Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

“Gjurmohen pleq të pasur”, gazetari flet për mashtrimet me call center

Aksioni policor i disa ditëve më parë për goditjen e një aktiviteti mashtrues call center-ash në Tiranë zbuloi skemën e grabitjes së miliona eurove që orkestrohej në një ndërtesë në zemër të Tiranës.

Gazetari Eni Ferhati shpjegon në emisionin “Opinion” në Tv Klan vështirësinë e zbulimit të skemave të tilla për shkak të mungesës së gjurmimit. Gjithashtu, ai shpjegon zinxhirin që këto call center mashtruesë ndjekin për të marrë paratë e kujtdo që zgjedh t’u besojë me idenë për të fituar para.

Eni Ferhati: Gjurmohen kryesisht mosha të treta, pra pleq të pasur të cilët telefonohen një ditë dhe mendojnë realisht që kursimet që kanë mund t’i shumëfishojnë. Futen në një platformë që është fake e gjitha. Ti i shikon realisht që po rriten paratë në llogarinë tënde.

Blendi Fevziu: Pra ata kanë ndërtuar edhe një platformë të rreme që ti ndjek grafikun sesi të shkon.

Eni Ferhati: Ti mendon që po fiton para. Ka pasur raste që moshat e treta u kanë dhënë të drejtën që të kenë akses te llogaria bankare dhe në moment janë zhdukur 500, 600 mijë euro. Nuk besoj që e ekzagjeroj nëse them që në vitin 2016 ne kishim kanabizim të Shqipërisë, sot kemi foreksizim.

Si mashtrojnë call center-at në Shqipëri, gazetari zbërthen skemën

Gazetari Taulant Kopliku, i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, tregoi skemën sesi mashtrohen europianët, përmes call center-ave në Shqipëri.

Kopliku u shpreh se mashtrime bëjnë vetëm disa call-center dhe jo të gjithë. Ai tregoi se edhe kur ka arrestime, më shumë bëhen, pas investigimeve të emisioneve të huaja, sesa nga autoritetet shqiptare.

“Disa call center mashtrues ofrojnë “investime” në bursa, që do të thotë vjedhje dhe mashtrim. Dikush në Itali ngriti alarmin se dikush në Shqipëri po mashtron. Le Iene ka bërë investigime të rëndësishme për këtë fushë mashtrimi. Call center-at në Shqipëri përmendin kompani të mëdha italiane, më pas telefonata i kalohej një operatori që ishte në Shqipëri dhe kështu niste zhvatja me 250 euro në fillim, më pas i tregohej se i janë rritur shumat. Një person mund të jetë mashtruar me 200 mijë, 500 mijë euro. Në total bëhen 30 milionë euro të vjedhura qytetarëve europianë, sepse call center-at mashtrues kanë afër 10 punonjës. Nga investigimi i Le Iene, mund të them se personi i infiltruar punoi në Tiranë vetëm në dy ditë sepse kuptoi se mund ta zbulonin, por dhe me kaq ditë dokumentoi skemën e mashtrimit. Ka pasur kallëzime tek autoritetet italiane nga ana e qytetarëve atje, por nuk ecin përpara këto kallëzime, sepse ka raste që shumat nuk janë të mëdha”, tha gazetari Kopliku.

Policia e kryeqyetit ka goditur një sërë call center-ash, që mashtronin qytetarë euiropianë, duke i gënjyer se po investonin në bursa. Dhjetë persona u arrestuan në një operacion të ditëve të fundit në Tiranë, që kishte në fokus call center-a, të cilët mashtrojnë të huajt.

Trump heq tarifat për Groenladën pas takimit me Mark Rutte

Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi se nuk do të vendosë tarifat që ishin planifikuar të hynin në fuqi më 1 shkurt për Groenlandwn.

Në një postim në Truth Social, Trump tha se pas një “takimi shumë produktiv” me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, është krijuar “korniza e një marrëveshjeje të ardhshme për Grenlandën”.

“Bazuar në një takim shumë produktiv që kam zhvilluar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, kemi formuar kornizën e një marrëveshjeje të ardhshme në lidhje me Groenlandën dhe, në fakt, me të gjithë Rajonin Arktik. Kjo zgjidhje, nëse finalizohet, do të jetë shumë e favorshme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për të gjitha vendet anëtare të NATO-s. Bazuar në këtë mirëkuptim, nuk do të vendos tarifat që ishin planifikuar të hynin në fuqi më 1 shkurt. Po zhvillohen gjithashtu diskutime shtesë lidhur me “Kupolën e Artë” (The Golden Dome) sa i përket Groenlandës. Informacione të mëtejshme do të bëhen të ditura ndërsa diskutimet përparojnë. Zëvendëspresidenti JD Vance, Sekretari i Shtetit Marco Rubio, i Dërguari i Posaçëm Steve Witkoff dhe të tjerë, sipas nevojës, do të jenë përgjegjës për negociatat, ata do të raportojnë drejtpërdrejt tek unë. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!”, shkroi Trump.

