Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Trump thotë se ka punuar edhe me Kosovën dhe Serbinë javët e fundit

Presidenti amerikan Donald Trump përmendi sërish Kosovën dhe Serbinë gjatë fjalimit të tij pas samitit të NATO-s në Hagë, Holandë.

Duke folur për një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin, Trump tha se në javët e fundit ka qenë i përfshirë edhe në zgjidhjen e disa konflikteve të tjera, duke përfshirë Kosovën dhe Serbinë.

“Më telefonoi [Putini] para disa ditësh dhe më pyeti nëse mund të ndihmoja me Iranin. I thashë jo, por mund të më ndihmojë me Rusinë. Sepse, në javët e fundit kemi punuar me Indinë dhe Pakistanin, Kosovën dhe Serbinë. Mendoj se të premten pritet të vijnë edhe përfaqësuesit e Kongos dhe Ruandës, pasi atje ka pasur një konflikt të ashpër”, tha Trump.

The post Trump thotë se ka punuar edhe me Kosovën dhe Serbinë javët e fundit appeared first on Lapsi.al.

Tjetër samit, bllokohen sërish rrugët në Tiranë (HARTA)

Qytetarët e Tiranës do të vuajnë një tjetër ditë me bllokime rrugësh për lëvizjen e makinave dhe qytetarëve.

Policia e Tiranës thotë se, do të ketë bllokime në akset kryesore të kryeqytetit, sepse Bajram Begaj do të organizojë një samit në Tiranë.

Njoftimi i Policisë së Tiranës:

Në kuadër të planit të masave të marra për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së lëvizjes së delegacioneve të huaja, të kryesuara nga Presidentët përkatës, me rastin e zhvillimit të Ministerialit të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore #SEECP, ju informojmë se më datë 16.06.2025, do të ketë bllokime dhe kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa akse rrugore, konkretisht:

Në ardhje të delegacioneve📍Aeroporti i Rinasit-Mbikalimi i Kasharit -Autostrada ‘Durrës-Tiranë’ -Unaza e Re -Rrethrrotullimi i Saukut -Rruga e Elbasanit-Rruga ‘George Ë Bush’ -Rruga ‘Urani Pano’-Rruga ‘Dervish Hima’.

-Në largim të delegacioneve: Rruga ‘George W Bush’ -Rruga e Elbasanit-Rrethrrotullimi i Saukut -Unaza e Re -Sheshi ‘Shqiponja’ -Autostrada ‘Tiranë-Durrës’-Mbikalimi i Kasharit-Aeroporti i Rinasit.

Gjithashtu, po me datë 16.06.2025, gjatë zhvillimit të aktivitetit, do të ketë ndalim të përkohshëm të qarkullimit, parkimit të automjeteve si dhe lëvizjes të këmbësorëve, në rrugën ‘Ludovik Shllaku’ dhe Rrugën e DIbrës.

Orari i kufizimeve do të varet nga mbërritja e delegacioneve në Aeroportin e Rinasit.

Policia e Tiranë kërkon mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve dhe qytetarëve për kufizimet e përkohshme. Bashkëpunimi juaj është i domosdoshëm për garantimin e një eventi kaq të rëndësishëm për vendin dhe për ruajtjen e rendit e sigurisë publike.

The post Tjetër samit, bllokohen sërish rrugët në Tiranë (HARTA) appeared first on Lapsi.al.

BIRN: Propaganda ruse targetoi samitin e Komunitetit Europian në Tiranë

“Kllounët shqiptarë Macron, Starmer, Merz dhe Zelensky i japin sinjale Trump”, shkruhet 16 maj në një nga titujt e faqes që identifikohet si Pravda, një portal që përkthen automatikisht në shqip artikuj nga një numër mediash ruse dhe profile Telegrami që shpërndajnë propagandë në favor të Moskës.

Artikulli në fjalë, që ka pak rreshta dhe një kolazh screenshotesh nga rrjeti X është përkthyer nga kanali në Telegram i Olga Skabeyeva, prezantuese televizive dhe komentatore ruse, e sanksionuar nga Bashkimi Europian dhe Departamenti i Shtetit në SHBA për shpërndarje të propagandës ruse mbi luftën në Ukrainë.

Citimi i Skabeyevës është vetëm një nga dhjetra artikujt me gjuhë të ngjashme dhe me gabime gramatikore po aq të ngjashme që u publikuan në shqip nga Pravda mes datave 15-18 maj, kryesisht rreth samitit të Komunitetit Politik Europian që u mbajt në Tiranë në 16 maj. Artikujt janë kryesisht me burim median zyrtare të Moskës ose profile në Telegram dhe X të propagandistëve të Kremlinit.

