Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Biznes kokaine natën e Vitit të Ri, 30-vjeçari shqiptar kapet me drogë dhe valutë në makinë dhe banesë

Një 30-vjeçar shqiptar është arrestuar nga karabinierët mbrëmjen e 31 dhjetorit, gjatë ndërrimit të viteve në Silea të Treviso.

I riu ishte kontigjent krimi i njohur në zonë dhe banues po aty.

Operacioni filloi rreth orës 18:30 të mbrëmjes në “Via Roma”, si pjesë e patrullave territoriale të synuara të vendosura për të garantuar sigurinë gjatë natës së Vitit të Ri. Burri u ndalua ndërsa drejtonte automjetin e tij, një “Golf”, dhe u kontrollua.

Gjatë kontrollit, oficerët gjetën 29 doza kokaine, me peshë afërsisht 35 gramë, 14 doza heroine, ekuivalente me afërsisht 10 gramë, si dhe 5000 euro në para të gatshme në prerje të ndryshme, që besohet të jenë të ardhurat e aktivitetit të paligjshëm.

Një kontroll i mëvonshëm shtëpie sekuestroi lëndë narkotike shtesë, ekuivalente me 40 gramë kokainë dhe 45 gramë heroinë, si dhe katër peshore precize dhe materiale të ndryshme të përdorura për paketimin e dozave.

Bazuar në provat e mbledhura, burri u arrestua. Me urdhër të Prokurorit Publik të Zyrës së Prokurorit Publik të Trevizos, ai u la në arrest shtëpiak në pritje të një seance dëgjimore për vërtetimin e aktakuzës para Gjykatës së Trevizos.

Moti i keq ‘mbërthen’ vendin, Instituti i Gjeoshkencave paralajmëron: Në zonat malore të qarkut të Vlorës priten reshje dëbore

Prej ditës së sotme vendi ynë është i përfshirë nga reshjet e shiut, të cilat priten të vijojnë edhe në ditët në vazhdim. Sipas Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO) pranë Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile bëhet me dije se përveç shiut në zonat malore do të përfshihen edhe nga reshjet e dëborës.

Kështu në zonat malore të qarkut të Vlorës, në lartësitë mbi 600 metra mbi nivelin e detit, parashikohen edhe reshje dëbore.

Njoftimi i plotë:

Sipas parashikimit 5-ditor të motit të ardhur nga Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO) pranë Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, në periudhën 2 – 5 Janar 2026 parashikohen reshje shiu në të gjithë territorin e vendit, ndërsa më datë 05 Janar 2026 reshje të dendura pritet të përfshijnë edhe Qarkun e Vlorës.

Në zonat malore të qarkut, në lartësitë mbi 600 metra mbi nivelin e detit, parashikohen edhe reshje dëbore.

Si pasojë e intensitetit të lartë të reshjeve dhe rritjes së prurjeve në lumenj, ekziston rreziku për:

vërshime uji në zona urbane dhe rurale,

probleme në sistemet e kanalizimeve,

përmbytje të përkohshme në zona me risk.

Për parandalimin dhe minimizimin e pasojave, strukturat përgjegjëse të mbrojtjes civile në Qarkun Vlorë kanë nisur marrjen e masave paraprake për:

Njoftimin e bizneseve që ndodhen në zona me risk për përmbytje;

Njoftimin e blegtorëve pranë lumenjve dhe zonave të ulëta për zhvendosjen e bagëtive në zona të sigurta;

Informimin përmes mediave lokale për të shmangur qëndrimin në zona të rrezikuara dhe për të siguruar ushqimet dhe bagëtitë në lartësi të sigurta;

Kontrollin dhe zhbllokimin e kanaleve kulluese, pusetave dhe nënkalimeve në zonat urbane;

Mbajtjen në gatishmëri të hidrovorëve dhe funksionimin e pandërprerë të sistemeve të ujësjellës-kanalizimeve;

Sigurimin e furnizimit me energji elektrike në zonat me risk.

Autoritetet vendore u bëjnë thirrje qytetarëve të Qarkut Vlorë të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të bashkëpunojnë me strukturat përkatëse për garantimin e sigurisë së jetës dhe pronës.

Automjete të bllokuara nga dëbora në Qafë Thore, drejtuesit denoncojnë mungesën e borëpastrueseve

Që nga orët e para të mëngjesit e deri në këto momente, një varg automjetesh ka mbetur i bllokuar në Qafë Thore të Thethit për shkak të reshjeve të dendura të dëborës. Drejtuesit e mjeteve raportojnë se rruga është bërë e pakalueshme, ndërsa ndërhyrja për pastrimin e saj ka munguar.

