Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Urgjencat të hapura për festat/ Brataj: Deri më tani nuk ka asnjë incident

Kreu i urgjencave mjekësore, Skënder Brataj thotë se urgjencat do të jetë të hapura në ditët festive për ndërrimin e viteve.

Në një intervistë për ABC News, Brataj u shpreh se deri më tani nuk është raportuar asnjë incident.

“Deri tani nuk ka asnjë incident. Shpresojmë të mos ketë. Sot temperaturat janë të ulëta, duhet të bëjmë kujdes. Këshilla është të rrimë aty ku jemi, nëse kemi kosnumuar alkool, për të parandaluar aksidentet. Gatishmëria jonë është në datat 31,1 dhe 2. Që janë edhe ditët festive”, theksoi ai./abcnews.al

Viti i Ri troket në Shqipëri! ABC NEWS uron: GËZUAR 2026!

Viti i Ri troket edhe në Shqipëri! Fishekzjarret në sheshet kryesore të të gjitha qyteteve lajmërojnë se 2026 erdhi në tryezat e të gjithë shqiptarëve.

Ndërsa akrepat shënojnë 00:00, ndahemi kështu nga një vit, dhe ‘i çelim’ dyert një viti të ri, me urimet për më shumë mbarësi, begati e shëndet për të gjithë shqiptarët!

ABC NEWS uron të gjithë shqiptarët kudo ndodhen: “GËZUAR VITIN E RI, 2026 !”

Duke shpresuar të jetë më i mbarë, shqiptarët por edhe e gjithë bota festojnë në mënyra të ndryshme.

Tirana e priti ndërrimin e viteve kur akrepat e orës shënuan 00:00 me fishekzjarret shumëngjyrëshe që ndriçuan qiellin.

Qytetet në të gjithë vendin u përfshinë nga atmosfera festive, ndërsa qytetarët u mblodhën në sheshet kryesore të qyteteve për të shijuar spektaklin e fishekzjarreve./abcnews.al

Si u prit Viti i Ri nga shqiptarët në Greqi/ Guri: Me entuziazëm dhe dëshirë për të festuar

Gazetari Edmond Guri thotë se viti i ri 2026 është pritur me entuziazëm dhe dëshirë për të festuar.

Në një intervistë për ABC News, Guri u shpreh se shqiptarët dhe grekët festojnë së bashku.

“Me entuzizëm, me shumë vullnet dhe dëshirë për të festuar në ambiente faimljare dhe shoqërore. Sivjet ka edhe një risi, ndihet shumë atmosfera. Në restorante, në lokale, në buzuqe të famshme. Me grekët, jemi ballkanas, nuk dallojmë shumë nga njëri-tjetri. Shqiptarët dhe grekët kanë ngjashmëri.”, theksoi ai./abcnews.al

Festoni, por kujdes drejtimin e mjetit/ Eksperti Hasho: Të ndalohet përdorimi i alkoolit, 2025 bilanc tragjik aksidentesh

Eksperti i sigurisë, Fatmir Hasho thotë se drejtuesit e mjeteve nuk duhet të konsumojnë alkool.

Në një intervistë për ABC News, Hasho apeloi për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor.

Hasho shtoi se 2025 pati një bilanc tragjik të aksidenteve.

“Duke filluar, është përdorimi i tepruar i alkoolit. Për drejtuesit e mjeteve është absolutisht e ndaluar. Duke dëgjuar edhe për kohën e temperaturave, në zonat malore, mund të ketë rrjedhje uji. Nesër është ditë e ftohtë. Detyrimi është që të keni gomat e dimrit. Është e detyrueshme. Të jenë zinxhirët me vete. “, theksoi ai./abcnews.al

Si do të jetë moti në ditët e para të 2026/ Gjoni: Sonte, nata më e ftohtë e dhjetorit. Të premten rikthehen reshjet

Meterologia e IGJEUM, Anira Gjoni thotë se nata e sotme, është më e ftohtë e muajit dhjetor.

Në një intervistë për ABC News, Gjoni u shpreh se të premten rikthehen reshjet e shiut.

