Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

“Sita” e kolaudimit, 23% e mjeteve “ngelen në klasë”, tymrat dhe frenat penalizojnë 81 mijë shoferë

Siguria rrugore dhe ndotja e mjedisit mbeten sfidat kryesore të flotës së automjeteve në Shqipëri. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) ka publikuar bilancin vjetor të Kontrollit Teknik për vitin 2025, ku shifrat tregojnë se gati 1 në 4 mjete nuk ka arritur të kalojë testin.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2025 janë kryer mbi 338,000 testime në qendrat e kontrollit teknik në të gjithë vendin.

Nga ky total, 81,065 automjete janë refuzuar, duke përbërë rreth 23.5% të totalit të mjeteve të paraqitura.

Pse ngelen mjetet?

DPSHTRR bën me dije se shkaqet kryesore që kanë çuar në penalizimin e drejtuesve të mjeteve janë të ndara në katër kategori kryesore:

Ndotja, shkarkimi i gazrave mbi normat e lejuara.

Siguria aktive, probleme serioze në sistemin e frenimit.

Struktura, mangësitë në sistemin e drejtimit.

Pamja e jashtme, defekte vizuale (xhama të thyer, drita të djegura, gome të konsumuara, etj.).

Një tjetër tregues i rëndësishëm në bilancin e vitit 2025 është procesi i “pastrimit” të regjistrit kombëtar të mjeteve. Gjatë këtij viti, mbi 9,333 mjete të vjetra janë çregjistruar përfundimisht.

“Ky proces kontrolli synon jo vetëm rritjen e sigurisë rrugore duke eliminuar mjetet e rrezikshme, por edhe uljen e ndotjes mjedisore në qytet,” thuhet në njoftimin për shtyp të DPSHTRR.

“Kërkoi falje vlonjatëve”- Tedi Blushi debat me kryebashkiaken Mersini: I latë pa ujë dhe i përzutë me polici

Tedi Blushi, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, i kërkoi kryebashkiakes së Vlorës, Bruna Mersini, që t’i kërkojë falje qytetarëve vlonjatë sepse, sipas tij, janë lënë pa ujë dhe janë përzënë me polici nga protesta.

“Në prag të ndërrimit të viteve, Vlora ishte në katastrofë dhe emergjencë. A do i kërkoni falje qytetarëve të Vlorës, jo vetëm se i latë pa ujë, por edhe se përdorët policinë për të shuar protestën e tyre të ligjshme? Jo vetëm që nuk kërkuat ndjesë, por në kulmin e asaj emergjence gjetët kohë për të organizuar mbrëmje gala në Vlorë”, iu drejtua Blushi kryebashkiakes.

Mersini u përgjigj: “E prisja që të bënit politikë edhe në këto momente. Difekti i ujit është krijuar që në vitin 2009, ne e kemi sqaruar që ai projekt mund të ishte i qëndrueshëm për kohën, por nuk ishte afatgjatë. Pa diskutim, projektet jocilësore do te cedojnë dhe kjo ndodhi. Në asnjë moment qyteti nuk ka qenë i braktisur dhe qyteti furnizohej nga pjesa e depos dhe me bote. Qyteti nuk ka qenë i pafurnizuar”.

Blushi këmbënguli te kërkimi i faljes: “Pra, ju vazhdoni të mos i kërkoni ndjesë qytetarëve të Vlorës?”

“Jo, unë vazhdoj të them që nuk ka vend për të bërë politikë. Po të kujtoni, në Novoselë ka qenë vërtet tragjedi për mënyrën si ishin organizuar gjërat, por sot ka mjete, struktura, shtabe emergjence…”, tha kryebashkiakja e Vlorës.

Tërbimi i motit/ Meçe: Viktima e Durrësit nga përmbytjet, të shpallet dëshmor!

Reshjet e dendura të shiut sollën përmbytje,evakuime dhe fatkeqësisht një jetë të humbur në bilancin paraprak në vend.

Inxhinieri Arben Mece deklaroi se pjesa jugore drejt Vlorës është përmbytur, por fokusin e ndërhyrjes e kanë fshatrat ku ka njerëz. Mece shtoi se punonjësit që kanë dhënë jetën në krye të detyrës duhet të shpallen dëshmorë për guximin dhe sakrificën e tyre.

“Pjesa jugore, drejt Vlorës, është përmbytur, por fokusi ynë është tek fshatrat, sepse aty ka njerëz. Faza e parë e ndërhyrjes është vendosja në lëvizje e Emergjencës Civile, ku situatën e merr nën kontroll Emergjenca Civile, me mbështetje nga Policia, pushteti lokal dhe ushtria. Të gjithë vihen në dispozicion për të shpëtuar jetë njerëzish.

A e kemi Emergjencën Civile në lëvizje? Nëse do të prisja analizat sot, do të isha për këtë pikë. Unë e kam parë EC-në në Lezhë, ku kryetari i bashkisë, i cili kishte përvojë ushtarake, dinte ta disiplinonte ekipin. E njëjta gjë u vërejt edhe në Mifol. Fakti është se deri më sot nuk kemi pasur humbje të bagëtive, por kemi humbje jete.