Narrativa në artikuj është e njëjtë dhe kryesisht rreth luftës në Ukrainë dhe sanksioneve të vendeve të Europës ndaj Rusisë. Në artikuj pjesëmarrësit në samit tallen, mesazhet e tyre hiperbolizohen dhe shpesh shoqërohen me kërcënime.

Një nga postimet e shpërndara nga Pravda ditën e samitit ishte edhe një koment nga një tjetër propagandist i sanksionuar rus, Vladimir Kornilov. “Basketbollisti Edi Rama poshtëroi Britanikun e pacipë duke hedhur poshtë publikisht idetë e tij të çmendura për akomodimin e emigrantëve të paligjshëm në Shqipëri”, thuhet në postimin e marrë nga llogaria në Telegram e Kornilov.

Për specialistë të komunikimit dhe njohës të dezinformimit, ky numër i madh artikujsh me formulime të ngjashme janë një praktikë e njohur e propagandës zyrtare të Kremlinit.

“Është kthyer tashmë në një taktikë dezinformimi, kur eventet ndërkombëtare me profil politik, ushtarak apo diplomatik, kthehen në lëndë të parë për prodhimin e lajmeve apo materialeve dezinformuese”, tha Viola Keta, gazetare dhe eksperte e verifikimit të fakteve.

Propagandë me përkthim automatik

Pravda (e përkthyer në shqip “E vërteta”) në këtë rast nuk është gazeta e Partisë Komunistë të BRSS, por një version modern i propagandës ruse, që përdor përkthimin, postimin dhe shpërndarjen automatike të artikujve nga media dhe profile në rrjetet sociale që mbështesin qëndrimet zyrtare të Moskës.

Pravda nuk është një media nuk kuptimin e parë. Në fakt, bëhet fjalë për një rrjet portalesh të krijuar për të riprodhuar përmbajtje të përkthyer automatikisht nga burime pro-Kremlinit në gjuhë të ndryshme, me qëllim përhapjen e narrativave anti-perëndimore. Faqja është aktivizuar në vitin 2023, fillimisht në pak gjuhë kryesore. Rrjeti u zgjerua në vitin 2024 në 19 vende të Europës dhe përfshiu edhe Shqipërinë.

Përpos faqes online, rrjeti përdor Telegramin për të shpërndarë materialet e riprodhura në shqip. Megjithatë ndikimi në Shqipëri është i vogël. Faqja në Telegram ka vetëm 5 ndjekës, por vetëm aty gjenden mbi 200 video e mijëra foto e lidhje të jashtme me fokus ose luftën në Ukrainë, ose konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë.

Përhapja relativisht e ulët e faqes në shqip, vjen sipas ekspertëve, për shkak të qëndrimeve të qarta të Shqipërisë në favor të Perëndimit. Megjithatë, shqetësimet janë se mungesa e profesionalizmit në mediat lokale mund të krijojë probleme.

“Shqipëria është një vend me orientim të qartë perëndimor dhe me qëndrim të fortë pro-NATO dhe pro-BE”, thotë Erlis Çela, profesor i medias dhe komunikimit në universitetin “Beder” në Tiranë, duke vënë në dukje se ndikimi nga faqe si Pravda nuk është i madh. Por sipas tij, ka një sërë dobësish që mund të shfrytëzohen dhe t’i bëjnë të pranueshme fushata të tilla dezinformuese, përfshi problemet në sistemin mediatik shqiptar, nivelin e  ulët të edukimit mediatik të audiencave shqipfolëse, si dhe praninë e mundshme të portaleve anonime që u vihen me dashje apo padashje në dispozicion këtyre agjendave.

Të njëjtin qëndrim ndan edhe Keta. “Prania e qindra mediave online, pjesa më e madhe jo transparente, pa staf të kualifikuar dhe politika të mirëqena editoriale, janë një minus dhe përbëjnë një armë në duart e aktorëve që përmes dezinformimit, kërkojnë të çojnë përpara axhenda destabilizuese”, tha ajo.

Rreziku i shpërndarjes së dezinformimit përmes teknikës së copy-paste u vu në dukje edhe në një raport të përbashkët nga BIRN dhe SCiDEV për vitin 2023, i cili identifikoi qindra raste të shpërndarjes së përmbajtjes dezinformuese pro-ruse në mediat shqiptare, që u riprodhuan në portale të ndryshme pa verifikim apo redaktim profesional.