“Ditën e nesërmepresim temperatura të ulëta. E njëjta tablo do të jetë edhe të premten. Të shtunën do kemi ndryshim, do kemi shtim të reshjeve dhe rritjeve të temperaurave. Temperaturat e ulëta të dy ditëve të fundit janë normale për stinën. Jemi mësuar me klimën e re që po instalohet në të gjithë rajonin. Të premten, të shtunën dhe të dielën do ketë reshje shiu. Por edhe të hënën e të martën”, theksoi ajo./abcnews.al

Festime në shesh për Vitin e Ri/ Ndërrimi i viteve pritet me festime në qendër të Tiranës

Sheshi “Skënderbej” është kthyer në një shesh festiv, teksa qindra qytetarë kanë dalë për të pritur ndërrimin e viteve.

Një koncert është organizuar nga Bashkia e Tiranës, ku performojnë këngëtarë të njohur.

Edhe pse me tepmeratura të ulëta, qytetarët kanë zgjedhur të festojnë në shesh.

Në qendër të Tiranës, ka edhe turistë të huaj që festojnë./abcnews.al

Moska nxjerr pamjet e sulmit ndaj rezidencës së Putin

Ministria ruse e Mbrojtjes publikoi pamjet e mbetjeve të një droni ukrainas që dyshohet se u rrëzua pasi ishte nisur për të goditur rezidencën e presidentit rus Vladimir Putin. Me këto pamje, Moska synon të hedhë poshtë akuzat e Kievit se ngjarja ishte e sajuar për të minuar paqen.

Këto mbetje metalike janë pjesë e një droni ukrainas “Chaklun-V”, i cili sipas Moskës u rrëzua fare pranë rezidencës së Vladimir Putinit në Novgorod të hënën. Njësitë ruse të xhenios konfirmuan se ky mjet fluturues mbante rreth 6 kilogramë eksploziv, i projektuar për të shkaktuar dëme maksimale në objekte qeveritare.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes ruse, ky dron i rrëzuar është pjesë e një vale prej 91 të tillësh të nisur nga Kievi për të goditur pika strategjike në Rusi. Megjithatë, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Kaja Kallas, i hodhi poshtë këto akuza, duke i quajtur një “shpërqendrim të qëllimshëm” të Rusisë për të penguar progresin drejt paqes.

Përmes publikimit të këtyre filmimeve, Rusia kërkon të dëshmojë me fakte akuzat që Volodimir Zelensky i mohoi si sajesa të pastra që synojnë të minojnë bisedimet e paqes. Tensioni vjen vetëm pak orë pas takimit mes Zelenskyt dhe Donald Trump në Florida.

Trump e dënoi sulmin, por fillimisht e minimizoi atë me argumentin se mungonin provat filmike.

Përkeqësohet gjendja shëndetësore e Ramzan Kadyrov/ Lideri çeçen shtrohet në spital

Udhëheqësi çeçen, Ramzan Kadyrov, është shumë i sëmurë dhe së fundi u reanimua me vështirësi në Moskë.

Ramzan Kadyrov u shtrua urgjentisht në spital në Moskë në natën e 24‑25 dhjetorit pas përkeqësimit të shpejtë të gjendjes shëndetësore dhe për këtë arsye nuk mori pjesë në takimin e Këshillit të Shtetit të udhëhequr nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Ai u transportua me ambulancë në Spitalin Klinik Qendror të Administratës Presidenciale të Rusisë, ndërsa takimi i Këshillit të Shtetit u mbajt pa përfaqësues të Çeçenisë. Sipas një burimi, në Moskë ia dolën me vështirësi ta ringjallin (reanimonin), dhe më pas ai u kthye në shtëpi, por që atëherë nuk është parë në publik.

Raportohet se Kadyrov më herët këtë vit ishte hospitalizuar në një klinikë private në Grozni, dhe që atëherë gjendja e tij është përkeqësuar.

Vetë Kadyrov ka thënë se përjeton “çrregullime nervore” dhe “ndjenjë të vazhdueshme tensioni”, të cilat i ka lidhur me pjesëmarrjen e luftëtarëve çeçenë në luftën kundër Ukrainës.

