Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

22:58 Agron Shehaj bën bilancin e punës së SPAK në 2025: Më e rëndësishmja, ajo që ndodhi me Berishën

Kryetari i partisë Mundësia, Agron Shehaj, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, e vlerësoi punën e SPAK në vitin 2025, duke renditur të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur këtë vit. Por ai veçoi edhe akuzën ndaj ish-kryeministrit Berisha, duke e vënë në krye të ngjarjeve të rëndësishme.

“Sa u përket ngjarjeve më të rëndësishme të vitit 2025 të SPAK, ajo që është më e rëndësishme është që një kryetar bashkie hiqet zvarrë dhe ccohet në burg. Ka ndodhur edhe me Arben Ahmetajn që është tani në Zvicër dhe me Belinda Ballukun. Për nga rëndësia ajo që ka ndodhur në 2025 e që ka nisur nga 2024 është ajo që ndodhi me ish-kryeministrin Sali Berisha. Edi Rama është kryeministri më i korruptuar, por antikorrupsioni duhet të veprojë ndaj të gjithëve.

Ky është moment historik direkt pas atyre ngjarjeve të vitit 1991. Rreziku më i madh është se të pandehurit e sotëm po përdorin mediat dhe analistët kundër drejtësisë. Ne kemi nisur një fushatë me çadra për drejtësinë në të gjithë Shqipërinë për të mbledhur firma në mbështetje të drejtësisë duam të mbledhim 100 mijë firma nga qytetarët se janë me drejtësinë”- tha Shehaj./mxh

22:46 Zgjedhjet në Kosovë/ Diplomati: Proces korrekt, por triumfalizëm i tepruar pas rezultatit

Diplomati i karrierës, Roland Bimo komentoi sot rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë.

Bimo vlerësoi procesin zgjedhor si korrekt dhe në respekt të standardeve ndërkombëtare, por kritikoi triumfalizmin e tepruar pas rezultatit.

“Është një fitore për popullin e Kosovës për mënyrën se si u zhvilluan zgjedhjet dhe për plotësimin e standardeve demokratike. Por të gëzohemi vetëm pse dimë të votojmë do të thotë ta vendosim stekën shumë ulët. Pas më shumë se tri dekadash demokraci, Kosova nuk duhet të kënaqet vetëm me zhvillimin korrekt të zgjedhjeve, ndërsa përdorimi i termave si “historike” e zhvlerëson procesin. Kjo ndjenjë triumfalizmi dhe përdorimi i fjalës historike vend e pa vend. Ishte elektorati ai që zgjidhi ngërçin, pasi politika kosovare nuk ishte në gjendje të binte dakord për asgjë. Rezultati dhe standardi zgjedhor mund të maskojnë problemin kryesor të politikës shqiptare: mungesën e kompromisit”,-tha Bimo./mxh

22:31 Erion Veliaj në arrest/ Ristani: Tirana funksionon edhe pa kryetarin

Kryetarja e komanduar e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani komentoi sot situatën në Bashkinë e Tiranës, teksa kryetari Erion Veliaj është i arrestuar dhe në qelinë e Burgut të Durrësit.

Në një studio televizive, Ristani u shpreh se çështja ndaj Veliajt ka një ndikimi sepse bëhet fjalë për një kryetar të zgjedhur.

Ristani shtoi se pavarësisht kontekstit politik e juridik, shërbimet ndaj qytetarëve nuk mund të ndalojnë në asnjë moment.