Sipas shoferëve, mjetet borëpastruese nuk kanë qenë në terren që nga mesdita, duke lënë dhjetëra persona të izoluar në kushte të vështira atmosferike. Ata shprehen se, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme për ndihmë, rruga nuk po pastrohet dhe situata po përkeqësohet me kalimin e orëve.

Më shqetësuese, sipas dëshmive të drejtuesve të mjeteve, është fakti se u është kërkuar pagesë për të ndërhyrë dhe për të pastruar rrugën, ndërkohë që ata vijojnë të mbeten të bllokuar mes dëborës dhe të ftohtit.

Deri më tani, nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet përgjegjëse lidhur me situatën në Qafë Thore, ndërsa drejtuesit e mjeteve kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për normalizimin e qarkullimit dhe garantimin e sigurisë.

Numërimi i votave në Kosovë drejt fundit, kush janë kryesuesit që priten të ulen në karriget e deputetëve

Procesi i numërimit të votave nga zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit po hyn në fazën përmbyllëse, ndërsa më pak se 6% e vendvotimeve mbeten ende pa u numëruar. Me avancimin e procesit, janë bërë tashmë të ditur edhe emrat e kandidatëve që kanë marrë më së shumti vota brenda subjekteve politike.

Lëvizja Vetëvendosje kryeson zgjedhjet si forca më e votuar, duke kaluar shifrën e 400 mijë votave në nivel vendi. Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, rezulton më i votuari me mbi 331 mijë vota. Pas tij vijnë Glauk Konjufca me mbi 256 mijë vota, ndërsa Albulena Haxhiu dhe Hekuran Murati kanë siguruar secili mbi 134 mijë vota. Në listën e më të votuarve renditet edhe Donika Gërvalla me mbi 120 mijë vota.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK)

Në PDK, më i votuari është kryetari i partisë dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, me mbi 146 mijë vota. Pas tij renditet Arian Tahiri, ndërsa në pesëshen e parë përfshihen edhe Përparim Gruda, Uran Ismaili dhe Sala Jashari, secili me mbi 43 mijë vota.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)

Te LDK-ja, kandidati për kryeministër Lumir Abdixhiku kryeson listën me mbi 76 mijë vota. Pas tij vijnë Hykmete Bajrami, ndërsa Ukë Rugova, Avdullah Hoti dhe Doarsa Kica-Xhelili kompletojnë listën e kandidatëve më të votuar.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)

Në AAK, e cila ka siguruar gjashtë mandate në Kuvend, më i votuari është kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj me mbi 39 mijë vota. Pas tij renditen Daut Haradinaj, Besnik Tahiri, Bekë Berisha dhe Agim Çeku.

Ndërkohë, ka nisur edhe numërimi i votave të ardhura nga përfaqësitë diplomatike të Kosovës jashtë vendit. Sipas njoftimeve zyrtare, procesi i plotë i numërimit pritet të përfundojë deri të dielën, më 4 janar.

Ndryshon mosha e daljes në pension për gratë, shkon në 62 vjeç, rritet vjetërsia në punë për burrat

Teksa skema e pensioneve pritet të rishikohet, me nisjen e vitit 2026 ndryshon mosha e daljes në pension për gratë si dhe vitet e vjetërsisë në punë për të dy gjinitë, sipas ndryshimeve që hynë në fuqi në janar të vitit 2015. Reforma e ndërmarrë 11 vite më parë parashikoi një rritje graduale e moshës dhe vjetërsisë në punë, çka lidhet direkt me masën e pensionit.

Kështu, gjatë këtij viti një grua duhet të jetë 62 vjeç, në mënyrë që të përmbushë kriteret e daljes në pension. Me ndryshimet që iu bënë ligjit “Për sigurimet shoqërore”, parashikohet një rritje e moshës së daljes në pension me dy muaj në vit, duke u bërë 63 vjeç në vitin 2032. Më pas do të nisë rritja e moshës edhe për burrat, për të shkuar në 67 vjeç në vitin 2056, për të dyja gjinitë.