Tifozëria shqiptare e futbollit napolitan/ Fun Club Napoli Albania “ndriçon” si një dritë blu

Emisioni të Gjitha rrugët të Çojnë në Rome në mbyllje të vitit 2025, kur qytetet ndizen nga dritat e festave, kur rrugët mbushen me ngjyra, shpresë dhe emocione, sjell Fun Club Napoli Albania i cili ndriçon si një dritë blu që bashkon zemra shqiptare rreth një pasioni të vetëm: Napolit.

Ky fan club nuk është thjesht një emër apo një grup tifozësh. Është një zjarr që nuk shuhet, një këngë që këndohet me zemër, një ndjenjë që jeton nga Shqipëria deri në rrugët e Napolit. Në këtë fundvit, mes festave, gëzimit dhe reflektimit, dashuria për Napolin bëhet edhe më e fortë dhe ne ja bashkengjisim puntates se fundit te emisionit tone ne Abc News.

Në zemër të Fun Club Napoli Albania janë drejtues të rinj, me mendësi moderne, që përfaqësojnë brezin e ri të tifozërisë: energjikë, të bashkuar dhe plot ide. Ata janë si dritat e Vitit të Ri – simbol i fillimeve të reja, shpresës dhe vizionit për të ardhmen.

Me çdo aktivitet, me çdo ndeshje të ndjekur së bashku, ata sjellin një frymë të re, ku pasioni për futbollin bashkohet me respektin, kulturën sportive dhe dashurinë e sinqertë për klubin. Ky është Napolizmi i ri: i pastër, modern dhe plot zemër.

Pyetje qe shtrohet është: Pse Napoli prek zemrat shqiptare?

Pergjgijen e japin keta te rinj qe thone: Se Napoli është emocion, është luftë, është krenari.
Është historia e atyre që nuk dorëzohen, e atyre që besojnë edhe kur rruga është e vështirë. Kjo është arsyeja pse shqiptarët e ndjejnë Napolin kaq afër.

Figura e Maradonës mbetet si një yll që nuk fiket kurrë, ashtu si dritat e festave në qiellin e dhjetorit. Ai simbolizon magjinë, shpirtin rebel dhe lidhjen e përjetshme mes ekipit dhe popullit.

Në këtë fundvit 2025, Fun Club Napoli Albania feston jo vetëm fitoret në fushë, por edhe bashkimin, miqësinë dhe dashurinë e përbashkët. Çdo ndeshje është një festë, çdo gol është një përqafim, çdo moment i ndarë së bashku është një kujtim që mbetet.

Nga Shqipëria, mes dritave të Vitit të Ri, me ngjyrat blu që përzihen me festën, Emisioni “te Gjitha Rrugët të Çojnë ne Rome” kete here nga Tirana me entuziazmin Italo Shqiptar te Futbollit Napolitian nemperjet ketij emisioni ju prezanton Fan Club Napoli Albania që dëshmon se pasioni i vërtetë nuk njeh distancë./abcnews.al

Erdogan: Nuk do të tolerojmë provokime në detet tona

Recep Tayyip Erdogan deklaroi të mërkurën se Turqia nuk do të tolerojë përdorimin e forcës, piraterinë apo provokime të tjera që kërcënojnë interesat e saj detare në Mesdheun Lindor.

Presidenti turk tha se Ankaraja po ndjek me vëmendje rreziqet për “Atdheun e saj të kaltër” – term që përdoret për kufijtë detarë turq – si dhe interesat e turqve të Qipros.

Në mesazhin e vitit të ri, të publikuar nga Presidenca turke, Erdogan tha se Turqia është e vëmendshme për tensionet në rritje në rajon dhe se do të mbrojë të drejtat dhe interesat e saj.

“Asnjëherë nuk do të tolerojmë përdorimin e forcës, piraterinë apo grabitjen në detet tona”, tha ai.