Ai bëri me dije se diskutimet mbi çështjen e “Kupolës së Artë” në lidhje me Grenlandën vazhdojnë, ndërsa negociatat do të udhëhiqen nga Zëvendës-Presidenti JD Vance, Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe Përfaqësuesi Special Steve Witkoff, të cilët do t’i raportojnë direkt presidentit.

“Informacione të mëtejshme do të bëhen të disponueshme ndërsa diskutimet vazhdojnë”, përfundoi Trump.

Pas dy aksidenteve hekurudhore, sindikata e makinistëve në Spanjë lajmëron grevë

Sindikata spanjolle e makinistëve të trenave SEMAF ka thirrur një grevë tre-ditore mbarëkombëtare për datat 9, 10 dhe 11 shkurt, duke kërkuar masa për sigurinë hekurudhore, pas dy aksidenteve që e kanë zhytur vendin iberik në zi.

Në deklaratën e saj, sindikata sqaroi se greva ka të bëjë me “të gjithë makinistët e trenave nga kompanitë e ndryshme në sektor”.

Ministri i Transportit, Oscar Puente, komentoi, në një konferencë për shtyp, se greva nuk i duket atij si “mënyra më e mirë për të arritur kërkesat e tyre” dhe shprehu shpresën se ajo do të anulohet, duke deklaruar se ai “i dëgjon” punëtorët.

SEMAF thekson në deklaratën e saj se punëtorët në sektor kishin denoncuar “gjendjen e keqe” të rrjetit në pjesë të ndryshme të tij, por “ata nuk morën përgjigje, as nuk pati ndonjë ndërhyrje për muaj, madje vite”.

Prandaj, sindikata synon të kërkojë përgjegjësi penale “nga ata që kanë detyrimin të sigurojnë sigurinë e infrastrukturës hekurudhore”.

Gorenlanda/ Trump: Nuk dua dhe nuk do të përdor forcën

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk duan dhe nuk do të përdorin forcën për të marrë Groenlandën, ishullin e vetëqeverisur danez që Shtetet e Bashkuara e kanë konsideruar jetik për sigurinë e tyre kombëtare. Ky ishte mesazhi që dha Presidenti Amerikan Donald Trump përgjatë fjalimit të tij në Forumin e Davosit në Zvicër, teksa sulmoi vendet e Bashkimit Europian duke thënë se Unioni 27 anëtarësh nuk po shkon në drejtimin e duhur me emigracionin që kanë shkatërruar Perëndimin.

“Groenlanda është një territor i gjerë, pothuajse tërësisht i pabanuar dhe i pazhvilluar, i pambrojtur në një vendndodhje kyçe strategjike midis Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Kinës. Ka vetëm një fakt të qartë, asnjë komb apo grup kombesh nuk është në gjendje të sigurojë Groenlandën përveç Shteteve të Bashkuara. Kjo është arsyeja pse po kërkoj negociata të menjëhershme për të diskutuar përsëri blerjen e Groenlandës nga Shtetet e Bashkuara, ashtu siç kemi fituar shumë territore të tjera gjatë historisë sonë, siç kanë bërë shumë nga kombet evropiane. Ndoshta nuk do të arrijmë asgjë nëse nuk vendos të përdor forcën për marrjen e këtij territori, sinqerisht do të ishim të pandalshëm, por unë nuk do ta bëj diçka të tillë”, tha Trump.

Donald Trump tha se Shtetet e Bashkuara do të ndërtojnë në Groenlandë sistemin më të madh të mbrojtjes ajrore, një version të Iron Dome, ndërsa arsyetoi marrjen e këtij territori nga Shtetet e Bashkuara si shpërblim për gjithçka që Uashingtoni ka bërë për NATO-n, veçanërisht me administratën e tij.

“Ne japim kaq shumë dhe marrim kaq pak në këmbim, dhe unë kam qenë kritik i NATO-s për shumë vite, megjithatë kam bërë më shumë për të ndihmuar NATO-n sesa çdo president tjetër deri më tani. Nuk do ta kishit NATO-n nëse unë nuk do të përfshihesha në mandatin tim të parë. Trashëgova një luftë, një katastrofë, po flas për Ukrainën. Jemi mijëra kilometra larg, të ndarë nga një oqean gjigant dhe kjo është një luftë që nuk duhej të kishte filluar kurrë dhe nuk do të kishte filluar nëse zgjedhjet presidenciale të SHBA-së të vitit 2020 nuk do të ishin manipuluar”, shtoi Trump.

Presidenti Amerikan Donald Trump deklaroi në fjalimin e tij se Shtetet e Bashkuara po punojnë si me Rusinë ashtu edhe me Ukrainën për t’i dhënë fund edhe luftës në Ukrainë, në atë që është kthyer në konfliktin më të ashpër në Europë që prej Luftës së Dytë Botërore.

