Në 2025-n në Shqipëri u importuan afro 100 mijë makina, mbi 55% e tyre prodhim i 8-15 vite më parë
Automotorizimi vijon të shënojë rritje në Shqipëri. Të dhënat zyrtare të Drejtorisë së Transportit Rrugor tregojnë se në vendin tonë qarkullojnë 33 lloj automjetesh. Shumica e tyre janë autovetura.
Vetëm muajin dhjetor në Shqipëri kanë hyrë 9 mijë e 273 motomjete, 26% më shumë se muaji nëntor.
Në total, gjatë një viti të shkuar në Shqipëri u importuan afro 100 mijë mjete ose afro 1 mijë më shumë se në 2024. Gjysma e tyre janë regjistruar për herë të parë në kryeqytet.
Vetëm në dy muajt e fundit në Shqipëri kanë hyrë 16 mijë automjete, një rritje me 7 % krahasuar me vitin 2024.
Krahasuar me vitin 2019, kemi 101% më shumë automjete në vitin 2025.
Ajo që bie në sy nga importet e makinave është vjetërsia e tyre në prodhim. Mbi 55% e mjeteve të importuara janë me moshë prodhimi 8–15 vite.
Automjetet që hyjnë në Shqipëri importohen nga Koreja e Jugut, Gjermania, Italia, Kina, Zvicra dhe SHBA. Aktualisht, në Shqipëri janë në qarkullim mbi 1 milion automjete. Kjo do të thotë se një në dy shqiptarë në vendin tonë ka tashmë një automjet.
E ndërsa infrastruktura rrugore mbetet e njëjtë, makinat vijojnë të shtohen, kryesisht ato për përdorim personal dhe jo për transport publik.