Kaja Kallas hedh poshtë pretendimet ruse për sulmin ukrainas ndaj rezidencave qeveritare

Diplomatja e lartë e BE-së i ka quajtur pretendimet e Moskës se Ukraina ka shënjestruar bazat e qeverisë ruse një “shpërqendrim të qëllimshëm” dhe një përpjekje për të prishur procesin e paqes.

Komentet e Kaja Kallas në mediat sociale duket se janë një referencë për pretendimin e Kremlinit se Ukraina u përpoq të kryente një sulm me dron në njërën nga rezidencat e Vladimir Putinit.

“Askush nuk duhet të pranojë pretendime të pabaza nga agresori i cili ka synuar pa dallim infrastrukturën dhe civilët e Ukrainës”, shkroi Kallas në rrjetet sociale.

Më herët këtë javë, Moska akuzoi Ukrainën për sulmin ndaj shtëpisë private të Putinit në liqenin Valdai në veriperëndim të Rusisë.

Si rezultat, Rusia do të rishikojë qëndrimin e saj në negociatat e vazhdueshme të paqes, tha Kremlini.

Që kur Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov i ndau për herë të parë pretendimet, media shtetërore ruse dhe politikanët e kanë diskutuar sulmin e dyshuar me tone gjithnjë e më nxitëse.

“Sulmi është një goditje në zemër të Rusisë”, tha Andrei Kartapolov, kreu i komitetit të mbrojtjes së parlamentit rus. “Pas asaj që ka bërë [Ukraina], nuk mund të ketë falje.”

Edhe pse Kremlini fillimisht tha se nuk shihte asnjë kuptim në ndarjen e provave të sulmit të supozuar, të mërkurën ushtria ruse publikoi atë që e quajti prova të sulmit të tentuar./abcnews.al

Aksident hekurudhor në Peru/ Humb jetën një person, 40 të plagosur

Një aksident tragjik hekurudhor ka ndodhur pranë Machu Picchu, ku dy trena u përplasën ballë për ballë.

Si pasojë e përplasjes, një person humbi jetën dhe të paktën 40 të tjerë janë plagosur. Sipas autoriteteve, aksidenti ndodhi dje në një shinë të vetme që lidh stacionet Ollantaytambo dhe Aguas Calientes, qyteti më i afërt me qytetin e lashtë Inka.

Në vendngjarje arritën rreth 20 ambulanca, ndërsa të plagosurit u transportuan me urgjencë drejt spitaleve në qytetin fqinj të Cusco.

Mediat raportojnë se qindra turistë mbetën të bllokuar në vendngjarje, ndërsa evakuimi u vështirësua nga terreni i thyer dhe aksesin e kufizuar në zonë.

Tajlanda liron 18 ushtarë kamboxhianë pas armëpushimit në kufi

Tajlanda ka liruar 18 ushtarë kamboxhianë që ishin kapur në muajin korrik gjatë përplasjeve të përgjakshme në kufirin mes dy vendeve, në kuadër të marrëveshjes së armëpushimit të arritur të shtunën.

Dorëzimi i ushtarëve u shty për një ditë, pasi autoritetet tajlandeze shprehën shqetësime për shkelje të dyshuara të armëpushimit. Megjithatë, procesi u përmbyll pas presionit të vazhdueshëm diplomatik nga Kina, e cila ka luajtur rol ndërmjetësues për ruajtjen e marrëveshjes.

Tensionet përgjatë kufirit Tajlandë–Kamboxhi u përshkallëzuan në fillim të këtij muaji dhe zgjatën për disa javë, duke detyruar afro një milion civilë të largohen nga banesat e tyre.

Sipas marrëveshjes së armëpushimit, të dyja palët janë angazhuar të ngrijnë pozicionet ushtarake aktuale, të ndalojnë përforcimet dhe të lejojnë kthimin e banorëve në zonat kufitare sa më shpejt të jetë e mundur. Ushtarët e liruar, të veshur me rroba civile, u shoqëruan përmes një pike kufitare dhe iu dorëzuan autoriteteve kamboxhiane.

