Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Aksident i shumëfishtë në Lezhë-Milot/ Plagoset gruaja shtatzanë, shkak i përplasjes parakalimi i gabuar

Një aksident rrugor është shënuar këtë të martë pranë kryqëzimit të Rrilës, në superstradën Lezhë–Milot. Dy automjete janë përplasur mes tyre, ndërsa njëri prej mjeteve ka goditur edhe dy automjete të tjera që tentuan të shmangin përplasjen.

Si pasojë e aksidentit, një grua shtatzënë që ndodhej në njërin prej mjeteve është dërguar për kontrolle në Spitalin e Lezhës dhe, fatmirësisht, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit, ndërsa paraprakisht dyshohet se shkak ka qenë një parakalim i gabuar nga një prej mjeteve të përfshira.

 

 

21 janari/ Beqiri: SPAK, i kapur nga bandat e Berishës! Yzeiraj: Berisha shpërbleu vrasësit, aspak i penduar për krimin e kryer

Përvjetori i 15-të i krimit shtetëror në bulevard ndaj 4 protestuesve ngre pikëpyetje mbi mirëfunksionimin e drejtësisë.

Avokati Idajet Beqiri tha për Real Story se SPAK u krijua për çështje të mëdha si kjo e 21 janarit, por ajo vazhdon të jetë e kapur nga bandat e Berishës.

“Në 21 janar, ne e donim reformën në drejtësi për këtë arsye. Ishte një dhimbje shpirtërore. Këto krime bëjnë që të krijohej SPAK. Ata që votuan për reformën nuk e dinin se do të flitej për “kafet e Nexhmies”, por se do të merreshim me këto çështje.

SPAK është ende i kapur nga politika. Ai është nën kontrollin e bandës së Berishës. Dje, një ndër prokurorët, një shërbëtor i shemtuar i Berishës, nxori një vendim nga Janina, që kishte dënuar gjyqtaren, duke krijuar zhurmë për këtë rast dhe jo për ngjarjet e 21 janarit.”

Ish ministri i brendshëm Bajram Yzeiraj tha se Berisha nuk ka shprehur pendesë për 21 janarin duke ua hedhur fajin organizatorëve. Yzeiraj shtoi më tej se Berisha shpërbleu vrasësit dhe se armët u përdorën në mënyrë masive.

“Hetimi dhe gjykimi i ngjarjeve të 21 janarit u zhvilluan para vitit 2011, ndërsa reforma në drejtësi nisi pas vitit 2016. Në këtë proces janë përzier qytetarët, prokurorët dhe gjyqtarët. Vetë sistemi i drejtësisë e ka shtypur këtë çështje.

Tre shkallët e gjyqësorit kanë dhënë vendim për vrasje nga pakujdesia. Pyetja që lind është: si duhet të kualifikohet përdorimi i armëve – vrasje nga pakujdesia apo në rrethana cilësuese? Sipas mendimit të ekspertëve dhe qytetarëve, vendimi i gjykatës duhet të hidhet poshtë.

Kur ish-kryeministri u pyet për ngjarjet, ai e mohoi përgjegjësinë dhe e hodhi fajin tek organizatori. Qëllimi i mirë nuk e justifikon mjetin; përdorimi i armëve që cenon jetën e qytetarëve nuk mund të justifikohet. Armët janë përdorur në mënyrë masive, jo ndaj individëve të veçantë. Disa gardistë qëlluan në mënyrë të organizuar dhe masive.

Ky incident konsiderohet një bashkëpunim në vrasje, ku autorët u shpërblyen me dekorata dhe shpërblime monetare. Faktet tregojnë se ish-kryeministri, së bashku me drejtuesit e Gardës, u angazhuan për të prishur çdo gjë, duke u pajtuar me gjykatësit që rastin e shpallnin si vrasje nga pakujdesia.”  / abcnews.al /

21 janari, “Marrëveshje në heshtje për të mos e zbardhur”, Beqiri: Ekzekutimet, të planifikuara! Shteti ra…

Avokati i familjarëve të 21 janarit, Idajet Beqiri tha se ekzekutimi ishte i planifikuar më parë. Beqiri shtoi se u arrestuan 107 protestues, por organizata kriminale qëndron e lirë. Avokati tha se ekziston një marrëveshje në heshtje që nuk lejon të zbulohet e vërteta për 21 janarin.