“Performanca e bashkisë ka qenë në ato standarde që ka qenë në të gjithë këto vite. Dua të jem shumë e sinqertë unë mendoj që jo vetëm në Bashkinë e Tiranës, por në të gjithë sendimentin e qytetit kalibrimi ynë nga një rend drejtësie që historikisht nuk e kishim parë të tillë, do kohën e vet. Patjetër që ndikon për më tepër kur bëhet fjalë për një kryetar të zgjedhur, vizioni i të cilit ka drejtuar qytetin për vite të tëra. Por shërbimet e qytetit janë shërbime nuk mund të ndalojnë në asnjë moment sido të jetë konteksti politik apo juridik për çdo lloj çështje. Qyteti duhet pastruar, kopshtet e shkollat do funksionojnë, janë shërbime bazike por të shumta të numër që nuk ta japin luksin për të ndalur. Ajo infrastrukturë punonjësish të Bashkisë Tiranë vijon të jap shërbimet e saj pasi janë të nevojshme dhe pa to nuk do mund të kalonim dot 24 orë”,-tha Ristani./mxh

22:15 Rasti i paprecedentë, pezullohet portieri i Bylis

Gjatë ndeshjes së fundit të Superiores mes Bylisit dhe Vorës, portieri Jeremy Vachoux u largua nga fusha në minutën e 42-të në shenjë proteste.

Sipas trajnerit Mirel Josa, ky veprim erdhi pasi kërkesa e lojtarit për zëvendësim nuk u realizua menjëherë nga stafi teknik.

Arbitri i ndeshjes, Ermis Çelaj, e ndëshkoi portierin me karton të verdhë për këtë veprim të paprecedentë në kampionat. Ky ndëshkim e çon Vachoux në kuotën e katër kartonëve të verdhë, duke sjellë pezullimin e tij automatik për ndeshjen e radhës.

Si rrjedhojë, pavarësisht ecurisë së marrëdhënies me klubin, portieri do të mungojë zyrtarisht në sfidën kundër Tiranës.

Mungesa e tij vlerësohet si një humbje për organikën e ekipit ballshiot, duke pasur parasysh rolin e tij si titullar.

Aktualisht, stafi teknik duhet të planifikojë ndryshimet në formacion për rifillimin e kampionatit. Deri më tani, klubi i Bylisit nuk ka lëshuar një njoftim zyrtar për masa disiplinore shtesë ndaj lojtarit./mxh

22:06 Dy çështje kryesore në agjendë/ Takim Trump-Netanyahu në Mar-a-Lago

Presidenti Donald Trump u takua sot me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, në një pritje në rezidencën Mar-a-Lago.

Në agjendën e takimit janë diskutime për armëpushimin në Gaza dhe veprimet e reja kundër Iranit.

Trump e paralajmëroi Iranin kundër rindërtimit të programit të tij bërthamor, pasi ka këmbëngulur se aftësitë bërthamore të Teheranit u shkatërruan plotësisht nga sulmet amerikane në vendet kryesore të pasurimit bërthamor në qershor.

Por zyrtarët izraelitë kanë cituar në mediat lokale duke shprehur shqetësim në lidhje me rindërtimin e furnizimit të Iranit me raketa me rreze të gjatë veprimi të afta për të goditur Izraelin.

Irani ka këmbëngulur se nuk po pasuron më uranium në asnjë vend, duke u përpjekur t’i sinjalizojë Perëndimit se mbetet i hapur për negociata të mundshme mbi programin e tij atomik./mxh

22:03 “Ti thua hallall SPAK, marrtë nga ditët tona!”/ Debat mes Abilekajt dhe Lalës

Last Updated on 29/12/2025 by Monika

U diskutua bilanci i punës së SPAK për vitin 2025, me fokus hetimet që kanë tronditur skenën politike dhe debatet mbi kufijtë e kompetencave të këtij institucioni.

Gazetarët Klodiana Lala dhe Enton Abilekaj shkëmbyen qëndrime të kundërta lidhur me akuzat për tejkalim kompetencash nga ana e SPAK, veçanërisht mbi aludimet se është përgjuar një anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Gjatë diskutimit, Enton Abilekaj ngriti shqetësimin për hetime të mundshme pa vendim gjykate, duke theksuar se një praktikë e tillë do të përbënte shkelje të rëndë ligjore dhe cenim të garancive kushtetuese.

