Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

E rëndë në Vlorë, 4-vjeçari paraqitet pa shenja jete në spital

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në Vlorë, kur një i mitur vetëm 4-vjeçar ka ndërruar jetë.

Policia bën me dije se vogëlushi është dërguar pa shenja jete në Spitalin Rajonal. Nga këqyrja paraprake nuk janë konstatuar shenja dhune apo dëmtime të tjera.

“Specialistët referuan materialet në Prokurori, pasi më datë 06.02.2026, në Spitalin Rajonal Vlorë, është çuar pa shenja jete një fëmijë 4-vjeçar. Nga këqyrja paraprake nuk janë konstatuar shenja dhune apo dëmtime të tjera. Vijojnë ekzaminimet e mëtejshme mjeko-ligjore për përcaktimin e shkakut të ndërrimit të jetës”, thuhet në njoftim.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme.

Ronaldo vazhdon rebelimin/ Superylli portugez nuk luajti në Arabi për të dytë herë radhazi

Se si do të përfundojë kjo punë askush nuk e di.

Kryengritjet zakonisht ose fitojnë ose shuhen, ndërsa për Kristiano Ronaldon triumfi është I pamundur.

Superylli portugez refuzoi për të dytën herë radhazi të dilte në fushë për ekipin e tij, Al Nasr, në Ligën Profesioniste Saudite, këtë radhë në sfidën shtëpiake ndaj Al Itihadit kampion, pasi mungoi edhe kundër rivalit Al Riad.

Shkaku dihet dhe është sepse CR7 është tepër I zemëruar që autoritetet nuk I dhanë mundësi të barabartë klubit të tij me rivalin për titull, Al Hilal, gjatë fazës së transferimeve në janar.

Afati zyrtar i transferimeve përfundoi në 2 shkurt dhe Al Hilal mori një yll të rëndësishëm si sulmuesin francez, Karim Benzema, kapitenin e Al Itihadit.

Ish-heroi i Realit e tregoi vlerën me 3 gola shënuar në fitoren 6-0 kundër Al Ahdudit.

Të katër klubet kryesorë, përfshi Al Hilalin dhe Al Nasrin, I zotëron Fondi Publik Saudit, dhe Ronaldo proteston se këtu u bë një padrejtësi.

Gara për kampionatin mbetet e ashpër, pasi rekormenët e titujve kryesojnë me vetëm një pikë më shumë sesa skuadra e Kristianos, 50 ndaj 49, ndjekur nga Al Ahli me 47.

Sulmet ruse shkaktojnë ndërprerje të mëdha të energjisë elektrike në Ukrainë

Rusia ka nisur një sulm të ri masiv ndaj sistemit energjetik të Ukrainës, duke goditur rrjetin elektrik, termocentralet dhe nënstacionet, tha sot presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

“Sulmi i natës së kaluar përfshinte më shumë se 400 dronë dhe rreth 40 raketa të llojeve të ndryshme”, shkroi Zelensky në X.

Dëme u raportuan në rajonet perëndimore të Ukrainës, Volyn, Ivano-Frankivsk, Lviv dhe Rivne.

“Çdo ditë, Rusia mund të zgjidhte diplomacinë e vërtetë, por ajo zgjedh sulme të reja”, tha presidenti, duke i bërë thirrje mbështetësve të procesit aktual të negociatave të ndërmjetësuara nga SHBA-ja që të reagojnë ndaj sulmeve të fundit.

Zelensky theksoi se Moskës duhet t’i mohohet mundësia për të ushtruar presion mbi Ukrainën përmes motit të ftohtë, dhe shtoi se Ukraina ka nevojë për raketa për sistemet e mbrojtjes ajrore për të arritur këtë qëllim.

Kinezja milionere e Olimpiadës Eilin Gu, skiatore e stilit të lirë ka të ardhurat më të mëdha

Është vetëm 22 vjeç, është tepër simpatike, dhe gjithashtu e pasur.

Lojërat Olimpike të Dimrit në Milano dhe Kortina d’Ampeco do të kenë një vajzë në krye të klasifikimit të të ardhurave financiare, dhe kjo është një sportiste me origjinë kineze, që fillimisht garoi si amerikane, dhe tani po mbron flamurin e Kinës.

Ailin Fen Gu, që në vendin e saj njihet si Gu Ailin, është një skiatore e stilit të lirë.

Sipas revistës së shquar amerikane, “Forbs”, ajo ka fitime prej 23 milionë USD në vit, duke lënë prapa të gjithë yjet e tjerë që marrin pjesë në Olimpiadë.

Katër vjet më parë, në Pekin, ajo u bë kampionia më e re olimpike në stilin e lirë, dhe e para që fiton 3 medalje në një Olimpiadë të vetme.