Beqiri evidentoi se shteti ra në 21 janar dhe ndryshoi tërësisht strukturën e vet.

 “U qëlluan për t’u vrarë dhe 103 të tjerë që mbetën të plagosur nuk shkuan në spital, sepse do të përballeshin me arrestim. Protestuesit u dhunuan, por nuk u ndëshkuan vrasësit. Organizata kriminale që kreu aktin e bëri atë si një krim shtetëror.

U përdorën të gjitha skenarët për të futur protestuesit në kurth, por ata nuk ranë pre e tij. U arrit të infiltronin persona dhe u shpall se protestuesit kishin armë. Në momentin kur po përplaseshin protestuesit, u kryen ekzekutime të planifikuara më parë.

E gjithë qeverisja e kohës u organizua dhe përdori të gjitha llojet e mjeteve për të deformuar krimin shtetëror. Jo vetëm që të përgjegjshmit u mbrojtën, por u shpërdoruan edhe detyrat ligjore. Vendimet për arrestimin e autorëve të vrasjes nuk u ekzekutuan, dhe ata u mbrojtën nga Berisha, i cili madje u dha edhe dekorata. Prokurorja e kohës shpërdoroi detyrën, pasi nuk u zbatuan vendimet e arrestit.

U tha me të drejtë se ekziston një marrëveshje në heshtje që nuk lejon të zbulohet e vërteta për 21 janarin. Kjo marrëveshje është bërë nga një individ që e rrëzoi shtetin më 21 janar. Shteti ra, sepse ndryshoi tërësisht strukturën e vet. Një shtet demokratik nuk mund të kalojë në fashizëm duke vrarë popullin e vet.”  / abcnews.al /

Përmbyset automjeti në Ishull-Lezhë/ Nuk raportohet për të lënduar

Një automjet është përmbysur në mes të rrugës në zonën e Ishull-Lezhës, në hyrje të qytetit të Lezhës. Ende nuk dihen rrethanat e sakta të këtij aksidenti, i cili ka ndodhur në një zonë me shpejtësi të kufizuar.

Fatmirësisht, nga aksidenti nuk raportohet për persona të plagosur. Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e plota të këtij aksidenti.  / abcnews.al /

Kryeministri Rama mbërrin në Vlorë/ Pritet të takohet me vajzën e presidentit amerikan, Ivanka Trump

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Vlorë, ku pritet të zhvillojë një takim privat me Ivanka Trump dhe një grup arkitektësh ndërkombëtarë.

Burime bëjnë me dije se ndalesa e parë e Kryeministrit ka qene Kompleksi Gjurmë, ku takimi do të zhvillohet larg vëmendjes së mediave. Në fokus të bisedimeve pritet të jenë projekte dhe ide të reja zhvillimi, të lidhura me investime strategjike dhe vizion urbanistik në zonën e Vlorës.

 

 

Fier/ Bie nga kati i gjashtë i pallatit një banor, ngjarja në lagjen ‘Apolonia’

Një burrë ka rënë nga kati i gjashtë i një pallati në lagjen “Apolonia”. Sipas informacioneve paraprake, ai është banor i pallatit dhe ka rënë në tarracën e katit të dytë.

Ende nuk ka të dhëna zyrtare mbi shkaqet e rënies. Shtetasi është transportuar me urgjencë në spital dhe ndodhet me shenja jete.

Policia ndodhet në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit.

 

 

Trump ‘tallet’ me syzet e Macron gjatë fjalimit në Davos

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u tall të mërkurën me presidentin francez Emmanuel Macron për syzet aviator që ai mbante gjatë fjalimit të tij në Davos një ditë më parë.

“Ishte dje duke folur, me ato syze të bukura. Çfarë ndodhi?” tha Trump, duke iu drejtuar elitave globale gjatë Forumit Ekonomik Botëror vjetor në resortin malor zviceran.