Por, ndonëse burrat nuk preken menjëherë nga zgjatja e moshës së daljes në pension, ata ndikohen nga rritja e viteve të vjetërsisë në punë. Kjo do të thotë se, nëse një burrë, në dhjetor të vitit 2014 duhej të kishte 35 vite vjetërsi, nga data 1 janar 2026 duhet të ketë 39 vjet. E njëjta logjikë vlen edhe për gratë, të cilave paralelisht me moshën u rriten edhe vitet e vjetërsisë në punë. Referuar legjislacionit në fuqi, rritja graduale e vjetërsisë ndikon drejtpërdrejt në masën e pensionit të pleqërisë, duke qenë se është një prej përbërësve të formulës për përllogaritjen e tij. Sipas formulës, pensioni përbëhet nga një shumë bazë, që është e barabartë me pensionin social, shumëzim vitet e sigurimit që ka çdo person, pjesëtim vitet e vjetërsisë në punë.

Mosha e daljes në pension, në vitin 2026

Burra 65 vjeç

Gra 62 vjeç

Vjetërsia në punë

Viti 2025 38 vjet e 8 muaj

Viti 2026 39 vjet

Po i hedh benzinë zjarrit”/ Shfuqizimi i urdhrave për antisemitizmin, Izraeli akuza të ashpra ndaj kryebashkiakut të ri të Nju Jorkut

Ministria e Jashtme e Izraelit ka reaguar ashpër ndaj kryebashkiakut të ri të Nju Jorkut, Zohran Mamdani, duke e akuzuar se po hedh “benzinë antisemitike mbi një zjarr të hapur”, pas vendimit të tij për të shfuqizuar disa urdhra ekzekutivë të miratuar nga paraardhësi i tij, Eric Adams.

Në një postim në rrjetin social X, diplomacia izraelite deklaroi se Mamdani, që në ditën e tij të parë në detyrë, ka hequr dorë nga përkufizimi i antisemitizmit sipas Aleancës Ndërkombëtare për Kujtimin e Holokaustit (IHRA) dhe ka lehtësuar kufizimet ndaj bojkotit të Izraelit. “Kjo nuk është udhëheqje, por benzinë antisemitike mbi një zjarr të hapur,” thuhet në reagim.

Mamdani shfuqizoi një urdhër të miratuar gjatë administratës Adams, i cili adoptonte përkufizimin e IHRA-së për antisemitizmin, ku përfshihej edhe demonizimi i Izraelit apo aplikimi i standardeve të dyfishta ndaj tij. Vendimi i tij erdhi pak orë pasi ai anuloi të gjitha urdhrat ekzekutivë të nxjerrë nga Adams pas paditjes së këtij të fundit për korrupsion në vitin 2024, akuza që më vonë u hoqën.

Zyra e Mamdanit tha se masa synon t’i japë administratës së re “një fillim të pastër”. Ndër urdhrat e shfuqizuar ishte edhe ndalimi për zyrtarët e qytetit që të merrnin vendime në përputhje me lëvizjen BDS (bojkot, çinvestim dhe sanksione) ndaj Izraelit, të cilën Mamdani ka deklaruar se e mbështet, shkruan Guardian.

Vendimet kanë ngjallur shqetësime në komunitetin hebre të Nju Jorkut. Drejtori i Konferencës së Presidentëve të Organizatave Kryesore Hebreje Amerikane, William Daroff, e quajti këtë hap “një sinjal shqetësues për drejtimin që po merr qyteti”, duke paralajmëruar se mund të dobësojë aftësinë e Nju Jorkut për të reaguar ndaj rasteve të antisemitizmit.

Nga ana e tij, Mamdani është përpjekur të qetësojë shqetësimet, duke theksuar se administrata e tij do të vazhdojë të mbajë të hapur zyrën e posaçme për luftimin e antisemitizmit dhe se mbrojtja e të gjithë qytetarëve të Nju Jorkut mbetet prioritet.

Sektori minerar në ‘lupën’ e inspektorëve gjatë 2026-ës për pagimin e taksave, tatimet: 268 mln € gjoba

Sektori minerar do të jetë në fokus të hetimeve nga administrata tatimore për të verifikuar nëse respektojnë detyrimet tatimore.

Në sektorin e naftës, gazit apo bitumit kontrollet kanë nisur që në vitin e shkuar, ku hetimet kanë zbuluar shkelje në përmbushjen e detyrimeve tatimore, ndaj janë vënë gjoba me vlerë 268 milionë euro.

Tatimet theksojnë se edhe gjate vitit 2026 do të ketë verifikime për këto industri për të parë nëse paguajnë tatimet dhe respektojnë detyrimet ligjore.