 

Në pritje të playoffit të Botërorit, Sylvinho: Duhet të gabojmë sa më pak

Edhe pak javë na ndajnë nga momenti më vendimtar i Kombëtares Shqiptare. Në muajin mars kuqezinjtë i pret faza e playoffit të Botërorit të këtij viti dhe tashmë trajneri Sylvinho ka nisur prej ditësh punën e tij pas pushimeve dimërore teksa atë dhe futbollistët e pret një mision historik, kualifikimin për herë të parë në fazën finale të një botërori. Trajneri kuqezi ka folur për FSHF TV duke folur për shumë tema që kanë të bëjnë me skuadrën tonë kuqezi dhe objektivat e saj

Intervista e plotë e trajnerit Sylvinho të dhënë për FSHF TV

Si do ta analizoje ose do ta përkufizoje vitin tënd 2025 me Kombëtaren Shqiptare?

Fillimisht, urime të gjithëve, vit të mbarë, gëzuar! Kënaqësi të flas me ju. Nëse duhet të kthehem pas në kohë, unë jam i kënaqur me atë që kemi bërë, flasim për 8 ndeshje në kualifikueset e Botërorit, kemi fituar gjashtë, barazuar dy dhe dy humbje. Dy prej tyre miqësore, të cilat i kemi fituar. Ne gjithmonë kemi besuar në këtë skuadër. Duhet të them dhe diçka tjetër të rëndësishme, lojtarët tanë, sa herë që dalin në fushë, lënë aty gjithçka, 100%, me shpirt dhe zemër. Ata përfaqësojnë shumë mirë njerëzit tanë dhe jam krenar për ta edhe për këtë gjë.

Cilat momente do t’i konsideroje të vështira dhe cilat shumë pozitive gjatë kualifikueseve?

Është një udhëtim i gjatë, e dini të gjithë ju, në Kombëtare ndodh kjo, janë 8 ndeshje në 9-10 muaj. Një udhëtim i gjatë që gjeneron stres. Mendoj se një moment shumë i vështirë për ne ka qenë një barazim në Letoni, kemi barazuar një ndeshje të vështirë, por kur bëhet fjalë për një objektiv, një ëndërr, ajo duhej fituar. Aty ka qenë një moment i vështirë për t’u riprogramuar, ishte qershor, për t’u riprogramuar, për të bërë disa llogari dhe aty krijohet ideja që duhet të rikuperosh këto pikë në një ndeshje të ardhshme dhe në vijim ishte Serbia praktikisht. Ka qenë shumë e vështirë ta riprogramoje atë moment.

Të gjithë e dimë që vendi i parë në grupin kualifikues për Botërorin ishte jashtëzakonisht i vështirë për t’u arritur, por sa i përket vendit të dytë, cili do të ishte sipas teje momenti vendimtar për kualifikimin në fazën “play-off”?

Pas një momenti shumë të vështirë siç thashë më parë, në Letoni, më pas në shtator kemi mundur Letoninë, në tetor kemi mundur Serbinë në transfertë dhe në nëntor Andorrën po në transfertë. Ai ka qenë momenti që kam parë një skuadër më të maturuar, pas 3 vitesh që kam parë kualifikueset e Europianit dhe një Europian të rëndësishëm dhe të bukur. Mund të them që tashmë jemi mësuar të luajmë ndeshje të rëndësishme, deçizive, qoftë ndaj Italisë apo ndaj një skuadre pak më modeste. Këta lojtarë kanë filluar të kuptojnë dhe të luajnë ndeshje me kombëtare të rëndësishme, deçizive. Ata kanë bërë shumë mirë, në të treja ndeshjet radhazi, nuk ka qenë e lehtë, kemi fituar dhe kjo na ka sjellë në play-off. Sipas meje, ata tre muaj kanë qenë shumë të bukur.

Në shortin e “play-off”-it, Shqipëria do të përballet me Poloninë në transfertë. Si e vlerëson këtë short?

Unë isha atje. I them gjithmonë Presidentit që nuk mund të shkojmë bashkë në një short, ose duhet të shkojë njëri apo tjetri dhe sigurisht duhet të shkojë Presidenti. Në një formë shakaje, sigurisht, sepse është gjithmonë një short i vështirë.

Nuk ka shumë opsione për të zgjedhur aty. Flasim për dy ndeshje, të gjithë vijnë aty në 100%-in e tyre. Herë pas here dëgjoj këtu që mund të ketë një skuadër e dobët apo e lehtë për t’u mundur. Unë si trajner që e jetoj futbollin prej një dekade, nuk jam dakord, futbolli ka ndryshuar, shikohet çdo gjë, në 90 minuta mund të ndodhë çdo gjë. Atëherë, Polonia është një skuadër e fortë, e njohim mirë, ata kanë një proçes, ne kemi një tjetër, tani do të luhet, mund të ndodhë gjithçka.

Poloninë e njohim nga ndeshjet kualifikuese për Euro 2024. Duke bërë një krahasim mes Polonisë dhe Shqipërisë në vitin 2023 dhe në 2025/2026, si i sheh të dyja ekipet në këtë moment?