Ata punonjës që morën përsipër të shpëtojnë njerëz duhet të shpallen dëshmorë, sepse kanë dhënë jetën në krye të detyrës. Ai punonjës që humbi jetën në Durrës duhet të shpallet dëshmorë.

“Fenomeni i ‘taposjes’ shkaktoi përmbytjet”, ish-Prefekti: 13 banesa ndodhen në shtratin e lumit në Novoselë

Ish prefekti i Vlorës Plator Nesturi komentoi për ‘Real Story’ situatën me reshjet dhe përmbytjet në vendin tonë, duke krahasuar reshjet e nëntorit me të tanishmet.

Nesturi nënvizoi se fenomeni i “taposjes” po mban ujin në vend, por niveli pritet të ulet gradualisht.

Ish -prefekt i Vlorës deklaroi se 13 banesat në shtratin e lumit në Novoselë janë të rrezikuara dhe çdo përmbytje e ardhshme do të sjellë dëme të përsëritura. Ai theksoi se ndërtesat janë të reja dhe të legalizuara, ndërsa shteti ka përgjegjësi të dyfishtë për dëmshpërblimin.

“Gjatë muajit nëntor, niveli i prurjeve ka qenë më i lartë se tani. Era fryn me forcë nga perëndimi, duke shkaktuar efektin e “taposjes”, ku uji grumbullohet dhe bën që prurjet të lëvizin ngadalë drejt lumenjve. Prurjet kanë qenë kryesisht të shkaktuara nga reshjet; gjatë nëntorit ka pasur edhe reshje dhe hapje digash, por rrjedhja ka qenë e lirë dhe nuk ka pasur pasoja të mëdha.

Fenomeni i “taposjes” po mban ujin në vend, por niveli pritet të ulet gradualisht. Ndryshimi i drejtimit dhe intensitetit të erës gjithashtu ndikon në situatë.

Sa herë që ndodhin emergjenca të tilla, nxirren detyra dhe përgjegjësi për zgjidhjen e tyre. Aktualisht, 13 banesa ndodhen në shtratin e lumit në Novoselë. Në këto zona, problemet që evidentohen nuk janë zgjidhur ende. Banorët e këtyre 13 banesave do të përballen me përmbytje sa herë që situata përsëritet.

Ndërtesat janë të reja dhe të legalizuara, dhe shteti ka përgjegjësi të dyfishtë. Sa herë që dëmtohen, shteti duhet t’i dëmshpërblejë, por përmbytjet mund të përsëriten në të njëjtin vend.

Në krahasim me nëntorin, tani niveli i shtratit të lumit është më i ulët. Aktualisht po ndodh fenomeni i taposjes, por ka lajme të mira, sepse nuk ka shkarkime nga Greqia dhe prurjet vijnë vetëm nga reshjet aktuale.” 

Zjarri te tregu i rrobave të përdorura, prefekti i Tiranës: I vështirë neutralizimi i flakëve, kemi kërkuar ndihmë nga..

Zjarri masiv që ka rënë tek magazinat e tregut të rrobave të përdorura në rrugën “5 Maji” në Tiranë, nuk po neutralizohet akoma, megjithëse prej më shumë se 1 ore forcat zjarrfikëse po tentojnë ta shuajnë. 

Në vendngjarje ishte dhe prefekti i Tiranës, Afrim Qendro, i cili në një prononcim për mediat u shpreh se shuarja e flakëve është e vështirë pasi forcat zjarrfikëse janë të pamjaftueshme. 

“Kemi një zjarr masiv te ish-uzina Dinamo. Në një magazinë goxha të madhe, po punojnë 11 makina zjarrfikës, 60 forca policie. Komplet efektivi i zjarrfikësve të Tiranës dhe Kamzës janë prezent. Botet e ujit të bashkisë janë duke ardhur për të furnizuar me ujë. 

Po mundohemi ta ndërpresim të mos vazhdojë në pjesën fundore të magazinës. Dhe të ruhet dhe objekti. Është një magazinë e madhe që funksionojnë disa biznese. Deri për momentin janë rroba dhe materiale të tjera jo materiale të rrezikshme”, u shpreh Qendro. 

 

Sulmi në Minesota, JD Vance: Një tragjedi! Clinton: Dhunë e paligjshme e administratës Trump

Zëvendëspresidenti i SHBA-së, J.D. Vance, ka reaguar për sulmin në Minesota me një viktimë të cilën e cilësoi si një “tragjedi”, që sipas tij, mbajnë përgjegjësi “gruaja dhe ekstremistët që besojnë se imigracioni është i vetmi ligj ndaj të cilit protestuesit mund të ndërhyjnë”.

Ai reagoi ndaj analizës së një avokati mbi pamjet video të incidentit, duke argumentuar se “agjentët nuk po vepronin në mënyrë të rastësishme, por po i afroheshin automjetit të saj sepse ajo po shkelte ligjin, konkretisht duke penguar një operacion të zbatimit të ligjit”.

