohë nëse është paguar një shpërblim.  / abcnews.al /

“Perimet, kryesore në eksportet me BE”, Rrapaj: Objektivi 1 miliard dollarë, i arritshëm. Fokusi ynë, cilësia …

Agim Rrapaj nga Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar theksoi se perimet, frutat, vaji i ullirit dhe peshku janë produktet kryesore që duhet të promovohen për eksport në BE.

Ai shtoi se zhvillimi i agroindustrisë dhe eksporti i produkteve të gatshme me standarde të larta janë kyç për të arritur objektivin e 1 miliard euro eksport brenda 2030. Rrapaj nënvizoi gjithashtu rëndësinë e standardizimit dhe cilësisë, duke theksuar se produktet pa cilësi nuk lejohen as në tregun shqiptar dhe as në atë europian.

Perimet janë kryesoret në eksportet në BE, edhe frutat, vaji i ullirit dhe të tjerat duhet të jenë në vëmendje të fermerëve për të eksportuar në BE. Edhe peshku do të vijojë të eksportohet në BE. Ne duhet të zhvillojmë agroindustrinë dhe produktet e gatshme do të kenë prioritet të eksportohen, që të kapim objektivin 1 miliardë brenda 2030,i mundur plotësisht.

Ne kemi një ambient të madh për të prodhuar për vendet e BE, problemi është rendimenti. E dyta është cilësia dhe standardimi; çdo gjë mund të negociohet me BE, por në tregun e tyre produkte pa cilësi nuk do lejohen. Jo vetëm në BE, por edhe në tregun shqiptar nuk do lejohen produkte pa cilësi, ndaj ne kemi një projekt me shtetet e bashkuara që po punon prej 3 vitesh në Shqipëri për standardet dhe cilësitë.”

Eksportet shqiptare në BE/ Hasani: Mbështetja e fermerëve dhe investimet e të rinjve përmirësojnë situatën

Ekonomisti Leons Hasani tha per “Sheshi i Dollarit” se vendi ynë është i brishtë në aspektin e konkurrencës së sektorit të bujqësisë në tregun e BE dhe heqja e tarifave kërkon mbrojtjen e prodhimit vendas për ta bërë atë të mbijetueshëm.

Ai theksoi se mbështetja direkte për fermerët dhe investimet e të rinjve mund të përmirësojnë situatën në sektor.

 “Kapitujt e hapur me BE janë ndër kapitujt më sfidues të qeverisjes për standardet në aspektin e sigurisë, por edhe për konkurrueshmërinë. Tregu i brendshëm është me një numër të madh konsumatorësh dhe vendi ynë është i brishtë në aspektin e konkurrencës.

Në momentin që do heqim tarifat, do të duhet të mendojmë të mbrojmë prodhimin vendas, duke e bërë të mbijetueshëm në konkurrencën e lartë. Një mbështetje direkte e fermerëve për të nxitur investimet dhe mbajtja e të rinjve mund të përmirësojnë situatën. Forca punëtore është duke rënë; në momentin kur nuk kemi forcë aktive, produktiviteti do të bjerë dhe vlera financiare e sektorit do të ulet.”  / abcnews.al /

Tenton të grabisë Postën Shqiptare/ Shkodër, ‘skifteri’ thyen xhamin e sportelit, policia vijon kontrollet

Rreth orës 19:00, në lagjen “Vasil Shanto”, një shtetas ende i paidentifikuar është futur brenda ambienteve të filialit të Postës Shqiptare dhe ka tentuar të marrë me forcë një shumë monetare, por nuk ka mundur ta marrë dhe gjatë largimit ka thyer xhamin e sportelit.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe vijojnë kontrollet në zonë për kapjen e tij.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për identifikimin e autorit dhe dokumentimin ligjor të rastit.  / abcnews.al /

Bllokohet qumështi për bebe/ AKU: “Beba Supreme Pre” po tërhiqet nga tregu në Shqipëri

Një tjetër lloj qumështi për  foshnje  tërhiqet nga tregu në vendin tonë si një product I pa sigurtë.