Për futbollin, tre muaj pas ndryshon çdo gjë, tani po flasim për 2-3 vite më parë. Ata kanë një skuadër shumë të mirë, lojtarë të mëdhenj. Pak njerëz e dinë ose e kujtojnë që e njëjta Poloni, 4 vite më parë shkonte në play-off për Botërorin e 2022-shit. Ndeshjen e parë nuk e kanë luajtur, sepse ishte ndaj Rusisë, por në ndeshjen e dytë kanë mundur Suedinë në finale me rezultatin 2-0. Është një skuadër me lojtarë të rëndësishëm, janë të mësuar dhe e njohin mirë fazën play-off, kanë marrë pjesë edhe në Botëror. Nga ana jonë, kemi një skuadër që është përmirësuar shumë, siç e thashë, është një skuadër që tashmë është mësuar të luajë ndeshje të vështira, deçizive, përveç vështirësisë, se të gjitha janë të tilla, por ndeshje deçizive. Janë 90 minuta, ku e di që duhet të gabosh sa më pak dhe që çdo gjë është e rëndësishme, pasi gabimi më minimal mund të të bëjë shumë dëm. Unë besoj shumë në skuadrën tonë, në lojtarët dhe punën tonë. Mungojnë ende 2-3 muaj, uroj të shkojmë atje me forcën tonë maksimale.

Në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e marsit, si e ke planifikuar punën me stafin teknik? A ke planifikuar takime me lojtarët e Kombëtares?

Kemi nga të gjitha. Prej një jave që jemi në Tiranë ka filluar të zhvillohet puna. Unë kam mësuar shumë nga puna me Kombëtaren dhe nuk mund të gabohet në riorganizimin e punës. Në këto momente jemi këtu për të riparë shumë gjëra që kemi bërë mirë dhe jo mirë në vitin e fundit. Tani, komunikohet me lojtarët tanë, sigurisht që do të vijë momenti për të parë ndeshje, për të studiuar kundërshtarin, por edhe për të bërë vizita te lojtarët tanë. E gjithë kjo është në program, tani duhet ta zhvillojmë në 6-7 javët e ardhshme, duhet të punojmë mirë dhe sigurisht do të vizitojmë 3-4-5 lojtarë gjatë kësaj periudhe.

Mes objektivit dhe ëndrrës, në çfarë pike mendon se ndodhet sot Shqipëria sa i përket pjesëmarrjes në Botëror?

Kjo është një zyrë pune. Unë kam një zyrë tjetër, por këtu punohet dhe jam mësuar t’i them stafit që këtu është një hapësirë pune, sidomos në një Kombëtare ku punohet shumë brenda zyrës. Këtu është një diskutim i vogël me dikë nga stafi, sigurisht në sensin pozitiv, për sa i përket ëndrrës dhe objektivit. Unë mendoj se ne kemi arritur një ëndërr dhe tani duhet të shkojmë drejt objektivit.

Rama mbërrin në Vlorë, pritet të takojë vajzën e Presidentit Trump

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur këtë mbrëmje në Vlorë, ku pritet të zhvillojë një takim me vajzën e Presidentit amerikan, Ivanka Trump.

Vizita zhvillohet nën masa të shtuara sigurie. Ndërkohë pak më parë ka mbërritur në Vlorë një tjetër delegacion në qytet, ku mendohet se ka qenë një përfaqësues i lartë i SHBA-së.

Vajza e presidentit të SHBA-së, Ivanka Trump mbërriti në Vlorë paraditën e sotme. Ajo ka ndalur në zonën e hidrovorit në Akerni, një territor i njohur për potencialin e tij të lartë në zhvillimin e turizmit elitar dhe investimeve strategjike.

E shoqëruar nga arkitektë të njohur dhe nën masa të rrepta sigurie, me praninë e forcave të shumta të policisë, Trump ka inspektuar nga afër vijën bregdetare dhe hapësirat përreth hidrovorit në Akerni. Vizita është përqendruar në vlerësimin e terrenit, infrastrukturës ekzistuese dhe mundësive që kjo zonë ofron për projekte të ardhshme zhvillimore.

Zona e Akernisë, e konsideruar prej kohësh si një nga pikat me potencial të madh për investime të rëndësishme turistike, ofron kushte natyrore të favorshme dhe një pozicion strategjik, çka e bën atë tërheqëse për projekte afatgjata në fushën e turizmit dhe zhvillimit ekonomik. Vizita e tyre ka ngjallur interes dhe vëmendje të madhe, duke përforcuar idenë se kjo zonë mund të shndërrohet në një pikë kyçe për investime të ardhshme.

Dosja 5D/ Lirohet nga qelia Taulant Tusha

Apeli i GJKKO-së ka ndryshuar masën e caktuar për ish-zyrtarin e Bashkisë së Tiranës, Taulant Tusha.

Gjykata e Apelit të Posaçëm ka ndryshuar masën e arrestit me burg për, ish-zyrtarin e Bashkisë Tiranë, Taulant Tusha duke e lënë atë në “arrest shtëpie”.

Vendimi i Apelit të Posaçëm është përcjellë edhe në burgun e Fierit.

Trump i kërkon Papës të bëhet pjesë e Bordit të Paqes për Gazën

Presidenti amerikan Donald Trump i ka bërë kërkesë zyrtare edhe Selisë së Shenjtë në Vatikan që të bëhet pjesë e Bordit të Paqes për rindërtimin e Gazës dhe zonave të tjera të botës. Lajmi u bë i ditur nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin.