Me nënë kineze, por baba amerikan, ajo vendosi të përfaqësonte Kinën, besohet sepse shteti duhet ta ketë mbështetur më shumë.

Në vendin e dytë për të ardhurat vjen një yll I madh nga Liga e Hokejit në Akull në Amerikën e Veriut, që përfshin Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë.

Amerikani Ostën Metjus fiton 20 milionë USD në vit, nga të cilat 15 milionë në skuadrën e tij të Torontos dhe 5 milionë nga kontrata sponsorizimi.

Pas tyre vijnë dy amerikane të tjera.

Veterania 41-vjeçare Lindsi Von, që pritet të marrë pjesë për herë të pestë dhe rekord në Lojrat Olimpike, besohet se fiton 8 milionë USD në vit.

Von ka 84 fitore në garat për Kupën e Botës, e dyta në histori.

Legjendarja tjetër amerikane, Mikaela Shifrin, I ka rritur shumë të ardhurat e saj, dhe I është afruar rivales më të vjetër, por mbetet prapa vetëm për pak.

Ajo fiton 7 milionë USD në vit.

Olimpiada, Norvegjia është favorite/ Nordikët pritet të përsërisin suksesin e katër viteve më parë

Këtu nuk jemi në piskun e vapës.

Lojërat Olimpike Dimërore kanë gara e kushte të tjera në krahasim me ato të verës, dhe po ashtu kandidatët për fitore ndryshojnë.

Nëse në Olimpiadat më të shquara, që janë mbajtur që në kohën e grekëve të lashtë, dominojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e dikur e ndanin Olimpin me Bashkimin Sovjetik, këtu numri 1 është Norvegjia.

Pikërisht skuadra skandinave pritet të fitojë numrin më të madh të medaljeve, të arta, të argjendit dhe të bronzit, ashtu siç bëri 4 vjet më parë në Pekin.

Norvegjezët i lanë prapa të gjithë, madje me distancë, duke marrë 16 të arta dhe 37 medalje gjithsej.

Garat e preferuara të tyre janë biatloni, apo dygarëshi, si dhe ato që quhen garat e skive nordike.

Po ashtu, mund të fitohen medalje në kërcimet nga trampoline dhe në disiplina të tjera.

Gjermania doli e dytë në Olimpiadën kineze në 2022 me 12 të arta dhe 27 medalje në përgjithësi.

Gjermanët kontrollojnë garat me rrëshqitje në një mjet në një shteg akulli të rrethuar me bordura, në bobsled, si dhe në skeleton, që është një disiplinë e ngjashme, por me një garues të vetëm.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë pretendentët e tretë për medalje duke marrë 25 të tilla, nga të cilat 9 të arta, ndërsa pranë tyre pritet të jenë Kina, Suedia, Holanda, Austria, Zvicra, por besohet edhe Koreja e Jugut.

Përfaqësuesja më e shkëlqyer amerikane është Mikaela Shifrin, skiatorja alpine më e madhe e të gjitha kohëve me 108 fitore në garat e Kupës së Botës, që ka fituar tre medalje olimpike në karrierë.

ISIS përgjegjës për sulmin/ Pakistan, grupi terrorist merr përgjegjësinë e atentatit kamikaz në xhami

Shteti Islamik ISIS ka marrë përgjegjësinë mbi sulmin Kamikaz të ndodhur përgjatë lutjeve të së premtes në një Xhami Shiite në kryeqytetin e Pakistanit, ku si pasojë e shpërthimit humbën jetën 31 persona dhe u plagosën 169 të tjerë.

Isis në deklaratën që bëri ku mori përgjegjësinë e sulmit deklaroi se vijon ti shohë shiitët pakistanezë si objektiva legjitime, duke I quajtur ato një rezervuar njerëzish që punojnë për të rekrutuar militant që të luftojnë Shtetin Islamik në SIRI.

Bombardimi I Xhamisë në lutjet e së premtes ku në mesin e viktimave kishte edhe fëmijë ishte më vdekjeprurësi në Islambad që nga një sulm kamikaz I ndodhur brenda një hoteli në qytetin e Pakistanit në vitin 2008 ku humbën jetën 63 persona dhe u plagosën më shumë se 250 të tjerë.

Shiitët, të cilët janë pakicë në kombin me shumicë myslimane sunite prej 241 milionë banorësh, janë shënjestruar në dhunë sektare në të kaluarën, përfshirë edhe nga grupe militante talibane në Pakistan, që I konsiderojnë ata heretikë.

Bombardimet janë të rralla në kryeqytetin e ruajtur me masa të rrepta, megjithëse Pakistani është goditur nga një valë në rritje e sulmeve nga grupet militante përgjatë viteve të fundit.