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, shprehu një qëndrim të kundërt, duke e quajtur ngjarjen një “vrasje” në një postim në X dhe duke lavdëruar protestuesit që dolën në rrugë kundër asaj që ajo e quajti “dhunë e paligjshme” e administratës Trump.

“Mbrëmë, në cepin ku një agjent i ICE vrau Renee Good, mijëra banorë të Minesotës u mblodhën në errësirën e acartë për të protestuar kundër vrasjes së saj,” shkroi Clinton. “Përballë dhunës së paligjshme të kësaj administrate, solidariteti është përgjigjja. Ata duan ta formësojnë Amerikën sipas mizorisë së tyre. Ne refuzojmë,” shtoi ajo.

Vance mbrojti sërish agjentin, duke theksuar se ai kishte vepruar në vetëmbrojtje.

“Ky avokat bën një dallim absurd mes një agjenti të ICE-së dhe një oficeri policie,” shkroi ai. “Nuk lejohet të ndërpritet një operacion i zbatimit të ligjit, dhe kjo është pikërisht ajo që po bënte kjo grua”, tha ai.

Sipas Vance, në momentin e të shtënave, gruaja “e kishte drejtuar automjetin drejt agjentit dhe kishte shtypur pedalin e gazit”. Ai shtoi se pamje të tjera video tregojnë se ajo e goditi agjentin me makinën e saj ndërsa po përshpejtonte.

“Ky burrë po bënte punën e tij. Ajo u përpoq ta ndalonte. Kur ai iu afrua makinës së saj, ajo tentoi ta godiste,” shkroi Vance.

Tiranë, zjarri merr përmasa të frikshme/ Nisen forcat zjarrfikëse nga Elbasani, kërkohet ndihma e Ushtrisë

Përmasa të frikshme ka marrë zjarri që ka përfshirë tregun e rrobave të përdorura në lagjen 5 Maji në Tiranë.

Gazetarja e Top Channel Dorjana Bezat raporton se për shkak të materialeve tekstile lehtësisht të djegshme, zjarri është vështirë të vihet nën kontroll. Ndërkohë në vendngjarje janë përqendruar të gjitha forcat zjarrfikësve, si dhe janë tërhequr edhe ato që ndodheshin në Durrës për përmbytjet.

Mësohet se është kërkuar ndihma edhe e Ushtrisë dhe zjarrfikësve të Elbasanit dhe Vorës.

Deri tani nuk raportohet për njerëz të lënduar.

 

 

Zëvendës-kryeministri martir!

Nga Ylli Pata

Adriatik Lapaj e ka përsëritur sërish këto ditë rrëfimin sips tij që Edi Rama i ka ofruar postin e zëvendës, kryeministrit pas zgjedhjeve të 11 majit.

Vetë Rama nuk ka dhënë versionin e tij për të ardhur tek një konfirmim të kësaj marrëveshje në tenttivë, po pikërisht për shkak të heshtjes së Ramës, Lapaj thotë se ka të drejtë.

“Deri sa nuk del ta mohojë publikisht do të thotë se është e vrtetë”, ka deklaruar Lapaj. Megjithatë nuk jemi në fazën e konfirmimit të një nga sekretet e Fatimës, pore dhe sikur të jetë e vërtetë që Edi Rama i ka propozuar Adriatik Lapajt ë hyj në qeveri, nuk se përbën scoop-in e shekullit.

Madje përforcon një rregull tashmë që nuk ka përjashtim në këto 13 vite që vërteton se filtrat për të hyrë në një ekip të rëndësishëm siç është qeveria e Republikës, nuk jan aq spartanë, së paku për të parë kurrikulumin professional të kandidatit.

Gjithsesi, refuzimi që Lapaj e përçon me aq krenari, e këtu ka të gjithë të drejtën e tij për tu ndjerë i tillë, nuk se ka ndonjë rivelancë politike në kronikën që ai e ofron, si për ta futur në ditarin e tij.

Aspekti interesant, meqë përmendet kryeministri, shefi i mazhorancës dhe qeveria, ka peshën e tij në momentin fillestar, meqë kemi të bëjmë me një post të rëndësishëm.

Por refuzimi siç tenton ta shesë Lapaj, gjithmonë nëse ka ndodhur, nuk ka përse të jetë një martirizim. Natyrisht secili është i lirë të ndjehet si të dojë, por realiteti në një sistem alternativ nuk është në rregull kur një politikan i opozitës nuk pranon të jetë në një qeveri me shumicën.

Përkundrazi. Ai mund të përbëjë një lajm në momentin e parë kur e tregon faktin e ftesës, refuzimit së bashku me arsyet dhe komentet përkatëse. Por nuk ka asnjë arsye qoftë për tu viktimizuar apo heroizuar.

Madje nëse është e vërtetë fakti i ftesës, së pari nuk do të thotë nëse ishte një ftesë reale apo një provokacion. Një ftesë që mund të kthehet në realitet, apo një tentativë për të testuar seriozitetin e një lojtari politik të mundshëm.