“Më duket se e lexova diku që edhe Italia po reflekton mbi këtë çështje. Edhe ne e kemi marrë këtë ftesë. Papa e ka marrë dhe po shohim se çfarë do të bëjmë. Besoj se është një çështje që kërkon pak kohë për tu marrë në konsideratë dhe për t’u dhënë një përgjigje” tha Parolin në një eveniment të organizuar nga Observatori për Mendimin e Pavarur në Romë.

Megjithatë, Parolin nënvizoi se Vatikani nuk është në gjendje të kontribuojë ekonomikisht për Bordin e Paqes për Gazën.

“Ne nuk marrim pjesë nga pikëpamja ekonomike, as nuk jemi në gjendje ta bëjmë”, tha Parolin. “Sigurisht, pikërisht për këtë pikë nuk do të dija ç’të përgjigjesha, por qartazi ndodhemi në një situatë të ndryshme nga vendet e tjera, ndaj edhe vlerësimi do të jetë ndryshe. Por unë besoj se kërkesa nuk do të jetë që të marrim pjesë ekonomikisht, sepse nuk jemi në gjendje ta bëjmë”.

Në lidhje me tensionet mes SHBA-ve dhe Europës, Parolin tha se po krijohet një klimë që përkeqëson situatën në nivel global dhe se “është e rëndësishme që të zbuten tensionet nëpërmjet diskutimeve dhe jo polemikave.”

Nga Davosi, Trump tha sot se “e do shumë Europën, por nuk i pëlqen drejtimi që ajo ka marrë.”

Por Parolin mendon se Trump para së gjithash duhet të respektojë të drejtën ndërkombëtare.

“E çfarë mund të them unë për këtë? Është këndvështrimi i tij: mjafton të respektohet e drejta ndërkombëtare, mendoj se kjo është e rëndësishmja, përtej ndjenjave personale që janë të ligjshme. Të respektohen rregullat e bashkësisë ndërkombëtare” u përgjigj Parolin.

Pjesë e Bordit të Paqes për Gazën do të jetë edhe Shqipëria dhe Kosova si shtete anëtare themeluese. Aderimi i vendit tonë në këtë Bord u miratua të mërkurën nga Këshilli i Ministrave ndërsa kuvendi pritet ta ratifikojë atë në seancën plenare të së enjtes.

Shkarkime dhe emërime në disa institucione, çfarë ka vendosur Këshilli i Ministrave

Këshilli i Ministrave ka vendosur miratuar disa emërime dhe lirime nga detyra në institucione të rëndësishme shtetërore. Vendimet prekin poste drejtuese në ministri, prefektura, si edhe në institucione qendrore. Erlind Sulo është emëruar zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë.

Nga detyra është liruar Piro Misha, drejtori i Bibliotekës Kombëtare.  Emiljan Jani, prefekt i Qarkut të Durrësit po ashtu është liruar nga kjo detyrë duke u zëvendësuar nga Adrian Gurra.

Nertil Jole është liruar nga detyra si prefekt i Qarkut të Korçës, ai u zëvendësuar nga Florinda Zegullaj. Sipas vendimit të këshillit të ministrave, nga detyra është liruar edhe Shkëlqim Hajdari, i cili mbante detyrën e inspektorit të Përgjithshëm.

Kërcënimet e reja tarifore, PE pezullon marrëveshjen tregtare me SHBA

Parlamenti Europian ka vendosur të pezullojë marrëveshjen tregtare me Shtetet e Bashkuara, duke shtyrë miratimin e saj.

Bernd Lange, kryetar i Komitetit të Tregtisë Ndërkombëtare të Parlamentit Europian, e njoftoi këtë në një konferencë për shtyp në Strasburg, duke zyrtarizuar vendimin e shpallur dje nga Manfred Weber, president i Grupit të PPE-së, në marrëveshje me socialistët dhe liberalët.

Me kërcënimet e reja tarifore, “Donald Trump e ka shkelur” paktin e nënshkruar në Skoci në korrik, theksoi Lange.

Dhëndri dhe vajza e Trump në Vlorë

Rreth orës 10:00 të ditës së mërkurë, e shoqëruar nga forca të shumta policie dhe me eskortën e saj, ka mbërritur në qytetin e Vlorës Ivanka Trump, vajza e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Pas takimit të zhvilluar në një nga hotelet e qytetit të Vlorës, dhëndri dhe vajza e presidentit të SHBA-së, Jared Kushner dhe Ivanka Trump, janë ndalur në zonën e hidrovorit në Akerni, një territor i njohur për potencialin e tij të lartë në zhvillimin e turizmit elitar dhe investimeve strategjike.

Të shoqëruar nga arkitektë të njohur dhe nën masa të rrepta sigurie, me praninë e forcave të shumta të policisë, Trump dhe Kushner kanë inspektuar nga afër vijën bregdetare dhe hapësirat përreth hidrovorit në Akerni. Vizita është përqendruar në vlerësimin e terrenit, infrastrukturës ekzistuese dhe mundësive që kjo zonë ofron për projekte të ardhshme zhvillimore.