Nga ana tjetër, Klodiana Lala theksoi se asnjë prokuror nuk mund të kryejë përgjime pa një procedim penal të regjistruar dhe pa bazë ligjore. Ajo u shpreh se, nëse provohet se një prokuror ka përgjuar në mënyrë të paligjshme një gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, ai duhet të përballet me pasojat më të rënda ligjore.

Debati u fokusua edhe te roli i Gjykatës Kushtetuese. Sipas Lalës, vëmendja është përqendruar kryesisht te SPAK, ndërkohë që thelbi i problematikës qëndron te funksionimi i gjykatës. Ajo shtoi se prokurorët janë vetë subjekte të hetueshme dhe nuk qëndrojnë mbi ligjin.

Nga ana e tij, Abilekaj argumentoi se Prokuroria, si palë akuzuese, është njëkohësisht palë në procesin gjyqësor, duke theksuar nevojën për një balancë më të qartë mes rolit të hetimit dhe garancive procedurale./mxh

22:00 Qori: SPAK po heton oligarkët kryesorë, pres që të përfundojnë përpara drejtësisë

Last Updated on 29/12/2025 by Monika

Kryetari i partisë “Lëvizja Bashkë”, Arlind Qori, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” duke vlerësuar akuzat e ngritura ndaj zyrtarëve dhe politikanëve të lartë, u shpreh se priste që në vitin 2026 të ketë edhe akuza ndaj oligarkëve dhe ata të përfundojnë përpara drejtësisë.

“Prova e zjarrit me SPAK do të jetë raporti me Ramën. A do të ketë hetim dhe akuzë për Ramën? Nuk mund të hetohen të gjithë hajdutët vërdallë Ramës dhe ai jo. Kam pozitivitetin të pres, por shpresojnë të mos dëgjojmë historitë justifikuese të Ramës, që të gjithë vjedhin rreth tij dhe ai jo.

Në dosjet e SPAK po hetohen oligarkët kryesorë të vendit, nga Kastrati, Dulaku, Ulaj, Shtufi, Geci, Gjoka, Ismailaj, Salillari, Samir Mane. Është gjë e mirë që hetohen oligarkët. Pres që edhe ndaj oligarkët të ketë akuza dhe të përfundojnë para drejtësisë.

Ti Ylli ke përdorur një figurë interesante, e ke quajtur Frankenshtajn, që krijesa i kundërvihet krijuesit, por ti i atribuon autorësinë Ramës dhe Berishës, por mendoj se reforma në drejtësi i është imponuar nga faktorët perëndimorë. Sic mund të kenë kontribuar në vende të tjera, kanë dashur të krijojnë institucione të shtetit të së drejtës në Shqipëri, pasi korrupsioni dhe krimi i organizuar janë konsideruar probleme të mëdha. Kemi këto institucione jo vetëm për shkak të mbështetjes së opinionit publik, por edhe prej mbështetjes së shteteve dhe organizatave ndërkombëtare./mxh

21:55 Nkunku “zgjohet” në momentin e duhur, Milani në dilema

Ndeshja Milan–Verona, e fundit për kuqezinjtë në vitin 2025, ka shënuar një pikë kthese për Christopher Nkunku. Pas një pjese të parë të dobët, francezi ndryshoi ndjeshëm paraqitje në fillim të pjesës së dytë.

Goli i shënuar me penallti ishte i rëndësishëm, por më domethënës ishte reagimi i tij në lojë. Nkunku tregoi më shumë iniciativë, intensitet dhe gatishmëri fizike.

Ky moment vjen në një fazë ku zërat e merkatos janë shtuar dhe interesimi nga klubet turke është konkret. Milani dhe Allegri tani duhet të vlerësojnë nëse ia vlen të pritet vazhdimësia e tij.

Rikthimi i mundshëm i francezit krijon më shumë alternativa, por edhe konkurrencë në repartin ofensiv. Vendimi pritet të marrë formë në ndeshjet e ardhshme./mxh

21:51 Balla ironizon “Foltoren”: Sot krushqit nuk erdhën fare, ishin vetëm hyzmeqarët

Last Updated on 29/12/2025 by Monika

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla është shprehur sot me nota ironizuese lidhur me protestën e opozitës para Kryeministrisë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla shkruan se pjesëmarrja ishte e ulët dhe se e publikon pamjen nga protesta vetëm për transparencë ndaj publikut.