Vajzat që “çajnë” qiellin/ Dy pilotet e vetme të helikopterëve ushtarakë në Shqipëri

Nuk u rritën me ëndrra për qiellin as nuk e kishin planifikuar këtë rrugë, por sot Adea dhe Alida janë dy vajzat e vetme që pilotojnë helikopterë në bazën ajrore në Farkë.

Dy 26-vjeçaret prej katër vitesh janë pjesë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe prej tre vitesh  pjesë e Forcës Ajrore.

“Nuk ishte e menduar. Një dëshirë e momentit.  Nuk jam nisur për Forcë Ajrore, por pasi është hapur kursi për pilot e kam parë dhe kam shprehur dëshirën. Kam babain që është ushtarak. Isha e mirëinformuar tek kjo pjese”, shprehet pilotja Adea Ahmeti.

“Zgjedhja për tu bërë pjesë e ushtrisë ka qenë zgjedhje spontane ndikuar kryesisht nga rrjetet sociale. Që në momentin e përfundimit të Akademisë së Forcave të Armatosura u emërova në Forcën Ajrore në Rinas dhe aty mësove dëshirën për të fluturuar”, tregon pilotja Alida Bego.

Hynë në një botë të panjohur me vullnetin për të sfiduar veten dhe kufijtë që shoqëria shpesh u vendos vajzave. Piloti, prej vitesh është konsideruar një profesion kryesisht për djem megjithëse këto vajza mendojnë ndryshe.

“Në këtë profesion nuk shihet gjinia po vlerësohet aftësia”, thotë adea.

Fluturimi i parë vetëm ishte plot dyshime.

“Atë ditë që kam pasur fluturimin solo kam qenë duke bërë kontrollet rutinë  që ne bëjmë  të helikopterit  dhe aty kam pasur shumë, shumë emocion, por  në momentin që kam hip në helikopter nuk kisha më emocion.  Jam kthyer dhe kam parë që nuk kisha njëri tjetër dhe  unë thash ouu, unë mund ta bëj”, tregon Adea Ahmeti.

“Emocionet më të mëdha kanë qenë para fillimit të fluturimit sepse aty  fillon të mendosh çfarë do ndodhi, mendon idenë që do jesh vetëm,  megjithatë në momentin e hipjes në helikopter mbledh mendjen në thonjëza, I thua vetes je gati,  në rregull, mund t’ja dalësh dhe vazhdon fluturimin”, thotë pilotja tjetër Alida.

Një profesion sfidues, me përgjegjësi të madhe. Një betejë e heshtur mes frikës dhe guximit.

“Ne kemi një shprehje që thotë se ndjenja e frikës nuk duhet të ekzistojë në fluturim se humb toruan dhe nuk je në gjendje ti përgjigjesh  periudhave të emergjencës në kohën e duhur dhe në mënyrën e duhur për këtë arsye përpiqemi ta lëmë frikën në tokë”, shprehet pilotja Alida Bego.

Në ajër gjejnë qetësinë.  Aty ku përballen me veten, ku çdo vendim ka peshë dhe çdo sekondë kërkon përqendrim maksimal.

“Duhet të jesh i qetë mendërisht që të përballosh gjithçka që vjen në fluturim”, tregon Alida.

“Gati tu në ajër, nuk tolerohet as gjëja më e vogël, duhet të jesh gjithmonë serioz”, nënvizon Adea.

Më e sigurt në tokë kur nget një makinë apo në ajër kur drejton një helikopter?

Padyshim që në ajër duke pilotuar një helikopter.  Në ajër je më e kontrolluar e di se nga do të vijë një helikopter tjetër. Sepse ke komunikimin e vazhdueshëm. Toka s’ta jep këtë siguri. Ti se di çfarë ka në mend të bëjë ai tjetri.  Në ajër nuk ka veprime të menjëhershme nga koka jote pa I komunikuar më parë.

Synimi është pilotimi i Coguarit.

“Është helikopter që i përfshinë të gjitha”, thotë pilotja Adea.

“Misionet që merr pjesë Cougar janë një rang misionesh, duke filluar nga kërkim shpëtimi, misionet e fikjes së zjarrit dhe çfarëdo lloj misioni që të jetë e rëndësishme është të jesh pjesë e atij lloj misioni dhe e di që je ti që po bën diçka për të ndihmuar.”, tregon pilotja Alida.

“Shpresojmë koha të jetë sa më e afërt.  Dëshira është e madhe”.

“Është një procedurë e gjatë stërvitje dhe studimi. Ndoshta mendoj se kërkon një periudhë e gjatë kohore.

Ne që jemi mësuar me helikopter me një motor as 350 b do ta kemi periudhën e kalimit më të vështirë dhe për ambientimin me instrumentet me peshën e helikopterit dhe teknikat e pilotimit”

Adea dhe Alida janë të vetmet vajza që ngrenë në fluturim helikopterët në bazën e Farkës mes shumë djemsh.