Zyra e Macron ka bërë të ditur se zgjedhja për të mbajtur syze të errëta dhe reflektuese gjatë fjalimit, i cili u mbajt në ambient të mbyllur, kishte për qëllim mbrojtjen e syve të tij për shkak të një enë gjaku të demtuar.

Bordi i Paqes, Trump shmang Kurtin/ Gazetarja: Kosova nuk ka formuar ende institucionet

Vjosa Osmani dhe jo kryeministri Albin Kurti, eshte ftuar te marre pjese si perfaqesuese e Kosoves ne “Bordin e Paqes” te  themeluar nga Presidenti Trump.

Gazetarja Albina Haliti tha për Ballkan Update se ftesa i është drejtuar Osmanit pasi institucionet e reja nuk janë formuar ende. Më tej, ajo shtoi se afrimi me SHBA është një mesazh për vendet e BE që të reflektojnë mbi Kosovën dhe politikën e jashtme.

“Çdo ftesë është e mirëpritur për Kosovën, veçanërisht kur vjen nga Trump. Në Kosovë, ftesa i është drejtuar Osmanit për arsye se vendi ende nuk i ka formuar institucionet e reja pas zgjedhjeve dhe, për këtë arsye, ftesa i është dërguar asaj.

Trump ka iniciuar një rend të ri botëror dhe synon të ketë një rol të ngjashëm me Këshillin e Sigurimit, duke zbehur fuqinë e Kinës dhe Rusisë. Kosova ka nevojë për afrime të tilla, për më shumë audiencë në skenën ndërkombëtare, në një kohë kur Ballkani po rrezikohet.

Afrimi me Shtetet e Bashkuara është një mesazh për shtetet e Bashkimit Evropian që të reflektojnë mbi Kosovën dhe mbi politikën e saj të jashtme.

Në Kosovë, roli i presidentes në raport me vendimmarrjen është i kufizuar. Çdo marrëveshje e tillë duhet të bëhet në koordinim me Qeverinë.” / abcnews.al /

“Drejtësi, jo politike”/ Protestë, pro krerëve të UÇK në 17 shkurt

Me moton “Drejtësi jo politikë”, më 17 shkurt në sheshin “Skëndërbeu” do të protestohet në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kjo protestë do të fillojë në orën 14:00 dhe organizohet në përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Protesta kësaj radhe organizohet nga organizata “Liria ka Emër”.

Ne një konferencë për media, përfaqësues të kësaj organizate kanë përmendur shkeljet që janë bërë gjatë këtij procesi gjyqësor, për cka thanë se përmes protestës do të kërkojnë drejtësi.

Vitin e kaluar janë organizuar pesë protesta me thirrjet “Drejtësi per Çlirimtarët”.

Protesta e parë është mbajtur në Prishtinë, më pas në Hagë, Tiranë, Strasburg e në Shkup.  / abcnews.al /

Incident i dytë i trenave në Spanjë/ Shembet muri mbi shina, një viktimë dhe 37 të plagosur

Spanja ka përjetuar episodin e dytë të incidenteve me trenat, ku mbrëmjen e së martës një mur mbajtës u shemb duke shënuar një viktimë dhe 37 të plagosur.

Sipas Agjencisë Rajonale të Mbrojtjes Civile, incidenti ndodhi pasi një mur mbajtës u shemb mbi shina, duke shkaktuar daljen nga shinat të trenit. Ngjarja vjen vetëm dy ditë pas një përplasjeje tjetër trenash në jug të Spanjës, ku humbën jetën 42 persona dhe dhjetëra të tjerë u plagosën.

Pas incidentit të së martës mbrëma, rreth orës 22:00 me orën lokale, u dërguan në vendngjarje 20 ambulanca dhe 38 njësi zjarrfikëse. Aksidenti ndodhi në linjën R4, mes Gelida dhe Sant Sadurní d’Anoia, në periferi të Barcelonës. Pesë nga të plagosurit ndodhen në gjendje të rëndë, ndërsa drejtuesi i trenit humbi jetën.

Shërbimi zjarrfikës i Katalonjës konfirmoi se pas kontrollit të plotë të zonës, nuk ka persona të tjerë të bllokuar në vagonët e trenit.

Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez reagoi përmes rrjeteve sociale, duke shprehur solidaritetin e tij me viktimat dhe familjet e tyre: “E gjithë mbështetja dhe solidariteti im për të prekurit nga ky aksident tragjik.”  / abcnews.al /

“Nëse opozita është në binar, Rama bëhet tigër kartoni”, Elezi: PD, peng i pronarit. Rama fiton se…

Ish kandidati për kryetar i PD Ibsen Elezi thotë se nuk konceptohet që një person të jetë pronar i një partie, duke iu referuar Berishës.

Elezi shtoi më tej se Rama fiton sepse opozita është e dobët dhe pa shtyllë kurrizore. Ai tha më tej se nëse opozita është në binar, Rama për ta është tigër kartoni.

Partitë lidhen ngushtë me parimet demokratike. Kur të dhunojnë votën dhe del e i merr për qafe, nuk mund të jesh zgjidhje e problemit. Më vjen keq për Alimehmetin dhe pse mund të ketë marrë 20 mijë vota, por një foltore del me Salianjin, një me Berishën dhe opozita nuk ka shtyllë kurrizore.

PD duhet të ishte institucionale; nuk konceptohet që një person të konsiderohet pronar i një partie. PD, duke mos pasur institucione që i dalin për zot, kthehet në këtë kategori komunikimi. Me këtë zgjidhje janë pajtuar të gjithë që PD është pronë e Berishës. Ata që e kanë themeluar, s’e kanë njohur këtë PD.

PD është një aset i lëvizjes studentore dhe i gjithë njerëzve që kanë aspiruar për demokraci; është tradhti që u bëhet njerëzve.

Situata opozitare peshon shumë. Fakti që e kanë marrë në dorë disa që nuk kanë shtyllë kurrizore e ka tkurrur. Me gjithë këto skandale që kanë ndodhur, problemi jemi ne, jo Rama. Nëse ne jemi në binarë, Rama është tigër kartoni. Rama fiton sepse jemi ne të dobët. Ramës i ka ikur karta morale.”

1 vit në Shtëpinë e Bardhë, Trump: Arrestuam 10 mijë emigrantë pa dokumenta

Presidenti amerikan Donald Trump shënoi sot një vit nga rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë, duke u përqendruar kryesisht në ato, që ai i quajti arritje të mëdha gjatë vitit të parë të mandatit të tij të dytë. Para se të fillonte fjalimin, stafi i tij shpërndau një listë me “365 fitore në 365 ditë”, ku përfshihen politikat e emigracionit deri tek zgjerimi i mundësive për emigracion në Shtetet e Bashkuara.

Në fjalimin e tij, Trump foli kryesisht për politikat e emigracionit, duke theksuar se në Minnesota janë ndaluar rreth 10 000 persona pa dokumente, të cilët ai i përshkroi si “kriminelë dhe emigrantë ilegalë”. Ai tregoi edhe foto të personave të ndaluar për të ilustruar angazhimin e administratës së tij për të luftuar emigracionin e paligjshëm. Kjo ishte një nga pikat kryesore të fjalimit, ndërsa presidenti u duk më i qetë dhe më pak ‘bombastik’ se zakonisht.

Trump gjithashtu përmendi shkurtimisht çështjen e Venezuelës dhe lavdëroi María Corina Machado-n, udhëheqësen e opozitës atje, e cila i ka dhuruar medaljen e Nobelit të Paqes gjatë vizitës së saj në Shtëpinë e Bardhë. Mirëpo, kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk e mbështeti drejtpërdrejt për postin e presidentes, duke theksuar se Machado nuk ka mbështetje të mjaftueshme brenda vendit. Kjo vjen pas arrestimit dhe largimit nga pushteti të presidentit Nicolás Maduro në janar, në një operacion që ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare.

Një pjesë tjetër e fjalimit të Trump lidhej me takimet ndërkombëtare dhe vizitën e tij në Davos, Zvicër, ku ai pritet të diskutojë çështje të rëndësishme me liderët evropianë dhe të theksojë planet e tij për tarifat tregtare, veçanërisht në lidhje me Groenlandën. Ai tha me humor se po shkon në një “vend të bukur në Zvicër” dhe shtoi: “Jam i sigurt që do të më presin me kënaqësi”, duke nxitur të qeshura në sallë.