“Sot krushqit nuk erdhën fare, vetëm hyzmeqarët ishin. Edhe unë mendova mos ta nxjerr sot e lënë vetëm, por me kërkesë të publikut duhet transparencë”,-shkruan Balla./mxh

21:42 Tjetër rast evazioni fiskal/ Zbulohen 4041 tonë nënprodukte mishi të padeklaruara, vlerë mbi 9 milionë euro

Administrata Tatimore identifikoi një subjekt të tatimpaguesve të mëdhenj, që ushtron aktivitetin e tregtimit me shumicë të produkteve shtazore, në kundërshtim me legjislacionin tatimor në fuqi, duke kryer evazion fiskal.

Siç bëhet me dije, nga verifikimet e kryera nga Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj në Administratën Tatimore, është identifikuar mospërputhje midis inventarit fizik dhe atij të deklaruar në sasinë 4041 tonë nënprodukte të mishit.

Nga Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj, u konkludua se subjekti ka fshehur të ardhurat në vlerën 9.3 milionë euro.

Rasti u referua më tej Hetimit Tatimor, i cili e përcolli për ndjekje dhe trajtim pranë Prokurorisë së Tiranës, për veprën penale të evazionit fiskal, me një dëm të vlerësuar të të ardhurave tatimore në vlerën e rreth 6.4 milionë eurove./mxh

Ukraina refuzon akuzat e Moskës për sulm ndaj rezidencës së Putinit. Zemërohet Trump

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka mohuar akuzat e Rusisë se Ukraina kreu një sulm me dron ndaj një prej rezidencave të Presidentit Vladimir Putin, duke akuzuar Moskën se po përpiqet të minojë bisedimet e paqes. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, pretendoi se Kievi kishte nisur një sulm gjatë natës me 91 mjete ajrore pa pilot (UAV) me rreze të gjatë veprimi ndaj rezidencës shtetërore…

Source

20:55 Reali i bashkohet Barcelonës dhe Bajernit, garë për yllin e Gjermanisë

Real Madrid është i interesuar për shërbimet e Niko Shlotebek. 26-vjeçari i mbrojtjes së Dortmundit duhet të marrë një vendim, pasi klubi gjerman po ashti i ofron rinovimin e kontratës që përfundon në vitin 2027.

Në garë për shërbimet e Shlotebek janë edhe klube si Barcelona dhe Bajern Mynih. Fakt është se deri tani mungojnë ofertat zyrtare për lojtarin e përfaqësueses gjermane.

Dortmundi e transferoi në vitin 2022 nga Freiburg, ndërsa në total pagoi 20 milionë euro. Për këtë nuk do të heqë dorë nga shërbimet e gjermanit, nëse nuk paraqitet oferta e duhur.

Interesante do të jetë nëse do të lëvizë jashtë Gjermanisë. Deri tani ka preferuar të luajë në vendin e tij./mxh

20:48 Italia merr vendimin të vazhdojë ndihmën ushtarake për Ukrainën në vitin 2026

Italia ka vendosur të vazhdojë të ofrojë ndihmë ushtarake për Ukrainën gjatë vitit të ardhshëm, me një dekret të nënshkruar të hënën nga kryeministrja Giorgia Meloni.

Dekreti miraton dërgimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake për Kievin, duke përforcuar pozicionin e Italisë si një nga partnerët më të besueshëm të Ukrainës brenda NATO-s.

Vendimi për të vazhduar ndihmën ushtarake për 2026-n, i planifikuar fillimisht për fillim-dhjetorin, u shty për shkak të kundërshtimeve nga një prej partnerëve të koalicionit qeverisës.