Por pavarësisht gjinisë Forcat Ajrore kanë nevojë për pilot dhe nënkolonel Klajdi Tushe fton të rinjtë të aplikojnë për tu bërë pjesë e Forcave të Armatosura.

“Interesat tona kombëtare janë të lidhura me zhvillimet që ndodhin pranë NATOS-s pranë sigurisë së përgjithshme të atdheut tonë. Ne kemi shtuar ngarkesën, kërkesën ndaj vetes duke shtuar numrin e operacionalitetit, stërvitjeve dhe misioneve që Ministria e Mbrojtjes mund të marrë për jashtë shtetit kjo kërkon shtim të  personelit bashkëlidhur më këto kemi shtim të numrit të helikopterëve që na çon nevojë për burime njerëzore.  Njëkohësisht Baza Ajrore e Farkës ofron dhe shërbime të brendshme të vendit që kanë nevojë për tu mbështetur me pilotë e teknikë”, thotë Tushe.

Por nëse deri tani për tu bërë pilot duhet fillimisht të veshësh uniformën ushtarake, shumë shpejt  për të përgatitur të rinjtë  pritet dhe hapja e shkollës së aviacionit.  Ku mund të certifikohesh jo vetëm si pilot helikopteri, por dhe avioni.

“Nëse tani duhet të mbarosh Akademinë Ushtarake, të bëhesh ushtarak,  pastaj bëhesh pilot, me hapjen e shkollës së aviacionit  një person pasi ka mbarura shkollën  e mesme mund të kryej shkollën e aviacionit, të kryejë akademinë atje dhe shkurton këtë periudhë për pilot”, shprehet ai.

Jo çdo sukses nis me një ëndërr fëmijërie. Disa nisin me një vendim të vështirë dhe ndërtohen me guxim.

Alida dhe Adea dëshmojnë se ndonjëherë pasioni lind gjatë rrugës dhe mund të të çojë shumë lart.

“Forca Ajrore ofron kënaqësi, adrenalinë dhe shumë sfida”

“Provojeni se ja vlen”.

VIDEO/ E mori rrjedha e ujit pas aksidentit në Klos, gjendet trupi i 30-vjeçarit

Pas pothuajse një muaji kërkimesh intensive në të gjithë basenin e lumit Mat, sot në liqenin e Urakës, rreth 2 milje larg urës së Rrethabazit, është konstatuar në sipërfaqe një trup i pajetë.

Pas njoftimit nga ekipet e Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, strukturat e Policisë së Shtetit dhe Prokuroria e Dibrës kanë konfirmuar identitetin si shtetasi Jurgen Karaj, 30 vjeç, i humbur që prej 10 janarit.

30-vjeçari nga Klosi u mor nga rrjedha e përroit pas aksidentit të ndodhur në 10 janar, ku makina me të cilën ai udhëtonte bashkë me një person tjetër doli nga rruga dhe ra në përroin e fshatit Dars të Klosit. Policia dhe palombarët kanë vijuar kërkimet gjatë kësaj periudhe. Grupeve iu bashkuan edhe ekipe nga Kosova që ndihmuan me mjete dhe pajisje speciale.

 

Moti i keq/ Stuhia e re “Marta”, godet Spanjën dhe Portugalinë

Spanja dhe Portugalia po përgatiten sot për ndikimin e motit të ri të ashpër të sjellë nga një sistem i ri me presion të ulët, i quajtur ”Marta”, në rajonet që tashmë po përballen me përmbytje shkatërruese.

Agjencitë meteorologjike të të dy vendeve paralajmëruan për mbërritjen e kësaj ngjarjeje të re moti sot në mëngjes, duke ndjekur menjëherë stuhinë ”Leonardo”.

Reshjet rekord të shiut që nga e marta kanë marrë të paktën një jetë në Portugali dhe një tjetër në Spanjë, ku një trup u gjet të premten në jug që autoritetet besojnë se mund të jetë ai i një gruaje që ishte zhdukur që nga e mërkura në të njëjtën zonë.

Në të dy vendet, përmbytjet kanë bllokuar qindra rrugë, kanë ndërprerë shërbimet hekurudhore dhe kanë çuar në evakuime të shumta të banorëve shtëpitë e të cilëve janë nën ujë.

Në Portugali, autoritetet po përpiqen të përmbajnë pasojat e stuhisë ”Leonardo”, ndërsa përgatiten për mbërritjen e ”Martës”, e cila pritej të arrinte në tokë gjatë natës.

Më shumë se 26 500 punonjës shpëtimi janë mobilizuar në të gjithë vendin, ku të dielën mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale.

Vetëm tre nga komunat më të goditura, përfshirë Alcácer do Sal, kanë zgjedhur ta shtyjnë votimin për një javë.