Mbajtja e tyre në paraburgim që nga korriku kishte nxitur reagime të forta nacionaliste në Kamboxhia dhe lirimi i tyre ishte një nga kërkesat kryesore të qeverisë së Phnom Penhit në bisedimet me Tajlandën.

Ministria e Jashtme e Tajlandës e cilësoi lirimin si një “gjest vullneti të mirë”, duke shprehur shpresën që Kamboxhia të përgjigjet me “veprime konkrete”. Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Kamboxhias deklaroi se mbetet “shpresëplotë” se ky hap do të ndihmojë në ndërtimin e besimit të ndërsjellë.

Sipas kushteve të marrëveshjes, ushtarët duhej të dorëzoheshin brenda 72 orësh, por Bangkoku akuzoi Phnom Penhin për shkelje të armëpushimit, duke pretenduar se mbi 250 dronë kamboxhianë kishin fluturuar mbi territorin tajlandez të dielën.

Pavarësisht akuzave, armëpushimi duket se po mbahet deri më tani. Mosmarrëveshjet kufitare mes dy vendeve datojnë prej më shumë se një shekulli, por tensionet u rritën ndjeshëm këtë vit pas incidenteve në një tempull të kontestuar. Përplasjet e korrikut lanë dhjetëra të vrarë dhe mijëra të zhvendosur.

VIDEO/ Përfshihet nga flakët një depo me naftë ruse pas sulmit me dronë nga Ukraina

Një depo e madhe nafte është përfshirë nga flakët pas një sulmi me dron ukrainas, njoftojnë autoritetet lokale.

Zjarri po digjet me intensitet të lartë, ndërsa ekipet e zjarrfikësve po përpiqen të vendosin kontrollin mbi situatën dhe të parandalojnë përhapjen e flakëve në zonat përreth.

Shkak i këtij incidenti është një sulm i kryer me dron nga ukrainasit, që ka goditur infrastrukturën e depozitës, duke shkaktuar shpërthime të vogla dhe zjarr të përhapur. Autoritetet kanë evakuuar pjesën e zonës pranë depotës dhe kanë vendosur një perimetër sigurie për të mbrojtur banorët dhe punonjësit.

In Kopaево, Yaroslavl region, an oil depot is burning intensely after a drone strike

Earlier, Ukrainian drones targeted an oil refinery in Tuapse, Krasnodar region. https://t.co/hUQcM66lSz pic.twitter.com/cNyMS5oqwU

— NEXTA (@nexta_tv) December 31, 2025

Ky incident vjen pak ditë pas sulmit të mëparshëm me dron nga Ukraina ndaj një rafinerie nafte në Tuapse, në rajonin Krasnodar.

Sipas ekspertëve, këto sulme synojnë goditjen e infrastrukturës energjetike dhe parandalimin e furnizimit me naftë, duke shkaktuar shqetësime serioze për sigurinë energjetike në rajon.

Zjarret në depotë të tilla janë veçanërisht të rrezikshme për shkak të natyrës së lëndëve të depozituara dhe mund të shkaktojnë shpërthime të mëdha.

Banorët e zonës janë paralajmëruar të shmangin qarkullimin pranë depove dhe të qëndrojnë të sigurt deri në stabilizimin e plotë të situatës.

Urimi i kryeministrit për Vitin e Ri/ Rama: Ndryshuam Shqipërinë, e bëmë europiane

Kryeministri Edi Rama ka uruar shqiptarët me rastin e ndërrimit të viteve.

Përmes një mesazhi, Rama u shpreh se mazhoranca socialiste ia doli ta ndryshojë Shqipërinë dhe ta bëjë atë europiane.

Ndër të tjera, shefi i qeverisë shtoi se objektivin për Shqipërinë 2030 në BE nuk e solli koha, por forca qeverisëse që ai drejton.

Mesazhi i kryeministrit Rama

Të dashur bashkëqytetarë e bashkëqytetare, kudo ku jeni,

Ja edhe një vit tjetër mbërriti tek dera për të dalë, duke e lënë Shqipërinë më lart, se në ditën kur hyri.