Partia e djathtë populiste Lega, e udhëhequr nga zëvendëskryeministri Mateo Salvini, kërkoi ndryshime në tekst për të theksuar më shumë ndihmën jo-ushtarake dhe për të sqaruar se dërgimi i armëve shërben vetëm për nevoja mbrojtëse.

Pas diskutimeve, koalicioni tre-partiak ra dakord për disa ndryshime të vogla në formulim, të cilat nuk prekin thelbin e dekretit. Dokumenti gjithashtu parashikon mundësinë e zgjatjes së qëndrimit në Itali për disa qytetarë ukrainas.

Salvini ka qenë kritik ndaj ndihmës ushtarake për Ukrainën, duke theksuar në nëntor se dërgimi i armëve nuk do të zgjidhë konfliktin./mxh

20:36 Alba Pollozhani tregon dhunën fizike të përjetuar: Nuk i tregoja as prindërve!

Banorja e Big Brother VIP Kosova 4, Alba Pollozhani, ka prekur publikun me një rrëfim të rrallë dhe tejet personal, duke zbuluar se në të kaluarën ka qenë viktimë e dhunës fizike nga një burrë. Ajo ka bërë të ditur se këtë përvojë të dhimbshme e ka mbajtur tërësisht për vete, pa ia rrëfyer askujt, as familjes së saj më të afërt.

Gjatë një Prime të fundit, Alba vendosi të flasë shkurt për këtë kapitull të errët të jetës së saj, duke theksuar se është një temë për të cilën nuk ka ndier kurrë rehati të flasë hapur. Sipas saj, kjo ngjarje nuk është ndarë as me prindërit, ndërsa ajo shtoi se dhuna fizike është diçka që nuk e sheh të denjë për t’u trajtuar si temë diskutimi apo ekspozimi publik.

Ky rrëfim erdhi në një moment tensioni të shtuar në shtëpinë e Big Brother, pas një përplasjeje mes vajzave, ku një incident mes Dolces dhe Albes ndezi debate të forta. Situata u përshkallëzua më tej dhe përfundoi me eliminimin e Shkurte Haxhiut, si pasojë e televotimit të “zarfit të zi”, duke e bërë klimën në shtëpi edhe më të ngarkuar emocionalisht.

Deklarata e Albes ka ngjallur reagime të forta te publiku, duke hedhur dritë mbi një anë të panjohur të jetës së saj jashtë kamerave. Rrëfimi i saj ka shtuar një dimension të ri në perceptimin e saj si banore, duke treguar se pas imazhit televiziv fshihen përvoja personale të rënda, që shpesh mbeten larg syrit të publikut./mxh

20:36 Brigitte Bardot dhe djali i saj, të cilin nuk e deshi kurrë!

Brigitte Bardot ishte nënë, gjyshe dhe stërgjyshe. Por fëmija i saj i vetëm mbeti gjithmonë në hije, larg vëmendjes. I lindur në vitin 1959 nga martesa e nënës së tij, në kulmin e famës së saj, me Jacques Charrier, një aktor dhe producent, Nicolas-Jacques Charrier është tani 65 vjeç, i rritur me të atin larg syve të publikut gjatë gjithë jetës së tij.

Për BB, amësia nuk ishte kurrë një zgjedhje. “Kam pasur një fëmijë, por nuk mund të thuash që kjo foshnjë e varfër erdhi në kohën e duhur dhe më dha atë që më mungonte”, rrëfeu Brigitte per Le Parisien në vitin 2021. Në autobiografinë e saj,” They Call Me B.B”., ajo shkoi edhe më tej: “Do të kisha preferuar të lindja një këlysh”, madje duke e krahasuar shtatzëninë e saj me “një tumor, i cili ishte ushqyer me mua, të cilin e kisha mbajtur në barkun tim të fryrë, duke pritur vetëm momentin e bekuar kur më në fund do të çlirohesha prej tij”. Të ndarë në vitin 1962, Bardot dhe Charrier luftuan për kujdestarinë e djalit të tyre. Gjykata vendosi në favor të babait.