Teknikë e krijimit të mjegullës

Një seri e postimeve dhe ripostimeve në Pravda gjatë ditëve të samitit iu referua mundësisë së sanksioneve të reja ndaj Rusisë prej vendeve të tjera të Europës. Artikujt e tillë u shpërndanë kryesisht bashkë me kërcënimet përkatëse.

“Globalistët po përgatisin një goditje fatale për Rusinë. Por kush do të lëndohet vërtet?”, thuhet në një titull me burim tsargrad.tv, një televizon rus në pronësi të mogulit të medias dhe oligarkut Konstantin Malofeev, po ashtu i sanksionuar nga BE dhe SHBA-të.

Një artikull i ngjashëm këmbëngul se Europa do të rrënojë ekonominë e saj nëse këmbëngul në sanksionet ekonomike. Ndërsa një numër artikujsh u fokusuan të paraqesin presidentin francez, Emmanuel Macron, si një lider të dobët e qesharak.

Erlis Çela thotë se ndërsa kjo fushatë apo të tjera të ngjashme e kanë të vështirë të jenë ndikuese në Shqipëri, qëllimi i parë i tyre është krijimi i konfuzionit dhe nxitjen e mosbesimit.

“Në përgjithësi, gjykoj se efekti i fushatave të tilla lidhet me krijimin e një lloj mjegullnaje informative, që çon në rritjen e mosbesimit ndaj institucioneve europiane”, tha ai.

Edhe Keta thotë se narrativa të përsëritura dhe gjysmë të vërtetat, edhe pse nuk kanë ndikim të menjëhershëm, janë pjesë e strategjive të mirëmenduara të dezinformimit. “Çdo lajm i rremë apo çorientues, që mund të përfshijë disa të vërteta, por të servirura në kontekst të gabuar me ose pa dashje, nga cilido aktor, cenon dhe ndot informacionin, duke krijuar një terren toksik për audiencën”, tha ajo.

Keta thotë se qoftë edhe ngjallja e dyshimeve apo çorientimi i publikut  i shkon në favor dezinformuesit. Sipas saj, kjo shpjegon pse një mori artikujsh të prodhura gjatë samitit të Komunitetit Politik Europian në Tiranë ishin përsëritëse.

“Një nga elementët kyç të fushatave dezinformuese është prania konstante dhe e përsëritur e narrativave në format nga më të larmishmet: lajme, filma, meme, video/foto deepfake, karikatura, grafite. Ky lloj bombardimi i audiencës me çdo kusht dhe vazhdimisht me narrativat që i qasen axhendave të caktuara, ka gjasë që shumë shpejt të japë efektin e vet,” paralajmëroi ajo. /BIRN

The post BIRN: Propaganda ruse targetoi samitin e Komunitetit Europian në Tiranë appeared first on Lapsi.al.

NATO konfirmon ftesën për Ukrainën në samitin e qershorit

Ministrat e Mbrojtjes të Grupit të Kontaktit për Ukrainën diskutojnë për mbështetjen e mëtejshme të saj. Po ashtu Ukraina është ftuar edhe në samitin e NATO-s. Për shkak të luftimeve të ashpra që po vazhdojnë në Ukrainë, Grupi i Kontaktit për Ukrainën (UDCG) takohet të mërkurën (04.06) në selinë e NATO-s në Bruksel në të ashtuquajturin formati Ramstein. Ftesën për takimin e bënë ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, dhe homologu i tij britanik, John Healey.

Tema e bisedimeve do të jetë mbështetja e mëtejshme për Ukrainën në luftën kundër agresionit rus. Në takimin pritet të marrë pjesë edhe ministri ukrainas i Mbrojtjes, Rustem Umyerov. Sipas diplomatëve të NATO-s, ministri i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, nuk do të marrë pjesë në takimin e UDCG-së, por do jetë i pranishëm në takimin e ministrave të mbrojtjes të NATO-s që do të zhvillohet të enjten (05.06).

NATO konfirmon ftesën në samit për Ukrainën

NATO njoftoi se ka ftuar Ukrainën në takimin e krerëve të shteteve dhe qeverive të Aleancës që do të zhvillohet në fund të qershorit në Hagë. Agjenda e samitit do të publikohet “në momentin e duhur”, tha një përfaqësues i NATO-s për agjencinë e lajmeve AFP. Pjesëmarrja e Ukrainës në samitin e Hagës ishte objekt diskutimesh të shumta kohët e fundit. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy kishte marë pjesë në dy samitet e fundit në Vilnë dhe Uashington.