Shtëpia e Bardhë planifikon të mbledhë Këshillin e Paqes në Gaza më 19 shkurt

Shtëpia e Bardhë po planifikon të thërrasë takimin e parë të Këshillit të Paqes në Gaza më 19 shkurt.

Takimi i parë zyrtar i organit të krijuar së fundmi nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump, sipas raportimeve nga mediat e huaja ka dy qëllime: së pari, të përshpejtojë zbatimin e fazës së dytë të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza dhe së dyti, të mobilizojë burimet ndërkombëtare për rindërtimin e zonës.

“Do të jetë takimi i parë i Këshillit të Paqes dhe në të njëjtën kohë një konferencë ndërkombëtare për financimin e rindërtimit të Gazës”, tha një zyrtar amerikan.

Komisioni i BE-së kërcënon me gjobë: “TikTok” të ndryshojë mënyrën e funksionimit, ‘rrezik varësie’

BE i ka kërkuar shërbimit kinez online TikTok të ndryshojë mënyrën e funksionimit të platformës së videove “që nxit varësinë”.

Komisioni i BE-së deklaroi, se rezultatet e para të hetimit tregojnë, se TikTok-u nuk merr mjaftueshëm parasysh, se “si këto funksione që nxisin varësinë mund të influencojnë në shëndetin fizik dhe psiqik të përdoruesve të tij”.

Si shembull për ndryshimet që mund të bëhen komisioni përmend heqjen e opcionit të “scroll pafund”, aplikimin e pushimeve efikase në monitor si dhe përshtatjen e “sistemit të rekomadnimeve për personalizim në shkallë të lartë”. Gjithashtu komisioni kritikon faktin, që video-clipet aktivizohen automatikisht.

Komisioni i BE-së i kërkon sipërmarrjes, që ta ndryshojë rrënjësisht dizajnin e shërbimit.

Kritika: Fëmijët animohen në mënyrë imponuese për të scroll-ur

Komisioni i BE-së akuzon TikTok-un, se “injoron shenjat e rëndësishme për të imponuar përdorimin e aplikacionit”, si p.sh. kohën e natës që fëmijët kalojnë në platformë. Kjo sipërmarrje duhet ta ndryshojë mënyrën e funksionimit në Europë, “për të mbrojtur minorenët tanë dhe shëndetin e tyre”, tha komisarja e BE-së për Digjitalizimin, Henna Virkkunen.

Si shembull komisioni përmendi “shpërblimin” e vazhdueshëm të përdoruesve me përmbajtje të reja. Kjo ndez nxitjen për të vazhduar scroll-en dhe për ta kaluar trurin në “autopilot”. Studimet shkencore tregojnë, se kjo nxit një gjendje kompulsive dhe vetëkontrolli i përdoruesve, kryesisht i të rinjve, vuan.

Digital Services Act është si halë në sy për Donald Trump

Brukseli nisi hetimin në shkurt 2024 – që ishte i pari kundër TikTok nën ligjin e BE-së për shërbimet digjitale (DSA). Hetimet do të përqendroheshin kryesisht për të vërtetuar, nëse TikTok ndërmerr masa sa duhet për të shmangur efektet negative ndaj të rinjve.

Ligji i BE-së ⁠Digital Services Act (DSA) ndër të tjera duhet të garantojë respektimin e kërkesave për transparencë. ​Ai përfshin edhe masa për të luftuar përmbajtjet antiligjore online. Ky ligj është si një halë në sy për qeverinë e presidentit të SHBA-së Donald Trump si dhe për një sërë koncernesh të teknologjisë së lartë në SHBA.

TikTok i hedh poshtë akuzat dhe do të mbrohet

Sipërmarrja kineze online i kedh poshtë akuzat e Komisionit të BE-së si të pabaza. Do të mbrohemi me të gjitha mundësitë. Nëse konfirmohet qendrimi i komisionit, TikTok-u mund të gjobitet me një shumë deri në gjashtë përqind të xhiros së tij vjetore mbarëbotërore./DW/

Forcat EOD shqiptare dhe Garda Ajrore Kombëtare e New Jersey-t, forcojnë bashkëpunimin në kuadër të NATO-s

Teknikët e Asgjësimit të Municioneve Shpërthyese (EOD) të Gardës Ajrore Kombëtare të New Jersey dhe të Forcave të Armatosura stërviten së bashku për të forcuar ndërveprueshmërinë në NATO dhe për të ndërtuar një kapacitet të qëndrueshëm EOD në Shqipëri.

Sipas një njoftimi të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, ky partneritet afatgjatë zhvillon aftësitë, standardizon procedurat dhe siguron që ekipet shqiptare EOD të mund t’u përgjigjen në mënyrë të sigurt kërcënimeve shpërthyese në të gjithë vendin.