Zona e Akernisë, e konsideruar prej kohësh si një nga pikat me potencial të madh për investime të rëndësishme turistike, ofron kushte natyrore të favorshme dhe një pozicion strategjik, çka e bën atë tërheqëse për projekte afatgjata në fushën e turizmit dhe zhvillimit ekonomik. Vizita e tyre ka ngjallur interes dhe vëmendje të madhe, duke përforcuar idenë se kjo zonë mund të shndërrohet në një pikë kyçe për investime të ardhshme.

Sipas informacioneve paraprake, Kushner pritet të qëndrojë gjatë gjithë ditës së sotme në Vlorë, ndërsa temat e diskutimit, siç e përmendëm më sipër, lidhen drejtpërdrejtë me projektet e pritshme zhvillimore në qytet dhe zonat përreth, me theks të veçantë në Zvërnec dhe Ishullin e Sazanit, të konsideruara si zona me potencial të lartë strategjik dhe turistik.

Kjo është hera e dytë që dhëndri i Presidentit amerikan Donald Trump viziton Vlorën, ç’ka tregon një interes të vazhdueshëm për këtë zonë dhe për projektet që mund të zhvillohen në të ardhmen.

Trump zyrtarizon takimin me Zelenskyn, liderët do të takohen të enjten në Davos

Presidenti amerikan Donald Trump planifikon të takohet të enjten në Davos me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Sipas raportimeve, gjatë ditë së sotme Zelensky ndodhej në Kiev, ndërsa Trump mbajti fjalim në Forumin Ekonomik Botëror në Davos. Gjatë fjalimit të tij, Trump deklaroi se kishte në plan të takohej me Zelenskyn më vonë gjatë ditës.

“Jam në kontakt me Presidentin Zelensky dhe mendoj se ai dëshiron të bëjë një marrëveshje”, tha Trump.

Më vonë, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë një takimi dypalësh me përfaqësuesit e Zvicrës, presidenti amerikan konfirmoi se takimi do të zhvillohet të enjten.

Dy liderët pritet të vazhdojnë diskutimet lidhur me përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Takimi vjen në të njëjtën ditë kur i dërguari i posaçëm i Trump për çështjet ndërkombëtare, Steve Ëitkoff, dhe dhëndri i tij, Jared Kushner, do të udhëtojnë drejt Moskës për takime me presidentin rus Vladimir Putin.

“Unë besoj se ata janë në një pikë ku mund të bashkohen dhe të arrijnë një marrëveshje. Nëse nuk e bëjnë këtë, janë budallenj”, tha Trump, duke iu referuar Zelenskyt dhe Putinit, gjatë fjalimit të tij.

Norvegjia e Suedia kundër Bordit amerikan të Paqes

Norvegjia dhe Suedia kanë refuzuar t’i bashkohen Komitetit për Paqe të presidentit amerikan Donald Trump, ndërsa sipas raportimeve të mediave, as Italia nuk do të marrë pjesë në të, njoftojnë agjencitë e lajmeve.

Zyra e kryeministrit norvegjez njoftoi sot se Norvegjia nuk do t’i bashkohet Komitetit për Paqe të propozuar nga presidenti amerikan.

“Propozimi amerikan ngre disa çështje që kërkojnë dialog më të thelluar me Shtetet e Bashkuara. Prandaj, Norvegjia nuk do t’u bashkohet dispozitave të propozuara për Komitetin e Paqes dhe nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit në Davos”, tha sekretari i shtetit Kristoffer Thoner për AFP.

Edhe Suedia e ka refuzuar iniciativën e Trumpit.

“Suedia nuk do të marrë pjesë në iniciativën e presidentit Donald Trump për Komitetin e Paqes në formën në të cilën teksti është paraqitur deri tani”, u tha kryeministri Ulf Kristersson gazetarëve në Davos.

As Italia nuk do të marrë pjesë, njoftoi gazeta italiane Corriere della Sera.

Sipas shkrimit të gazetës sot, Italia nuk do të marrë pjesë në iniciativën e Trumpit nga frika se anëtarësimi në një grup të tillë të udhëhequr nga lideri i vetëm i një vendi do të shkelte kushtetutën italiane.

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e cila përndryshe ka marrëdhënie të mira me Trumpin, me gjasë nuk do të shkojë në Davos. Qeveria italiane nuk iu përgjigj kërkesës për koment.

Komiteti i propozuar do të drejtohej përjetë nga Trump, dhe do të fillonte me zgjidhjen e konfliktit në Rripin e Gazës, e më pas edhe luftërat e tjera. Anëtarët do të duhej të paguanin një miliard dollarë amerikanë për anëtarësim të përhershëm.

Sipas kushtetutës italiane, Italia mund t’u bashkohet organizatave ndërkombëtare që sigurojnë “paqe dhe drejtësi mes kombeve” vetëm “mbi baza të barabarta me shtetet e tjera”, gjë që nuk përputhet me primatin amerikan në komitetin e ri, shpjegon gazeta, pa përmendur burimin e raportimit.

Ftesa për t’iu bashkuar iniciativës u janë dërguar rreth 60 shteteve, duke përfshirë Kosovën dhe Shqipërinë.