Nicolas-Jacques u rrit larg shkëlqimit dhe syve te publikut, në anonimitet, nën tutelën e Charrier. Më 27 shtator 1984, ai u martua me modelen norvegjeze Anne-Line Bjerkan në Béhoust, Yvelines. Familja u vendos në Norvegji, ku Nicolas Charrier jeton ende edhe sot. Nga martesa lindën dy vajza: Anna dhe Théa, të cilat e bënë Brigitte Bardot gjyshe dhe më pas stërgjyshe.

Në fakt, ajo kishte tre stërnipër e stërmbesa që flisnin vetëm norvegjisht, duke e bërë të vështirë për të komunikimin me të. Megjithatë, me kalimin e kohës, marrëdhënia e Nicolas me nënën e tij u zbut. “Ne flasim rregullisht. Duke jetuar në Norvegji, ai vjen të më vizitojë një herë në vit në La Madrague, vetëm ose me familjen e tij, gruan e tij, mbesat e mia”, tha Brigitte Bardot në rrëfim në vitin 2018. Por kjo lidhje mbeti e brishtë. “I premtova Nicolas se nuk do të flisja kurrë për të në intervistat e mia”, tha ajo për Paris Match në qershor 2024, duke respektuar kështu privatësinë e djalit të saj./mxh

20:26 Alkooli gjatë festave/ Apeli i Ministrisë: Tregoni kujdes, rrezik për helmim akut

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale ka ndarë një apel mbi konsumin e alkoolit gjatë ditëve të festave.

Përmes një njoftimi, Shefi i Shërbimit të Toksikologjisë, doktor Andrin Tahiri ka bërë thirrje për kujdes të shtuar, për shkak të rrezikut të helmimit akut që mund të sjellë tepria me alkoolin.

“Festat po afrojnë, bilancet bëhen mbasi kalojnë festat edhe shikojmë cili ka qenë trendi dhe cila ka qenë asistenca mjekësore që kemi ofruar, por eksperienca e viteve të kahershme normalisht që na lënë në vigjilje.
Stafi është gati, i përgatitur, në bashkëpunim me stafin e urgjencës polivalente. Ju japim asistencë mjekësore të gjithëve që kanë nevojë.
Mbas protokolleve tona, këtë periudhë ne ndeshim me helmime akute. Pra me konsumimin e alkoolit me tepri, deri në atë moment që mund të bëjë dëme për shëndetin. Kanë nevojë për asistencë mjekësore nga bluzat e bardha.
Zgjedhjet e gabuara mund të lënë pasoja për një kohë shumë të gjatë. Alkooli dhe droga nuk ju bëjnë kurrë më interesant. Vendimet e qarta po. Festoni fort, gëzoni fort, pa i bërë dëm vetes. Kush di të dojë veten, di të bëjë zgjedhjen e duhur”,-u shpreh Tahiri./mxh

20:16 “Opozita, më e fuqishme se kurrë”/ Berisha paralajmëron: Vitin 2026 e nisim me protesta

Kreu i Partisë Demorkatike, Sali Berisha ka deklaruar sot se viti i ri do të nisë me protesta të tjera nga opozita.

Në fjalën e tij në “Foltoren 2”, Berisha theksoi se se opozita është më e fuqishme dhe më e vendosur se kurrë për të vijuar me protesta, deri në largimin nga pushteti të qeverisë socialiste.

“Miq, ne mbyllim sot protestën tonë për të filluar vitin po me protesta. Kudo që shkoj gjej një vendosmëri absolute për t’u ndarë me këtë të keqe sa më shpejt. Shqiptarët presin me padurim largimin e kësaj bande nga pushteti. Iu garantoj ju se opozita është sot më e fuqishme se kurrë. Është sot më e vendosur se kurrë të përmbushë misionin e saj. Askush nuk duhet të harrojë se forca e idealeve është më e madhe se e të gjitha armëve. Se ata që qëndrojnë për ideale janë të pamposhtur dhe fitojnë. Se këtij regjimi, çdo ditë dhe çdo orë që kalon, ky regjim është në shkërmoqje, është në kalbëzim dhe në rënie”,-u shpreh Berisha./mxh

20:07 Zbulohen motivet/ Ja pse u refuzua kërkesa e demokratëve për mbledhjen e Këshillit të Mandateve për Ballukun

Kuvendi i Shqipërisë ka ndarë sot motivet e refuzimit të kërkesën e demokratëve për zhvillimin e mbledhjes së Këshillit të Mandateve për rastin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke arsyetuar përse kanë marrë këtë vendim.