“Beba Supreme Pre” me paketim  800 g dhe me datë  skadence  majin e  vitit 2027.

Kompania “rosmman & lala” sipas Autorietit Kombëtar të Ushqimit  kishte importuar 186 copë  prej të cilave  114  I ka eksportuar në Kosovë.

Ndërkohë që 72  të tjerat  I kishtë shpërndarë në  rrjetin e dyqaneve në Shqipëri.

Autoriteti Kombëtar I Ushqimit thotë se  ka bllokuar    një sasi prej   68 paketimesh.

Katër prej tyre ishin shitur.  Autoritetet  thonë se kanë njoftuar konsumatorin  të mos e përdorin këtë qumësht, por  ta kthejnë në pikat e shitjes.

Qumështi për foshnje  Beba Suprem  Pre 800 gram është bllokuar dhe në Kosovë.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë thotë së produkti do të asgjësohet.

Javën e shkuar në vendin tonë  u bllokuar dhe  qumështin për bebe “aptamil  1 pronutra”  me paketim  800 gramë  dhe  datë skadence nëntorin e vitit  2026 dhe më herët ai “nan 1 optipro”  800g.

Masa u mor nga Autoriteti Kombëtar I Ushqimit  pas njoftimit  nga autorietet europiane se  në produkt  ishe gjetur   substanca cereulide , një toksinë e prodhuar nga bakteri bacillus cereus.

Sipas specialistëve ajo  shkakton diarre, dhembje barku ndonjëherë dhe ethe të lehta  8 deri në 16 orë pas konsumimit.

Stuhi shkatërrimtare në Gadishullin Iberik, kërkohet shtyrja e zgjedhjeve presidenciale në Portugali

Stuhia “Leonardo” ka goditur fuqishëm Portugalinë dhe Spanjën, duke shkaktuar viktima, përmbytje të mëdha dhe evakuime masive.

Deri më tani raportohet për të paktën një viktimë në Portugali, ndërsa një vajzë e mitur rezulton e zhdukur në rajonin e Andaluzisë, në jug të Spanjës.

Reshjet e dendura dhe erërat e forta kanë detyruar autoritetet spanjolle të evakuojnë mbi 7 mijë persona, kryesisht në zonat pranë lumit Guadalquivir, në provincën e Kordobës. Në fshatin malor Grazalema, rreth 1 500 banorë janë urdhëruar të largohen nga shtëpitë për shkak të rrezikut nga rrëshqitjet e dheut.

Në Portugali, qeveria ka zgjatur gjendjen e emergjencës në 69 bashki deri në mes të shkurtit. Disa lumenj, përfshirë lumin Tagus, janë në nivel alarmi, ndërsa autoritetet paralajmërojnë rrezikun më të madh nga përmbytjet në pothuajse 30 vjet. Në Porto, lumi Douro ka dalë nga shtrati, ndërsa qytete të tëra në jug të vendit mbeten pjesërisht nën ujë.

Situata e rëndë ka ndezur debat politik në Portugali, vetëm dy ditë para raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale. Partia e ekstremit të djathtë “Chega” ka kërkuar shtyrjen e votimit, duke argumentuar se kushtet aktuale cenojnë barazinë e qytetarëve. Megjithatë, autoriteti kombëtar zgjedhor ka bërë të ditur se zgjedhjet do të zhvillohen sipas planit.

Ndërkohë, shërbimet meteorologjike paralajmërojnë se stuhitë do të vijojnë edhe në ditët në vijim, me reshje të tjera intensive dhe erëra të forta.

Skandali ‘Kurum’/ Zbuten masat për 12 të arrestuarit

Gjykata e Durrësit, ka  verifikuar masat për 20 të arrestuarit për trafikim të mbetjeve të rrezikshme ku ka lënë në burg 8 të arrestuar, 5 në arrest shtëpie dhe 7 detyrim paraqitje.