“Administrata Tatimore ka forcuar kontrollin në sektorin e burimeve natyrore gjatë vitit 2025. Aksioni do të vijojë me të njëjtën vendosmëri edhe gjate vitit 2026, për taksim të ndershëm dhe zbatim rigoroz të ligjit edhe nga çdo biznes i përfshirë në këtë industri”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Tatimeve.

Zelensky njofton kreun e ri të shërbimit të Inteligjencës Ushtarake në Ukrainë

Kreu i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Ukrainës, Oleg Ivasenko është emëruar nga Volodymyr Zelensky, në krye të shërbimit të inteligjencës ushtarake të vendit.

“Nga sot, Oleg Ivasenko do të vazhdojë t’i shërbejë shtetit tonë dhe të kryejë detyra për të kufizuar praninë e personelit ushtarak rus në pozicionet e shërbimit të inteligjencës ushtarake të Ukrainës”, tha Zelensky në një postim në mediat sociale.

Në të njëjtën kohë, presidenti ukrainas njoftoi një ndryshim në udhëheqjen e Shërbimit Shtetëror të Rojës Kufitare të vendit, një pozicion që më parë mbahej nga Serhiy Dainenko.

Zelensky tha se i ka kërkuar Ministrit të Brendshëm të Ukrainës, Igor Klimenko të propozojë kandidatë për këtë pozicion, pasi kërkon të ndryshojë qasjen ndaj funksionimit të shërbimit.

Ngjeshet kalendari i ndeshjeve në 2026-n, për herë të parë UEFA aplikon një format të tillë, ja kur dhe si do të luajë Shqipëria

Viti 2026 i rezervon Shqipërisë mundësinë e artë për të marrë pjesë në Kupën e Botës, me praninë e parë në play-off në mars për një biletë në këtë aktivitet. Por nëse pjesa e parë e vitit i kushtohet tërësisht Botërorit, në pjesën e dytë të 2026, vëmendja do të jetë te ndeshjet e Ligës së Kombeve, me një ndryshim radikal të vendosur nga UEFA.

Kalendari ndërkombëtar për vitin 2026, parashikon që në pjesën e dytë të vitit, kur të luhet Liga e Kombeve, të ketë për herë të parë një “dritare të gjatë” të ndeshjeve ndërkombëtare. Kjo do të thotë që dritarja e ndeshjeve ndërkombëtare të shtatorit dhe të tetorit do të bashkohen.

Sipas asaj që ka parashikuar UEFA, ekipet kombëtare do të luajnë 4 ndeshje në periudhën 24 shtator-6 tetor, si dhe 2 ndeshjet e tjera në periudhën 12-17 nëntor të këtij viti. Kjo është hera e parë kur aplikohet një dritare e përbashkët për shtatorin dhe tetorin nga UEFA, e cila e kishte parashikuar fillimisht një gjë të tillë vetëm për vitin 2027 pas kërkesave të klubeve evropiane që protestonin për vajtje-ardhjet e futbollistëve në pjesën e parë të edicionit.

Shqipëria në këtë edicion të Ligës së Kombeve merr pjesë në Ligën C dhe do të ketë si objektiv vetëm fitimin e grupit, pasi kësisoj mund të sigurojë të paktën pjesëmarrjen në play-off për EURO 2028.

“Punonin bashkë burrë e grua”, flasin fqinjët në Orikum: Jemi të tronditur nga ngjarja, na ra si bombë

Një ngjarje e rëndë ndodhi sot në Orikum. 50-vjeçari Llogora Xhebroi dhunoi për vdekje gruan e tij Sose Xhebroi rreth 40 vjeçe dhe më pas vrau veten në garazhin e banesës së tij me armë zjarri.

Fqinjët kanë folur për ABC News, duke u shprehur të tronditur nga ngjarja.

“Ishin njerëz të mirë, në punën e tyre. Njerëz punëtorë. Jemi të habitur nga ngjarja. Na ra si bombë. Kanë pasur një biznesin e tyre një lokal aty punonin. Punonin bashkë burrë e grua. Kishin dy djem”, shprehet një prej fqinjëve.

Gruaja u gjet në banesë pa shenja jete. Ka qenë një nga fëmijët që ka lajmëruar ambulancën dhe qendrën shëndetësore të Orikumit.

Pas transportimit të trupit të pajetë të gruas në spital, 52-vjeçari ka qëlluar vetën me pistoletë të cilën dyshohet se e mbante në garazh aty ku edhe i ka dhënë fund jetës.