Përmes një njoftimi të rastit, Kuvendi thekson se mbledhja është shtyrë për arsye proceduriale dhe shqyrtimi i çështjes vijon të jetë i hapur, teksa nuk ekziston bazë proceduriale për thirrjen e një mbledhjeje tjetër me rend dite të paracaktuar, sipas kërkesës së paraqitur nga përfaqësuesit e opozitës.

“Në përgjigje të kërkesës suaj për thirrjen e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ju bëj me dije sa vijon: Mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit/zëvendëskryeministrit është thirrur dhe është zhvilluar në datën 19 dhjetor 2025, në përputhje me nenin 13 të Rregullores së Kuvendit.
Me thirrjen dhe zhvillimin e kësaj mbledhjeje, kompetenca proceduriale për thirrjen e Këshillit lidhur me këtë çështje është ezauruar, pasi çështja është vendosur në rend dite dhe është hapur për shqyrtim që nga data 19.12.2025. Sipas nenit 13, pika 6, të Rregullores së Kuvendit, caktimi i rendit të ditës, së mbledhjes, përbën kompetencë të Kryetarit të Kuvendit dhe ushtrohet në funksion të ecurisë proceduriale të çështjes së hapur.
Për sa kohë mbledhja e datës 19 dhjetor 2025 është shtyrë për arsye proceduriale dhe shqyrtimi i çështjes vijon të jetë i hapur, nuk ekziston bazë proceduriale për thirrjen e një mbledhjeje tjetër me rend dite të paracaktuar, sipas kërkesës së paraqitur. Në mbledhjen e Këshillit të datës 19 dhjetor 2025, gjatë shqyrtimit të çështjes në fjalë, u konstatua mungesa e një dakordësie ndërmjet anëtarëve të Këshillit lidhur me afatin kohor që duhej t’i lihej palës mbrojtëse për ushtrimin efektiv të së drejtës për njohje me aktet dhe provat e paraqitura nga Prokuroria e Posaçme.
Përfaqësuesi ligjor i znj. Belinda Balluku, duke iu referuar ligjit, kërkoi 3 javë kohë për t’u përgatitur për mbrojtjen ligjore në kuadrin e garantimit të një procesi të rregullt ligjor, diskutimet u përqendruan në përcaktimin e një date për zhvillimin e mbledhjes pasuese të Këshillit, me qëllim dëgjimin e palëve.
Deputetët e opozitës kërkuan një afat prej 3 ditësh, ndërsa deputetët e mazhorancës e lidhën kërkesën e tyre me
– shqyrtimin e çështjes nga Gjykata Kushtetuese dhe
– të drejtën e deputetes znj. Belinda Balluku për të marrë kohën e kërkuar nëpërmjet përfaqësuesit ligjor z. Ardian Kalia.
Në këto kushte, dhe në respekt të nenit 42 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe të parimit të procesit të rregullt ligjor, Kryetari i Kuvendit njoftoi shtyrjen e mbledhjes, pa përcaktuar një datë të menjëhershme tjetër.
Po ashtu, sipas nenit 118 të Rregullores së Kuvendit, shqyrtimi i kërkesave të Prokurorisë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin ose heqjen e lirisë së një deputeti zhvillohet mbi bazën e një procedure që garanton të drejtën e mbrojtjes dhe një shqyrtim të plotë të dokumentacionit përkatës. Për sa kohë ky proces nuk është përmbyllur dhe palët nuk janë pajisur realisht me kohën e nevojshme për ushtrimin e kësaj të drejte, nuk plotësohen kushtet procedurale për caktimin e një date të re mbledhjeje.
Gjithashtu Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, si përfaqësues i sovranitetit të popullit, ka detyrimin kushtetues të garantojë zbatimin e Kushtetutës dhe të ligjit, veçanërisht në rastet kur Gjykatës Kushtetuese i është kërkuar shprehimisht të japë një vendim mbi një çështje që lidhet drejtpërdrejt me shqyrtimin parlamentar, si në rastin konkret.
Në këto rrethana, kërkesa për thirrjen e mbledhjes së Këshillit, nuk pranohet. Mbledhja e radhës e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të thirret në momentin kur të jenë përmbushur plotësisht kushtet procedurale të parashikuara në Rregulloren e Kuvendit”,-thuhet në njoftim./mxh