Por Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, kohët e fundit nuk kishte bërë ndonjë deklaratë të qartë në lidhje me një ftesë të mundshme për Zelenskin.

Komisioni i BE-së: Plan për refugjatët nga Ukraina

Komisioni i BE-së planifikon të paraqesë të mërkurën (04.06) planin e tij lidhur me qëndrimin ndaj refugjatëve ukrainas. Komisioneri përgjegjës, Magnus Brunner, dhe zëvendëskryeministri ukrainas Oleksiy Hernishov do të paraqesin së bashku propozimet e tyre në Bruksel, tha një zëdhënëse e Komisionit. Detaje të mëtejshme nuk janë bërë të ditura./ DW

The post NATO konfirmon ftesën për Ukrainën në samitin e qershorit appeared first on Lapsi.al.

The Telegraph: Përplasje Macron-Meloni në samitin e Tiranës

Nga ana e tij, kancelari gjerman Merz u shpreh pas takimit me Melonin: “Nuk duhet të lejojmë që të ndahemi. Do të zhvilloj bisedime në BE në ditët në vijim dhe do ta përfshij Italinë në të gjitha përpjekjet tona për të zgjidhur këtë konflikt.”

Meloni dhe Macron janë të njohur për marrëdhëniet e tensionuara, dhe në disa raste, Meloni është kapur nga kamerat duke rrotulluar sytë pas një shtrëngimi duarsh me presidentin francez.

Kryeministrja italiane ka qenë një mbështetëse e vendosur e Kievit dhe gjithashtu ka krijuar një raport të fortë personal me Trump. Por, ajo ka qenë shumë kritike ndaj planeve për të dërguar trupa në Ukrainë si paqeruajtës për të siguruar një armëpushim të përhershëm.

Gjatë javës së fundit, Meloni është kritikuar gjithnjë e më shumë nga udhëheqësit e opozitës dhe kritikët në Itali për shkak se është margjinalizuar nga udhëheqësit evropianë.

Presioni drejt Shtëpisë së Bardhë

Ndërkohë, liderët europianë, Merz, Macron dhe Starmer, po shtyjnë përpara diskutimet me Shtëpinë e Bardhë mbi Ukrainën.

Së pari, ishte udhëtimi me tren për në Kiev, pastaj të premten një takim dhe më pas një telefonatë e përbashkët me Donald Trumpin, që u zhvillua në kuadër të samitit të Komunitetit Politik Evropian, në Tiranë, ku morën pjesë 40 liderë evropianë.

Telefonata drejtuar Trump u bë pasi bisedimet e paqes Rusi-Ukrainë dështuan në Stamboll më herët atë ditë dhe grupi, i cili përfshinte Zelenskyn, por jo Melonin, më vonë lëshoi ​​një deklaratë duke i quajtur kërkesat e Rusisë të papranueshme.

Trump do të flasë me Vladimir Putin këtë hënën, pasi zëvendëspresidenti i tij zhvilloi bisedime të drejtpërdrejta me Zelenskyn në prag të meshës së Papës të dielën.

Putin tha të dielën se Rusia ka “forcën dhe burimet” për të përfunduar atë që filloi me pushtimin e Ukrainës.

“Ne kemi forcë dhe burime të mjaftueshme për ta çuar atë që filloi në vitin 2022 në një përfundim logjik me rezultatin që i nevojitet Rusisë”, tha ai, pa sqaruar më tej.

Të dielën, Rusia nisi gjithashtu sulmin e saj më intensiv me dronë ndaj Ukrainës që nga pushtimi në vitin 2022, duke qëlluar një total prej 273 dronësh dhe karremesh shpërthyes gjatë natës, tha forca ajrore e Ukrainës./The Telegraph

The post The Telegraph: Përplasje Macron-Meloni në samitin e Tiranës appeared first on Lapsi.al.

Liderët europianë bëjnë foton familjare para nisjes së samitit

Liderët Europianë kanë bërë foton familjare, para nisjes së punimeve të Samitit të Komunitet Europian në Tiranë.

Kryeministri Rama shihet krah presidentit francez Emmanuel Macron, presidentit të Këshillit Europian Antonio Costa, presidentit ukrainas Volodymir Zelensky dhe kryeministres së Danimarkës Mette Frederiksen.