Ndërkohë, liderët evropianë reaguan ndaj qëndrimeve të Trump. Presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi se bota po lëviz drejt një “bote pa rregulla”, ku normat ndërkombëtare dhe ligjet nuk respektohen dhe fuqia e më të fortit vendos gjithçka. Macron e lidhi këtë paralajmërim me rritjen e tensioneve ndërkombëtare dhe përdorimin e tarifave të njëanshme si mjet presioni. Ai theksoi se Evropa nuk do t’i dorëzohet presionit dhe do të mbrojë ligjin dhe normat ndërkombëtare.

Kjo përputhet edhe me deklaratat e kryeministrit kanadez Mark Carney dhe liderëve të tjerë evropianë, të cilët kanë shprehur kundërshtimin e tyre të fortë ndaj tarifave të mundshme, që SHBA mund të vendosë, në rast se nuk pranohet diskutimi për Groenlandën. Shumë analistë e kanë quajtur këtë situatë si një tension të ri midis SHBA-ve dhe aleatëve tradicionalë në Evropë, ku politika e njëanshme dhe kërcënimet tregtare po sfidojnë normat diplomatike të dekadave të fundit.

Përveç emigracionit dhe politikës ndërkombëtare, Trump ka shfrytëzuar këtë njëvjetor për të përmendur performancën ekonomike të vendit, duke e cilësuar ekonominë amerikane si më të fuqishmen në botë dhe duke folur për të ardhurat që shteti ka siguruar nga tarifat tregtare mbi mallrat e importuara. Megjithatë, shumë qytetarë akuzojnë administratën e tij për rritjen e kostos së jetesës, duke e bërë një temë të ndjeshme brenda vendit.

Në fund, fjalimi i Trump u përqendrua tek plani i tij për të ardhmen, duke treguar ambiciet e administratës për të vazhduar politikat e tij të emigracionit dhe të tregtisë, ndërsa Shtetet e Bashkuara përballen me kritika dhe shqetësime nga aleatët ndërkombëtarë dhe nga brenda vendit. Ndërsa viti i parë i pushtetit ka kaluar me zhvillime dramatike në Shtëpinë e Bardhë, vëmendja e botës mbetet tek ajo se çfarë do të bëjë Trump më tej, veçanërisht në çështjet e Groenlandës dhe marrëdhënieve me Evropën.

Trump foli edhe për NATO-n. Ai u shpreh se Aleanca Veri-Atlantike nuk do të ishte asgjë pa të. Sipas Trump, asnjë president apo një tjetër person, nuk ka bërë më shumë se ai për NATO-n. “Nëse unë nuk do të isha angazhuar, Aleanca Ushtarake do të ishte në hirin e historisë”, deklaroi numri një i Shtëpisë së Bardhe.

Fati i Irena Gjokës/ “Shteti grek në funksion të Berishës”, Meçe: Dokumenti i prodhuar! Nuk ka prova konkrete

Prokuroria e Përgjithshme ka përfunduar verifikimin për gjyqtaren e Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka, lidhur me deklarimet që ajo ka bërë në Formularin e Vetëdeklarimit të datës 22 prill 2016.

Në dokument thuhet se Irena Gjoka, është dënuar për shkak, të tjetërsimit të një vize greke duke i zgjatur vlefshmërinë.

Analisti politik Arben Meçe tha për Real Story se ky dokument nuk ofron siguri nëse është autentik apo i falsifikuar. Më tej, Meçe tha se ky dokument është i prodhuar, pasi para daljes nuk figuron asnjë dënim i tillë, nuk ekziston asnjë gjurmë e pranisë së Gjokës dhe është e vërtetuar se vendimet janë marrë në mungesë. Sipas tij, shteti grek është vënë në funksion të Berishës.

“Prokuroria ka kryer një hetim pa prova konkrete. Kur i drejtohesh Ministrisë së Drejtësisë për çështje penale dhe përgjigjja është negative. Kjo situatë tregon për një manipulim të mundshëm nga palë të caktuara në Greqi, me qëllim për të ndihmuar Fredi Belerin dhe Sali Berishën.