Pak ditë më parë, një tjetër personazh kritik ndaj qeverisë, i cili disa vite më parë u emërua zv.ministër arsimi, u quajt njeri me integritet gjatë një emisioni televizive, thjeshte se kishte dhënë dorëheqjen nga post iku e kishte emëruar Edi Rama.

Në fakt nuk janë vetëm këto personazhet që tregojnë martirizimin e tyre që nuk kanë pranuar të punojnë me Edi Ramën, por ka edhe të tjerë, të cilët janë larguar apo shkarkuar ndër vite. Disa edhe janë degdisur për të mos u përballur me drejtësinë, e dalin si disidentë allafrënga.

Problemi real në Shqipëri nuk është se kush nuk është i pakënaqur për të qenë pjesë e qeverisë së Edi Ramës, pasi së pari ky i fundit krijon të gjitha kushtet që të bëhet i tillë kandidati i munshëm, e së dyti problemi kryesor është gjtja e një rivali politik që të sfidojë Edi Ramën, jo një zëvendës të penduar të tij. TemA

Pse u mbyt Durrësi sipas inxhinierit që ka drejtuar për 20 vjet Ndërmarrjen e Bonifikimit dhe ndërtimin e Hidrovorit

Ing. Ardian Zhamo

Hidrovori i zhvendosur është një çmenduri inxhinierike, e denjë për hetim. Kush e dha urdhrin? Cili inxhinier e projektoi? Kush dhe pse u ndërtua duke i ditur pasojat?

Hidrovori i Porto Romanos është ndërtuar mbi bazën e një studimi shkencor, duke përcaktuar pikën më të ulët të basenit ujëmbledhës të gjithë sipërfaqes.

Në këtë basen, kur nuk ka reshje, përllogariten rreth 10 milionë m³ ujë.

Kuota e ujit në hidrovor duhet të jetë në këtë periudhë -3.90 m nga niveli i detit, që do të thotë se, kur niveli fillon të rritet, pompat hyjnë me radhë në punë, me një sistem të komanduar sipas ngritjes së nivelit të ujit, i cili mban në tërheqje dhe shtytje të gjithë sasinë e ujit që vjen në hidrovor.

Hidrovori është llogaritur të largojë ujërat e Durrësit (ujërat e zeza) dhe ato të shiut.

Ky hidrovor përcjell ujërat e të gjithë kanaleve sekondare (14 të tilla) dhe terciare (me qindra). Kanali i ujërave të larta i qytetit transporton ujërat e kodrës në Porto Romano direkt në det, jo në hidrovor.

Kanali i ujërave të larta që shkarkon te Kovalishenca grumbullon ujërat nga Xhafzotaj, në Nish Tulla e Plepa, dhe derdhet në det.

Atëherë, pse përmbytemi?

– Kanalet sekondare nuk përcjellin ujë, sepse janë të bllokuara nga gëlqerë, dhera dhe tombino të ndërtuara nga persona të paautorizuar.

– Kanalet sekondare, në shumicën e rasteve, nuk ekzistojnë më.

Hidrovori i zhvendosur është një çmenduri inxhinierike, e denjë për hetim. Kush e dha urdhrin? Cili inxhinier e projektoi? Kush dhe pse u ndërtua duke i ditur pasojat? Etj, etj.

Pikat nevralgjike ku uji duhet të vërshojë në kanale dhe jo në shtëpi:

– Kanali te karburanti, te Ura e Dalanit,  nga kanal me prerje tërthore 16 m² ka përfunduar në një kanal me dy tuba me diametër 800 mm – një “hinkë”. Ky kanal përcjell ujërat e plazhit në pjesën pas hekurudhës.

– Kanali pas shkollës “Beqir Çela”, është i bllokuar totalisht. Ky kanal përcillte ujërat e Shkozetit nga lagjja e Gjykatës së Apelit deri në qendër të Shkozetit; pjesa tjetër nga qendra shkarkon te Ura e Dalanit.

– Kanali që kalon përpara Oficinës së Marmitave: Kjo copë kanali, me tuba me diametër 2000 mm në një gjatësi rreth 60 m, ka çeduar, duke zvogëluar me rreth 70% tërheqjen e ujit dhe, si pasojë, kjo zonë përmbytet edhe me shiun më të vogël.

Zgjidhja është:

Pastrimi periodik i të gjithë rrjetit kullues, i cili duhet të jetë i gatshëm çdo datë 1 tetor të çdo viti.

Rivënia në punë urgjentisht e ish-hidrovori, duke investuar në rritjen e kapaciteteve.

Ndalimi, me masa administrative dhe penale, i hedhjes së mbeturinave dhe i bllokimit të kanaleve pa autorizim, etj.

V.O.

Njerëz, natyra ka ndryshuar dhe pasojat po i ndjeni drejtpërdrejt. Mos i bllokoni kanalet me plehra. Mos ndërtoni mbi kanale. Pastroni secili mjedisin tuaj dhe përreth.