Gjatë rrugëtimit të këtij viti, shumica prej jush, në Shqipëri, Europë, gjetkë nëpër botë, e bekoi përpjekjen e përbashkët të dekadës së fundit, duke i dhënë qeverisë sonë, fuqinë e jashtëzakonshme të 83 mandateve.

Faleminderit edhe njëherë nga unë sot, për atë fuqi me të cilën falë jush, unë dhe të zgjedhurit tuaj do të bëjmë për Shqipërinë, në katër vitet e ardhshme, gjithçka duhet që ta ngremë flamurin tonë kombëtar, në oborrin e Shtëpisë së Bashkimit Europian.

Në një dekadë kemi bërë çfarë nuk imagjinohej kur nisi numërimi i viteve tona në qeverisje.

Kemi bërë realitet një Shqipëri tjetër, ku këtë vit u mblodhën krejt udhëheqësit e Europës Demokratike, nga Parisi në Ankara, dhe nga Kievi në Londër për të diskutuar të nesërmen e kontinentit tonë.

Një Shqipëri tjetër, ku për 18 muaj do të mblidhen të gjithë udhëheqësit e NATO-s, për Samitin vjetor të Aleancës, që plot vende të tjera, të cilat kanë hyrë në NATO, kohë përpara nesh, ende s’e kanë patur privilegjin ta mikpresin.

Një Shqipëri tjetër, e cila ndryshe nga jo shumë vite më parë, nuk ia ul më kokën asnjë shqiptari kur del jashtë kufijve të saj, prej ku tanimë vërshojnë drejt këtij vendi miliona e miliona turistë.

Një Shqiperi tjetër, më e prekshme se kurrë në çdo skaj të saj, me Dibrën e kthyer në zgjatim të Tiranës, falë rrugës së Arbrit; me Vermoshin, Thethin e Valbonën, të kthyera në destinacione turistike, falë kthimit të shtigjeve të vjetra të dhive në akse me standarte europiane; me Shkodrën e rilindur,  falë kthimit të shpresës dhe rikthimit të turizmit si burim ekonomie i tharë qysh prej viteve‘30; me Lezhën, Beratin, Korçën, Pogradecin, Gjirokastrën, Përmetin, Tepelenën, Kolonjën, e me radhë, të kthyera në qytete të rilindura e fshatra rrotull tyre, ku vejevijnë njerëz nga Shqipëria e mbarë bota dhe hapen për t’i mikpritur, dyer pas dyersh, e ku numrat e turistëve, kanë arritur në shifra që nuk imagjinoheshin kur nisi kjo dekadë; me luginën e Lumit të Vlorës, të kthyer në një aks panoramik i Shqipërisë tjetër, ku të tjera e të tjera akse të reja, autostradash, rrugësh, tunelesh të hapur në veri e në jug, me standarde europiane e ritëm të pandalur gjatë këtyre viteve, i kanë dhënë kësaj Shqipërie, jo thjesht infrastrukturë më të mirë, po energjinë ripërtëritëse të një vendi në ngjitje.

Të gjithë këtë transformim, që vazhdon e do të vazhdojë pa ndalim, me kantiere të hapura e projekte të reja, drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian, nuk e solli koha siç thonë disa, nuk e sollën as alienët apo bandat siç bërtasin disa të fantaksur të tjerë, po e solli forca jonë qeverisëse, besimi juaj tek ne dhe besimi ynë i përbashkët tek Shqiperia, e solli puna pa orar e  mijëra e mijëra njerëzve, e ministrisë, agjencive shtetërore dhe kompanive private, përpjekja e madhe në shumë frontet e betejës për Shqipërinë Europiane, ku të metat, dobësitë, gabimet apo edhe rrëshqitjet ose mëkatet e disave brenda nesh, nuk e zvogëlojnë dot kurrsesi përmasën historike të një transformimi të tillë.

Kjo është një Shqipëri tjetër, edhe falë kthimit të infrastrukturës  digjitale nga një dorë kioskash me internet, në një shtyllë qeverisëse  me maturitet të lartë, siç e vlerësojnë organizmat më prestigjozë ndërkombëtarë të fushës.