Shteti grek është vënë në dispozicion të Berishës, ndërsa qeveria greke po bën namin dhe po prodhon një kauzë politike për të krijuar dhe ushqyer një forcë ekstreme, e cila më pas përdoret nga Berisha.

Dokumenti që është paraqitur nuk ofron siguri nëse është autentik apo i falsifikuar. Prokuroria e ka bazuar hetimin e saj mbi dokumentin e Berishës.

Ndërkohë, është marrë një vendim në mungesë, pa dijeninë e saj. Kjo do të thotë se në dokumentin zyrtar që ajo ka paraqitur në procesin e vettingut, të dhënat janë të sakta, pasi edhe përgjigjja e Ministrisë së Drejtësisë është zyrtare dhe korrekte.

Ky dokument është i prodhuar, pasi para daljes së tij nuk figuron asnjë dënim i tillë. Nuk ekziston asnjë gjurmë e pranisë së Gjokës dhe është e vërtetuar se vendimet janë marrë në mungesë. Këto elemente dëshmojnë se bëhet fjalë për një dokument të fabrikuar.”  / abcnews.al /

Fati në pikëpyetje i gjykatëses, po dosjet?/ Gazetari: Akuzat ndaj Irena Gjokës, pasi mori në gjykim Fredi Belerin

Prokuroria e Përgjithshme ka përfunduar verifikimin për gjyqtaren e Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka, lidhur me deklarimet që ajo ka bërë në Formularin e Vetëdeklarimit të datës 22 prill 2016.

Në dokument thuhet se Irena Gjoka, është dënuar për shkak, të tjetërsimit të një vize greke duke i zgjatur vlefshmërinë.

Gazetari Ervin Leka tha për Real Story se akuzat ndaj Gjokës dolën pikërisht gjatë shqyrtimit të çështjes së Fredi Bejlerit dhe se ajo është gjykatësja që e ka dënuar.

“Irena Gjoka mund të shkarkohet ose të ndiqet penalisht për falsifikimin e formularëve, çështje për të cilën do të vendosë Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ). Për dosjet në hetim, fillimisht duhet të shqyrtohet nëse vendimi ka qenë i marrë nga një trupë gjykuese e përbërë vetëm nga Irena Gjoka apo edhe nga gjyqtarë të tjerë.

Kjo çështje është në kompetencë të KLGJ-së, me argumentimin se Gjoka ka qenë e përfshirë në procese të rëndësishme gjyqësore, si ato ndaj Fredi Belerit dhe Ilir Metës. Irena Gjoka është gjyqtarja që ka dënuar Fredi Bejlerin, dhe periudha kur kanë dalë akuzat ndaj saj përkon me kohën kur ajo po shqyrtonte çështjen e Bejlerit.

Akuzat ndaj Gjokës dolën pikërisht gjatë shqyrtimit të çështjes së Fredi Bejlerit.”  / abcnews.al /

Vala e madhe e të ftohtit përfshin Azinë dhe Lindjen e Largët Ruse, dëbora arrin mbi 2 metra

Lindja e Largët Ruse është goditur nga reshjet më të dendura të dëborës në 60 vjet, ndërsa një valë e përhapur e të ftohtit nga Arktiku përfshiu pjesën më të madhe të Azisë.

Fenomeni ka shkaktuar ndërprerje të mëdha të transportit, me autostrada të mbyllura në Kinë, pasagjerë të bllokuar në aeroporte në Japoni dhe rajone në Lindjen e Largët Ruse të paralizuara. Shkencëtarët thonë se kushtet ekstreme lidhen me depërtimin e njëkohshëm të masave të ftohta ajrore nga Arktiku, duke prekur Rusinë lindore dhe Azinë, si dhe Evropën Lindore. Klimatologu Theodore Kipping shpjegoi se valëzimi i rrymave të ajrit, për shkak të një vorbulle polare arktike më të dobët, lejon që valët e ftohta të zbresin në gjerësi gjeografike më jugore.