Sot, kanalet dhe lumenjtë janë shndërruar në një pisllëk të paparë.
Siç thotë një mik imi: “Ku ka kallama, ka fukarallëk”.

Botuar në DITA

Autori i këtij shkrimi ka drejtuar për 20 vjet Ndërmarjen e Bonifikimit në Durrës dhe ndërtimin e Hidrovorit

U kap nga SHBA në Atlantikun e Veriut, cisterna ruse me naftë e lidhur me oligarkun moldav

Roja bregdetare amerikane e ndaloi dhe e kapi cisternën e naftës Marinera, dikur e njohur si Bella 1 – në Atlantikun e Veriut më 7 janar. Ata e ndoqën këtë cisternë për rreth dy javë e gjysmë. Derisa po ndiqej, ajo e ndryshoi flamurin duke e marrë atë rus dhe e siguroi mbështetjen e Moskës.

Madje, sipas raportimeve, ajo u shoqërua edhe nga një nëndetëse ruse.

Kjo shkallë e përfshirjes së Moskës në telashet e një cisterne në anën tjetër të botës nuk është rastësi.Radio Evropa e Lirë (REL) dhe rrjeti i saj hulumtues, Systema, zbuluan se cisterna është e lidhur me aleatë të vjetër të Kremlinit: ish-deputetin ukrainas, Viktor Baransky, dhe oligarkun moldav në arrati, Ilan Shor.

Deputeti ukrainas dhe kandidatët moldavë

Cisterna Marinera mori leje të përkohshme për të lundruar nën flamurin rus në ditën e katërt të ndjekjes nga SHBA-ja, më 24 dhjetor 2025.

Ajo ndryshoi edhe pronarin: në vend të një kompanie turke nën sanksionet e SHBA-së, pronare u bë firma Burevestmarin nga qyteti perëndimor i Rusisë, Rjazani.

Ajo u regjistrua në korrik të vitit 2025 dhe prej atëherë drejtori i përgjithshëm dhe pronari i vetëm i saj është Ilja Bugaj, 39 vjeç, me origjinë nga Chita. Ai i lexoi pyetjet që “Systema dhe Radio Evropa e Lirë ia dërguan në një aplikacion mesazhesh, por nuk iu përgjigj atyre.

Bugaj drejton gjithashtu shoqërinë me përgjegjësi të kufizuara, Rusneftehimtorg, në Moskë, e cila merret me furnizime karburanti, përfshirë përmes cisternave. Ndër blerësit kryesorë të karburantit të Rusneftehimtorg-ut kanë qenë disa kompani të huaja dhe të gjitha kanë një veçori të përbashkët: ato janë në pronësi të grave që jetojnë në Moldavi.Të paktën dy gra nga ky grup kanë qenë më parë në vëmendjen e gazetarëve.

Gazeta “Verstka” i quante ato kandidate në perandorinë e flotës në hije të cisternave, pas së cilës qëndron ish-deputeti i këshillit bashkiak të Odesës, Viktor Baranski. Në vitin 2021, strukturat e lidhura me Baranskin dhe holdingun e tij joformal u sanksionuan nga SHBA-ja për transportimin e naftës venezuelase.

System dhe REL-i i dërguan pyetje Baranskyt në Facebook; ai i pa ato, por nuk ktheu përgjigje të menjëhershme.

Kandidatët moldavë nuk janë e vetmja gjë që e lidh Rusneftehimtorg-un me konglomeratin e Viktor Baranskyt. Firma e drejtuar nga Bugaj ka përdorur një cisternë nga flotilja e supozuar e Baranskyt dhe ka tregtuar me një kompani të afërt me holdingun joformal të ish-deputetit.

Megjithatë, te Rusneftehimtorg-u mund të dallohen edhe lidhje të tjera.

Njerëz me lidhje në Kremlin

Në nëntor të vitit 2020, Rusneftehimtorg, i lidhur me cisternën e ndaluar, ra dakord me Nefteprombank-un për një kredi prej 300 milionë rublash (3.7 milionë dollarë sipas kursit të asaj date). Pas gjysmë muaji, banka i dha të njëjtën shumë firmës, Rechmortrans, pas së cilës, sipas “Verstka”, qëndronte Baranski.

Gjashtë muaj më vonë, Banka Qendrore e akuzoi Nefteprombank-un për nxjerrje asetesh dhe ia hoqi licencën. Më pas banka u shpall e falimentuar dhe administratori i falimentimit filloi të kërkonte shlyerjen e kredive.