Një Shqipëri që tre vitet e fundit ka ngjitur plot 54 vende, duke u renditur e 14-ta ndër 197 vende të botës për qeverisjen digjitale dhe duke vendosur në dispozicion të qytetarëve, një platformë shërbimesh publike në kohë reale, falas nga çdo cep i globit.

E-Albania u ka kursyer shqiptarëve 620 milione euro dhe 7500 vjet radha nëpër sportele, ose e thënë ndryshe, një radhë të gjatë sa 25 mijë rrotullime rreth tokës.

Kjo është një Shqipëri tjetër, e cila pas sulmit terrorist kibernetik mbi pikërisht këtë infrastrukturë moderne digjitale, ngriti një nga muret më të fortë të mbrojtjes kibernetike në Europë, ku deri më sot kanë dështuar të gjitha sulmet e vazhdueshme që kanë ardhur e vazhdojnë të vijnë më pas e askush nuk flet për to.

Një Shqipëri tjetër,  e shërbyer në këto vite transformimi me dijen dhe përkushtimin e skuadrave të AKSHI-t e të AKCESK-ut, ku vajza e djem të talentuar, e kanë rritur vit pas viti aftësinë e këtij shteti për t’u shërbyer njerëzve dhe vendit, duke e bërë Shqipërinë një histori suksesi edhe ndërkombëtarisht.

Kjo është një Shqipëri tjetër, e dalë nga errësirat kronike të ikjes së dritave, falë vizionit, projekteve e punës këmbëngulëse të mbështetur nga investime të vazhdueshme, që kanë transformuar krejt panoramën e sektorit, duke rritur kapacitetet prodhuese, diversifikuar burimet e energjisë së rinovueshme, ulur çmimin për konsumatorët familjarë, e duke u ngjitur vit pas viti drejt majës së sovranitetit energjetik, të cilën do ta mbërrijmë brenda këtij mandati për të mos harxhuar më asnjë qindarkë për të importuar energji nga jashtë.

Kjo Shqipëri tjetër, nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë e pikënisjes së kësaj dekade, kur ishim të shpërfillurit e damkosur të Europës.

Ky vit mbyllet për Shqipërinë, jo vetëm me negociatat e anëtarësimit të hapura në çdo kapitull, po edhe me ngjitjen e Shqipërisë në pozicionin e të ashtuquajturit front-runner, pararendës, i procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.

As këtë rezultat shembullor, fantastik për emrin e vendit tonë dhe për dinjitetin e kombit tonë, nuk e solli koha, por përkushtimi i ekipit kombëtar të negociatave dhe dija, puna, këmbëngulja e më shumë se 1000 patriotëve publikë në ministritë e në institucionet e pavarura të shtetit shqiptar.

Dekada e fundit ka qenë për Shqipërinë dhe shqiptarët, një kohë me një shpejtësi të re shqiptare, një përpjekje e madhe për të fituar kohën e humbur të një tranzicioni të çartur përplasjesh me muret e prapambetjes, një projekt kombëtar reformash transformuese për të hapur rrugën e të vërtetës sonë si popull europian, që meriton të ulet në sofrën e përbashkët europiane.

Nuk është sot gjëkundi koha për një nga ato fjalimet e mia të gjata. Ky është momenti për mua qe t’ju siguroj se kohën e re të Shqipërisë nuk e kthen dot më mbrapsht askush dhe se më e mira është e gjitha përpara për Shqipërinë dhe shqiptarët; që t’ju garantoj se viti i ardhshëm e ata pas tij, do të sjellin edhe me shumë frute se sa ka sjellë deri më sot puna transformuese e kësaj dekade dhe që t’ju uroj gëzuar, kudo ku jeni, me këdo që keni pranë, e me shëndet dhe mbarësi në vitin që po hyn në derë.

Gëzuar!

Odesa sërish në shënjestër, Rusia nuk i ndal sulmet në Ukrainë

Edhe ditët e fundit të këtij viti, presidenti rus Vladimir Putin nuk i ka kursyer sulmet në Ukrainë.