Mbetjet e rrezikshme të ‘Kurum’, 102 kontejnerë me peshë 2800 tonë u kthyen nga Tajlanda në tetor 2024.

Arrest me burg per 8 persona- Shaban Hyseni, Mikail Hila, Nazif Bajrami, Andon Prifti, Indrit Likaj, Edmond Voda, Florian Çomo, Gazmend Sina
Detyrim paraqitje per 7 persona: Julian Kapedani, Arta Dollani, Marjeta Përlala, Kledina Skëndo, Bujana Tonçiça, Elis Mellonashi, Iva Musa
Arrest në shtëpi per 5 persona: Rami Buga, Mirjeta Zotaj, Helidon Lila, Shkëlqim Jakupi, Kejqi Ahmetaj.

1. Shtetasi R.B- dyshuar për veprën penale “Kontrabandë me mallra të ndaluar apo kufizuar” dhe “Menaxhim i mbetjeve”- Arrest në shtëpi
2. Shtetasi Sh.H- dyshuar për veprën penale “Kontrabandë me mallra të ndaluar apo kufizuar” dhe dhe “Falsifikim i dokumenteve”- Arrest në burg
3. Shtetasja M.Z- dyshuar për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”;- Arrest në shtëpi
4. Shtetasi M.H- dyshuar për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”-Arrest në burg
5. Shtetasi N.B- dyshuar për veprën penale “Menaxhim i mbetjeve”;-Arrest në burg
6. Shtetasi A.P- dyshuar për veprën penale “Menaxhim i mbetjeve”;- Arrest në Burg
7. Shtetasi J.K- dyshuar për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”;- Ndalim i daljes jashtë shtetit dhe Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore
8. Shtetasi I.L- dyshuar për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”;- Arrest në Burg
9. Shtetasi E.V- dyshuar për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”;- Arrest në burg
10. Shtetasi H.L- dyshuar për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”;- Arrest në shtëpi
11. Shtetasi Sh.J- dyshuar për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”;- Arrest në shtëpi
12. Shtetasi F.Ç- dyshuar për veprën penale “Menaxhim i mbetjeve”;- Arrest në burg
13. Shtetasi G.S- dyshuar për veprën penale “Menaxhim i mbetjeve”; Arrest në burg
14. Shtetasja A.D- dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për tre raste;- Ndalim i daljes jashtë shtetit dhe Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore
15. Shtetasja M.P- dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për tre raste;- Detyrim paraqitje në policinë gjyqësore
16. Shtetasja K.S- dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;- Ndalim i daljes jashtë shtetit dhe Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore
17. Shtetasja B.T- dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;- Ndalim i daljes jashtë shtetit dhe Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore

18. Shtetasja E.M- dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;- Ndalim i daljes jashtë shtetit dhe Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore
19. Shtetasi K.A- dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;- Arrest në shtëpi
20. Shtetasja I.M- dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;- Ndalim i daljes jashtë shtetit dhe Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore

Veliaj kërkon përjashtimin e gjyqtares Deda/ GJKKO rrëzon kërkesën e kryebashkiakut

GJKKO rrëzon kërkesën e Veliajt për përjashtimin e gjyqtares Etleva Deda. Kërkesa u bë nga vetë Erion Veliaj, në seancën e datës 2 shkurt në Gjykatën e Posaçme, me pretendimin se i mohoi të drejtën të mbrohej efektivisht. Në këtë seancë, Veliaj kërkoi që të mos përfaqësohej nga avokatja e caktuar, kryesisht Valentina Teodoresku.

Kryebashkiaku i Tiranës Veliaj kishte depozituar pranë Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në 4 shkurt një kërkesë zyrtare për përjashtimin e gjyqtares Etleva Deda nga çështja penale ndaj tij. Kërkesa ishte paraqitur më 2 shkurt dhe u shqyrtua nga gjyqtari Bib Ndreca.