Në vitin 2022, radha për shlyerjen e borxheve arriti te Rusneftehimtorg dhe Rechmortrans . Të dyja firmat u përballën me padi gjyqësore dhe i shlyen detyrimet deri në mars 2023.Në të dy rastet u përdor e njëjta skemë: në këmbim të borxhit, huamarrësit ia kaluan kreditorit të drejtat e kërkesës ndaj një firme të tretë – SHPK Diamand Estate. Rusneftehimtorg, Rechmortrans dhe drejtori i përgjithshëm i Diamand Estate nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

Që nga viti 2022, Diamand Estate zotëron dy kanale televizive moldave. Më parë ato ishin në pronësi të Igor Chaika, djalit të ish-Prokurorit të Përgjithshëm të Rusisë Yuri Chaika, dhe të Vadim Chubara, bashkëpunëtor i afërt i ish-presidentit të Moldavisë Igor Dodon.

Me ardhjen e Diamand Estate, kanalet filluan të lidhen me rrethin e oligarkut moldav Ilan Shor.

Ai dyshohej gjithashtu për nxjerrjen e 2.4 milionë eurove nga Nefteprombank, por çështja përfundoi pa pasoja për të.

Shor konsiderohet “dora e Moskës” në politikën moldave. Ndërkohë, vetë biznesmeni jeton prej kohësh jashtë Moldavisë – atje ai është dënuar në mungesë me 15 vjet burgim për nxjerrjen e një miliard dollarëve nga sistemi bankar i vendit.

Shor u vendos në Rusi, mori shtetësinë ruse dhe tani ndihmon Kremlinin të anashkalojë sanksionet financiare përmes kriptomonedhave.

Partner i Shorit është banka shtetërore Promsvjazbank, dhe në nisjen e projektit në vjeshtën e vitit 2025 mori pjesë edhe Vladimir Putini.

Edhe Baranski ka lidhje në rrethin e presidentit rus. Ish-deputeti ukrainas ishte anëtar i partisë së Viktor Medvedchukut, kumbarës së Putinit. Pas pushtimit të plotë të Ukrainës, Baranskyt iu hoq shtetësia ukrainase dhe, sipas mediave, ai u shpërngul në Rusi pas Medvedchuk./REL

Tregon vështirësitë në jetën e saj personale, mbesa e Trump: Kam gjithmonë pas vetes një agjent sekret. Nuk jetoj dot si të tjerët

Mbesa e presidentit amerikan, Donald Trump, Kai Trump dha intervistën e saj të parë publike ku zbuloi disa detaje mbi jetën e saj personale dhe publike.

Në këtë intervistë, 18-vjeçarja Kai foli për ndjenjat e saj si anëtare e familjes Trump, duke shmangur diskutimet politike dhe duke u përqendruar në çështjet që e shqetësojnë si adoleshente. Në të njëjtën kohë, ajo foli për vështirësitë që has kur takohet, pasi gjithmonë ka anëtarë të Shërbimit Sekret në krah!

“Nuk kam interes të ndjek trashëgiminë politike të gjyshit tim”, tha Kai, duke zbuluar se mban një distancë të plotë nga politika dhe nuk ka ndërmend të përfshihet në këtë drejtim. Pavarësisht thashethemeve për kursin e ardhshëm politik të familjes Trump, e reja Kai deklaroi kategorikisht se nuk ka ndërmend të marrë poste publike. Në vend të kësaj, ajo përqendrohet në golf, i cili është pasioni i saj, duke thënë se aktualisht dëshiron të përqendrohet në karrierën e saj në sport.

Lidhur me marrëdhëniet familjare, Kai tha se e konsideron gjyshin e saj Donald Trump thjesht “një gjysh të lezetshëm” dhe thekson se, megjithëse mbështet familjen, nuk ndjen nevojën të përfshihet në politikën publike.

Biseda përfshiu edhe kohët e vështira që ajo përjeton për shkak të mbrojtjes së vazhdueshme nga Shërbimi Sekret, i cili e ndjek kudo. “Është e vështirë të jetosh një jetë normale kur gjithmonë ke dikë përreth”, tha ajo, duke përshkruar se si prania e truprojave ndikon në jetën e saj të përditshme.

“Është e pakëndshme kur je në një takim dhe një agjent është ulur dy tavolina larg teje”, tha mbesa e Trump.

Kai deklaroi se aktualisht nuk po mendon të krijojë familje, pasi përkushtimi i saj është ndaj golfit dhe zhvillimit të karrierës së saj në këtë sport.

“Zhytet” në ujë Tedi Blushi në Durrës: Nuk na përmbyti Zoti, gjendja e emergjencës të shpallet shpejt

Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka vizituar një famije në Durrës e cila ka pësur përmbytje të banesës së tyre për shkak të rreshjeve të dendura të shiut.

Në postimin e tij Blushi shkruan:

“Sot, pranë qytetarëve të Durrësit. Nuk i përmbyti Zoti, por korrupsioni.

Një dramë e rëndë që ka goditur qindra familje. Gjendja e emergjencës duhet të shpallet urgjentisht.

Çdo familje e prekur duhet të dëmshpërblehet deri në qindarkën e fundit, për çdo pasuri të dëmtuar”, shprehet Blushi.

Takim me Emergjencat në Gjirokastër/ “Lajmi i mirë”, Balluku: Niveli i Vjosës ka rënë në 6.5 metra. Jemi në gatishmëri

Zv/kryeministrja Belinda Balluku bëri të ditur se situata nga moti i keq në jug të vendit po shkon drejt përmirësimit, pas mbledhjes së Emergjencave Civile në qarkun e Gjirokastrës.