SPAK çon në gjyq 3 persona/ “Ndikim të paligjshëm”, i morën 20 mijë euro një gruaje për ekstradimin e vëllait

SPAK ka dërguar për gjykim tre persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm në procedurën e transferimit të një të dënuari nga Turqia në Shqipëri.

Sipas hetimeve, dy nga të pandehurit i kanë marrë një shume prej 20 mije euro të pandehurës se tretë, për t’i garantuar transferimin në Shqipëri të vëllait të saj të dënuar ne Turqi.

Njoftimi;

Zef Mali, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi 4 dhe 25 të Kodit Penal.

-Kreshnik Domi, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi 4 dhe 25 të Kodit Penal;

-Jemine Çoku, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 2 i Kodit Penal.

Hetimet për këtë procedim penal nisën mbi bazën e akteve që u referuan nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, Tiranë.

Përmes veprimeve hetimore, përdorimit të metodave speciale të hetimit dhe administrimit të provave u dokumentua fakti penal, sipas të cilit i pandehuri, Zef Mali, në bashkëpunim me të pandehurin, Kreshnik Domi i kanë kërkuar dhe marrë të pandehurës, Jemine Çoku një përfitim të parregullt prej 20.000 (njëzet mijë) eurosh.

Në kohën kur Zef Mali ka kryer këtë veprim mbante detyrën e oficerit të Shtabit për Menaxhimin e Forcave në Gardën e Republikës dhe Kreshnik Domi ishte një lidhje shoqërore e tij.

Sipas hetimeve, ata  i kanë premtuar dhe siguruar të pandehurës Jemine Çoku se do të ushtrojnë ndikim të paligjshëm tek funksionarë të Ministrisë së Drejtësisë, për të ndjekur procedurën e transferimit në Shqipëri të vëllai të saj, shtetasit shqiptar Kujtim Çeliku, i dënuar me burgim në Republikën e Turqisë për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.

Konkretisht, nga muaji janar deri në tetor të vitit 2025, në të cilën ishte në zhvillim procedura e personit të dënuar, të pandehurit Zef Mali dhe Kreshnik Domi kanë mbajtur kontakte të vazhdueshme me të pandehurën Jemine Çoku dhe me familjarë të tjerë të saj, duke i siguruar se ata kishin mundësi të ndikonin tek funksionarë të Ministrisë së Drejtësisë për realizimin e procedurës së transferimit të të dënuarit.

Për këtë qëllim, e pandehura Jemine Çoku u ka dhënë të pandehurve shumën prej 20.000 eurosh, si përfitim të parregullt.

Gjatë hetimit është evidentuar gjithashtu fakti i fillimit të ndjekjes së procedurës ligjore të transferimit nga ana e Ministrisë së Drejtësisë për shtetasin shqiptar, Kujtim Çeliku, për të shlyer pjesën e mbetur të dënimit në Shqipëri.

Analiza e REL: “Pingpongu” institucional në Mal të Zi ngadalëson rrugën evropiane

“Pingpongu” politik i kthimit të ligjeve mes presidentit të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, dhe Kuvendit po e ngadalëson edhe më tej rrugën evropiane të këtij vendi.

Kjo ndodh në kohën kur Mali i Zi, edhe pa këto përplasje institucionale, ka nisur të shfaqë shenja ngecjeje në përmbushjen e detyrimeve në disa fusha të rëndësishme për integrimin evropian.

Më 3 shkurt, Millatoviq ia ktheu Kuvendit një paketë ligjesh për rishqyrtim, duke u arsyetuar se dëshiron që deputetët t’i lexojnë dhe shqyrtojnë me seriozitet ato.

“Reformat evropiane nuk nënkuptojnë thjesht ngritje dore në Kuvend, as miratim ligjesh pa debat dhe diskutim”, shkroi presidenti malazez në rrjetet sociale.

Bëhet fjalë për një paketë prej 25 ligjesh që tashmë kanë marrë dritën e gjelbër nga Komisioni Evropian dhe që janë të domosdoshme për Malin e Zi për të vazhduar mbylljen e kapitujve në negociatat e anëtarësimit në BE.

Dy ditë më vonë, Millatoviq ndryshoi qëndrim dhe i shpalli ligjet në fuqi.

Ai tha se kthimi i tyre në Kuvend, me pritjen që deputetët t’i lexonin dhe t’i shqyrtonin seriozisht, sipas vlerësimit të tij, nuk do të kishte asnjë efekt praktik.

Kjo paketë ligjesh, e njohur në zhargonin politik si “ligjet blu”, e kishte miratimin e Brukselit dhe Komisioni Evropian konfirmoi se ishte në dijeni për vendimin e presidentit të Malit të Zi për t’i shpallur ligjet.