Tragjedia e Crans-Montana: Tavani i ulët dhe shkallët e ngushta e kthyen lokalin në një kurth vdekjeprurës

Autoritetet zvicerane kanë zbuluar detaje të reja rreth shkaqeve të tragjedisë vdekjeprurëse në Crans-Montana, duke përshkruar një kombinim vdekjeprurës faktorësh që e shndërruan barin Le Constellation në një kurth vdekjeprurës.

Sipas Corriere della Sera, megjithëse hetimi për arsyet që çuan në vdekjen e të paktën 47 personave (një numër që pritet të rritet) ka ende shumë për të bërë, të gjitha provat tregojnë se, brenda barit, ndodhi fenomeni jashtëzakonisht i rrezikshëm i ndezjes së menjëhershme të zjarrit, i njohur me termin anglisht ‘flashover’.

Flashover ndodh kur shumica e sipërfaqeve të ekspozuara në një hapësirë ​​të mbyllur nxehen deri në pikën e ndezjes spontane dhe lëshojnë gazra të ndezshëm, duke bërë që flakët të përhapen me shpejtësi.

Në foto e video shpjegohet momenti fatal i nsijes së vatrës së zjarrit, shishet e shampanjës me fishekzjarre, tavani i djegshëm dhe me shishe shampanje e vere varur me kokë poshtë dhe ambienti i mbyllur e me xhama.

Por si arritëm deri në këtë pikë?

A mund të ishte shmangur tragjedia nëse masat e sigurisë në Le Constellation do të kishin qenë më të rrepta dhe nëse vendi i ngjarjes do të kishte përmbushur kushtet e kërkuara për evakuimin e sigurt të tij?

Siç thuhet në artikullin e gazetës italiane, në fokus të hetimeve janë fishekzjarrët që stafi kishte vendosur në shishet e shampanjës, tavani i ulët dhe i ndezshëm, si dhe shkallët e ngushta që ishin dalja e vetme nga bodrumi i dyqanit.

Komandanti i policisë së kantonit të Valais, Frédéric Ghisler, thekson se, megjithëse shkaqet e tragjedisë nuk janë sqaruar plotësisht, një element konsiderohet i sigurt: “Zjarri që vrau dhjetëra njerëz dhe plagosi më shumë se njëqind ishte një aksident”, thotë ai në mënyrë karakteristike, duke përjashtuar çdo mundësi veprimi keqdashës. Ai sqaroi gjithashtu renditjen kronologjike të ngjarjeve disa orë më parë, duke shpjeguar se “pati shpërthime pas zjarrit” dhe jo e kundërta, siç ishte dëgjuar në orët e para pas incidentit. Sipas vlerësimeve aktuale, gjithçka duket se ka filluar me një “qiri” fishekzjarrësh që përdoret shpesh në klube dhe bare për ditëlindje ose festime. Dëshmitë tregojnë se natën fatale, disa njerëz – qoftë kamerierë apo klientë – mbanin lart shishet e shampanjës (madje të vendosura mbi supet e të tjerëve), duke i afruar shkëndijat në mënyrë të rrezikshme tavanit, i cili përshkruhet si i ulët dhe i ndezshëm. Nga aty, zjarri u përhap me shpejtësi . Siç shpjegojnë ekspertët e zjarrit për gazetën italiane, në kushte oksigjeni të kufizuar, zjarri mund të “flejë”. Por kur disa, në përpjekje për t’u arratisur, thyen dritaret për të lënë tymin të dilte, ndodhi gjëja fatale.

“Hapja lejoi që oksigjeni të hynte në hapësirën e mbyllur, duke e bërë zjarrin 10 herë më të fuqishëm”, vërejnë ekspertët.

Në mjediset ku përqindja e oksigjenit është nën 15% oksigjen, nuk ka flakë të mëdha, shpjegojnë ata. Megjithatë, fluksi i papritur i ajrit mund të shkaktojë ndezje të përgjithshme.

Kështu ndodhi shpërthimi i përshkruar nga shumë të mbijetuar, sipas autoriteteve, dhe i cili fillimisht kishte çuar edhe në dyshime për një akt terrorist – një skenar që u mohua kategorikisht nga zyra e prokurorit të Calais. Ekspertët vlerësojnë se pati një ndezje të njëkohshme të pothuajse të gjitha objekteve brenda hapësirës, ​​duke çuar në djegie të gjera dhe fatale të viktimave.

Theks i veçantë i është kushtuar edhe planimetrisë së hapësirës.