Ajo theksoi se niveli i lumit Vjosë ka shënuar një rënie prej 1.5 metrash, nga 8 metra në 6.5 metra, çka pritet të reflektohet pozitivisht edhe në zonën e Novoselës.

Sipas Ballukut, rrugët në Gjirokastër janë të zhbllokuara, situata është nën kontroll dhe vetëm disa banesa në zonën e Memaliajt po inspektohen, ndërsa institucionet po qëndrojnë në gatishmëri për një përkeqësim të motit të parashikuar gjatë fundjavës.

“Kemi përfunduar një mbledhje të Emergjencave Civile në qarkun e Gjirokastrës ku u diskutua e gjithë problematika e cila ndodh në këto momente në terren. Një lajm i mirë që doja të ndaja është që nuk bëhet fjalë vetëm për gjithë Gjirokastrën, por për të gjitha jugun dhe zonat ku kalon lumi i Vjosës, krahasuar me nivelin që kemi pasur sot në pikën e matjes që ka qenë 8 metra, tani ka rënë në  6.5 metra. Kemi një ulje që është me 1.5 metra, e cila do të reflektohet gjithashtu edhe në zonën e Novoselës. Me të vërtet ky është një lajm që tregon përmirësimin e situatës. Në Gjirokastër kemi një ulje të temperaturave, kanë nisur edhe reshjet e lehta të dëborës, rrugët janë të zhbllokuara. Vetëm në zonën e Memaliajt në fshat ka disa banesa që do të inspektohen në këto momente nga forcat e emergjencave civile dhe forcave të armatosura. Nga ana tjetër e gjithë situata është nën kontroll. Plani i evakuimit duhet të jetë në të gjitha bashkitë, të gjitha bashkitë duhet të marrin masat bashkë me Emergjencat Civile. Situata e motit është duke u përmirësuar. Megjithatë të shtunën do të kemi një përkeqësim të motit, por kemi 48 orë në dispozicion për ta menaxhuar”, tha Balluku.

Vdekja e punonjësit në Durrës për shkak të motit, Sako: Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur jashtë orarit të punës

Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emirjana Sako, ka bërë me dije se 35 persona janë evakuar në Katund të Ri dhe 55 të tjerë në Sukth, për shkak të përmbytjeve.  

Sako foli edhe për vdekjen e punonjësit të komunales, 54-vjeçari Astrit Hysenaj, i cili dyshohet se humbi jetën për shkak të motit të keq. Kryebashkiakja tha se sipas të dhënave paraprake, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur jashtë orarit të punës. 

“Kemi qenë deri në orët e vona dje duke punuar në zonën e Durrësit të Ri dhe, gjatë mëngjesit, kemi marrë njoftimin që Erzeni po shkonte drejt kuotave maksimale; kemi dërguar grupet. Është rast i përsëritur si në 2021. Nuk kemi pasur prurje që të nxjerrë lumin nga shtrati, por mendojmë që mund të kenë ardhur prurje edhe nga qytetet e tjera. Evakuimi pak më herët në Katundin e Ri, 35 persona atje, 55 nga njësia administrative Sukth, janë akomoduar në 2 hotele, sepse kavalishenca dhe godina e ushtrisë janë ezauruar nga Durrësi i Ri. Pritet të evakuohen rreth 150 persona. Në këtë moment gjëja më e rëndësishme janë jetët e njerëzve dhe pastaj të mendojmë për dëmet. 

Humbja e jetës: morëm informacionin nga policia për të ndjerin, që po pastronte. Personi ka qenë në datën 6, nga ora 6 e mëngjesit deri në 10:30, më tej është larguar. Pas kësaj, në orën 16:00 familjarët kanë telefonuar për të pyetur nëse ishte në punë. Me datën 7 kanë bërë denoncimin, pra ai nuk ka qenë në orar të punës sipas të dhënave paraprake”,- tha Sako. 

 

Problematike situata në Fier/ Çahet argjinatura e kanalit të Martinës, rrezikohen banesat

Shqipëria ndodhet ‘në pushtetin’ e ujit si pasojë e reshjeve të dendura të shiut prej ditësh.

Ndërkohë në Fier, situata mbetet shqetësuese, së fundmi mësohet se është çarë argjinatura e kanalit të Martinës në Ferras.

Si pasojë uji ka hyrë në fshat duke rrezikuar të gjithë banesat. Ndërkohë raportohet se po merren masa për evakuimin e banorëve. Situata vijon të jetë  alarmante.

Përmbytjet nga moti i keq/ Reagon Delegacioni i BE: Po ndjekim me shqetësim situatën, të gatshëm të mbështesim popullin shqiptar..

Delegacioni i Bashkimit Evropian po ndjek me shqetësim përmbytjet në të gjithë Shqipërinë.