“Ne konfirmojmë mbështetjen tonë të vazhdueshme për synimin ambicioz të Malit të Zi që t’i mbyllë të gjithë kapitujt e mbetur të negociatave deri në fund të vitit, me kusht që të përmbushen plotësisht të gjitha kushtet e nevojshme”, deklaroi zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier.

Megjithatë, veprimi i fundit nxori në pah një problem më të thellë: Mali i Zi, i cili tani po hyn në fazën përfundimtare të negociatave të anëtarësimit në BE, ka nisur të shfaqë shenja të ngadalësimit të procesit.

Ambicia nuk është vetëm e Malit të Zi, por edhe e institucioneve evropiane, që ky vendi t’i mbyllë të gjithë kapitujt negociues deri në fund të këtij viti.

Kjo, së paku teorikisht, do ta bënte të realizueshëm sloganin shtetëror “28 deri më 28”, që nënkupton se Mali i Zi mund të bëhet anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian deri në fund të vitit 2028 – duke pasur kështu kohë të mjaftueshme për ratifikimin e Marrëveshjes së Anëtarësimit, e cila nënshkruhet pas përfundimit zyrtar të negociatave.

Procesi i ratifikimit duhet të kalojë në të gjitha shtetet aktuale anëtare të BE-së – gjithsej 27 – si dhe në shtetin që i bashkohet unionit, në këtë rast, Malin e Zi.

Ky është një proces që zakonisht zgjat nga një deri në tre vjet.

Megjithatë, Mali i Zi, i cili shpesh konsiderohet si lider në procesin e zgjerimit të BE-së, po e zvarrit ritmin e reformave dhe të negociatave.

Sipas zyrtarëve evropianë, plotësimi i pozitave kyç, si gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe anëtarët e Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial, tashmë përbën një pengesë serioze për vazhdimin e negociatave të anëtarësimit.

Po të kishte vendosur presidenti Millatoviq t’i frenonte të ashtuquajturat “ligje blu”, kjo do të kishte rrezikuar konferencat e ardhshme ndërqeveritare, të planifikuara për muajt mars dhe prill, në të cilat mund të mbyllen disa kapituj negociues, bëjnë të ditur burime të Radios Evropa e Lirë.

E, këtë e konfirmoi edhe Mercier.

“Vonesat e vazhdueshme në procese kyç, si miratimi i ligjeve dhe emërimi i pozicioneve të lira, nëse mbeten të pazgjidhura, mund të përbëjnë një pengesë serioze për realizimin e ambicies së Malit të Zi që t’i mbyllë të gjithë kapitujt negociues deri në fund të vitit”, tha ai.

Eurodeputeti Tomisllav Sokoll, anëtar i delegacionit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit ndërmjet BE-së dhe Malit të Zi, paralajmëroi se ngadalësimi i ritmit të miratimit të ligjeve të nevojshme për mbylljen e kapitujve, “mund të ketë pasoja afatgjate për rrugën evropiane të shtetit”.

“Dritarja e BE-së nuk do të jetë e hapur përgjithmonë, dhe dihet se kush dëshiron ta mbyllë atë. Prandaj, është e rëndësishme të mos humbet një moment që rrallëherë përsëritet”, shkroi Sokoll në rrjetet sociale.

Në janar, Mali i Zi mbylli përkohësisht kapitullin 32 dhe aktualisht i ka të mbyllur 13 kapituj nga gjithsej 33 në negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Pritet që gjatë gjysmës së parë të vitit, Bashkimi Evropian të miratojë formimin e grupeve punuese që do të angazhohen në hartimin e draftit të Marrëveshjes së Anëtarësimit.

Teksti i kësaj marrëveshjeje përcakton kushtet e anëtarësimit, marrëveshjet kalimtare, masat mbrojtëse, kontributin buxhetor, numrin e deputetëve në Parlamentin Evropian, votat në Këshillin e BE-së, si dhe komisionarin që do ta përfaqësojë Malin e Zi.

Sipas parimeve negociuese të miratuara nga Konferenca e Anëtarësimit, marrëveshjet e arritura gjatë negociatave për kapitujt e veçantë, edhe kur janë të pjesshme, nuk konsiderohen përfundimtare, derisa të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse për të gjithë kapitujt.

Mali i Zi duhet të mbyllë edhe 23 kapituj negociues, ndërsa për mbylljen e secilit prej tyre kërkohet miratimi i të gjitha shteteve anëtare të Bashkimit Evropian./REL/

Destinacion i preferuar për dashamirësit e skive, Rama ndan fotot nga Dardha ‘magjike’

Reshjet e dëborës kanë zbardhur fshatin turistik të Dardhës, duke e shndërruar atë në një nga destinacionet më të frekuentuara dimërore në juglindje të vendit.

Pamja alpine dhe bora e bollshme kanë tërhequr qindra turistë vendas dhe të huaj, veçanërisht të apasionuarit pas sporteve dimërore.