 

Çfarë do të thotë për Ukrainën mosmarrëveshja për Groenlandën

Planet e SHBA-së për të aneksuar Groenlandën dominojnë Forumin Ekonomik Botëror. Bisedimet midis SHBA-së dhe Ukrainës për të përfunduar luftën po zhvendosen në plan të dytë. A është e mundur të arrihet përparim?

Një banore e Kievit pothuajse ngriti supet kur ia përshkroi situatën e saj energjetike një gazetari ukrainas të martën. “Kjo ishte goditja e tetë ajrore në kohët e fundit. Kur afrohen dronët, ne tashmë i njohim nga zhurma.” Këtë herë, shpërthimi ishte shumë i zhurmshëm, tha ajo. “Me siguri ishin raketa. Epo, tani nuk kemi as rrymë as ngrohje.”

Natën e mëparshme, Rusia sërish sulmoi me intensitet Ukrainën me sulme ajrore. Në kryeqytet, furnizimet me rrymë, ngrohje dhe ujë u ndërprenë sërish në të gjithë qytetin, ndërsa temperaturat mbetën dy shifra nën zero.

Sulmet e detyruan presidentin Volodymyr Zelenski të bënte thirrje për presion më të madh ekonomik ndaj Rusisë. Për më tepër, sipas ekspertëve, mbrojtja ajrore e Ukrainës po tregon gjithnjë e më shumë boshllëqe. Zelenski iu referua edhe kësaj. Megjithatë, fjalët e tij duket se kanë pak jehonë edhe mes partnerëve të Ukrainës, siç pranoi hapur Zelenski para gazetarëve.

Bisedimet mbeten në plan të dytë

Ndërsa situata në Groenlandë përkeqësohet, bisedimet midis Kievit dhe Uashingtonit për një përfundim të mundshëm të luftës, të cilat kohët e fundit konsideroheshin se kishin përparuar mirë, po mbeten në plan të dytë.

Megjithatë, ka pasur kontakte midis dy palëve. Para disa ditësh, një delegacion ukrainas u takua në Shtetet e Bashkuara me Steve Witkoff, njeri i besuar i Trumpit. Zelenski dhe presidenti amerikan ishin gjithashtu të planifikuar të takoheshin në Forumin Ekonomik Botëror në Davos. Deri tani, kjo nuk është konfirmuar.

Ka pasur madje edhe fjalë për një marrëveshje të mundshme dypalëshe me vlerë 800 miliardë dollarë për rindërtimin e Ukrainës, për të cilën Zelenski aludoi: “Si plani i rindërtimit, ashtu edhe garancitë e sigurisë janë dokumente jashtëzakonisht të rëndësishme.”

Zelenski tha se u ishte mirënjohës ekipeve amerikane dhe ukrainase për punën në këtë drejtim. “Ne jemi në fazat përmbyllëse të përgatitjes së dokumenteve. Kur të jenë gati, do të ketë një takim dhe një udhëtim.”

A do të shkojë Zelenski në Davos?

Nuk dukej se Zelenski do të udhëtonte në Zvicër në çdo rast. Për më tepër, ai kishte dhënë zyrtarisht përparësi situatës energjetike të vendit të tij. Megjithatë, disa vëzhgues në Ukrainë shohin shenja se Zelenski nuk dëshiron të përfshihet në një përballje publike.

Gazetari Vitaliy Portnikov e shprehu kështu në kanalin e tij në YouTube: “Një takim midis Trumpit dhe Zelenskit do të zhvillohej në kontekstin e një përballjeje midis aleatëve tanë, Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. Në Zvicër, ka të ngjarë që këtë herë Evropa të mos kufizohet vetëm në zgjedhjen e fjalëve lavdëruese për Trumpin, thjesht për ta mbajtur atë të balancuar.”

Kujdes për tension me SHBA

Zelenski ka folur me kujdes për kërkesën e Trump-it për aneksimin e ishullit autonom, i cili i përket Danimarkës. Ai thotë se respekton parimin e integritetit territorial dhe dëshiron që Trump-i të dëgjojë Evropën.

Një shqetësim që komentatori Portnikov e shprehu më konkretisht: “Trumpi mund t’i transmetojë ministrit të Jashtëm Rubio, pse vazhdon të merret me çështjet e sigurisë evropiane, ndërsa Europa nuk pajtohet me kërkesën e Trump-it për Groenlandën. Dhe Ukraina mund të përballet së shpejti me zgjedhjen se në cilën anë të qëndrojë për çështjen e Groenlandës.”/ DW

Groenlanda, Trump: Nëse na thoni po do jemi mirënjohës, nëse thoni jo do ta kujtojmë

Gjatë fjalës së tij nga Davosi, presidenti i SHBA rriti presionin për marrjen e Groenlandën.

“Nëse na thoni ‘po’ do jemi mirënjohës, nëse thoni ‘jo’ do ta kujtojmë”, u shpreh Trump për marrjen e Groenlandës nga SHBA.