Samiti i gjashtë i Komunitetit Politik Europian po mbahet në Tiranë, ku do të marrin pjesë 47 liderë shtetesh dhe qeverish nga e gjithë Europa, përfshirë vende të Bashkimit Europian, Ballkanin Perëndimor, si dhe shtete të tjera të kontinentit.

Kjo është hera e parë që një ngjarje e tillë zhvillohet në Ballkanin Perëndimor, duke shënuar një moment historik për Shqipërinë dhe rajonin.

Pjesëmarrësit do të diskutojnë për çështje të sigurisë, konkurrencës ekonomike dhe fuqizimin e rinisë.

The post Liderët europianë bëjnë foton familjare para nisjes së samitit appeared first on Lapsi.al.

Analiza e DW/ Asnjë angazhim konkret për Ballkanin, vetëm fjalë në samitin e BE

Që nga samiti i BE-së në Selanik të Greqisë, në vitin 2003, unioni, i cili tani është rritur në 27 shtete anëtare, ka përsëritur mantrën e tij: “Shtetet në Ballkanin Perëndimor, që dolën nga shpërbërja e Jugosllavisë dhe Shqipëria, i përkasin Evropës dhe gjithashtu duhet të pranohet në union”.

Vetëm Kroacia bëri kapërcimin në BE në vitin 2013. 6 pjesët e mbetura, Serbia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnje-Hercegovina dhe Shqipëria punojnë ende për marrjen e një date specifike për pranimin e tyre prej shumë vitesh dhe janë në faza të ndryshme të pranimit të një procesi të gjatë.

“Tani ne duhet ta çojmë këtë proces në një fund me një ritëm krejtësisht të ri, në mënyrë që perspektiva e pranimit të kthehet në pranim real” – tha kancelari gjerman në largim Olaf Scholz (SPD) në Bruksel. Ashtu si çdo vit, aty zhvillohet samiti i BE-së për Ballkanin Perëndimor. Olaf Scholz nuk e thotë këtë për herë të parë. Dy vjet më parë ai gjithashtu foli për shpejtësi dhe përshpejtim.

Padurimi po rritet

Nga këndvështrimi i shumë politikanëve të Ballkanit Perëndimor, pak ka ndodhur. Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, e quajti procesin e alternuar të anëtarësimit, të padrejtë ose neurotik. Shqiptari madje e sheh hipokrizi faktin që Ukraina dhe, pas saj, Moldavia po nxiten në procesin e anëtarësimit për të dërguar një sinjal gjeopolitik në luftën mbrojtëse kundër agresorit rus.

Edi Rama ka shpresë tek përfaqësuesja e re e BE-së për politikën e jashtme, Kaja Kallas nga Estonia. Ajo patjetër do të punojë për Ballkanin Perëndimor. Në fund të fundit, ajo vetë u rrit në një diktaturë komuniste, luftoi për liri dhe më në fund u bashkua me BE.

Sipas kryeministrit shqiptar, Ballkani Perëndimor ka kaluar diçka të ngjashme. Edi Rama lajkatoi me kënaqësi ish-shefen e qeverisë estoneze pas takimit të tyre të parë në detyrën e saj të re. “Faleminderit për buzëqeshjen miqësore në motin gri të shurdhër këtu në Bruksel mëngjesin e sotëm”, – tha Rama.

BE nuk është e mbyllur

Opinionet në Bashkimin Evropian rreth asaj se sa shpejt duhet të pranohen shtetet e Ballkanit Perëndimor ndryshojnë shumë. Austria, e cila mban lidhje të ngushta historike me Ballkanin, ka themeluar një “grup miqsh” për 6 kandidatët për anëtarësim.

Në vende të tjera që janë më larg, si Irlanda apo Spanja, ambicia nuk është aq e madhe. Spanja, si shtetet e tjera të BE-së, ende nuk e ka njohur Kosovën si shtet. Kosova ende konsiderohet një krahinë e shkëputur nga Serbia. Kjo mosmarrëveshje ndërmjet Serbisë dhe Kosovës nuk i është afruar zgjidhjes pavarësisht përpjekjeve të ndërmjetësimit të BE-së.

Përkundrazi, ndonjëherë përleshjet e dhunshme dhe sulmet terroriste po rëndojnë rëndë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ato po bllokojnë gjithashtu progresin në procesin e anëtarësimit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ankua gjatë në samitin e Brukselit se Serbia po shihet se po bën përparim, edhe pse në politikën e jashtme ishte në linjë me Rusinë. Kosova, në anën tjetër, i ka përmbushur të gjitha reformat dhe kërkesat e BE-së dhe sigurisht që mbështet politikën e BE-së për Ukrainën.