“Një shkallë e ngushtë ishte e vetmja dalje nga bodrumi i dyqanit”, tha Gisler, duke konfirmuar dëshmitë e të mbijetuarve të cilët përshkruan se si ishin bllokuar pa asnjë mundësi arratisjeje.

Mbetet e panjohur në këtë kohë nëse një apo më shumë persona do të ndiqen penalisht për vrasje të paqëllimshme, me prokuroren e kantonit të Valais, Beatrice Pillou , duke sqaruar se aktualisht “nuk ka persona në paraburgim”.

Sipas Corriere della Serra, ambasadori italian në Zvicër, Gian Lorenzo Cornado , foli gjithashtu në orët e mëparshme për fishekzjarrët ose fishekzjarrët si një pikënisje të mundshme të zjarrit, duke cituar informacione nga autoritetet zvicerane.

Në hapat e ardhshëm të hetimit, autoritetet do të mbledhin dhe analizojnë video nga momenti kur shpërtheu zjarri, si dhe materiale vizuale të mëparshme, të cilat mund të zbulojnë praktika të rrezikshme.

Në një video promovuese për Le Constellation, klientët shihen duke ngritur shishe shampanje me fishekzjarrë të ndezur që pothuajse prekin tavanin. Atje, sipas të gjitha provave deri më tani, u ndez shkëndija e tragjedisë.

Aksident në hyrje të Sarandës/ Makinat përplasen me njëra-tjetrën, një e plagosur

Një aksident rrugor është regjistruar në rrugën hyrëse të Sarandës, në afërsi të fshatit Metoq, ku si pasojë e përplasjes së dy automjeteve ka mbetur e plagosur një grua.

Sipas informacioneve paraprake, në aksident janë përfshirë një automjet tip “Volkswagen”, me drejtuese shtetasen Dhimitra Harizi, dhe një mjet tip “Toyota” me drejtues shtetasin Sokrat Muço. Si pasojë e përplasjes, ka mbetur e plagosur drejtuesja e mjetit “Volkswagen”, e cila është transportuar menjëherë drejt Urgjencës së Spitalit të Sarandës për ekzaminime mjekësore.

Bëhet me dije se e plagosura ndodhet nën kujdesin e mjekëve, ndërsa nuk raportohet për rrezik për jetën.

Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e këtij aksidenti, ndërkohë që qarkullimi në zonë ka vijuar me kujdes të shtuar.

Theu arrestin shtëpiak, shqiptari i akuzuar për trafik droge kapet rrugëve të Italisë. Rikthehet në qeli

Një shqiptar ka përfunduar përsëri në pranga, pasi u kap rastësisht nga karabinierët gjatë një kontrolli në rrugë, teksa kishte thyer masën e gjykatës “arrest shtëpie”.

Njësia operacionale e Cesena e hasi 36-vjeçarin gjatë një patrullimi. Ata e ndaluan atë ndërsa po ecte përgjatë një rruge periferike në Cesena.

Karabinierët, gjatë procesit të identifikimit dhe pas hetimeve më të thelluara, zbuluan se 36-vjeçari shqiptar ishte nën arrest shtëpiak, të urdhëruar nga Autoriteti Gjyqësor i Brescias në lidhje me krime të posedimit dhe trafikimit të drogës, të kryera në provincën e Lombardisë.

Për këto krime, ai duhej të kishte mbetur nën arrest shtëpiak në shtëpinë e tij në Cesena, nga e cila ishte larguar pa autorizim.

Shqiptari u vu menjëherë nën arrest dhe, me urdhër të Zëvendës Prokurorit Publik të Forlì-t, u dërgua në burg, në pritje të një seance dëgjimore për vërtetimin e arrestit, e cila u mbajt sot. Gjykatësi e vërtetoi arrestimin.

Ndërkohë, Autoriteti Gjyqësor i Brescia-s lëshoi ​​një urdhër të ri duke revokuar urdhrin e arrestit shtëpiak, duke e rikthyer në arrest me burg.

Aksidente me pasoja në rrugët e vendit/ Eksperti: Kryesore mbetet edukata rrugore. Të ndryshohet Kodi Rrugor dhe Penal

Eksperti i sigurisë rrugore, Islam Qibini, ka deklaruar se ditët e para të këtij viti janë shoqëruar me aksidente të rënda me humbje jete, duke i cilësuar ato si tregues negativë për sigurinë rrugore në vend.