Erion Veliaj ndodhet në paraburgim prej afro një viti. Ai u arrestua më 10 shkurt 2025 dhe përballet me akuza si pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në disa episode, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në ambientet e paraburgimit.

Kërkesa e gjyqtarëve për pagat, Lamallari: Më të lartat në rajon! Duhet analizë e fortë për punën e drejtësisë…

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, tha se indeksimi i pagave është i vlefshëm për çdo punonjës të shtetit shqiptar dhe se sot gjyqtarët kanë paga të dinjitetshme, të barabarta me vendet anëtare të BE-së, duke treguar mbështetje reale për gjyqësorin.

Ai nënvizoi problemet reale të sistemit: proceset gjyqësore që zvarriten, vakancat e pazbatuara, zgjatjet e afateve të krerëve të gjykatave dhe paraburgimin e padrejtë për qytetarët.

Lamallari theksoi se llogaridhënia e zyrtarëve dhe besimi i qytetarëve te drejtësia janë kyçe për forcimin e demokracisë dhe integrimin europian.

“Indeksimi është i vlefshëm për çdo punonjës të shtetit shqiptar, institucionet e pavarura, buxhetore ose jo. Çdo dy vjet ligji e bën të qartë që ka nevojë për indeksim për inflacionin.

Diskutimi real duhet të jetë për një nevojë për analizë të fortë për 10 vitet e reformës: a ka sot procese gjyqësore që zvarriten, a ka vakanca që duhen adresuar, a ka sot zgjatje të afateve të qëndrimit në detyrë të krerëve të gjykatave dhe prokurorive, a ka drejtësi cilësore për qytetarët.

Nuk duhet të ketë sot zvarritje dhe qytetarët duhet të marrin drejtësi; një drejtësi e vonuar është e mohuar. Këtë mund ta pësojë një qytetar në paraburgim dhe nuk ka vendim gjykate apo pafajësie që të kthejë pas kohën e mohuar të një qytetari.

Këto janë çështje reale që gjyqësori duhet t’i flasë sot. Qeveria e ka treguar mbështetjen. Sot gjyqtarët kanë pagat më të larta në rajon, paga të barabarta me një vend anëtar të BE-së, konkretisht Greqinë.

Pagat e gjyqtarëve janë dinjitoze, duke marrë parasysh edhe kontekstin e pagave, dhe besimi i qytetarëve te drejtësia është kyç dhe nuk duhet të cenohet nga diskutime të vogla për një mision të madh.

Unë respektoj ndarjen e pushteteve, por më e rëndësishme është llogaridhënia. Kjo është në funksion të forcimit të demokracisë. Çdo zyrtar shqiptar duhet të japë llogari para qytetarit.

Paraburgimi është padrejtësi e shtuar ndaj qytetarëve dhe kur kjo përforcohet nga Këshilli i Europës, kur kemi një stok çështjesh që nuk po shqyrtohen nga gjyqtarët, këto janë çështjet reale që duhen diskutuar. Kjo duhet të jetë ajo.”

Miratohet amnistia penale/ Lamallari për ABC News: E nevojshme! Paraburgimi i tejzgjatur, s’duhet të ketë vend

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, tha në Balkan Update se qeveria ka miratuar dhe depozituar në Kuvend projektligjin për amnisti, në bashkëpunim dhe me dakordësinë e Prokurorisë së Përgjithshme dhe asaj të Posaçme.

Ai theksoi se amnistia është një akt human dhe pjesë e një politike të re penale, që synon t’u japë një mundësi të dytë qytetarëve dhe lidhet ngushtë me procesin e integrimit europian. Sipas ministrit, do të ndërmerret edhe një reformë urgjente e Kodit të Procedurës Penale, ndërsa paraburgimi i tejzgjatur nuk mund të ketë vend në Shqipërinë e sotme.