Ne jemi shteti më miqësor për Evropën në botë, por aplikimi ynë për anëtarësim është zhdukur diku në një sirtar në Bruksel”, – tha presidentja Osmani.

Probleme me njëri-tjetrin

Kancelari gjerman Olaf Scholz paralajmëroi, siç ka bërë shpesh, se mosmarrëveshjet midis fqinjëve në Ballkanin Perëndimor nuk duhet të errësojë procesin e anëtarësimit. Kjo vlen edhe për vendet anëtare të BE-së, problemet dypalëshe të të cilave me vendet kandidate individuale ndikojnë në procesin në tërësi.

Ajo që ndoshta nënkuptohet këtu është Bullgaria, e cila ka një problem me kandidaten për anëtarësim Maqedoninë e Veriut për arsye të ndryshme kulturore dhe historike. Megjithatë, këto probleme nuk u përmendën në samit, por në një moment u mbuluan me pranimin e përgjithshëm se Ballkani Perëndimor do t’i përkiste BE-së.

Për më tepër, procesi i anëtarësimit varet nga performanca e atyre që dëshirojnë të anëtarësohen. Çdo vend vlerësohet individualisht dhe në mënyrë të pavarur nga fqinjët e tij. Kjo është arsyeja pse nuk ka lidhje të anëtarësimit, sipas Komisionit të BE-së.

Mali i Zi tek porta?

Për këtë shpreson më i vogli nga kandidatët për anëtarësim, Mali i Zi, me vetëm 670 mijë banorë. Presidenti malazez Jakov Milatoviç tha në samit se vendi i tij kishte përfunduar të gjithë kapitujt e negociatave dhe ishte gati për t’u bashkuar me vite. “Ne jemi në ballë dhe dëshirojmë të bëhemi shteti i 28-të anëtar i BE. Ky do të ishte gjithashtu një sinjal i qartë për aplikantët e tjerë se procesi i pranimit është ende gjallë” – tha Jakov Milatoviç.

Por edhe Milatoviq nuk mori ndonjë premtim konkret. Shefja e re e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, thjesht tha se donte të bënte përparim të vërtetë brenda mandatit të saj gjatë 5 viteve të ardhshme. Pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës pothuajse 3 vjet më parë, BE-ja u trondit. Ballkani Perëndimor papritmas u bë më i rëndësishëm si një mburojë kundër ndikimit rus.

“Zgjerimi i BE-së është gjithashtu i rëndësishëm për sigurinë në mbarë Evropën”, – tha presidenti i Malit të Zi. Të paktën këtë duhet ta kishin kuptuar tashmë njerëzit në kryeqytetet e BE-së. Në mënyrë që të lidhet më ngushtë Ballkani Perëndimor me BE-në, e cila tashmë është partneri më i rëndësishëm tregtar i rajonit, duhet të miratohet një “Plan i Rritjes për Ballkanin Perëndimor”. Plani synon të sigurojë investime në infrastrukturë dhe vende pune në rajon.

Nuk përmendet asnjë datë

Në samitin e tij të fundit ballkanik, ish-presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel foli për vitin 2030 si vitin në të cilin duhet të ndodhin pranimet e ardhshme. Pasardhësi i tij në detyrë, Antonio Costa, nuk u përsërit këtë vit.

“Samiti nuk kishte të bënte me detajet e zgjerimit si të tillë”, – tha Antonio Costa pas diskutimeve. Ishte më shumë për tablonë e madhe strategjike. “Ne e vumë re zhgënjimin në rajon. Por tani ka një moment të ri” – tha Costa.

Para se të ndërmerren hapa konkretë, Bashkimi Evropian duhet së pari të përgatitet për të pranuar anëtarë të rinj, paralajmërojnë vazhdimisht diplomatët e BE-së. Procedurat dhe institucionet që marrin vendime janë shumë të ngadalta dhe të rënda për një komunitet me 33 shtete anëtare apo edhe me Ukrainën.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka vite që bën thirrje për reforma. Megjithatë, pak ndodhi. Presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen njoftoi se së shpejti do të dalë me një propozim. A do e dëgjojmë në samitin e ardhshëm të BE-së për Ballkanin Perëndimor në dhjetor 2025? ©DW, përgatiti LAPSI.al

The post Analiza e DW/ Asnjë angazhim konkret për Ballkanin, vetëm fjalë në samitin e BE appeared first on Lapsi.al.

❌