Sipas tij, faktori kryesor mbetet përdoruesi i automjetit, i cili duhet të ketë aftësitë e duhura, të jetë i vëmendshëm dhe të zbatojë rregullat e qarkullimit. Qibini theksoi se edukata rrugore është elementi kyç për respektimin e këtyre rregullave.

Në këtë kuadër, Qibini bëri thirrje për ndryshime në Kodin Rrugor dhe Penal, si dhe për rishikimin e disa dispozitave që lidhen me konsumimin e pijeve alkoolike.

“Në ditët e para kemi pasur aksidente të rënda me humbje jete. Janë tregues negativë për sigurinë rrugore, ku faktor kryesor është përdoruesi i automjetit, i cili duhet të ketë aftësitë e duhura, të jetë i vëmendshëm dhe të zbatojë rregullat e qarkullimit. Kryesore është edukata rrugore për zbatimin e rregullave.

Infrastruktura dhe terreni janë të rëndësishëm, por një drejtues automjeti duhet ta përshkojë një rrugë në bazë të tipologjisë së saj. Kur ka lagështi ose ngricë, duhet të ulë shpejtësinë.

Shumë drejtues mjetesh qarkullojnë në mënyrë agresive, bëjnë parakalime të gabuara dhe bëhen premisë për aksidente. Duhen bërë ndryshime në Kodin Rrugor dhe Penal, si dhe disa dispozita për pijet alkoolike duhen rishikuar.”

Rajmonda Bulku rrëfen bisedën me Kadarenë pas letrave kundër saj për filmin “Duaje emrin tënd”

Aktorja e njohur Rajmonda Bulku ka qenë e ftuar në ‘E diell’ në Top Channel dhe ka folur për jetën dhe karrierën e saj.Ndër të tjera ajo ka folur edhe për komentet që mori për filmin ‘Duaje Emrin tënd’.

‘Çuditërisht me atë film u morën disa njerëz që vinin nga Komiteti Qendror dhe që thonin që kësaj aktores duhet ti prisni ca plane sepse është ngacmuese. E kishin fjalën për momentet kur unë eci në korridoret e hotelit, kur unë ngjitem në ashensor, zbres dhe qaj sepse jam zhgënjyer nga ai njeriu që fillova ta pëlqej.’

‘Por pjesa më e madhe e kritikave ishin nga të rinjtë shqiptarë që dërgonin letra për filmin në Kinostudio duke shkruar: Film i degjeneruar, dhe e kishin fjalën për momentin ku unë jam e shtrirë me personazhin tjetër në Volorekë. Në atë kohë kam pirë një kafe me të madhin Kadare dhe ndërkohë kisha qenë edhe në filmin e Helenës edhe në filmin e Kadaresë dhe i kisha njohur ndërkohë edhe si skenaristë dhe isha shumë keq dhe i thashë nuk di seç ka ndodhur, edhe bashkëshortit tim i thonin ç’e mban ti atë grua, tmerr.’

‘Dhe teksa diskutoja me Kadarenë ai më thotë: Mos të lëntë perëndia pa armiq se je e harruar’, thotë Bulku.

Ndryshon kalendari i Ligës së Kombeve: Kombëtarja shqiptare do të luajë 4 ndeshje radhazi

Vëmendja e madhe e Kombëtares shqiptare dhe e të gjitha skuadrave të tjera është në “Play Off”-in e Botërorit dhe më pas në eventin madhor që do të luhet në qershor dhe korrik. Megjithatë, UEFA paralelisht është duke vazhduar programin e saj për përgatitjen e Ligës së Kombeve të këtij viti.

Shorti do të hidhet më 12 shkurt, ku Kombëtarja bën pjesë në Ligën C pasi nuk ia doli dot të qëndronte në Ligën B pas Europianit.

Për herë të parë, ky kompeticion do të ketë një kalendar ndryshe. UEFA ka menduar që ndeshjet e para të grupeve të luhen të gjitha afër njëra-tjetrës. Pra, nga 26 shtatori deri më 6 tetor, Shqipëria, ashtu si gjitha shtetet e tjera, do të luajë 4 ndeshje.

Futbollistët do të qëndrojnë më shumë kohë me njëri-tjetrin, në një grumbullim të gjatë. Kjo gjë është bërë për t’u ardhur në ndihmë trajnerëve të Kombëtareve për të punuar më shumë me njëri-tjetrin, por edhe skuadrave evropiane që lojtarët e tyre të mos shkëputen disa herë nga kampionatet.