“Në përfundim të vitit të shkuar, qeveria shfaqi vullnetin për të kryer amnistinë, së bashku me institucione si Prokuroria e Përgjithshme dhe ajo e Posaçme, ku morëm dakordësinë e tyre. U miratua sot ky akt, duke bërë edhe depozitimin në Kuvend.

Është e rëndësishme të kemi sa më parë shqyrtimin në procedurën parlamentare për këtë dokument të rëndësishëm, duke marrë parasysh kategorinë e personave që përfitojnë, për disa që kanë kryer shumicën e burgimit dhe për të tjerë të vijojë procedimi penal për vepra të vogla.

Ishte e nevojshme, përveçse një akt human, ku të kemi një amnisti që tregon një qasje të re penale për të dhënë një mundësi të dytë për qytetarët, një politikë e re penale që lidhet me frymën për të ecur në integrimin europian, që ecën paralelisht me reformimin e sistemit të drejtësisë.

Do të ketë një reformë urgjente të Kodit të Procedurës Penale për ta përafruar me BE-në. Ne kemi pasur një konferencë të nivelit të lartë me magjistratë të nderuar, ku u theksua me shqetësim se situata në Shqipëri meriton një vëmendje të shtuar për të garantuar më shumë mbrojtje dhe qartësi.

Paraburgimi i tejzgjatur dhe i tepruar nuk mund të ketë vend në Shqipërinë e sotme.”

Nga rritje pagash në dhëniet e amnistive, Këshilli i Ministrave zbardh vendimet

Këshilli i Ministrave ka miratuar indeksimin me 2.5% të pagave për disa kategori të administratës publike për vitin 2026. Vendimi përfshin rritjen e pagës së Presidentit të Republikës, pagave referuese për gjyqtarët dhe prokurorët, si dhe përditësimin e strukturave të pagave për Gardën e Republikës, Policinë e Burgjeve, administratën publike dhe personelin shëndetësor.

Në disa sektorë parashikohen edhe rregullime të shtesave dhe kompensimeve. Efektet financiare do të mbulohen nga buxheti i vitit 2026 dhe do të zbatohen nga 1 janari 2026, pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Ndërkohë, qeveria ka paraqitur një projektligj për dhënien e amnistisë, me synim përjashtimin tërësor ose të pjesshëm nga dënimi dhe ndjekja penale të personave që plotësojnë kriteret ligjore. Projektligji udhëhiqet nga parimi i humanizmit, rehabilitimi dhe mbrojtja e interesit publik, duke synuar edhe rritjen e eficiencës së sistemit të drejtësisë.

” Këshilli i Ministrave ka miratuar një paketë vendimesh për indeksimin me 2.5% të pagave dhe elementeve përbërëse të tyre në disa kategori të administratës publike për vitin 2026.

(Vendimet përfshijnë rritjen e pagës së Presidentit të Republikës dhe të pagës referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë, si edhe përditësimin e strukturave të pagave për Gardën e Republikës, Policinë e Burgjeve, koordinatorët kundër korrupsionit, punonjësit mbështetës dhe specialitetet e ndryshme në administratë, si dhe personelin e sistemit shëndetësor.)

Krahas indeksimit, në disa sektorë parashikohen edhe rregullime specifike të shtesave dhe kompensimeve.

Efektet financiare përballohen nga buxheti i miratuar për vitin 2026 dhe vendimet hyjnë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, me efekte financiare nga 1 janari 2026.

Projektligj për dhënie amnistie

Qëllimi i këtij ligji është të përjashtojë nga vuajtja e dënimit dhe ndjekja penale, tërësisht ose pjesërisht, të gjithë personat që plotësojnë kriteret, sipas dispozitave të këtij ligji.