Këshilla ime ka qenë ndaj prodhuesve tanë që të prodhojnë më shpejt. Paratë do të investohen në ndërtimin e fabrikave të reja, në raketa amerikane, Tomahawk. Po punojmë për raketa të padetektueshme, ndaj kërkojmë një copëz akulli për mbrojtjen e botës; s’kemi kërkuar gjë tjetër.

Mund ta kishim mbajtur atë copë, mund të kishit thënë “po” dhe ne do të ishim mirënjohës. Mund të thoni “jo” dhe ne do ta kujtojmë. Po punojmë që ushtria jonë të jetë sa më e fortë, edhe pse aleatët tanë mund të kenë inflacion.

Çmimet e energjisë dhe të ushqimeve janë ulur ndjeshëm, edhe pse trashëguam një katastrofë ekonomike, por kemi bërë një punë të madhe. Çmimet e ilaçeve po ulen deri në 90%. Shumë presidentë e kanë dashur, por nuk e kanë arritur; unë e bëra. Çmimet e barnave ishin më të larta në Amerikë se në vendet e tjera.

Macron e pashë dje me një palë syze të mrekullueshme. Çfarë dreqin ndodhi?“, tha më tutje ai.

Trump tallet me Macron: Bën të fortin me ato syze dielli

Presidenti amerikan, Donald Trump po mban fjalën e tij në Forumin Ekonomik të Davosit.

Gjatë fjalës së tij, Trump, u tall me Emmanuel Macron-in, i cili në fjalimin e tij në Davos dje, shumë kritik ndaj tij, “bëri të fortin me ato syze të bukura dielli” që presidenti francez mbante për shkak të një problemi me sytë.

“Nuk do ta besoni, por më pëlqen Emmanuel-i”, tha Trump në fjalimin e tij në Forumin e Davosit.

Davos, Trump: Venezuela do të fitojë më shumë para nën drejtimin e SHBA

“Venezuela do të fitojë më shumë para në gjashtë muajt e ardhshëm sesa ka fituar në 20 vitet e fundit”. Kështu deklaroi nga Davos presidenti amerikan Donald Trump.

Duke folur për kostot e naftës nën presidencën e paraardhësit të tij, ish-presidentit Joe Biden, ai kritikoi atë që pretendon se ishin çmime të fryra për shkak të politikave të gjelbra.

Sipas Trump nën presidencën e tij, prodhimi i naftës dhe gazit është rritur. Ai flet për 50 milionë fuçi naftë që pretendon se u sekuestruan nga Venezuela dhe u sollën në SHBA.

SHBA-ja arrestoi Presidentin Venezuelan Nicolás Maduro nga një kompleks në Karakas në fillim të këtij muaji. Që atëherë, Trump ka lavdëruar zëvendësuesen e Maduros, presidenten në detyrë Delcy Rodríguez.

Trump flet në Davos: Europa nuk po shkon në drejtimin e duhur

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar në Forumin Ekonomik Botëror në Davos se Europa “nuk po shkon në drejtimin e duhur”, duke shprehur shqetësim për zhvillimet politike, ekonomike dhe sociale në kontinent. Në fjalën e tij, Trump tha se “nuk e njeh më Europën”, megjithëse theksoi se ka një lidhje të fortë emocionale me të.

“E dua Europën dhe dua ta shoh të ecë mirë, por nuk po shkon në drejtimin e duhur”, u shpreh ai, duke shtuar se nuk dëshiron të fyejë askënd. Sipas Trump, miq të tij që kthehen nga vendet europiane i thonë se nuk i njohin më ato, për shkak të migracionit masiv të pakontrolluar, si dhe deficitit rekord buxhetor dhe tregtar.

Presidenti amerikan foli edhe për sfida globale, duke deklaruar se “pjesë të botës po shkatërrohen para syve tanë, ndërsa liderët nuk po bëjnë asgjë”. Ai nuk dha detaje konkrete, por mbrojti politikat e tij ekonomike, duke thënë se parashikimet për recesion dhe inflacion të lartë janë hedhur poshtë nga rezultatet reale.

Trump e hapi fjalimin në Davos me tone ironike, duke përshëndetur “miq dhe pak armiq”, ndërsa kërcënimet e tij për Grenlandën mbeten një nga temat kryesore të forumit.

Do të votojë PD aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes?Berisha pa vendim:Nuk kam…

Gjatë konferencës për shtyp, kreu i PD Sali Berisha u pyet nëse Partia Demokratike do të votojë aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes.

Berisha tha se nuk ka informacion, ndërsa sipas tij, kjo ftesë e Trump, nuk forcon pozicionin ndërkombëtar të Edi Ramës.

BerishaMe aq sa di unë, ftesa për Bordin e Paqes, i është shpërndarë shumë vendeve. Presidenti Trump ka ftuar vendet, në Shqipëri shefi i ekzekutivit nuk është presidenti, kështu që ftesa i takon kryetarit të qeverisë. Ky është komenti im. Ju mendoni se kjo forcon pozicionin ndërkombëtar të Edi Ramës? Jo, Edi Rama mbetet një narkodiaktor, fatkeqësisht është njëri që përfaqëson Shqipërinë.

Do të votoni pro?

Berisha: Nuk kam informacion që kjo shtrohet në parlament.

❌