Në Gadishullin Kamçatka, stuhitë e borës varrosën makina dhe bllokuan hyrjet e ndërtesave, me më shumë se 2 metra dëborë të regjistruara në gjysmën e parë të janarit, pas 3.7 metrave në dhjetor. Në qytetin Petropavlovsk-Kamçatsky, rreth 6,800 kilometra në lindje të Moskës, banorët ecën përmes grumbullimeve të dëborës deri në semaforët.

Në Japoni, erërat e forta dhe reshjet e dendura të dëborës shkaktuan dhjetëra anulime fluturimesh dhe ndërprerje të udhëtimit në bregdetin veriperëndimor. Agjencia Meteorologjike e Japonisë paralajmëroi për reshje të dendura dëbore midis 21 dhe 25 janarit, duke këshilluar që të mos kryhen udhëtime jo të domosdoshme. ANA Holdings anuloi 56 fluturime, duke prekur 3,900 pasagjerë, ndërsa Japan Airlines anuloi 37 fluturime, duke prekur 2,213 udhëtarë, kryesisht në Aeroportin e Ri Chitose në Hokkaido.

 

Zelensky merr ftesën për të qenë pjesë e Bordit të Paqes, presidenti ukrainas: S’mund të qëndroj krah Putinit

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se ka marrë një ftesë për të bashkuar forcat me Bordin e Paqes, por tha se është shumë e vështirë për të imagjinojë mundësinë e bashkëpunimit me Vladimir Putinin.

Në një intervistë për gazetarët, Zelensky tha: “Ne e kemi marrë ftesën, diplomatët tanë po punojnë për të, por është ende shumë e vështirë për mua të imagjinoj se si ne dhe Rusia mund të jemi së bashku në ndonjë lloj këshilli”.

Deklaratat e Zelenskyt vijnë në një kohë kur tensionet mes Ukrainës dhe Rusisë janë në kulmin e tyre, duke theksuar dallimet e thella që ekzistojnë mes dy vendeve, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Presidenti ukrainas ka shprehur dyshime për mundësinë e një procesi të vërtetë paqeje, përveçse ka theksuar nevojën për të marrë garanci të forta dhe të qarta për sigurinë e Ukrainës.

 

Japonia drejt zgjedhjeve të parakohshme, kryeministrja premton pezullimin e taksës për ushqimet

Kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi, ka shpallur zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe ka premtuar pezullimin për dy vite të taksës 8% mbi ushqimet, në një përpjekje për të lehtësuar koston e jetesës për qytetarët.

Gjatë një konferencë për shtyp, Takaichi deklaroi se heqja e përkohshme e taksës mbi ushqimet synon të zbusë ndikimin e rritjes së çmimeve mbi familjet japoneze. Ajo theksoi se qeveria nuk do të marrë borxh për ta financuar këtë masë, por do të rishikojë subvencionet ekzistuese dhe politikat fiskale.

Japonia aktualisht aplikon një taksë konsumi prej 8% për ushqimet dhe 10% për mallra e shërbime të tjera, të ardhura që shkojnë kryesisht për përballimin e kostove sociale në një vend me popullsi në plakje të shpejtë.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se një ulje e tillë e taksave mund të dëmtojë financat publike. Heqja e taksës 8% për ushqimet do t’i kushtonte shtetit rreth 5 trilionë jenë në vit, një shumë e barabartë me shpenzimet vjetore për arsimin.

Shqetësimet për gjendjen fiskale kanë shtyrë rritjen e normave të interesit, me yield-in e bonove 10-vjeçare japoneze që ka arritur nivelin më të lartë në 27 vitet e fundit.

Edhe partitë opozitare kanë premtuar ulje ose heqje të taksës së konsumit përpara zgjedhjeve të 8 shkurtit, ndërsa inflacioni ka qëndruar mbi objektivin 2% të Bankës së Japonisë për gati katër vite, i nxitur kryesisht nga rritja e çmimeve të ushqimeve.

Partia Liberale Demokratike në pushtet ka qenë tradicionalisht kundër uljes së taksës së konsumit, duke argumentuar se kjo do të dëmtonte besimin e tregjeve në aftësinë e Japonisë për të mbajtur nën kontroll borxhin publik.

 

❌