Dhënia e amnistisë, sipas këtij ligji, udhëhiqet nga:
-parimi i humanizmit;
-arritja e qëllimit të dënimit;
-rrezikshmëria e ulët e personave që amnistohen;
-edukimi dhe rehabilitimi;
-mbrojtja e interesit publik;
 -dhënia e mundësisë së integrimit më të lehtë dhe më të shpejtë të të dënuarve të  mitur dhe gra;
-rritja e eficiencës në sistemin e drejtësisë;
-mbrojtja e interesit më të lartë të fëmijës.“, thuhet ne vendim.  / abcnews.al /

Përmbytet Himara/ Përroi del nga shtrati, probleme në disa banesa

Reshjet intensive të shiut në Himarë dhe dalja e përroit nga shtrati kanë shkaktuar probleme në disa banesa, ndërsa uji ka depërtuar edhe në brendësi të tyre. Sipas banorëve të zonës, reshjet kanë qenë të shumta dhe prurjet e ujit tepër të mëdha, duke përmbytur një pjesë të shëtitores, si edhe disa banesa pranë saj.

Si pasojë, janë shkaktuar dëme kryesisht në katet e para të banesave, ku uji ka hyrë brenda, duke dëmtuar orendi dhe pajisje shtëpiake. Banorët shprehen se situata ka qenë e papritur dhe e vështirë për t’u përballuar në një kohë kaq të shkurtër.

Për më shumë se 30 minuta, Himara ka kaluar një situatë të vështirë për shkak të reshjeve intensive të shiut dhe daljes së përroit. Shëtitorja u përmbyt, po ashtu edhe disa banesa, ku u raportuan dëme në katet e para.

“Po sikur të çmendet një prokuror në Dibër?”, Rada: Veç tek ne i kërkohet ‘Kushtetueses’ vendim brenda një jave

I ftuar në emisionin “Ora e fundit”, gazetari Ardit Rada komentoi çështjen “Balluku” duke u shprehur se Qeveria ka të drejtë për ankimimin në Gjykatën Kushtetuese.

“Është një precedent për të cilin ne kemi nevojë ta kalojmë, për të ditur se çfarë ndodh në të ardhmen mes gjyqësorit dhe Qeverisë. Logjika nuk ta lejon të besosh se një prokuror bashkë me një gjyqtar mund të pezullojnë numrin dy të qeverisë. Madje asnjë minsitër. Sepse kështu i bie që të çmendet një prokuror në Dibër fjala bie, edhe të thotë se në një hetim që po kryen mes grupeve kriminale, figuron në përgjime edhe emrin i Edi Ramës. Ky prokurori tani do ta pezullojë Kryeministrin? Sepse ligji ia jep si të drejtë pa qenë prokuror i SPAK. Ai e bën sepse është urgjente dhe derisa çështja të kalojë në Tiranë në SPAK, i duhet të mbrojë provat mos ia prish Rama në detyrë. Pra nesë nën avujt e alkoolit mund t’ia japi truri një prokurori dhe një gjyqtari që të pezullojnë qeverinë, çfarë do bëjmë ne? Se në zgjedhje të parakohshme nuk shkohet dot. T’i kërkojmë Blendi Klosit se cilin mendon për pasardhës të Ramës si kryeministër nga radhët e PS?” – u shpreh Rada në “Ora e fundit”.

I pyetur nëse ‘Kushtetuejsa’ ka ndonjë vonesë në marrjen e vendimit, Rada tha:

“Tani tek vonesa e Gjykatës Kushtetuese, që thuhet nëpër media. Për Sali Berishën, GJK-së iu desh 8 muaj të shprehej në favor të tij dhe s’e akuzoi njeri pse u vonua. Gjykata Kushtetuese merr vendime jetike. Këtu kemi çështje civile që zgjasin me vite, për 3 metra tokë që në fund të fundit ta thotë metri të saktë se kush ka të drejtë. Si mund t’i themi Kushtetueses ne, fol pak shpejt se po të pret Gazment Bardhi? E dini ju që në asnë vend të botës shkalla e fundit e gjyqësorit s’mund të shprehet si Këshilli i Lagjes, me një mbledhje apo me nëj muaj? S’mund t’i digjet karriera politike dikujt, edhe të bredhi rrugëve të botës pastaj nga GJEDNJ në Strasburg etj, edhe të vijë me një vendim pafajësia, por këtu të gjejë Berishën kryeministër. Të bëhet zv.Kryeminsitrja e Berishës pastaj me rikthim në detyrë?” – tha Rada.