Drejtoria e Përgjithshme e BE-së për Mbrojtjen Civile Evropiane dhe Operacionet e Ndihmës Humanitare (DG ECHO) është në kontakt të ngushtë me autoritetet shqiptare dhe po ndan informacione dhe imazhe relevante nga sateliti Copernicus.

Së bashku me Shtetet Anëtare, BE është e gatshme të mbështesë popullin shqiptar në përballimin e motit ekstrem, përfshirë edhe përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Unionit.

The Delegation of the European Union is following with concern the floods across Albania.

The EU Directorate Generale for European Civil Protection and Humanitarian Aid Operations (DG ECHO) is in close contact with Albanian authorities and is sharing relevant information and… pic.twitter.com/97y6XtKyW4

— EU in Albania (@EUinAlbania) January 8, 2026

 

Dëbora dhe ngricat/ Policia apel qytetarëve: Përdorni goma dimërore dhe zinxhirë

Drejtori i Policisë Rrugore, Drejtues i Parë Perlat Vatoci, gjatë pasdites së sotme ka inspektuar shërbimet e Policisë Rrugore në Rrugën e Arbërit, për të parë nga afër situatën dhe për të komunikuar me punonjësit e Policisë që janë të angazhuar në këtë aks rrugor dhe, nëpërmjet tyre, për t’iu përcjellë një mesazh të gjithë drejtuesve të automjeteve që qarkullojnë në zona malore ku ka prezencë të reshjeve të dëborës: 

“Të gjithë drejtuesit e automjeteve të përdorin mjetet antirrëshqitëse (zinxhirë) dhe goma dimërore, pasi Policia Rrugore ka marrë detyrë dhe urdhër të prerë që të ndëshkojë çdo drejtues automjeti që nuk zbaton me rigorozitet rregullat e qarkullimit në raste të tilla. 

Drejtuesi Vatoci ka apeluar për zbatimin me rigorozitet të rregullave të qarkullimit dhe që, për çdo rast nevoje, të telefonojnë në 112 dhe të kontaktojnë me shërbimet e Policisë në terren. 

Ndërkohë, po bashkëpunohet me firmat kontraktore për mirëmbajtjen e akseve rrugore, me qëllim pastrimin në kohë dhe hedhjen e kripës. 

Si pasojë e motit të keq, shërbimet e Policisë Rrugore janë 100% në detyrë, krahas shërbimeve të tjera të Patrullave të Përgjithshme, Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Forcës Kombëtare të Sigurisë, të cilat vijojnë punën për t’iu shkuar në ndihmë qytetarëve në zona që kanë problematika për shkak të motit të keq me reshje shiu dhe dëbore, si dhe për të menaxhuar trafikun rrugor, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore. 

 

 

Tensionohet situata në Durrës, Arjan Ndoji dhe Oerd Bylykbashi tentojnë të hyjnë me forcë në Bashki

Në Durrës, banorët janë ngritur në protestë pas përmbytjeve dhe kanë marshuar drejt Bashkisë së qytetit.  

Raportohet se situata është e tensionuar pasi protestuesit, së bashku me dy deputetët e PD-së, Oerd Bylykbashin dhe Arjan Ndojën, po tentojnë të futen me forcë në Bashki. 

Protesta nisi pasditen e kësaj të enjteje me thirrjet: “Durrësi, skenë e krimit” dhe “Shpallni gjendjen e emergjencës”. 

Sipas protestuesve, përmbytjet janë pasojë e keqmenaxhimit. 

“SHBA mbështet luftën ndaj krimit e drogës”/ VanHorn takon kreun e SPAK-ut dhe BKH-së

E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn përgëzoi Kryeprokurorin e Posaçëm të SPAK Klodjan Braho, dhe Kreun e BKH Joni Keta për rolet e tyre të reja drejtuese, duke ritheksuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për përpjekjet e SPAK në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të narkotikëve. Siç ka deklaruar Sekretari Rubio:

“Ne do të përballemi me kartelet e drogës kudo që ndodhen dhe kudo që veprojnë kundër interesave të Shteteve të Bashkuara. Detyrimi kryesor i presidentit është të sigurojë interesin kombëtar dhe sigurinë kombëtare të popullit tonë.” Së bashku, ne qëndrojmë të bashkuar në luftën kundër krimit ndërkombëtar.

Përmbytet Novosela nga “ tërbimi” i Vjosës/ Policia nxjerr nga banesa dy të moshuarit, nuk pranonin të evakuoheshin

Policia Kufitare ka evakuuar mesditën e sotme dy familjarë në zonën e 10 banesave të komunitetit rom, të cilët nuk kishin dashur të largoheshin nga banesa e tyre.

Pavarësisht se niveli i ujit kishte arritur rreth një metër e gjysmë brenda shtëpisë, ata kishin mbetur të izoluar.

Policia Kufitare, në bashkëpunim me forcat Delta Force, ka nxjerrë dy të moshuarit dhe më pas i ka transportuar me gomone drejt rrugës kryesore në njësinë administrative Novoselë.

❌