Vetëm 18 kilometra larg Korçës, pista e skive në Dardhë po vizitohet masivisht nga të rinj dhe familje që shijojnë ski, snowboard dhe aktivitete të tjera rekreative në dëborë.

Kushtet klimatike dhe infrastruktura turistike e zonës e bëjnë Dardhën një zgjedhje ideale për pushime dimërore.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Dardha e mbuluar nga dëbora, ku fëmijë dhe të rritur shihen duke shijuar sportet dimërore dhe bukurinë natyrore të zonës, duke përcjellë edhe një mesazh pozitiv për fundjavën.

VIDEO/ Ndihmoi 6 emigrantë të kalonin ilegalisht kufirin, arrestohet në Korçë i riu sudanez

Finalizohet operacioni i koduar “Itinerari 2”. Një shtetas sudanez është arrestuar nga policia. Sipas informacioneve ky shtetas ndihmoi 6 emigrantë për të kaluar kufirin nga Greqia, në drejtim të vendit tonë me qëllim destinacionin një nga vendet e BE-së.Ndërkohë në gjendje të lirë do të hetohet edhe një tjetër. 30-vjeçari dyshohet se ka kaluar ilegalisht në Greqi.
“Si rezultat i hetimeve dhe punës operacionale intensive, të kryera me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme në kufi, dhe konkretisht aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës, kundrejt parave, emigrantëve që synojnë të shkojnë në mënyrë të kundërligjshme në shtete të BE-së, strukturat e DVKM Korçë organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Itinerari 2”. Në kuadër të operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi 24 vjeç, banues në Darfur, Sudan. Ky shtetas u kap nga shërbimet e Policisë Kufitare në vendin e quajtur “Fusha e Parë”, mbi fshatin Drenovë, Korçë, pasi nga veprimet hetimore dhe informacionet e siguruara në rrugë operative dyshohet se ka ndihmuar 6 emigrantë për të kaluar ilegalisht nga Greqia në territorin e Shqipërisë. Punohet për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme. Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Korçë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, për shtetasin 30 vjeç, banues në Elbasan, pasi dyshohet se ka kaluar ilegalisht në Greqi”, thuhet në njoftimin e policisë
Materialet procedurale për këto raste iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.

VIDEO/ Tentoi të grabiste zyrën e Postës Shqiptare dhe një market, kapet “skifteri” në Shkodër

Shkodër- Finalizohet operacioni policor “Reagimi”, në pranga ka rënë shtetasi Mikel Mhilli. 24-vjeçari tentoi të merrte me dhunë dhe nën kërcënimin e thikës, shuma parash në filialin e Postës Shqiptare dhe në një subjekt tregtar.
Gjithashtu policia ka sekuestruar 2 biçikleta të vjedhura dhe disa nga rrobat që ka përdorur gjatë kryerjes së kësaj vepre penale. I riu ishte fshehur në tavanin e banesës së tij për t’ju shmangur Policisë.
“Ky shtetas dyshohet se mbrëmjen e djeshme, në lagjen “Vasil Shanto”, duke kërcënuar me një mjet prerës (thikë), ka tentuar të vjedhë me dhunë në filialin e Postës Shqiptare.
Gjatë largimit, ka thyer xhamin e sportelit dhe është larguar me një biçikletë të vjedhur. Gjithashtu, pak minuta më pas, dyshohet se ka tentuar sërish, po me kërcënimin e mjetit prerës (thikë), të vjedhë me dhunë një subjekt market në lagjen “Fahri Ramadani”. Gjatë largimit, në lagjen “Skënderbeg”, dyshohet se ka vjedhur një biçikletë tjetër.
Shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, rrobat që ka përdorur gjatë kryerjes së veprës penale, si dhe biçikletat e vjedhura”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprat penale, “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”, e mbetur në tentativë, “Vjedhja me dhunë”, “Vjedhja” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Universiteti në Selanik shndërrohet ‘në fushëbetejë’, përplasje me molotov e gaz lotsjellës, 309 të arrestuar

 309  persona janë arrestuar pas incidenteve të dhunshme në Universitetin Aristoteli të Selanikut. Incidentet filluan gjatë mesnatës pas një feste në Shkollën Politeknike të Universitetit Aristoteli të Selanikut,  kur një grup burrash me kapuçë hodhën kokteje Molotov drejt forcave të policisë.

Ndërkohë forcat e policisë u përgjigjën me ujë dhe gaz lotsjellës. Sipas informacioneve, një grup personash me fytyra të mbuluara dolën nga ambientet e universitetit dhe u zhvendosën drejt Rrugës Egnatia, ku sulmuan një skuadër policie për ndërhyrjen e shpejtë .

Një oficer policie përfundoi në spital me djegie pas përplasjeve të dhunshme.

 

❌