15-vjeçari tenton të vrasë me armë mësuesin në Uells, arrestohet

Një djalë 15-vjeçar u arrestua sot në 5 shkurt nga policia nën dyshim për tentativë vrasjeje pas një incidenti në Milford Haven Comprehensive School në Pembrokeshire, Uells. Incidenti ndodhi të enjten rreth orës 15:20, kur nxënësi tentoi të sulmonte një mësues me armë.

Policia e Dyfed-Powys tha se menjëherë pas ngjarjes, shkolla u vendos nën bllokadë, për të siguruar nxënësit dhe stafin. Mësuesi i sulmuar po merr trajtim mjekësor për lëndimet e marra. Asnjë nxënës nuk u dëmtua dhe shumica tashmë kanë shkuar në shtëpi. Një zëdhënës i Shërbimit të Ambulancës në Uells tha se u thirrën në vendngjarje dhe një pacient u transportua në spital. Policia vijoi të qëndrojë në shkollë për hetime.

Këshilli i Pembrokeshire konfirmoi se të gjithë nxënësit janë të sigurt dhe se çdo aktivitet pas shkollor për këtë mbrëmje është anuluar. Incidenti është nën hetim dhe se oficerët po punojnë për të kuptuar të gjitha rrethanat e ngjarjes. Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal. Autoritetet po bëjnë thirrje që prindërit dhe komuniteti të qëndrojnë të qetë dhe të lejojnë policinë të kryejë hetimin.

Sllovenia shqyrton ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç

Sllovenia po përgatit një projektligj që do të ndalojë aksesin në mediat sociale për fëmijët nën 15 vjeç, tha zëvendëskryeministri slloven Matej Arkon në një konferencë për shtyp të martën. Sllovenia, me një popullsi prej rreth 2 milionë banorësh, ndjek shembullin e Spanjës dhe vendeve të tjera që kanë propozuar ndalimin e përdorimit të mediave sociale nga adoleshentët , në një shenjë të një forcimi të qëndrimeve në Evropë ndaj teknologjisë që disa thonë se është projektuar të krijojë varësi.

Arkon tha se Ministria e Arsimit ka marrë iniciativën, duke u mbështetur në përvojën e vendeve të tjera, dhe se ekspertë në arsim dhe teknologji dixhitale do të përfshihen gjithashtu në hartimin e projektligjit që synon mbrojtjen e fëmijëve dhe adoleshentëve.

“Ka qenë një çështje shumë ‘e nxehtë’ në të gjithë botën dhe në Evropë në javët dhe muajt e fundit, dhe me këtë, ne si qeveri po tregojmë se kujdesemi për fëmijët tanë”, tha Arkon pas një mbledhjeje të kabinetit.

Ai vuri në dukje se qeveria dëshiron të rregullojë rrjetet e mediave sociale ku ndahet përmbajtja, duke përmendur ndër të tjera TikTok, Snapchat dhe Instagram.

Spanja dëshiron të ndalojë mediat sociale për adoleshentët nën moshën 16 vjeç. Vende të tjera, përfshirë Britaninë dhe Francën, po shqyrtojnë gjithashtu masa më të ashpra në mediat sociale, pasi Australia në dhjetor u bë vendi i parë që ndaloi aksesin në platforma të tilla për fëmijët nën moshën 16 vjeç.  / abcnews.al /

❌