Këtë herë, në shënjestër ishte rajoni i Odesës. Ndërsa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, është shprehur i gatshëm të takohet me kreun e Kremlinit për bisedimet e paqes.

Rusia ka sulmuar rajonin e Odesës, duke goditur ndërtesa banimi. Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës ka publikuar pamjet ku shfaqen ndërtesa në flakë dhe të shkatërruara si pasojë e sulmeve me dronë rusë.

Guvernatori rajonal i Odesës, Oleh Kiper, tha se zjarrfikësit punuan gjatë gjithë natës për të shuar zjarret, ndërsa disa banorë u strehuan në tenda emergjence. Sipas autoriteteve rajonale, katër persona u plagosën, përfshirë një foshnjë 7-muajshe.

Odesa është shënjestruar vazhdimisht nga raketat dhe dronët rusë gjatë gati 4 viteve të luftës, me sulme që shpesh godasin infrastrukturën e energjisë, transportit dhe portit, si dhe zonat e banuara.

Ndërkohë, Kievi është në diskutime me presidentin amerikan, Donald Trump, për praninë e mundshme të trupave amerikane në Ukrainë si pjesë e garancive të sigurisë.

Zelensky ka deklaruar se Ukraina është e përkushtuar të vazhdojë bisedimet për të dhënë fund luftës. Ai gjithashtu shprehu gatishmërinë që të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin.

Kancelari Merz: Nuk jemi një gur shahu në duart e fuqive të mëdha

Në fjalimin e tij të parë të Vitit të Ri që kur u zgjodh kancelar i Gjermanisë në zgjedhjet e parakohshme të shkurtit, Friedrich Merz përshkruan një botë të pasigurt, të mbushur me konflikte dhe gjithnjë e më të fragmentuar.

Por ai gjithashtu u përpoq ta ripoziciononte Gjermaninë në këtë skenar në ndryshim, duke pikturuar një pamje jo të qetësimit, por të vetësigurisë.

“Ne nuk jemi një gur shahu i fuqive të mëdha”, tha Merz, duke kundërshtuar hapur ndjenjën e shumë njerëzve që mendojnë se Gjermania po humbet ndikimin dhe kontrollin përballë krizave globale.

Në vend të kësaj, Merz theksoi aftësinë e vetë Gjermanisë për të vepruar, duke theksuar se vendi nuk është as viktimë e rrethanave të jashtme dhe as e pafuqishme përballë zhvillimeve ndërkombëtare.

Merz gjithashtu preku pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia dhe i kujtoi audiencës se ukrainasit po e fillonin përsëri vitin e ri në kushte ekstreme, me pak siguri, ndonjëherë pa energji elektrike dhe shpesh duke jetuar nën bombardime të vazhdueshme.

Në të njëjtën kohë, ai e bëri të qartë se lufta nuk mbaronte në kufijtë e Gjermanisë. Sabotimi, spiunazhi dhe sulmet kibernetike, shpesh të lidhura me Rusinë, kanë qenë prej kohësh pjesë e jetës së përditshme në Gjermani dhe Merz tha se përpjekje të tilla destabilizimi po drejtohen kundër të gjithë Evropës.

Megjithatë, Gjermania është një vend i sigurt, tha Merz, duke shtuar se kjo siguri nuk mund të merret si e mirëqenë dhe se Evropa duhet të forcojë aftësinë e saj parandaluese dhe të mbrojë interesat e veta në mënyrë më të qëndrueshme.

Fjalimi i Vitit të Ri i Merz dukej se ishte qëllimisht i përgjithësuar, por megjithatë ai vendosi një theks të qartë në pavarësinë më të madhe evropiane në çështjet e sigurisë.

Përveç politikës së jashtme, Merz foli gjithashtu për ndryshimet strukturore që do ta formësojnë vendin në planin afatgjatë. Ai përmendi proteksionizmin global, varësitë strategjike nga lëndët e para dhe marrëdhënien në ndryshim me SHBA-në si rreziqe të mundshme për prosperitetin dhe stabilitetin.

❌