Dy ndeshjet e fundit në grupin e Ligës së Kombeve do të luhen në nëntor.

Mbyti gruan për vdekje dhe më pas vrau veten, ja kush janë çifti i bashkëshortëve nga Orikumi

Ky është çifti i bashkëshortëve Xhebroj nga Orikumi, që humbën jetën ditën e sotme në një krim vrasje-vetëvrasje në familje.

Hetimet dhe dëshmitë zbulojnë detaje të reja për viktimat.

Llogora dhe Sose Xhebroj ishin kthyer nga Italia për festat e fundvitit në Shqipëri. Mësohet se ata ishin të ndarë, por ende jetonin bashkë. Gruaja kishte kërkuar divorcin, por duket se autori nuk e pranonte.

Burime bëjnë me dije se burri pasi e ka dhunuar gruan e ka çuar në spital në urgjencë të vdekur. Dyshohet se krahas dhunës, mund ta ketë mbytur edhe me duar. Pasi e ka lënë në urgjencë pa shenja jetë, është kthyer në banesë, ku edhe ka vrarë veten.

Çifti ishin prindër të dy fëmijëve. Familjarët kanë deklaruar në polici se kohët e fundit ata kushin probleme me njëri-tjetrin dhe ishin në prag të ndarjes.

Sherret e tyre nuk janë raportuar në polici më përpara. Konfliktet mes tyre dyshohet që të jetë shkaku i vrasjes dhe vetëvrasjes.

Gjykata lë në burg 62-vjeçarin që dyshohet se abuzoi me 12-vjeçaren në Pogradec

Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 67-vjeçarin Rushan Selko, i akuzuar për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me një vajzë 12-vjeçare, të dy banues në një fshat të Pogradecit. Vendimi u mor gjatë seancës së sotme gjyqësore, pas kërkesës së paraqitur nga organi i akuzës.

Sipas Prokurorisë, ekzistojnë prova bindëse që tregojnë se i dyshuari ka ushtruar dhunë dhe ka kryer veprën penale, nga e cila e mitura ka mbetur shtatzënë.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se analizat mjekësore konfirmojnë se vajza është mbi katër muajshe shtatzënë, ndërsa përgjigjet e analizës së ADN-së pritet të mbërrijnë brenda rreth dy javësh.

Gjatë seancës, 67-vjeçari nuk e ka pranuar akuzën, por gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin e masës më të rëndë të sigurisë. Avokati mbrojtës ka refuzuar të prononcohet për mediat, duke e cilësuar çështjen si tepër delikate, ndërsa jashtë gjykatës nuk ka patur asnjë familjar të të dyja familjeve.

Zjarri rrafshon kullën e kishës dy shekullore në Amsterdam! Shkak dyshohet hedhja e fishekzjarreve

Kulla e kishës Vondelkerk në Amsterdam, e cila u përfshi nga flakët pak pas mesnatës, u shemb plotësisht në orët e para të së enjtes (1 janar).

Pjesë të majës së kishës 154-vjeçare ishin shembur tashmë pas dy orësh zjarr. Shtëpitë aty pranë u evakuuan ndërsa zjarri përhapi hi dhe copa druri të vjetër.

Vetë zjarrfikësit ranë kambanat për të paralajmëruar banorët. Pamjet e filmuara u bënë shumë shpejt virale dhe kaluan xhiron e botës në media e rrjete sociale.

Kisha Vondelkerk u ndërtua në vitin 1872 dhe funksionoi deri në vitin 1977, por që atëherë ka qenë në dispozicion për përdorim të veçantë. Zjarri ndoshta u shkaktua nga fishekzjarrët e hedhur nga bandat e të rinjve.

Paralizohet qarkullimi në autostradën Tiranë-Elbasan! Trafik i rënduar në ditën e parë të vitit

Viti i Ri 2026 ka nisur me stresin e përhershëm të drejtuesve të mjeteve dhe udhëtarëve në rrugët e vendit.

Radhë kilometrike, trafik i rënduar dhe pritje të gjata ka pasur sot në aksin kombëtar Tiranë-Elbasan. Siç shihet edhe nga pamjet, mjetet kanë krijuar një karvan të gjatë në segmentin e daljes nga Elbasani.

Mungesa e infrasktrukturës së duhur, pasiviteti i Policisë, festat e fundvitit dhe kthimi i emigrantëve që lëvizin në hyrje-dalje përveç vizitave të familjarëve, janë disa nga shkaqet e trafikut të rënduar.

❌