19:56 Ministri i Jashtëm ukrainas: Rusia po kërkon “justifikime të rreme” për të sulmuar përsëri

Moska po kërkon “justifikime të rreme” për të kryer sulme të mëtejshme në Ukrainë, deklaroi sot ministri i Jashtëm ukrainas, duke u bërë thirrje liderëve botërorë të dënojnë atë që e cilësoi si manipulim të hapur nga Rusia.

Duke iu referuar akuzave të Moskës për një sulm të pretenduar ukrainas ndaj rezidencës së presidentit rus Vladimir Putin, ministri i Jashtëm Andriy Sibikha tha se kjo është “një taktikë standarde ruse: të akuzosh palën tjetër për diçka që po e bën ose po planifikon ta bësh vetë”. Deklarata u bë përmes një postimi në platformën X.

Më herët, edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i hodhi poshtë akuzat ruse, duke i cilësuar ato si “të rreme”. Ai bëri të ditur se e ka diskutuar çështjen edhe me kancelarin gjerman Friedrich Merz.

“Këto janë gënjeshtra”, tha Zelensky, duke shtuar se Rusia synon të minojë përparimin e arritur mes Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara në bisedimet për paqe.

Në të njëjtën kohë, presidenti ukrainas paralajmëroi se Rusia mund të jetë duke përgatitur sulme ndaj ndërtesave qeveritare në Kiev dhe i bëri thirrje SHBA-së të reagojë në përputhje me kërcënimet që vijnë nga Moska./mxh

19:45 Protestat para Kryeministrisë/ Berisha: Nuk largohemi nga sheshi pa shporrur Ramën

Krydemokrati Sali Berisha deklaroi sot në protestën e opozitës së demokratët nuk do të largohen nga sheshi para Kryeministrisë derisa të largojnë nga detyra kryeministrin Edi Rama.

Në fjalën e tij, Berisha akuzoi Ramën si politikanin që ka vjedhur dhe përçmuar më shumë shqiptarët të gjithë historinë kombëtare.

“Qëndroni dhe do qëndrojmë në këtë shesh, Sheshin e Lirisë, gjersa nga ajo ndërtesë të shporrim atë që ka vjedhur dhe ka përçmuar më shumë shqiptarët në tërë historinë tonë kombëtare, Edi Ramën.
Të dashur miq, një vajzë para meje, para jush, ftoi këtu që Edi Ramën të mos e quajmë më kryeministër.
Unë u ftoj ju dhe shqiptarët që sot e tutje, Edi Ramën ta thërrasim me gjuhën, fjalorin, zhargonin e koordinatorit të tij, Gys Agasi, Kapoja. Në të gjithë gjuhën, edhe kur rrihte me grushta Ulsi Manjën në zyrat e tij, i thoshte se më ka urdhëruar Kapoja.
Pra, nuk janë më zyrtarë, por këta janë një bandë që nuk e ka parë ndonjëherë kjo tokë dhe e pashembullt jo vetëm në Shqipëri, por u garantoj dhe as në Europë dhe botë ndoshta”,-deklaroi Berisha./Mxh

❌